• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UÇK-ja në gjyq, Serbia jashtë sallës

September 17, 2026 by s p

Fadil Ferizi/

Ka aktgjykime që ndajnë drejtësi. Ka edhe aktgjykime që, duke u mbështetur në mandat të ngushtë juridik, prodhojnë pasoja të gjera historike.

Vendimi i sotëm i Dhomave të Specializuara në Hagë është i tillë.

Nga viti 2016 deri në vitin 2027, sipas përllogaritjeve të financimeve të miratuara për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, janë shpenzuar dhe paraparë mbi 530 milionë euro. Mbi gjysmë miliardi euro për një mekanizëm që, përtej gjuhës juridike, ka prodhuar një pamje të rëndë: drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bankën e të akuzuarve, Serbia jashtë sallës.

Sipas vendimit të shpallur sot nga Trupi Gjykues, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë shpallur fajtorë për krime lufte. Hashim Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte. Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim për të njëjtat pika. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Jakup Krasniqi është dënuar me 25 vjet burgim.

Por Trupi Gjykues nuk i shpalli fajtorë për krime kundër njerëzimit. Akuzat për përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë si krime kundër njerëzimit nuk u provuan në standardin e kërkuar. Ky nuk është hollësi juridike. Është fakt me peshë politike dhe historike.

Këtu qëndron paradoksi i madh i këtij aktgjykimi: nuk u provuan krimet kundër njerëzimit, por u shqiptuan dënime tepër të rënda ndaj figurave kryesore të luftës çlirimtare. Juridikisht, dallimi ndërmjet krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të shpjegohet. Por historia nuk ruhet vetëm me nene. Kujtesa publike nuk mban mend vetëm arsyetime gjyqësore. Ajo mban mend skenën.

Dhe skena është e padrejtë në përmasën e saj historike.

Në qendër të gjykimit janë ish-drejtuesit e UÇK-së. Jashtë kësaj skene mbetet Serbia, shteti që kishte ushtrinë, policinë, aparatin administrativ, burgjet, dëbimet, masakrat dhe mekanizmin e dhunës mbi shqiptarët e Kosovës. Kjo mungesë nuk është çështje teknike. Është boshllëk moral.

Askush nuk duhet të kërkojë imunitet penal në emër të luftës. Përgjegjësia penale është individuale dhe çdo viktimë meriton të vërtetën e vet. Por asnjë përgjegjësi individuale nuk mund ta përmbysë të vërtetën kolektive të një lufte çlirimtare. UÇK-ja nuk lindi nga dëshira për konflikt. Ajo lindi nga një histori shtypjeje, nga heqja e autonomisë, nga përjashtimi institucional, nga dhuna policore, nga dëbimet dhe nga një regjim që lirinë e shqiptarëve e shihte si rrezik.

Prandaj një proces me mandat të ngushtë mund të bëhet i rrezikshëm kur fillon të prodhojë kujtesë të gjerë. Ai mund ta ngushtojë historinë deri aty sa skena e gjyqit të zëvendësojë skenën e luftës. Mund të krijojë përshtypjen se tragjedia filloi me UÇK-në, jo me shtetin që e detyroi Kosovën të mbrohej.

Ky është dëmi më i madh.

Dhomat e Specializuara mund të thonë se nuk gjykojnë historinë e Kosovës, por vetëm individë. Megjithatë, institucionet nuk jetojnë vetëm në tekstin e ligjit. Ato jetojnë edhe në perceptim, në arkiv, në fotografi, në mënyrën se si brezat e ardhshëm do ta lexojnë të kaluarën. Dhe në këtë kuptim, ky mekanizëm, i mbështetur dhe i financuar kryesisht nga Bashkimi Evropian, sot humbi shumë nga autoriteti moral që pretendonte ta kishte.

Përgjegjësi kanë edhe institucionet e Kosovës. Kjo gjykatë nuk u ngrit vetëm nga jashtë. Kuvendi i Kosovës ndryshoi Kushtetutën dhe miratoi ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kosova mori pjesë në krijimin juridik të një mekanizmi që sot prodhon pasoja të rënda për kujtesën e saj kombëtare.

Prandaj pyetja nuk është vetëm për Evropën. Është edhe për ne. A e kuptuan institucionet tona se drejtësia nuk prodhon vetëm aktgjykime, por edhe histori? A e panë se një mekanizëm i tillë, me mandat të ngushtë dhe me efekt të gjerë publik, mund të prodhonte një pamje të shtrembëruar të luftës së Kosovës?

Kosova nuk duhet të ketë frikë nga drejtësia. Por duhet të ketë kujdes nga drejtësia e pjesshme që, në kujtesë, mund të kthehet në padrejtësi të plotë.

Prandaj sot duhet të jemi të matur, por jo të heshtur. Të drejtë ndaj çdo viktime, por edhe të drejtë ndaj historisë sonë. Të gatshëm ta pranojmë çdo të vërtetë të provuar, por të vendosur të mos pranojmë që e vërteta e pjesshme të paraqitet si histori e plotë.

Drejtësia le të kërkojë përgjegjësi individuale. Por askush të mos kërkojë nga shqiptarët të harrojnë pse lindi lufta, kush e shkaktoi tragjedinë dhe cilës padrejtësi iu përgjigj Kosova me luftën e saj për liri.

UÇK-ja dhe Republika janë të përjetshme dhe të pandashme.

Filed Under: Analiza

NGA VARRIMI POMPOZ I MLADIÇIT TE DËNIMI VRASËS I KRERËVE TË UÇK-së

September 17, 2026 by s p

Prof. Luçiano Boçi/

Brenda vetëm nëntë ditësh, Europa na dha dy pamje që do të mbeten gjatë në kujtesën e Ballkanit.

Në Beograd, Ratko Mladić, njeriu i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, u përcoll si hero. Arkivoli i tij u mbajt me nderime ushtarake. Mijëra vetë u mblodhën për ta nderuar. Përfaqësues të shtetit serb, figura politike dhe diplomatike morën pjesë në ceremoninë që e shndërroi varrimin e një krimineli lufte në demonstrim krenarie kombëtare. Njeriu i Srebrenicës, i mbi tetë mijë burrave dhe djemve boshnjakë të masakruar, i rrethimit 43-mujor të Sarajevës dhe i mijëra viktimave, u fut në dhe nën uniforma, flamuj dhe lavde.

Nëntë ditë më vonë, në Hagë, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Njëri u varros me nderimet e një shteti.

Të tjerët u dënuan me vitet e një jete.

Ky është kontrasti therës i një Europe që pretendon se ka mësuar nga historia, por që vazhdon ta lexojë atë me dy palë syze.

Nuk ka dhe nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për asnjë krim dhe për asnjë viktimë. Përgjegjësia penale është individuale dhe drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Por drejtësia pushon së qeni bindëse kur humbet përmasën historike, baraspeshën dhe masën.

UÇK-ja nuk shkoi në Serbi për të pushtuar territore. Serbia hyri në Kosovë me ushtri, polici, tanke, aparatin e saj shtetëror dhe projektin e spastrimit etnik. UÇK-ja nuk ngriti kampe shfarosjeje dhe nuk hartoi politika shtetërore deportimi. Ajo lindi nga dhuna, përndjekja dhe mohimi sistematik i një populli.

Në Kosovë nuk u përplasën dy ushtri të barabarta dhe as dy projekte pushtuese. Nga njëra anë ishte makineria ushtarake e një shteti; nga ana tjetër, rezistenca e një populli që luftonte për të mos u zhdukur nga toka e vet.

Asnjë gjykim individual nuk duhet ta fshijë këtë dallim themelor.

Gjykata deklaron se nuk po gjykon UÇK-në dhe luftën çlirimtare. Por kur dënon thuajse të gjithë drejtuesit kryesorë politikë e ushtarakë të saj me dënime të tilla, pasoja nuk mbetet individuale. Ajo prodhon një mesazh historik dhe politik shumë më të gjerë se dosja e katër të akuzuarve.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja që nuk mund të mbyllet me një vendim gjykate:

Si mundet që një aparat shtetëror që vrau, dogji, përdhunoi dhe dëboi qindra mijëra shqiptarë të mbetet në sfond, ndërsa udhëheqja e rezistencës shqiptare përfundon pothuajse e gjitha pas hekurave?

Si mundet që Serbia të nderojë publikisht autorin e një gjenocidi, ndërsa Kosova të detyrohet të shohë themeluesit e lirisë së saj të dënohen me dekada burg?

Drejtësia nuk mund ta trajtojë kontekstin historik si një rrethanë të parëndësishme. Nuk mund ta ndajë një episod nga shkaku që e prodhoi, luftën nga pushtimi dhe reagimin nga agresioni.

Në Beograd, varrimi i Mladiçit dëshmoi se Serbia nuk është ndarë ende nga kultura politike që prodhoi luftërat, varret masive dhe gjenocidin. Atje nuk u varros vetëm një gjeneral. U ringjall publikisht miti i tij. Një shtet kandidat për në Bashkimin Europian i tregoi botës se mund të nderojë një kriminel lufte dhe përsëri të pretendojë se ecën drejt Europës.

Ndërsa Kosova, viktima e fundit e projektit të tij, mori nga Haga një goditje që rrezikon të shndërrohet në rishkrim të historisë.

Vendimi është i shkallës së parë dhe do të apelohet. Prandaj beteja juridike nuk ka përfunduar. Por dëmi moral dhe politik është bërë. Historia mund të hetojë çdo njeri. Drejtësia mund të gjykojë çdo vepër. Por askush nuk ka të drejtë të barazojë çlirimtarin me pushtuesin, rezistencën me gjenocidin dhe viktimën me xhelatin.

Sepse, nëse Mladiçi përcillet me nderime dhe krerët e UÇK-së varrosen për së gjalli në burgje, atëherë nuk kemi vetëm një krizë të drejtësisë.

Kemi një atentat ndaj së vërtetës historike.

Filed Under: Emigracion

SHQIPTARËT E AMERIKËS PROTESTUAN NË TIMES SQUARE, NEW YORK, KUNDËR DËNIMIT TË LUFTËTARËVE TË LIRISË – FOTOREPORTAZH NGA ERVIN TORO

September 17, 2026 by s p

SHQIPTARËT E AMERIKËS PROTESTUAN NË TIMES SQUARE, NEW YORK, KUNDËR DËNIMIT TË LUFTËTARËVE TË LIRISË – FOTOREPORTAZH NGA ERVIN TORO

Filed Under: Komunitet

𝐃𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐊𝐮𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐮𝐭𝐞̈𝐬 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧𝐞

September 17, 2026 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bledar Kurti

(Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)/

Sot SHBA feston Ditën e Kushtetutës. Më 17 shtator 1787 delegatët në Konventën e Filadelfias firmosën Kushtetutën e SHBA, dokumentin më jetëgjatë deri më sot, ndërkohë me tekstin më të shkurtër që ekziston nga të gjitha kushtetutat e vendeve të tjera, të cilat u bënë me një të tillë duke marrë shembull atë të SHBA.

SHBA është shembulli i republikës në veprim për mbarë globin. Por, eksporti më i rëndësishëm i Amerikës në botë ka qenë Kushtetuta e saj. Ajo u hartua si kushtetuta e parë në një dokument të vetëm. Është dokumenti me jetëgjatësinë më të madhe. Dhe gjatë dy shekujve të fundit çdo komb e ka pranuar nevojën dhe vlerën e të pasurit një kushtetutë. Dhe në rastet kur vendet kanë hartuar një të tyren, referenca ka qenë pikërisht Kushtetuta Amerikane. Madje ka pasur shumë përpjekje për të importuar Kushtetutën dhe sistemin e qeverisjes së SHBA-së dhe për t’i zbatuar ato në pjesë të tjera të botës, por ato kanë qenë të pasuksesshme. Kjo ka ardhur për faktin se Kushtetuta dhe sistemi i qeverisjes amerikane janë pasqyrim i mentalitetit, vlerave dhe identitetit amerikan. Shumë vende, veçanërisht ato në Amerikën Latine, u përpoqën të imitonin qeverinë dhe Kushtetutën e SHBA, por dështuan. Bolivia e provoi, dhe si rezultat pësoi gjashtëdhjetë revolta, dhjetë kushtetuta të rishkruara dhe gjashtë presidentë të vrarë midis viteve 1826 dhe 1898. Simon Bolivar (1783-1830), i njohur si George Washington i Amerikës së Jugut, vdiq një idealist i zhgënjyer nga dështimi për të zbatuar kushtetutën e vendit të tij, të modeluar sipas asaj amerikane. Arsyeja e dështimit nuk ishte gjë tjetër veçse fakti se Kushtetuta Amerikane u hartua për popullin dhe shoqërinë amerikane, e cila qëndron e bazuar mbi disa parime të caktuara.

Kushtetuta e SHBA-së ka një sërë amendamentesh specifike për të drejtat e njeriut të njohura si Bill of Rights. Hartuesit dhe ratifikuesit e Kushtetutës së SHBA-së i mësuan botës se nuk mund të ketë kushtetutë pa një seksion të veçantë që rendit të drejtat individuale.

Gjithashtu, në hartimin e Kushtetutës amerikane, u krijua një emër dhe ofiq i ri që nuk kish ekzistuar më parë: Presidenti. Për herë të parë në histori u krijua figura dhe detyra e Presidentit. Një shembull një u mor më pas nga shtete të tjera.

Kushtetuta i dha ofiqit të Presidentit kompetencën të ishte “Komandanti i Përgjithshëm i Forcava të Armatosura dhe Marinës, të bënte falje, të nënshkruante marrëveshje me kombe të tjera (nën këshillimin e Senatit), si edhe të caktonte ambasadorë, konsuj, gjyqtarë të Gjykatës Supreme.” Presidenti ishte drejtues lufte por nuk mund të shpallte luftë dhe as të paguante për luftën pasi këto pushtete i kishte legjislativi.

Kushtetuta i jepte legjislativit, pushtetit me shumë individë më shumë kompetenca, ndërsa ekzekutivit, pushtetit që drejtohej nga një njeri i vetëm shumë pak prej tyre.

Në këtë kushtetutë Presidenti i SHBA ka më pak pushtet se pushtetet e tjera. Në fakt, themeluesit e kushtetutës nuk lejuan që një njeri i vetëm, apo edhe një grup njerëzish të mernin në dorë fatet e një kombi. Kjo do ndryshonte më vonë në shekullin e njëzetë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të senatorëve dhe me pushtetet që do i kalonin presidentit, sidomos shpallja e luftës pa miratimin e Kongresit, të cilat do e bënin një individ të vetëm njeriun me pushtetin më të madh në SHBA dhe si rrjedhojë edhe në botë.

Kushtetuta amerikane ka një ndarje pushtetesh e cila funksionon në mënyrë të përkryer. E jo vetëm kaq, por qeverisja amerikane ka një dinamikë dhe një formulë rotacioni të paprecedentë.

Përpjekjet e etërve amerikanë për të mos lejuar asnjë individ të bëhej mbret apo Zot duken qartë në ekuacionin e rotacioneve të kongresmenëve, senatorëve, kolegjit elektoral, dhe mandatit të gjykatësve të Gjykatës Supreme.

Themeluesit e Kushtetutës caktuan që pushteti legjislativ, Kongresi, të përbëhej nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Në Dhomën e Përfaqësuesve çdo shtet do dërgonte një numër përfaqësuesish sipas numrit të popullatës së çdo shteti. Ndërsa në Senat, dy përfaqësues nga çdo shtet pavarësisht numrit të popullatës. Kjo u bë për të ruajtur balancën midis demokracisë popullore dhe drejtimit të elitave.

Për më tepër kushtetuta vendosi se zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të bëhen çdo dy vjet, për President çdo katër vjet, për Senat çdo gjashtë vjet, ndërsa mandati i gjykatësve të Gjykatës Supreme të jetë i përjetshëm në mënyrë që gjykatësit të mos ndikoheshin nga rotacionet politike. Në këtë mënyrë kushtetuta siguron qarkullimin e elitave dhe rotacionin e pushtetit.

Por, sikur të mos mjaftonte kjo ndarje, edhe mënyra e zgjedhjes së senatorëve apo e presidentit kalonte përmes një procesi rotacioni edhe më filtrues. Neni 1, Pika 3, e Kushtetutës së SHBA thotë: “Senati do ndahet në tre Kategori. Karriget e Senatorëve të Kategorisë së Parë do jenë të lira në përfundim të vitit të dytë, dhe Kategoria e dytë do përfundojë në vitin e katërt, ndërsa Kategoria e tretë në vitin e gjashtë.” Ndërsa Presidenti, me mandat katër vjeçar, nuk do zgjidhej drejtpërdrejtë nga populli, por nga një grup përfaqësuesish, që njihet si Kolegji Elektoral, nga çdo shtet.

Etërit amerikanë krijuan një Republikë të bazuar mbi parimet më të shëndosha të qeverisjes.

Sistemi politik dhe qeverisës në SHBA është i balancuar dhe unik. Ndarja horizontale e pushtetit në Shtetet e Bashkuara është tërësisht e ndryshme nga vendet e tjera, sado demokratike qofshin ato. Asnjë shtet tjetër nuk është kaq i obsesuar me ndarjen e pushteteve si në Amerikë.

Në sisteme presidenciale dhe parlamentare të ngjashme përsa i përket ndarjes horizonatale të pushtetit është presidenti, parlamenti apo kryeministri ai që kanë pushtet mbi të tjerat. Edhe një institucion kolegjial si parlamenti mund të shndërrohet në absolutizëm pasi si kryeministri ashtu edhe ministrat e qeverisë dalin nga parlamenti për aq kohë sa ka një shumicë të thjeshtë. Një qeveri parlamentare nuk has aq shumë vështirësi sa presidentët amerikanë për të shndërruar në ligje propozimet e tyre. Qeveria paraqet direkt legjislaturën e vet në parlament. Zakonisht kontrollon kalendarin dhe agjendën legjislative. Situata është tërësisht ndryshe në sistemin amerikan. Agjenda legjislative nuk kontrollohet nga presidenti. Shumica e ligjeve që miratohen janë më shumë produkt i negociatave midis dy dhomave të Kongresit sesa Kongresit dhe Presidentit. Ky sistem balancash e ka bërë SHBA vendin më të zhvilluar dhe udhëheqës në botë.

E pluribus unum (Nga shumë, një). Kjo është motoja e Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara. 50 shtete në një.

Një vend me mbi 56 mijë qeveri. Me mijëra njësi qeverisje të ndara në 36 mijë qytete e qyteza, dhe 35 mijë distrikte të veçanta!

Vendi me diversitetin më të madh njerëzor por të gjithë të bashkuar në një qeveri, një komb dhe një flamur! “Nga shumë, një” është një markë unike amerikane e cila u arrit falë atij dokumenti që u firmos në Filadelfia më 17 shtator 1787, Kushtetutës, për të cilën Presidenti dhe zyrtarët e lartë të SHBA betohen në marrjen e detyrës se do ta respektojnë, ruajnë e mbrojnë me të gjithë forcën dhe aftësinë e tyre.

Filed Under: Wall Street

Kosovën e vranë për herë të dytë

September 17, 2026 by s p

Eneida Jaçaj/

Nuk ka më kohë për heshtje! Kosovën na e vranë për herë të dytë…! Kësaj here, e goditur jo direkt nga dora kriminale e armikut shekullor, por nga Europa tradhtare, e cila synon të ruajë balancat dhe të rregullojë gjeopolitikën e botës për interesat e saj, në kurriz të popullit shqiptar të Kosovës dhe luftëtarëve të UÇK-së. Vendimi i Gjykatës së Hagës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është një vendim i turpshëm, jo i drejtë, dhe një goditje e rëndë për Kosovën. Si mund të mos ndihet i poshtëruar një popull kur sheh në Hagë të dënohen njerëzit që morën armët për çlirimin e vendit të tyre?! Si mund të dënohen patriotët shqiptarë që rrokën armët përballë pushtimit serb, ndërsa harrohet se lufta e Kosovës erdhi pas vitesh represioni dhe dhune ndaj shqiptarëve?! Ata që luftuan për lirinë e Kosovës janë pjesë e historisë së këtij vendi dhe sakrifica e popullit shqiptar të Kosovës nuk mund të fshihet nga një proces gjyqësor politik. Sot, për shumë shqiptarë, është sikur Kosova po vritet për herë të dytë.

Shqiptarët kudo që janë në Kosovë, Shqipëri, Europë dhe Shtetet e Bashkuara duhet të reagojnë në mënyrë paqësore dhe demokratike. Duhet të kërkojnë nga institucionet amerikane dhe evropiane që historia e Kosovës të mos trajtohet në mënyrë të njëanshme dhe që viktimat shqiptare të mos harrohen.

Dhe pyetja që nuk mund të heshtet është: po nënat shqiptare? Po fëmijët? Po familjet që humbën njerëzit e tyre? Kush mban përgjegjësi për ta? Kush përgjigjet për civilët shqiptarë të vrarë, për familjet e dëbuara nga shtëpitë e tyre dhe për ata që ende presin të mësojnë fatin e të afërmve të zhdukur? Ndërkohë, Serbia ende nuk ka bërë një përballje të plotë me të kaluarën e saj dhe me krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës. Për shumë shqiptarë, mungesa e një ndjese dhe e një përgjegjësie të plotë nga Beogradi mbetet një plagë e hapur. Dhe këtu shtrohet një tjetër problem: sa mundësi ka Shqipëria, si një shtet relativisht i vogël, të përballet e vetme me presionet dhe interesat e fuqive më të mëdha? Shpesh, shtetet nuk udhëhiqen vetëm nga drejtësia historike, por edhe nga interesat e tyre strategjike. Për një vend të vogël si Shqipëria, kjo e bën shumë më të vështirë përballjen me qëndrimet e fuqive të mëdha dhe me llogaritë gjeopolitike në rajon. Edhe kur ekzistojnë pikëpamje se disa prej akuzave ndaj shqiptarëve nuk pasqyrojnë të gjithë historinë e luftës, shtetet e mëdha mund të kenë interesa më të gjera: ruajtjen e ekuilibrave në Ballkan, marrëdhëniet me Serbinë dhe, në një plan më të gjerë, raportet me Rusinë.

Shumë shqiptarë e shohin sot Europën si një Europë që u kërkon llogari shqiptarëve, ndërsa drejtësia për viktimat shqiptare vazhdon të mbetet e paplotë. Ky vendim nuk duhet të kthehet në një arsye për hakmarrje apo urrejtje. Por duhet të kthehet në një arsye për të kërkuar drejtësi me zë edhe më të fortë. Sepse drejtësia duhet të jetë për të gjithë. Askush nuk duhet të mbrojë një krim vetëm sepse është kryer nga një shqiptar. Por askush nuk duhet të harrojë krimet ndaj shqiptarëve vetëm sepse viktimat e tyre ishin shqiptarë. Nëse flasim për drejtësi, atëherë duhet të flasim për të gjitha viktimat e luftës së Kosovës. Ballkani nuk ka nevojë për një konflikt tjetër. Nuk ka nevojë për një tjetër tragjedi. Pikërisht për këtë arsye, institucionet ndërkombëtare duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshme që vendimet e tyre të mos krijojnë hapësirë për tensione dhe provokime të reja. Kosova nuk kërkon hakmarrje. Kosova kërkon drejtësi. Dhe drejtësia nuk mund të ketë dy standarde. Historia e Kosovës nuk filloi në Hagë. Ajo histori është shkruar me dhimbjen e nënave, me lotët e fëmijëve, me gjakun e civilëve dhe me sakrificën e atyre që luftuan për lirinë.

Prandaj sot nuk duhet të heshtim.

Kosova ka vuajtur një herë nga lufta. Nuk duhet të lejojmë që harresa, padrejtësia dhe tensionet e reja të hapin rrugën për një tjetër tragjedi.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 3221
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË
  • Për Bujar Alimanin, “Virgjereshën” dhe kinematografinë shqiptare
  • PETRO NINI LUARASI NË AMERIKË 1904-1908 — NJË MISION PATRIOTIK
  • KOSOVA MES KONSOLIDIMIT KUSHTETUES DHE AFIRMIMIT NDËRKOMBËTAR
  • NËSE UASHINGTONI MBRON SOVRANITETIN E VET PËRBALLË NJË GJYKATE NDËRKOMBËTARE, KOSOVA DUHET TË KETË TË DREJTËN TË HAPË DEBATIN E VET KUSHTETUES PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA
  • Pse arrestimi i kreut të SHISH është një dështim shtetëror
  • “Si shihet atdheu nga larg”
  • Në besnikërinë ndaj Shqipnisë…
  • Shqiptarët dhe Europa…
  • SHQIPTARËT NË MAL TË ZI DHE IDENTITETI SI PJESË E VLERAVE TONA KOMBËTARE
  • ÇËSHTJA ÇAME NË PUNIMET E ASAMBLESË KUSHTETUESE TË VITIT 1924

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT