• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHOQNIA “BASHKIMI” DHE FJALORI I SAJ

November 21, 2026 by s p

D.Nikë Ukgjini

Frano Kulli/

Lëvizjet e reja politike, shoqërore, kulturore dhe arsimore, që filluan të shfaqeshin në gjysmën e dytë të shekullit XIX, të cilat lindën edhe si përftim nga degradimi i Perandorisë osmane, shënuan një fazë të re në zgjimin dhe vetëdijësimin e intelektualëve atdhetarë me synim rritjen e ndjesive kombëtare në popull drejt shkëputjes dhe mëvetësimit. Edhe pse të ngadalëta për shkak të kushteve të rënda politike e sociale, këto lëvizje patën rezultatet e veta. Me rëndësi historike qe hapja e shkollave private pranë kishave ku mësohej gjuha shqipe dhe përhapja pastaj në popull e mësimit dhe e këndimit shqip, një atribut i klerit katolik shqiptar e të huaj. Shkolla zyrtarisht fetare ku mësohej gjuha shqipe dhe lëvroheshin ndjesitë kombëtare pati pothuajse pranë çdo kishe dhe kuvendi në Veri të Shqipërisë. Këtu zë fill edhe sentenca, që disa studiues e pohojnë “Një kishë një shkollë”.

Në lidhje më këtë situatë arsimore e kulturore, Dom Ndoc Nikaj do shprehej: Shkrimi e leximi asht porsi nji ziarm i mbuluem qi ndezët perkadal ne terr e me ma te paren rase qi nje guximtar i largon hinin, shpërthen ne flake. Turkija prandaj me arsye, dronte kulturën e shkrimet e këndimet se sa per gjuhen e folun gojarisht nuk u interesu me ba ndryshime”.

Meqenëse librat shkollorë dhe revistat në veri të Shqipërisë, me qendër në Shkodër, kah fundi i shek. XIX, botoheshin në tre alfabete: në alfabetin e vjetër (të Jezuitve), në atë të Shoqërisë “Bashkimi” (1899) të abat Preng Doçit dhe në alfabetin e Shoqërisë “Agimi” (1901) të Dom Ndre Mjedës, u ndie i nevojshëm përshpejtimi për një unifikim sa më parë të alfabetit. Me këtë rast disa klerikë intelektualë shqiptarë, të përkrahur edhe nga Imzot Pashk Guerrini, kishin hedhur idenë për krijimin e një akademie (instituti) për studimin e dialekteve, vendosjen e gjuhës së përbashkët, hartimin e gramatikës e të fjalorit të gjuhës shqipe.

Kjo ide e nxitur edhe nga situata e krijuar në terren u bë temë diskutimi ndërmjet (krye)ipeshkvijve të të gjitha dioqezave (Shkupit, Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Pultit, Sapës dhe abacisë së Mirditës) në një takim të mbajtur nga 1-6 Maj 1902 në Shkodër. Më vonë, pjesë e kësaj nisme u bënë edhe Propaganda Fide në Romë dhe Konsullata Austro-hungareze në Shkodër. Kjo e fundit kishte dedikuar në llogari të Arqipeshkvisë së Shkodrës 400 franga për formimin kësaj Akademie studimore. Porse nga letra e Imzot Guerrinit, dos. 28, dt. 26 maj 1902. nr. Prot. 377, mësohet se kjo ide fisnike kishte mbetur e parealizuar për arsye të mosarritjes së konsensusit ndërmjet ipeshkvijve, kërkesë kjo e qeverisë Austro-hungareze dhe e Propaganda Fide.

Në vazhdën e lëvizje politike e kulturore që zhvilloheshin në fundin e shek. XIX brenda dhe jashtë Shqipërisë për unitetin e kombit dhe arsimimit në shqip,duhet veçuar mbledhjen e disa klerikëve të veriut me në krye Dom Ndoc Nikajn, famullitarin e Shkrelit dhe abatin e Mirditës, Preng Doçin, në vitin 1893. në Shkrel, Malësia e Madhe. Sipas dëshmitarit të kohës, Dom Ndoc Nikaj, kjo qe mbledhje e fshehtë dhe ,në përfundim të saj,aty u krijua lidhja kombëtare e quajtur “Bashkimi Shqyptar”. Nikaj, më tej shprehet se kjo mbledhje:“kishte për detyrë Bashkimin e Shqyptarve pa dallim feje dhe fisi”… “ U lidhme me shkrue në giuhen shype, seicilli si mbas andjes së vet dhe si mbas priret përkatëse”. Nga kjo mbledhje e pati zanafillën e vet edhe formimi i shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër e cila në vitin 1899 mori formën e vet zyrtare, me kryetar abat Preng Doçin. Në takimin themelues të Shoqërisë “Bashkimi” ishin: Imzot, Preng Doçi, Imzot Lazer Mjeda, Dom Jak Sarreqi, Atë Gjergj Fishta, Dom Ndoc Sheldia, Dom Gjon Koleci, Dom Mark Shllaku, Atë Pashk Bardhi, Dom Ndoc Nikaj, Dom Dodë Koleci, Dom Mëhill Çuni si dhe laikët Mati Logoreci, Gaper Beltoja, Ndue Paluca etj.

Qëllimi kryesore i kësaj Shoqërie ishte, përhapja sa më shumë e gjuhës shqipe nëpërmjet shtypit të shkruar si dhe shtimi i botimit të librave nga fushat e ndryshme në alfabetin latin, veprime atdhetare, te cilat shërbyen si parapërgatitje për shpalljen e Pavarësisë se vendit tonë ne vitin 1912.

Vepra e parë dhe themeltare që doli nga shoqëria “ Bashkimi” , udhëhequr nga abat Doçi, qe “Fialuer i Rii i Shcypes”, Shkodër, 9 Janar 1908 dhe hartuesit, sipas dëshmisë së d.Ndoc Nikajt, dëshmitar pjesëmarrës, qenë: Dom Dodë Koleci, dom Ndoc Nikaj dhe dom Mark Shllaku. Kurse sipas studiuesit Xhevat Lloshi: Nga bashkëthemeluesit e Shoqërisë, katër prej tyre kanë bashkëpunuar për Fjalorin. Pjesën më të madhe të punës e ka bërë Dodë (Domeniko) Koleci, famullitar i Ndërfandës. Ai ka qenë edhe redaktori i përgjithshëm. Bashkëpunuan edhe: Gjergj Fishta, Mark Shllaku (4-5 shkronja), Pashk Bardhi, Mihal Bushati dhe Gjergj Koleci, ndërsa N. Nikaj mëton se ka bërë një të tretën e shkronjave.

Fjalori me germa latine, prej 538 faqesh dhe me afro 13614 fjalë (sipas Shefkije Islamaj), ishte një udhërrëfyes i pa zëvendësueshëm për ngjarjen e ndodhur në Kongresin e Manastirit, më 14-22 nëntor 1908, kur me pëlqimin e të gjithë anëtarëve të komisionit u vendos që populli shqiptarë, pas shumë shekujve të kishte alfabetin e vet unik.

Ndër aktorët që kontribuan për unifikimin e alfabetit, i cili pati për bazë fjalorin e shoqërisë “Bashkimi”, përmenden: Atë Shtjefën Gjeçovi dhe letërkëmbimi i tij me konsullin austro-hungarez , Atë Vinçens Prenushi dhe korrespodenca e tij e datës 14 shkurt dhe 27 korrik 1908 rreth punës se Kongresit, me A.S.Drenoven, F.Nolin, P. Luarasin etj. dhe Seminari i Jezuiteve ne Shkodër. Në Kongresin e Manastirit, në komisionin e alfabetit, kryetar i të cilit ishte At Gjergj Fishta, përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”, ishin dom Ndre Mjeda përfaqësues i shoqërisë “Agimi” dhe Dom Nikollë Kaçorri, i dërguari i Kryedioqezës së Durrësit.

Sipas dokumentacionit të Kryedioqezës së Shkodrës, dosja 26, viti 1908, letër urimi i ka dërguar Kongresit edhe Imzot Pashk Guerrini së bashku me 30 intelektualë shkodranë, të firmosur më dt. 9 nëntor 1908.

Ndër të tjera në këtë letër thuhet: “Gnjiesia e abees asct ner maa scejte cestie per gith nee..”

Vendimet e Kongresit të Manastirit, i cili nuk mund të imagjinohet pa Shoqërinë Bashkimi”, kanë qenë të mirëpritura edhe tek faktorët e tjerë të rëndësishëm. Këtë e dëshmon korespodenca e mëvonshme ndërmjet Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Guerrinit, atij të Durrësit, Imzot Preng Bianchut me Propaganda Fide në Romë dhe konsullatën austro-hungareze në Shkodër. Në këtë korrespodencë ndër të tjera citohej se, botimi i librave shqip tani e tutje do bëhej sipas vendimit të Kongresit të Manastirit. E kësaj rëndësie është edhe letra e rektorit të Seminarit, Liugi Cattaneo, e 13 Marsit 1909, drejtuar të gjithë ipeshkvijve për botimin e katekizmit të Papa Pio i X-të në gjuhën shqipe sipas Manastirit.

Shoqëria “Bashkimi”, brenda nëntë viteve të ekzistencës së vet, ka nxjerrë në dritë 32 vepra në fushë të gjuhës, tekste shkollore, vepra letrare, historike e fetare, që mbanin në vetvete, një rëndësi, jo vetëm filologjike por edhe kombëtare.

Veprat e Shoqërisë “Bashkimi” botoheshin, në shtypshkronjën e Jezuitëve, “Zoja e Paperlyeme” në Shkodër, shtypshkronja më e vjetër në Shqipëri, e krijuar që nga viti 1870.

Fjalori i Shoqërisë “Bashkimi”, për vlerën që pati, u bë model dhe pikë referimi për hartuesit e më vonshëm të fjalorëve, si: Nobert Jokli (më1911e më 1923), P. Antonio Busetti-1911(Vocabolario italiano-albanese), Atë Fulvio Cordigano, (më 1929 e më 1934), Dom Nikollë Gazulli (më 1939 e më 1941), Atë Bendikt Dema, (më 1966), si dhe për studiuesit: Aleksander Xhuvani, Eqrem Çabej etj. e deri të hartuesit e Fjalorit të Gjuhës Shqipe të vitit 1954.

Në Prishinë, është bërë një botim anastatik në vitin 1978, nga shtëpia botuese “Rilindja”. Kurse në Shqipëri botohet për herë të parë 110 vite mbas botimit të parë nga “Botimet Fishta”. Një botim anastatik, një botim i vlertë , sidomos për studiues e gjuhëtarë, leksikografë më së pari, një arsye e mjaftë kjo dhe e bindëshme se ende sot nuk është bjerrë vlera dhe nevoja për këtë fjalor.

Filed Under: LETERSI

Katër delegatët e Çamërisë në Kuvendin Historik Të Vlorës

November 21, 2026 by s p

Arben Iliazi/

Atdhetarët çamë ishin pjesëmarrës në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, duke siguruar që krahina e tyre të ishte pjesë e panteonit të shtetformimit shqiptar, pavarësisht nga padrejtësia historike e jashtëzakonshme që pasoi një vit më vonë, me copëtimin e kombit shqiptar në tavolinën e gjelbër diplomatike në Londër, ku me Shqipërinë u eksperimentua si me një kavje laboratori, pa marrë parasysh homogjenitetin e një kombi të tërë.

Çamët, një popullsi e lashtë shqiptare nga më fisniket, por edhe nga më të persekutuarit, me aspiratë të hershme lirie dhe independence, nuk kish se si të mungonin në Ditën e Pavarësisë, ku pritej që kombi shqiptar të realizonte vetëveten.

Në këtë akt kishte një peshë të jashtëzakonshme gjeopolitike. Ata dëshmuan para botës dhe Fuqive të Mëdha se Çamëria jo vetëm që ishte shqiptare, por po merrte pjesë aktive në ngjizjen dhe legjitimimin e shtetit të ri sovran, si pjesë përbërëse e shtetit të ri të lirë shqiptar.

Përveç katër delegatëve, kryerilindasi Hasan Tahsini dhe familje të mëdha çame, si Dinojt e Prevezës (përfshirë Abedin Dino, Rasih Dino dhe Shahin Dino) luajtën një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të tokave shqiptare dhe në mbështetjen e lëvizjes kombëtare që çoi drejt shpalljes së Pavarësisë.

Familja Dino e Prevezës ka luajtur një rol jetik dhe strategjik në diplomacinë dhe mbrojtjen ushtarake të kufijve jugorë të Shqipërisë, duke u kthyer në një nga mbrojtëset më të rëndësishme të tërësisë territoriale përballë pretendimeve të shteteve fqinje në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX.

Katër delegatët kryesorë çamë në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë janë:

1.Jakup Veseli (Margëlliçi), ka qenë një nga figurat më të spikatura udhëheqëse të lëvizjes kombëtare në jug të vendit. Si përfaqësues legjitim i krahinës së Margëlliçit, ai la një gjurmë të pashlyeshme në histori si një nga katër delegatët çamë që nënshkruan Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Jakup Veseli lindi në Margëlliç, që në atë kohë ishte një nga qendrat më të rëndësishme administrative dhe kulturore të krahinës së Çamërisë nën Perandorinë Osmane.

Përpara ngjarjeve të mëdha të vitit 1912, ai u angazhua maksimalisht në zgjimin kombëtar të zonës.

Së bashku me Aziz Tahir Ajdonatin, ai punoi me këmbëngulje për ngritjen e klubeve patriotike në Margëlliç dhe rrethinat e tij. Këto klube shërbenin si vatra të përhapjes ilegalisht të librave dhe abetareve shqip.

Ai ishte një nga zërat kryesorë që kundërshtoi hapur politikat asimiluese të kohës dhe pretendimet e qarqeve shoviniste fqinje, duke theksuar me forcë karakterin rreptësisht shqiptar të kësaj krahine.

Në nëntor të vitit 1912, kur Lufta e Parë Ballkanike kishte shpërthyer dhe ushtritë aleate ballkanike po marshonin drejt trojeve shqiptare, rreziku i copëtimit ishte më real se kurrë. Populli i Margëlliçit dhe i gjithë Çamërisë e zgjodhi Jakup Veselin si të besuarat e tyre për t’i përfaqësuar në ngjarjen më të madhe të kombit.

Mes rreziqeve dhe bllokadave të shumta ushtarake, ai arriti të udhëtonte drejt Vlorës. Më 28 Nëntor 1912, ai u ul në bankat e Kuvendit Kombëtar mes 83 delegatëve nga të gjitha trojet.

Pas vitit 1913, fati i vendlindjes së tij ishte tragjik, pasi Konferenca e Londrës e shkëputi padrejtësisht Margëlliçin dhe pjesën më të madhe të Çamërisë nga trungu amë.

Jakup Veseli (i njohur edhe si Vejsel Margëlliçi) pas vitit 1913 u përball me një realitet të zymtë gjeopolitik.

Me kalimin e Margëlliçit nën territorin grek, autoritetet vendosën një rregull të rreptë mbikëqyrjeje mbi të. Ai u detyrua të jetonte në hije dhe nën censurë të plotë, i shkëputur fizikisht nga jeta politike e Shqipërisë Londineze.

Për shkak të izolimit të tij dhe censurës së mëvonshme gjatë regjimit komunist në Shqipëri (i cili shpesh censuronte ose fshinte emrat e firmëtarëve që rridhin nga shtresat e pasura ose fetare), figura e tij u la qëllimisht në harresë për shumë dekada në tekstet zyrtare të historisë.

Sot, figura e Jakup Veselit (Margëlliçit) kujtohet si një simbol i lidhjes së pashkëputshme shpirtërore dhe politike të Çamërisë me Shqipërinë. Ai mbetet një nga “Baballarët e Kombit”, emri i të cilit qëndron i gdhendur përjetësisht në aktin e lindjes së shtetit shqiptar.

2. Rexhep Demi (Filati), personalitet i rëndësishëm nga Filati, cili shkriu pasurinë, dijen dhe jetën për jetësimin e shtetit të lirë shqiptar dhe iu bashkua lëvizjes kombëtare dhe la gjurmë me nënshkrimin e tij në aktin solemn.

Rexhep Demi lindi në Filat në vitin 1864, në një familje të njohur e me tradita të forta patriotike. Që në moshë të re, ai u përfshi në lëvizjet për zgjimin kombëtar shqiptar, duke mbajtur lidhje të ngushta me shoqëritë patriotike të Bukureshtit, Stambollit dhe Janinës.

Shtëpia e tij në Filat u kthye në një djep të vërtetë atdhetarizmi. Ajo shërbeu si baza kryesore ku u ngrit klubi patriotik “Vëllazëria” dhe ku u hodhën themelet për hapjen e shkollës së parë fillore shqipe në rajon në vitin 1908. Për shkak të këtij aktiviteti të rrezikshëm ilegal, ai u përndoq dhe u burgos nga autoritetet osmane në burgun e Janinës.

Kur Luftërat Ballkanike kërcënonin t’i fshinin trojet shqiptare nga harta, Rexhep Demi rroku armët. Gjatë viteve 1911–1912, ai u rreshtua në terren si luftëtar aktiv në çetën e njohur kryengritëse të Muharrem Rushitit.

Në nëntor të vitit 1912, i zgjedhur si delegat legjitim i Çamërisë, ai udhëtoi mes rreziqeve të panumërta drejt Vlorës. Më 28 Nëntor 1912, Rexhep Demi u ul në Kuvendin Kombëtar krah Ismail Qemalit dhe vuri nënshkrimin e tij në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke vulosur vullnetin e popullsisë çame për të qenë pjesë e shtetit të ri. Pas formimit të institucioneve të para, ai shërbeu gjithashtu si ministër në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës.

Pas vitit 1913, kur Konferenca e Londrës e la vendlindjen e tij jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, Rexhep Demi u përndoq mizorisht nga shovinistët grekë, të cilët e arrestuan në vitin 1915. Sidoqoftë, ai nuk hoqi dorë nga ideali kombëtar dhe më vonë u zhvendos në Shqipëri, duke shërbyer si mësues dhe edukator i brezave të rinj në Konispol, Gjirokastër dhe Vlorë. Rexhep Demi u nda nga jeta më 13 dhjetor 1929 në Bari të Italisë, larg shtëpisë së tij.

Rexhep Demi

3. Aziz Tahir Ajdonati, intelektual dhe patriot nga Paramithia, i cili u rrit me ndjenja të forta kombëtare dhe ngriti klubet patriotike në Paramithi e Margëlliç, duke ndihmuar në zgjimin kombëtar para vitit 1912.

Aziz Tahir Ajdonati (i njohur gjithashtu në dokumente si Aziz Çami), i lindur në Paramithi (Ajdonat), ishte mes delegatëve të shquar çamë që përfaqësuan rajonin e Çamërisë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Ai përfaqësonte intelektualin e përgatitur, i cili e kuptoi herët se fati i Çamërisë ishte i lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e gjithë kombit shqiptar.

Përpara vitit 1912, Aziz Tahir Ajdonati u bë organizatori dhe frymëzuesi kryesor i lëvizjes kulturore shqiptare në zonën e Paramithisë dhe Margëlliçit.

Me shpalljen e Kushtetutës Osmane (Hyrrijetit) në vitin 1908, ai shfrytëzoi hapësirat e përkohshme ligjore për të ngritur klubet e para patriotike në këto qytete

Këto klube luajtën një rol vendimtar në mbajtjen gjallë të vetëdijes kombëtare dhe shpërndarjen e fshehtë të abetareve dhe librave në gjuhën shqipe, duke u bërë mburojë kundër propagandës asimiluese të kohës.

Në nëntor të vitit 1912, kur krahina e Çamërisë po kërcënohej drejtpërdrejt nga pushtimi i ushtrive ballkanike fqinje, populli i Paramithisë e zgjodhi dhe e autorizoi Aziz Tahir Ajdonatin si delegat legjitim për të udhëtuar drejt Vlorës.

Ai kapërceu vështirësitë e rrethimit ushtarak në terren dhe arriti në kohë për mbledhjen historike.

Pas vitit 1913, kur Fuqitë e Mëdha e lanë vendlindjen e tij jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, Aziz Tahir Ajdonati u bë shënjestër e përndjekjeve të rrepta. Ashtu si pjesa më e madhe e elitës çame, ai u detyrua të linte shtëpinë dhe pronat e tij në Paramithi për t’u shpërngulur brenda kufijve të Shqipërisë Londineze. Ai vazhdoi të kontribuonte në konsolidimin e shtetit shqiptar, duke shërbyer në administratën e kohës dhe duke mbajtur gjallë kauzën e të drejtave të popullsisë çame.

Aziz Tahir Ajdonati

4. Veli Gërra (1870–1945), i lindur në Gumenicë, ishte një tjetër shtyllë e rëndësishme e lëvizjes kombëtare shqiptare. Ai shërbeu si delegat zyrtar i Çamërisë në Kuvendin Historik të Vlorës dhe la një trashëgimi të pasur arsimore, politike e diplomatik.

Përpara se të bëhej firmëtar i shtetit të ri, Veli Gërra njihej në mbarë krahinën e Çamërisë si një mësues idealist dhe dashamirës i madh i arsimit. Në një periudhë kur gjuha shqipe përndiqej ashpër si nga autoritetet osmane, ashtu edhe nga kleri grek, ai investoi kohë, energji dhe nga pasuria e tij familjare për të mbështetur shkollat e para shqipe në rajon dhe për të mundësuar përhapjen e abetareve.

Gjatë ditëve të stuhishme të nëntorit 1912, kur trupat greke po marshonin drejt krahinave jugore, popullsia e Gumenicës dhe rrethinave e zgjodhi Veli Gërrën si delegatin e tyre për në Vlorë.

Pas shpalljes së shtetit sovran, ai dha një ndihmesë të drejtpërdrejtë në konsolidimin e Qeverisë së Përkohshme dhe organizimin e mbrojtjes së territoreve jugore gjatë periudhës së vështirë të pushtimit grek. Kur Fuqitë e Mëdha po diskutonin vijën e kufijve dhe morën vendimin e padrejtë për t’ia dhënë Epirin e Jugut (përfshirë Çamërinë) Greqisë, Veli Gërra doli sërish në ballë të rezistencës. Ai ishte ndër përfaqësuesit kryesorë shqiptarë që u mblodhën sërish në Vlorë në vitin 1913 për të hartuar dhe dërguar protesta zyrtare e memorandume diplomatike drejt kancelarive europiane, duke kundërshtuar me forcë shkëputjen e dhunshme të krahinës së tij nga trungu i Shqipërisë.

Ashtu si pjesa më e madhe e familjeve të mëdha patriotike çame (familja e tij zotëronte prona të mëdha tokash në Pllataredhe e Vris), Veli Gërra u përball me persekutime sistematike. Në valën e spastrimit etnik dhe dhunës mbi popullsinë çame, familja e tij u detyrua të shpërngulej përfundimisht dhe u vendos në qytetin e Sarandës në vitin 1944, ku ai u nda nga jeta një vit më vonë, në vitin 1945.

Veli Gërra mbetet një figurë model e intelektualit që diti të harmonizojë rolin e mësuesit të gjuhës amtare me atë të politikanit dhe diplomatit në çastet më vendimtare për ekzistencën e kombit shqiptar.

Pra, fati i katër delegatëve çamë që nënshkruan Aktin e Pavarësisë në Vlorë pas vitit 1912 ishte i mbushur me persekutime, shpërngulje të dhunshme dhe sakrifica tragjike. Për shkak se krahina e tyre e lindjes, Çamëria, iu dha Greqisë me Protokollin e Firences në fund të vitit 1913, këta “Baballarë të Kombit” u shndërruan në shënjestra kryesore të hakmarrjes nga shovinizmi andart.

Filed Under: Histori

Gratë që historia nuk arriti t’i harrojë

November 21, 2026 by s p

Ilire Zajmi/

Historia njeh gra të jashtëzakonshme, luftëtare, patriote dhe vizionare, që nga amazonat e lashtësisë e deri në kohët moderne. Megjithatë, kontributi i tyre është vlerësuar rrallë dhe shpesh është lënë në hijen e historisë zyrtare. Gratë janë portretizuar më shumë si viktima të luftërave sesa si protagoniste të tyre, më shumë si dëshmitare të historisë sesa si krijuese të saj. Edhe kur kanë luftuar përkrah burrave, kanë organizuar rezistencën, kanë udhëhequr beteja dhe kanë sakrifikuar jetën për lirinë, lavdia dhe meritat, në pjesën më të madhe, u janë atribuar burrave. Burrat janë shndërruar në heronj të historisë, ndërsa emrat e shumë grave janë mbuluar nga pluhuri i harresës.

Kjo padrejtësi e kujtesës historike bëhet veçanërisht e dukshme kur rrëfejmë rrugëtimin e shqiptarëve drejt pavarësisë, çlirimit dhe dinjitetit kombëtar. Vëmendja përqendrohet zakonisht te burrat që udhëhoqën kryengritjet, shpallën pavarësinë e Shqipërisë apo i prinë luftës për çlirimin e Kosovës. Por historia jonë do të ishte e mangët, e cunguar dhe e padrejtë pa kontributin e grave, të cilat ishin pjesë e pandashme e përpjekjeve kombëtare.

Ato nuk ishin thjesht dëshmitare të ngjarjeve, as vetëm mbështetëse të familjeve dhe të luftëtarëve të lirisë. Shumë prej tyre ishin patriote, organizatore, intelektuale, aktiviste dhe luftëtare të vijës së parë. Disa mbajtën gjallë identitetin kombëtar në rrethana shtypjeje e ndalimesh, të tjera organizuan rezistencën politike dhe kulturore, ndërsa jo pak morën armët për t’u përballur drejtpërdrejt me pushtuesit.

Në këtë panteon të kujtesës kombëtare shkëlqejnë tri figura emblematike: Marigo Posio, Shote Galica dhe Xhevë Lladrovci.

Tri gra nga tri periudha të ndryshme historike, të lidhura nga një ideal i përbashkët: liria, dinjiteti dhe e drejta e një populli për të jetuar i lirë. Tri histori që dëshmojnë se gruaja shqiptare nuk ishte në periferi të historisë, por në zemër të saj. Marigo Posio është një nga emrat më domethënës të historisë së Rilindjes Kombëtare dhe të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Patriote, veprimtare për arsimin shqip, organizatore e jetës shoqërore dhe një nga gratë që u angazhuan për emancipimin e femrës shqiptare në fillim të shekullit XX. Ajo e shndërroi dashurinë për atdheun në një simbol që u bë pjesë e përjetshme e identitetit shqiptar, flamuri kuqezi.

Emri i saj lidhet veçanërisht me qëndisjen dhe përgatitjen e flamurit që u ngrit në ditën e Pavarësisë. Edhe pse historiografia shqiptare ruan interpretime të ndryshme për flamurin origjinal dhe për hollësitë e këtij kontributi, figura e Marigos mbetet e lidhur me simbolikën e 28 Nëntorit. Shtëpia e saj në Vlorë shërbeu si vatër e veprimtarisë patriotike, ku mbështetej lëvizja kombëtare dhe qarkullonin materiale të saj.

Në një kohë kur gratë përballeshin me kufizime të thella shoqërore dhe paragjykime patriarkale, Marigo Posio dëshmoi se atdhetaria nuk njeh gjini dhe se kontributi për kombin nuk matet vetëm me armë, pushtet apo fjalime publike. Ajo nuk e shpalli pavarësinë, por ishte ndër gratë që i dhanë asaj simbol, përmbajtje dhe shpirt.

Burrat si Ismail Qemali ngritën flamurin kombëtar dhe shpallën Shqipërinë të pavarur, por gratë si Marigoja ndihmuan që ai të bëhej shenjë e përkatësisë, e krenarisë dhe e kujtesës së një kombi të tërë.

E lindur në Hoçisht të Korçës më 1878, Marigoja u rrit në një familje me tradita patriotike dhe më vonë u vendos në Vlorë, ku u bë pjesë aktive e lëvizjes kombëtare. Ajo themeloi shoqërinë patriotike të grave “Labëria”, më 1909,e cila synonte edukimin e vajzave dhe ndërgjegjësimin kombëtar.

Gjatë Luftërave Ballkanike u angazhua edhe në organizimin e ndihmës për të plagosurit.

Marigo Posio duhet trajtuar si figurë e historisë së emancipimit të gruas shqiptare, jo vetëm si qëndistare e flamurit. Veprimtaria e saj publicistike dhe organizative është një dimension veçanërisht i rëndësishëm për ta rikthyer në historinë e grave shqiptare.

Një figurë po aq emblematike e qëndresës shqiptare është Qerime Radisheva apo Shote Galica, gruaja që sfidoi njëkohësisht pushtimin e huaj dhe mentalitetin patriarkal të kohës së saj. Ajo u shndërrua në simbol të rezistencës së armatosur, të guximit dhe të vendosmërisë për të mos iu nënshtruar pushtuesit.

E lindur në Radishevë të Drenicës më 1895, Shota u martua me Azem Galicën, udhëheqësin e njohur të lëvizjes kaçake. Çifti Shote e Azem Galica ishin simbiozë e një aleance të përbashkët politike, atdhetare dhe luftarake.

Shote Galica mori pjesë aktive në qëndresën e armatosur kundër forcave serbe dhe jugosllave gjatë viteve të pasluftës së Luftës së Parë Botërore. Ajo u dallua për guximin në beteja, për aftësinë organizative dhe për vendosmërinë që tregonte në rrethanat më të vështira. Nuk ishte një figurë që qëndronte në prapavijë, duke pritur udhëzime, por një luftëtare që merrte përgjegjësi dhe vepronte në terren.

Pas rënies së Azem Galicës më 1924, Shota nuk u tërhoq nga qëndresa. Ajo vazhdoi luftën dhe mori përgjegjësi në drejtimin e luftëtarëve, duke dëshmuar se angazhimi i saj nuk kishte qenë kurrë vetëm pasojë e bashkëshortësisë me një udhëheqës të njohur. Ajo kishte idealin, bindjen dhe vullnetin e vet politik.

E detyruar nga rrethanat të largohej nga Kosova, u vendos në Fushë-Krujë, ku kaloi vitet e fundit në kushte të rënda ekonomike dhe shëndetësore. Vdiq më 1927, larg vendit për të cilin kishte luftuar dhe në kushte që nuk përputheshin aspak me madhështinë e kontributit të saj.

Fati i Shote Galicës është një dëshmi e hidhur e mënyrës se si shoqëritë i trajtojnë gratë që dalin përtej roleve të paracaktuara. Ajo luftoi kundër pushtuesit të huaj, por edhe kundër kufijve që shoqëria patriarkale u kishte vendosur grave. Dëshmoi se gruaja shqiptare mund të ishte luftëtare, udhëheqëse dhe bartëse e vendimeve historike. Shota nuk ishte thjesht gruaja e Azem Galicës. Ajo ishte Shote Galica, me emrin, veprën dhe historinë e saj.

Disa dekada më vonë, një tjetër grua shqiptare do ta dëshmonte se ideali i lirisë nuk kishte ndryshuar. Xhevë Lladrovci u bë një nga figurat më të njohura të luftës për çlirimin e Kosovës, duke e paguar me jetë angazhimin e saj për lirinë e vendit. E lindur në Drenoc të Malishevës më 1955, Xheva u rrit në një familje me tradita atdhetare. E diplomuar në sociologji, ajo u angazhua herët në veprimtarinë politike për çlirimin e Kosovës. Së bashku me bashkëshortin e saj, Fehmi Lladrovcin, kaloi vite në mërgim politik, duke u përfshirë në organizimin e diasporës dhe të strukturave të rezistencës.

Me shpërthimin e luftës, të dy u kthyen në Kosovë për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Xheva nuk ishte thjesht gruaja që ndoqi të shoqin në rrugën e luftës. Ishte pjesë e një brezi grash që nuk pranuan të mbeteshin jashtë vendimmarrjes dhe historisë së çlirimit. Në zonën e Drenicës, ajo u angazhua në detyra të ndryshme të organizimit dhe mbështetjes së luftës, duke u bërë pjesë e strukturave të rezistencës.

Më 22 shtator 1998, në betejën e Çiçavicës, Xhevë dhe Fehmi Lladrovci ranë në luftë kundër forcave serbe, duke u bërë pjesë e kujtesës së rezistencës dhe të çlirimit të Kosovës.

Historia e Xhevë Lladrovcit dëshmon se gratë në luftën e Kosovës nuk ishin vetëm në prapavijë. Ato ishin pjesë e organizimit, e rezistencës dhe e frontit të luftës. Ato morën vendime, mbajtën përgjegjësi dhe u përballën me të njëjtat rreziqe si bashkëluftëtarët e tyre.

Xheva nuk duhet kujtuar vetëm si bashkëshorte e një komandanti të njohur, por si personalitet më vete, si intelektuale, veprimtare dhe luftëtare e lirisë.

Marigo Posio, Shote Galica dhe Xhevë Lladrovci përfaqësojnë tri momente të ndryshme të historisë shqiptare, por edhe tri forma të angazhimit të grave në përpjekjet për liri: simbolin e pavarësisë, qëndresën e armatosur dhe luftën për çlirimin e Kosovës.

Megjithatë, ato nuk janë të vetmet. Historia shqiptare është e mbushur me emra grash të njohura e të panjohura, të cilat mbajtën gjallë familjet në kohë lufte, ndihmuan luftëtarët, mjekuan të plagosurit, bartën mesazhe, organizuan rezistencën dhe ruajtën gjuhën, kulturën e traditën. Shumë prej tyre e paguan angazhimin me jetën, të tjera me burgosje, përndjekje, dhunë dhe mërgim.

Por pyetja që duhet të shtrojmë sot nuk është vetëm se sa gra kanë kontribuar në historinë tonë. Pyetja është: përse kontributi i tyre vazhdon të mbetet kaq pak i njohur? Përse tekstet shkollore ende nuk ua japin vendin e merituar? Përse emrat e tyre mungojnë në shumë rrugë, sheshe dhe institucione publike? Përse monumentet e kujtesës kombëtare vazhdojnë të pasqyrojnë më shumë historinë e burrave sesa atë të grave?

Mungesa e grave në hapësirat publike të kujtesës nuk e zvogëlon madhështinë e veprës së tyre, por zbulon një mangësi të vetëdijes sonë historike dhe një padrejtësi që vazhdon të përsëritet brez pas brezi.

Nuk mjafton t’i përmendim gratë në përvjetorë, në ceremonitë përkujtimore apo në fjalimet solemne. Duhet t’i dokumentojmë historitë e tyre, t’i hulumtojmë arkivat, t’i përfshijmë në tekstet shkollore, t’i bëjmë pjesë të muzeve dhe të kujtesës publike. Duhet t’ua kthejmë vendin që u takon në historinë kombëtare.

Sepse historia nuk është vetëm ajo që ka ndodhur, por është edhe mënyra se si zgjedhim ta tregojmë atë. Dhe kur gjysma e shoqërisë mbetet në margjinat e rrëfimit historik, edhe vetë historia mbetet e paplotë.

Gratë nuk kanë munguar në historinë tonë. Ka munguar gatishmëria jonë për t’i parë, për t’i dëgjuar dhe për t’ua njohur vendin që u takon.

Marigo Posio, Shote Galica, Xhevë Lladrovci dhe qindra gra të tjera nuk ishin hija e heronjve. Ato ishin vetë heroina. Dhe një komb që nuk i njeh gratë e tij luftëtare, patriote dhe intelektuale, nuk e njeh plotësisht as historinë e vet.

Filed Under: Komente

Krenari shqiptare në zemër të New York-ut!

November 21, 2026 by s p

Joana Kaso/

Më 19 nëntor, pata nderin të marr pjesë në festimin e Muajit të Trashëgimisë Shqiptare, organizuar nga NYPD Illyrian Society në One Police Plaza.

Një mbrëmje e veçantë, plot krenari dhe emocione, në praninë e Zëvendëskomisioneres së Parë të NYPD-së, Tania I. Kinsella, Presidentit të NYPD Illyrian Society, Detektivit Mikeljan Agolli, Ambasadorit të Shqipërisë, Ervin Bushati, dhe përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan.

U ndjeva thellësisht e nderuar të marr Çmimin për Shërbim ndaj Komunitetit, së bashku me Dr. Bari Cekën, në vlerësim të kontributit tonë ndaj komunitetit.

Urime edhe për oficerët Suzana Vuktilaj, Ilir Shanaj dhe Eqrem Gryka, të nderuar për shërbimin e tyre.

❤️ Për mua, ky çmim përfaqëson gati dy dekada përkushtimi në mbrojtje të grave, viktimave të dhunës në familje.

Ua dedikoj këtë vlerësim grave që më kanë besuar historitë, dhimbjet dhe shpresat e tyre. Atyre që më kanë lejuar t’u qëndroj pranë, t’u mbaj dorën dhe të ngre zërin për to kur zëri i tyre nuk dëgjohej.

Mirënjohje nga zemra për NYPD Illyrian Society për këtë nderim dhe për përkushtimin ndaj komunitetit tonë.

🇦🇱🇺🇸 Të shohësh flamurin shqiptar krah atij amerikan, në zemër të NYPD-së, është një krenari e papërshkrueshme!

Filed Under: Komunitet

Albanian Heritage meets the Classical Masters – Echoes that Resonate

November 21, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

By placing the echoes of Albanian musical heritage alongside classical masterworks, the concert made a resonant statement: these traditions deserve to be celebrated and passed on. “Echoes of Albania and Classical Masters Concert: A Journey Through Albanian Heritage and Timeless Compositions” was presented by the Albanian American Educators Association (AAEA) at the Scarsdale Woman’s Club Mansion, on Friday evening. At the opening, hosts Lucrezia Lindia, Vice President, and Nereida Katrini, Secretary, described the Westchester-based nonprofit as a strong advocate for arts education. Friday’s performance at this historic place marked the first official presentation of the Organization Music Educators Association (OMEA) founded by professor Ismail Mehmeti, clarinetist Igli Tuga and baritone Kreshnik Zhabjaku. The three founders are bringing a long-held vision to life uniting live performance and music education.

The program moved between Albania’s rich folk, urban songs and selected classical works, allowing each artist’s strengths to shine. Paris-based pianist-composer Genc Tukiçi shaped the concert with his compositions bringing a delicate touch and a unifying presence. During rehearsals, soprano Deshira Ahmeti-Kerliu described his distinctive style as a “silk” thread running through the program. She performed solo and duet repertoire drawing on her extensive operatic experience including the role of Donna Anna in Don Giovanni. Clarinetist Igli Tuga, whose work spans classical, folk, klezmer, and contemporary Albanian music, provided a natural link across the concert’s diverse selections. Baritone Kreshnik Zhabjaku paired a smooth yet powerful voice with a compelling stage presence.

Each of the four artists has decades of stage experience. Their artistry was reflected in a program that ranged from classical selections including “Toreador, en garde!” from Carmen, a selection of Lehár’s “The Merry Widow”, and “Musetta’s Waltz” from Puccini’s “La Bohème” to the beloved French chanson “La Boheme”. But the concert’s strongest echoes came through in the breadth and beauty of Albanian music, with Avni Mula’s “Agimet shqiptare”, Shkodra songs such as “Margjelo” performed by soprano Deshira Ahmeti and folk favorites including “Hajde Gjyle” and “Bishtalecat” performed by baritone Kreshnik Zhabjaku. “Those are the songs my parents knew and that I grew up listening to,” said to me Jacqueline Kapaj-Vieira, President of the AAEA, after the concert.

The carefully crafted performances interwove classical music and Albanian heritage coming to embody a cultural story we share. Near the concert’s close, Nermin Daja Zhabjaku, Kreshnik’s mother and an acclaimed figure in Albanian music, leaned toward a friend seated behind her in the music room. “I got emotional, thinking about how his dad didn’t get to see his son grow up to be a great artist,” she whispered. Ismail Zhabjaku, a prominent cinematographer in Albania, who came from a distinguished Shkoder family, passed away when Kreshnik was very young. In another moving moment, pianist Genc Tukiçi greeted the audience and recalled his father, the celebrated Albanian singer, Ibrahim Tukiçi, a beloved son of Shkoder. This year marks the centennial of Ibrahim’s birthday and Genc asked that the concert serve as a tribute to his memory. Another father onstage, Igli Tuga, co-founded OMEA, the acronym spells his daughter’s name, making the initiative especially close to his heart. Together, these tributes gave the evening a deeply personal resonance, carrying our shared stories forward.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 3331
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THANKSGIVING – NGA RRËNJËT E HISTORISË TE FESTA E MIRËNJOHJES AMERIKANE
  • NËNTORI – MUAJI I FESTAVE DHE KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE
  • Pse Ismail Qemali zgjodhi shqiponjën dykrenare heraldike?
  • Trembëdhjetë vjet para “Kongresit të Manastirit”…
  • Kostë Çekrezi, dragoman i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit
  • Kujtojmë në ditën e lindjes albanologun e shquar Peter Bartl
  • PROF. DR. ZANA FRASHËRI-LITO VIZITOI VATRËN
  • “Themeluesi Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Në Ditën e Falenderimeve
  • Në 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisësë Shqipërisë, në kujtim të Luigj Gurakuqit– atdhetarit, intelektualit dhe politikanittë shquar shqiptar
  • Trashëgimia ilire dhe lidhjet arbërore në filatelinë e Bosnjë-Hercegovinës
  • Vehbi Agolli – (Vehbi Dibra, 1867–1937)
  • 25 nëntor 2005, polifonia popullore shqiptare u shpall nga UNESCO-ja “Kryevepër e trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit”
  • Një jetë luftëtar për ngritjen e flamurit kombëtar në Çamëri
  • FALËNDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR Z. DRITON GERBESHI DHUROI 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT