
“Kam ngritur një monument më të qëndrueshëm se bronzi,” -shkruante Horaci. Dhe kishte të drejtë. Sot pas më tepër se 2000 mijë vitesh ne e citojmë sërish “monumentin” e tij. E njëjta maksimë vlen edhe për udhëheqësinë. Nëse trashëgimia e udheheqësisë nuk mbrujtet me tharmin e vlerave identitare kombëtare, koha e fshin njësoj siç valët e detit shuajnë shkrimet mbi rërë.
Para pak ditësh, në Verona, u gjenda përballë monumentit të Kamillo Benso, Kontit të Kavurit (1810-1861). Kjo vepër qëndron dinjitetshëm pranë Kastelvekios, në brigjet e lumit Adixhe, si simbol i shtetit modern italian.
Nuk është rastësi. Në thuajse çdo qytet të Italisë gjen një shesh, rrugë apo monument që mban emrin e tij.
Kombet serioze nuk ndërtojnë vetëm institucione. Ato ndërtojnë edhe kujtesë kolektive për ata që i krijuan ato.
Pas shpalljes së Mbretërisë së Bashkuar të Italisë, Konti Kavur mori detyrën si Kryeministri i parë i Italisë. Por, ai vdiq pas vetëm tre muajsh në detyrë dhe nuk jetoi për të parë bashkimin e plotë të vendit pas pushtimit të Romës në vitin 1870.
Ndërkohë, në Shqipëri, figura e Ismail Qemal Vlorës, themeluesit të shtetit modern shqiptar, nuk përfaqësohet me të njëjtin dinjitet në hapësirën publike.
Kjo nuk është thjesht çështje monumentesh. Është çështje standardi, kulture dhe etike. Mënyra si i nderojmë themeluesit tanë tregon shumë për mënyrën se si e kuptojmë shtetin sot.
Një komb që nuk ndërton simbole të forta për figurat e tij themeluese, është i dënuar që të mbetet i dobët edhe në vetëdijen e tij shtetformuese. Problemi ynë nuk është mungesa e historisë. Por mënyra se si zgjedhim që ta rrëfejmë dhe përfaqësojmë atë.
Dr. Evarist Beqiri