• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mirdita dhe hapësira e saj historike në veprën e Praschniker dhe Schober (1919): Toponimia, arkeologjia dhe dëshmitë hartografike

September 19, 2026 by s p

Në historinë e dokumentimit shkencor të hapësirës shqiptare, Camillo Praschniker dhe Arnold Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro (Wien, 1919), zë një vend të rëndësishëm. Vepra u botua si Heft VIII i serisë Schriften der Balkankommission, Antiquarische Abteilung dhe përmban 104 faqe, shoqëruar me një numër të madh figurash, planimetrish dhe hartash. Ekzemplari digjital i botimit të vitit 1919 është i disponueshëm falas në Internet Archive dhe Open Library.

Për historinë e Mirditës, rëndësia e veprës është e veçantë. Në të autorët përdorin formën gjermane “Mirdita” dhe dokumentojnë disa monumente në hapësirën e saj, ndër të cilat veçohen Vigu, Puka dhe Ibalja. Kjo e bën veprën një burim të rëndësishëm të fillimit të shekullit XX për studimin e marrëdhënies ndërmjet territorit, arkeologjisë, rrugëve dhe fortifikimeve në Shqipërinë e Veriut.

I. Vigu: një pikë e dokumentuar e peizazhit antik të Mirditës.

Në përshkrimin e itinerarit të ekspeditës, Praschniker dhe Schober ndjekin rrugët që lidhin hapësirën e Shkodrës me zonat e brendshme të Shqipërisë së Veriut dhe mbërrijnë në Vig. Këtu ata dokumentojnë një fortifikim të rëndësishëm, të cilin e trajtojnë si kastell romak.

Pjesa më e rëndësishme e këtij dokumentimi nuk është vetëm përshkrimi verbal, por edhe paraqitja grafike e monumentit me titullin:

“Plan des Kastells von Vigu”

Planimetria e lejon lexuesin të kuptojë organizimin hapësinor të fortifikimit: murin rrethues, kullat, hyrjet dhe marrëdhënien ndërmjet elementeve të ndryshme mbrojtëse. Përmasat e dhëna nga autorët janë rreth 96 × 71 m, çka e vendos objektin në kategorinë e fortifikimeve të konsiderueshme për kontrollin e një korridori territorial.

(Praschniker & Schober 1919, pp. 12–13).

Rëndësia e Vigut nuk qëndron vetëm në vetë monumentin. Pozicioni i tij në raport me luginën e Gjadrit dhe rrjetin e komunikimit drejt Drinit e bën atë një pikë të rëndësishme për të kuptuar organizimin hapësinor të territorit në antikitetin e vonë.

Në këtë kuptim, fortifikimi duhet të lexohet jo si një objekt i izoluar, por si pjesë e një peizazhi arkeologjik të lidhur me rrugët, luginat dhe kalimet malore.

II. “Mirdita” si përcaktim territorial.

Një nga aspektet më të rëndësishme të veprës është mënyra se si autorët përdorin emërtimin “Mirdita”. Në tekst, termi nuk funksionon thjesht si emër i një fshati apo i një monumenti, por si përcaktim i një hapësire më të gjerë gjeografike.

Kjo ka rëndësi për historinë e perceptimit territorial të Mirditës. Në një botim shkencor të vitit 1919, një ekspeditë arkeologjike evropiane e trajton këtë hapësirë si një zonë të dallueshme brenda peizazhit të Shqipërisë së Veriut.

Megjithatë, kjo dëshmi duhet përdorur me kujdes metodologjik. “Mirdita” e Praschniker dhe Schober nuk duhet barazuar automatikisht me kufijtë administrativë të Mirditës së sotme dhe aq më pak me ndonjë kufi politik të antikitetit. Ajo është, para së gjithash, një përcaktim gjeografik i përdorur nga autorët në kontekstin e ekspeditës së tyre.

Pikërisht kjo e bën burimin të vlefshëm: ai dëshmon se në vitin 1919 emri Mirdita ishte një term territorial i përdorur në literaturën arkeologjike evropiane.

III. Puka dhe Ibalja: një sistem fortifikues në territorin malor.

Në pjesën e veprës kushtuar fortifikimeve të periudhës romake dhe të antikitetit të vonë, autorët trajtojnë edhe Pukën dhe Ibaljen. Ato përfshihen në një diskutim tipologjik mbi format e fortifikimeve të Shqipërisë së Veriut.

Praschniker dhe Schober vërejnë ngjashmëri ndërmjet strukturave të këtyre vendeve dhe fortifikimeve të tjera të periudhës së vonë romake. Në rastin e Pukës përmendet një organizim i fortifikuar me kulla në qoshe, ndërsa Ibalja përfshihet në të njëjtin kuadër krahasues.

(Praschniker & Schober 1919, pp. 54–57).

Për historinë e Mirditës kjo dëshmi është e rëndësishme sepse sugjeron se në këtë hapësirë ekzistonte një seri pikash të fortifikuara, të cilat nuk mund të kuptohen vetëm individualisht. Pozicioni i tyre duhet analizuar në lidhje me relievin, rrugët dhe luginat.

Një interpretim i tillë është veçanërisht i rëndësishëm për një studim gjeografik: relievi përcaktonte korridoret e lëvizjes, ndërsa fortifikimet kontrollonin këto korridore.

IV. Vigu dhe korridori Gjadër–Drin.

Përshkrimi i udhëtimit drejt Vigut ka një vlerë të veçantë edhe për gjeografinë historike. Autorët përshkruajnë kalimin nëpër zona të lidhura me Kirin, Drinin dhe luginën e Gjadrit, duke evidentuar vështirësitë e terrenit dhe të komunikimit.

Ky material mund të përdoret për të rindërtuar një bosht hapësinor Shkodër–Drin–Gjadër–Vig, i cili lidh ultësirën me hapësirat malore të brendshme.

Pikërisht këtu arkeologjia dhe gjeografia historike takohen: një fortifikim merr kuptim të plotë vetëm kur vendoset mbi hartën e relievit dhe të rrugëve.

V. Mirdita në sistemin më të gjerë të Shqipërisë së Veriut.

Materiali i Praschniker dhe Schober nuk duhet shkëputur nga përshkrimet e tyre për Lezhën, Lissosin, Drinin, Zadrimën, Shkodrën, Matin, Laçin dhe fortifikimet e tjera të Shqipërisë së Veriut.

Kjo hapësirë paraqitet si një sistem i ndërlidhur ku:

– Shkodra përbënte një qendër të rëndësishme veriore;

– Lissos/Lezha kontrollonte një nyje strategjike pranë Drinit;

– Drini dhe degët e tij formonin korridore natyrore;

– luginat lidhnin ultësirën me brendësinë;

– fortifikimet kontrollonin pika strategjike;

– Mirdita, Puka dhe zonat përreth përbënin hapësirën malore të këtij sistemi.

Kjo perspektivë është më e dobishme sesa trajtimi i monumenteve të veçuara, sepse na lejon të rindërtojmë peizazhin historik.

VI. Një dëshmi e rëndësishme për historinë e hartografisë së Mirditës.

Për Vigun, autorët japin një plan të posaçëm të kastellit. Për monumente të tjera të Shqipërisë së Veriut japin plane dhe skica topografike. Në fund të veprës paraqitet edhe një hartë e territorit të përshkuar nga ekspedita.

Kjo metodë është e rëndësishme për historinë e hartografisë shqiptare sepse tregon kalimin nga një përshkrim thjesht narrativ i monumenteve drejt një dokumentimi hapësinor dhe hartografik.

Në këtë pikë, Praschniker dhe Schober nuk janë vetëm kronistë të monumenteve. Ata janë edhe dokumentues të peizazhit arkeologjik, ku pozicioni, distanca, drejtimi, relievi dhe rruga bëhen pjesë e argumentit shkencor.

VII. Një burim i vitit 1919 për historinë e territorit të Mirditës.

Në përfundim, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro duhet konsideruar një burim themelor i hershëm për dokumentimin arkeologjik të Mirditës dhe Shqipërisë së Veriut. Ai nuk na jep një hartë moderne të kufijve të Mirditës dhe nuk duhet përdorur për të projektuar mekanikisht kufijtë e sotëm në antikitet. Por ai na jep diçka tjetër, po aq të rëndësishme: një dokumentim të drejtpërdrejtë të monumenteve, toponimeve dhe marrëdhënieve hapësinore që studiuesit austriakë konstatuan në terren në fillim të shekullit XX.

Vigu, Puka dhe Ibalja shfaqen në këtë burim si pika të një peizazhi më të gjerë të fortifikuar, ndërsa përdorimi i emërtimit “Mirdita” dëshmon ekzistencën e një konceptimi territorial të Mirditës në literaturën arkeologjike evropiane të vitit 1919.

Për një histori të Mirditës të ndërtuar mbi harta, kjo dëshmi është veçanërisht e çmuar: harta dhe arkeologjia nuk dokumentojnë vetëm monumentin; ato dokumentojnë marrëdhënien e monumentit me territorin. Dhe pikërisht kjo marrëdhënie na lejon të lexojmë Mirditën jo si një hapësirë të izoluar, por si pjesë të një sistemi historik komunikimi, mbrojtjeje dhe organizimi territorial në Shqipërinë e Veriut.

Prof. Dr. Pal Nikolli

Filed Under: Ekonomi

Zinxhiri i diskriminimit që po e zbraz Luginën e Preshevës nga shqiptarët!

September 19, 2026 by s p

Alban Alili/

Ndërlidhja mes gjashtë fushave. Varfërimi e moszhvillimi, pengesat në arsim dhe mosnjohje e diplomave, mospërfaqësim dhe përjashtim institiucuonal si qëllim i mospërkatësisë. Ndjejma e pasigurisë, vështirësimi i realizimit të të drejtave të siguruara, e pasivizimi si hallka e fundit që qëllim përfundimtar ka zbrazjen e Luginës nga shqiptarët. Për një shqiptar në Luginën e Preshevës, vendimi për t’u larguar shpesh fillon shumë kohë para se ta marrë rrugën. Fillon kur nuk gjen punë, kur diploma nuk i njihet, kur përgatitja profesionale nuk i hap dyert e institucioneve dhe kur për të drejtat më të zakonshme duhet të përballet vazhdimisht me pengesa.

Me kalimin e viteve, këto vështirësi grumbullohen. Prekin të ardhurat e familjes, shkollimin e fëmijëve, sigurinë dhe besimin se në vendlindje mund të ndërtohet një e ardhme. Në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, gjashtë fusha të diskriminimit dhe përjashtimit ndërthuren në të njëjtën jetë, duke e bërë qëndrimin gjithnjë më të vështirë.

Varfërimi dhe moszhvillimi ekonomik i Preshevës dhe Bujanocit janë pika nga e cila nis një pjesë e madhe e kësaj përballjeje. Të dyja janë ndër komunat më pak të zhvilluara të Serbisë. Edhe sipas pagave, në dhjetor 2025 ndodheshin ndër dhjetë komunat me pagat më të ulëta: Presheva në fund të renditjes, ndërsa Bujanoci i katërti nga fundi.

Në atë muaj, paga mesatare neto ishte 78.411 dinarë (670 euro) në Preshevë dhe 85.445 (730 euro) në Bujanoc, kundrejt 109.462 dinarëve (rreth 936 euro) në nivel të Serbisë. Pra, edhe për ata që punojnë, paga mesatare në Preshevë ishte rreth 32,5% më e ulët, ndërsa në Bujanoc rreth 27,5% më e ulët se mesatarja shtetërore. Me këto të ardhura duhen përballuar të njëjtat nevoja familjare, shkollimi dhe kujdesi shëndetësor.

Edhe në Surdulicë, komunën fqinje të përbërë nga shumica absolute nga etniteti serb. paga mesatare ishte rreth 21% më e lartë se në Preshevë dhe 11% më e lartë se në Bujanoc.

Dallimi shihet edhe në financimin bazë të komunave. Sipas përllogaritjeve tona për vitin 2025, transferi i rregullt, i pandryshuar për 12 vite, ishte rreth 11.657 dinarë (100 euro) për banor në Preshevë dhe 9.603 (82 euro) në Bujanoc, kundrejt 14.287 dinarë (122 euro) në Surdulicë dhe 17.908 (153 euro) në komunën fqinje të Medvegjës, komunën Lebanë. Nga ky burim, Lebana kishte rreth 54% më shumë mjete për banor se Presheva dhe 86% më shumë se Bujanoci.

Edhe këto komuna kanë probleme zhvillimore. Por dallimet tregojnë se gjendja e Preshevës dhe Bujanocit nuk mund të shpjegohet vetëm me varfërinë e përgjithshme të jugut të Serbisë. Për dallim nga komunat fqinje si Surdulica apo Lebane ku janë sjellë investitor nga shteti, politika shtetërore nuk ka sjellë në Bujanoc e Preshevë investime prodhuese në përmasën që do të krijonte punësim të qëndrueshëm dhe do ta ndryshonte gjendjen ekonomike. Mungesa e punëdhënësve të mëdhenj dhe mundësitë e kufizuara për zhvillimin e bizneseve i lënë familjet të mbështeten te të ardhurat që arrijnë të sigurojnë, shpesh edhe te ndihma e familjarëve nga jashtë vendit.

Për të rinjtë, bëhet gjithnjë më e vështirë të shohin një mundësi për ta ndërtuar jetën në vendin e vet.

Në këto kushte, arsimi duhej të ishte rruga kryesore për ta ndryshuar gjendjen, por pengesat e ndjekin fëmijën shqiptar që gjatë shkollimit.

Mungesa e teksteve mësimore në shqip për shkollat e mesme i detyron nxënësit dhe mësimdhënësit të punojnë me shënime, materiale të pjesshme dhe zgjidhje të përkohshme. Mungesa e një inspektori shqiptar dhe e bashkëpunëtorëve profesionalë shqiptarë në nivelin e inspektoratit të Ministrisë së Arsimit e dobëson mbikëqyrjen e mësimdhënies në shqip. Emrimi arbitrar i drejtorëve nga Ministri, shpesh pa marrë për baze qëndrimin e Këshillit Kombetar Shqiptar apo institucineve lokale, e rëndojnë më tej funksionimin e shkollave.

Kësaj i shtohet pengesa për t’i angazhuar të diplomuarit nga Kosova. Shkollat kanë nevojë për kuadro, ndërsa të rinjtë që janë përgatitur për të dhënë mësim mbeten jashtë tyre kur diploma nuk u njihet.

Kështu lidhen mes vete dy dëme, dobësohen kushtet për arsim cilësor në shqip dhe pengohet përfshirja e kuadrove që mund të kontribuonin në përmirësimin e tij. Familja përballet njëkohësisht me shqetësimin për shkollimin e fëmijës dhe me pasigurinë nëse ai do të mund të punojë në vendlindje pasi t’i përfundojë studimet.

Sipas të dhënave të KKSh-së për vitin 2025, nga 756 studentë shqiptarë aktivë të evidentuar, 419, apo 55,4%, studionin në Kosovë. Pra, për më shumë se gjysmën e të rinjve studentë, mundësia për ta ushtruar profesionin në vendlindje lidhet me njohjen e diplomës nga Kosova.

Familja investon vite dhe mjete në shkollim. I riu i përfundon studimet. Por kur diploma nuk i njihet, rruga drejt punësimit në profesion mbetet e mbyllur.

Këtë pasojë e ka regjistruar edhe Komiteti Këshillëdhënës i Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, duke evidentuar lidhjen e raportuar mes mosnjohjes së diplomave nga Kosova dhe mungesës së mësuesve shqiptarë. Opinioni për Serbinë, 2025.

Komuniteti ka nevojë për profesionistë, ndërsa njerëzit e vet pengohen të kontribuojnë. Shkollimi që duhej të sillte zhvillim në Luginë përfundon duke i shtyrë të rinjtë të largohen drejt vendeve ku mund ta përdorin diplomën.

Në anën tjetër, të rinjve që i njihen diplomat e marra nga Shqiperia, Maqedonia e Veriut apo vende tjera, përballen me mospërfaqësimin dhe dezintegrimin e shqiptarëve në institucionet publike republikane në nivel lokal dhe të qarkut.

Në tabelën për institucionet shtetërore në nivel lokal, të përfshirë në draftin e integrimit të shtatorit 2022, figurojnë 435 shqiptarë nga 1.694 të punësuar, ose 25,7%. Brenda njësive të evidentuara kishte një shqiptar nga 15 punonjës në kadastër, asnjë nga pesë në fondin pensional dhe pesë nga 60 në sektorin e rrugëve.

Sipas evidentimeve qe kemi ngritur në kuadër të KKSh-së, në spitalin e qarkut në Vranjë nuk ka asnjë shqiptar të punësuar, megjithëse aty marrin shërbime edhe shqiptarët e Preshevës dhe Bujanocit. Të njëjtën mungesë e kemi evidentuar edhe në qendrën shëndetësore në Medvegjë.

Shqiptarët varen nga institucionet shëndetësore, të sigurisë, drejtësi e administratë, ndërsa përfshirja si profesionistë mbetet e pazgjidhur. Kjo prek mundësinë për punë, komunikimin në shqip dhe besimin e komunitetit karshi institucioneve.

Një pjesë e madhe e vendimeve që e prekin jetën e qytetarit merren në struktura ku shqiptarët kanë pak ose aspak prani.

Pra, ekonomia lokale ofron pak punë, mosnjohja e diplomave pengon ushtrimin e profesionit, ndërsa mospërfaqësimi institucional e ngushton edhe rrugën drejt punësimit publik. Përpjekja e të riut për t’u shkolluar dhe për të punuar përballet me pengesa të njëpasnjëshme.

Këtë gjendje e rëndojnë pasiguria dhe gjuha armiqësore ndaj shqiptarëve. Paraqitja e shqiptarit si kërcënim në pjesë të diskursit politik dhe mediatik në Serbi dëmton besimin se do të trajtohen si qytetarë të barabartë.

Prania e tepërt e forcave të sigurisë, ushtria dhe xhandarmëria e përcjellur me një zonë që në diskrusin publik në Serbi nga politika dhe mediat shihet si e pasigurtë nga ana e sigurisë, sjellë ndjenjë pasigurie.

Ndërkohë, prania shqiptare në polici është dobësuar vazhdimisht. Raporti ynë evidenton në Bujanoc 107 policë shqiptarë rreth viteve 2010 deri më 2012, kundrejt 56 sipas vlerësimit jozyrtar të dhjetorit 2025. Në Preshevë, shifrat përkatëse janë 125 dhe 88. Në Bujanoc, krahasimi tregon pothuajse përgjysmim.

Në anën tjetër rëndesës deri në gjendje te papërballueshme për jetese normale i shtohen edhe pengesat në përdorimin e gjuhës shqipes. në ushtrimin e të drejtave arsimore, kulturore e të informimit.

Sipas evidentimit të KKSh-së, të paraqitur te Komisioneri për Barazi në shkurt 2026, vetëm 20 nga 70 institucione të hulumtuara e respektonin përdorimin e gjuhës shqipe sipas ligjit. Të gjitha këto ishin institucione lokale.

Për një shqiptar në Luginë, kjo do të thotë të kërkojë ndihmë për një procedurë, të insistojë për një të drejtë dhe të ankohet për një shërbim që duhej ta merrte normalisht.

Me kalimin e kohës, edhe gjërat më të zakonshme dhe ato që i takojnë ligjërisht bëhen pjesë e një përballjeje të lodhshme për t’i marre.

Edhe mbështetja nga Kosova, që synon t’i lehtësojë disa prej këtyre vështirësive, është përballur me pengesa në transferimin e mjeteve. Rasti i 1,837,511.16 eurove lidhej me një vendim që përfshinte, ndër të tjera, arsim në gjuhën shqipe, kulturë, zhvillim institucional dhe mbështetje të komunitetit shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. . Pas vonesave dhe refuzimeve qëndrojnë fëmijë, familje dhe programe konkrete.

Në këtë gjendje, largimi fillon të shihet si zgjidhje për disa probleme njëkohësisht: për punën, për shkollimin e fëmijëve, për sigurinë dhe për një jetë ku të drejtat nuk duhet të kërkohen përditë.

Shqiptari Luginas largohet në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut ose në vendet perëndimore për të siguruar jetesën. Shpesh me mendimin se kjo është e përkohshme dhe se do të kthehet.

E këtu, pasivizimi i adresës e mbyll rrethin për ata , duke i lënë pa dokumente dhe pa mundësi për ta rregulluar gjendjen.

Qytetari mund ta marrë vesh se adresa i është pasivizuar vetëm kur kërkon të pajiset me letërnjoftim ose të ushtrojë një të drejtë. Më pas duhet të kërkojë vendimin, të mbledhë dëshmi dhe të nisë procedura për ta rivendosur adresën, që në shumicën e rasteve nuk mund t’i përmbyllin me vite e mbesin pa asnjë dokument e të drejte.

Raporti i YIHR-së e përshkruan qartë vazhdimin e këtyre pasojave: pengesa në marrjen dhe rinovimin e dokumenteve, në votim, pensione, përfitime sociale dhe procedura pronësore. Ai evidenton si veçanërisht të cenueshëm edhe qytetarët që punojnë në Kosovë për shkak të mungesës së mundësive dhe problemit të diplomave. Disa heqin dorë nga procedurat, sepse ato mund të zgjasin me vite.

Edhe Komiteti i Helsinkut për të Drejtat e Njeriut në Serbi e ka trajtuar pasivizimin si praktikë masive dhe selektive, duke e cilësuar në raportin e vitit 2021 si një formë të spastrimit etnik përmes mjeteve administrative. Organizata evidenton se janë prekur edhe persona që jetojnë në adresat e tyre.

Për personin që mbetet pa adresë aktive, pa dokumente dhe pa zgjidhje efektive, pasivizimi e pamundëson në praktikë rikthimin dhe vazhdimin e jetesës në Luginë. Shtetësia dhe pronësia i merren dalëngadal, shumicën e rasteve në pamundësi për t’u rikthyer.

Ndërkohë, familja duhet të jetojë. Fëmijët fillojnë shkollën diku tjetër, prindërit gjejnë punë dhe vitet kalojnë. Largimi i përkohshëm bëhet jetë e përhershme e me dokumente të marra në Luginë, deri në të drejtën e votës, të drejtës pronësore apo qasjes në shërbime, duke mos ekzistuar më si shqiptar në Luginë.

Kjo është ndërlidhja mes gjashtë fushave. Varfëria ngushton mundësitë. Pengesat në arsim dhe diploma dobësojnë perspektivën profesionale. Mospërfaqësimi kufizon punësimin dhe pjesëmarrjen në institucione, ndjenjën e përkatësisë. Pasiguria dhe vështirësimi i të drejtave e rëndojnë jetesën. Pasivizimi ua bllokon kthimin të atyre që janë duke punuar dhe u angazhuar përkohësisht jashtë kufijve, qoftë edhe vetëm për punë brenda ditës.

Pa mundësi reale për arsim, punë, siguri dhe ushtrim të të drejtave, qëndrimi bëhet gjithnjë më i vështirë. E Lugina vazhdon t’i humbë pikërisht njerëzit që i duhen për të jetuar dhe për t’u zhvilluar.

Filed Under: Emigracion

LETRA E GJERGJ KASTRIOTIT drejtuar Giovanni Antonio Orsini-t

September 19, 2026 by s p

Përktheu: Luket Hasaj/

Kjo është letra që Skënderbeu i dërgoi si përgjigje Princit të Tarantos, Giovanni Antonio Orsini-t, të cilën po e sjellim këtu me një përkthim të ri nga teksti latin që gjendet tek “Illyricum Sacrum” VII, fq. 424, Episcopi Crojenses – Antonius Episc. Crojensis V. (Ipeshkvijt e Krujës – Antoni Ipeshkvi i pestë i Krujës), të cilën autori e ka marrë nga lib. 6 i “Commentarii” të Piut II:

“Gjergji, zot i Arbërisë, i dërgon përshëndetje Giovanni Antonio-s

princit të Tarantos.

Pasi arrita një armëpushim me armikun e fesë [krishterimit], nuk desha që miku im të mashtrohej për ndihmën time. Alfonsi shpeshherë, kur isha në rrezik, më dërgonte ndihmë kundër turqve. Do të isha mosmirënjohës nëse s’do t’ia shpërbleja të birit. Po të kujtoj se ai ishte mbreti yt. E pse për ty biri nuk ia zë vendin të atit? Ti e ke adhuruar atin e tij dhe tash kërkon ta rrëzosh të birin? Nga të vjen ky autoritet? Kujt i takon të caktojë mbretërit e Siçilisë, ty apo Papës së Romës? Kam ardhur të ndihmoj birin e mbretit, Ferdinandin, të shpallur mbret nga Selia Apostolike, kundër pabesisë sate dhe tradhtive të panumërta të parisë së kësaj mbretërie. Do ta paguash besën e shkelur dhe nuk do t’i thyesh betë gjithmonë pa u ndëshkuar.

Ky është shkaku i luftës sime me ty. Në këtë rast nuk jam më pak i denjë sesa kur i sulmoj turqit, sepse ti nuk je më i mirë se turqit; dhe ka prej atyre që mendojnë me të drejtë se nuk i përket asnjë sekti. Ti më vë përballë frankët dhe emrat e galëve që bënë luftëra të mëdha për fenë; nuk dua të diskutoj me ty për ngjarje të moçme, të cilat ndoshta ishin shumë më të vogla se zëri i tyre që mori dhenë.

Një gjë është e sigurt: në kohën tonë flota aragoneze i ka rënë shpesh kryq e tërthor detit Egje, ka shkretuar brigjet turke dhe ka marrë shumë plaçkë nga armiku. Turqit dikur i patën frikë aragonezët; dhe Troja, në gojë të armiqve, mbrohet edhe sot e kësaj dite me armët e aragonezëve. Pse më kujton gjërat e vjetra dhe lë mënjanë të rejat? Zakonet e familjeve ndërrojnë dhe bujqit bëhen mbretër e mbretërit bujq; dhe as nuk mund të gjesh fisnikëri që zgjat më shumë se virtyti. E di se ti ke qenë dikur armiku më i tërbuar i galëve (francezëve), sepse Alfonsi i dëboi ata kryesisht me ndihmën tënde. S’e di se ç’burrëri e re ka dalë në dritë. Mos ndoshta ke admiruar ndonjë yll të ri që ka veguar ndërmjet galëve? Pastaj ti e përbuz fisin tonë dhe arbrit i quan dele. Siç e ke zakon, ti flet me përbuzje dhe duket se nuk e njeh origjinën e fisit tonë.

Të parët tanë ishin epirotët, prej të cilëve doli ai Pirroja, sulmin e të cilit romakët mezi mundën ta përballonin dhe i cili pushtoi me armë Taranton e shumë vende të tjera të Italisë. Nuk mund të vësh përballë epirotëve, burra trima, tarantinët, këtë soj të qullosur njerëzish, të lindur vetëm për të zënë peshq të vegjël. Nëse thua se Arbëria është pjesë e Maqedonisë, e pranon se të parët tanë ishin shumë më fisnikë, të cilët nën Aleksandrin [e Madh] mbërritën deri në Indi, duke i mposhtur gjithë popujt që u dilnin përpara me sukses të paparë.

Prej atyre e kanë origjinën këta njerëz që ti i quan dele. Nëse jemi dele dhe natyra e gjërave s’ka ndryshuar, pse ju njerëz ikni para bagëtive? Ditët e fundit është provuar shumë herë a kanë qenë arbërorët apo puljezët bagëti; dhe ende s’kam takuar ndonjë [ushtar tëndin] që të mund të durojë fytyrën time. Kam parë për bukuri sa të armatosura janë shpinat e ushtarëve të tu, por ende s’kam mundur të shoh asnjë parzëm dhe as që ia njoh fytyrën ndonjërit, përveç atyre që i kam lidhur me pranga. Unë s’po kërkoj atdheun tënd, se më mjafton i imi. Por, duke parë se shpeshherë i ke përzënë bujarët fqinjë nga pronat e tyre, po përpiqem që ti të mos mund të dëbosh mbretin dhe siç të është mbushur mendja me të padrejtë, të shtiesh në dorë mbretërinë.

Në qoftë se vdes e varrosem në këtë punë, siç parathua ti, prapëseprapë shpirti im do të marrë shpërblimin nga Zoti, Sunduesi i të gjitha sendeve, për veprën fisnike që kam menduar dhe ndërmarrë, edhe sikur të mos kryhet plotësisht. Qofsh shëndoshë”.

Filed Under: LETERSI

JURIDIKSIONI KA KUFI

September 19, 2026 by s p

Nga Fadil Ferizi/

Pas aktgjykimit të 16 shtatorit, reagimi më i gabuar do të ishte t’u jepnim vetë Dhomave të Specializuara një pushtet që ligji nuk ua ka dhënë.

Dhomat e Specializuara nuk janë krijuar për të gjykuar legjitimitetin historik apo politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk janë krijuar për të vendosur nëse lufta për çlirimin e Kosovës ishte e drejtë apo e padrejtë. Aq më pak kanë juridiksion të vendosin mbi ligjshmërinë, vlefshmërinë apo statusin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Mandati i tyre është penal dhe juridiksioni i tyre është i përcaktuar me ligj.

Ligji nr. 05/L-053 ua përcakton juridiksionin lëndor për krimet që hyjnë në nenet përkatëse të tij, juridiksionin kohor për periudhën 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000 dhe juridiksionin personal mbi persona fizikë. Neni 9 është i qartë: Dhomat kanë juridiksion mbi persona fizikë. (SCP-KS)

Por edhe më e rëndësishme është ajo që ka thënë vetë Trupi Gjykues më 16 shtator.

Në fillim të përmbledhjes së aktgjykimit, gjykatësit deklarojnë shprehimisht se kjo çështje nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur. Menjëherë më pas thuhet se përgjegjësia penale para Dhomave është vetëm personale, se juridiksioni është vetëm mbi persona fizikë dhe se akuzat kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve.

Kjo duhet të jetë pika jonë e nisjes.

Jo mohimi i asaj që aktgjykimi thotë. Jo zgjerimi emocional i kuptimit të tij. Jo pranimi i një premise sikur në Hagë të jetë gjykuar UÇK-ja si ushtri apo pavarësia e Kosovës si projekt politik.

Pikërisht e kundërta.

Duhet t’i mbajmë Dhomat brenda kufijve që ua cakton ligji dhe brenda kufijve që ato vetë i kanë shpallur.

Në paragrafin 75, Trupi Gjykues thotë se të akuzuarit dhe persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së kishin dy objektiva, pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik e institucional mbi atë që shpresonin të ishte një Kosovë e pavarur. Pastaj shton se nuk e konsideroi të nevojshme të përcaktonte nëse këto objektiva ishin në vetvete kriminale apo të paligjshme.

Ky formulim mund dhe duhet të kritikohet. Por duhet kritikuar saktë.

Problemi nuk zgjidhet duke pretenduar se Dhomat kanë marrë juridiksion mbi pavarësinë e Kosovës. Ato vetë thonë se kjo nuk është çështja para tyre. Problemi është rreziku që formulime të tilla, të shkëputura nga kufijtë e juridiksionit dhe nga konteksti i përgjegjësisë personale, të përdoren nesër si material politik, propagandistik apo pseudohistorik për të ndërtuar një përfundim që aktgjykimi juridikisht nuk mund ta japë.

Pikërisht këtu duhet menaxhuar dëmi.

Në paragrafin 80, Trupi Gjykues bën edhe një dallim që nuk duhet fshehur, por përdorur: sipas tij, nuk ishin qëllimet që i bënë veprimet kriminale, por mjetet që, sipas konstatimeve të Trupit Gjykues, u përdorën për realizimin e tyre.

Ky dallim është thelbësor.

Nëse vetë gjykata thotë se çështja nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së, se synimi për pavarësi nuk është objekti i gjykimit dhe se përgjegjësia është personale, atëherë askush nuk duhet t’i japë aktgjykimit një kuptim kolektiv që ai juridikisht nuk mund ta mbajë.

Madje, në përmbledhjen shqip, rrënja e termit “individual” shfaqet shtatë herë në forma të ndryshme. Kjo nuk është hollësi gjuhësore. Është vetë arkitektura juridike mbi të cilën duhet insistuar: personi, veprimi, prova dhe përgjegjësia individuale.

Kjo qasje nuk e dobëson kundërshtimin ndaj aktgjykimit. E bën më serioz.

Aktgjykimi i shkallës së parë duhet kundërshtuar në apel me të gjitha mjetet juridike që u takojnë palëve. Rregullorja e Dhomave parashikon shprehimisht të drejtën e personit të dënuar dhe të Prokurorit të Specializuar për ta apeluar aktgjykimin. (SCP-KS)

Por beteja juridike duhet të ndahet nga beteja për kuptimin publik të këtij vendimi.

Mbrojtja duhet të sulmojë në apel ato konstatime për të cilat konsideron se ka gabime faktike, juridike ose procedurale. Institucionet, juristët, historianët dhe opinioni publik, ndërkaq, duhet të jenë të disiplinuar në një gjë tjetër: të mos lejojnë që përgjegjësia penale individuale të shndërrohet, me heshtje apo pakujdesi, në fajësi të një ushtrie, të një lufte apo të një shteti.

Ka edhe një pikë tjetër që kërkon vëmendje të veçantë.

Në paragrafin 99, Trupi Gjykues përmend me emër Lahi Brahimajn, Fatmir Limajn, Sylejman Selimin, Rrustem Mustafën, Latif Gashin, Shukri Bujën dhe Sabit Gecin dhe konstaton se ata kishin rënë në marrëveshje për një qëllim kriminal të përbashkët dhe kishin marrë pjesë në realizimin e tij. Në të njëjtën fjali, gjykata thekson se ndaj tyre nuk është bërë konstatim fajësie dhe se ata vazhdojnë të gëzojnë prezumimin e pafajësisë.

Kjo është çështje serioze dhe duhet trajtuar juridikisht, jo vetëm me indinjatë.

Nuk do të ishte e saktë të thuhej se një gjykatë nuk mund të përmendë kurrë persona që nuk janë të akuzuar. Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e pranon se, në procese komplekse me disa persona, referencat ndaj rolit të personave të tretë ndonjëherë mund të jenë të pashmangshme. Por po ajo jurisprudencë kërkon kujdes të posaçëm që gjykata të mos japë më shumë informacion sesa është i nevojshëm dhe të mos krijojë përshtypjen se fajësia e personit që nuk është gjykuar është përcaktuar paraprakisht. (HUDOC)

Prandaj pyetja juridike serioze nuk është: “Si guxuan t’i përmendin?”

Pyetja është shumë më e fortë: a ishte e domosdoshme, për përcaktimin e përgjegjësisë së katër të akuzuarve, që për shtatë persona të tjerë të formulohej një konstatim kaq i drejtpërdrejtë për pjesëmarrjen e tyre në një ndërmarrje kriminale të përbashkët, kur ata nuk kishin qenë të akuzuar në këtë proces dhe nuk kishin pasur pozitën procedurale të një të akuzuari për t’u mbrojtur nga ai konstatim?

Kjo pyetje meriton analizë serioze juridike dhe, aty ku ekziston legjitimiteti procedural, kontestim me mjetet përkatëse ligjore.

Dhe pikërisht këtu duhet të ndryshojë edhe mënyra jonë e reagimit.

Nuk duhet ta luftojmë aktgjykimin duke ia zmadhuar vetë fushën e veprimit.

Kur themi se “u dënua UÇK-ja”, pa dashur pranojmë pikërisht zgjerimin që duhet ta kundërshtojmë.

Kur themi se “u gjykua pavarësia”, i japim një gjykate penale një kompetencë që ligji nuk ia ka dhënë.

Kur e trajtojmë përgjegjësinë individuale si aktgjykim mbi një popull, një ushtri ose një projekt shtetëror, bëjmë vetë kalimin nga individi te kolektivi.

Kjo nuk duhet lejuar.

Duhet thënë saktë: më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për disa krime lufte dhe i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Ky është aktgjykim i shkallës së parë ndaj katër personave konkretë. Nuk është aktgjykim ndaj UÇK-së si organizatë dhe nuk është aktgjykim ndaj pavarësisë së Kosovës. (SCP-KS)

As më shumë, as më pak.

Ka edhe një arsye për maturi. Dokumenti publik që po diskutojmë është përmbledhja e aktgjykimit. Vetë Trupi Gjykues sqaron se kjo përmbledhje nuk është pjesë e aktgjykimit dhe se vetëm aktgjykimi është dokumenti autoritativ i konstatimeve dhe vendimit.

Prandaj reagimi serioz kërkon dy gjëra njëkohësisht: kundërshtim të vendosur juridik aty ku ka bazë për kundërshtim dhe disiplinë të plotë në mënyrën si përcaktohet domethënia e këtij aktgjykimi.

Tani duhet menaxhuar dëmi.

Jo duke mohuar atë që është shkruar, por duke insistuar në atë që është shkruar.

Jo duke bërtitur më fort se aktgjykimi, por duke e detyruar atë të qëndrojë brenda juridiksionit të vet.

Jo duke ia falur askujt të drejtën që nga përgjegjësia penale e individit të ndërtojë fajësi kolektive për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për luftën e saj apo për Republikën e Kosovës.

Sepse drejtësia penale, nëse dëshiron të mbetet drejtësi, duhet të dijë jo vetëm kë gjykon, por edhe ku përfundon pushteti i saj.

Filed Under: Analiza

Monumenti, një akt i vonuar

September 19, 2026 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Statuja e një Gruaje me pishtar në dorë, vendosur në qendër të Kryeqytetit Amerikan në Washington, D.C., përfaqëson “Shpresën dhe Lirinë”, të drejtat e njeriut dhe demokracisë që triumfon mbi errësirën e tiranisë. Mbi bazamentin e saj shkruhet: “Për më shumë se 100 milionë viktimat e komunizmit, për ata që duan lirinë, si dhe për lirinë e pavarësinë e të gjitha kombeve të robëruara”.

Ky monument shërben si simbol universal i rezistencës paqësore dhe kujtesës historike për të gjithë individët që vuajtën ose humbën jetën nën regjimet totalitare. Këtë fakt dëshroj ta lidh me praninë e domosdshme të një Monumenti për gratë e ish-të persekutuara politike në qendër të Kryeqytetit të Tiranës (edhe pse një akt i vonuar), por do të ishte jashtëzakonisht i nevojshëm dinjiteti, drejtësie historike dhe reflektimi kombëtar, pasi edhe gratë vuajtën ferrin e rëndë e të errët të asaj diktature çnjerëzore.

Duke qenë se autor i atij represioni politik ishte vetë shteti, ishte dhe është detyrë e shtetit të kërkojë falje dhe të realizojë jo vetëm dëmshpërblimin financiar, por edhe dëmshpërblimin moral duke ngritur një Memorial të tillë në qendër të Kryeqytetit. Burgosjet, internimet dhe persekucionet politike edhe ndaj grave dhe fëmijëve në Shqipëri nuk erdhën nga individë privatë, por nga aparati shtetëror i kohës përmes ligjeve gjykatave dhe organeve të ekzekutimit të dënimeve.

Prandaj në këtë tranzicion të tejzgjatur, çështja e ndërtimit të një monumenti kombëtar në Tiranë për të nderuar gratë dhe fëmijët që vuajtën nëpër burgjet politike, kampet politike të internimit dhe provuan mbi trupat e tyre persekucione të ndrysme gjatë diktaturës komuniste përbën një detyrim moral, ligjor dhe kushtetues të shtetit shqiptar. Eshtë një përgjegjësi institucionale e shtetit i cili krijoi këtë tragjedi, pasojat e së cilës kjo shtresë po i vuan akoma.

Edhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e njohin memoralizimin si një formë dëmshpërblimi moral, detyrë kjo që garanton se krimet e kaluara nuk do të harrohen dhe se viktimat e pafajshme do të nderohen publikisht.

Në kalvarin e atij regjimi, gratë shqiptare mbajtën një peshë dyfishe, ato që vuajtën drejtpërdrejt në burgje e kampe internimi, dhe ato që përballuan diskriminimin, vetminë dhe presionin e egër shoqëror për të mbajtur gjallë familjet e tyre ndërsa bashkëshortët apo baballarët ishin të dënuar. Gratë ishin vërtet “heroina të heshtura” që ditën të mbronin njerëzoren, besimin dhe dinjitetin në kushtet e survejimit kolektiv.

Periudha e diktaturës komuniste në Shqipëri do të mbetet një nga plagët më të rënda dhe më tragjike të historisë kombëtare. Kampet e internimit dhe të punës së detyruar si ai i Tepelenës, Lushnjës, Maliqit, Bënçës etj, dëshmojnë çmimin e tmerrshëm njerëzor që paguan mijëra familje të pafajshme, veçanërisht gratë dhe fëmijët.

Kampi i Tepelenës, i njohur për kushtet e tij çnjerëzore, urisë, sëmundjeve dhe të ftohtit ekstrem, mbetet simbol i kësaj tragjedie, ku sipas zyrave të shtetit (AIDSSH), ky kamp që funksionoi nga viti 1949 –1953, kap shifrën e rreth 300 fëmijëve të moshave nga foshnja deri në 12-14 vjeç, të cilët vdiqën nga uria, dizenteria, tifoja, i ftohti dhe mungesa e kujdesit mjekësor. Që do të thotë se pothuajse gjysma e viktimave në Kampin e Tepelenës ishin fëmijë.

Prania e këtij monumenti në zemër të Kryeqytetit në një hapësirë publike mbart në vetëvete një silbolikë të fortë, që do të shërbente si kujtesë e përhershme për çmimin e lirisë, për të mos lejuar kurrë rikthimin e diktaturës. Do të nxise dialogun ndërmjet brezave, duke ndihmuar të rinjtë që nëpërmjet artit të kuptojnë se liria sot është ndërtuar mbi sakrificat e heshtura të djeshme.

Edhe pse shpesh e kemi ngritur zërin si në Shqipëri edhe në SHBA me gratë ish të persekutuara politike, përsëri nuk kemi parë një ndërgjegjësim apo realizim të një Memoriali të tillë, dedikuar kësaj shtylle të shoqërisë, të cilat rritën dhe edukuan fëmijët e tyre në kushte extreme varfërie nën vëzhgimin e vazhdueshëm të sigurimit të shtetit të izoluara nga shoqëria, dhe që akoma po lihen në hije nga historia zyrtare e të gjitha kohëve dhe politika. Kuota e përfshirjes së gruas në parlamentin shqiptar në kuotën 30%, akoma nuk është arritur, aq më tepër shumë më larg është ajo e përfshirjes së gruas ish të persekutuar politike në një kuotë të caktuar.

Sigurisht duke u financnuar nga shteti me fondet publike shërben si mjet ndërgjegjësimi arsimor, shoqëror e historik duke garantuar që diktatura dhe shkelja e të drejtave të njeriut të mos përsëriten më kurrë. Financimi i këtij Memoriali nga buxheti i shtetit do të simbolizojë pranimin e fajit nga ana e pushtetit diktatorial të Enver Hoxhës dhe do të shënojë një hap të domosdoshëm drejt shërimit të memories kolektive shqiptare.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 3221
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
  • Guximi për të qenë vetvetja
  • Gjuha shqipe në pasqyrën e poliglotisë evropiane: Dëshmia e “Lutjes së Zotit” te Lorenzo Hervás y Panduro
  • “Mes shkencës dhe dritës” – një roman për njeriun modern
  • KOSOVA NË SESIONIN E 81-TË
  • Për Bujar Alimanin, “Virgjereshën” dhe kinematografinë shqiptare
  • PETRO NINI LUARASI NË AMERIKË 1904-1908 — NJË MISION PATRIOTIK
  • KOSOVA MES KONSOLIDIMIT KUSHTETUES DHE AFIRMIMIT NDËRKOMBËTAR
  • NËSE UASHINGTONI MBRON SOVRANITETIN E VET PËRBALLË NJË GJYKATE NDËRKOMBËTARE, KOSOVA DUHET TË KETË TË DREJTËN TË HAPË DEBATIN E VET KUSHTETUES PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA
  • Pse arrestimi i kreut të SHISH është një dështim shtetëror
  • “Si shihet atdheu nga larg”
  • Në besnikërinë ndaj Shqipnisë…
  • Shqiptarët dhe Europa…
  • SHQIPTARËT NË MAL TË ZI DHE IDENTITETI SI PJESË E VLERAVE TONA KOMBËTARE
  • ÇËSHTJA ÇAME NË PUNIMET E ASAMBLESË KUSHTETUESE TË VITIT 1924

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT