• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Flora Brovina, ikona që na pamundëson kornizën

October 12, 2026 by s p

Aleksandër Çipa/

Në javën e parë të janarit të vitit 2001 mbërrita në Prishtinë prej Tirane, për të nisur një përvojë të re në jetën time, si kryeredaktor I një së përditshmeje të njohur, por më së shumti, për të fituar me vonesë, një njohje dhe dijeni për gjysmën e atdheut tim, Kosovën.

Ishte dimër i ftohtë. Temperaturat shënonin përditshmërisht nga minus 10, deri në minus 20 gradë celcius. Si mesdhetar i mbërritur në Prishtinën kontinentale, kjo ishte një përvojë e re dhe me mungesën e prakticitetit tim, për të jetuar në ngrica dhe sidomos në një qytet si Prishtina e asaj kohe, ku çlirimi i vendit kishte ardhur mbi godina të vjetëruara, me gjurmë breshërish të armëve dhe tankeve, goditjesh, me rrugë të përbaltura, njerëz të gëzuar, por me fytyra të mbushura me shprehje hallesh e dhimbjesh, me mungesë rryme elektrike dhe zhurmnaja të tmerrshme gjeneratorësh.

Redaksia ku do të punoja përditshmëriht ishte në të quajturin “Pallati i shtypit”, aktualisht një shumëkatësh i administratës së lartë shtetërore të Kosovës.

Hotel Grandi, i mbetur si monument arkitekture i ish Jugosllavisë, gjendej si i vetmi hotel i rëndësishëm, por në gjendjen e tranzicionit administrues. Në atë gjendjen e objekteve të ish Jugosllavisë që përjetojnë ndërmjetësinë e papërcaktueshme të së ardhmes për pronësim dhe administrim. Në kafen e shumënjohur të Grandit, preferonim të pinim kafen dhe kapuçinon e përditshme në mëngjes dhe në mbrëmje.

Aty takoheshim përditshëm me një çift zonje dhe zotëri të shumënjohur, jo vetëm në Prishtinë, por në krejt Kosovën, e madje në hapësirën shqiptare.

Zonjën e njihnim prej shtypit, prej poezisë dhe sidomos prej historisë së jetës së saj. Bashkëshortin, i cili ishte i veshur me një qetësi intelektuale dhe që zotëronte shikim inteligjent kurdoherë, e njihnim më pak. Por qysh në ditët e para të qëndrimit në Prishtinë e zotëruam njohjen.

Ajri Begu ishte ekonomist me prejardhje nga Dibra. Ishte Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës. Ishte shkrimtar. Njeri shumë i lexuar dhe sidomos një intelektual pa protagonizëm, por shprehës i një elegance qytetse që të tërhiqte në simpatizim.

Zonja e thinjur ishte e famshmja Flora Brovina. Jeta e saj është pjesë e historisë së qëndresës femërore shqiptare në Kosovën e okupuar nga Serbia.

Në momentet më dramatike të okupimit serb të Kosovës, bija e Skënderajt, Flora Brovina, pasi kishte kaluar nëpër kalvare të ndryshme përndjekjesh, dhunimesh dhe keqtrajtimesh psikologjike e trupore, ishte përgatitur për të qenë mjeke, duke parë përherë matanë persekutimeve dhe rrethanave të mundimshme politike. Kishte lënë aq shumë gjurmë nëpër jetët e dhjetra njerëzve dhe sidomos në aq përballje me brutalitetin e militarëve dhe regjimit të diktatorit Millosheviç, sa gjithëherë më sillte në mendje imazhin real të poetes së famshme algjeriane Anna Greki, njëherësh mësuese, veprimtare algjeriane që në vitet 1950-1960, ishte burgosur e torturuar, por që shkroi poezi dhe triumfoi me shpirtin e vet për çlirim kombëtar.

Flora ishte mjeke pediatre, gazetare, aktiviste, poete dhe e tillë mbeti edhe në kohën e postçlirimit, në Prishtinë. Kujtimet e saj familjare të burgosjeve në burgun e Pejës, rradhët e familjarëve për të takuar të afërmit e tyre, ishin dhe mbetën rrëfimet spikatëse të poetes e cila e konsideroi rrëfimin dhe kulturën shkrimore të ndodhive nën Serbinë e atëkohshme, si një detyrim për memorien dhe mos’harresën kombëtare të shqiptarëve nëpër brezat e ardhshëm. Flora Brovina la gjurmë nëntë vjeçare në redaksinë e më së famshmes së atëhershme “Rilindja”, të cilën ne të Shqipërisë e theksonim si “Rilindja” e Prishtinës.

Në kryeqytetin e Kosovës, në ditët e vitit 2001, poeten, shumica e banorëve e thirrnin “Doktoreshë”, pasi për shumë vite shërbeu në repartin e Pediatrisë së spitalit.

Në pasionin e vet shkrimor dhe atë të mjekes, Flora Brovina ishte një zonjë çehoviane, tek e cila bashkëjetonin organikisht edhe mjekja edhe shkrimtaria-poete.

Ndërsa ritakoheshim në kafen e zakonshme, kishim fituar dhe krijuar tashmë edhe dijeninë për rrethin dhe rrethanat familjare të njeri-tjetrit. Unë ju kallëzoja për Vlorën, Gjirokastrën, Labërinë dhe polifoninë e gazetarinë e Shqipërisë. Guvernatori Begu, shpesh më rikujtonte se më konsideronte të vetin krahinarisht, pasi “ ishim të Shqipnisë”. Ndërsa ime shoqe-Klara, si përmetare e pati më të shpejtë miqësimin me Florën për shkak edhe të natyrës së njëjtë në karakterin komunikues.

Mjekja-poete fliste zëultë, shtruar, me sy të thellë dhe sidomos e vëmendshme ndaj çdo bashkëbisedimi.

Ishte një zonjë e dëgjimit dhe po aq e mendimit.

Kurreshtja jonë për historinë e saj nuk shterrte, pasi sa më shpesh ritakoheshim, aq më tepër ndodhi të tjera na rrëfente. Flora Brovina mbartte në shtatin e vet: edhe legjendën, edhe historinë unike të një gruaje; të një luftëtareje, të një intelektualeje, të një veprimtareje dhe sidomos të një qytetareje të Botës që nuk njohu lodhje dhe sidomos ndalje për të qenë pjesëmarrëse në takime, forume, konferenca, tubime, festivale dhe manifestime e ligjërimë publike shumëkombëshe e kombëtare e rajonale. Flora Brovina është shqiptarja e urtësishme për krejt hapësirën dhe ekspresionin femëror shqiptar.

Si gazetare dhe shkrimtare, Flora Brovina shkroi në luftë dhe në paqe, duke mjekuar në luftë shpirtrat dhe shpresën që shpesh mbulohej nga drama dhe tragjedi jetësh të personave në mosha të ndryshme, por fatkeqësisht aq shpesh fëmijë. Ndërsa në paqe, mjekoi plagë dhe lëndime të mbartura nga koha e luftës dhe periudha e pushtimit. Forca dhe sidomos cilësitë njeridashëse të Flora Brovinës, janë gjurmë të shenjuara në kujtesa dhe ndërgjegje njerëzish të shumtë nëpër të gjithë Kosovën, janë shenja të paheqshme nga kujtesa e miqve dhe mikeshave të saj kudo nëpër troje.

Kapitujt e jetës së saj, përbëjnë sagën e pashëmbëllt të një zonje-legjendë. Në shkurt të vitit 2023, së bashku me kolegë gazetarë të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe shkrimtarë e poetë të ardhur nga vise të ndryshme europiane të emigracionit shqiptar, u gjendëm në një mbrëmje poetike në Bari. Kishim vizituar së bashku fshatrat arbëreshe në Italinë e Jugut.

Flora Brovina u ngrit dhe përshëndeti, mirëpo një pjesë e gazetarëve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, nuk po i jepnin qetësinë që meritonte fjala në atë tryezë të bollshme dhe me heterogjenitet njerëzor. Shto edhe faktin që Zonja e shtrenjtë që fliste si zakonisht, e pakzëshme nga pikëpamja vokale, por e urtë në brendinë dhe mesazhin e saj.

Heshta disi i skuqur prej kësaj zhurme kolegësh. Pasi përfundoi, kërkova fjalën dhe u mbërtheva nga urdhëri i ndërgjegjes sime, për të artikuluar në vëmendje të gati 100 kolegëve dhe shkrimtarëve një ligjëratë për madhështinë e jetës dhe historisë së saj si hise imponuese për krenim gjithëkombëtar.

Jeta kalvarike e Flora Brovinës, produkti krijues e mendor dhe aktivizmi qytetar i saj në shumë dekada, janë një pasuri dhe gjurmë europianiste e zonjës unike shqiptare në kohën tonë me disa kohë dhe disa shoqëri. Historia e saj është e denjë për gjithë çmimet e një kontributi femëror që rrallë e mbart aktualisht dhe ndoshta edhe më parë vetë Europa. Ajo zonjë, kishte përjetuar vuajtjet dhe torturimin më të egër në vitin vendimtar të luftës për çlirimin e Kosovës. Në vitin 1999, ajo u mbyll egërsisht në burgjet e Serbisë. Fati i diskutueshëm i jetës së saj saj, shqetësoi dhjetra organizata dhe forume botërore e kryesisht europiane të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe kryesisht të grave…

Për të mbërritur në atë ligjërim, unë kisha mbartur mbi 22 vite njohje nga afër me Flora Brovinën, kisha lexuar e dëgjuar dhjetra intervista, diskutime dhe librat e saj si dhe të të tjerëve për Atë. Kishim qenë së bashku në shumë takime letrare në Prishtinë, Gjakovë, në Prizren, Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë, Korçë, Prishtinë, Pejë, Strugë etj.etj. Në sytë e saj atë mbrëmje, pas fjalës sime, ishte drita e falenderimit, por unë ndieja borxhin e pashlyeshëm të mirënjohjes që i kemi dhe duhet t’ia mbartim nëpër të ardhmen e brezave tanë, asaj zonje anafrankiste të kombit.

Në katër-pesë takimet, në kohë të ndryshme gjatë tri viteve të fundit, shkëmbenim me zonjën Flora, dijen për krahinat dhe zonat tona. Ajo më kallëzonte për Skënderaj dhe unë për Bregdetin e Himarës. Kishte mësuar shumë më tepër për polifoninë dhe Labërinë, për raportet e mia familjare me këto dy njësi identitare të hapësirës sonë kombëtare dhe priste me kurreshtje dhe kënaqësi të shihte të realizuar sipërmarrjen time familjare për Muzeun e Fjalës “Lefter Çipa” në Pilur.

Mbetëm përsëritshëm në dakordësinë e të mosmunguarve në takime dhe sidomos në pritje të reja nga Prishtina- në Bregdet e Gjirokastër. Por, papritur…. Flora Brovina në atë ditë të shtatorit më 15 të 2026 në Prishtinë, e ndau shpirtin nga shtati dhe u strehua nën dheun e Kosovës, të cilës i blatoi si Ajo, një jetë sakrificash, përkushtimesh adhurimi dhe sidomos shërbimi, prej heroine dhe zonje.

Në qindra e mijëra ndërgjegje shqiptarësh imazhi i saj do të mbetet dhe mbartet me ndikimin dhe efektin e një gjurmëlënieje ikonike. Do të kujtohet dhe imponohet pambarimisht, si një ikonë e fetarisë kombëtare e qytetare, të cilën nuk ka kornizë që e gjithëpërfshin shterrueshëm.

Filed Under: Kronike

SHQIPËRIA NË HARTAT HISTORIKE TË SHEKULLIT XIX: DËSHMI HARTOGRAFIKE E IDENTITETIT GJEOGRAFIK DHE ETNIK NË BALLKAN

October 12, 2026 by s p

Prof.dr. Pal Nikolli/

Harta historike e Gadishullit Ballkanik dhe e Turqisë Evropiane, e botuar nga shtëpia e njohur amerikane e hartografisë dhe botimeve gjeografike Rand, McNally & Co., përbën një dokument me interes për studimin e historisë politike, të gjeografisë historike dhe të formimit të identiteteve kombëtare në Evropën Juglindore gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX. Titulli i paraqitur për këtë hartë është “Atlas of World Map of Turkey in Europe, Roumania, Servia, Bulgaria, Montenegro”. Ajo paraqet një hapësirë të gjerë gjeografike, ku përfshihen territoret e mbetura të Perandorisë Osmane në Evropë, si dhe shtetet e reja ose të zgjeruara të Ballkanit, të cilat po konsolidonin kufijtë dhe institucionet e tyre politike.

Interesi i veçantë i kësaj harte për historiografinë shqiptare lidhet me paraqitjen e emërtimit ALBANIA (Shqipëria) në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Në një kohë kur Shqipëria nuk përbënte ende një shtet të pavarur dhe kur trojet shqiptare ishin të përfshira administrativisht në Perandorinë Osmane, përdorimi i këtij emërtimi në një hartë të botuar nga një shtëpi e njohur amerikane dëshmon se Shqipëria njihej në literaturën dhe në përfytyrimin gjeografik perëndimor si një rajon i dallueshëm i Ballkanit.

Megjithatë, për ta interpretuar drejt këtë dokument, duhet bërë dallimi ndërmjet kufijve shtetërorë, ndarjeve administrative osmane dhe hapësirave gjeografike ose etnografike të identifikuara me emrin Shqipëri. Këto tri kategori nuk përputheshin domosdoshmërisht me njëra-tjetrën. Pikërisht ky dallim e bën hartën të rëndësishme për studimin e marrëdhënieve ndërmjet gjeografisë, politikës dhe çështjes kombëtare shqiptare në shekullin XIX.

1. Identifikimi i hartës dhe konteksti historik i botimit

Shtëpia botuese Rand, McNally & Co., e themeluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shekullin XIX, u bë e njohur për prodhimin e hartave, atlaseve dhe botimeve gjeografike. Hartat e saj pasqyronin zhvillimet e gjeografisë politike botërore dhe synonin t’u ofronin lexuesve një paraqitje të organizimit territorial të shteteve dhe të rajoneve të ndryshme.

Titulli i hartës përmend Turqinë në Evropë, Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi. Vetë kjo renditje pasqyron një periudhë të rëndësishme të historisë ballkanike, kur pasojat e luftës ruso-osmane të viteve 1877–1878 dhe të Kongresit të Berlinit të vitit 1878 ndryshuan ndjeshëm hartën politike të rajonit.

Traktati i Berlinit, i nënshkruar më 13 korrik 1878, rikonfiguroi statusin e disa territoreve ballkanike. Rumania, Serbia dhe Mali i Zi fituan njohje ndërkombëtare të pavarësisë, ndërsa Bullgaria u organizua si principatë autonome nën sovranitetin nominal osman. Rumelia Lindore u krijua si një provincë autonome e veçantë, gjithashtu nën sovranitetin nominal të sulltanit. Në të njëjtën kohë, Perandoria Osmane ruajti territore të gjera në Ballkan, përfshirë pjesën më të madhe të trojeve shqiptare.

Prania e emërtimeve të këtyre shteteve dhe e Rumelisë Lindore mund të ndihmojë në përcaktimin e periudhës së hartës. Nëse kufijtë dhe emërtimet e saj përputhen me konfigurimin politik të krijuar pas Kongresit të Berlinit dhe para bashkimit të Rumelisë Lindore me Bullgarinë në vitin 1885, atëherë ajo mund të datohet paraprakisht në këtë interval kohor.

Dokumenti e vendos Shqipërinë në një periudhë vendimtare: atë të rënies graduale të pushtetit osman në Evropë, të konsolidimit të shteteve kombëtare ballkanike dhe të intensifikimit të lëvizjeve kombëtare që synonin të përcaktonin të ardhmen politike të popujve të rajonit.

2. Shqipëria në hartë: emërtimi gjeografik dhe identifikimi territorial

Elementi që tërheq veçanërisht vëmendjen në këtë hartë është emërtimi ALBANIA, i vendosur në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, përgjatë bregdetit të Adriatikut dhe në drejtim të Jonit.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Shqipëria nuk ishte një shtet sovran me kufij ndërkombëtarisht të përcaktuar. Megjithatë, emri i saj përdorej në shumë botime gjeografike evropiane dhe amerikane për të identifikuar një hapësirë të lidhur historikisht dhe etnikisht me shqiptarët. Kjo hapësirë shtrihej përtej kufijve të shtetit shqiptar që do të krijohej në vitin 1912 dhe që do të përcaktohej më tej nëpërmjet vendimeve ndërkombëtare të viteve pasuese.

Përdorimi i emrit Albania nuk duhet interpretuar automatikisht si dëshmi e ekzistencës së një njësie të vetme politike ose administrative me kufij të saktë. Në hartografinë e shekullit XIX, emërtime të tilla shpesh shërbenin për të identifikuar rajone historike, etnografike ose gjeografike, pavarësisht nëse ato kishin një organizim të përbashkët shtetëror.

Në këtë kuptim, rëndësia e hartës qëndron në faktin se Shqipëria paraqitet si një hapësirë e dallueshme në kuadrin gjeografik të Ballkanit, ndonëse politikisht ishte e përfshirë në Perandorinë Osmane.

Emërtimi Albania përbën një tregues të vazhdimësisë së njohjes gjeografike të Shqipërisë në botimet e huaja. Ai dëshmon se mungesa e një shteti shqiptar të pavarur nuk nënkuptonte zhdukjen e emrit të Shqipërisë nga hartografia ndërkombëtare.

Për historiografinë shqiptare, ky dallim ka rëndësi të veçantë: ekzistenca e një identiteti gjeografik dhe etnik mund të paraprijë krijimin e shtetit kombëtar dhe të vazhdojë të shprehet në harta edhe kur territori përkatës është i ndarë ndërmjet njësive të ndryshme administrative.

3. Shtrirja e Shqipërisë historike dhe dallimi nga kufijtë e sotëm shtetërorë

Një nga çështjet më të rëndësishme në interpretimin e hartës është raporti ndërmjet emërtimit Albania dhe shtrirjes së trojeve shqiptare në shekullin XIX.

Hapësira shqiptare e kësaj periudhe nuk përputhej me kufijtë e sotëm të Republikës së Shqipërisë. Popullsi shqiptare banonin në një territor më të gjerë të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë treva që sot ndodhen në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Greqi.

Në veri, trevat shqiptare përfshinin zonat e Shkodrës, Malësisë, Ulqinit dhe hapësira të tjera të lidhura historikisht me popullsinë shqiptare. Në verilindje dhe lindje, qendra të rëndësishme shqiptare gjendeshin në Kosovë, përfshirë Prizrenin dhe Prishtinën, si dhe në hapësira të tjera të vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit. Në jug, prania shqiptare shtrihej në zona të Epirit historik, përfshirë Çamërinë, si dhe në territore të tjera të lidhura me popullsinë shqiptare.

Megjithatë, duhet theksuar se një hartë politike e kësaj periudhe nuk është domosdoshmërisht një hartë etnografike. Kufijtë e ngjyrosur mund të tregojnë zotërime shtetërore ose ndarje administrative dhe jo kufijtë e saktë të një popullsie. Prandaj, shtrirja e trojeve shqiptare duhet të rindërtohet duke krahasuar hartën me burime të tjera historike, etnografike dhe demografike.

Pozicioni dhe shtrirja grafike e emrit Albania në hartën e Rand, McNally & Co. duhet të analizohen së bashku me legjendën, kufijtë, emërtimet e tjera dhe shkallën e hartës. Vetëm në këtë mënyrë mund të përcaktohet se çfarë kuptimi territorial i jepte botuesi këtij emërtimi.

4. Organizimi administrativ osman dhe katër vilajetet shqiptare

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, trojet shqiptare ishin të përfshira në disa njësi administrative të Perandorisë Osmane. Ndërmjet tyre, katër vilajete kishin rëndësi të veçantë për historinë e çështjes kombëtare shqiptare: Vilajeti i Shkodrës, Vilajeti i Kosovës, Vilajeti i Manastirit dhe Vilajeti i Janinës.

Këto njësi nuk përbënin një administratë të vetme shqiptare dhe as kufijtë e tyre nuk përputheshin plotësisht me shtrirjen etnike të shqiptarëve. Ato përfshinin popullsi të ndryshme dhe territore me përbërje të larmishme etnike, gjuhësore e fetare. Megjithatë, gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ideja e bashkimit të këtyre katër vilajeteve në një njësi autonome u shndërrua në një nga kërkesat kryesore të lëvizjes kombëtare.

Vilajeti i Shkodrës përfshinte Shkodrën dhe zona të tjera të Shqipërisë veriore. Qyteti i Shkodrës ishte një qendër e rëndësishme administrative, tregtare dhe kulturore, me lidhje të zhvilluara me Adriatikun dhe me trevat përreth.

Vilajeti i Kosovës përfshinte territore të gjera në pjesën verilindore të hapësirës shqiptare. Prizreni dhe Prishtina ishin ndër qendrat e rëndësishme të këtij rajoni. Në këtë vilajet dhe në trevat përreth zhvilloheshin marrëdhënie të ndërlikuara politike e shoqërore, të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në organizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Vilajeti i Manastirit përfshinte territore të Maqedonisë historike dhe zona të tjera të Ballkanit qendror, ku jetonin shqiptarë, maqedonas sllavë, vllehë, turq dhe komunitete të tjera. Për këtë arsye, kufijtë e tij administrativë nuk mund të barazohen me kufijtë e një territori etnik shqiptar.

Vilajeti i Janinës shtrihej në pjesën jugore të hapësirës shqiptare dhe në territore të tjera të Epirit. Janina ishte një qendër e rëndësishme administrative, ekonomike dhe kulturore. Edhe këtu, përbërja e popullsisë ishte e larmishme, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve, grekëve dhe komuniteteve të tjera ishin pjesë e realitetit kompleks të rajonit.

Duhet nënvizuar se organizimi administrativ osman ndryshonte me kalimin e kohës. Për këtë arsye, emërtimi dhe shtrirja e secilit vilajet duhen lidhur me vitin konkret që paraqet harta dhe jo të trajtohen si kufij të pandryshueshëm gjatë gjithë shekullit XIX.

Rëndësia historike e këtyre katër vilajeteve lidhet veçanërisht me programin politik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lëvizja shqiptare synonte të parandalonte copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare dhe, me kalimin e kohës, të siguronte një formë organizimi autonom që do të mbronte interesat kombëtare brenda Perandorisë Osmane.

5. Qytetet shqiptare dhe rrjeti gjeografik i Ballkanit Perëndimor

Hartat historike nuk dokumentojnë vetëm kufijtë politikë. Ato pasqyrojnë gjithashtu organizimin hapësinor të qyteteve, rrugëve, porteve, liqeneve, maleve dhe qendrave administrative. Në këtë aspekt, harta e Rand, McNally & Co. mund të ndihmojë në studimin e pozitës gjeografike të qyteteve shqiptare dhe të lidhjeve të tyre me rajonet përreth.

Ndër qendrat më të rëndësishme që duhen identifikuar në kopjen origjinale janë Shkodra, Durrësi, Vlora, Janina, Prizreni, Prishtina dhe Shkupi. Në hartografinë e huaj të shekullit XIX, këto qytete shfaqeshin shpesh me emërtime të përshtatura sipas traditës gjuhësore të botuesit.

Shkodra, e shënuar shpesh si Scutari, ishte një qendër e rëndësishme e Shqipërisë veriore dhe e lidhjeve tregtare me Malin e Zi, bregdetin Adriatik dhe brendësinë ballkanike.

Durrësi, i paraqitur shpesh si Durazzo, kishte rëndësi të veçantë për shkak të pozicionit të tij bregdetar dhe të lidhjeve detare me portet e tjera të Adriatikut. Në planin historik, pozita e tij e bënte një nga pikat e rëndësishme të komunikimit ndërmjet brendësisë së Ballkanit dhe Evropës Perëndimore.

Vlora, e shënuar në shumë harta si Avlona, zinte një pozicion të rëndësishëm në bregdetin jugperëndimor shqiptar, pranë hyrjes në Adriatik dhe në lidhje me Detin Jon. Pozita e saj kishte rëndësi tregtare, detare dhe strategjike.

Janina, e njohur në hartat e huaja si Janina ose me forma të tjera të përshtatura të emrit, ishte një qendër e rëndësishme e Epirit dhe e administratës osmane. Rëndësia e saj lidhej me pozitën e saj në brendësi të rajonit dhe me lidhjet që krijonte ndërmjet zonave malore dhe ultësirave bregdetare.

Prizreni dhe Prishtina ishin qendra të rëndësishme të hapësirës verilindore, ndërsa Shkupi, i paraqitur në shumë harta si Uskub, shërbente si nyje komunikimi ndërmjet Kosovës, Maqedonisë historike dhe rajoneve të tjera të Ballkanit.

Përveç qyteteve, rëndësi kanë edhe elementet natyrore. Adriatiku dhe Joni përcaktonin orientimin detar të Shqipërisë, ndërsa Liqeni i Shkodrës, Liqeni i Ohrit dhe Liqeni i Prespës shërbenin si elemente të rëndësishme të organizimit gjeografik të rajonit. Vargmalet e Alpeve Shqiptare dhe të Pindit, së bashku me relievin e thyer të brendësisë, ndikonin në komunikimin, shpërndarjen e vendbanimeve dhe marrëdhëniet ndërmjet krahinave.

6. Mali i Zi, Serbia dhe çështja shqiptare pas Kongresit të Berlinit

Një nga zhvillimet më të rëndësishme që ndihmon për të kuptuar kontekstin e hartës është ndryshimi i kufijve të shteteve ballkanike pas vitit 1878.

Kongresi i Berlinit njohu pavarësinë e Malit të Zi dhe miratoi zgjerimin e tij territorial. Vendimet ndërkombëtare prekën drejtpërdrejt interesat e shqiptarëve, sepse territore të banuara nga popullsi shqiptare u përfshinë në planet e zgjerimit të shteteve fqinje.

Çështja e Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës dhe Ulqinit u bë pjesë e një konflikti të gjerë diplomatik e politik. Kundërshtimi shqiptar ndaj dorëzimit të territoreve të banuara nga shqiptarë u shndërrua në një nga arsyet kryesore të mobilizimit kombëtar.

Në këtë kontekst u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, më 10 qershor 1878. Ajo lindi në një moment kur Fuqitë e Mëdha po rishikonin hartën politike të Ballkanit dhe kur rreziku i copëtimit të trojeve shqiptare u bë veçanërisht i dukshëm.

Lidhja fillimisht u organizua për të mbrojtur tërësinë territoriale të trojeve shqiptare, por veprimtaria e saj u zhvillua gradualisht drejt kërkesave për bashkim administrativ, autonomi dhe afirmim të identitetit kombëtar shqiptar.

Konflikti për Ulqinin, i cili përfundimisht iu dorëzua Malit të Zi në vitin 1880 pas presionit ndërkombëtar, ilustron kufizimet me të cilat përballej lëvizja shqiptare. Shqiptarët përpiqeshin të mbronin territoret e tyre, por nuk përfaqësoheshin si një shtet sovran në tryezat diplomatike ku merreshin vendimet për kufijtë e Ballkanit.

Edhe Serbia u njoh ndërkombëtarisht si shtet i pavarur në vitin 1878 dhe u zgjerua drejt territoreve të reja. Ky zhvillim ndryshoi marrëdhëniet politike në pjesën veriore dhe verilindore të hapësirës shqiptare.

Për këtë arsye, harta duhet lexuar jo vetëm si një paraqitje e kufijve të rinj shtetërorë, por edhe si dëshmi e një periudhe kur çështja shqiptare po përballej me një realitet të ri gjeopolitik: krijimin dhe zgjerimin e shteteve fqinje në kushtet e mungesës së një shteti shqiptar të pavarur.

7. Rumania, Bullgaria, Rumelia Lindore dhe Greqia në ekuilibrin ballkanik

Për të kuptuar pozitën e Shqipërisë në hartën politike të kohës, duhet shqyrtuar edhe organizimi territorial i shteteve dhe i rajoneve të tjera ballkanike.

Rumania u njoh si shtet i pavarur pas Kongresit të Berlinit. Ajo përfshinte territoret e Vllahisë dhe Moldavisë, ndërsa në vitin 1878 mori edhe Dobruzhën Veriore, në këmbim të humbjes së Besarabisë Jugore ndaj Perandorisë Ruse. Ky ndryshim dëshmon se riorganizimi i Ballkanit lidhej ngushtë me interesat e Fuqive të Mëdha dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

Bullgaria u organizua në vitin 1878 si principatë autonome, ndërsa Rumelia Lindore mbeti një provincë autonome nën sovranitetin nominal osman. Bashkimi i tyre në vitin 1885 ndryshoi përsëri ekuilibrin politik rajonal, megjithëse formalitetet ndërkombëtare dhe statusi juridik i territoreve mbetën më të ndërlikuara sesa sugjeron një paraqitje e thjeshtë hartografike.

Greqia, nga ana tjetër, synonte zgjerimin territorial drejt veriut. Pas negociatave ndërkombëtare, në vitin 1881 ajo mori pjesën më të madhe të Thesalisë dhe zonën e Artës në Epirin jugor.

Këto ndryshime janë thelbësore për interpretimin e hartës. Kufijtë që paraqiten në të pasqyrojnë një ekuilibër të caktuar politik, por jo domosdoshmërisht një gjendje të qëndrueshme. Gjatë disa dekadave, kufijtë e Ballkanit u ndryshuan vazhdimisht nën ndikimin e luftërave, marrëveshjeve diplomatike dhe lëvizjeve kombëtare.

Në këtë proces, shqiptarët u gjendën në një pozitë të veçantë: ata përbënin një popullsi me identitet gjuhësor e kulturor të dallueshëm, por pa një shtet kombëtar të njohur ndërkombëtarisht. Prandaj, ndryshimet territoriale që preknin Perandorinë Osmane dhe shtetet fqinje kishin pasoja të drejtpërdrejta për të ardhmen e trojeve shqiptare.

8. Shqipëria si hapësirë strategjike ndërmjet Adriatikut dhe brendësisë së Ballkanit

Pozita gjeografike e Shqipërisë ka pasur rëndësi të veçantë gjatë gjithë historisë së Ballkanit. Bregdeti shqiptar shtrihet përgjatë Adriatikut dhe Jonit, duke krijuar lidhje të drejtpërdrejta detare me Italinë dhe hapësirat e tjera të Mesdheut.

Në shekullin XIX, kjo pozitë merrte një rëndësi të shtuar për shkak të rivalitetit ndërmjet Fuqive të Mëdha dhe të dobësimit gradual të Perandorisë Osmane. Kontrolli i porteve, i rrugëve tregtare dhe i korridoreve që lidhnin bregdetin me brendësinë ballkanike ishte një element i rëndësishëm i konkurrencës gjeopolitike.

Shqipëria përbënte një hapësirë ndërmjet Evropës Qendrore e Perëndimore, nëpërmjet Adriatikut, dhe pjesës së brendshme të Ballkanit. Portet e saj, luginat lumore, qafat malore dhe rrugët tradicionale krijonin lidhje ndërmjet zonave bregdetare dhe qendrave të brendshme.

Për Perandorinë Osmane, ruajtja e territoreve shqiptare kishte rëndësi politike dhe strategjike, sepse ato përfaqësonin një pjesë të rëndësishme të zotërimeve të saj evropiane. Për Austro-Hungarinë dhe Italinë, zhvillimet në bregdetin shqiptar kishin rëndësi për ekuilibrin e fuqive në Adriatik. Edhe Rusia, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi ndiqnin interesat e tyre politike në një rajon ku kufijtë dhe ndikimi ndërkombëtar po ndryshonin me shpejtësi.

Në këtë kuptim, harta nuk është thjesht një paraqitje e territoreve. Ajo mund të lexohet edhe si një pasqyrë e pozitës strategjike të Shqipërisë në një periudhë kur kontrolli i hapësirës ballkanike lidhej me interesat ushtarake, diplomatike dhe ekonomike të fuqive rajonale e ndërkombëtare.

9. Rëndësia e hartës për historinë dhe historiografinë shqiptare

Rëndësia e kësaj harte mund të vlerësohet në disa drejtime.

Së pari, ajo ka vlerë si burim i historisë së hartografisë. Harta dokumenton mënyrën se si një shtëpi botuese amerikane e paraqiste organizimin politik të Ballkanit në një periudhë të caktuar të shekullit XIX.

Së dyti, emërtimi Albania është me interes për historinë e identitetit gjeografik shqiptar. Përdorimi i këtij emri në një botim të huaj tregon se Shqipëria identifikohej si një rajon i dallueshëm, edhe pse nuk ekzistonte ende si shtet i pavarur. Ky fakt duhet interpretuar në kuadrin më të gjerë të traditës hartografike evropiane, ku emri i Shqipërisë dhe variantet e tij kishin një histori shumë më të hershme.

Së treti, harta mund të përdoret për të studiuar marrëdhëniet ndërmjet kufijve politikë dhe hapësirave historike. Ajo ndihmon të kuptohet se si territoret shqiptare paraqiteshin në një kohë kur organizimi administrativ osman, kërkesat kombëtare dhe interesat e shteteve fqinje nuk përputheshin.

Së katërti, dokumenti lidhet me periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Viti 1878 shënoi një kthesë të rëndësishme në zhvillimin e lëvizjes kombëtare, sepse vendimet e Kongresit të Berlinit e bënë të qartë se interesat shqiptare rrezikonin të anashkaloheshin në riorganizimin territorial të Ballkanit.

Së pesti, harta mund të shërbejë si material krahasues për kërkime të mëtejshme mbi ndryshimet e kufijve. Duke e krahasuar me harta të botuara para vitit 1878 dhe me harta të viteve pasuese, studiuesit mund të identifikojnë ndryshimet në emërtimet gjeografike, në kufijtë shtetërorë dhe në mënyrën e paraqitjes së Shqipërisë.

10. Përfundime: Shqipëria në hartografinë botërore përpara pavarësisë

Harta e atribuuar shtëpisë botuese amerikane Rand, McNally & Co. paraqet një mundësi interesante për të studiuar Shqipërinë në kontekstin e riorganizimit politik të Ballkanit gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX.

Emërtimi Albania, dëshmon se Shqipëria vazhdonte të njihej në hartografinë e huaj si një hapësirë e dallueshme gjeografike. Ky identifikim ekzistonte përpara shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912 dhe përpara përcaktimit ndërkombëtar të kufijve të shtetit shqiptar.

Harta pasqyron një Ballkan në transformim: Perandoria Osmane po humbiste territore, Serbia, Mali i Zi dhe Rumania po konsolidonin pavarësinë e tyre, Bullgaria po fitonte një organizim të ri politik, ndërsa Greqia vazhdonte zgjerimin territorial. Në këtë mjedis, shqiptarët po përpiqeshin të mbronin trojet e tyre dhe të fitonin një formë organizimi politik që do të garantonte të drejtat kombëtare.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 përfaqësonte një moment vendimtar në këtë proces. Ajo shprehu kundërshtimin ndaj copëtimit territorial dhe synimin për të bashkuar trevat shqiptare në një organizim autonom. Edhe pse këto kërkesa nuk u realizuan në formën e synuar, ato kontribuuan në zhvillimin e vetëdijes kombëtare dhe në rrugën që çoi drejt pavarësisë.

Për studiuesit e historisë, të gjeografisë historike dhe të hartografisë, vlera e kësaj harte qëndron në mundësinë për të shqyrtuar se si Shqipëria paraqitej në dokumentet gjeografike ndërkombëtare përpara krijimit të shtetit shqiptar. Ajo mund të ndihmojë në rindërtimin e historisë së emërtimeve, të kufijve dhe të përfytyrimeve gjeopolitike që shoqëruan formimin e shteteve moderne të Ballkanit.

Në përfundim, Shqipëria nuk hyri në histori vetëm në momentin kur shpalli pavarësinë. Emri, hapësira gjeografike dhe identiteti i saj kishin një histori më të gjatë, e cila pasqyrohet, ndër të tjera, edhe në traditën hartografike të shekullit XIX. Kjo hartë, e studiuar dhe e datuar me kujdes, mund të jetë një dëshmi e vlefshme për të kuptuar mënyrën se si Shqipëria identifikohej në hartografinë botërore përpara vitit 1912.

Për këtë arsye, dokumenti meriton të trajtohet jo vetëm si një ilustrim i së kaluarës, por edhe si një burim për kërkime të mëtejshme në historinë e hartografisë shqiptare dhe në studimin e marrëdhënieve ndërmjet territorit, identitetit kombëtar dhe ndryshimeve politike në Ballkan.

Filed Under: Histori

KUR HISTORIA NA KTHEN TE RRËNJËT…

October 12, 2026 by s p

Frank Shkreli/

“Illyricum Sacrum” VII/1 dhe kujtesa e trevave shqiptare.

Urimet e mia më të sinqerta për përkthyesin Luket Hasaj! Puna juaj e palodhur në fushën e përkthimit është një kontribut i çmuar për kulturën dhe gjuhën shqipe. Me përkushtimin, kulturën dhe mjeshtërinë tuaj, ju keni dëshmuar se përkthyesi nuk është vetëm një përcjellës i fjalës, por edhe një lidhje e rëndësishme mes kulturave dhe qytetërimeve. Emri dhe vepra juaj meritojnë të zënë një vend të respektuar ndër përkthyesit më të njohur shqiptarë. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të veçantë edhe për Federatën Panshqiptare “Vatra” dhe Qendrën Kulturore “Nënë Tereza”, për organizimin e këtij tubimi dhe për mundësinë që na dhanë të ndajmë së bashku vlerat dhe mesazhet e një vepre kaq të rëndësishme. Si gjithmonë, mirënjohje edhe për Dom Pjetrin – dëshmi e gjallë se në mërgatë vazhdon të jetojë dashuria për historinë, gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë kombëtare. Është pikërisht kjo frymë që na bashkon sot: bindja se një popull që njeh historinë e vet, e ruan edhe më mirë identitetin e tij.

“Illyricum Sacrum”, Vëllimi VII/1, është nje nga ato libra që na bëjnë të kthehemi në kohë e hapësirë. Është një vepër që na afron me një pjesë të rëndësishme të historisë së Ilirisë dhe të trevave shqiptare, duke sjellë dëshmi, emra vendesh, qendra kishtare dhe të dhëna që kanë vlerë për studiuesit e historisë shqiptare, të mesjetës dhe të Krishtërimit në këto hapësira të Ilirisë së dikurshme. Vëllimi VII/1 i Illyricum Sacrum VII/1 është botuar në Venedik në vitin 1817 dhe lidhet me punën monumentale të Daniele Farlatit dhe Jacopo Coletit. VII/1 përfshin, pikërisht, historinë e Dioklesë/Tivarit dhe ipeshkvitë e Arbërisë, Balecit, Budvës, Danjës, Drishtit, Ulqinit, Polatit, Shurdhahut, Sardës, Shasit, Shkodrës dhe Durrësit, por që vazhdojnë edhe sot të jenë qendra të rëndësishme të hapësirës iliro-arbërore, si dhe materiale për Skënderbeun dhe Kuvendin e Arbërit. Illyricum Sacrum na sjellë dëshmi të një Arbërie që edhe në periudhat më të vështirë të historisë, nuk hoqi dorë nga identieti i saj, nga kujtesa e saj historike dhe nga lidhjet e saj me Evropën e krishterë. Këto nuk janë thjesht emra qytetesh në një indeks gjeografik. Ata janë pjesë e historisë së një hapësire ku kanë jetuar breza të tërë shqiptarësh dhe ku janë ndërthurur për shekuj zhvillime kombëtare, politike, kulturore dhe fetare.

Kjo vepër ka një kuptim të veçantë për mua, pasi më ofron një lidhje personale me ato treva. Jam me origjinë nga këto troje, lindur në një fshat afër Ulqinit dhe Shasit, të dyja këto qendra me referenca të rëndësishme në Illyricum Sacrum VII/1. Prandaj, kur lexoj për Ulqinin, Shasin, Tivarin dhe hapësirat shqiptare për rreth tyre, nuk i shoh vetëm si tema të një studimi historik. I shoh edhe përmes kujtesës së vendit prej nga vij unë dhe të parët e mi. Kjo është një ndjenjë që besoj e kuptojnë shumë shqiptarë që janë larguar nga vendlindja dhe kanë jetuar për vite ose dekada në mërgim. Thuhet se mund të largohesh fizikisht nga vendi ku ke lindur, por kujtesa e tij mbetet me ty. Dhe ndonjëherë një emër në një libër të vjetër mjafton për ta rikthyer atë kujtesë. Kjo është një nga arsyet pse Illyricum Sacrum më duket veçanërisht domethënës. Ai na tregon se vendet që ne i njohim sot me këto emra kanë, në të vërtetë, një histori shumë më të gjatë se kujtesa jonë personale.

Ka një fjali që më duket veçanërisht domethënëse për ta kuptuar këtë vepër dhe lidhjen e saj me trevat tona. Në shënimet e Imzot Frano Illisë për përkthimin e Vëllimit VII, gjejmë këtë përfundim: “Këto krahina kanë lidhje e ndikime të vazhdueshme njëna me tjetrën gjatë shekujsh.” Është një fjali e shkurtër, por me një kuptim të madh. Sepse kur lexojmë për Ulqinin, Tivarin, Shkodrën, Durrësin, Drishtin, Pultin, Sapën, Shasin e qendrat e tjera të përfshira në këtë vepër, kuptojmë se kemi të bëjmë me një hapësirë historike që nuk mund të ndahet me kufijtë politikë të sotëm. Ky nuk është vetëm një përfundim i një studiuesi. Unë e shoh si një dëshmi të një realiteti historik që lidhet edhe me rrënjët e mia dhe të shumë bashkvendasve nga ato treva.

Ndoshta, pikërisht, këtu qëndron një nga bukuritë e historisë në këtë vepër. Ajo na tregon se vendet, që sot mund t’i shohim të ndara nga kufijtë politikë e administrativë, në të kaluarën, kanë qenë pjesë e një hapësire shumë më të ndërlidhur. Vepra në shqip, Illyricum Sacrum na ndihmon ta shohim përsëri atë hapësirë të përbashkuar dhe të kuptojmë tashti jo vetëm se ku kemi qenë, por edhe sa shumë kemi qenë të lidhur me njëri-tjetrin.

Një prej mësimeve më të rëndësishme që mund të nxjerrim nga një vepër e tillë është rëndësia e burimit. Historia nuk mund të ndërtohet vetëm mbi kujtime, tregime apo interpretime të mëvonshme. Ajo kërkon dokumente, dëshmi dhe krahasim kritik të burimeve. Pikërisht, për këtë arsye, Illyricum Sacrum ka një vlerë të veçantë. Vepra mbledh dhe sistematizon një sasi të madhe materialesh historike e kishtare. Për studiuesin modern, këto materiale janë një pikë referimi që mund të krahasohet me burime të tjera dhe të ndihmojë në rindërtimin e së kaluarës historike. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për historinë shqiptare, e cila është shpesh e shpërndarë në arkiva, biblioteka dhe botime të huaja. Prandaj, përkthimi dhe botimi në shqip i një vepre të tillë është një mënyrë për t’ia afruar burimin historik edhe lexuesit shqiptar.

Kur flasim për këtë vëllim, nuk mund të mos ndalemi te hapësira e Ulqinit dhe e trevave për rreth. Për mua kjo është edhe një pikë takimi mes historisë dhe kujtesës personale. Ulqini me rrethe, si Shasi, është një prej atyre qyteteve që bart në vetvete shumë shtresa historie. Pozita e tij në Adriatik e ka bërë, ndër shekuj, një pike-takimi të botëve të ndryshme politike, ekonomike, kulturore dhe fetare. Të lexosh dokumentet e vjetra për këto treva do të thotë të kuptosh se sa e gjatë dhe e ndërlikuar ka qenë historia e tyre dhe e jona. Dhe, pikërisht, këtu duhet të jemi të kujdesshëm. Historia shqiptare nuk ka nevojë për zbukurime. Faktet janë të mjaftueshme. Sa më seriozisht të studiohen burimet, aq më mirë mund ta kuptojmë të kaluarën tonë. Kjo është edhe mënyra më e mirë për t’ua përcjellë historinë brezave të rinj, si një urë nga e kaluara drejt së ardhmes. Botimi në shqip (përkthyer nga latinishtja) i Illyricum Sacrum VII/1 mund të shihet si një urë.

Në njërën anë janë dokumentet dhe dëshmitë e mbledhura më shumë se dy shekuj më parë. Në anën tjetër jemi ne, lexuesit e sotëm, që kemi mundësinë t’i lexojmë në gjuhën shqipe dhe studiuesi t’i përdori si bazë për kërkime të reja. Kjo lidhje është, veçanërisht, e rëndësishme për brezin e ri. Një i ri shqiptar që jeton në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, në diasporë apo në Shtetet e Bashkuara, duhet të ketë mundësinë të njohë jo vetëm historinë që mëson në tekstet shkollore, por edhe burimet mbi të cilat ndërtohet ajo histori. Vetëm kështu krijohet një marrëdhënie e shëndetshme me të kaluarën. Edhe pse Illyricum Sacrum është në radhë të parë një vepër e historisë kishtare, rëndësia e saj për historinë shqiptare shkon më tej. Përmes dioqezave, qendrave urbane, emrave të vendeve dhe figurave të përmendura, ajo ndihmon në ndriçimin e një hapësire më të gjerë historike. Në këtë kuptim, vepra mund të lexohet edhe si pjesë e historisë kulturore dhe qytetare të këtyre trevave. Dhe kjo është një arsye më shumë që ajo të jetë e pranishme në bibliotekat shqiptare.

Për mua personalisht, ky botim është edhe një kthim simbolik te rrënjët. Në jetën e një njeriu vjen një moment kur nuk mjafton më vetëm të dish nga je. Dëshiron të dish çfarë historie ka pasur vendi prej nga vjen.

Dëshiron të kuptosh se çfarë kanë parë brezat para teje. Cilat kanë qenë qytetet e tyre, institucionet, besimet, vështirsitë dhe shpresat. Në këtë kuptim, një libër si Illyricum Sacrum bëhet më shumë se një vepër referimi. Është një dritare. Një dritare përmes së cilës mund të shohim më qartë një të kaluar që shpesh e kemi njohur vetëm, pjesërisht. Dhe kjo është ndoshta arsyeja më e mirë për ta promovuar. Jo vetëm sepse është një vepër e vjetër dhe e rëndësishme, por sepse na ndihmon të kuptojmë më mirë se nga vimë dhe kush jemi. Historia nuk është vetëm ajo që ka ndodhur. Është edhe mënyra se si ne zgjedhim ta njohim, ta dokumentojmë dhe t’ua përcjellim brezave. Illyricum Sacrum VII/1 na jep një mundësi të tillë. Dhe për mua, si njëri me origjinë nga ato treva, ky është edhe një moment personal — të kthehem, përmes faqeve të një vepre të vjetër, te një pjesë e rrënjëve të mia. Sepse vendlindja mund të jetë larg, por rrënjët nuk kanë distancë.

Filed Under: Emigracion

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në “Nutley Historical Museum” përmes artit të piktorit Dashamir Gurabardhi

October 12, 2026 by s p

Nga Sokol Paja/

Piktori shqiptar Dashamir Gurabardhi do të marrë pjesë në ekspozitën e përbashkët të shtatë artistëve, e cila do të hapet më 16 tetor, në orën 17:00, në “Nutley Historical Museum”, në New Jersey. Mes veprave që ai do të prezantojë para publikut amerikan spikat kompozimi kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe aleancës së tij me Alfonsin e Napolit, një vepër që sjell në vëmendje figurën historike të Heroit Kombëtar shqiptar dhe rolin e tij në marrëdhëniet diplomatike të kohës.

Në këtë ekspozitë, Gurabardhi do të paraqitet edhe me pikturën “New York”, me përmasa mbi një metër në gjerësi, si dhe me veprat “Kingsland Waterfalls, Nutley”, një peizazh nga Firence dhe një tjetër nga Aruba. Përmes këtyre punimeve, artisti sjell një ndërthurje temash e përjetimesh artistike, nga peizazhet urbane dhe natyrore te kompozimet me karakter historik.

Tri vjet më parë, Dashamir Gurabardhi kishte çelur një ekspozitë personale në të njëjtin muze, me interesimin dhe mbështetjen e një përfaqësuesi amerikan të institucionit. Edhe pse publiku i asaj ekspozite nuk kishte njohuri të thelluara për Shqipërinë, veprat e artistit, kryesisht të realizuara në New Jersey, tërhoqën vëmendjen e të pranishmëve. Pas përfundimit të saj, përfaqësuesit e muzeut i shprehën dëshirën që ai të bëhej pjesë e një ekspozite të ardhshme, së bashku me artistë të tjerë vendas.

Më 4 tetor, artisti Gurabardhi u prit nga drejtori i muzeut, i cili është njëkohësisht edhe kuratori i ekspozitës. Piktori Gurabardhi i paraqiti pesë veprat e përzgjedhura, ndër të cilat katër peizazhe dhe kompozimin historik me Skënderbeun. Sipas tij, si subjekti, ashtu edhe realizimi artistik i kësaj vepre tërhoqën vëmendjen e kuratorit, i cili shfaqi interes edhe për punimet e tjera.

Biseda u përqendrua veçanërisht te figura e Skënderbeut dhe rëndësia e tij historike. Gurabardhi vëren se, ndryshe nga Evropa, në Shtetet e Bashkuara figura e Heroit Kombëtar shqiptar nuk është gjerësisht e njohur, me përjashtim të qarqeve të kufizuara akademike dhe studiuesve të interesuar për historinë evropiane. Pikërisht kjo e bën paraqitjen e tij në një mjedis të tillë kulturor një mundësi për të zgjeruar njohjen e publikut amerikan me historinë dhe trashëgiminë shqiptare.

Titulli i zgjedhur për veprën është “Defender of Christianity – George Castriot-Skanderbeg” (Mbrojtësi i krishterimit – Gjergj Kastrioti-Skënderbeu). Në këtë kompozim, Skënderbeu zë vendin qendror dhe paraqitet veçanërisht në dimensionin e tij diplomatik, duke vënë në pah marrëdhëniet dhe aleancat politike të kohës. Lidhja me Alfonsin e Napolit përbën një pikë referimi të rëndësishme për të kuptuar veprimtarinë e Skënderbeut përtej fushëbetejave.

Për Gurabardhin, përzgjedhja e kësaj vepre për ekspozim në një institucion kulturor amerikan ka edhe një domethënie më të gjerë. Pozita strategjike e Shqipërisë dhe kthesat e shumta historike që kanë shoqëruar fatet e saj përbëjnë një sfond të rëndësishëm për të reflektuar mbi të kaluarën dhe të tashmen. Në këtë këndvështrim, figura e Skënderbeut shërben si pikënisje për të sjellë në vëmendje historinë shqiptare dhe lidhjet e saj me zhvillimet politike e kulturore të Evropës.

Kjo ekspozitë është një mundësi e shkëlqyer për bashkimin e komunitetit shqiptar në Amerikë, njohjen e artistëve të komunitetit tonë dhe promovimin e vlerave e krijimtarisë së artistëve shqiptarë në mërgatën e Amerikës.

Artisti shpreson që, përmes kësaj paraqitjeje, publiku amerikan të njohë jo vetëm një figurë të rëndësishme të historisë shqiptare, por edhe një mënyrë të veçantë të të shprehurit artistik, të mbështetur në traditën e shkollës evropiane të pikturës dhe në përvojën e tij krijuese.

Ekspozita e 16 tetorit pritet të tërheqë vëmendjen e publikut, pasi në të do të marrin pjesë artistë të njohur nga disa qarqe të New Jersey-t. Pjesëmarrja e Dashamir Gurabardhit, veçanërisht me kompozimin kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, përbën një mundësi për të sjellë historinë shqiptare në një hapësirë të re kulturore dhe për të forcuar praninë e artit shqiptar në mjediset artistike amerikane.

Filed Under: Kulture Tagged With: Sokol Paja

“Botë të përthyera kadareane”

October 12, 2026 by s p

Prof. Lili Sula/

Miq, ndaj me ju kënaqësinë e botimit të monografisë ‘Botë të përthyera kadareane’ një punë disa vjeçare studimore, e konceptuar si pikëprerje e disa këndvështrimeve mbi poetikën e prozës së I. Kadaresë, ku përthyerja e përvojës së diktaturës në gjuhën e letërsisë universale zë vendin më të rëndësishëm.

Në veprën e Kadaresë, diktati, kontrolli dhe mbikëqyrja e shndërrojnë individin në një qenie të shformuar, të nënshtruar ndaj makinerisë shtypëse, e zhveshin nga dinjiteti dhe vlerat humane, duke e kthyer jetën e tij në një makth të përhershëm. M’anë tjetër, pushteti totalitar vepron duke shkatërruar kujtesën e individit dhe të kombit me qëllim manipulimin e historisë. Këto janë disa konstante themelore të rrëfimeve kadareane, të cilat shqyrtohen thuajse në gjithë punimin.

Përmes shenjave simbolike dhe alegorike të imagjinatës letrare, të përthyera në realitete historiko kulturore të gjithkohshme, shqyrtohen raportet dypalëshe mes utopisë dhe distopisë. Këto raporte ndërtohen në bosht ligjërimor projektuar prej një presioni të lartë, ushtruar nga mekanizmat shtypës të pushtetit totalitar, përballë perspektivës së lirisë individuale dhe kolektive.

Bota e rrëfyer është tërësisht absurde dhe groteske dhe, ëndrra, si produkt i pavetëdijshëm i zonave më të thella dhe intime të individit, përmbyset dhe përdoret për të ndërtuar pamje të çuditshme dhe tragjike që prodhon survejimi dhe kontrolli totalitar.

Duke e analizuar veprën e Kadaresë përmes një prerjeje sipas konceptesh foucault-iane, kënvështrimi i tij distopik mbi sistemin totalitar arrin dhe bëhet reflektim gjithorizues mbi natyrën universale të pushtetit.

Romanit Pallati i Ëndrrave – një panoptikon metafizik ku pushteti kontrollon zonën më të thellë dhe intime të njeriut, i bashkohet romani Qorrfermani dhe tregimi Lamtumira e së keqes, ku shteti përtej një mekanizmi që sundon së jashtmi, në kuptimin e jetës së dukshme, synon të shkatërrojë vetë ndërgjegjen dhe shpresën, të deformojë historinë dhe kujtesën kolektive dhe të imponojë narrativën e tij. Kujtesa kolektive projektohet si proces i riformësimit të identitetit kombëtar nën presionin e pushtetit, ndërsa mitet kombëtare deformohen dhe përmbysen, në mënyrë që pushteti të shpikë narrativa të reja për të legjitimuar nënshtrimin.

Qorrfermani përbën një rast të skajshëm të dhunës panoptike: pushteti nuk mjaftohet me vëzhgim, por shkatërron vetë organin e shikimit, për të zhdukur mundësinë e të vështruarit larg, për pasojë dhe mundësinë e kundërshtimit. Ky mohim i shikimit, në thelb, i mohon njeriut lirinë dhe e zhvesh individin nga tiparet ekzistenciale.

Ndonëse rrëfimi në këto vepra përqendrohet në Perandorinë Osmane, simbolikisht ai ka karakter të tejkohshëm dhe na përcjell njëherazi distopitë që kanë shoqëruar njerëzimin prej hershmërie dhe, bashkë me to, dhe përpjekjen rraskapitëse të shpirtit të përbashkët të popujve për ruajtjen e vlerave humane, qenësisë dhe thelbit njerëzor.

Pjesa e dytë e këtij punimi thellohet në analizën e veprave të veçanta, duke nisur me tregimin Ëndërr mashtruese, konceptuar si një bërthamë rrezatuese në krijimtarinë e Kadaresë. Këtu ëndrra trajtohet si një gjetje figurative me strukturë narrative përmes së cilës traumat e shekullit XX të periudhës së diktaturës projektohen në simbole të subkoshiencës gjithënjerëzore që depërtojnë deri në zonat e nënvetëdijes të të gjitha kohërave. Në këtë rrëfim të veçantë ndërthuren iluzioni i pafundmë, dhuna dhe shpresa, sidomos përmes fantastikes. Në këtë plan të pambarimtë, duke kaluar nga kjo vatër fabulore te i gjithë korpusi kadarean, ëndrrat me sy hapur do të marrin dhe trajtën tjetër: atë të utopisë letrare, ndërsa dialektika e ëndrrës vijon të lëvizë mes manipulimit dhe zhgjëndrrës.

Religjioni, si një dimension tjetër themelor i prozës romanore dhe tregimtare të Kadaresë, trajtohet në dy plane konceptuale dhe ligjërimore. Në planin narrativ, ai shfaqet si strukturë simbolike dhe alegorike e konvertimit dhe ringjalljes, si në romanin Çështje të Marrëzisë dhe në tregimin Kisha e Shën Sofisë, murale. Ndërsa në planin tjetër, religjioni analizohet në kontekstin e debatit mbi identitetin shqiptar, duke marrë formën e një eseje reflektive. Kapitulli ndalet në nyjat e holla rrëfimore, prej të cilave jehonat ideologjike ndërkallen sa midis marrive, kokëshkrepjeve e befasive në misterin e muzgut të rrëfimeve kadareane, e sa në ligjërimin historik e politik mbi identitetin kombëtar. Religjioni shfaqet në këtë kërkim si një bosht interpretativ që lidh dimensionin estetik me atë historiko kulturor.

Proza e Kadaresë, e trajtuar në kapitullin vijues, artikulohet mbi boshtin e kujtesës, shenjat e së cilës projektohen në rrjedhën vertikale të kohës dhe materializohen përmes gjurmëve ndërtekstore në romanet Dosja H. dhe Përbindëshi. Këto gjurmë përfshijnë vazhdimësinë e fillit të paraardhësve krijues, duke trokitur në kujtesën e lexuesit si çelësa për ta lexuar historinë si bashkëkohësi. Kapitulli ndalet pikërisht në këtë përmasë të kujtesës, duke e konceptuar si shtyllë themelore të artit kadarean dhe si dukuri që fton qasjen hermeneutike për të kuptuar marrëdhënien e ndërlikuar mes letërsisë, historisë dhe identitetit kolektiv.

Rifunksionalizimi i mitit te Përbindëshi shqyrtohet në planin simboliko-alegorik, ku format arkaike ndërthuren me mjetet moderne vetëlëvizëse, duke ndriçuar ‘makinën e përbashkët të frikës’ që shoqëron çdo brez njerëzor. Ky proces i shkrirjes së formës antike me teknologjinë moderne prodhon një figurë të re dhe origjinale të pushtetit grotesk, i cili ngjall pa ndërprerje dyshime, trysni dhe ankth. Kujtesa, si mekanizëm i gjallë, shpërfaqet si fushë e vazhdueshme tensioni ku miti, historia dhe përvoja e njeriut shkrihen në një trajtë të re dhe origjinale për të formësuar identitetin nën presionin e pushtetit.

Topika e ‘kalit’ në romanin Përbindëshi shfaqet si alegori e traumës historike dhe e formave, që pushteti totalitar përdor për të manipuluar të vërtetën. Ky topos, i rrënjosur në arketipin homerik, përmes tradhtisë politke, transformohet në instrument të pushtetit absolut bashkëkohës. Kalimi nga Troja në Tiranë e vendos këtë figurë në një kontekst të terrorit të përhershëm, prandaj mund të themi se estetika e tmerrit që e bën Përbindëshin një monument universal të frikës dhe manipulimit totalitar.

Nga analiza e romaneve, vërehet se Dosja H. dhe Përbindëshi përfaqësojnë dy pole të kujtesës kadareane: Përbindëshi është simbol i dhunës dhe përpjekjeve për shkatërrim të qytetërimeve, ndërsa Dosja H. manifestim i lirisë shpirtërore, trashëguar nga epika popullore gojore; njëra e lidhur me shtypjen dhe deformimin e kujtesës, tjetra me ruajtjen dhe ringjalljen e saj si burim kulturor.

Falë këtyre konstanteve universale që ndërtojnë strukturën e rrëfimit të tij, Ismail Kadareja mbetet autori më i përkthyer në historinë e letërsisë shqipe. Veprat e tij janë përkthyer në rreth pesëdhjetë gjuhë, duke e bërë, sipas të gjitha gjasave, shkrimtarin shqiptar më të lexuar të të gjitha kohërave. Përkthimi, si akt i ndërmjetësimit kulturor, përfaqëson formën më intime të dialogut ndërmjet gjuhëve dhe dëshmon se ato nuk janë të huaja mes tyre, por komunikojnë në mënyrë dinamike përmes tekstit letrar. Krijimtaria e Kadaresë përbën rastin më të veçantë në letrat shqipe, që vendos marrëdhënien e gjuhëve në një proces të gjallë të transmetimit dhe të ripërtëritjes së kuptimeve, tejçimit të veprave letrare te lexuesi i huaj/tjetër.

Për këtë, në pjesën e tretë të librit nën titullin La Bambola – objekti letrar dhe përkthyeshmëria, trajtohet roli i tejet i rëndësishëm i përkthimit në qarkullimin e veprës së autorit në botë – duke u ndalur në specifika të veprës Kukulla, portreti i nënës, në gjuhën italiane.

Në leximin paralel shqip–italisht të Kukullës vihen re disa veçori të përkthimit si dhe problematika, si: reduktimi i rrëfimit dhe ngushtimi leksikor e sintaksor, të cilat sjellin humbje të një pjese të vlerës estetike të tekstit. Këto dallime nënvizojnë rolin vendimtar të përkthyesit në përcjelljen e veprës te lexuesi i huaj, si dhe përgjegjësinë e shtëpive botuese për të garantuar përzgjedhje profesionale dhe kompetencë të plotë në përkthim.

Kukulla: portreti i nënës si një nga tekstet më moderne të autorit, përcjell në vetvete procesin e objektivizimit të figurës së nënës që nuk jeton më. Ajo zhvishet nga tiparet konvencionale për të shënjuar një ide tjetër – larg “portretit” tradicional dhe pranë konceptit të “portretit” në artin modern, si gjetje që vjen një bote të pashembullt krijuese, një laborator që është në kërkim të së resë edhe në krijimet më të mbrame të autorit. Analizohet në këtë pjesë të punimit rrëfimi i të birit “spektator”, ndërtuar përmes një kolazhi imazhesh të kujtesës që nxjerrin në pah thelbësoren e veçantë dhe një lidhje tejet specifike mes figurës së nënës me dimensionin më të rëndësishëm: artin, aktin krijues si vetëdije burimore në thellësi të thellësive të psikes njerëzore.

Vepra rrëfimore e Ismail Kadaresë është e lidhur ngushtë me përvojën historike të Shqipërisë, por gjithashtu komunikon me traditën e madhe të letërsisë botërore, nga Homeri, Eskili, Aligeri, Shekspiri, Gogoli, Andriçi, Borgezi, Kafka, Markezi etj., cilët kanë trajtuar fatin e njeriut dhe shoqërive njerëzore deri te Zamjatini, Orwelli e Huxley, autorë të të njëjtit univers letrar të rrëfimit të fatit të qenies njerëzore dhe fatit të kombeve në sisteme totalitare. Në një rrjet intertekstor në pjesën Kadare dhe tradita botërore, hetohen gjurmë të arketipit të dhunës universale, të institucioneve të presionit apo analogji të pushtetit absolut në ligjërime polivalente.

Interpretimi i rrëfimeve në plan simbolik dhe alegorik të ndërtimit dhe funksionimit të mekanizmave totalitarë, vijohet në këtë qasje komparative, në një perspektivë më të gjerë, të arketipeve, formave ekstreme të mbikëqyrjes, absurditetit të kontrollit përmes policisë së mendimit deri tek ëndrrat dhe simbole të tjera të individualitetit dhe unit kolektiv të shtypur.

Përmes këtij këndvështrimi përqasës, mes Kadaresë dhe përvojave themelore të letërsisë botërore që japin e marrin me njëra tjetrën ngrihen pyetje themelore mbi lirinë, kontrollin dhe vlerat humane, si dhe gjetjet individuale dhe format e artikulimit të tyre në fondin e përbashkët të artit. Shqyrtuar nga ky këndvështrim, në hartën e përbashkët mes vlerave të përbotshme shí në pikë të takimit me vizionet e autorëve që trajtuan veprën e tyre jetësore mbi fatin e njeriut dhe shoqërisë, Kadareja arrin e shquhet si një zë i veçantë që mundet të na ofrojë një tejqyrë të gjithkohshme mbi raportin mes pushtetit, pavetëdijes dhe qenësisë njerëzore.

Këto tema përbëjnë një korpus çështjesh që synojnë, para së gjithash, të mbështesin interesat studimore të sotme mbi letërsinë e këtij autori, duke ofruar një bazë tjetër për analizë dhe reflektim kritik. Njëkohësisht, ato priren të kënaqin edhe kërshërinë e lexuesit të kualifikuar, duke e ftuar dhe një herë të marrë pjesë në diskutime mbi dukuri të ndryshme që kanë qenë objekt debatesh të gjera në opinionin letrar dhe shoqëror.

Në fund të librit përfshihet një bisedë me shkrimtarin, e cila ndriçon çështje të rëndësishme si: marrëdhëniet e autorit me gjuhën; liria e individit në shoqëritë diktatoriale dhe ato tranzitore, si edhe raportet mes rrëfimit artistik dhe lirisë; tonet e errëta të prozës së tij, të afërta me letërsinë e F. Kafkës; roli i autocensurës në letërsi në vende ku censura është e ashpër; marrëdhënia me lexuesin gjatë procesit krijues; qarkullimi botëror i veprës e të tjera.

…

Botët e përthyera kadareane vjen si rezultat i një përvoje të gjatë leximi të prozës së shkrimtarit dhe synon të ofrojë një pamje më të plotë, me theks të veçantë mbi dimensionin distopik të veprës së tij, duke e trajtuar si shenjë të fuqisë unikale të artit të fjalës dhe si emërues përbashkues me autorë të letërsisë botërore. Analiza e prozës së Kadaresë, në këndvështrim të religjionit, kujtesës dhe përkthimit, të cilat kulmojnë në rrafshin e modelit krijues të autorit, synon të përcjellë dinamika të mozaikut estetik të tij me dëshirimin që kjo punë të kontribuojë, sado në mënyrë modeste, në hapjen e dritareve të reja të interpretimit dhe të shërbejë si nxitje për reflektime të mëtejshme kritike në fushën e studimeve letrare.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 3262
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Mjerimin nuk e njohin shqiptarët kur hipin n’shalën e kalit
  • Shqipëria në rrugë, pushteti pas gazit, shkopinjve të gomës dhe arrestimeve te dhunshme!
  • Sindroma e Neronit dhe shpresa për një Nëntor të Tretë
  • Alessandro Albani, Kardinali me origjinë shqiptare dhe mbrojtësi i artit botëror
  • Dhuna ndaj fëmijëve është e papranueshme dhe e patolerueshme!
  • ARENA E PERANDORIT
  • REVOLTA STUDENTORE E RINORE, KUR PUSHTETI DUHET TË MBAJË PËRGJEGJËSI
  • Karuseli i antivlerave
  • Deklaratë e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë
  • Shqipëria është e shqiptarëve, jo e pushtetarëve!
  • Burbuqe Panda, mbesa e ish- editorit të Diellit Nelo Drizari, vizitoi Vatrën
  • Ligësia e sunduesit…
  • FUNDI I TURPSHËM I RRETHIT VICIOZ
  • ENVER HOXHA – TRAGJEDIA E NJË KOMBI DHE HIJA E DIKTATURËS KOMUNISTE MBI SHQIPËRINË E SOTME
  • KUR MILITANTI ZË VENDIN E SHKENCËTARIT DHE INTRIGA SHPALL LUFTË NDAJ MERITËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT