
nga Flamur Vezaj
Në hyrje të rrugicës “Bow Street” në Beverly, policia kishte mbyllur rrugën. Nuk ishte ndonjë ngjarje e rëndë kriminale, por një moment historik. Në këtë rrugë, pikërisht në adresën nr. 39 ndodhet qendra më e re e komunitetit shqiptar të Bostonit.
Rruga u bllokua nga Shërbimi Sekret dhe policia lokale, pasi për herë të parë në historinë e qytetit, një President i një vendi po kalonte në atë rrugë dhe në Beverly, një qytet me rreth 40 mijë banorë dhe vetëm 30 km në veri të Bostonit.
Ishte pikërisht Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, i shoqëruar nga protokolli i sigurisë, i cili kishte njoftuar vizitën e tij të parë në Massachusetts dhe pranë qendrës së komunitetit shqiptar në këtë qytet.
I shoqëruar nga Zonja e Parë dhe ambasadori i Shqipërisë në Washington, z. Ervin Bushati, Presidenti erdhi pranë qendrës, ku dhjetëra shqiptarë po e prisnin, siç e do tradita e mikpritjes shqiptare, me emocione dhe krenari të thellë kombëtare.
Në hyrje të ndërtesës trekatëshe, ku valvitej flamuri shqiptar krah për krah atij amerikan, përveç tre drejtuesve të kësaj qendre, Endri Kume, Artur dhe Ardi Boçova, ndodhej edhe kryetari i VATRËS, dega në Boston, z. Mentor Maksutaj, së bashku me anëtarët e komunitetit shqiptar. Për ta nderuar Presidentin, pritjes iu bashkuan edhe zv/guvernatorja e Massachusetts, znj. Kim Driscoll dhe kryetari i Bashkisë së Beverly, z. Michael Cahill, si dhe senatorë të shtetit.

Presidenti Begaj u prit me buqeta lulesh nga fëmijët e shkollës shqipe “ABC” të kësaj qendre, me të cilët shkëmbeu edhe disa fjalë në shqip, duke dhënë një mesazh të fortë për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.
Të gjithë së bashku u ngjitën në katin e tretë, ku ndodhen zyrat e VATRËS, dega në Boston. Presidenti zhvilloi një takim kokë më kokë me zv/guvernatoren znj. Driscoll, kryetarin e Bashkisë së Beverly, drejtuesit e qendrës dhe kryetarin e VATRËS. Takimi ishte i ngrohtë dhe miqësor, ku u vu theksi te bashkëpunimi dhe përfshirja e komunitetit shqiptar në jetën amerikane. Në fund u shkëmbyen dhurata simbolike, për të vazhduar më pas në sallën e koncerteve, ku Presidenti u prit me duartrokitje të gjata nga shqiptarët e pranishëm.

Fjalën e mirëseardhjes e mbajti një nga drejtuesit e qendrës, Endri Kume, i cili prezantoi misionin e saj, duke theksuar se kjo qendër është një shtëpi për çdo shqiptar në Amerikë dhe një vend ku ruhet gjuha, kultura dhe identiteti ynë.
Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i VATRËS, z. Mentor Maksutaj, i cili theksoi se kjo organizatë historike do të vazhdojë misionin e saj si urë lidhëse mes shqiptarëve dhe jetës amerikane, një mision që vazhdon prej më shumë se një shekulli.
Eventi vijoi me performancën e nxënësve të shkollës shqipe “ABC”, të cilët recituan poezi dhe interpretuan valle, duke emocionuar të pranishmit me dashurinë për gjuhën dhe traditën, të përgatitura nga mësuesja Marjeta Vaso.
Nuk munguan as vallet tradicionale të jugut nga Ansambli “Amantia” nga Vlora, të cilët performuan “Osman Takën” dhe valle të tjera kombëtare, duke ndezur atmosferën dhe krenarinë shqiptare në sallë.


Gjithashtu performuan edhe fëmijët e Qendrës Kulturore Artistike Shqiptare “Struga” nga New Jersey, duke sjellë një frymë bashkimi mbarëkombëtar. Salla ishte zbukuruar me veshje tradicionale nga treva të ndryshme shqiptare dhe me fotografi historike të VATRËS, të ruajtura me kujdes nga familja Pani në Boston.

Kryetari i Bashkisë së Beverly, z. Michael Cahill, në fjalën e tij tha: “Jam shumë i lumtur që komuniteti shqiptar zgjodhi Beverlyn për qendrën e tyre. Ky qytet është edhe i juaji tani.”
Ndërsa zv/guvernatorja Kim Driscoll e nisi fjalën e saj në shqip drejtuar presidentit me “Mirëserdhe”, e duke vlerësuar komunitetin shqiptar si punëtor, familjar dhe shumë të respektuar në Massachusetts, dhe duke theksuar se bashkëpunimi do të vazhdojë të forcohet edhe më tej.
Më pas, Presidenti Begaj, në fjalën e tij, theksoi se Bostoni ka qenë dhe mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të shqiptarëve në SHBA. “Ju keni ndihmuar Shqipërinë dhe Kosovën në kohët më të vështira dhe jeni një komunitet shembull,” tha ai, duke shtuar se Shqipëria është krenare për sukseset e shqiptarëve në Amerikë dhe për faktin që ata nuk harrojnë rrënjët e tyre.
Fjalët e tij u pritën me duartrokitje të forta, ndërsa më pas pati takime, fotografi dhe biseda të ngrohta me komunitetin. Eventi u moderua me profesionalizem nga Brian Hoxha.
Në nder të kësaj vizite, qendra dhe Vatra organizuan edhe një darkë simbolike për të pranishmit.
Ndërkohë, qendra është e hapur çdo ditë të javës: në katin e parë ndodhet restoranti “Çunat e Bostonit”, në të dytin salla e aktiviteteve, ndërsa në katin e tretë klasat e gjuhës shqipe dhe zyrat e VATRËS.
Në këtë takim ishin të pranishëm të gjithë drejtuesit e organizatave shqiptare në Boston, si MaasBesa, Albanian Fighting Cancer, Labëria Boston, Eagle Soccer Academy etj.













