• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË KËSHILL MBARËKOMBËTAR, PËR TË KOORDINUAR STRATEGJITË DHE MBROJTJEN E INTERESAVE TË SHQIPTARËVE NË BALLKAN…

September 25, 2023 by s p

Prend Ndoja/

Në kujtesën tonë kombëtare akoma rëndojnë të freskëta skenat e tmerrshme, kur përmes tytave dhe artilerisë serbe, vdekja përbinte jetë të pafajshme njerëzish. Ishte ajo kohë kur pushtuesi kreu masakrat më çnjerëzore, për ta zhdukur një popull të tërë. Trevat tona pjellore, me një natyrë të mrekullueshme, u shndërruan në pellgje mjerimi. Qetësia dhe paqja dridheshin nën hijen e okupatorëve serbo-rusë, ndërsa nën qiellin e Kosovës rrezet e dritës nuk mund të depërtonin përtej tymit të artilerisë dhe makinerisë vrastare të këtyre forcave. Një armatë e pajisur mirë i kishte shpallur luftë një populli të pafajshëm e të paarmatosur, që asnjëherë gjatë historisë nuk u sul të pushtonte atë që s’ishte e tij, por, si gjithmonë në vetëmbrojte të familjes e pragut të shtëpisë.

Në trungun më të vjetër të Europës – me fajin dhe pa fajin tonë, në oborrin e saj, ndërgjegjja paqësore dhe mirësia shpeshherë keqtrajtoheshin. Në vatrën tonë, shpeshherë liria përmbysej dhe jeta cenohej gjer në palcë. Sytë e vendeve europiane e vënin një perde, veshët i bënin të shurdhër, që mos ta prishnin qetësinë e tyre, ndërkaq disa vende, madje bënin plane dhe tregti me pushtuesin, në dëm të tokave tona. Tubimet dhe fjalimet vazhdonin më një ritëm të ngadaltë, si mos të ishte gjendje e jashtëzakonshme. Ndikimi rus i mbante nën kontroll lëvizjet europiane, që askush mos ta pengojë  gjenocidin që po e shkaktonte Serbia në Kosovë. Në një aspekt, nga Rusia dhe disa vende aleate të saj, Serbia e kishte dritën e gjelbër që të bënte spastrimin etnik në Kosovë. Që të hapeshin sytë e botës së përparuar, që bota ta ndihmonte popullin tonë, zëshëm kërkoheshin flijime. Për t´i vënë themelet e lirisë dhe për t´i treguar armikut se, më parë e pranojmë vdekjen, sesa robërinë, më tërë familjen e Tij, heroikisht u flijua Komandanti legjendar, Adem Jashari. Në atë betejë frynte stuhia zjarr. Nga aty historia kombëtare ndryshoi rrënjësisht. Popullit iu rikthye shpresa dhe në fund të tunelit u pa një fije drite. Nga një det vuajtjesh dhe nga ofshamat e para të atdheut lindi një forcë, që në shpirt dhe në zemër e ndjente dhembjen. Ajo forcë, e dalë nga gjiri i popullit, u bë gur i pathyeshëm për armikun. Ata ishin më të zgjedhurit, ata vendosën ta flijonin jetën e tyre për lirinë e Atdheut; ashtu të ngjeshur me tokën Amë, në Mëmë-e-Dhe, i treguan armikut që kjo Tokë ka Zot, ka bijtë dhe bijat e saj që i thonë armikut Ndal!

Për t´u përballur me forcat e armikut, duhej mobilizim e diplomaci e spikatur, por ishte e domosdoshme për ta shpalosur edhe gjoksin nëpër vijat e frontit, dhëmb për dhëmb me okupatorin, duke e vënë atdheun mbi të gjitha. Atë obligim, të trasuar nga brezat e mëparshëm e morën bijtë dhe bijat mbarëshqiptare, më burrërisht se ndonjëherë më parë. Por lirisht mund të themi se atë peshë të rëndë të përballjes me një okupator që posedonte një armatë ndër më të fortat e Europës, e mori i tërë populli i Kosovës. Nën rrjetën e hekurt të ushtrisë jugosllave, bijtë dhe bijat tona lëviznin dhe qëndronin me aq besë dhe përpikëri, saqë populli brenda kornizës së besës e ndiente mëvetësinë dhe aromën e lirisë. Pushtuesit çdo ditë ngapak i ndalej fryma, kur nuk gjente formë që t´i përçante shqiptarët, të depërtonte në mesin e tyre. Uniteti, mirëkuptimi, besa e solidariteti i popullit tonë ishte një shembull i veçantë dhe shkas i hapave të sigurtë drejt lirisë.

Te forcat tona, të shndërruara në UÇK, vdekja e kishte humbur peshën e saj mortore; njerëzit shndërroheshin në yje që shndrisin mbi atdheun. Koha tregoi qartë se, jo vetëm ushtarët në vija të frontit, por tërë shqiptaria ishte në luftë. Jeta rinore e kishte humbur buzëqeshjen e saj, atë  ia kishin falë atdheut. Sot në ditarin e rreshkur të vuajtjeve, në rrudhat e ballit të tyre qëndron një histori e lavdishme. Aty mund t´i shfletosh rrjedhat kronologjike si një valë lumi, ku, në të shumtën e rasteve, ngjyra shndërrohet në të kuqe.

Në paqe kuvendohet shumë për luftën. Shpeshherë, disa, “burrërisht” notojnë mbi gjakun dhe mundin e atyre që vërtet i falën çdo gjë lirisë. Në paqe shpesh ëndjet shkelin mbi mendjen dhe harrojnë gjakun e derdhur për liri. Nga skenat e dueleve të luftës, në liri lindin “artistë” skenash që luajnë role heronjsh. Lindin edhe ata që prekin hojet e ëndjeve të tyre, duke e politizuar kohën dhe veprat më të lavdishme të ushtrisë sonë. Ata lehtë flasin për luftën, ashtu si  me ndjesinë e një filmi. Është lehtë të flasin nga një tavolinë plot, për ata që ushqeheshin nëpër male një herë në 24 orë. Është lehtë të flasin nga dhoma e nxehtë, për jetën e atyre që nëpër llogore me javë dhe muaj të tërë i rrihte shiu, era dhe bora. Ata, edhe nëse shpëtuan gjallë, shëndeti i tyre i vuan gjithmonë pasojat. Është lehtë të flasin nga banjat me ujë të ngrohtë, për ata që mjaftonte një herë në muaj të  pastroheshin te ndonjë burim uji, apo në ndonjë pellg ku shkrihej bora. Është lehtë të flasin, kur në tavolinë kanë verë dhe pije te llojllojshme për ata që e shkrinin borën për t´i lagur buzët. Është lehtë të flasin duke u rrezitur në plazhe për ata që prisnin me ditë dhe javë për pak rreze për t´i tharë rrobat e tyre në ndojnë lëndinë atdheu. Më në fund, është lehtë të flasin, kur çdo lëvizje fizike e kane të mundshme, për ata që sot u mungojnë gjymtyrët, u mungon shëndeti. Është lehtë, sot, të kritikojmë, apo të tregoimë ligje dhe të drejta njerëzore për ata që  përpara, e kishin natë e ditë djallin, që në çdo moment ua sillte vdekjen që t´i kafshonte.

Mbi të gjitha, vështirësia më e madhe ishte kur shpirti thyhej në gjysmë, pikëllimi e arrinte pikën kulmore kur ata e humbnin shokun- njeriun më të afërt të jetës, kur e  grabiste vdekja para syve të tyre. Ishte e rëndë për ata që me të plagosur në krahë  të udhëtonin me ditë e net të tëra për ta kaluar kufirin, që t´ua shpëtojnë jetën të tjerëve. Apo bartja e armatimit, në rrugën ku më parë kishin rënë shumë dëshmorë dhe prapë vazhdonin në të njëjtën udhë- në udhën e vdekjes. Koha nuk priste ndryshimin e motit, për ta sjellë armatimin përmes kufirit shqiptaro-shqiptar, por në kohë acari, bore e shiu ata ishin me ditë të tëra maleve duke udhëtuar. Nuk ishte e lehtë për një ushtri të pabarabartë me numër, me teknologji e armatim, me një përvojë të shkurtë, krahasuar me armikun. Ashtu e thyen kufirin e hekurt të vendosur nga shteti jugosllav dhe hynë në Koshare. Duke e mposhtur një ushtri me përvojë qindravjeçare u zhvillua një betejë që nuk mbahet në mend që nga koha e Gjergj Kastriotit. Aty i hyri tmerri armikut, aty e panë që Adem Jashari ishte gjallë. Nga tmerri që panë, pas çdo lisi u shfaqej nganjë Adem. Këta ishin, pra, luftëtarët e lirisë. Andaj në portën e mendjes duhet ta vëmë një filter pastrues që të dalë vetëm e vërteta nga mendja dhe goja e jonë për ushtrinë tonë çlirimtare. Ata që sot e meritojnë çdo lavdatë, çdo emër i tyre duhet që përjetësisht të ruhet në altarin e kombit, ashtu siç bëjnë popujt e përparuar të botës. Nëse vendit i kanoset ndonjë rrezik, ata prapë janë të parët. Ata shndërrohen në të djeshmit. Por, ne, si i trajtojmë këta sot? Nga brendia, çdonjëri i do dhe i respekton luftëtarët e vërtetë dhe përulet para veprës së tyre. Por nga shumë njerëz, respekti është thyer në gjysmë, ka mbetur në udhëkryq, ngaqë disa persona, për përfitime personale, në emër të UÇK-së, në të kaluarën dhe sot kanë bërë veprime të papranueshme, që nuk përkojnë me karakterin e UÇK-së. Andaj, mendoj se është nevojë kombëtare që mos t´u qëndrojmë besnik keqbërësve që e kanë përbaltur emrin e ushtrisë sonë. Është nevojë kombëtare që tërë populli ta kuptojë se ushtria e jonë jemi ne, janë vëllezërit dhe motrat tona, që çdonjëri duhet të bashkohemi rreth tyre, duhet ta kuptojmë, më në fund, se të gjithë, në rast nevoje, duhet të bëhemi si ata për interesa të përbashkëta. Armiku, në radhë të parë, ata i mban në shënjestër, me dënime, maltretime, me çdo armë që e ka në dispozicion. Sulmi ndaj tyre nuk është një rrjedhë normale e procedurave juridike, siç mendojnë disa nga “modestia”e tyre. Por, kjo është përtej normales dhe shumë qëllimkeqe dhe kundër boshtit kurrizor të kombit tonë. Është një përgatitje për të cilën armiqtë tanë investojnë shumë, vetëm e vetëm për realizimin e qëllimeve të tyre. Kjo është arma e fundit në duart e tyre, pas humbjes së betejës në luftë. Në rrethana të tilla, pajtimi dhe afërsia në mes njëri- tjetrit është e domosdoshme, por askuj nuk i takon vendi që nuk  e meriton. Pa dyshim, të gjithë e duam vendin, të gjithë e duam lirinë e plotë, por nganjëherë me ide dhe mendime ndryshe. Duhet të ulen të gjithë së bashku, pozitë e opozitë, t´i shprehin brengat si vëllai më vëllanë, sepse një hall të njëjtë e kanë të gjithë. Vetëm një parti e kemi dhe duhet t´i  kontribuojmë të gjithë-ajo është partia e kombit, është kombi ynë, për sot dhe për nesër. Meqë si komb jemi të ndarë në disa shtete të Ballkanit, është më se e nevojshme organizimi mbarëkombëtar nga njerëzit e dijes, i atyre që e kuptojnë testamentin mijëravjeçar të kombit dhe vlerën e tij. Ta formojnë një Këshill mbarëkombtëar, që të bëhet mburojë apo ombrellë e të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Të bëhet si një urë lidhëse e unitetit kombëtar dhe problemet madhore të kombit mos të shtjellohen “skutave” e ndarazi, por të kenë një seli parlamentare që i mbron interesat mbarëkombëtare, të kërkohen të drejtat e popullit tonë në Ballkan, ato të drejta që  bota më ligjet e saj ua garanton, ashtu siç ua garanton popullit hebre kudo që gjenden nëpër botë bashkëkombësve të vet. Ky Këshill mbarëkombëtar duhet të mbyllë ndasitë brenda etnisë sonë dhe nga aty të dalë mendimi ynë i kristaltë dhe imazhi ynë mbarëkombëtar.

Filed Under: Reportazh Tagged With: prend ndoja

Woodrow Wilson: Do të bëhej një komb i harbuar…

September 25, 2023 by s p

Sylë Ukshini/

E gjithë sjellja e Serbisë që nga shpërbërja e Jugosllavisë ka mëtuar të jetë një përpjekje për rikthimin e pozicionit të dikirshëm në Luftën e Parë Botërore, kur mbretëria SKS u krijua në mënyrë aksidentale dhe si një përpjekje për ta frenuar influencën austro-gjermane. Shtatdhjetë vjet më vonë, fuqitë që e krijuan ishin të paafta ta pengonin shpërbërjen e saj.

Katërshja e Madhe- Britania e Madhe, Franca, Italia dhe SHBA ishin të vèmendshme ndaj kombeve ziliqare në Ballkan, dhe për këtë kishin mjaft arsye. Por pavarësisht se Kosova mbeti nën mbretërinë SKS, presidenti amerikan Wilson, për dallim nga fuqitë evropiane të kohës deklaroi me vendosmëri se do të ishte gabim që Serbisë t’i jepej flotë ushtarake-detare. “ Do të ishte do të bëhej një komb i harbuar, meqë edhe kështu ata janë popull turbullues, dhe nuk duhet të kenë një flotë që të luajnë mendsh,”, deklaroi Wilson në Konferencën e Paqes në Paris (The papers of Woodrow Wilson).

Prandaj, nuk është e rastësishme që paqebërsit e takimeve dhe konferencave ndërkombëtare studiojnë me kujdes shembujt e konferencave paraprake. Kështu bënë edhe paqesbërit e Konferencës së Parisit me 1919, por “biznesi i Konferencës së Paqes”, siç do të thoshte ambasadori francez në Londër, do t” jepte fund luftës me Gjermaninë, dhe nëse mundeshin të krijonin një rend botëror i cili do t”ia bënte zë pamundur një tjetër Luftë të Madhe. Dhe, sigurisht, edhe tani bashkësia ndërkombëtare para çdo vendimi për rajonin duhet ta ketë parasysh fatin shteteve të reja në mënyrë që vendimet e tyre të mos shpijne drejt luftërave të reaj.

Ekziston një mendim i formësuar shkencor se vendimet për paqen në Paris me 1919 ishin dështim, se ato çuan drejt e në Luftën e Dytë Botërore.

Një gabim i tillë ndodhi edhe në Dejton, megjithëse Richard Hollbrooke ishte përpjekur të bënte më të mirën. Siç shënojnë studiuesit më vonë, gjatë ndërmjetësimit të luftës së Bosnjës, Richard Holbrrokeu, herë pas here lexonte libra për negociata e paqes në Camp Davidit, duke dashur të njihet me teknikat dhe mënyrat e arritjes së paqes. Holbrookeu konsiderohet arkitekt i paqes në Dayton, pro njëkohësisht edhe njeriu ë u pendua për lejimin e bërjes së “Republikës Srpska”. Ai do ta pranonte më vonë se ky ishte një gabim dhe gabimi më i madh ishte përse forcat kroate dhe boshnjake u penguan të Banjallukën, rënia e së cilës mendohej se do të shënonte edhe fundin e “Republikës Srpska”.

Ndërsa gabimi i dytë i bë me stopimin e ofensivës boshnjako-kroate drejt Banjallukët. Po ta kishin lënë amerikanët lënë Banjallukën binte në duart e boshnjakëve dhe kroatëve? Ky mendim do ta mundonte Holbrookeu në vitet që pasonin. Aty do të mbaronte “Republika Srpska”. Sot, Bosnja do të ishte shtet multietnik dhe i tërë. Lufta do të kishte një fitues. Dhe nuk do të ndodhte Daytoni, shkruan George Packer, gazetar i The Atlantic dhe ish gazetar i The New Yaker, në librin e tij për Hollbrookun.

Prandaj, Kosova nuk guxon të jetë as euforike dhe as naive që të bëjë gabimin e Bosnjës! Por edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më

E kujdeshme dhe ta vlerësoj drejt se kush ka qenë shteti i habur dhe turbullues në këtë rajon në tri dekadat e fundit. Edhe 104 vite më pas mbetet aktual mendimi i presidentit amerikan Woodrow Wilson se luajnë mendsh nëse do të kenë përkrahjen ndërkombëtare. Guximi i djeshëm i Vucicit, është dëshmia më e mirë për këtë se vëmendja dhe llastimi ndërkombëtar e bënë atë një politikan të habuar.

May be an image of 1 person

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: ESSE

Veprat bamirëse të Mehmet Ali Pashë Kavallës në vendlindjen e tij

September 25, 2023 by s p

Ibrahim Bajjumi Ganim, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kajros, si nxënës mësoi në tekstet shkollore se “shkëlqimi i Egjiptit filloi pas vitit 1952”, pra pas grusht-shtetit ushtarak në krye me Naserin, kurse para kësaj date ishte vetëm “errësirë e korrupsion” gjatë sundimit të dinastisë së Mehmet Ali Pashës prej vitit 1805 deri më 1952. Mirëpo, duke gjurmuar në këtë fushë, ai zbuloi të kundërtën: Në Egjipt gjatë sundimit të dinastisë shqiptare lulëzoi shumë sistemi i vakëfit për qëllime shoqërore, kurse pas vitit 1952, vakëfi u bë në shërbim të regjimit të ri “revolucionar” dhe kundër “armiqve të popullit”. Libri i tij i ri sjell dëshmitë e radhës

Prof.Muhamed Mufaku

Mehmet Ali Pashë Kavala, siç u njoh në Egjipt ose Mehmet Ali Pashë Misiri, siç u njoh te shqiptarët, mbetet figurë tërheqëse për historianët egjiptianë,arab, turq dhe evropianë, saqë mund të thuhet se nuk kalon ndonjë vit pa u botuar një libër për të ose për dinastinë e tij që sundoi Egjipti prej vitit 1805 deri më 1952.

Këtë vit kemi një libër të ri të autorit të njohur egjiptian, Ibrahim Bajjumi Ganim, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kajros, që prek një aspekt të ri: veprat bamirëse e Mehmet Ali Pashës në Egjipt dhe jashtë tij.

Autori Ganim është profesor i shkencave politike në Institutin për Shkencat Sociale në Kajro, por që u mor disa dekada me një aspekt të historisë egjiptiane gjatë dinastisë së Mehmet Ali Pashës, pasi u doktorua me temën “Vakëfi dhe politika” më 1997. Siç dihet, vakëfi si institucion kishte rolin e vet në botën myslimane dhe u ndie posaçërisht në viset shqiptare gjatë sundimit osman me monumentet që ndërtuan shumë valinj shqiptarë prej Janine deri në Shkup. Mirëpo, duke prekur këtë aspekt të ndjeshëm, pra politizimin e vakëfit ose shfrytëzimin e vakëfit për qëllime politike, prof. Ganim u njoh më ndryshe me historinë e Egjiptit para dhe pas vitit 1952.

Lulëzimi në Egjipt gjatë dinastisë shqiptare

Siç tregon në hyrjen e gjatë të librit të tij të ri, “Të gjitha vakëfet e Mehmet Ali Pashës”, ai si nxënës mësoi në tekstet shkollore se “shkëlqimi i Egjiptit filloi pas vitit 1952”, pra pas grusht-shtetit ushtarak në krye me Naserin, kurse para kësaj date ishte vetëm “errësirë e korrupsion” gjatë sundimit të dinastisë së Mehmet Ali Pashës prej vitit 1805 deri më 1952. Mirëpo, duke gjurmuar në këtë fushë (Vakëfi dhe politika në Egjipt para e pas 1952) ai zbuloi të kundërtën: Në Egjipt gjatë sundimit të dinastisë shqiptare lulëzoi shumë sistemi i vakëfit për qëllime shoqërore, kurse pas vitit 1952 vakëfi u bë në shërbim të regjimit të ri “revolucionar” dhe kundër “armiqve të popullit”. Mjafton këtu të përmendet se çfarë ndodhi me teqenë bektashiane shqiptare në Kajro, që kishte shumë prona në kuadër të vakëfit të cilat u konfiskuan bashkë me teqenë historike më 1956.

Kështu, prof. Ganim tregon në hyrjen e librit të tij se kur filloi punën në disertacion, kishte paramendim në bazë të librave shkollore se në Egjipt nuk kishte vakëfe gjatë dinastisë shqiptare, por në fund arriti në të kundërtën: shumë vakëfe u themeluan nga dinastia e Mehmet Ali Pashës për qëllime shoqërie. Mjafton të përmendet këtu princesha Fatime (1853-1920) mbesa e Mehmet Ali Pashës, e cila u entuziazmua me iniciativën për themelimin e Universitetit në Kajro më 1908 dhe vakëfizoi një pronë të madhe toke më 1913 për ta ndërtuar selinë e Universitetit Egjiptian përveç një donacioni me para të gatshme për shpenzimet e ndërtimet.

Ky zbulim i kontributit të dinastisë shqiptare në fushën e vakëfit për qëllime shoqërore e nxiti prof. Ganim që të hulumtojë për disa vjet me radhë në arkiva të ndryshme të gjejë shumë dokumente dhe vakëfe të anëtarëve të dinastisë shqiptare dhe të nxjerrë më 2021 librin “Vakëfet e dinastisë së Mehmet Aliut në historinë e re dhe bashkëkohore të Egjiptit”, i cili për herë të parë paraqet me dokumente se çfarë kontributi të madh la kjo dinasti në historinë e Egjiptit. Kuptohet, libri bëri jehonë, sepse paraqiste një imazh tjetërfare, në krahasim me atë që e mësoi autori si nxënës dhe si student në Kajro, ndaj shkoi më tutje duke botuar më 2023 librin e ri “Të gjitha vakëfet e Pashës”, pra të Mehmet Ali Pashës.

Përmbysja e tezave të historiografisë egjiptiane

Libri përbëhet prej dy pjesëve, pjesa e parë që përmban një studim kritik të historiografisë egjiptiane pas vitit 1952 ndaj Mehmet Ali Pashës dhe dinastisë së tij, kurse pjesa e dytë përmban vetëm dokumente, përkatësisht vakufnamet e Mehmet Ali Pashës që përfshijnë monumentet që i ngriti në Egjipt e jashtë Egjiptit.

Në pjesën e parë autori demanton tezën e përhapur në historiografinë egjiptiane pas vitit 1952 se Mehmet Ali Pasha e suprimoi sistemin e vakëfit, duke e bërë pronë të shtetit. Sipas autorit, Mehmet Aliu kishte vizionin e vet për reforma radikale për ngritjen e Egjiptit si fuqi rajonale, ndaj ai e përfshiu sistemin e vakëfit me reformat e tij, duke legalizuar vetëm ato vakëfe të drejta që nuk u përfshinë me manipulime. Si dëshmi për këtë, autori sjell në këtë libër pesë vakufnamet e Mehmet Ali Pashës që dëshmojnë se nuk ishte kundër sistemit të vakëfit nëse shërben siç duhet.

Nga ana tjetër, në këto vakufname dallohen dy që përfshijnë dy vakëfe të mëdha jashtë Egjiptit: një kompleks i madh në vendlindjen e tij në Kavallë më 1813 dhe dy imarete që ofronin ushqim falas për nevojtarët në Mekë e Medinë më 1844.

Ishulli, dhuratë nga sulltani dhe kompleksi në Kavallë

Vërtet, ngritja e Mehmet Aliu nga një ushtar i ardhur nga Kavalla më 1800 në një rival të sulltanit osman më 1831 lidhet me Hixhazin. Me ngritjen e Mehmet Aliut në postin e valiut të Egjiptit më 1805 u paraqit principata e re saudite si kërcënim për sulltanin, pasi që ithtarët e saj vehabistë nuk njohën sovranitetin e sulltanit dhe pushtuan Mekën më 1806, duke sfiduar titullin e sulltanit si “mbrojtës i vendeve të shenjta islame”. Në këtë gjendje sulltani u detyrua pas shumë dështimeve ushtarake për ta ngarkuar Mehmet Aliun me këtë mision. Mehmet Aliu e dërgoi ushtrinë e tij në krye me djalin Ibrahim Pasha, e më pas shkoi vetë atje për ta shuar principatën saudite dhe lëvizjen vehabite.

Në këto rrethana, Mehmet Aliu ia kërkoi sulltanit një dhuratë të majme më 1813. Ai ia tregoi sulltanit osman, Mahmudi II, se kishte dëshirë t’ia bëjë vendlindjes një shërbim duke ngritur një kompleks të madh si vakëf, por ai kërkoi që t’ia dhurojë ishullin Tashos (380 km katrorë përballë Kavallës) për të mbuluar shpenzimet e duhura për funksionimin e këtij kompleksi në Kavallë. Sulltani u pajtua, dhe më 25 qershor 1813 nxori një dekret me të cilin e lë në dispozicion të Mehmet Aliut këtë ishull që nga të ardhurat në prona dhe taksa të tjera të sigurohen shpenzimet për kompleksin e madh që ndërtoi Mehmet Aliu në Kavallë.

Aneksimi nga Greqia dhe shndërrimi në qendër turistike

Kompleksi u ndërtua mbi një kodër në Kavallë që ka një pamje të bukur nga deti, duke përfshirë një xhami, një medrese të madhe me 60 dhoma për vendosjen e nxënësve që vinin nga viset përreth, një bibliotekë të madhe dhe një imaret që ofronte ushqim falas për nxënësit, e si për stafin që kujdeset për ta. Po ashtu, vakufnamja e botuar në këtë libër përfshin sigurimin e veshmbathjes për nxënësit si dhe një shumë simbolike mujore për nevojat e nxënësve (15 kurush në muaj për çdo nxënës).

Ky kompleks i madh funksionoi mirë deri në Luftën Ballkanike 1912-1913 kur Greqia pushtoi dhe aneksoi Vilajetin e Janinës, prej nga u dëbuan me kohë çamët, e sidomos pas nënshkrimit të Traktatit të Lozanës më 1923 për këmbim të detyrueshëm të popullsisë. Kështu, u krijua një paradoks që vazhdoi me dekada: pronat në Kavallë e Tashos mbetën në dispozicion të Ministrisë egjiptiane për vakëf, kurse objektet mbetën të zbrazëta ose të shpërdorura. Kjo gjendje krijoi tensione kohë pas kohe midis Egjiptit dhe Greqisë deri kur gjatë viteve 1984-1986 Ministria egjiptiane për vakëf ia shiti ato prona qeverisë greke me çmime simbolike. Vetë kompleksi i Mehmet Aliut në Kavallë mbeti nën mëshirën e kohës deri kur një sipërmarrëse greke (Ana Misisrian) e mori me qira këtë kompleks nga Ministria për vakëfe dhe e shndërroi më 2016 në një kompleks turistik që tërheq shumë vizitorë që kanë simpati për Mehmet Ali Pashën dhe kohën e tij.

Libri në fjalë meriton të përkthehet në shqip, sikurse libri tjetër i botuar nga autori më 2021 me vakëfet e dinastisë shqiptare që sundoi në Egjipt prej vitit 1805 deri më 1952.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Muhamet Mufaku

“VATRA” DHE SHTETFORMIMI KOMBËTAR

September 25, 2023 by s p

Eneida Jaçaj/

Federata Pan Shqiptare “Vatra”, me Gazetën “Dielli”, në të gjithë historinë e saj, ka dhënë një kontribut madhor për shtetformimin kombëtar, ku si shtyllë kryesore ka patur demokratizimin e Shqipërisë; gjithashtu ka lobuar fort për moscopëtimin e vendit, rritjen e ekonomisë dhe uljen e analfabetizmit. Edhe në ditët e sotme, Federata Panshqiptare “Vatra” po rritet dita-ditës, duke mos i shkëputur lidhjet me atdheun, në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe interesave kombëtare të Shqipërisë, Kosovës e trojeve etnike. Roli i saj aktual është po aq i rëndësishëm sa edhe një shekull më parë, kur personalitete të shquara u mobilizuan për t’i dhënë jetë “Vatrës” në shërbim të çështjes kombëtare. Vatra vazhdon të mbetet një zë shumë i rëndësishëm për shqiptarët e SHBA-së, duke punuar fort dhe shtuar përpjekjet në përkrahje të të drejtave të tyre, si një nga komunitetet më të mëdha në këtë kontinent.

“Vatra”, si përfaqësuese e diasporës shqiptare në SHBA, ka dhënë gjithashtu një kontribut të madh për pavarësinë e Kosovës. Ajo ka lobuar në instancat më të larta të qeverisë amerikane, në mënyrë që SHBA-të të vepronin kundër pushtuesit serb dhe Kosova të arrinte pavarësinë e merituar. Kjo është vlerësuar edhe nga udhëheqësit e Kosovës, si presidentja Vjosa Osmani, e cila zhvilloi një takim dashamirës me diasporën shqiptare në SHBA. Ajo falenderoi mërgatën për kontributin historik për shtetin e Kosovës e kombin shqiptar, ndërsa theksoi se me përpjekjet e jashtëzakonshme të mërgatës, Kosova do të jetojë përgjithmonë. Edhe Presidenti Begaj vleresoi punen shume te çmuar te Vatres e vatraneve ne SHBA.

Nuk mund të harrohen pa përmendur dy personalitete të shquara dhe themelues të “Vatrës”, Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët lobuan fort në sallonet e Europës, zhvilluan takime me figura të rëndësishme të huaja, ku në bazë të diskutimeve patën interesat kombëtare të Shqipërisë. Noli do të mbahet mend për takimet dhe dialogun me ish-Presidentin Amerikan, Uoodrou Uillson, i cili dha ndihmën e madhe për njohjen e shtetit shqiptar. Presidentit Amerikan nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë në vitin 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, duke u bërë zëri i të gjithë shqiptarëve, që kufijtë e Shqipërisë të mos tkurreshin akoma edhe më shumë pas vendimit jo të drejtë të Konferencës së Londrës, në vitin 1913. Këta patriotë shqiptarë kanë dalë në terren dhe kanë mbledhur fonde në kuadër të përpjekjeve për liri.

Shqiptarët e kulturuar dhe të qytetëruar kanë aq mençuri sa të kuptojnë se, të punosh për një të mirë të përbashkët me interes kombëtar, me karakter patriotik, mbart më shumë vlera për shoqërinë sesa t’u lihet hapësirë zënkave dhe ndasive të kota dhe çdo energji njerëzore e patriotike duhet vënë në funksion të çështjes kombëtare.

Intelektualët shqiptarë u shpërndanë nëpër botë, për ta nxjerrë vendin nga errësira dhe për të sjellë epokën e dritës dhe besimit, drejt një të ardhmeje më të sigurt. Edhe në ditët e sotme, diaspora shqiptare luan rol të rëndësishëm jo vetëm në ruajtjen dhe promovimin e kulturës në brezat që rriten jashtë kufijve, por është shndërruar në zërin e të gjithë shqiptarëve, për parashtrimin e problematikave të ndryshme, në Senatin Amerikan. Diaspora shqiptare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, luajti një rol thelbësor për çështjen shqiptare, duke bërë përpjekje të shumta që shteti shqiptar të njihej dhe të ngriheshin institucione të konsoliduara demokratike. Më herët u krijua shoqëria e parë shqiptare, “Malli i Mëmëdheut”, më 1 janar 1906, në shtëpinë e Thanas Viso Mborjes në Buffalo, Nju Jork. Më pas, më 15 shkurt 1909, pranë shoqërisë “Besa-Besë” në Boston, u krijua gazeta “Dielli”, me kryeredaktor Fan Nolin, e cila shërbeu në dobi të çështjes shqiptare. Shkrimtarja dhe publicistja, Sevasti Qiriazi, ka dhënë kontribut me shkrime në disa revista të kohës. Roli i mërgatës shqiptare është shumë i rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve e interesave kombëtare, dhe asnjëherë nuk duhet anashkaluar. Federata Vatra dhe gazeta Dielli janë historia e qënësishme dhe e lavdishme e shqiptarëve të Amerikës.

Filed Under: Histori

Aktivitetet e Vatrës kanë gjurmë të fuqishme në historinë e re të Kosovës

September 25, 2023 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Veprimtaria e kaluar dhe angazhimit e sotme në shërbim të interesave kombëtare të Federatës Panshqiptare Vatra, me veprimtarinë e pa lodhshme po i bën krenarë të gjithë shqiptarët kudo jetojnë.

Vatra është themeluar nga elita intelektualë dhe atdhetare e shqiptarëve që jetojnë në Amerikë para me shumë se një shekulli me qellim që të jetë në shërbim të mbrojtjes së interesave kombëtare të shqiptarëve që u përball me diplomacinë agresive greko sllave për të copëtuar trojet etnike shqiptare.

Ideja e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë hasi në rezistencë të fqinjëve ballkanike që me marrëveshjen për tokat shqiptare kërkonin copëtimit e tyre.

Nga fillimi i shekullit të kaluar, shqiptarët e Amerikës punuan në shërbim të mbrojtjes së interesave kombëtare shqiptare në drejtim të pavarësisë dhe ruajtjen e trojeve etnike shqiptare.

Një emër i artë që i bashkon elita intelektualë dhe atdhetare të shqiptare e Amerikës ishte Federata Panshqiptare Vatra.

Në Vatra bashkohen me një qëllim të vetëm gjithë shqiptarët për të bashkuar forcat intelektuale, fuqitë materiale dhe njerëzore kombëtare për t’i ardhur në ndihmë kombit shqiptar.

Vatra sot po vazhdon veprimtarinë atdhetare të promovojë kulturën dhe historinë e popullit shqiptar, duke luajtur rolin konstruktiv të promovojë personalitet të artit kulturën dhe politikës pa dallim në gjithë gjeografisë kombëtare ku jetojnë shqiptarët.

Historia e popullit shqiptar është dëshmitare se lëvizjet kombëtare shqiptare gjatë përpjekjeve për liri të shqiptarëve në trojet autoktone kishte hasur në vështirësi të ndryshme.

Rolin vendimtar si ne formimin e shtetit shqiptar në vitin 1912 ishin kolonitë shqiptar që përkrahen Ismail Qemalin në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Ne si gjeneratë, jemi dëshmitarë të veprimtarisë se pa ndalur të shumë veprimtarëve që nuk kursyen asgjë nga vetja për lirinë e Kosovës në gjithë botën demokratike dhe kudo jetojnë.

Falë tyre u bë edhe zhvillimi dhe forcimi i luftës për liri të Kosovës që me krenari dhe lavdi kujtojmë të gjithë ata burra dhe gra që ranë nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një rol shumë të veçantë që është i shkruar me shkronja të arta në historinë e lirisë së Kosovës është kontributi i shqiptarëve të Amerikës.

Historia e suksesshme e Kosovës nuk mund të shkruhet pa rolin vendimtar që luajti lobimi i tyre pranë institucionit të Qeverisë amerikane me të drejtën historike dhe politike për liri të Kosovës.

Vatra dha një kontribut tejet të çmueshëm në formimin e shtetit më të ri në Evropë, Kosovës, që sot gëzon lirinë dhe pavarësinë e saj dhe sot nderojmë të gjithë veprimtarinë atdhetare të Vatrës, aktivitetet e shumta që kanë për qëllim të promovojë vlerat dhe kulturën shqiptare në përgjithësi dhe konsolidimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës në veçanti.

Aktivitetet e Vatrës kanë gjurmë të fuqishme në historinë e re të Kosovës, prandaj, përjetësisht do të jemi mirënjohës për të gjithë ata aktivistët e pa lodhshëm që punuan dhe sot punojnë në shërbim të interesave kombëtare shqiptare nën organizimin e mrekullueshëm që ka bërë dhe po bën sot me aktivitet e shumta në shërbim të shqiptarëve.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1436
  • 1437
  • 1438
  • 1439
  • 1440
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT