• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALTERNATIVA E LUBJANËS DHE EUROPIANIZIMI I ÇËSHTJES SHQIPTARE

September 13, 2023 by s p

Prof.Begzad Baliu/

Ditë më parë Profesori, Martin Berisha, e ka bërë të njohur mundësinë e shkarkimit elektronik të revistës shkencore dhe kulturore të shoqatës “Migjeni” në Lubjanë “Alternativa”. Më gëzoi ky lajm dhe disa ditë më vonë i shkarkova të gjitha.

Numrin e parë të saj e kam blerë ilegalisht në kioskën që ishte në hyrje të korzës në Prishtinë, mbështjellë me një fletë gazete të “Rilindjes”, ndërsa të fundit, numrin vjetor të vitit 1990 në kioskën para xhamisë në Gjilan. Në bibliotekë kam edhe numra të tjerë, por nuk e dija se “Alternativa” paska dalë edhe viteve të fundit.

Sot i lexova gjithë ditën, sa njërin sa tjetrin, sa një artikull politik sa një tjetër kulturor. Artikujt shkencor i nxora në letër dhe i ndava për ditë më të mira. I lexova, në të vërtetë, i rilexova shumë tekste të Profesor Qosjes, Adem Demaçit, Ukshin Hotit, Martin Berishajt, Salih Kabashit, Bislim Elshanit, Emin Azemit, Halil Matoshit, Nikollë Berishës etj. Më bënë përshtypje sidomos politikanët dhe intelektualët sllovenë e kroatë, si Jasha Zlobec, Vladimir Sheks, Matjazh Hanzhek etj.

I lexova në mënyrë të veçantë artikujt e viteve të vona, kur nuk e dija se revista paska dalë më tej. E revista paska vazhduar të dalë edhe më tutje, por jo me konceptin e atyre politikave kur bëhej beteja e madhe për çlirimin e vendit nga prangat jugosllave, po me koncepte akademike të ngritjes shkencore të saj, me artikuj të zgjedhur në shërbim të shtetndërtimit të Kosovës dhe demokratizimit të shoqërisë shqiptare.

I lexoj artikujt publicistikë, politikë, letrarë, kulturorë, shkencorë e atdhetarë dhe ndalem e mendoj për rolin e saj në kapërcyell të shekullit XX. Rolin e saj, rolin e drejtuesve të saj dhe rolin e pjesëmarrësve në krijimin e frymës së saj. Dhe ndalem e mendoj e i krahasoj ata me përvojën e etërve tanë 100 vjet më parë në fund të shekullit XIX. Një përvojë pothuajse identike e një Rilindjeje, prej së cilës ky brez ka mësuar dhe është frymëzuar shumë.

Lexoj dhe ndalem e mendoj! Mirë, këtu mund të gjesh etërit e ri të Rilindjes Kombëtare, po pas tyre sot na mungojnë etërit e shtetndërtimit, të cilët në fillim të shekullit XX, pra pas Shpalljes së Pavarësisë, shtetin dhe kombin shqiptar e ndërtuan mbështetur në shtyllën e parë: gjuhën dhe arsimin.

Lexoj “Alternativën” dhe shoh se këtu në Kosovë, në pushtetin e Kosovës, nuk mungojnë ata që mungonin atje, në Lubjanë!

Dhe e kuptoj, pse “pushteti” mbahej edhe nën terrorin serb!

Dhe e kuptoj pse betejat për pushtet gjatë dy dekadave pas luftës së Kosovës ishin kaq të paparimshme!

Dhe e kuptoj pse Kosovës edhe më tej i duhet një Përlindje atdhetare e brezit të “Alternativës”.

Faleminderit, Profesor Martin!

Pa përpjekjet e shoqatës “Migjeni” dhe kontributit të revistës “Alternativa” nuk mund të shkruhet historia e re shqiptare përgjithësisht. Ato janë një prej referencave më të rëndësishme të europianizimit të çështjes shqiptare.

May be an image of 1 person and text

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

11

Filed Under: Rajon

Mitrush Kuteli mes Letërsisë dhe Financave

September 13, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Dhimitër Paskon alias Mitrush Kuteli e njohim të gjithë si shkrimtar dhe përkthyes. Në letërsinë shqipe ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në prozën e shkurtër, aq sa më të drejtë mund të quhet themelues i shkollës së kësaj gjinie në letërsinë tonë. Por ai ka një kontribut shumë të madh dhe në studimet ekonomike. Për më tepër një akt i tij kurajoz që kërkonte guxim intelektual dhe forcë morale në fushën e financave bëri të mundur shpëtimin e arit shqiptar në periudhën kur Shqipëria ishte e okupuar nga nazistët.

Mitrush Kuteli deri në maj 1943 punoi prane shoqërise SASTEB dhe më pas gjatë periudhës maj 1943 deri në vjeshtë 1944 punoi pranë Bankës Kombëtare së Shqiperisë si konsulent për çështjet monetare. Kjo është periudha kur ministër të Financave ishin Sokrat Dodbiba dhe Et’hem Cara, të cilët u përballën me problemin e thesarit, të arit dhe të emisionit të monedhës së re, që kërkonin të nxirrnin gjermanët.

Dhimiter Pasko ishte një nga kundërshtarët e kesaj kërkese të Komandës Gjermane në Shqiperi. Kur gjermanet shkuan për ta arrestuar në Bankë, ai doli nga një portë anësore dhe më pas kaloi në zonën partizane në Priskë. Nëse do të ishte emetuar monedhë e re, Shqipëria do të kishte patur pasoja te rënda, ashtu si edhe në të gjitha vendet e pushtuara nga gjermanët. Nje pjesë të bankënotave dhe një pjesë të arit për ta mbrojtur nga bastisjet e gjermanëve, drejtuesit e Bankës, në mes tyre edhe Dhimiter Pasko, e kishin hequr nga Thesari i Madh dhe e kishin dërguar në Thesarin e Durrësit. Këto shuma më vonë i mori në dorëzim Banka e Shtetit Shqiptar.

Me 27 nëntor 1944 Dhimiter Pasko u kthye në Tiranë dhe pas hapjes së Bankes së Shtetit, u emërua në funksione drejtuese të rangut të lartë. Se bashku me Kostandin Boshnjakun ish-drejtor i përgjithshem të Bankës se Shtetit Shqiptar, Dhimiter Pasko ka perfaqësuar këtë institucion, si firme e dytë në çeqet bankare te emëtuara gjatë periudhës 1945. Çeqet 100 franga shqiptare dhe ato 200 franga shqiptare, mbajnë edhe firmen e tij, krahas asaj te Konstandin Boshnjakut.

Gjate viteve të luftes Dhimiter Pasko iu kundervu gjermanëve që donin të grabisnin Banken Kombëtare të Shqiperisë. Per këtë veprim gjermanet donin ta varnin para bashkisë, kur morën vesh se Dhimiter Pasko i kishte sabotuar. Rastësisht shpëtoi. Pas çlirimit kur iu kundërvu jugosllavëve që donin të grabisnin Bankën e Shqiperisë dhe për këtë gjë regjimi komunist e denoi si “armik i popullit” nga shteti shqiptar.

Dhimiter Pasko dha dorëheqjen në gusht të vitit 1946, pasi nuk pranoi parifikimin e monedhës shqiptare me monedhën jugosllave. Në maj te vitit 1947, u arrestua me akuzen “Armik i Popullit” dhe dënohet me pesë vjet heqje lirie. Ai u dërgua në kampin e Voçishtit së bashku me të burgosur të tjerë, që punonin për të tharë kënetën e Maliqit. U lirua me “falje” ne prill 1949.Nga viti 1942 Dhimiter Pasko nuk u angazhua më me ekonomine. Ai u angazhua shumë pak me letërsi dhe punoi si përkthyes ne Shtëpinë Botuese “Naim Frasheri”, duke i dhuruar publikut shqiptar disa nga kryeveprat më të mëdha të letërsisë botërore. Përkthimi i Shpirtërave të vdekur të Gogolit, është quajtur nga kritikët si një simfoni proze në shqip, ku së bashku me përkthimin e Don Kishotit të Servantesit nga Noli, konsiderohen si prova se në gjuhën shqipe mund të përktheheshin denjësisht kryevepra të lëtërsisë botërore.

Filed Under: Fejton

A ka pasur gisht Serbia në vrasjen e Avni Rustemit?

September 13, 2023 by s p

Dr. Hasan Bello/

Më 20 prill 1924 deputeti Avni Rustemi i paraqiti Kuvendit Kushtetues kërkesën për një leje tremujore. Ai mendonte të zhvillonte një udhëtim në ShBA. Por legata amerikane ia refuzoi vizën. Një rast shumë i rrallë për kohën, duke e shpallur atë si shqiptarin e parë “non grata” për qeverinë amerikane. Kjo për shkak të tendencave antikushtetuese të organizatës “Bashkimi”, siç ishte eleminimi fizik i kundërshtarëve politikë.

Atentati kundër kryeministrit të kohës, A.Zogu në shkallët e parlamentit, në shkurt të 1924 kishte si autorë Beqir Valterin, por në fakt nga hetimet rezultoi se organizator dhe stërvitës i tij kishte qenë A.Rustemi. Gjithashtu, anëtarët e organizatës “Bashkimi” u jepnin me zor deputetëve kundërshtarë vaj ricini, që t`i zinte diarrea dhe të diskretitoheshin në sytë e popullit. Për të gjitha këto amerikanët kishin informacion të plotë.

Vrasja e Avni Rustemit ndodhi në një moment kur situata politike mes pozitës dhe opozitës ishte shumë e tensionuar. Ajo ngjasonte me një shesh ku ishte derdhur benzinë…Sipas versionit zyrtar dhe shtypit të kohës thuhet se, rreth orës 16:00-17:00 të 20 prilli 1924, ai po shkonte në shtëpinë e ministrit të Arsimit, Fahri Gjilani, kur në “Varrezat e Pashës” afër Pazarit të Ri, u qëllua nga Isuf Reçi, i cili njihej si mullixhi i Esat Toptanit. Pas disa ditësh ai ndërroi jetë. Trupi i tij u balsamos nga dr.Sezai Çomo dhe më 28 prill u nis nga Tirana në Durrës për tu transportuar drejt Vlorës me vaporin jugosllav “Beograd”.

Më 29 prill kortezhi mortor i shoqëruar nga përfaqësuesit e opozitës, deputetë dhe ndonjë ministër i qeverisë së koalicionit mbërriti në Vlorë. Ajo që dihet është fakti se, trupi i të ndjerit u përdor politikisht për të ndezur gjakrat e popullit, ushtarakëve dhe nënpunësve të ndershëm dhe për t`i hedhur ata kundër qeverisë. Ky ishte sipari i një grushti shteti, i cili njihet edhe si “Revolucioni i Qershorit”.

Por kush ishin të interesuar për vrasjen e A.Rustemit dhe një luftë civile mes shqiptarëve?

Sipas botimit me dokumenta nga arkivat ruse “Marrëdhëniet sovjetiko-shqiptare (vitet 20-30 të shek.XX)”, të përgatitur nga Prof. Lenina Zhila dhe Prof. Vlado Popovski shtrohet një pistë e re. Në një dokument të zbulimit sovjetik për “Komitetin e Kosovës” dhe ngjarjet politike në Shqipëri në vitin 1924, për vrasjen e Avni Rustemit shkruhet: “Kah mesi i këtij prilli, Avni Rustemi u plagos rëndë dhe tashmë ka vdekur. Nuk mund të anashkalohet fakti se vrasja e tij qe inspiruar nga agjentura serbe në Shqipëri.”

Kjo pistë përputhet edhe me disa informacione të mbledhura nga prefekti i Shkodrës, Abedin Nepravishta, i cili më 10 prill 1924 informon Zyrën Sekrete pranë Ministrisë së Brendshme se një person që kishte marrëdhënie konfindenciale me konsullatën jugosllave i kishte deklaruar se, brenda dhjetë ditësh po përgatiteshin disa atentate kundër personave me rëndësi. Në fillim prefekti nuk e kishte besuar vërtetësinë e këtij informacioni, por kur kishte ndodhur vrasja e dy turistëve amerikanë në pyllin e Mamurrasit, ai kishte filluar ta merrte seriozisht.

Pas vrasjes së A.Rustemit, personi në fjalë ishte takuar përsëri me prefektin e Shkodrës, duke i konfirmuar faktin se, si vrasja e amerikanëve ashtu dhe ajo e A.Rustemit ishin organizuar nga konsullata jugosllave, e cila përgatitej të eleminonte edhe disa personalitete të larta politike si A.Zogu, Luigj Gurakuqi etj. E gjitha kjo bëhej për të destabilizuar situatën politike dhe për t`i çuar shqiptarët drejt luftës civile. Megjithëse vrasja e A.Rustemit, për shkak të veprimeve të tij, ishte vetëm çështje kohe.

Filed Under: Histori

Një ftesë për të gjithë shqiptarët e Amerikës: 16 Shtator 2023 te Kisha Zoja e Shkodrës në New York

September 13, 2023 by s p

Një ftesë për të gjithë shqiptarët e Amerikës: 16 Shtator 2023 te Kisha Zoja e Shkodrës në New York.

Filed Under: Komunitet

GJERGJI IM!

September 13, 2023 by s p

Visar Zhiti/

Nuk e kisha parë, që nga atëhere, kur e sollën në burgun e Qafë-Barit, kur ai ishte vetëm 16 vjeç, ndërsa unë isha duke pritur lirimin, pas shumë vitesh vuajtje të dënimit.

– Kaq i vogël, gjimnazist, në burg politik, e nga është?

– Nga Durrësi. Donte të arratisej, i vetëm, e kapën në Liqenin e Pogradecit, në kufi…

Guximi i tij s’kishte qenë thjeshtë një aventurë adoleshenti, por bindje, të ikte nga diktatura idiote shqiptare në Perëndim, atje ku ishin liria dhe dija, kështu ëndërronte, por nuk pati fat.

Fati i erdhi në burg. Bëhet një amnisti e detyruar, që atë “e kapi” dhe e lirojnë prej moshës fare të re dhe pritën të bëhej 18 vjeç që ta burgosnin prapë. Kur e sollën sërish në Qafë-Bari, unë ndërkaq kisha dalë dhe s’u pamë më.

…Dhe shëmbet Muri ndarës i Berlinit, befas, kështu na u duk neve, ra perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipëri u zhbë dhe ai doli sërish nga burgu…

Është Gjergji, Gjergj Hani, bashkëvuajtësi, jeton në Tiranë, duhej takuar patjetër, nuk ishte vetëm malli, kisha biseduar me të së voni, nga larg, me këto mjetet moderne, ishim shkruar, i lexoja meditimet dhe esetë e tij, ia dija sinqeritetin dhe mençurinë, konservatorizmin dhe idetë, që shkonin lart, jo te shteti, se janë ca që atë kanë lartësinë më të madhe, por në Qiell, në universin me mistere dhe shpirt.

Gjergji tani mbart përvojën e 20 viteve në Itali, punën në një gazetë të djathtë atje dhe dëshirën serioze t’i shërbejë vendit të tij. Demokracisë, konservatorizmit, madje, ashtu pa bujë e urtësi e me guxim qytetar të bashkojë të djathtën shqiptare, pse jo, edhe pse duket e pamundur dhe të sjellë atë që ka munguar në politikën shqiptare, frymën perëndimore të të burgosurve të ndërgjegjes, të të pushkatuarve të idealit, megjithese e di që të mbyt duhma e enverizit, e atyre që e kanë ende idol enverin, edhe pse u duket se bëjnë ndryshe, por ia hedhin veç vetes, kanë mbetur trutredhur si në socializmin e parë, kur ngjireshin nga hosanatë e tyre të pështira si shëllira e djathit me tallona…

Nuk pranojnë të mësojnë asgjë nga mëshira Kristiane, feja është opium për popullin, besojnë me kokëfortësi, puna e tyre kjo, por duan të përtallin të tjerët që s’janë si ata, vuajtjen nën sistemin e tyre duke mbetur vetë të përtallurit proverbialë si dje dhe sot dhe me çdo kusht duan ta asgjesojnë kundërshtari me plumb, bajontë dhe qytë, tani me pengesa e shpifje dhe zilira siç kanë mësuar në zboret e realizmit socialist, ku ishin oficerë rezervë të Partisë, po fali, o Zot se s’dinë ç’bëjnë!

Ndryshimin mund ta sjellim së bashku, thotë Gjergji, vetëm nuk mundet askush, tha dhe gjatë fushatës për kryetar të PD-së, kur mbeti vendi bosh dhe i tillë duket ende. Nuk doja postin, por desha të zgjoj, ngulmon i qetë, desha të tregoj që ne jemi dhe e dimë çfarë bëhet…

Dhe rrinte dinjitoz dhe modest përballë njerëzve, jam njeri nga ju, u thoshte, pyetjet tuaja janë dhe të miat.

Do përgjigjemi se bashku ashtu siç jemi dhe përgjegjës…

E ç’mund të thoshim më parë në takimin tonë? Trashedentalja, metafizika janë shqetësime të Gjergjit.

E dëgjoja me ëndje. Mirësia i lodronte në fytyrë dhe dritëhijet e pasdites, por dhe të mendimit filozofik, sytë vështronin shumë më përtej, me një trishtim nga ato të mosshpresës, por ai ka më të fortë jetën e brendshme se përditshmërinë, edhe pse nuk i shmanget asaj, e ka të qartë ç’është mbijetesa dhe ç’është jeta e vërtetë, për këtë kulturë është, politikë të moralit dhe moral të politikës. I njeh ata eunukë të socrealizmit, aktivizimin sharlatan të tyre, mbrojta më e mirë është sulmi, i ka mësuar Stalini ata, dhe “fletë-rrufetë” e dikurshme i rimojnë dhe i zbardhin në bejte demokratike, est-etika e tyre trashanike, etika-e-lindjes-së-kuqe, sa kurajo kanë marrë nga Kina tani, po thoshim, të vjen keq, por edhe turp, kur ata s’kanë as turp e as nuk skuqen nga e kaluara e tyre, edhe pse janë ende të kuq dhe dinë të nxijnë… Duhej të flisnim dhe për këtë dukuri, që po bën çmosin të duket… dhe nduket. Ka një ndotje tjetër të mjedisit mendor, kur humbësit banalë kreshpërohen si fitimtarë dhe duan të sundojnë realitetin si të ishte veç i tyre, si i lënë trashëgim nga enveri, madje duke e quajtur veten donkishotërisht si nga ana e drejtë e historisë, kur s’janë të drejtë as me ata që kanë pranë. Dhe ia dalin… Do t’i vuajmë si kapterat e burgut, vazhdimi pandemik i tyre janë, por kafshimet prej qensh s’na dhëmbin më, kështu po thoshim. Fali, o Zot, se s’dinë ç’bëjnë, apo e dinë shunë mirë, po thoshim.

Ne do vazhdojmë në rrugën tonë, njerëzisht, thjeshtë… nuk do marrshojmë, do ecim, me ëndrrën prej dore…

Shoh Gjergjin përballë si për të marrë forcë prej tij. Hija e borsalinës i bie mbi fytyrë si një metaforë dhe më dukej se përhapet gjithandej për mirë. Dhe më vjen të them:

– Sa vonë është vendi ynë dhe ti je shpejt, Gjergji im!

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1466
  • 1467
  • 1468
  • 1469
  • 1470
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT