• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pozita shoqërore politike e shqiptarëve dhe organizimi i tyre kundër Perandorisë Osmane gjatë reformave të Tanzimatit 1826-1856

December 2, 2023 by s p

Dr. Sc. Qazim Namani, Arkeologji/Trashëgimi Kulturore

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, IKMM, Prishtinë

PJESA 1:

Në fund të shekullit XVIII, dhe në fillim të shekullit XIX, Qeveria ruse në Ballkan shpërndante para dhe kishte dërguar priftërinj rus, për ta zhvilluar propagandën kundër Austrisë dhe Turqisë.

Me marrëveshjen në Campo Fermio 1797, më vone edhe me marrëveshjen e Vjenës 1815, Austria nga Vatikani mori përsipër mbrojtjen e katolikëve (pra edhe të shqiptarëve), të cilët ishin nën pushtimin Osman. Ipeshkvi i Shkodrës, Albertini e konfirmon këtë marrëveshje me Qeverinë Austriake në Vjenë në vitin 1837.

Në këtë periudhë në Parisë, themelohet klubi pan sllavist polakë, në të cilin u bënë mjaft aktiv, dhe gjermano verioret (Habzburgët), që frymëzuan popujt e krishterë të Gadishullit Ilirik, me idetë pan sllaviste, në luftë kundër P. Osmane. 

Disa nga studentët që studionin në Austri dhe shtetet evropiane, të frymëzuar nga idetë pan sllaviste dhe revolucioni borgjez francez, filluan të botojnë libra për historinë ë popujve të Evropës lindore. Jovan Rajic, i frymëzuar nga kjo lëvizje në vitin 1793, e botojë në Vjenë librin: Historia e shkurtër e Serbisë, Rasisë dhe Bosnjës. Më pas u botuan edhe disa libra tjerë, për historinë e bullgarëve, dhe filluan të shfaqën, idetë për programet pan sllaviste, të popujve të ndryshëm, që përkraheshin nga Rusia cariste. 

Këto lëvizje pan sllaviste, dhe revolucioni në Francë, ndikuan për fillimin e kryengritjeve të armatosura për dëbimin e P. Osmane nga tokat e pushtuara në Evropë. 

Në Evropë, pas revolucionit borgjez francez, duke e parë dobësimin e Perandorisë Osmane, në vitin 1804 shpërtheu kryengritja, nën udhëheqjen e Karagjorgje Petroviqit. 

Bazuar në librin e Milorad Boshnjakut dhe Sllobodan Jakovijevic, “Karagjorgjevici Sakrivena Istorija”, shkruajnë se, bazuar në burimet e arkivit të Serbisë, emri i gjyshit të Karagjorgje Petrovicit, ishte Gjin Marash Kelmendi, i fisit shqiptar nga Shkodra, vërtetuar edhe nga burimet latine dhe burime tjera.

Të inspiruar nga propaganda ruse, në këtë kohë Sava Tekelia dhe mitropoli i Karllovcit Stratimirovici, kishin shprehur aspiratat e tyre, për tu liruar nga P. Osmane, dhe për ta themeluar një perandori sllave në Ballkan.

Karagjorgje është me origjinë Kelmendas, pra është një shqiptar Katolik: Djordje Petrovic Karadjordje, prijësi i Kryengritjes së Parë Serbe, është me origjinë katolike shqiptare nga fisi Kelmend. Në vitin 1739, rreth 300 familje katolike nga fisi Kelmendas, u larguan nga Kosova për të kërkuar strehim. Shumica e tyre u zhvendosën në fshatrat Nikinci dhe Hrtkovci, por disa u vendosën nën Malin Rudnik në Shumadi, dhe në mesin e tyre, ishte edhe gjyshi i Karagjorgjit.

Në vitin 1811, për shuarjen e kësaj kryengritje, u dërguan Mahmut beu nga Kumanova, Ahmeti nga Vushtrria, Rexhep pasha nga Tetova, dhe Hrushit pasha nga Rumelia, të cilit ju bashkua edhe pasha i Shkupit, Mustafa Pasha nga Gjakova, Numan Pasha nga Peja, Ibrahim beu i Shkupit, Kara Fejziu nga Prizreni, dhe Jusuf beu nga Dibra. Siç shihet, këtu kemi luftë mes pashallarëve shqiptar, që i mbronin interesat e P. Osmane, dhe ortodoksëve shqiptar nën udhëheqjen e Karagjorgje Petrovicit, i cili në këtë kryengritje e kishte përkrahjen e Rusisë. 

Në vitin 1806 filloi lufta turko-ruse, që zgjati 6 vite. Kjo luftë përfundoi në vitin 1812, me marrëveshjen e arritur në traktatin e Bukureshtit. Sipas nenit 8 të këtij traktati serbëve ju njiheshin disa privilegje. 

Në vitin 1808, u propozua projekti për ndarjen e territoreve të Evropës jug-lindore, ndërmjet Rusisë, Francës dhe Austrisë.

Oto Dubislavi, një ushtarak nga familja e Habsburgëve, në vitin 1829, e kishte shkruar librin e tij, në të cilin shkruan disa të dhëna të rëndësishme, se si janë zhvilluar ngjarjet, në fillim të shekullit XIX, në trevat e Ballkanit qendror. 

Në vijim ofrojmë faksimile nga libri i tij, ku shkruan se 3000 ushtarë rusë në vitin 1911, luftonin përkrah Karagjorgjevicit, kundër ushtrisë osmane. Kujtojmë se edhe në kuadër të ushtrisë osmane, kryesisht ushtarët ishin shqiptar, andaj në këto luftime që zhvilloheshin në terren, viktima ishin shqiptarët duke luftuar mes veti, si ishte rasti i Gjergjit të Zi dhe Demë Ahmetit (nga folklori ynë burimor).

C:\Users\Pc\Desktop\#000 ruse 1811 ndihme serbeve.pngShih: faksimilen nga libri i Oto Dubislavit, ku shkruan se në vitin 1811, Rusia i kishte shti 3000 ushtar të luftojnë përkrah kryengritësve të Karagjorgje Petrovicit kundër ushtrisë osmane

Pas disfatës së Napoleon Bonapartës me 1814, me inicimin e Rusisë, u themelua Aleanca e Shenjtë, në kongresin e Vjenës 1815, ku qëllimi i saj ishte për ti shuar dhe kontrolluar lëvizjet e popujve për pavarësi që kishin filluar në Evropë. Në këtë kohë Turqisë ju krijuan kushte të volitshme, që ti shuajë pashallëqet shqiptare. 

Në vitin 1815, doli ne skenë Millosh Obrenoviqi, i cili i nxitur nga Rusia e vazhdoi kryengritjen. 

Në vitin 1815, si udhëheqës i kryengritësve ortodoks në vend të Karagjorgje Petroviqit, u caktua Millosh Obrenoviqi.

Më vitin 1817 duke e parë situatën e volitshme për të vazhduar me kryengritje në Beograd, Karagjorgje Petroviqi dhe 16 bashkëpunëtoret e tij vendosën që të kthehen nga Austria. Me të arritur në hyrje të Beogradit këta i ndali Millosh Obrenoviqi me grupin e tij. Pasi i kontrolluan, të gjithëve jua prenë kokën, dhe kokat e tyre ja dërgoi valiut, i cili i dërgojë si trofe në Stamboll te sulltani. Pas kësaj ngjarje Millosh Obrenoviqi fillojë që ti vrasë të gjithë përkrahësit e Karagjorgje Petroviqit dhe ta merr në dorë udhëheqjen e kryengritjes serbe.

Në vitin 1824 Milloshi shpërnguli një numër të madh të shqiptarëve nga Aleksinci.

Rusia e shfrytëzojë situatën dhe përveç priftërinjve tani dërgojë edhe mercenarë të armatosur për të luftuar, kundër ushtrisë së P. Osmane. Rusia e përkrahte edhe me ushtarë kryengritjen e Karagjorgje Petrovicit, me origjinë shqiptare i cili kishte filluar kryengritjen e armatosur kundër ushtrisë osmane, që po ashtu kryesisht ishin shqiptar të besimit islam. Në këto rrethana shqiptarët pasi që nuk kishin krijuar një unitet kombëtare fetar, vriteshin mes veti për interesa të fuqive të mëdha.

Pa dyshim se prapa këtij projekti, fuqishëm qëndronte Rusia, sepse kjo iniciativë ishte në përputhje të plotë me interesat e saj në gadishullin tonë.

Në klubin polak të Parisit, linden edhe idetë dhe projektet e para për fuqizimin e interesave ruse ne Gadishullin Ilirik. Në bazë të këtyre ideve filloi fushata për ndryshimin e toponimeve dhe zgjerimin e përhapjes së gjuhëve sllave në raport me gjuhët e grupeve tjera nacionale. 

Në vitin 1808, me propozim të gjermanëve emri i Gadishullit Ilirik, fillojë të quhet Gadishulli Ballkanik. 

Anëtarët e klubit pan sllavist polak që vepronin në Parisë, në fund të shekullit XVIII, hartuan edhe platformën për krijimin e një gjuhe sllave kishtare, shumë të thjeshtë dhe të lehtë, për tu mësuar, më qëllim që përmes klerikëve ortodoks të përhapet shpejt në mesin e ortodoksëve dhe të tjerëve që dëshironin për ta mësuar në Gadishullin Ilirik. Këtë gjuhë ata e quajtën “Gjuha serbe”, në mënyrë që kjo gjuhë të identifikohet me vonë si gjuhë e rajës së krishterë nën sundimin e P. Osmane.

Në fillim të shekullit XIX, përmes studentëve që shkolloheshin në shtetet evropiane, kjo gjuhë fillojë që merr formimin e një gjuhe të re, dhe të konsoliduar ashtu si u përhap gjuha italiane dhe ajo franceze gjatë shekullit XIX.

Për ta realizuar këtë projekt me sukses rusët e kishin zgjedhur Vuk Karagjicin, të cilin e financonin dhe e përdornin për të mbajtur lidhjet me Vjenën.

Njëri ndër studentët e Vjenës Vuk Karagjici, i cili njihej si i afërm me Karagjorgje Petrovicin, në vitin 1814 e botoi në qytetin e Vjenës Gramatiken serbe. Vuk Karagjici i cili ishte shkolluar në Universitetin e Vjenës, me përkrahjen e madhe që i kishte bërë Karagjorgje Petrovici, shumë shpejt bëhet edhe ithtar dhe zbatues i politikave ruse ne Evropën lindore. 

Duke i pasur parasysh këto burime të shkruara, mund të pohojmë se gjuha serbe është gjuhë e re, pa traditë dhe e krijuar nga Vuk Karagjici. Nga burimet e shkruara kuptojmë se Petar Petrovic Njegoshi, Vuk Karagjici dhe Simo Sarajlia, në fillim të shekullit XIX, e krijuan ndërgjegje jen kombëtare serbe, duke i asimiluar ortodoksët shqiptar dhe vlleh. Sarajlia më 28 qershor 1828. mbante korrespodencë nga Lajbcigu me Vuk Karagjicin, dhe Millosh Obrenovicin, ku në letrat e tij ai e përdori fjalën serbë. 

Fjala Serbi është inkorporuar në ndërgjegjen e Vuk Karagjiqit e  Njegoshit, të cilën e vazhdon Simo Sarajlia. Serbia edhe si fjalë edhe si ideologji nacionale politike, e klubit pan sllavist polak, dhe e shkollës sllaviste të Vjenës, të cilën fjalë e përhapi Sima Sarajlin në Cetinje, kur erdhi i pa ftuar në vitin 1827. 

Në vijim ofrojmë edhe dëshmi nga libri i  botuar në vitin 1829, nga Oto Dubislavi, anëtar i familjes së Habsburgëve.

Gjuha serbe, për kah zhvillimi i saj zyrtar, zë vendin në mesin e gjuhëve sllave, ashtu sikurse gjuha italiane që zë vendin në mesin e gjuhëve tjera romane. Ajo, është si gjuha italiane, dhe u krijua për poezi dhe këngë. Për sa i përket fjalëve dhe krijimit të saj, ajo ka më shumë ngjashmëri me gjuhën ruse, sesa me gjuhën polake, dhe në realitet, ajo tashmë ka të njëjtat shkronja dhe tinguj. Gramatika serbe është shumë më e lehtë se sa gramatika ruse, dhe tani mund të përdoret për të mësuar gjuhen serbe, që tani ndër gjuhët sllave, është gjuha më e lehtë për ta mësuar.

Filed Under: Ekonomi

ISMAIL QEMALI DHE ISA BOLETINI

December 2, 2023 by s p

(DHE NJË INTERVISTË E PANJOHUR E ISMAIL QEMALIT PËR GAZETËN “IL PICCOLO DELLA SERA”)

Nga Evarist Beqiri*

*Autor i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”

Kjo intervistë e Ismail Qemalit publikohet për herë të parë në Shqipëri. Intervista është realizuar për gazetën italiane “IL PICCOLO DELLA SERA”, Trieste, më 19 qershor 1914. Ismail Qemali flet nga Brindisi, pak para rikthimit të tij në Shqipëri. Pas dorëheqjes nga drejtimi i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, në janar 1914, ai u largua për pak muaj jashtë Shqipërisë, për t’u rikthyer sërish në qershor 1914, për t’u përballur sërish me situatën jashtëzakonshme ku gjendej vendi.

Në këtë intervistë Ismail Qemali flet për gjendjen e vështirë në të cilën gjendej Shqipëria dhe në mënyrë figurative dhe kuptimplotë shprehet se: “Kush ndjell erën, nuk mund të pres veçse furtunën.” Ai thotë se, “unë që e kam përballuar rrezikun me shpirtin e qetë dhe jam urryer nga Turqia, si edhe për të mirën e atdheut, nuk pranova kryesimin e qeverisë, u akuzova si bashkëpunëtor i xhonturqve në Shqipëri. Akuzë më qesharake dhe më të pabazë nuk mund të gjesh.”

Ismail Qemali vijon më tej intervistën duke analizuar shkaqet e anarkisë në të cilën gjendej vendi, pas veprimeve të KNK-së, Princ Vidit, Esat Toptanit dhe zhvillimit të lëvizjes dumbabiste: “Shqipëria e kishte një qeveri. Nuk e deshën, por preferuan t’ia linin në dorë atyre që duan ta zhvasin dhe të kënaqin ambiciet e tyre të shfrenuara. Koha është mësuesi më i mirë dhe i tregon njerëzit. Rikthehem në Vlorën time me shpirtin e qetë, sepse kam punuar përherë për të mirën e vendit tim. Shpifjet që më kanë prekur, nuk e kanë dëmtuar dot nderin tim, të cilin do ta ruaj të paprekur deri në vdekje.”

Në saj të karakterit të tij të fortë, integriteti i Ismail Qemalit mbeti kurdoherë i pacenueshëm. Ismail Qemali me gjithë fuqinë e shpirtit të tij fisnik, nuk rreshti asnjë ditë së punuari për Shqipërinë. Ai ishte shpëtimtari i Shqipërisë në momentin më vendimtar të historisë së saj. Ai ishte lloji i liderit, që atë që thoshte e kishte gjithmonë të bashkërenduara me atë që bënte. Ky ka qenë perceptimi i djeshëm, ky është perceptimi i sotshëm dhe ky do të vazhdojë të jetë edhe perceptimi i nesërm i udhëheqjes së Ismail Qemalit. Ja si e kujton, Tafil Boletini, nip i Isa Boletinit dhe bashkëpunëtor i tij i ngushtë: “Ismail Qemali axhën Isa e ka dashtë shumë dhe ia kishte besimin, por edhe ky i ka qendrue besnik deri në fund duke e vlerësuar si faktorin kryesor që e shpëtoi Shqipninë në momentin ma kritik. Kurse të tjerëve, që ma vonë byrykateshin për pozita, në atë kohë nuk iu ra ndërmend nji gja e tillë si ngritja e flamurit…

Ismail Qemali, me falenderime e lavdëroi axhën Isa për ndihmën që ka pasë në lamën politike prej luftave të tij të pakëputuna dhe i propozoi postin e ministrit të Luftës. Po axha Isa tha: “Jo, nuk asht ai vend për mua, pse edhe ktu e mrapa kam shumë detyra” dhe ia rekomandoi Mehmet pashë Dërallën…”

Tafil Boletini dëshmon se: “Ismail Qemali ishte jo vetëm diplomat, po edhe trim. Si pa gja të keqe thoshte, “kushdo që të na sulmojë na në kala të Kaninës do të vdesim”.”

Isa Boletini, Bajram Curri etj., ishin emisarët e fshehtë të Qeverisë së Vlorës, sepse në ato momente nuk ishte e volitshme angazhimi zyrtar i shtetit të ri shqiptar në organizimin e kryengritjes. Prandaj në fshehtësi ata së bashku me muhaxhirët kosovarë që ishin mbledhur në Vlorë, ishin duke organizuar lëvizjen çlirimtare në krahinat shqiptare të pushtuara nga serbët e malazezët.

Një tjetër moment domethënës, i cili shpalos udhëheqjen dhe karakterin burrëror të këtyre shqiptarëve të mëdhenj, është mënyra sesi Ismail Qemali dhe Isa Boletini, e pritën vizitën propagandistike të Sulltanit në Kosovë në vitin 1911. Kjo vizite synonte paqtimin e shqiptarëve pas reprezaljeve të dhunshme që turqit kishin kryer ndaj shqiptarëve kryengritës.

Xhonturqit menduan të ndryshonin taktikë me shqiptarët dhe të shfrytëzonin rastin e realizimit të vizitës së sulltanit plak Mehmet Reshatit V në Shqipëri. Në delegacionin që do të shoqëronte sulltanin, ata menduan të përfshinin Ismail Qemalin dhe disa deputetë të tjerë shqiptarë. Por, Ismail Qemali e refuzoi kategorikisht pjesëmarrjen në një delegacion të tillë dhe e denoncoi këtë udhëtim në opinionin publik si qesharak dhe të padobishëm.

Tafil Boletini shkruan se, “në verën e 1911, Sulltani do mbërrinte në Kosovë në tyrben e Sulltan Muratit. Ceremonia ishte edhe një propagandë e madhe për të gjithë ata që ende besonin në Perandorinë Osmane. Isa Boletini ishte ndër të parët në listën e atyre që do prisnin “Hazretin”, porse ai refuzoi.” Si pasojë e qëndrimit të palëkundur të këtyre dy burrave, vizita e Sulltanit në qershor të vitit 1911, u shoqërua me ftohtësi dhe nuk i përmbushi synimet demagogjike të xhonturqve.

Porta e Lartë ndiqte taktikën e shkopit dhe karotës, duke tentuar hera-herës që t’i joshte me poste dhe privilegje shqiptarët e shquar. Megjithatë zonat malore të Shqipërisë nuk iu nënshtruan kurrë ligjit islamik (sharia) dhe vijuan të zbatonin kodin e tyre zakonor. Tafili Boletini kujton se, “Hasan Prishtina në qershorin e vitit 1909, mbërrin në Mitrovicë, si i dërguar i posaçëm i Hysen Hilmi Pashës, Kryeministër i kohës. Hasan Prishtina, në emër të Stambollit, i premtoi Isës shpërblime dhe paqe nëse ky do të hiqte dorë nga kryengritjet e tij të herëpashershme. Baca refuzoi.” Ismail Qemali dhe Isa Boletini do ta vazhdonin betejën e tyre për Shqipërinë deri ditën që mbyllën sytë.

Ismail Qemali gjatë qëndrimit të tij në Francë, ku u vendos pas largimit nga Italia në prill të 1915, refuzoi një kërkesë të qeverisë franceze për të përfshirë territorin shqiptar në luftë, të cilën ia paraqiti burrështetasi i shquar francez Aristid Briand (11 herë kryeministër i Francës) dhe disa parlamentar të tjerë francez. Në një koktej të shtruar për nder të tij në vitin 1916, ata i kërkuan atij ndihmë për të përdorur territorin e Jugut të Shqipërisë, si mbështetje logjistike në ndërmarrjen e një aksioni të madh të aleatëve në Luftën e Parë Botërore.

Pas këtij refuzimi, Ismail Qemali, u detyrua të largohej nga Franca, së bashku me familjen e tij. Në maj 1918, ai u nis nga Parisi për në Barcelonë. Ndërkohë, qeveria italiane nuk e lejonte të kthehej në Itali ose të shkonte në Zvicër, sepse i ruheshin influencës së tij në komunitetin shqiptar aty. Kështu që ai shkoi në Spanjë, për të komunikuar më me lehtësi nëpërmjet ambasadës amerikane në Madrid, me shqiptarët e Amerikës, që e kishin caktuar ndërkohë si përfaqësues të tyre në Konferencën e Paqes që pritej të mblidhej në Paris. Më 20 dhjetor 1918, ai vjen nga Barcelona në Xhenova dhe niset drejt Peruxhias, për të koordinuar me qeverinë italiane strategjinë e tij të mbrojtjes së çështjes shqiptare në Konferencën e Parisit. Aty, ai do të mbyllte sytë me brengën e tij të madhe për fatin e Shqipërisë…

Ismail Qemali ishte kurdoherë i gatshëm për të mbajtur qëndrimin e duhur kundrejt së mirës dhe së keqes. Ai ishte i përgatitur për të sakrifikuar interesin vetjak dhe për të vuajtur pasojat që vinin nga mbajtja e qëndrimit të drejtë dhe të palëkundur. Ai i mbronte kurdoherë të dobëtit dhe të braktisurit që përballeshin me padrejtësi. Ai bënte atë që thoshte. Dhe nuk kishte asnjë forcë në tokë që mund t’a trembte.

Ka kategorizime të ndryshme për politikanët. Ka njerëz që mbahen mend si udhëheqës të mëdhenj, si burrështetas. Por, ka edhe të tjerë që shkojnë përtej këtyre kategorizimeve dhe populli iu hedh mbi krye petkun e profetit. Kjo për shkak të trashëgimisë së tyre sublime. Ismail Qemali hynte tek kategorizimi i fundit, të cilin e ka shprehur madhërisht në vargjet e tij kushtuar Ismail Qemalit, poeti i madh Ali Asllani:

“Ish Profit dhe mbet Profit;

Dhe qëndron ashtu si ishë;

Do mbaj emrin si e kishë;

Emr’i tija i vërtetë;

Esht Nëntor njëzet’ e tetë.”

Filed Under: Reportazh

DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË

December 2, 2023 by s p

(Në përvjetorin e lindjes)- “Nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte hallet e Kombit shqiptar dhe të drejtat e tij”, Presidenti Bill Clinton.

Frank Shkreli

Shpesh ndodh në historinë e kombeve – të mëdha e të vogla – që në rrethana e situata të caktuara, nga gjiri i një kombi dalin individë të cilët, me idetë e tyre, ringjallin dhe ndryshojnë jetën dhe historinë e kombit të vet. Unë besoj se i tillë ishte Dr Ibrahim Rugova, për shqiptarët. A thua është e rastit a po një mister hyjnor që çerek fundin e shekullit të kaluar, Dr. Rugova u bë zëdhënsi i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe i mbarë Kombit shqiptar në periudhën post-komuniste. Individë të një kombi si Ibrahim Rugova, shpeshëherë dënohen prej fatit për të pësuar nga vet bashkatdhetarët e tyre, keqkuptim, kritika, vuajtje dhe në përgjithësi, mos-mirënjohje për kontributin e dhënë për të mirën e përbashkët. Në histsorinë e shqiptarëve, për fat të keq, mos njohja e meritave për njerëz të caktuar të historisë, nuk është gjë e re. Thuhet se as Gjergj Kastriotin -Skenderbe nuk e kuptuan aq mirë bashkohasit e tij.

Kam drojë se ky fat po ndjekë edhe Presidentin historik të Dardanisë, Dr Ibrahim Rugovën edhe pas kalimit të tij në amshim, megjithë kontributet e tija të shumta në historinë e re të Republikës së Kosovës dhe të Kombit shqiptar në përgjithësi, sidomos, në ndërkombëtarizimin e “çeshtjes së Kosovës” dhe mundësive që ai krijoi për lirinë dhe pavarësinë, që gëzon sot Republika e Kosovës, duke bërë miqë për shqiptarët anë e mbanë botës, por veçanërisht Shtetet e bashskuara dhe demokracitë perëndimore..

Po e kujtoj sot Dr Ibrahim Rugovën, në ditëlindjen e tij, jo për të thënë ndonjë gjë të re për Presidentin historik të Dardanisë, pasi gjatë viteve kam shkruar dyzina artikujsh për veprimtarinë e Dr. Rugovës dhe për lidhjet e tija të veçanta me Shtetet e Bashkuara, por thjesht, po e kujtoj, shkurtimisht, për të mos e harruar!

Po kujtoj vizitën e parë të Dr. Rugovës në Shtetet e Bashkuara në vjeshtë të vitit 1989, një vizitë që sipas disave, ndryshoi jetën e tij personale dhe historinë e Kosovës. Ishte një vizitë, që sipas vërejtësve të ngjarjeve të asaj kohe, hapi rrugën për vizita të shumta që ai bëri më vonë në Washington, me qëllim për të mbajtur në qendër të vëmendjes amerikane çështjen e Kosovës, pasi ishte i vetëdijshëm se në qoftë se Kosova do të zhdukej nga vëmendja politike dhe diplomatike e Shteteve të Bashkuara, siç ishte deri në atë kohë, vaj medet për popullin shqiptar të Kosovës. Nga këndvështrimi i sotëm, mund të thuhet se Dr. Ibrahim Rugova u kthye në Kosovë nga vizita e tij e parë në Shtetet e Bashkuara Tetorin e vitit 1989, me një frymëzim dhe me një ndjenjë dhe pse jo me një angazhim personal dhe patriotik për të kontribuar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, në cilindo nivel që ta hidhte fati. Pak pas kthimit të tij në Kosovë nga vizita në Washington ai zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në këtë detyrë ai siguroi një platformë legjitime nga e cila do të shpjegonte situatën ashtu siç ishte në Kosovë dhe nga pikëpamja historike shqiptare. Do të fliste dhe do të mbronte të drejtat e shqiptarëve në mënyrën e tij të qetë, por bindëse, me bashkëbiseduesit e tij në nivelet më të larta politike dhe diplomatike kombëtare dhe ndërkombëtare. Sidomos nga miqtë e kombit shqiptar, Dr. Rugova shikohej si një zëdhënës i denjë dhe mbrojtës i besueshëm i interesave të shqiptarëve. Zëri i tij dëgjohej dhe respektohej. Me këdo takohej, bënte miq për veten dhe për kauzën e të drejtave të shqiptarëve. Ai nuk kishte një personalitet kërcënues dhe i shpjegonte gjërat me fakte. Ish-presidenti amerikan Bill Klinton, protagonisti kryesor i fushatës për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga terrori i Serbisë, ka pohuar se, “Si askush tjetër, Dr. Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare nga pikëpamja historike dhe njerëzore”. “Nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tij”, ka thënë Presidenti Klinton. Ndërsa, Presidenti George W. Bush e ka kujtuar Presidentin Rugova me rastin e vdekjes, duke thënë se “Shtetet e Bashkuara humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qëndrimet e tij kundër dhunës”.

Për më tepër, Dr. Ibrahim Rugova, si askush më parë ose më vonë, fitoi besimin dhe mbështetjen e pa kushte të komunitetit shqiptaro-amerikan. Pothuaj pa dallim feje krahinash dhe pa marrë parasysh bindjet politike. Si rrjedhim mobilizoi shqiptaro-amerikanët që të shëndërroheshin në një lëvizje lobuese të fortë e historike – e pa parë deri atëherë – në përpjekjet ushtarake dhe diplomatike për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Një lëvizje kjo e papërsëritëshme deri më sot dhe nuk besoj se do përsëritet më, në historinë e këtij komuniteti – të pakën siç duken punët sot.

Kjo lëvizje e fuqishme lobuese është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së Presidentit Rugova që e ka zanafillën në atë vizitë të vitit 1989, i ftuar në Amerikë nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork, së bashku me akademikë të shquar shqiptarë nga trojet shqiptare, për të marrë pjesë në seminarin për Imzot Pjetër Bogdanin.

Dr. Rugova ishte i bindur se për Kombin shqiptar nuk kishte rrugë tjetër, përveç radhitjes së tij, ndershmërisht, me të drejta dhe me përgjegjësi të plota, përkrah kombeve të përparuara të Perëndimit dhe përfundimisht, si pjesë e pandarë e organizmave Euro-Atlantike. Për të arritur këtë objektiv, ai ishte i bindur se shqiptarët kishin nevojë për të bërë miq dhe mbështetës të tyre në nivel ndërkombëtar. Ai siguroi përkrahjen e Perëndimit, e sidomos të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, për në rrugën e bashkimit dhe të integrimit të Kombit shqiptar në organizmat euroatlantike me vendet perëndimore. Ai e kishte bërë të qartë prej fillimit se ku do të mbështetej më shumë, duke thekësuar shpeshëherë “miqësinë e përhershme midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan”.

Ndryshe nga klasa politike post-komuniste shqiptare, Presidenti Ibrahim Rugova ishte i vetëdijshëm për dëmet që regjimi komunist i kishte sjellë gjatë dekadave imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në radhët e miqve të vjetër të Kombit shqipta, si Shtetet e Bashkuara. Dhe për të siguruar mbështetjen e miqve të Kombit shqiptar si Shtetet e Bashkuara, ai besonte se me shembjen e komunizmit, Kombi shqiptar duhej të ndërtonte baza të reja dhe të forta të ekzistencës së tij në shekullin XXI, mbi vlerat dhe në themelet e trashëgimisë shpirtërore, historike dhe patriotike të rilindësve të vërtetë shqiptarëve.

Ishin këto karakteristike, cilësi, parime por edhe kultura e tij njerëzore plotë urtësi e modesti, të gërshetuara me vlerat më të mira të Kombit shqiptar, ato vlera që më në fund, e ndihmuan Dr Rugovën që të bënte miq për Kombin shqiptar dhe të sensibilizonte botën në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi në trojet autoktone në Ballkanin Perëndimor, ku kanë jetuar me shekuj.

Në këtë përvjetor të lindjes, Dr Ibrahim Rugova duhet të kujtohet gjithashtu, jo vetëm për miqtë e shumtë që i bëri Kosovës dhe shqiptarëve, anë e mbanë botës, por edhe për shembullin e tij si njeri dhe si udhëheqës shqiptar i kohërave moderne, i cili mbi të gjitha, besonte se dashuria për Kombin dhe mbrojtja e interesave kombëtare dëshmohet para botës, duhet të jenë në përputhje me ruajtjen e nderit personal dhe emrit të mirë shqiptar, në botë.

Frank Shkreli

Filed Under: Emigracion

Përkujtojmë 114-vjetorin e çeljes të së parës shkolle kombëtare pedagogjike në Shqipëri

December 2, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Shkolla Normale e Elbasanit është e para shkollë kombëtare pedagogjike në Shqipëri e themeluar më 1 dhjetor të vitit 1909, në bazë të vendimeve të Kongresit Kombëtar i mbajtur më 2-8 shtator 1909, në Elbasan. Shkolla Normale e Elbasanit, gjatë vitit akademik 1909-1910 numëronte 160 nxënës të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Drejtori i parë i saj u caktua z. Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Simon Shuteriqi, Kristo Dako, Hafiz Ibrahim Dalliu, Ahmet Gashi, Mahir Domi, Salih Çeka, Eqrem Çabej, Thanas Floqi etj. Historia e Normales së Elbasanit është e lidhur ngushtë me zhvillimet politike në Shqipëri. Ajo u mbyll gjatë vitit 1912 dhe u çel pas luftrave Ballkanike, më 1913-1914, në kohën e Qeverisë së Vlorës dhe të Princ Vidit. Ajo u mbyll përsëri gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u hap në vitin 1921. Nga viti 1921 ajo funksionoi rregullisht deri në vitin 1943, kur një numër i madh nxënësish i braktisën bankat e shkollës për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga rradhët e normalistëve të Elbasanit ranë 63 dëshmorë.

Filed Under: Histori

SHKOLLA SHQIPE “ABC ALBANIAN COMMUNITY SCHOOL”, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE TË ANGLISË

December 2, 2023 by s p

Juliana Shalla, drejtuese e shkollës shqipe në Walthamstow, Angli, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Walthamstow, Angli, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Juliana Shalla bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

NJË SHKOLLË SHQIPE QË PREMTON SHUMË

Shkolla shqipe Abc Albanian Community school ka filluar vitin e kaluar më 5 nëntor 2022. Gjithcka nisi falë aktiviteteve kulturore, Community Talent show, Albanian Artists of Diaspora, Multicultural events, që kemi organizuar që nga viti 2018 deri tani dhe si rrjedhojë e kësaj hapëm dhe shkollën shqipe për të përgatitur fëmijët për festat e ardhshme ku marrin pjesë për të përfaqësuar Shqipërinë. Mësimi gjuhës shqipe është çdo ditë të shtunë ora 11-1 pm të drekës dhe ka grup mosha të ndryshme, mësojmë gjuhën shqipe dhe vallet autentike shqiptare. Ajo që na motivon më shumë janë femijet që kanë prindër të huaj dhe sa shumë dëshirë kanë që të mësojnë gjuhën dhe traditat shqiptare dhe jemi shumë të lumtur për interesimin e tyre dhe gjithashtu dhe fëmijët me prindërit shqiptare që jua ushqejnë fëmijëve gjuhën dhe traditat shqiptare.

ABC ALBANIAN COMMUNITY SCHOOL OFRON PËR FËMIJËT SHQIPTARË

Edukim të plotë të gjuhës dhe kulturës shqiptare për fëmijët.

Klasa shqipe në shkollen tone për të gjithë femijët shqiptare, ku përfshihet mesimdhënia e gjuhës shqipe dhe aktivitete kulturore.

Ofrojmë aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore për fëmijët me qëllim që të krijojnë dashuri për vendin dhe kulturën e tyre si vallet tradicionale shqiptare.

Organizojmë aktivitete kulturore për të festuar festat kombëtare dhe te behemi pjese e aktiviteteve në komunitete ndryshme.

Një ndër arritjet tona është që jemi pjesë e eventeve kulturore në Komunën Walthamstow dhe përfaqësojmë Shqipërinë!

KURRIKULA MËSIMORE

Ne përdorim si kurrikulë mësimore programet që na ka ofruar Ambasada Shqiptare në Londër dhe punojmë me librat e tyre. Bashkëpunimi me prindërit është çelësi i suksesit pasi ato i shtyjnë fëmijët të vijnë dhe të mësojnë gjuhën shqipe pra ato e marrin këtë interesim që nga prinderit për ruajtjen e gjuhës e kulturës identitare shqiptare.

GJUHA SHQIPE RUAN IDENTITETIN SHQIPTAR

Mësimi i gjuhës shqipe është padyshim një formë e ruajtes së identitetit kombëtar. Është synimi ynë kryesorë dhe ne po e trashëgojmë tek fëmijët në çdo mënyrë, në trashëgiminë e kulturës, traditave, veshjeve kombëtare dhe gjëja më e bukur është kur e shoh edhe tek im bir Enea, i cili ndihet shumë krenar kur e pyes nga je dhe përgjigja e tij është jam nga Shqipëria, bën shqiponjën me duar dhe shoh një krenari në sytë e tij.

ANGLEZËT PËRKRAHIN MËSIMIN SHQIP

Shoqëria angleze është shumë motivuese dhe na përkrahin shumë kur shohin iniciativa të tilla dhe tani që jemi pjesë në listën e komuniteteve sapo ka ndonjë festë na bëjnë ftesë për të marrë pjesë komuniteti Shqiptare pasi në shume festa kemi marre shume vlersime dhe tashme per vitin e dyte rradhas jemi vlersuar si krenaria e komunitetit e qytetit Walthamstow. Mesimdhenia ka veshtiresite e saj por mesimi behet në dy gjuhet per arsye qe dhe femijet ta kene sa me te lehte dhe te marrin mbeshtetjen e duhur nga mesuesja.

GJUHA SHQIPE DHE RRITJA E NDJENJËS PATRIOTIKE

Efekti i gjuhës shqipe qe ka pasur tek femijet në rritjen e ndjenjes patriotike duket qartë tashmë. Çdo te shtune qe vijne femijet në shkolle i shohim qe zene shoqeri me bashkekombasit e tyre, disa prej femijeve kane krijuar shume lidhje te ngushta me shoket dhe shoqet saqe kur mungon ndonjeri pyesin ku eshte shoku im apo shoqa ime? Dhe kjo eshte shum gje pozitive pasi eshte ushqyer ai afrimitet mes femijeve Shqiptare.

AKTIVITETET DHE ZBULIMI I TALENTEVE

Kemi zhvilluar shumë evente ndër vite, një ndër të parët ka qenë në vitin 2018 me zbulimin e talenteve shqiptare:

✅”Albanian Talent show Uk”, 2018

Pastaj u pasua me:

✅”Albanian Future Stars”, 2019

✅International Golden Stars2020

✅Community Talent show, 2019

✅ Albanian Folk Fest 2019

✅Fashion Show Gala 2022

✅Multicultural event 2022

✅Albanian Professional & Students event 2023

KUSH ËSHTË MËSUESE JULIANA SHALLA?

Juliana Shalla, konsulente edukimi, me origjinë nga Librazhdi dhe me banim rreth 8 vite në Angli. Nënë e nje djali 7 vjeç e cila prej tij edhe gjen motivimin per te marre hapa te medha por edhe te veshtira. Ka mbaruar shkollën 8-vjeçare dhe shkollën e mesme “Polis” në Mirakë-Librazhd. Ka mbaruar unversitetin për gjuhë angleze në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan. Ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme ndërkombëtare për zhvillimin personal. Që prej vitit 2010 deri në 2015 ka punuar si mësuese anglishtje ne Shqipëri. Prej vitit 2015 deri në 2020 ka punuar si mësuese anglishte dhe me përkthime në Londër. Prej 2020 deri tani punon në një agjensi për rregjistrimin e studentave në unversitete dhe kolegje në Angli. Angazhimet e saj janë të shumta duke qenë e përfshirë në sektore të ndryshme në dobi të komunitetit Shqiptarë, duke i ndihmuar me udhëzimin për edukimin dhe punësimin. Është përfaqësuese e komunitetit shqiptar në zonën e Walthamstow në Waltham Forest Connecting Communities. Rreth 2 vite është drejtuese e një shkolle shqipe në zonën Walthamstow ABC ALBANIAN COMMUNITY SCHOOL. Që prej muajit prill 2022 e deri tani është pjesë e platformës Waltham Forest Women Networking dhe përfaqson gratë shqiptare! Është përfaqësuese e studentëve Shqiptarë në disa universitete të ndryshme. Se fundmi është drejtuese e JEI Education & Work services e cila është një kompani rekrutimi për studime dhe punësim në Angli në profilet: si infermjer, punonjës social, mësues, kamarier, në ndërtim dhe për kujdesin për të moshuarit.

Filed Under: Opinion Tagged With: juliana shalla, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1466
  • 1467
  • 1468
  • 1469
  • 1470
  • …
  • 2960
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT