• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kthimi i Papa Albanit në token Amë

September 2, 2023 by s p

Dom Nikë Ukgjini/

Më rastin e 320 vjetorit të Kuvendit të Arbrit në Merqi të Lezhës, vendoset shtatorja e Gjon Françesk Albanit, Papa Klementi XI.

Festa e martirizimit të Shën Gjon Pagëzuesit, (29 gusht), në Kishën e Mërqisë, dioqeza Lezhë, këtë vit u kremtua si e jashtëzakonshme në historinë e saj.

Puna e filluar që në muajin Maj të vitit 2022, për rehabilitimin, restaurimin e kryerjen e disa punimeve shtesë në Kishën e Kuvendit të Arbrit dhe ambientin për rreth, kulmoj më bekimin e shtatores prej guri, të Papa Klementit XI, Albanit, të vendosur në pjesën e presbiterit të kësaj Kishe. Ngritja shtatores pikërisht në vendin ku u mbajt 320 vite më parë Kuvendi i Arbrit, është tashme një fjetje e qetë dhe prehje në paqe e shpirtit të tij. Qenësia e papa Albanit pas 302, viteve të kalimit në amshim, në këtë formë u kthye në tokën amë.

Mesha u bashkëcelebrua nga zv. famullitari i Mërqisë, Atë Farid Coronel, që udhoqi meshën si dhe Dom Martin Jaku dhe Dom Nikë Ukgjini. Dom Nika mbajti predikimin e rastit për Shën Gjonin, i cili thërriste popullin që të bëjnë pendës për mëkatet e tyre e të kthehen të besimi në Zotin. Në predikim u fol edhe vlerat e Kuvendit të Arbrit, si një zë i Shën Gjonit në shkretëtirë, që na fton në zgjimin e kujtesës sonë si një domosdoshmëri, për ruajtjen e fes katolike, gjuhës, kulturës që janë elementet kryesore për mbajtjen gjallë të identitetin tonë kombëtar. Në fund të meshës u bë bekimi i shtatores së Papa Albani, të autorit Sadik Spahia, realizuar në gur nga firma Jushi e financuar nga Ilir Vatë Big, banues në New York.

Më rastin e kësaj ngjarje, kanë ardhur përgëzime nga Ipeshkvi i Lezhës, Mons. Ottavio Vitale, më letrën e dt. 29. 08. 2023, dhe më parë edhe nga Nunci Apostolik në Tiranë, Mons. Luigi Bonazzi, cili edhe pse gjendej më pushime verore, është shprehur “Jam shumë i lumtur Dom Nika,” dhe paralajmëron vizitë të shpejt në Mërqi.

Më vendosjen shtatores e Papa Klementit (Albanit ) e para shtatore e këtij Pape me origjinë Arbërore, u përmbushë ëndrra ime shumë vjeçare, për rehabilitimin e këtij objekti kishtare, me karakter të fort historik e kombëtar, ku më 14-15 janar të vitit 1703, me urdhrin e Papa Albanit, delegati i tij Vinçenc Zmajevichu duke i bashkuar të gjithë ipeshkvijtë e trevave Arbërore, mbajti Kuvendin e Arbrit.

Shqipëria dhe shqiptarët me Papa Klementi XI i lidh një traditë e hershme dhe e devotshme katolike. Familja urbinate Albani, e ka prejardhjen nga Mëhil Laci, banues në Laç të Kurbinit. Dy djemtë Gjergji dhe Filipi si bashkëluftuar të Skënderbeut, do kenë emigruar në Urbino të Italisë, pas vdekjes së Skënderbeut. Pikërisht në ketë qytet, u lind Gjon Françesk Albani, më 23 korrik 1649 dhe vdiq 19 mars 1721, në Romë. Gjon Françesk, Albani, studio teologji e jurisprudence në kolegjin Urbaniano të Romës. Ai si djaloç i ri, ishte dallua si talent i jashtëzakonshme dhe për ketë arsye, që në moshën 21 vjeçare behët kanonik i Kishës së Shën Lorencit e më pas Bazilikës së Vatikanit. Më 1690 shpallet kardinal nga Papa Aleksandri VIII. Gjenialiteti i tij Arbërorë, shihet, kur ai, pa e pasur ende urdhrin e meshtarisë e as të ipeshkvit, më 23 nëntor 1700 u zgjodh për tu ulur në selinë Papnore. Në mënyre shumë të për shpëtuar, disa ditë më vonë u shuguruar meshtar e më 30 nëntor u shugurua ipeshkëv dhe më 8 dhjetor 1700 që kurorëzua për papë, duke e marrë emrin Papa Klementi XI, me nofkën Albani. Gjatë pushtetit të tij si Papë (1700-1721), në vendbanimet arbëreshe në Itali u hapën shkolla e kolegje shqipe. Si person i pasionuar për histori që në rini, tregon fakti së dokumentet të mbledhur që më parë, mbi origjinën e vjetërsinë e Ilirisë, ia u kishte dhënë jezuitëve, D. Farlati dhe F. Riçeputi, madje duke i nxitur e financuar, botimin e tyre më titullin, Illyricum Sacrum, në tetë vëllime, studim i historisë, kulturës, demografisë, dhe gjendjes së fesë), të hedhura në mbi 5000 faqe të ndara në tetë vëllime – një nga burimet kryesore në fushën e albanologjisë.

Kisha në brendësin e saj ka, dritaret vitratë të stilit klasik, me imazhe shenjtërish mbrojtës të (Arqi) dioqezave pjesëmarrës në Kuvendin e Arbrit, nga Shkupi e Tivari e dioqezat në Shqipëri. Pastaj në altar të ri e në dritaren e rrozet, janë paraqitur disa simbole të botuar në librin shqip të vitit 1706, të Kuvendit te Arbrit.

Edhe një monument tjetër i rëndësishëm iu shtua Kishës së Shën Gjonit të Kuvendit të Arbrit. Në oborrin e saj, një pllakë e madhe guri me simbolin e Kuvendit të Arbrit ku simbolizohet, pushteti i Papa Albanit dhe orenditë për Celebrimin e Meshës së Shenjte në kushtet e pushtimit turk të trevave Arbënore, punuar nga skulptori i ri, Ervis Gjini, e dhuruar nga firma e gurit dhe e mermerëve “Kovaçi” në Lezhë.

Sipas arkitektit, Aleksander Jushi; inxhinierit, Sokol Gazulli; piktorit Vasil Diamanti e skulptorit prof..Sadik Spahia, gradualisht po plotësohet restaurimi i plotë si dhe plotësimi me vepra të tjera arti. Në proces pune është edhe një shtatore tjetër e cila do të vendoset brenda kishës, ajo e delegatit papnor, Imzot Vinçenc Zmajevichut (Dragoi) i cili në edhe në cilësinë e kryeipeshkvit të Tivarit, në vitin 1702, shkeli pëllëmbë për pëllëmbë trevat arbërore, dhe vendosi e udhëhoqi Kuvendin e lavdishëm të Arbrit.

Pasi që punimet e deri tanishme janë financuar më fonde private, pritet nga ana e Bashkisë, Lezhë dhe restaurimi i shtëpisë së Kuvendit të Arbrit e ngritur që në vitit 1668, nga Imzot Gjergj Vlladanji e cilësuar si më e bukura në Arbëri.

Filed Under: Opinion

5 vjetori i Monarkisë Shqiptare – VATRA dhe DIELLI urojnë mbretin Zog

September 1, 2023 by s p

5 vjetori i Monarkisë Shqiptare. VATRA dhe DIELLI urojnë mbretin Zog. Editori i Diellit Refat Gurrazezi e quan Mbretin Zog: Burrë gjenial, me vullnet të hekurt dhe zemërflori. Monarkia sipas Gurrazezit është faqe e bardhë për Shqipërinë e cila nën drejtimin e Mbretit Zog ishte në rrugën e rregullsisë, qetësisë e përparimit kombëtar.

Filed Under: Politike

Globi 

September 1, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Kolombi e pati shumë të vështirë për të marrë fonde për ekspeditat e tij në Azi, për arsye se të gjithë mendonin se bota ishte e sheshtë. Kjo nuk është pjesë e ndonjë teorie konspirative. Është e vërtetë se, për pjesën më të madhe të ekzistencës, njerëzit kanë besuar se Toka ishte e sheshtë. Por nga shekulli V p.e.s., kjo pikëpamje filloi të sfidohej. Një valë kërkimesh shkencore dhe racionalizmi përfshiu Greqinë e lashtë gjatë asaj periudhe, duke bërë që shumë njerëz të ditur të arrinin në përfundimin se Toka kishte formën e objekteve qiellore. Gjatë shekullit të dytë të erës sonë, Ptolemeu prodhoi hartën e parë që e tregonte botën si një sferë. 

Megjithëse hartës së Ptolemeut i mungonin Amerika dhe Australia, ajo ishte e para që përfshinte gjatësinë dhe gjerësinë gjeografike. Për më tepër, ai llogariti me saktësi se kishte kontinente të tjera të panjohura – terra incognita. Njohuria për hartat e Ptolemeut skadoi gjatë epokës së errët në Evropë, por u rishfaq në fillim të shekullit XV gjatë Rilindjes Evropiane – hartat u përkthyen nga greqishtja origjinale në latinisht. Rilindja përkoi me Epokën e Eksplorimit. Në kohën kur Christopher Columbus bëri udhëtimin e tij të parë në Amerikë në 1492, hartat e Ptolemeut ishin të njohura midis fisnikëve dhe eksploruesve të Evropës. 

Erd-apfel (gjermanisht ‘tokë-mollë’) është një rruzull i prodhuar nga Martin Behaim nga viti 1490 deri në 1492. Erdapfel është globi më i vjetër tokësor i mbijetuar. Ai është i ndërtuar nga një top liri i laminuar në dy gjysma, i përforcuar me dru dhe i veshur me një hartë të pikturuar në gurë nga Georg Glockendon. Lashtësia e këtij globi dhe viti i ekzekutimit të tij, në prag të zbulimit të Amerikës, e bën atë jo vetëm globin më të vjetër të mbijetuar, por edhe përfaqëson një enciklopedi të njohurive evropiane për botën e njohur në 1492. 

Analizat e përfitimit dhe kostos janë ato që në fakt e penguan Colombin të mos merrte fonde nga portugezët dhe anglezët; ata thjesht besonin se një ekspeditë në Azi përtej Atlantikut do të kushtonte më shumë se çdo lloj fitimi që mund të kishin nga ky investim. Por shpejt e panë se gabuan. Kështu filloi gara e eksplorimit; me portugezët në jug, anglezët në veri, dhe spanjollët në pjesën qëndrore të kontinentit të ri.   

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Astrit Lulushi

Kalendar-Në Kosovë para 32 viteve Shqiptarëve edhe shkollat ua mbylli Serbia okupatore

September 1, 2023 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 1 Shtator 2023/ Në Kosovë para 32 viteve shqiptarëve edhe shkollat ua mbylli e ndaloi Serbia okupatore.      

 Gazeta e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga pushteti okupues serb të gazetës së vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja, para 32 viteve – në numrin e 3 Shtatorit 1991 në ballinë në kryetitull shkruante se “Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë”, ku theksonte: “Për nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë shumëkund dyert e shkollave ishin të mbyllura.-Në shkollat e mesme e fillore të Prishtinës e në shkolla të tjera të Kosovës, pos drejtorëve të dhunshëm e inspektorëve jolegjitimë, në mbikëqyrjen e situatës dhe në pengimin e mësimit u angazhuan edhe punëtorë të sigurimit shtetëror dhe milicia serbe”.

“Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, ishte një nga titujt tjerë të ballinës së gazetës “Bujku”, me mbititull “Federata Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut për Kosovën” e me nëntitull: “Në kuadrin e nënkomisionit të OKB-së kundër diskriminimit dhe për mbrojtjen e minoriteteve në Gjenevë, Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut u paraqit me një material të dokumentuar për format e ndryshme të diskriminimit që pushteti i Serbisë po i ushtron mbi shqiptarët”.

Në numrin vijues gazeta shkruante: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla…”.  Këtë e lexoja nga gazeta edhe derisa flisja në një dokumentar para 30 viteve, kur në Kosovë, nga 24 Maji deri në  3 Qershor 1993, zhvillohej një grevë e madhe e urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Ndërmarrjes Rilindja, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi okupues serb në Kosovë.

Dita e fillimit të grevës ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, kur Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i parë i Republikës, në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim.

 Trokëllima e teleksit të raportimeve, që nga dita e zgjedhjeve të para e historike pluraliste në Kosovë i bëja nga Prishtina në Tiranë, hapë filmin dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe.

Derisa zhvillohet greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, flas në dokumentar:  “Këtu është zyra e teleksit të Rilindjes. Nga ky teleks për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në Tiranë. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen…Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”

Lexoj nga lajmi që sapo kisha dërguar në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë: “Para mbrëmjes, përfaqësuesi i Misionit të KSBE-së në Kosovë erdhi në Rilindje dhe po bisedon me Këshillin Grevist. Deri tash nuk ka ende asgjë nga ajo që pritej për sot, arritja e marrëveshjes konkrete. Bisedat vazhdojnë, ndërsa vazhdon edhe dita e tetë e grevës së urisë e Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë për mbrojtje të lirisë dhe fjalës shqipe. Qëndrimet serbe që na i prezantoi misionari i KSBE-së janë të papranueshme për Këshillin Grevist dhe për kolektivin e Rilindjes…Tashmë janë vendosur edhe rojet e armatosura civile serbe në portën e Rilindjes…”

KSBE ishte mision  evropian, që tash është OSBE. Emri zyrtar i OSBE-së para vitit 1995 ka qenë Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE).

Në atë mbrëmje të 31 Majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor  “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po bënte me kamerën e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim, për lëvizjen gjithëkombëtare për liri e pavarësi.

“Greva e urisë” është titulli i dokumentarit që u bë derisa ajo po zhvillohej në kundërshtim të regjimit të dhunës serbe, i cili pasi ndaloi gazetën tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqipe në Kosovë, po ia merrte për ta tjetërsuar e shndëruar në ndërmarrjen fantome “Panorama” të instaluar nga Beogradi edhe gjithë pronën, përfshirë pallatin 18 katësh në qendër të Prishtinës.

“Më 20 Maj 1993 regjimi serb me dekret të posaçëm ‘Rilindjen’ të vetmen Ndërmarrje Gazetare Botuese në gjuhën shqipe e shendërroi në ‘Panorama’”, shkruhet në fillim të filmit dokumentar.

Në dokumentarin e kohëve të kërkimit të lirisë, “Greva e urisë 1993” në Pallatin e Shtypit Rilindja në kryeqytetin e Kosovës, në ekran, shfaqen emrat e disa prej shumë grevistëve, që iu bashkuan Adem Demaçit: Ali Podrimja, Zenun Çelaj, Bardh Hamzaj, Nehat Islami, Shaip Beqiri, Idriz Ulaj, Milazim Krasniqi, Abdullah Konushevci, Bajram Kosumi, Vezir Uka, Shkëlzen Stublla,  Halil Matoshi, Blerim Shala, Besim Rexhaj, Gani Gashi, Shpend Vinca, Haqif Mulliqi, Agim Zogaj, Muhamet Ahmeti…Shfaqen pamjet e njerëzve dhe kohëve të rezistencës, të lëvizjes e luftës për Kosovën e lirë e të pavarur.

Në dokumentar për kërkesat e Këshillit Grevist gjatë një konference për shtyp flet kryeredaktori i atëhershëm i revistës letrare “Fjala”, që e botonte Ndërmarrja Rilindja, Milazim Krasniqi. “Ato kërkesa janë në funksion të mbrojtjes së Institucionit të Rilindjes dhe  të shtypit të lirë…”, thekson ai.

Ishte kohë okupimi, shqiptarët ishin dëbuar  kolektivisht nga puna e nga institucionet, nga universiteti, edhe fëmijtë shqiptarë ishin dëbuar nga shkollat e çerdhet, foshnjoret…

Edhe në atë kohë, poeti Ali Podrimja në grevën e urisë në mbrojtje të fjalës shqipe, kishte një përjetim lirie si ëndërr në barrikadimin në Pallatin e Rilindjes. Në dokumentar shihet e degjohet tek këndon-reciton me buzët shkrumb etje e urie vargjet që sapo i krijonte:

“SHIKIMI NGA DRITARJA

Nëse shkojmë mos na vajtoni

Vetëm na këndoni

Se lirinë e përjtuam nga brenda”.

Në dokumentarin për grevën, në rrëfimin e nisur pranë teleksit të raportimeve për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në ambientet e grevës së urisë, them edhe këtë: “Grevistët e urisë në Pallatin e Shtypit, të vetmin kontakt me jashtë Pallatin e kanë shikimin në botë nga këto dritare. Ata janë ngujuar qe tetë ditë këtu, janë barrikaduar këtu, për fjalën e lirë shqipe…”

Në filimin dokumentar shihet: Data 31 Maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…

E rezistenca,  greva e urisë vazhdonte në Pallatin e Shtypit Rilindja, që nuk mbeti vetëm kështjellë e rezistencës dhe ëndërrave të mëdha: Pas luftës – në liri e pavarsi u bë ndërtesë qeveritare e shtetit të Kosovës…

Para Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë, i cili ishte edhe seli raportimesh për Agjencinë Telegrafike Shqiptare që nga fillimi nga zyrat e gazetës së rezistencës “Bujku”, në 23 Maj 2015 u ngrit dhe u përurua  shtatorja e themeluesit të shtetit shqiptar, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë së shpallur në Vlorë para më shumë se 100 viteve, Ismail Qemalit.

Gazeta rezistencës – e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”,  dilte nga 18 Janari i vitit 1991, dhe si kryeredaktor i parë-themelues i saj nisëm e themeluam edhe bashkëpunimet e para të medias Kosovë-Shqipëri duke marrë e botuar që nga numri i parë informacionet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare e pastaj edhe si korrespondent i saj.

Zyra e teleksit në Pallatin Rilinda në ambientet e gazetës “Bujku”, prej nga raportoja ditë e natë, u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë…

 “NA E MORËN SHKOLLËN…”

Para 32 viteve, në 2 Tetor 1991, kam shkruar këtë skicë me titull “Na e morën shkollën…”, botuar të nesërmen – në 3 Tetor 1991 në gazetën e rezistencës “Bujku”:

Dy tetor ’91, ora tetë e tridhjetë e pesë, gjashtë, shtatë…minuta. Përjashta shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në rrugë, shumë fëmijë – nxënës, edhe arsimtarë e prindër të fëmijëve shqiptarë. Te dyert e shkollës – policia.

Brenda në shkollë, nga dritaret e mëdha, shihen klasët e zbrazëta, edhe klasë ku mësim ka vetëm – serbisht.

Nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë nuk u lejohet të hyjnë në shkollë. Në sytë e fëmijëve lotët: “Na e morën edhe shkollën…”

Fëmijët serbë e malazez nga dritaret e shkollës i gërgasin fëmijët shqiptarë, ua ngrenë tre gishtërinj, i shajnë…(O zot, a edhe fëmijët i mbushën mizori, si mundet i madhi t’ia jepë të voglit atë mësim të keq?!)

Fëmijët shqiptarë as që shikojnë andej. I shikojnë punët e veta dhe protestojnë qetë, me urti. Nuk ua tremb qetësinë as aeroplani ushtarak plot zhurmë që fluturon mbi qytet, mbi kokat e tyre. Duket se asgjë më nuk u bën përshtypje, nuk i tremb, as ai “zog frikësimi” në hava.

Qëndrojnë, protestojnë, nuk pajtohen kurrësesi t’ua marrin shkollën.

            Shkollën me emrin e bukur të tribunit Hasan Prishtina. Ai ua mëson nga përjetësia e librat edhe këtë trimëri të urtisë…

NË GJYQIN NDËRKOMBËTAR TË HAGËS DËSHMI EDHE MBYLLJA E SHKOLLAVE SHQIPE NË KOSOVË

E nxjerrë, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës së ndaluar Rilindja, gazeta e përditshme “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, nisi të dalë në 18 Janar 1991 dhe doli deri në prag të vitit 1999, kur edhe ajo u ndalua dhunshëm nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Edhe në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës, ku kishte përfunduar për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit presidenti serb Slobodan Milosheviç – i njohur edhe si “kasapi i Ballkanit”, në Maj të vitit 2002 Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka folur për okupimin që iu bë Kosovës dhe dhunën e egër të forcave serbe, edhe për dëbimin e shqiptarëve nga puna, mbylljen e shkollave dhe universitetit  shqip, mbylljen e Radio Televizionit të Prishtinës në gjuhën shqipe dhe ndalimin e gazetës Rilindja – të vetmes gazetë të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë. Dr. Rugova ka theksuar se pas mbylljes së shkollave fillore, të mesme dhe Universitetit u organizua sistemi i mësimit në shtëpitë private që bota e ka quajtur “sistemi paralel” dhe se kjo ka vazhduar deri në vitin 1999…

KOSOVA PARA 24 VITEVE, FESTA E KTHIMIT NË SHKOLLA E UNIVERSITET

 Në vitin e madh 1999 të lirisë së Kosovës,  në 2 Gusht para 24 viteve, ndodhi edhe festa e kthimit të gjysëm milion nxënësve, studentëve e mësuesve shqiptarë në shkolla dhe universitet, prej nga ishin dëbuar në fillimin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.  Ky është lajmi që e raportoja  nga Prishtina në Tiranë në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-08-02.ata.html

[08] Albanian pupils and students return back to their school buildings

 PRISHTINE, August 2 (ata) – ATA correspondent in Prishtine, Behlul Jashari reports: Over half a million Albanian pupils, students and teachers of Kosova returned today to school premises from which they were expelled by Serbs 9 years ago.

In the ceremony held on this occasion in the Prishtina University, in the square in front of the Philological Faculty, a festive concert was performed in the presence of thousands of students and citizens. /p.ta/xh/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

Filed Under: Kronike

Salla Koncertale dhe Muzeu i Artit të Prishtinës

September 1, 2023 by s p

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, gjatë vizitës në Japoni ka takuar arkitektin e njohur botëror, Kengo Kuma, me të cilin kanë diskutuar detajet e fundit të projektit të Sallës Koncertale dhe Muzeut të Artit në Kryeqytet, të cilat do të krijohen brenda ish shtëpisë së mallrave “Gërmia” në Prishtinë.

“Arkitektura unike e ndërtesës ikonë të Kryeqytetit, do të ruhet tërësisht si pjesë e trashëgimisë sonë. Por në të njëjtën kohë ne do të krijojmë një Sallë Koncertale e Muze të Artit super modern.
Ky është një projekt tjetër i madh drejt transformimit të Prishtinës.
Jam shumë i lumtur që vetëm se po hedhim hapat e parë për krijimin e dy hapësirave të rëndësishme të kulturës që i kanë munguar Kryeqytetit tash e sa kohë. Ne po realizojmë një kërkesë të kahmotshme të artistëve tanë, që të kenë një ambient të përshtatshëm ku do të mund të shprehin artin e tyre, në kushte shumë më të favorshme, ashtu siç do të bëjnë artistët me renome botërore. E kam premtuar dhe po e bëjë realitet” – ka deklaruar kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama.

Ndërsa, arkitekti Kengo Kuma, u shpreh falënderues për mundësinë e bashkëpunimit me Kryeqytetin që të krijojë një super projekt me arkitekturë të veçantë, i cili do të plotësojë nevojat e komunitetit artistik vendor e ndërkombëtar.

Gjatë së enjtes, Rama u takua edhe me Taito Yamamoto, kryetarin e qytetit Chuo i cili gjendet në prefekturën e Tokios. Me z. Yamamoto, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit dhe këmbimin e përvojave artistike dhe kulturore. Gjithashtu Rama u takua edhe me të parin e Qytetit Shibuya, Ken Hasebe, me të cilin biseduan për rritjen e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë informative.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1481
  • 1482
  • 1483
  • 1484
  • 1485
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT