• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDRYSHIMI SI LIGJ I PROGRESIT

August 28, 2023 by s p

Artan Nati/

Ngjarjet e ditëve të fundit të acarimit të marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë, për çështjen Beleri, por jo vetëm kjo, por edhe acarimi i marrëdhënieve midis kryeministrit shqiptar edhe atij kosovar si edhe qëndrimet antagoniste qeveri opozitë, deri në marrrëzi në shumë raste, tregojnë edhe njëherë tjetër qartë se në rajonin tonë, ashtu si edhe në Shqipërinë tonë, por edhe në familjet tona si edhe në nënvetëdijen tonë, egziston një dualitet i papajtueshëm midis të mirës dhe të keqes, midis miqve dhe armiqëve, midis djallit dhe engjëllit. Kjo mund të shpjegohet me faktin se ndërsa Rilindja Europiane, Iluminizmi  dhe revolucioni borgjez si dhe ai industrial, në pjesën më të madhe të Europës patën një ndikim të rëndësishëm në formimin kulturor, intelektual dhe politik të shumë vendeve të Europës Perëndimore, jo të gjitha pjesët e botës ndoqën të njëjtën trajektore. Vendet e rajonit tonë dhe i gjithë ballkani qëdruan nën pushtimin otoman për shekuj të tërë dhe Shqipëria ishte vendi i fundit që fitoi pavarësinë në rajon. Kjo bëri të mundur që kulturalisht ne të ishim më afër kulturës së lindjes së mesme se sa kulturës së Europës perëndimore. Ndërkohë që Europa perëndimore kishte hyrë drejt një transformimi të madh që prej shekullit të 15-të me fillimin e rilindjes europiane dhe më në fund ishte filozofi gjerman Niçe që sfidoi nocionet konvencionale të së mirës dhe së keqes. Ai propozoi idenë e një perspektive “përtej së mirës dhe së keqes”, duke sugjeruar se këto kategori morale ishin konstruksione që ishin imponuar nga autoritetet fetare dhe shoqërore. Ai besonte se individët duhet të përpiqen të lëvizin përtej këtyre dallimeve konvencionale dhe të përqafojnë një kuptim më të qartë dhe kompleks të veprimeve dhe motivimeve njerëzore. Ai sot gjykohet si një mendimtar çlirues që inkurajon individët të mendojnë në mënyrë kritike, të sfidojnë normat shoqërore dhe të krijojnë të ardhmen e tyre. Siç e thotë filozofi amerikan Allan Bloom se çështja nuk  është se ne nuk duhet të korrigjojmë gabimet tona që të kemi të drejtë për çështje të ndryshme,por duhet të mendojmë që nuk kemi aspak të drejtë. Në Shqipëri sundon mendimi se Shqipëria ndodhet në këtë situatë sepse është e rrethuar nga vende armiq që nuk na duan të mirën dhe kanë synime shoviniste ndaj vendit tonë. Gjithashtu mendohet se klasa politike në vend  është djallëzore dhe se po të largohet ajo vendi do të rregullohet, ndërkohë mendohet se partitë kundështare janë e keqja e vendit apo komshiu,kushëriri apo ish shoku janë djallëzor dhe se ata janë shkaku i gjendjes së tyre. Kjo situatë shtrihet edhe në familje kur prindërit ankohen se fëmijët nuk i dëgjojnë apo fëmijët ankohen se prindërit nuk i kuptojnë. Studimi i historisë dhe i kulturës na mëson se e gjithë bota ishte e çmendur në të kaluarën; njerezit gjithmonë mendonin se kishin të drejtë, dhe kjo çoi në luftëra, persekutime, skllavëri, ksenofobinë, racizëm dhe shovinizëm. Ne shqiptarët e përjetuam më keq nga të gjitha kombet e Europës dhe rajonit tonë. Në vendin tonë një pjesë e madhe e popullsisë besonin verbërisht te ideologjia komuniste dhe besonin se pas eleminimit të grupeve armiqëore apo të burgosjes dhe persekutimit të individëve që mendonin ndryshe,komunizmi do të triumfonte. Në fakt ndodhi krejt ndryshe dhe ishte pikërisht ky fakt që përshpejtoi fundin e komunizmit. Ne jemi të destinuar të jetojmë me vendet e tjera që na rrethojnë,gjithashtu ne jemi  të destinuar të jetojmë me njeri tjetrin dhe e vetmja alternativë që na mbetet është të transformojmë veten tonë,qëndrimet tona dhe të kuptojmë e përqafojmë kulturën europiane të kooperimit. Ashtu siç George Bernard Shaw thotë: “Përparimi është i pamundur pa ndryshim, dhe ata që nuk mund të ndryshojnë mendjen e tyre nuk mund të ndryshojnë asgjë”. Aftësia për t’u përshtatur, për të rishqyrtuar besimet tona dhe për të qenë të hapur ndaj ideve të reja është thelbësore për nxitjen dhe zhvillimin e vendit tonë si dhe të marrëdhënieve me njeri tjetrin dhe me vendet që na rrethojnë. Shembulli i Gjermanisë pas luftës së dytë botërore, kur presidenti Willy Brandt kërkoi falje publike për tmerret e luftës dhe u përul në gjunjë duke kërkuar falje të sinqertë për popullin e tij,duhet të ndiqet nga persekutorët Serb të popullit kosovar ose nga presidentët tanë kundrejt viktimave të komunizmit.Gjermania  më tej,pranoi të bashkëpunoj me kushte inferiore,me vendet e tjera europiane duke e shndërruar Gjermaninë nga një vend të shkatërruar e të urryer në një lider të ekonomisë europiane dhe pararojë të demokracisë në Europë dhe arriti më në fund të vendoste drejtësinë në vend duke u bashkuar me Gjermaninë lindore. Mendoj se edhe Shqipëria duhet të udhëhiqet nga ky shembull,të bëhet e hapur duke u larguar pëtej të mirës dhe të keqes,duke adoptuar ligjin e bashkënimit si ligj të civilizimit si dhe të pranojmë se pa ndryshuar neve vetë nuk mund të ndryshojmë dot asgjë. Ndryshimet gjeopolitike në rajon kërkojnë si domosdoshmëri ndryshimet e mendësisë si ligji i vetëm i progresit dhe kooperimi si i vetmi ligji i civilizimit. Shkëputja e rajonit nga kultura bizantino otomane nën ndikimin e sllavo-ortodoksisë ruse është domosdoshmëri për integrimin europian. Vendi që do të përshtatet më shpejt me realitetin e ri do të përfitojë më shumë,ashtu si Gjermania u bë lider në Europë dhe bashkoi territoret e saj edhe Shqiptarët kudo që janë duhet të vënë në dyshim mënyrën si mendojnë dhe të ecin në shembullin e Gjermanisë.

Filed Under: Mergata Tagged With: artan nati

Presidentja Osmani: Familja euroatlantike është familja jonë

August 28, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në edicionin e sivjetëm të Forumit Evropian Alpbach 2023.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

Një Evropë e guximshme!
Kjo ështe tema e sivjetme e Forumit Evropian Alpbach, ku kisha nderin të diskutoj në panelin kryesor, së bashku më përfaqësues të shteteve të tjera.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian me shtetet demokratike të Ballkanit Perëndimor, mbrojtja e parimeve dhe vlerave të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe unifikimi në luftimin e autokracive e tiranive, janë tiparet që e bëjnë një Evropë të guximshme.
Pavarësisht se është rrugë e gjatë dhe e mundimshme, integrimi evropian është e vetmja rrugë për Kosovën.
Familja euroatlantike është familja jonë!

Filed Under: Fejton

NËNA TEREZE MËSUESE, PROFESORESHË DHE DREJTORESHË E SHKOLLËS SHËN MARIA NË KALKUTË

August 28, 2023 by s p

Don Lush GJERGJI

Kontributi i Nënë Terezës në shkollim, arsimim dhe qytetërim

Gonxhe Bojaxhiu, edhe më mirë Gonxhja jonë, më vonë Shën Nëna Tereze, si çdo fëmijë dhe e re, kishte shumë dëshira, kërkeësa, plane dhe ëndërrime për jetën e mëvonshme. Ajo ishte shumë e talentuar për muzikë, këndim, mandolinë, recitim, vallëzim, organizim, mësim – lexim, poezi, uratë…  Mbi të gjitha e donte lutjen – uratën dhe librin – leximin. Pas 6 viteve të këshilimeve, uratës, kërkimit, me 14 gusht 1928, në Letnicë kishte vendosur kështu: “Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfërit e botës!”

Për të arritur këtë qëllim sublim, sipas udhëzimeve dhe këshillave të etërve jezuitë në Shkup, ajo kishte kërkuar që të pranohej në rendin e “Motrave të Loretos”, të cilat bashkëpunonin me misionarët jezuitë në Kalkutë dhe në rrethinë,  sidomos në dy drejtime, në shkollim dhe në shëndetësi.

Motrat nga Loreto i përkasin Institutit të Shën Marisë, të themeluar në vitin 1609 nga njëzet e katër vjeçarja Meri Vond. Ajo dhe shoqëruesit e saj të parë e themeluan shkollën e parë në Shën Omer (tani në Francë), në një shtëpi që ende ekziston, por është një vendbanim privat.

Sot, Motrat e Loretos janë të angazhuara në një gamë të gjerë të aktiviteteve: programeve të mësimit të shkrim-leximit, udhëheqje shpirtërore, këshillimit, qeverisja me strehimoret për gratë e pastreha dhe në shumë aspekte në lëvizjen për drejtësi më të madhe dhe paqe në botë. Ato janë aktive në çdo kontinent dhe punojnë në rreth 150 shkolla dhe janë përgjegjëse për edukimin e mbi 70. 000 nxënësve.

Gonxhja në moshën 18-vjeçare, e veshur me dëshirën e saj për t’u bërë misionare, e lë shtëpinë  dhe Shkupin e saj të lindjes, për t’u bashkuar me Motrat e Loretos, duke filluar në Ratferharm të Irlandës. Atje, ajo zgjedh emrin Tereze, për nder të shenjtores së saj Shën Thereza e Krishtit Fëmijë nga Lizie. Ajo mësoi anglishten, sepse Motrat e Loretos e përdorin atë gjuhë kur ligjëronin në shkollat në Indi. Edhe pse qëndrimi i saj në Dublin ishte i shkurtër, motrat e kujtojnë si “shumë të vogël, të tërhequr dhe të qetë”.

Më 1 dhjetor 1928, nga Irlanda u nis me anije për në Indi dhe arriti në Kalkutë më 6 janar 1929. Më 25 maj 1931 në Darxhiling jep kushtet e para rregulltare si motër Tereza. Ajo punon si profesoreshë e gjeografisë dhe historisë dhe edukimit fetar në shkollën Shën Maria në Kalkutë. Më 10 shtator 1946 duke udhëtuar me tren nga Kalkuta në Darxhiling përjeton “thirrjen në thirrjeje” – frymëzim për të lënë kuvendin  e motrave të Loretos në Kalkutë dhe për t’u angazhuar për të sëmurët dhe të varfrit ndër më të varfër.

Ja si e përshkruan daljen e saj prej Shkupit revista e njohur katolike kroate “Katoličke Misije“e  (Misionet Katolike): „Gonxhe Bojaxhiu është shqiptare, e lindur në Shkup. Thirrja e Zotit e ka befasuar atë kur ende ishte në lice… Ajo ishte shpirti i veprimtarive të femrave katolike dhe të korit të kishës.”

Dëshmia e kohës vazhdon kështu: “Vajza e njohur tetëmbëdhjetë vjeçare nga Shkupi, me emër shqiptar Gonxhe, është bërë murgeshë duke marrë emrin e Terezes së Jezusit Fëmijë. Ajo ka ndihmuar korin e kishës në Shkup deri në vjeshtën e kaluar, ka ndezur entuziazmin e shokëve të saj në Kongregatën e Marisë  për të ndihmuar misionet, i ka mësuar vajzat më të reja  dhe ka qenë po ashtu nxënëse shembullore në liceun e vajzave në Shkup…”        

Pas rishtarisë për pak kohë kishte punuar si infermiere. Ja përshkrimi i saj në këtë përvojë: “Shumë kanë ardhur nga larg: ata kishin ecur këmbë orë të tëra. Në ç’gjendje që janë! Veshët dhe këmbët i kanë plot varrë… Lypset aq shumë kohë për t’u ofruar të gjithëve shërbim dhe këshilla…”

Motra Tereze ishte  tejet e angazhuar në studime, në punë, në shkollën e Shën Marisë në Kalkutë, në jetën shpirtërore. Mbi të gjitha hetohej entuziazmi dhe lumturia e saj në rendin e Motrave të Loretos. 

Ajo kështu dëshmonte në vitin 1934: “Përpos mbajtjes së mësimit, unë po ashtu duhet të përkujdesem për të sëmurët dhe t’u ndihmoj dhjetë motrave të tjera në studime. Të mos i përmendi provimet e mia universitare…”        

Në vitin 1935 ajo mori detyrën e re në shkollën e Shën Terezes. “Shkolla është pak sa larg nga kuvendi … Unë iu përvesha me një herë punës: zbraza korridorin, mora pak ujë dhe fshesat  dhe zura ta pastroja  dyshemenë… Në Indi pastrimi zakonisht bëhet  nga kastet më të ulëta. Kur më panë të lumtur e të gëzuar, vajzat erdhën të më ndihmonin, kurse djemtë filluan të sjellin ujin. Për dy orë, ai korridor i ndyrë, apo të paktën një pjesë e tij, u shndërrua në një klasë të pastër…Kur mbërrita aty kishte 32 fëmijë, tani janë 300. Unë jap mësim edhe në një shkollë tjetër, por kjo shkollë i ngjanë  më shumë një stalle se sa një shkolle. Jap mësim edhe në një vend tjetër, njëfarë oborri. Kur pashë ku flenin fëmijët dhe çka hanin ata, ndjeva dhembje  të madhe për ta, se është e pamundur të gjesh mjerim më të madh! Po, ata janë të lumtur! Fëmijëri e bekuar!… Që nga ajo ditë, ata më quajnë “MA”, që do të thotë “Nënë”,”     

Tregimi vazhdon kështu: “Tani më nuk befasohem pse nxënësit e mi e duan shkollën aq shumë dhe pse shumë prej tyre janë të sëmurë na TBC-ja.”

Angazhimi i saj në tri shkolla, studimet universitare në degën histori dhe gjeografi në Universitetin e Kalkutës, jeta dhe puna në kuvend, vërtet ishte e tepërt, por ajo ishte shumë e gjallë, dinamike dhe tejet aktive. Asaj i pëlqente mësuesia dhe këtë mision e kishte pranuar me gjithë shpirt. Ja dëshmia e saj: “Po, është e vërtetë, më pëlqen shumë të jap mësim, ndonëse kjo punë kërkonte shumë mund, por e bëja me ngazëllim, me gjithë zemër.”

Puna me fëmijë dhe në shkollë ia kishte mundësuar asaj njohjen reale të gjendjes së tyre si dhe të familjeve, mjerimin e skajshëm në Kalkutë, sidomos në dy lagje, Tigil dhe Monotigjill. Mirëpo nga njerëzit e varfër dhe të mjerë ajo kishte mësuar shumë, ata vuanin qetë, punonin, mbi të gjitha shpresonin dhe ishin me plot vullnet dhe gjallëri.

Pas një vizite familjare të dy vajzave – nxënëse të motrës Tereze, ajo shkruan kështu: “Shtëpiza, kasolla  e mjerë dhe e varfër … ajri aq i rëndë sa që s’më ra të fikët dhe s’rashë në dysheme… Oh, Ma, tha ai (babai i këtyre nxënëseve, vr. ime), po vdes. Ti je nëna ime. Nëna e bijave të mia! Duhet të përkujdesesh për to, t’u bëhesh Nënë kur unë të kam vdekur…”

Nga kjo që shtrova dhe zhvillova kuptohet që Nëna Tereze suksesin në shkollim, arsimim dhe qytetërim e gjente në dy burime: në njohuri profesionale, pra, në edukim të mendjes dhe të zemrës, por edhe më shumë në dashuri.

Pas kushteve të përjetshme rregulltarë (24 maj 1937), ditën e Zojës Ndihmëtare, titulli i katedrales në Prizren, ajo qe emëruar drejtoreshë e shkollës Shën Maria në Kalkutë.

Në vitin 1942 ajo punonte me 400 vajza në shkollën e Shën Marisë, në të cilën ajo ishte edhe përgjegjëse.

Ja një dëshmi e fuqishme e kohës: “Një ditë prej ditësh një anglez vizitoi shkollën dhe u befasua nga numri i madh i fëmijëve. Kishim 375 në dy në dy dhoma të mëdha të mësimit. Gjatë vizitës së tij mbante një qetësi e jashtëzakonshme, gati s’e s’besonte dhe më pyeti se ç’dënim u kisha dhënë që ta mbanin kaq qetësinë. “Dënimi i tyre më i madh  është kur i injoroj dhe kështu ata e dinë se më kanë zhgënjyer me diçka. Përse t’ rrah? Ata i rrahin mjaft në shtëpi, pastaj ata janë të ndëshkuar nga vetë jeta, nga varfëria, mjerimi, nga sëmundjet…”

Atë Ante Gabrić, misionar i njohur kroat në Bengali, njohës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Nënës Tereze, ndër të tjera shkruante kështu: „Motra e nderuar, Tereze Bojaxhiu, ishte aq e sëmurë, sa që të gjithë mendonim se nuk do të ngritet më në këmbë, por për fat ajo është shëruar. Ështl ngritur dhe po bën punë sa dhjetë persona, motra…“

Ja një letër e bukur dhe domethënëse e Nënës Tereze drejtuar „Nënës Loke“ – Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu, diku midis viteve 1937 – 1938: „Më vjen keq që nuk mund të jem pranë jush, por qëndro e lumtur, Nënë e dashur, nga që Gonxhja jote e dashur është e lumtur. Kjo është një jetë e re. Qendra jonë është shumë e bukur. Po jap mësim dhe e dua këtë punë shumë. Unë jam edhe drejtoreshë e tërë shkollës edhe të gjithë me duan shumë.“

Përfundimi i mrekullueshëm që rrumbullakëson misionin e saj të jetës së kushtuar: „Kurrë nuk kam pasur dyshim sa i përket thirrjes sime rregulltare. E ndieja thellë në zemrën time  se Zoti më thërret për një mision, jetë, punë tjetër, por unë nuk e dija dhe nuk e kuptoja pse dhe si.“

Cila është fshehtësia e jetës së ofruar dhe të kushtuar të motrës Tereze, më vonë Nënës Tereze, tash Shën Nënës Tereze? 

Sipas mendimit dhe vlerësimit tim, janë tri pika apo shkallë të këtij përkushtimi, flijimi dhe dhurime të rrallë dhe unik, të jetës dhe veprimtarisë shembullore në anën e shkollimit dhe të edukimit të shumë brezave:

  • Njohja e mirë e nxënësve dhe e rrethit të tyre familjar dhe shoqëror;
  • Njohuria e lëndëve – mësimit që lypset ofruar dhe dhuruar me mësimdhënie, pra, përgatitja  njerëzore dhe profesionale;
  • Motivim dhe frymëzimi, që  gjithnjë zbërthente në dashuri flijuese dhe vepruese në çdo vend, hap dhe veprimtari, pra, edhe në shkollim, arsimim dhe qytetërim të fëmijëve dhe të rinisë që kishin kaluar “nëpër duar” të mësueses, profesoreshës, drejtoreshës, edukatores, mbi të gjithë të Nënës së Dashurisë – Shën Nënës Tereze. 
  • Dashuria në veprim dëshmohet edhe nëpërmjet veprimtarisë së saj në arsim, sidomos me një fotografi dhe dëshmi, ku ndër të tjera thuhet: “Nxënësit e shkollës së Motrave të Loretos, ku ka dhënë mësim për shumë vjet Nëna Tereze. Asaj i pëlqente të thoshte: “Këta janë fëmijët e mi.”

Filed Under: Politike

DITA KOMBËTARE E QENIT

August 28, 2023 by s p

– nga Çarli Çaplin te Atjoni –

Nga Visar Zhiti/

…26 gushti në SHBA është shpallur si Dita Kombëtare e Qenit, pra, i kushtohet mikut më të mirë të njeriut, asaj miqësie legjendare të mijëra vjetëve dhe falenderohet Zoti për dhuratën. Është një dashuri që duam t’ja tregojnë botës, thoshte avokatja e jetës së qenve, Colleen Paige, krijuesja e kësaj festë të re, në vitin 2004.

Dhe m’u shfaqën imazhi i aktorit gjenial Çarli Çaplin me qen në filmin e tij, “A dog’s life”, dhe Atjoni student, djali i shtrenjtë yni me qenin në shtëpi, në Durrës. Sa ngjajnë, jo ata, jo, por dashuritë e tyre, ai përdëllim i bukur, ai gjumë me kryet mbështetur mbi qentë e tyre, sikur shikojnë të njëjtën ëndërr, por në kohë të ndryshme dhe vende të ndryshëm…

Të ndërgjegjësohen njerëzit, ta mbajnë pranë qenin, t’ia sigurojnë jetesën, të lumtur madje, pa abuzime dhe ta shijonë këtë miqesi, të tilla janë dhe kumtet e atyre që na dhanë “Ditën Kombëtare të Qenit” dhe që nga 2004 rreth një milion qen janë shpëtuar në SHBA duke i adoptuar shtëpive.

Kjo ditë gjithashtu duhet për të tërhequr vëmendjen, edhe me art, se si qentë janë futur në shoqërinë tonë dhe se si punojnë, udhërrëfyes, vënia e jetës së tyre në shërbim për të ndihmuar forcat e rendit në gjurmimin e bombave ose trafikantëve të drogës deri te ofrimi i ndihmës për ata që kanë nevojë, qentë, që identifikojnë edhe kancerin tek pacientët, etj. Po qeni artist? Qeni në cirk, qeni në kinematografi, aktor. Qeni në letërsi…

QENI DHE SHQIPTARËT

Më pëlqen kjo temë, duhet të ketë një histori patjetër, tërheqëse… tregohen bëma dhe lidhjet me qenin, roje shtëpie, i kopshtit dhe i kopeve në stane, besnikëri dhe braktisje, kjo e dyta nga ana e njeriut. Qeni në luftë dhe qeni në burg, në revoltën e Spaçit qeni morì anën e të burgosurve kundër policisë, e dënuan dhe qenin, janë shkruar dhe tregime, edhe unë librin tim “Valixhja e shqyer” e nis me tregimin “Ngjarje të gëzuara, pastaj të trishtuara dhe përsëri

të gezuara, që i ndodhën një qeni”. Kam dhe një tregim tjetër, “E shtuna e qenit”, është botuar dhe në Itali.

Emblematik ishte qeni i poetit Lasgush Poradeci, por shkrimtarët e Realizmit Socialist i urrenin qentë, të ishe me qen shihëshe si borgjez. Kujtoj si socializmi nuk i donte qentë, përveç qenve ushtarakë, madje kishte dhe poema për

qentë e kufirit, ndersa qentë e tjerë edhe përndiqeshin, helmoheshin apo vriteshin rrugëve natën.

Dhe kur ra diktatura, shqiptarët që kishin urryer njeri-tjetrin me luften e klasave sipas porosive të Partise dhe Enverit, etj, etj, u kujtuan që kishte dhe qen dhe që mund të duheshin. U shfaqēn imitues të Lasgushit, jo të poezisë së tij, ajo s’arrihej, por të qenit, po mbanin qen si ai dhe unë shkruajta diku që qentë po rrinë dhe me shqiptarë, e kisha me ata që kishin urryer dhe kishin dëmtuar të tjerë, e kam treguar dhe herë tjetër dhe tani, që të qetësonin disi ndërgjegjet, ledhatonin si mēkatin e tyre qenin. Dhe qeni rrinte me ta si falje. Dhe lehin ata në vend të qenve, kam shkruar…

Dita Kombëtare e Qenit është në një trajektore rritëse dhe vazhdon të rritet në popullaritet dhe mbulohet gjerësisht nga media çdo vit, lexova sot dhe urohej që të kalohet kjo ditë duke pranuar se sa të mrekullueshëm janë qentë.

Po!

Dhe kërkova foton me qen të Çarli Caplinit dhe të Atjonit me qen. Qeni i Çaplinit po fle bashkë me të zotin, ai i Atjonit është zgjuar për një çast dhe po vigjëlon, ka ngritur pak kokën, por me kujdesin që të mos e lëvizë shtatin, të mos e zgjojë Atjonin. Sytë e qenit nuk po shohin në largësi sikur rreziku të jetë afër. Ajo ngrohtësi e mirë kafshe, me atë gëzof butësie, me atë merak të sinqertë kanë një mister besimi që të prek. Nga dita e qenit duhet të mësojmë… për të qenë më njerëz…

Filed Under: ESSE

Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë në New York

August 28, 2023 by s p

Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë në New York. Këngë, valle, muzikë dhe identitet kombëtar.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1491
  • 1492
  • 1493
  • 1494
  • 1495
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT