• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ATDHEU DHE TOKA E BEKUEME – (SERGIO BITICI DHE JOHN BITICI )

July 17, 2023 by s p

Idriz Lamaj/

Dy vjet më parë (2021) doli në qarkullim libri: “Atdheu dhe toka e bekueme” e vëllzërve Sergio dhe John Bitici (Sejdi dhe Sabit Bytyçi). Megjithëse në mbulesen e librit cilësohen si përshkrimet e jetës dhe aktivitetet e familjes, mbrënda 260 faqeve të librit, nëpërmes kujtimeve familjare, përshkruhen në detaje edhe përiudhat historike të gjëndjes nën regjimin e egër komunist të Shqipërisë dhe vuajtjet e mërgatës politike nacionalite të arratisur në Jugosllavi. Në përshkrimin e jetës tyre familjare, lexuesi njihet me vuajtjet, traditatat atdhetare, largimin nga atdheu, internimet nëpër katundet e Serbisë deri në afërsi të Beogrdit dhe nëpër katunde të ndryshme të Kosovës, dhe në fund, me emigrimin në Shetetet e Bashkuera të Ameriksë, si dhe me sukseset e pa imagjinuara të familjes tyre në këtë vënd që ata me plotë të drejtë e quajnë: Tokë e bekueme.

Në vënd të parathënjes të librit, Sergio Bitici shkruan ndër tjera:

“Asht knaqësi me shkrue për nji temë subjektive që fjalët dalin nga zemra dhe pasioni me lehtësi të rrjedhëshme, pa nevojë me shtrydh trunin pa e angazhue fantazinë për të shpikë ngjarje dhe skena të krijueme dhe pa preokupime se ç’do të mendoj kritika për këtë rrëfim real e të vërtetë… Krejt baza e kësaj kronike asht me mbrojtë të pambrojtunin e drejtë dhe me evitue, që punët dhe përjetimet tona familjare edhe kombëtare, të mos i mbulojë pluhni i harresës, por t’i lamë të shkrueme… Ky libër edhe pse asht shkrue në veten e parë njajës prej vllait të madh, asht vepër e përbashkët e të dy vllazënve, Sergio dhe John, sepse gjithë teksti fjali për fjali u kontrollue prej ne të dyve” .

Në 70-të faqet e para të librit, me shenime të shkurta si nën kapituj, radhitën përshkrime të përmbledhta të mbështetura në të dhëna të dokumetuara dhe në kujtime të kohës, të cilat kanë vler të veçantë për njohjen e sakrificave e sukseseve të familjes tyre, dhe për njohjen e realitetit historik të mërgatës politike nacionaliste shqiptare. Në fillim të librit, vetëm me këta nëntituj të thjeshtë, lexuesit i jepet një pasqyrë e qartë e gjëndjes të emigracionit politik shqiptar:

1). Ndërhymja e sabotimi i agjentëve të Sigurimit të Tiranës. 2). Diaspora Nacionaliste. 3). Rinija Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë. 4). Informatori që bani 2000 km rrugë me demonstruesit dhe intriga e ndërhymje tjera. 5). Grevat e studentëve në Tiranë, Dhetor 1990, 6). Kongresi i 2-të në mërgim i Organizatës Lidhja Prizrenit, 7). Shqiptarët emigrantë politik shpërngulen nëpër Serbi, rikthimi në Kosovë. 😎. Largimi prej Kosove në Itali, 9). Në New York City JFK, 28 Nëndor 1967. 10). Elizabeth, N. J. 1968. 11). Allen Street, Manhattan. 12). Mineta Tavern. 13). Profesori Joe Gould dhe Fan Noli, etj.

Në kapitullin: Rrugtimi i nji jete krenare, shihet se Adulla Avdia (1911-1976), babai i Sergio Biticit, arratiset nga Shqipnia me 6 dhjetor 1948. Ai i lë lamtumirën përgjithmon vëndlindjes në fund të një viti të egër, ku përveç borës dhe cegmës, përditë e më shumë forcohej regjimi komunist dhe zbehej qëndresa e rezistencës të forcave naciaonaliste në malet e Shqipërisë. Ndërsa në Kosovë dhe viste tjera të banuara me shqiptar nën Jugosllavinë kumuniste, po përfundonte faza e parë e gjenociditë të tmershëm kundër shqiptarëve. As sot nuk dihen emrat e varret e mijëra shqiptarëve të pushkatuar dhe mijëra të vdekurëve të tjerë nëpër burgjet e tmerrshme të atij vendi në vitetet 1945, 1946 dhe 1947-të.

Adulla Avdia me familje doli në Kosovë nëpër Qafë të Prushit kur Sergio ishte 6 vjeç, ndërsa vëllai i tij Mike (Musftafa) ishte 2 vjeç. Pasi dorëzohen në Juggosllavi, autoritetet e shtetit e vendosin në nji Kishë në afërsi të Gjakovës, në të cilën ishte edhe familja e Shpend Halitit Nezaj. Në fillim të vitit 1949 përsëri i internojnë në katundin Ravna Rekë, ku kishte edhe famjlje të tjera emigrantësh të arratisur nga Shqipëria. Në dhjetor të vitit 1949, një vit pas arratisjes, Adulla Avdia me familje transferohet në veri të Serbisë, në fshatin Ovça, 50 kilometra afër Beogradit. Një vit më vonë, bashk me shumë emigrantë të tjerë shqiptar transferohen përsëri në Ravna Rek, dhe në Shumadi të Serbisë. Tranferimet kryheshin në mënyrën më çnjerëzore nga ministria e mbrendëshme jugosllave. Transferimi i i emigrantëve shqiptar nga një vënd në tjetrin – nga Kosova në Serbi e Serbia në Kosovë, përshkruhen realishtë dhe në mënyrë të dhimbëshme nga autori i librit në fjalë. Në ato transferime lexuesi sheh si në skena të filmuara, vuajtjet gjatë udhtimeve, fjetjen e refugjatëve të gjorë nëpër sacione të trenave dhe atutobusëve dhe shpërndarjen e tyre nëpër familje të panjohura shqiptare të Kosovës. Në shenimet e autorëve shihet edhe si ato familje i i nderonin dhe i ndihmonin emigrantët shqiptar. Përshkrimi i mjerimeve dhe varfërisë i gjëndjes të emigrantëve politik shqiptar në Jugosllavi gjatë asaj përiudhe shihet qartë në këtë paragrtaf të librit:

“…Më kujtohet kazerma njikatshe, prej drrasash, e gjatë me koridorin, që kishte familjarët në anën e majtë, ndërsa ata që ishin të vetëm, si i quejshin beqarët, në të djathtë të korridorit. Shumica e jonë njoheshim ose prej fame ose simbas familjeve, sepse të gjithë ishin prej Hasit, Mirdite, Pukë, Lumë, Gashi, Krasniqe Bytyçi , etj. Dhomat ishin shumë të mëdha, sa që në nji dhomë ishim 5-6 familje me gra e fëmij. Secila familje ndau “dhomat” me batanije të varuna rreth shtretenve. Baba ynë sajoi tepsinë dhe saçën prej copash llamarine të vjetra, me të cilat gratë gatuejshin për jashta bukë, flija, laknorë e gjellna, tue hy e dalë, mbas shtëpisë nëpër dritaret e mëdha…” (Atdheu dhe toka e bekueme, fq. 46).

Vuajtjet e refugjatëve poltik të Shqipërisë në Jugosllavi janë një histori e dhimbëshme dhe e pa shkruar sipas realitetit historik deri me sot. Lidhur me këtë çështje, çdo gjë është deformuar nga indoktrinimi politik pas viteve 70-të në Kosovë dhe afrimit me regjimin komunist të Tiranës. Për këtë dëshmojnë dosjet e këtij emigracioni që gjënden në arkivat e Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe raportet e qeverisë amerikane me të dhëna në detaje gjatë viteteve 1050-1970. Këtu sjellim si shembull një paragraf të një raporti të Ambasadës Amerikane në Beograd, dërguar ministrisë Jashtme amerikane në Washongton (zyrës Albanian Desk, IL), i cili ruhet në arkivat e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”:

“…Çdo shqiptar që arratiset në Jugosllavi, detyrohet ti bashkohet Lidhjes së Prizreni (Komiteti i emigrantëve politik të Shqipërisë, theme -luar dhe drejtuar përsonalisht nga Dushan Mugosha). Nëse ai refuzon ta bëjë këtë, i refuzohet dhënia e kartës jugosllave të identitetit si dhe dhënia e racioneve të ushqimit. Nëse ai është mbi moshën 15 vjeçare dhe nën 60 vjetësh, dërgohet në kampin e përqendrimit ku aplikohen edhe denime fizike. Në rastin e grave dhe fëmijëve dhe më të vjetërve, ata që refuzojnë të regjistrohen në Lidhje, lihen të qetë, por pa ushqim dhe strehim. Prandaj të gjithë ata që nuk duan të vdesin nga vuajtjet detyrohen të bëhën pjes e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, drejtimi i së cilës është i gjith në kontroll të sherbimeve sekrete të inteligjencës – UDB, nën drejtimin përsonal të Dushan Mugoshës. Emri i Komitetit të Refugjatëve është i till me qellim që ai të identifikohet me levizje të shkuara patriotike, siç është mbledhja historike e Lidhjes së Prizrenit e Vtit 1878 në qytetin kosovar. Dhe faktikisht zyrat kryesore të lidhjes së refugjatëve shqiptar gjëndën në Prishtinë…”. (Raport i Nëntorit, 1954).

Deri në fillim të vitit 1970-të emigrantët e arratisur nga Shqipëria u mirëpritën, respektuan dhe ndihmuan nga shqiptarët në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Mbas fillimit të marrëdhënieve misid Tiranës e Beogradit (në vitet 70-të), çdo gjë ndryshoi. Sherbimet sekrete të UDB-s jugosllave dhe të Sigurimit të regjimit komunist të Shqipërisë, përpiluan një strategji të re bashkëpunimi midis tyre. Në atë strategji bashkëpunimi të shumanshëm midis tyre, krijuan edhe një urrejtje të thell kundër mërgatës politike shqiptare në Jugosllavi. Urrejtjen e dhimbëshme e mbollën tek “intelektualët” dhe rinia e asaj kohe, të cilët masivisht brohoritnin për Partinë e Punës të Shqipërisë dhe për Enver Hoxhën, ndërsa regjimi jugosllav nuk merrte asnjë masë kundër tyre. Turmat e gjëra të indoktrinuara, gjëja antijugosllave, Beogradi jo vetëm nuk i frenonte, por i inkurajonte të zhvillonin propagand kundër emigracionit nacionalist shqiptar dhe kapitalizmit amerikan. Lidhur me këtë çështje, përshkrimet në librin Sergio Biticit janë reale. Ai këtë problem e ka trajtuar në hollësi edhe në studimin e tij vëllimore, në librin: KOSOVO PATH TO FREEDOM, botuar në New York disa vite më parë.

Ky studim vëllimor i Sergio Biticit është i vetmi dokumentar në të cilin pasqyrohet aktiviteti dhe sakrificat e për çështjen e Kosovës për më shumë se 25 vjet (1967-1993) nga oragnizata, Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë. Ajo organizatë nacionaliste në mërgim e drejtuar nga Tahir Kërnaja dhe i riu Maliq Arifaj, në realitet është formuar në saje të organizimit dhe të financimit nga vëllëzrit Bitici. Përveç mbulimit të shepnzimeve të gjithanëshme nga vëllazritë Bitici, për atë organizat të mirënjohur, Sergio Bitici vazhdimisht shkruante trakte dhe analiza të ndryshme për përsekutimet e shqiptarëve në Jugosllavi, raporte dhe memorandume të cilat botoheshin, shpërndaheshin nëpër demonstrata të vazhdueshme, dërgoheshin institucioneve dhe ministrive të ndryshme amerikane dhe europiane dhe Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Pa shikimin me seriozitet të këtij botimi të Sergio Bitiçit, të dokumentuar në tërsi nga lënda origjinale e kohës, nuk mund të shkruhet asnjë lloj studimi serioz për çështje të Kosovës, të paktën për ato më shumë se dy dekada.

Në librin Atdheu dhe toka e bekueme sjellen shenime për kontributin e vllëzërve Bitici në FEDERATËN VATRA. Ata për më shumë se 50-të vite ishin ndër vatranët më të përkushtuar në të gjithë diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kontributet financiare dhe rolet e tyre pozitive në këtë organizat të njohur, shihet në gazetën Dielli dhe në dokumentat e kohës. Sergio Bititici bënë një krahasim prekës, duke vu në dukje një realitet të hidhur. Ai shkruan se dikur kishte vetëm 35 mijë emigrantë shqitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Vatra kishte mbi 5000 mijë antarë, kurse sot ka më shumë se 850.000 dhe nuk ka më shumë se 500 antarë. Vënë në dukje ferkimet serioze poltike të kohëve dhe kontributet e parreshtura të dhëna në Vatër për më shumë se 50 vjet. Sergio, sjell në librin e tij dokumente dhe fotografi të shumta të cilat provojnë se ai është antarësuar në në Vatër ditët e para që ka ardh në SHBA. Ai dhe vllai tij John, kanë kontribuar dhe luajtur role me rëndsësi të veçantë për mbarvajtjen e Vatrës. Me dhimbje venë në dukje edhe reklamat negative të kohës sotme, mos angazhimin e serioz për shtimin e antarëve në Vatër, dhe mosmbajtjen e një qendrimi të fort e të palëkundshëm nacionalist, të kësaj organizate historike, gjë që do ta largonte nga infektimet e politikës të qeverisë të korruptuar socialiste të Tiranës. Sergio i mbyll mendimet e tij lidhur me Vatrën me këtë shenim të shkurtë, ku shifet se është ndikuar thell nga lleximi i librit të Refat Gurrazezit:

“Leximi i librit të Gurrazezit (Refat Gurrazezin, ish editor i njohur i gazetës Dielli, IL.) të mbush me dashni e respekt për emigrantët e vjetër dhe atdhetarizmin e tyne, i cili u mungun emigrantëve të sotëm, të cilët janë punëtor shumë të mirë, por janë indiferentë ndaj shoqnisë Vatra e shoqnive të tjera sepse udhëhiqen nga parimi egoist: Shiko prej pragu e mbrenda, pra me pa vetëm hallet e shtëpisë sat”

Në kapitujtë më të dukshëm të këtij botimi me kujtime familjare vëhen në dukje edhe përpjekjet dhe puna e palodhur e vllazërve Bitiçi: Sergio, Mike, John dhe Joe dhe arritjet e tyre me suksese mahnitëse në fushën e bizneseve të restauranteve më të njohura në zemër të qytetit të New Yorkut, në Manhattan, dhe në shtetin New Jersey. Sukseset e tyre në këtë fushë janë një histori të shkelqyer e komunutetit shqiptaro – amerikan. Në ato restaurante me emra të nohur në SHBA, vëllazrit Bitici për më shumë se një gjysëm shekullit, kanë zhvilluar, dhe sot zhvillojnë, aktivitete të ndryshme kombëtare. Sergio, Mike, John dhe Joe Bitici kanë qenë në përfaqësimet më të larta të lobimeve për çështje të Kosovës. Problemet tona kombëtare në atdheun etnik i kanë diskutuar në restaurantet e tyre, me senator e kongresmen, me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardh dhe me përsonalitete të njohura të ministrisë Jashtme amerikane. Vëllëzrit Bitici, në basshkëpunim me organizatatë tjera nacionaliste shqiptare në mërgim, çështjetë kombëtare i mbrojtën me këmbëngulje e vëndosmëri, duke ndërhyr pranë zyrave më të larta amerikane në Washington. Veprimtaria dhe kontributet kombëtare e humaniste të vllazrve Bitici, gjënden të dokumentaura me dokumente dhe fotografi, në këtë botim të thjeshtë dhe të veçantë.

Kujtimet përshkruhen me modesti edhe me rastin e pranisë të Sergio Biticit në momentin historik, me rastin e firmosjes të rivendosjes të marrëdhënieve midis Shqipërisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas rënies të regjimit komunist. Në këtë libër shihet se si vëllazrit Bitici kanë pritur me bujari tradicionale përsonalitete të ndryshme të qeverisë amerikane, biznismen, artist, figura të njohura të komuniteteve fetare, dhe shkrimtar e piktor me famë botërore. Nëpërmes sjelljes së tyre të zhdërvjelltë dhe njerzore, vazhdimisht kanë sjellur para tyre çështjen e Kosovës nën pushtimin jugosllav dhe gjëndjen e tmershme të popullit shqiptar nën regjimin sllavo-komunist në Shqipëri.

Kryelartësia e prejardhjes, filluar nga trungu familjar, krahinor, traditat atdhetare, vuajtjet nën komunizëm, në Shqipëri e në Jugosllavi, pasqyrohen nëpërmes dokumenteve origjinale të kohës. Dashuria e autorëve Sergio dhe John Bitici dhe dy vëllazrve të tyre Mike dhe Joe, ndaj krahinës legjendare të Malsisë Gjakovës dhe atdheut tyre etnik, e shprehur në këtë botim shumë të thjeshtë, nuk ka si mos të ndikoj edhe të lexuesi dhe studiuesi serioz. Libri: ATDHEU DHE TOKA E BEKUEME e këthen lexuesin në një kohë historike, e cila ka lënë gjurmë të thella në në historinë e Shqiptarëve të Amerikës. Për secilin paragraf të këtij libri mund të shkruhen vëllime studimesh për rolin e mërgatës nacionaliste shqiptare, dhe për kontributetet e veçanta të vëllazërve Bitici gjatë 60-të viteve në SHBA. Studimi i kësaj vepre heq pluhurin e harreses ndaj në pjese të lavdishme të historisë tonë kombëtare.

Filed Under: Opinion Tagged With: SERGIO BITICI DHE JOHN BITICI

ZBRAZJA E TROJEVE SHQIPTARE SOT DHE RREZIKU I BRENDSHËM AKTUAL

July 15, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

(Me rastin e promovimit të librit të Z. Rrustem R. Berisha — “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”, mbajtur në sallën “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork).

Përshëndetjet e mia autorit të Rrustem R. Berisha për veprën, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999” dhe Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej” për organizimin e këtij tubimi, pikërisht, këtu në sallën “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.

Të nderuar pjesëmarrës – Pres me kënaqësi që të lexoj librin – them librin, por në të vërtetë është vepër tre vëllimesh – mbi këtë subjekt jashtzakonisht të rëndësishëm për historinë e Kombit shqiptar – jo vetëm nga përspektiva historike – sado e hidhët që është ajo. Por edhe për nga gjëndja aktuale në trojet shqiptare.

Trajtimi i zbrazjes së trojeve – me forcë ose vullnetarisht, është edhe një subjekt aktual që ka të bëjë me largimin në masë sot nga trojet shqiptare, një gjëndje reale dhe e rrezikshme që kjo zbrazje, aktualisht, përben për të tashmen dhe për të ardhmen e Kombit shqiptar.

Titulli i veprës së Rrustem Berishës është, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”. Një periudhë kjo që për më shumë se një shekull ka sjellur në trojet shqiptare tragjedi dhe gjenocid – me pasoja të tmershme për racën shqiptare — jo vetëm sa i përket dëbimit të shqiptarëve nga trojet e veta, por edhe për efektet që politikat serbo-malazeze kanë patur dhe kanë në zhdukjen eventuale të identitetit kombëtar të shqiptarëve nga ai rajon i Evropës – të cilit sot i referohemi si Ballkani Përendimor.

Në mungesë të leximit të kësaj vepre, paraprakisht, unë do kufizohem vetëm në një diskutim të përgjithshëm të këtij fenomeni fatkeq historik për Kombin shqiptar edhe në ditët e sotëme. Për më shumë se një shekull, kanë vazhduar shpërnguljet me forcë të shqiptarëve nga trojet e veta — që autori me të drejtë e cilëson si gjenocid serbo-malazez, shpesh në bashkpunim dhe marrëveshje edhe me Turqinë e asaj kohe.

Por sot, largimin në masë të shqiptarëve nga Shqipëria dhe nga Kosova e cilësojmë si “zbrazje” të tokave shqiptare. Një term pak më i “butë” ndoshta se fjala “gjenocid” – për kohën e sotëme “moderne” të lëvizjes së lirë të njerëzve, se sa dëbimi me forcë i shqiptarëve nga regjimet serbo-malazeze, gjatë dekadave.

Ta quajmë si të duam: përfundimi, fatkeqsisht, për shqiptarët, është i njëjti: trojet shqiptare, në të kaluarën janë boshatisur, detyrimisht, dhe me forcë e kërcënime, si pjesë e politikave të regjimeve nacionaliste-fashiste-komuniste, gjenocidale serbo-malazeze, por edhe greke.

Mos të harrojmë Çamërinë martire!

Sot, shqiptarët me dy shtete të tyre, nuk kanë qenë kurrë më të lirë dhe nuk kanë gëzuar asnjëherë më shumë të drejta se sa gëzojnë sot, anë e mbanë Ballkanit Perëndimor. Atëherë çka po ndodhë dhe pse po zbrazen sot trojet shqiptare?! Fakti është se gjatë viteve të fundit, Shqipëria prinë me largime masive shqiptarësh drejtë Evropës Përendimore dhe Amerikës, e ndjekur nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e tjera.

Është një fenomen që më ka shqetësuar për një kohë të gjatë. Për pothuaj një dekadë, jam munduar, në mënyrën time, me disa shkrime modeste, të shprehi shqetësimet e mia për largimin masiv të shqiptarëve nga trojet shqiptare, sidomos nga Shqipëria dhe nga Kosova, por jo vetëm. Kam shprehur shqetësim, jo vetëm për numrin e madh të largimeve të shqiptarëve gjatë viteve të fundit, një fakt i provuar edhe nga anketat e botuara vitet e fundit nga agjenci ndërkombëtare, sipas të cilave shqiptarët anë e mbanë trojeve tona — shprehen se po të kishin mundësi do të largoheshin aty për aty, me një përqindje marramendëse nga vendlindja.

Vetëm si një pasqyrim, për të treguar se sa serioz dhe i rrezikshëm është ky fenomen sot – zbrazja, pra e tokave shqiptare në Evropën jug-lindore. Sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare, që botohen nga koha në kohë, Shqipëria zë vendin e tretë në botë për numrin më të madh të qytetarëve të saj që dëshirojnë të emigrojnë duke përmendur një shifër marramendse mbi 56% e popullsisë shqiptare, po të kishte mundësi të largohej. Sot, kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe për Shqipërinë, (bazuar në lajmet e fundit në lidhje me këtë subjekt. Mjafton të lexoni kryeartikujt e kohëve të fundit në median shqiptare: “Shifrat e Eurostat për largimin e 700 mijë shqiptarëve në dekadën e fundit…”, “Shqipëria e katërta në botë, rekord për largimin e të arsimuarve…”, “Shqetësim largimi i të rinjve shqiptarë”, e tjera si këto.

Ndërsa, nuk besoj që as Kosova të jetë në një gjëndje më të favorshme sa i përket emigrimit, ndërsa ente të njëjta ndërkombëtare kanë cituar shifra nga 35% e më lartë të shqiptarëve të Republikës së Kosovës që do dëshironin të iknin nga vendi, po tu jepej rasti. Pak a shumë, të njëjtat shifra shqetësuese shënohen edhe sa i përket largimit masiv të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi, Preshëvë, e tjera.

Përball kësaj situate të krijuar sot, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një tragjedi kombëtare në rritje, të përmasave të pa para ndonjëherë: zbrazjen e trojeve shqiptare në kohë paqeje – hiç më pak e rrezikshme se ç’ishte gjenocidi serbo-malazez gjatë shekullit të kaluar që përshkruet në veprën e Z. Rrustem Berisha, ndërkohë që, siç duket, askush nga autoritetet e larta në Prishtinë dhe Tiranë, nuk e çajnë kokën për këtë tragjedi kombëtare.

Sot, ne falënderojmë dhe përgëzojmë autorin Rrustem Berishën për veprën historike voluminoze, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”.

Emigrimi masiv i shqiptarëve sot është një pasqyrim i pakënaqsive masive të shqiptarëve me qeveritë e tyre dhe një paralajmërim serioz për klasën politike shqiptare, në të gjitha trojet shqiptare, e cila ka dështuar mizorisht të merret me këtë problem mbarëkombëtar, para se të jetë tepër vonë. Në asnjë rast, me ndonjë përjashtim aty këtu, nuk është diskutuar seriozisht ky fenomen i tmershëm për të ardhmen e shoqërisë shqiptare dhe të Kombit. Jo vetëm politikanët e karrierës, të cilët janë shkaku kryesor i këtij fenomeni dhe i kësaj gjëndjeje tragjike, por as media vizive as ajo e shkruar — pjesëtarë aleancash të ndryshme politike në pushtet — nuk e gjejnë të arsyeshme që, nga koha në kohë, të programojnë debate serioze publik në lidhje me këtë çeshtje.

Historia e emigrimit të detyruar të shqiptarëve gjatë shekullit të kaluar, për të cilën shkruan autori Rrustem Berisha, në veprën e tij, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”. njeh, fatkeqsisht, shumë shpërngulje tragjike të detyruara me forcë të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia në bazë të marrveshjeve midis Serbisë e Turqisë, por edhe nga trojet e tjera, pa harruar, natyrisht, as shpërnguljen me forcë të shqiptarëve nga Çamëria, si pjesë e politikës gjenocidale greke për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Çamëria e zona të tjera.

Për fat të keq, sot duket sikur planet e kaluara gjenocidale anti-shqiptare serbo-malazeze të Çubrilloviqit dhe më vonë të Millosheviçit për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta, me dashje ose pa dashje, po i zbatojnë vetë shqiptarët me politikat e tyre anti-kombëtare. Ndryshimi është se për këtë fenomen tepër shqetsues për Kombin, shqiptarët nuk mund të fajësojnë komunizmin, as serbo-malazezët, as grekun, e as turkun, por vetëm politikat e tyre çkombëtarizuese.

Po t’i detyronte dikush tjetër shqiptarët që të largoheshin sot nga trojet e veta, siç bënin serbo-malazezët më heret, të gjithë shqiptarët e Amerikës do ishim rrugëve të qyteteve amerikane dhe të Evropës, por dhe korridoreve të kancelarive perëndimore për të kërkuar drejtësi për shqiptarët dhe për t’i thënë stop shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre, me forcë ose me detyrim.

Sot, shqiptarët jetojnë në paqë, në dy shtete që e quajnë veten demokratike dhe kontrollojnë fatin e tyre si kurrë më parë. Shqipëria, anëtare e NATO-s me shpresë për tu bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe Republika e Kosovës, gjithashtu me ambicje për t’iu bashkuar një ditë integrimeve euro-atlantike.

Atëherë ku tjetër dhe si të kërkojmë drejtësi dhe zgjidhje për ndalimin e zbrazjes së trojeve shqiptare përveç – në Tiranën e Prishtinën zyrtare. Pikërisht, sot atje duhet të kërkohet drejtësia dhe përgjegjësia për këtë pakënaqsi të theksuar të një numri kaq të madh të shqiptarëve me jetën e tyre në vendlindje – e të cilët si të vetmen zgjidhje për një jetë më të mirë për veten dhe familjen, konsiderojnë marrjen e rrugës për në mërgim.

Trojet shqiptare, sot për sot, nuk përballen me konflikte e trazira si në disa pjesë të botës, ku lufta, uria, tragjeditë natyrore, shpërnguljet e detyruara dhe sëmundjet, e bëjnë jetën e njerzëve tepër të vështirë dhe të pamundur që të vazhdojnë të jetojnë në vendet e tyre.

Ata që sot janë në krye të Kombit shqiptar – nëqoftse ndonjëri prej tyre ndjenë ndonjë përgjegjësi sado pak të vogël politike, morale e kombëtare — duhet të pyesi veten se çka i shtynë shqiptarët që të largohen nga trojet e veta në një numër aqë të madh, në rritje e sipër dhe njëherazi të kërkojnë zgjidhje politike mbarë kombëtare për ngadalësimin e shpërnguljës së shqiptarëve, në përmasa kombëtare që rrallë herë janë parë në të kaluarën.

Zbrazja e trojeve shqiptare është një problem mbarë kombëtar dhe si i tillë, nevojitë zgjidhje mbarëkombëtare. Por, për fat të keq, shqiptarët kudo, janë të zhgënjyer me klasën politike të tre dekadave të tranzicionit “post-komunist” – dhe kjo është një prej arsyeve që shqiptarët, pa dallim, po largohen masivisht nga trojet e veta për një jetë më mirë dhe për një drejtësi dhe për mundësi më të mira jetese për veten e familjet, në botën perëndimore. Shqiptarët janë të qartë me atë që duan për veten dhe për familjet e tyre. Ata duan të jetojnë e të rrisin familjet e tyre në një shoqëri të lirë e demokratike të llojit perëndimor – larg trashëgimisë sllavo-komuniste majtiste gjysëm shekullore, fryma e të cilës dallohet kudo në shoqërinë dhe në zhvillimet politike shqiptare — si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Është e qartë se nëqoftse liderët aktualë shqiptarë nuk do të sigurojnë drejtësi, të drejtat bazë të njeriut — lirinë e demokracinë e vërtetë në trojet shqiptare, shqiptarët e të gjitha trojeve do t’i kërkojnë diku tjetër këto të drejta dhe mundësi për një jetë më të mirë, qoftë edhe me largimin e përhershëm nga trojet stërgjyshore.

Interesat personale dhe partiake të elitës politike shqiptare – “një pjesë e dobët e Kombit që kembëngul në pushtet”, siç e cilësoi atë kolegu i im Astrit Lulushi, në një shkrim të ditëve të fundit, por edhe konfliktet politike sot po shkatërrojnë harmoninë e brendshme shoqërore të botës shqiptare, në përgjithësi, dhe po nxisin armiqtë e Kombit që të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare kurdoherë që shohin një rast të volitshëm dhe derën e hapur pej vet shqiptarëve, për realizimin e qëllimeve të tyre djallëzore kundër interesave mbarë-shqiptare.

“Rreziku i përmbrendshëm”, do ta quante At Gjergj Fishta. Gjëndja aktuale politike, mosmarrveshjet dhe konfliktet në radhët e politikës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, përbëjnë rrezikun më të madh që i kanoset sot Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, pasojë e të cilit është edhe zbrazja masive e trojeve shqiptare të viteve të fundit. Rrezik më të madh afatgjatë– të brendshëm ose të jashtëm për Kombin, sot për sot — nuk ka se zbrazja e trojeve shqiptare – shkaktuar nga vet politika shqiptare.

Dallimet e theksuara shoqërore në fushën politike dhe ekonomike, ku një segment i vogël i shoqërisë që kontrollon politikën dhe ekonominë, favorizohet mbi të tjerët – sidomos në një shoqëri të varfër siç është bota shqiptare – përbëjnë një rrezik për të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por dhe në marrëdhënie me të tjerët. Ndërsa me një harmoni të brendshme politike dhe ekonomike, kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, sado serioze qofshin ato, do të mund të përballen më lehtë me bashkimin e shqiptarëve rreth një platforme të përbashkët interesash kombëtare, që do duhej të qëndronin mbi të gjitha interesat e tjera politike, partiake dhe ekonomike. Ky është edhe hapi i parë drejtë kufizimit dhe kontrollimit të zbrazjes së trojeve shqiptare në Ballkan.

Problemet e mëdha politike, sidomos grindjet dhe mosmarrveshjet në radhët e klasës politike “post-komuniste” shqiptare, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, korrupsioni në nivelet më të larta qeveritare që po lulëzon anë e mbanë trojeve shqiptare, sfidat e mëdha ekonomike dhe shoqërore – politikat çkombëtarizuese si një trashëgimi e doktrinës kriminale komuniste sllavo-enveriste prej gjysëm shekulli, të gjitha këto së bashku paralajmërojnë një rrezik të brendshëm, me pasoja aq të këqia për të ardhmen e Kombit shqiptar – përfshir zbrazjen masive të shqiptarëve nga trojet stërgjyshore.

“Shqiptarët, të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, deri shpresën e kishin bjerrë shqyptarët, se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme”, do të shkruante At Gjergj Fishta 100-vjetë më parë. Sot, ndonëse të lirë me dy shtete të pavarura, shqiptarët për fat të keq, në përgjithësi, kanë humbur shpresën për një jetë më të mirë, të lirë e demokratike në trojet e veta dhe janë të zhgënjyer, thellësisht, nga klasa aktuale politike shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare.

Nëse dikush është kureshtar e pyet se ç’do të thonte Fishta me “rrezik të përmbrendshëm”, që i kanoset Shqipërisë, Kosovës e shqiptarëve, shikoni zhvillimet e ditës së enjtë në parlamentet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, një shpërthim grushtat e shtyrjesh njëkohësisht, sikur dikush të jepte urdhër: tani!, si dhe (mos)-komunikimet midis dy kryeministrave shqiptarë më heret. Aty e gjeni përgjigjen. Politika shqiptare dhe marrëdhëniet ndër-shqiptare janë, pikërisht, aty ku i do armiku, ka thënë At Gjergj Fishta: të ndarë e të përçarë. Çoroditjet ndër-shqiptare, si ato të javës së kaluar, midis dy shteteve shqiptare, vetëm kënaqin Beogradin e Moskën. Kjo është edhe një arsye shtesë që shqiptarët po largohen, masivisht, nga trojet e veta. Nevojitet, pra, një reflektim serioz mbarë-kombëtar mbi këtë urgjencë kombëtare, para se të jetë tepër vonë!

Zhvillimet politike deshtake, konfliktet dhe mosmarrveshjet ndërshqiptare të tre-dakadave të ashtuquajturit “tranzicion politik, post-komunist”, në Shqipëri dhe në Kosovë, e kanë tronditur aq thellë ndërgjegjen kombëtare, sa që një shumicë dërmuese e shqiptarëve – të zhgënjyer nga politikat aktuale anti-kombëtare të liderëve të sotëm shqiptarë — me dhëmbje në zemër dhe me lotë në sy — kanë vendosur, më në fund, të marrin rrugët e botës për një jetë më të mirë e më të lirë, për një jetë normale. Duke refuzuar t’i nënshtrohen pushtetit – të një pjesë e dobët e Kombit që këmbëngul në pushtet”, e që po shkatërron trojet shqiptare me korrupcion dhe me politika çkombtarizuese – shqiptarët të lodhur nga politikat shkatërruese kombëtare, sot po braktisin trojet e të parëve, drejtë Evropës dhe Amerikës. Për fat të keq, ky është një problem i vjetër për Kombin shqiptar – siç sugjeron edhe titulli i veprës së Z. Rrustem R. Berishës, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare, 1800-1999” – por është një problem aktual që kërkon dhe që duhet të zgjidhet nga vetë shqiptarët sot në nivel mbarë-kombëtar, me vetdije identiteti kombëtar, për hir të mbijetesës në trojet e veta historike të këtij kombi të lashtë e krenar – iliro-arbëror.

Zoti qoftë me Kombin shqiptar në këto kohë të vështira!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

“BLIFF ORGANIK” NJË MARKË KOMBËTARE NË KËRKIM TË TREGJEVE NDËRKOMBËTARE

July 15, 2023 by s p

Sokol Paja/

Erëblina Avdijaj, themeluese e kompanisë “Bliff Organik” në një rrëfim dhënë editorit të gazetës “Dielli” të Vatrës në New York, Sokol Paja, tregon suksesin e një marke shqiptare udhëhequr nga një patriote e lindur në Zvicër dhe e kthyer në Kosovë për të zhvilluar ekonominë vendase, punësimin, fuqizmin e gruas në shoqëri dhe eksportimin e produkteve shqiptare drejt tregjeve ndërkombëtare. “Bliff Organik” ofron produkte shqiptare finale të bimëve mjekësore aromatike dhe çajrave në filter, të çertifikuara me standardin Organik XK-BIO-161 të akredituar nga Bashkimi Europian. Kuptimi i “Bliff” është bashkim i inicialeve të Erëblinës dhe motrave të saja.

Themeluesja e kompanisë Erëblina Avdijaj tregon për “Diellin” se: duke qenë se kompania eksporton mbi 95% në shtete të ndryshme, ideja lindi pikerisht këtu, pse mos të kemi edhe ne produkte me përpumim final Organik, për tregun vendorë, produkte autentike nga toka shqiptare”. Erëblina Avdijaj na kujton se: “Bliff Organik u lançua në treg në nëntor të vitit 2019, fillimisht lançuam 7 lloje të produkteve filter, dhe pas një viti të suksesshëm, në vititn 2020 lançuam edhe linjën me produkte refuz, ndërsa sot kemi gjithësej 17 lloje të produkteve, duke punuar vazhdimisht në shije te reja, dhe linje të re.

Ajo çka e bën të veçantë “Bliff Organik” dhe cilësinë e produkteve tregon Erëblina Avdijaj është percjellja zingjir nga kultivimi e deri ne përpunim final. Bimët pranohen të freskëta në kompani ku më pas bëhët tharja përpunimi selektimi dhe pastaj bimet pranohen në hallen e “Bliffit” ku bëhët procesi final, pra përpunimi në filter dhe paketim final. Afati i qëndrueshmëris së produkteve është 3 vite, mirëpo avantazhi tjetër i “Bliff” është se ato gjithmonë prodhohen të freskëta në sezonin e produktit vit për vit, garanton Erëblina Avdijaj. “Bliff Organik” vit pas viti vazhdoi zhvillimin, rriti kapacitetet prodhuese, zgjeroi llojshmërinë në produkte, dhe përveç shtrirjes në tregun vendor tashmë produktet e “Bliff Organik” gjenden edhe në shtetet europiane si Zvicër, Gjermani, dhe Austri, rrëfen për Diellin e Vatrës Erëblina Avdijaj.

“Bliff Organik”, përveç prodhimit të çajërave organik, tashmë ka zgjeruar përpunimin e bimëve mjekësore aromatike në shkopinjë me veti qetësuese dhe relaksuese, të cilat eksportohen jashtë Kosovës. Gratë e punësuara, me shkathtësitë e tyre po krijojnë të ardhura për veten dhe familjet e tyre, e gjithashtu edhe po ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të komunitetit. Qëllimi i biznesit kur fokusohet jo vetëm te marka por edhe ndikimi i drejtëpërdrejtë në shoqëri e bëjnë edhe më fitimprurës por edhe më të dobishëm për individin, shoqërinë dhe shtetin.

“Bliff Organik” u themelua nga një femër dhe ka për qëllim ti ndihmojë, ti integrojë e fuqizojë gratë. Në vitin 2022 arritëm ti punësojmë 15 gra dhe planifikojmë që ky numër të vazhdojë të rritet pasi “Bliff” këtë vit po ashtu u bë pjesë e panaireve ndërkombëtare, duke prezentuar prodhimet e çajrave të Kosovës, dhe duke krijuar partneritet ndërkombëtar, na tregon Erëblina Avdijaj. Nëse nuk do kishte përkrahjen e organizatave partnere, suksesi nuk do të ishte i njëjtë. Themeluesja Erëblina Avdijaj në përmbyllje të bisedës me editorin e “Diellit” shprehet se “Bliff Organik është shumë falenderues ndaj të gjithë atyre të cilët besuan fillimisht në idenë dhe vendosën ta përkrahin këtë iniciativë biznesi, duke filluar nga Organizatat ndërkombëtare si USAID, PPSE, e deri te kompanitë të cilat e japin shtytjen finale në tregun vendor, dhe atë të huaj sikur R&B company” citoi ajo.

Sipërmarrësja Erëblina Avdijaj ka lindur më 28.06.1990 në Luzern të Zvicrës, ekonomiste me profesion. Sipërmarrëse dhe aktiviste për fuqizimin e grave në shoqërinë shqiptare. Në vitin 2000 pas përfundimit të luftës në Kosovë, prindërit e Erëblinës vendosen të riktheheshin përfundimisht në vendlindje ku ajo vazhdoi shkollimin në Istog, dhe përfundoi studimet e larta në drejtimin Ekonomik, Financa. Pas diplomimit vazhdoi të ushtrojë detyrën e saj si Ekonomiste në kompaninë Agroproduct shpk. Në vitin 2016 Erëblina themeloi një ide biznesi e cila paraqitej si degë e shkëputur nga kompania e babait të saj Halit Avdijaj themelues i kompanis Agroprodukt sh.p.k, kompani kjo lidere në rajon dhe më gjërë për grumbullimin e bimëve mjekësore aromatike dhe frutave malore si lëndë e parë. Në vitin 2022 Erëblina u shpall edhe Ambasadore për paqe, nga Federata e paqes Universale në Kosovë. Në vitin 2023 u botua në librin “ Shijet e Dukagjinit“, libër ky i përzgjedhur me histori të sukseseve dhe frymë të ndryshimëve në shoqëri.

Filed Under: Politike Tagged With: Erëblina Avdijaj, Sokol Paja

Dëshmi dhe kujtesë

July 15, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Debati i madh midis teoricienëve të kujtesës gjatë njëqind viteve të fundit ka qenë nëse njeriu është relacional apo absolut. Shkolla relacionale argumenton se sistemi ynë i kujtesës ruan informacion në lidhje me marrëdhëniet midis objekteve dhe ideve, por jo domosdoshmërisht detaje rreth vetë objekteve. Ky quhet edhe këndvështrim konstruktivist, sepse nënkupton që, duke mos pasur specifika shqisore, ne ndërtojmë një paraqitje kujtese të realitetit nga këto marrëdhënie (me shumë detaje të plotësuara ose të rindërtuara aty për aty).

Teoria tjetër është ajo e ruajtjes së të dhënave. Mbështetësit e kësaj pikëpamje argumentojnë se kujtesa është si një magnetofon ose videokamera dixhitale, duke ruajtur të gjitha ose shumicën e përvojave tona me saktësi.

Dëshmitë për konstruktivistët vijnë nga studimet në të cilat njerëzit dëgjojnë fjalimin (kujtesa dëgjimore) ose u kërkohet të lexojnë tekst (kujtesa vizuale) dhe më pas raportojnë atë që kanë dëgjuar. Në studim pas studimi, njerëzit nuk janë shumë të mirë në rikrijimin e një llogarie fjalë për fjalë. Ata mbajnë mend përmbajtjen e përgjithshme, por jo formulimin specifik.

Disa studime të tjera tregojnë gjithashtu papërsosmërinë e kujtesës. Ndërhyrjet në dukje të vogla mund të ndikojnë fuqishëm në saktësinë e rikthimit të kujtesës. Siç është rasti me dëshmitë në sallën e gjyqit. Subjekteve iu shfaqën videokaseta dhe u bënë pyetje kryesore në lidhje me përmbajtjen. Nëse tregoheshin dy makina që mezi gërvishteshin me njëra-tjetrën, një grup subjektesh mund të pyeteshin: “Sa shpejt po shkonin makinat kur gërvishteshin me njëra-tjetrën?” dhe një grup tjetër do të pyetej: ‘Sa shpejt po shkonin makinat kur u përplasën me njëra-tjetrën?’ Zëvendësime të tilla me një fjalë shkaktuan ndryshime dramatike në vlerësimet e dëshmitarëve okularë për shpejtësinë e dy automjeteve. Një javë më pas, dëshmitarët u pyetën: “Sa xhama të thyer patë?” (Në të vërtetë nuk kishte xhama të thyer.) Subjektet të cilëve iu bë pyetja me fjalën e thyer në të kishin më shumë gjasa të raportonin ‘duke kujtuar’ xhamin e thyer në video. Kujtesa e tyre për atë që ata panë në të vërtetë ishte rindërtuar në bazë të një pyetje të thjeshtë që ia kishin bërë një javë më parë.

Pjesa më e madhe e hyrjeve dhe daljeve të trurit janë kontralaterale — truri i majtë kontrollon lëvizjen në gjysmën e djathtë të trupit dhe truri i majtë përpunon informacionin që sheh syri i djathtë. Një fotografi e kthesës së një pule iu shfaq në trurin e majtë të pacientit, dhe një shtëpi e mbuluar me borë në trurin e tij të djathtë (përkatësisht përmes syve të tij të djathtë dhe të majtë). Një pengesë e kufizonte shikimin e secilit sy në vetëm një fotografi. Më pas, pacientit iu kërkua të zgjidhte nga një grup fotografish atë që lidhej më ngushtë me secilin prej dy artikujve. Pacienti tregoi një pulë me trurin e tij të majtë (domethënë dorën e djathtë) dhe ai tregoi një lopatë me trurin e tij të djathtë (me dorën e majtë). Deri këtu, shumë mirë; pula shkon me kthetrën, dhe lopata me një shtëpi të mbuluar me borë. Por kur iu hoq pengesa midis syve dhe pacienti u pyet pse kishte zgjedhur lopatën, hemisfera e tij e majtë pa si pulën ashtu edhe lopatën dhe krijoi një histori që përputhej me të dyja imazhet. “Të duhet një lopatë për të pastruar strehën e pulave,” u përgjigj pacienti, pa vetëdije se ai kishte parë një shtëpi të mbuluar me dëborë (me trurin e tij të djathtë joverbal) ose se po sajonte një shpjegim aty-për-aty. Kjo shënon një tjetër provë për konstruktivistët.

Filed Under: Fejton Tagged With: Astrit Lulushi

Homazhe për njerëzit e lirisë

July 15, 2023 by s p

Sylë Ukshini/

14.07.2023- Homazhe tek Varrezat e dy dajave të mi Grusel e Bajram Sylejmani, si dhe të dëshmorëve të tjerë të UÇK-së të Zonës së Nerodimes (Ferizaj).

Gjithmonë ndiejmë obligim të bëjmë homazhe për njerëzit e lirisë, për ata që mposhtën errësirën serbe dhe për ata që u flijuan për lirinë e Kosovës dhe për ata që e shkërmoçën dhe e groposën pjesën e fundit të Jugosllavisë së Versajës.

Sakrifica sublime e dëshmorëve për lirinë është një trashëgimi e shenjtë e kombit. Është thirrja t’i shërbejmë Kosovës me të gjitha kapacotet dhe energjitë tona, t’i përkushtoheni të ardhmes sonë evropiane, në krah të aleatëve të mëdhenj, SHBA e BE, dhe kombeve të qytetëruara.

UÇK është historia jonë, është lufta jonë, është sakica jonë, është kujtesa jonë është krenari jonë, është referenca jonë, është frymëzimi jonë dhe mbi të gjitha është busulla jonë në rrugëtimin e konsolidimit të shtetit tonë të brendshëm dhe ndërkombëtar.

Prandaj, ndihem përgjithmonë krenar për veprën, sakrificën dhe rrugëtimin e tyre për liri dhe pavarësi🇽🇰💙🇦🇱

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1560
  • 1561
  • 1562
  • 1563
  • 1564
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT