• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BILL KLINTON HIMN PËR NJERËZIMIN ËSHTË EMRI I TIJ

July 7, 2023 by s p

C:\Users\Home\Downloads\Xhema3 (1).jpg

                                 Xhemail Peci

BILL KLINTON

HIMN PËR NJERËZIMIN ËSHTË EMRI I TIJ

                                     “Jetojnë vetëm ata që luftojnë, vetëm ata,

                                                             që shpirt e mendje mbushur nga një qëllim i kanë, ata,

                                                  që fatí i çon të ngjiten në shkëmbinj të thepisur,

                                                                që ecin t’munduar e mbërthyer nga një mendim i ndritur,

                                                duke u rrëzëllyer në sy, çdo cast, ditë dhe natë;

                                                             o ndonjë mendimin i shenjtë, o ndonjë dashuri e lartë”.

                                                                                                                                 Viktor Hygo                                                                     

1.

Ata erdhën ballëlartë dhe gjoksshpalosur në flakët e luftërave dhe të betejave, 

mes shpresave, mes lutjeve, mes ankthit, mes kujës, pritjeve dhe përgjërimeve,

të qindra, mijëra dhe milionave, që zgjatur i kishin duart për mëshirë kah qielli,

ata rendën dhe marshuan me ligjin e drejtësisë njerëzore në duar si vetë dielli,

mes rrebesheve të kohës e mes stuhive dhe dallgëve të oqeaneve kreshpëruar,

ballëlartë e kryelartë rendën dhe erdhën ata e zjarrin e fjalëve mbanin qëruar,

ata që besonin në ligjet e drejtësisë hyjnore, në thirjet e tyre gjithëvëllazërore,

ata që mes sfidave dhe rreziqeve gjakonin për të sjellur tej barazinë njerëzore.

Të papërkulur ishin ata përballë Scillës dhe Haridbës, përballë zjarrit dhe litarit,

mes shqotave dhe suferinave vinin ata dhe çanin përmes kudhrës dhe çekanit,

ata si Prometheu i lashtë në mitologjinë antike, mbollën e sollën farën e lirisë,

në misionin e tyre të shenjtë, më pranë njerëzve e sollën bekimin e perëndisë;

Ata që si flakën e Prometheut, në botën e kërcënuar padrejtësisë edhe smirës,

flakadanë lirie mbollën e sollën n’botën e kërcënuar prej të ligës dhe shëllirës,

ata – promethejtë e ri që e hodhën farën e barazisë bashkë me idenë e së mirës,

si promethejtë – misionarët e vizionarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ata ecnin dhe rendin me hapa viganësh dhe frymëzimin nga e kaluar e merrnin, 

mes popullit, me popullin e për popullin ishin ata, e tej me hapa prej levendësh,

dhe fjalët si oshëtimë e shekujve, korifejtë e ri të shpresës së re pamje titanësh,

e sfidë u bënin padrejtësive të mëdha, që si dikur Bastiljës grilave dhe hekurave,

ndrynin popujt e vegjël por me zemër të madhe lirie-vuajtur krimet e gjilotinave,

të cilët historia oh sa tinëzisht atyre ua kish kthyer shpinën mes aq padrejtësive,

të cilët diplomacia e fshehtë i tallte edhe aq fort i përbuzte profkave e qesëndive,

e të cilëve fati kurrë nuk u buzëqeshte dot prej nëperkave, hileve edhe sehireve,

që hisen e diellit zënë ua kishin aq egërsisht-si përbindshat e mitologjive antike,

e ansambletë e mjekrrave të thinjura të diplomacisë hipokrite në kurthet cinike-

të shekujve të kaluar sa nuk i shpallnin të mallkuar nëpër konferencat djallëzore,

se me hapat e shekujve rendnin dhe vinin ata, errësirën e gjatë duke e ndriçuar,

me dritën e diellit vinin ata e me librat e tyre në duar bartnin tej fjalën e bekuar,

që të mos kishte më as skllevër, dhe as bij skllevërish, e kurrë më të nënshtruar.

Dhe u ngritën atje lart, u ngjitën sipër piadestalit nën urdhërat e veprimit hyjnor,

sa shumë popuj liridashës ata sot i mbajnë në zemër dhe librat e tyre nëpër dorë:

Xhorxh Uashingtoni dhe Linkolni, Udrou Uilsoni e Xhon F. Kenedi, e Nestor

i urtë e me ballët lartësuar Klintoni njerëzimit i vie si himn dhe lirisë i vë kurorë,

këta promethej të ri të vizionit njerëzor, vigajtë e mendjes dhe kalorësit e lirisë, 

këta korifej të paqes e sogjetarë amshimi, lart Panteonit, sytë drejt ardhmërisë, 

dhe sa herë që kah ata dhe kah veprat e tyre e kthen prore mendjen njerëzimi,

u falet përunjësiht, në shenjë të thellë respekti, mirënjohje, nderimi e admirimi.

7.

  “Amerika s’pyet asgjë për vetvete, përpos për të drejtën që e ka për të pyetur për njerëzimin”                                                                                      (Udrou Uilson) 

Poemë është emri i tij. Poemë që krahët i shtrinë qiejve dhe kontinenteve, shtigjeve të pafundshme të paqes dhe dashurisë mes popujve. Urë në mes dy shekujve është emri i tij, legjendë e gjallë që shpresat i ngjallë, urnë e eshkë e unor me strall. Këngë lirie e sogjetar amshimi është emri i tij, mes qiellit dhe tokës, mes ëndrrës dhe shpresës, fanar lirie është Ai. 

Ogur i bardhë është Ai, misionar dhe vizionar i paqes, këngë e lashtë lahutash, plis i bardhë drejt qiellit e këngë shekujsh është emri i tij. 

Urë që lidh brigjet e Adriatikut me brigjet e Atlantikut, është Ai. 

Flamur që valvitet në horizontet e ardhmësisë së kombeve tona, është Ai. 

Poemë lirie është emri i tij, himn për njerëzimin është emri i tij. 

Ai, burri i kombit e burri i botës, që tok me Uashingtonin, Linklonin dhe Uilsonin, lirinë, të vërtetën dhe drejtësinë – një i ngritën lart me perëndinë. 

Vallë, kush si Ai, zërin e një kombi të vogël dëgjoi, një komb i vogël në numër por aq i lashtë në gjakimin e tij për liri; qëkur Dom Ndre Mjeda shkroi me flatrat e fjalëve shqipe, ankthin e të gjithë brezave dhe gjeneratave: 

Të lumtë, o Uashington! U zhvillat qiella…Lirin’ e keni ju! Na hekra kena…

17.

                          “Zoti është dashuri”. Bill Klinton: Jeta ime. Kapitulli 50, fq, 846

Kur shpresa si një ëndërr e venitur, bashkë me lotët të ardhmen zë dhe fton,

e kur agimi zbardh si një ëndërr e bardhë-mbështjellur zë edhe zbardhëllon,

në krahët e fluturave rrijnë agsholet ku një emër zemrat peshë nderimit çon,

emblemë e bardhë me vulë të kohës, libër i hapur si një meteor: Bill Klinton.

Kur koha flet me zërin e vet dhe kur ëndrra vie dhe bëhet bardhësi e dashuri,

kur zemrat mbushen jetë e hov e vrull të ri, e kur qiellit yjet në flakërim fton,

aureolë e paqes shfaqet sipërfaqes e gjithë madhështi ngjitet lart në kaltërsi,

epokë në vete që shekujt mbrujnë denjësisht n’histori emrin e tij:Bill Klinton.

Kur e djeshmja i flet zëshëm të sotmes dhe e sotmja zë e nis të përshpërisë,

fillin e vet me fjalë fluturake e nis thellësive të kohës tek lashtësive mburon,

kur kokën e kthen nga e kaluara, e sotmja vetveten si Nositi zë e zogjtë i nis,

në gjakimin sa fisnik dhe njerëzor për paqen e për të ardhmen: Bill Klinton.

Kur paralaksë e dashurisë paqja zë e shfaqet madhnisht si një himn njerëzie,

kur vie nga thellësite e shekujve si një promemorje që përherë veten naltson,

kur rri si përmendore e si një vepër vigane në sfidë të të gjitha padrejtësive,

kujtesa kombëtare himne i thur edhe përjetësisht ate e nderon: Bill Klinton.

Kur shfaqet re e zezë në qiellin kuqezi ndër shekujt shkabës sonë t’përgjakur,

kur shami e valles e tingujt e lodrës hyjnite ilire sërish mëton qiellit që t’i fton,

kur tufët e kuqe të opingave mbajnë vetëtimat në ritmin e tyre iso e përflakur,

kësulë e bardhë ngritet krenare drejt qiellit tek denjësisht naltson: Bill Klinton.

Kur errësirë e shekujve ecën tinëzisht në majet e stërholla të vet gishtërinjve,

e kur kohët ziliqare tok me netët tinzare sulen trungut ilir: prapë tek kafshon,

kur hidhet e përdridhet kufirit-tek përvidhet hija e lashtë e atyre gjarpërinjve,

nëpër këngët e lahutave e në veprat e artistëve ai tok me ne rron: Bill Klinton.

Kur paqja rri e brishtë si një sorkadhe e trembur keq në hapësirat ballkanike,

e kur pëllumbat e paqes prapë i trazojnë sa herë qe urrrejtja errësirën e fton,

kur ikonat mesjetare e hijenat hileqare kurthe u ngrejnë ideve euro-atlantike,

në pëllëmbët e duarve edhe në gjurmët e kohës prapë zë e vie ai: Bill Klinton.

Kur mijëvjeçarëve zë e u bën sfidë shekulli i ri që paqen ai ia fali plot dhunti,

kur varganit të kohës si në një vargmal vigan i shkëlqen firma si konstelacion,

kur si një rrufepritës në mes të vetëtimave edhe rrufeve bie fjala e madhe e ti’

paralaksë dashurie paqja, e konstelacion yjesh që prore flakëron: Bill Klinton.

Kur rafalet këpusin prapë lulet e kur lulëkuqet në gjak sërish vijnë e na mbijnë,

kur korbat bien mbi shqiponjat e kur terrin agu prapë n’zbardhëllim zë e zbon,

kur Dardaninë si diell dardanësh fatosat e kombit sërish dijnë që ta përtërijnë,

koha mba plisin e bardhë mbi vetull dhe zemra gjithmonë nderon: Bill Klinton.

Kur shamibardhat mermerin mbi kurmet e dëshmorëve larë me lotët e puthin,

kur lotët pikojnë faqeve, e dhembja e çanë gurin në ofshamën që nuk mbaron,

kur eshka fton strallin e kur zjarrin si flakadan e nxjerr si llavë përmbi prushin,

stendat e muzeut krahanor, me shkronjat e emrit të tij na mbushen: Bill Klinton.

Kur nis me zë përjtësie e kur fjala në yllësinë e saj i vie sikur shenjë pavdekësie,

kur bie agimi përmbi dheun e të parëve si nje diell që përmbi ballë zë e vezullon,

kur breznitë orëmira e ngrejnë përmbi breznitë orëzeza veçse një flamur lavdie,

himn për njerëzimin e Nestor i urtë që koha me shekujt vetë bekon: Bill Klinton.

Filed Under: LETERSI

I nderuar nga Klintoni, i turpëruar nga kllouni

July 7, 2023 by s p

Nga Rafael Floqi/

Vizita e ish-Presidentit Bill Klinton në Shqipëri dhe pranimi i tij me nderime dhe medaljen e “Yllit të Mirënjohjes për Arritje Publike” konsiderohet si një akt simbolik i mirënjohjes për kontributin e tij në fillimet e demokracisë në Shqipëri dhe ndalimin e dhunës serbe në Kosovë në vitin 1999. Ky vizitë është parë si një rast i rëndësishëm për të shprehur mirënjohjen ndaj SHBA-ve, veçanërisht për kontributin e tyre në Kosovë.

Pavarësisht nga karakteri privat i vizitës, ftesa për të nderuar Bill Klinton është pritur me kënaqësi nga shqiptarët dhe një fjalim live nga ai do të ishte një moment i rëndësishëm. Emri i Bill Klinton për shqiptarët ka tejkaluar të gjitha politikat dhe është vlerësuar si një aleat dhe mbështetës i tyre gjatë kohës së nevojshme.

Megjithatë, përtej spektaklit politik, është e rëndësishme të kuptohet qëllimi dhe mesazhi i kësaj vizite private. Duke qenë se ajo ishte një event i sponsorizuar dhe i organizuar nga Aleks Soros, është e pamundur të jetë një rastësi rutinore. Ka të ngjarë që Fondacioni Shoqëria e Hapur, i cili është i lidhur me Aleks Soros, të kishte dashur të bënte një dhuratë simbolike në ditën e 59-vjetorit të lindjes së Ramës, si një formë e shprehjes së mirënjohjes për angazhimin e tij të vazhdueshëm.

Duke ditur që fjalimet e Bill Klinton kushtojnë shuma të konsiderueshme, një fjalim i tij në këtë event mund të shihet si një dhuratë e shtrenjtë, për një datë që nuk ishte përvjetor. Është e mundur që ky akt të jetë një mënyrë për të vlerësuar dhe inkurajuar angazhimin e Bill Klinton në çështjet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe për të promovuar veprimtaritë e Fondacionit Shoqëria e Hapur.

Në përgjithësi, vizita e Bill Klinton në Shqipëri dhe pranimi i tij me nderime tregon se roli dhe kontributi i tij në historinë e Shqipërisë dhe Kosovës vazhdojnë të jenë të vlerësuar dhe të mirëpritur nga populli shqiptar.

Në ceremoninë e mbajtur në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, kryeministri Edi Rama prezantoi zotin Bill Klinton me një grup fëmijësh dhe të rinjsh nga Kosova, të cilët mbanin emrin e tij. Kjo veprim tregoi solidaritetin dhe mirënjohjen ndaj roli që Bill Klinton ka luajtur në luftën e Kosovës në vitin 1999. Megjithatë, disa persona kanë shprehur kritika lidhur me këtë veprim, duke e krahasuar me praktikën e emërtimeve ideologjike që ndodhnin në regjimin komunist.

Si President, Bill Klinton njihet për aftësinë e tij për të marrë vendime të arsyeshme në baza emocionale. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e Shteteve të Bashkuara, zbutjen e tensioneve me Rusinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe bashkimin e Europës së ndarë nga Lufta e Ftohtë.

Në kontekstin e Shqipërisë dhe Kosovës, Bill Klinton është vlerësuar për kontributin e tij në ndalimin e dhunës serbe në Kosovë dhe në përkrahjen e proceseve demokratike në Shqipëri. Ai ka kontribuar në çlirimin e popullsisë shqiptare nga dhuna dhe ka ndihmuar në stabilitetin politik të vendit në momente të vështira, siç ishte koha e krizës së vitit 1997.

Vizita e tij në Shqipëri dhe pranimi i tij me nderime nga kryeministri Edi Rama tregojnë se roli dhe ndikimi i tij vazhdojnë të jenë të vlerësuar dhe të mirëpritur nga populli shqiptar. Bill Klinton shpreh mirënjohjen për mirëpritjen dhe dashurinë e shqiptarëve, veçanërisht për vendimet e tij që i mori në mbrojtje të drejtave të njeriut dhe lirisë në rajonin e Ballkanit.

Kryeministri Rama vlerësoi ndërhyrjen e Bill Klinton në Kosovë në vitin 1999 dhe shprehu përkrahjen e Shqipërisë për Shtetet e Bashkuara. Ai e vlerësoi Shqipërinë si një vend pro-amerikan dhe shprehu besimin se ka vetëm regjime të këqija, jo popuj të këqij.

Përgjithësisht, vizita e Bill Klinton në Shqipëri dhe nderimi i tij tregojnë se kontributi i tij në vendet shqiptare është vlerësuar dhe se ai mbetet një figurë e dashur dhe respektuar nga populli shqiptar.

Në ceremoninën e pritjes së ish-Presidentit Bill Klinton në Shqipëri, ka pasur shumë komente dhe spekulime rreth qëllimeve të kryeministrit Edi Rama dhe politikave të tij. Disa prej tyre kanë shqetësuar mungesën e liderëve të Kosovës në ceremoni dhe ndjenjën e fyerjes që i bëhet Kosovës si shtet.

Disa persona kanë vërejtur se çmimi i “Yllit të Mirënjohjes për Arritje Publike” që u dha Bill Klinton nuk ishte i parë, pasi ai kishte marrë një nderim të ngjashëm nga një President i mëparshëm i Shqipërisë. Kjo vlerësimi i dytë mund të ketë qenë i organizuar për t’i shërbyer qëllimeve politike të kryeministrit Rama, veçanërisht në kontekstin e opozitës së tij me Albin Kurtin, i cili përfaqëson një pushtet që është në kundërshtim me Ramën.

Disa persona kanë argumentuar se Kurti ka gabuar në situatën e tanishme në Kosovë duke mos u marrë me politika të jashtme dhe duke i shtrirë dorën për bashkëpunim me ndërkombëtarët. Megjithatë, ata kanë vlerësuar përpjekjet e Kurtit për të ndërtuar një Kosovë me dinjitet dhe për të luftuar krimin e organizuar, ndërkohë që po ndërton institucionet demokratike të vendit. Kurti konsiderohet si një politikan që nuk ka përfshirë në vepra të kundërligjshme dhe që është përqendruar në politikën e paqes dhe stabilitetit.

Mungesa e liderëve të Kosovës në ceremoninë e pritjes së Bill Klinton është interpretuar nga disa si një fyerje ndaj Kosovës. Serbia ka kryer shumë krimet dhe dhunën ndaj popullsisë shqiptare dhe Kosovës, dhe shqiptarët nuk do t’i falin kurrë për ato veprime. Megjithatë, Kurti ka treguar ndërgjegjësim të madh ndaj kësaj situate dhe ka ndërtuar politikën e paqes, institucionet dhe demokracinë, pa u bërë kompromis me ata që dëshirojnë të dëmtojnë Kosovën.

Disa persona kanë kritikuar faktin që ceremonia e pritjes së Bill Klinton u organizua pasi kryeministri Rama deklaroi se do të nisë turin e Procesit të Berlinit. Kjo vlerësohet si një taktikë e përdorur për të trembur Berlinin 

Pa ndjesën më të vogël, pa gajle dhe skuqjen e fytyrës. Pa asnjë llogari dhënie dhe kjo ndodh kur Uni ka pushtet absolut. Dhe kjo nuk është më demokraci. Kësisoj edhe ata 700 mijë votues të Edi Ramës apo, 34% e shoqërisë shqiptare, kanë të drejtën e Unit të mendojnë se edhe kombi duhet t’i bindet. Ndaj dhe ky show. A do te kishte qenë dinjitoze që Klinton te kishte folur ne parlamentin shqiptar, me prani te qeverise te Kosovës? Unë këtë unë e quaj nderim. 

Rama, skenaristi, regjizori, moderatori e kllouni i ceremonisë së pritjes së ish president të SHBA Z.Bill Klinton, thërret në këtë ceremoni Aleksis Soros, dhe bën “surprizën” komike të thirrjes së ca të rijve e fëmijëve nga Kosova me emrin “Klinton” apo “Hilari”, dhe nuk thërret asnjë politikan të partive të Kosovës e jo më të qeverisë Kurti, 

Dëgjuam “oratorinë” kllounadë të Ramës që kishte si lejtmotiv oratorinë e jashtëzakonshme të Klinton, e dëgjuam “oratorin” Klinton që deklaroi se qeveria aktuale e Kosovës po bën marrëzi që arreston grupe terroriste të komanduara nga qeveria e Vuçiçit për të destabilizuar sovranitetin e Kosovës.

A nuk është paradoksale që pikërisht ish presidenti amerikan që mori vendimin pa pyetur Kongresin e Këshillin e Sigurimit të OKB për të bombarduar Beogradin, quan marrëzi vendimin e Kurtit që paska bërë krimin e madh që ka ndëshkuar terroristët serbë në Kosovë që sulmuan edhe forcat e NATO-s, dhe ju sekuestruan armatime të paligjshme. 

Kur Albin Kurti i kundërvihej Ballkanit të Hapur, me Procesin e Berlinit, Edi Rama tallej, madje plot mendjemadhësi, në atë tipin e tij bullist, e ftonte qeveritarin e Kosovës të përfshihej në tryezë me qëllim lëvizjen e lirë. Albin Kurti pohonte publikisht se, si Shqipëria dhe Kosova e kanë vendin në Europë, në Berlin, Edi Ramës i hante timoni për në lindje.

Ndaj sot jo rastësisht, Shqipëria nuk është akoma anëtarë e komunitetit europian. Në Proçesin e Berlinit Albini, jo, thoshte Edi Rama. Madje, bashkë me grupin e interesit, jo Kosovën, shpikën termin e një Mini Shengeni Ballkanik, bash për të trembur Berlinin. A ia arriti qëllimit? Asesi! Shqipëria sot ka rënë në një vakum dështimi sa ekonomik aq edhe politik. Kujtoni se vetëm në muajin e kaluar (8 qershor 2023) qeveria e Edi Ramës mori borxh rreth 600 milion euro kredi me interesa të lartë. Nga këto para borxh plus përqindjet bankare, i bie të jenë në borxh edhe ata që do lindin në vitin 2060.

Kjo vizitë e përgatitur mirë e Ramës me Klintonin është vlerësuar si një show i përmasave groteske dhe një përpjekje e panevojshme për të impresionuar publikun shqiptar. Kritika është se Rama ka paguar për ture të panevojshme të lobimit dhe ka sjellë Klintonin në Tiranë për të ndikuar në perceptimin e shqiptarëve. Megjithëse Klinton ishte i lodhur, ai ende u përpoq për të dhënë një leksion mbi të drejtën universale dhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes, në kontrast me retorikën e Rames që fokusohet vetëm në Unin e tij.

Përveç kritikave për ftesat selektive dhe retorikën e Rames, kritika është se ai kërkonte të shprehte vetëm retorikën e tij, ndërsa Klintoni e bazoi fjalën e tij në funksion të ideve. Ky dallim tregon se Rama ishte më shumë i interesuar për formën sesa për përmbajtjen e fjalës së tij. Kritikat ndaj Rames dhe organizimit të vizitës së Klintonit theksojnë mospërputhje të qëllimeve dhe fokusit të dy politikanëve. Kjo vlerësohet si një përdorim politik i vizitës së Klintonit për të promovuar imazhin e Rames dhe për të krijuar një spektakël politik, në vend të të përqendruar në çështjet reale dhe sfidat e vendit.

Situata në konfliktin Kosovë-Serbi nuk është një krizë e thellë si konflikti në Irlandë midis katolikëve dhe protestantëve, por është kthimi i skenarëve të zinj serbo-rusë për të përmbysur historinë, që Klinton ka krijuar dhe mbeti i pavdekshëm për shqiptarët. Vetë Klintoni kur i është drejtuar popullit Amerikan për ndërhyrjen në Kosovë ka thënë: “Kjo ndërhyrje nuk vjen nga vlerësimet politike dhe sondazhet, por është një film që unë e kam parë në Ruanda dhe në Bosnjë dhe nuk duhet të përsëritet më!”. Pra ishte një nevojë për të shpëtuar botën nga një tjetër gjenocid, sesa një aksion politik.

Sa për këshillat e tjera të tij për komunat, zgjedhjet, selitë, Kryeministri Kurti duhet të shikojë mënyrën për ti zbatuar në një mënyrë apo tjetër, se është lider i zgjuar dhe me integritet dhe jo një showman cirku. Pa paragjykuar se i janë imponuar nga Aleksi, Edi & Co., ai duhet të ketë guximin  të dëgjojë të mençurit dhe përbuzë hapur liderët e shpallur globalë nga Vuçiçi, që për pushtetin shesin  kombin.

Dje ne pamë spektaklin e radhës të mjeshtrit të madh të ceremonive me pikësynim goditjen e liderit të Kosovës, Albin Kurti. Pjesëtarët e këtij spektakli, si A. Soros, na kujtuan se “Ballkani i Hapur” është mbyllur përkohësisht nga një fakt shumë tronditës që ka lidhje me Vuçiç apo me Ramën. Por skenaristët kërkojnë fillimisht kokën e Albin Kurtit për ti dhënë hapësirë pushtetit të Edi Ramës si përfaqësues i të gjithë shqiptarëve.

Është koha që Kosova dhe Kurti ti kthejnë reston, jo si hakmarrje personale por si detyrë ndaj kombit. Por një gjë Edi Rama duhet të dijë, se kurrë dhe asnjë rast nuk e ka mandatin të flas në emër të Kosovës, as nuk duhet kjo t’i lejohet të flas ”Albin Kurti ia dogji njëherë e mire ëndrrën Edi Ramës për të qenë “lider rajonal”. Jo për ego personale, ndoshta madje edhe në pavetëdije! Albin Kurti i dogji Edi Ramës të vetmen alibi që ai kishte për “aleancën” me Aleksandër Vuçiç, kur pretendonte se përmes saj shmangeshin konfliktet në rajon. Serbia nuk do të ndryshojë kurrë, i vetmi që propagandonte këtë komedi, ishte vetëm Edi Rama! Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit do ta realizon një vizitë në vendet e rajonit.

 Ai nesër do të vizitoj Shkupin e pastaj edhe në Kosovë. pas kësaj ai do të shkon për vizitë në Bosnje, Mal të Zi dhe Serbi. Ramën në Kosovë nuk e priti kryeministri Albin Kurti, por presidentja Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca. 

A thua Rama nisi një luftë të ftohtë mes dy shteteve shqiptare për shkak të egos së tij? 

Ajo që ndodhi në Kosovë duket si një prolog i epilogu të padëshiruar mes dy shteteve shqiptare ndërkohë që Vuçiçi fërkon duart.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Rafael Floqi

Krahina historike e Buzit ndez qirinjtë e isos me frymëz Hëne në Gjinokastër

July 7, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Këtë vit pata një vemendje krejtësisht të posaçme për të dëgjuar kur mundesha ose gjeja një shteg hyjnor për këngët dhe vallet folklorike në Festivalin e Gjinokastrës. Natyrshëm i shihja dhe dëgjoja me nostalgji grupet folklorike të famshme dhe të reja që ngjiteshin në skenën tradicionale dhe të madhërishme të Gjinokastrës.
Bota e folkut shqiptar është e magjishme, është si Dielli dhe Hëna, ngase larmia shumëngjyrëshe e kostumeve, traditat shekullore ndezin edhe netët duke ndriçuar fort saqë disa fjolla dritëzash u panë dhe në sipërfaqen e mëndafshtë të Oqeanit Atllantik ku jetoj.
Ja psh dëgjova grupin e krahinës së Buzit që njihet aq shumë nga Tafil Buzi, ku një grup tjetër i Tepelenës nga Kalivaci i dashur me këngëtarin e mirënjohur Viktor Aliun i kënduan si Tafil Buzi Hane Hane. Kujtoj namin e një burri/ Kapedan o Tafil Buzi… Lot më ranë kur i dëgjova, u gëzova që iu këndojnë këtyre trimave të pashoq si Tafil Buz mustaqeziu që i vuri kufirin tek thana Perandorisë turke. Ai ishte udhëheqësi kryesor i kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut në vitet 1828-1847. A e kuptoni se çdo të thotë që një djalë buzjot nuk i pagoi taksat nuk u bë skllav, mbrojti trojet e veta dhhe i dërgoi osmanet me bisht ndër shalë në Anadoll? Hajde ta kuptoj brezi i ri që me siguri se kanë idenë kush ishte ky trim i pashoq nga Buzi i Tepelenës?
Në vitin 1968 Gjinokastra u konfirmua si streha e Folklorit, shtëpia ku gjëmonte kënga dhe vallja e Kombit.
Ja këtë ka dashur të thotë Poeti i dashur Pëllumb Aliaj në vargjet: “Do t’ja mar këngës buzjoçe/ Kënga ime, kënga jote/ Kënga labe, kënga toske/ Kuvende burrash vuloste”. Janë vargje të një filozofie të thellë, vargje frymëzuese që ashtu si ndër shekuj me këngë burrash vuloste shpesh herë për fatet e Kombit. Kjo këngë të sjellë ndërmend grupin e Velçës, Vlorë për Flamurin dhe Ismail Qemalin si: “Tundu, tundu, o Flamur,/ Përmbi shkëmb e përmbi gur! /Smaili të vuri vulë! /Aferim, o Smail Be/ Evropës rrotull i rè/ Flamurin në Vlor’ ngulè/ Smail Be, o diplomat/ Na e ngrite kokën lart!”
Po le të hidhemi tek kënga buzjote që nuk e di pse u dha e fundit në medie, por natyrshëm ne nuk mund te heshtim përpara zërave të polifonisë labe që me vibrimet e tyre aq të mrekullueshme dukej sikur ishin bashkuar bilbilenjtë dhe kanarinat tepelenase si Xhevairja dhe Margarita që ndezën qirinjtë në muzgun e kalasë si me frymëz Hëne…
Është kënga ku falet shpirti i artistit, i poetit, i marrësit, isombajtësve dhe ata ishin:
Marrës Margarita Pashaj, Xhevaire Allkushi, Kthyesi, Pëllumb Alia, Hedhës: Zylyftar Alia, Iso. Bashkim Brahimi, Agim Allkushi, Kostandin Goçi, Dajlan Shehaj dhe Pirro Nakaj.
Fuqia e zërit te tyre si me shpejtësi drite vetëtimë, është muzikalitet dhe ndjeshmëri e tejskajshme. Kënga labe është pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO dhe është quajtur Kryevepër e Njerëzimit. Përgëzimet tona Pëllumb Aliaj dhe gjithë grupit tuaj simpatik që ecni ethshëm dhe ndritshëm në rrënjët e të parëve ashtu si në vargjet:
“Kush e mban kombin bashkuar/ Kënga jonë, këngë e bekuar/ Babai birit ia mësonte/ Mbretëreshë këngën e donte.
Urime Buzjotë të nderuar!
Në përjetësi mbretëroftë Folklori ynë Kombëtar!

Filed Under: Kulture

Fjala e ambasadorit Hovenier gjatë Pritjes për Ditën e Pavarësisë

July 7, 2023 by s p

Presidente Osmani, Kryeministër Kurti, Kryetar i Kuvendit Konjufca, anëtarë të korit diplomatik, mysafirë të nderuar.

Laura dhe unë ju urojmë mirëseardhje në ambasadën amerikane dhe ju falënderojmë që jeni së bashku me ne dhe ekipin e Ambasadës së ShBA-së për të festuar përvjetorin e 247-të të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Sot festojmë një moment tepër të rëndësishëm.

Plot 247 vjet më parë, në një ditë të nxehtë e me zagushi të 4 korrikut, në Filadelfia të Pensilvanisë, Etërit tanë Themelues u betuan me „jetën”, „pasurinë” dhe „nderin e tyre të shenjtë” për të vërtetat që ata pohuan se ishin „të vetëkuptueshme”.

Që „të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”.

E me këtë ata themeluan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndryshuan botën.

Këto ide – barazia, liria dhe qeverisja që rrjedh nga „pushteti i drejtë” përmes „miratimit nga të qeverisurit” – janë ide përkufizuese në projektin dhe përvojën amerikane.

Por, historia jonë është histori e përpjekjeve për t’i përmbushur këto ideale. Edhe pse shpesh nuk ia kemi dalë, kurrë nuk kemi hequr dorë nga këto parime shumë ambicioze.

Gjatë Samitit të parë për Demokraci Presidenti Biden tha: „Demokracia amerikane paraqet përpjekje të vazhdueshme për t’i jetësuar idealet tona më të larta dhe për të shëruar ndasitë tona; për tu rizotuar ndaj idesë themeluese të vendit tonë të mishëruar në Deklaratën tonë të Pavarësisë”.

Idealet në Deklaratën tonë të Pavarësisë nuk i kanë prirë përparimit vetëm në Shtetet e Bashkuara. Ato kanë qenë frymëzim i shumë vendeve, përfshirë Kosovës.

Sa herë kam nderin të takohem me Kryetarin e Kuvendit Konjufca në zyrën e tij, gjithmonë ndalem për të shikuar dhe reflektuar për Deklaratën origjinale të nënshkruar të Pavarësisë së Kosovës, të përmbyllur në një ditë të ftohtë dimri më 17 shkurt 2008.

E di se gjatë hartimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe Kushtetutës, themeluesit e Kosovës – e shumë prej tyre na kanë nderuar me praninë e tyre sonte – u frymëzuan nga Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së dhe Kushtetuta jonë.

Në ato dokumente janë disa deklarata të fuqishme të parimit dhe aspiratave, por dëshiroj të theksoj një nga Deklarata e Pavarësisë së Kosovës:

„Ne e shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë”.

Ky tekst elokuent është pjesë e premtimit të Kosovës dhe e themeleve të pavarësisë së saj.

Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen e tyre për popullin e Kosovës në konceptimin dhe realizimin e këtij vizioni ambicioz.

Mbesim të palëkundur për këtë.

Njëjtë siç vazhdojnë Shtetet e Bashkuara të përpiqen për të përmbushur idealet e tyre themeluese pas 247 vjetësh, shpresoj se do të pajtoheni që në disa raste as Kosova nuk ka arritur t’i përmbushë idealet e saj themeluese, pavarësisht përparimit të jashtëzakonshëm të arritur në 15 vitet e fundit.

Në këtë frymë, dëshiroj të konfirmoj se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë qëndrojnë me popullin e Kosovës në mbështetje të plotë të avancimit dhe arritjes së vizionit të saj themelues për një shtet demokratik, laik dhe multietnik.

Ju lutem, ta dini që:

Kur ju japim këshilla;
Kur ju kërkojmë të bëni gjëra që duken që janë të vështira ose që janë të vështira; apo
Kur marrim veprime si pasojë ose në reagim ndaj vendimeve që nuk janë në përputhje me këshillat apo kërkesat tona, e bëjmë këtë në përputhje me përkushtimin tonë afatgjatë për të mbështetur popullin e Kosovës për tu përafruar pikërisht me ato ideale ambicioze që i synon.
Prandaj, sot, përderisa festojmë 247 vjet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, gjithashtu rikujtojmë dhe festojmë së bashku 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, si dhe përparimin e jashtëzakonshëm që populli i Kosovës e ka arritur në këtë periudhë të shkurtër kohore dhe premtimin për përparim të mëtejmë për të mirën e tërë popullit të Kosovës.

Në përmbyllje, gjithashtu dua të vë në pah se ngjarjet si kjo nuk organizohen vetvetiu.

Ju lutem, bashkohuni me mua për të falënderuar qindra vullnetarë, të cilët e kanë organizuar këtë ngjarje nën udhëheqjen e aftë të Claudio Ballesteros me mbështetjen e Jess Gumucio.

Gjithashtu, dëshiroj t’i falënderoj sponsorët e shumtë, pa të cilët kjo ngjarje nuk do të mundësohej. Ju faleminderit për zemërgjerësinë tuaj.

Ju faleminderit shumë të gjithëve dhe urime Dita e Pavarësisë!

Filed Under: Rajon

Kryesisë dhe të gjithe antarsisë së Organizatës

July 7, 2023 by s p

hope.peace.org@gmail.com

Shumë e nderuemja Zonja Mimoza Dajçi

Krytare e Organizatës                                                    Ridgefield, CT. USA

New York City, N.Y.                                                                  3 korrik 2023

Të nderuemet Zonja të Kryesisë dhe Anëtarsisë së Organizats Shqiptare-Amerikane  Hope.Peace.org@gmail.com

    Kam marrë këto dit kopjen e  certifikatës së vlerësimit qytetar të Nans sime (pastë dritë) HAVA BUSHATI REPISHTI, që me interesimin tuej fisnik e atdhetar u lëshue nga Senatorja e Shtetit të Neë Yorkut the Honorable Nathalia  Fernandez.

Jam gëzue shumë dhe   kam pasë ndjenjen e lehtësimit të dhimbjes së madhe që vuejtjet e jetës kanë mbulue jetën e Nanës sime deshmore e vuejtjeve të tri diktaturave-fashiste, naziste dhe sidomos komuniste. 

    E përbuzun, e përndjekun dhe e denueme me vuejtë nji vorfëni pa skaj, kjo Nanë me tre djem të rritun, nji fenomen i pakonceptueshëm në Botën e Lirë, kjo Nanë e mjerueme nuk u dekurajue asnjiherë. Shprehja e saj “edhe na si e gjithë bota’  referohej vorfënisë tragjike që kaloi ai popull per 45 vjet me rradhë, dhe rrjedhimet e së cilës ndiehen edhe sot e kësaj dite.

    Gjesti I juej fisnik e atdhetar ka dhe randësin e vet të veçantë sepse kujton viktimët e verteta të vuejtjes e mjerimit, gruen shqiptare që e mbyllun në botën e shurdhër të patriarkalizmit banal dhe idiot, vuen në heshtje, nji heshtje që flet ma shumë se volumet e shkrueme  e që neglizhojnë me vue në dukje thellësinë e vuejtjes së grues shqiptare. Me këte gjest ju keni ngritë nivelin e grues shqip-tare nji shkallë ma nalt, dhe të denjë për respekt ashtu si veprojnë të gjith vendet e qytenueme të Botës së Lirë.

    I përjetëshëm qoftë kujtimi i viktims Hava Bushati Repishti, dhe i përjetëshëm do të jetë edhe respekti i im për organizaten tuej dhe të gjithë ju per vumjen në dukje ate qe politika e propaganda bajate mohojnë shpesh herë.

    T nderueme Zonja, ju lutem pranoni falënderimet e mia ma të thella dhe urimet e mia ma të mira. Zoti ju ndhmoftë!

                                                                          Sami  Repishti, Ph.D.

                                                                          Univ. “La Sorbonne” Paris, France

                                                                          Graduate Center, C.U.N.Y.

                                                                           Ish I burgosun politik- 1946-56

                                                                           në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi                           

Filed Under: ESSE Tagged With: Sami repishti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1573
  • 1574
  • 1575
  • 1576
  • 1577
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT