• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONFERENCA NDËRKOMBËTARE PËR KOSOVËN KA PËRFUNDUAR NË RAMBUJE

July 5, 2023 by s p

Skënder Karaçica/

Kohëve të fundit nga kabineti zyrtar i qeverisë shqiptare në Tiranë, ka dalur nisma për organizimin e ashtuquajtur të konferencës ndërkombëtare për relacionet Kosovë-Serbi dhe mbyllja e problemit shekullor shqiptaro-serb në hapësirën etnike në Ballkan.

Përkitazi me çështjen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar dhe të integrimeve në BE dhe relacionet e miqësisë së përjetshme me SHBA si dhe liria dhe pavarësia me vlerat e demokracisë e të paqes, për Kosovën kanë përfunduar në Rambuje.

Në qarqet e ndryshme dhe në disa paraqitje publike të (a)nalistëve politikë të (m)arrëdhënieve ndërkombëtare, po ia fusin kot së koti, ndonëse Republika e Kosovës i ka përfunduar në të gjitha rrafshet e diplomacisë BE-SHBA temën bosht në Konferencën Ndërkombëtare në Rambuje.

Për Kosovën nuk i duhet organizim i ri i diplomacisë në ndonjë Konferencë Ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes dhe të mbylljes së knfliktit të ngrirë Kosovë-Serbi, ndonëse pavarësia dhe njohja ndërkombëtare e Kosovës i ka përfunduar të gjitha opsionet për ndonjë Konferencë të (re)Ndërkombëtare!

Për Tiranën zyrtare, kujtoj se vlenë porosia e kohës: Kujdes ndaj diskursit të diplomacisë së ftohtë dhe me motive për të bër gafet e rradhës veçse për një buzëqeshje ndaj regjimit serb në Beograd.

Filed Under: Histori

“Të shfrytëzohen njohuritë dhe përvoja e përfaqësuesve të diasporës në ngritjen dhe zhvillimin e atdheut”

July 5, 2023 by s p

Dr.sc.Dashnim HEBIBI/

Intervistë me Prof.dr.Ylber Qusaj, doktor i shkencave farmaceutike, që jeton dhe vepron në Zvicër

‘Në vitin 2018, Kompania Novartis ka ndarë çmimin prestigjioz “AWARD Stein Rubin” për kontributin tim në idejimin e një procesi të brendshëm në prodhimin e medikamenteve, proces ky që ndihmoi kompaninë në uljen e çmimit në prodhim. Gati çdo vit nga Kompania Lonza marr mirënjohje për kontributin tim në lehtësimin e prodhimit të medikamenteve’, na tha, ndër të tjera, z. Qusaj.

Në fillim të kësaj interviste, do të kujtoj një fjalë të urtë të Winston Churchill: “Kurrë, kurrë, kurrë mos hiqni dorë.” Është e pamundur përmes kësaj hyrjeje të kësaj interviste të them gjithë ate që mësova nga vetë protagonisti i bashkëbisedimit tonë për suksesin që e ka arritur, falë një pune shumë të madhe dhe serioze. Është nder i madh dhe imazh i jashtëzakonshëm kombëtar, që e kemi një personalitet me shumë arritje shkencore në Zvicër. Dita ditës po dëgjojmë arritje të të rinjëve tanë në fusha të ndryshme të dijes, që po lindin e po rriten në mërgim, por arritjet e një bashkëkombasi, që është shkolluar në atdhe dhe për një kohë të shkurtër, ai fiton majat e shkencës, kjo është paksa më e veçant. Krejt e krejt, suksesi nuk falet, por arrihet. Pa e njohur gjuhën gjermane, pa e njohur shtetin mirë ku po shkon, me diploma universiteti, drejtohet një jete të re. Një jete, që nuk do të dorëzohet kurrë, pavarësisht betejave të jetës, por me rëndësi të fitohet lufta. Lufta fitohet me punë dhe jo me rrahje gjoksi. Duke respektuar ligjin e shtetit zviceran, duke u përkrahur nga bashkëshortja dhe familja në përgjithësi, kërkon dituri vazhdimisht dhe erdhi deri te cili i suksesit, gradohet me gradën më të lartë shkencore. Sa e sa fjalë kam për të thënë për këtë personalitet me plot kuptimin e fjalës, por e pamundur të përshkruhet e gjithë bota e tij jo verbale. Ai na foli pa dorëza, me sinqeritet, sepse nuk vuan nga egoizmi, nga bajraktarizmi, shpalos anën jo verbale të tij dhe na tregon, se si u largua nga atdheu, si erdhi në Zvicër dhe si arriti suksese. Ka kujtime dhe falënderime edhe për prindërit e tij, që e rritën me shumë dashni dhe etikë morale, deri te rrethi ku u rrit dhe fitoi bazën e arsimimit. Falënderues për mësuesit, arsimtarët, profesorët, që kaloi shkollën fillore, të mesmen dhe fakultetin, atje në tokat shqiptare. Çfarë shpirti të bardhë i thoja vetes, kur e dëgjoja duke folur. Fjalët i dilnin si të qëndisura me copa shpirti. I qetë, me kulturë të të dëgjuari. Respekt të veçant ndaj bashkëbiseduesit. I etur për atdhe. Gjithnjë përmend prindërit, familjen e tij në atdhe e diasporë. Flet me krenari për bashkëshorten e tij, me të cilën së bashku arritën sukseset. Na foli për kujdesin që e bënë bashkëshortja e tij me fëmijët e tij të vegjël. Sa mirënjohës që i është bashkëshortes, sepse po i përgadit fëmijët për jetë të shëndosh. Jeta është e sigurt kur ke bazën e familjes. Sa e sa fjalë të mira mësova gjatë bisedës. Gjatë bashkëbisedës, shikoja orën, sa shpejt që kalonte. Dihet se koha është më e shenjta në këtë jetë dhe shumë e saktë, sepse kjo jetë shumë e shkurt. Kohën, që ia mora doktorit, ndjehesha i mërzitur, pa e harruar kohën time, që djalit tim i pata premtuar për të dalur me biçikleta. Të kënaqet shpirti kur sheh sukseset e bashkëkombasve tanë. Sot për sot, koha është bërë shumë dinamike, nuk po lexohen tekstet e gjata, ku mendoj, se në ato ka shumë shpirt, sepse nuk e kap syri i kamerës, por syri i shpirtit. Prandaj, ndodh kjo, vetëm në atdheun tonë, nuk kemi gazeta të shtypura dhe flasim për gazetari. Hallakam, kohë tranziconi thojshin disa veprimtarë në një takim para disa javëve, shumë e sakt. Emisione e shkrime pa kurrfarë shije e profesionalizmi, vetëm e vetëm për klikime. Dihet rëndësia apo pesha e medias. Me këtë desha ta godas numrin 10-të, se personalite si ky protagonisti i kësaj interviste na duhen të jenë nëpër media. Rast konkret, se si vihet në diasporë dhe arrinë majat e shkencës. Kjo është më shumë se krenari. Diaspora nuk ka vetëm sportista të mirë. Ka shkenctarë, që krenohen vendet pritëse e në këtë rast Zvicra. Nuk është më diaspora ajo që ka punuar më shumë në punë fizike, por gjithandej kemi intelektual të suksesshëm. Edhe ajo punë fizike ka qenë e ndershme, sepse me djersën e tyre kanë ndihmuar përveç familjen, edhe proçeset që i kemi kaluar si komb, sidomos para luftës, gjatë luftës dhe sot e kësaj dite, Kosova, por edhe tokat tjera shqiptare. Është kjo diasporë, që shkurt e shqip mundet ta quajmë me fakte, se ishte dhe është arteria kryesore e së mirës në atdhe. Sa vështirësi që kishte kur erdhi në Zvicër. Me të ardhur, donte të punonte. Nuk donte të rrinte pa punë, sepse e kishte të trashëguar, sepse vetëm me djersë arrihen të mirat. Kur disa shokëve të punës në fillim, ju tregonte, se ka dëshirë, që një ditë të vazhdoj studimet apo të punoj në profesionin e tij, dikujt ju dukej ëndërr e pa arritshme. Modest, duke ecur për toke, filloi kurset e gjuhës gjermane dhe pas një kohe shumë të shkurtë, arriti të mësoj gjermanishten akademike. Tash, kishte fituar çelësin e suksesit. Ylberi me shumë besim në vete dhe me arritjet që i kishte fituar në Universitetin e Tetovës, një ditë duke punuar, përnjëherë i vije në mendje një ide për një zbulim në fushën e mjeksisë. Për fat të mirë, sigurisht nga bardhësia e tij shpirtërore, i hapen dyert e suksesit dhe një ditë, arrinë gradën shkencore po me ate ide që e kishte. Puna dhe logjika na dallon nga gjallesat tjera të këtij planeti. Ylberi, përveç se është shkenctarë, ai ishte i kompletuar edhe me etikë, duke ditur të nderoj dhe duke mos rrahur gjoksin, por duke frymëzuar e ndihmuar të gjitha ata që duan të merren me shkencë. Nuk ka kthim, por vetëm te para! Nuk ka dorëzim, por deri në realizim të projektit! Mundemi dhe e arrijmë! Besim në vete! Përkrahje nga familja! Shumë punë! Respekt maksimal kohës! Për ate kohë, që bashkëbiseduam me Prof.dr.Ylber Qusaj, mora shumë kujtime të mira, por e pamundur të përshkruhen siç ju thash edhe më lart. Shpresoj shumë, se në një të ardhme të afërt, do të kemi përsëri mundësi, të mësojmë edhe më shumë nga sukseset e tija dhe padyshim se është krenaria jonë. Për më shumë të nderuar lexues, do të mësoni në vazhdim nga doktori nga kjo intervistë e gjatë, por reale, nga e cila shpresojmë, se do të mësojmë shumë gjëra, se si arrihen sukseset shumë larg atdheut.

Një biografi me disa fjalë

I doktoruar në Strasburg të Francës për Farmaci dhe i punësuar në gjigandin farmaceutik në Aargau të Zvicrës ku edhe jeton. Prof. Dr. Qusaj është shquar në aktivitetin e tij shkencor, duke u bërë një nga personalitetet më të respektuara shkencore në shtetin helvetik dhe më gjerë. Nga viti 2020 është angazhuar edhe si ligjërues i Lëndës ‘Prodhimi i Avancuar i Medikamenteve’, Farmaci, në Kolegjin ‘Rezonanca’ në Prishtinë.

Data e lindjes, vendi, shkollimi

Prof. dr.Ylber Qusaj është i lindur më 05.04.1983 në fshatin Pllajnik të Opojës, Komuna e Dragashit. Pas përfundimit të shkollës së mesme të mjekësisë, viti 2002, një kohë të shkurtër ka punuar si teknik medicinal në fshatin e tij të lindjes. Në Universitetin Shtetëror të Tetovës ka ndjekur studimet për farmaci, të cilat i ka përfunduar me sukses të shkëlqyer në vitin 2007. Gjatë studimeve në Tetovë, Prof. dr. Qusaj shquhet edhe për pjesëmarrje aktive në veprimtari të ndryshme që zhvilloheshin në universitet dhe jashtë tij.

Motivi dhe arsyet për braktisjen e vendlindjes

Njohja me bashkudhëtaren e tij të jetës, i dha atij mundësinë që të vazhdojë edhe më tej rrugëtimin drejt zgjerimit të dijes. Pas përfundimit të fakultetit të farmacisë, në fund të vitit 2007, Ylberi emigron në Zvicër, ku jetonte bashkëshortja e tij me familjen e saj.

Vështirësitë e vitit të parë si mërgimtar

Sfida e parë, me të cilën është ballafaquar në këtë mjedis të ri, ishte mësimi i gjuhës gjermane, e cila do t’ia hapte atij shtigjet për vazhdimin e rrugës së shkollimit. Në periudhën 2008-2009, falë vullnetit të çeliktë, kishte arritur t’i kryente disa nivele të mësimit të gjuhës gjermane, të cilën arriti ta zotërojë deri në nivel shkencor. Kjo i hapi atij rrugë që të niste punë në industrinë farmaceutike, për të cilën kishte përgatitjen adekuate shkollore.

Puna e parë në mërgim

Në shtator të vitit 2008, me ndihmën dhe bashkëpunimin e bashkëvendësit Blerim Krasniqi, që ishte edhe si udhëheqës në këtë repart, e filloi praktikën e punës në industrinë farmaceutike Bioforce AG (A. Vogel), Roggwil (TG) ku u angazhua në zhvillimin e medikamenteve në bazë bimore. Kjo e ndihmoi shumë që të integrohej në mjedisin e ri dhe të regjistronte studimet e doktoraturës. Pikërisht kjo kompani i ndihmoi në finalizimin e doktoratës. Në tetor të vitit 2009, i filloi studimet e doktoraturës në Universitetin e Bazelit në Zvicër, ndërsa nga viti 2011-2012 i vazhdoi këto studime në Universitetin e Strasburgut në Francë. Më datë 1 shkurt 2013 mbroi me sukses disertacionin e doktoraturës me temën: “Optimizimi dhe Investigimi i Tabletave Echinacea me Teknologjinë ‘base granulate’”. Doktoratura u realizua falë bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Bazelit, Universitetit të Strasburgut dhe Kompanisë “Bioforce AG” ku kishte zhvilluar pjesën eksperimentale të punimit të doktoraturës.

Malli për atdheun

Duhet theksuar se dr. Qusaj është një kryefamiljar i përkushtuar dhe i lidhur ngushtë edhe me vendlindjen. Çdo pushim, sado i shkurtë që të jetë, bashkë me gruan dhe katër fëmijët e tij, e kalon në Kosovë dhe viziton të afërmit dhe miqtë e shumtë. Mbi të gjitha te doktori është njerëzorja.

Shteti i Kosovës dhe Shqipërisë duhen të kontribuojnë më tepër që të bartim përvojën zvicerane në atdhe

Diaspora shqiptare ka dëshmuar që di dhe mundet të organizohet në mbështetje të interesave kombëtare. Sipas jush, cili është niveli i organizimit të saj sot dhe çfarë potenciali kontribues përfaqëson diaspora jonë në ditët e sotme?

Diaspora ka kontribuar për vite të tëra dhe vazhdon të kontribuojë në aspektin financiar dhe kulturor dhe organizativ, por unë mendoj se ne duhet te organizohemi , në kuadër të shteteve tona në Ballkan që mos të varen vetëm nga remitencat, por të shfrytëzohen njohuritë dhe përvoja e përfaqësuesve të diasporës në ngritjen dhe zhvillimin e shtetit. Shteti i Kosovës dhe Shqipërisë duhen të kontribuojnë më tepër që të bartim përvojën zvicerane në atdhe. Ka shumë kuadro të kualifikuara në Zvicër që japin kontributin e tyre në këtë shtet, duhet të krijohen me shumë politika dhe mundësi nga shtetet përkatëse që ata këto njohuri ti bartin në shtetin përkatës të tyre. Shumë njerëz këtu dinë gjuhët e huaja dhe kanë më shumë mundësi këtu.

Si e kaloni kohën e lirë kur nuk jeni në punë?

Kur nuk jam në punë, kujdesem për familjen time dhe shëndetin mendor. Pas shumë angazhimeve me familje, mundohem të gjej kohë ditore që të kujdesem për shëndetin fizik, si ushqimi i mirë dhe duke lëvizur çdo ditë. Një ditë e zakonshme me gjenë duke vrapuar i vetmuar në natyrë ose duke dalur në mjedis të pastër në natyrë, së bashku me familje, në atë mënyrë që të jem në lëvizje duke u kujdesur për shëndetin fizik dhe mendor. Falë rezultateve të arritura në punë, personaliteti im vlerësohet shumë, jo vetëm në kompaninë ku punoj, por edhe në mesin e komunitetit zviceran dhe atij shqiptar që jeton në Zvicër. Shpesh takohem me disa miq këtu në Zvicër. Madje, shpeshherë organizoj takime jashtë orarit të punës me shqiptarët që punojnë në këto kompani farmaceutike, me ç’rast i këmbejmë përvojat tona në farmaci.

Sa mendoni që ka arritur të integrohet gjenerata e re e diasporës shqiptare në shtetin ku ju jetoni e veproni?

Gjeneratat e para të diasporës shqiptare të viteve ’70-’90 ishin kryesisht mashkuj që kishin qëllime të punës dhe përfitimit të parave. Ata ikën nga dhuna, nga shtypja etnike dhe identitare dhe kanë qenë të drejtuar në atë kohë nga frika e asimilimit. Ata e kanë parë identitetin shqiptar në mënyrë më emocionale.

Unë kam ardhur në mërgim më vonë, në fund të vitit 2007 dhe besoj se gjeneratat tjera janë më të interesuara të kontribuojnë më shumë në aspektin social e ekonomik, jo vetëm në bazë të identitetit. Dëshirojnë më shumë të integrohen dhe të jenë pjesë e shoqërisë.

Mendoj se pas viteve ’90-ta, ata filluan ti marrin edhe familjet e tyre dhe kështu edhe qëllimet e tyre filluan të ndryshonin, pasi fëmijët filluan të ndjekin shkollat në një vend të huaj dhe në një formë lindën edhe programet e reja të integrimit, të cilat, pak a shumë, ndikuan në vetëdijesimin rreth çështjeve edukuese, Mundësitë e përfitimit të kësaj forme filluan ti shfrytëzonin fëmijët e tyre, duke ndjekur shkollimin.

Gjenerata e re është përqendruar më tepër në arsim dhe kontribut në të gjitha lëmitë ku punojnë. Ajo është edhe rruga më e duhur për integrim, duke qenë pjesë e shoqërisë dhe duke kontribuar në këtë shoqëri.

Sipas mendimit tuaj, për çfarë mbështetje konkrete të shteteve shqiptare ka nevojë urgjente diaspora shqiptare?

Unë e shoh se gjeneratat e reja nuk dëshirojnë vetëm të shkojnë në Kosovë me ndonjë veturë të madhe e për t’u krenuar, për t’u martuar me shqiptarë, e për të pasur dasma në Kosovë. Është një grup në rritje, i cili dëshiron të kontribuojë në zhvillim më afatgjatë, qoftë për shoqërinë civile, qoftë për sektorin privat.

Cili është kapitali juaj shpirtëror, të cilin keni arritur ta krijoni dhe me të cilin ndjeheni krenar?

Falë rezultateve të arritura në punë, përfundimit të doktoratës në lëmin e farmacisë dhe në universitetet më prestegjioze në Evropë, personaliteti im vlerësohet dhe respektohet shumë, jo vetëm në kompaninë ku punoj, e në kompanitë ku kam punuar, por edhe në mesin e komunitetit zviceran dhe atij shqiptar që jeton në Zvicër. Përvoja në punë dhe avancimet në fushën shkencore në farmaci kanë bërë që unë të jem njëri nga kuadrot më të respektuara, duke më dhënë edhe rol udhëheqës në kompani. Gradimi shkencor në lëmin e farmaceutikes ka bërë që të jem i privilegjuar dhe i respektuar, si në aspektin shoqëror e moral, po ashtu edhe në aspektin financiar. Në vitin 2018, Kompania ‘Novartis’ ka ndarë çmimin prestigjioz “AWARD Stein Rubin” për kontributin tim në idejimin e një procesi të brendshëm në prodhimin e medikamenteve, proces ky që ndihmoi kompaninë në uljen e çmimit në prodhim. Gati çdo vit, nga Kompania ‘Lonza’ marr mirënjohje për kontributin e tim në lehtësimin e prodhimit të medikamenteve.

A keni bërë plane se ku ti kaloni vitet pas pensionimit?

Dalja në pension është një nga momentet historike në jetën e çdo personi. Shpesh e kam menduar dhe kam bërë plane edhe me bashkshorten time rreth pensionimit dhe jetës sonë. Për këtë, në këtë kohë të re, kemi rregulluar një shtëpi të re në Kosovë, ku mendojmë ta kalojmë një pjesë të pensionimit. Për mua janë edhe shumë vite deri në pensionim, por ajo sinjalizon se rrugëtimi im duke punuar shumë ka përfunduar. Si pensionist e shoh veten duke shijuar jetën me atë që kam dashur dhe pasur gjithmonë në mendje. Planifikoj, duke u marrë me hobin tim, duke udhëtuar nëpër botë dhe duke kaluar më shumë kohë me familjen time në vendlindje dhe këtu në Zvicër.

Cila është porosia juaj për gjeneratën e re të komunitetit shqiptar që po rritet në diasporë?

Gjeneratat e komunitetit shqiptar duhet të përqendrohen edhe më shumë në arsimim dhe kontribut në të gjitha lëmitë ku punojnë. Nëse ne kemi më shumë ekspertë dhe kontribues në të gjitha lëmitë, atëherë do të kemi më shumë forcë në organizim dhe vendimmarrje në këtë shtet. Arsimimi dhe kontributi në atë vend është edhe rruga më e duhur për integrim dhe diverzitet, duke qenë pjesë e shoqërisë dhe duke kontribuar në këtë shoqëri. Ne kemi nevojë më tepër për përfaqësim në Parlamentin e Zvicrës. Kemi nevojë më tepër për njerëz të kuadrove politike që neve na përfaqësojnë këtu dhe na ndihmojnë më tepër në integrimin dhe diverzitetin me popullin e shtetin zviceran.

I keni thënë vetes, ‘pse kam ardhur në mërgim’?

Në fillim, deri sa jam integruar dhe rregulluar në Zvicër, kam menduar shpesh këtë pyetje ‘pse kam ardhur në mërgim’ dhe se çfarë do të jetë e ardhmja ime këtu. Mirëpo, shpesh e kam vizualizuar të ardhmen time dhe si do të ishte jeta ime në Kosovë dhe në Zvicër. Kam ardhur në lumturinë dhe kënaqësinë time, duke e parë veten time në Zvicër dhe duke kontribuar në këtë shoqëri. Kështu që tash ka disa vite që nuk e bëj këtë pyetje, sepse jam shumë i respektuar, nderuar dhe pranuar në këtë shoqëri. Zvicra më është bërë si vendlindje e dytë për.

Mendoni se ju kanë shkuar shumë vite, duke menduar se një ditë do të ktheheni nëatdhe?

Çdo fazë në jetë që e kam kaluar, ka pasur vështirësitë e veta. Shpesh kam menduar se pse e kam vrarë mendjen për të ardhmen dhe kthimin në atdhe. Mirëpo, këto mendime janë pjesë e jetës. Për çdo fazë në jetë jam krenar dhe mendoj se deri tash jam i lumtur me jetën në Zvicër.

Çka kujtoni më së shumti nga atdheu?

Kujtimet nga fëmijëria dhe rinia në vendlindje janë kujtime të mira. Unë jam rritur dhe zhvilluar në vendlindje. Këtu kam ardhur si 24 vjeçar, kështu që kam kujtime të mira me vëllezërit, me familjen dhe shoqërinë. Këto kujtime të mira janë pjesë e jetës dhe do të mbeten gjithmonë tek unë.

Si ishte jeta e mërgimit më herët dhe si është sot, apo cila periudhë për ju është më e mirë, ajo më e hershmja, apo kjo e sotmja?

Secila periudhë i ka pasur sfidat e veta, e hershmja dhe e sotmja. Për këtë periudhë mund të flas më shumë, sidomos pas vitit 2010, e cila për diasporën shqiptare është një periudhë e lulëzimit dhe edukimit të vazhdueshëm. Në këtë kohë kemi disa kuadro shumë të suksesshme, të cilat janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë zvicerane dhe komunitetit shqiptar në Zvicër. Ato, gjithashtu, kontribuojnë në shtetin e tyre të lindjes. Tash mundësitë e transportit dhe komunikimit me vendlindje jane më të theksuara dhe më të lehta. Mund të udhëtosh në mëngjes për një konferencë apo ligjeratë në Kosovë dhe brenda ditës të kthehesh ne vendin ku jeton. Kjo është lehtësia që ta mundëson edhe mbajtjen e kontateve dhe lidhjeve të ngushta me vendlindjen.

Çka nuk i falni vetes?

Deri tash jam shumë i kënaqur me veten dhe jetën time. Nga natyra jam njeri që falë dhe duron shumë. Për të qenë i lumtur, punoj me veten dhe kështu, nëse lindë ndonjë pakënaqësi, mundohem të përpunoj, të shkruaj apo të vizualizoj për veten apo ndonjë problem që të harrohet sa me shpejt. Në këtë formë arrij balancin e brendshëm shpirtëror dhe lirohem nga ndonjë paqartësi apo keqkuptim me vetveten.

Në vitin 2019 fillova punë në Kompaninë ‘Lonza AG’, Stein në Zvicër, në cilësinë e ekspertit për shkencë e teknologji dhe prodhim të medikamenteve të reja klinike

Gjatë gjithë kësaj kohe sa keni në mërgim, keni fituar më shumë apo keni humbur?

Për të gjitha këto vite, kam fituar shumë nga mërgimi dhe shteti zviceran. Unë jam ngritur shumë në aspektin shkencor dhe profesional. Pas përfundimit të doktoraturës, në vitin 2013, avancimi shkencor më ka hapur horizonte të reja. Jam punësuar në gjigandin e industrisë farmaceutike zvicerane “Novartis AG” Stein, ku si ekspert-menaxher, jap kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe prodhimin e medikamenteve të reja. Këtu kam thelluar edhe më shumë njohuritë në zhvillimin dhe prodhimin e formave sterile të tabletave dhe kapsulave. Gjatë punës në këtë kompani përfitoj përvojë të mirë në zhvillimin dhe prodhimin e medikamenteve me kualitet të lartë, duke përdorur teknologjitë më të avancuara për prodhimin e barërave.

Në vitin 2019 fillova punë në Kompaninë ‘Lonza AG’, Stein në Zvicër, në cilësinë e ekspertit për shkencë e teknologji dhe prodhim të medikamenteve të reja klinike që aplikohen te pacientët në mënyrë intravenoze dhe intramuskulare, si vaksinat, etj.

Njohja e gjuhes shipe në Zvicër, për disa vite, do të jetë një përparësi për komunikim për të gjithë punëtorët dhe për punë në Zvicër

Mendoni se edhe në të ardhmen, gjeneratat e reja që jetojnë e veprojnë në Zvicër, nuk do ta harrojnë gjuhën shqipe?

Unë mendoj se gjeneratat që jetojnë e veprojnë në Zvicër, nuk do ta harrojnë gjuhën shqipe, sepse prindërit e tyre janë të lidhur ngushtë me vendlindjen, investimet në sektorin privat në vendlindje. Besoj se kane për tu rritur edhe më shumë për të mbajtur këto lidhje. Njohja e gjuhes shipe në Zvicër, për disa vite, do të jetë një përparësi për komunikim për të gjithë punëtorët dhe për punë në Zvicër. Rritja e mërgatës shqiptare do të rrisë kërkesën e shërbimeve edhe në gjuhën shqipe këtu në Zvicër. Trasporti dhe komunikimi me vendlindjen është lehtësuar shumë. Vajtje ardhjet në vendlindje janë më të lehta.

Sikur të ishte e mundur që të vinit edhe njëherë prej fillimit në mërgim, çka do të kishit bërë në ditën e parë?

Po mendoj se me mundësitë dhe aftësitë e mia, kam arritur kulmin e karrierës në lëmin e farmacisë në Zvicër. Kështu, mendoj se deri tash e kam zhvilluar mirë karrierën.

Për fund të kësaj interviste, ku kishit dashur të pinit pikën e fundit të ujit të kësaj bote?

Unë jam i lidhur shumë ngushtë me vendlindjen. Çdo pushim, sado i shkurtë që të jetë, bashkë me gruan dhe katër fëmijët, shkojmë në Kosovë dhe vizitojmë të afërmit dhe miqtë e shumtë. Normal se pikën e fundit të ujit të kësaj bote do ta pija, me gjithë dëshirë, në vendlindje.

Shumë faleminderit për kohën dhe patëm nderin, që ta realizojmë këtë intervistë. Suksese të tjera, shëndet e gjitha të mirat për Ju e familjen.

Ju lutem, nderi ishte edhe i imi. Juve dhe të gjithë bashkatdhetarëve, ju uroj pushime të mbara, meqë po afrohen edhe pushimet verore. P.S Foto e marrë nga Prof.dr.Ylber Qusaj. / Intervistë që është botuar edhe në librin e autorit, Dr.sc.Dashnim HEBIBI me titull “Atdheu portativ”

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dashnim Hebibi

ORIENTIM PROAMERIKAN PARAQET SIGURI, ARDHMËRI DHE PROSPERITET PËR RAJONIN DHE MË GJERË

July 4, 2023 by s p

(Në nderim të 247 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës)

Nga Skender ASANI

Në 247 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kemi shumë arsye të ndajmë me miqtë tanë amerikanë gëzimin e festës së tyre kombëtare, duke shpresuar që miqësitë në mes të popujve duhet të mbeten garancë e kultivimit të respektit dhe dinjitetit reciprok.

Dita zyrtare e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara u bë 4 korriku i vitit 1776, dita kur Kongresi Kontinental votoi për miratimin e Dokumentit të Pavarësisë.

Në tekstin e Shpalljes së Pavarësisë Amerikane thuhet se: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se perëndia u ka falur atyre disa të drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë jeta, liria dhe mundësia për të ndjekur suksesin dhe lumturinë”.

Amerika u krijua si shtet i emigrantëve që ëndrrën e tyre për një të ardhme më të lumtur e lidhën me atdheun e tyre të përbashkët tejatlantik. Në Amerikë jetojnë edhe mijëra shqiptarë, të cilët jo vetëm që janë integruar, por janë bërë pjesë e begatisë dhe prosperitetit të shoqërisë amerikane.

Kontributi dhe konteksti i Amerikës në historinë politike të shqiptarëve, është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Ky kontribut është shfaqur në disa raste dhe në disa faza të zhvillimit të proceseve historike, ku fati i shqiptarëve ndodhej në udhëkryq.

Në rastin e parë, ishte presidenti amerikan Thomas Woodrow Wilson (1856 – 1924), i cili në Konferencën e Paqes në Versajë (1919-1920) do ta shpëtojë Shqipërinë nga copëtimi, pasi që kundërshtoi rreptë kompromisin “anglo-franko-italian”, me të cilin Shkodra dhe Shqipëria e Veriut do viheshin nën pushtimin e mbretërisë Serbo-kroato-sllovene (SKS).

Tash së fundi është zbuluar një telegram i rrallë (nga Ilir Ikonomi) i presidentit amerikan Woodrow Wilson për Shqipërinë, kur ai ishte duke u larguar nga Konferenca e Paqes e Parisit në qershor 1919.

Ky telegram shpreh gjithë kujdesin e Presidentit Wilson mbi ecurinë e ngjarjeve pas Konferencës së Versajës, sidomos mbi fatin e shqiptarëve.

“Desha që, përpara largimit, t’ju shpreh juve dhe kolegëve të tjerë, interesimin tim shumë të thellë për fatet e Shqipërisë. Kam frikë se në mes të morisë së gjërave të tjera që mund të duken më të ngutshme dhe më të rëndësishme, nënvlerësohet vëmendja që duhet t’u kushtohet atyre të drejtave. Ju lutem të tregoheni shumë të kujdesshëm sa u përket atyre”, thuhet në telegram, i cili mban datën 30 qershor, 1919, dërguar nga anija SS George Washington me të cilin udhëtonte presidenti.

Me këtë është dëshmuar se presidenti W. Willson ka qenë një mik i përkushtuar i shqiptarëve, i njohur për shprehjen e tij lapidare në Versajë: “Një votë kam edhe atë do t’ia jap Shqipërisë, sepse Shqipëria duhet të ekzistojë.”

Rasti i dytë – gjatë mandatit të parë të presidentit Harry S. Truman (1884 – 1972), senatori pro grek, Papen, kishte bërë një rezolutë të cilën e plasoi në Kongresin amerikan përmes të cilës ai kërkonte që Korça, Gjirokastra dhe Saranda t`i jepeshin Greqisë, të cilën Rezolutë nuk e nënshkroi presidenti H. Truman, dhe nuk pati më asnjë vlerë për Greqinë. Kjo është edhe arsyeja pse ajo kurrë nuk e shfuqizoi “Ligjin e luftës” ndaj Shqipërisë.

Rasti i tretë – presidenti amerikan George H. W. Bush (1924 – 2018), ai i cili në prag të Krishtlindjeve në vitin 1992 për herë të parë ia përmendi Millosheviqit “Vijën e kuqe”, shprehje kjo që u lexua edhe si kërcënim i hapur ndaj Serbisë nëse do të guxonte të ndërmerrte masa represive ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Rasti i katërt – lidhet me intervenimin ushtarak të NATO-s , ku roli i SHBA dhe presidentit të atëhershëm Bill Klinton ishte kolosal në udhëheqjen e fushatës ajrore me bomba kundër Serbisë, që zgjati 78 ditë , nga data 24 mars 1999 deri më 10 qershor 1999, kur Serbia u detyrua të nënshkuajë kapitullimin në Kumanovë dhe të tërhiqet nga Kosova si humbëse e luftës. Presidenti Klinton, Gjenerali Klark, Sekretarja e shtetit Olbrajt, do të nguliten thellë në memorien e shqiptarëve, sepse ishin ata që vunë në lëvizje një ndërgejgje globale, shoqëruar edhe me aksion ushtarak, kundër gjenocidit serb në Kosovë.

Rasti i pestë, sërish lidhet me Kosovën. Kësaj radhe ishte vizita në Shqipëri në qershor të vitit 2007 e presidentit të SHBA-ve, George W. Bush, i cili në Tiranë paralajmëroi shumë qartë: “Mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur”. Menjëherë pas një viti (17 Shkurt 2008) Kosova shpalli pavarësinë si shtet dhe me këtë paralajmërimi i Presidentit Bush u bë realitet.

Prandaj jo më kot Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri ynë strategjik edhe për faktin se angazhimi amerikan për integrimin euro – atlantik të vendeve të rajonit, të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës etj dhe forcimi e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, mbetet vendimtar për të sotmen dhe për të nesërmen e këtyre vendeve.

Kontributi i SHBA-ve është i prekshëm në shumë dimensione të ruajtjes së stabilitetit rajonal dhe demokracisë funksionale, dhe kjo është shpërfaqur edhe përmes angazhimit direkt të ambasdorëve dhe stafit të ambasadës amerikane këtu në Shkup dhe gjetiu në rajon.

Ky angazhim ka qenë i dobishëm në inkurajimin e reformave administrative e gjyqësore, ndonëse burokracia shtetëtërore dhe politikanë të caktuar herë herë kanë abuzuar me mbështetjen amerikane, duke e (keq) përdorur proamerikanizmin edhe si mburojë për veprime antilogjore e korruptive.

Ambasada Amerikane në Shkup ka qenë dhe mbetet shumë miqësore edhe me ITSHKSH, fakt ky që dëshmon se ne si qendër e studimeve dhe hulumtimeve historike, gjuhësore e kulturologjike e gëzojmë një mbështetje të parezervë të kësaj ambasade dhe kjo është shprehur përmes takimeve, vizitave e konsultimeve që janë zhvilluar me vite të tëra, për çka jemi shumë mirënjohës.

Fryma dhe displina amerkane e punës kreative, mbetet udhëtreguesi im kryesor, si në karrierën profesionale, ashtu edhe në ndërtimin e botëkuptimeve mbi fenomenet dhe proceset shoqërore.

Pavarsësisht turbulencave nëpër të cilat kalojnë shoqëritë tona, sensibliteti civilizues gjithpopullor mbetet i orientuar nga vlerat euro-atlantike, të udhëhequra nga Amerika, sepse vetëm një orientim i tillë paraqet siguri, ardhmëri dhe prospritet për rajonin dhe më gjerë.

Filed Under: Mergata

Gëzuar Pavarësinë SH.B.A!

July 4, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Nga SHBA-ja kishin ardhur idetë në vitet 20’, ku Shqipëria kish eksperimentuar për herë të parë me zgjedhjet e lira dhe demokratike përmes veprimtarisë dhe publicistikës së dy nga korifenjve të ”Vatrës”, Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në mendimin politik, filozofik dhe kulturor të Shqipërisë. Por ndihma e SHBA-së nuk kish konsistuar vetëm në transmetimin e ideve, apo dhe më herët në ndihmën e dhënë për përhapjen dhe lëvrimin e gjuhës shqipe nëpërmjet rrjetit të tyre protestant në Korçë e Manastir, por dhe në ndihmë të drejtpërdrejtë si në rastin e Konferencës së Paqes në Paris, më 1919-1920, ku plani prej 14 pikash i Presidentit Thomas Woodrow Wilson (1856-1924) u bë ombrella mbrojtëse për ruajtjen territoriale të Shqipërisë, vazhdimësinë politike dhe stabilitetin e saj.

Madje, edhe në vitet e vështira të diktaturës komuniste, ku vendet kishin qenë në dy kampe të kundërta politike, sa herë që ishte diskutuar tërësia territoriale e Shqipërisë nga fqinjët e vet problematikë dhe të mbushur gjithë pasione shoviniste, SHBA-ja qoftë në Konferencën e Paqes, më 1946 apo dhe më vonë në kuadrin e doktrinave të NATO-s, kishin vënë veton për të përmbysur këto plane të mbrapshta, pasi për to si në fillim të viteve 20’ apo dhe në vitet 60’ e deri tani stabiliteti i Shqipërisë ishte dhe mbetet një paritet kryesor i politikës së jashtme të tyre. Ky fakt është dëshmuar jo vetëm që gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar, por dhe në aksionin e madh që ndërmori NATO në vitin 1999 për të ndaluar gjenocidin serb ndaj Kosovës, aksion që solli lirinë për shqiptarët dhe riformatoi sërish ekuilibrin e forcave në Ballkan në formimin e shtetit më të ri të Europës – Kosovës.

Jepni Per Nenen

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,

-Mbretëreshë pa kurorë-

Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,

Shpirt e zëmër përvëluar;

Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,

Nënës mos ia bëni varrë!”

Mbahu, Nëno, mos kij frikë

Se ke djemtë n’Amerikë.

Qan e lutet Nën’ e mjerë,

Kërkon vatrën edhe nderë,

Do lirinë dhe atdhenë,

Si ç’e pat me Skënderbenë,

Bijt’ e besës thërret pranë.

Kur i thirri dhe s’i vanë?

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët jan’ ata tiranë

Që të pren’ e që të vranë

Që të therrë bij e bija,

Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?

Derthni plumba, o Shqiptarë,

Gjakn’ e Nënës për të marrë,

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët bij të trathëtuan

Dhe të doqnë dhe të shuan

Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë

Pa fole, pa zog, pa shpatë?

Këta qena, o shok’ i mbytni,

Mbushni gjyle që t’i shtypni.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

Sa kërkon e sa të duhen?

Burrat nga detyra s’ndruhen!

Trim i mirë do të japë,

S’kursen jetën as paratë;

Hithni, hithni tok dollarë,

Të mos mbetemi të sharë.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë.

Se ke djemtë n’Amerikë.

Do të ndihim pa kursyer

Për ty, Nëna jon’ e vyer,

Që me drit’ e nder të thuresh

Dhe me bijt’ e tu të mburesh.

Cila Nënë lyp paranë?

Cilët bij me shpirt s’i dhanë?

Mbahu, Nëno, mos kij frikë,

Se ke djemtë n’Amerikë.

Armë dhe fishekë mblithni,

Qesen edhe shpirtin hithni:

Për lirin’ e vëndit t’onë,

Sot -se nesër është vonë-

Jepni, Nënën të shpëtoni,

Komb e vatra të nderoni.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë

Se ke djemtë n’Amerikë.

Fan Noli 1917

Filed Under: Fejton Tagged With: Dorian Koci

Në Kosovë festohet tradicionalisht Dita e Pavarësisë së Amerikës

July 4, 2023 by s p

Në 5 Qershor 2023  u bënë 27 vjet nga dita historike e të mërkurës së 5 Qershorit 1996 kur u bë hapja në Prishtinë e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në Kosovë festohet tradicionalisht Dita e Pavarësisë së Amerikës

 -Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. I pranishëm në festën e hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë në 5 Qershor 1996 shkruaja edhe kronikën: Flamur i shpresës për Kosovën…/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

 PRISHTINË,  Korrik 2023/ Në Kosovë festohet tradicionalisht 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë që prej 27 vitesh dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para 15 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.

Në 5 Qershor 2023  u bënë 27 vjet nga dita historike e të mërkurës së 5 Qershorit 1996 kur u bë hapja në Prishtinë e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më parë,  në 12 Janar 1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra në Kosovë.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë  në 5 Qershor 1996 u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova bashkë me familjen.

Gazeta e rezistencës “Bujku” e ditës së enjte të 6 Qershorit 1996 në ballinë  shkruante:

Dje në Prishtinë u hap Zyra e Agjencisë Informative Amerikane

“Jemi zotuar për të ardhem dhe lirinë tuaj”

-tha ambasadori Xhon Kornbllum, ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, i cili zyrtarisht e hapi zyrën, duke shtuar se kjo është një provë e interesimit të vazhdueshëm amerikan e një kontribut për nxitjen e dialogut. – Dr. Ibrahim  Rugova: “Kjo është ditë historike për Kosovën”.

Raportimi vijonte në faqen 2, ku botohej e plotë deklarata që e kisha marrë nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova:

“Deklaratë e Presidentit Rugova

Ditë historike për Kosovën

Në deklaratën e tij me rastin e hapjes së Zyrës së USIS në Prishtinë, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, tha se kjo është një ditë historike për Kosovën, për çështjen madhore të Kosovës, për popullin e Kosovës, për një zgjidhje paqësore dhe politike të çështjes së Kosovës në bazë të vullnetit politik të popullit. Falënderoj SHBA-të, presidentin Klinton, nënpresidentin Al Gor, sekretarin e Shtetit Kristofer, Kongresin Amerikan dhe të gjithë miqtë tanë në SHBA për këtë dhuratë të madhe për Kosovën dhe për rajonin në përgjithësi.”

Në faqen e parë botohej edhe raportimi  me mbititull “Kryetari i Republikës së Kosovës  Dr. Ibrahim Rugova priti Xhon Kornbllumin” dhe me titull e nëntitull: “SHBA-të do të angazhohen për të drejtat e popullit të Kosovës – tha Kornbllum duke ia përcjellë kryetarit Rugova zotimin e presidentit amerikan Bill Klinton”.

E në faqen 3 të gazetës së rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmen të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, me titullin dhe nëntitullin

“Flamur i shpresës për Kosovën

(Kronikë e viteve që i paraprinë hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë)”, shkruaja mes tjerash:

“Amerika në Kosovë, nga kjo e mërkurë, është e pranishme edhe me Zyrën e USIA-s.

Kjo për Kosovën ka shumë rëndësi e domethënie, prandaj shpesh quhet përfaqësi e mision diplomatik. Kështu, prezenca amerikane në Kosovë mori një formë institucionale dhe vlerësohet se kjo është shumë e rëndësishme për njohjen dhe afirmimin edhe më të madh të çëshjtes së Kosovës.

Flamuri amerikan, i shtetit më të fuqishëm në botë, vendit mik, dashamirës e përkrahës të shqiptarëve, prej dje valon në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, i ngritur lart e solemnisht në selinë e Zyrës së USIA-s, në një godinë të bukur të lagjes së Dragodanit, duke sjellë mesazhet më të mira të aspiratave të zgjidhjes e të paqes për Kosovën e rajonin.

Zyra e USIA-s në Prishtinë shënon edhe një hap përpara në konkretizimin e interesimit të vazhdueshëm amerikan për Kosovën dhe të pranisë së SHBA-ve në këtë zonë të rrezikshme të konflikteve politike dhe jo vetëm politike në Evropën Jugore….

Flamuri amerikan në Prishtinë, që valon prej dje, është flamur i shpresës për Kosovën. Deri tash të gjithë flamujt e vendeve të huaja janë ngritur si flamuj të okupatorëve.”

Në ceremoninë festive të hapjes së Zyrës Amerikane në Kosovë, në 5 Qershor 1996,  isha edhe për të raportuar për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, korrespondent i cilës isha që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë. Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë…

Pas 24 vjetëve – në 4 Korrik 2020, raportoja për Gazetën DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, se Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe  ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

E në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.

Ndërsa, në mëngjesin e pas mbrëmjes historike të 24 Marsit 1999 të ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s  prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën e popullin e saj, kam raportuar edhe se, forcat serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën Amerikane në Prishtinë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) filloi të punojë në shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 15 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Ndërkohë, ushtarët amerikanë mbështesin KFOR-in qe më shumë se  24 vjet. Trupat amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Në 17 Maj 2021 është prezantar projekti për sheshin dhe shtatoren e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden në fshatin Sojevë të Ferizajt, pranë Kampit Ushtarak Amerikan “Bondsteel” në Kosovë.

Në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës janë ngritur tre shtatore të personaliteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe Bulevardi me emrin e Presidentit Amerikan George Bush, te Katedralja Shën Nëna Terezë.

Në 1 Nëntor 2009 është përuruar  Shtatorja e Presidentit Amerikan Bill Clinton në bulevardin me emrin e tij.

Në 12 Qershor 2019 në festimet e 20 vjetorit të lirisë së Kosovës u bë edhe përurimi i Shtatores së Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj.

Shtatorja e Senatorit Amerikan Bob Dole është përuruar në sheshin me emrin e tij në 30 Gusht  2020 në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…

NË ZYRËN E SENATORIT ROBERT DOLE  – PËRFAQËSUESI I KOSOVËS NË SHBA ELMI BERISHA, TANI KRYETAR I FEDERATËS PAN-SHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA

Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova kishte të emëruar Përfaqësues të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në Zyrën e Senatorit Robert Dole, mikut të madh të tij e të gjithë shqiptarëve, të cilin edhe e ka dekoruar. I emëruari ishte Elmi Berisha, tani kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i cili ishte edhe ceremoninë kur Senatorin Amerikan Robert Dole e dekoroi Presidenti i Kosovës  Ibrahim Rugova, ku ishin bashkë…

Në pranverën e vitit 2004 në vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në 27 Prill, në selinë e OKB-së në Nju Jork, Presidenti historik Ibrahim Rugova takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës. Rugova gjatë kësaj vizite takon edhe guvernatorin e Nju Jorkut, Xhorxh Pataki dhe 20 ambasadorë të shteteve anëtare të OKB-së.

Nga raportimet e medias për vizitën e Presidentit Rugova në Nju Jork citohet edhe Elmi Berisha si person i veçantë kontaktues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

DIPLOMATI I PARË DHE AMBASADORË AMERIKANË NË KOSOVË  NË GAZETËN RILINDJA

Diplomati i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Majkëll Mekllellën (Michael McClellan), për të cilin kam raportuar që nga dita e parë e ardhjes në 22 Maj 1996 duke qenë edhe në konferencat e tij për shtyp, ishte edhe në festën e 57 vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në 12 Shkurt 2002, ku e kam shumë mirëpritur si kryetar i Këshillit Drejtues e kryeredaktor i gazetës, e ku ishin edhe Shefi i Zyrës së Gjermanisë, Michael Schmunk, shefi i Zyrës së Shqipërisë Vladimir Prela dhe shumë pjesëmarrës të tjerë, mes të cilëve edhe simboli i rezistencës kombëtare shqiptare Adem Demaçi.

Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis (John Menzis), Shef i Misionit – Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që  e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z. Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis. 

Në akadminë solemne të  festës së gazetës  tradicionale e historike të Kosovës Rilindja në emër të Zyrës Amerikane dhe Ambasadorit Amerikan  John Menzis përshëndeti diplomati i parë i SHBA në Kosovë Majkëll Mekllellën (Michael McClellan).

Ai fillimisht tha: “Zonja dhe zotrinjë, është nder i madh për mua të marrë pjesë në përvjetorin e 57-të të ‘Rilindjes’. Në emër ta ambasadorit Menzis, të SHBA-ve në Kosovë, ju përgëzoj për punën tuaj që keni bërë në gazetën e parë në gjuhën shqipe në Kosovë…”

Diplomati Amerikan Mekllellën pasi foli edhe për përvojat e vendit të tij dhe rolin e rëndësishëm të gazetës Rilindja dhe mediave tjera në Kosovë,  u shpreh se,  “…sikurse Ambasadori Menzis në artikullin e ballinës së ‘Rilindjes’, mediat po ashtu duhet të mbështesin vizionin demokratik për përpjekjet e sundimit të ligjit në tërë Kosovën”

Dhe, duke përfunduar  fjalën në festën  e 57-vjetorit të gazetës Rilindja diplomari i parë Amerikan në Kosovë, Mekllellën theksoi:

“Zonja dhe zotrinjë, në emër të Ambasadorit John Menzis dhe të Zyrës së SHBA-ve, ju uroj këtë përvjetor të lartë e të rëndësishëm. Edhe pse ‘Rilindja’ është më e vjetra në Kosovë, ajo është e re në zemër dhe në rolin e saj në Kosovë, është e freskët dhe plot jetë. Jam shumë i lumtur që mund ta them ketë: Në të ardhmen do të përpiqemi të bashkëpunojmë me ‘Rilindjen’ edhe shumë dekada në Kosovë”.

Diplomati Amerikan Mekllellën citohej kështu në raportin e gjerë të gazetës nga festa me titull “‘Rilindja’ – laborator i gazetarisë shqiptare në Kosovë”.

“Kosova pret Vitin e Pavarësisë”, ishte kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja të 31 Dhjetorit 2004, ku në numrin special të festës së Vitit të Ri 2005 botohej edhe intervista ekskluzive e Shefit të Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Godlberg (Filip Golldberg) që më dha për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja në jubileun e saj të 60 vjetorit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin një Kosovë demokratike dhe tolerante”, citoja diplomatin amerikan në ballinën e gazetës Rilindja e në titull të intervistës,  ku Ambasadori Amerikan Godlberg theksonte: “Standardet, të cilat i ka specifikuar komuniteti evroatlantik janë idealet dhe vlerat me të cilat ne jetojmë çdo ditë dhe në të cilat ne thellësisht besojmë. Këto janë idealet të cilat e përfaqësojnë Evropën e shekullit 21”.

“Viti 2005 do të mund të ishte një vit shumë vendimtar për Kosovën pasi që është vit kur ne do të lëvizim drejt një faze të re të procesit në Kosovë. Në kuptimin që mesi i vitit 2005 është koha kur do të bëhet Shqyrtimi Gjithpërfshirës i progresit në standarde, dhe me shpresë se prej kësaj do të rezultojë edhe fillimi i bisedave për statusin”, shprehej diplomati Amerikan Godlberg në intervistën ekskluzive që për gazetën Rilindja e zhvillova i shumë mirëpritur në Zyrën Amerikanë në Kosovë.

Intervista pas 8 pyetjeve e përgjigjeve përmbyllej kështu:

“9.    RILINDJA: Z. Golldberg, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë, që e vlerësojmë edhe si përkrahje për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, e cila për shkaqet që dihen ndodhet në situatën çfarë është, dhe që Jubileun e vet të 60-vjetorit në Vitin e Ri 2005 pret ta ketë edhe festë të ridaljes. Kemi nderin dhe kënaqësinë të Ju ftojmë në këtë festë, e cila urojmë të ndodhë sa më shpejt.

GOLLDBERG:  Dëshiroj të falënderoj “Rilindjen” që ka kërkuar intervistë nga unë, e edhe më shumë dëshiroj që lexuesve tuaj t’u them URIME FESTA (e thotë në shqip). Dhe, ju uroj juve dhe gjithë njerëzve në Kosovë Kërshëndellat  dhe Vitin e Ri dhe vitin 2005 plot paqe, përparim dhe shpresë për të ardhmen.”

Nën kryetitullin “Kosova pret Vitin e Pavarësisë” gazeta Rilindja në ballinë botonte edhe foto e shkrim nga takimi i fundvitit 2004 që kisha me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Në pritjen tradicionale të fundvitit, Presidentit Rugova i dhurova ekzemplarët e parë të Kalendarit të Rilindjes me simbolet e Vitit historik të Pavarësisë së Kosovës dhe të 600 vjetorit të Kryeheroit të Kombit Shqiptar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të vitit 2005 të jubileut të 60 vjetorit të gazetës tradicionale, siç theksohet në shënimin nën foton në ballinë. Presidenti Rugova përgëzoi në këtë rast Rilindjen në Jubileun e saj dhe siguroi për zgjidhjen që do të bëhet për gazetën, kryeredaktor dhe kryetar i Këshillit Drejtues i së cilës isha.

“Sigurt do të arrijmë suksesshëm në vlerësimin pozitiv të standardeve”, ishte titulli po në ballinë të Rilindjes i një interviste që kam zhvilluar në fundvitin 2004 me Ramush Haradinaj, në kohën kur ishte Kryeministër – gjatë 100 ditëve të qeverisjes, ku shprehte besimin se pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike.

**********

Speech on the Occasion of 57 Years of “Rilindja” Newspaper in Kosovo

By: Michael McClellan
Public Affairs Officer, USOP
Delivered 12 February 2002
Pristina

Ladies and Gentlemen, it is a great honor for me to be here with you today on the occasion of Rilindja’s 57th anniversary. On behalf of Amb. John Menzies and the entire U.S. Office Pristina, I congratulate each and every one of you for the work and success that the first and oldest Albanian-language newspaper in Kosovo has had in publishing continuously since 1945.

In the United States, our system of government has three branches – the Executive branch, that is the White House and the various Departments or Ministries, the Congress, composed of the House of Representatives and the Senate, and the Judiciary, that is the federal courts and the Supreme Court. But we often speak of the press as being the “fourth branch” in the sense that it speaks for the people in watching over the functions and activities of the three branches of government.

Here in Kosovo, the role of the media as the “watchdog of government” is more important than ever. Once the people have expressed their democratic will in the elections, it is up to the media and civic organizations to work day-to-day to ensure that the voice of the people continues to be heard and to hold the elected leaders responsible to the people who put them in office. But, as Amb. Menzies said on the front-page of today’s Rilindja, the media must also uphold the democratic vision of society and support efforts to establish the rule of law and civil society throughout Kosovo. In other words, the media must be a watchdog not only on the government, but also on those elements of society that would seek to undermine the democratic values that Kosovars are working so hard to establish.

The role of Rilindja and other media in Kosovo is vital, perhaps more so today than ever before. The media must be a forum for the exchange and expression of responsible opinion and a means for educating the population about the practices and values of democracy and civil society. As building blocks of society, the media play a vitally important role in establishing good, responsible institutions of self-rule in Kosovo.

Again, ladies and gentlemen, on behalf of Amb. John Menzies and the U.S. Office, I congratulate you on this highly important anniversary. Even if Rilindja is the oldest paper in Kosovo, it is still young at heart and its vision of its role in Kosovo should always be fresh and vigorous and full of life. I am very happy to say that it is.

Thank you for your kind invitation to join you on this special occasion and we look forward to many more decades of cooperation with Rilindja in Kosovo!

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1578
  • 1579
  • 1580
  • 1581
  • 1582
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT