• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FOLKLORI KOMBËTAR SHQIPTAR PREZANTOHET NË ÇEKI

April 8, 2023 by s p

Albesjana Iberhysaj/

Kënga dhe vallja jonë e bukur tradicionale jehoi për dy ditë me radhë në sheshin e qytetit historik të Pragës.

Nga zemra e Evropës, nën organizimin e Festivalit ndërkombëtar të valleve dhe këngës “Spring Tale”, ansambli i talentuar nga Kosova, prezantoi para qytetarëve të shumët çekë artin e vallëzimit dhe pasurinë e folklorit tonë kombëtar.

Rrugët piktoreske të Pragës jehuan nga ritmet e muzikës sonë të bukur folklorike krahas shumë kulturave të shteteve të tjera pjesëmarrëse.

Festivali jo konkurrues u zhvillua me pjesëmarrjen e grupit fitues të shumë çmimeve AKV “Kemajl Azizi” nga Vitia, të cilët pas pjesëmarrjes së suksesshme të tyre në festivalet ndërkombëtare në Itali, Bullgari e Hungari ndaluan në Pragë duke krijuar ura të fuqishme bashkëpunimi të cilat do të vazhdojnë të forcohen tutje me pjesëmarrjen e radhës të ansambleve çeke në festivalin folklorik që organizohet në muajin korrik në Kosovë .

Filed Under: Politike

Freud-i, letërsia dhe psikanaliza

April 8, 2023 by s p

Dr. Iris Halili*/

1. Përse ndodh, rëndom, që protagonisti i një vepre t’i shpëtojё, në mё tё shumtën e rasteve, fatkeqësive? Këtu, flasim për atë kategori veprash që mbёshteten në personazhin hero.

2. Përse me heroin ёshtё dashuruar e gjithё gjinia femёrore e veprёs, ose e kundërta, me heroinën, të gjithë burrat?

3. Përse ne, si receptues, na ndodh të adhurojmё dhe tё njёsohemi me heroin pozitiv, apo me atë që përfaqëson të mirën?

4. Përse Edipi mohon të ketë kryer krimin? Përse Hamleti nguron ta kryejё atë? Përse Merso e pranon vrasjen që ka bërë? Përse Mona Lisa ka njëherësh dy buzëqeshje?

5. Përse fillojmë të shkruajmë, për herë të parë, kur ndiejmё se po largohet fëmijëria?

6. Përse personazhet e kryeveprave botërore, vrasin nga dashuria?

Të gjitha këtyre “përseve”, ka kohё që duam e përpiqemi t’u japim përgjigje. Deri në fillim të shekullit XX, kemi vetёm shpjegime të pjesshme, domethёnё, kemi tendenca dhe shkolla mendimi qё u janё afruar vetёm sё jashtmi kёtyre problemeve, duke lёnё nё harresё dhe errёsirё, pjesёn e brendshme, pra zemrёn dhe rrahjet e saj.

Lindja e gnosticizmit të Freud-it, i vuri këto çështje para njё udhёkryqi tё parrahur, ku rrugё tё shumta ndёrthureshin pa prekur e pa pёrjashtuar njёra-tjetrёn. Psikanaliza po fillonte të shtronte pyetje që nuk ishin shprehur më parë. Bota po fillonte të çorientohej. Thelbi i brendshёm, po tёrhiqte vёmendjen, po dilte nё pah me egёrsi, vrazhdёsi, butёsi, brishtёsi e po humbte misterin e humnerave. Të gjithë këtë shёmbёlltyrё tё pёrmbysur e proces intelektual njëherësh, Jacques Lakan (1901-1981), e ka quajur revolucion kopernikian. Freud-i mendohet të ketë krijuar po ato çorientime dhe orientime njëherësh, që bëri dhe Copernico në kohën e tij. Por tani fusha ishte krejt tjetër. Ai nuk po krijonte një psikologji të re, aq më tepër një filozofi të re. Po tentonte tё krijonte njё vazhdimёsi, që ishte sa psikologji, aq edhe filozofi, por parё me sytё e shkencës. Problemi ndërlikohet nё kёtё pikё, sepse gjithmonë do të na duhet tё hedhim një vështrim sa diakronik, aq edhe sinkronik. Nëse do të mendonim se psikanaliza ka ardhur si pasojё e shkëputjes sё psikologjisё nga filozofia, do të na duhej të pranonim edhe se shumë interpretime, apo fillesa tё tyre, i ndeshim pёr herё tё parё te ky binom dikur i pandarё. Të mohosh, në këtë rast, traditën, do të thotё të mos i kushtosh rëndësi domosdoshmërisё që solli lindjen e psikanalizёs. Nga ana tjetër, të mbështetesh vetëm tek ajo diakroni, do të thotё të harrosh faktin që psikanaliza përbën tashmë një shkencë më vete, që në mënyrë të dukshme, ka terminologjinë dhe praktikat e veta, pothuaj krejtësisht të pavarura nga psikologjia dhe filozofia, si dhe nga shkencat e tjera tё sakta, perfshirë këtu mjekёsinë, me të cilёn ndihet më afёr.

Në fund të fundit, pika që bashkon çështjet e shtruara mё sipёr, si dhe qindra të tjera si ato, është frojdizmi, qё duan apo nuk duan kundërshtarët, krijoi një formë të re mendimi. Natyrshёm, kjo mёnyrё solli dhe një formë të re të analizuari tё letёrsisë, formë që s’ishte zbatuar deri në atë kohë.

Siç e pamё, psikanaliza është e hapur të argumentojë të gjitha variantet e mundshme. Qëllimi i saj është të gjendet interpretimi më i afërt, duke u bazuar mbi tekstin e pёr tё, fjalёt kthehen nё çelёsa qё hapin dyer tё rёnda, pas tё cilave fshihen informacione tё rёndёsishme.

Është për t’u theksuar, se në të gjithë historinë e lidhjes midis letërsisë dhe psikanalizës, kjo e fundit, nuk e ka shfaqur veten si metodë absolute studimi, por si metodë e vërtetë, që qëndron përkah metodave të tjera, pa i përjashtuar ato.

Por kur ka filluar të hyjë në brazda shkencore, lidhja e psikanalizës me letërsinë? Thёnё me fjalё tё tjera, kur fillon psikanaliza të gjykojë për tekstin letrar?

Kjo përkon me regjistrimin e Freud-it në fakultetin e mjekёsisë e tregon se si letërsia e shpuri Frojdin drejt psikanalizës. Pas regjistrimit në mjekësi, Freud-i studion Émile Zola-në (1840-1902) dhe Claude Bernard-in (1813-1878). Ai zhytet e thellohet në analiza tё njёpasnjёshme, tё pёrhershme, nё njohje tё veprёs sё tё parit, qё ёshtё shkrimtar natyralist dhe tё dytit qё ёshtё themeluesi i mjekёsisё eksperimentale. Mendon, pyet, vёzhgon, krijon, pёrgjigjet vetё. Hamendёson e ndriçohet nga mendime tё çuditshme, por brilante, si pёr shembull: John Milton (1608-1674) ka krijuar Parajsën e humbur (1667), për të njëjtat arsye që një krimb mëndafshi krijon mëndafshin. Me këtë, del nё pёrfundimin se, procesi krijues nuk është proces i jashtëm e i vendosur a priori, por i brendshëm dhe i domosdoshëm për ekzistencën e vetë shkrimtarit.

Ajo që e bën shkrimtarin të shkruajë është fantazia, që për Freud-in, duket të jetë një formë e artit, për të shkuar në rrugёn e ralitetit. Tek punimi i tij Poeti dhe fantazia (1907), Freud-i trajton çështjen e lindjes së fantazisë, fshehjes së saj dhe shpërthimit, apo sublimimit, më pas në art. Ky është një argument më shumë, për tё treguar lidhjen e psikanalizёs me letërsinë qё gjatë gjithë historisë së marrëdhënies së tyre, kanë ditur tё bёjnё secila “detyrat” e veta, duke u ndihmuar në mënyrë të ndërsjelltë.

Psikanalistët gjithmonё na e kanё bёrё tё qartё se ёshtё e drejta e tyre të analizojnë veprën e një shkrimtari, ndërsa shkrimtari nuk mund tё bёjё poezi apo art me analizat psikologjike. Duket si teori e vjetёruar, por, sot e kёsaj dite, mendohet se arti i shkrimtarit nuk duhet tё ketё lidhje me gjetjen dhe trajtimin e problemeve. Kjo detyrë tashmё i pёrket psikanalistit dhe karriges sё tij, qё ç’rёndёsi ka nё ёshtё prej guri, druri a hekuri.

Dhe ja ku erdhёm në zemër të çështjes që shqetëson, jo pak, letërsinë. Natyrshёm lind pyetja, deri ku i hyn në pjesё psikanaliza letërsisë dhe, në të njëjtën kohë, letërsia psikanalizës?!

Le të hedhim sërish, një vështrim diakronik. Lidhja midis letërsisë dhe psikanalizës, është e vetvetishme, qё do të thotë se dhe vetë Freud-i, nuk zgjedh a priori letërsinё, por e shijon atё duke studiuar mjekёsi e kёshtu, hedh pa dashur, hapin largpamёs të lidhjes midis kёtyre disiplinave. Rastësisht, vjen dhe studimi i parë psikanalitik, ku nuk analizohet pacienti neurotik, por mitologjia, qё do jetё gjithmonё nё qendёr tё vёmendjes sё tij. Gjatë gjithë punës me mitet, Freud-in do ta tërheqё shprehja gjeniale e Charles Baudelaire-it (1821-1967): “forma banale e origjinës.” Ky është dhe shkaku, që më 1904-ën Freud-i viziton Akropolin nё Athinё.

Më 23 tetor 1886, Freud-it i vdes i ati. Kjo vdekje bёhet shkak pёr fillimin e analizave që bёn për Edipin, Hamletin, Da Vinci-n, Michelangelo-n, Gradivën, Andersen-in, etj.

Ndërkohë, fjala, si formë e shprehjes, fillon tё marrё vlera parësore. Ai e cilëson atë si një material plastik, me të cilën mund të bësh gjithçka. Freud-i është nderuar me çmimim “Goethe”, pasi mbahet të këtë krijuar shumë fjalë të reja. Si të gjithë shkrimtarët, historianët, kritikët letrarё, që merren me shkenca humane, ai nuk flet vetёm për fjalët, por flet me fjalët.

Përveç fjalës në vetvete, Freud-in e shqetëson jeta e artistëve. Tek analizat që i bën Hamletit, ai paralelisht merret me jetёn e Shakespear-it dhe vёren se në jetën e tij ka pasur histori incestore e gjen një arsye më shumë për të shpjeguar ato momente ku ndihet se Hamleti vuan incestin.

Edhe kur analizon Da Vinci-n, në punimin e bujshëm Një kujtim fëmijёrije i Leonardo Da Vinci-t (1910), Freud-i ndalet gjerësisht tek jeta e artistit. Ai vëren se ftohtësia ndaj gruas apo homoseksualiteti i tij e ka burimin te ndjenja e brishtë qё ka pasur ndaj nënës, e cila e ka shoqëruar gjithë jetën gjeniun. Këtu, mendon Freud-i, e ka shpjegimin buzëqeshja e Mona Lisës, që ka gjasa tё jetё ajo e nënës së Da Vinci-t në shumë raste, apo e njerkës së tij në raste të tjera. Tek ky devijim fizik tё shndёrruar në sublimim, gjen ai arsyen e talentit tё gjithanshëm të italianit të madh.

Kёshtu, mendon se gjen, njёkohёsisht, edhe shkakun pse një ndër piktorët më të mirë të të gjitha kohёrave, që njihte aq mirë anatominë e njeriut, kurrë nuk diti të pikturojë njё organ gjenital femёror, edhe pse diti tё realizojё nё mёnyrё tё përsosur me mijёra herё organin mashkullor.

Nё studimet e tij, Freud-i mbështetet vazhdimisht nё jetën e njerёzve të shquar të tё gjitha epokave e vë re se, megjithë rёndёsinё dhe larmishmёrinё e jetёs sё tyre, procesi i krijimtarisё artistike si i tillё, gjurma dhe vlera qё jeta lё nё veprёn e njё artisti, nuk ndikohen aq bujshёm sa jeta tё zёrё vendin e veprёs.

Psikanalisti, duket të ketë lënë shumë shtigje të hapura, pa kufizuar apo rrethuar si më të rëndësishme asnjërën.

Nga ana tjetër, duke analizuar ëndrrat, ai bën edhe një lidhje mes tyre dhe letërsisë. Për tё, poeti është thjesht një ëndërrues që reagon nё mёnyrё tё çuditshme dramatike.

Ai mendon se njё vepёr artistike i pёrngjason procesit transformues të ëndrrës që analizon.

Psikanaliza na shërben pёr të kuptuar edhe njё tjetër problem: atё tё censurës. Si formë e ëndrrës, edhe vepra artistike, pushtohet nga censura. Në ndryshim nga njeriu që ёndrrat i sheh realisht nё gjumё, ai që fantazon e di që po bën një gjë të tillë. Për Freud-in, fantazia nuk është gjë tjetër, vetëm një ëndërr me sy hapur. Por në çdo çast, ёndёrruesi, mund ta ndryshojë fantazinë e tij, pasi ajo fillon dhe bëhet pjesë, herё e pavetёdijes, herё e vetёdijes. Për këtë, psikanalisti jep tre shembuj:

Edipi: “Unë e kam vrarë tim atë, por pa e ditur që ishte ai. Nuk jam unë fajtori, por destini”.

Hamleti: “Nuk e kam vrarë unë babanё tim. Është Klaudi, që ka vrarë tim atë” .

Vëllai Karamazov: “Unë nuk e kam vrarë babanё tim. Është vëllai im epilektik, që e ka kryer këtë akt” .

Freud-i, analizon një zhveshje të negativitetit, në tё gjithë protagonistët e kryeveprave që ka marrë në shqyrtim. Kjo do të thotë se midis personazheve kryesore dhe autorёve të tyre, ka gjasa të ketë pasur një identifikim artistik, i shfaqur ndoshta si censurë apo autocensurë e qё i bën kёta krijues të largojnë personazhet e tyre nga krimi edhe kur e kryejnё .

Në rrugën e gjatë, që ende përshkuan binomi letërsi-psikanalizё, pasuesit e Freud-it, në shumë pika e kanë kundërshtuar babanë e tyre, por ata me seriozët, nuk e kanë mohuar, por pёrkundrazi e kanë thelluar atë traditë që, duan apo nuk duan kundërshtarët, së bashku me teorinë e relativitetit të Albert Einstein-it, revolucionuan mendimin njerёzor të shekullit XX.

Le të kujtojmë, se askush nuk ka pasur aq shumë kundërshtarë dhe askush si ai, nuk i ka mirёpritur kritikat. Metoda psikanalitike, si kritikë letrare, është ndoshta ndër të vetmet që jep argumentet e saj, pa përjashtuar asnjë metodë tjetër.

Kjo metodë nuk do të quhej shkencë, nëse nuk do kishte alternativa që ta kundërshtonin. Freud mendon se shkenca që ai krijoi s’ёshtё njё teori e mbyllur nё vetvete dhe vetë shkenca është metoda dhe jo objekti ku mbështetet.

*Ky fragment është shkëputur nga libri i fundit i autores “Letërsia në psikanalizën e Freud-it dhe dilemat ekistenciale” prezantuar në panairin e fundit të librit në Tiranë, Nëntor 2022.

Filed Under: Opinion Tagged With: Freud-i, Iris Halili

Maestro Eno Koço, mes një të shkuare dhe një të ardhme me shkëlqim

April 8, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

Personaliteti që dirixhon me elegancë e sharm, mes një së shkuare dhe një të ardhmeje me shkëlqim.

Maestro Eno Koço e priti ditën e 80 vjetorit të ditëlindjes, me atë fytyrën e qeshur dhe shikimin elegant të vet, si në kuptimin e plotë të vargut të Agollit ” Mos ma kujto!”. Kohën e mishëron plotësisht, por e sfidon po aq me kapriçio gjenerozi. Është zotnia i lëvizjeve të lehta, elegante, të sakta dhe si hise e karakterit sanguin që dhuron përshëndetje më tepër nga sa mund të presin të tjerët. Është përherë në aktin e shkëlqyer të dirigjimit edhe kur përpara nuk ka formacion orkestral apo lexhio…

Maestro Koço është dirigjues i shkëlqyer i profilit prej pedagogu, muzikanti, studiuesi dhe diskutanti për çështje të muzikologjisë, materialeve të kompozicionit, etnokulturës dhe lektorimit në universitete të Artit. Ka realizuar një jetë të pasur me suksese dhe honore mbi 60 vjeçare, në qendrat dhe institucionet kombëtare shqiptare por edhe më gjerë, në Itali, Kajro, Britani, Gjeorgji, Ballkan etj., etj.

Koha e gjatë e jetës së tij, mbetet përherë e pamjaftueshme për punët që kryen. Sepse i ka të shumta dhe i kryen sipas rregullit të vetvetes. Shquhet me sqimën prej korçari, e më së shumti, si biri i një nëne që shekullon në majat e larta të shkëlqimit artistik, duke u evidentuar si një ndër referencat për aristokracinë tonë aq të ndërprerë dikur e aq të munguar sot. Nëna dhe At-i i vet, Tefta dhe Kristo Koço, të dy muzikantë, e lanë në mëshirë të jetës në moshën 6 vjeçare. Por emri dhe hija e tyre e shenjtërishme prej qytetarësh dhe artistësh me natyrë mondane, iu bënë frymë ushqyese artistit tonë të ardhshëm.

Në më shumë se pesë dekada, Maestro Eno Koço udhëhoqi orkestracionet dhe trupat e instrumentistëve profesionistë të Tiranës, duke u shndërruar në imazh dhe personalitet përfaqësues për një shkollë dhe përvojë të re dirixhimi shqiptar. Ai është ndër të rrallët dhe të vetmit muzikantë të Shqipërisë që u përball dhe preku nivelet ndërkombëtare të artit.

Në dy dekadat e fundit, kur Maestro prek majat e larta të moshës, është paraqitur pranë publikut si autor i disa librave që hedhin dritë mbi historinë dhe artefaktet e këngës dhe artistëve klasikë shqiptarë. Këto botime autoriale rishtojnë kujtesën dhe dijeninë kulturologjike për zanafillat e bukura dhe shkëmbimet muzikore e kulturore shqiptare, me kryeqytetet europiane. Janë prurje faktuese për kontributet e elitës sonë, pjesë e së cilës ishin prindërit e vet në vitet 1920-’40. Këto botime të ruajtura dhe mbartura në proces përgatitës në gjatësi të shumtë kohore, sjellin në bibliografinë tonë një kontribut fisniku me aq sharm.

Maestro i’u përgjigj ftesës së miqve dhe kolegëve, artistëve dhe shkencëtarëve në fushën e shkencave humane që përvjetorin e 80-të ta përcillte në sallën e Akademisë së Shkencave.

Erdhi shtueshëm.

Me shkopin e dirixhimit, me elegancën dhe shkathtësinë e vet natyrale, por edhe me buzëqeshjen dhe krenarinë për pasardhjen si bashkëshoqëruese… Ndër pjesët e interpretuara para të pranishmëve, njëra ndër më të mirëpriturat ishte edhe ajo e luajtur në violinë nga i biri Genti Koço, një instrumentist i formuar dhe me karrierë të cilësueshme në Britaninë e Madhe.

Maestro është At i suksesshëm i një bije dhe biri me shkollime dhe progrese të adhurueshme në jetën artistike kombëtare dhe më shumë, atë ndërkombëtare. Si në fatin e një dinastie arti, vijon jeta e brezave gjenealogjikë të familjes Koço. Është rast i shkëlqyer kur triumfi feniksian, dëshmohet përmes Maestros dhe brenda familjes, tek pasardhësja-bijë Teuta dhe biri Genti.

Në këtë shfaqje, me aq shumë urime për jetëgjatësi për Maestro Enon, spikati edhe dëshmia e vijimësisë premtuese e pinjollëve të Tefta Tashko Koços, ikonës së aristokracisë sonë artistike.

Filed Under: Opinion Tagged With: aleksander Cipa

Arianna Kocaj: A talented and Driven High School Senior with a Passion for Science, Dance, and Community

April 8, 2023 by s p

Albanian Heritage/

Arianna is a talented and driven young woman who was born and raised in Westchester, NY, surrounded by family and Albanian culture. From an early age, Arianna had a love for learning and an insatiable curiosity about the world around her.

Arianna is a senior at the Dominican Academy High School in Manhattan, NY, where she excels in her studies and extracurricular activities. As a member of the National Honor Society and President of her high school’s Pre-Medical Society, Arianna has demonstrated a strong commitment to academic excellence and a passion for science and medicine.

In addition to her academic pursuits, Arianna is also an accomplished athlete and artist. As the Editor in Chief if her high school’s yearbook, a member of the Cross County team, and a dancer for over a decade, Arianna has developed a well rounded set of skills and interests. She is especially passionate about traditional and modern Albanian dance.

Arianna’s passion for dance is deeply rooted in her Albanian heritage. She has been exploring traditional Albanian dance since she was a child and has developed a deep appreciation for the rich cultural heritage of her ancestors. As a member of Rozafati, under the guidance of Angjelina Nika, Arianna takes great pride in representing her heritage through her performances.

Arianna’s dedication to her community is evident in her volunteer work at Our Lady of Shkodra Church, where she helps with the Catechist program for elementary-grade-students. Her work experience includes serving as an Office Assistant to a Speech and Language Pathologist for several years, as well as assisting with her family’s HVAC business during the summer months.

Looking to the future, Arianna plans to pursue a Bachelor of Science with a major in Biology and a minor in Business Management. With her diverse set of skills and experiences, Arianna is sure to make a positive impact in her community and the world around her.

Photos and article by Albanian Heritage

Filed Under: Komunitet

PAPA FRANÇESKU ME KARDINALIN SHQIPTAR ERNEST SIMONIN PËR BEKIMIN “URBIS ET ORBI”, ME RASTIN E PASHKËVE, 2023

April 8, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

Fjala dhe bekimi drejtuar, “Urbi et Orbi” –qytetit të Romës dhe Botës mbarë – është bekimi dhe rasti më solemn i Kishës Katolike dhe rezervohet për rastet më solemne të Kishës, siç janë Pashkët e Krishtlindjet. Bekimet “Urbi et Orbi”, drejtuar qytetit të Romës dhe Botës, jepen nga e ashtuquajtura “loggia” e Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë, normalisht në orën 12 të mesditës dhe transmetohen anë e mbanë botës nga enti evropian, European Broadcasting Union dhe nga lidhje të tjera transmetuese botërore. Predikimi dhe bekimi me këtë rast përfundon me përshëndetje dhe urim nga Papa, për festën e rastit, në shumë gjuhë të huaja, përfshir gjuhën shqipe.

Një lajm shumë i bukur ky! Këtë të djelë të Pashkëve (2023), krah për krah me Papa Françeskun në atë platformë për të bekuar “Urbi et Orbi” dhe për të përshëndetur Botën mbarë me rastin e kësaj feste të madhe për Kishën Katolike, do të jetë Kardinali shqiptar, Ernest Simoni, sipas një njoftimi nga Radio Vatikani shqip. Ky lajm më solli ndër mend kohën gjatë luftës së ftohtë kurnë raste të tilla edhe Zëri i Amerikës transmetonte pa vonesë përshëndetjet e Papës, drejtuar botës në gjuhë të ndryshme, përfshir edhe gjuhën shqipe.

Natyrisht se ky është një moment historik dhe i paharrueshëm për Kardinalin Ernest Simonin, personalisht, por edhe për Kishën e vuajtur Katolike shqiptare. Frank Shkreli: Kardinali Ernest Simoni, martiri i gjallë i kombit shqiptar | Gazeta Telegraf. E gjithë bota do mësojë se megjithë përpjekjet prej gjyësm shekulli të regjimit komunist të Enver Hoxhës, për ta zhdukur atë dhe klerikët e saj nga faqja e dheut, Kisha Katolike shqiptare qenka gjallë.

Reagimi i Kardinalit shqiptar për të qenë bashkë me papën në këtë moment ishte, kuptueshëm, tepër emocionues dhe i papritshëm. “Emocion i jashtëzakonshëm me marrë lajmin e shoqnimit të Atit Shêjt në bekimin “Urbi et Orbi”, si kardinal daikon”, është shprehur Kardinal Simoni për Radio Vatikanin – “lêne ma me kremtue të dielen e Pashkëve në atë balkon, nga i cili, gjatë historisë së Kishës, shumë Papë i kanë drejtue lutje dhe bekime botës mbarë”, ka thenë ai.

Është ky një moment vërtetë i rëndësishëm në jetën e Ernest Simonit, Kardinalit të moshuar 94-vjeçar nga Shqipëria, përfaqsues i Kishës së martizuar Katolike Shqiptare, i cili është emëruar kardinal nga Papa për dëshminë e tij dhe besnikërinë e tij ndaj fesë së tij gjatë 28-viteve burgim e punë të detyruar, “besnik i patrembur”, siç e ka quajtur atë Papa Françesku, duke filluar nga viti 1961 e deri në vitin 1991.

“E kush do ta besonte, kur diktatura korrte e grinte kryekreje meshtarët, se njëri prej tyre do të ngjitej një ditë të lumnueshme Pashkësh, aty ku ngjiten përfaqësusit më në zë të krishterimit? “Armiku i popullit” i akuzuar se kishte kremtuar Meshë për pushimin e pasosur të Presidentit katolik John Fitzgerald Kennedy, i vrarë në Dallas në vitin ’63…”, thuhet në lajmin e botuar për këtë ngjarje nga Radio Vatikani dhe citon një deklaratë të Kardinal Ernest Simonit mbi përvojn e tij në burgjet e Enver Hoxhës:

“Kur isha në burg” – kujton ai – “e zbardhte agimi, nuk e dijshim a do ta shihshim ma diellin në perëndim mbas ditës të kalueme me tortura, ngacmime, dhunë dhe marrje në pyetje, ku na kërkohej të trathtojshim deri dhe përmbajtjen e rrëfimeve. Gjatë ndalimit në kampet e punës, në minierat ku nxirrnim bakër dhe pirit, po të kishte ra një gur në tunele, të gjithë do të fluturojshim në Parriz, njeni-mbas-tjetrit, tue pasë parasysh kushtet e pasigurta në të cilat kemi punue, pa asnjë siguri apo mbrojtje”.

Kjo, ishte jeta e kardinalit! Megjithatë, kurrë nuk e humbi shpresën: “Nuk do ta kisha besue kurrë se mbas aq shumë goditjesh, dhimbjesh mizore të shkaktueme prej zinxhirëve që m’i shtërngonin tmerrësisht kyçet, mbasi më kishin heqë lirinë e, mbi të gjitha, pa mujtë me ushtrue shërbimin e priftit për t’i shërbye njerëzve dhe për të shpallë Lajmin e Madh të Shëlbimit, do të jetojshe tashti ditë kaq të bukura, të pasuna me dhanti shpirtnore në shërbim të besimtarëve, për shpëtimin e shpirtënve. Nuk e kisha mendue kurrë se do të merrja Mitrën e kardinalit, dhuratë e madhe e papritun, dhuratë, që nuk do ta heq kurrë ma. Nuk më mbetë tjetër, veçse me e falënderue me gjithë zemër Papën Françesku; të lutemi për Atin e Shenjtë, që Zoti t’i japë forcë dhe shëndet në shërbesën e tij universale, si pasardhës i Shën Pjetrit”, ka përfunduar Kardinal Ernest Simoni reagimin e tij ndaj nderit që i ka bërë Papa Françesku këtij prelati të lartë të Kishës Katolike Shqiptare, duke e ftuar t’i bashkohet atij me rastin e festës së Pashkëve për të uruar, bekuar dhe për të përshëndetur mbarë botën me këtë rast.

Jetë të gjatë edhe Kardinalit Ernest Simoni, ashtuqë edhe ky të jetojë për të dëshmuar duke treguar krimet barbare të regjimit komunist të Enver Hoxhës, jo vetëm kundër Kishës Katolike dhe klerit të saj, por kundër një Kombi të zënë rob për një gjysëm shekulli!

Paqë të gjithë shqiptarëve me Zotin dhe me njëri tjetrin!

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1730
  • 1731
  • 1732
  • 1733
  • 1734
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT