• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sekreti i Mëndjes!

March 23, 2023 by s p

Nga Dr. Fatjona R. Lubonja Ed.D. ABA

Neuro-Shkenca/Edukimi/Behavior/

Përse mësojmë dhe mbajmë mënd? Të mësuarit dhe kujtesa janë dy nga aftësitë më magjike të procesit biologjik të mendjes sonë. Të mësuarit është i përvetësimit të njohurive të reja për botën, dhe kujtesa është procesi i ruajtjes dhe rindërtimit të kësaj njohurie me kalimin e kohës (Kandel, E., et. al., 2014). Imagjinoni sikur të zgjoheni një mëngjes dhe të mos ndjeheni familjar me shtëpinë, familjen, njerëzit, apo dhe veten tuaj. Imagjinoni që për një çast të mos kuptoni se kush jeni, çfarë ndjeni, çfarë mendoni dhe si të veproni. Kujtesa për trurin është çelësi për të mësuar dhe kryer veprimet bazë për të jetuar. Nga momenti i lindjes së fëmijës përgjatë zhvillimit të trurit, rrugëtimi i të mësuarit është fondamental për rritjen e shëndetshme mendore (Abbot, et. al., 2012). Zhvillimi i kujtesës është i komplikuar por elementë të rëndësishëm në strukturën e trurit për proçesin e kujtesës janë plasticiteti i qelizave nervore dhe komunikimi synaptik (elektrik dhe kimik) midis këtyre qelizave (Kandel, E., et. al., 2014). Është thelbësore të kuptojmë që proçesi i të mësuarit, varet nga elasticiteti i trurit, aftësia për të integruar informacione, mjedisi dhe vet-rregullimi i veprimtarisë së qelizave nervore në përputhje me rrethanat ambienti/mjedisi ku zhvilloni aktivitet, personat/individë që rrethoheni, kultura sociale, dhe sjellja (behavior), etj…. (Kandel, E., et. al., 2014).Gjithsesi, për të patur një process të shëndetshëm të zhillimit të processit të mësuarit duhet patur shumë kujdes që në ditët e para të lindjes së foshnjës. Përballimi me stresin e fillimit te jetës dhe mjedisi që e rrethon mund të influencoj në ndryshimet epigjenetike (ADN), (Vazdarjanova, A. et. al., 2004). Është e rëndësishme të kuptohet se procesi i të mësuarit dhe kujtesës është fondamental në jetën dhe zhvillimin e individit. Çdo individ nuk lind i mësuar por lind me aftësinë gjenetike për të mësuar, dhe informacionin e gjen në natyrë, ambjentin ku jeton dhe rritet. Si pasojë duhet të theksohet se në rrugëtimin e formimit të memories janë të rëndësishme si zhvillimi i trurit dhe aktiviteti i qelizave nervore ashtu dhe ambjentin/mjedisin/sjellja (behavior) ku zhvillohet aktiviteti. Ky proçes është fondamental edhe për individët me zhvillim të ndryshëm. *Fatjona R. Lubonja është autore dhe studiuese, ka studiuar Neuro-Shkencë/Edukim dhe Behavior në “Columbia University” në New York, dhe është specializuar në Harvard University. #fatjonalubonja

Filed Under: Kulture

Urime muaji i shenjte i Ramadazanit për ju dhe të dashurit tuaj

March 23, 2023 by s p

Imam Shuajb Gerguri

Qendra Islame Shqiptare e Detroitit, MI

“O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim për ju ashtu siç u ishte urdhëruar atyre që erdhën më parë, kështu që të bëheni të devotshëm.” [Kur’an 2:183]Dëshiroj që në emrin tim dhe në emër të Qendrës Islame Shqiptare të Detroitit t’ju uroj të gjithëve një muaj të bekuar.Kjo është një kohë për t’u rilidhur me Krijuesin tonë përmes agjërimit dhe lutjeve të natës. Agjëruesi ka dy raste gëzimi sipas Profetit (a.s), rasti i parë është kur besimtari e prish agjërimin dhe rasti i dytë është kur agjëruesi takohet me Zotin e tij. Ndërsa durojmë orë të gjata të abstenimit nga ajo që përndryshe është e lejueshme, kjo tregon besimin dhe vendosmërinë tonë në zbatimin e urdhërave të Krijuesit tonë. Allahu është gjithmonë me durimtarët.Ramazani është muaji i Kur’anit. Qoftë Kur’ani udhërrëfyesi ynë gjatë gjithë jetës tonë e sidomos gjatë këtij muaji të bekuar. Le ta bëjmë Kur’anian shoqëruesin tonë në orët e para të mëngjesit para vaktit të agimit. Edhe dy rekate para fillimit të sabahut do të na ndihmojnë të rinojmë shpirtin tonë dhe të durojmë orët e gjata të agjërimit. Natyrisht, njeriu mund të falë sa të dëshiroj.Ndërsa agjërojmë, le të kujtojmë njerëzit në nëvojë, të varfërit, jetimët dhe ata që janë me më pak fat. Jepni nga pasuria juaj për kënaqësinë e Allahut, sepse shpërblimi i dhënies në Ramazan ka vlerë shumë të madhe. Kujtoni të afërmit tuaj në nevojë, ata janë më të merituarit për ndihmen tuaj.Një ndër mirësitë e agjërimit është edhe ajo që lutja e agjëruesit është e pranuar nga i Madhi Zot. Prandaj lutuni për mirësitë e kësaj dhe botës tjetër, lutuni për të afërmit tuaj që kan kaluar në botën tjetër, për ata që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Lutuni për një të ardhme të ndritur të atdheut ku do të mbretëroj paqja, lumturia dhe dashuria mes njëri tjetrit. Lusim Allahun (SwT) që të na bëjë të fortë në udhëzimin e Tij. Le ta nisim këtë udhëtim shpirtëror me qëllimet më të pastra, adhurim vetëm për kënaqësinë e Allahut (SwT). Gëzuar Ramazanin për ju dhe familjet tuaja. Imam Shuajb GerguriQendra Islame Shqiptare e Detroitit, MI

Filed Under: Komente

Kosova në mes të “marrëveshjes së keqe” dhe status-quos

March 23, 2023 by s p

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, është hap i domosdoshëm për Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe integrimit euo-atlantik. Ky proces është i rëndësishëm edhe për Srbinë, e cila ka nevojë për një katarsis të brendshëm politik e institucional, ndonëse kjo nuk arrihet pa një ndërgjegjësim më të gjerë të shoqërisë serbe, e cila ka nevojë për demokratizim rrënjësor.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Nëse i referohemi asaj maksimës së njohur se “një marrëveshje e keqe është më e mirë se status-quoja”, do të duhej njëkohësisht ta pranojmë, ose ta mohojmë faktin, se Kosova ndoshta nuk ka pasur rrugë tjetër për t’u shmangur nga “marrëveshja e keqe”.Një shtet që nuk i zbaton marrëveshjet paraprake, është i dënuar të bëhet pengesë e proceseve, të cilat me kalimin e kohës vijnë duke u bërë edhe më të komplikuara. Kjo edhe ndodhi me Kosovën, prandaj Marrëveshja e 18 marsit në Ohër është produkt i një procesi i cili solli shumë tema e dilema që nuk kishin të bënin vetëm me gjendjen e brendshme politke e sociale, por edhe me kontekstin gjeopolitik. Jo më larg se në fillim të kësaj jave, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai i Kinës, Xi Jinping, u takuan dy herë brenda dy ditësh në Moskë, me ç’rast shpallën planet e tyre për të thelluar bashkëpunimin politik dhe ekonomik kino-rus për vitet në vijim – duke i dërguar një mesazh të fortë Perëndimit për vendosmërinë e tyre “kundër dominimit global të Shteteve të Bashkuara”.Të gjithë ata që mendojnë se Kosova është qendra e botës, sigurisht kanë harruar se baraspeshat gjeopolitike sot i diktojnë zhvillimet rajonale dhe globale, përfshi edhe luftën në Ukrainë, ku vendi ynë sigurisht bën pjesë, prandaj nuk është njësoj të kemi apo jo marrëveshje me Serbinë mbi bazën e një dokumenti europian. Kjo edhe për faktin se vizita e presidentit kinez në Moskë, nga mediat prestigjioze botërore është karakterizuar si “pjesë e një nisme të re për një rend të ri botëror”, që në esencë e ka qëndrimin e koordinuar ruso-kinez kundër Perëndimit.Sigurisht që vendi ynë është tepër minor për të patur ndonjë impakt në këto zhvillime globale gjeopolitike, por në anën tjetër askush nuk mund ta mohoj faktin se zvarritja e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, mund të ndikohet nga këto zhvllime gjeopolitike dhe kjo më së paku i konvenon popullit të Kosovës.Ajo çka do t’i konvenonte Kosovës, do të ishte kthimi në vitin 1999 te epoka e Klintonit, por tani rrethanat kanë ndryshuar, siç ka ndryshuar edhe drejtimi i Shtëpisë së Bardhë në Washington dhe për pasojë armiku i deri djeshëm yni, Serbia, në një farë mënyre ka fituar simpatinë e aleatëve tanë strategjikë, dhe kundër këtij realiteti nuk mund të bëjmë asgjë.Realitetet nganjëherë i diktojnë rrethanat, nganjëherë njerëzit bëhen peng të rrethanave, por në politikë asgjë nuk ndodhë ratësisht. Ashtu siç nuk ndodhi rastësisht që Ohri sërish të bëhet epiqendra e një ujdie ballkanike, pas asaj të vitit 2001, kësaj radhe me një karakter dhe dimension tjetër politik, ku Kosova dhe Serbia parimisht u pajtuan për zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve për të cilin Prishtina dhe Beogradi u dakorduan më 27 shkurt në Bruksel. Ky dokument kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore, përfshirë edhe pasaportat, diplomat dhe targat. Marrëveshja kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ajo gjithashtu kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i ka njoftuar ministrat e jashtëm të BE-së, për marrëveshjen e Ohrit, që u arrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 18 mars. Sipas Borrellit, kjo është një arritje e madhe dhe, siç tha, “më nuk do të jemi në gjendje krize, por në implementim të marrëveshjeve të arritura më parë më 27 shkurt në Bruksel”.“Këto marrëveshje hyjnë në fuqi me deklaratën që e lëshova. Nuk ishte nënshkrim për shkaqe ligjore, por të dyja palët u pajtuan se deklarata ime është përkushtim nga ana e tyre për të plotësuar tërësisht obligimet që dalin nga kjo marrëveshje e aneksi i implementimit”, tha Borrell.Shefi i diplomacisë evropiane përsëriti që Prishtina zyrtare e ka urgjente fillimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.“Kalendari kërkon që secila palë ta bëjë pjesën e vet, nuk fillon ndërtimi i shtëpisë nga kulmi. Disa nga këto gjëra janë shumë urgjente, e kam thënë se Kosova urgjentisht duhet të përkushtohet për formimin e Asociacionit. Janë bërë një sërë zotimesh dhe ne do të shohim se si palët do t’i përmbushin ato”, tha Borrell.Presion mbi Prishtinën dhe Beogradin zyrtarë që të nisin menjëherë zbatimin e marrëveshjes po bëjnë edhe SHBA-të.I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që ishte vëzhgues në takimin e Ohrit, tha se pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve është historik, dhe palët duhet të fillojnë menjëherë vënien në jetë të saj. Sipas tij, marrëveshja ka detyrime ligjore për t’i përmbushur. Prishtina duhet ta bëjë punën e saj, e këtë duhet ta bëjë edhe Serbia, tha ai duke shtuar se Beogradi duhet të fillojë me njohjen e dokumenteve të Kosovës dhe simboleve kombëtare.“Për Kosovën është e rëndësishme që të fillojë hartimin e versionit të saj të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ka shumë detyrime të tjera, por mendoj se këto janë më të rëndësishmet”, tha zoti Escobar, në një konferencë më gazetarë në distancë. Ndërkohë që , Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugë njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë.Marrëveshja e dakorduar në Ohër midis Kosovës dhe Serbisë, ka hapur shumë debate si te ne ashtu edhe në Beograd. Shumica e atyre në Kosovë që e shohin me rezervë këtë marrëveshje, ia përshkruajnë Kryeminstrit Kurti (pa)përgjegjësinë për të mos qenë kosekuent në qëndrimet e tij politike kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kauzë kjo e cila atë edhe e solli në pushtet. Metamorfoza e Kurtit nga opozita dhe mediat kritike tani po shikohet më tepër si ambicje e tij për të mos e humbur pushtetin, se sa si një dobi për shtetin e Kosovës. Këto kritika emërues të përbashkët kanë faktin se nëse formimi i Asociacionit paska qenë i dëmshëm për Kosovën kur Kurti ka qenë në opozitë, pse qenka i dobishëm tani kur ai është në pushtet.Madje vet Kryeministri Albin Kurti, e ka konfirmuar se marrëveshja e arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë, e përmban si kusht edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kurti u bazua te Neni 10 i propozimit evropian, ku thuhet se të dy palët konfirmojnë se duhet zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara, ndonëse kjo marrëveshje, sipas Kurit, është njohje de fakto e shtetit të Kosovës dhe kjo ka qenë arsye pse Presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk e ka nëndhkruar atë.Sa i përket kësaj çështjeje, vet Vuçiqi e ka dhënë një sqarim para opinionit publik serb, sipas të cilit arsyeja kryesore pse nuk e ka nënshkruar Marrveshjen në Ohër ka qenë refuzimi për të njohur shtetësinë e Kosovës“Po ta nënshkruaja këtë marrëveshje, do ta njihja subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës si shtet, prandaj edhe refuzova një gjë të tillë”, ka thënë Vuçiqi, i cili nuk u tregua deri në fund i sinqert, sepse ka pasur edhe motive të tjera për mos nënshkrimin e këtij dokumenti. Ai nuk tregoi se ka qenë i kërcënuar me vdekje nga ultranacionalistët e djathtë serbë.Sido që të jetë, Marrëveshja e 18 marsit në Ohër, do të prodhojë edhe shumë debate, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, kurse kritikuesit e të dyja palëve do të kenë hapësirë të shumtë për të shprehur rezervat dhe dyshimet e tyre mbi periudhën e implementimit të kësaj marëveshjeje. Dyshimet më të mëdha në opinionin kosovar kanë të bëjnë me formatin e Asociacionit në pikëpamje të kompetencave, edhe pse Kosova nga faktorë të shumtë ndërkombëtarë ka marrë garanci të forta se me Asociacionin nuk do të krijohet niveli i tretë i pushtetit dhe nuk do të preken vijat e kuqe të funksionimit kushtetues. Por çka do të ndodhë nëse asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive?Një përgjigje interesante mbi këtë çështje ka dhënë, Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili ka thënë se asgjë më nuk ka vlerë dhe vendi duhet të shkoj në zgjedhje. Madje kritikat po vijnë edhe nga Lugina e Preshevës, ku me të drejt konstatohet se kjo marrëveshje nuk bën fjalë për reciprocitet. Përkundrazi, Serbia merr “vetëqeverisjen” e saj për qytetarët serbë në Kosovë, por shqiptarët që jetojnë në Serbinë jugore nuk kanë asgjë të krahasueshme me të, thuan zërat kritikë të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës.Jo pak vëzhgues dhe studiues ndërkombëtarë kanë vërejtur se kjo marrëveshje ka më shumë gjasa të gjenerojë konfuzion të mëtejshëm sesa paqe. Por, kjo do të varet edhe nga qasja e Perendimit ndaj palëve, sidomos presioni ndaj Beogradit, sepse përvoja ka treguar se Kosova ka treguar një vullnet më të madh politik për implementimin e marrëveshjeve, ndërkohë që Serbia ka insistuar të implementohen vetëm ato marrëveshje që i konevonojnë asaj, siç po instiston tani Vuçiqi në zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 për Asociacionin.Procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, është hap i domosdoshëm për Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe integrimit euo-atlantik. Ky proces është i rëndësishëm edhe për Srbinë, e cila ka nevojë për një katarsis të brendshëm politik e institucional, ndonëse kjo nuk arrihet pa një ndërgjegjësim më të gjerë të shoqërisë serbe, e cila ka nevojë për demokratizim rrënjësor. Tani për tani rrethanat në Serbi nuk japin shpresë për një demokratizim të tillë, pasi që regjimi i Vuçiqit ka pamundësuar depërtimin e opsioneve alternative politike që do të sillnin më shumë ajër dhe më shumë dritë mbi qiellin e vrenjtur politik të Serbisë.Prandaj, Serbia tani për tani ka nevojë të ndihmohet edhe nga jashtë, në mënyrë që zërat kritik të depërtojnë me tepër në veshët e njerëzve të thejshtë. Një kontribut të tillë mund të japin edhe intelektualët, akademikët, mediat dhe një pjesë e shoqërisë civile të Kosovës, të cilët do të ndiqnin shembujt e rilindasve tanë të cilët proklamuan paqe dhe harmoni me fqinjët, si parakushte të një bashkëjetese pa paragjykime dhe pa barriera nacionale e fetare. Në këtë drejtim ndoshta do të ishte e udhës që të fillojë një karvan i dialogut dhe mirëkuptimit mes dy popujve, duke filluar nga Selaniku, Shkupi, Prishtina, Vjena, Berlini e Washingtoni, në të cilin do të merrnin pjesë intelektualë të shquar, me pikëpamje krejt të reja e të liruara nga stereotipet dhe animozitetet. Prishtinë, 23 mars, 2023

Filed Under: Histori Tagged With: Mehmet Prishtina

Fenomeni Luiz…

March 23, 2023 by s p

Aleksander Rena/

New York

Big Brother si në çdo cep të globit është një emision i sajuar nga elita dhe i trashëguar tek po ata televizione të cilët ndjekin vijën udhërëfyese të elitës në fjalë. “Top-Channel.tv” është një televizion që u hap në sensin Kombëtar dhe i kaloi përmasat e tij, duke dal në aspektin ndërkombëtar, pra elita, futi duart thellë tek ky televizion pasi ndrroi jetë i ndjeri Tani i Topit. Të vetmet emisione kulturore, historike dhe që i’a vlen t’i ndjekësh janë: “Gjurmë Shqiptare” e Marin Memës dhe “Inside Story” e skupeve denoncuese të gjithçkaje ndodh sot në Shqipëri. Ndërsa “Big Brother” është një emision degjenerues, i cili i mëson shqiptarët të çdo brezi, se si të luftojnë njëri tjetrin me kurthe dhe intriga. Asgjë më shumë se kaq, siç ka ndodhur ndër vite, dekada e shekuj tek shqiptarët, ku më i besuari është shitur apo është blerë vetëm për disa të holla apo lavdi shterpë të një titulli letre që thellë thellë, ka qenë për të fshirë menderen. Shikoni se çfarë ndodh, fenomeni Luiz sot tejkalon përmasat e shikueshmërisë me 4.4 miliard banorë në të gjithë planetin. Këtë shikueshmëri nuk e ka as Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga themelimi i Kushtetutës së parë Amerikane. E pse ndodh kjo? Sepse, shqiptarët gjejnë vetëveten kur shohin lojrat e Big Brother, të Luizit apo të kujtdo tjeter që thurrin plane dhe intriga për shoqi-shoqin. Kjo nuk sjell kulturë, as edukatë, as parime në shoqëri. Kjo sjell një sistem utopik antivlerash, që Faik Konica e ka thënë shumë bukur në një ndër citatet e tij: E keqja e shqiptarit, vjen po nga vetë shqiptari. Nuk dua të demoralizoj askënd me këtë që po shkruaj, por dreqi t’a haj, pse jemi kaq negativë për njëri tjetrin këtë nuk e kuptoj?! Pyetje e cila e gjen përgjigjen vetëvetiu brenda. Kur bën bashkë dy shqiptarë, duhet me therr një tufë me bagëti; thoshte Bismarku. E pra bota na njeh më mirë se e njohim ne veten tonë. Kjo e thënë ndryshe; dy shqiptarë nuk janë bërë kurrë bashkë, qoftë për luftë apo për paqe. E ndërsa për kurthe, intriga, pazare kafenesh dhe zili ndaj njëri tjetrit, jemi bërë tog të gjithë. Ne jemi një popull që respektojmë më shumë kafenet se sa kultet fetare. Ne jemi një popull që nuk falemi tek Zoti i gjithësisë por tek Imami, Prifti, kamarjeria e lokaleve apo shalët e sekretareve. Ne jemi një popull që nuk respektojmë babë dhe nënë, madje i vrasim ata nga pak e përditë, por që respektojmë çdo njeri tjetër që na del përpara jashtë shtëpisë. Ne nuk duam as motra dhe as vëllezër, madje kur bëjmë të flasim në telefon me Ta, duket sikur do japim e do marrim borxh tek njëri tjetri, e ndërsa një i jashtëm po të na kërkojë diçka, ne i falim shpirtin. Ne jemi po ata që në emigracion mundohemi t’a shklyejmë njëri tjetrin si ata qentë e rrugës dhe kur vijmë në Shqipëri apo kur dalim nëpër televizione flasim për “mirë” në emër të “Diasporës”, Diasporës së pjerdhur që nuk ka egzistuar kurrë! Ne jemi po prap ata që themi Greku, Serbi, Turku na i ka fajet, por kur vjen shqiptari nga Dardania, Ilirida apo gjetkë, i’a fusim sa krahu me çmimet dhe arrogancën tonë. U munduan e gjithë Perëndimi të na bëjnë njerëz të kulturuar, por ne ndoqëm rrugën e Anadollit, të Bolshevizmit dhe të gjithë kulisave të errëta që fillojnë nga Lindja e Mesme dhe përfundojnë në Ballkan. Ne jemi po ata që në gen, gjak dhe damar, mbjellim vrerë, cinizëm, arrogancë, zili, antivlerë dhe intriga pafund dhe harrojmë se jeta është një dhe e shkurtër. E pra, askush nuk i ka mbijetuar errësirës dhe aq më pak shqiptari. Por mesa duket shqiptari errësirën e ka të ngulitur thellë në shpirt dhe të shkruar në ballë. Prandaj ne e njohim njëri tjetrin shumë mirë që nga fytyra. Kjo tregon se jemi unik në llojin tonë dhe fenomene të tilla si loja e Big Brother apo e Luiz Ejllit, na ngjizin, na sjellin identitetin tonë racorë. Geni dhe gjaku jonë është vetëm një fenomen lojë larg dhe asgjë më shumë se kaq. Andaj ne si Komb nuk kemi as vizion për të ardhmen, sepse të shkuarën dhe të tashmen e mbajmë fort të lidhur në gërmadhat e së keqes!

Filed Under: Fejton

Tokë, yje dhe qiell

March 23, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

“Herët a vonë, shumica e njerëzve arrijnë të kuptojnë se edhe ajo që ata nuk mund ta besojnë mund të jetë e vërtetë.” — Platoni. Historitë e kulturave indigjene në mbarë botën tregojnë se paraardhësit e tyre erdhën nga yjet. Vendasit, në çdo vend, tregojnë se paraardhësit e tyre ishin “Njerëz të Qiellit” dhe “Qenie të Yjeve”. Tekstet egjiptiane flasin për “sjellësit e dijes” që vijnë nga Sahu dhe Sopdi (Orioni dhe Sirius). Ndërtuesit e Teotihuacanës në Meksikë i përshkruajnë perënditë e tyre si të zbritur nga qiejt (Hyjnorë, Yje dhe Illyrë) Legjendat e Puma Punkut në Bolivi portretizojnë paraardhësit e tyre si të ardhur nga yjet. Sumerianet, Majat, Inkanet, Zhang Zhungët para-tibetianë dhe shumë kultura të tjera, të gjithë shprehin të njëjtën histori në mënyra të ndryshme në gjuhë të ndryshme – paraardhësit e tyre erdhën nga yjet, qielli, duke sjellë të përparuara diturinë dhe dhuntinë e qytetërimit. Shumë prej këtyre kulturave ishin shumë të ndara si gjeografikisht ashtu edhe kronologjikisht, megjithatë historitë e krijimit të tyre janë jashtëzakonisht të ngjashme dhe, në shumë raste, në thelb identike.Çfarë mund ta shpjegojë këtë? Pyetje të tilla nuk janë bërë kurrë në literaturën e disponueshme botërore. Lexuesi i këtij shekulli (XXI) ndeshet me dilema të tilla, por ndryshe nga paraardhësit, sot po i bënë sfidë mendimit të mykur të shkencës shêrbëtore të politikës.Mendja njerëzore nuk është në gjendje ta kuptojë universin. “Ne jemi si një fëmijë i vogël që hyn në një bibliotekë të madhe,“, thotë Einsteini, “ku muret janë të mbuluara deri në tavan me libra në shumë gjuhë të ndryshme. Fëmija e di se dikush duhet t’i ketë shkruar këto libra. Nuk dihet kush dhe si. Nuk i kupton gjuhët në të cilat janë shkruar. Por fëmija shënon një plan të caktuar në renditjen e librave, një rend misterioz që nuk e kupton, por e percepton zbehtë”.Universi është kaq i madh sa që edhe pse mund të flasim dhe të shkruajmë numrin, ai mbetet një koncept; intelektet tona nuk mund ta kuptojnë.Drita udhëton 300,000 kilometra në sekondë, gjë që duket mjaft e shpejtë. Nëse udhëtoni me shpejtësinë e dritës, mund të rrethoni ekuatorin e tokës 7.5 herë në vetëm një sekondë. Një vit dritë është distanca që kalon drita në një vit, rreth 9.5 trilion kilometra. Duke vënë re se shpejtësia e dritës është kaq e shpejtë, ju vendosni të udhëtoni me shpejtësinë e dritës deri në skajin e universit të vëzhgueshëm, vetëm për të parë se atje nuk është fundi i universit. Kjo është një ide e mirë, por për të arritur destinacionin tuaj, edhe me shpejtësinë e dritës, udhëtimi do të marrë më shumë se 46 miliardë vjet.Të dhënat nga Teleskopi Hubble kanë zbuluar se ka qindra miliarda galaktika në universin e vëzhgueshëm. Në fillim të vitit 2020, një njoftim i jashtëzakonshëm erdhi nga studiuesit që shqyrtonin të dhënat nga sondazhi i Fushës së Thellë eXtreme. Ekspertët përfunduan një analizë dhe ajo që ata gjetën është dërrmuese. Në vend të 200 miliardë galaktikave të vlerësuara më parë në universin e vëzhgueshëm, ka të ngjarë të ketë më shumë se dhjetë trilion galaktika. Për ta vendosur këtë në një lloj këndvështrimi, nëse mbani një kokërr të vetme rëre në gjatësinë e krahut kundër qiellit të natës, pjesa e vogël e qiellit që fsheh ajo përmban më shumë se 100,000 galaktika – jo 100,000 yje, 100,000 galaktika. Këto galaktika variojnë në madhësi nga galaktikat xhuxh me “vetëm” disa miliardë yje deri te galaktikat gjigante me 100 trilion yje. “Kozmosi është gjithçka që është ose ka qenë ose do të jetë ndonjëherë. Soditjet tona më të dobëta për Kozmosin na trazojnë—ka një ndjesi shpimi gjilpërash në shtyllën kurrizore, një kapje në zë, një ndjesi e dobët, si një kujtim i largët, i rënies nga një lartësi. Ne e dimë se po i afrohemi mistereve më të mëdha”, thotë Carl Sagan. Pafundësia e pakuptueshme e universit frymëzon. Në fund të fundit, ne përgjithësisht mendojmë për çdo jetë jashtëtokësore po aq ekzistuese sa ne, në një planet që rrotullohet rreth një ylli në një distancë ku jeta siç e njohim ne mund të lulëzojë.Që nga mesi i vitit 2017, Observatori Hapësinor Kepler kishte identifikuar ekzistencën e rreth 4496 yjeve kandidatë për ekzoplanete dhe 3750 ekzoplanete të konfirmuara, domethënë planete që ekzistojnë jashtë sistemit tonë diellor, që rrotullohen rreth yjeve të tjerë në galaktikën e Rrugës së Qumështit.Shumë shkencëtarë thonë se jeta është mjaft e zakonshme në univers.Por është misterioze për t’u pranuar, dhe, ‘populli qeveris’ është hipokrizi. Është kulmi i arrogancës të besosh se jemi vetëm. “Universi po bashkohet me lloje të ndryshme të formave të jetës”, thotë Michio Kaku, dhe dyshon nëse raca njerëzore është forma më inteligjente e jetës.Shkrimtari i famshëm britanik Arthur C. Clarke formuloi tre fjalë të urta të lidhura me parashikimin, të njohura si tre ligjet e Klarkut, i treti prej të cilëve formulohet si më poshtë: “Çdo teknologji mjaft e avancuar nuk dallohet nga magjia”.Është njësoj sikur të thuash se çdo teknologji e dallueshme nga magjia është e pamjaftueshme për të avancuar.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1759
  • 1760
  • 1761
  • 1762
  • 1763
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT