• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONGRESI AMERIKAN ME REZOLUTË: SOCIALIZMI NJË IDEOLOGJI E DËSHTUAR! 

September 9, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Të ënjtën që kaloi në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Kongresistja Republikane nga shteti Florida, Maria Elvira Salazar dhe Senatori republikan Rick Scott, po ashtu nga Florida — njëri në Dhomën e Senatit e tjetra në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara – paraqitën për miratim një rezolutë të përbashkët me të cilën dënojnë socializmin si një ideologji të dështuar. Një ideologji që të çon drejt varfërisë dhe shtypjeve e cila është në kundërshtim dhe mospërputhje të plotë me Ëndrrën Amerikane, shkruajnë ligjvensit nga Florida.  Sipas njoftimeve për median nga zyrat e dy përfaqsuesve të këtij në Washington, Senatori Scott e ka paraqitur tanimë rezolutën në Dhomën e plotë të Senatit, ndërsa Kongresistja Salazar është sponsorizuesja kryesore e kësaj rezolute në Dhomën e Përfaqsuesve të Shteteve të Bashkuara.

Në njoftimin e tyre, ligjvensit republikanë nga Florida nënvijuan qëllimin e kësaj rezolute duke paralajmëruar se, “Ndërsa politikanë të ekstremit të majtë si Zohran Mamdani (kandidat i Partisë Demokrate për kryetar bashkie) në Nju Jork pranojnë hapur ideologjitë socialiste si pjesë e programit të tyre politik, kjo rezolutë shërben si një paralajmërim i drejtpërdrejt se socializmi nuk është vetëm një politikë e gabuar, por është edhe një rrugë që, historikisht, ka provuar se çon drejt tiranisë, urisë dhe vdekjes. Prandaj, si ideologji e tillë, socializmi nuk ka vend në Amerikë”. Theksojnë ata në njoftimin për media. 

Lexuesit mund të kujtojnë se gjatë viteve të fundit jam munduar të mbuloj veprimtarinë e Kongresistes Salazar dhe ligjvense të tjerë amerikanë, në krye të përpjekjeve të tyre politike kundër ideologjisë socialisto-komuniste, qoftë në Shtetet e Bashkuara, qoftë jashtë këtij vendi. Edhe me këtë rast, María Elvira Salazar – me prejardhje nga Kuba komuniste — është në krye të kësaj lufte kundër socializmit e komunizmit. “Historia na tregon qartë pasojat e socializimit e komunizmit: nga gulagët e Stalinit dhe fushat e vdekjes në Kamboxhia deri tek skuadrat e pushkatimit të Fidel Kastros në Havana, socializmi gjithmonë ka përfunduar në mjerim, vuajtje dhe vdekje. Si pasojë e kësaj ideologjie, kombe të tëra janë shkatërruar dhe miliona jetë janë humbur, duke përfshirë shumë prej tyre edhe në komunitetin tim që janë detyruar si përfundim i brutaliteti të asaj ideologjie të largohen nga vendlindja. Kjo është arsyeja pse jam krenare të paraqes me Senatorin Eric Scott këtë rezolutë të përbashkët në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve me qëllim për të dënuar tmerrin e socializmit. Por edhe për të siguruar gjithashtu që Kongresi të flasë me një zë kur është fjala për dënimin e ideologjisë së socializmit, në të gjitha format e tij dhe kudo që të shfaqet me fytyrën e tij të shëmtuar. Ashtu që Amerika të qëndrojë gjithmonë si drita e lirisë kundër errësirës së socializmit dhe premtimeve të tij të rreme për barazi”, citohet kongresistja Salazar në njoftimin e botuar nga zyra e saj në Washington.  

Edhe Senatori Rick Scott në njoftimin për mediat javën që kaloi në lidhje me rezolutën e paraqitur prej ti në Dhomën e Senatit, i shpalli luftë socializmit: “Socializmi është një ideologji e dështuar — ka shkatërruar vende, ka shkatërruar ekonomitë dhe u ka mohuar miliona njerëzve, anë e mbanë botës, të drejtat themelore të njeriut. Shikoni vetëm Kubën dhe Venezuelën, ose flisni me ndonjë nga mijëra familjet në shtetin tim të Floridës që janë arrratisur nga ato regjime, pasi diktatorët djallëzorë atje u kanë mohuar atyre të drejtat bazë të njeriut dhe mundësitë për një jetë më të mirë e normale në vendet e tyre.”  Pa përjashtim, citohet Senatori Scott, se socializmi ka “përfunduar me të njëjtin rezultat të pashmangshëm: në mjerim, varfëri dhe shtypje të lirive dhe të drejtave të njeriut”, për të gjithë.

Siç duket, kjo rezolutë po paraqitet si në një referencë ndaj qendrimeve politike ekstreme kundër kapitalizmit në fushatën e kandidatit radikal-demokrat për kryetar bashkie në Nju Jork, Zohran Mamdani, i vet-shpallur si demokrat-socialist, por që kundërshtarët i referohen atij thejsht si socialist, madje edhe komunist.  Senatori i Floridës Rick Scott tha se, “është e neveritshme të shohësh radikalët e majtë ekstremë që shpifin kundër kapitalizmit, një sistem që ka ndihmuar miliona amerikanë të realizojnë ëndrrat e tyre”.  Ndërkohë që, radikalët socialistë po “përpiqen të shkatërrojnë vendin tonë me qëllim për ta rindërtuar atë në imazhin e tyre radikal, përmes politikave ekstreme socialiste.”  Senatori Scott shtoi se Shtetet e Bashkuara janë themeluar bazuar në liritë dhe mundësitë individuale dhe në të drejtat e çdo individi për të ndjekur dhe për të realizuar Endërrën Amerikane… pavarësisht se kush jemi dhe nga vijmë.  Rezoluta jonë është një kujtesë e fortë për ekstremistët e majtë: se socializmi është një dështim dhe se amerikanët, gjithmonë, do ta refuzojnë atë”, është shprehur Senatori Rick Scott i shtetit Florida.  Rezoluta e plotë mund të lexohet këtu – C:\Users\new\AppData\Local\Temp\NEW25816.loc

Ndërsa pritet që kjo rezolutë të miratohet njëzëri nga shumica republikane në Senat dhe në Dhomën e Përfaqsuesve, do jetë interesant për të ndjekur votën e hedhur nga antarët e Partisë Demokrate në të dy dhomat e Kongresit.  Partia Demokrate në Nju Jork dhe anë e mbanë vendit gjëndet para një dileme politike, përballë  kanditaturës së Zohran Mamdanit (kandidati zyrtar i Partisë Demokrate për kryetar bashkie në qytetin Nju Jork), por i vet-shpallur demokrat-socialist, i cili tani për tani kryeson në anketat e opinionit publik, përballë tre kandidatëve të tjerë: kryetarit aktual të Bashkisë Eric Adams, ish-guvernatorit Andrew Cuomo dhe kandidatit republikan Curtis Sliwa. Megjithse mamdani gëzon një epërsi në fushatën e tij për kryetar bashkie të Nju Jorkut, deri më sot, asnjë prej udhëheqsve kryesorë të Partisë Demokrate, qoftë në nivel vendor, shtetëror ose federal, nuk kanë shpallur mbështetjen e tyre për socialistin demokrat Mamdani, për kryetar bashkie të qytetit Nju Jork. Siç duket, udhëheqsit kryesorë demokratë, sidomos, ata në nivel kombëtar, kanë frikë se po të mbështesin Mamdanin, ata do të identifikohen me politikat e këtij socialisti, që synon të zgjidhet kryetar i bashkisë së qytetit më të madh dhe qëndrës kryesore financiare të vendit dhe botës. 

Kuptohet se duke pasur parasysh zgjedhjet për Kongres vitin që vjen, liderët demokratë kanë drojë se duke mbështetur socialistin Mamdani në Nju Jork, Partia Republikane do të përpiqet, në nivel kombëtar, të identifikojë Partinë Demokrate me një kandidiat ekstrem socialist si Mamdani – si fytyra e re përfaqësuese e Partisë Demokrate e shekullit XXI.  Diçka që ka filluar tanimë në disa qarqe republikane që thonë se me një kandidat të vet-shpallur socialist, që disa e quajnë  komunist, sipas tyre, Partia Demokrate e Shteteve të Bashkuara po shëndrrohet në një parti socialiste, një epitet që nuk tingëllon mirë në veshët e disa demokratëve.  Ka zëra, pra që kanë shprehur shqetsimet e veta edhe në radhët e Partisë Demokrate, zëra serioz që janë kundër kandidaturës së Mamdanit për kryetar bashkie të Nju Jorkut.  Një prej tyre është Kongresisti Tom Souzzi nga lagja Queens (Kuins) e Nju Jorkut.  Ai ka bërë thirrje që anëtarët e Lëvizjes Demokrato-Socialiste të Amerikës si Mamdani dhe kongresistja radikale e majtë Alexandria Ocasio-Cortez e lagjës Bronks me shokë e shoqe të tjera, duhet të largohen nga Partia Demokrate dhe të formojnë partinë e tyre në përputhje me ideologjinë e tyre. Duke shtuar se ai vet shpreson që Mamdani të mos fitonte në Nju Jork sepse do të ishte shumë keq për Partinë Demokrate edhe në nivel kombëtar. 

Ish-Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve Tip O’Neill citohet të ketë thenë dikur se politika është gjithmonë vendore (politics is always local), por kësaj radhe Nju Jorku po tregon se politika vendore mund të ketë pasoja të rënda mbarë kombëtare. Demokratët, si kongresisti Souzzi mendojnë se një fitore e një kandidati radikal socialist, për të mos thënë komunist, si Mamdani në Nju Jork mund t’i kushtojë rendë, politikisht, Partisë Demokrate në zgjedhjet e ardhëshme kombëtare për Kongres, vitin që vjen. Sidoqoftë, mbetet për tu parë, por kjo vjeshtë duket se do jetë një stinë me temperaturë të lartë politike dhe me pasoja të paparashikueshme politike dhe ekonomike, jo vetëm për Nju Jorkun, por edhe për mbarë Amerikën, sidomos sa u përket zgjedhjeve të ardhëshme për Kongres, vitin që vjen, zgjedhje të cilat Partia demokrate shpresonte t’i fitonte ato si një kundërbalancë ndaj qeverisjes së Presidentit Trump, por “fenomeni Mamdani” i ndërlikon shumë ato plane për Partinë Demokrate: a do të distancohet nga politikat radikale socialisto-komuniste të Mamdanit apo t’i përqafojë ato dhe paguaj një çmim me pasoja të rënda politike të paparashikueshme.

Frank Shkreli

              Kongresistja Republikane e shtetit Florida, Maria Elvira Salazar 

                                      Senatori i shtetit Florida, Rick Scott

       Bashkautorët e rezolutës që dënon socializmin si një ideologji të dështuar

Zohran Mamdani i vet-quajtur socialist demokrat – kandidati zyrtar i Partisë Demokrate për kryetar bashkie i qytetit Nju Jork – A është ky fytyra e re socialisto-demokrate e Partisë Demokrate të Shteteve të Bashkuara!? 

Filed Under: Komunitet

DRITARJA DREJT GJUHËS DHE TRADITAVE SHQIPTARE

September 9, 2025 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Shkolla Shqipe “Faik Konica” në Namur: Një dritare e kulturës dhe identitetit kombëtar për fëmijët e komunitetit. Në Jambes, pranë Namurit në Belgjikë, Shkolla Shqipe “Faik Konica” ka hapur dyert për të mirëpritur krahëhapur fëmijët e komunitetit shqiptar. Ky institucion ofron jo vetëm mësim në gjuhën shqipe, por edhe një lidhje të drejtpërdrejtë me identitetin dhe kulturën e tyre, duke shërbyer si një qendër e rëndësishme ku brezi i ri mëson të ruajë gjuhën dhe vlerat kulturore, dhe të ndërtojë një urë të palëkundur mes atdheut dhe vendit pritës.

   Ky institucion nuk është vetëm një vend mësimi; ai është një hapësirë ku identiteti shqiptar lulëzon, ku fëmijët lidhen me rrënjët e tyre kulturore dhe historike, dhe ku kultura e kombit pasqyrohet në çdo aktivitet mësimor.

   Shoqata “Nënë Tereza” në Namur  me President z. Adnan Rexhepi shpreh krenarinë për rolin e saj në këtë mision: “Të kontribuojmë në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar për brezin e ri shqiptar jashtë atdheut është një detyrë që na mbush me krenari,” thonë përfaqësuesit e saj. Përmes kësaj shkolle, fëmijët shqiptarë mësojnë të lexojnë dhe shkruajnë në gjuhën e tyre, ndërkohë që zhvillojnë njohuri mbi historinë, gjeografinë dhe folklorin e pasur të vendit të tyre. Ky është një hap i rëndësishëm për të ruajtur identitetin dhe për të përgatitur brezat e ardhshëm të komunitetit shqiptar në diasporë.

   Atmosfera në klasat e shkollës është e mbushur me entuziazëm dhe kureshtje. Nxënësit mësojnë të lexojnë dhe shkruajnë, por edhe të kuptojnë rrënjët e tyre kulturore dhe të ndërtojnë një identitet të fortë. Drejtori i shkollës, zoti Arian Bajraktari, falënderon komunitetin shqiptar të Namurit për besimin dhe përfshirjen e tyre aktive. Ai thekson se angazhimi i prindërve ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ruajtjen e identitetit gjuhësor dhe kulturor të fëmijëve, duke siguruar një të ardhme të fortë dhe të pasur për komunitetin shqiptar jashtë vendit.

   Çdo ditë, klasat e mësimit bëhen një hapësirë ku fëmijët ndajnë buzëqeshje, kuriozitet dhe respekt për traditat shqiptare. Programi mësimor është i pasur dhe përfshin:

   Gjuha Shqipe, për të ndërtuar bazën e fortë të komunikimit dhe shkrimit.

   Letërsi Shqipe, për të njohur veprat më të rëndësishme të autorëve shqiptarë dhe për të zhvilluar imagjinatën e fëmijëve.

   Nocionet gjeografike të kombit shqiptar, për të kuptuar historinë, territorin e Shqipërisë dhe viseve shqiptare.

   Folklor mbarëkombëtar, për të lidhur fëmijët me traditat, këngët dhe vallet që kanë kaluar brez pas brezi.

   Shkolla Shqipe “Faik Konica” nuk është vetëm një vend mësimi, por një qendër komunitare ku kultura dhe identiteti shqiptar lulëzojnë. Ky projekt është një shembull frymëzues se si komunitetet shqiptare në diasporë mund të ruajnë gjuhën dhe kulturën e tyre, duke ofruar një trashëgimi të çmuar për brezat e ardhshëm.

   Sa bukur dhe sa emocionuese është të shohësh klasat plot me fëmijë të etur për të mësuar gjuhën dhe historinë e kombit të tyre!

Filed Under: Emigracion

SOCIAL-DEMOKRATEN (1921) / AKTORI MË I FAMSHËM GJERMAN FLET PËR KOMUNIZMIN, ARTIN DHE PUNËTORËT — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME ALEKSANDËR MOISIUN NË HOTEL BRISTOL (OSLO)

September 9, 2025 by s p


Aleksandër Moisiu (1879 – 1935) – Burimi : Social-Demokraten, e premte, 1 prill 1921, faqe n°4
Aleksandër Moisiu (1879 – 1935) – Burimi : Social-Demokraten, e premte, 1 prill 1921, faqe n°4

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Shtator 2025

“Social-Demokraten” ka botuar, të premten e 1 prillit 1921, në faqen n°4, intervistën ekskluzive asokohe me Aleksandër Moisiun në Hotel Bristol (Oslo), të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Tek Aleksandër Moisiu – Aktori më i famshëm gjerman flet për komunizmin, artin dhe punëtorët

Burimi : Social-Demokraten, e premte, 1 prill 1921, faqe n°4
Burimi : Social-Demokraten, e premte, 1 prill 1921, faqe n°4

Me trenin e Kopenhagës në orën 4 e 10 të pasdites së djeshme, Moisiu mbërriti me gruan e tij në Kristiania (Oslo). Moisiu, siç dihet, është ftuar nga regjisori Rudolf Rasmussen në një shfaqje treditore në “Mayol”, ku do të recitojë poezi të Gëtes, Heine-s dhe Verhaeren-it dhe do të interpretojë një skenë monologu nga “Faust-i”.

Ne patëm shumë fat që edhe para ardhjes së aktorit të madh ta bindnim të bënte një intervistë të vogël — të cilën ai me dashamirësi dhe dëshirë na premtoi se po atë mbrëmje do ta jepte në dhomën e tij në hotel “Bristol”.

Me shumë entuziazëm dhe shumë nervozizëm, në kohën e caktuar, ne hymë në labirintin e korridoreve prej mermeri të Hotel Bristol, derisa më në fund gjetëm dhomën ku i ftuari i nderuar dhe gruaja e tij kishin ngritur çadrat e tyre.

Moisiu, ndonëse ishte ende i lodhur nga udhëtimi, na priti shumë ngrohtësisht, na ofroi një nga cigaret e tij më të mira dhe u deklarua menjëherë gati për të biseduar e llafosur për të gjitha gjërat e çuditshme që mund t’i shkonte nëpër mendje një gazetari.

— Ju vini nga Kopenhaga ? e pyetëm për diçka për të filluar.

— Po, kam 8 ditë atje, kam lexuar poezi të Gëtes, Verhaerenit dhe Heines dhe kam interpretuar skenën monologe “Faust i studerkammeret” — sigurisht një nga skenat monologe më të mira në të gjithë “Faust-in”.

— Dhe sa kohë do të qëndroni në Kristiania ?

— Tre, katër ditë. Në “Mayol” do të performoj në thelb të njëjtin program me atë që kisha në Kopenhagë. Kur të mbaroj këtu, unë dhe gruaja ime do të udhëtojmë menjëherë për në Stokholm, ku do të kem disa mbrëmje leximi (recitimi), ndoshta edhe një udhëtim të shkurtër në Goteborg.

— Cilët autorë dhe çfarë lloj pjesësh preferoni të luani ?

—  Më pëlqen Tolstoi më i miri nga të gjithë shkrimtarët e vjetër të botës, — më pëlqen shumë të aktroj në tragjeditë e vjetra klasike greke, por përndryshe më pëlqen të aktroj në të gjitha llojet e shfaqjeve.

Dhe modernët — Themistokliu si Shekspiri, Tolstoi, Ibsen dhe Bjørnson. Ti kupton gjithçka. Për sa kohë që është art origjinal, i mirë dhe autentik. Ndër shfaqjet norvegjeze kam luajtur Osvaldin në “Gjengangere” dhe Hjalmar Ekdalin në “Vildanden”. Unë gjithashtu nuk kam qenë në gjendje të performoj Hamsun. Unë e mbaj atë me respekt të lartë. Libri i tij “Sult” është madhështor dhe renditet ndër më të mirët në letërsinë europiane.

— Nga deklaratat e tua në gazetat e Kopenhagës dhe edhe nëpër gazetat gjermane kemi krijuar përshtypjen se ju jeni komunist. A besoni në revolucionin botëror proletar ? Dhe a mendoni se do të sjellë lumturi njerëzore për miliona që e emërtojnë atë sot ?

— Unë nuk jam politikan. Është gabim kur gazetat e Kopenhagës duan të më atribuojnë ndonjë deklaratë të madhe politike për çështjet e ndezura të ditës. Unë nuk e kuptoj shumë mirë politikën. Si artist, duhet të përqendrohem në punën time dhe t’i kushtoj gjithë kohën dhe interesin tim artit që dua dhe respektoj. Që unë, si njeri me ndjenja, jam i indinjuar nga padrejtësia e përgjakshme e shoqërisë klasore, bollëku i të pasurve dhe mjerimi i të varfërve, është tjetër çështje. Unë simpatizoj ata që janë në nevojë dhe dhimbje — vuaj me ta dhe shpresoj me ta që ditë më të ndritshme dhe lumturia më e madhe do ta bekojnë së shpejti njeriun e madh dhe të vuajtur.

Unë nuk marr pjesë në politikë, por zemra ime është me ata që duan të mirën. Zemra ime është me komunistët sepse mësimet e tyre janë të rrënjosura në krishterim siç duket në formën e tij origjinale. Unë jam komunist sepse besoj se është e drejtë dhe e duhur që një njeri t’i japë një të varfëri në acar një pallto kur ai vetë ka dy …

Nëse nuk kam besim se mund të përmirësohet bota dhe njerëzit në të me mjete të dhunshme, unë ende shikoj tek të gjithë ata që, me vetëmohim dhe plot idealizëm, marrin drejtimin për çlirimin e të varfërve. Lenini kishte të drejtë në Rusi. Atje, para revolucionit, kishte 30 mijë pronarë tokash të ushqyer mirë dhe 100 milionë të varfër. Pastaj erdhi revolucioni dhe nxorri jashtë loje 30 mijë pronarët e tokave dhe ia dha tokën 100 milionë të varfërve, të cilët tani po bëhen njerëz të vërtetë — sepse po përballen me ditë më të ndritshme.

— A i vlerësoni punëtorët si audiencë teatri dhe a besoni se punëtorët e kuptojnë se si të shijojnë dhe përdorin artin e mirë dhe të mirëfilltë ?

— Punëtorët janë audienca ime më e mirë. Unë kurrë nuk luaj me gëzim më të madh se kur luaj për punëtorët. Sepse e di sa mirë punëtorët kanë nevojë për teatrin, muzikën dhe gjithçka që është e bukur. Sepse e di që bota e tyre është e ftohtë dhe gri dhe se për këtë arsye ata kanë nevojë dëshpërimisht për një rreze të ngrohtë dielli herë pas here. Në Berlin, kam mbajtur një numër recitimesh të dielave pasdite me çmime të ulëta për klasën punëtore. Kam lexuar poezi nga klasikët tanë më të mëdhenj — dhe ndjej se punëtorët e kuptojnë dhe e shijojnë artin e mirë. Sa më mirë është që punëtorët të mblidhen në sallat e koncerteve dhe teatrove sesa të shkatërrojnë shpirtrat dhe trupat e tyre në lokalet e birrës dhe shfaqjet e estradës së minutës së fundit ?

“Arti për hir të artit” është një slogan i mirë. Por kjo nuk e mbulon plotësisht. Arti nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm një qëllim në vetvete — ai duhet të jetë një mjet në shërbim të edukimit publik dhe formimit të zemrës. Dhe ai art është më i madhi dhe më i vërteti, në të cilin çdo shpirt njerëzor dhe çdo zemër njerëzore gjen vendin dhe e njeh veten. E gjithë bota qesh dhe qan për të njëjtat gjëra. Në çdo gjoks njeriu ka tokë pjellore për të mirën dhe të bukurën — çdo zemër është si një kopsht i bukur, por duhet ujitur dhe kujdesur për të — dhe dielli duhet të vijë me bollëk me dritën dhe ngrohtësinë e tij

Arti dhe artistët janë rojet e së bukurës. Prandaj, ata që punojnë me artin kanë një përgjegjësi të madhe. Dhe prandaj është detyrë e tyre të bëjnë art në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë, që të gjithë të përfitojnë prej tij — dhe askush të mos largohet pa u pasuruar në shpirt dhe mendje. Dhe vetëm ajo që vjen natyrshëm është e bukur, vetëm ajo që çdo njeri i vetëm në tokë mund të kuptojë është art i vërtetë dhe origjinal.

Njerëzit duhet të mësojnë të shohin bukurinë në një pasqyrë deti të qetë, në lindjen e diellit dhe në muzg në një mbrëmje të hershme pranvere. Ata duhet të mësojnë të kuptojnë se jeta është e pasur dhe e bukur dhe ia vlen të jetohet — dhe se do të ishte edhe më e bukur nëse njerëzit do të bëheshin më të mirë. Arti është një nga mjetet që do të edukojë racën njerëzore dhe do ta bëjë çdo individ më të mirë, duke hapur sytë nga e bukura, sepse atëherë ata do të mendojnë bukur, do të kuptojnë se çfarë është e mira dhe e keqja dhe do të veprojnë në përputhje me rrethanat.

***

Ndërsa disa gazetarë presin jashtë derës për të hyrë në shenjtëroren e të shenjtëve, ne e shohim si kolegjiale për ta dhe sjellje ndaj aktorit të madh t’i themi lamtumirë.

Aleksandër Moisiu ishte i lodhur kur mbërritëm dhe nuk kishte gjasa të gjallërohej nga shumëllojshmëria e gjermanishtes për të cilën e pyetëm.

Megjithatë, u bashkuam pak sa i përket gjuhës dhe shqiptimit të saj kur i dhamë lamtumirën e fundit. Në gjermanishten më të patëmetë i thamë : Auf Wiedersehen, Aleksandër Moisi !

Por nuk e dimë sa i kishte mbetur kur u përgjigj : Auf Wiedersehen, mein Herr !

A.   P. Aa.

Filed Under: Kulture

Dy shfaqje të Teatrit Kombëtar të Kukullave në Nju Jork hapin siparin e vitit të ri shkollor dhe mundësinë e një bashkëpunimi me perspektivë

September 9, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Dy pjesët e mbrëmshme nga Teatri Kombëtar i Kukullave në auditorin e PS 108 pranë Morris Park, Bronx, përkuan me hapjen e vitit të ri shkollor dhe vijnë pak muaj pas arritjes historike të përfshirjes së shqipes në komunikimet zyrtare të shkollave publike të Nju Jork-ut. Pikërisht, në këtë shkollë sapo filloi për herë të parë programi dygjuhësh shqip-anglisht për fëmijët e kopshtit. Drita Gjongecaj, edukatore, prind dhe promotore e nismës ndien krenari si edhe besim se të rinjtë mund ta ruajnë trashëgiminë gjuhësore dhe identitetin e tyre në një shoqëri shumë-kulturore.

Në skenën e auditorit ishin improvizuar dekori dhe skenografia e teatrit me kukulla në sfondin e një perdeje të zezë. Fëmijët e ciklit të ulët me prindërit dhe motrat e vëllezërit ulur pranë ndiqnin shfaqjen e mysafirëve nga Shqipëria si pjesë e programit të aktivitet jashtëshkollor. Disa mbanin plisa të bardhë me shqiponjën dykrenore ndërsa dëgjonin regjisoren Klaudia Hila të prezantonte dy pjesët e Teatrit Kombëtar të Kukullave.

Shfaqja e parë E Bija e Hënës dhe e Diellit, e realizuar me kukulla me tel, me zëra dhe muzikë të regjistruar paraprakisht, përcillte rrëfimin e gjyshes për një trim i cili në emër të besës është i gatshëm të vetëflijohet. Shfaqja e dytë, Qeni që nuk dinte të lehë, realizuar mbi një platformë druri me kukulla dore (marioneta), ishte një fabul që lejonte pjesëmarrje të dyanshme midis aktorëve dhe fëmijëve në audiencë.

Dy aktoret e talentuara Esmeralda Kame dhe Ermonela Lika mbuluan të gjitha rolet me mjeshtëri interpretimi, lëvizje koreografike dhe këngë. Pas shfaqjes regjisorja i ftoi spektatorët e vegjël të fotografohen me kukullat në skenë. Përpara aparateve të prindërve, fëmijët iu afruan kukullave dhe disa mbanin ndonjë “personazh” në dorë. Në një grup fëmijësh, dikush formon me duar shenjën e shqiponjës për të shprehur pa fjalë atë çka ndjen në zemër.

Të dyja shfaqjet u dhanë në Boston dhe në Uster gjatë fundjavës nën kujdesin e Teatrit të Diasporës, i cili e mundësoi ardhjen e Teatrit Kombëtar të Kukullave në Amerikë, një nismë shumë e mirë që hap shumë perspektiva bashkëpunimi të reja. Në sajë të bashkëpunimit të tyre me aktivistin dhe Mark Gjonaj kryetar i Këshillit Kordinues të Diasporës dhe Drita Gjongecaj, pjesët teatrale erdhën përpara publikut të moshave të reja në Bronks, Nju Jork. Turneu në Amerikë vazhdon në shtetin e Connecticut ku do jepet shfaqja tjetër përpara se trupa të kthehet në Tiranë.

Filed Under: Reportazh

Kryengritja e Postribës 1946, lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore

September 9, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

9 shtatori 1946 shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të përballjes së shqiptarëve me instalimin e diktaturës komuniste. Si sot 79 vjet më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend dhe në Europën Juglindore. Elita e qytetit të Shkodrës, antikomunistët e vërtetë dhe nacionalistët nga fshatrat e Shkodrës kryesisht nga Postriba e “parashikuan” fatin e vendit tonë dhe e kuptuan se çfarë të ardhme mizore do të kishte Shqipëria komuniste. Marrëveshja e Jaltës, për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar ishte një katastrofë e vërtetë në planin politik, ekonomik dhe shoqëror. I gjithë kombi shqiptar pati konseguenca politike e shoqërore. Kosova u bë pjesë e federatës ish-Jugosllave dhe Shqipëria dhe shqiptarët të gënjyer nga klika e ardhur në pushtet, vuajtën për 50 vite një prej diktaturave më të egra të njerëzimit. Intelektualë, nacionalistë, ish-tregtarë, njerëz të pafajshëm, përjetuan diktaturën dhe dhunën më të egër në të gjithë Evropën.

Prandaj Kryengritja e Postribës ka vlera të padiskutueshme gjeopolitike, politike, sociale dhe qytetare. Ajo ishte lëvizja e atyre që nuk besuan kurrë tek komunizmi internacionalist shqiptar. Megjithëse nuk ia arriti qëllimit, ajo do të mbetet përgjithmonë një simbol i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit.

Kryengritja e Postribës u shtyp nga regjimi duke dërguar forca të shumta, Osman Haxhia, u kap dhe u dënua ndërsa Jup Kazazi i rrethuar nga forcat shtetërore, u vetëvra dhe kufomën e tij e shëtitën rrugëve të Shkodrës për të dhënë një mesazh. Revolta u shtyp me gjak nga komunistët, por jo vetëm kaq. Filluan raprezalje ndaj popullsisë së Postribës, djegia e shtëpive të fshatit, gjyqe ushtarake, pushkatime, burgime dhe internime pa masë u kryen nga diktatura komuniste.

Dulo Kali, Mons. Gjergj Volaj, Bilbil Hajni, Xhelal Hardoli, Cin Serreqi, Ragip Meta, Osman Haxhija, Shaban Abdullahi, Isa Meta u dha dënimi me vdekje.

Padre Gurashi, Abaz Hysi, Myrto Dani, Jakup Dani u dha burgim i përjetshëm. Për të pandehurit: Syrja Anamali e Nuh Duli denimi me 20 vjet privim lirie.

Sami Rrepishti, Hafiz Derguti, Sulo Kurti e Hajdin Tafa u dha dënimi me 15 vjet privim lirie.

Pushkatimi pa gjyq i 28 martirëve të Postribës dhe ekzekutimi më pas i dhjetëra të tjerëve, persekutimi që përndoqi familjet e tyre për dekada, përbëjnë dëshmi rrëqethëse të sakrificave të pashembullta përballë instalimit të një diktature nga më të egrat në botë.

Është në nderin tonë, që sot të të kujtojmë e të përulemi me veneracion martirët e Postribës. Të përulemi përpara kalvarit e dinjitetit të treguar nga antikomunistët e vërtetë! Lavdi të përjetshme martirëve të Postribës!

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 176
  • 177
  • 178
  • 179
  • 180
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT