• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fëmijët, investimi më i madh

March 13, 2023 by s p

Shkruar nga: Fran Gjoka/  

Në realitetin e sotëm, kur shkolla po integrohet gjithnjë e më shumë drejt standardeve bashkëkohore evropiane, kur tekstet e programet po pasurohen dhe alternohen me përzgjedhje dhe cilësia e tyre vjen e rritet, pjesëmarrja e prindërve dhe ndihmesa e tyre në të mësuar merr rëndësi të veçantë dhe po shfaq tipare e rrugë të reja në menaxhimin sa më racional të kohës, për t’u dhënë ndihmë sa më të kualifikuar dhe efektive fëmijëve tanë. Që të realizohet plotësisht dhe pa ekuivoke ky objektiv madhor, doemos që duhen investuar energji pune konkrete edhe nga prindërit, familja që është baza e shoqërisë dhe që përgatit fëmijën për t`u futur në rrugën e shkollimit, që ta përgatitë atë si një lastar të freskët, të drejtë dhe pa cënime e dëmtime fizike e biologjike. 

Qytetar të shoqërisë moderne

Që të edukosh dhe të moralizosh, duhet të jesh vetë një shembull jete, pune dhe edukimi. Dhe, si i tillë, je në gjendje të ndihmosh fëmijën më shumë se sa me fjalën tënde, me veprën tënde, me të qenit qytetar dhe njeri, me karakter të fortë dhe të palëkundur për të përkrahur të renë dhe përparimtaren, kërkesat e kohës dhe të zhvillimit. Për t’u arritur kjo, duhet që prindi ta njohë thellësisht fëmijën e vet. Ndihma e mirë jepet vetëm pas një njohjeje të mirë. Fëmija nxjerr në pah pjesë të karakterit personal në bazë të situatave në të cilat ndodhet. Edhe pse, faktikisht, shpesh pretendohet të njihet fëmija, duke e parë në jetën e tij familjare, gjithsesi kjo njohje është shumë e pjesshme për vetë faktin se mungon elementi kryesor, që është e gjithë pjesa tjetër e shoqërisë, që përmban në vete një gamë të madhe marrëdhëniesh. Duke bashkëndarë me mësuesit këndvështrimin në lidhje me marrëdhëniet e fëmijës me shokët dhe shoqet e klasës, prindi njeh më së miri temperamentin e fëmijës dhe kontribuon në përforcimin e karakterit të tij. Sigurisht që kjo kërkon kohë për të dëgjuar dhe bashkëndarë mendime, metoda taktika edukimi. Një konfrontim të mirëfilltë mund ta bëjë edhe prindi, që sigurisht mund të mos jetë në kulmin e shkollimit, mjafton thjesht një qëndrim njerëzor ndaj jetës, punës, njeriut. Kjo ka shumë rëndësi në edukimin e njeriut dhe veçanërisht në edukimin e fëmijëve me vlera morale dhe njerëzore, por edhe me vlera që të hapin horizonte dhe të zgjojnë dëshira, nxitje dhe kërkesa për të ecur në jetë dhe për të dhënë  secili kontributin e  tij në këtë shoqëri moderne, ku ne jetojmë sot. Fëmija të integrohet sa më mirë dhe sa më natyrshëm në mjedisin shkollor dhe të ecë përpara drejt rritjes dhe zhvillimit të tij  të vazhdueshëm si qytetar i shoqërisë moderne.

Por sidomos, mendojmë se është e domosdoshme që anëtarët e familjes kërkohet të jenë model në shfrytëzimin sa më racional të kohës për t`u marrë me edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve. Kjo do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në përgatitjen psikologjike dhe formimin me aftësitë dhe shprehitë më të nevojshme dhe më elementare për t`u integruar sa më lehtë dhe sa më natyrshëm në shoqërinë e sotme demokratike. Në këtë kuadër, fëmijët t`i edukojmë të zbatojnë me rigorozitet një regjim ditor, që është në përputhje me orientimet dhe këshillat e specialistëve, psikologëve dhe sociologëve, edukatorëve, që kanë përvojën e punës frytdhënëse  e  që garanton të ardhmen e sigurtë të fëmijëve. 

                                        Investimi më i madh është dhe mbetet 

                        në radhë të parë edukimi, mirërritja dhe shkollimi i fëmijës

Dihet se fëmijët nuk janë të njëjtë për të gjithë, sepse secili ka përgatitje e aftësi të ndryshme për të kapur më shpejt ose më ngadalë, fjala vjen, nivelin përvetësues të dijeve që merren në shkolla. Në se nxënësve me prirje të veçanta dhe të talentuar u mbetet më shumë kohë e lirë që të mund ta shfrytëzojnë për zgjerimin e horizontit, për të mësuar gjuhët e huaja, për zbavitje, pushim etj., nuk ndodh kjo me ata që janë disi më të ngadaltë dhe që u mungon pasioni dhe dëshira, apo që edukimi i tyre i lihet spontanitetit, në radhë të parë nga ata prindër, që, ose nuk i kanë kushtet e duhura ekonomike, sociale dhe arsimore, apo ata që neglizhojnë me edukimin e fëmijëve, duke u kënaqur vetëm me faktin se i kanë shpurë fëmijët e tyre në shkollat më të mira, se u japin para çdo ditë për të plotësuar kërkesat e tyre etj. Një prind i tillë harron se më shumë se sa biznesi i madh që drejton, më shumë se sa ato para që ai depoziton dhe shton përditë në bankë, investimi i tij më i madh është dhe mbetet në radhë të parë edukimi, mirërritja dhe shkollimi i fëmijës së tij, që ai të ndjekë rrugën drejt dijes për t`u bërë dikush në jetë dhe jo të mburret apo të jetojë me thërrimet apo emrin e babait të tij. Sigurisht që është e domosdoshme të hiqet dorë nga privimi i fëmijëve nga aktivitetet çlodhëse, që fatkeqësisht praktikohet nga disa prindër. Pushimet e çlodhjes duhet t’u kushtojnë po aq rëndësi sa edhe mësimit sepse ato shërbejnë për freskimin e sistemit mësimor, gjë që ndikon për mirë  në përvetësimin e dijeve

                               Bashkëpunim sa më efektiv me psikologët 

Psikologët e sotëm rekomandojnë që fëmijët  t`i mësojnë e realizojnë herë pas here administrimin e kohës, ato kërkojnë që brenda ditës nxënësit  të dijë se çdo të bëjë dhe çka bërë. Por fëmijët nuk e kanë të lehtë që të bëjnë këtë punë në rrugë krejtësisht të pavarur, ata kanë nevojë për ndihmën e prindit, që të ndërgjegjësohen se sa kohë kanë harxhuar për gjëra të parëndësishme në dëm të  problemeve mësimore. Psikologu Alan në librin e tij që titullohet ” Si të arrini të kontrolloni kohën dhe jetën tuaj”, këtij problem i vë shumë rëndësi. Me pak fjalë ai thotë se njerëzit më të suksesshëm e dinë mirë se çdo të bëjnë ditë për ditë. Kur veprohet kështu, nxënësit do të mësohen ta shfrytëzojnë kohën me projekte produktive. Kjo ka rëndësi shumë të madhe jo vetëm për kohën e shkollës por edhe si përgatitje për jetën. Ka raste që fëmijëve ua marrin kohën edhe prindërit. Jo rrallë ndodh që ata t`i ngarkojnë  kohë pa kohë me punë të dorës së dytë, ose në dimër kur nuk i krijojnë kushte për studim  dhe ata detyrohet ” të përgatiten” për të nesërmen duke qëndruar pranë televizorit  apo komjuterit në mes bisedave të anëtarëve të tjerë të familjes. Vetëm ata që merren me studimin e këtij problem, mund ta dinë se si nxënësve u humbet koha që kanë në dispozicion për t’u përgatitur për mësime. Në një studim të bërë kohët e fundit rezulton se 47% e të rinjëve janë të rezikuar nga interneti. Ajo që shqetëson opinionin rezulton që fëmijët shqiptar janë të ekspozuar ndaj kërcënimeve pornografike në internet. Shumica e fëmijëve kanë kompiuter dhe internet në shtëpi dhe si pasojë ata mund të hapin çfardo faqeje pasi në shumë familje shqiptare mungojnë filtrat për të mos klikuar faqet erotike. 

                                Marrëdhëniet e prindërve me fëmijët

Organizatat në mbrojtje të fëmijëve rekomandojnë aktivizimin e filtrave për sigurinë onlinë të fëmijëve. Ne mund të bëjmë shumë, ne mund të bëjmë shumë filtra, por filtri më i mirë janë marrëdhëniet e prindërve me fëmijën dhe më shumë kontroll në aktivitetin e përditshëm të tyre.Është e pamundur t’i ndalosh fëmijët të kenë akses gjithë çështja është përgjithësimi ,maturimi dhe informinmi në mënyrë që gjërat që shikojnë t’i absorbojnë ashtu siç duhet. Nxënësit nuk janë gjithnjë fajtor për të mësuarit me hope. Në këto kushte s`ka se si ndodh ndryshe. Në radhë të parë janë mësuesit pastaj vijnë prindërit që nuk përpiqen ta harmonizojnë punën, që përfundimisht ta shërojnë këtë plagë që po shfaqet dukshëm në sistemin e punës së nxënësve. Duke qëndruar  indiferent, të dy palët nuk mund të nxjerrin kurrë rezultate nga puna që po bën mësuesi. Prandaj lufta kundër të mësuarit me hope të nxënësve në shtëpi mbetet problem përfundimtar në rritjen e cilësisë së procesit mësimor. Edhe bota e jashtme akademike, këtij problem i kushtojnë një vëmendje të veçantë, aftësinë dhe dhuntinë natyrale të nxënësve të sotëm nuk duhet ta lëmë të na firojnë gjatë periudhës shkollore është edhe një nga objektivat  e reformës së sotme arsimore. Ndodh shpesh që të dëgjosh nga goja e mësuesve e prindërve akuza të forta si më zemërim thonë: “Janë të zgjuar, por nuk mësojnë “. Kjo akuzë prindërore ndaj mësuesve lëshohet nga ata që bëjnë pak ose aspak punë për t’i ndihmuar që të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj mësimit. Kjo kategori mësuesish e prindërish harrojnë se shoqëria e sotme shqiptare i ka thirrur pikërisht ata që t`i edukojnë edhe këta nxënës me shpirtin e disiplinës shkencore në mësim. Psiko – pedagogët kanë  provuar se po  të orientohen mirë edhe mjaft nga këta fëmijë bëjnë përpjekje për të kapërcyer vështirësitë. Mësuesit në bashkëpunim me prindërit duhet të punojnë për t`i kalitur vullnetin nxënësve, që të mund të përballojnë edhe vetë kryerjen e detyrave mësimore jetësore në rrugë të pavarur. 

Për këtë problem në kohën e tij ka folur dikur edhe Gjergj Fishta. 

             “Si ka me u rritë, siç e lyp arsyeja e detyra po qe se prindërit nuk janë të qytetënuar e përparuar. Prandaj për në daçim që shteti shqiptar të përparojë në udhë të qytetenisë së vërtetë, përpara çdo pune tjetër duhet pasë parasysh edukata e familjes shqiptare tue ba që prindët si dhe fëmija e tyne të jenë të qytetnuem”.                                                                  

Kjo kërkesë vlerësohet si shumë e rëndësishme dhe  bën pjesë në kulturën e re të të nxënit. E parë në këtë këndvështrim me keqardhje vërejmë aty këtu në shkolla, ku mjaftohen edhe me akuza (këta janë nxënës që nuk mësojnë). Dhe s’bëjnë asgjë konkrete për t’i ndihmuar . Është fatkeqësi e madhe kur fëmijët bien në duar të disa prindërve dhe mësuesve të tillë. Prindërit e mësuesit nuk duhet të tërhiqen nga vështirësitë që paraqet puna më këtë kontigjent nxënësish, sepse po të punohet mirë vjen një ditë kur ata shpërthejnë. Mjafton të kujtojmë edhe Ajnshtajnin që  deri në moshën 9 – vjeçare nuk fliste normalisht. Në shpirtin e çdo mësuesi duhet të çrrënjoset mendimi antipedagogjik që dëgjohet “Shyqyr që ikën, shpëtuam prej tyre!”. Kjo mënyrë e të gjykuarit ndeshet në disa shkolla të mesme sidomos tek mësuesit që punojnë me klasat e para dhe të dyta. Duhet të pranojmë se mbartësit e këtyre koncepteve nuk mund të quhen më edukatorë të vërtetë. Jeta shkollore dhe ajo prindërore ka provuar se po të veprohet me kritere shkencore dhe me përkushtim, kjo masë nxënësish mund të përmirësohet dhe të integrohet  në veprimtaritë mësimore dhe edukative. Kontrolli i shfrytëzimit racional të kohës ka mjaft vlera konkrete, se parandalon shpërdorimin e saj  që është shfaqja më e rëndë e keq administrimit të mundësive reale që ka secili për të ecur përpara. 

Filed Under: Sociale Tagged With: FRAN GJOKA

IN MEMORIAM: HAFËZ JUSUF AZEMI(1920-2023)

March 13, 2023 by s p

TËRË JETËN PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SHQIPTARE NË HAPËSIRËN ETNIKE DHE ÇLIRIMI I KOSOVËS

Në moshën 103-vjeqare ka ndërruar jetë veprimtari më i vjetër në krahun e diasporës shqiptare në Amerikë,Hafëz Jusuf Azemi i lindur më 1920 në fshatin Dobrosht të Tetovës.Jusuf Azemi qysh në moshën e rinisë,thuhet në kronikat e kohës,i pati vërejtur padrejtësitë historike ndaj popullit shqiptar qysh nga koha mbretërore e Jugosllavisë(1918-1999) e deri në fund të shpërberjes të këtij shteti i formuar në vitin 1918 dhe një ogurzezë për shqiptarët e robëruar,që,në këto rrjedha historike asnjëherë nuk e njohën për shtetin e vet dhe në krah të saj Serbinë.Për shkak të rrethanave të rënda pas ardhjes së pushtetit komunist në hapësirën etnike në Maqedoni,Hafër Jusuf Azemi me një grup të rinjsh shqiptarë marrin udhën për në Greqi,ku prej nga shkojnë në Bari të Italisë për të gjetur afër nacionalistët shqiptarë të udhëhequr nga Balli Kombëtar në krye me Mid`hat Frashërin,Vasil Andonin,Zef Palin,Hasan Dostin etjerë,që ishin të preokupuar me fatin e popullit shqiptar.Tërë rrjedha e këtyre ngjyrjeve të kohës janë zhvilluar në vitin 1945-1946,dhe në Itali në ketë vend Jusuf Azemi e takoi për herë të parë kryetarin e Ballit Kombëtar,Mid`hat Frashërin.Jusuf Azemi si djalë i ri dhe në krah të Ballit Kombëtar zhvilloi një aktivitet me shpirt kombëtar,ku duhet theksuar se me vendimet e Kongresit të Ballit Kombëtar të mbajtur në Regio Emilia të Italisë,Mid`hat Frshëri e pati angazhuar Jusuf Azemin që t`i njoftojë anëtarët e ballit Kombëtar nga Kosova për rianëtarësim në frymën e Ballit Kombëtar,të cilën detyrë Jusuf Azemi,djali i ri nga Tetova e kryen me kënaqësi dhe nivel të lartë.Në kujtimet e Jusuf Azemit tashmë në dritën e historisë kombëtare,thuhet se takimet me burrin e madh të kombit dhe të trualllit shqiptar,Mid`hat Frashëri kanë mbetur të paharruara deri në fund të jetës .Në takimet tona në Çikago,Jusuf Azemi për takimin e tij me burrin e madh të kombit i kanë mbetur në zemër dhe në shpirt ndër vite të tjetës.Nga ai takim me Mid`hat Frashërin,në rrethet e aktiviteteve tona kombëtar në Çikago,Jusuf Azemi i thoshte me zemër e shpirt:,,Fjalët e fundit të shqiptarizmit e kanë Prishtina dhe Tetova,,-u kishte thënë burri i madh i truallit Frashëri.Në këto vite,Jusuf Azemi u dallua në krah të Komitetit ,,Shqipëria e Lirë,,pas shpalljes në Paris më 26 gusht 1949 dhe angazhimi i tij për themelimin e organizatave tjera politike ishte pjesë e frymës kombëtare shqiptare.Ndonëse në Londër më 6 shtator 1949,në një konfrencë të shtypit të mbajtur nga Mid`hat Frashëri,që e ndërpret për shkak se nuk ia mundësojnë të flasë për Kosovën dhe për ketë arsye lindi iniciativa që të themelohej Lidhja Kosovare nga përfaqësuesit e Ballit Kombëtar me bijtë më të mirë të lindur jashtë kufinjve të Shqipërisë londineze.Për jetën dhe veprimatrinë kombëtare të Jusuf Azemit,profesor Riza Sadiku,botoi Monografinë me të dhënat historike dhe të bollshme arkivore,,Hafëz Jusuf Azemi,një jetë për kauzën shqiptare në mërgim,,Botues:Muzeu i Kosovës,Prishtinë,2012Mërgata shqiptare në Amerikë po ndahet sot nga veprimtari më i vjetër në mërgatën Jusuf Azemi dhe, si thuhet me gjuhën e De Radës,këndej detit në Amerikën e largët me kujtimet tona se e patëm për nder të punojmë e të veprojmë afër me zemrën dhe shpirt atdhe,që,shpeshherë na thoshte:Po të kem edhe një jetë,unë përseri do të bëja luftën time për kombin dhe popullin shqiptar për një Shqipëri Etnike në Ballkan!

Prof.Skënder Karaçica

Çikago 12 fror te motit 2023


Filed Under: Komunitet

Babel

March 13, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Janë bërë shumë përpjekje për t’i bashkangjitur legjendën e ngatërrimit të gjuhëve disa kullave të rrënuara në Babiloni. Disa vërejtjeve për këtë përrallë interesante mund të mos jenë gabim në këtë pikë. Miti nuk gjendet në Babiloni dhe në formën e tij më të mirë mund të zbulohet në Bible. Në tregimin biblik thuhet se çdo rajon kishte një gjuhë dhe një mënyrë të foluri. Ndërsa njerëzit udhëtonin drejt perëndimit nga Lindja, ata ndeshën në një fushë në tokën e Shinarit ku u vendosën. Në këtë rajon ata filluan operacionet e ndërtimit, ndërtuan një qytet dhe hodhën themelet e një kulle, maja e së cilës ata shpresonin se do të arrinte deri në qiell. Duket se kjo kullë u ndërtua me qëllim që të shërbente si një pikë referimi për njerëzit, në mënyrë që të mos shpërndaheshin mbi faqen e dheut.Dhe Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën dhe mendoi se duke qenë se ata ishin të gjithë të një gjuhe, kjo u jepte fuqi të panevojshme dhe se atë që ata imagjinonin për veten e tyre në kushte të tilla do të mund ta arrinin. Kështu Zoti i shpërndau që andej. Ndërtimi i kullës pushoi dhe emri i saj u quajt “Babel”, sepse në atë vend gjuha e popullit ishte ngatërruar. Sigurisht që është thjesht emri i Babilonisë, që i përkthyer do të thotë ‘porta e perëndisë’ dhe nuk ka një etimologji të tillë siç pretendojnë hebrenjtë që e ngatërrojnë foljen e tyre balal ‘për ta ngatërruar’ me fjalën babel. Historia pa dyshim u sugjerua nga një nga kullat e tempullit të Babilonisë.Në lidhje me fenë hebraike, gjejmë se çdo gjë që supozon ose ushqen aspiratat e panatyrshme dënohet ashpër. Prandaj, përpjekja ambicioze e Kullës së Babelit do të dukej e neveritshme për hebrenjtë e lashtë. E çuditshmja është se këto kulla ose Zigurate, siç i quanin babilonasit, kishin për qëllim të shërbenin si një lidhje midis qiellit dhe tokës.Legjenda e konfuzionit të gjuhëve duhet të gjurmohet në gojëdhëna të tjera popullore përveç asaj të Babilonisë. Në Amerikën Qendrore, tregohet se Xelhua, një nga shtatë gjigantët e shpëtuar nga përmbytja, ndërtoi piramidën e madhe Cholula për të rrethuar parajsën. Megjithatë, struktura u shkatërrua nga perënditë, të cilët hodhën zjarr mbi të dhe ngatërruan gjuhën e ndërtuesve të saj. Livingston gjeti një mit të tillë midis fiseve afrikane rreth liqenit Ngami, dhe disa popuj australianë dhe mongolë kanë një traditë të ngjashme.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeu tek autorët kroat

March 13, 2023 by s p

Dr. Pajazit Hajzeri/

Padyshim që figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeu është ajo më markantja në gjithë historinë e mesjetës së vonë dhe asaj moderne, jo vetëm për shqiptarët por edhe për gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor dhe Europës Juglindore.Ti bësh një përshkrim figures së Gjergj Kastrioti Skënderbeu është sa e vështirë aq edhe e lavdishme, sa madhështore aq edhe interesante. Gjergj Kastrioti Skënderbeu lindi në vitin e largët 1405 në një familje krishtere, ku në moshë të njomë rrëmbehet nga osmanët, dhe rinin e tij e kalon në pallatet e Sulltanit në Stamboll si mysliman. Si prijës ushtarak ai për ҫdo ditë i’a shton lavdin por njëkohësisht edhe territoret Perandorisë, në luftë kundër të krishterëve. Kthehet në Arbëri dhe i lufton myslimanët (osmanët), bashkon të gjithë princat arbëror pa dallim religjioni për ta luftuar të keqen që i shkaktonte Perandoria osmane trevave arbërore, ashtu që figura e tij është shumë emblematike dhe madhështore. Nuk ka dyshim që autorët dhe studiuesit e mirëfillt shqiptar, figuren e Gjergj Kastrioti Skënderbeut e ngritin në stadin më të lartë të lavdisë, por edhe studiues të tjerë nëpër botë e bënë të njëjtën gjë. Lidhur me jetën dhe veprimtarin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në analet raguzane, dhe arkivin e Dubrovnikut, një punë shumë të madhe e ka bërë edhe medievalisti, profesori universitar dhe hulumtuesi shkencor, Prof. dr. Jahja Dranҫolli duke mos i anashkaluar as të tjerët që u moren me figurën dhe veprimtarinë e Skenderbeut.Gjergj Kastrioti Skënderbeu njihet si: ushtar trim, strateg – prijës ushtarak, diplomat, burrë shtatas, humanist, aleat besnik, i cili bënte luftë për paqe. Historia na njofton se 90% të luftrave nëpër botë bëhen si rezultat i lakmisë për të pushtuar territore të të tjerëve, ndërkaҫ ne shqiptarët gjithmonë kemi bërë luftë për të mbjellur paqe në Ballkan.Me këtë rast kemi zgjedhur disa autor kroat të cilët me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skenderbeut figurën dhe bëmat e tij i ngrisin po në atë nivel sa edhe vetë shqiptarët.Figura e Heroit Kombetar qe burim i frymëzimit për autor të ndryshëm nëpër botë, por njëkohësisht edhe autorët kroat nuk e lënë anash këtë figure. Skënderbeu si njëri prej prijësave më të njohur të shekullit të XV-të, që i bëri ballë zgjerimit të Perandorisë Osmane në Ballkan, është radhitur në mesin e heronjve më të nderuar të rilindasve kroatë. Ai do të konsiderohet si heroi më popullor i popujve të Ballkanit, i cili luftoi jo vetëm për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar, por edhe të popujve të tjerë të Ballkanit dhe Evropës. Pjesa më e madhe e rilindasve kroatë, do e ngrinin lart figurën e Skënderbeut dhe luftën e tij, në veprat e tyre letrare, por edhe në tekste historike, studime të veçanta, artikuj të shumtë gazetash, etj. Në të, ata shohin rebelimin, qëndresën, luftën e drejtë dhe të pakompromis kundër zgjerimit Osman në Ballkan dhe mënyrën e vetme të kundërvënies, sepse në atë kohë, ende ishte aktuale Perandoria Osmane dhe bashkimi kombëtar e ndërkombëtar, për një qëllim të përbashkët, lirinë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar! Mund të pohojmë, se figura e Skënderbeut, ka luajtur një rol shumë pozitiv, në rrjedhat historike romantike, të zgjimit të vetëdijes dhe ndërgjegjësimit kombëtar të popullit kroat.Figurën e Skënderbeut tek autorët kroat e gjejmë nëpër artikuj të historisë, në drama, poezi, proza, këngë, etj.Nga poetët e Dubrovnikut, të cilët e cekin Skenderbeun, do t’i përmendi vetëm dy. Shkrimetarët e Dubrovnikut ndonjëherë Shqipërinë e quajnë edhe Skenderija, që domethënë toka e Skenderbeut. Ivan Gunduliq në veprën e tij “Osmani” ceku heroizmin e Skenderbeut dhe luftërat kundër turqve në strofat e tij. “Me ta Gjergji Skenderbeu dëbuesi i fuqive turke nëpër botë duke fluturuar me kalorësinë e tij në beteja vepron po u trembur” Kështu poeti i mirënjohur Ivan Gunduliq (1589-1638) duke madhështuar heroizmin e ushtarëve të krishterë, nuk e harron edhe Gjergj Kastriotin tonë. Dubrovnikasi i dyte të cilin do ta përmendi është Brno Gjamanjić – Zamanja (1735-1820). Ai më parë ka qenë jezuit, dhe me pezullimin e Shoqerisë Jezuite, u bë prift dioҫezan në Dubrovnik. Fig. 2. Ivan Gunduliq Përktheu në gjuhën latine Odisejen e Homerit. Dëshironte edhe në gjuhën kroate ta përshtaste Ilijaden dhe Odisen, mirëpo nuk e njihte mirë gjuhën amëtare. Ai dëshmon për përhapjen e poezive popullore kroate mbi Skenderbeun, Sibinjan Jankin dhe princin Markun, kurse si klasik është ankuar që Kroatët nuk i madhështojnë heronjët grekë dhe trojanë. Një kontribut të ҫmuar në ngritjen e figures së Skenderbeut në popullin kroat e bëri poeti dalmatin fra Andrija Kaҫiq Mioshiq (1704-1760) françeskan, me pesëmbëdhjetë poezi për Gjergj Kastriotin dhe mejdanet e tija. Si prift, botoi në Venedik një manual të propedeutikës filozofike në gjuhën latine, e më vonë, më 1756 dhe 1759 librin më të rëndësishëm dhe më të popullarizuar të tij në prozë e poezi “Bisedat e këndeshme e popullit sllav”. Kjo përmbledhje deri me sot arriti rreth 60 botime, kurse te kroatët është libri i dytë me botime, pas Biblës. Andreja Kaҫiq Mioshiq edhe në poezinë Mejdanet e Gjergj Kastriotit, figurën e Skënderbeut e ngrit në piedestalin më të lartë të një trimi dhe luftëtari. Kështu që barinjët e thjeshtë kroatë dhe bujqët dëgjuan për Gjergj Kastriotin dhe nëpermjet poezive të Kaҫiqit dhe e pranuan si hero të vetin.Përpos “Bisedës se këndeshme…” Kaҫiqi shkruajti edhe “Korablicën”(1760), kjo është një kronikë popullore në prozë nga zanafilla e botës deri në kohën e autorit. Në këtë kronikë, Kaҫiqi “në tregimin e shkurt për luftën e kalorësve të Gjeregj Kastriotit, princit dhe prijësit nga Arbanija” e përshkroi jetën e Skenderbeut. Lexuesi i cili dëshiron më tepër të dijë për Juri Kastriotiqin i preferon që t’ju përvishet autorëve të jashtëm dhe “disa pjesëve të Sagredes, Barlecijes, Giamarijes dhe Breshaninit e të tjerëve”.E në listën e “prijësve dhe fisnikëve të popullit sllaven” Kaҫiqi shënon edhe familjen “Kastriotiq, prijësin ose princin nga Shqipëria nga ky fis ishte Jure Kastriotiq i ashtuquajturi Skendebeg, i cili tërë kohën e jetës tij më turq bëri luftë dhe gjdo herë fitoi (ngadhënjeu)”. Në “Bisedat” e tija, pos gjërave tjera, Kaҫiqi, ka shkruar, në dhjet rrokshin popullor, edhe 17 vjersha me 2954 vargje për trimin legjendar shqiptar – Skënderbeun. Në poezitë e Kaçiqit ,në mbi 700 strofa është arritur që të krijohet, të profilizohet relativisht mirë portreti fizik, moral, psikologjik dhe social i heroit. Përveç portretimit të jashtëm dhe të botës së brendshme të heroit, Kaçiqi e ka paraqitur Skenderbeun edhe si strateg të shkëlqyeshëm të luftës, organizator të jetës ushtarake, orator dhe së fundit ndonëse mjaft zbehtë edhe si diplomat dhe si njeri të Fig. 3. Gj. K. Skenderbeu në Betejë epikës historike dhe legjendare. Ngjajshëm duke shkruar për luftëtarët, heronjët dhe mbretërit, bashkëkohësi tragjik i Kaҫiqit, fra Filish Grabovac (1697-1749) në veprën e tij “Lulëzimi i bisedës së popullit dhe gjuhes ilirike ose kroate…” në prozë dhe në strofa foli edhe për “shtëpinë e Kashtriotit” (familja Kastrioti).” Për t’i njohur me përmbajtjen e vjershave të Kaciqit edhe ata që nuk dinin kroatishten, fra Emerik Paviq (1764 dhe 1768 viti i botimit) duke botuar në Budime interpretimet e lira poetike në gjuhën latine. Paviq në gjuhen latine sjell përmbajtjen e poezive të Kaҫiqit, e nuk e përcjell në mënyrë të këndimit. Kështu që tek ne arriti edhe poezia e tij latine “Rymtus de Georgio Kastriotiq dicto Scandebego”. Paviq në këtë poezi këndoi në vargje të metrikës sikur himnin “Stabat mater Dolorosa” (“Rrinte Zoja tuj lotue»), edhe kjo mund të këndohet me të njejetën melodi.Një autor tjetër kroat e kemi edhe Ivan Kukuljeviq-Sakcinskit, i cili la një dorëshkrimi që ruhet, në Arkivin e HAZU-t, është një dramë, e cila konsiderohet e papërfunduar, ngase i mungojnë disa skena të aktit të parë, të tretë dhe të katërt. Përkundër dëshirës së madhe që kishte, Ivan Kukuljeviq-Sakcinski, nuk ia doli që t’i përmbahej të dhënave dhe fakteve historike, ngase një gjë të tillë, nuk e duronte teksti letrar i dramës. Ideja për të shkruar një vepër letrare, në formë drame, e vuri përballë vështirësive të shumta. Ishte koha kur letërsia e Rilndjes korate luftonte me të gjitha forcat, për realizimin e qëllimeve të caktuara politike, arsimore dhe letrare. Kërkoheshin heronj dinjitozë antikë e mesjetarë, përmes shëmbëlltyrës së të cilëve, dëshirohej të grishej vetëdija kombëtare, në luftë për liri dhe çlirim të përgjithshëm kombëtar. Ky ishte njëri ndër shkaqet, që Skenderbeu gëzonte një vend të veçantë: te krijuesit, intelektualët dhe nacionalistët kroatë. Për të do të shkruhen vepra historike, studime historiko-letrare, do të botohen fejtone, do të thuren poezi, tregime, drama dhe vepra muzikore, në të cilat do të tregohet si model i pathyeshmërisë, luftës së pamposhtur dhe sakrificës së madhe, pa marrë parasysh numrin dhe fuqinë e armikut. Dorëshkrimi ofron një vlerë të madhe kulturore-historike, pikërisht për faktin se pasuron bibliografinë e veprave letrare-historike, që janë shkruar në kroatisht për Skënderbeun. Njëkohësisht është tregues real i interesimit të studiuesve dhe krijuesve kroatë për figurën e Skenderbeut dhe historinë e popullit shqiptar gjatë mesjetës. Mendoj se me këtë paraqitje nuk përfundon e gjithë ato që publikuan poetët dhe shkrimtarët kroatë për Gjergj Kastriotin Skenderbeun, mirpo është një tabllo e mirë për të ndjekur informacionet dhe të dhënat që na paraqiten nëpër libra si në poezi, prozë, këngë, dram, libra të historisë etj, etj, figuren e Skënderbeut.

Filed Under: Histori Tagged With: pajazit hajzeri

Dega e Vatrës Chicago organizoi festën e Grave

March 13, 2023 by s p

Dega e Vatrës Chicago organizoi festën e Grave nën atmosferën magjike të këngëve popullore nga krahina të ndryshme të viseve shqiptare. Këngëtarët pjesmarrës ishin Aurora Baku, Flamur Bicaku dhe DJ Albert Hide. Është pikërisht muzika dhe vallet tradicionale shqiptare që e bashkojnë dhe afrojnë me shumë komunitetin tonë në Chicago. Është dashuria për vendlindjen, traditat tona dhe patriotizmi që na sjell ne festime të tilla. Është dashuria dhe mirënjohja e thellë për nënat, gratë, vajzat, motrat tona që na bëjnë krenare çdo ditë. Është respekti i thellë dhe përulja që ndjejmë përpara sakrificave dhe arritjeve të gjithanshme të këtyre zonjave e zonjushave të mrekullueshme. Mirë u takofshim në aktivitete të tjera që na presin si Vatër e Chicagos dhe si komunitet i shkëlqyer shqiptar në Chicago.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1789
  • 1790
  • 1791
  • 1792
  • 1793
  • …
  • 2791
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT