• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Turneu i Golfit në Michigan, një ndeshje 23- vjeçare në “Kreshtën e Djallit“

July 1, 2023 by s p

Reportazh nga Rafael Floqi/

Golfi, një sport që ndërthur saktësinë, strategjinë dhe qëndrueshmërinë, mahnit zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën. Ndërsa turnetë profesionale dominojnë titujt, turnet e golfit amatore shfaqin thelbin e vërtetë të lojës. Ne synojmë të depërtojmë në botën e gjallë, të një turneu amator golfi, të organizuar qysh prej 23 vjetësh në Michigan, falë këmbënguljes, angazhimit, përkushtimit dhe shpirtit organizativ të shoqatës Gjergj Fishta, Knights of Kolumbus, dhe kryesisht të z. Mark Gjokaj që ka organizuar turneun e parë të golfit ndër shqiptarë, qysh në vitin 2000, 23 vjet më parë, duke eksploruar momentet më emocionale, përkushtimin e lojtarëve dhe shpirtin e paepur të lojës.

Mark Gjokaj, një pasionist i golfit

Mark Gjokaj, një pasionist i golfit dhe organizatori i turneut të Golfit në Michigan, meriton të nderohet për përpjekjet e tij të palodhshme dhe për kontributin e tij në krijimin e një tradite të fortë. Me 23 vjet përkushtim ndaj organizimit të këtij turneu, ai ka arritur t’i lidhë shqiptarët miqtë, familjarët dhe dashamirët e golfit në një eveniment të veçantë dhe emocionues që i bashkon të gjitha brezat.

Duke zgjeruar këtë traditë, Mark Gjokaj ka ofruar një platformë të vlefshme për entuziastët e golfit për të konkurruar dhe për të krijuar kujtimet e paharrueshme nëpër këto vite. Nëpërmjet angazhimit dhe punës së vazhdueshme të Markut, turneu i Golfit në Michigan është bërë një ngjarje e pritur me padurim nga të gjithë ata që janë pjesë e komunitetit të golfit.

Knights of Columbus është tani një nga organizatat më të mëdha vëllazërore katolike në botë, me një anëtarësim prej mbi dy milionë burrash, të njohur si “Knights” kalorës , të përhapur në shumë vende. Parimet e organizatës bazohen në katër shtylla: bamirësi, bashkim, vëllazëri dhe patriotizëm. Patriotizmi është një veçorie të gjithë malësoreve por individë të tillë si Marku është thelbi i qenies. Ai kujton se me herët në vitet 80-të kur kërkonin në diasporë ndonjë flamur shqiptar për dasmë atë e gjenim tek familja e tij.

Bamirësia është një vlerë thelbësore e malësorëve dhe e shoqatës Gjergj Fishta, dhe organizata është e përfshirë në mënyrë aktive në iniciativa të ndryshme bamirësie. Ata mbledhin fonde dhe dhurojnë për kauza të shumta, duke përfshirë përpjekjet për lehtësimin e fatkeqësive, projektet e komunitetit, bursat arsimore dhe mbështetjen për individët me aftësi të kufizuara. “Kalorësit” gjithashtu, ofrojnë mbrojtje financiare përmes programit të tyre të sigurimit, duke siguruar që familjet të kujdesen në kohë nevoje. Ndaj dhe ky turne golfi që u mbajt të dielën e kaluar mishëronte të gjitha këto vlera. Siç e shihni në foto ky turne i organizuar në fushat 18 gropëshe fundjavën e kaluar, mblodhi 154 golfistë shumica shqiptarë por dhe amerikanë, miq dhe shokë të tyre, edhe shokë në sport u mblodhën në Devils Ridge, në Kreshtën e Djallit për të shijuar bukurinë e lojës dhe të mjediseve të pakrahasueshme te këtij klubi golfi në Matamora, Oxford në Michigan e ndodhur rreth 30 milje larg nga qendrat ku banojnë shqiptarët.

Duke u ndeshur në Kreshtën e Djallit

I themeluar në vitin 1995, Devil’s Ridge Golf Club është një nga fushat më të vlerësuara të golfit në Michigan. Ata mburren me kurset e lojës me 18 vrima unike të golfit të kampionatit që sfidojnë edhe entuziastët më të aftë të golfit. Mbi 400 hektarë pyje, ligatina dhe kodra së bashku me një shumëllojshmëri kafshësh të egra që ofrojnë një përvojë relaksuese, në veri të Detroitit, pikërisht në Oakland County. Aty mbahen shumë evente dhe turne korporatash që e zbukurojnë kursin, si ky event i sotëm sportiv dhe kuq e zi.

Ne ju mirëpresim të bashkoheni me ne si pjesë e “familjes së Devil’s Ridge” gjithnjë në rritje shkruhej në hyrje të klubit por përkujdesja shihej në çdo mjedis.

“Ka një pjesëmarrje gjithnjë e më të madhe, thotë Marku, madje qysh tani janë zënë vendet për turneun e vitit të ardhshëm. Të gjithë të ardhurat do t’i përkushtohen veprimtarive të shoqatës e cila dy javë më parë organizoi dhe panairin e makinave të luksit dhe sportive në mjediset e jashtme te Kishës së Shën Palit. Marku është mishërimi i gjallë i punës vullnetare të aktivistit, duke gërshetuar traditat shqiptare me aktivitete si ky turne golfi.

Uniteti, i referohet ndjenjës së solidaritetit midis anëtarëve të shoqatës dhe angazhimit të tyre për të punuar së bashku për të promovuar vlerat dhe për të forcuar komunitetet e shqiptare. Organizata nxit ndjenjën e vëllazërisë dhe mbështet nismat e Kishës Katolike, duke bashkëpunuar me famullitë, dioqezat dhe organizata të tjera katolike jo më kot është vlerësuar, si dega më aktive e Knights of Columbus këtu në Michigan.

“Kjo është një nga degët më aktive të Knights of Kolumbus në Michigan, deklaroi John Carry , drejtuesi i shoqatës për qarkun e Macombit në Michigan, e dalluar për numrin dhe cilësinë e aktiviteteve.

Reporterë- amatorë Golfi

Ishte një atmosferë mjaft befasuese dhe për ekipin e TV tonë Albtvusa që kishte bërë të gjithë përgatitjet për filmimet e drejtpërdrejta në natyrë, me dy kameramanë dhe mua si reporter për të filmuar një lojë që zgjate qysh nga ora 8 e mëngjesit deri në 6 të mbrëmjes. Dy kamera dhe një dron ndoqën nga larg dhe nga afër, betejat e “kalorësve golfistë” në fushat e shumta të golfit të vendosura në një reliev të larmishëm më kodra dhe ultësira, me pyje dhe lëndina gjithnjë të mbajtura me përkushtim dhe dashuri dhe nga manaxherët e kursit të cilët përfitojnë, nga rasti të bëjnë dhe një dhuratë për një lojë falas për më të mirët. Ndërsa unë dhe Fatjoni, filmonin lojërat dhe ekipet, Iliri nga qielli sillte pamjet e pakrahasueshme të këtij kursi Golfi të quajtur jo më kot “ Kreshta e djallit”

Në fusha ishin shpërndarë një përzierje e larmishme lojtarësh golfi, duke filluar nga fillestarët tek lojtarët me përvojë. Një tavolinë në krye ku bëheshin regjistrimet e në sfond të së cilave një flamur i madh shqiptar. Një grua dhe vajza , vërtet mise ndihmonin në organizimin Në bisedat e lojtarëve kishte dhe burra të vjetër dhe mesoburra dhe të rinj shkolle. Logjistika e takimit e ka pushtuar të tërin Markun që është zgjuar që pa gdhirë për të parë që gjithçka është gati, ka qenë dhe mbrëmë këtu, por në këtë mes pat harruar veglat e tija të golfit, por megjithatë shqetësim i tij nuk ishte, nëse do të arrinte të luante vetë, por që gjithë të pranishmit të ishin të kënaqur.

Agim Bardha, një kampion botëror golfi nga Michigani

Shqiptarët e Michiganit janë dalluar për golfin në Amerikë me kampionë si Agim Bardha, por edhe për faktin se katër familje shqiptare zotërojnë kurse golfi tani në Michigan Shpesh vetaranët e Golfit janë ftuar në këtë takim, dy vjet më parë në këtë event ishte ftuar kampioni i kampionëve shqiptari Agim Bardha. Agimi iu bashkua turneut evropian të të moshuarve pas një karriere si parukier në Michigan. Ai ishte një vizitor i rregullt në Evropë midis viteve 1997 dhe 2000, por humbi të gjithë sezonin 2001 si rezultat i një sëmundjeje dhe luajti në 2002 me një përjashtim mjekësor. Agimi lindi në Shqipëri, por së bashku me nënën dhe tre vëllezërit e tij u arratis nga regjimi komunist duke kaluar malet në Greqi në këmbë. Agimi nuk u angazhua me golf deri në moshën 29-vjeçare, por shpejt zhvilloi një teknikë efektive, ndonëse të veçantë, që e ka parë atë të prodhojë një sërë përfundimesh të shkëlqyera në turneun evropian të të moshuarve. Performanca e tij më e mirë erdhi në 1997 Ryder Collingtree Seniors Classic, 1999 Dalmahoy Scottish Seniors Open dhe 2000 TUI Seniors Open ku ai përfundoi i katërti.

Në fillim të këtij eventi pat ardhur dhe veterani Pjetër Sinishtaj, por i lodhur dhe nga vapa dhe ajri rënduar u largua pas një ore loje. Megjithatë në shenjë respekti të gjithë të pranishmit firmosën një kapele golfi me firmat e pjesëmarrësve për ta nderuar veteranin e këtij aktiviteti .

Turneu i golfit u bekua nga Dom Giovanni Kokona , i cili vlerësoi veprimtarinë atraktive dhe sportive të të pranishmëve ishte kënaqësi tek shihje atë skenë të makinave të golfit dhe të pajisjeve të lojës të rreshtuar që pas bekimit u shpërndanë nëpër fushat e golfit.

Golfi, “loja e zotërinjve” që luhet nga populli

Bashkë me Fationin u nisëm në udhë unë që mbaja kamerën me trekëmbëshin dhe Fatjoni që e ngiste makinën e golfit me një dorë, dhe tronditjet e golf kartit në rrugë na shkundën nga veshkat duke qenë i mahnitur nga pamja e natyrës e duke ndjekur çdo grup e skuadër golfistësh. Në një vend aq të bukur dhe të larmishëm t’i mund të shohësh edhe sorkadhen me fëmijët e saj edhe breshkën e ujit që pat mbetur në zall thatë që ne ta shpëtonim edhe zogjtë madje dhe wolverinë e balsamosur majë një kodre.

Golfi, i referuar shpesh si “loja e zotërinjve”, është një sport që ka mahnitur lojtarët dhe spektatorët për shekuj. Me historinë e tij të pasur, kurset ikonike dhe përzierjen unike të aftësive fizike dhe mprehtësisë mendore, golfi është vendosur si një lojë që kapërcen brezat dhe vazhdon të shijohet nga njerëz së të gjitha moshave dhe sferave të jetës. Le të thellohemi në botën e golfit, duke eksploruar origjinën e tij, elementët kryesorë që e bëjnë atë kaq magjepsës dhe tërheqjen e qëndrueshme që ka sot.

Origjina e saktë e golfit është e mbështjellë në mjegullën e kohës, por versionet e tij të hershme mund të gjurmohen në qytetërimet e lashta. Disa historianë sugjerojnë se një lojë e ngjashme luhej në Romën e lashtë, ndërsa të tjerë besojnë se ajo ishte e shijuar në Kinën e lashtë. Megjithatë, pikërisht në Skoci, gjatë shekullit të 15-të, golfi siç e njohim filloi të merrte formë.

Tee-ing Off- ose “Filloi loja…”

Unë me kameramanin Fatjonin kishim kënaqësinë të ndiqnim lojtarët në lëndina në pyll, ne u bëmë dëshmitarët e nervave të para, të djersitjeve të pëllëmbëve, frymëmarrje të thella dhe kërcitja e klub kur godisnin topin. Grupet ishin të ndryshme: shoqëri të shkollës së mesme, grupe të rinjsh shoqëruar dhe nga miqtë, familja dhe konkurrentët e tjerë mblidheshin për të parë shfaqjen e veprimit e golfit. Dhe ca terma për mua si fillestar i këtij sporti , ja “birdy” apo “eagle” u bënë familjare. “Kujdes topat po gjuajnë ata nga larg , më thoshte Fatjoni ndërsa unë mbaja me kujdes trekëmbëshin e kamerës “ mitralozin si i thosha unë me shaka. “ja se e presim me këtë”

Golfi është një lojë që kërkon një kombinim unik të aftësive fizike dhe forcës mendore. Nga ana fizike, lojtarët duhet të kenë një prekje delikate, koordinim të saktë dhe aftësi për të gjeneruar fuqi dhe saktësi në lëkundjet e tyre. Nga gjuajtja e te deri tek afrimi dhe vënia, çdo goditje kërkon një grup të ndryshëm aftësish dhe teknikash. Sidoqoftë, ajo që vërtet e veçon golfin është aspekti mendor. Planifikimi strategjik, vendimmarrja dhe fokusi i kërkuar në kurs mund të sfidojnë edhe lojtarët më të sprovuar. – “Golfi është një lojë që luhet në një fushë me diametër vetëm 4.25 inç – kjo është madhësia e vrimës. Pjesa tjetër është vetëm një shëtitje vërtet e gjatë me shumë zhgënjime të shkaktuara nga vetja”, pat shkruar Gary Player.

Lojtarët e golfit duhet të analizojnë me kujdes paraqitjen e secilës vrimë, të marrin parasysh faktorë të tillë si era dhe kushtet e fushës dhe të bëjnë llogaritjet e sakta për të përcaktuar kursin më të mirë të veprimit. Është një betejë e zgjuarsisë dhe vetëdisiplinës, pasi një gabim i vogël mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në rezultatin e një raundi.

Të drojtur para kamerës …

Siç duket të tërhequr nga fryma e kësaj magjie lojtarët s’po na e varnin ne që vinin dhe i filmonin , dikush na thoshte me të qeshur se ishte “Camera shy” dhe na thoshte të mos e transmetonim atë skenën kur club, shkopi i “ hëngri dhe”. Dhe shpesh disa syresh tregoheshin si pa qejf para kamerës , natyrisht ata nuk ishin ‘Tiger Woods’ dhe as merrnin pagesa PGA. Këto ishin lojëra shoqërore amatore mes miqsh, por kamera s’na tradhtoi mes shumë goditjeve amatore, ne filmuan goditje që do t’i kishte zili dhe një profesionist. Thelbi i strategjisë së lojës janë lojtarët që analizojnë kursin, komplotojnë goditje dhe përshtaten me ndryshimin e kushteve. Dhe natyrisht duke ruajtur një rivalitet miqësor. Konkurrentët shtyjnë kufijtë e njëri-tjetrit duke ruajtur një frymë sportive. Një nga apelet e qëndrueshme të golfit është aftësia e tij për të bashkuar njerëzit në një ndjekje të përbashkët të një qëllimi të përbashkët. Luajtja e një raundi golfi mund të jetë një pushim nga kërkesat e jetës së përditshme, duke ofruar një shans për t’u çlodhur, për t’u lidhur me natyrën dhe për të shijuar shoqërinë e miqve ose entuziastëve të tjerë.

Për më tepër, golfi është një sport që mund të shijohet pavarësisht nga mosha apo niveli i aftësive.

Më të moshuarit na afroheshin pranë kamerës dhe na jepnin opinionet e tyre me qejf kurse më të rinjtë tregoheshin më të rezervuar. Shume syresh ishin aty bashkë me miq amerikanë të golfit apo personal të tyre. Të gjithë na respektonin për faktin që i filmonim Fillestarët mund të mësojnë bazat dhe gradualisht të përmirësojnë lojën e tyre, ndërsa lojtarët me përvojë mund të përmirësojnë vazhdimisht teknikat e tyre dhe të sfidojnë veten në kurse gjithnjë e më të kërkuara. Është një sport që mund të luhet në mënyrë konkurruese ose thjesht për kohën e lirë, duke i lejuar individët të gjejnë nivelin e tyre të përfshirjes dhe kënaqësisë. Më vonë me Fatjonin ia gjetëm marifetin i kërkonim të dilnin në fotografi dhe pasi i bënim fotografi, u kërkonim intervista, dikush binte në grackë dikush na shmangej

Fushat e golfit janë të dizajnuara me përpikëri për të ofruar një sërë sfidash, duke e bërë çdo raund unik dhe bindës. Paraqitja e një kursi përfshin një sërë rreziqesh, të tilla si bunkerë, veçori ujore dhe zona të ashpra, të pozicionuara në mënyrë strategjike për të testuar aftësitë vendimmarrëse të një lojtari. Arkitektura e kursit, me rrugët e saj të valëzuara, pemët e vendosura mirë dhe hanë e pozicionuar strategjikisht, kërkon që lojtarët të marrin në konsideratë me kujdes përzgjedhjen e goditjeve dhe menaxhimin e kursit. Shumëllojshmëria e vrimave, nga par-tre të shkurtra në par-pesë të gjata, i shton më shumë kompleksitet dhe emocione lojës.

Golfi është i vetmi sport ku kundërshtari më i frikshëm është vetvetja

Golfi, me historinë e tij të pasur, përzierjen unike të sfidave fizike dhe mendore dhe aftësinë për të nxitur ndjenjën e komunitetit, ka siguruar vendin e tij si një nga sportet më të dashura në botë. Pavarësisht nëse jeni lojtar apo spektator, loja ofron një pushim nga ngutja dhe nxitimi i jetës, duke ju ftuar të filloni një udhëtim aftësish, strategjie dhe qetësie.

Golfi është një lojë e saktësisë dhe teknikës. Lëvizja, e cila është veprimi themelor në golf, kërkon një ekuilibër delikat midis fuqisë dhe kontrollit. Lojtarët duhet të zotërojnë artin e gjenerimit të shpejtësisë së klubit duke ruajtur saktësinë dhe qëndrueshmërinë. Kërkon orë të tëra praktikë për të përsosur mekanikën e lëkundjes, kapjen, qëndrimin dhe shtrirjen e trupit. Çdo shkrepje kërkon fokus, disiplinë dhe një sy të mprehtë për detaje. Qoftë nëse bëhet fjalë për një largim të gjatë nga maja, një gjuajtje precize hekuri në të gjelbër, ose një çip dhe gjuajtje e lehtë delikate, çdo goditje kërkon një nivel të lartë aftësie teknike. Golfi është i vetmi sport ku kundërshtari më i frikshëm është vetvetja.

Golfi ka qenë prej kohësh i lidhur me etiketën dhe sjelljen sportive. Lojtarët pritet t’i përmbahen një kodi sjelljeje që thekson ndershmërinë, integritetin dhe respektin për lojtarët e tjerë dhe kursin.

Golfi nuk është vetëm një lojë stimuluese mendore, por gjithashtu ofron përfitime të shumta shëndetësore. Ecja në një kurs me 18 vrima mund të mbulojë disa milje, duke u ofruar lojtarëve një stërvitje kardiovaskulare. Lëvizja lëkundëse përfshin grupe të shumta muskujsh, duke rritur forcën dhe fleksibilitetin. Për më tepër, mjedisi i jashtëm i fushave të golfit ofron ekspozim ndaj ajrit të pastër, dritës së diellit dhe mjedisit natyror, duke promovuar mirëqenien e përgjithshme dhe reduktimin e stresit.

Trimi i mirë me shokë shumë

Ky sukses dhe konsistencë në organizimin e turneut tregon një angazhim të jashtëzakonshëm dhe një pasion të vërtetë për golfin. Nëpërmjet përkushtimit të tij, Mark Gjokaj ka bërë të mundur rritjen e interesit për golfin dhe ka ndihmuar në formimin e lidhjeve të reja dhe të forta brenda komunitetit.

Por jo vetëm gjithë kjo punë pohon Marku nuk është i vetëm ai punën e mirë e bën me shokë ndër ta dallohen Fred Lulgjuraj, Mark Zefi Kalaj, Mark Gjeloshaj Frano Lulgjuraj, Nik Rrok Gjonaj e të tjerë. Natyrisht Marku nuk le pa përmendur dhe sponsoret kryesorë Zef Dock side Greel dhe Don Christos Cigar Lounge donny dhe Chrospher Paluashaj . Le të shprehim vlerësimin tonë më të thellë për Markun dhe për arritjen e tij të madhe për të krijuar një traditë të vlefshme në botën e golfit në Michigan.

Sipas golfistit të njohur – Bobby Jones “Golfi është një mashtrues i thjeshtë dhe pafundësisht i komplikuar; kënaq shpirtin dhe frustron intelektin. Është në të njëjtën kohë shpërblyes dhe çmenduri – dhe është pa dyshim loja më e madhe që njerëzimi ka shpikur ndonjëherë”.

Urojmë që ai të vazhdojë të ketë sukses në organizimin e turneut të ardhshëm dhe të krijojë ende më shumë kujtime të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafael Floqi

Libri i ri për Nënë Terezën i akademikut të Universitetit të Birminghamit vlerësohet me çmim ndërkombëtar

July 1, 2023 by s p

Libri i Dr Gëzim Alpion në gjuhën angleze ‘Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj’ fiton ‘Çmimin e Ekselencës në Botime’ për vitin 2023 në SHBA

28 Korrik 2023

Noftim për mediat

Zyra e Shypit

Universiteti i Birminghamit

Mbretëria e Bashkuar

https://www.birmingham.ac.uk/…/new-book-on-mother…

Libri i ri i një eksperti të Universitetit të Birminghamit për Nënë Terezën është vlërsuar në Amerikë me ‘Çmimin e Ekselencës në Botime’ për vitin 2023 në kategorinë e ‘biografisë’ nga Shoqata e Botuesve Katolikë, Association of Catholic Publishers (ACP).

Monografia Mother Teresa: The Saint and Her Nation (‘Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj’) i Dr Gëzim Alpion, Profesor i Asociuar i Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit, ofron një portret të detajuar të misionares shqiptare.

Libri përqëndrohet në rrethanat familjare të Nënë Terezës, kontekstin e saj etnik, kulturor dhe shpirtëror, traumat, sprovat dhe arritjet e saj si individ dhe misionare publike, si dhe besimin e saj të ndërlikuar.

Botuar nga Bloomsbury Academic, libri është vlerësuar gjerësisht nga ekspertë të fushave të ndryshme. Menjehere pas botimit, revista ndërkombëtare katolike The Tablet në Londër i dedikoi librit kopertinën e numrit te gushtit 2020. Ndersa në 2022, revista LIFE në Nju Jork botoi një shkrim të posaçëm për këtë vepër dhe studimet e tjera të Alpion për Nënë Terezën.

Pas botimit të librit, Dr Alpion u ftua të flas për librin në disa vende, ndërsa në SHBA ai zhvilloi ligjerata vitin që kaloi në Universitetet e Harvardit dhe Georgetown.

I specializuar në disa aspekte të sociologjisë si feja, nacionalizmi, fama, mediat dhe autorësia, Alpion është përqëndruar në figurën e Nënë Terezës për më shumë se 20 vjet. Ai konsiderohet si “autori më autoritar në gjuhën angleze” për Shën Terezën e Kalkutës dhe “themeluesi i Studimeve për Nënë Terezën”.

Në vitin 2021, Dr Alpion u nderua nga Presidenti i Shqipërisë me ‘Medaljen Nënë Tereza’ në shenjë mirënjohje për “kontributin e tij të çmuar akademik në studimin e plotë të jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezës, si dhe promovimin e saj si përfaqësuese e vlerave të kombit shqiptar”.

Në lidhje me vlerësimin e ri dhe jehonën e librit, Dr Alpion tha: “Jam i kënaqur që studimi është pritur kaq mirë. Felenderoj ACP-në për çmimin dhe përgëzoj autorët e tjerë që u vlerësuan.”

“Studimi i figurës së Nënë Terezës është një nga pasionet e mija prej dy dekadash. Është mahnitëse që edhe tani kur është shkruar kaq shumë për të, po zbulohen të dhëna të reja, dhe njerëzit vazhdojnë të jenë të lidhur thellë me të si individ dhe me historinë dhe punën e saj.”

Në emër të Bloomsbsury Academic në New Delhi, botuesi Chandra Sekhar, u shpreh: “Ne jemi të lumtur për Profesor Gëzim Alpion që u vleresua me çmimin e fundit për librin e tij të rëndësishëm Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj. Jemi vërtet të gëzuar që ai na zgjodhi ne për ta botuar këtë vepër. Ne falenderojmë ACP-në që vleresoi librin dhe nivelin shkencor te Profesor Alpion”.

Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj është botuar në gjuhën angleze me kopertinë standarde, speciale dhe si eBook.

Filed Under: Kulture

NË MAQEDONINË E VERIUT, GJUHA SHQIPE NUK ËSHTË BËRË ZYRTARE

July 1, 2023 by s p

Skender Karaçica/

Në vend të debatit

(Rreth shkrimit analitik shkencor të Dr.Aristotel Spiro: A duhet të rishikojmë drejtshkrimin, botuar në gazetën “Epoka e Re” Prishtinë, Korrik 2023).

Për gjendjen e (pa)zgjidhur shqiptare në hapësirën etnike në RVM-së në Tiranën zyrtare, herë pas herë, po bëhen shkarje e gafe edhe në rrafshin politik, diplomatik dhe shkencor për të ashtuquajturën “zgjidhja e çështjes shqiptare” në këto hapësira të shtetit multietnik në Ballkan.

Pse Tirana zyrtare nuk është në dijeni se si është zgjidhur çështja shqiptare në hapësirën etnike përmes aktit më të lartë juridik të Kushtetutës së RVM-së kur e kur populli shqiptar si popull i dytë shumicë me 40 përqind të përberjes kombëtare të popullit shqiptar, ende është në rrafshin kushtetues të këtij vendi vetëm si pakicë kombëtare dhe jo shtetformues.

Dr.Aristotel Spiro, profesor i gjuhës shqipe (Tiranë) në shkrimin e tij analitik dhe me taban shkencor: A duhet të rishikojmë drejtshkrimin? (botuar në gazetën “Epoka e Re” Prishtinë, korrik 2023) ndër të tjera shkruan: Shqipja është tashmë gjuhë zyrtare në tri shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut.

Përkitazi me konstatimin e profesor Arsitotel Spiro për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, kjo nuk vlen në hapësirën etnike për shqiptarët në RVM-së ndonëse pushtetet në ketë vend multietnik dhe populli shqiptar si popull i dytë shumicë, ende nuk e ka marrë hisën e vet kushtetuese (lexo:shtetformues por ka mbetur me statusin e popullit pakicë-SK) dhe gjuha shqipe nuk është bër zyrtare.

Në shkrimet e rrafshit kërkimor-shkencor dhe dr.Aristotel Spiro duhet të jenë në dijeni se çfarë është e vërtetë kur e kur flitet për gjuhën shqipe në hapësirën etnike në Ballkan jashtë kufinjve të shtetit shqiptar.

Dr.Aristotel Spiro, në frymën dashamirëse dhe si kolegë të gjuhës shqipe, po ua them zëshëm se gjuha shqipe në hapësirën shqiptare në RVM-së (ende) nuk është bër zyrtare. Për hirë të së vërtetës shih “Ligjin për 20 përqindshin) për përdorimin e gjuhëve për pakicat (lexo: shqiptare në RVM-së-SK) dhe do të bindeni se gjuha shqipe ka mbetur nën juridiksionin ligjor të popullit pakicë dhe jo shtetformues.

Tirana zyrtare duhet të jetë më e informuar sipas Kushtetutës të shtetit shqiptar për çështjen shqiptare jashtë kufinjve të Shqipërisë dhe, në ketë rrafsh edhe institucionet shkencore, kulturore dhe të botës së dijes duhet të jenë më të informuar në vijën zyrtare të shtetit shqiptar dhe mos të bëjnë gafe.

Prishtinë, më 1 korrik 2023

Filed Under: LETERSI

SHBA/New York « Çka Ka Qëllu » në Manhattan: Shija e Shqipërisë e servirur në restorantin e qytetit të Nju Jorkut

July 1, 2023 by s p

Nga Beqir SINA – New York City/

NY1 (Spectrum News) kanali televiziv zyrtar i bashkisë së qytetit Nju Jork, ka trasmetuar dje një program episodikë dhe speciale për ushqimin dhe gatimin në këtë qyetet

Ku një vend të veçantë dhe që tërheqë vëmendjen ja kushtojë ushqimit mesdhetar, shijes së gatimeve shqiptare, dhe orenditë (artfakte) të Shqipërisë, Kosovës dhe trevave shqiptare në Ballkanin perendimor të servirura në restorantin shqiptar « Çka Ka Qëllu » që si thotë NY1 e ndihmuan këtë lokal që ajo të futej në listën e restoranteve më të mira në New York.

Pronari i « Çka ka Qëllu » Ramiz Kukaj i tha televizionit të qytetit të New Yorkut, NY1 se restoranti i tij, synon t’u japë klientëve një përvojë autentike evropiane (mesdhetare) dhe brendësia e restorantit është plot me artefakte historike nga Shqipëria, Kosova dhe trevat shqiptare.

“Kur vendosa të hap restorantin e parë shqiptar në Shtetet e Bashkuara, vendosa të sigurohem që të sjell edhe kulturën dhe traditën tonë”, tha ai gjatë një paraqitjeje në programin e mëngjesit “Mornings On 1” të premten.

Ai sot tha NY1 ka pronë të tij 3 restorante « Çka ka Qëllu » ndërkohë, që Restorantin e parë e ka hapur që nga viti 2017 – duke filluar në Hughes Avenue në Bronx, dhe duke hapur një vendndodhje të dytë në East 31st Street në Manhattan në 2019 – Me ushqimet e servirura në Çka ka Qëllu, zuri një vend në listën e 10-të në 2021, dhe 100 restoranteve më të mira në qytet të përzgjedhura në « The New York Times » këtë pranverë.

“Çka Ka Qellu”

Simbas NY1, kur ato « skutat » tuaja të zakonshme për drekim fillojnë t’ju duken të gjitha njësoj, ka ardhur koha për një natë ose një drekë në “Çka ka Qëllu » . I cili është vetëm pak « hapa » larg qiellgërrvishtësit ikonë në qytetin e New York-ut, « Empire State Bulding » një bllok tjetër gradaçieles të cilat radhiten përgjatë rrugve të famshme, 5 Avenue, Park Avenue e Madison Avenue në Manhattan NYC, deri sa shkon e përballesh me tabelen me drita të kuqe « Çka ka Qëllu », dhe një « bahçe » me lule të freskta dhe tavolinat verore vendosur në trotuar.

Sapo hyn brenda lokalit tashmë të njohur duke se gjendesh në një tavernë të vogël fshati, diku në Shqipëri apo në Kosovë. Pronari, kryekuzhinieri, dhe kamarirët do t’ju ndjekin me sy kur të hyni dhe do të merrnivm buzëqesheshjen dhe mirëpritjen shqiptare, prej tyre.

Ndërsa ju jeni « përpirë » nga artëfaktet: një koleksion të disa instrumenteve folklorike muzikore, veglave bujqësore, mullirëve të kafesë, dhe veshjeve tradicionale folklorike , librave dhe armë antike të shekujve të kaluar varur në mure.

Era e bukës që po piqen në furrë afër derës, dhe mishrat e pjekura në zgarë të « çajnë » hundën.

NY1 rekomandon : Kërkoni për pak speca turshi dy apo tre lloje salca e tarator që shkojnë me to, pas të cilave do t’ju duhet një çomlek me mish viçi apo mantia me mish furre, të zhytura në kos, e të shërbyera në tavë dheu.

Sigurisht edhe Ëmbëlsirat që Çka ka Qëllu thotë se i gatuajnë po aty, gjithashtu, si për shembull ‘sheqerpare’, revani, kadif, bakllava dhe tri-leçe. Kafenë ta shërbejnë me xhezve bakri me bisht të gjatë. Ju mbase e njihni këtë si kafe turke por kur jeni në “Cka Ka Qellu”, kjo është kafe shqiptare.

Çka ka Qëllu

Restoranti « Çka ka Qëllu » shërben një përzgjedhje moderne të pjatave më të njohura dhe më të pëlqyera të kuzhinës shqiptare dhe kosovare si dhe ëmbëlsirat e shijshme. Në Çka ka Qëllu shërbejnë jo vetëm ushqim të shëndetshëm por edhe me vlera ushqyese për ju dhe familjen tuaj.

Në “Çka Ka Qëllu”, ka shumë shqiptarë që punojnë në kuzhinë duke përgatitur ushqime tradicionale. Një eksperiencë unike e cila është reditur së fundmi si një nga vendet më të mira për t’u vizituar në Amerikë, për ushqimin mesdhetar.

Pronari i “Çka ka Qëllu » Ramiz Kuka, thotë se u frymëzua për të hapur restorantin e tij kur djali i tij e pyeti se ku mund t’i çonte miqtë e tij për gatime autentike shqiptare. Në kërkimin e tij, Ramizi ka treguar se doli duarbosh dhe vendosi se do të bëhej misioni i jetës së tij për të sjellë kuzhinën dhe kulturën shqiptare në NYC. Pas vitesh grumbullimi të artefakteve shqiptare të shekullit të 18-të dhe 19-të për të dekoruar hapësirën, Çka Ka Qëllu është tashmë një nga eksperiencat më unike të restorantit/muzeut në qytet.

Shije dhe Traditë : Një Përvojë Shqiptare Në Nju Jork – “Çka ka Qëllu”

Rrota tjerrëse e cila të tërheq vëmenjden teksa futesh në restorant, instrumentet me tela, makina manuale e shkrimit, pjata prej metali dhe tasa balte dhe kostumet folklorike të qëndisura me dorë janë vetëm një pjesë e koleksionit të mjeteve antike që do të gjeni vetëm tek “Çka Ka Qëllu”.

Ku disa objekte datojnë që në shekullin e 18-të. Dyshemetë dhe muret duket se janë transferuar këtu nga një shtëpi tipike shqiptare dhe në një restorant ku luhet vetëm melodi popullore nga instrumentet tradicionale të vendit.

Adresa: 118 E 31st St, New York, NY 10016

Phone: (212) 213-2082

Email: info@ckakaqellu.com

Web : ckakaqellu.com.

Filed Under: Ekonomi

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, Fillim i së nesërmes së Kosovës shtet

July 1, 2023 by s p

-Në ditën e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990 gazeta tradicionale Rilindja doli me mbështetje të fuqishme, edhe me komentin “Reprizë nuk do të këtë” pasuar me redaksionalin “Fillim i së nesërmes”. Autor i të dy shkrimeve isha unë atëherë redaktori i Rilindjes – tash korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI/

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i LDK paralajmëronte dhe përshëndeste Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 1 Korrik 2023/ Kosova para 33 viteve shpallte pavarësinë.

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës…” Kështu fillonte Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, e cila shpallte pavarësinë e Kosovës, që atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

“Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë”, theksonte në fund në pikën e pestë Deklarata Kushtetuese.

“Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në Marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.

“Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u realizuar e plotë në 17 Shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli. Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 33 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arrestoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre…

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, kujton:

“Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.

Në koment mes tjerash shkruaja:

“Kurdo që të mbahet kjo mbledhje, një gjë është e sigurt: Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit. Asnjë shtyerje nuk mund të ndalë realizimin e këtyre kërkesave e këtij vullneti gjithpopullor, të shprehur me urti e vendosmëri, në qetësi paqësore e në frymim të thellë demokratik në çdo mjedis në Kosovë.

Kjo është garanci se reprizim të skenarit të vjetmë të dramës tragjike e të humbjes së autonomisë në Kosovë nuk do të ketë as sot, as nesër, as kurrë më. Populli dhe përfaqësuesit e tij legjitimë – delegatët janë të vendosur që vetëm me urti e demokraci të realizojnë të drejtat dhe interest e veta jetike të patjetërsueshme.”

Komenti u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Në gazetën historike Rilindja raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite kërkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Repoublikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tashmë 24 vjet nga Qershori 1999, Kosovës shtet 15 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990 kujtojnë e vlerësojnë mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, me të cilën në duar u panë edhe në seancën ku e votuan e nënshkruan Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës, si dhe Radio Televizioni i Prishtinës.

“Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit tjetër që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës e 2 Korrikut 1990 edhe këtë 33-vjetor e pret në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku para katër vitesh e dërgova me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:

“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990. Prishtinë, 30 Maj 2019 Behlul Jashari”.

Dërgimin e shumëmirëpritur të origjinalit të Deklaratës Kushtetuese në Pallatin e dokumenteve historike e kisha paralajmëruar në takime e komunikime me atëherë Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe Drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha, si dhe me Kryeinspektoren Dijana Dushullovci Haziri, e cila e mori në dorëzim.

Ku ta dërgoja ekzemplarin e Deklaratës Kushtetuese që ishte në duart e delegatit Maharrem Shabani që e lexoi në Kuvendin e Kosovës në 2 Korrik 1990 kemi biseduar me të dhe me udhëheqësin e Kuvendit në atë kohë, Ilaz Ramajlin…

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal, për herë të parë është ekspozuar në një ekspozitë të Arkivit Shtetëror të Kosovës në 2 Korrik 2019. Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur e 2 Korrikut të vitit 1990, e cila më është dhënë në Kuvendin historik, ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, fotografinë e së cilës për botim për herë të parë e kam dërguar në Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si korrespondent nga Kosova që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në rrethana të rënda okupimi, në të cilat President i parë i Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

DR. IBRAHIM RUGOVA PARALAJMËRONTE DHE PËRSHËNDESTE DEKLARATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS TË 2 KORRIKUT 1990

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në një intervistë të botuar në 15 Prill 1990 në revistën “Fjala” në Prishtinë, duke komentuar debatet që zhvillohen në atë kohë thotë: “Ne si LDK pak më vonë do të dalim me një deklaratë kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për Kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur Kushtetuese apo të Pavarësisë, siç do të quhet më vonë, të 2 Korrikut 1990, të Kuvendit të Kosovës.

Pak më vonë Presidenti historik Rugova do të deklarojë se, “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” (“Hrvatski rubikon”, Qershor, Zagreb-Kroaci).

Në 2 Korrik 1990 në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese. Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tashmë tubonte rreth 700 mijë anëtarë, përshëndet dhe mbështet i pari këtë Deklaratë, duke e quajtur një dokument historik dhe Deklaratë për Pavarësinë.

ARKIV – 2 KORRIK 2018: RAMAJLI E HARADINAJ PËRGJIGJEN NË PYETJET E KORRESPONDENTIT TË GAZETËS DIELLI

Në 2 Korrik 2018 Kryetari i Kuvendit të Kosovës në kohën e viteve të 90-ta të zhvillimeve historike, Ilaz Ramajli, dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit, në konferencën për shtyp u janë përgjigjur pyetjeve të korrespondenit në Kosovë të Gazetës DIELLI.

PYETJA: Po prezantohem pak më ndryshe se tjera herë, si gazetari që kam qenë bashkë me delegatët në atë kohë para Kuvendit.

Prandaj, një pyetje kam për zotin Ramajli: Nuk ishte vetëm 2 Korriku, ishte edhe Kushtetuta e Kaçanikut e 7 Shtatorit po në 1990, pastaj Referendumi ku thuaja qind për qind e atyre që morën pjesë në votim votuan për Shtet Sovran e të Pavarur të Kosovës në atë kohë. Si i vlerësoni nga kjo distancë 28 vitesh ato tre ngjarje të mëdha historike?

Ndërsa për Kryeministrin e kam pyetjen: Cili është statusi i delegatëve të 2 Korrikut e 7 Shtatorit 1990 sot në shtetin e Kosovës?

PËRGJIGJIET:

Kryeministri Haradinaj: Faleminderit. Së pari Kryetari Ramajli.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës në vitin 1990, Ilaz Ramajli: Behluli ëahtë gjithmonë i interesuar për 2 Korrikun e 7 Shtatorin, duke pasur parasysh që ka marrë pjesë në Mbledhjen e 2 Korrikut dhe është gazetari që e ka ruajtur tekstin origjinal të Deklaratës Kushtetuese.

Dhe, t’iu them, këto tre akte, sot ashtu i përmendëm, përbëjnë bazën kushtetuese-juridike të rregullimit të shtetit të ri – Republikës së Kosovës.

Unë po shfrytëzoj rastin të përmendi që kemi mund t’i kryejme këto tre akte duke iu falënderuar një uniteti apsolut të faktorëve shqiptarë në Kosovë,

të cilët pa asnjë hezitim dhe pa asnjë ekuivok e kanë përkrah punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe me përkrahjen unanime të popullit ne i kemi kryer krejt këto punë.

Unë këte e potencova për shkak se besoj që Kosova në këtë kohë është në një situatë shumë delikate, siç na njoftoi Kryeministri janë në përgatitje edhe zhvillimi i diskutimitmeve për përmbylljen e raporteve, kontratës përfundimtare me Serbinë dhe disa çështje tjera.

Unë besoj duke u mbështetë në përvojën e viteve 90-ta edhe sot është i nevojshëm një unifikim apsolut i faktorit politik në Kosovë, edhe faktorit të institucioneve, ta quaj ashtu, për ta arritë qëllimin përfundimtar.

Kryeministri Ramush Haradinaj: Faleminderit Kryetar.

Sa i përket Statusit ka një iniciativë ligjore, ajo ndodhet tani në Parlament, është në fazën e një propozimi, pra koncept-dokumenti.

Mund të ndodhë që do të procedohet më tutje në seancë plenare si Ligj për statusin e delegatëve-deputetëve të vitit 1990.

Nëse kalon nga Parlamenti ne do ta përkrahim si Qeveri, ka një kosto që është modeste, kosto modeste vjetore.

Nëse jo, atëherë mund ta hartojmë ne një ligj, koncept-dokument për Statusin e delegatëve të atëhershëm edhe t’ia kalojmë Parlamentit.

Por, mendoj që është me rëndësi që kjo të ndodhë.

Qeveria e Kosovës, në këtë rast Qeveria që udhëheqi, në vitin që shkoi ka ndërmarrë një veprim të njëherëshëm, po ato nuk janë zgjidhje – këto të njëhershmet, ka qenë një urgjencë ashtu që me e mbulu, ta quajë ashtu, një vakuum të madh kohor pa përkujdesje.

Po shpresoj që do të kalojmë në ligj dhe nuk është ndonjë ngarkesë, po e përsëris është një ngakesë krejt modeste financiare për Kosovën, është më shumë një nderë që ju bëhet kësaj kategorie, që është shumë me rëndësi nderimi i atyre që në momentet kyçe kanë kryer detyrat e tyre në shërbim të vendit. Ju faleminderit!

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1788
  • 1789
  • 1790
  • 1791
  • 1792
  • …
  • 2980
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT