• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historia më e vjetër

March 3, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Astronomët thonë se mitet për yjet e ‘shtatë motrave’ mund ta kenë origjinën rreth 100,000 vjet më parë.Në qiellin verior në dhjetor është një grup yjesh i njohur si Peiada, ose “shtatë motrat”, por nga Toka duken gjashtë. Pra, pse themi se janë shtatë prej tyre?Shumë kultura në mbarë botën i referohen Plejadave si “shtatë motra”, dhe gjithashtu tregojnë histori mjaft të ngjashme për to. Pas studimit të lëvizjes së yjeve shumë astronomë thonë se këto histori mund të datojnë 100,000 vjet më parë, kur konstelacioni dukej krejt ndryshe.Në mitologjinë greke, Plejadat ishin shtatë vajzat e Atlasit. Ai u detyrua të mbante qiellin përgjithmonë, dhe për këtë arsye nuk ishte në gjendje të mbronte vajzat e tij. Për të shpëtuar motrat nga gjahtari Orion, Zeusi i shndërroi ato në yje. Por historia thotë se një motër ra në dashuri me një të vdekshëm dhe u fsheh, prandaj ne shohim vetëm gjashtë yje.Një histori e ngjashme gjendet midis grupeve aborigjene në të gjithë Australinë. Në shumë kultura aborigjene australiane, Plejadat janë një grup vajzash të reja dhe shpesh lidhen me ceremonitë dhe historitë e shenjta të grave. Plejadat janë të rëndësishme si një element i kalendarëve dhe astronomisë aborigjene, dhe ngritja e tyre e parë në dhjetor në agim shënon fillimin e dimrit.Një interpretim aborigjen australian i plejadës së Orionit thotë se tre yjet e brezit të Orionit janë tre të rinj që shkuan për peshkim në një kanoe dhe kapën një peshk të rrallë, të përfaqësuar nga Mjegullnaja e Orionit. Pranë Shtatë Motrave në qiell është yjësia e Orionit, e cila shpesh quhet “tepsi” në Australi. Në mitologjinë greke Orioni është një gjahtar. Kjo plejadë është gjithashtu një gjuetar në kulturat aborigjene. Njerëzit në Australinë qendrore e konsideronin Orionin si një “gjuetar të grave” dhe veçanërisht të grave në Plejada. Shumë histori aborigjene thonë se djemtë po ndiqnin shtatë motrat – dhe njëra nga motrat ka vdekur, ose është fshehur, ose është shumë e re, ose është rrëmbyer, kështu që përsëri vetëm gjashtë janë të dukshme.Tregime të ngjashme të “Plejadës së humbur” gjenden në kulturat evropiane, afrikane, aziatike, indoneziane, amerikane vendase dhe australiane aborigjene. Shumë kultura e konsiderojnë grupin si me shtatë yje, por pranojnë se vetëm gjashtë janë normalisht të dukshëm.Si ka mundësi që historitë e Aborigjenëve Australianë janë kaq të ngjashme me ato Greke? Antropologët mendonin se evropianët mund ta kishin sjellë historinë greke në Australi, ku ajo u përshtat nga njerëzit aborigjenë për qëllimet e tyre. Por historitë e Aborigjenëve duket se janë shumë, shumë më të vjetra se sa kontaktet evropiane. Dhe kishte pak kontakt midis shumicës së kulturave aborigjene australiane dhe pjesës tjetër të botës për të paktën 50,000 vjet.Të gjithë njerëzit modernë e kanë prejardhjen nga njerëzit që kanë jetuar në Afrikë përpara se të fillonin migrimet e tyre të gjata në skajet e largëta të globit rreth 100,000 vjet më parë. A mund të jenë kaq të vjetra këto histori të shtatë motrave? A i mbanin të gjithë njerëzit këto histori me vete ndërsa udhëtonin në Australi, Evropë dhe Azi?Matjet e kujdesshme me teleskopin hapësinor Gaia dhe të tjerët tregojnë se yjet e Plejadave po lëvizin ngadalë në qiell. Një yll, Pleione, është tani aq afër yllit Atlas sa të dy duken si një yll i vetëm me sy të lirë. Pra, 100,000 vjet më parë, shumica e njerëzve me të vërtetë do të kishin parë shtatë yje në grup.A është e mundur që historitë e Shtatë Motrave dhe Orionit janë kaq të vjetra që paraardhësit tanë ia tregonin njëri-tjetrit rreth zjarreve në Afrikë, 100,000 vjet më parë? A mund të jetë kjo historia më e vjetër në botë?

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

SHËNIME PËR 145 VJETORIN E TRAKTATIT TË SHËN STEFANIT

March 3, 2023 by s p

(3 mars 1878-3 mars 2023)

NGA NDUE  BACAJ

145 Vite më parë, me 3 mars të vitit 1878 do të nënshkruhej Traktati i  Shën-Stefanit. Madje ky traktat si për ironi do të quhej traktati i paqes, pasi thuhej se i jepte fund Luftës Ruso-Turke që pat shpërthyer më 24 Prill 1877. Ku  pas luftimeve të ashpra, që zgjatën për pothuajse një vit, trupat ruse kishin arritur (fitimtare) në fshatin Shën Stefan, rreth 17 km në afërsi të Stambollit. Në këto kushte humbëse perandoria turko-osmane  (për të shpëtuar diçka nga vehtja) ishte e gatshem të linte hali teritore shqiptare për të zbutur perseri shpirtin e zuçitur dhe  grykësinë e pafashitur  të klysheve të Moskovit në Ballkan… “Sinjalet” ishin dhënë që mbas kongresit pansllavist që u mbajt në Moskë (1867), me protokollin e Londres (1877), me marrëveshjen e Budapestit (1877), e veçanarisht me nënshkrimin e armëpushimit në Edrene me 31 janar (1878), per të “kulmuar” me Traktatin e Shën Stefanit të dates 3 mars 1878..1.  Për këtë traktat historiani anglez William Miller do të cilësonte se : ”Traktati i Shën  Stefanit synonte me rregullua simbas interesave ekskluzive të popujve sllav,  fatin e një zone të Europes ku kanë interesa edhe kombe të tjerë”.2.  Pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve rusë, kontit Nikolla Ignatiev e Aleksandër Nelidov dhe atyre osmanë Safet Pasha, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Sadullah Beu, Ambasador në Oborrin Perandorak të Gjermanisë, u nënshkrua ky traktat. Për shkak të epërsisë ushtarake, Rusia abuzoi shumë me Traktatin e Shën-Stefanit, duke thelluar mosmarrëveshjet ndërmjet popujve të Ballkanit. Traktati i Shën Stefanit, perveç autonomisë që parashikonte për disa shtete sllave, traktati  parashikonte që këto “shtete” të zgjeroheshin edhe më shumë trojeve, kryesisht shqiptare.. Sipas Traktatit, u krijua shteti bullgar me kufij shumë të gjerë, ndërsa Rumania, Serbia dhe Mali i Zi deri atëherë principata autonome nën vasalitetin e sulltanit osman, fituan pavarësinë e plotë. Serbia do të zgjerohej nga jugu në drejtim të viseve shqiptare të Kosovës. Sipërfaqja e saj rritej nga 37,7 mijë km2 në 52,7 mijë km2. Edhe Mali i Zi rritej nga 4,7 mijë km2 në 15,7 mijë km2. Territoret e Bullgarisë do të zgjeroheshin deri në brigjet e liqenit të Ohrit).3.  Sipas nenit një të këtij traktati Mali i Zi do të merrte trojet etnike shqiptare të banuara prej shqiptarëve: Ulqinin, Tivarin, Krajen, Anen e Malit, pjesën e sipërme të bregut të lumit të Bunës, gati krejt liqenin e Shkodrës, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë, Rugoven, Kelmendin… Ndërsa sipas nenit tre Serbia do  të aneksonte troje etnike shqiptare të Kosovës, deri në krahinen e Prishtinës. Neni gjashtë i këtij traktati i jepte Bullgarisë jo vetëm portin e lakmueshëm të Selanikut, por edhe krahinat etnike shqiptare të Korçës, Voskopojës, Pogradecit , Strugës , Dibrës , Kërçovës , Gostivarit , Tetovës , Shkupit , Manastirit, Kumanovës etj. Siç duket shumica e trojeve etnike shqiptare do të viheshin nën dominimin e sllavëve dhe të kishës ortodokse. Gjithashtu ëndërra e vjetër ruse e pansllavizmit dhe dalja në detin Mesdhe, më në fund do të bëhej realitet.4.  (Ndërkohë Greqia nuk arriti të përfitonte asgjë nga ky traktat).  Turqia si humbëse e luftës me Rusinë , kishte pranuar diktatin e Rusisë per  të  shkëputur  shumë teritore nga perandoria e vet. Megjithse shumë nga  keto teritore ishin safi shqiptare, emri i Shqiperisë as nuk zihej me gojë..5.  Pra siç shihet shumica e trojeve Shqiptare do të  ishte nën dominimin sllav… Ndërsa “Grimca” e mbetur Shqipëri momentalisht do ti lihej perandorisë osmane që pritej nga dita në ditë të shembej , dhe ajo çfarë po “tepronte” nga Shqiperia Etnike “shpresohej” se do të mbetej nën këto rrënoja në perjetsi.6. Historiani Ferdinand Schevill në librin e tij kushtuar historisë dhe qytetrimit të  Ballkanit për Traktatin e Shën Stefanit do të shkruante: “Paqja” e  Shën Stefanit ishte një nga më të ashprat që ishte arritur ndonjëherë në historinë e lindjes”.7.  Pradaj kur ishin shpallur kushtet e Traktatit të Shën Stefanit u dha kushtrimi në kancelaritë e Europës. Filluan menjëherë perçapjet për rivizimin e këtij traktati , me qellim që me kufizue lakmitë toksore të Rusisë dhe satelitëve të saj në Ballkan. Mbas një vargu shkëmbimesh diplomatike në mes të kryeqyteteve kryesore të Europës u vendos të mblidhej nji kongres në Berlin “ku do të mund të bisedoheshin themelisht të  gjitha çeshtjet që kishin lidhje me traktatin e Shën Stefanit.  Kongresi i Berlinit do të hapej më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Europës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman: Otto Bismark.9. Vlen të cilësohet se zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e Selanikut, të Stambollit, të Izmirit, të Adanasë e të Sirisë…10.  Edhe në këto kushte të pafavorshme shqiptarët, Traktatit të Shën Stefanit dhe “pasuesit” të tij Kongresit të Berlinit do ti përgjigjeshin “flakë për flakë” me pendë e pushkë të udhëhequr na  patriotët shqiptar të të gjitha trevave shqiptare me organizimin më të lartë mbarkombëtar: Lidhjen Shqiptare të Prizrenit , që do ti fillonte punimet me 10 qershor 1878, duke sensibilizua Europen dhe organizua shqiptarët në mbrojtje të trojeve të tyre etnike… Mjerisht edhe sot cari i “ri” i Rusisë, Vladimir  Putin, por edhe putinët  e tjerë më të vegjël në Ballkan po kërkojnë që të ringjallin Traktatin famkeq të Shën Stefanit të 145 viteve më parë. Por tani kohrat kanë ndryshuar dhe Europa e re me BE-n, në bashkëpunim të  plotë me SHBA-n dhe NATO-n, janë sfiduesit potencial të carit të ri dhe dhe mbështetësve të tij sllav në Ballkan e më gjërë… Por me gjithë këtë, veçanarisht ne shqiptarët duhet të jemi vigjilent e të mos harrojnë historinë e “helmuar” të së shkuares, se  po të harrohet ka rrezik të na “helmojnë”edhe të sotmen…  

REFERENCAT: 

1.Histori e popullit shqiptar; fq.97-99, Hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë të Akademisë së shkencave  të Rep.Shqipërisë, sh.b. “Eurprilindja”, Tiranë 1994. 

2..William Miller; Perandoria otomane dhe trashigimtarët e saj , fq.384, London 1913. 

3.https://www.facebook.com/MuzeuHistorikKombetar/posts/3197272090335542/  

4.Edwin Jacques; Shqiptarët-historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme, fq.286, sh.b. Kartë e Pendë, Tiranë 1995, + Serge Metais; Histori e shqiptarëve  nga Ilirët deri te pavaresia e Kosovës, fq.265-266, sh.b. “55” Tiranë 2006.

5.Edwin Jacques, po aty fq.286. 

6.Ndue Bacaj ; Nga Lidhja e Prizrenit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit: Albdreams.net dhe https://gazetadielli.com/nga-lidhja-e-prizrenit-ne-lidhjen-shqiptare-te-prizrenit/17 qershor 2022. 

7. Ferdinand Schevill; BALLKANI-historia dhe qytetrimi, fq.327, sh.b. Eugen, Tiranë 2002.

8.Tajar Zavalani; Histori e Shqipnisë, fq.172, Botim i dytë: Phoenix , 1998. 

9.https://sq.wikipedia.org/wiki/Kongresi_i_Berlinit. 

10.https://fjala.al/2022/03/03/formimi-i-lidhjes-se-prizrenit-shen-stefani-traktati-famekeq-ku-rusia-coptoi-tokat-e-shqiptareve/, + Libri : Spastrimi Etnik, dokumente  historike mbi një ideologji serbe , mbledhur, përkthyer dhe komentuar nga Mirko Grmek, Mark Gjidara dhe Neven Simac me parathenie nga Ismail Kadare,sh.b.”55”Tiranë 2002. 

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

Ernest Koliqi dhe Arshi Pipa- dy shtyllat qëndrore të Kritikës Letrare Moderne Shqiptare

March 2, 2023 by s p

(Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow)

C:\Users\Admin\Desktop\pipa-koliqi.jpg

                 Fig.1 Profesorët Arshi Pipa dhe Ernest Koliqi

Kritika letrare shqiptare zë fill në Shek. XIX-të dhe babai i saj është padyshim Faik Konica me revistën “Albania”, për të cilën Ernest Koliqi do të shprehej në mënyrë brilante duke e cilësuar “si një palestër të vërtetë ideore kombëtare dhe një pasqyrë e të gjitha rrymave mendore e shoqërore.” Një shkollë e vërtetë kulturore në fakt, e cila jo vetëm që mblidhte rrotull saj gjithë shqiptarët por që u mësoi gjithashtu stilin evropian e të shkruarit, shijet fine letrare por edhe sesi ta shkruanin shqipen në mënyrë elegante.Aq sa Fan Noli me të drejtë pohonte: “Konica është kryelëvronjësi i gjuhës shqipe dhe Ne të gjithë jemi dishepujt e tij.”

Por nëse Konica qe gur-themeli i këtij tempulli, dy shtyllat e tij qëndrore janë pa diskutim  Arshi Pipa dhe Ernest Koliqi. Me Pipën dhe Koliqin kritika letrare merr një tjetër kthesë.Ajo bëhet më selektive, më elitare dhe sigurisht edhe më cilësore, si në formë po ashtu edhe në përmbajtje.Të dy personalitetet në fjalë jo vetëm që e mbushin vakumin e kritikës letrare të kohës por gjithashtu ata e definojnë këtë kritikë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale.Kështu psh, Pipa në revistën “Shkëndia”(të themeluar nga Koliqi) por edhe “Kritika” (të themeluar nga vet ai), përmes artikujve të shkruar gjatë viteve 1940-1944  jo vetëm që do të merrej me shpalosjen e problemit të mungesës së kritikës letrare në vend (një problem të cilin e hasim fatkeqësisht edhe në ditët tona) por gjithashtu do ta përkufizonte esencialisht këtë fushë dhe rolin e domosdoshëm të kritikut si rishikues vleror.

Koliqi, po ashtu edhe Pipa duke e evidentuar mungesën e një historie të letërsisë shqipe iu vunë me mish e me shpirt punës për të nxjerr në pah përmes shkrimeve të tyre kontributet dhe vlerat ideore të një gjerdani shkrimtarësh duke nisur nga Fishta e Mjeda i madh, Konica e Noli, Migjeni e Kuteli, Çajupi e Asdreni, Ali Asllani, Lazër Shantoja e të tjerë me radhë. Në këtë kuptim, këta dy titanë bënë të mundur atë që një armatë e tërë rrogëtarësh qeveritarë nuk arrin ta bëj dot në ditët tona; e kthyen Shpirtin Kritik në Institucion dhe e ngritën kulturën e kritikës letrare në një nivel të papërfytyruar më parë. Revistat respektive “Shkëndia”(1940),“Kritika”(1944) dhe “Shêjzat” (1957) janë dëshmia më e mirë e pohimit të mësipërm.

Kritiku letrar gjigand Harold Bloom në një prej veprave të tij madhore dhe një pasazh në lidhje me rolin e kritikut kumton: “Tek kritikët më fin ne dëgjojmë thirrjen e fuqishme të Njeriut. Ata i thonë dikujt pse ka rëndësi të lexosh”.Pipa dhe Koliqi jo vetëm që e kryen me përgjegjësi të plotë këtë akt të lartë humanist duke na orientuar dhe drejtuar kah vlerat, letërsia dhe autorët më të mirë shqiptarë dhe arsyet pse duhet ti lexojmë por gjithashtu ata e mbushën dhe e pasuruan kulturalisht mjedisin tonë të varfër me vepra dhe autorë të shquar nga Letërsia Botërore (Klasikët, të Rilindjes Evropiane, ata të 900-tës por edhe Bashkëkohësit).Ata me përkthimet e tyre na shërbyen si vlerë-sjellës qytetërimor!

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme me Pipën dhe Koliqin, (këto dy miniera ideore që palo-studiuesit i shfrytëzojnë in extremis por pa ua cituar kurrë emrat dhe veprat në artikujt e tyre) do të ishte një nder dhe respekt për ta që Ministria e Kulturës të fillonte të ndante gjithashtu edhe çmimin e kritikës letrare “Pipa-Koliqi”.Jo se Pipa dhe Koliqi prej parrizit ku janë kanë vërtetë nevojë për tituj dhe lavde por ne pasardhësit e tyre kemi nevojë për modele dhë shëmbuj që përcjellin një IDEAL, një ideal që fatkeqësisht Postmoderniteti ynë i frikshëm i ka vënë kazmën për ta shëmbur.  

Filed Under: LETERSI Tagged With: Melsen Kafilaj

NYJA E BALLKANIT PËR EVROPËN

March 2, 2023 by s p

Nga GIULIO TREMOMTI/

Sot, rropama e luftës në Ukrainë sundon heshtjen që mbështjell Ballkanin, por të dyja,  ajo rropamë e ajo heshtje, janë njësoj të rëndësishme për Evropën, sot që historia është vënë në ecje me erëra luftërash që fryjnë nga lindja drejt perëndimit.

Ballkani, muri i jashtëm mbrojtës i Evropës, një trapez i gjatë më shumë se njëmijë kilometra e pak më pak i gjërë, një zonë gjeografike e pakalueshme, jo rastësisht Ballkan në turqisht do të thotë mal, e megjithatë vënd kalimesh e përplasjesh, kështu në shekuj fabrikohet historia. Kështu ka qënë edhe 900-ta, një shekull që ka filluar me “luftërat ballkanike”, që kanë vazhduar me Sarajevon, e që kanë mbaruar me luftën e Jugosllavisë. Kjo qe një luftë vendore, por vetëm sepse BRSS qe sapo shthurur e Rusia nuk ishte shfaqur ende në qëndrimin e zotërimit. Duhet kujtuar se sidoqoftë ajo e Jugosllavisë ka qënë një rast tronditës i t’ashtuquajturës “të drejtë ndërhyrjeje”, e zbatuar nga jashtë në kohët moderne, duke tejkaluar parimet shekullore të Augustës e të Westfalisë (“cuius regio, eius religio”) (“e kujt është mbretëria, e atij është edhe besimi fetar”).

Për të gjitha këto sot, edhe se në një dukje qetësie, shihet se e ardhmja e Evropës nuk është vetëm Ukraina, është edhe Ballkani, sepse nëse për Ballkanin Evropa është e rëndësishme, edhe Ballkani është i rëndësishëm për Evropën. E rëndësishme për Evropën që sot nuk mund të ndalet në Danub, përndryshe është Danubi ai që hyn çrregullisht n’Evropë.

Brënda Ballkanit numërohen sot shtatë Shtete: Sërbia, Bosnja, Herxegovina, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut. Shtete që kanë sot të përbashkët vetëm një gjë: interesin për të hyrë në Bashkimin Evropian. Por për të tjerat, që kur nuk mbahet mënd, janë ndërmjet tyre të ndryshëm e shpesh kundërshtarë, për gjeografi dhe ekonomi, për kryqëzime prejardhjesh, gjuhësh e besimesh fetare. 

Kryesisht për atë arsye, e jo vetëm për këtë arsye, që sot për të  futur Ballkanin në Bashkimin Evropian është aq e nevojshme sa dhe e vështirë, sepse nëse Ballkani priret të jetë i pështjelluar, Bashkimi Evropian është për hesapin e vet në të kundërt një makinë politike e sofistikuar e tejet e ndërlikuar.

Një shëmbull, për të filluar: nëse Ballkani futet në BE, njëzërësia sot e parashikuar për funksionimin e saj , kalon nga 27 në 34. Kjo nuk është vetëm një e dhënë numërash, sepse kështu ngrihet në shkallën më të lartë rreziku që të shfaqen ndikime të jashtëme – ruse, islamike, kineze – ndikime të tilla sa të paralizojnë proçeset vendim-marrëse në BE. E jo vetëm aq. Edhe sikur të mos mbajmë para sysh dhjetra kilometrat e “rregullave evropiane”, që janë tashmë – lloji Bolkenstein – a mund të përfytyrohet seriozisht zotimi i Ballkanit për automobilin elektrik ose për shtëpinë e gjelbër, këto të fundit, por ide të ardhëshme “evropiane”?

Megjithatë historia mëson se të gjitha ndryshueshmëritë mund të kalohen nga Evropa me zgjuarsi e me durim politik. Në Pragë kançelari Scholz ka hapur bashkëbisedimin, në Strasburg presidenti Macron ka hamendësuar t’i shtohet asaj të BE një ingjinjeri e re më e lëvizëshme e më e rrjedhëshme institucionale evropiane, në Trieste presidentja Meloni ka folur për Ballkanin me një vështrim të madh. Të gjitha këto janë në drejtimin e duhur, të duhur për të shmangur që e paarsyeshmja të bëhet e vërtetë  e që e paarsyeshmja të jetë vdekjeprurëse.      

“Corriere della Sera”, 28 shkurt 2023   Përktheu Eugjen Merlika                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                          

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Eugjen Merlika

“Aleanca” Kinë-Rusi: Dyfishimi i rreziku apo Partneriteti i Kufizuar?

March 2, 2023 by s p

Nga Rafael Floqi/

Lufta e Ukrainës po tregon se ndërsa partneriteti strategjik ‘pa kufij’ Pekin-Moskë ka kufij, ai mbetet kërcënues për SHBA . Sipas Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së për vitin 2022 të publikuar së fundmi, Kina dhe Rusia “janë gjithnjë e më shumë në linjë me njëra-tjetrën, por sfidat që ato paraqesin janë, në mënyra të rëndësishme, të dallueshme”. Këto sfida ndihen në mbarë botën, jo më pak në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, shumë rrallë është eksploruar kur dhe si Pekini dhe Moska koordinojnë ose bashkëpunojnë dhe çfarë do të thotë kjo për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e saj. Në të vërtetë, shumë vëmendje nga zyrtarët dhe komentatorët është përqendruar në pohimin e thjeshtë se Kina dhe Rusia paraqesin sfida të ndryshme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e tjerë në Evropë. Pikëpamja konsensuale e SHBA-së ka qenë se Kina përbën rivalin serioz, ndërsa Rusia paraqet një kërcënim të rëndësishëm shqetësues pasi përjeton rënie politike dhe ekonomike, duke prodhuar një predispozitë në vitet e fundit për të përdorur forcën ushtarake rreth periferisë së saj.  Një tjetër pikëpamje e përhapur gjerësisht është se Moska është një kundërshtar më i menjëhershëm, ndërsa Pekini është më shumë një kërcënim që shfaqet jashtë horizontit. Siç e tha me keqardhje një zyrtar amerikan në vitin 2019: “Rusia [është] një uragan. Vjen fort dhe shpejt. Kina … është si ndryshimi i klimës: i gjatë, i ngadalshëm, i përhapur.” Nuk është për t’u habitur që frika e menjëhershme e partnerëve dhe aleatëve të SHBA-së në Evropë gjatë dekadës së fundit ose më shumë janë fokusuar në aktet e shumta të agresionit dhe frikësimit të Rusisë, duke u rritur me pushtimin e Ukrainës nga Putini në shkurt të vitit 2022. Ajo që është befasuese, megjithatë, është rritja e alarmit në të gjithë Evropën vitet e fundit për një kërcënim në dukje më të largët gjeografikisht: Kinën.

Është e vërtetë që Kina dhe Rusia kanë hyrë në një traktat pak para luftës në Ukrainë. Por është gjithashtu rasti që kinezët u tërhoqën nga aleanca sapo shpërtheu lufta. Në fakt, Kina ishte një nga vendet e pakta që abstenoi nga një votim i OKB-së për të dënuar Rusinë menjëherë pas fillimit të luftës. Aleanca u portretizua nga të dyja palët si një angazhim afatgjatë, jo një pakt kolektiv i mbrojtjes. Pekini e pa luftën si diçka për t’u shmangur. Me probleme serioze ekonomike, një shkallë të trazirave të brendshme në vend, dhe marinën e SHBA-së që fshihet në dhe pranë Detit të Kinës Jugore, pjesëmarrja e Kinës në një luftë – apo edhe thjesht mbështetja e Rusisë në OKB – e bëri aleancën pak më shumë se një blof diplomatik.  

Ka disa arsye pse Kina nuk ka gjasa të ofrojë ndihmë të konsiderueshme për Rusinë. Ndoshta më e rëndësishmja është se ekonomia e Kinës vazhdon të luftojë në vështirësi. Ajo mbështetet shumë në eksportet dhe investimet e huaja. Vetëm kërcënimi i sanksioneve amerikane ka të ngjarë të pengojë kinezët, por përfshirja në Ukrainë ndoshta do të shkaktonte sanksione edhe nga Evropa. Evropa ka investuar shumë në frenimin e Rusisë në Ukrainë dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Evropa nuk ka asgjë për të fituar nga një fitore ruse dhe potencialisht shumë për të humbur. Kinezët nuk mund të paguanin çmimin e sanksioneve amerikane dhe evropiane.

Disa liderë evropianë, si kryeministri belg Alexander De Croo, kanë shprehur shqetësime serioze. Sipas mendimit të De Croo, “në të kaluarën, mendoj se … [Evropa] ka qenë paksa shumë e vetëkënaqur. … Në disa fusha … [Kina është bërë] një konkurrent i ashpër. Në disa fusha, ne gjithashtu shohim se ata kanë sjellje armiqësore. … Duhet të kuptojmë se në shumë fusha ekonomike, është gjithashtu [konkurrencë] gjeostrategjike.” Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha: “Ne jemi dëshmitarë të një përshpejtimi mjaft të … tensioneve [me Kinën]”.

Thënë kështu, kryeqytetet evropiane përballen me dy sfida paralele të ashpra ekonomike nga Pekini dhe Moska: varësia e tepërt, ndonëse manifestohet në mënyra të ndryshme. Ndërsa, shumë shtete evropiane janë tepër të varura nga energjia ruse, pjesa më e madhe e Evropës varet shumë nga tregtia dhe investimet në Kinë. Ndërsa çështja ruse e energjisë është e profilit të lartë, çështja e tregtisë dhe investimeve në Kinë është më pak e njohur. Kina është burimi numër një i mallrave të importuara të Evropës, duke zënë 22 për qind në vitin 2021. Kina është gjithashtu tregu i tretë më i madh për eksportet evropiane. Ndërkohë, sipas një studimi të fundit nga Rhodium Group, investimet e Bashkimit Evropian në Kinë janë të përqendruara në mesin e 10 investitorëve kryesorë evropianë, të cilët përbëjnë pothuajse 80 për qind të të gjitha investimeve evropiane në vend.

Mësimet nga Ukraina

Konflikti i zgjatur në Ukrainë ofron një rast konkret të paçmuar për të eksploruar se si duket bashkëpunimi Rusi-Kinë.

Ndërsa Putin ka të ngjarë të informojë Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste Kineze Xi Jinping se një “operacion special ushtarak” kundër Ukrainës do të ndodhte kur i pari të vizitonte Pekinin në prag të Lojërave Olimpike Dimërore 2022 në fillim të shkurtit, ka shumë më pak gjasa që diktatori rus ndau detaje në lidhje me shtrirjen ose kohën e pushtimit me homologun e tij kinez. Për më tepër, asnjë lider nuk mund të kishte parashikuar shkallën e paaftësisë operacionale dhe paaftësisë taktike të ushtrisë ruse nga njëra anë dhe rezistencën e vendosur të Ukrainës dhe efektivitetin e fushëbetejës nga ana tjetër.

Disa kanë pohuar se boshti Moskë-Pekin përbën një aleancë ushtarake të plotë, ndërsa të tjerë kanë argumentuar se marrëdhënia është pak më shumë se një “bosht komod”. Aleatët e vërtetë mbështesin njëri-tjetrin në kohë lufte dhe, nëse Kina dhe Rusia do të ishin aleatë ushtarakë, atëherë do të pritej që Pekini të paktën të ofronte armatime dhe ndihmë të tjera. Megjithatë, më shumë se tetë muaj pas konfliktit në Ukrainë, Pekini nuk duket se po i ofron armë aleatit të tij të supozuar. Në vend të kësaj, furnizuesit kryesorë për Moskën duket se janë Pheniani (për municione) dhe Teherani (për dronët). Pra, partneriteti strategjik “pa kufi” midis Kinës dhe Rusisë ka vërtet disa kufij.

Xi është “partneri i heshtur” i Putinit

Thënë kështu, mbështetja e heshtur ekonomike e Pekinit për Moskën – përmes tregtisë dhe shfrytëzimit të saj të vazhdueshëm dhe në zgjerim hapja e zbrazëtirave në sanksionet ndërkombëtare – i mundëson Rusisë. Sipas Reuters, dërgesat kineze në Rusi u rritën me më shumë se 26 përqind krahasuar me një vit më parë dhe importet u rritën pothuajse 60 përqind gjatë së njëjtës periudhë. Ndërsa Pekini mund të mos qëndrojë krah për krah me Moskën në fushën e betejës, Xi po ndihmon në financimin e luftës së Putinit.

Edhe pse Pekini ka kërkuar të distancohet nga Moska, mosmarrëveshja e vazhdueshme ushtarake e Rusisë në Ukrainë nuk ka bërë që Xi të ndërpresë marrëdhëniet e tij me Putinin. Nuk ka pasur asnjë ndarje të keqe të ngjashme me divorcin kino-sovjetik gjashtë dekada më parë. Përkundrazi, Pekini vazhdon të ndihmojë Moskën në mënyra të rëndësishme, por të ulëta. Ndërsa Kina ka refuzuar të mbështesë Rusinë në mënyrë aktive ose të hapur, Pekini ka refuzuar të dënojë publikisht agresionin rus. Për më tepër, më 14 nëntor në Samitin e G-20 në Indonezi, Xi thuhet se i tha Bidenit se Kina ishte “shumë e shqetësuar për situatën aktuale në Ukrainë” dhe dha lulëzime retorike duke këmbëngulur se “Kina … qëndroi në anën e paqes”. Xi gjithashtu i shpalli Bidenit se duhet të ketë “…bisedime paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës”.

Megjithatë, Kina nuk ka bërë asnjë lëvizje domethënëse drejt ndërmjetësimit. Në vend të kësaj, Xi i tha Bidenit: “shpresojmë që Shtetet e Bashkuara, NATO dhe BE të zhvillojnë dialog gjithëpërfshirës me Rusinë”. Për më tepër, në Uzbekistan, një muaj më parë, në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait 2022 më 15 shtator, Putin vlerësoi Xi për marrjen e një “pozicioni të ekuilibruar” ndaj Ukrainës. Në një kuptim real, Pekini, duke refuzuar të marrë publikisht anë dhe duke refuzuar të luajë një rol aktiv paqebërës në Kombet e Bashkuara ose në vende të tjera, është treguar se është “partneri i heshtur” i Moskës – një partner i heshtur që synon të ngadalësojë konfliktin. apo edhe ta ndalojë atë me kushte që janë të favorshme për Rusinë. Ndërsa pothuajse me siguri dëshiron një fund të konfliktit, Pekini do të preferonte shumë një rezultat që ruan sa më shumë që të jetë e mundur ndikimin gjeopolitik të Moskës dhe statusin e fuqisë së madhe.

Një arsye e dytë – një arsye që përputhet me të parën dhe është padyshim e pamundur – është përgjigja e mundshme ushtarake. Duke supozuar se Kina nuk ishte e penguar nga sanksionet ekonomike, SHBA-ja ruan opsione të rëndësishme ushtarake. Ekonomia e orientuar nga eksporti i Kinës mund të lulëzojë vetëm përmes ruajtjes së aksesit në tregtinë e hapur, veçanërisht tregtinë duke dalë nga portet e saj lindore. Nëse një shtet tjetër i bllokon këto porte dhe rrugët e tyre detare, sado të papërsosura, mund të jetë katastrofike për Pekinin. Kina mund të hakmerret, sigurisht, por duke e bërë këtë ka të ngjarë të mos paralizojë makinën e luftës së SHBA. Beteja pasuese detare, në çdo rast, do të gjymtonte tregtinë kineze edhe nëse Pekini “fitonte” – dhe nuk ka asnjë garanci se do të fitonte. Përfundimi është se Kina duhet t’i mbajë të hapura rrugët tregtare dhe do të shikonte rrugë të tjera për të shpëtuar fytyrën.

Arsyeja e tretë është çështje praktike. Distanca e madhe midis bazës industriale të Kinës dhe fushëbetejës së Ukrainës është thelbësore. Rusia ka të ngjarë të ketë nevojë për komunikimin e teknologjisë së lartë të Kinës, pajisjet e menaxhimit të fushëbetejës dhe armët relativisht të lehta. Këto lloj armësh kërkojnë teknikë të trajnuar dhe integrim në sistemet ruse. Transporti i sasive të mëdha të pajisjeve dhe personelit do të kërkonte transport ajror ose hekurudhor. Çdo sasi e pajisjeve që do të bënte një ndryshim do të kërkonte linja furnizimi që do të duhej të mbroheshin. Është një detyrë e frikshme që kërkon shumë më tepër përfshirje nga sa mendojnë shumë.

Ndoshta ka arsye të tjera që Kina nuk do të dërgojë asgjë importi në Rusi, por të gjitha ato i nënshtrohen realitetit që Kina nuk mund të përballojë pasojat ekonomike. Gjërat janë mjaft të vështira në Kinë pa hapur një front kundër SHBA-së. Për të qenë të qartë, Pekini mund të dërgojë një numër të vogël pajisjesh relativisht të parëndësishme, por kjo nuk është aspak një prelud i Luftës së Tretë Botërore.

Goditje të ndryshme

Rasti i Ukrainës thekson gjithashtu stilet e ndryshme të adoptuara dhe kërcënimet e paraqitura ndaj Evropës dhe Shteteve të Bashkuara nga Rusia dhe Kina dhe mënyrat e tyre të preferuara të bashkëpunimit. Moska priret të jetë më e neveritshme dhe e drejtpërdrejtë në bërjen e ligësisë. Siç vuri në dukje Ken McCallum, drejtori i përgjithshëm i MI5 – shërbimi kundërzbulues i Mbretërisë së Bashkuar – në nëntor 2022, “Rusia nuk mendon asgjë për të hedhur një bërryl në fytyrë dhe në mënyrë rutinore mashtron për të arritur rrugën e saj.” Sigurisht, në Ukrainë, Moska nuk ka pasur asnjë shqetësim për shkaktimin e vdekjeve dhe shkatërrimeve masive kundër objektivave civile.

Në të kundërt, Pekini është më i prirur për të marrë një përdorim më pak agresiv ose të paktën më të matur të forcës dhe qasje të ulët (me përjashtim të vendit). Natyrisht, për sa i përket Tajvanit, Kina ka qenë e drejtpërdrejtë në shprehjen e pakënaqësisë së saj dhe nuk është përbuzur nga shfaqjet në shkallë të gjerë të fuqisë ushtarake në afërsi të ishullit, veçanërisht menjëherë pas vizitës së Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në Taipei në gusht. Megjithatë, Kina deri më tani është përmbajtur nga sulmet aktuale kinetike kundër objektivave të Tajvanit, aq më pak ka nisur një pushtim të drejtpërdrejtë të ishullit. Megjithatë, Xi e ka lidhur tashmë zyrtarisht arritjen e bashkimit me Tajvanin me realizimin e ëndrrës së Kinës për përtëritje kombëtare. Për më tepër, Kina, nën drejtimin e Xi, ka iniciuar dhe mbështetur një fushatë të bashkërenduar të forcimit ushtarak dhe frikësimit politik kundër ishullit në muajt e fundit.

Për sa i përket pushtimit rus të Ukrainës, Kina ka punuar me zell në arena, si Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe Asambleja e Përgjithshme, për të bllokuar rezolutat që dënojnë Rusinë. McCallum vëren se Kina paraqet “një rend sfide të ndryshme [se Rusia]”. Ndryshe nga Moska, Pekini është i prirur të punojë brenda sistemit, duke shfrytëzuar pozicionin dhe ndikimin e tij për të mbrojtur aksionet e tij dhe për të avancuar interesat e tij. Përtej kësaj, Kina është bërë një person i brendshëm i zgjuar dhe McCallum, duke përdorur një analogji sportive konkurruese, pohon se Pekini “… po përpiqet të rishkruajë librin e rregullave, [dhe madje] ta blejë ligën…”.

Problemi me Koordinimin

Si përmbledhje, bashkëpunimi midis Kinës dhe Rusisë tenton të duket më shumë si koordinim. Megjithatë, për të gjykuar nga koordinimi midis Moskës dhe Pekinit për Ukrainën, kjo mund të jetë ende efektive në arritjen e qëllimeve të kufizuara të këtyre dy partnerëve. Xi mund ta ketë vlerësuar pushtimin e Ukrainës nga Putini si një gabim serioz, duke theksuar statusin e Rusisë si një fuqi e madhe në rënie. Megjithatë, Xi ka më shumë gjasa të kërkojë mënyra për të mbështetur Putinin në vend që të largohet.

Kina nuk ka opsione të mira për partnerë strategjikë të besueshëm me të njëjtin mendim, me peshë për të balancuar kundër Shteteve të Bashkuara. Të gjithë aleatët e mirë janë marrë. Megjithatë, edhe një partneritet i kufizuar midis një uragani dhe ndryshimit të klimës mund të bëjë kërdi mbi vendet që i pengojnë. 

Literatura nga

Andrew Scobell, Ph.D.;  Niklas Swanström, Ph.D. Instsituti Amerikan i Paqes 

George Friedman është një parashikues dhe strateg gjeopolitik, kryetar i Geopolitic Futures.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1807
  • 1808
  • 1809
  • 1810
  • 1811
  • …
  • 2789
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT