• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pikniku i 3-të i fundvitit shkollor nga Shkolla Shqipe Dy-Gjuhësore “Children of the Eagle”

June 19, 2023 by s p

Drita Gjongecaj

17 Qershor, 2023/

Në mbyllje të edhe një viti tjetër shkollor, nxënësit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle”, prindër e mësues kaluan një ditë festive nën peisazhin e bukur dhe ambientet e Saxon Woods Park në Westchester, NY.

Ata që gëzonin më shumë ishin natyrisht fëmijët. Ata luanin në grupe në këndin e lojërave (playground) që vetë parku ofron, si dhe me lojëra të tjera të organizuara në grupe. Ajo që i entuziazmoi më shumë fëmijët ishin vizatimet e figurave të ndryshme në fytyrë (face painting) sipas preferencës së tyre. Ishte pikërisht Prof. Mirjana Lukic, drejtuese e procesit mësimor në “Children of the Eagle”, njëkohësisht Pedagoge në dy kolegje prestigjoze që përgatitin mësuesit e ardhshëm në New York, ajo që me shumë thjeshtësi dhe durim “vizatoi” fytyrat e bukura engjëllore të më të vegjëlve.

Fëmijëve iu ndanë edhe certifikatat e përfundimit të programit vjetor të gjuhës shqipe dhe historisë e kulturës kombëtare. Për më tepër, atyre iu shpërndanë edhe lodra të ndryshme përfshi canta shkolle apo makina llogaritëse (calculators) që së shpejti do t’i përdorin në vitin e ri shkollor.

Të rriturit gëzuan nën tingujt e muzikës dhe shkëmbyen biseda të ndryshme. Në mes tyre dallonin mësuesit jo vetëm nga shkolla shqipe por edhe nga shkolla publike të New Yorkut, si dhe të tjerë që janë në procesin e certifikimit në profesionin e mësuesisë.

Midis nesh ishte edhe Albanian Culture TV që për mbi 25 vjet ka ndjekur dhe pasqyruar jetën e komunitetit tonë në NY e më gjerë dhe që arsimimit i kushton vemendje të vecantë.

Gjejmë rastin të falenderojmë me mirënjohje Organizatën AAWO Motrat Qiriazi, si dhe z. Tush Musaj, aktivist dhe suportues i shkollave shqipe, për partneritetin dhe mbështetjen në organizmin me sukses të piknikut të tretë vjetor të fundvitit shkollor 2023.

Padyshim, falenderimi më i madh mbetet për mësuesit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” që punojnë gjatë gjithë vitit me përkushtim me nxënës të moshave të ndryshme. Falë punës së tyre, identiteti ruhet, dhe gjuha, kultura, traditat përcillen brez pas brezi.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Drita Gjongecaj

VIGANI I ÇËSHTJES KOMBËTARE

June 19, 2023 by s p

Prof. Xhafer Beqiraj/

(Në ceremoninë e 80-vjetorit të lindjes së Profesor Ukshin Hotit)

Të flasësh për përsonalitetin shumëpërmasësh të Ukshin Hotit, është e pamundur që ta përmbledhësh biografinë e tij në një shkrim si ky. Në të vërtetë, do të duheshin ditë e ditë të tëra për të përshkruar jetën dhe veprën e këtij vigani atdhetar. Andaj, sa është privilegj për ne të flasim për të, po aq e vështirë dhe me përgjegjësi, sepse nuk do të arrijmë t’i themi të gjitha për jetën dhe për bëmat e mëdha dhe heroike të profesor Ukshin Hotit.

Ukshin Hoti lindi më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin e tij, ndërsa shkollën normale e përfundoi në Prizren dhe në Prishtinë. Më pas vazhdoi studimet në Zagreb në Fakultetin e Shkencave Politike, kurse studimet pasuniversitare i kreu në Beograd, drejtimi i Marrëdhënieve Politike dhe Ekonomike Ndërkombëtare. Në vitet 1977-1978 kryen studimet pasuniversitare në Universitetin e Çikagos, të Harvardit dhe të Uashingtonit dhe ishte ndër të parët studentë të këtij rajoni që fitoi të drejtën të jetë pjesë e programit fullbrajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Që nga fillimi i viteve ’70-ta e gjer në rënien e tij në burg më 1981, ka ushtruar disa funksione me peshë të veçantë politike, akademike e arsimore. Ka qenë anëtar i të gjitha forumeve federale të ish-Jugosllavisë që merreshin me politikë ndërkombëtare. Ai ishte sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Kosovës dhe anëtar i forumeve federative, republikane dhe krahinore që merreshin me politikë të jashtme në ish-Jugosllavi.

Në Kosovë, përpos funksioneve politike, ka qenë edhe ligjërues në Fakultetin Juridik dhe në Fakultetin Filozofik. Ishte i pari politikan që vuri themelet e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me SHBA-në, me Shqipërinë e me vende të tjera perëndimore. Në vitin 1981 ishte njëri ndër të paktë politikanë e intelektualë që e përkrahu hapur Republikën e Kosovës. Qëndrimi i tij kombëtar e demokratik në vitin 1981 ishte një shembull i papërsëritshëm për proceset demokratike në hapësirën e Europës Lindore komuniste. Në atë kohë, Kosova bashkë me Poloninë filloi të lëvizte drejt dritës, drejt një të ardhmeje të natyrshme demokratike që u takonte edhe popujve të kësaj pjese të Europës. Por shteti komunist jugosllav, me ndihmën ish-komunistëve të atëhershëm të Kosovës që ishin në pushtet, nuk ngurroi ta dënojë Ukshin Hotin me nëntë vjet burg. Pas daljes nga burgu, shteti komunist e izoloi plotësisht. Ndonëse ishte i braktisur prej të gjithëve, sulmi ndaj tij filloi edhe në pikën më të ndjeshme të njeriut. Natyrisht, ky ishte një mësim i kursit famëkeq dhe të pashembullt të shtetit serbo-sllav, ku nuk mungonin as shqiptarët e mjerë. I lodhur më 1990, Ukshin Hoti vendos të shkojë në Lubjanë. Atje punon në revistën “Alternativa” dhe “Republika”. Më vonë nxjerr revistën “Demokracia autentike”, të cilën e drejton vetë. Por pas një kohe të shkurtër ia bllokojnë revistën përmes financave. I papunë kthehet në Kosovë. Studentët e Universitetit të Prishtinës, duke e njohur se kush ishte profesor Ukshin Hoti, bëjnë të pamundurën që atë ta kenë përsëri në katedër, andaj i mbështetur nga ta, pranohet më në fund në fakultet ku kishte qenë edhe më parë.

Më 1993 e kryen edhe dënimin e dytë për shkak se e kishte thyer kordonin e policisë speciale serbe te Bërryli i Nagafcit me disa qindra bashkatdhetarë. Policia speciale serbe nuk kishte dashur t‘i lejonte ata që t‘u bënin homazhe dëshmorëve të demokracisë të rënë më 27 janar 1990 në Brestofc. Në prag të zgjedhjes së tij kryetar i UNIKOMB-it arrestohet sërish, e kësaj radhe dënohet me pesë vjet burg, gjithnjë me arsyetime tashmë të njohura të shtetit kriminal serb.

Lufta në Kosovë e zë Ukshin Hotin në burg. Më 16 maj të vitit 1999 ai është parë për herë të fundit nga shokët e burgut në Dubravë dhe po këtë ditë, pra, një ditë përpara se të përfundojë vuajtjen e dënimit, një ditë përpara se të mbushë pesë vjet burg. Ukshin Hoti është nxjerrë prej andej me dy përcjellës. Që nga 16 maji askush nuk di asgjë për fatin e këtij njeriu të madh të kombit.

Profesor Ushin Hoti, siç theksuam që në fillim, është personalitet shumëpërmasësh e shumë kompleks, sepse vetë jeta dhe veprimtaria e tij, si te askush tjetër, shpërfaq një figurë kombëtare e intelektuale të pakundshoq, duke filluar që nga mosha rinore e deri në përjetësi, sepse ai e mundi edhe vdekjen.

Ukshin Hoti nga burgu më 1998 shkruante: “E besoj se nuk është në natyrën e njeriut dhe as të kombit të pajtohet me statusin e robit. Jam plotësisht i vetëdijshëm se ajo – UÇK-ja – solli me vete jo vetëm ndikimin rrënjësor në realitetin politik shqiptar dhe jashtëshqiptar, ndryshimin e tyre, por edhe shumë të panjohura në vetë atë realitet dhe në ambientin ku është vendosur. Me gjithë keqardhjen e sinqertë për viktimat dhe konsekuencat e luftës, kam besim të plotë se UÇK-ja, ashtu siç doli në skenë, në mënyrë dinjitoze dhe efikase do të dijë ta përmbushë misionin e vet, duke e mundur edhe luftën si të tillë, ose së paku, t’i kontribuojë edhe këtij qëllimi, me karakter universal, gjithënjerëzor dhe fisnik.” (Ky paragraf nga z. Selami Hoti).

Profesori universitar, shkrimtari, politikani, filozofi i përmasave kombëtare, europiane e më gjerë, zëri i ndërgjegjes kombëtare shqiptare – profesor Ukshin Hoti – është tribun i kombit dhe si i tillë do të jetë përjetësisht. Veprat e tij janë e do të jenë diell e hënë për ne, sepse na rezatojnë ditën e na ndriçojnë natën. Veprat e tij, përveç shumë shkrimeve të tjera, janë “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”, “Bisedë përmes hekurash” dhe “Lufta e Ftohtë dhe Detanti”.

* * *

Ka 24 vjet që e përkujtojmë jetën dhe veprën e profesor Ukshin Hotit vit për vit, por deri më tani, as Akademitë e Shkencave tona, as Institutet, as institucionet e tjera nuk kanë marrë mundin të hartojnë deri më tani, qoftë edhe një monografi shkencore për jetën dhe veprimtarinë e këtij vigani të çështjes kombëtare. Kështu që propozoj të hartohet një monografi për profesor Ukshin Hotin nga Universiteti ynë – emrin e të cilit e mban me krenari.

(…)

Lavdi jetës dhe veprës së pavdekshme të Profesor Ukshin Hotit!

Filed Under: LETERSI

BARBARËT U RIKTHYEN SËRISH TINËZISHT SI BURRACAKË!

June 19, 2023 by s p

Mehmet Prishtina/

Tensionet në veri të Kosovës po kalojnë nëpër një fazë tepër dramatike. Askush nuk do ta besonte se 24 vjet pas çlirimit të vendit, sërish do të jemi të kërcënuar nga i njëjti agresor, për të cilin kishim menduar se e kemi dëbuar nga vendi ynë. Por, ky si duket paska qenë një iluzion, sepse sot në territorin tonë janë kidnapuar tre policë tanë dhe kjo flet për një gjendje, e cila nuk do të duhej të jetë brengë vetëm e Kosovës, por edhe bashkësisë ndërkombëtare. Cenimi i sovranitetit territorial të një shteti, ndryshe kualifikohet edhe si agresion i hapur e në rastin konkret i planifikuar dhë urdhëruar nga vet kreu i shtetit te serbis, por çuditërisht kancelaritë diplomatike me heshtjen e tyre sikur lënë përshtypje se komandosët serbë që depërtuan në territorin tonë, kishin dalur për ndonjë piknik dhe në fund të ditës ishin kthyer me tre policë tanë, të lidhur dhe me duar pas shpine. Vetëm një shtet i mjerë si Serbia bën veprime të tilla të pa dinjitetshme dhe kjo flet shumë për karakterin moral e njerëzor të politikës që udhëheq atë shtet..

Reagimet ndryshme në Kosovë, sidomos te një pjesë e eksponentëve të opozitës dhe të mediave, çuditërisht përputhen me një narrativ që ata e kanë ndërtuar tash e disa vite se Kosova gjoja nuk ka kapacitete të mbrojë territorin e vet dhe cilido politikan që bën përpjekje ta shtrijë sovranitetin në gjithë territorin do të satanizohet dhe linçohet me etiketat më denigruese. Kemi ardhur në një pikë kritike dhe tepër absurde ku çdo kush që bën përpjekje të përkrah qëndrimet e Qeverisë së Kosovës mbi zhvillimet aktuale në veri të vendit, të kualifikohen si qëndrime antiamerikane. Kosova është shoqëria më proamerikane në Evropë dhe mbi 50 për qind e kësaj shoqërie e kanë votuar këtë Kryeministër, prandaj bien në ujë të gjitha insinuatat se gjoja veprimet fundit politike të Qeverisë së Kosovës janë të orientuara kundër interesave amerikane. Përkundrazi. Serbia është ajo që po e shantazhon shtetin tonë, duke dashur që përmes zgjerimit të botës serbe, ta zgjerojë edhe ndikimin rus në këtë pjesë të Ballkanit Perendimor. Nëse kundërshtimi i këtij ndikimi, siç po vepron aktualisht qeveri a jonë, qenka antiamerikanizëm, atëherë paskan ndryshuar krejtësisht parametrat se si matet proamerikanizmi. Ne e dijmë se si maten këto parametra në Serbi, ku sipas të gjitha anketave rezulton të jetë populli më prorus në Evropë dhe për pasojë disponimi antiamerikan është rrjedhojë e këtij orientimi filorus.

Ne mund të jemi kritik ndaj politikanit Kurti për shumë çështje politike që ai i menaxhon, por kur është në pyetje qëndrimi ndaj Serbisë, ne të gjithë duhet të jemi unik. Mungesa këtij uniteti, ka krijuar plasaritje edhe në leximin e situatës nga diplomacia ndërkombëtare dhe krejt kjo shkon në konton pozitive të Vuçiqit. Është e pafalshme që Vuçiqi të përfitoj nga përçarja jonë. Që nesër duhet të organizohen protesta e peticione për lirimin policëve tanë që padrejtësisht po mbahen peng nga Serbia dhe mbi këtë diskurs publik të fillojmë të ndërtojmë një narrativ të ri mbi zhvillimet në të ardhmen.

Krejt në fund, po e citoj të plotë një shkrim të kryeredaktorit të gazetës shqiptaro –amerikane “Illyria”, Ruben Avxhiu, i cili teksa e përshkruan aktin e sotëm të turpshëm të komandove serbe në territoiun tonë, ndër të tjera shkruan:

24 vjet më parë, forcat serbe u larguan nga Kosova, duke marrë me vete mbi një mijë trupa civilësh të vrarë. Nuk morën dot më shumë se NATO-ja po hynte me shpejtësi dhe koha u bë papritur shumë e shkurtër. Arsyeja se pse i morën, ishte që t’ia fshihnin drejtësisë ndërkombëtare dhe historisë. I morën e i hodhën nëpër Serbi, nëntokë, në varre masive, si ato në Batajnicë, në lumin Danub si në atë rastin kur u zbuluan brenda një furgoni, në liqene, e fusha e ku mundën.

Sot, 24 vite më vonë, u rikthyen, ashtu si ikën, tinëzisht, si burracakë. Kapën tre trupa, i rrëmbyen dhe ikën përsëri si atëherë. U rikthyen për të na kujtuar se nuk kanë ndryshuar, se 24 vjet më vonë, është po ajo Serbia që mbajmë ”.

Prandaj sot kemi nevojë jo thjeshtë për unitet prej zorit, por për mirëkuptim vëllazëror Kosovë-Shqipëri, pa hile dhe pa teke politike, sepse rrezikimi i një pjese të territoreve tona, kërcënon stabilitetin e gjithë rajonit, ku ne pashmangshëm jemi pika më neuralgjike.

Filed Under: Analiza

FOLËM PËR ZAGREBIN SHQIP

June 19, 2023 by s p

Melita Oreskovic/

Nxënësit e mësimit shqip të Zagrebit e përfunduan sot vitin shkollor me shëtitjen edukativo-turistike në Zagreb, tē drejtuar nga mësuesja e tyre Melita Orešković dhe udhëheqësja turistike Đurđica Ramqaj. Në këtë mësim ne terren fëmijët dhe prindërit e tyre mësuan shumë gjëra intresante për Zagrebin, histori e legjenda, për objektet dhe trashëgimninë kulturore të Zagrebit, për lidhjet shqiptaro-kroate, zejtarët shqiptarë e tjerë. Fëmijēt, gjyshet, prindërit dhe organizatorët nē përfundim të shëtitjes u shoqëruan ne parkun e Zrinjevacit, ku fëmijët luajtën, vallëzuan, recituan e kënduan. Nxënësit u shoqëruan edhe nga anëtaret e Këshillit Vildana dhe Selda, ndërsa në përfundim u përshëndetën nga kryetari ri Emirat Asipi. Programi u organizua nga Këshilli i pakicës kombëtare shqiptare të Zagrebit.

#diasporashqiptareeKroacisë

#gjuhashqipe

#fëmijëtshqiptarë

Filed Under: Reportazh

Paralajmërimi i Heidegger-it

June 19, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Asnjë filozof nuk ka dhënë një vërejtje më bindëse se Martin Heidegger, se njerëzimi është në luftë për ekzistencë; ajo çfarë ka është një gjë mjaft rrëshqitëse që përfaqëson qindra mijëra vjet improvizime për të mbijetuar.

Si specie, njerëzimi nuk ka arritur aq shumë gjëra gjatë rrjedhës së ekzistencës brenda biosferës së këtij planeti; përkundrazi i është përgjigjur një kërkese apo një tjetre sipas nevojave të tij gjatë shekujve; njeriu ka krijuar pa dashje atë që përbën një habitat – një koshere – ashtu si bletët i bëjnë kosheret e tyre shumë më të prekshme dhe më të dukshme.

Ky ekzoskeleton njerëzor i lidhur në rrjet shtrihet vazhdimisht, ndonjëherë përtej kapacitetit, për të akomoduar diversitetin dhe kompleksitetin e pafund që mbizotëron në këtë planet. Ndonjëherë kjo shtrirje arrin përmasa absurde.

Dy koncepte të tjera Heideggeriane janë të dobishme; fshehja dhe zbulimi (loja ku-ke-me u-fsheh)

Ajo që njerëzimi provon, në thelb, funksionon si kulmi i përpjekjeve për të mbijetuar. Megjithatë, fakti i thjeshtë se ky është kulmi i improvizimit, tregon se sa shumë janë zbuluar ose janë fshehur gjatë shekujve. Njerëzimi nuk e ndërtoi “kosheren” mbi bazën e një plani, por më tepër në përgjigje të nevojave; dhe gjatë gjithë improvizimit, faktet zbulohen dhe fshihen në mënyrë alternative. Gjetja fajtor ose jo, varet nga zotësia e avokatit, rryshfeti, dhe mëshira e gjykatësit.

Në një kuptim shumë të vërtetë, njeriu nuk është në gjendje të përfitojë nga të gjitha improvizimet – sepse përballet me më shumë nevoja që kërkojnë gjithnjë e më shumë improvizime, dhe narrativa shtrohet në formën e dogmave dhe ideologjive që venë në shenjë njeriun.

Në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, njerëzimi ka shënuar kapërcime gjigante në teknologjinë e informacionit, gjë që ka çuar në një kryqëzim teknologjik – disa paralajmërojnë se mund të jetë më i rrezikshmi në histori. Shumë e shohin atë si mjetin me të cilin njerëzimi, më në fund, do të jetë në gjendje të dalë nga ciklet e pafundme të lojës së zbulimit dhe fshehjes – për të jetuar mes botës së pamasë të informacionit.

Të tjerë, megjithatë, shprehin frikën se çdo gjë me këtë nivel fuqie mund të nxisë nivele më të larta plogështie që çojnë me kalimin e kohës në diçka që i ngjan robërisë njerëzore.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1807
  • 1808
  • 1809
  • 1810
  • 1811
  • …
  • 2976
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare
  • Speaking this Saturday, May 2, at the NYFCR Annual Statewide Conference with students and young leaders from across New York
  • Për çfarë ka nevojë Shqipëria?
  • Ernesto Sabato, gjeniu i letërsisë latino-amerikane që u rrit në prehrin e një nëne shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT