
Mehmet Prishtina/
Tensionet në veri të Kosovës po kalojnë nëpër një fazë tepër dramatike. Askush nuk do ta besonte se 24 vjet pas çlirimit të vendit, sërish do të jemi të kërcënuar nga i njëjti agresor, për të cilin kishim menduar se e kemi dëbuar nga vendi ynë. Por, ky si duket paska qenë një iluzion, sepse sot në territorin tonë janë kidnapuar tre policë tanë dhe kjo flet për një gjendje, e cila nuk do të duhej të jetë brengë vetëm e Kosovës, por edhe bashkësisë ndërkombëtare. Cenimi i sovranitetit territorial të një shteti, ndryshe kualifikohet edhe si agresion i hapur e në rastin konkret i planifikuar dhë urdhëruar nga vet kreu i shtetit te serbis, por çuditërisht kancelaritë diplomatike me heshtjen e tyre sikur lënë përshtypje se komandosët serbë që depërtuan në territorin tonë, kishin dalur për ndonjë piknik dhe në fund të ditës ishin kthyer me tre policë tanë, të lidhur dhe me duar pas shpine. Vetëm një shtet i mjerë si Serbia bën veprime të tilla të pa dinjitetshme dhe kjo flet shumë për karakterin moral e njerëzor të politikës që udhëheq atë shtet..
Reagimet ndryshme në Kosovë, sidomos te një pjesë e eksponentëve të opozitës dhe të mediave, çuditërisht përputhen me një narrativ që ata e kanë ndërtuar tash e disa vite se Kosova gjoja nuk ka kapacitete të mbrojë territorin e vet dhe cilido politikan që bën përpjekje ta shtrijë sovranitetin në gjithë territorin do të satanizohet dhe linçohet me etiketat më denigruese. Kemi ardhur në një pikë kritike dhe tepër absurde ku çdo kush që bën përpjekje të përkrah qëndrimet e Qeverisë së Kosovës mbi zhvillimet aktuale në veri të vendit, të kualifikohen si qëndrime antiamerikane. Kosova është shoqëria më proamerikane në Evropë dhe mbi 50 për qind e kësaj shoqërie e kanë votuar këtë Kryeministër, prandaj bien në ujë të gjitha insinuatat se gjoja veprimet fundit politike të Qeverisë së Kosovës janë të orientuara kundër interesave amerikane. Përkundrazi. Serbia është ajo që po e shantazhon shtetin tonë, duke dashur që përmes zgjerimit të botës serbe, ta zgjerojë edhe ndikimin rus në këtë pjesë të Ballkanit Perendimor. Nëse kundërshtimi i këtij ndikimi, siç po vepron aktualisht qeveri a jonë, qenka antiamerikanizëm, atëherë paskan ndryshuar krejtësisht parametrat se si matet proamerikanizmi. Ne e dijmë se si maten këto parametra në Serbi, ku sipas të gjitha anketave rezulton të jetë populli më prorus në Evropë dhe për pasojë disponimi antiamerikan është rrjedhojë e këtij orientimi filorus.
Ne mund të jemi kritik ndaj politikanit Kurti për shumë çështje politike që ai i menaxhon, por kur është në pyetje qëndrimi ndaj Serbisë, ne të gjithë duhet të jemi unik. Mungesa këtij uniteti, ka krijuar plasaritje edhe në leximin e situatës nga diplomacia ndërkombëtare dhe krejt kjo shkon në konton pozitive të Vuçiqit. Është e pafalshme që Vuçiqi të përfitoj nga përçarja jonë. Që nesër duhet të organizohen protesta e peticione për lirimin policëve tanë që padrejtësisht po mbahen peng nga Serbia dhe mbi këtë diskurs publik të fillojmë të ndërtojmë një narrativ të ri mbi zhvillimet në të ardhmen.
Krejt në fund, po e citoj të plotë një shkrim të kryeredaktorit të gazetës shqiptaro –amerikane “Illyria”, Ruben Avxhiu, i cili teksa e përshkruan aktin e sotëm të turpshëm të komandove serbe në territoiun tonë, ndër të tjera shkruan:
24 vjet më parë, forcat serbe u larguan nga Kosova, duke marrë me vete mbi një mijë trupa civilësh të vrarë. Nuk morën dot më shumë se NATO-ja po hynte me shpejtësi dhe koha u bë papritur shumë e shkurtër. Arsyeja se pse i morën, ishte që t’ia fshihnin drejtësisë ndërkombëtare dhe historisë. I morën e i hodhën nëpër Serbi, nëntokë, në varre masive, si ato në Batajnicë, në lumin Danub si në atë rastin kur u zbuluan brenda një furgoni, në liqene, e fusha e ku mundën.
Sot, 24 vite më vonë, u rikthyen, ashtu si ikën, tinëzisht, si burracakë. Kapën tre trupa, i rrëmbyen dhe ikën përsëri si atëherë. U rikthyen për të na kujtuar se nuk kanë ndryshuar, se 24 vjet më vonë, është po ajo Serbia që mbajmë ”.
Prandaj sot kemi nevojë jo thjeshtë për unitet prej zorit, por për mirëkuptim vëllazëror Kosovë-Shqipëri, pa hile dhe pa teke politike, sepse rrezikimi i një pjese të territoreve tona, kërcënon stabilitetin e gjithë rajonit, ku ne pashmangshëm jemi pika më neuralgjike.