• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova përkujton heronjtë e kombit

February 1, 2023 by s p

– Kryeministri Kurti: Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin kushtrimi për luftë çlirimtare/

PRISHTINË, 31 Janar 2023-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë përkujtohen heronjët e kombit. Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryeministri Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla së bashku bënë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në sheshin me emrin etij në Prishtinë, në 26 vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Para 26 viteve, në 31 Janar 1997, në fshatin Pestovë – në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, rrugës Prishtinë-Mitrovicë, drejt realizimit të një misioni të veçantë, ranë heroikisht në krye të detyrës heronjët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, komandanti Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, tre nga drejtuesit e luftës çlirimtare të UÇK-së.

Duke kujtuar e përkujtuar komandantin Zahir Pajaziti dhe dëshmorët e tjerë të kombit, në të njëjtën kohë ne tregojmë se sa i madh ishte çmimi për lirinë tonë, për shtetin tonë, për pavarësinë tonë dhe se sa i vlefshëm për të tashmen dhe të ardhmen është ky kujtim e ky përkujtim që bëhet si nga institucionet, po ashtu edhe nga qytetarët e vendit tonë, tha Kryeministri Kurti.

Ai tha se Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin kushtrimi për luftë çlirimtare, por njëkohësisht ishin edhe pararendës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, meqenëse ata kryenin aksione çlirimtare edhe para se të fillonte lufta.

Filed Under: Rajon

KONTI I SONETEVE

February 1, 2023 by s p

NGA FERRI NË PARAJSË…

– për Uran Kostrecin, në 85 vjetorin

e lindjes, sa pa ikur janari i tij –

Nga Visar Zhiti

Edhe ti dje a pardje, njëlloj është, gjithmonë në të kaluarën, kishe datëlindjen, se në të tashmen s’ndodh asgjë për Ty, vetëm harrim…

Ke qenë në burg gjatë, shumë gjatë se nuk duronin dot kundërshtitë e tua, ëndrrën tënde të lirisë, por sot nuk durojnë dot poezinë tënde të shkruar në burg, janë me kafazin, jo me zogun flatra-dhëmbur, ndoshta kështu do të nisje ti një sonet të ri…

Por unë po shtoj fjalët që kam thënë për ty, bashkëvuajtës shpirti:

NJË TITULL NDERI

Më vjen të vë titullin “Kont” tani që shkruaj Uran Kostreci, jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II a të dy ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë, na e dëshmon historia, por kështu dhe Urani im, i qendroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptuar asnjëhere, i pa epur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë, i dhëmbshur deri në lotë, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tringëllimës në shqip, që e shkruajti pa ndërprerje, e buronte, me një begati rimash, duke e bërë armën e tij, si një shpatë argjendi marciale, plot gurë të çmuar, me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të Ballit të Kombit. Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekorate. Vërtet Uran Kostreci kishte diçka kalorsiake prej konti, një vetmi fisnike dhe me miq plot, bredharak dhe i qendrueshëm, që s’të falte dhe falës, zë lartë dhe i urtë, dinjitoz e i hijshëm, i gjatë, me një kapele republike mbi krye, si një enigmë, me një shkak. Dhe me mendime republikane, konservatore, me cigaren në buzë si një shpotí, duhej ca tym, duhej. Portret dhe poeti dhe ashtu ishte. I përkiste letërsisë tjetër, asaj që erdhi nga burgjet dhe internimet. Dhe në librin tim, në sprovën “Kartela të Realizmit të Dënuar”, është dhe ajo e ustait të soneteve, qendrestarit të burgjeve që tha: “burgu s’më bëri asgjë mua”. E gjithë vuajtja për këtë sfidë…

KARTELA E DHËMBSHME

E URAN KOSTRECIT:

…pasionanti i soneteve të klasicizmit, i atyre tringëllimave që duket se u krijuan qysh në shekullin XIII për t’i kënduar dashurisë dhe gëzimeve, por që në poezinë moderne shqipe, në letërsinë tjetër, u kthyen në klithma apokaliptike. Që i vogël Uran Kostreci u njoh me persekutimin komunist, i arrestojnë babanë si nacionalist, i nxjerrin nga shtëpia familjarisht… duke u rritur, duke iu shtuar dëshira për shkollë, ia del të mbarojë “Normalen” e Elbasanit, bëhet dhe mësues, por do të shkruante keq në një poezi për Enverin, vetëm arratisja do të mund ta shpëtonte, por e kapin në Liqenin e Pogradecit dhe e dënojnë me burg, e mbyllin në Burrel… I burgosuri Ejëll Çoba i dha mësime italishteje dhe Danten, Koço Tasi i bëri filozofi, Kudret Kokoshi i përforcoi sonetin dhe nacionalizmin, ndërsa rebelizmin e kishte vetë në gjak. Kur ishte në vitin e 15–të të burgut, e dënojnë prapë me 8 vjet të tjera, me akuzën se kishte sharë Enverin, hakamarrje për poezinë që nuk ia gjetën dikur. Mbas 20 vitesh, e lirojnë, sipas tij nga shkaku i “Lëvizjeve në Kosovë”. Punon hamall dhe e arrestojnë prapë dhe prapë në internim dhe ai prapë do që të arratiset dhe arrestojnë në tren dhe ai u ikën prapë… kur përmendet nga goditja me hekur në kokë, e sheh veten me pranga në duar. Mbas torturave të shpejta, një gjyq i shpejtë në Elbasan dhe e dënojnë me 3 vjet të tjera burg. “Epopeja e karkalecave”, poemë e Uran Kostrecit doli nga burgu bashkë me të, jo e shkruar, e kishte në mbamendje dhe u bë e njohur si satire. s’bëhet fjalë për epideminë e karkalecëve, që ra kur komunistët morën pushtetin, por është si një kacafytje letrare me një satirë tjetër të një shkrimtari të socrealizmit, e cila qe futur dhe në tekstet e shkollave, nga që përqeshte patriotët dhe luftën e tyre duke shtrembëruar të vërtetat historike. Urani i soneteve, i zgjedhur dhe si kryetar i Partisë Demokratike në Elbasan, i përvishet punës së antigenocidit, heton nga ata që ishin përgjegjës për persekutimet komuniste, nja 30 të tillë i bëjnë gati dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, por lirohen shpejt nga rrëmujat e ’97 dhe mbetet i rrezikuari përsëri Urani i burgjeve dhe ikën, tani ia del, shkon në SHBA, kërkon strehim politik dhe strehohet te shoqata shqiparo–amerikane “Vatra”. Në 2007 kthehet në atdhe, boton një libër me sonete dhe një novelë. Shkruan sonete vazhdimisht, edhe kur ishte 80 vjeç, ja atje mes njerëzve te një tryezë në kafenenë “Piazza” në qendër të Tiranës dhe nuk e heqte nga kryet borsalinën.

Ca kuqo artistë, a për frik’ a për pare,

Kur ferr qe Atdheu, iu lëpin tiranit:

Ja shitnë ata, gjer dje, shpirtin shejtanit!

Duke u tërhequr… këmba–dore zvarre,

Bënë ata filma e rrejtën ashiqare,

Se kuqot gjasme i dhan’ dërmën gjermanit..

Ndonse vran’ shqipo për qejf të Dushanit!

Çka u bë dje, s’po thotë askush gjë fare,

Po qysh dhe sot… ca filma me kulakë,

Spiunë amerikanë e priftërinj,

Prap’ shfaqen… çoroditin mjaft të rinj,

Që s’njohin komunizmë e s’dinë aspak

Qysh kuqua Atdhen burgosi, derdhi gjak

E n’ internim ai vrau dhe çiliminj.

Ishte soneti ÇORODITJE, një mesazh me vlerë për gjithë artet e letërsinë…

A e dinin pse Uran Kostreci e mbante borsalinën vazhdimisht, nuk e hiqte as brenda, në takime e salla veprimtarish, nuk donte që t’i dukej në kokë një vragë e përthellët plumbi. E kishte që nga atëhere, kur e qëlluan rojat në burg, teksa u ishte hedhur përsipër telave me gjëmba të ferrit për t’u vrarë, xhupi i të burgosurit iu shpupurit nga plumbat duke shpërndarë copëza pambuku të zi si pendë korbash dhe ai ra i vrarë. Kur ia zvarritën kufomën për te një nga birucat, një Zot e di se ç’engjëll erdhi dhe e ringjalli…Që të mos duket as si hero dhe as si viktimë, – do të shkruante studiuesi Uran Butka, – ai mban atë kapele republike.

* * *

Kaq herë i bëri dredha vdekjes dhe s’ja kishte frikën asaj. Dilte nga spitali si më buzagaz, pas çdo operacioni, Edhe me Covid-19 sikur tallej. Le të rivinte. E donte jetën, por më shumë nderin e saj. I pa lodhur, më së fundmi vendosi të shplodhej. 83 vjeç mbylli sytë përgjithmonë… por mbeti ajo xixëllimë sysh sikur donte të thosh që i pashë edhe ferr edhe parajsë. Në fakt tek ai më shumë panë… Ndizte një cigare dhe nën tymin e saj shkruante një sonet tjetër. Ai vërtet u bë një lloj konti i vonë i sonetit të harruar. Atdhetar së pari. Dhe shkruante dhe për Kosovën, dhe për Çamërinë, për demokracinë, SHBA-në, për burrat sërisht, për politikën e ditës… sonete morali. Si porositë. Pa zor. Dhe si të ishin frymëmarrja e fundit. Si poet ai ka shumë frymëmarrje të fundit. Lajmi u dha se do të kishte homazhe në nderim të tij. Dhe ku? Në Godinën e ish të Përndjekurve Politikë. Atje,.. një tjetë trishtim dhe ky, i përndjekur deri në vdekje. I ndarë. Atje…. Duket sikur homazhet kështu mund të bëheshin njëlloj dhe në qelitë e burgut të Burrelit. A s’kishte shteti salla institucionesh të kulturës, ku nën hijen e Flamurit Kombëtar, të silleshin dhe kurorat me lule, se Uran Kostreci u bë emër i njohur i poezisë së tanishme, mediatik me intervistat, emblematik si qendrestar, zë i kujtesës së vuajtjes së madhe, që përbashkon dhe jo që ndan popullin…

* * *

…mungon në tryezat me miqtë, në kuvende, në shëtitjet vetmitare rrugëve, por gjithsesi është më shumë se më parë, zë poeti, kumbimesh që në letra quhen sonete, që vuajtja e lartësoi si Njeri. Dhe kishte datëlindjen dje, pardje, do të ishte 85 vjeç në këtë fund janari…

Filed Under: ESSE Tagged With: Jozef Radi, Lazer Radi, Visar Zhiti

Deklarata për shtyp e Ambasadorit Amerikan në Prishtinë Jeffrey M. Hovenier

January 31, 2023 by s p

Ambasada e SHBA-së sot ishte nikoqire e një grupi të larmishëm për të diskutuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Demokracia përfshirëse kërkon shkëmbim të ideve me respekt.  Ne e organizuam këtë diskutim me një sërë palësh të interesuara për të dëgjuar larminë e pikëpamjeve për këtë temë dhe për të kërkuar gjuhë të përbashkët, me qëllim të lehtësimit dhe avancimit të obligimeve që Qeveria e Kosovës i ka marrë për zbatimin e një AKShS-je.

I dëgjuam drejtpërdrejtë pikëpamjet e pjesëmarrësve për zbatimin e një AKShS-je dhe si mund të arrihet kjo në mënyrë që të sigurojë të ardhmen e Kosovës si vend sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik. Këto perspektiva janë të rëndësishme për avancimin e përparimit të Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe euroatlantik.

Në mesin e pjesëmarrësve pati zyrtarë të qeverisë, përfaqësues të shoqërisë civile, udhëheqës politikë dhe anëtarë të korpusit diplomatik.

Partneriteti ynë me Kosovën është i palëkundur. Diskutimi ynë i sotshëm pasqyroi miqësinë tonë të thellë dhe të gjatë me popullin e Kosovës.

Donim të kuptonim këndvështrimet e pjesëmarrësve për një AKShS: çka do të mund të ishte dhe si mund të ofrojë shërbime për qytetarët e Kosovës, por gjithashtu edhe çfarë kapacitetesh nuk mund dhe nuk do të duhej t’i ketë.

Diskutimi ynë pra u përqendrua në tri tema.

Një, si mund të funksionojë AKShS-ja në praktikë?

  • Pjesëmarrësit ngritën një varg temash, duke përfshirë pikëpamjet rreth përgjegjësive dhe kufizimeve të mundshme të një Asociacioni.

Dy, si mund të funksionojë një Asociacion sipas kornizës ligjore të Kosovës?

  • Dëgjuam këndvështrime për Marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Tre, si mund një AKShS të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe ofrimin efikas të shërbimeve qeveritare për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera pakicë?

  • Dëgjuam pikëpamje se si një AKShS mund të ndihmojë në adresimin e çështjeve dhe nevojave që janë themelore për çfarëdo komuniteti, si për funksionet për cilat të gjitha komunat e Kosovës janë përgjegjëse, si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe zhvillimi ekonomik lokal.

Diskutimi i sotshëm pasqyron rëndësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë i japin çështjes që Kosova të zbatojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Edhe pse disa zyrtarë të ShBA-së tashmë e kanë thënë këtë, dëshiroj që sërish të qartësoj sërish qëndrimin e Shteteve të Bashkuara.  Nuk mbështesim asnjë aranzhim që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e as që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik dhe institucionet demokratike të Kosovës.  Kundërshtojmë fuqimisht krijimin e çfarëdo entiteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Presim që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj.  Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë vizionin e saj për një AKShS që ajo beson se e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik dhe që siguron të drejtat e pakicave në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës.  Kjo është thelbësore, e rëndësishme dhe urgjente.  Jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të të gjithë kosovarëve.

Shkëmbimi i sotshëm i ideve nxori në pah idetë e hisedarëve që janë thelbësore për të siguruar që një AKShS do të jetë përgjegjëse ndaj nevojave të komuniteteve, të cilave synohet t’ju shërbejë.

Pjesëtarët e qeverisë tani kanë mundësi që të shqyrtojnë atë që u tha dhe t’i përfshijnë ato këndvështrime në punën e qeverisë për këtë çështje të rëndësishme.

Shpresojmë se diskutimi do të frymëzojë zotim të ri dhe përpjekje të ripërtërira për të punuar drejt krijimit të AKShS-së, që ne konsiderojmë se do të jetë kritik përderisa Kosova ndërton të ardhmen e saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik, demokratik dhe i pavarur që është plotësisht i integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ndajnë këtë vizion me popullin e Kosovës dhe do të vazhdojë të qëndrojë krah tij si mike dhe aleate.

Filed Under: Rajon

Përkujtojmë dëshmorët e 31 janarit 1990

January 31, 2023 by s p

T’i kujtojmë përherë ata që u flijuan për lirinë tonë

(Në përkujtim të dëshmorëve

Sahit Shala, Enver e Shani Morina).

Sot kujtojmë me nderim tre dëshmorët, të cilët së bashku me mijëra demonstrues u ballafaquan me forcat e njësisë speciale të ish-shtetit kriminal jugosllav. Ata ranë dëshmorë në rrugën, e cila do të shpinte drejt çlirimit të vendit, në rrugën e sakrificës, nderit dhe lavdisë.

Në këtë ditë ishin plagosur edhe shumë demonstrues që kishin arritur atë ditë nga të gjitha fshatrat e Drenicës.

Drenica me historinë e lavdishme të rezistencës dhe luftës për liri, gjatë historisë do të dëshmonte se ishte vatër e përhershme e rezistencës për liri.

Qytetarët e komunës së Drenasit para 33 vitesh, iu bashkuan protestave masive anekënd Kosovës kundër apartheidit dhe gjenocidit qe ushtronin forcat fashiste jugosllave kundër popullsisë shqiptare ne Kosovë dhe hapësirat shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia.

Ndërsa, Drenasi ishte përzgjedhur nga njësia speciale jugosllave për ta shuar kryengritjen kosovare, për të ushtruar terror shtetëror.

Historia atë ditë kishte përzgjedhur Sahit Shalën, Enver e Shani Morinën të ishin martirët e patrembur kundër njësive okupatore, të cilave ua bënë me dije se kjo tokë nuk duronte robërinë.

Ata, me guximin e tyre, u bënë pjesë e pavdekshme e historisë dhe lirisë tonë.

Sot kujtojmë me nderim tre dëshmorët, të cilët u bënë pjesë e historisë sonë te lavdishme dhe krenare për lirinë e Kosovës.

I përjetshëm është kujtimi për dëshmorët Sahit Shalën, Enver e Shani Morinën!

Lavdi!

Post scriptum: Foto nga varrimi dhe përvjetori i parë i homazheve për dëshmorët.

Filed Under: Mergata

“Nuk mund t’i bësh mirë tjetrit, pa e lënë keq veten”

January 31, 2023 by s p

Nga Prof.dr. Skender ASANI/

Në historinë e tmerreve çnjerëzore, ku jeta e njeriut nuk vlente as sa një fletë e tharë dushku, ndodhi edhe një tragjedi e madhe me përmasat kolosale të dhembjes e frikës. Kjo tragejdi emrin e kishte Holoakust, kurse hebrenjtë ishin ata të cilët kaluan nëpër rrathët e këtij ferri. Në secilin rreth sfidohej fati dhe e ardhmja e hebrenjëve, por pati edhe purgator ku njerëzit vullnetmirë, edhe këtu në Shkup, në Prishtinë, në Shkodër e gjetiu, tregonin mëshirë e solidaritet për këtë popull që pa të drejtë ishte shënjestruar nga makineria vrastare e nazi-fashizmit.

Sot në këtë akademi përkujtimore jemi mbledhur edhe njëherë që të evokojmë një ngjarje që i dha fund dramës kolektive të një populli i cili vuante çastet e fundit nëpër kampet e përqëndrimit.

Në ato ditë të ftohta janari të vitit 1945, Armata e Kuqe kishte përparuar në thellësi të territorit të Polonisë dhe pasi çliruan Varshavën dhe Krakovin, më 27 janar 1945, trupat sovjetike hynë në Aushvic , duke çliruar të mbijetuarit e rrjetit të kampeve të përqendrimit, me çka në sytë e botës zbuloheshin përmasat shtazarake të një ideologjie antisemite.

Sot pas 78 viteve, kur evokojmë këtë ngjarje që i dha fund vuajtjeve dhe përndjekjev të hebrenjëve, një pyetje që na imponohet vetvetiu është: Sa ka nxjerrë mësime njerëzimi nga e kaluara e errët dhe cilat janë përgjigjet e njerëzve të arsyeshëm ndaj ngjarjeve me karakter antihuman?

Gjatë kohës sa vepronte murtaja fashiste, në Bernë të Zvicrës funksiononte një grup diplomatësh i udhëhequr nga Aleksander Ładoś (1891-1963), ambasador polak në Zvicër në periudhën nga 1940 deri në 1945. Ładoś ishte udhëheqës i të ashtuquajturit “Grupi i Bernit, i cili vepronte fshehurazi në shpëtimin e mbi 10 mijë hebrenjve nga Holokausti, duke i pajisur me pasaporta të falsifikuara të Amerikës Latine, kryesisht paraguajane.

Grupi përbëhej nga katër diplomatë polakë dhe dy përfaqësues të organizatave hebraike: ambsadori Aleksander Ładoś, ndihmësi i tij dhe kreu i degës politike Stefan Ryniewicz, konsulli Konstanty Rokicki, atasheu dhe specialisti për çështjet hebraike Dr Juliusz Kühl, si dhe aktivisti sionist dhe deputeti polak Abraham Silberschein dhe Chaim Eiss, një aktivist hebre.

Këtë fakt po e përmendim për t’u ndërlidhur me pyetjen e mësipërme se cilat mund të jenë reagimet dhe veprimet e njerëzve të arsyeshëm ndaj ngjarjeve me karakter antihuman. Siç mund ta shohim nga shembulli i lartpërmendur, që ndërlidhet me një grup diplomatësh i udhëhequr nga ambasadori polak në Zvicër, Aleksander Ładoś, edhe në kohë të vështira ka njerëz me shpirt të madh që sakrificën për tjetrin e kanë kauzë jetësore, siç ndodhi edhe me dhjetëra familje shkupjane që rrezikuan veten për të shpëtuar fqinjët e tyre hebre gjatë LDB.

Tragjeditë njerëzore mund të përsëriten dhe ato mund ta kenë fytyrën e njejtë të tmerrit, por ajo çka na intereson neve sot është pyetja: A mundet solidariteti dhe sakrifica për tjetrin të krijoj sërish fole në zemrat e njerëzve human?

Nëse i referohemi dekadave të fundit të këtij shekulli, e sidomos tensioneve të shkaktuara si pasojë e invazionit rus në Ukrainë, mund të konstatojmë se njerëzimi ka përjetuar në mënyrë ciklike efektet e mosmarrëveshjeve që kanë përfunduar në konlfikte të armatosura. Mijëra viktima të pafajshme, kolona të gjata refugjatësh, përplasje të ashpra luftarake, të gjitha këto përbëjnë bilancin e një logjike që përjashton arsyen nga vendimarrja politike. Prandaj ne si evropianë nuk guxojmë të lejojmë që “kuajt e apokalipsës” të kalërojnë sërish nëpër vendet tona. Me këtë rast më lejoni të parafrazoj edhe një thënie të Nënës Tereze e cila apelonte që para se të fillojë një konflikt, palët duhet menduar mirë se vetëm dialogu dhe mirëkuptimi janë rrugët e vetme që sjellin perspektivë për njerëzit.

Evropa duhet të mbrohet nga tendecat që si synim kanë prishjen e balanceve gjeopolitike në rajon si rrjedhojë e përhapjes së konfliktit nga Ukraina në Ballkan, por edhe çrrënjosjen e të gjitha deformimeve që dëmtojnë demokracinë, siç është lidhja e pushtetit me krimin dhe korrupsionin. Ne duhet sërish të tregojmë sens të lartë përgjegjësie, duke refuzuar çfarëdo lloj alternative që nuk është euro-atlantike si dhe të angazhohemi që demokracia të jetë prodhim i betejave të ndershme politike. Heronjë nuk kemi vetëm në luftë. Heronjë ka edhe në paqe. Por këta të fundit kanë një mision të dyfisht: të parandalojnë çfarëdo shkëndije që mund të sjell konflikt dhe të dalin mbi egocentrizmin etnik e fetare në favor të mirëkuptimit me të tjerët. Nëse gjatë LDB patëm heronj të heshtur që ua shpëtuan jetën hebrenjëve, sot kemi nevojë për disa heronjë të tjerë, të cilët duke tejkaluar vetveten arrijnë të ruajnë harmoninë fqinjësore e shoqërore, ose siç thotë një urti popullore shqiptare: “Nuk mund t’i bësh mirë tjetrit, pa e lënë keq veten.”

Me këtë urti popullore po e përfundoj edhe fjalën time kushtuar 78 vjetorit të çlirimit të kampit të Aushvicit nga Armata e Kuqe, me ç’rast populli hebre u la i lirë të gëzojë jetën me dinjitet, kurse njerëzimi i mbeti ta memorojë në mendje Holokastin si një ngjarje e cila nëse nuk luftohet me të gjitha forcat e përbashkëta, mund të na përsëritet sërish në trajta e mënyra të ndryshme.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Skender Asani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1858
  • 1859
  • 1860
  • 1861
  • 1862
  • …
  • 2787
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT