• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Masakra e Reçakut, një nga shumë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

January 14, 2023 by s p

 
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, Janar 2023/ Në Reçak, fshat i Kosovës në komunën e Shtimes, në 15 Janarin e vitit 1999 forcat serbe rrëmbyen nga shtëpitë e tyre dhe ekzekutuan mbi 40 banorë civilë shqiptarë. Ambasadori Amerikan William Walker, në atë kohë shef i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e ngjarjes masakrën në Reçak e cilësoi krim kundër njerëzimit. 

Në Kompleksin Përkujtimor Masakra e Reçakut, në Murin e Përkushtimit janë skalitur në mermer fotografitë e 44 martirëve-dëshmorëve.

Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e përfunduar në Qershorin e para 24 viteve në Kosovë, gjatë së cilës forcat serbe vranë e masakruan më shumë se 12 mijë shqiptarë e mëse 6 mijë rezultonin të zhdukur, derisa në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion shqiptarë i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë.

Po para 24 viteve, pas masakrës së Reçakut, pas intensifikimit të përgatitjeve për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, në Kështjellën e Rambujesë, afër Parisit, në 6 Shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë. Kosova përfaqësohej nga i gjithë spektri politik e ushtarak. Konferenca u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Në mes të Marsit 1999 përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën.  Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për Kosovën.

Periudha në mes të dy takimeve të Rambujesë dhe Parisit u shfrytëzua nga regjimi i Beogradit për të dërguar në Kosovë trupa dhe pajisje të mëdha ushtarake shtesë. Numri i forcave serbe, në kulmin e luftës, sipas vlerësimeve të kohës, mund të ketë arritur në 130.000.

Në 24 Mars filloi fushata ajrore e bombardimeve nga NATO prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mengjesi i 12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë. Në këtë vit 2023 bëhen 24 vjet të Lirisë së Kosovës nga Qershori historik 1999…

Në atë kohë raportoja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë… 

MASAKRA E REÇAKUT, DISA NGA RAPORTIMET QË BËJA PARA 24 VITEVE: 

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-01-15.ata.html

 [05] Serb forces attack Shtimje areas

PRISHTINE, Jan 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that Serb police and army forces had started early on Friday an offensive against Recak village, Shtimje area.

Sources of the Council for the Human Rights said that heavy artillery was bombing the village while Serb infantry was attacking Albanian villages.

There are no reports on the consequences of the attack but the population is fleeing the area. /pta/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[12] Rugova urges deployment of NATO forces to calm situation

PRISHTINE, Jan 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that President of Kosova Ibrahim Rugova told a news conference on Friday that the situation in Kosova was worse, dangerous and tragic and deployment of NATO troops would calm it.

Rugova condemned the attempted assassination of the chief of the Kosova Information Office Enver Maloku calling it an attempt against the independent institutions of Kosova. He added that a “new climate of violence with unclear killings” was created in Kosova.

He called “dramatic” the presence of the Serbian army in Prishtina and blocking of access to Prishtina by Serb armed groups.

Rugova hailed the intervention of the OSCE chairman -in-office Knut Vollebaek and chief of the OSCE mission there William Walker and his staff in calming the worse situation created during the week.

But “the deployment of NATO troops in Kosova will calm the situation and guarantee safety for citizens and that part of Europe and world,” Rugova said. /pta/ak/

Albanian Telegraphic Agency

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-01-16.ata.html

[22] 80 Albanians killed, massacred in Shtimje

PRISHTINE, Jan 16 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that some 60 to 80 Albanians were killed and massacred by Serb forces in Recak village, according to sources of the Kosova Democratic League in Shtimje.

Most of them were women, old men and children. They were killed while trying to flee the attack and found dead out of the village. Killed and massacred people were also found in houses with 24 persons killed in a room.

Eight out of all killed and massacred in Recak are KLA members. LDK sources in Shtimje said that there were no reports on casualties in Mollopolc and Petrove villages, which were the targets of the attack of large Serb military, police and paramilitary forces.

Sources said that identification of those killed and massacred was continuing. /lh/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[24] Kosova leader urges NATO immediate intervention

PRISHTINE, Jan 16 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the president of Kosova Ibrahim Rugova urged on Saturday an urgent intervention of NATO forces in compliance with the decision on immediate activation of the alliance.

Rugova said that an energetic and decisive international intervention could stop the Serb military and police machine and create preliminaries for a political solution to the Kosova issue. Rugova made the statement after yesterday’s massacres of Serb forces in Shtimje region.

He strongly denounced the massacre of the Albanian population and said that the heavy attack of Serb forces against the Shtimje region was undertaken while the international factors were engaged in finding a political solution to the Kosova issue.

The attack against the civilian population was a flagrant opposition to these efforts, Rugova said in his statement.

He urged international energetic intervention in Kosova in today’s meetings with an extensive delegation of the Foreign commission of the Norwegian parliament and Swiss ambassador to Belgrade Pol Vilfi.

Many political parties and organisations condemned the massive execution of Albanians in villages of Shtimje and asked for urgent deployment of NATO forces in Kosova. /lh/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[26] Kosova president declares mourning day

PRISHTINE, Jan 16 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the Kosova president Ibrahim Rugova declared Sunday a day of mourning in Kosova.

Sources of the presidency said that “following the massacres of dozens of Albanians in the commune of Shtimje by Serb military and police forces, the president of the Republic of Kosova declares Sunday, January 17, 1998 a mourning day in Kosova to honour the victims.” lh/ak/

Filed Under: Rajon

DOKUMENTET E ARKIVIT APOSTOLIK TË VATIKANIT PËRMES GJUHËS SË PËRDORUR NË BULAT PAPNORE MESJETARE NË SHEKUJT XIV – XV-të

January 14, 2023 by s p

Në këtë fond gjenden shumë bula origjinale të papëve të ndryshëm drejtuar finsikëve shqiptarë p.sh. Muzakajve (Reg. Vat. 109, f. 140, ep. 571), Matarangëve dhe Blenishtëve, të cilët papa Gjoni XXII i quan “baronë” (Reg. Vat. 109, f. 140, ep. 572), por edhe dhe klerit më të lartë që vepronte në Shqipërisi , si psh. Marinit, kryeipeshkvit të Tivarit (Reg. Vat. 52), Sumës ipeshkvit të Drishtit (Reg. Vat. 76, f. 6), Pjetrit ipeshkvit të Shkodrës  (Reg. Vat. 92, f. 62), Andreas ipeshkvit të Durrësit (Reg. Vat. 89, f. 118), Zaharisë, ipeshkvit të Shasit (Reg. Vat. 68), Bartholemeut, ipeshkvit të Kunavisë (Reg. Vat. 70), etj., pastaj janë edhe sisa bula të tjera të cialt ju adresohen kryeipeshkëve të vendeve fqinjë për të ndihmuar Andrean, ipeshkvin e Krujës që është dëbuar nga mbreti serb Urosh (Reg. Vat. 67, f. 26), etj.

Prof. dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Stuidues

Budapest

Arkivi Sekret i Vatikanit është një thesar për historinë e popullit tonë, histori të cilën deri tani e njohim vetëm në mënyrë të cunguar dhe më shumë të interpretuar nga të tjerët se sa nga vetë ne.

Dokumentet që flasin për historinë e Shqipërisë dhe që ruhen në Arkivin Sekret të Vatikanit janë të shumta, jo aq për shkak të fqinjësisë së Shqipërisë me Italinë, gjë që ka bërë që kontaktet midis dy vendeve të jenë mjaft të shpeshta dhe gjurmëlënëse, por më tepër për shkak të politikës universale të kishës katolike për të prezantuar besimin katolik në të gjithë botën. Në këto plane trojet shqiptare zinin vend të rëndësishëm në mozaikun e interesave të Kurisë së Selisë së Shenjtë, ndaj Ballkanit. 

Është e vërtetë që papati parapëlqente të lidhej diplomatikisht dhe politikisht me mbretëri të konsoliduara apo që jepnin shpresa për konsolidim, dhe me kryeipeshkvi, ipeshkvi, e dioqeza të mëdha dhe frytdhënëse, duke qenë në një pozitë stragjike trojet shqiptare ishin nën vëmendjene përhershme të Selisë Shenjtë. Kontaktet e para të Selisë së Shenjtë me kryeipeshkvitë, ipeshkëvitë dhe dioqezat e shumta shqiptare si dhe fisnikët e familjet e njohura shqiptare të kohës i gjejmë që në shekullin e nëntë (IX) përkatësisht që në dokumentet apo dorëshkrimet e para që ruhen në Archivio Segreto Vaticano. Këto konta ishin relativisht të forta dhe pos sferës fetare ato mund ti ndeshim edhe në fusha të tjera, ngjajshëm me ato të vendeve fqinje apo përgjithësisht perëndimore. 

Përveç kësaj trojet shqiptare ishin në udhëkalime të rëndësishme gjeografike për në thellësi të Ballkanit dhe për në Konstantinopojë, si dhe në kufirin midis kishës katolike dhe orthodokse, gjë që u jepte atyre pushtet, i cili po të mos vihej në duart e papatit do të vihej në duart e armiqve të tij. Kështu Selia e Shenjtë, jo vetëm që nuk i kishte lënë jashtë vëmendjes së saj shqiptarët dhe trojet e tyre, por përkundrazi i ka përkrahur dhe shpesh nxitur e përdorur, për të organizuar kryqëzata apo fushata katoliçizimi kundër “skizmatikëve” të lindjes. 

Arkivi i Vatikanit shquhet kryesisht për pasurinë e tij të dokumenteve origjinale nga fusha të ndryshme. Më mirë të regjistruara janë bulat papnore, të cilat dallojnë nga dokumentet e tjera papnore jo vetëm për nga solemniteti i stilit të të shkruarit, por edhe se në origjinal mbajnë një vulë të plumbtë, nga e cila kanë marrë edhe emrin bula.

Serinë më të famshme dhe më të vjetër të këtyre dokumenteve e përbëjnë Registri Vaticani. Registri Vaticani është formuar nga regjistrimi i të gjitha letrave papnore, regjistrim ky që bëhej në Kancelarinë Apostolike, në Dhomën Apostolike dhe në Sekretarinë Papnore.

Kancelaria është dikasteri i parë që shquhet për antikitetin dhe për kuantitetin e bulave papnore. Kjo seri përbëhet nga vëllime që numërohen nga 1 deri tek 2020 të cilët u dëmtuan mjaft rëndë, kur arkivi u transportua nga Vatikani në Paris (1810), me urdhër të Napoleon Bonapartit. Megjithatë meqë disa vëllime përsëriten numrat shkojnë deri tek 2042. Vëllimet 29B, 110A, dhe 110B nuk janë vëllime me dokumente të mirëfillta pasi këto vëllime përmbajnë riprodhime fotografike. 

Regjistrimi sistematik i dokumenteve papnore në Registri Vaticani fillon me papën Inocent III (1198-1216), megjithëse ekziston edhe një vëllim me letra të papës Gjoni VIII nga vitet 872-882 ku më së një herë ndeshim vëmendjen e papës për ipeshkvitë shqiptare, si dhe një regjistër i Gregorit VII me kopje të letrave të Gregorit VII nga viti 1073-1085. 

Seria, në formën që ekziston sot, arrin të përmbledhë dokumente deri në periudhën e papa Piu-t V (1566-1572), ku janë shtuar spontanisht edhe disa dokumente të Klementit VIII për vitet 1592-1605. 

Ky fond pra mbulon mirë një periudhë prej disa shekujsh, dhe është konsideruar si burimi më i mirë për historinë e Evropës në përgjithësi. Mund të themi pa frikë që është gjithashtu edhe burimi më i mirë për historinë e Shqipërisë dhe popullit shqiptari, sidomos për shek. IX deri XV, dhe jo vetëm për historinë religjioze, por edhe për atë sociale, politike, ekonomike, kulturore. 

Gjatë mesjetës, përkatësisht shek. XIV-XV, Selia Papnore e përhapte ideologjinë e saj nga qendra në periferi kryesisht nëpërmjet kancelarisë shumë aktive papnore dhe konkretisht nëpërmjet bulave dhe dokumenteve të tjera që lëshonte kjo kancelari. Bulat, si letra zyrtare të vulosura nga autoriteti më i lartë i Selisë Papnore, Papa, u drejtoheshin si pushteteve shpirtërore (klerikëve) ashtu edhe atyre shekullare (mbretërve, princërve, fisnikëve etj.).

Në këtë fond gjenden shumë bula origjinale të papëve të ndryshëm drejtuar finsikëve shqiptarë p.sh. Muzakajve (Reg. Vat. 109, f. 140, ep. 571), Matarangëve dhe Blenishtëve, të cilët papa Gjoni XXII i quan “baronë” (Reg. Vat. 109, f. 140, ep. 572), por edhe dhe klerit më të lartë që vepronte në Shqipërisi , si psh. Marinit, kryeipeshkvit të Tivarit (Reg. Vat. 52), Sumës ipeshkvit të Drishtit (Reg. Vat. 76, f. 6), Pjetrit ipeshkvit të Shkodrës  (Reg. Vat. 92, f. 62), Andreas ipeshkvit të Durrësit (Reg. Vat. 89, f. 118), Zaharisë, ipeshkvit të Shasit (Reg. Vat. 68), Bartholemeut, ipeshkvit të Kunavisë (Reg. Vat. 70), etj., pastaj janë edhe sisa bula të tjera të cialt ju adresohen kryeipeshkëve të vendeve fqinjë për të ndihmuar Andrean, ipeshkvin e Krujës që është dëbuar nga mbreti serb Urosh (Reg. Vat. 67, f. 26), etj.

Kujdes i veçantë në shkrimin e bulave i kushtohej mënyrës së adresimit dhe përpilimit të mesazhit. Çdo gjë ishte e mirëplanifikuar dhe e kodifikuar. Asgjë në bulë nuk është e rastësishme: as letra, as formati, as ngjyra e përdorur për shkrimin, as lloji i shkrimit, as fjalët e zgjedhura për të adresuarin, as mënyra e dhënies së mesazhit. 

Për një kohë të gjatë, bulat janë konsideruar si shumë formulaike dhe të thata, por studimet e fundit të këtyre formulave kanë treguar që çdo detaj ishte simbolikisht i rëndësishëm për marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me marrësin e mesazhit.

Sigurisht që forma bazë në të cilën shfaqet më dukshëm ideologjia është në fjalën e shkruar, pra në dokumentet zyrtarë të lëshuara nga pushteti në fjalë. Gjatë mesjetës, Selia papnore ishte ajo që prodhonte dhe lëshonte më shumë dokumenta se çdo autoret tjetër i asaj kohe, kështu që është e logjikshme se përse kancelaria papnore ishte një ndër zyrat më të rëndësishme në Selinë e Shenjtë. Mënyra e organizimit të punës në këtë zyrë, reflektohet qartazi jo vetëm në llojet e ndryshme të dokumenteve që prodhoheshin, por edhe në formën sesi shkruheshin ato. Këtu kemi parasysh jo vetëm solemnitetin apo thjeshtësinë e paraqitjes së tyre, por edhe formulat e përdorura brenda tekstit.

Ne gjatë punës sonë hulumtuese kërkimore –shkencore në ASV kemi konsiliduar një numër të madh të bulava panore. Stduimi i tyre, përgaditja dhe botimi i tyre është një sfidë për ne. Ne kemi përzgjedhur vetëm tre bula, përkatëisht tre kategori të bulave panore për këtë kumtesë.

  1. Bula e parë është nga shek. ajo e papës Urban V drejtuar fisnikëve të Shqipërsisë Veriore, Balshajve, shek., XIV, përkatësisht viti 1369. Kjo bulë sot ruher në fondin: Instrumenta Miscellanea, nr. 2526, n. ASV. Papa, sipas gjuhës zyrtare të kohës, e quan veten “ipeshkv, shërbëtor të shërbëtorëve të Zotit,” dhe u drejtohet atyre, Balshajve, që nuk i quan akoma katolikë me “burra fisnikë” ndryshe nga ata që janë katolikë dhe që u drejtohet me “bij të dashur”, apo ipeshkvit që i drejtohet “vëlla i nderuar, bir i dashur”. 
  2. Një bulë tjetër është  XV, (prilli i vitti 1451) e cila ju drejtohet fisnikëve shqiptarë Muzakajve, Matarangëve e Blenishtëve. Kjo bulë është solemne, e shkruar në pergamen. Papa i fton ata që të vazhdojnë me pëkushtim të ndjekin rrugën e Zotit, përkatësisht të luftojnë skizmatikët dhe të mbështesin klerikët (iepeshkvët dhe klerin tjetër) që veprojnë në territoret – principatat – tyre. Këtu më së miri vërhet dogma ideologjike e shprehur të qartë dhe të saktë për këta fisnikë.
  3. Ndërssa bula e tretë është shumë vecantë, e lëshuar nga papa PALI për Engjëllorët e Drishtit. Në këtë bulë papa konfirmon privilegjët që gëzon kjo familje gjatë shekujve si familje e shquar finsike, bujare dhe shumë e devotshme në besim në Zotin. Pasi papa shpreh konsideratat për pinjollët e kësaj familje, shënon se ata me pëkushtim të veçantë kanë ndihmuar në ruajtjen dhe përhapjen e fesë së shenjtë, duke sakrifikuar çdo gjë për besim në Zotin.

Bulat që u drejtohen klerikëve dhe princërve shqiptarë në mesjetë, janë dëshmi e një ideologjie shumë përmbajtësore, që përveçse ishte e ngjashme me të gjitha bulat e lëshuara për të gjitha pjesët e tjera të Evropës së krishterë, kishin edhe specifikat e tyre të veçanta që tregojnë një tjetër vëmendje të papatit ndaj territoreve shqiptare. Parashtrimi i këtyre elementeve në historiografinë shqipe bëhet për herë të parë dhe identifikimi i tyre në bulat latine do të shërbejë si çelës për zbërthimin e kodeve gjuhësore të përdorura ndër autorët e hershëm shqiptarë që kryesisht kanë shkruar tekste kishtare.

Filed Under: Politike Tagged With: Musa Ahmeti

“Popullin tem shqiptar e kam në zemër”

January 14, 2023 by s p

“Popullin tem shqiptar e kam në zemër” Një fjali e thjeshtë, thënë thjesht, që, besojmë se e ka çdo shqiptar si ‘credo’ brenda vetes, por dhe populli na mëson se fjala peshon aq sa ai që thotë… Kur kjo thënie na vjen nga një grua, madje nga gruaja më e njohur e planet, jo vetëm kaq, por që është dhe shenjte, çdo fjalë aty shkëlqen si e gdhendur në mermer, shndërrohet në porosi, në detyrë, në mision.

Nga Visar Zhiti

Prandaj dhe këtë thënie, me fuqinë e proverbit dhe të urdhëresës, Don Lush Gjergji e bëri titull libri, që jo shumë kohë më parë doli në Prishtinë dhe para disa ditësh u botua dhe në anglisht dhe ne këtu kemi dhe librin dhe autorin tani, mes nesh. Librat për shenjten tonë Nënë Tereza janë të shumtë dhe të vazhdueshëm dhe të llojllojshëm, lutje, albume, monografi, thënie, kalendarë etj., letërsi artistike, poezi e romane, deri edhe drama e filma, etj., dalin kudo, qe Vatikani, ku është Selia e Shenjtë e në Itali, në Ballkan, në Francë dhe Angli, në Gjermani etj., në të gjithë Europën dhe përtej oqeanit në kontinente të tjerë, në SHBA, në Indi, në Japoni, në Australi, në Afrikë, kudo në të gjithë botën.

Nënë Tereza i përket botës mbarë ashtu siç i përket universit të mrekullueshëm katolik, misionare e të cilit mbetet, Nënë e të gjithëve në shërbim të Krishtit në ndihmë të më të varfërve të të varfërve, të jetës së tyre dhe prandaj edhe u shpërblye me shumë çmime, duke marrë edhe më të lartin, “Nobelin për Paqe”, por ende më lart, atë të Selisë së Shenjtë, e shpallur shenjtore në shekullin XXI, por mbi të gjitha ajo ka shpërblimin e Bekimit nga Zotit dhe atë të dashurisë së pakufishme të të gjithë njerëzimit.

Librat më familjarë e më të gëzueshëm për shenjtën tonë Nënë Tereza natyrisht që për ne janë ato që dalin në gjuhën shqipe kudo, në Shqipëri e në Kosovë, nga ku ajo ka prindërit e saj, të atin nga Prizreni e nënën nga Gjakova, kur tani Kosova është e lirë siç e ëndërruan prindërit, dhe dëshiroj të them se pikërisht botimet e Don Lush Gjergjit, të ndryshëm e të njëpasnjëshëm, janë kulmi që përbëjnë një pasuri të vërtetë e të vyer, sepse dalin nga pena e vëllait të Shenjtes sonë të gjakut e të shpirtit, bashkëmisionarit, të atij që e ka njohur dhe e ka ndjekur, që ka folur me të dhe na ka treguar aq shumë, me urtësi dhe dinjitet dhe përunjësi, me përmallim si në një meshë…

Ky libër u përurua së pari në Katedralen madhështore në zemër të Prishtinës, që mban emrin “Nënë Tereza”, unë fola dhe atje, dhe po përurojmë botimin anglisht këtu në Miçigan, pas ditës së Shën Gjergjit që është dita botërore e Librit, sepse atij si çlirimtar një vajzë spanjolle i dhuroi një libër, ndërkohë në 23 prill kanë lindur dhe Shekspiri, Servantesi… jemi në kishën e “Pajtores së Shqiptarëve”, Zojës së Shkodrës, të Këshillit të Mirë, që Nënë Tereza e adhuronte dhe e kishte frymëzuesen dhe mbrojtësen e saj. 555 vjet më parë ajo kishte ikur nga Shkodra, për t’i shpëtuar pushtimit otoman, shkoi në Genacano të Italisë, që t’i kujtonte Europës popullin martir shqiptar… Kjo qendër kulturore këtu mban emrin “Nëne Tereza” dhe shenjtja jonë shpërndan vërtet vazhdimisht besim dhe kulturë.

Institucioni i Bisedës: I HOLD THA ALBANIA PEOPLE IN MY THE HEART është dhe mesazhi kryesor i librit. Autori bën një qasje ende më të afërt duke përzgjedhur biseda të tij me Shenjten Nënë Terezë në kohë dhe vende të ndryshme, me porosi përherë të vlefshme, sa herë që i lexojmë, tani dhe në gjuhën e punës së Nënë Terezës, anglisht. Çështje nga më të larmishmet, flitet për familjen dhe varfërinë, dashurinë dhe motrat e misionit të dashurisë, për Kishën tonë dhe Krishtin dhe shkojnë lart, nga toka në Qiell.

Pra, skena janë toka dhe qielli dhe personazhet: Shenjtja dhe meshtari. Don Lush Gjergji na sjell ndërkaq të përtërirë Institucionin e Bisedës, nderimin për të ashtu siç e kishin kult shqiptarët e hershëm dhe që duhet rikthyer me atë dinjitet në kuvende e parlamente.

Papa Françesku porosit që të zhvillojmë Kulturën e Takimit, se kështu do njohim më shumë, do të duam më shumë dhe do të bëjmë më të mirës së bashku. Dhe ky libër është një takim e bëhet shkak takimesh të tjera me ikonë Shenjten moderne të shekullit XX, ku mes gëlimeve të ndjesive sa tokësore, por me hirin e Hyut, përthuket dhe meraku ndaj atdheut dhe vendlindjes: me popullin shqiptar në zemër, duke marrë kështu një vlerë të fuqishme aktuale, duke u shndërruar në porosi: duajeni vendin, ku ke lindur dhe je, njëri tjetrin, të çdo race dhe besimi dhe së bashku përparoni… Libri është shoqëruar me ilustrime, fotografi e faksimile letrash të Nënë Terezës, të shkruara shqip, që kanë forcën e dokumentit.

Misionarja e përkushtuar na shfaqet njësoj kudo, si në kuvende dhe në rrugë, si mes të varfërve në Indi e gjithkund edhe para personaliteteve më të larta të botës, si në vendlindje dhe në metropole, në emër të të varfërve dhe vetëm për ta, në kriza sociale dhe në luftë, ku shkonte Nënë Tereza, ndërpriteshin luftërat.

Nga plagët tek yjet, kam thënë. Njëra nga pyetjet më të zakonshme dhe nga më të thjeshtat, por që përmbledh brenda hapësira ndjesish, që Don Lushi i bën Nënë Terezës është:

– Si e ndieni veten në mesin e popullit tuaj…?

Përgjigjja: “Jam shumë e lumtur… Mendoj në veçanti për familjen time, për babain tim të ndjerë, Kolën, dhe nënën time, Drane, që tani jeton me motrën time Age, në Tiranë, si dhe për vëllain tim, Lazrin, i cili jeton në Palermo… Nuk e kam parë nënën dhe motrën time që nga vitit 1928, që nga nisja ime… Këtu fytyra e saj, – tregon Don Lushi si një kronikan ungjillor,

– u bë hijerëndë, madje edhe paksa e pikëlluar, ngaqë, siç më tha, ajo ishte përpjekur sa e sa herë përmes autoriteteve politike të merrte leje për të hyrë në Shqipëri dhe për ta marrë nënën dhe motrën, por më kot. Sundimtarët e Shqipërisë nuk i dhanë kurrë leje për ta takuar të ëmën dhe motrën…

Unë shtoj këtu se Tirana politike nuk duhet të lajë duart si Pons Pilati për persekutimet e shumta në diktaturën komuniste sidomos të klerit katolik, burgosjet, internimet, deri edhe pushkatime, shembja e tempujve të fesë, ndalimi i besimit duke u shpallur Shqipërinë e atëhershme si vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë.

Thënë shkurt: burg ose ferr. Dhe duhet të kujtojmë që Nënë Tereza lutej për Shqipërinë, edhe pse nuk futej dot, dhe për Kosovën, ku do të shkonte shpesh, të paktën nja 5 herë na e dëshmon Don Lush Gjergji, në Prizren, Shkup, Letnicë, Ferizaj, Gjakovë. Më mbeten sytë te Fjala e shkruar e Nënë Terezës për motrat e saj në Binçë: Ne jemi të fejuarat e Krishtit… Asgjë s’mund të na ndajë prej dashurisë së Tij.

TË VAZHDOJMË TË SHFLETOJMË LIBRIN

Ja, një tjetër episod, sa domethënës! Një ditë para ceremonisë së madhe të dhënies se çmimit “Nobel”, teksa nëpër rrugët e Oslos endeshin mijëra e mijëra njerëz me pishtarë drite në duar, përflakeshin xhamat, dyndeshin te hoteli ku kishte bujtur Nënë Tereza, kudo ku mund të ishte ajo, donin që ta shikonin, ndërkaq, ja, ç’do t’i thoshte asaj Mbretit të Norvegjisë, Ollavi V:

– … po sikur të mos vij nesër në ceremoni?

– E pse? – ia ktheu Nënë Tereza shkujdesshëm. – Që të mos jem unë në qendër të vëmendjes, – kishte buzëqeshur Mbreti.

– E ke gabim, në qendër s’jemi as ti, as unë, – e ndërpreu Nënë Tereza, – por Zoti… Mbretërve, presidentëve, sundimtarëve, kujtdo Nënë Tereza guxonte, duke mos e ndjerë si guxim, t’u drejtohej secilit me “ti”.

Ajo beson te vlera njerëzore dhe barazia para Zotit, vetvetja është e mjaftë. Dhe kur pritej fjala e saj, të gjithë të pranishmit e shquar në ceremoni ajo i ftoi të bënin një lutje bashkërisht. Mes gazetarëve të shumtë pohoi se: nga gjaku dhe gjuha jam shqiptare dhe i përkas zemrës së Krishtit. Ky kumt u përhap në të gjithë botën, përveçse në Shqipërinë e saj të mbyllur si një burg. Por dhe aty, në burg, u fut lajmi, mes telave me gjemba dhe rojave me armë.

-Ç’ka ndodhur ndonjë gjë jashtë?, – pyetën nja dy të burgosur të vjetër një të porsaardhur në burgun e Spaçit. Dëgjova para se të më arrestonin, në televizorin italian fshehurazi se çmimi “Nobel për Paqe” iu dha një murgeshe shqiptare.

-Vërtet?

-Po, e dëgjova vetë. Të burgosurit përreth u mahnitëm, por nuk po guxonin ta besonim të gjithë. Mes tyre isha dhe unë, “në ferr” e dëgjova për herë të parë emrin e Nënë Terezës. Në burg kishim dhe priftërinj. Dhe natyrisht s’kishim si ta dinim se në Oslo, pranë Nënë Terezës ishte dhe një meshtari i ri, bashkatdhetari i saj, i ardhur nga Kosova, si vëlla, si bashkëmisionar që shkruante, mbante shënime, projektonte librat e ardhshëm. Ishte Don Lush Gjergji. Dhe jemi së bashku këtu nën mrekullinë e Shenjtes sonë, të gjithë. Ndiej zërin e Don Lush Gjegjit që pyet prapë:

Çfarë do të thotë për ju dhe motrat tuaja çmimi “Nobel për Paqe”? Zëri qiellor i Nënë Terezës: …asgjë nuk ndryshon te ne… çmimi është vetëm për të varfrit tanë, mendoj se ka qenë dhuratë prej Zotit, ndihmë e madhe që të mund të bëjmë diçka…

Pyetje tjetër e Don Lushit: Cili është mesazhi i paqes për botën… tani kur jeni bërë zyrtarisht “Nëna e Paqes?” “Duajeni njëri-tjetrin siç ju do Zoti. Ne do të qëndrojmë të bashkuar nëse lutemi, ngaqë të luturit ushqen besimin dhe feja ushqen dashurinë. Nëse ne besojmë dhe dashurojmë, atëherë do të mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për të tjerët”. Kështu foli Nënë Tereza.

Don Lush Gjergji e dinte më mirë se kushdo aty se cila ishte Nënë Tereza, nga vinte, ç’kishte qenë ajo, i dinte dramat e familjes së saj, babain ia helmuan kur u kthye nga Beogradi nga një mbledhje patriotike, ndërkaq ai ndjente dhe se kush do të ishte Nënë Tereza, sikur ia pa aureolën, breroren mbi krye. Dhe pati frymëzimin, s’dihet nga ç’tallaze parandjenjash për të ardhmen dhe bëri pyetjen ende më të thjeshtë, por sa të çuditshme për atëherë dhe sa e vlefshme për më pas: Kush jeni Ju?

Ishte për të mbajtur frymën dhe të dëgjoje ç’do të thoshte botërisht Nëna Tereze: “Origjina ime është shqiptare. Shtetësia ime është indiane. Unë jam katolike, murgeshë e kushtuar. Për nga thirrja ime, unë i takoj tërë botës. Por zemra ime i takon tërësisht Zemrës së Jezusit”. JAM SHQIPTARE! – tha Nënë Tereza Të gjithë do të donin të kishin sa më shumë prej saj, çdo popull do të donte ta kishte të veten, që si dhuratë të Zotit ia falte njerëzimit. Ballkani ynë, fqinjët tanë shquhen për konflikte kësisoj, për përvetësime të historisë dhe heronjve të njëritjetrit.

Don Lush Gjergji i dha fletën e bardhë Nënës dhe ajo shkroi me atë shkrimin e saj të bukur e të rregullt si rilindasit, ku kuptohet se kemi të bëjmë me një person të kultivuar që shkruan, fjalëpakë, por urtësisht saktë, me ato shkronjat harmonike si kokrrat e rruzares dhe ja, ç’na la: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutem shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. M. Teresa Bojaxhiu”. E noterizuar për përherë.

Pikërisht kjo letër e thjeshtë, gati si e rastësishme, ku do të vinte dhe mbiemrin e saj të familjes, i njohur ndër shqiptarë, duket se do të ndihmonte biografët, historianët dhe akademitë, do të hidhte dritë mbi hulumtimet e një të vërtete, do t’u mbyllte gojën debateve të mëvonshme për përkatësinë, rrëmbimeve të mundshme etj.

Ishte Don Lushi që bëri kështu avokatin shpirtëror duke e ruajtur si pjesë të një testamenti, duke dhënë kështu mundësinë për t’u botuar herë pas here me shumëçka të grumbulluar ndër vite për Nënën, duke u bërë ndërkohë biografi më i mirë shqiptar i Shenjtes sonë. Dhe erdhi dita që Nënë Tereza të vinte dhe në Shqipëri. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe po binte perandoria komuniste. Vuri lule te varri i nënës dhe tek i motrës pranë. Dhe erdhi prapë e prapë, kur Shqipëria u hap dhe vendosi sistemin demokratik, e lidhur me botën euroatlantike.

Vëllezërit e mi myslimanë, thoshte ajo dhe ashtu siç bekoi projektin e Katedrales së Shën Palit në Tiranë, po kështu firmosi për ngritjen e Kryegjyshatës bektashiane atje, një degë e shëndoshë e së cilës është dhe këtu në Detroit. Nënë Tereza priti në Tiranë dhe Papa Gjon Palin II ashtu si një bijë që pret mysafirët në derë të atit, e shoqëroi dhe për në Shkodër. Aeroporti në Tiranë tani mban emrin e saj. Shqiptarët, kur udhëtojnë nëpër botë, duket sikur nga aty i përcjell Nënë Tereza drejt qiejve të hapur dhe kushdo që shkon në Tiranë me avion, përsëri në atë aeroport duket sikur i mirëpret ajo.

Lutjet e Nënë Terezës për paqe, por vëllazërim mes popujve dhe dashuri mes njerëzve, kanë frymë të përhershme kundër urrejtjes, sidomos sot, që buçet lufta në Ukrainë e vriten të pafajshëm e fëmijët mbeten rrugëve mes bombardimeve. Dhe s’ka si të mos na kujtohet lufta në Kosovë. Nënë Tereza pa dyshim si katolike e madhe ishte është kundër çdo lufte dhe kundër çdolloj arme, që nga ato të abortit dhe deri tek ato të lemerishmet që shfarosin njerëz në masë, njëlloj janë, e te pandemitë, që i përhap djalli.

Që të çlirohej Kosova, ndërhyri NATO-ja dhe bëri të parën luftë morale, të shpëtonte një popull që po kërcënohej nga përzënia, nga ai eksod si në bibël, nga zhbërja. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, do të dëshmonte botërisht në qershor të vitit 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar, dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”. Kaq herë u kishte thënë Ajo të mëdhenjve të botës: Ndihmojeni popullin tim! I telefonoi dhe Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Dhe lutja Zotit iu dëgjua.

E lëvizi botën. Dhe ajo përsëriste shpesh: Mësomë të dua, o Zot!… Dhe Don Lush Gjergji ka kaq kohë që përpiqet t’i mësojë shqiptarët se si ta duan Shenjten Nënë Tereza dhe më duket sikur e ka marrë prej dore sërish që të ecin së bashku rrugëve të vendlindjes, në Ballkan e më tej, matanë oqeanit, në SHBA, deri këtu për të përhapur dritën e saj qiellore. Nënë Tereza kishte dhe qytetarinë amerikane ashtu si atë të Vatikanit bashkë me atë italiane e indiane, por kur mori dhe pasaportën shqiptare, diplomatike madje, ishte vërtet e gëzuar.

Po ajo ishte vetë gëzimi i botës, investitore e buzëqeshjeve e quanin, industrialist e dashurisë. Jam një copë lapsi në duart e Zotit, thoshte ajo për veten e saj. E di e gjithë bota tani që ajo është shqiptare, por sa janë shqiptarët të Nënë Terezës, pyes herë pas here, kjo ka rëndësi tani, them. Zoti na e dha Shenjten Nënë Tereza 500 vjet pas kryeheroit, Gjergj Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që me shpatë mbrojti atdheun, Europën, kulturën perëndimore dhe krishterimin dhe u bë kryekomandant i përbashkimit. Siç duket, duhet të kuptojmë të gjithë se mjaft më me shpatë dhe me armë, por me lutje dhe dashuri. Dy emblemat më rrezëllitëse që populli shqiptar ia dha botës, Kryekomandantin dhe Shenjten.

Jemi një popull që ka dhuruar shenjtër, Papa Françesku në Selinë e Shenjtë, por dhe në Tiranë, ku kreu vizitën e parë apostolike në Europë, dhe në vende të tjera ka përsëritur shpesh që duhet të jemi krenarë për këtë grua dhe e kanonozoi para 120 mijë vetëve, të ardhur nga e gjitha bota, në sheshin “San Pietro”, ku atë ditë mes shumë e shumë flamujve, të Vatikanit, Italisë, të SHBA-ve, Indisë, nga e gjithë bota katolike, valëviteshin më së shumti flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës, po edhe të Maqedonisë së Veriut (të Jugut për ne, shqiptarët).

Në atë shesh ka shumë pëllumba të bardhë, që u afrohen njerëzve dhe u ulen dhe mbi supe. Mos vallë njëri nga ata pëllumba fluturoi dhe erdhi sonte këtu në Kishën tonë dhe është ky libër që po përurojmë? Apo ky libër është një pëllumb paqeje, i nisur për kudo me lajmin e mire? Gjithsesi, vepra për Shenjtën Nënë Tereza është si një Ungjill sipas Don Lush Gjergjit. Aleluja!

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti

A quhet vjedhje, kur hajduti vjedh hajdutin?

January 14, 2023 by s p

Koment nga Rafael Floqi/

Një pastruese nxori në shesh të palarat dhe tregoi se reformat në drejtësi janë vetëm një lustër. Ajo është një letër lakmuesi për korrupsionin dominant. Kjo thënie duket shprehja “ fjalë zotëri fjalë”, por ajo skenë krimi, është analiza më e mirë e korrupsionit në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, pavarësisht partive dhe prirjeve politike. Persona me kollare që nuk tregojnë paratë e vjedhura se mund t’u bjerë hetimi mbi ta. Persona që pranojnë unazat e tyre të vjedhura dhe që nuk i dalin zot 400 mijë eurove të fshehura në tubin e ajrimit të pastrueses spastruese. Këta persona që mbajnë pastruese për të pastruar shtëpitë e tyre heshtin për paratë e dinë që ato para nuk janë të tyret.   

Po duket se “djajtë kanë dalë nga shishet”,  një gamë e zyrtarëve të nivelit të dytë duket se nuk kanë frikë nga asgjë dhe fakti që nuk kanë frikë do të thotë se në mendjen e tyre ata kanë një garanci, e cila është se ligji nuk do veprojë mbi ta, pasi nuk vepron mbi shefat e tyre. Megjithatë “Vjedhësit janë një grup paragjykues, frikacak.” -thotë Batman në film. Kjo zonja vjedh-hajdute në banesat ku e kishin marrë për pastrim, prishi një kontratën tonë kombëtare të heshtjes e pajtimit me krimin në planin moral. Ajo veç aktit që është tjetër gjë, na tregoi se mbreti është lakuriq! Mbreti lakuriq na kujton se edhe ata që duken të plotfuqishëm dhe të pagabueshëm mund të ekspozohen si mashtrues dhe sharlatanë

Faktet flasin vetë, një zyrtare e cila u kap duke transportuar drogë pak ditë para Vitit të ri pastaj vjen ish-zyrtarja e Kryeministrisë Alda Klosi, e pushuar nga Rama 10 ditë më parë.  të cilës iu vodhën mbi 120 mijë euro nga banesa, mund të kenë qenë raste aksidentale apo e inskenuar.  Duket sikur ka një garanci, por cila  është garancia? 

Garancia është që ligji nuk do veprojë mbi ta, nëse vazhdon kështu më ngjan që ky vit dhe ata në vazhdim do mbushen me ngjarje të tilla. Këto që kanë dalë kanë qenë raste aksidentale. Nuk mban askush para të pastra 500 mijë euro në shtëpi, në banesë mbahen para për shpenzime të familjes. Kushdo që ka qenë zonja Klosi është normale që tani të thotë, që nuk janë të sajat sepse i ka të humbura gjithsesi. 

Të gjithë e supozojnë se ka para që qarkullon ilegalisht ose informalisht nëpër dyshekë, nën dollape, futur në çizme, nëpër bodrume të thella ndërtesash, në hatulla çatish. Prandaj, kanë një rrugë të vetme të paguajnë që t’i legalizojnë!  Të gjithë supozojnë që ka aq shumë të çara normative dhe institucionale në tenderime, dhënie projektesh publike, etj., sa duhet të ketë jo pak nëpunës që marrin mbrapsht nga firmat përfituese, prej dekadash, parà si shpërblim. Mund të bëhet fjalë për male parash!

Në ligj, vjedhja në përgjithësi përkufizohet si marrja me dashje dhe me vetëdije e diçkaje që nuk ju përket pa pëlqimin e pronarit.  Ashtu si në pothuajse çdo qëllim krimi (mens rea) dhe veprimi (actus reus) do të duhet të provohen në mënyrë që të qëndrojnë. Teorikisht, ju mund t’i merrni sendin ligjërisht hajdutit nëse do të kishit pëlqimin e pronarit (hajduti nuk ka asnjë pretendim të drejtë për të, kështu që ju nuk do të vidhnit prej tij dhe me pëlqimin e pronarit nuk ka asnjë krim) por kjo do të krijonte dy probleme: 1) për ta bërë këtë, ka të ngjarë që ju duhet të kryeni një krim (sulm, thyerje dhe hyrje) dhe 2) është një parim i përgjithshëm i ligjit që qytetarët nuk lejohen të marrin ligjin në duart e tyre dhe duhet të apelojnë në qeveri (polici, gjykata) kur të drejtat e tyre janë shkelur. Në juridiksionet ku mbrojtja e pronës është e ligjshme, ardhja në ndihmë e dikujt, prona e të cilit sapo është vjedhur dhe marrja e saj nga hajduti (me kusht që kalimi i kohës të jetë i arsyeshëm) do të justifikohet pasi ligji në përgjithësi nuk bën dallim midis mbrojtjes së vetes ose të të tjerëve, duke përfshirë në lidhje me pronën. 

Ky është një gabim logjik i njohur si, “Dy gabime nuk bëjnë një të drejtë”. Pra përgjigja është po! Eshtë akoma vjedhje. Edhe pse siç thotë spastruesja vjedhje për inat  ‘E vodha se nuk e duroja dot Aldën? Këtu nuk ka një veprim Robin Hood. Ky akt i marrjes nga të pasurit dhe dhënies së të varfërve shpesh shihet si mënyra e Robin Hood për të korrigjuar gabimet e një shoqërie ku të pasurit kanë shumë dhe të varfrit shumë pak. Por Rozeta nuk ishte Robin, Rozeta vidhte për punët e veta. 

Mos kemi nevojë të vidhte kjo pastruesja për të kuptuar ne si qytetarë që nuk përjashtohet që ka nëpunës dhe fëmijë nëpunësish të lartë që jetojnë krejtësisht jashtë mundësive të rregullta të fuqisë blerëse me rrogat që marrin? Aspak! Por këtu skenari bëhet më i komplikuar 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar shpejt lidhur me vjedhjen e kryer nga sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havier Dobi në shtëpinë e ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt.  Rreth 500 mijë euro është shifra e parave dhe sende të tjera me vlerë që u grabitën te shtëpia e Alda Klosit. Në një postim në Facebook, Rama ka deklaruar se duhet t’u shkohet deri në fund hetimeve dhe forca e ligjit duhet të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme. Kreu i qeverisë ka shtuar se kjo ka qenë edhe arsyeja e Reformës në Drejtësi dhe se mburoja e vjetër politike për të tilla raste ka rënë”.

 Por shtrohet pyetja kush i mbulonte gjer tani? Pa dashje kryeministri bën një mea culpa.  Pasi këta persona që flitet kanë qenë zyrtarë të tij, deri para 10 ditësh, dhe pastaj ligjërata e tij vazhdon me tymnaja shashkë të parullave te propagandës rilindase për të mbuluar atë që peshku qelbet nga koka.   

“Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligj- zbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit! E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë!”, shtoi ai.

Cila mburojë e vjetër? Kush i ka venë në detyrë këta njerëz? Sa vjet kanë ata në detyrë? Pse vidhet kjo ish punonjëse, një javë pas shkarkimit nga Rama? Vërtet, po të mos ishte kjo pastruesja a do t’i thoshte këto fjalë Rama? Pse ky reagim i shpejtë i kryeministrit? Pse hesht opozita, apo ka një pakt të heshtur me qeverinë pasi të gjithë janë njësoj? Por Rama përse kërceu, për vjedhjen e pastrueses apo të zonjës së saj. Pasi ne të gjithë e pamë reagimin që nuk kapërcehet me elokuencë Një fjalë popullore do të thoshte “ç’pati ky tani, pse i dogji”.

Dhe pastaj seria tjetër. Duket si një serial fiksional “ Unlaë, no order”. Arrestimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj është një goditje tjetër në nivelet më të larta të administratës publike për një rast korrupsioni. Së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Mbështetëse dhe Çështjeve Ligjore Fatmir Hoxha dhe përmbaruesin Alban Ruli ata akuzohen se i dhanë 1.2 milion euro nga buxheti një person, që i kishte marrë një herë paratë. Nuk dihet se si, por Thana arriti që nëpërmjet zyrës së përmbarimit të marrë përsëri paratë e dëmshpërblimit të së njëjtës magazinë dhe truall. Këtu hynë në lojë të arrestuarit, nëpunësit e shtetit Gjokutaj dhe Hoxha dhe përmbaruesi Ruli. Prokuroria thotë se përmbaruesit e caktuan vlerën e magazinës në kundërshtim me ligjin për 145.000.000 lekë duke e trajtuar si ish pronar Ilir Thanën. 

Mor po këta të arrestuarit, kush i vuri në pozitë të tillë. Arlind Gjokutaj simbolizon një nga historitë e suksesit të nëpunësve të administratës civile gjatë qeverisjes së Rilindjes. Arlind Gjokutaj është emëruar sekretar i Përgjithshëm të Ministrisë së Financave rreth një vit më parë. Gjokutaj së fundmi ka drejtuar Njësinë Speciale Antikorrupsionit dhe Antievazion. Më herët ai ka qenë ka pasur disa detyra të rëndësishme e kryesisht në institucionet si Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe drejtor i Përgjithshëm i Doganave. Ai qëndroi në postin e “kryedoganierit” vetëm për 7 muaj.

Përveç karrierës së suksesshme në administratë, Gjokutaj ka një cv për t’u pasur zili. Ai ka kryer studimet për Administrim Biznesi në Universitetin “Bocconi” në Milano, si dhe ka përfunduar studimet master për Financë dhe Menaxhim Risku në Universitetin “Bicocca” në Milano.

Ai është angazhuar si lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës dhe në disa Universitete private. Është çertifikuar si “Trainer of Trainer në fushën e Antikorrupsionit dhe mirëqeverisjes”, nga OSBE. Si duket edhe ky ka thënë me vete “të gjithë po vjedhin pse të mos ndyhem dhe unë.” Por a nuk mendojnë këta njerëz që e venë kryeministrin në siklet.  Duket se janë duke vjedhur te gjithë dhe s’po i mban dot pleshtat në një grusht, siç thoshte Fishta,  dhe tani duket se janë duke vjedhur jo vetëm me miratim por pa leje. Pasi hajdutët janë si barërat e këqija, ata gjithmonë do të gjejnë një mënyrë për t’u rritur.

Dhe ne si qytetar dhe e pse e dimë heshtim, dhe vetëm në Facebook lëshojmë komente si ky. “Rama e ka lëshuar SKAP-in e partisë, të lehë e t’i frikësoje ca, dhe këtë do me e shit si sukses, ndaj arrestimet e fundit, sikur kërkojnë të mbulojnë korrupsionin galopant. Por problemi më i madh është që këta që Rama i ka fut në administratë i kanë sytë te leku dhe janë grykësa. dhe nuk i mbledh dot më as Rama e as SPAK-u. Eshtë çthurrur administrata s’ka burrë nëne ta përmbajë më, dhe këta që kanë hyrë administratë nga kjo frymë që është aty, janë superhajdutë apo janë bërë. Besoj se ajo pastruesja nuk do vidhte po të mos i shihte paret sheshit. Ajo te AKSHI bënte trafik droge, kjo e këshilltarja Ahmetajt i fuste eurot nën dyshek, ky tjetri i jep lek dëmshpërblim me paret e shtetit.  Kanë dalë të gjithë me kosë në dorë e s’të falin as gramin, ah mos harroj atë pastruesen që ka dalë me fshesë me korrent”.

“Ndërkohë me këtë historinë e kësaj pastrueses mund të bëhet best-seller botëror apo një triller. Se mund të fantazosh për të bërë një roman se ajo vidhte, por jo vetëm, ajo edhe shantazhonte ata që grabiste duke u thënë : Shiko, po më denoncuat, do ta hani keq! Madje fantazia mund të shkojë edhe më shumë. Ajo në roman mund të paraqitet si personazh edhe sikur i vidhte, por pastaj, pasi u gjeti vendin ku i fshihnin lekët, u kërkonte punëdhënësve të saj çdo muaj lekë për të mos folur. Kështu që mund të imagjinojmë që në fakt argate nuk ishte ajo, por argatë ishin ata që fillimisht e kishin marrë si pastruese. Argatja u kthye në zonjë dhe zotërinjtë dhe zonat u kthyen në argatë. Sikurse ndodh zakonisht! Këta të fundit mblidhen, në roman gjithmonë, dhe thonë: Si të bëjmë? Ose ta vrasim, ose njëri prej nesh të tregojë se është vjedhur që të shpëtojnë të tjerët!  Por, Sudja e kohëve të reja i kishte kapur fort ish argatët e vet prej koqesh. Madje aq e sigurt saqë dilte me disa vetura luksoze. Pastruesja shkonte me Benz për të pastruar! – Fantazi! shkruante në një opinion profesori im i filozofisë Artan Fuga. apo realitet?  Fatkeqësisht në Shqipëri realiteti i korrupsionit ia kalon fantazisë, ose një variant tjetër është se paratë prej 500 mijë dollarësh janë të Aldës apo të shefit të saj Ahmetaj, ministrit me shkollë Anglishte të shpallur Ministër Ekonomie, apo dhe dikujt tjetër më lart, janë paratë e atyre djegësve                    ( inceneratorëve), dhe se mos Alda bashkëpunoi me pastruesen për të larë disi ato. Fakti që pastruesja pavarësisht aktit ishte e pa rrahur në këso punësh, foli për para të tjera me të birin në dhomën e përgjimit të policisë. Kështu Rozeta mund të jetë vjedhëse, por mund të jetë edhe viktimë.(sic!)

Ky është sistem i pastër kleptokrat pavarësisht ngjyrimeve politike. siç thoshte një miku i im. “Pozita dhe opozita e kanë mendjen tek depozita”. 

Një sistem “kleptokratik” i referohet një sistemi qeverisjeje ose organizimi në të cilin ata në pushtet përdorin pozicionin e tyre për të vjedhur dhe për të fituar pasuri dhe burime përmes korrupsionit dhe abuzimit të pushtetit. Është një lloj qeverisje që karakterizohet nga korrupsioni i përhapur dhe vjedhja e burimeve shtetërore nga pushtetarët. Kjo mund të çojë në mungesë transparence, qeverisje të dobët dhe mungesë llogaridhënieje. Në një sistem kleptokratik, sundimi i ligjit shpesh shpërfillet dhe të drejtat e qytetarëve shpesh shkelen. Kjo mund të çojë në mungesë besimi te qeveria dhe institucionet dhe mund të shkaktojë paqëndrueshmëri sociale dhe ekonomike. 

A ju ngjan kjo me Shqipërinë, ku e gjithë piramida shtetërore ngrihet mbi vjedhjen dhe blerjen me paratë e vjedhura. Ky është një sistem piramidal, pasi duke dashur të mbajnë dëshpërimisht pushtetin, si garanci për të mos u ndëshkuar, ata kanë nevojë të vazhdueshme të vjedhin. Mirëpo bota është shumë e madhe për t’i kënaqur të gjithë. Këtë e tregoi më së miri çështja e inceneratorëve. Me gjithë dhjetëra milionat e derdhura për t’i mbyllur gojën medias, afera plasi dhe nuk mund të mbyllet. Është fatkeqësi, një nga efektet më të tmerrshme të një diktature është padyshim, shpërfytyrimi i karakterit dhe dinjitetit njerëzor këtë dëshmoi dhe kjo vjedhje. 

Logjika normale nuk e rrok, se përse ai që ka vjedhur miliarda me inceneratorë, me leje ndërtimi e me koncesione gjithfarësh, tani ka nevojë edhe për fondet modeste të një rruge atë të dëmshpërblimit sa herë shitur të binasë, dhe kur kjo pronarët e vërtetë nuk marrin as pronat e gjyshit të vet. 

Grykësia e të pangopurve nuk e justifikon, as edhe atë pastruesen milionere që jo vetëm na prishi kontratën e heshtjes që ne kemi të gjithë me të keqen, si pozita si opozita si Rama si Saliu  por edhe na nxori të palarat si shoqëri. Kjo shpjegon këmbënguljen e kryeministrit për amnisti fiskale… “Problemi nuk janë vjedhësit dhe mashtruesit, problemi është qëndrimi i shoqërisë ndaj tyre”, shkruante një shekull më parë  Fjodor Dostojevski.

Tani pa fantazi. Ka zëra që vjedh-hajdutja dhe mund të bëhet e penduar e policisë, për të shpëtuar veten dhe djalin. Dhe atëherë do të kuptohet, pse duhet që të gjithë nëpunësit e politikanët ta kalojnë vetingun. “Vetingu është baza për marrjen e vendimeve të informuara dhe shmangien e gabimeve të kushtueshme. Vetingu është një proces i vazhdueshëm që kërkon vëmendje dhe vigjilencë të vazhdueshme për të siguruar saktësinë dhe plotësinë”, përsërisin teoricienët e Reformës në Drejtësi.  Epo kush ja ka ngenë! Çfarë thashë, “veting”, mos o zot na duhet të presim 5 vjet!  

Vetingu më i mirë, tani e ka emrin Rozeta Dobi. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Rafael Floqi

Reçaku dhe liria e Kosovës

January 14, 2023 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Këtë të diele bëhen 24 vite nga masakra e Reçakut që tronditi dhe tmerroi Kosovën por e ndërgjegjësoi dhe alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare që të veprojë kundër shtetit kriminale serbe.

Kosova ka përjetuar tmerret më të mëdha nën pushtimin e Serbisë, por dhembja dhe lufta e saj nuk ishte trajtuar, thuajse asnjëherë, seriozisht nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare. Kështu, edhe pse në tetor të vitit 1998, u nënshkrua marrëveshja Hollbruk-Millosheviq, nuk u respektua asnjëherë. Krimet e ushtrisë serbe vazhduan në gjithë territorin e Kosovës. Kulmi i shkeljes së marrëveshjes për armëpushim që me 15 janar 1999, kur në Reçak u vranë në mënyrën më mizore 45 gra, pleq e fëmijë.

Për këtë ngjarje, kryesuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker doli para opinionit publik dhe deklaroi: “Ky është krim kundër njerëzimit!”. Ky vlerësim real, objektiv dhe i guximshëm për kohën dhe rrethanat, i William Walkerit, ishte jashtëzakonisht domethënës dhe kishte ndikim të fuqishëm në qendrat e vendosjes ndërkombëtare, meqë barbaria serbe po dëshmohej para syve të botës mbarë!

Pas krimit serb në Reçak dhe pas deklaratës së William Walkerit, bota filloi ta perceptojë me më shumë objektivitet, agresionin dhe gjenocidin serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Ky fakt i dha fuqi më të madhe morale UÇK-së dhe luftës së saj të drejtë për çlirim nga sundimi serb. Në të njëjtën kohë, ky rast ndikoi fuqishëm në ndërkombëtarizimin e luftës në Kosovë dhe sidomos në afirmimin e kauzës së drejtë të luftës çlirimtare të UÇK-së. Më 18 mars 1999, viktimat e masakrës së Reçakut, kishin qenë të gjithë civilë të paarmatosur dhe vrasja e tyre ishte quajtur “krim kundër njerëzimit”.

Kështu kishte deklaruar edhe ekipi ndërkombëtar që ishte marrë me ekzaminimin e 40 kufomave të masakrës së Reçakut. Kryesuesja e ekipit, Helena Ranta, kishte bërë këtë deklaratë që ishte në kundërshtim me raportin zyrtar serb dhe ishte në përputhje të plotë me pohimin e William Walkerit, në ditën e masakrave: “Forcat e sigurisë serbe kanë masakruar civilët shqiptarë“.

Kështu, William Walker, dëshmoi para krejt botës për këtë masakër, të cilën e konfirmoi edhe ekspertja Helena Ranta. Tanimë, Fuqitë e mëdha, ishin të obliguara edhe moralisht, që të ndërhynin ushtarakisht, në emër të humanizmit për të ndihmuar popullin shqiptar, në ditët më të vështira të tij.

Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!

I përjetshëm qoftë kujtimi, respekti i kombit për ta!

Filed Under: Histori Tagged With: Lulzim Nika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1885
  • 1886
  • 1887
  • 1888
  • 1889
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT