• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VIRUSI DHE LIRIA, ÇMIMET E SHTRENJTA TË PAGUAR NGA REGJIMET

January 7, 2023 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO/

Është në të njëjtën kohë I frikshëm dhe sigurues dështimi i hatashëm kinez në mbarështimin e pandemisë. Është i frikshëm për pasojat shëndetësore: ai dështim po bën të sëmuren milionë kinezë e po ve në rrezik gjithë pjesën tjetër të botës në një valë të re pandemike. Ndërsa është siguruese për dy arsye. E para është gjeopolitike. Teoricienët e perëndimit të Perëndimit ndoshta gabojnë. Ndoshta Kina nuk do t’arrijë të bëhet, as edhe mbas një dhjetëvjeçari, një mbifuqi aq e fuqishmesa t’i bëjë ballë Shteteve të Bashkuara. As, siç kanë parashikuar disa, që të kthehet të jetë siç ishte në Gjashtëqindën dhe Shtatëqindën (para se të fillonte Revolucioni industrial në Britaninë e Madhe) Vëndi m’i pasur e më i begatshëm i globit. Autokracia ka një çmim. Çmimi është tepria e rreptësisë që i ndalon qeveritarëve të përballojnë belegje të papritura me pragmatizëm dhe aftësi për të ndrequr gabimet gjatë veprimit.

Arsyeja e dytë është që dështimi kinez tregon për të gjithë epërsinë e shoqërive të hapura e demokratike kundrejt autokracive. Një epërsi shumë konkrete, jo abstrakte dhe ideologjike: është i pamëshirshëm krahasimi ndërmjet mënyrës së efektëshme – mbasi është kaluar faza e parë e çorientimit dhe pështjellimit – me të cilën bota perëndimore ka ditur të përballojë pandeminë dhe dështimit kinez. Dështim që kinezët, për inat të çfarëdo qartësie, ngulin këmbë t’a mohojnë.

Siç tregojnë edhe protestat e autoriteteve kineze kundër atyre Vëndeve që, si Italia, i nënshtrojnë kontrollit shëndetësor udhëtarët që vijnë nga Kina, po ashtu sikurse mospranimi i vaksinave perëndimore të ofruara nga BE.

Kanë një gjë të përbashkët mbarështimi i keq kinez i spikamës Kovid dhe paaftësia ruse për të mundur Ukrainën. Me gjithë ndryshimet e mëdha ndërmjet tyre, autokracitë kineze e ruse janë të bashkuara nga pa-aftësia / pamundësia për të kuptuar se çfarë rezervë e fuqishme është liria vetiake, se çfarë fuqie çliron ajo e me çfarë dobish për grupet njerëzorë në të cilët ajo është e mbrojtur mjaftueshëm. Paralelet historike janë gjithmonë të guximëshme, por mund të thuhet se Putini ka rënë në të njëjtin gabim me atë të kryer, në fillim të të Pestit shekull para Krishtit, nga perandoria e fuqishme persiane kur mësyu Greqinë: u mund sepse nënvleftësoi sa energji do të mund të grumbullonin e të harxhonin në betejë njerëzit e lirë të qyteteve greke. Për të njëjtat arsye, Putini ka nënvleftësuar ukrainasit, për më tepër edhe perëndimorët, përfshirë këtu edhe paqësorët evropianë, të vetëdijshëm që nga fillimi i luftës, për faktin se duke mbështetur Ukrainën janë duke mbrojtur vetë liritë e tyre.

Që autokracitë nuk kuptojnë se çfarë pasojash të dobishme prodhojnë liritë vetiake për bashkësitë, është diçka normale, e parashikuar. Por çfarë mund të thuhet për të gjithë ata perëndimorë që janë të mësuar përgjithmonë të shijojnë liritë që shoqëritë tona u sigurojnë edhe atyre e megjithatë i përçmojnë apo gjithsesi nuk i kuptojnë dobitë? Nga lind ky bllokim mendor? Armiqtë perëndimorë të lirive perëndimore në më të shumtët nuk thonë sot, siç thonin njëherej, se demokracitë liberale përfaqësojnë të keqen. Por pikërisht si atëherë, kafsha e zezë për ta është gjithmonë tregu. A thua se, pa treg, mund të mbahen shoqëria e lirë, demokracia, liria vetiake. Venë gishtin kundër “dështimeve të tregut (që sigurisht, herë pas here, vërtetohen), por duan t’i shërojnë me goditje të Shtetit, duke zgjeruar rolin dhe praninë e Shtetit. Shtiren sikur nuk e dijnë se “dështimet e Shtetit” (nga Pekini në Moskë, nga Teherani në Karakas e në shumë vënde të tjera) shkaktojnë pasoja pafundësisht më të rënda, më rrënuese, e kohëgjata. Edhe duke lënë mënjanë rastet më dramatike dhe të dukëshme, për t’u kufizuar në një shëmbull të shtëpisë sonë, sa ka shërbyer deri tani tepria e statalizmit që gjithmonë trishton ekonominë e Jugut të Italisë, për t’i shëruar sëmundjet?

Mbas armiqësisë për tregjet tejshihet mosbesimi për liritë vetiake e për botën “kaotike”, që në dukje ato ushqejnë. Një kaos për t’u kuruar, simbas disa mjekëve me doza të mëdha statalizmi, duke zëvendësuar drejtimin shtetëror (pashmangshmërisht të të pakëve) lirise së veprimit të të shumtëve. Në sajë t’atyre lirive të veprimit shoqëritë e hapura perëndimore kanë një lëvizshmëri që i u mungon shoqërive të tjera, e për më tepër, sistemet e tyre demokratike kanë aftësinë të ndreqin gabimet dhe pasojat e çoroditura që veprimet e shumëve mund të shkaktojnë. Pikërisht pandemia tregon dobitë e shoqërisë së hapur e të tregut që është një përbërës i domosdoshëm i saj. Në sajë të lirisë së ndërmarrjes, kemi mundur të kemi, në kohë shumë të shkurtëra, vaksina në gjëndje të luftojnë sëmundjen. Ku nuk ka shoqëri të hapur, ku Shteti mëton t’i zëvendësohet tregut, asgjë e këtillë nuk mund të ndodhë. Jo vetëm mungesa e lirive pengon gjëndjen e zgjidhjeve të efektëshme për të përballuar piskamat. Por, për më tepër, masat e zbatuara nga autokracitë dalin gjithmonë të përbindëshme, detyrojnë kosto shoqërore tejet të larta e i rëndojnë në vënd që t’i zgjidhin problemet. “Kura” e përdorur gjatë nga autoritetet kineze, mbyllja e plotë dhe mizore e qyteteve të tëra, burgosja e nënshtetasve të tyre, ka shërbyer për të sjellë vuajtje në popullsinë por jo për të zhdukur sëmundjen. Bëhet fjalë për masa të ushtrueshme vetëm aty ku nuk ka qytetarë por nënshtetas, ku liria vetiake është e paqënë. Masa që demokracitë perëndimore nuk do të kishin mundur kurrë t’i zbatonin. Është e mjaftueshme të mendohet se këtu tek neve kanë mjaftuar disa masa të buta por të nevojshme për të bërë të gërthisnin për skandal disa: a e kujtoni green pass dhe marrëzitë mbi “diktaturën shëndetësore”? Për të ditur se çfarë do t’ishte një diktaturë e vërtetë shëndetësore ishte e nevojshme të vizitohej Kina. Me të drejtë për sa i përket “dështimit të Shtetit”.

Nuk mund të jepet për të sigurtë që në kundërshtinë ndërmjet shoqërive të hapura e atyre të mbyllura, ndërmjet demokracive dhe autokracive, fitorja përfundimtare do t’u shkojë gjithmonë të parave. Por, së paku, dijmë se bota e jonë zotëron rezerva (morale më shumë se lëndore), që të tjerët nuk i kanë.

“Corriere della Sera”, 3janar 2023 E përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Fejton Tagged With: Eugjen Merlika

LE TE ENDERROJME!

January 7, 2023 by s p

JULIA GJIKA/

Eshtë dita e parë e vitit të ri!

Mos fillo asnjë punë, clodhu, se ke punuar dje,

dje, sa për një vit të tërë !

Një vit të plotë, sa për dhjetë vjet!

Le të qeshim në ditën e parë të vitit.

Le të mendojmë për ata që na duan,

që i kemi afër apo larg, nëpër botë.

Le të kujtojmë ata që na kanë harruar.

Ata që ikën pa na thënë lamtumirë .

Le të ëndërrojmë në ditën e parë të vitit,

sa për njëmijë vjet, aty është forca, e pandryshuar,

që nuk na braktis.

Kjo ditë e parë e vitit,

e bekuar, në palcë të dimrit, erdhi me diell.

Mjafton të themi: është ogur i mirë .

Le të shpresojmë, le të ëndërrojmë!

Filed Under: Kulture Tagged With: Julia Gjika

New Alzheimer’s Drug Approved by FDA Modestly Slows Pace of Cognitive Decline

January 7, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Today the US health officials approved a medicine meant to slow the progression of Alzheimer’s disease. The FDA accelerated approval of the new medicine known scientifically as lecanemab has drawn scrutiny given its potential wide use and its high cost of $26,500 per year for an average patient. “Leqembi is the second of a new category of medications approved for Alzheimer’s disease that target the fundamental pathophysiology of the disease” states the Press Release. In 2021, the FDA similarly cleared Aduhelm, developed through the same partnership between the Japan-based pharmaceutical company Eisai and US Biogen.

Fridays’ announcement by the FDA comes three months after a large trial findings that treatment with Leqembi slowed patients’ physical and cognitive decline over 18 months. Although the results were the first clear-cut success for a drug of Leqembi’s type in late-stage clinical testing, the accelerated approval requires companies to conduct another clinical trial before full approval can be considered. Still there are many unanswered questions about the drug with regard to the magnitude of its benefit, especially in light of its potential safety risks.

Importantly for the FDA’s decision-making, Leqembi worked as it was designed to — making it the first therapy approved in the U.S. for the treatment of Alzheimer’s itself by targeting the underlying disease process rather than symptoms of the disease.

Alzheimer is an irreversible, progressive brain disorder affecting more than 6.5 million Americans that gradually destroys memory and cognitive skills eventually affecting the ability to carry out simple tasks.

Researchers evaluated the efficacy of Leqembi in a double-blind, placebo-controlled, parallel-group, dose-finding study of 856 patients with Alzheimer’s disease, as specifies in the prescribing information. The labeling states that treatment with Leqembi should be initiated in patients with mild cognitive impairment or mild dementia stage of disease, the population in which treatment was studied in clinical trials.

The approval of the drug, lecanemab, to be marketed as Leqembi, is likely to generate considerable interest from patients and physicians, per news reporting. In its decision, the FDA appeared to acknowledge the criticism brought on by its approval of Aduhelm in 2021 after both a committee of independent advisers and a council of senior officials at FDA pointed out that the data failed to conclusively show that Aduhelm slowed cognitive decline.

With Leqembi, the F.D.A. included narrower and more cautionary language on the drug label than it initially had with Aduhelm. The Leqembi label says the drug should be used only for patients in early and mild stages of Alzheimer’s disease, matching the status of patients in the clinical trials of the drug. Data shows that about 1.5 million of the six million people with Alzheimer’s in the United States are estimated to be in the beginning phases of the disease, with diagnoses of either mild cognitive impairment or early-stage Alzheimer’s. The number of patients to be treated with Leqembi will depend significantly on whether Medicare covers the drug.

Leqembi, the brand name, is based on “qembi” in Japanese, which “roughly translates into beautiful, healthy, elegant”. Alzheimer’s is the most common form of dementia, yet much remains unknown about this progressive neurological disorder.

Source: FDA News Release

Filed Under: Sociale Tagged With: Rafaela Prifti

Premtimi i vetëm mbetet… dashuria!

January 7, 2023 by s p

Agim Baçi/

(Shënime për romanin “Rrethimi” të Tom Kukës)

Cilit rrethim duhet t’i druhemi më shumë- atij nga armiku, atij nga hasmi, atij nga varfëria apo atij nga dashuria? Tom Kuka këtë herë është “i zhvendosur” në Shkodër në rrëfimin ku shumëçka është nën rrethim, por jo edhe për rrahjet e duhura të zemrës. Kolë Laca dhe Trina janë dy shinat ku rrëfimi nis të udhëtojë, duke kaluar herë në trokitjen e armikut që kërkon të rrëmbejë Shkodrën, në atë rrethim të vitit 1912, herë nga hasmi që kërkon të mbahet premtimi, herë nga varfëria që mban shumë koka ulur, e nga pikëpyetjet e pandalshme të zemrës.

Tom Kuka, personazhi që bredh rrugëve të Shkodrës me dyrrotakun e tij në misionin e pamundur, për t’i paralajmëruar banorët për gjylet e topave që rrezikojnë t’u bien banorëve nëpër banesa, duket më së shumti si vetë autori Enkel Demi, i veshur me veladonin e personazhit të tij, që ndjen si mision që të shkruajë e të shkruajë për atë që prej kohësh rrezikon që të mundë vërtet njerëzit në çdo kohë- mungesa e dashurisë është ajo që mund të jetë lufta më e tmerrshme, më e përgjakshme, pasi e kthen gjakun nëpër deje në kotësi, në një lëng pa forcë.

Por, a mund të jetë takimi me dashurinë sa një shkrepje e një foto, siç ndodh me Kolë Lacën teksa fotografon Trinën në çastin që mban në duart e saj babain, Gjon Palin, që po udhëton në botën tjetër pasi është goditur për vdekje nga malazezët që kanë rrethuar qytetin? A është kjo shkrepje e një fotoje më e madhe se sa “premtimi”, se sa fjala e dhënë për fatin e Trinës? Pyetja është e fortë jo vetëm për kohën dhe vendin ku pushtetin e kish ajo që premtohej që në djep dhe jo ajo që kërkonte zemra, por edhe për motin e një lufte ku pushka ishte edhe dija e duhur, e nevojshmja për të siguruar se ai qytet do ish sërish i njëjti si më parë, me të njëjtën gjuhë, brenda një harte me gjithë trupin e mëparshëm. Dhe autori nuk i shmanget asaj që duhet ta zgjidhë pushka, e as asaj që duhet të zgjidhë zemra. Dhe nuk heziton aspak të vërë zërin e një gruaje për të zgjidhur atë që një burrë e ka të vështirë ta kapërcejë pa dilema, pasi pesha e besës ja frenon gjuhën, ja frenon hapin.

“- Unë jam i premtumi… kërkoj…

-Mbylljani gojën, se do ta vras, pasha Pejgamerin!- iu kanos nën zë Esat Pasha dikujt që e ndiqte nga afër.

Piskama e atij burri përshkoi mure, udhë, kopshtije e i bëri të dridheshin edhe ata të tre. U rrëqethën keqas. Kolë Laca ndjeu t’ia përshkonte shpinën një curril briks i ftohtë frike. Pa trinën , e cila uli kryet. Ajo qe gruaja e tij, kishte në gisht rrethin që i lidhte gjer në vdekje, por me sa duket, qe ende e premtuar.

-Duhet me e mbrojtë gruen tande, familjen tande. Duhet me ia mbyllë gojën këtij cubit!

Fjalët e Marta Dodë Bibës e bënë të brofte në këmbë. Ai qe njeri që rrëfehej, kur nuk mbante kreshmë të premten, që mundohej t’i vinte punët në vend duke folur, që e mbronte gjënë e vet duke i vënë drynin “Dritëshkronjës”, por kurrë nuk qe rrokur me kënd, të ncirrte armën nga milli, pasi nuk dinte, nuk kisjhte pse… Veç, ja, tani vajza e princit të Mirditës po i kërkonte të mbronte familjen…” (Tom Kuka, “Rrethimi”, botim i “Pegi”, f. 134)

“Rrethimi” nuk është thjesht një rrëfim për një histori dashurie- “Rrethimi” është një histori për vetë dashurinë. Ndoshta nën breshërinë e gjyleve, kur gjithçka oshëtin, ku një pjesë e atdheut rrezikon të humbasë, zemra vijon të mbajë gjithnjë të zgjuar atë çfarë e bën njeriun të udhëtojë dhe fitojë kohën e të mundë çdo rrethim të mundshëm. Tom Kuka nuk e sheh luftën e zemrës aspak të ndarë nga lufta për liri. Por cila liri, cila e ardhme, cili rrethim mund të kapërcehet nëse zemrat e kanë të pamundun të flasin gjuhën e dashurisë?

Elementet historikë, murgu e hoxha që bëjnë të njëjtën udhë e ku e shohin Zotin “nga një dritare”, gjuha si një violinë shkodrane e varur në murin e kohës, janë veçse korniza për t’i dhënë edhe më shumë fuqi asaj që e bën njeriun të numërojë hapat për t’u ndjerë i gjallë dhe me sytë nga e ardhmja. Nuk është aspak një betejë kundër besës, kundër fjalës së dhënë ndaj tjetrit, por është një thirrje për të kuptuar se duhet të dimë se cilat rrethime kemi në jetët tona, që të mos mbetemi peng. Fundja, është dëshira për të jetuar ajo që vlen të ketë flamurin… e fitores.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Baci

DHIMBJA E IMZOT GEORG GÄNSWEIN DHE RIKTHIMI I DITËS SË TAKIMIT ME PAPËN E NDERIT…

January 7, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti/

Më është dhimbur dhimbja e Imzot Gänswein, Prefekt i Vatikanit, por më shumë Sekretari i Papës së Nderit, Bendedikti XVI.

Më është dhimbur dhimbja e tij, njerëzisht vuaj, – tha ai, – por si prift jam i lumtur, Papa Ratzinger shkoi te Zoti ashtu siç dëshiroi…

Jeta e Imzot Gänswein deri më sot ishte midis dy papëve, atij të Nderit, më të cilin jetonte në Manastirin “Mater Ecclesiae”, por që sapo u përcoll me një funeral të paparë në katakombet poshtë Vatikanit dhe atij sipër, në krye të kupolës, që drejton Vatikanin, karizmatik shenjtërisht…

Dhe po pritet me bujë dhe kërshēri e shqetësim libri i Imzot Gänswein, diku ai rrëfen, që Papa Françesku, aty nga viti 2020, i paskësh thënë që prefekt do të ishte, por në punë të mos vinte më, t’i shërbente papa Benediktit… Po tani që ai nuk është? Imzot Gänswein është vënë në qendër të vëmëndjes së mediave të botës, të cilat ndjekin zhvillimet e Vatikanit. Ja, ai sot para arkëmortit të Papës së Nderit kishte rënë në gjunjë dhe e kishte puthur…

Më bëhet se kryqi mbi supe sikur ka rënë udhëkryq ndër këmbë…

Më dhimbet dhimbja e tij. Aq më tepër që dhe e kam takuar Imzot Gänswein, ashtu të qeshur, të hijshëm dhe magjepsës, sipas disa gazetareve, bashkë kemi shkëmbyer dhe dhurata ai është dhe mik i një meshtari shqiptar… mik imi, më shpirtërori dhe ndër më të dashurit që kam.

Në fakt do të doja të flisja për miqësinë si ajo e tyrja, atë të rrallën , të besës, të sprovuarën, të heshturën, të fortën, burrërore, idealen që vazhdon dhe përtej vdekjes. E pafjalë, që veç përjetohet.

Se shpesh të lënë pa fjalë miq që dinë të kthejnë kurrizet, kur s’i duhen më njëri-tjetrit, pa le të kesh qenë i përndjekur dhe i vuajtur, vetëm me praninë bën që të ndjehen keq ata që kanë qenë në anën e atyre që dhunonin njerëz, bashkëpunëtorë të së keqen, të mbushur me vetvetet, me narcizizmin e tyre ateistik dhe të pa dashur, edhe pse të konvertuar dhe lexojnë libra, madje shkruajnë dhe poezi…

Po le ta lëmë mënjanë këtë vanitet bashkëkohor, tani tek mua rrezëllin tjetër gjë, imazhi i një miqësie emblematike si e gdhendur në muzgjet vatikanase, biblike, e Imzot Gänswein, plot dinjitet dhe përungjje, me Papën e Nderit, Ratzinger. Të dy gjermanikë, arianë, njëri i moshuar, i bardhë, i pakët si qiriri, me një veshtrim të butë dhe të përtejmë, gjithë mençuri qiellore, teolog ndër më të shquarit e botës moderne, kurse tjetri i ri, buzagaz, filmik dhe joshës, – thonë gra gazetare, i gjatë dhe hapmadh, por që shetiste aq ngadalë me Atin e Shenjte, është si babai im, thoshte.

Por dhe ai vetë është si biri plot shpresë e besim, që nxë dhe jep, një e ardhme që sintetizon përvojat, konservatorizmin e duhur dhe libralizmin e matur, vlerat madhore të dy papëve, të kishës moderne, për t’i çuar ato më tej… mes dashurisë njerëzore të pambarim.

Dhe shoh letrat e tij, adresën e manastirit brenda Vatikanit, librat e Papa Ratzinger-it, që m’i kishte dërguar ai, autografin e imët të tij, fotografitë dhe lutjet e tyre, njeriu që jetoi me dy papë, të cilët bënë histori të Kishës, të adhuruar nga popujt.

Unë magjepsem nga perkushtimi i tij prej biri ndaj atit, edhe kur ai s’mundej dot, nga ajo miqësi siperane që tashmë ngjan si një ungjill tjetër në Bibël…

Ishte Imzot Gänswein që u kujdes që unë me Edën time të takonim një ditë Papën e Nderit, ai na i bëri këtë dhuratë. Emocion i madh. I shkruajta mbresat e atij takimi, shkrimi u botua në disa gazeta. Po e risjell:

ATË DITË

NË KOPSHTET E VATIKANIT

Ç’kopshte të mrekullueshëm brenda mureve në Vatikan, aq sa na duket se jemi futur në një ëndërr! Nga lart rrjedhin ujëvara qiellore, nga ato me misterin e dritës tjetër. Po edhe një qetësi mërmëritëse, që sikur ia zbulojmë kumtin tek udhët mes blerimeve, aq ndjellëse, për të ecur sa më paqësisht, tani e gjithmonë, në dashuri. Gjethnajë dhe bar gjallërues, cicërima të kristalta dhe frushullima flatrash.

Jo, nuk janë vetëm zogjtë, por edhe engjëjt, kështu na duket. Pasditja sikur merrte frymë me mushkëritë e “Shpellës së Lourdes-it”, që na shfaqet befas fare pranë. Dhe na kap një ndjesi përlehtësimi dhe përhapjeje, sikur nuk kemi kufizime, jo vetëm ndaj njëri-tjetrit dhe ndihemi frymë gjithandej. I shtrëngova dorën sime shoqeje. Sikur merrnim nga drithmat e njëri-tjetrit kështu. Para nesh, e ndienim, rendte djali ynë, i padukshëm, ja, ja, i pashë një pjesës flatre, kjo pendë prej tyre ra… Andej duhej të shkonim. Tej pjerrinave të edenta pemët presin si meshtarë të lumtur. Dhe ja, lule të tjera që sendërtojnë me ngjyrat e tyre çaste të tjera mrekullie. Emblema papnore. Prej lulesh dhe ajo në sheshin qendror aty. Nga shatërvanët hovnin ujëra si bekime të kthjellëta. Kupola e mermertë e Bazilikës së Shën Pjetrit vezullon e madhërishme dhe nuk kuptohet ku mbaron ajo dhe ku fillon qielli. Një përzierje mistike me retë anash si të ishin një grup me Mikelanxhelo. Poshtë nëpër nikie statuja biblike… ja, ja, ati yt. Pranë është stacioni i trenit të Vatikanit, që sikur sjell dëshira dhe pak më tej gjykata, jo, jo e gjyqit të fundit dhe burgu, shpesh e më shpesh bosh, por ndodh të bujtë ndokush, ngjarje e rrallë, do ta kenë lajmin patjetër gazetat. Ime shoqe ma shtrëngon dorën prapë. Buzëqesha trishtueshëm.

Madona që na mirëpresin. Ja, Zoja e Këshillit të Mirë, që është dhe Pajtorja e shqiptarëve, shkodrania. Dhe drurë biblikë, të mbjellë nga personalitete të larta të botës, presidentë, kryeministra… edhe ty ta pranuan kërkesën që si titullar i ambasadës, por edhe si bashkatdhetar i Shenjtes Nënë Tereza, – po nëpërmendja, – që me rastin e kanonizimit të saj, në jubileun e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, të sillje një ulli nga vendi yt, të mbillej këtu. Ia thashë kryeministrit. Prita… Mure të tjera kështjellore, heliodromi i vogël, livadhe me gëmushat si qingja, pylli natyral, një shenjtërore e mermertë, kthesat si ngazëllime mahnitjesh, kështu më erdhi t’i krahasoj, stola të drunjtë, të rrallë, rojat që të përshëndesnin të parët, Radio-Televizionit i Vatikanit, dielli që vazhdonte dhe derdhte ar. Me siguri po afroheshim. Pashë kolonat e Akademisë. Përballë, pas degëve të pemëve, sërish dritare, mbase ato të Arkivit Sekret a të Bibliotekës së vjetër Apostolike. Se ishte bërë dhe një e re, por ajo ishte pesë kate nën tokë, e bunkertë. Ku ishin letrat e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, po librat shqip? Mes qiparisave, tej në thellësi, vegim që afrohej, nuk po u besonim syve, në këmbë, me të bardha si i statujtë, ai, Papa i Nderit, Bendedikti XVI. Në kohën pas lutjeve të pasdites po na priste aty. Nuk mund të iknim pa e parë, pa i puthur dorën. S’po duronim sa të mbërrinim dhe një si lulnajë emocionesh po binte mbi supet tona. Ndjemë se shtangëm, nuk po ecnim ne, por pllaja mitike, sikur afrohej ajo, me Papën e Nderit në krye, ende larg, rrezëllitës. Po na aviteshin qiparisat. Një vezullim. Mbase i kryqit të argjendtë që i varej në gjoks Atit të Shenjtë, Ratzinger. Wow! – do ia bënte djali ynë. Po aty, në krah, si i veshur me natë, sekretari i tij i veçantë, arqipeshkvi Georg Gänswein, njëherësh edhe Prefekt i Pallatit Pontefik të Vatikanit. Në këmbë dhe ai. Ruba e zezë i derdhej hijshëm deri në fund. Vetëm koletoja si një tufë rrezesh zbardhëllente.

Dy gjermanë, besëtarë të një miqësie apostolike, magjepsës. Të dy pa kësula mbi krye. Flokë e bardhë të Ratzinger-it si fllad. Si muzg të Gänswaein-it. Ndalëm para tyre. U përkulëm. Arqipeshkvi, gjithë përzemërsi buzëqeshëse, na paraqiti te Papa i Nderit, që na përgëzoi për ardhjen. Sa zë të ngrohtë kishte, me pak si ngjirje si të marrë katakombeve, andej nga varret biblike. I thamë se është lumturi të takosh Shenjtërinë e Tij. Vuri buzën në gaz si me druajtje. Dhembshurisht. Ime shoqe i dhuroi një stola të kuqe, si gjaku i martirëve të kishës tonë, 38 prej të cilëve sapo ishin lumturuar dhe stola ishte punuar nga gra shqiptare të Veriut, këto po shpjegonte ime shoqe, kur Imzot Gänzwein ndërhyri entuziast: – Paskeni ardhur me dhurata, faleminderit!

Atij i kisha dhënë ditë më parë një bibël të vjetër dy shekullore në gjermanisht, ma solli studiuesi nga Kosova Bejtullah Destani, s’e di ku e kishte gjetur. Dhe Gënswein ma ktheu duke më dhuruar “gemelli” embelematike manshetash. Heshtje. Heshtje folëse.

– …dhe të kanë dënuar për poezi, s’mund të besohet… – tha Ati i Shenjtë duke më parë me sytë tejpërshkues si të një ikone.

U trondita, ai e dinte, pra, se me kë ishte takuar. Kishte shkruar poezi dhe vetë në rininë e hershme. Kishte parë dhe Luftën e Dytë botërore si nxënës dhe i kishte ikur asaj, “dezertoi”. Gjithsesi, dënohesh dhe për poezi dhe Papa thotë “e pabesueshme”, me qëllim që e tillë duhet të jetë, të mos ndodhë më. Kurrë. Ndërsa fliste, po e vështroja me adhurim. Te sytë kishte rrathë të lehtë, pakëz të fryrë, mbase pagjumësia, lutjet e leximet natën. Ashtu i mpakur nën pallton e bardhë e të gjatë, ku renditeshin kopsat, edhe ato të bardha si varg i argjendtë yjesh, shtati sikur nuk ia pengonte shpirtin që të shtjellej edhe më, i përforcuar si me një si ethe përvëluese të ftohtë duke na dhënë dhe neve përreth forcë enigmatike. Filozof i Zotit, yll në teologji, shkruanin për të dhe “bashkë me Lessing, Kant dhe Beethhoven janë përfaqësuesit e fundit të gjenisë gjermane”, fat të jesh pranë tij, thoshin.

Ula kryet, nuk e vështroja dot. Pashë nga këmbët që Papa i Nderit tani mbante sandale murgu. Ne të tjerët ishim me këpucë të zeza. Eda kërkoi leje për të bërë ndonjë foto. Imzot Gänswein u tregua i gatshëm, e mori ai aparatin. Pas nesh ishte muri i mbushur me bimë kacavjerrëse. Më shkrepi t’i kërkoj Papës një autograf mbi librin e tij “Deus Caritas Est”… Më dridhen duart, tha shenjtërisht, kur të shkoj në shtëpi do ta shkruaj… Dhe do na e dërgonin bashkë me librin e tij më të fundit “Ultime conversazioni” dhe me dy kartolina brenda. Ja ç’kishte shkruar: “Con la mia benedizione. Benedetto XVI”. Po dhe atje në kopshtet parajsore të Vatikanit u lut për mbrojtjen tonë. Amen! Në ballinën e pasme të librit më tërhoqi citati i tij: “Kurrë nuk e kam përftuar pushtetin si një pozicion force, por gjithnjë si përgjegjësi, si një detyrë të rëndës e të vështirë. Një detyrë që të shtrëngon çdo ditë dhe të kërkon: a ishe në atë lartësi”?

Dhe tërheqja e Tij ishte po në atë lartësi, gjest historik për një papë, që ndryshoi rrënjësisht “ministrimin pjetrin” duke rifutur, krahas dimesionit njerëzor, edhe atë spiritual të origjinave. Iki se jam lodhur, të vijë ai që mund të bëjë më shumë. Dhe Papa i Nderit na mëson se nuk mund të japësh dorëheqjen në ditë të vështira e krizash, që t’u shmangesh detyrave, jo, por mund të ikësh, kur gjendjen e lë mirë që të bëhet më e mirë. Shikoja nga Papa dhe mbushesha me një lloj përdëllimi të tjetërsojtë, të ngjashëm me ato kur je para një kryqi të bukur. Vetmia e tij, pa vetmi. Kam Zotin, thotë. I mbyllur pa mbyllje. Është bota që s’e lë. Herë pas here i shkon pasardhësi, Papa Françesku, përqafohen, shkëlqejnë dhe kokë më kokë një Zot e di se ç’bisedojë, për një jetë pa luftëra e uri, por të begatë të mbarë njerëzimit, me paqe, dashuri e hirin e Hyut. Dhe përkushtimi i tyre, siperan e i përulur, është dritë shpresëdhënëse, udhërrëfyese.

Kishim parë në Pallatin Papal në Castel Gandolfo, në muzeun vatikanas divanin ku rrinin dy papët. Janë të shenjta miqësia, bashkëpunimi e vazhdimi. Fjala ka nevojë për frymëzim, thotë Ratzinger. Dhe Vepra e tij vlerësohet si themel në doktrinën e besimit për mijëvjeçarin e tretë. Shkronjat në autografin e Tij e jepnin dridhjen, që jo, nuk ishte vetëm e dorës. Gishtërinjtë e bardhë, të hollë e të gjatë të tij më ishin dukur sikur pikonin muzikë. Na kishin thënë të njohur se ai është dhe pianist i shkëlqyer, i apasionuar pas Mozartit. Dhe po ata na kishin treguar gjatë një darke në Selinë e Shenjtë një thënie të Papës së Nderit, lakonike, përmbledhëse, se kur kishte rënë njëherë fjala që dhe vëllai i tij, klerik dhe ai, i binte pianos a ndokush tjetër, s’kishte rëndësi dhe Ratzinger ishte përgjigjur: “Po, ashtu i duket”, – dhe kishin buzëqeshur përreth. Më bëri përshtypje, merrte më forcë qortuese se kishte dalë nga goja e atij që njihet si “bashkëpunëtor i të vërtetës”, guximtar i fjalës. Dukja sot është bërë një dukuri e padurueshme, po mendoja. Ashtu na duket, kjo është çështja. Sa shumë pësohet nga ata njerëz, qofshin dhe vëllezër apo dhe vetja, që u duket sikur dinë të bëjnë atë që pikërisht nuk munden, veç e tjetërsojnë dhe bëhen shkak prapësish të rënda, jo veç në arte e letërsi, por edhe në veprimtari të ndryshme shoqërore e politikë duke i kthyer ato shpesh në të kundër të vetvetes, fare brutalisht.

Poezia në kryq, m’u fanit, si Krishti, me dy hajdutë anash dhe turma që bërtiste: kryqëzojeni!… dhe këtë bëritmë ta quash poezi? Kjo po bëhet…

Po më vinte rëndë që e kapa veten duke përsiatur kësisojshëm, kur isha kaq pranë së shenjtës, me një Papë që dhe tërheqjen e kishte bërë shenjtërisht dhe që po më dukej se më shumë se sa toka, tani po e ndillte qielli i pafund.

Ai qiell ku ne kishim sytë, sepse të rënë në tragjedinë tonë si në një hum(b)nerë, vetëm lart mund të shikonim… Dhe ne nuk duruam pa e përqafuar Lartësinë e Tij të Shenjtë. Si për ta mbajtur sa më shumë pranë vetes. Kështu dhe Ai, na u duk. Pastaj, po kaq njëlloj, dhe me Imzot Gänswein. Mirënjohës, i mërmëritëm, që na i dha këtë mundësi, të një takimi që ndoshta vetëm një herë në jetë na ndodh. Pastaj erdhi një makinë e bardhë, e xhamtë. Papa Mobile.

Qerre moderne e apostujve, e vikarit të madh. Ndali pranë nesh. Papën Ratzinger e ndihmoi për të hipur në të Imzot Gänswein. Dhe askush tjetër. Ne s’guxuam të lëviznin, por zgjatëm krahë të padukshëm dëshirash. Papa vështroi nga ne qiellërisht. Kryqi i argjendtë mbi gjoksin e pakët vezulloi sërish si në fillim. Na e bëri me dorë, ndërsa Monsinjori buzëqeshte. Aq tërësore ishte ajo buzëqeshje, sa dukej sikur shkonte dhe te gjërat përreth. Makina e bardhë zbriti pa u ndjerë në rrugën me drurët e lartë cedër anash dhe mori për nga Manastiri “Mater Eçlesiae”, mes blerimeve, ku banonte Papa. Zhurma e lehtë e një porte do të ishte e fundit. Dhe dielli gjithë urtësi të perëndishme treti nga ana tjetër e qiellit, ku nuk shihej, nga rifillonte një botë e dimensioneve të tjera, mbase ajo e amshueshmërisë. Po kërkonim nëpër qiell se mos pikasnim ndonjë flatër, atë të djalit tonë, që na paraprinte. Kishim mbetur ashtu në këmbë, të mahnitur. S’di se sa kohë, deri më tani…

Filed Under: Interviste Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1894
  • 1895
  • 1896
  • 1897
  • 1898
  • …
  • 2785
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT