• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Nga historia e shqiptarëve në Egjipt”

December 13, 2022 by s p

Prof. Muhamed Mufaku/

Historia e “Shqiptarëve të Egjiptit”, ose “Shqiptarët e Misirit”, siç ishin të njohur në traditë, është pjesë e historisë kombëtare nga se kolonia shqiptare e Egjiptit, që u formua qysh nga fillimi i shek. XIX dhe u zgjerua dukshëm në gjysmën e dytë të shek. XIX, paraqet një nga vatrat më të rëndësishme të Rilindjes kombëtare shqiptare. Mjafton të shënohet këtu “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos, e cila u botua në Aleksandri më 1878, por, gjithashtu, mjafton të përmenden këtu se sa rilindës shqiptarë jetuan krejtësisht ose pjesërisht në Egjipt, nga se disa u kthyen në Shqipëri pas 1912 për të kontribuar në ngritjen e shtetit kombëtar: Thimi Mitko, Spiro Dine, Thoma Krei, Milo Duçi, Andon Zako Çajupi, Filip Shiroka, Thanas Tashko, Jani Vruho, Fan S. Noli, Aleksandër Xhuvani, Sotir Kola, Loni Longeri e të tjerët.

Ndonëse në literaturë përmendet si “Kolonia e Kajros”, në të vërtetë shqiptarët u vendosën në shumë qytete të Egjiptit nga veriu deri në jug: Aleksandri, Roseta, Dimjat, Mansura, Shibin el-Kom, Zekazik, Kajro, Fajum, Beni Sueif dhe Megaga (Asjut). Megjithatë, shqiptarët u përqendruan më shumë në veri: Aleksandëri, Roseta dhe Kajro. Në bazë të asaj që tregon S. Dine në veprën “Valët e detit”, botuar më 1908, del se shqiptarët e Egjiptit me përqendrimin e tyre, me ruajtjen e identitetit, me botimet në gjuhën shqipe, krijuan një “Shqipëri të vogël” në atë vend të Lindjes së Mesme.

Ç’është e vërteta, ardhja e mijëra ushtarëve shqiptarë në Kajro në fillim të shek. XIX, që u bënë fuqi kryesore në vend në krye me Mehmet Ali pashën, e shndërruan Kajron me kohë në një bazë të kolonisë shqiptare. Kështu, kolonia shqiptare u formua nga gjysma e shek. XIX me ardhjen e dendur të shqiptarëve nga jugu i Shqipërisë për arsye ekonomike, pasi që Egjipti nën sundimin e dinastisë shqiptare në atë kohë dukej si pjesë e Evropës. Me zhvillimin e infrastrukturës (Egjipti u bë vend i dytë në botë me hekurudhë pas Anglisë) dhe e ekonomisë erdhën dhe u vendosën në Egjipt shumë evropianë, sa që, bie fjala,Aleksandria kishte më shumë pamje e popullsi evropiane se sa orientale. Ardhja e vendosja e shqiptarëve në Egjipt vazhdoi deri më 1912, pra me Shpalljen e Pavarësisë, kurse me stabilitetin e shtetit kombëtar nga viti 1920 një pjesë e shqiptarëve u kthyen në atdhe. Vet Tirana zyrtare kërkonte prej disa intelektualëve të Egjiptit të kthehen në Shqipëri për të dhënë kontributin e vet, si Sotir Koleja, i cili u thirr më 1929 për të organizuar e drejtuar Bibliotekën kombëtare. 

Mirëpo, në anën tjetër, në periudhën midis dy luftërave botërore, ka pasur edhe një valë shpërngulje për në Egjipt, me çka numri i shqiptarëve arriti në kulm. Kështu, sipas një raporti të vitit 1936 në Arkivin Qendror të Shtetit, numri i shqiptarëve në Egjipti arriti në tetë mijë, me potencial të madh në ekonominë e vendit, me çka kolonia shqiptare zinte vendin e pestë në Egjipt, pas atyre greke, italiane, franceze e angleze.

Kjo temë e pasur për historinë tonë më tërhoqi me kohë gjatë studimeve për magjistraturë në Degën e historisë të Universitetit të Prishtinës 1974-1976, kur kam shkruar e botuar një punim seminarik për Mehmet Ali pashën, kurse gjatë verës 1979 kam qëndruar në Egjipt një muaj për kërkime shkencore me një bursë të Bashkësisë Krahinore për Shkencë, ku pata fat të takohem me disa veprimtarë të shquar të kolonisë shqiptare (Qerim Haxhiu, Musa Shehu e të tjerët), të cilët më ofruan materiale burimore (botime origjinale, fotografi të rralla etj.). Në bazë të materialeve të grumbulluar, kam botuar një fejton me titull “Shqiptarët e Egjiptit” në gazetën Rilindja në korrik-gusht 1979, i cili zgjoi interesim dhe më nxiti të vazhdoj hulumtime në këtë fushë dhe ta paraqes temën për disertacion të doktoratës me titull “Shqiptarët në botën arabe gjatë shekujve XVIII-XIX dhe në fillim të shek. XX. ”Shqiptarët e Egjiptit” u mblodhën në një kaptinë të këtij disertacioni që u mbrojt më 1986 dhe u botua në Prishtinë më 1990.

Ndërkohë, më 1984 u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunim kulturor midis Shqipërisë dhe Egjiptit dhe, në bazë të saj, Patrika Thëngjilli dhe Jorgo Bulo shkuan në Egjipt për kërkime shkencore në lidhje me shqiptarët e Egjiptit që sollën rezultate të mira. Kështu, u zbulua një fond i pasur me dorëshkrime të Thimi Mitkos që arrin në 5-6 mijë faqe, i cili u konsiderua si “një nga fondet më të mëdha që është gjetur deri me sot për Rilindjen Kombëtare, gjë që solli risi në studimet për figurat e kolonisë shqiptare në Egjipt.

Në fillim të viteve 90, pas botimit të librit “Shqiptarët në botën arabe”, u shtua interesimi për këtë temë në kushtet e reja pas shuarjes së Jugosllavisë. Kështu, në Shkup doli më 1993 udhëpërshkrimi i gazetarëve Sh. Halimi dhe E. Azemi “Shqiptarët e Egjiptit”, që solli freski në këtë fushë. Po ashtu, në atë kohë (1993-1997) në Kajro shërbeu ambasadori i ri i Shqipërisë demokratike, Faruk Borova, i cili tregoi interesim për shqiptarët e Egjiptit gjatë mandatit të tij, kurse më vonë, më 2012, botoi librin “Dinastia shqiptare që sundoi Misirin 1805-1952”, kurse më 2018 librin tjetër “Rrugëtimi i një ambasadori në Lindjen e Mesme”, në të cilën kemi një kaptinë për punën e tij në Kajro dhe lidhjet e tij me shqiptarët e Egjiptit.

Me kalimin në punë më 1989 jam bërë më i afërt i Egjiptit, pra kisha më shumë shanse të shkoj atje për konferenca e kërkime shkencore në lidhje me shqiptarët e Egjiptit. Si pasojë, kjo vepër u planifikua për 100 vjetorin e Pavarësisë, pra për 2012, por gjendja e re në Egjipt nuk lejoi të kryhen hulumtimet e planifikuara. Mu për këtë vepra doli në versionin e parë me titull “Nga historia e shqiptarëve të Egjiptit gjatë shekujve XV-XX” në botim të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë më 2016. Mirëpo, me botimin e tij filloi puna për një versioni të ri më të gjerë dhe më të plotë, duke shfrytëzuar fondin e pasur për shqiptarët e Egjiptit në Arkivin Qendror të Shtetit, që doli në gjuhën arabe në Kajro më 2018 në botim të Shtëpisë botuese Sar al-Shorouk. Kuptohet, vetë mbititulli (Kolonia e fshehur) që e zgjodhi botuese tregonte domethënien e këtij botimi për lexuesin egjiptian, pra për një koloni me rol të madh që mbeti “e fshehur” për vet Egjiptin.

Pas botimit shqip të versionit të parë dolën disa botime me peshë që ofruan të dhëna të reja në bazë të burimeve të ndryshme, që është dashur të merren parasysh. Në mesin e këtyre vlen të përmenden këtu dy prej tyre. I pari është “Operacioni shqiptar” që u planifikua dhe u zhvillua si aksion i përbashkët midis CIA amerikane dhe MI6 britanike në kuadër të Luftës së ftohtë gjatë viteve 1949-1953 për zbarkimin e çetave të armatosura në Shqipëri, me qëllim që të krijohet një kryengritje kundër regjimit komunist. Në këtë libër janë botuar për herë të parë dëshmi të oficerëve dhe pjesëmarrësve të gjallë, që ndriçojnë rolin e Kajros si një prej qendrave të këtij “Operacioni shqiptar”, i cili përfundoi më 1953 në saj të “tradhtisë së madhe” dhe mbeti sekret deri vonë. Nga ana tjetër, pas historianit egjiptian, Antoni Surjal, i cili e botoi më 1984 librin në Kajro për Lidhjen e Prizrenit 1878-1881, i cili mbeti i vetmi libër në arabisht për këtë ngjarje të madhe të historisë shqiptare, kohëve të fundit u paraqit historiania egjiptiane, Prof. Dr. Fajze Meluk, e cila botoi një kontribut origjinal për praninë e shqiptarëve në Roseta dhe rolin e tyre në jetën ekonomike e shoqërore, që na solli të dhëna të reja, të vjela nga regjistrat e gjykatave të sheriatit të qytetit që mbajnë të gjitha kontratat për shitblerje, martesa, themelimin e objekteve ekonomike-shoqërore në kudër të vakëfeve etj.

Sa për materialin e përpunuar dhe paraqitur këtu, mund të them se puna u përqendrua në kronikat e veprat e historianëve egjiptianë të shekujve XV-XIX, të cilat ofrojnë të dhëna nga burimi për praninë shqiptare në Egjipt. Kështu, vetëm në bazë të këtyre burimeve u zbuluan për herë të parë dy sulltanë shqiptarë të shekullit XV, pra para fillimit të sundimit osman në Egjipt. Nga ana tjetër, duke marrë parasysh monumentet që i ngritën shqiptarët në Egjipt, që kanë vlerë historike, janë shfrytëzuar dy burime specifike: vakëfnamet ose dokumentet themeluese të këtyre monumenteve që ruhen në Arkivin e Ministrisë së Vakëfit, si dhe regjistrat e gjykatave të sheriatit në Kajro e Aleksandri, që mbajnë të dhëna të ndryshme në lidhje me themelimin dhe funksionimin e këtyre monumenteve. Po ashtu, kemi shfrytëzuar Arkivin e Shtypit Egjiptian në Kajro, kur ruhen gazetat e shekullit XIX, duke filluar nga al-Ahram dhe fillimit të shekullit XX, të cilat kishin të dhëna të vlershme për shqiptarët. Nga ana tjetër, në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, është shfrytëzuar fondi i pasur “Shoqëritë shqiptare në Egjipt”, por ende ka punë në thesarin e rilindësve shqiptarë të Egjiptit që akoma është në përpunim.

Për gjithë punën më duhet të përmend në mënyrë të veçantë mikpritjen e të ndjerit Qerim Haxhiu, i cili më ofroi botime origjinale dhe fotografi të rralla të kolonisë shqiptare në Egjipt, si dhe mirëkuptimin e të ndjerit, Vehbi Ismajlit, i cili në shumë letra më ofroi informacione për koloninë shqiptare në Egjipt, pasi që ai jetoi aty gjatë viteve 1939-1949. Në mënyrë të veçantë duhet ta falënderoj Princin Leka II, i cili më ofroi albumet e familjes mbretërore që kanë të bëjnë me qëndrimin në Egjipt 1946-1955, dhe më lejoi të zgjedh disa fotografi që botohen për herë të parë. Po ashtu, duhet përmendur me një falënderim të posaçëm Skënder Zogun, nip i mbretit Ahmet Zogu, i cili ka ruajtur shumë kujtime nga qëndrimi në Aleksandri gjatë asaj kohe, duke m’u përgjigjur në çdo pyetje.

Filed Under: Histori

Kosova këtë javë aplikon për anëtarësim në Bashkimin Evropian

December 13, 2022 by s p

-Qeveria ka zhvilluar sot mbledhjen e 112 në të cilën u themelua Këshilli Shtetëror Organizativ për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25-vjetorit te Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 13 Dhjetor 2022/ Aplikimi i Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian do ta dorëzojmë këtë javë, paralajmëroi sot Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e 112-të të Qeverisë që e drejton.

“Para një viti, në takimin vjetor të Këshillit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në Bruksel, bëmë të ditur se, këtë vit do të aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, përkujtoi ai.

Kryeministri Kurti shtoi se,  ka ardhur koha, që statusin potencial për kandidat, që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.

“E kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve tanë, të cilët besojnë thellë se e ardhmja jonë është brenda Bashkimit Evropian krahas shteteve demokratike, me të cilët ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, barazisë e të sundimit të ligjit”, u shpreh Kryeministri Kurti.

Ai theksoi  se, para një jave në Samitin e Tiranës mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në deklaratën e përbashkët, Bashkimi Evropian bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit.

“Andaj, aplikimi ynë në Bashkimin Evropian në njërën anë është përgjigje ndaj premtimit që Bashkimi Evropian i ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut të vitit 2003, por edhe përgjigje direkte ndaj thirrjes së para një jave në Samitin e Tiranës”, tha Kurti.

Ai shtoi se, krahasuar me shtetet e rajonit në kohën kur ato kanë aplikuar, Kosova është më e përgatitura; me legjislacion të avancuar e të harmonizuar me Bashkimin Evropian; me institucione të qëndrueshme e me kapacitetet e plota për tu përgjigjur në pyetësorin e Bashkimit Evropian; dhe me indikatorët më të mirë të sundimit të ligjit në rajon.

“Bashkimi Evropian është vend i paqes, sigurisë, barazisë dhe prosperitetit, andaj edhe Republika e Kosovës e ka vendin natyrshëm në këtë shtëpi të përbashkët si një vend paqedashës e demokratik”, përfundoi Kryeministri Kurti.

Qeveria ka zhvilluar sot mbledhjen e 112 në të cilën u themelua Këshilli Shtetëror Organizativ për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25-vjetorit te Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mbledhje, mes tjerash, u miratua Draft Amendamenti i Kushtetutës së Republikës së Kosovës sipas të cilit përfshihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar.

Filed Under: Komente

Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Fitorja Diplomatike 

December 13, 2022 by s p


Dr. Lulzim Nika/

(Vazhdim i pjesës së parë)

Pakënaqësinë e shqiptarëve të Kosovës e parashikonin në një kryengritje të përgjithshme që do të zgjatë për disa vite e ndoshta edhe afër një dekade. Duke parashikuar se shqiptaret do të armatosen kryesisht vetëm nga shteti shqiptar që kishte një armatim kryesisht sovjetik dhe kinez, që ishte vështirë të vihet shpejtë te dëshira e shqiptarëve të Kosovës për largimin e forcave serbe.

Edhe pse kishte disa organizime të shqiptarëve të Kosovës për rezistencë të armatosur që kishin edhe disa pajtime me shtetin shqiptare për përkrahjen e në luftën e drejtë për liri. Kjo ide nuk u përkrah nga diplomacia e kohës e sidomos ishte e kundërshtuar nga anglo amerikanët, duke parë si rrezik dhe mundësi që Serbia t’i përdorë si pretekst për pastrimin etnik të Kosovës. Diplomatet e kohës ishin të informuar për planet e shqiptarëve dhe shkuarjen në Shqipëri që organizonin edhe partitë shqiptare të Kosovës e sidomos mërgata shqiptare ishte me e zëshme në kërkesën për hapjen e frontit të jugut duke parë si raste ideale për të shfrytëzuar momentin kur serbët do të ballafaqohen me kroatët dhe boshnjakët. Në bazë te hulumtimeve të bëra në disa dokumente të kohës del si ishin diplomacitë e kohës që ndikuan në shtyrjen e hapjes së konfliktit në Kosovë gjatë viteve 1991-1992, duke mos e përkrahur dhe duke kërkuar nga lideri i shqiptarëve të Kosovës që t’i dënonte këto veprimtari të grupeve të armatosura që nuk do të jenë në dobi të zgjidhjes së drejtë të statusit politik të Kosovës. Këtë e deklaron në vitin 1992, sekretari britanik Douglas Hurd, në një takim të KE në Bruksel, “dje pasi e vizitova Shqipërinë dhe Jugosllavinë, gjendja në Kosovë mund të shpërthejë dhe do të ndodhë një katastrofë në rast të konfliktit”. 

 Në nëntor të vitit 1997, UÇK-ja u paraqit për të parën herë e uniformuar në një manifestim publik. Shkas ishte vrasja e mësuesit nga Llausha e Drenicës, Halit Geci, në varrimin e të cilit ushtarët e UÇK-së, të maskuar deri atëherë, për shumicën e vëzhguesve të Ballkanit u duk se kishte ndodhur një ngjarje e pritur tepër gjatë. Në planin e brendshëm, ajo bëri që çështja e Kosovës të arrijë pikën kulmore në agjendën e fuqive ndërkombëtare të zgjidhjes së drejtë të padrejtësive shekullore ndaj shqiptarëve. Kthesën historike të angazhimit ndërkombëtar për Kosovën e përbën faktori politik dhe ushtarak që nuk bënin kompromis pa lirinë e Kosovës përkundër paralajmërimeve të diplomatëve ndërkombëtarë që nuk do të kenë përkrahjen për luftë të armatosur.

Deri në daljen në skenë të UÇK-së, shqiptarët me vite të tëra ishin përqendruar në njohjen dhe sensibilizimin e opinionit të jashtëm me problemin e Kosovës por nuk kishte ndonjë efekt të dukshëm në ndryshimin e gjendjes në Kosovë. 

 Ishin shenjat e fillimit të luftës së armatosur kundër Serbisë. Millosheviqi dhe regjimi i tij vazhdon të mban Kosovën nën masa të dhunshme, apo me mirë të thuhet nën gjendjen të jashtëzakonshme ushtarako-policore, ku vetëm në vitin 1995, forcat serbe kishin vrarë në mënyrë arbitrare 11 shqiptarë, kishin plagosur 11 të tjerë, dhe kishte arrestuar 2.500 shqiptarë të Kosovës të rrahur e të keqtrajtuar në të shumtën e rasteve dhe sipas ,,Human Rights Watch”, Serbia e mbante nën kontroll Kosovën duke zbatuar shkelje të qëllimshme, në shkallë të gjerë dhe të organizuar të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Kosovës, duke i shtyrë drejt vetëmbrojtjes së armatosur

Pas konflikteve në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje edhe shqiptarët e Kosovës ishin të vetëdijshëm se me Millosheviqin është vështirë të ketë zgjidhje paqësore për statusin e Kosovës. Gjatë vitit 1991, por sidomos në vitin 1992, ishte arritur një marrëveshje në parim me shtetin shqiptar dhe Qeverisë së Kosovës, për ndihmë të shqiptarëve të Kosovës në rast të konfliktit në Kosovë. Në një analizë te CIA-s të vitit 1992-1993, i bëhet një analizë e detajuar fuqisë ushtarake të shtetit shqiptar dhe vije në përfundim se me këto kapacitete, ishte e pa mundur që t’i kundërvihet fuqisë ushtarake të Serbisë. Diplomatët amerikanë u sugjeruan në takime me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Kosovës, që mos të përkrahët hapja e frontit të jugut në asnjë mënyrë se pasojat për shqiptarë e Kosovës, do të jenë të pa parashikueshme me një Shqipëri që i mungonin kapacitetet teknike dhe teknologjia moderne ushtarake. Për ketë arsye, amerikanët ishin të prerë në qëndrimet e tyre për Kosovën se vetëm me rrugën paqësore duhet të kërkohet të zgjidhët çështja e Kosovës, format tjera nuk do të përkrahën.
Grupet e armatosura të shqiptarëve edhe pse ishin të organizuara gjatë viteve 1991, siç ishte grupi i Adem Jasharit nga Drenica, nuk u përkrahën nga politika e Tiranës zyrtare, më vonë as nga ajo në Prishtinës. Ne bazë të analizave të kohës, shihet se shpërbërja e Jugosllavisë do të fillonte nga veriu drejtë jugut, me qëllim që pasojat të jene më të vogla për popullsinë civile. Nga kjo analizë, Kosova mbetet e fundit në tavolinën ndërkombëtare të negociatave për zgjidhjen e statusit politik.

Në analizën e vitit 1995, të drejtorisë së analizave për Ballkanin, Strobe Talbott, Kosovën e përshkruan si interes suprem i SHBA-vë. Edhe ambasadori i fundit amerikan në Jugosllavi i kishte sugjeruar Ibrahim Rugovës qe më e rëndësishmja është të ruhet populli i Kosovës në këto rrethana, nga ndonjë masakër të organizuar dhe të planifikuar i shtetit të Serbisë.

Kjo ju kishte thënë I. Rugovës edhe në takimin me sekretarin e shtetit, në selinë e NATO-s në dhjetor të 1992, se nuk duhet të provokohet Serbia nga shqiptarët, në këto rrethana, në asnjë mënyrë. Rugova deklaron pas takimit se amerikanët nuk kërkojnë të heqim dorë nga kërkesat tona për pavarësi por kërkojnë kujdes nga shqiptarët e Kosovës.

Lëvizja çlirimtare si lëvizje përbashkuese e të gjitha formave të rezistencës aktive, ka qenë vijimisht e pranishme në jetën e shqiptarëve të Kosovës. Qysh në mesin e viteve të ’80-ta të shekullit të kaluar, në perëndim ekzistonte një organizatë me ndikim në mërgatën e re shqiptare, e njohur me akronimin LPK (Lëvizja Popullore e Kosovës), e cila trashëgonte qëndrimin për bashkim të ri të shqiptarëve.

Në qytetin Untergrupenbah të Gjermanisë, më 17 janar, nga policia e fshehtë jugosllave u vranë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zeka, udhëheqës ideorë të kryengritjes së shqiptarëve të Kosovës. Ata përfaqësonin Lëvizjen për një Republikë Shqiptare në Jugosllavi.
Në po këtë vit u themelua Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). Qëllimi i saj u deklarua lufta kundër titizmit, me kërkesën kryesore për Republikën e Kosovës. Po kështu LPK kërkonte edhe lirimin nga burgjet jugosllave të veprimtarit kombëtar simbolit të rezistencës më i njohuri në Kosovë, Adem Demaçit.

Në prill të vitit1985, u bë bashkimi, shkrirja e grupeve ilegale. Ku Fehmi Lladrovci ishte zgjedhur që të merret me organizimin ushtarak të luftës guerile si fillim deri të masivizimi në Luftën frontale për lirinë e trojeve shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia. Fehmiu ishte në koordinim me shumë idealistë të ilegales së kohës që besonin se vetëm me organizimin e rezistencës së armatosur, Kosova do të fitojë lirinë, që atëherë dukej aq e pamundur, duke marrë parasysh fuqinë ushtarake dhe politike të Jugosllavisë.

Që më 1992, lëvizja çlirimtare shquhej me aksione të njëpasnjëshme kundër milicisë serbe të vendosur në Kosovë. Aksionet e para të UÇK-së, janë të lidhura me fundin e këtij viti dhe fillimin e vitit 1993. Komunikatat e aksioneve të para të UÇK-së, nuk janë botuar në shtypin shqiptar, deri në komunikatën e 20-të. Në Beograd UÇK-ja u cilësua si “forcë terroriste’’. 

Me 27 prill 1998 kur lufta e UÇK-së në Kosovë kishte filluar të merrte formë, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së lëshoi një deklearatë politike në të cilën shpall…
Lufta e UÇKsë ka një karakter mbrojtës dhe çlirimtar…
UÇK  dënon me forcë terrorizmin dhe forma të tjera të dhunës kundër popullësis civile…do ti respektojë të gjitha konventat ndërkombëtare të Luftës…
UÇK i përket dhe do ti përkasë popullit…

Më 1996 “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së botonte një buletin, në të cilin njihte aksionet e veta dhe botonte komente për ngjarjet politike të ditës”.

Në majin e vitit 1997, një grup i djemve që besonin ne idealin e lirisë nëpërmjet luftës së armatosur dhe ishin të vendosur në rrugën për çlirim, të gjithë të bashkuar në Tiranë vendosën që të hyjnë në Kosovë për t’i ndihmuar njësitë e UÇK-së që vepronin në Kosovë. Viti 1996 e sidomos 1997, shënon një veprimtari të organizuar me aksione dhe komunikata të UÇK-së në gjithë Kosovën.
Rënia e heroit Luan Haradinaj në maj të vitit 1997, sensibilizoi opinionin ndërkombëtar, që kishte ndryshuar kursi i politik i shqiptarëve të Kosovës që ishin injoruar nga konferencat ndërkombëtare për një zgjidhje paqësore.

Politika paqësore kishte humbur përkrahjen te një pjesë e shqiptarëve që nuk shpresonin në një zgjidhje paqësore të problemit të Kosovës.
UÇK-ja në fillim hasi në një rezistencë të politikës shqiptare si në Prishtinë po ashtu edhe në Tiranë duke mohuar ekzistencën e një grupi të armatosur të organizuar. Deklaratat e diplomatëve perëndimorë dhe disa liderëve vendorë ishin në mohimin dhe qasjen e ashpër të veprimtarisë dhe aksioneve të UÇK-së këtë e dëshmon edhe letra e drejtuar presidentit Klinton nga Kryeministri i Kosovës, gjatë vitit 1993. Në ketë letër shihet se i mungonin informatat për aksionet e hershme të UÇK-së i sheh si veprime të grupeve rivale serbe qe donin të destabilizonin Kosovën.

 Në mungesë të guximit dhe punës së Qeverisë së Kosovës për të organizuar luftën e armatosur për lirinë e Kosovës që ishte e obliguar dhe kishte të gjitha mundësitë për organizim, këtë punë e merr përsipër dhe e organizon Lëvizja Popullore e Kosovës. Qeveria e Kosovës në ekzil, kishte përgjithësi për të mbrojtur popullin shqiptar në Kosovës, por fatkeqësisht këtë rol nuk e luajti vetëm organizimi i vonshëm i saj sa krijoi përçarje për primatin e organizimit të luftës në Kosovë. Por, ishte Adem Demaçi ai i cili pranoi për herë të parë, në dhjetor1997, ekzistencën e UÇK-së, në këtë kohë, kishte paqartësi të politikanëve rreth ekzistencës së UÇK-së. 

Më 28 shkurt 1998, pas një dinamizimi të diplomacisë ndërkombëtare që vizitonte Tiranën dhe, duke sugjeruar një politikë të përmbajtur pas aksioneve të UÇK-së. Në të njëjtën ditë, ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë për t’u informuar më shumë për UÇK-në, në Mynhen të Gjermanisë takohet me Fehmi Lladrovcin, diplomatin dhe njeriun e parë të ngarkuar nga Lëvizja për organizimin e Luftës së armatosur në Kosovë. “Lladrovci më informoi se veprimet dhe aksionet e armatosura nuk do të ndalen në Kosovë por vetëm do të shkojnë drejt masivizimit. Në të njëjtën ditë, mora lajmin për masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, pas daljes nga takimi me Fehmiun, ku kishin pësuar shumë civilë shqiptarë përfshirë fëmijë dhe një grua shtatzënë që ishin masakruar nga forcat policore serbe.

Ofensiva e parë serbe kundër UÇK-së, nisi në mars të vitit 1998, të vlerësuara si “Luftë etnike’’, sipas modelit të luftërave në Bosnjë dhe Kroaci. Ne maj vitit 1998, delegacioni i Kosovës me ndërmjetësimin amerikan takohet ne Beograd me Millosheviqin që më pas të hapen dyert për herë të parë në takim në Zyrën Ovale të Shtëpisë se Bardhe dhe të priten nga presidenti Bill Klinton, delegacionit i printe Lideri i shqiptarëve të Kosovës Ibrahim Rugova, (kështu shkruante në agjendën e Shtëpisë së Bardhë në Uashington, më 26 maj vitit 1998). Në fillim të qershorit S. Milloshoviqi kishte udhëtuar në Moskë për të njoftuar Presidentin rus Boris Jelcin për Kosovën. Ai kishte premtuar se do të respektonte Rezolutën e marsit dhe vendimet e Grupit të kontaktit për negociata për autonomi të Kosovës. Millosheviqi i kishte premtuar B. Jelcinit se Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës do ta zhdukte dhe nuk do të jetë faktor politik siç dëshironin amerikanët. Përballimi i ofensivës së verës së vitit 1998, ishte vendimtar për Kosovën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në të njëjtin muaj dhe vit, amerikanët kishin marrë vendim që të legjitimonin politikisht përfaqësuesit e UÇK-së. Si pasojë e këtyre ofensivave, sipas të dhënave të OKB-së, në vjeshtën e vitit 1998, nga Kosova morën arratinë 230 mijë njerëz. Jo luftë kundër UÇK-së, por para se gjithash terror dhe dëbim i popullatës shqiptare, ishte qëllimi i vërtetë i luftës serbe. Përbërja etnike në Kosovë duhej të ndryshonte përgjithmonë dhe kjo mund të bëhej vetëm me terror dhe dhunë brutale, gjë që e parashihte edhe programi serbomadh.

UÇK përshkoi një rrugë të mundimshme të rritjes, derisa në mars 1998, mori përpjesëtime të gjera. Nga qarqe të ndryshme të jashtme antishqiptare, ajo u cilësua me emra të ndryshëm si: “Grupim njerëzish të frustruar’’, “që i ka bashkuar dëshpërimi’’, etj. Por, UÇK-ja u njoh për herë të parë si faktor i rëndësishëm politik nga administrata politike amerikane në takimin e 19 qershorit të vitit 1998, nga vendimet e Këshillit për Siguri Kombëtare të ShBA-së, ku nder të tjera u mor vendim që UÇK-ja të jetë pjesë e negociatave për të ardhmen e Kosovës. Zëdhënësi i parë i UÇK-së, një nga figurat e shquara për veprimtari atdhetare edhe më herët, u bë Jakup Krasniqi. Lufta e drejtë dhe e vendosur e UÇK-së i dha legjitimitetin ndërkombëtar duke e bërë faktor vendimmarrës si lëvizje ndërkombëtarisht të pranuar.

UÇK-ja u bë katalizator i ngjarjeve në Kosovë. Ajo përshpejtoi perceptimin e krizës, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë, për një zgjidhje reale dhe afatgjate. Fillimisht, njerëzit e angazhuar në UÇK ishin të paktë, ata më të devotshmit, më trimat, më sakrifikuesit, më të ndërgjegjshmit, kryesisht anëtarë të LPK-së.

Më 1992, Kosova e kishte formacionin e parë të armatosur, me komandant Adem Jasharin, në Prekaz të Drenicës, në këtë “Çerdhe të kryengritësve shqiptarë”. Kulla e Shaban Jasharit ishte strumbullari rreth të cilit do të lidhen të gjitha formacionet e armatosura. Bashkërendimi i sulmeve të armatosura, shtrirja e UÇK-së dhe aksionet e suksesshme mbi milicinë armike ishin fryt i punës dhe ëndërr e komandantit Adem Jashari. 

Më 5, 6, dhe 7 mars 1998, rrethimi i kullave të Jasharëve nga ushtria e policia serbe, ishte akti final për fillimin e luftës çlirimtare me mesazhin që dha komandanti Adem Jashari. Kjo është epopeja më e madhe dhe më e lavdishme, por edhe më tragjikja e UÇK-së. Rënia e Komandantit legjendar, flijimi familjar i Jasharëve legjendarë, hapën një epokë të re të lavdisë e të tragjedisë në historinë tonë të re.

Përderisa bota prirej drejt frymës demokratike të integrimeve mes popujve, Serbia me metoda fashiste e gjenocidi synonte të përfitonte përmes planeve të Garashaninit e Çubriloviçit për të shfarosur shqiptarët. Vrasjet serbe në Kosovë të sillnin ndër mend vrasjet në Bosnjë e Hercegovinë. Por, tashmë njësitet e UÇK-së kishin zënë malet. Bijtë më të mirë të Kosovës po i fitonin betejat me gjakun e tyre. U krijuan edhe zonat e para të lira, nga ku u dëgjua për herë të parë zëri i “Kosovës së Lirë”. Në përballjen me UÇK-në, në lokalitete të ndryshme të Kosovës, ushtria serbe vriste me cinizëm kriminal njerëz të pafajshëm, digjte e shkatërronte çdo gjë që ishte shqiptare. Pas ofensivës serbe në verën dhe vjeshtën e vitit 1998, qeveria serbe do të deklaronte se kishte arritur të shkatërronte UÇK-në në gjithë Kosovën. Megjithatë kjo nuk ndodhi përkundër masakrave të ushtrisë serbe ndaj civilëve shqiptarë. Kujtojmë një prej masakrave më të përgjakshme, atë të shtatorit të vitit 1998 në Obri, ku u masakrua familjen Deliu duke mos kursyer as foshnja. Pamjet nga kjo masakër i tronditën diplomatët anglo-amerikanë. Në rrethana të këtilla historike, shoqërore, politike e kombëtare, UÇK-ja filloi shtrirjen në gjithë Kosovën. Ushtarët e UÇK-së u kujdesën për popullin e mbetur nën qiellin hapur para forcave paramilitare serbe, megjithëse me gatishmërinë dhe guximin për t’u përballur me pushtuesit kapacitetet teknike dhe ushtarak ishin të limituara. Diplomacia ndërkombëtare dhe bota demokratike e dëgjoi tashmë zërin e popullit të Kosovës dhe qëndresën e tij nën udhëheqjen e UÇK-së në luftën vendimtare për çlirim. Po në këtë kohë, diplomacia botërore të prirë nga SHBA-ja dhe NATO-ja, përcillte veprimet barbare e vrastare të ushtrisë serbe e të forcave paramilitare të regjimit serb ndaj popullit të Kosovës. Brutalitet i forcave serbe nga një anë, dhe lufta çlirimtare e popullit të Kosovës, në anën tjetër, përshpejtoi ardhjen e delegacioneve ndërkombëtare për t’u njohur drejtpërdrejt me luftën në Kosovë. SHBA-të dhe BE-ja, apeluan për ndërprerjen e represionit serb. U nënshkrua edhe marrëveshja Millosheviq – Holbruk, më 13 tetor të vitit 1998 në Beograd, duke u përcaktuar si pikë e mundshme kthese e krizës.

Marrëveshja e përbërë prej 11 pikave kishte mbështetje të plotë të NATO-s dhe të Grupit të Kontaktit, përfshirë edhe Rusinë. Për shumë arsye kjo konsiderohet si një e arritur shumë e madhe. Sipas kësaj marrëveshjeje, hapësira ajrore e Kosovës do të kontrollohej nga NATO. Si kurrë ndonjë herë në Kosovë do të veprojnë 2.000 vëzhgues të OSBE-së. Do të kthehen refugjatët shqiptarë si dhe do të fillonte procesi politik për zgjidhjen e problemit.

Gazeta ruse “Niezavisimaja Gazeta’’, në një artikull të saj, të datës 27.10.1998, thekson deklarimet e gjeneralëve Klark dhe Nauman lidhur me sigurinë e vëzhguesve, të cilët ia bënë të qartë Millosheviqit se ata do të mbrohen nga aviacioni i NATO-s. Marrëveshja lejonte edhe ardhjen e misionit diplomatik ndërkombëtar KDOM, që vepronte nën udhëheqjen politike të ambasadoreve të Grupit të Kontaktit, të ambasadorit austriak në Beograd, meqë Austria kryesonte BE-në. Përmes burimeve të inteligjencës si dhe të burimeve të tjera KDOM do të kuptonte për zonat e tashme apo të ardhshme të luftimit, përfshirë edhe mizoritë kundër civilëve. Pas Marrëveshjes Millosheviq – Holbruk, KDOM-i u shndërrua në Mision Verifikues të Kosovës.

Derisa mendohej për respektimin e armëpushimit serbët pabesisht ndërmerrnin vazhdimisht ofensiva gjakësore kundër popullatës në Kosovë. Thuhet se mosrespektimi i marrëveshjes ishte pasojë e mos përfshirjes së UÇK-së si palë në këtë marrëveshje. Kjo ishte edhe pika më e dobët e kësaj marrëveshjeje. Në këtë kohë, arrestohen tetë ushtarë serbë, nga njësitet e UÇK-së, të cilët u liruan vetëm me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dhe duke i kushtëzuar me lirimin e ushtarëve të UÇK-së. Kjo qe fitore e madhe për UÇK-në, meqë Serbia u detyrua ta pranojë atë si palë edhe para ndërkombëtarëve. Për këtë, në librin e tij, Jakup Krasniqi do të shkruaj: “Ky rast ka qenë një ndër më të rëndit në jetën time; po të mos liroheshin ushtarët e UÇK-së, kisha vendosur të jepja dorëheqje…”

Mendoj se vlen të theksohet se edhe përkundër masakrave dhe shkatërrimit të shumë vendbanimeve nga forcat serbe në Kosovë, faktori politik shqiptar ishte i përçarë. Diplomatët amerikanë R. Holbruk dhe K. Hill, bënin përpjekje për të formuar një delegacion të Kosovës për bisedime me Beogradin, mirëpo përçarja e spektrit politik në Kosovë ishte shumë e theksuar dhe mungonte një adresë serioze në Prishtinë për diplomatët perëndimorë dhe amerikanë. I. Rugova pretendonte se kishte konfirmimin e duhur nga zgjedhjet e kontestuara që qenë mbajtur, kurse dy partitë e prira nga Rexhep Qosja, përkatësisht Adem Demaçi dhe UÇK-ja kërkonin një përfshirje të gjerë. Mungesa e një koordinimi të mirë të spektrit politik në Kosovë gjatë qershorit, korrikut dhe shtatorit mendoj se bëri që K. Hill të kthehet me afër liderit të LDK-së, e sidomos pas kërcënimit të Holbrukut se ne mund të largohemi. Rugova i përgjigjet “nëse ju thoni që Demaçi duhet të gjendet në krye të atij Këshilli, unë nuk kam gjë kundër”.

 Më 19 qershor vitit 1998, Këshilli për Siguri Kombëtare me prezencën e të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të Qeverisë së SHBA-së merr vendimin historik për UÇK-ë që përfaqësuesit e saj të jenë pjesë e negociatave për statusin e Kosovës. Me këtë vendim u njoftua Ibrahim Rugova që në grupin negociator të përfshihen edhe përfaqësuesit politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Në fillim të qershorit, i dërguari amerikan për Kosovën Kristofer Hill kishte takim në Malishevë me përfaqësues të UÇK-së dhe pas atij takimi, mori vendim që UÇK-ja duhet t’i ketë përfaqësuesit e vetë, se partitë aktuale në Prishtinë nuk mund ta përfaqësojnë. Mos uniteti i faktorit politik shqiptar ishte shumë i papranueshëm edhe për përfaqësuesit e qeverisë amerikane që ishin të vendosur për zgjidhjen e statusit politik të shqiptarëve të Kosovës që për ballë Serbisë përkundër përpjekjeve, e kishin pothuajse të pamundur ta detyronin që të tërhiqet nga Kosova. Edhe kundërshtarëve politikë të Rugovës u mungonte një koordinim dhe unitet i duhur. Dështoi edhe përpjekja rreth propozimit për të udhëhequr një qeveri ku do të përfshihej i gjithë spektri politik dhe ushtarak i shqiptarëve të Kosovës duke pasur mosmarrëveshje dhe deklarata kontroverse. Vetëm pas përpjekjeve të pareshtura të diplomatëve amerikanë, u arrit marrëveshja për formimin e grupit negociator të Kosovës me gjithëpërfshirje të spektrit politik. Më 26 shtator, në fshatin Obri të Epërme, forcat e policisë serbe kishin masakruar 21 anëtarë të familjes Deliu. Lajmi për ngjarjen zuri faqen e parë të “New York Times”, më 30 shtator 1998. Në të njëjtën ditë në Shtëpinë e Bardhë u mbajt një takim, ku Albright deklaron se “…fotografitë e masakrës të kujtojnë Srebrenicën dhe e kanë ditur se nuk duhet të lejonin përsëritjen e krimeve të tilla”.

 Më 3 nëntor 1998 ambasadori Hill e fton në veturën e tij liderin e shqiptarëve të Kosovës, I. Rugovën që të vizitojë disa fshatra të zonave të luftës në Malishevë. “Njerëzit ngurruan në fillim kur e panë liderin e vet prej më shumë se një dekade. Pastaj u afruan dhe iu hodhën në krah rreth qafës, duke përshëndetur…U ndala për të kapur pamjen në tërësinë e saj…Po në këtë ditë pashë se Ibrahim Rugova ishte forcë që duhej bërë hesap dhe ndoshta kjo ishte arsyeja pse UÇK-ja dhe të tjerët ishin aq të ashpër me të”. Gjatë vitit 1998, diplomati amerikan i kishte ofruar disa plane konkrete për statusin e Kosovës si palës shqiptare po ashtu edhe qeverisë serbe, ku Kosovës i jepeshin kompetenca autonome duke ruajtur një prezencë të vogël ushtarake serbe në Kosovë.

Në këto plane nuk rrezikohej sovraniteti serb në Kosovë dhe nuk flitej për ndonjë mundësi për referendum, pas një afati të caktuar, ku popullsia shumicë e Kosovës do të deklarohej për pavarësi.

Këto plane të ndërmjetësuesit amerikan për Kosovë, Kristofer Hill, nuk u përkrahën as nga Beogradi dhe as nga politika në Prishtinë, duke mos u pajtuar që Kosova të mbetet nën ombrellën e sovranitetit serb. Shqiptarët kërkonin mundësinë që pas një faze kalimtare të shprehen me referendum për statusin e Kosovë. Serbia ndërkaq nuk ishte e gatshme të bënë kompromis as për një autonomi të gjerë të shqiptarëve në Kosovë, edhe pse me kushtetutën e vitit 1974, Kosova kishte shumë elemente të subjektivitetit shtetëror në federatën jugosllave, përfshirë mbrojtjen territoriale dhe elementin konstituiv të federatës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Lulzim Nika

Shkolla shqipe në Starnberg të Bavarisë mbajti mbrëmje festive, informative e kulturore

December 13, 2022 by s p

Enela Shehu Markja/

Më 9. 12.2022, klasa me mësim plotësues në gjuhës shqipe në Starnberg në bashkëpunim me Lidhjen e Arsimtareve dhe Prindërve Shqiptarë, Entin për të huajët në Starnberg organizuan një mbrëmje informative e kulturore. Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e dy Konsullatave tona shqiptare në Mynih dhe albanologu, linguisti Prof. Bardhyl Demiraj.

Programi u hap me vallen e Shoqatës kulturore Iliria, ndërsa kryetari i LAPSHit Milazim Ukaj informoi mbi ecurinë e mësimit të gjuhës shqipe në Bavari, kurse konsujt përshëndeten takimin, duke i dhënë përkrahje shkollës shqipe dhe duke nxitur që sa më shumë të ketë nxënës në shkollën shqipe.

Drejtuesi i Qendrës Shkencore Albanologjike Universitare në LMU Prof. Bardhy Demiraj ligjëroi mbi mësimin e gjuhës shqipe në kuadrin universitar akademik, duke theksuar një bashkëpunim të mundshëm mes Qendrës shkencore të Albanologjisë me mësueset/mësuesit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Bashkë me Prof. Demiraj në këtë aktivitet morën pjesë student dhe Doktorant të Albanologjisë. ­

Mësuesja Enela Markja organizoi dhe moderoi mbrëmjen duke theksuar: Hapësira mësimore që krijohet përgjatë mësimit të gjuhës shqipe rrjetizon dhe konsolidon komunitetin, I cili me gjithë distancën fizike dhe hapësirat kohore kultivon dhe ruan me pasion e patriotizëm gjuhën dhe kulturën shqiptare, si pjesë e identitetit tonë kombëtar.

Aktiviteti u shoqërua me vallet të ndryshme, të vallëzuar nga grupi i të rinjve të Shoqatës kulturore Iliria në Mynih. Kurse pjesën artistike të recitimit bënë nxënësit e shkollës shqipe të Starnberg-ut, Mynih-ut, Freising-ut dhe Rosenheim-it, të cilët i dhanë sallës ngjyrat të larmishme festive.

Jehona e këngëve të rapsodit të njohur Sokol Bisaku dhe grupit të tij e ndezën atmosferen dhe ju dhuruan bashkëkombasve emotione te paharrushme.

Filed Under: Reportazh

U mbajt takimi i dytë i Komisionit Ministror për Memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë

December 13, 2022 by s p

Prishtinë, 13 dhjetor 2022/

Në hapje të takimit të Komisionit Ministror për hartimin, përgatitjen dhe zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e veçantë që ka ky proces. Ai ritheksoi se është detyrë e secilit prej nesh, që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, e që e vërteta të dalë në pah për të gjitha jetët e humbura të fëmijëve gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.


Në këtë takim u shqyrtua dhe miratua Plani i Veprimit për ndërtimin e Memorialit për Fëmijët e Vrarë Gjatë Luftës në Kosovë, hartuar nga Grupi Punues i mandatuar me Vendimin e Komisionit Ministror, të datës 13 tetor 2022.

Jam e nderuar të jem pjesë e këtij procesi kaq të rëndësishëm, në përpjekjet tona të përbashkëta për përkujtimin e fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, tha kryesuesja e Grupit Punues, znj.Saranda Bogujevci, Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Grupi Punues, i mandatuar me hartimin dhe monitorimin e Planit të Veprimit për ndërtimin e Memorialit për Fëmijët e Vrarë Gjatë Luftës në Kosovë, me përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të zgjerohet me përfaqësues të familjeve të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, ekspertë, përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1925
  • 1926
  • 1927
  • 1928
  • 1929
  • …
  • 2783
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT