• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rrustem Berisha, autor i librit “Genocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999”

November 2, 2022 by s p

Studiuesi Rrustem Berisha: Institucionet shqiptare të veprojnë te kancelaritë botërore për dënimin e krimeve serbo-malazeze, të edukohet brezi i ri

Intervistoi: Eneida Jaçaj Lamçe

Populli shqiptar ka përjetuar masakra nga më barbaret dhe më çnjerëzoret, siç është Holokausti Jugosllav dhe ai Grek, ndërsa me trojet e Arbrit janë bërë padrejtësira, si plaçkitje, vjedhje, pazare politike, e deri te tratativat për ta fshirë Shqipërinë nga harta gjeografike. Fuqitë e Mëdha Europiane e copëtuan Shqipërinë për të kënaqur shtetet që do të merrnin pjesë në luftë përkah tyre, lejuan që të zhvilloheshin masakra mbi popullsinë shqiptare, duke realizuar qëllimet e tyre të errëta gjeo-strategjike. Fatkeqësisht, në ditët e sotme janë duke bërë të njëjtën gjë, pasi po mbajnë jashtë Bashkimit Europian Shqipërinë, në vend që të kërkojnë falje për padrejtësitë shekullore që kanë kryer. Populli shqiptar duhet të mbajë qendrim dhe duhet të veprojë që zëri i tij të dëgjohet deri te kancelaritë e huaja, në mënyrë që të dënohen të gjithë përgjegjësit e genocidit serbo-malazez dhe atij grek ndaj popullsisë çame, ashtu siç Gjermania dënoi krimet e nazizmit ndaj hebrenjve. Gjatë Luftërave Ballkanike, ushtria serbo-malazeze ka zhvilluar krime nga më të rëndat dhe kanë ndërmarrë politika shoviniste për copëtimin e trojeve dhe robërimin e shqiptarëve. Atë që nuk po e bëjnë institucionet, po përpiqen ta bëjnë disa intelektualë, si publicisti, studiuesi, njëherësh shkrimtari z.Rrustem Berisha, i cili është autor i librit “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999″, me tri vëllime. Rrustem Berisha ka hulumtuar mbi 15 vite për gjenocidin shekullor që është ushtruar mbi popullin shqiptar. Ky libër ka karakter studimor, historik dhe politik, ku qëllimi kryesor i tij është që të rrisë ndërgjegjësimin dhe trysninë e përgjegjësisë së institucioneve shqiptare, për të vepruar në kancelaritë më të larta ndërkombëtare, që të dënohen kriminelët dhe t’u mësohet brezave të rinj historia e nëpërkëmbjes së popullit shqiptar. Berisha ka studiuar qindra dokumente, ku ka zbuluar se janë mbi 30 000 persona me emra të vrarë që nga viti 1800 deri me 1999, që nga Podgorica, Tivari, Plava, Gucia, Ulqini, Shkodra, Tetova, Dibra, Kumanova, Peja, Gjakova, Prizreni etj. Rruste Berisha vë në dukje se nuk ka serb, malazez, grek as maqedonë, pasi janë shpikje nga disa vende të Evropës për të shfarosur kombin shqiptar. Rrustem Berisha është autor i librave: “Pse vdekja”, “Holokausti shqiptar”, “Trojet tona”, “Triumfi i drejtësisë në tribunalin e Hagës”, “Gjenocidi serbo-malazez dhe pushtimi i trojeve shqiptare 1800-1999” 1,2,3. 

-Përgëzime për punën e vyer dhe të palodhur, për të nxjerrë në pah të vërtetat historike, kalvarin e vuajtjeve të popullit shqiptar, nga gjenocidi serbo-malazez, në harkun kohor njëshekullor të viteve 1800-1999. Mbi trojet shqiptare janë kryer padrejtësira dhe masakra barbare, siç është genocidi serbo-malazez, për të cilin do të flasim, por këtu do të përmendja edhe genocidin grek ndaj popullsisë çame, me në krye famëkeqin gjeneralin Napoleon Zervas. Të gjithë përgjegjësit duhet të shkojnë përpara drejtësisë, por falje duhet të kërkojnë edhe Fuqitë e Mëdha Europiane, që kanë bërë çfarë kanë dashur me Shqipërinë. 

 Më lejoni t’ju falenderoj përzemërsisht për këtë komunikim me lexuesit e Gazetës “Dielli”! E konsideroj një mundësi të mirë jo vetëm për informimin e opinionit, por edhe si një mesazh për ngritjen e një apeli që të bëhet më shumë për pasqyrimin e historisë sonë, kuptohet jo vetëm para opinionit tonë kombëtar, por edhe para atij ndërkombetar. Është për keqardhje që institucionet shtetërore si në shtetin amë e po ashtu edhe në Kosovë nuk kanë bërë asgjë për ngritjen institucionale të mbamendjes apo të institucionalizimit të së kaluarës sonë historike. Tragjike dhe e pakuptimtë se si në Tiranë, në Shkodër e në Prishtinë nuk ekziston një Muze i Gjenocidit, nuk ekziston Muzeu i Pastrimit Etnik të Krahinës së Nishit, e nuk kemi as Muze të Luftës së fundit, kjo nuk mund të shpjegohet. Mos të flasim për një Muze të Pastrimit Etnik të Popullit Shqiptar, nga trojet e veta. Një Muze per Luftën e Nokshiqit dhe betejat historike që janë zhvilluar edhe gjatë pushtimit të Perandorisë Osmane. Ngjarjet e hershme që kanë ndodhur në historinë tonë të lashtë. Secili njeri duhet ta pyesë vetveten – se ku e shohin fëmijët tanë të kaluarën tonë, në cilat institucione. Nëse ndërtojmë shtet, së pari duhet të ndërtojmë institucionet që prezentojnë identitetin tonë kombëtar. Pa këto institucione, ne nuk kemi ndërtuar shtet. Institucionet ku do të prezentohej e kaluara jonë historike, kjo është e pafalshme dhe njëherit shumë absurde. Vetëm ky përkushtim institucional flet shumë për papërgjegjshmërinë e atyre që qeversin si në Tiranë e po ashtu edhe në Prishtinë. Çdo armik i përbetuar i popullit tonë synim parësor ka gjithnjë fshirjen e të kaluarës sonë, pra sa më pak që përmendet e kaluara jonë, aq ma mirë është për armiqtë tanë!

-Cili ishte faktori ngacmues që ju bëri të shkruani këtë libër studimor, dhe sa janë zotuar institucionet shqiptare për të dënuar gjenocidin serbo-malazez, një e kaluar e cila nuk duhet harruar, por duhet t’u bëhet e njohur edhe brezave të rinj?

Jemi shumë larg dokumentimit dhe studimit të historisë sonë, e po ashtu kemi bërë shumë pak për argumentimin dhe studimin e, sidomos, ngritjen e institucioneve që prezentojnë gjenocidin shekullor të ushtruar mbi popullin tonë. Nuk e di si ta definojë një qeverisje apo edhe një njeri i cili nuk bashkëjeton me fatin e kombit të vet. Nuk mund ta kuptoj ndërtimin e tij shpirtëror, as personalitetin e tij, po që se nuk ndjen dhe nuk frymon njerëzisht ashtu siç kanë frymuar ata që e kanë lind, pra familja dhe kombi. Preokupimi i vazhdueshëm i të gjithëve duhet të jetë fati ynë, në të kundertën njeriu nuk arsyeton as ekzistencën e vet, e nuk kupton as misionin e jetës së tij.

-Atë që nuk po e bëjnë institucionet, po e bëni ju duke paraqitur një studim të tillë, ku paraqitet i gjithë kalvari i vuajtjeve dhe masakrave ndaj shqiptarëve. Puna juaj është voluminoze dhe e shtrirë në një kohë 15 vjeçare. Besoj se ju nuk jeni vetëm në këtë projekt, kë do të falenderonit sot?

Dëshiroj të falenderoj publikisht dhe përzemersisht bashkëautorin e këtij projekti. Përgjatë më shumë se një dekade, kryetari i shoqatës SHQIPTARËT E BASHKUAR, me qendër në Miçigan, zoti Rrok Dedvukaj, një veprimtar i çështjes kombëtare nga Miçigani, ka qenë në çdo hap dhe angazhim bashkë, dhe kemi bashkëvepruar pa u ndalur për vite me radhë. Rrok Dedvukaj ka një meritë të veçantë, pasi që ka berë të mundur realizimin e ketij projekti, jo vetëm botimin, po edhe hulumtimet në arkiva dhe në shumë vende dhe terene, duke perfshirë edhe mijëra dokumente dhe literaturë historike. Pa mbështetjen e tij, nuk besoj që ky projekt do të realizohej, andaj e ardhmja i ka borxh këtij personaliteti të dalluar të çështjes kombëtare, ndërsa unë personalisht admiroj pa masë përkushtimin e tij atdhetar. Vlerësoj lart angazhimin e bashkëpunëtorve të mi; Dr. Islam Laukës, Dr. Elena Kocaqit, Dr. Qazim Namanit, Dr. Teki Kurtit, Mr. Ismet Azizit, Ramiz Lushajt, Reshat Sahitajt, Rexhep Dedushajt dhe shumë studiuesve nga Tirana, Shkodra, Prishtina e mërgata. Njëherit nuk ka munguar edhe përkrahja nga shumë veprimtarë në Miçigan, Uashington, Neë York e më gjerë, të cilët me të vërtetë më bëjnë krenar dhe më japin kurajo për të vazhduar me punën hulumtuese edhe në të ardhmen. Duhet t’i shpreh mirënjohjen time z. Faton Zogjani, i cili ka marrë iniciativën për përkthimin e këtij libri. Po ashtu, një mirënjohje të veçantë për veprimtarët, z. Dodë Nicaj, z. Luigj Gjokaj, z. Kolë Dedvukaj, z. Dedë Dushaj, z. Harry Bajraktari, z. Sab Gashit, z. Esad Gjonbalajt, z. Rexh Muriqi, z. Sam Gjokaj, z. Nikollë Junqaj, z. Qazim Dedushaj, z. Emrush Musaj etj, pa përkrahjen e të cileve ky projekt nuk do t’i kishte sukseset me të cilat po vazhdon të pushtojë opinionin kombëtar e së shpejti edhe atë ndërkombetar. Këtu shtjellohet Gjenocidi serbo – malazez për 200 vjet, si një luftë e parreshtur për të zhdukur kombin shqiptar. Tre vëllimet përbëjnë një dosje të fuqishme të gjenocidit shekullor. Janë me qindra dokumente dhe mbi 30 000 persona me emra të vrarë që nga viti 1800 deri me 1999, nga mbarë hapsira shqiptare, që nga Podgorica, Tivari, Plava, Gucia, Ulqini, Shkodra, Tetova, Dibra, Kumanova, Peja, Gjakova, Prizreni etj. Janë me qindra studiues të huaj që flasin dhe deshmojnë për gjenocidin serb e malazez.

-Gjenocidi serbo-malazez, apo Holokausti Jugosllav, mbi popullsinë shqiptare, ka qenë i vazhdueshëm në kohë. Pse shtetet më të fuqishme nuk kanë arritur ta ndalin kohë më parë? Çfarë fshihej pas mosveprimit të tyre?

Në politikë gjithmonë mbizotëron interesi gjeostrategjik i fuqive vendimarrëse, dhe e drejta merret shumë pak parasysh, për këtë ne duhet të jemi te vetëdijshëm si popull, dhe duhet të kemi një mobilizim dhe një bashkim më të madh të forcave dhe energjive kombëtare, për t’u përballur me padrejtësitë historike, që kanë ndodhur mbi popullin tonë. Aleancat e fuqive dhe interesave, përcaktojnë fatet e kombeve të pafuqishme.

-Gjenocidi serb ndaj popullsisë shqiptare dardane është cilësuar si një nga aparteidet më barbare mbi njerëzimin, në rastin konkret shfarosjen më çnjerëzore të popullsisë nga trojet shqiptare. Gjermania, pas Luftës së Dytë Botërore zhvilloi të famshmin “Gjyqi i Nurembergut”, ku ndoqi penalisht të gjithë ata që morën pjesë në Holokaust dhe zhvilluan krime të tjera. Serbia nuk ndjen asnjë lloj pendese apo të kërkojë falje ndaj popullsisë shqiptare, për të gjitha masakrat çnjerëzore që ka bërë.

 Formimi dhe vetekzistimi i Serbisë është i lidhur me krimin, ashtu është e konceptuar ekzistenca e tyre, sepse ata janë të vetëdijshëm se nuk kanë as histori e as identitet, pra janë një hordhi barbare e ardhur në trojet tona. Janë pushtues barbarë pa atdhe, dhe si të tillë nuk mund të mendojnë ekzistencën pa krim, hegjemonizëm dhe gjenocid. Pse, për arsye se janë një popull pa atdhe, deri më sot historia nuk njeh një vend që mund te definohet si i tyre, si vendlindje e tyre, nga kanë lind si kolektivitet. Por janë pushtues dhe nuk mund të definojnë një hapësirë gjeografike që u takon atyre, përpos trojeve të pushtuara dhe aneksuara. Evropa ju ka pranuar aq sa kanë pushtuar troje, kjo është drejtësia evropiane. Për këtë duhet të bindet çdo njeri normal në këtë botë. Andaj, ata vazhdojnë të projektojnë në vazhdimësi plane hegjemoniste, sepse ashtu janë të formuar, dhe nuk duhet të presim kërkim falje nga bishat për krimet që i kanë kryer, për mua është absurd kjo që mendojnë disa.

 -A duhet të ketë një qëndrim nga SHBA dhe BE, për të shënuar një tjetër pikë kthese në vazhdën e të gjitha përpjekjeve për çlirimin e popullit të Kosovës dhe për t’i kthyer plotësisht dinjitetin e munguar?

Së pari kisha kërkuar një qëndrim shqiptar të mbarë kombit shqiptar, një qendrim unik, me të cilin padrejtësinë historike kundër kombit shqiptar duhet ta ngremë para kancelarive më të fuqishme botërore. Duhet të bindemi një herë e mirë dhe përgjithmonë se serbët nuk mund të ndryshojnë, jam përpjekur në mënyrë shkencore ta analizoj në libër, se kemi të bejmë me një kolektivitet që ka në gjene krimin, pra krimin e ka në “kulturë’’ krimin e ka në “folklor”’, krimin, e ka në “art”, krimin, e ka në “arsim”, krimin ka në “zakone”, krimin, e ka në “shkencë”, krimin e ka në “politikë”, krimin mbi të gjitha e ka në “fe dhe kishë”, që vazhdimisht predikohet krimi si e vetmja formë e mbijetesës së kësaj hordhie, pra kjo hordhi barbare pa identitet ka në gjene krimin dhe nuk ndryshon deri sa të ekzistojë. 

-Patjetër që reflektimi dhe veprimi duhet të nisë fillimisht nga instuticionet shqiptare dhe populli shqiptar i bashkuar. Megjithatë, si e shihni ju rolin e ndërkombëtarëve që populli shqiptar të fitojë të drejtën për dënimin e të gjithë atyre që shkaktuan mizori dhe shkatërrime mbi trojet e Arbrit?

Duhet të bindemi se në diplomacinë ndërkombëtare mbizotërojnë interesat gjeostrategjike e jo drejtësia apo vënia në vend e drejtësisë, apo të presim një të drejtë të mohuar të vendoset herët apo vonë; kjo është një ëndërr që duhet ta heqim nga mendja se të tjeret po brengosen për ne, kurse ne të mos brengosemi për veten tonë. Mbi ne është ushtruar padrejtësi e madhe gjatë historisë, por edhe kemi pasur miq që na kanë shpëtuar pa u shfarosur mbarë kombi ynë, për këtë duhet të jemi të vetëdijshem, dhe humbja e miqve është tragjedi për ne.


-Serbia dhe Mali i Zi zbatuan politika shoviniste ndaj popullsisë shqiptare, për copëtimin e trojeve dhe robërimin e shqiptarëve. Sipas studimit që ju keni kryer, cili është bilanci i të vrarëve nga ushtria serbo-malazeze dhe cila është masakra më e egër, më barbare, që është kryer mbi popullsinë e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare, nga Mali i Zi?

Vështirë të konstatohet një bilanc i tragjedisë sonë, dhe të japim një pasqyrë të këtij gjenocidi. Por që nga viti 1804 kur dhe janë shpërngulur me dhunë dhe terror shumë familje shqiptare nga rrethina e Beogradit kurrë nuk është ndalur terrori, dhuna dhe gjenocidi mbi popullin tonë. Vetëm në Luftërat Ballkanike, më 1912/13, janë vrarë mbi 500 000 mijë shqiptarë, dhe populli ka qenë buzë shfarosjes së përgjithshme. Arkivat evropiane janë të mbushura me dëshmi të gjenocidit shfarosës gjatë luftërave apo Aleancës për shfarosjen e kombit shqiptar me 1912/13. Aty shpalosen mizoritë e tmerrshme që nuk mund t’i besoj mendja njerëzore. Në këto arkiva janë argumentet dhe dëshmitë e pakontestuara se si me mijëra familje shqiptare janë ngujuar nepër ndërtesa dhe janë djegur për së gjalli. Deri më sot asnjë reagim apo denoncim i shtetit shqiptar. Ky gjenocid ka vazhduar pa nderprerë asnjëherë. Jo vetëm zgjerim me hegjemoni serbe dhe malazeze, po vetë lindja e tyre është pikërisht me krim dhe gjenocid, spastrim të trojeve shqiptare dhe përvetësim të tyre. Fatkeqësisht, duke ju njohur dhe duke u përqafuar sidomos nga Perandoria Osmane e asaj kohe dhe përkrahja e madhe e Francës, trojet shqiptare të pastruara etnikisht me zjarr dhe shfarosje me lloj-lloj krimesh makabre, u formuan shtete me popuj pa identitet. Duhet të thuhet botërisht se nuk ka serb, malazez, grek as maqedonë. Këto janë shpikje nga disa vende të Evropës për të shfarosur kombin shqiptar. Ndërtimi i këtyre vendeve me kombe të shpikura kishte vetëm një qëllim; shfarosjen e kombit shqiptar dhe përvetësimin e qytetërimit më të lashtë në Evropë, dhe poashtu vdekjen e popullit me gjuhën e parë të njerëzimit.

Filed Under: Sociale

Në shërbim të jetës, dashurisë dhe paqes

November 2, 2022 by s p

“Të nxitur nga Nënë Tereza për vepra dashurie – bamirësie” 

(30-vjetori i themelimit të MKSH në Lucern; 25-vjetori i vdekjes së Nënës Tereze) 

Para 32 vitesh, në Pranverën e Madhe Shqiptare në Kosovë (1990), kanë ndodhur disa ngjarje tejet të rëndësishme, mendoj historike, së paku për kohën dhe për hapësirat tona. Tash në mënyrë retrospektive mund t’i kuptojmë dhe vlerësojmë më mirë dhe më saktë. 

Pajtimi i gjaqeve, apo lufta kundër gjak- apo hak-marrjes, e cila s’ishte tjetër përpos vetëvrasjes, vëllavrasjes dhe së fundi edhe vrasjes, “drejtësi” arbitrare, tejet e egër dhe jonjerëzore, si pasojë e së kaluarës së rëndë nën sundimin e të tjerëve, mungesës së drejtësisë dhe shtetësisë, lirisht mund të themi edhe “kanceri” i shoqërisë shqiptare, në krye me Prof. Anton Çettën dhe bashkëpunëtorët e shumtë, mbi të gjitha rininë tone. 

Themelimi i Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze”, për ballafaqim me largime masovike prej punës, varfëri dhe diskriminim ndaj të gjithë atyre që nuk u gjunjëzuan para përndjekjeve dhe diktaturës së Serbisë, e cila kishte për qëllim largimin e shqiptarëve nga trojet tona, deri edhe përgjysmimin dhe shfarosjen, si dhe dorëzimin dhe manipulimin nëpërmjet papunësisë dhe varfërisë së skajshme. Janë themeluar në Kosovë 44 degë dhe 636 nëndegë, si dhe formimi i degëve gati në të gjitha shtetet e Evropës, në veçanti në Zvicër. Kemi pasur 7200 vullnetarë për grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave; 58 donatorë ndërkombëtar. Gjatë Luftës mars–qershor 1999 janë ndihmuar  mbi 900.000 persona. Shpirt dhe zemër e kësaj lëvizjeje bamirëse  pothuaj unike ishte prof. Jak Mita dhe bashkëpunëtorët. [i] 

Krijimi i sistemit paralel shkollor i quajtur “Motrat Qiriazi”, si luftë kundër analfabetizmit, që kishte për qëllim fisnik ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, traditës, kulturës dhe shkollës shqip, si parakusht për identitetin dhe personalitetin tonë. 

Krijimi i sistemit paralel në shëndetësi, për ta mbrojtun jetën njerëzore në çdo kusht dhe rrethanë me shërbime shëndetësore falas, me kujdes, përkushtim dhe dashuri vëllazërore, në krye me të ndjerin Dr. Gani Demollin dhe bashkëpunëtorët e tij. 

Në këto lëvizje madhështore protagonist ishte POPULLI SHQIPTAR NË KOSOVË, por edhe mërgata jonë, sidomos ju në Zvicër,  që me mençuri, urti dhe dashuri tejkalonte çdo kufizim, paragjykim, rrezikim, me takime, afrime dhe bashkime shembullore për t’i dëshmuar vlerat dhe virtytet e lashta dhe aktuale. Vëllazërisht dhe bashkërisht i përballuam të gjitha: skamjen, dhunën, heqjen e autonomisë së Kosovës, rrahjet, burgimet, vrasjet, dhe ia dolëm jo vetëm të mbijetojmë, por të përforcohemi dhe të bashkohemi pa kurrfarë dallimi, si një trup i vetëm me shumë gjymtyrë. Kështu u krijua ndjenja e përkatësisë së përbashkët, ndjenja e bamirësisisë dhe solidaritetit, duke vërtetuar thënien e moçme shqiptare: “Nëse dëshiron t’i ndihmosh vetvetes, atëherë ndihmoju të tjerëve, sepse kështu do të ndihmojë Zoti dhe të tjerët”. 

Ndodhi mrekullia e bashkimit dhe bashkëpunimit: u falen 1275 gjaqe botërisht vetëm deri më 1 maj 1990, duke mposhtur urrejtjen, përçarjet, vrasjet me ndërrimin rrënjësor të botëkuptimit dhe të veprimit. Armiqësia u shndërrua në miqësi, vdekja në jetë, urrejtja në falje, miqësi dhe në dashuri. 

Popullata ishte pa punë, pa ligj dhe mbrojtje, pa asgjë, e anësuar, e përbuzur dhe e përjashtuar prej sistemit politik dhe shoqëror. Atëherë gjetëm fuqi dhe mënyrë për t’iu kthye vetvetes dhe të vërtetës duke kuptuar se të gjithë gjendemi para sfidave vendimtare, ose do të jetë mirë për të gjithë ose për askënd. 

Nëpërmjet SHHB “Nëna Tereze” e gjetëm damarin e bujarisë dhe të bamirësisë shekullore ilire, arbërore dhe shqiptare, e mishëruam Nënën tonë Tereze në mendje dhe në zemër të çdo njeriut me përbetimin tonë fisnik dhe profetik: “As të fikur as te koritur!”. 

Dhe kështu garuam për ta kuptuar, përkrahur ndihmuar, dhe dashur njëri-tjetrin deri te flijimi dhe dhurimi i skajshëm për shpëtim, liri dhe demokraci.

Jetuam dhe mbijetuam çdo gjë, duke iu falënderuar Provanisë Hyjnore, bamirësisë vëllazërore gjithshqiptare dhe ndërkombëtare, siç thonte i ndjeri Imzot Nikë Prela, sepse “provuam çdo gjë përpos varrit.” 

Kjo vetëdije, kjo histori, ky aktualitet na ka mbajtur gjithnjë të bashkuar dhe të vëllazëruar për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë. 

Manifestimi dhe kremtimi i sotshëm në Misionin Katolik Shqiptar në Lucern është vetëm një përkujtim i thjeshtë, në stilin e Nënës Tereze, i zbehtë dhe gjithëpërfshirës i asaj që ndodhi ndër ne dhe me ne, mrekullia e urtisë, frymëzimi i dashurisë dhe vëllazërisë, bashkëpunimit dhe guximit në të mirë dhe në dobi të të gjithëve. 

Bamirësia s’ka nevojë për lavdi, për reklamë, për mirënjohje, për falënderime, sepse ajo lind nga zemra dhe iu dhurohet zemrave, atyre që ishin dhe janë ende të kërcënuar dhe të rrezikuar. Bamirësia, nderimi dhe dashuria është BORXHI më i madh jetësor për çdo njeri, të cilin është tejet vështirë ta lajmë në këtë jetë dhe botë. 

Bëmë atë çka ditëm dhe mundem. Këtë le ta vlerësojë Zoti dhe populli. Për ne vlen motoja latine: “SERVIRE EST REGNARE” – të shërbesh domethënë të mbretërosh. Ne patëm këtë privilegj që të jemi afër popullit të kërcënuar dhe të rrezikuar, dhe ndamë me të jo vetëm kafshatën e gojës, por çdo gjë, veçmas dhembjen dhe pikëllimin e zemrës. E kur jemi së bashku në të vështira, kjo na përgatit që të jemi të tillë edhe në të mira. 

Diktaturës ditëm t’i përgjigjemi me strategjinë paqësore jodhunore gandiane, edhe më mirë të themi tereziane,  në krye me Presidentin historik dhe të parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, me solidaritet të pashoq në bamirësi, me pajtimet e gjaqeve, me krijimin e sistemeve paralele shkollore dhe shëndetësore, kur qe nevoja edhe me luftën tonë të lavdishme të UÇK-së. 

Tani prapë, si gjithmonë, na duhet ndihma e Zotit, përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare, mbi të gjitha bashkimi dhe vëllazërimi ynë, për sfidat dhe sprovat e reja tejet të rëndësishme, për krijimin dhe kultivimin e kulturës së jetës dhe qytetërimin e dashurisë. 

Me Nënën Tereze e kemi gjetur letërnjoftimin apo pasaportën tonë për ne dhe për botën. Rruga drejt lirisë së plotë dhe pavarësisë kërkon prej nesh gjithnjë flijim dhe dhurim, punë dhe përgjegjësi, bashkërenditje dhe bashkëpunim, së pari mes nesh, pastaj edhe me të tjerët. 

Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët tanë, e të tillë ishim pothuaj të gjithë, ne mënyra dhe rrethana të ndryshme, sepse kështu e kemi dhënë “pjesën më të mirë të vetvetes”, siç thotë Nënsa Tereze, me veprimtari dhe krijimtari mirësie dhe bamirësie, duke “lavruar” ndërgjegjet tona me djersë, mund, lotë dhe gjak, duke mbjellur farën e të mirës, të drejtës, të vërtetës të jetës, të paqes  dhe të dashurisë. 

Ky “investim” në njeriun dhe për njeriun kurrë s’mund të jetë i kotë, gjithmonë jep fryte, sepse dashuria dhe vëllazëria është pema e çdo stine, moshe, gjinie, për të cilën të gjithë kemi nevojë. “Dashuria është përgjigjja më e mirë e jetës”, thotë Erich Frommi. 

Le t’na përcjellë nga qielli Shën Nëna jonë Tereze, që edhe ne gjurmave të saja të shkojmë, atë ta duam dhe ta nderojmë, vetveten mos ta njollosim dhe robërojmë, por ta përparojmë dhe shpëtojmë me vepra mirësie, flijimi, dhurimi dhe dashurie. 

Dashuria nuk bën mrekulli, ajo është gjithnjë mrekulli, këtë e kemi sprovuar dhe dëshmuar të gjithë ne. 

Porositë përmbledhëse të Nënës Tereze për ne janë: “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”; “Vepra të vogla me dashuri të madhe”; “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”. 

Pjesëmarrës të dashur dhe të nderuar, vëllezër dhe motra, me SHHB të Kosovës “Nëna Tereze”,  ne iu përgjgjëm sfidave të kohës së errët dhe shumë të rrezikshme, gejtëm Dritën dhe frymëzimin tonë për vepra mirësie dhe dashurie:  

  • sepse ne shqiptarët kishim të drejtë vetëm në heshtje, në vuajtje, në nënshtri dhe shkatërrim; 
  • Ajo ishte dhe është frymëzimi dhe përcaktimi ynë largpamës dhe profetik nëpërmjet veprës dhe jetës së Nënës Tereze edhe  ne e gjetëm rrugën e shpëtimit me bamirësi, bujari dhe solidaritetit; 
  • “Dëshiroj që dashnin në vepër ta kallxoni për njeriun nevojtar.” Me këto fjalë, shkrimin dhe nënshkrimin e saj, ajo në një mënyrë na dha pëlqimin të jetojmë dhe të veprojmë në stilin e saj. 
  • “As të fikur, as të koritur” ishtë përbetimi ynë, që mendoj, falë Zotit, Popullit tonë, miqve dhe bamirësve ndërkombëtar, plotësish ia kemi arritur. 
  • Pa Pranverën e madhe dhe të bekuar 1990: Pajtimet e Gjaqeve, SHHB të Kosovës “Nëna Tereze”, sistemin paralel shkollor dhe shëndetësor, parakushte për strategjinë tonë paqësore jodhunore, gandiane – tereziane, në krye me Presidentin tonë historik, Dr. Ibrahim Rugovën, si dhe luftën e lavdishme të UÇK-së,  ne ende do të ishin në terr, në robëri dhe në skllavëri.  
  • Tash, si atëherë, ndoshta edhe më tepër, na duhen ide, ideale, vlera dhe virtyte, për t’u frymëzuar dhe motivuar për sfida dhe rrethana të reja. Shën Nënën Tereze, për botën mbarë, veçmas për ne Shqiptarët, është koha që ta njohim, pranojmë, ta duam, ta mishërojmë, përvetësojmë – imitojmë, mbi të gjitha t’i lutemi saj, për të na mbrojtur prej “diktatorëve” modern: materializmit, hedonizmit, konsumizmit, relativizmit dhe ateizmit praktik… 
  • Nëpërmjet Misioneve Katolike Shqiptare në Zvicër, por edhe gjetiu në Evropë dhe SHBA-a, Kanadë, ne ofrojmë dhe mundësojmë ruajtjen e fesë, ngjalljen e shpresës, mbi të gjitha ndezjen e dashurisë, në stilin e Nënës, Tereze, për Zotin – Dashuri si dhe Vëllain apo Motrën – Njeri. 
  • Shkallët e vlerave dhe virtyteteve të Shën Nënës Tereze tashmë janë të njohura: Çdo njeri është njeri- si unë dhe si ti; Çdo njeri është Vëlla apo motër, si unë dhe ti; Çdo njeri është vetë Jezusi, si jam unë dhe si je ti.  

Nëse i njohim, i pranojmë, zbatojmë dhe dëshmojmë këto tri shkallë: Njeri-Vëlla apo Motër, vetë Jezusi, atëherë vërtet ne jemi bij dhe bija shpirtërore të Shën Nënës Tereze. 

Urime dhe përgëzime vëllazërore për 30 – vjetorin e Misionit tonë në Lucern! 

Lucern, 22 tetor 2022                                                      Don Lush GJERGJI 

Filed Under: Rajon

Shqipëria e kërcënuar nga fuqia e mbipushtetit…

November 2, 2022 by s p

Gjeneral * Piro AHMETAJ/

Jo vetëm Ne Shqiptarët por edhe kombe tjera të vogla, për të frymëzuar bashkëAtdhetarët në raste udhëkryqesh kritike,  citojnë ligjërime nga personalitete me peshë globale, kryesisht nga vende të mëdha, por sigurisht jo vetëm. 

Nënë Tereza, mbetet si simbol i krenarisë Kombëtare, por edhe si rast  “përjashtues” si, pse dhe në ç’masë është e mundur të tejkalohen vlerat përtej kufijve shtetërorë. 

Ndërsa kur vjen fjala për përkushtimin, përulësinë dhe përgjegjshmërinë e ushtrimit tē funksioneve shtetërore në vendet  demokratike, si referencë e përbotshme ështē jetësuar mesazhi i  Presidentit të 35 të SHBA-ve, John F. Kennedy: “Mos pyet se ç’ka bërë atdheu për ty, por çfarë bën ti për atdheun tënd”! 

Nuk po them aspak që bëjnë keq që të marrin si referencë personalitete të huaja në ligjëratat dhe aspiratat politike, por “unë” gjithësesi mendoj se (sh) përdorimi ekzagjeruar nuk i shërben interesit të shoqërisë në tërësi. 

“Si provë shtesë” sjell në vëmendje një personalitet (bio) Shqiptar, i cili rreth 5 vite mbasi të vinte në jetë, Presidenti JF Kenedi (1917), ose pothuaj 100 vite më parë, Mid’hat Bej Frashëri, shndrin fortë me mesazhin: “Meqënëse jeta dhe siguria e gjithë secilit, është e lidhur me fatet e gjithë atyre që, së bashku formojnë KOMBIN, do të na i donte shpirti që çdokush të sakrifikojë 5 minuta në 24 orë dhe të hetojë nga thellësia e vehtes se ç’shërbim ka bërë dhe c’të mirë mundet t’i bëjë kësaj shoqërie që e quajmë KOMB”. 

Edhe pse 4 dekada më herët se JFK si dhe rrethana krejt të ndryshme, mesazhet janë shumë të ngjashme dhe të përbotshme me  sa sipërpërmendur nga ish-Presidenti Kenedi, por edhe më fortë dhe më embël tingëllojnë në gjuhën Shqipe, dashuria, përulësia dhe përgjegjshmëria Atërore e Mid’hat Frashërit për përparimin e atdheut tonë të përbashkët.

Ndërsa disa vite më von, përsëri shtetari sprovuar nga pesha e pushtetit, Mid’hat Bej Frashëri, ndoshta i dëshpëruar ulëret: “Shqiptarēt do ti fitojnë të gjitha luftrat, sapo të kenë përfunduar betejën e fundit mes tyre/vedit”. Ndoshta cinike, fatëkeqësisht  aktuale dhe mistikisht e vërtetë.

Përtej zhgënjimeve mes rreshtave dhe “revoltës legjitime” të Shenjtërisë së Tij, Mid’hat Bej Frashëri,  që vuri mendjen, zemrën, frymën dhe pasuritë në shërbim të kombit, ky mesazh mbetet ku e ku larg nga shpërthimet egocentrike të Faik Bej Konicës, por që, për fat të keq na ndjek si “mallkim i moderuar” në  përpjekjet 110 vjeçare për shtetformin, demokraci dhe përparimin e kombit. 

Por, përtej 45 vitet e regjimit komunist, që në fakt diskretitoi vetëveten duke u përjekur të denigrojë (p.sh si  përrallat idjote me pulaxhi kotecesh!!) figurën e Mid’hat Bej Frashërit, pyetja mbetet si i gjejmë sot, mbas viteve 1990 të reflektuara, idetë, brengat dhe mesazhet e shtetarit mendjehapur: 

Fatëkeqësisht, për mbi 30 vjet, kryetarë të verbuar nga fuqia e të gjithëpushtetshmit; Shtetarë,  Kuvendarë, Prekurorë, Gjyqtarë dhe Noterë të emëruar për tu (sh) përdorur deri në neveri; ambasadorë episodik; xhelat dhe spiunë të regjimit gjakatar; opozitar të mllefosur mbas një dekade humbjesh (vetë) diskretituese; opinionist të gjithëditur, kamikaz të trudhjamosur dhe sekser të stërvitur: “mbasi pushtuan dhe privatizuan partitë politike, kanë vjedhur si kusarë votat, pronat dhe të ardhmen e qytetarëve shqiptarë si dhe vijojnë t’ju dorovisin pasuritë kombëtare, oligarkëve, ose (karrocierëve dhe kapterëve të kompanive piramidale) të pushtetit të radhës”. 

Për edhe shumë më keq, ende po kërcënojnë seriozisht Shqipërinë me riciklimin e “pluralizmit – fasadë” si dhe besimin e shqiptarëve te vlerat e të djathtës moderne: “Familja, Zoti, Prona, Demokracia funksionale, harmonizimin e balancuar të pushteteve si dhe shtetin e sundimit të ligjit për të gjithë qytetarët“.   

Gjithësesi mbetem shpresëplotë se nga hiri i Mid’hat Bej Frashërit, me besimin në vlerat perëndimore dhe Perëndia = gjenerata e lindur në liri do të ringrihet për ta çliruar dhe shëruar kombin nga ky sekt – politikanësh dhe pusht-etarësh zullumqarë. Bashkë me këtë, një ditë, më mirë herët se kurrë, do tu duhet të përballen për të ringjallur shpresat dhe bekimin e shqiptarëve se, “Shqipëria i qofshim falë”,  mund dhe do të bëhet si shoqëritë Euroatlantike = ShBA dhe gjithë vendet e  Europës demokratike!

Në përmbyllje, kurrē nuk do të mjaftonte të përsërisim edhe më fortë nderimin e përjetshëm për Mid’hat Bej Frashërin, të birin e Abdylit të Prizërenit, shtetarit mendjehapur nga porta/dera e frashëllinjëve mëndjendritur, i cili  e meriton të  skalitet në memorjen/kujtesën e kombit si Babai i të djathtës oksidentale: “për vizionin mistik, përkushtimin shenjtëror dhe kontributet atërore duke mbjellë, vaditur dhe selitur përparimin dhe vlerat perëndimore edhe në Shqipëri”. 

Përulësisht, Gjeneral ® Piro Ahmetaj,

Seinor Expert për SK dhe NATO-n;

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:
Këshilltar i Presidentit & Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Kombëtar në SHAPE/NATO.

Filed Under: Komente

Super taksimi një super kërcënim i hapur qeveritar

November 2, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Kur dëgjon kryeministrin që u thotë bujqëve, o punojeni tokën ose do ju vendosim një super taksim, është të vësh duart në kokë. Eshtë një lloj diskursi që i ngjan atyre të kafeneve. Në fakt fushat e Shqipërisë kanë super prodhim. Dhe jo vetëm fushat, por edhe kodrat, frutorët. Dhe çështja qëndron tek mungesa e një menaxhimi të duhur të këtij super prodhimi. Të gjitha revoltat që kemi parë, kanë pasur si synim pikërisht mbetjen stok të prodhimit. Eshtë hedhur super prodhimi në kanal. Eshte derdhur qumështi në anë të xhadeve. Dhe kjo ka domethënien se toka jo vetëm që punohet, po dërrçe ama. Ky thotë, super taksim. Në vend që të ofroj zgjidhje, ky kërcënon. Madje ofron dyfishimin e super prodhimit që të mbysi tokën bujqësore me kalbëzim. Ata në fusha nuk gjejnë treg për prodhimet e tyre. Treg të mjaftueshëm. Për më tepër industria e lehtë ajo e përpunimit është monopolizuar në pak duar të cilat kushtëzojnë sa çmime qesharake aq edhe grumbullime qesharake. Pra mungon totalisht përveç tregut edhe përpunimi. Fermerët apo ata që kanë toka ankohen se, çmimet e plehrave kimike janë dyfishur. Dhe nuk u del aspak leverdia të blejnë e të plehërojnë tokën nga që i druhen mungesës së tregut, çmimeve qesharake, mungesës së përpunimit etj. Ky kërcënon, me super taksim. Para pak ditësh pashë në një tv kombëtare se si një fermere lopësh qante nga që nuk po ia dilte dot për shkak të stresit që i jepte bilanci negativ i një viti pune. Për më tepër fabrikat e përpunimit të qumështit blinin me çmime më të ulta nga Serbia deri hirrën. Pra prodhimi vendas del me kosto më të lartë. Pika menaxherit në qeveri se edhe hirrën kishin mangut shqiptarët. Mirëpo ai kërcënon se kush nuk punon tokën, do super taksohet. Në Shqipëri ka nisur fushata e mbrapshtë e prerjes së drurëve frutorë pikërisht për shkak të mungesës së tregut. Po priten qershitë, mollët, dardhat, kajsitë… Eshtë një lloj krimi me gjakftohesi. Një krim dëshpërues. Për më tepër që historia jonë kombëtare, sidomos zonat kodrinore i kanë pemët të shenjta. Kryeministri i vendit thotë do të super taksoj. Ky është mirëfilli një dekurajim dhe jo vetëm aq, një stimulim në ditën me diell mbi shpronësimin, mbi braktisjen e truallit, tokës arë, pronës. Dhe ju rrini e pyesni veten se çfarë po ndodh në Shqipëri. Gjëma po ndodh, çfarë tjetër. Vendi nuk bëhet me njerëz që kërcënojnë, por me ata të cilët gjejnë forma dhe mjete për të stimuluar përditshmërinë. Super taksim per tokën djerrë? Ky është një kërcënim i hapur qeveritar, vetëm e vetëm që Shqipëria të vdesi. 

Filed Under: Ekonomi

Bilal Xhaferri në përvjetorin e lindjes

November 2, 2022 by s p

Nebil Çika/

Bilal Xhefari ishte dhe mbetet pena ndryshe e letërsisë shqiptare të gjysmës se dytë te Shekullit të XX .
Si në Shqipëri edhe në emigrim ai ruajti të njëjtin talent e stil, të njëjtë mënyrë të treguari, atë që e beri të veçantë kur shkruante në Shqipërinë, në kushtet e një letërsie politike realizmit socialist . Bilali spikati, nuk shkruante si të tjerët, se nuk ishte si ata .
Vinte nga një familje antikomuniste pra, nuk kishte si të merrte një edukim familjar komunist, përkundrazi.
Nuk bëri shkollë letërsie gjë që e shpëtoi nga virusi i realizimit socialist që mësohej në shkollat e letërsisë se Shqipërisë komuniste.
Të vetmet “leksione “ të letërsisë dhe estetikës , në dijeninë time, i mori nga Musine Kokalari, në bisedat me të ne kur jetonin ne barakat e Rruga Urës në Rrëshen, ku Musineja ishte e internuar dhe Bilali punëtor krahu në ndërmarrjen “Rruga Ura “. Musine Kolalari ishte shkrimtare e diplomuar për letërsi në Romë dhe përcolli tek Bilali “rregullat” parimet perëndimore e të shkruarit letërsi që të bashkuar me talentin e tij te jashtëzakonshëm e bënë atë të veçantë e të dashur si shkrimtar dhe veçanërisht, ndryshe nga te tjerët .
Bilali spikati se nuk shkruante për partinë e qeverinë , por për njerëzit lexuesit .
Ai nuk synonte që letërsia e tij ti pëlqente autoriteteve, diktaturës dhe diktatorit që ishin kushte vendimtare për të bërë “karrierë” si shkrimtar në atë kohë. Ai donte dhe shkoi për njerëzit e thjeshtë dhe kjo ishte diferenca suksesi por njëherazi edhe fatkeqësia e tij ne atë kohë të mbrapshtë jo vetëm për shkrimtarët dhe letërsinë.
Bilali bëri diferencën, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si njeri e intelektual, si patriot .
Nuk u pajtua me të keqen me konformizmin kriminal të “elitës” kulturore te diktaturës komuniste .
Tha fjalën e tij të lirë ne kohën kur fjala e lirë ishte para skuadrave te pushkatimit e varej në litar.
Madje më shumë se kaq guxoi te sfidojë ”Zesuin” e letërsisë komuniste, beniaminin e diktatorit shkrimtarin e oborrit të tij .
Dhe për këtë e pësoi keq .
Nuk është se nuk i dinte pasojat por një shpirt i lirë nuk mund ta durojë e ta pranojë poshtërimin nuk mund të hesht ndaj të keqes . Këtë e bëri Bilali , ai dhe vetëm ai. Dhe jo në biseda private e me zë të ulët .
Por atje ne selinë zyrtare të letërsisë komuniste, në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve te Shqipërisë .
Ballë për ballë me ta , njëherazi ballë për ballë edhe me ”skuadrën letraro-artisike te pushkatimit “.
Ajo që ai bëri në diktaturë ishte e mahnitshme !
Por po kaq e mahnitshme ishte edhe ajo që beri në liri .
Pas arratisjes nga vendi ne pame një Bilal tjetër, poet e shkrimtar tjetër . Jo në stil por në përmbajtje ide e veçanërisht në mesazhet veprës letrare e tij .
I dua dhe i vlerësoj shumicën e vepra te Bilalit por “Balada Çame” mbetet për mua kryevepra e tij. Një himn e elegji bashkë për plagën tonë të madhe kombëtare të quajtur Çamëri . Vetëm një pene e mendje si e Bilal Xhaferit mund të përcjellë në pak vargje gjëmën çame, masakrimin e grave dhe fëmijëve djegien shtëpive, grabitjen e tokave e pasurive spastrimin etnik etje ,Çamërinë e robëruar, e shkretuar !
Një elegji sa historike aq edhe aktuale .
Askush si Bilali me këtë poezi, as politikanet e as historianët nuk ka frymëzuar përpjekjet për zgjidhjen e “çështjes çame” . Por roli, misioni i shkrimtarit ky është te frymëzojë, dhe ne lëtërsinë shqiptare shumë pak kanë munduar ta bëjnë një gjë të tillë .
Bilal Xhaferi është shkrimtari , poeti i dhimbjes. Ka shume dhimbje e pikëllim në veprën e tij .
Por nuk kishte si te ndodhte ndryshe . Realiteti për të cilin ai shkroi i tillë ishe plot dhimbje e pikëllim, Shqipëria në diktaturë Kosova e Çamëria ne robëri. Njerëzit këtu edhe si lexues edhe si subjekte e personazhe letrare ishin në dhimbje e pikëllim .
Bilali nuk e shpiku, nuk e trilloi dhimbjen, e gjeti tek atdheu e populli i tij , familja e tij , subjektet e personazhet e tij , lexuesit e tij . Ai me talentin, mendjen e ndritur dhe guximin e tij vetëm i ngriti lart për ti parë të gjithë, i përjetësoi në letërsi, ne libra , ne histori, për të mos u harruar e sidomos për tu mos u përsëritur më kurrë. Bashke më me to shkroi edhe emrin e tij në letërsinë e historine shqiptare.

Filed Under: Histori Tagged With: Nebil Cika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1988
  • 1989
  • 1990
  • 1991
  • 1992
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT