• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Java kulturore shqiptare në SHBA” në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” në Nju-Jork

September 26, 2022 by s p

Pas meshës në gjuhën shqipe, në sallën “Nëna Tereze”, nën moderimin e Sekretarit Shkencor, Dr. Sefer Tahiri, u bë promovimi i revistës “Drita e Gonxhes I”, si dhe i veprave “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza” e autorëve Skender Asani, Nora Maliqi – Zylali dhe Albert Ramaj, “Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze: E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit” dhe “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze” të dyja të autorit Anton Nikë Berisha, si dhe “Raportimet e gazetave zvicerane për Nënë Terezën” nga Zef Noka.

Me këtë rast, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Dr. Skender Asani, pasi bëri një përshkrim të punës së Institutit, theksoi se: “Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork këtë të diel ishte në shërbim të dyfishtë – edhe në shërbim të besimtarëve të cilën kishin ardhur ta dëgjonin meshën e rregullt të së dielës, por edhe në shërbim të aktiviteteve tona kulturore e shkencore, që i kemi filluar këtu në SHBA nga data 19 dhe do të përfundojnë më 26 shtator.” Pastaj, duke bërë përshkrimin e veprimtarisë hulumtuese-shkencore, ai në veçanti u ndal në punën që e bën Instituti me Departamentin e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë”, duke e veçuar manifestimin “Drita e Gonxhes”, që organizohet çdo vit, si dhe duke i përmendur titujt që sivjet kanë dalë nga ky departament. “Nëna Tereze i përket gjithë botës, ajo është përtej, ndërsa Gonxhja është e jona, është shqiptare dhe është shkupjane”, përfundoi ai.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Izmit Nura – zëvendësdrejtor në Agjencinë e Emigracionit ët Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili foli për punën që e bëjnë institucionet shtetërore në Republikën e Maqedonisë për avancimin e bashkëpunimit me mërgatën tonë. Veç tjerash, ai e përgëzoi komunitetin katolik shqiptar edhe për bustin e kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që është ngritur në oborrin e kësaj kishe.

Hulumtuesi shkencor, Dr. Zeqirija Ibrahimi, foli për veprimtarisë botuese të Institutit, duke i veçuar botimet e fundit që kanë të bëjnë me Nënën Tereze dhe kontributin e katolikëve shqiptarëve për çështjen shqiptare. Me këtë rast ai përdori një alegori, duke thënë se: “Ashtu siç e ruan denbabaden një familje myslimane çelësin e Kishës së Krishtit një Jerusalem, po ashtu edhe ne shqiptarët myslimanë të Shkupit, të organizuar institucionalisht dhe profesionalisht rreth Institutit, kujdesemi për trashëgiminë e Nënës Tereze”.

Në fund drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani i ndau mirënjohje famullitarit të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, Dom Dom Pjetër Popaj, të cilit ia dhuroi një boçe të praruar në ar nga bredhi i Nënës Tereze, të cilin ajo e kishte mbjellë në Shkup gjatë vizitës së saj të fundit në vitin 1980. Me dhuratë të tillë u nderuan edhe veprimtarët e dalluar të çështjes shqiptare në SHBA, z. Marjan Cubin dhe z. Mëhill Gjuraj.

Filed Under: Opinion

Lajmërim për Kryesinë dhe Këshillin e Vatrës

September 24, 2022 by s p

Me inicitiativën e Kryetarit të Këshillit të Vatrës, z. Kolec Ndoja, dhe me approvimin e Kryesisë javën që kaloi, Ju lajmërojnë që mbledhja e Këshillit të Vatrës do të bëhet më 6 Tetor 2022 nga ora 10:00-18:00 në hotelin Hampton Inn, Fort Lauderdale-Pompano Beach, Florida.

Më poshtë është linku i Hotelit ku mund të bëni rezervime sipas dëshirës suaj. Çmimet speciale për qendrim në këtë hotel janë në fuqi për të gjithë pjesëmarrësit. Kur të vizitoni website të hotelit, klikoni “DEI” në ‘group code’ për çmimet më të lira, speciale për këtë takim.

Për ata të cilët nuk kanë mundësi të marrin pjesë fizikisht, do të oferohet mundësia që të lidheni direkt përmes lidhjes zoom dhe aty shprehin idetë dhe qëndrimet e tyre.

Programi i punës së kësaj mbledhjeje do të dërgohet në ditët në vijim. Për më shumë informacion mund të kontaktoni Kryetarin e Këshillit z.Kolec Ndoja përmes emailit ose me telefon: +1 (954) 709-6484.

Linku për hotelin:

https://www.hilton.com/en/hotels/ppmpbhx-hampton-fort-lauderdale-pompano-beach/

Me nderime,

Dr. Pashko Camaj

Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Vatrës

Filed Under: Vatra

Mjeshtri i skicimit të identitetit shqiptar, Lamtumirë Sali Shijaku

September 24, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Lidhjet midis historisë, letërsisë së kultivuar, artit figurativ dhe formëzimit të identiteve kombëtare zënë numrin më të madh të studimeve për kombet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Çështja e identitetit, dhe për këtë arsye edhe ngritja e një ndërgjegje kombëtare janë të lidhura ngushtë me historinë, letërsinë e kultivuar e kulturën. Kultura është një “model historikisht i transmetuar nga kuptimet e mishëruara në simbole, një sistem i koncepteve të trashëguara shprehur në forma simbolike me të cilat njerëzit komunikojnë, përjetësojnë dhe zhvillojnë njohuritë e tyre në lidhje me qëndrimet ndaj jetës” . Vepra e Sali Shijakut shfaqet në horizontin kulturor në Shqipëri rreth 40 vjet pas themelimit të shtetit shqiptar dhe duke trajtuar historinë e largët dhe të afërme të shqiptarëve me mesazhet e saj sendërton identitetit modern kombëtar të shqiptarëve. Në këtë rast nuk janë më tablotë e elitës evropiane të një shekulli më parë, si Eugen Delacroix, Edwar Lear, Gerome që rrëfejnë ngjizjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve por është një vepër shumëngjyrëshe si ajo e Sali Shijakut me dy tonalitete kryesore: një për shqiptarët për të njohur veten, dhe një tjetër për të huajt për të shkatërruar paragjykimet e për ti njohur më mirë shqiptarët. Pasqyrimi i jetës folklorike të shqiptarëve bazuar në mozaik ngjyrash të papërsëritshëm dhe modernizëm rrëfeu kështjellën e mbijetesës së shqiptarëve përmes shekujve si popullsi dhe etni e dallueshme qartë nga fqinjët në Ballkan. Sali Shijaku duke eksporuar përjetimin e tij përreth së shkuarës historike të Shqipërisë në tablo historike, ka krijuar një epope historike që lidhet me të shkuarën dhe të tashmen e vendit të vet. Tabloja Mic Sokoli (1978) është pasyrim i volgeist-shpirtit të kombit, si do thoshte Herderi, një model i papërsëritshëm i Njeriut Shqiptar që ngrihet si vigan përmes pejsazhit gjithë re, i veshur me rroba tradicionale shqiptare, për të shprehur revoltën e lënies pas dore të shqiptarëve në fatin e vet dhe për të shkërmoqur jo vetëm një top dhe dy topçinjtë mjeranë osmanë, por gjithë Perandorinë Osmane. Në këtë rast tablotë historike të Shijakut shërbejnë si model narrative për përpunimet e para shkencore të historive kombëtare dhe si vektor i shkëlqyer i përhapjes së një vizioni të ri të së kaluarës.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Dorian Koci, sali shijaku

“Paqja në Ukraine, përtej të marrosurve nga ambiciet e përgjakshme”

September 24, 2022 by s p

Gjeneral * Piro AHMETAJ/

Në përgjigje të interesit publik, nga kapaciteti i Ekspertit për çështjet e Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s, po paraqes një përmbledhje të përditësuar me disa mesazhe strategjike rreth dinamikës në fushbetejën e Ukrainës, por jo vetëm:

Së pari, mobilizimi i 300 mijë rezervistëve, e çmoj si: “konfirmim zyrtar të dështimit me turp të ofensivës neonaziste të Rusisë për të arritur objektivat strategjike, ndaj integritetit teritorial të një vendi sovran (Ukrainës) duke sfiduar edhe rendin global të sigurisë» !

E thënë më qartë, mbas 7 muajsh, makineria ushtarake e Kremlinit jo vetëm ka mbetur e rraskapitur në baltën e përgjakur me rreth 80 mijë ushtarak/qytetarë Rus të vrarë si dhe ka humbur me turp inisiativën strategjike në fushbetejë, por përditë e më shumë po diskreditohet në përballjen me fuqinë ushtarake, vlerat demokratike, solidaritetin e botës së qytetëruar dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (USA/NATO/BE).

Së dyti, është mbjell një mankth i ricikluar nga mëndjet e ndryshkura: “Nëse Putini do shtypë, apo jo butonin e kuq të armëve bërthamore, për t’i bërë gjëmën e madhe njerëzimit”, përgjigja relaksuese edhe për “Putinistët e thekur dhe kokat e nxehta” mbetet një JO e fortë. Pra, kjo nuk ka për të ndodhur, pasi nëse do guxonte, Rusia do merte shpagimin e merituar nga USA/NATO si dhe Putinistët do të ndëshkoheshin si edhe nazistët: “për krime kundër njerëzimit” nga institucionet e botës së qytetëruar” ! Po ashtu, ende besoj që elitat mëndjehapura dhe gjenerata e re e Rusisë kurrësesi nuk do të lejojnë që kombi i tyre të damkoset përjetësisht si një Shtet Terrorist.

Në mënyrë shumë të vendosur, kjo ishte edhe përgjigja dhe mesazhet e Presidentit të ShBA (Kampionit të lirisë dhe Gardianit të paqes në botë), gjatë fjalimit historik në OKB, drejtuar Putinit, Kim Jongut, Teheranit, si dhe kujdo tjetër diktatori të dalldisur nga paranoja e luftrave të përgjakshme si dhe oshilacionet që u burojnë nga fuqia e mbi Pushtetit.

Së treti, ndërsa dalldisjen e Presidentit Vučič për sa: “prag Luftë e re Botërore për të rivendosur kufijt shtetërore si dhe trimërimin me (mos) njohjet dhe integritetin teritorial të Kosovës”, për më me tepër në realitetin aktual të prezencës së fuqisë ushtarake (KFOR) si dhe të dështimit turpëruese të Rusisë në Ukrainë, i konsideroj në mos qesharake, si thik mbas shpine për marrëveshjet dhe negociatat si dhe oshilacione të këshilltarit të Mollosheviçit famëkeq, të cilat jo vetëm nuk trembin kërkënd, aq më pak fuqinë e sprovuar (1999!) të NATO-s dhe nuk i shërbejnë kërkujt, por e minojnë rëndë axhendën e udhëtimit të Serbisë drejt BE dhe vlerave Euroatlantike!

Së katërti, e përsëris edhe më fortë se bashkë me dështimin turpëruese për pushtimin e Ukrainës, Rusia po/do të humbas edhe peshën gjeopolitike në mbarë Botën, Detin e Zi, në Ballkan, Mesdhe, etj.

Për pasojë, (me/pa Vuçiçin e sëmurë dhe kapur nga paranojat e luftrave të përgjakshme), edhe roli i Serbisë do të ulet në Rajon, çka do të shërbejë si një rrethanë e fortë gjeostrategjike për 4 vendet (Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia) për ta njohur zyrtarisht dhe për t’i hapur rrugë procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO por edhe si një këmbanë alarmi për të zhvilluar Masat e Mirëbesimit Reciprok (CSBM) mes vendeve te Rajonit në dobi të stabilitetit demokratik, mirëqënies dhe besimit të qytetarëve në axhendën e integrimit në BE.

Në shtesë, si ekspert i fushës, do i këshilloja faktorët shtetërorë dhe politik të Tiranës dhe Prishtinës Zyrtare që: “humbja e luftës dhe kolapsi i “Rusisë si Siperfuqi”, për pasojë edhe e peshës së Serbisë në Rajon e çmoj si një rrethanë të artë gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSh në tavolinat e vendimarrjeve të mëdha (me SHBA & UN/NATO/BE) për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat mbarëKombëtare në Rajon, Mesdhe, etj si dhe në dobi të paqes, stabilitetit dhe axhendën e integrimit Euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor”!

Ndërsa si mesazh të fundit, sigurisht jo nga rëndësia: “asnjë grosh fare nuk vlejnë privatizimi politik dhe propaganda bollshevike e të gjithePushtetshmeve” por vetëm dashuria, nderimi dhe përulësia ndaj vendit, vizion afatgjatë dhe përkushtimi dhe përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave Kombëtare; “besimi dhe bekimi” ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO-n, etj.

*Gjeneral ® Piro AHMETAJ,

Senior Expert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut, Ish:

Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh,

Zv/ShShPFA & Përfaqësues në SHAPE/NATO

Filed Under: Politike Tagged With: Piro Ahmetaj

JERONIM DE RADA NJËRI NGA RILINDËSIT E MËDHENJ FRYMËZUES PËR NGRITJEN E VETËDIJES KOMBËTARE

September 24, 2022 by s p

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Letërsia shqipe është sunduar për afro një shekull prej kultit të epopesë. Shkrimtarët e mëdhenj rilindës e shihnin veten përgjegjës ndaj epopesë kombëtare. Nga kjo përgjegjësi lindën vepra të rëndësishme prej më të mëdhenjve të letrave shqipe, që prej De Radës e Naimit deri tek Fishta. 

Edhe në periudhën postromantike, deri tek Migjeni, letërsia shqipe ka përjetuar një ndjenjë detyrimi ndaj epopesë. Naimi shkroi poemën e gjatë epike „Istori e Skënderbeut“, kurse De Rada mblodhi e botoi „Rapsodi të një poemi arbëresh”. Një lloj epopeje në stilin e vet është edhe „Qerbelaja“. Ndërsa “Lahutën e Malcis” disa studiues (M. Lambertz) e kanë konsideruar “epopenë e madhe” të shqiptarëve, duke e fqinjësuar me ciklin e kreshnikëve, si “epope e vogël”. 

Sikurse shumica e popujve europianë, shqiptarët e kishin kaluar “shekullin e krijimit të epopesë gojore legjendare” qysh në kapërcim të mijëvjetëshit të parë a ndoshta më herët. Eposi legjendar me kohë ishte formuar si gojëdhënë letrare kombëtare dhe bënte jetën e vet si art gojor. Por kjo epope do të mbetej jashtë vëmendjes kombëtare e ndërkombëtare deri vonë. Për herë të parë bëhet e njohur se ekzistojnë këngët epike legjendare të shqiptarëve në vitin 1896, prej një teksti të tejshkruar dhe botuar nga gjuhëtari G. Majer. 

Në konceptin për epopenë dhe qendrimin ndaj saj jemi të prirur t’i mbahemi mendimit klasik të shprehur nga Gëte e Shiler, se objekt i epopesë është e kaluara epike etnike, “e kaluara absolute”; që burim i epopesë është ndërgjegjja dhe kujtesa e bashkësisë, jo përvoja individuale e subjeteve të marrë veçmas dhe që epopeja është kulti i të parëve të fisit, në kuptimin e burimit etnik të një populli. 

Ky koncept përbën një referencë të rëndësishme për të vënë kufij terminologjikë ndërmjet prirjeve për të historicizuar epopenë, pa rënë në gabimin tjetër, të vjetërimit fiktiv (artificial) të saj. Kur kënga epike popullore doli prej stadit të gojëdhënës kombëtare, në lavdërimin e bëmave të heronjve të përveçëm, shekulli i epopesë u mbyll e në vend të saj nis të zhvillohej miti historik. Miti historik dhe miti legjendar qendrojnë përkundruall njëri-tjetrit si historia me prehistorinë. Me anë të miteve legjendarë popujt shkojnë në burimin e tyre, kurse me anë të mitit historik identifikohen përpikërisht në një mjedis. Në mitin legjendar ka kohë („hronos“), kurse në mitin historik ka kohë dhe „kohëtore“ („hronos“ dhe kronikë). 

Në kuadër të këtij koncepti, puna dhe lidhjet e De Radës me traditën e poezisë gojore mund të shihen në dy pikëpamje: si ndikim i folklorit në krijimtarinë vetjake të poetit dhe si kontribut i tij për mbledhjen dhe botimin e letërsisë gojore. 

Janë bërë shumë studime për të dyja këto aspekte, që prej Nikollë Jenos e Markianoit, deri tek Çabej e Shuteriqi, Kastrati e Varfi, Uçi e Sejdaj, Haxhihasani e Xhiku dhe studiues të tjerë më të rinj. Disa çështjeve u është dhënë zgjidhje teorike, disa të tjerave u është dhënë zgjidhje praktike. Një zgjidhje e tillë është ajo që zbatoi Instituti i Folklorit në Tiranë në vitin 1961, duke e përfshirë në tërësi lëndën e veprës “Rapsodi e një poemi arbëresh” në vëllimin e parë të “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar”. 

Problemi është ndërlikuar disi nga fakti se, për nevoja të njohjes, vetë letërsia kulte e De Radës është prurë në shqipen e sotme nga disa autorë, në shumë variante; proces që ende nuk mund të quhet i mbyllur. Ekzistenca e saj në variante, sido që e shpjegueshme me shkaqe gjuhësore, formalisht shtron problemin e funksionimit të letërsisë sipas parimeve të qarkullimit folklorik. 

Eshtë për t’u vënë re se shpesh lidhjet e De Radës me folklorin janë vështruar si lidhje rrjedhimore, kryesisht si raporte të një poeti romantik me kulturën kombëtare. Madje ka pasur studime që i kanë teorizuar e funksionalizuar aq shumë këto lidhje, sa ta kushtëzojnë shpjegimin e tyre me çështjen homerike, me opozicionin e përjetshëm të unitarianëve dhe separatistëve dhe me çështje të tjera globale të historisë dhe të teorisë së letërsisë, veçmas të epit. 

Çështja që kërkon parashtrim është shumë e thjeshtë: vëmendja e De Radës ndaj folklorit, sidomos ndaj epopesë, ishte e vetvetishme, e lidhur me qenien e tij poetike, apo për shkak të frymëzimit të tij romantik? 

Përkundër disa vlerësimeve të njohura, duket se lidhjet e De Radës me traditën gojore nuk burojnë nga ndonjë teori dhe nuk janë aplikim, aq më pak thjesht një rrjedhim i romantizmit. Këto janë lidhje që do të mbeteshin të nënçmuara duke i kushtëzuar me teoritë dhe shkollat letrare, cilatdo qofshin ato, pavarësisht se nuk mund të mohohet ndikimi i tyre. 

Kulti i epopesë tek De Rada është pjesë e mitit të së shkuarës, e hyjnizimit të “motit të madh”. Nëse kjo çështje do të shihej në mënyrë teknokratike, atëherë do të duhej të pranohej se romantizmi i De Radës është romantizëm prapavajtës. Karakterizimi teorik i romantizmit si drejtim dydegësh, futurist-utopik dhe retrospektiv, do të bëhej pengesë për të kuptuar në tërësi veprën e tij. 

De Rada dhe poetë të tjerë të Rilindjes iu drejtuan epokës arbërore jo për ta arratisur veten dhe lexuesin në thellësitë e historisë, por pikërisht për të nxitur frymën e ndryshimit dhe besimin për një Shqipëri tjetër. 

Kulti i epopesë tek De Rada dhe tek disa shkrimtarë të tjerë të fillimeve të Rilindjes shfaqet gati-gati në formën e një ankthi. Nuk është se De Rada, siç ishte në modë tek romantikët, kishte ndonjë paragjykim letrar, se duke i paraqitur veprat e veta si traditë popullore do të fitonte më shumë lavdi. Shqetësimi për epopenë në thelb tek De Rada nuk është një shqetësim përjashtimisht letrar, por shqetësim që lidhet me pohimin e identitetit kombëtar. 

Nëse pranohet se romantizimi nuk përbën një arsye të vetëmjaftueshme për të shpjeguar vlerësimin dhe vëmendjen e De Radës për folklorin, rezulton i tepërt çfarëdo diskutimi nëse ai mistifikoi, manipuloi apo mashtroi, duke shërbyer letërsinë si folklor apo anasjelltas, duke ndjekur Merimenë apo Makfersonin, kur vendosi të botojë “Rapsodi të një poemi arbëresh” si një përmbledhje këngësh popullore, apo “Rrëfimet e Arbërit”. 

Që lënda poetike e “Rapsodisë shqiptare” është mbledhur nga këngëtarë popullorë dhe nuk është fabrikuar si imitim i saj prej De Radës, kjo është një çështje tashmë e provuar. Vetë De Rada pohon se një pjesë të këngëve të librit “Rapsodi e një poemi arbëresh” nuk i kishte mbledhur vetë, por miku i tij Engjëll Basileu (1834). Një pjesë tjetër e këngëve gjendet edhe tek “Shtojca” e “Gramatologjisë shqipe” të Kamardës. Nga studiuesit më vonë është bërë e ditur se një numër këngësh të kësaj përmbledhjeje janë të njëjtat me ato që përmban “Dorëshkrimi i Kieutit” (1737), i cili ishte mbledhur një shekull e ca më herët se botimi i De Radës. Motive thuajse përpikërisht analoge të këngëve të “Rapsodisë shqiptare” rezultojnë të jenë mbledhur jo vetëm prej veprimtarëve arbëreshë të letërsisë, madje më herët se De Rada, si Vinçens Dorsa e Zef Ferrari, por edhe nga Thimi Mitko, që përfundimisht është më i padyshimti për manipulim me tekstet e letërsisë gojore. Veç kësaj, sikurse është provuar prej breznive më të reja të mbledhësve të folklorit, duke përfshirë Ndon Belushin, ka shumë motive të tjerë që kanë mbijetuar në formë gojore deri në vitet 1960-1970 të shekullit të 20-të. 

Kulti i epopesë tek De Rada përjashton manipulimin me lëndën bazë. Ai shprehet kryesisht në përpjekjen për t’u dhënë teksteve gojore të mbledhura frymën dhe pamjen e një poeme, të një libri të pandashëm. Por a ishte ky një gabim i poetit? A kishte të drejtë De Rada ta kërkonte në popull epopenë dhe a sillte deformim në letërsi e në folklor krijimi, në vend të saj, i një epopeje imagjinare, me lëndë popullore? 

Kur De Rada nisi të punojë për përgatitjen e botimit të “Rapsodi të një poemi arbëresh” mbledhësit e folklorit ende nuk e kishin prekur eposin e kreshnikëve. Nga cikli legjendar i së shkuarës absolute nuk kishin gjë as Mitkoja, as Spiro Dine. Do të duhej të kalonin edhe disa dekada, derisa në vitin 1896 G. Majer do të botonte të parën këngë të ciklit të kreshnikëve dhe pak vite më pas do të shtohej diçka në “Gramatikën shqipe” të Gasper Jakova – Merturit. Në këtë kuptim, De Rada i dha formën e një epopeje përmbledhjes “Rapsodi e një poemi arbëresh”, në kushtet e mungesës së një epopeje të vërtetë legjendare. Kjo qe një punë mjaft e mundimshme, sepse, në konceptin e De Radës, ishte i qartë dallimi ndërmjet së kaluarës absolute dhe së kaluarës relative, të cilave në pikëpamjen letrare u përgjigjej epopeja legjendare dhe epopeja historike. 

Nuk e dimë nëse De Rada e kërkoi eposin legjendar tek këngëtarët arbëreshë. Dihet se gjurmë të eposit tek arbëreshët nuk u gjendën as atëherë, as më vonë; sikurse nuk u gjendën as tek arvanitasit, madje as të ngulimet relativisht të vonshme, si arbëreshët e Zarës e kelmendasit e Sremit. 

Eshtë një çështje e mprehtë, që kërkon shpjegim prej shkencës së etnologjisë,  pse tek shqiptarët e shpërngulur mbijetuan mirë lirika, kënga e dasmës, vajtimi, fondi i baladave, urimet dhe ngushëllimet, përshëndetjet dhe mallkimet, deri në një farë mase edhe epika historike, kryesisht ajo për Skënderbeun, kurse gjurmë të eposit nuk mbetën. Duke mos e vënë në dyshim arritjen e kësaj shkence në përfundimin se eposi shqiptar ishte mbyllur në kohën e fillimit të periudhës osmane, do shpjeguar pse nuk u ruajt në mjedisin e ri kulturor. Argumenti se popullsia e shpërngulur në mjediset e reja demografike (Itali, Greqi, Kroaci) nuk vinte prej “zonës së ciklit legjendar” jo vetëm që nuk është i mjaftueshëm, por, madje, mund të qortohet shkencërisht. Dihet se shpërnguljet e shqiptarëve kanë qenë stacionare. Në zonën bregdetare jugore të Shqipërisë përsëriten edhe sot emrat e mbiemrat tripjesësh karakteristikë të malësorëve të Shqipërisë së veriut (Gjidede, Gjipali, Gjonkutaj). Në poemat e De Radës dalin krahas njëri-tjetrit si toponime të të njëjtit mjedis Himara dhe Scutari. Të mos flasim për kelmendasit e shpërngulur në fillim të shekullit të 18-të e të vendosur në Srem dhe Hrtkovc, që gjithashtu nuk ruajnë gjurmë të epikës legjendare. 

Meriton të njëjtën vëmendje edhe fakti që, ndërsa në ngulimet e hershme shqiptare jashtë vendit kujtesa e eposit u errësua, përkundrazi, në hapësirën historike shqiptare mbijetoi eposi legjendar, por epika historike për Skënderbeun u shua dhe në traditën folklorike heroi kombëtar mbërriti në kohët moderne vetëm “mbas gojëdhanash”. Ndoshta teoritë letrare nuk do të mjaftonin për një shpjegim përmbyllës. Njëfarë ndihme mund të vijë prej teorive frojdiste e post-frojdiste, duke ditur që lirika është e lidhur kryesisht me ciklin e jetës njerëzore, “prej djepit në varr”, me dashurinë, martesën, lindjen dhe vdekjen, nocione që kanë kuptime të ndryshme nën censurë e mbi censurë, nën vetëdije dhe në vetëdije. 

De Rada i ka shprehur në mënyrë terminologjike raportet e veta si mbledhës dhe botues i përmbledhjes “Rapsodi e një poemi arbëresh”. Eshtë thënë se në titullin e kësaj përmbledhjeje fjala “rapsodi” ka kuptimin e këngës, kur dihet mirë se De Rada përdor fjalën arbëreshe “kangjelje” për “këngë”. Në përdorimin terminologjik fjala “rapsodi” ka kuptimin e bashkëlidhjes së rrëfimeve popullore. Në një kalkim prej greqishtes, të cilën De Rada e njihte, rapsodi do të thotë “qep, lidh”, nga rrënja “rapt” dhe “epe, rrëfime, këngë”, po nga greqishtja “ode”. Në të vërtetë De Rada bëri pikërisht punën e bashkëlidhjes dhe renditjes së këngëve popullore, sipas termit që zgjodhi, duke kryer detyrën e vështirë të bartjes së kumteve gojorë në kumte të shkruar. 

Shërbimi më i rëndësishëm që i bëri De Rada traditës folklorike shqiptare është identifikimi, përzgjedhja dhe botimi i këngëve popullore të ciklit të Skënderbeut. Bota arbëreshe është e vetmja që ruajti epikë historike gojore për Gjergj Kastriotin, duke e shpëtuar traditën folklorike shqiptare në përgjithësi nga një mangësi e madhe. Se sa burimore janë këngët e këtij cikli, kjo dëshmohet prej frymës dhe formës njëherësh. Në këngët e arbëreshëve të Italisë vdekja e Skënderbeut paralajmërohet si një gjëmë qiellore. Moti gjëmon nga vetëtimat dhe bubullimat, toka tronditet e çahet. Ky përfytyrim të sjell ndërmend përshkrimet evangjelike të kryqëzimit të Krishtit. 

Në mesin e viteve 1950, Stavro Skëndi, një dijetar shqiptaro-amerikan, duke u marrë me lidhjet e eposit shqiptar me eposin e bosnjakëve muslimanë dhe më gjerë me këngët epike sllave në përgjithësi, pa lënë jashtë kujdesit këngët akritike greke, pati vënë re me mençuri ndikimin e motiveve dhe figurave biblike në këngët e hershme historike ballkanike, në radhë të parë në ciklin e Skënderbeut tek shqiptarët dhe pastaj në ciklin e Krajleviq Markos tek sllavët. Skëndi bën një përpjekje që mund të vlerësohet e suksesshme për të theksuar “një frymë të krishterë” të këtyre këngëve. Vetë kjo frymë është një fakt që provon hershmërinë e këngëve të ciklit të Gjergj Kastriotit. Pa dyshim se arbëreshët u ndanë nga atdheu i tyre duke marrë me vete si kujtim lavdinë e kryezotit Skënderbe si heroi i besimit. Shkenca do të zbulonte më vonë heroin kombëtar. 

Tejshkrimi i kumteve gojorë në kumte letrarë është një proces i vështirë edhe sot, kur mjetet e teknikës kanë bërë të mundur ruajtjen e dëshmive zanore dhe matje të përpikëta fonologjike. Për këtë arsye folkloristët njohin tejshkrime me shkallë të vogël apo me shkallë të lartë gabueshmërie. Ky rrezik nuk ekziston për letërsinë. Prandaj shpesh për të dalluar tekstet folklorikë prej atyre letrarë kërkohen “lapsuset” dhe paqartësitë kuptimore. Të tilla mund të gjenden edhe tek „Rapsodi e një poemi arbëresh”. Eshtë me vend të përmendet se në ciklin e këngëve për Skënderbeun, siç ruhet tek arbëreshët, pikërisht në këngën për martesën e Gjergj Kastriotit, kur flitet për zgjedhjen e tij, thuhet: “Katar dërgoni tek zonja / te Donikë Marinëza”. Këtu emri i vajzës së princit të Arianitëve del si epinom, sikurse ishte ruajtur në gojëdhënat e arbëreshëve dhe sikurse del edhe sot tek shqiptarët e Bregdetit: “Skënderbeu u martua me Marinën, të bijën e Aranitit, princit të Himarës”. Në të dyja rastet kemi të bëjmë me një përdorim përkëdhelës të emrit “Maria”. Ndërsa leximi i këtyre dy vargjeve duket se ka shkaktuar keqkuptime pikërisht për shkak të tejshkrimit të gabuar të fjalës “kartë“ (“Kartë dërgoni te zonja / te Donikë Marinëza“), gabimisht e kuptuar si toponim, thuajse në të gjitha botimet (“Katar“). Këto “gabime“ në transkriptim janë pjesë e procesit të kalimit prej oralitetit në literalitet, prej gojshmërisë në letërsishmëri. 

De Rada kishte njohuri të thella gjuhësore dhe me ekzigjencë ka paraqitur jo vetëm vlerat fonologjike të arbërishtes, por edhe disa dukuri gjuhësore me burim të moçëm, si dyfishimi i zanores së theksuar dhe sidomos theksi tonik dhe, herë-herë, ai gnomik-topik, që kërkon leximin përkatës, leximin e kënduar. Identifikimi i këtyre arkaizmave gjuhësore, brenda ligjërimit arkaik të arbëreshëve, është shumë i rëndësishëm për të provuar burimin gojor të teksteve dhe për të vërejtur se në ç’masë vuri dorë poeti. 

Një çështje që nuk mund të shmanget në rastin e shqyrtimit të raporteve të De Radës me epopenë përgjithësisht e me “Rapsodi të një poemi arbëresh“ veçmas është nëse ai arriti ta çlirojë veten nga ankthi i ekzistencës së një epopeje kombëtare, një vlerë etnoformuese dhe etnoidentifikuese për atë periudhë. “Rapsodia shqiptare“ lejon të konkludohet se poeti arriti të krijojë një epope historike, me një Shqipëri ideale, të mbushur me bujarë, fisnikë, baronë, kontë, zotër e kryezotër, princër e dukë, familje të mëdha patronimike, peshkopë dhe klerikë të lartë, heronj dhe kryetrima. Me “Rapsodi të një poemi arbëresh“ De Rada u krijoi bashkatdhetarëve një atdhe shpirtëror dhe shqiptarëve një Shqipëri ideale. 

Epopeja që formoi De Rada me këngët e popullit ka një gjeografi dhe toponimi historike reale. E njëjta gjë ndodh edhe me emrat e përveçëm të zotërve arbër. Kjo është aq e vërtetë, sa autoriteti i toponomastikës letrare të De Radës u imponua edhe mbi toponomastikën që kishin krijuar arbëreshët në botën e tyre të vogël shqiptare përtej Adriatikut. Zor se mund të jetë përsëritur ndonjëherë që emri gjeografik letrar të ketë zënë vendin e emrit historik-real, siç ndodhi, pikërisht nën autoritetin e artit të De Radës, ndërrimi i emrit të “Piana dei Greci“ në “Hora e Arbëreshëve“. Kjo ndodhi edhe me heronjtë e këngëve të poemit arbëresh, duke përfshirë Pal Golemin me psherëtimën e tij gjëmëtare. Për shkak të fuqisë së këngës, me botimin në përbërje të “Rapsodisë“, prej shumë arbëreshëve konsiderohej një personazh historik. 

De Rada pati një vështirësi të madhe për të krijuar epopenë. Lënda popullore që gjeti në thelb kishte një problematikë homocentriste, kurse epopesë i duhej një lëndë etnocentriste. Lënda poetike popullore kishte heronj të idilizuar, pa trimërira të bujshme, pa epizëm deklamativ. De Rada arriti të krijojë një epope me folklorin që mblodhi duke e kërkuar fatin e bashkësisë tek fati i individit, përkundër rendit që do të kërkonte një epope. 

“Rapsodi e një poemi arbëresh“, duke qenë një përmbledhje këngësh që u ruajtën në një mjedis kulturor ishullor, ku zakonisht zhvillimet ngadalësohen dhe proceset ruajtëse përforcohen, merr një rëndësi të posaçme për krahasimin e zhvillimit të traditës gojore prej mesjetës në kohët moderne. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Musa Ahmeti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2045
  • 2046
  • 2047
  • 2048
  • 2049
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT