• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UKRAHINAS KUJDES…RREZIK BËRTHAMOR

September 19, 2022 by s p

ASLLAN  BUSHATI/

Ju ukrahinasit konsideroheni tashmë, heronjt e kohës  në vendet perendimore dhe demokratike të botës, me atë që bëtë dhe vazhdoni tëbëni për mbrojtjen e atdheut tuaj nga agresioni rus i 24 shkurtit 2022. Ju e shkatërruat operacionin rrufe të Putinit për pushtimin e Ukrahinës për 3-4 ditë, rrëzimin e qeverisë dhe vendosjen e një qeverie kukull pro ruse. Ju i bëtë të pavlefshëm deri në dështim total, sulmet ruse  me aviacion, helikopterë, mjete të blinduara dhe përqëndrimet me thellësi skalionimi. Tërheqja juaj taktike (aty ku ka qenë e domosdoshme) ka qenë e menduar dhe e suksesëshme. Kundërsulmet dhe kundërgoditjet tuaja,  kanë qenë  të mirmenduara në kohë e hapsirë, të cilat cuan në ndryshimin  e raportit të forcave në fushën e luftimit. Kjo bëri që ju të fillonit veprimtarinë sulmuese duke rimarrë  një pjesë të teritoreve të pushtuara përkohësisht nga agresorët rus. Vërtetë meritoni gjithë lëvdatat e duhura për gjithsa keni bërë deri tani për atdheun tuaj, por dhe paqen e stabilitetin në Kontinent.

Por kujdes… se rusët e kanë pothuaj të vështirë ta pranojnë humbjen, dhe që kjo të mos ju ndodh, ata do të përdorin të gjitha forcat e mjetet në dispozicion përfshi dhe armët e dëmtimit në masë(ADM). Në se do të krijoni distancë gjatë tërheqjes tyre, jeni vënë nën shenjestrën e municioneve bërthamore të kalibrit vogël dhe prej këtij momenti tatpjeta është pranë jush. Prandaj lypset të qëndroni në kontakt të vazhdueshëm edhe kur ata tërhiqen. Po ashtu ndjekjen bëjeni deri në kufijt e njohur ndërkombtarisht midis dy vendeve, se po të kaloni në pjesën ruse qoftë edhe disa qindra metra do të jeni përsëri objekt i goditjeve bërthamore. Në se rusët e përdorin këtë armë kundër jush, ata  do të përballen me kunderpërgjigje bërthamore nga NATO-ja dhe kështu fundi i kësaj lufte nuk i dihet, por padyshim do të jetë shumë i dhimbëshëm. Mos e pëjashtoni edhe ndonjë sulm kimik e biologjik (ose të kombinuar) gjatë tërheqjes. 

Ju ukrahinas të nderuar, ushtarakë, politikanë, vullnetarë popullor dhe gjithë popullata civile, do të vazhdoni të mbeteni herojt e kohës në se nuk përfshiheni në euforizëm i cili shpesh është vetvrasës.

Filed Under: Interviste Tagged With: asllan Bushati

Grevë deri në pakufi?!

September 19, 2022 by s p

Nxënësit në shkolla, mësimdhënësit të trajtohen me dinjitet.

Një shembull nga Amerika

Të premten më 16 shtator në ShBA ishte planifikuar që të fillonte greva e hekurudhave të mallrave (freight railroads), sepse disa kompani të këtyre hekurudhave dhe dhjetëra mijëra punëtorë që punojnë në këto kompani kishin disa mosmarrëveshje. Por, greva deri më sot nuk ka ndodhur. Ditë më parë Sekretai i Punës, Martin Ëalsh,dhe bashkëpunëtorët e tij, zhvilluan bisedime maratonike me pqrfaqësuesit e hekurudhave dhë sindikatave që i përfaqësonin punëtorët e këtyre kompanive. Të merkuren në mbrëmje në këto bisedime, negociata (pazare, siç do te thonte kryeministri Kurti) u përfshi edhe Presidenti Biden. Sipas të pranishmëve në këto negociata, kjo ndërhyrje e tij ishte vendimtare që marrëveshja të arrihej e kjo grevë të evitohej. Gjatë këtyre bisedimeve, as Sekretari i Punës dhe as prresidenti Biden nuk morën anën e ndonjë pale të caktuar dhe askend nuk e fyen, askend nuk e quajtën tradhtar, kriminel e fyerje të tjera të rënda.  Po të ndodhte kjo grevë, do të kishte rrjedhoja katastrofike për ekonominë amerikane, duke e vëshirësuar edhe me tej vargonin (zinxhirin) e furnizimit (supply chain), ashtu të vështirësuar, si rrjedhojë e pandemisë COVID – 19. Këtë e di fare mirë, sepse në kompaninë ku punoj shumë projekte nuk mund t’i fillojmë me kohë për shkak të mungesave të herëpashershme të lëndëve të para (raë materials).

Në Kosovë greva vazhdon

Ndërsa në Kosovë që nga 25 gushti është duke u zhvilluar greva e punëtorëve të arsimit të udhëhequr nga SBASHK-u, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës e Kulturës, e cila përfaqëson afër 25000 anëtarë. Kjo grevë nuk ishte një akt i befasueshëm, i papritur, sepse ishte paralajmëruar muaj më parë, por gjithmonë ishte shtyrë me shpresë se në ndërkohë mund të arrihej një marrëveshje e pranueshme për të gjitha palët e përfshira në këtë situatë. Gjersa jam duke i shkruar këto radhë, tri javë pas fillimit të grevës, në horizont nuk po duket se palët janë afër zgjidhjes. Për grevën është shkruar shumë këto ditë dhe nuk kam qëllimin që të thellohem shumë në përditshmërinë e saj. Thelbi i kësaj greve është kërkesa e sindikatave që rroga e punonjësve të arsimit të rritet për 100 euro në muaj. Mirë do të ishte që të mos kishim greva fare dhe çdo gjë të shkonte për peri, por ja që gjërat në jetë janë pak më të ndërlikuara dhe jo si në filmat e vizatuar. Sindikatat i mbrojnë të drejtat e anëtarëve të tyre, ndërsa Qeveria duhet të kujdeset për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës dhe mbarëvajtjen e institucioneve të saj. Por, ajo që është tragjike në këtë rast, është se në mes të këtyre mosmarrëveshjeve qeveri – sindikata, janë fëmijët tanë që në vend se të jenë të ulur në bankat shkollore, ata po qëndrojnë në shtëpi, duke i humbur orët mësimore.

Një qasje më seroze për negociatat Sindikatë – Qeveri

Ajo që po mungon në këtë grevë, në këto negociata, është mungesa e qasjes së sinqeritë, përkushtimit për të dalë nga kjo krizë. Të dy palët janë barikadizuar, bunkerizuar në kërkesat e tyre. Zoti Kurti, Kryeministri Kosovës sa ishte në opozitë i inkurajonte grevistët që të mos lëshonin pe, ta vazhdonin greven, ndërsa tani që është në krye të Qeverisë e ka ndryshuar melodinë. Qasja e tij për zgjidhjen e këtij problemi nuk është fare serioze, ai nuk është për bisedime të sinqerta, po, si vëllau me vëllaun, por atij i pëlqejnë më tepër bisedat si sundimtari me të nënshtruarit. Sjellja e tij bizarre gjatë konferencës për shtyp ditë më parë është për çdo kritikë. Ai befas u largua nga konferenca, sepse kishte një takim “urgjent”. Dhe pastaj u mor vesh se ai kishte shkuar në Tiranë për t’u takuar me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Nuk ka asgjë të keqe që kryeministrat e dy shteteve shqiptare takohen herë pas here, por e keqja qëndron aty se si ai u largua pa paralajmërim në mes të konferencës për shtyp. Në këtë takim nuk kishte asgjë urgjente që duhej të bisedohej në atë moment. Urgjencën në këtë çast Kryeministri i Kosovës e ka në Prishtinë, Kosovë dhe jo në Tiranë. Edhe herën tjetër kur z. Kurti po ballafaqohej me gazetarët ai u largua menjëherë, sepse ky kryeministër mendon se i di të gjitha, është i aftë për t’i zgjidhur të gjitha problemet e Kosovës dhe nuk ka nevojë që t’i jepë llogari askujt. Kohëve të fundit kryeministri është duke folur edhe për luftë. Derisa NATO është e pranishme në Kosovë kurrë nuk do të ketë luftë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këtë e di fare mirë edhe z. Kurti, edhe z. Vuçiq, kryetari i Serbisë. Kjo është ajo taktika e njohur e tërheqjes së vëmendjes, termi politik, “ëag the dog” (tunde, dridhe qenin), kur dikush krijon një situatë të parëndësishmë, të imagjinuar, një shmangie për ta mbuluar një problem të rëndësishëm, një çështje dëmtuese, zakonisht duke përdorur forcën ushtarake.

Greva të përfundojë sa më parë

Kjo grevë ka qenë dashtë të përfundojë para 1 shtatorit, ditës së hapjes së shkollave në Kosovë, por ja që është duke vazhduar edhe sot, duke hyrë kështu në javën e katërt të saj. Me këtë qasje të qeverisë dhe të sindikatave ky problem nuk mund të zgjidhet. Pra, si të dilet nga kjo gjendje? Duhet bërë negociata serioze e te sinqerta, duhet folur haptas, duhet bërë kompromis e të dyja palët duhet të lëshojnë pe. Është një thënie e bukur amerikane: “Ëhere there’s a ëill, there’s a ëay” (përkthim i lirë: Aty ky është vullneti, aty ështe një udhë) e që do të thotë se nëse dikush ka vendosur me këmbëngulje që të arrijë diçka, ai do ta gjejë edhe mënyrën, rrugan për ta përmbushur qëllimin e tij, pa marrë para syshë pengesat. Me inate, kokëfortësi e me ego të sëmura nuk arrihet asgjë. Siç po duket gjer më tani të dyja palët e përfshira nuk janë në gjendje të dalin nga kjo krizë, atëherë duhet një ndërmjetësim nga një palë tjetër, individ apo institucion i respektar nga të dy palët. Ne e njohim mirë sedrën e shqiptarit se, kush po tregohët më kryeneç, më i fortë e kush më i dobët, më i nënshtrueshëm. Të dyja palët janë të vetëdijshme se kanë shkuar pak larg dhe kështu nuk mund të vazhdohet, por ja që inati nuk i lë që të jenë më të përkulshëm (fleksibël), të lëshojnë pe. Prandaj, duhet gjetur nje rrugë ky të dyja palët japin diçka e fitojnë diçka, dhe ata që fitojnë më së shumti duhet të jenë nxënësit e Kosovës. Nëse sindikatat po kërkojnë 100 euro, atëherë Qeveria të ofrojë diçka më shumë se 50 eurot e ofruara më parë dhe diçka më pak se 100 eurot e kërkuara nga Sindikata. Ndërsa pjesën tjetër t’ua jepë më vonë. Sindikatat kanë dhënë disa shenja se ka vend për kompromis, tani duhet të gjendet një katalizator i përshtatshëm për ta përshpejtuar këtë proces. (Kur jam duke i shkruar këto radhë po lexoj nëpër portale se për këtë është angazhuar Avokati i Popullit, por gjer më tani pa ndonjë sukses), Vatra, komuniteti shqiptaro – amerikan mund të jenë ndërmjetësues të përshtatshëm për të dyja palët. Presidentja e vendit, zonja Osmani duhet të angazhohet më tepër për të dalur nga ky ngërç, është detyrim i saj kushtetues si përfaqesuese e unitetit të popullit të Republikës së Kosovës (neni 83 i Kushtetutës). Sipas nenit 84, pika 2 e Kushtetutës, Presidentja është garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë. E sot, njeri nga këto institucionet, shkolla, nuk është duke fnksionuar fare. Presidentja u takua me grevistët, dhe që nga atëherë zëri i saj nuk po dëgjohet fare për këtë çështje. Madje, vetëm pak ditë pas takimit me grevistët ajo e mori anën e Qeverisë dhe të zotit Kurti. Kështu nuk arrihet uniteti i popullit të Kosovës, kështu nuk zgjidhen problemet e Kosovës. Prandaj, Presidentja, besa edhe Kryeministri, nuk duhet të pushojnë, të tërhiqen nga përgjegjësia e tyre. Ata duhet të luajnë një rol më aktiv,  të mos marrin anë deri sa të përfundojë kjo grevë dhe të mos i lajnë duart, siç janë duke bërë tani.

Greva të mos vazhdojë gjer në pakufi, por të përfundojë sa më parë. Gjella me kripë, kripa me karar, thotë një fjalë e urtë e jona. Nxënësit tanë e kanë vendin e tyre nëpër shkolla, ndërsa mësimdhënësit duhet të trajtohen me dinjitet dhe t’u ofrohen paga që ua mundësojnë mbajtjen e familjeve të tyre. Askush që lufton për të drejtat e veta nuk duhet të njolloset me nofkat: tradhtar, kriminel, etj. Me akuza e kundërakuza të ndërsjella nuk mund të arrihet asgjë. Mirë është që të mos arrijmë në atë gjendje që të kemi greva, por ato janë pjesë e një shoqërie demokratike për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve.

Philadelphia, më 18 shtator, 2022

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Rajon

ITShKSh promotor i “Javës Kulturore Shqiptare në SHBA”

September 19, 2022 by s p

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, gjatë javës së ardhshme, konkretisht në datat 20 – 26 shtator 2022, organizon manifestimin “Java Kulturore Shqiptare në SHBA” me një sërë aktivitetesh kulturore e shkencore dhe me promovimin e botimeve ekskluzive. 

Kështu, më 20 shtator 2022 (e martë), ora 7 PM do të ketë vizitë dhe prezantim të aktiviteteve të ITSHKSH-së në Shoqatën Atdhetare DIBRA në Staten Island të Nju Jorkut. Më 21 shtator 2022 (e mërkurë), ora 7 PM, vizitë dhe prezantim i aktiviteteve të ITSHKSH-së në Qendrën Kulturore Shqiptare-Amerikane në Riverdale të Nju Xhersit. 

Më 22 shtator 2022 (e enjte), ora 7 PM, në selinë e Federatës Panshqiptare VATRA në Bronks të Nju Jorkut, do të bëhet promovimi i veprave: “Shkupi, vetë historia e Kosovës” – S. Asani, M. Prishtina, A. Ramaj; “Bisedime mbi -Historin bujqësore të Shqipnis-“ Eqrem bej Vlora; “Adresat e reja të një kujtese” – Skender Asani dhe “Propozime për drejtshkrimin” I-II.

Më 23 shtator 2022 (e premte), ora 2 PM, në Qendrën Kulturore Islame Shqiptare në Staten Island, do të promovohet libri i ri: “Xhamitë dhe teqetë në Shkup (dokumente, fotografi dhe dëshmi)” nga Skender Asani dhe Nora Maliqi Zylali.

Më 25 shtator 2022 (e diel), ora 1 PM, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, do të bëhet promovimi: Revistës “Drita e Gonxhes – I -”, dhe veprat “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza” – S. Asani, N. Maliqi-Zylali, A. Ramaj; “Gonxhe Bojaxhiu–Nëna Tereze: ‘E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit” (“Gonxhe Bojaxhiu-Mother Teresa:‘I loved the other with the love of God”-Anton N. Berisha; “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze” – Anton N. Berisha, dhe “Raportimet e gazetave zvicerane për Nënë Terezën” – Zef Noka.

Më 26 shtator 2022 (e hënë), ora 10 AM, do të vizitohet Seton Hall University – Departamenti i Religjioneve, me të cilin Instituti ynë ka nisur bashkëpunimin gjatë këtij viti.

Ekipi i ITShKSh-së përbëhet nga drejtori Skender Asani, studiuesit Sefer Tahiri, Zeqirija Ibrahimi e Sevdail Demiri, si dhe zëvendësdrejtori i Agjencisë së Migracionit, Izmit Nura. 

Gjatë këtyre ditëve do të vizitohen edhe qendra të tjera kulturore, shkencore dhe diplomatike në Nju Jork, me ç’rast për herë të parë do të ndahen edhe mirënjohje të veçanta me përçimin e simbolikës së paqes dhe dashurisë së shkupjanes Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë.  

Filed Under: Emigracion

Shkolla Shqipe “Alba Life” në Bronx filloi me plot sukses vitin akademik 2022-2023

September 19, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në një ditë të dielltë që të lëbyrte sytë mësues, prindër, gjyshër, nxënës u mbodhën të gëzuar grup-grupe para shkollës për të filluar orët e mësimit shqip, në mjediset e Qendrës “Illyria” siguruar nga z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit”.  

Në hyrje të shkollës para banderolës ishin varur tullumbacet me ngjyrat kuq e zi, simboli i Flamurit Kombëtar, përgatitur nga znj.Arta Xhaferri, koordinatore e shkollës në Bronx.

Shumë prej tyre takoheshin me mall dhe bisedonin për pushimet e verës. Ata njiheshin dhe ishin bërë miq në bangat e shkollës të familjes së madhe “Alba Life”.  Dikush kishte komunikuar me shokun dhe shoqen e tij, disa kishin ardhur për herë të parë, si psh një vajzë e kishte emrin Qershizë, sa emër i bukur, por sidoqoftë ata po lidheshin shumë shpejt sikur njiheshin prej kohësh, sepse bota e fëmijëve është e magjishme.  Ja më tha gjyshe Dhurata Maleshka që vjen shumë e rregullt për të sjellë mbesën me emrin Ema në shkollë, ne mezi po prisnim për të filluar mësimin shqip.  Përvoja juaj e ka shtuar shumë reputacionin dhe seriozitetin e këtij misioni kombëtar.  

Drejtori dhe themeluesi i Shkollave Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online z.Qemal Zylo i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe iu uroi atyre mirëseardhjen dhe punë të mbarë.  Z.Zylo prezantoi djalin me plot perspektivë, z.Enes Basha i cili iu bashkua stafit të Shkollës Shqipe “Alba Life”.  Ai prezantoi Asambleisten e shtetit të Nju Jorkut znj.Natalia Fernandez e cila na nderoi me pjesëmarrjen e saj në ceremoninë e hapjes.  Asambleistja Fernandez shoqërohej nga z.John Zaccaro i cili shpreson se së shpejti do të ketë një ulëse në Parlamentin e Nju Jorkut.  Zonja Fernandez pasi falënderoi të gjithë mësuesit, nxënësit, themeluesit tha se Nju Jorku ka shumë komunitete dhe fliten mjaft gjuhë të  ndryshme pothuajse nga e gjithë bota.  Në se ne do të kishim një shkolle në spanjisht si shkolla shqipe “Alba Life”, unë do ta dija dhe më mirë spanjishten, pasi prindërit e mi kanë emigruar nga Kuba.  Mbajeni fort gjuhën tuaj, gjuhën e të parëve, kulturën, historinë, traditat pasi Amerika i cmon dhe i vlerëson shumë, ju e bëni atë dhe më të pasur. Mësueset Mirvete Krasniqi Veselaj, Dr.Manjola Duli, asistentet dhe ndihmëset si Davida Hasanaj Drilona Sadikaj, Kendra Duli etj kujdeseshin për nxënësit dhe mbarëvajtjen e tyre në shkollë.  Grupi i valltarëve intepretuan mjeshtërisht Vallen e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa Erza Shala dhe Leon Gashi intepretuan poezinë për Mëmëdheun nga Cajupi dhe O Flamur Gjak o Flamur shkabë nga Fan Noli.  

Prindërit dëgjonin me nostalgji Mëmedheun e Cajupit dhe tek sytë e ndonjerës shikoja që nga faqet I rrokulliseshin lotët e mallit, sepse Atdheu është mall që djeg e përvëlon si në këtë poezi: 

Mëmëdhe quhet toka/ ku më ka rënurë koka/ ku kam dashur mëm’e atë/ ku më njeh dhe gur’ i thatë/ ku kam pasurë shtëpinë/ ku kam njohur Perëndinë/ stërgjyshët ku kanë qënë/ dhe varret q’i kanë vënë/ ku jam rritur me thërrime/ ku kam folur gjuhën time/ ku kam fis e ku kam fare/ ku kam qeshur, ku kam qarë/ ku rroj me gas e me shpresë/ ku kam dëshirë të vdes.

Dita e shtunë ishte një ditë tejet mbresëlënëse, e suksesshme dhe si cdo ditë e parë e shkollës në kujtesën e nxënësve do të mbahet mend përgjithmonë.

Urime të dashur nxënës, mësues dhe prindër të Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit dhe kudo në botë ku mësohet shqip!

Paci bekimin e Zotit për këtë mision të përbashkët Kombëtar!

Gjuha Shqipe na bashkon!

17 shtator, 2022

Bronx, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo

A do sjellë një libër më shumë hulumtime për veshjen e nusënisë krajane?

September 19, 2022 by s p

Rafaela Prifti /

 
Veshja e Nusënisë Krajane është dëshmi e pasionit të autorit Hamid Alaj për etnografinë popullore të vendlindjes. Prej vitesh i emigruar në bregun tjetër të Atlantikut, ai lundron “në oqeanin e vlerave dhe kulturës krajane” për të qëmtuar sa më shumë të dhëna për veshjen e nusënisë së trevës së Krajës. Duke ia kushtuar tërë punimin këtij “thesari të femrës krajane”, autori tenton të plotësojë mungesën e studimeve etnografike për këtë veshje dhe t’i japë vendin e merituar një elementi kaq të rëndësishëm për kulturën dhe identitetin e trevës së Krajës dhe për veshjet popullore shqiptare në përgjithësi. 

Femrën krajane e sheh të mbajë veshjen e nusënisë në raste të gëzimeve familjare dhe në ditët e festave në diasporë. A mund të thuhet se është “veshje muzeale” dhe traditë e braktisur nga brezi i ri? Hamid Alaj shpjegon se “Nuset e reja, vitin e parë të martesës e vishnin më shpesh këtë veshje (kostum), bile edhe kur shkonin në gjini (prindërit e tyre), në treg, në dasmë etj.” (faqja 11), por veshja “mbetet gjithnjë një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës popullore” (faqja 13). Synimi tjetër i autorit është plotësimi sadopak i zbrazëtive të studimeve etnografike të mirëfillta për këtë lloj veshje tradicionale, e bartur brez pas brezi si pjesë e kulturës materiale të trevës së Krajës. Alaj e trajton funksionin identifikues të vetë kostumit që manifestonte gjendjen civile të nuses si shprehje e domosdoshmërisë “që vajza e martuar (nusja), të mos duket dhe vishet më si vajzë, pra me veshje të vajzërisë, por të duket dhe vishet si nuse, pra nusërisht.” (faqja 16) 

Në lidhje me origjinën e veshjes dhe emërtimin popullor “veshja allaturka” ekzistojnë disa interpretime. Autori argumenton se treva e Krajës dallon në këtë aspekt nga krahinat e tjera shqiptare. Për të demonstruar evolucionin e veshjes mund të jetë më e lehtë sepse gjurmët e ndikimeve të njëpasnjëshme kulturore e historike mund të evidentohen vizualisht në formë kronologjike, ndërsa për emërtimin “allaturka” tezat janë më eluzive. Afërmendsh, hipoteza e parë është e lidhur me ndikimet e kulturës orientale dhe popullsinë e islamizuar të trevës së Krajës. Hipoteza e dytë lidhet me gjurmë të një kostumi antik, që sipas autorit ia vlen të hulumtohet më tej. Një interpretim tjetër i jep përparësi funksionit estetik meqë për dallim nga veshja e përditshme, ajo “allaturka” ishte pjesë e pajës nusërore dhe mbahej në raste të veçanta. 

Autori paraqet me imtësi strukturën artistike të veshjes, motivet (yrnekët) zbukuruese, qendisjet dhe vizatimet dekorative, praninë e të cilave e konsideron bazë të hipotezës për prejardhjen e tyre të lashtë meqë për gjenezën e tyre nuk ka të dhëna të mjaftueshme (faqja 54). Në studime të mirëfillta etnografike nga etnografë shqiptarë si Dr. Drita Halimi, Andromaqi Gjergji etj është provuar teza se “kmisha” (këmisha), petku i gjatë i veshjes popullore haset te gratë pellazge nga shekujt III-II para erës sonë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Perëndimore, një pjesë të Malit te Zi, të njohura si treva shqiptare; prandaj “nga ky kontekst mund të themi se edhe “kmisha e nuses” krajane, pa dyshim se duhet ta ketë prejardhjen nga kjo kohë,” argumenton Hamid Alaj. 

Në libër përshkruhet procesi i endjes, prerjes, dhe qepjes së pëlhurës, paraqiten pajisjet artizanale si tezgjahu (tezjehu) dhe veglat e tjera të punës duke përfshirë ndërtimin, mekanizmat dhe funksionin e tyre. Një kapitull i gjatë rendit në mënyrë të detajuar, të shoqëruar me ilustrime e foto nga autori, çdo element përbërës të veshjes së nusënise krajane: fanella, fistra, mang’t, kmisha, tpanat, gryka, xhamadani, toja e brezit, boçja, cevra, riza (manili), toja, xhemperi, setra, kaferxhiu, kurdelet, degermia, duvaku, çerapt (çorapet), kunrat (këpucët), stolitë. Njohja me çdo pjesë të veshjes, e vendosur në kontekst, mund të jetë me interes për të ndjekur zanafillën dhe evolucionin e elementeve të saj. Por synimi i autorit në mbledhjen e sa më shumë të dhënave si nga literatura ashtu edhe nga femrat krajane është përqendruar tek gjurmimet e ardhshme dhe parashtrimi i hipotezave për kërkime vijuese.  Përsa i takon aspektit gjuhësor, Alaj ka ruajtur emërtimet vendase dhe krahas tyre ka shënuar termat sinonime si per shembull tezjehu (tezgjah, avelmend).

Libri përmban teza e hipoteza për emërtimin, prejardhjen, shtresëzimet, evolucionin që i përket një tradite të “braktisur nga brezi i ri i femrave” (faqja 69). Qysh prej fillimit të viteve ’90, veshja është pjesë e rekuizitës së femrës për raste të gëzimeve familjare apo në festa të diasporës krajane. Por një grup i grave nga treva e Krajës, pjesëtare të OJQ Kranjania përkujdesen për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe posaçërisht veshjen e nusënisë krajane duke e punuar dhe kompletuar kostumin me anë të porosive nga të interesuarit. Në vitin 2019 shoqata pati 22 kërkesa nga diaspora krajane në Nju Jork, ku jeton komuniteti më i madh i krajanëve jashtë vendlindjes, pohon autori. Çdo përurim i librit, duke nisur nga promovimi në Vatër vitin e kaluar si edhe gjatë javës së Krajës këtë vit, kanë krijuar një rast a mundësi, ashtu siç janë gëzimet familjare, për të parë vajzat dhe gratë e trevës së Krajës me veshjen e nusërisë krajane. Vetë promovimet e librit janë kthyer në akte të kultivimit të këtij elementi të rëndësishëm të etnografisë krajane dhe trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore. 

Hamid Alaj është autor i nëntë librave. Nga viti 2018 është arkëtar i Shoqatës Atdhetare Kraja në Nju Jork dhe anëtar i Këshillit të Qendrës Islamike Shqiptaro-Amerikane në Queens. 

Filed Under: Komente Tagged With: Hamid Alaj, Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2053
  • 2054
  • 2055
  • 2056
  • 2057
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT