• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBRETËRESHA DHE SHENJTËRESHA

September 12, 2022 by s p

Dy ikona të shekullit XX: Nëna Tereza dhe Mbretëresha Elizabeth

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare, Mbretëresha Elizabeth II e Britanisë së Madhe, pas 70-vjet në fronin mbretëror të Anglisë – një periudhë kjo më e gjata në historinë e Mbretërisë britanike.  Ndërkohë që bota shqiptare dhe bota mbarë shënuan 25-vjetorin e kalimit në amshim të Nenë Terezës, si dhe 6-vjetorin e shenjtërimit të saj. 

Gjatë mbretërimit prej 7-dekadash, Mbretëresha Elizabeth ka takuar shumë ikona dhe personalitete historike, por nuk besoj të ketë takuar ndonjë personalitet botëror më frymëzues për miliona njerëz anë e mbanë botës dhe më të shenjtë se Nenë Terezën shqiptare, e njohur për përkushtimin e saj, gjatë gjithë jetës, ndaj njerëzve më në nevojë – të varfërve, ndër më të varfërve të botës.   Siç dihet, Nenë Tereza — murgesha legjendare dhe misionarja shqiptare – një prej humanistëve më të njohur të shekullit XX, ishte një rreze shprese për të gjithë ata, të lenë e të harruar nga shoqëria, përfshir të moshuarit, të varfërit e më të varfërve, të papunësuarit, të sëmurët, e të tjerë, të përjashtuar dhe të harruar nga shoqëria ku jetojnë.  

Ishte viti 1983.  Nenë Tereza dhe urdhëri i saj, Misionarët e Dashurisë, ishin të njohur tanimë, botërisht, si një kujdestare e më të varfërve anë e mbanë botës, përfshir Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Nenë Tereza kishte hapur disa qendra të Urdhrit të saj dhe ku ishte dekoruar me disa nga çmimet më të larta që u akordon ky vend personaliteteve më të njohura të botës për vepra të dalluara, për të mirën, jo vetëm të shoqërisë amerikane, por mbarë njerëzimit. Shën Nënë Terezës: “Me gjak, unë jam shqiptare…” | Gazeta Telegraf.  Ndërkaq, viti 1983 shënon gjithashtu takimin midis Mbretëreshës Elizabeth dhe Nenë Terezës. Atë vit, Mbretëresha Elizabeth ka bërë një vizitë në Nju Delhi të Indisë për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të kryetarëve të qeverive dhe shteteve anëtare të “Commonwealthit” britanik. Në kryeqytetin e Indisë ishin mbledhur gjithashtu disa nga udhëheqsit më të lartë të botës për të festuar edhe 50-vjetorin e pavarësisë së Indisë.  Ishte pikërisht, gjatë kësaj vizite, pothuaj 40-vjetë më parë, që Mbretëresha Elizabeth II i dorëzoi Nenë Terezës — njerës prej figurave më të njohura fetare të kohërave moderne — dekoratën e lartë të Britanisë së Madhe, “Urdhri i Meritave”, që Britania e Madhe u akordon personave që kanë dalluar veten për shërbimin ndaj të tjerëve në nevojë, me veprimtarinë e tyre të vazhdueshme, në fusha të ndryshme të aktivitetit.

May be an image of 2 people and people standing

Kur Mbretëresha takoi Shenjtëreshën, Nju Delhi, 1983 dhe i dorëzoi Dekoratën e lartë të vendit të saj duke deklaruar se veprimtaria e Nenë Terezës dhe motrave të saja, “po ndryshojnë botën nepërmjet bamirësisë” dhe kauzave të shumta që kanë ndërmarrë për të ndihmuar më nevojtarët e shoqërive, kudo. (From Her Majesty’s Facebook Page)   

Pas atij takimi, Mbretëresha Elizabeth gjithmonë ka folur me admirim për Nenë Terezën dhe veprimtarinë e saj ç’prej atij takimi në Nju Delhi në vitin 1983, e deri në ditët, para se të ndërronte jetë Mbretëresha britanike, javën që kaloi.  Por, më kujtohet se ndryshe nga ceremonitë e tjera të dekorimit të Nenë Terezës, anë e mbanë botës, gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar, ceremonia e dorëzimit të Çmimit në shërbim të njerëzimit nga Mbretëresha Elizabeth II në Nju Delhi në vitin 1983, ishte shumë e thjesht në krahasim me ceremonitë e tjera që ishim mësuar të shihnim anë e mbanë botës kur dekorohej Nenë Tereza. Në përputhje me thjeshtësinë që karakterizonte Nenë Terezën, në atë ceremoni morën pjesë jo më shumë se 10-15 veta, përshir disa prej bashkpunëtorëve të afërm tëNenë Terezës.  Me sa më kujtohet, as nuk u mbajtën fjalime me atë rast, qoftë nga Mbretëresha, qoftë nga Nenë Tereza, ndonëse Nenë Tereza u shpreh shkurtimisht se e pranonte Dekoratën nga Mbretëresha Elizabeth, “për lumturinë e Zotit dhe të punës tonë”.  

Megjithkëtë, pas atij takimi, Mbretëresha Elizabeth ka kujtuar shpesh Nenë Terezën duke shprehur admirimin e saj për ‘të. Si për shembull, në mesazhin e saj me rastin e Krishtlindjes në vitin 2016, ajo ka shprehur mirënjohjen ndaj gjithë veprimtarisë së Nenë Terezës duke thenë se njerëz të thjesht, “mund të kryejnë vepra të jashtzakonshme”, nepërmjet përkushtimit të tyre për të ndihmuar njerëzit në nevojë.  Mbretëresha ka theksuar, me rastin e shenjtërimit të Nenë Terezës se nga njerëz të tillë, “ajo merr shembull dhe fuqi”. Dhe se njerëz të tillë, për ‘të dhe për të gjithë që i njohin, “ata janë një frymëzim”, për ne.  “Jeta e tyre shpeshëherë mishëron të vërtetën e shprehur nga Nenë Tereza – nga sot e tutje, Shën Nenë Tereza”, ka thenë me atë rast Mbretëresha Elizabeth e II, në vitin 2016.

Mbretëresha britanike dhe Shenjtëresha shqiptare, dy ikona të shekullit të kaluar, kanë lenë pas një trashëgimi – secila në mënyrat e veta të ndryshme sipas vokacioneve të tyre dhe mënyrës së veprimit – por që në një mënyrë ose një tjetër, do të frymëzojnë brezat e ardhëshëm, jo vetëm të dy kombeve të tyre respektive, por edhe brezat në mbarë botën.

See the source image
See the source image
No photo description available.

 Frank Shkreli

Filed Under: Kronike Tagged With: Frank shkreli

MBRETËRESHA, LIDHJA E FUNDIT ME HISTORINË

September 12, 2022 by s p

Nga ALDO CAZZULLO/

Vdekja e saj u lajmërua me një tweet: mënyra e komunikimit të një kohe, sonës, në të cilën e shkuara nuk ekziston, dh e pardjeshmja vlen sa njëmijë vite më parë. Megjithatë hiri I Elizabetës  ishte pikërisht në të qenurit një personazh – ndoshta I fundit – që na jepte lidhjen me një botë të shuar. Me historinë.

Elizabeta mësoi vdekjen e babait, mbreti Gjergji VI, ndërsa ishte në Kenia, në një kolibe të ndërtuar mbi një pemë (“një grua e re u ngjit princeshë dhe zbriti mbretëreshë”, u komentua atëherë, sikur t’ishte një përrallë). Ishte ende Perandoria britanike. Kryeministër ishte Winston Churchill. Ajo kishte njohur (si princeshë) Franklyn Delano Roosvelt. Ka varrosur nuse e motra të bezdisëshme. Ka mishëruar më së miri vese e virtute të popullit britanik: një farë largësie në cakun e rreptësisë, por edhe dhëmshuri, sqimti, kah detyre dhe pune të kryer mirë. Ka jetuar kohën e fundit të Perandorisë e të rënies së fuqisë angleze; por sot Londra është qyteti më kozmopolit e më pak racist në botë.

Nën diellin e saj kanë lindur e perënduar yje si Margareth Thatcher – që ajo nuk e donte – dhe Tony Blair, me të cilin ndërtoi një marrëdhënie të mirë në verën e vitit 1997, të shënuar nga vdekja e lady Diana, që për kurorën qe, së paku në fillim, një fatkeqësi mediatike. Por mbretërimi i pafund i Elizabetës, nëse ka shpëtuar mbretërinë, ka detyruar çmime të larta për t’u paguar. Djali i saj, Karli, m’i mirë se sa përshkruhet, ka kaluar jetën duke pritur që t’i vinte rradha. Djali tjetër, Andrea, u mbyt në mërzi e në ves. Motra e vogël, Margareth, ka vdekur prej njëzet vitesh: Elizabeta e ka kujtuar në fjalimin e saj të mrekullueshëm në fillim të pandemisë, gjatë së cilës Bbc ka inkuadruar fotografinë e bisedës radiofonike që principesha e atëherëshme mbajti, “helped by my sister” (e ndihmuar nga motra ime), gjatë luftës së dytë botërore, kur Wuindsorët nuk pranuan të linin Londrën e rrënuar nga bombardimet naziste. Gjynah që nuk tha asnjë fjalë për Brexit.  Ndërsa u përpoq për të mbajtur kurorën e Skocisë: kur skocezët votuan për pavarësinë mjaftoi një fjali e saj – “mendohuni mirë” – për të zhvendosur pak por vota përcaktuese. Në këta vite ka shoqëruar evolucionin e atij që mbetet nga një Vënd i madh, që i ka dhënë botës gjuhën e saj të hapur dhe një pasuri të pamatur kulturore, letrare, muzikore. Hyrja e një gruaje të re me ngjyrë në familjen mbretërore mund të ishte një rast bashkëkohësimi, të pakapur për papërshtatshmërinë e dukëshme të personazhit, e të burrit të saj.

Nuk është e vërtetë që mbretëria vdes me të. Britanikëve një mbret u duhet.  Duhet një figurë e paanëshme që të zbusë saktësinë deri në egërsi të një sistemi dypartiak, në të cilin kush ka një votë më shumë merr pothuajse gjithshka. E duhet një figurë që të mbajë së bashku popuj të ndryshëm: anglezë, uellsianë, skocezë, irlandezë, dhe milionë bij të Kommonwealth-it. Sigurisht një mbretëreshë  si ajo është e pazëvendësueshme. Që këtu ndiesia e zbrazësirës, çasti i terrorit, që dje përshkoi Londrën dhe të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Mbretëresha Elizabeta kishte hyrë prej kohësh në fazën në të cilën jeta merr më shumë se sa jep. Është një proçes që përparon shkallë shkallë, të ndryshme simbas jetëshkrimeve: e kupton se nuk je i pavdekshëm; bie ajo perde ndërmjet teje e vdekjes që janë prindërit e tu; fillon të humbësh shokët e jetës tënde, në rastin e saj burri, Filipi; deri sa kupton se të zhdukurit janë më shumë se të shpëtuarit, dhe arrin – për fatlumët si ajo – çasti në të cilin mund të thotë: më i moshuari je ti. Vdekja erdhi e ngadaltë, por e pamëshirshme. Por Elizabeta del nga skena me hapin e aktualitetit, sigurisht të historisë. Edhe për të , si për meshtarët, mund të thohet se do të jetë mbretëreshë në përjetësi.

“Corriere della Sera”, 9 shtator 2022    E përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Emigracion Tagged With: Eugjen Merlika

Nata e çmimeve të Festivalit të Filmit në Qendrën “Illyria”, Bronx, NY

September 12, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Në Qendrën “Illyria” në Bronx, New York u zhvillua ceremonia e çmimeve të Festivalit të Filmit.  

Në Sallën e Amfiteatrit “Rotunda” në skenë shfaqej me shkronja të arta si:

 “New York True Venture Film Festival, Awards Ceremony”.

Në derën kryesore të mirëprisnin plot mirësi organizatorët kryesorë të këtij festivali të filmit si cifti simpatik: Elona dhe Julian Biba.  Në tapetin e kuq ecnin krenar aktor, muzikantë të zhanreve të ndryshme, anëtarë të jurisë etj.  Dashamirës dhe artistë pozonin përballë banderolës ku ishin venë gjithë sponsorizuesit kryesorë të këtij aktiviteti të rëndësishem artistik.

Kujdes të veçantë tregonin për mbarëvajtjen e Festivalit të Filmit dhe suportuesit kryesorë si aktivistët e palodhur Dritan Haxhia, Blerta Alikaj etj.  

Para kamerave të TV “Alba Life” gazetarja e mirënjohur, Elona Biba dhe Drejtore Executive e Festivalit  tha se ky Festival u zhvillua plot sukses për tri ditë radhazi në Producers Club, Manhattan me pronar z.Alfred Tollja.   

Aty u shfaqen 75 filma ndërkombetarë dhe u shikua nga mjaft artdashës të këtij Festivali.  

Në sallë kishte shqiptarë te suksesshem si znj. Beti Beno, Presidentja e Albanian American Women’s Organization “Motrat Qiriazi”,  znj.Vera Mjeku dhe të huaj, artistë nga vende të botës që kishin marrë çmime si nga Gjermania, Italia, Spanja etj.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve të Festivalit të Filmit u moderua plot kujdes nga z.Julian Biba, Drejtor i Festivalit.

Në ekran shfaqeshin sekuenca të filmave të ndryshëm konkurrues dhe fituesit e çmimeve të ndryshme.  

Fituesit e çmimeve ishin përzgjedhur nga një juri profesioniste si: Giovanni Robbiano, Chantal Demorial, Niko Varela, Adriatik Berdaku, Genevieve Shi, Rockford Forbes, Alexa Servodiadio, Youcet Beghdadi dhe Artur Bejkollari. Fituesit ishin:

Best Actor, Jon J Peterson, George M. Cohan Tonight!

Best Actress, Ryu Hwa-young, Exist Within

Best Animation, Stanley Abraham, The Void

Best Cinematography Christoph Wieczorek, The Ugly Truth

Best Comedy Ricardo López, Action Movie Cazorla

Best Costume Ryan Moller, King’s Blade

Best Director, Robert Monegan, DRIVE

Best Documentary Production, Jason Greer, Vanessa Cicarelli SHE

Best Drama, Giorgi Tkemaladze, I am Yours

Best Experimental, Ewa Bielska, Her Call

Best Feature Documentary, Kay Rubacek, Finding Courage

Best Feature Narrative, Rob Ciano, Twenty-Nine

Best Human Rights, André Joseph, Dismissal Time

Best LGBT, Ricardo Alvarado, Unwelcome Advances

Best Music Score, Danny Ashkenasi, The Pit and the Pendulum

Best Music Video, Mayuri, Gaslighted

Best Production, Patricia Delso Lucas, For I Am Dead

Best Rising Filmmaker, Gurinder J Singh, Rising Lotus

Best Screenplay, David Garegnani, The Providence 

Best Short Documentary, Judi Polanco, She Survived

Best Short Narrative, Brett Puglisi, Internal Combat

Best Student, Janthony Roman, Burn, Baby, Burn

Best Thriller, Rafa Belmont Casado, Abismo

Best Woman Director Ligia Ciornei, Clouds of Chernobyl

 Disa çmime u ndanë nga personalitete të shquara si z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit”, Ansambleistja  e Nju Jorkut e cila shërbeu në Distriktin 80-të në Bronx si shefe e kabinetit të ish-Ansambleistit Mark Gjonaj, znj. Nathalia Fernández.  Çmim ka ndarë dhe aktivisti i shquar z.Ismer Mjeku pronar i restorantit “Bato Coffee & Wine”, Bronx, aktorja nga Kosova Makfire Myftari. 

Pas përfundimit të festivalit në hollin e teatrit pjesëmarrësit shijuan ushqime tradicionale shqiptare servirur nga European Foods.

Ishte një natë me yje që do të ndriçojnë gjatë në sytë e artdashësve dhe pjesëmarrësve që nderuan me ardhjen e tyre në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Festivalit të Filmit.

Aktiviteti u filmua nga mediet TV “Alba Life”, “Albanian Culture”, “Noli Show” ect, New York si dhe fotografitë profesionale u realizuan nga znj.Arbëri Hetemi.

Së shpejti aktiviteti i ndarjes së çmimeve të Festivalit të Filmit do të shfaqet në TV “Alba Life” në kanalin 27 në paketën digitale TV “Alb”. 

10 Shtator, 2022

Bronx, New York

Filed Under: Kulture Tagged With: elona biba, Kozeta Zylo

SHKOLLA SHQIPE “GJUHA JONË” NË FILADELFIA E FILLOI VITIN E RI SHKOLLOR

September 12, 2022 by s p

Gjuha jonë sa e mirë,

Sa e ëmbël, sa e gjerë,

Sa e lehtë, sa e lirë,

Sa e bukur, sa e vlerë.

Naim Frasheri (1846 – 1900)

Vera vate shkoi, do të thoshte Naimi ynë i madh, pushimet verore mbaruan dhe përsëri erdhi shtatori, maji i parë i vjeshtës, muaji i hapjes së shkollave. Kështu ndodhi sot, 11 shtator, në Filadelfia, shoqata jonë, “Bijtë e Shqipes”, i hapi dyert për femijët e bashkësisë sonë për të tetëmbëdhjetin vit. Ende pa mbaruar mirë viti shkollor, ne mendojmë për vitin e ardhshëm shkollor dhe gjithmonë kemi shqetësimin se, a do të na vijnë nxënësit përsëri ne vitin e ardhshëm, sa nxënës të rinj do të na vijnë? Që para orës së caktuar për hapjen e shkollës filluan të vijnë prindër e nxënës, por edhe gjyshe e gjyshër që i shoqëronin nipërit e mbesat e tyre. Është kjo një ditë mjaft emocionale për të gjithë, sidomos për ata fëmijë që vijnë për herë të pare, disa nga të cilët edhe nuk flasin farë shqip. Kryesia e shoqatës dhe mësueset e shkollës i kishin bërë kohë më parë përgatitjet e duhura për këtë ditë të posaçme. Mësueset tona të përkushtuara e të përgatitura mirë profesinalisht: Rajmonda Bardhi, Rudina, Bani, Irini Zenelaj, Mimoza Sotiri dhe Afërdita Muzhaqi i prisnin fëmijët krahëhapur, me buzëqeshje e përqafime. Në këtë ditë mësimi nuk zhvillohet, por nxënësit sistemohen nëpër klasa, i marrin librat dhe materialet përkatëse mësimore dhe së bashku me prindërit njoftohen për rregullat, mbarëvajtjen e shkollës. Përvoja jonë shumëvjecare ka teguar se, kur udhëheqësit e shoqatës, mësueset, prindërit dhe nxënësit bashkëveprojnë me mirëkuptim me njëri – tjetrin, atëherë edhe suksesi nuk mungon. 

Ceremoninë e hapjes së vitit të ri shkollor kishim planifikuar që ta bënim në hapësirat e jashtme të godinës së re, por koha me shi na detyroi që t’i bënim disa improvizime e të zhvendoseshim në hapësirat e brendshme që ende janë duke u rregulluar, meremetuar. Ndërsa mësimi do të zhvillohet në ndërtesën e vjetër ku të gjitha klasat janë të përgatitura mirë për një proces normal mësimor. Mësimi zhvillohet ditëve të diela, ndërsa mësimi online, ditëve të shtuna.. Mësimi online, si rrjedhojë e masave të pandemisë Covid-19, na ka mundësuar që shkollën tonë ta ndjekin edhe nxënësit që jetojnë në shtetet tjera të Amerikës e më gjërë. Që në ditën e parë të shkollës numri i nxënësve ishte në nivelin e lakmueshëm, por përvoja jonë na tregon se ky numër vjen duke u rritur në ditët në vijim. 

Nga të gjitha veprimtaritë tona të shumta: atdhetare, kulturore e sportive që organizon shoqata, ne gjithmonë e veçojmë funksionimin e rregullt të shkollës sonë si kryeveprimtarinë tonë. Misioni i shoqatës sonë është: ruajtja e trashëgimisë, gjuhës, traditës e kulturës sonë kombëtare. E ku ka mision më të shenjtë se kujdesi për gjuhën shqipe, ruajtjen dhe mbajtjen gjallë të saj?! E kush mund ta kryejë këtë mision më mirë se shkolla shqipe?! Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur i sheh fëmijët tanë duke folur shqip, duke recituar vjersha shqip, duke kënduar shqip, duke lozur shqip! Shkolla shqipe për fëmijët tanë është një kënaqësi shpirtërore, një përvojë jetësore, ku perveç njohurive që marrin për gjuhën, letërsinë, artin, kulturën, historinë tonë, ata brumosen edhe me ndjenjat e atdhedashurisë. Njihen me figurat e ndritura të kombit tonë, me shqiptarët që kanë bërë emër në fusha të ndryshme të artit, shkencës, sportit. Të ndihen krenarë për prejardhjen e tyre, për kombin e tyre e jo të vuajnë nga kompleksi i ultësisë (inferiotetit). Se, kombi që ka dhënë Skenderbeun. Shën Nënë Terezen, Aleksandër Moisiun, Ferid Muratin, Ismail Kadarenë e shumë të tjerë, përmban në vete diçka të madhërishme. Shkollën shqipe duhet parë edhe në rolin pak më të zgjëruar, jo vetëm si mjedis ku mësohet gjuha e folur dhe e shkruar, por edhe si një vatër ku ngritet ndërrgjegjja kombëtare dhe mbillet fara e atdhedashurisë. Fëmijve tanë t’ua mbajmë të gjalle dashurinë për Shqipërinë, vendin e të parëve të tyre, vendin e tyre. Dhe një ditë, pse jo edhe ta ndihmojnë vendin e tyre. Edhe të mërguar, kur kujdesemi dhe nuk e harrojmë gjuhën tonë, traditat, vlerat tona kombëtare, atëherë na duket sikur nuk e kemi lënë atdheun prapa shpinës, por atë e kemi marrë me vete. Ndoshta kjo na ngushellon pak.

Kam lexuar diku një thënie të bukur: “Gjuhën shqipe e duam se është gjuha e zemrës, gjuhën tjetër e mësojmë se është gjuha e bukës”. Ndërsa unë do të shtoja se te dish më shumë gjuhë të tjera është kulturë, është tregues i nivelit intelektual të një njeriu. Ta ruash gjuhën tënde, ta flasësh e ta shkruash bukur, nuk është vetëm kulturë, por eshte një detyrim kombëtar, është atdhedashuri. Na duhen të dyja, edhe gjuha e zemrës edhe gjuha e bukës. Njera na siguron jetesën në vendet ku jetojmë, ndërsa gjuha shqipe na mban gjallë shpirtin, qenjen tonë shqiptare. Pra ta mësojmë e ta duam gjuhën e zemrës, elementin kryesor që e përcakton identitetin tonë kombëtar. U bëjmë thirrje të gjithë prindërve që t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollën shqipe, sepse ky është një detyrim kombëtar, se gjuha shqipe është pasuria më e madhe që ata mund t’u lënë trashëgim fëmijve të tyre. Së bashku mund të bejmë më shumë, së bashku mund t’ia arrijmë këtij qëllimi madhor kombëtar. Ejani, ne i kemi hapyr dyert! Na priftë e mbara për një vit të sukseshëm shkollor!

Philadelphia, më 11 shtator, 2022

Dr. Sadik Elshani është anëtar i kryesisë dhe ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Sadik Elshani

ASOCIACIONI I PASTËRT ETNIK I PAARSYESHËM, I PADREJTË, PËRÇARËS, I RREZIKSHËM DHE I PAPRANUESHËM

September 12, 2022 by s p

Çdo shtet ka të drejtë t’i anullojë, ndryshojë dhe rinegociojë marrëveshjet e dëmshme.

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ 

Me planin e Ahtisaarit janë bërë të gjitha kompromiset e dhimbshme të kushtëzuara nga bota demokratike për t’u pranuar pavarësia e Republikës së Kosovës. Të drejtat e pakicës serbe janë garantuar me kushtetutë. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka konfirmuar të drejtën e Kosovës për pavarësi pas gjenocidit serb mbi shqiptarët. Ky është fundi i bisedimeve për status të Kosovës, jo fillimi.

         Pakica serbe në Republikën e Kosovës i gëzon të gjitha të drejtat njerëzore dhe nacionale. Gëzon edhe privilegje të cilat nuk i ka asnjë pakicë kombëtare në vendet demokratike. Nuk është e rrezikuar fare. Përkundrazi, është populli shqiptar i Veriut të Kosovës i diskriminuar. Shumë prej tyre nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Janë policët dhe zyrtarët e shtetit të Kosovës të rrezikuar nga bandat serbe të infiltruara, kontrolluara dhe komanduara nga Serbia.

         Pakënaqësitë dhe pretendimet e serbëve të Kosovës se janë të rrezikuar duhet të adresohen vazhdimisht. Mund të krijohet Komision shtetëror me prezencë ndërkombëtare dhe të bisedohet me përfaqësuesit legjitim të tyre. Të vlerësohen informatat dhe faktet nga terreni për gjendjen e tyre, por edhe të shqiptarëve. Është e padrejtë dhe e panevojshme të lejohet Serbia të përzihet në punët e brëndshme të Kosovës. KFOR-i  dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës e kanë për detyrë që të mos lejojnë bllokimin e rrugëve me barrikada dhe pengimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve.

         Të njëjtat drejta ju takojnë edhe shqiptarëve në Trojet stërgjyshore të Luginës dhe Sanxhakut të okupuara nga Serbia. Edhe ata duhet të kërkojnë asociacion shqiptar dhe të protestojnë me metoda të ndryshme aktive paqësore, për t’i realizuar të drejtat e tyre njerëzore dhe nacionale. Reciprociteti në të gjitha fushat është çelësi i përballjes me Serbinë.

         Nuk ekziston asnjë arësye për krijimin e asociacioneve të pastërta etnike me kompetenca ekzekutive në shtetin multietnik të Kosovës. Asnjë! Kjo kërkesë është e pabazë, e padrejtë dhe krijon vetëm ndasi dhe përçarje në mes të nacionaliteteve të ndryshme. Vjen nga shteti agresiv racist serb me qëllim të destabilizimit të përhershëm dhe shkatërrimit të shtetit të Kosovës. Është kundër politikave dhe vlerave të shteteve demokratike perëndimore. Si e tillë është plotësisht e papranueshme.

         Marrëveshja e nënshkruar nga qeveritarët e shantazhuar dhe të korruptuar për Asociacion serb është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Marrëveshjet ndërkombëtare respektohen kur janë në dobi të dyja palëve. Nuk është e vërtetë se duhet të zbatohen me çdo kusht. Marrëveshjet e dëmëshme për shtetin mund dhe duhet të anullohen, ndryshohen dhe rinegociohen. Ka raste të tilla të panumërta nga praktika ndërkombëtare. 

         Sa marrëveshje janë duke u respektuar nga shteti kriminal serb?! 

         Pas agresionit rus në Ukrainë, vërehet angazhim i shtuar i Evropës me përkrahje të Amerikës, për të gjetur zgjidhje të konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, të krijuar nga Serbia. Problemi është se ndërmjetësuesit pro-serb të Evropës e kanë filluar mbrapsht dhe po e vazhdojnë mbrapsht proçesin e dialogut. Në mendjet e tyre të turbulluara nga dëshira e madhe për ta larguar Serbinë nga Rusia, barazohet viktima me agresorin, barazohet e drejta e Kosovës për të ekzistuar me dëshirën e Serbisë për ta dominuar, barazohet huliganizmi serb i organizuar me të drejtën e Kosovës për tu mbrojtur.

         Fajtorët kryesor të mosnjohjes së Republikës së Kosovës dhe të vazhdimit të pafund të konfliktit me Serbinë janë:

– pesë shtetet evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës me përkrahësit e tjerë të Serbisë në shumë shtete të Evropës; 

– shtetet diktatoriale të Rusisë dhe Kinës;

 – kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me politikanët e shitur nga Trojet e tjera shqiptare, si Ali Ahmeti dhe Dritan Abazoviq; 

– opozita destruktive e Kosovës dhe përkrahësit e tyre në media; 

– si dhe grupet ekstremiste të besimeve të ndryshme fetare në të gjitha Trojet shqiptare.

         Me gjithë këta ndihmës në anën e saj, Serbia nuk ka arësye ta njeh pavarësinë e Kosovës. Këta e mbajnë me shpresë dhe ëndërra të kota se Kosova mund të shkatërrohet dhe dalja në detin Adriatik mund të realizohet. Prandaj deklarojnë haptas dhe me arrogancë se nuk do ta pranojnë kurrë pavarësinë. Për këtë gjë ardhmëria e Kosovës nuk bën të varet nga njohja serbe. Pjesëmarrja në dialog është e domosdoshme por nëse dialogu nuk ndryshohet do të dështojë sikurse ka ndodhur deri tani. 

         Me Evropën duhet bashkëpunim politik dhe diplomatik, ballafaqim me fakte për standardet dhe vlerat e tyre të dyfishta. Me Amerikën konsulltim, bashkëpunim, dhe koordinim i përhershëm i veprimeve. Amerika i vlerëson faktet e vërteta dhe informatat e argumentuara. E drejta është në anën tonë. Pa Amerikën nuk mund të arrihet dhe as të zbatohet asgjë. Dialogun me Serbinë duhet kushtëzuar me pjesëmarrjen direkte të Amerikës. Përkrahja e dialogut të udhëhequr nga Evropa nuk mjafton.

          Dhe merrni vesh! Evropian dhe ju të tjerë. Kisha serbe me Akademinë e Shkencave kanë qenë, janë dhe do të jenë fabrikë për planifikimin e krimeve, ndërsa shteti serb aparat për ekzekutimin e tyre. Me asociacion ose pa te, me njohje të pavarësisë së Kosovës ose pa te, me hyrje në Unionin Evropian ose pa te, Serbia do të vazhdojë ta destabilizojë Ballkanin dhe mbarë Evropën. Ata me propagandën e tyre të errët mashtruese ia kanë arritë të krijojnë një komb të çmendur.

          Serbinë e ndal vetëm presioni i vërtetë ekonomik dhe diplomatik. Ajo duhet të dënohet, të denazifikohet dhe të detyrohet të zgjedhë midis botës demokratike perëndimore apo asaj diktatoriale lindore. Kosova e ka zgjedhur rrugën e vet demokratike perëndimore.

         Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani janë lider të aftë të kalibrit botërorë. Shihet se deri tashti e kanë zgjedhur rrugën e lavdisë. Nëse lëshojnë pe në dëm të shtetit dhe kombit do ta humbin përkrahjen popullore, sidomos ate të votuesve të pavarur në vend dhe diasporë. 

          Thirrjet dhe përpjekjet e çoroditura për rrëzimin e qeverisë Kurti janë në interes të Serbisë. Ajo është qeveri e pakorruptuar e popullit shumicë të Kosovës. Nuk ka nevojë të ju nënshtrohet presioneve të jashtme dhe të brëndëshme për të bërë lëshime shtesë ndaj Serbisë. Nuk është koha e pranimit të marrëveshjeve të dëmëshme por të detyrueshme të Rambujesë dhe Ahtisaarit. 

         Kosova sot është në pozitë shumë më të mirë se atëherë dhe shumë më të fortë se Serbia.

         Shteti i Kosovës duhet të zhvillohet dhe forcohet, Serbia të konfrontohet derisa bota perëndimore të vetëdijësohet. Kjo është rruga e vetme e lirisë dhe lavdisë kombëtare.   

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane 

Filed Under: Opinion Tagged With: Agim Alickaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2064
  • 2065
  • 2066
  • 2067
  • 2068
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT