• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IRANI, LUFTA KIBERNETIKE DHE ‘DIPLOMATËT’ E FORCAVE QUDS

September 9, 2022 by s p

Dritan Demiraj, Ph.D.

Në vazhdim të debatit, analizës dhe diskutimit në lidhje me vendimin e qeverisë së Shqipërisë për largimin e menjëhershëm të diplomatëve iranianë nga vendi jonë, një masë e cila nuk është marrë nga asnjë vend tjetër deri tani, mendoj se ishte vendimi në kohën, vendin, forcën e duhur dhe e mbështes atë plotësisht.

Tashmë nuk janë të panjohura faktet e përfshirjes së ‘diplomatëve’ iranianë në operacione të fshehta, klandestine, rrëmbime, vrasje dhe deri tek sulmet terroriste kundër individëve, qytetarëve, institucioneve dhe ambasadave të huaja nëpër botë.

Por në këtë analizë do të përpiqem shkurtimisht të analizoj për interes të lexuesit disa prej tyre.

Irani është një shtet pa demokraci liberale siç përkufizohet në perëndim, por reformat pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 janë shumë më përfaqësuese në krahasim me regjimet autokratike të mbretërive arabe fqinje me të. Për më tepër, Irani ka qendra të ndryshme konkuruese të fuqisë, të cilat ndikojnë në politikën e tij rajonale.

Aktualisht figura më e fuqishme në vend është Ajatollah Ali Khamenei, i cili zëvendësoi Ajatollah Ruhollah Khomenein si Udhëheqës Suprem i Iranit në vitin 1989. Sipas shërbimeve inteligjente perëndimore, objektivat e politikës së jashtme të Ali Khamenit janë të përcaktuara sipas prioriteteve si vijon:

Së pari, t’i rezistojnë sa më shumë SHBA-ve.

Së dyti, të luftojnë kundër zgjerimit të influencës së Izraelit.

Së treti, të forcojnë planet që Irani të dominojë në Lindjen e Mesme.

Së katërti, të vazhdojnë mbështetjen për çështjen Palestineze.

Së pesti, të vazhdojnë investimin për fitimin e statusit të vendit që gëzon fuqi nukleare, si mjet për pavarësinë e Iranit dhe prestigj botëror.

Së gjashti, të jenë ‘lojtarët’ kryesorë brënda Botës Islamike.

Ndërkohë që këto prioritete udhëzojnë e drejtojnë strategjinë dhe politikën e jashtme të Iranit, roli i Udhëheqësit Suprem të Iranit është vendimtar dhe njerëzit që punojnë nën drejtimin e tij janë përgjegjës për implementimin e këtyre politikave. Politika e jashtme e regjimit Iranian, drejtohet nga Udhëheqësi Suprem (Velayat-e faqih ose Sistem i drejtimit Islamik) i Iranit Ajatollah Ali Khamenei, i cili bazohet në rritjen e influencës dhe eksportimin e Revolucionit Islamik në të gjithë rajonin. Dhe pikërisht zbatimi i këtyre objektivave dhe i kësaj “diplomacie” të suksesshme i është dhënë Gardës Revolucionare IRGC-së dhe forcave Quds.

Një nga objektivat kryesore të Iranit gjatë dekadës së fundit ka qënë rritja e influencës së tyre në Lindjen e Mesme duke përdorur të gjitha format e luftës. Deri në momentin sa ishte gjallë këtë mision e drejtonte në mënyrë të fshehtë gjeneral leitnant Qasem Solejmani. Irani prej kohësh ka krijuar kapacitete të mëdha të luftës së parregullt, luftës asimetrike, luftës informative, luftës kibernetike, etj duke përdorur strategjinë e ‘mbrojtjes së përparuar’, e cila përfshin mbështetjen e grupeve terroriste me milicitë lokale në të gjithë Lindjen e Mesme.

Suksesi i strategjisë ushtarake të gjeneral Solejmanit dhe zëvendësit të tij Ismail Gaani, është rritja e numrit të grupeve militante që veprojnë nën influencën e Iranit. Kjo forcë në vitin 2022 përbëhet nga më shumë se 200.000 militantë të stërvitur, të cilët veprojnë në vende si Gaza, Libani, Siria, Iraku, Jemeni, etj duke u rritur në numër më shumë se 150 për qind në krahasim me vitin 2013. Në të njëjtën kohë, Irani ka në dispozicion arsenalin më të madh dhe të sofistikuar të raketave balistike në rajon dhe kjo për ‘meritë’ të Federatës Ruse, Koresë së Veriut dhe Kinës.

Vitet e fundit Irani ka rritur ndjeshëm edhe kapacitetet e luftës kibernetike. Sipas agjensisë së inteligjencës X: “Irani në ditët e sotme përdor teknika kibernetike shumë të sofistikuara për të ekzekutuar operacione inteligjence. Ai është përpjekur dhe në disa raste ia ka arritur të ekzekutojë sulme kibernetike në shumë vende të botës kundër infrastrukturës kritike në vende si SHBA-të por dhe në vendet e tij aleate përfshirë këtu edhe Shqipërinë”.

Grupet e hakerave të lidhur me Iranin në shumë raste kanë sulmuar institucione shtetërore si në rastin e vendit tonë të E-Albania, por në shumë vende të tjera kanë sulmuar banka perëndimore, kazino, stacione të rëndësishme elektrike, hidrocentrale, institucione financiare si Bankën e Amerikës, Bankën ‘Chase’, New York Stock Exchange, etj.

Grupet e hakerave që mbështeten nga qeveria e Iranit njihen si APT-33 ose Elfin. Irani ka ekzekutuar sulme kibernetike të sofistikuara edhe kundër parlamenteve të ndryshme nëpër botë, agjensive qeveritare dhe kompanive të pasura shumë të fuqishme ku po përmend në këtë rast kompaninë saudite të superfuqishme ‘Aramco’, duke shkaktuar humbje financiare në miliarda dollarë.

Fushë tjetër në të cilën Irani ka qënë shumë agresiv, është edhe fushata e dizinformimit kundër platformave dixhitale amerikane në platformat si: Facebbok, YouTube dhe Twitter.

Në datën 23 janar 2018, sipas drejtuesit të Asamblesë së Ekspertëve në Iran Ahmad Jannati, “Lideri suprem Ayatollah Khamenei zhvilloi një takim me specialistët më të mirë të luftës kibernetike për tre orë, duke i deklaruar midis të tjerash se: ‘Hapësira kibernetike është një fushë e rëndësshme për suksesin tonë’”.

Lufta kibernetike e regjimit Iranian drejtohet kryesisht nga Garda Revolucionare (IRGC), por njësi të luftës kibernetike ka edhe në Ministrinë e Inteligencës (MOIS) dhe Forcat Qeveritare të Sigurisë (NAJA). Qëndra e luftës kibernetike e Gardës Revolucionare njihet njëkohësisht si baza e luftës kibernetike ‘Ammar’.

Organizata e luftës kibernetike ndodhet nën komandën e Organizatës së Inteligjencës të Gardës Revolucionare, e cila drejtohet nga Hossein Taebi dhe zëvendësi i tij është gjeneral brigade Hossein Nejat.

Kjo qëndër përbëhet nga 15 anëtarë ku mund të përmendim:

Hojjat ol-Islam Alireza Panahian, drejtuesi i organizatave të mendimit universitar tek lideri suprem Ayatollah Ali Khamenei.

Hojjat ol-Islam Mehdi Taebi, profesor universiteti.

Saeed Qasemi, drejtor i Institutit Kulturor në Misagh.

Hojjat ol-Islam Mohammad Mehdi Mangegari, drejtues i bordit të Institutit Kulturor të Martirëve.

Nader Talebzadeh, drejtues dhe prezantues i programit ‘Raz’.

Hassan Abbasi, kryetar i Doktrinës së Sigurisë Pa Kufij.

Mohammad Hossein Rostami, drejtor i bazës së luftës kibernetikë ‘Ammar’.

Personi kryesor që koordinon përpjekjet teknike, logjistike dhe që vepronte me urdhër të liderit suprem Khamenei ka qënë Ministri i Informacionit dhe i Teknologjisë së Komunikaconit Mohammad Javad Ali Jahromi.

Për ta bërë më të qartë, vendimin e qeverisë Shqiptare për largimin e diplomatëve iranianë nga vendi jonë, është e rëndësishme të analizojmë se përveç sulmeve kibernetike, një aktivitet të paligjshëm dhe agresiv realizojnë edhe ambasadat e Iranit jashtë vendit të tyre.

Me qëllim realizimin e gjashtë prioriteve kryesore, njeriu më me influencë në atë kohë ishte gjeneral leitnant Qasem Soleimani, i cili ishte njeriu më i afërt i Ajatollah Ali Khameneit njëkohësisht edhe komandanti i forcave Quds për 23 vite. Thënë kjo, forcat Quds si komanda që vepron jashtë shtetit i IRGC-së prej vitesh ka marrë në mënyrë efektive kontrollin e politikës së jashtme të regjimit përmes ambasadave dhe personelit të tyre.

Ambasadat e Iranit në Irak, Siri, Liban, Afganistan, Jemen, Bahrein, Shqipëri, Bosnjë dhe Azerbaxhan kanë qënë të përbëra nga personel të forcave Quds dhe IRGC-së. Në të njëjtën kohë, edhe personeli i ministrisë së jashtme iraniane vepron sipas porosive dhe këshillave të forcave Quds. Përveç vendeve që përmenda më lart, IRGC-ja ka influencë të madhe edhe në vendet e mëposhtme si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti, Bahreini, Omani, Turqia, Rusia dhe Armenia (shih hartën lart). Në vende si Iraku, Siria dhe Afganistani, ambasadorët e Iranit kanë qënë drejtëpërsëdrejti anëtarë të lartë të forcave Quds dhe miq të ngushtë të Qasem Soleimanit.

Emërimi i ambasadorëve nga forcat Quds në këto vende, është bërë me qëllim intensifikimin e axhendës për shtrirjen dhe zgjerimin e revolucionit Islamik, njëkohësisht dhe mbikqyrjen e operacionave klandestine duke shfrytëzuar mundësitë e dhëna nga imuniteti diplomatik i ambasadës dhe ambasadori.

Që nga koha e pushtimit të Irakut në mars 2003, ambasadori i Iranit në Irak gjithmonë është zgjedhur nga radhët e komandantëve të vjetër të forcave Quds.

Ambasadori i parë i pasluftës së Teheranit në Irak pas rrëzimit të regjimit të mëparshëm të Sadam Hyseinit, ka qënë gjeneral brigade Hassan Kazemi Qomi. Përpara marrjes së kësaj detyre, ai kishte qënë konsulli kryesor i Iranit në qytetin Herat të Afganistanit.

Në vitin 2011, gjeneral brigade Hassan Danaifar zëvendësoi gjeneral Qomin në këtë detyrë. Gjeneral Danaifari më parë kishte patur detyrën e zv/komandantit të marinës së IRGC-së dhe drejtonte komandën e IRGC-së në Khatam al-Anbia.

Në muajin janar 2017, gjeneral brigade Iraj Masjedi, drejtori i drejtorisë për Irakun në IRGC dhe këshilltar i vjetër i komandantit të forcave Quds Qassem Soleimani, u emërua ambasador i Iranit në Irak.

Edhe në Siri, ambasadori Mohammad-Reza Ra’uf Ashtiani, mandati i të cilit përfundoi në muajin tetor 2016, ishte i lidhur ngushtë me IRGC-në. Edhe pas largimit të tij, disa komandantë të IRGC-së vazhduan të operojnë në Siri nën mbulesën e statusit të diplomatit.

Këtu mund të përmendim gjeneral brigade Fallahpouri, i cili ishte drejtori i inteligjencës dhe i rrjeteve sekrete të forcave Quds në Siri dhe kishte status diplomati në ambasadën në Damask, i cili njëkohësisht kontrollonte të gjithë personelin e IRGC-së në Siri.

Ndërkohë në këtë ambasadë është i atashuar edhe gjeneralbrigade Alinejad, i cili është atashe ushtarak i Republikës Islamike të Iranit në Siri.

Në muajin korrik të vitit 2018, diplomati i lartë iranian Assadollah Assadi në ambasadën iraniane në Austri, u arrestua në Gjermani me akuzën e planifikimit, drejtimit, mbështetjes financiare dhe logjistike për të ekzekutuar një sulm me bombë kundër takimit që do të organizonte opozita iraniane e Këshillit Kombëtar të Rezistencës (NCRI) në periferi të Parisit në Villepinte.

Në muajin mars të vitit 2018, agjenti iranian i MOIS-it i maskuar si diplomat i Teheranit në Tiranë Mostafa Roudaki, në atë kohë drejtues i stacionit të inteligjencës në ambasadën iraniane në Shqipëri së bashku me ambasadorin përgatitën një kaminë bombë (S-VBIED), e cila ishte planifikuar për përdorej kundër 2500 anëtarëve të MEK-ut në afërsi të Manzës. Ky veprim detyroi qeverinë Shqiptare që në datën 14 dhjetor 2018, të largonte ambasadorin iranian dhe agjentin e MOIS-it Roudaki nga vendi jonë me akuza për terrorizëm.

Në datën 30 tetor të vitit 2018, autoritetet e Danimarkës në bashkëpunim me shërbimet sekrete të Norvegjisë, arrestuan një agjent iraniano-norvegjez i cili po planifikonte vrasjen e një shtetasi nga Danimarka.

Në muajin qershor të vitit 2018, shërbimet e sigurisë së Hollandës larguan nga vendi dy diplomat iranianë për shkak të lidhjeve të tyre me terroristë. Arsyeja ishte vrasja e shtetasit Ahmad Mola Sissi, drejtues i lëvizjes ‘al-Ahvazieh’.

Në datën 16 janar të vitit 2018, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm Federal të Gjermanisë, forcat speciale gjermane arrestuan 10 agjentë të forcave Quds në disa qytete të Gjermanisë, për shkak të planifikimit të sulmeve terroriste, etj.

Siç e shohim edhe nga këto pak raste të analizuara më lartë, përveç kontrollit të drejtpërdrejtë të ushtruar nga IRGC-ja dhe forcat Quds në shumë ambasada, në shumë prej këtyre misioneve diplomatike oficerët e forcave Quds janë emëruar si atashe ushtarakë dhe punojnë vetëm për zbatimin e politikave të jashtme të regjimit nën mbulesën diplomatike. Forcat Quds kanë gjithashtu një njësi aktive të inteligjencës, e cila funksionon paralelisht me ministrinë e inteligjencës së Iranit.

Në këtë linjë, forcat Quds kanë rrjete të fuqishme inteligjence në të gjithë rajonin. Kjo tregon qartë fuqinë e forcave Quds dhe IRGC-së në vendimmarrjen politike dhe përplasjen e tyre të vazhdueshme me politikat e Ministrisë së Jashtme të Iranit dhe ministrin e jashtëm Hossein Amir-Abdollahian ose ish ministrin Mohammad Javad Zarif.

Si përfundim, shumë prej këtyre operacioneve, strukturave, bazave ushtarake dhe misioneve jashtë Iranit janë analizuar në mënyrë modeste në dy librat që do të dalin së shpejti nga botimi dhe që botohen për herë të parë në interes të studiuesve të fushës së shkencave politike, gjeopolitikës, inteligjencës, mbrojtjes dhe sigurisë: “Gjeopolitika e Republikës Islamike të Iranit” dhe “Strategjia ushtarake e Iranit, Forcat e Armatosura, Korpusi i Gardës Revolucionare dhe fuqia e tyre luftarake”.

Dritan Demiraj, Ph.D.

9 Shtator 2022.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dritan demiraj

Mesdheu- Gramatika e qytetërimeve dhe territoret shqiptare

September 9, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Nuk është se konstatoj ndonjë gjë të re apo bëj ndonjë zbulim nëse theksoj faktin se qendra e qytetërimeve dhe gramatika e tyre është bota mesdhetare. Qytetërimet e Egjiptit të Lashtë, Helenik , Romak, Ilirik dhe Trak kanë formësuar themelet e qytërimeve tona të mëvonshme duke krijuar në këtë mënyrë dhe një lidhje organike midis së shkuarës dhe së sotmes aq sa dhe në teoritë e konsolidimit të Bashkimit Evropian përmenden rrënjët dhe vlerat të qytetërimit antik greko-romak si vlera të përbashkëta në themel të Evropës së bashkuar.

Në këtë kontekst ka nevojë që të ketë dhe një rishtjellim të së shkuarës sonë të largët pasi popullsia dhe territoret iliro-arbërore nuk kanë qenë thjesht spektatorë të kësaj trashëgimie kulturore të admirueshme por shpesh herë edhe aktorë dhe faktorë përcaktues në të. Mendohet gjithnjë në mënyrë të gabuar se territoret mesdhetare shqiptare janë të vlefshme vetëm për historinë antike të rajonit si shesh betejash të luftërave civile romake apo dhe si një zgjatim i kulturës romake në anën tjetër të Adriatikut, ndërsa për vëzhguesit e dhe studiuesit është mëse e qartë që territoret mesdhetare shqiptare vazhdojnë të luajnë një rol të madh edhe në mesjetën e hershme që krijon bazat e qytetërimit evropian. Le ta ilustrojmë përmes një shembulli që është i njohur prej kohësh për qarqet e ngushta akademike dhe studiuesve por që ka nevojë të ritheksohet e të trajtohet për tu bërë pjesë e vetdijes së opinionit publik. Territoret shqiptare me Durrësin si një kryeqendër e botës mesdhetare, kaq i famshëm deri në mesjetën e vonshme ku bie në duart e osmanëve është vendi ku zhvillohen ngjarjet e një romani kalorsiak të shekullit të XII, të shkruar në frëngjisht e të quajtur “Romani i Florimontit”. Është paksa enigmatik fakti se përse Turoldus ( autori i romanit) që nga Franca e largët zgjodhi Durrësin si objekt kryesor të rrëfimit të tij, por besoj se më i rëndësishëm është fakti që e planetizon rëndësinë e qytetit pasi e vë në kryeqëndër të veprimit të heroit kryesor, Florimontit.1 Në roman Florimonti lëviz në të gjitha kryeqendrat e qytërimit mesdhetar dhe Durrësi shfaqet gjithandej si qyteti i tij, i cili mesa duket është pjesë e rëndësishme e materies dhe shpirtit të qytetërimit evropian. Në këtë mënyrë nuk është e rastësishme që ky qytet dhe territoret mesdhetare shqiptare shfaqen gjithandej nëpër letërsinë, historinë e gjeografinë shpirtërore të Evropës, ndaj Shqipëria pasaportën europiane e ka që në gjenezë të saj

1-Moikom Zeqo. Florimonti, Dukë i Durrësit dhe historitë e tij për mbrojtjen e vendlindjes.

Filed Under: Komente Tagged With: Dorian Koci

Niko Kanxheri…

September 9, 2022 by s p

Mevlan Shanaj/

Me këtë djaloshin njihemi që më 1965. Qysh në takimin e parë kur regjistroheshim në Degën Ushtarake sqpo filluam shkollën e lartë të Aktorëve.Më pas u bëmë një treshe e pandarë bashkë me Timon. Në dhjetor të vitit të fundit të shkollës 1969, na fton për vitin e Ri në Korçë. Aty në familjen e tij kaluam pushimet dimërore së bashku me Acon dhe Timon! Më kujtohen përkujdesjet e Thomaidhës( së jëmës) që bënte çmos të kënaqte çunat që kishin vajtur me lugë në brez! Ishte koha që i vija pas Natashës dhe në një përballje te “Ushtari i panjohur” në dëborë rrëshqita , sigurisht i pamësuar me ngricat e Korçës , po nuk di ns më pa apo jo Natasha. Vitet kalojnë, ishim në një film së bashku te “ Malet me blerim mbuluar” ku Niko shkëlqen në një episod! Më pas e mora te filmi im i parë” Korrierët” ka shumë ngjarje në atë film, por ajo që më ka mbetur në ment,autori i skenarit Anastas Kondo, pasi pa filmin më pyeti për Niko Kanxherin! Më tha interpretimi i tij më ka kujtuar Fedian( Kufoma e gjallë e Tolstoit)Kalojnë vitet sukseset e tij shtohen, por sipas meje ka arritur kulmin në interpretim të një monologu te filmi i Joni Shanaj( “ Pharmakon” monologu i vetmisë nën interpretimin e Niko Kanxherit, në këtë film do të mbetetet padyshim maja e mjeshtrisë së aktrimit. Askush tjetër nga ne që kemi bërë karaktere në kinema , nuk kemi mundur ta vulosim kaq mjeshtërisht. Nuk nguroj të them se Marlond Brando , Al Pacino, Robert De Niro, Jack Nicholson Mastrojani dhe së fundi Leonard Di Caprio, na kanë magjepsur me arritje tej të pazakonshmes para kamerës. Këtë mendim të guximshëm për Niko Kanxherin po e ilustroj këtu në këtë postim. Ftoj kundërshtuesit për debat!Lutem shikoni monologun!Qëllimi i këtij postimi!

! https://youtu.be/_D5wCczMlp0

Filed Under: Kulture

76 vjet më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri

September 9, 2022 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Zona e Shkodrës kishte filluar organizimin për një rezistencë antikomuniste me shpresën se do të kthehej në një kryengritje të madhe popullore. Në pjesën më veriore të vendit, komunizmi ende nuk kishte lëshuar rrënjë dhe qendronte dobët. Në Postribë filloi të organizohej një lëvizje e nxitur kryesisht nga kleri me mbështetjen e elementëve nacionalistë. Mbledhjet e para patën si qëllim pjesëmarrjen e gjerë të fshatrave dhe të banorëve të qytetit të Shkodrës.

Në korrik, u mbajt një mbledhje në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër dhe në fshatrat rreth saj. Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iball të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij. Në kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm dhe do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politikë në burgjet e Shkodrës e më gjerë. Thirrja e djemve ushtarë, më datë 09.09.1946, nxiti mbledhjen e datës 07.09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të nesërmen pas dreke të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros. Prijësi Osman Haxhia i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillojë më 09.09.1946. Kryengritja e Postribës u shtyp nga regjimi duke dërguar forca të shumta. Osman Haxhia, u kap dhe u dënua, ndërsa Jup Kazazi i rrethuar nga forcat shtetërore, u vetëvra dhe kufomën e tij e shëtitën rrugëve të Shkodrës për të dhënë një mesazh.

Në imazhet e bashkëngjitura këtij postimi, paraqitet një raport i Komitetit Qendror të Partisë mbi kryengritjen e Postribës. Në foto shfaqen anëtarë të çetave të Ballit Kombëtar, ndër ta edhe Jup Kazazi, një nga drejtuesit kryesor të kësaj levizje.

Filed Under: Kronike

PASHKO GJEÇI…

September 8, 2022 by s p

Bujar Leskaj/

I nderuari Pashko Gjeçi, përkthyesi, intelektuali i persekutuar, që u end aq gjatë në botën e Dantes dhe të Homerit lindi 104 vite më parë, në 7 shtator 1918.

Pas mbarimit të gjimnazit të Shkodrës me rezultate shumë të mira, në vitin 1938, fiton të drejtë studimi për të ndjekur universitetin në Itali. Në vitin 1943 përfundoi Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë në Romë me rezultate të larta, me tezë diplome “Jeta dhe vepra e Dom Ndre Mjedës”.

I grishur për të punuar asistent-pedagog Pashku nuk pranon dhe i nxitur nga Ernest Koliqi për të dhënë kontributin e vet në atdhe, kthehet po atë vit. Ministria e Arsimit e asaj kohe e emëroi si profesor të letërsisë dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës.

Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Pashko Gjeçi vazhdoi të jepte mësim pranë atij gjimnazi deri nga mesi i vitit 1945 dhe më pas u transferua në qytetin e Durrësit. Këtu u arrestua dhe Gjyqi komunist do ta dënonte me pesë vjet burg të cilat i bëri kryesisht në Durrës dhe në kënetën e Maliqit.

Pas lirimit nga burgu, Pashko Gjeçi u kthye në qytetin e tij të lindjes në Shkodër. Aty vendos që të përkthejë Dante Alighierin.

Nga 1968 gjer më 1972 jep latinisht në Fakultetin e Mjekësisë. Punon pranë shtëpisë së librit shkollor si korrektor deri në daljen në pension në shtator 1978. Më 1976 do të botohet “Odisea”, një tjetër përkthim i tij.

Me rënien e regjimit komunist dhe ardhjen e viteve 2000, kryeveprat e përkthyera nga ai në shqip ribotohen, por edhe shohin për të parën herë dritën e botimit. “Komedia Hyjnore” dhe “Odiseja” ribotohen më 2006, “Fausti” (pj.1) më 2008, “Andromaka” dhe “Atalia” e Rasinit më 2010.

Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet ’70 e vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit, si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedisë Hyjnore”.

Pashko Gjeçi u dekorua nga Presidenti italian Çampi më 2004 me “Urdhërin e yllit të solidaritetit italian” për përkthimin e Dantes.

Pashko Gjeçi ndërroi jetë në moshën 91 vjeçare.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2068
  • 2069
  • 2070
  • 2071
  • 2072
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT