• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mirela Freni dhe Lukë Kaçaj

September 8, 2022 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Me 9 shkurt 2020 u shua ne Modena, ne moshen 85-vjeçare sopranoja e famshme italiane Mirela Freni, nje nga Divat e medha te botes operistike.

Freni ka debutuar ne Teatro Municipale te Modenes me 3 mars 1955 ne rolin e Micaëles ne operen Carmen te Bizet.

Debutoi ne La Scala ne vitin 1963 me rolin e Nannetes ne operan Falstaff te Verdit.

E famshme per interpretimet ne operat Aida, La Boheme, Madama Butterfly etj.

Freni e perfundoi karrieren profesionale ne moshen 70 vjeçare, me 11 prill 2005 me operen “Vajza e Orleanit” ne Operen e Washingtonit ne rolin e Zhan D’Arc.

Ka kenduar ne teatrot e operave me te famshme te botes : La Scala (Milano), Metropolitan (New York), Opera e Parisit, Bolshoj ( Moske), Covent Garden ( Londer), Staatsoper (Vienna), Colon ( Buenos Aires), Opera e Washington, Teatri Kombetar ( Tokyo) etj.

Freni ishte e preferuara e dirigjenteve dhe regjizoreve me te famshem te kohes se saj si : Von Karajan, Giulini, Pretre, Kleiber, Solti, Abbado, Sinopoli, Muti, Osawa, Visconti, Strehler, Zeffirelli, Ronconi, Barrault, Ponnelle.

Nga viti 1978, Mirela Freni ishte e martuar me basin e madh bullgar Nicolai (Kolja) Ghiaurov (1929-2004), qe kishte studjuar ne Konservatorin Çajkovski te Moskes ( bashkestudent me ajken e muzikes shqiptare: Çesk Zadeja, Tish Daija, Avni Mula, Luk Kacaj, Ibrahim Tukiçi, Mentor Xhemali etj.)

Do te ishte miqesia e bashkeshortit te saj bullgar me shqiptaret e medhenj te muzikes qe sopranoja e madhe italiane te kishte nje afeksion per Shqiperine.

Xhino Beki, Nikola Rosilomeno, Kolja Giaurov, Boris Kristov, Fjodor Shaljapin mbeten majat e basseve te botes…

Por i tille do te ishte edhe i pervuajturi jone Lukë Kaçaj, qe i mbylli vitet e punes si punetor ngarkim-shkarkimi ne ndermarrjen e Fruta Perimeve ne Tirane.

Në vitet e demokracisë “hamalli” Lukë Kaçaj filloi te levizte jashte Shqiperise per te takuar edhe miqte apo koleget e tij te cilet kishin pasur një fat krejt tjeter .

Midis tyre ai takoi ne vitin 1991 shokun bullgar te viteve te rinise ne Moske Kolja Giaurov, që italianet e quanin mbreti i basëve..

Kolja kur ishte student me Luken në Moskë asnjëherë nuk kendonte mbasi kendonte Luka …Por bassi bullgar kishte vijuar në Itali e më gjërë karieren e tij brilante.

Ato ditë kur Luka takoi mikun e tij bullgar në Itali, shfaqej opera “La Boheme” e Puçinit. Kolja me bashkeshorten kishin dy role kryesore ; Kolja rolin e filozofit Kolen dhe Mirela rolin e heroines Mimi .

Në teater ishte i ftuar i veçant i ketyre artisteve, Lukë Kaçaj. Kur perfundoi opera me shumë sukses dhe publiku po duartrokiste, dy artistet e mëdhenjë (Kolja e Mirela) u drejtuan nga lozha e porositur ku rrinte Luka, dhe me një gjest domethenes i tregojnë publikut per mikun e tyre…

Duartrokitjet e nxehta të publikut italjan tashmë ishin per bassin e madh shqiptar Lukë Kaçaj (te cilin nuk e njihnin)…

Ketë moment Shaljapini yne e perjetoi me emocione dhe lotë…

Ne shkurt 2009, Presidenti i Republikes Bamir Topi dekoroi pas vdekjes me titullin Nderi i kombit “Shaljapinin” shqiptar Lukë Kaçaj ( 1924-2001) …

Kam patur fatin te isha i pranishem ne ate ceremoni i ftuar nga nipi i tij Salvator Kaçaj

Per aresye shendetesore sopranoja Mirela Freni nuk mundi te merrte pjese ne kete ceremoni, por dergoi nje njeri te afert i cili lexoi letren e saj…

Ne kete leter emocionuese ajo shprehte edhe ndjenjat, respektin dhe dashurine e bashkeshortit te saj te ndjere Kolja Ghiaurov per kengetarin tone te madh …

“Sipas bashkeshortit tim kur studjonin ne Konservatorin Çajkovski te Moskes, Lukë Kaçaj ishte me i miri…

Kolja u be me i madhi i botes ne gjeneraten e tij, por ai gjithmone me thoshte … bassi me i madh do te ishte shqiptari Lukë Kaçaj…”

“Shaljapini” i pafat shqiptar, u shua si sot, 21 vjet ne pare me 7 shtator 2001 ne Shkoder…

Por fatkeqsisht regjimi dhe cmirzinjte e kishin vdekur shume kohe me pare…

Pse duhej burgosur bassi yne i madh?

Shqiperia nuk i ka dashur asnjehere talentet e medhenj…

Nuk e kam kuptuar kurre kete “ves” historik te kombit tone…

Filed Under: Kulture

Balada në repertorin e rapsodëve të eposit heroik legjendar shqiptar dhe audienca në kohë e hapësirë: shembuj nga lahutarët e krahinës së Rugovës

September 8, 2022 by s p

Zymer Ujkan Neziri/

(Kumtesë në konferencën e 50-të shkencore, ’’Baladat dhe audienca në kohë dhe hapësirë’’, Gjirokastër, në Universitetin ’’Eqrem Çabej’’, më 5 shtator 2022, organizuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Studimit të Baladave (Kommission für Volksdichtung) dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë)

(Abstrakt)

Balada në repertorin e rapsodëve të eposit heroik legjendar shqiptar: shembuj nga lahutarët e krahinës së Rugovës, shtrirja e saj përballë Eposit të Kreshnikëve, audienca në kohë e hapësirë në këtë krahinë të fisit të Kelmendit dhe vlerat e saj poetike, janë pikë qendrore të kësaj kumtese. Rugova është krahinë e Alpeve Shqiptare dhe ka katërmbëdhjetë katunde. Ato janë të vëllazërive të mëdha të Kelmendit: Lajç, Vukël e Nikç, si dhe pak Selcë. Ka edhe disa lagje të fiseve të tjera: Kastrat, Shalë e Shkrel, po edhe pak Berishë. Shtrihet në trekëndeshin Pejë, Plavë e Guci dhe Rozhajë. Është e njohur në histori për çështjen kombëtare në të gjitha periudhat e historisë, sidomos me Perandorinë Osmane, me Malin e Zi dhe me Serbinë. Në trashëgiminë kulturore është shumë e përmendur për të folmen e saj, sidomos për diftongun -ua, për veshjen kombëtare dhe për vijimësinë e riteve të lashta, të valleve e të këngëve. Është ndër zonat më të njohura të lahutës në Gadishullin Ilirik. Ajo është edhe shtrat i madh dhe tipik epik i këndimit të lahutarëve të këngëve të kreshnikëve dhe të baladave.

Projekti ’’Epika legjendare e Rugovës’’ (kërkime terreni për disertacion doktorate), në vitet 1979-1988, ka zgjatur rreth 600 ditë pune. Ishte ide e epikologut tonë të njohur, Qemal Haxhihasani. E realizova sidomos kërkimin e Eposit të Kreshnikëve dhe të baladave. Metodologjia e hulumtimit ishte punë kërkimore katund për katund, lagje për lagje e shtëpi për shtëpi i lahutarëve, aty, në Rugovë, dhe në Rrafsh të Dukagjinit, ku jetonin disa, si dhe i biografive dhe i repertorit të tyre të epikës legjendare.

Rezultatet janë ndër më të mëdhatë e kësaj fushe ndër ne: nga 45 lahutarë të atëhershëm janë mbledhur mbi njëqind mijë vargje, që ata kishin në repertor. Të gjitha këngët janë të incizuara në bobina magnetogoni, rreth dyqind orë. Janë edhe të traskriptuara e të shtruara në pesëmbëdhjetë vëllime. Pra, janë 355 këngë të kreshnikëve dhe vetëm 15 balada. Shumica e baladave janë mortërzime me motive të flijimit njerëzor për ndërtimin e urës, të rinjohjes vëlla me motër dhe vëlla me vëlla, të ruajtjes së nderit të rrezikuar nga borxhi i papaguar, si dhe të vëllavrasjes. Ato janë në repertorët e lahutarëve: Asllan Rama-Kastrati, Bajram Ibishi-Kuklecaj, Ibish Bajrami-Kurtbogaj, Ramë Çaushi-Elesaliaj, Ramë Cubi-Melaj, Rrustem Tahiri-Metujkaj, Mehmet Beka-Imeraliaj, Misin Nimani-Sejdaj, Rrustem Veseli-Vaçaj, Sokol Arifi-Lekëgjekaj.

Koleksioni ’’Epika legjendare e Rugovës’’ ruhen në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Kjo sasi e tij ishte sa një e katërta e shumës me katërqind mijë vargje të fondit kombëtar, nga G. Majeri, më 1897, e deri më 2012. Nga pesëmbëdhjetë sish, vetëm tri vëllime janë botuar. Vlera poetike e tyre bën pjesë në radhën e krijimeve në të mira poetike të këndimit epik legjendar në krijimtarinë tonë gojore.

Filed Under: Fejton Tagged With: Zymer Ujkan Neziri

KUVENDI I KAÇANIKUT – GURTHEMEL I SHTETIT TË KOSOVËS

September 8, 2022 by s p

Jusuf Buxhovi/

Kuvendi i e Kaçanikut vuri në binarët historik shtetndërtimin e Kosovës, si proces të natyrshëm dhe të pandalshëm pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990. Kështu, Kushtetua e Kaçanikut legjitimoi një realitet politik në përputhje me vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës të shprehur në referendumin për pavarësi në shtator të vitit 1991, i pasuar nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në maj të vitit 1992 prej nga do të dalë Parlamenti i parë plural si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila organizoi pushtetin paralel si formë e rezistencës institucionale për tetë vite, në kuadër të së cilës, krahas arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe ekonomisë, u përfshi edhe mbrojtja dhe vetëmbrojtja si formë e rezistencës së armatosur kundër okupimit, prej nga ka shtratin edhe “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, që do të funksianaliozet në rrethanat kur lufta diplomatike duhej t’ia lëshonte vendin diplomacisë së luftës.

Ky zhvillim historik, mbi të cilin u ndërtua shtetësia e Kosovës, do të konfirmohet ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Me këtë rast duhet theksuar se neni 1 i kushtetutës së Kaçanikut, Kosovën e definoi „ shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë”.

Filed Under: Histori

EVROPA E RE DHE VËSHTRIMI NË LINDJE I BERLINIT

September 8, 2022 by s p

Nga DANILO TAINO/

Ishte e qartë që nga 24 shkurti i shkuar: mësyemja ruse e Ukrainës ka hapur një stinë krejtësisht të re n’Evropë. Ndërmjet gjërave të tjera ka zhvendosur befas qëndrën politike të rëndesës drejt Lindjes. Qeveritë perëndimore e kanë të vështirë të pranojnë këtë rrëshqitje, të prirur të ruanin një përçapje mjaftueshmërie, shpesh të paracaktuar, kundrejt Vëndeve që deri në gjithë vitet Tetëdhjetë të Nëntëqindit ishin të shtrënguar në orbitën e Bashkimit Sovjetik. E vërteta megjithatë është m’e fuqishme se sa zakonet e këqia.  

Më 9 gusht kançelari gjerman Olaf Scholz ka mbajtur një bisedë që mban parasysh shtjellimet e muajve të shkuar dhe nxjerr ndonjë pasojë. Një bisedë, në Universitetin Karlova të Pragës, të rëndësishme për nga përmbajtja dhe për faktin se vjen nga Vëndi më i shquar i Evropës, ajo Gjermani që sot duhet të braktisë shumë nga politikat (që janë zbuluar të verbëra) të çuara përpara nga Anxhela Merkel për gjashtëmbëdhjetë vite e për shtatë të tjerë më parë nga Gerhard Schröder. 

Edhe se e mbajtur në një ton të njëtrajtshëm, fjala prageze e Scholzit është një hop cilësor në qëndrimin gjerman mbi Evropën, i shtyrë nga ngutshmëria e kohëve dhe domosdoshmëria  për të përcaktuar “vijën kufindarëse ndërmjet kësaj Evrope të lirë dhe një autokracie imperialiste”. Dhe tani – ka pohuar – vendimet duhet të merren dhe në rastin ka kujtuar fjalinë e kthyer në simbol të Revolucionit të Kadifenjtë të Çekosllovakisë , të filluar nga të rinjtë e Pragës  natën e 17 nëndorit 1989: “Kush veç nesh? Kur nëse jo tani?”. Ideja e kançelarit gjerman është të shkuarit tani, shpejt drejt një “Evrope gjeopolitike”, duke filluar nga të kuptuarit e zhvendosjes së barazpeshave në kontinent: “Nuk ka nevojë të thuhet – ka pohuar – qëndra e Evropës po zhvendoset drejt Lindjes”.

Nuk bëhet fjalë për një të kuptuar teorik. Scholz ka qënë shumë konkret  në një terren që jo domosdoshmërisht do të marrë duartrokitje në të gjithë kryeqytetet, Parisi në krye. “Duhet të shtoj qartësisht se fakti i vazhdimit të rritjes së BE nga Lindja është një dobi për të gjithë”, ka shtuar. Zgjerimi i Bashkimit evropian duhet “të përfshijë Vëndet e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainën, Moldavinë e më pas edhe Gjeorgjinë”. Një BE “me 30 ose 36 Shtete antarë”, pashmanshmërisht i ndryshëm nga i sotmi duhet t’i përshtatet kohëve dhe përmasave të tij. “Rregullat evropiane – ka shtuar – mund të ndryshohen me nxitim, nëse është e nevojshme. Edhe Traktatet nuk janë të ngallmuara në gur”. Edhe kjo nuk është e pakët. Madje Scholzi, më së fundi, i është përgjigjur propozimit të Emmanuel Macronit për të krijuar një Bashkësi politike evropiane, në fakt një rreth të jashtëm përqark BE, në të cilën do të mund të marrin pjesë Vëndet e interesuara, veçanërisht ata që kanë kërkuar hyrjen në bashkësi. 

Scholzi ka përvijuar atë që ai e ka përcaktuar “ndërpretimi im i propozimit të Macronit”: një forum në të cilin kryetarët e Shteteve e të qeverive të BE të takohen një apo dy herë në vit me partnerët e jashtëm të Bashkimit për të biseduar për çështje të rëndësishme. Por, ka sqaruar, një “grupim i tillë nuk është një alternativë e proçesit të ngutshëm të zgjerimit të BE. Më së fundi, i kemi dhënë fjalën tonë kandidatëve për hyrje” të Ballkanit perëndimor njëzet vite më parë. Pra, nëse Macroni përfytyronte që Bashkësia politike evropiane mund të ishte një parkim i qëndrimit të gjatë për atë që dëshëron të hyjë në BE, tashmë ai e din se Berlini ka një opinion të ndryshëm. E dijnë edhe ata që kundërshtojnë një zgjerim të mëtejshëm të BE  me frikën e hollimit të tij me ujë: është gjeopolitika që detyron shtrirjen nga Lindja, në leximin e Scholzit.

Që qëndra e rëndesës evropiane do t’ishte zhvendosur drejt Lindjes, qe e qartë së paku nga mësyemja ruse n’Ukrainë. Vëndet më në dukje të agresivitetit të Moskës, janë ish satelitët e saj, të liruar nga Pakti i Varshavës mbas shëmbjes së Bashkimit Sovjetik. Veç asaj Polonia, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania dhe vetë Republika Çeke janë ledhi i parë për të ndaluar trysninë e Kremlinit, sot politik e ndoshta nesër ushtarak. Jo vetëm aq. Këta Vënde, së bashku me Ukrainën, kishin të drejtë kur lajmëronin në vazhdimësi për rrezikshmërinë e Vladimir Putinit; ndërsa Berlini, Parisi, Roma e të tjerë gaboheshin duke e mohuar. Pasja arsye në përimtimet gjeopolitike nuk është e pakët për qeveritë, sidomos përballë një fuqie agresive.

Duket se Berlini po lëviz duke vënë mbi tavolinë idenë e tij mbi Evropën e ardhëshme, së fundi jo të dalë nga asgjëja. Në të Shkuarën një nga etërit fisnikë të Gjermanisë së mbas Luftës së Ftohtë, Wolfgang Schäuble, ka pohuar shumë herë që Vëndi i tij ka një përgjegjësi e një lidhje me Vëndet e Lindjes evropiane më të mëdha se ato të Francës. Dhe atij që vërente se bashkimi politik do t’ishte i pamundur përballë një teprije zgjerimi, i përgjigjej se Vëndet që duan mund t’a bëjnë, “por duhet të kemi kujdes, që të mos jenë vetëm Shtetet e mëdhenj që vendosin, e kam mësuar nga Kohli” (Helmut Kohl, kançelari i ribashkimit gjerman). Sot e mësojmë nga qeveritë e Lindjes.

Edhe Italia, kur të ketë një qeveri, ndoshta do të matet me idetë për Evropën e ardhëshme e gjeopolitikën.

“Corriere della Sera”,  shtator 2022   E përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

VATRA PROMOVON MË 21 SHTATOR LIBRIN HISTORIK TË FAMILJES QAFA “IN THEIR FOOTSTEPS”

September 7, 2022 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra do të promovojë ditën e Mërkurë më 21 Shtator 2022 ora 7 PM në Selinë Qëndrore të Vatrës në New York, librin historik mbi familjen patriotike dhe antikomuniste Qafa. Në librin e sapo dalë nga botimi “IN THEIR FOOTSTEPS” përshkruhet historia e Familjes Qafa, rrugëtimi nga Kosova në Amerikë, lufta antikomuniste në vitet 1949-1958 e patriotit Pjetër Çup Qafa në malet e Shqipërisë si rezistencë kundër komunizmit në Shqipëri. Në këtë libër përfshihet edhe historia e jetës së Simon Qafës, nga Kosova, Vatikani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autori i librit Luis Romano është një autor i mirënjohur italo-amerikan, autor i 17 librave.

Filed Under: Opinion Tagged With: Simon Qafa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2071
  • 2072
  • 2073
  • 2074
  • 2075
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT