• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JETA DUHET PARË ME BUKURITË QË TË SJELL…

September 5, 2022 by s p

Piktorja Estela Ruka në një intervistë për Diellin ne Vatrës dhënë Editorit Sokol Paja, zbulon detajet e ekspozitës së saj të pikturave, që do jetë e hapur 30 ditë nga 1 – 30 Shtator 2022. Ekspozita është hapur në Nyack Library. Ekspozita ka 34 punime dhe shumica janë piktura në stilin abstract. Fuqia e mesazhit dhe ndjenjave vijnë nga shijimi i së bukurës…

NJË EKSPOZITË, DY VITE PUNË, PASION E PËRKUSHTIM

Një nga zhanret e Artit që unë e dua shumë është dhe Piktura, gjë që brenda meje ishte si një dëshirë për ta realizuar. Duke qënë se profesioni im bazë me të cilin punoj akoma është Mjeke Stomatologe, gjatë kohës në Shqipëri nuk gjeta mundësinë ta zhvilloja. Të pikturosh apo të bësh art është edhe çështje frymëzimi, dhe ndoshta këtë frymëzim e gjeta në Amerikë, ku gjërat shkojnë më të planifikuara dhe më në sinkron në përgjithësi. Ekspozita ime e hapur pikërisht më 1 shtator 2022 është një punë e dy viteve rresht me pasion e përkushtim.

JETA DUHET PARË ME BUKURITË QË TË SJELL…

Mesazhi që përcjell është se jeta duhet parë me bukuritë që të sjell që nga natyra, muzika, njerëzit e afërm, shoqëria, dhe duhet të jemi falenderues ndaj Zotit dhe ndaj njëri-tjetrit, dhe ti falim momente sa më të bukura artistike dhe njerëzore njerëzve tanë të shtrenjtë, shoqerisë , kolegëve, pra të gjithëve. Ekspozita do jetë e hapur 30 ditë nga 1 – 30 Shtator. Ekspozita është hapur në Nyack Library. Ekspozita ka 34 punime dhe shumica janë në piktura në stilin abstrakt. Mua më pëlqejnë ngjyrat e forta në pikturë pasi kanë dinamikë të fuqishme zhvillimi.

LIDHJA E NJERIUT ME TË BUKURËN…

Njerëzit e duan artin në shumë zhanre të tij, është pikërisht lidhja që ka njeriu me të bukurën, njëlloj si me muziken që ështëe pavdekshme dhe lidhet direkt me ndjeshmëritë e njeriut, ashtu dhe me pikturën, artin pamor të së bukurës. Këto dy vitet e fundit kanë qënë vite të vështira pasi ishte një kohë e gjatë pandemie dhe njerëzit u mbyllën për muaj me radhë, nuk patëm mundësi argëtimi, mbledhjesh në gëzime të përbashkëta, udhetime etj. Unë gjeta një mënyrë për të kaluar kohën time duke hequr mendjen nga lajmet dhe shumë gjëra që të stresonin në atë kohë, dhe kjo ishte piktura me orë të tëra. Sinqerisht ishte e vetmja gjë antistres që bëja.

NGA BUZËQESHJA QË I FAL NJERËZVE…

Të jesh Ambasadore e paqës për mendimin tim puna fillon që nga buzëqeshja që i fal njerëzve, komoditeti që i krijon atyre që në komunikim, të bësh më të mirën në atë punë që bën, ndërkohë nëse ke një talent në art, ta ndash atë me të tjerët për ti krijuar sa më shumë kënaqësi dhe gëzime. Ideja që në daten 11 Shtator të bëja ftesa për njerëzit në ekspoziten time, nuk ishte vetëm promovimi i ekspozitës , por një takim kryesisht me shqiptarë të diasporës, për të folur edhe për arritjet e tyre në Amerikë, njohjen në komunitet, përcjelljen e një mesazhi të madh që nga Skënderbeu yne, bashkimi bën fitoren, kjo në kontekstin e ndihmës reciproke të shqiptarëve.

SHQIPTARËT SI KRIJUES, SI ARTISTË

T’ju tregojmë miqve tanë me kombësi të ndryshme se shqiptarët janë krijues, janë punëtorë, jane njerëz largpamës, dhe të ngrejmë vlerat tona të edukuara që nga familja, gjysher e stergjysher, e deri tek fëmijet tanë si tradita, gjuha, historia e vërtetë shqiptare dhe vlerat kombëtare. Në ditën e promovimit dhe takimit me bashkëatdhetarë do jenë shumë miq e koleg Amerikanë të ftuar në komunitetin tonë për tu njohur më mirë me Shqipërine dhe shqiptarët. Zëri i Shqipërisë në botë duhet të dëgjohet si i barabartë dhe i vlerësuar. Zëri i Shqipërise në diasporë jemi pikërisht ne shqiptarët, dhe kemi përgjegjësi jo vetëm për familjet tona por edhe për vendin tonë që ta përfaqësojmë denjësisht. Shpresoj që 11 Shtatori të jetë një takim frytëdhënës artistik.

Filed Under: Kulture Tagged With: estela ruka

VATRA PËRKUJTOI ME NDERIM, LUTJE E PËRSHPIRTSHMËRI NËNË TEREZËN, SHENJTOREN E KOMBIT SHQIPTAR NË 25 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

September 4, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York më 3 Shtator 2022 – Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra përkujtoi me nderim, lutje e përshpirtshmëri 25 vjetorin e kalimit në amshim të Shenjtores së Kombit Shqiptar, Nënë Terezës, nënës së dashurisë, sakrificës, besimit e shpresës në Zot dhe respektit e dinjitetit për qëniet njerëzore. Në një ceremoni solemne të organizuar posaçërisht nga Federata Vatra, me pjesëmarrjen masive të udhëheqësve të Vatrës e vatranëve më të spikatur, të mbështetur dhe nga përfaqësuesit më të dënjë të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë, Vatra tregoi edhe një herë lidership të padiskutueshëm si organizimi patriotik e kulturor më i fuqishëm në të gjitha diasporat shqiptare kudo në botë për organizime në nderim të figurave të shquara të kombit, datave e ngjarjeve të shënuara për identitetin, kulturën dhe historinë e kombit shqiptar. Nën prezantimin e Editorit të Diellit, në kumtesën hapëse të ceremonisë në nderim të Nënë Terezës, kryetari i Vatrës PhD Elmi Berisha ndër të tjera theksoi se: “Shënjëtorja e trungut tonë vazhdon të jetë frymëzim, motivim dhe engjëll mbrojtës i njerëzimit dhe pa dilema ne si komb dhe personalisht besoj se besimi i jonë në zot dhe lidhja shpirtërore me Hyun na lidhë edhe më fuqishëm përmes shënjëtores sonë. E Shënjta Nënë Tereza, është simbol i dashurisë dhe i përkushtimit ndaj njerëzimit (sidomos ndaj atyre që kishin më së shumti nevojë), por edhe ndaj Zotit. Ajo e lidhi përkushtimin ndaj njeriut me përkushtimin ndaj Hyjit, duke krijuar simbiozën e dashurisë së përhershme, të cilën ia dhuroi njerëzimit” tha ndër të tjera z.Berisha. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj përshëndeti ceremoninë e nderimit ndaj Nënë Terezës duke u treguar të pranishmëve detaje nga vizita në shtëpinë e Motrave të Nënë Terezës në Bronx 25 vite më parë kur Nënë Tereza kaloi në amshim dhe përpjekjet e vazhdueshme së bashku dhe me patriotë të tjerë në punën e madhe për ngritjen e shtatoreve të Nënë Terezës në viset shqiptare dhe solli ndërmend ndihmën për ndërtimin e Katedrales së Prishtinës “Nënë Tereza” ku me Marjan Cubin kryetar të mbledhjes së fondeve u arrit një shifër rekord mbi 2 milion dollarë. PhD Ines Murzaku në kumtesën e saj u ndal te gjashtë revolucionet e Nënë Terezës: Revolucioni i Lutjes, Vuajtjes, Varfërisë, Shërbimit, Shpresës dhe Brishtësisë. Ndër të tjera studiuesja Murzaku u ndal te Revolucioni i Brishtësisë – Ku dashuria zëvendëson hidhërimin. “Nënë Tereza e mësoi butësinë në moshë të re. E reja Gonxhe ishte e rrethuar me shumë butësi nga familjarët e saj, veçanërisht nga e ëma. Familja e nënës nuk ishte familja e përsosur; ishte një familje e zakonshme me të metat dhe papërsosmëritë e saj. Por besimi dhe butësia e tyre e zakonshme doli të ishte transformuese dhe e jashtëzakonshme në ndikimin që do të kishte te shenjtoria e ardhshëm dhe butësia që ajo do t’u ofronte falas të gjithë atyre që do të prekte. Së dyti, Nënë Tereza e praktikonte butësinë teologjikisht. Kjo ishte butësi nga identifikimi me arketipin (Jezusin) dhe Marinë. Veç kësaj, ajo ishte një butësi e zbatueshme ndaj kujt po i shërbente. Ajo, me butësi, identifikohej me të gjitha kategoritë e njerëzve që u shërbente dhe të cilëve shoqëria donte t’i hidhte poshtë. Ajo jetoi dhe ishte një me ta, duke shkuar në nivelin e “errësirës” dhe të varfërisë së njerëzve të cilëve u shërbente; ajo lehtësoi barrën e njerëzve duke e bërë errësirën e tyre me butësi. Teologjia e nënës për të buzëqeshur është e lidhur me revolucionin e saj të butësisë” citoi ndër të tjera PhD Ines Murzaku. Gazetari Frank Shkreli në kumtesën e tij “Amerika për Nënë Terezën – rastësi apo dora e Zotit në veprim “prej sot je bijë e Amerikës” tha ndër të tjera se: “Komuniteti shqiptaro-amerikan kishte lidhje të ngushta, dashuri dhe respekt, pa kushte, për veprimtarinë në shërbim të varfërve në botë dhe për personin e Nenë Terezës gjatë afër 50-viteve të fundit të shekullit të kaluar.  Në të vërtetë – dukej sikur e mbarë Amerika – pa dallim feje dhe pa dallime politike — ishte në dashuri me këtë murgeshë shqiptare, me trup të vogël, por me shpirt dhe zemër të madhe – e cila i kishte caktuar vetes misionin e jetës së saj për t’u kujdesur për “më të varfërit e të varfërve në botë.”  Kjo dashuri e Amerikës me Nënë Terezën kishte filluar në vitin 1960 – që shënon vizitën e parë të saj në Shtetet e Bashkuara. Vizita e parë e Nenë Terëzës në Amerikë është e datës 7 Nëntor, 1960” tha ndër të tjera z.Shkreli. Amerikanët e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë gjithnjë veprën dhe personin — Gonxhen e shqiptarëve dhe shën Nënë Terezën e Amerikës dhe të botës. Ajo ishte shpallur Qytetare Nderi e SHBA, një titull i dhënë Nenë Terezës shumë vite më parë nga Presidenti republikan Ronald Reagan, kujtoi z.Shkreli. Studiuesi Dr. Paulin Marku ndër të tjera në kumtesën e tij u shpreh se: “Nene Tereza na jep mundësinë te njohim nga afër dhe te hyjmë ne jetën e njeriut te urte e te dashur qe fale lutjeve, sakrificave dhe ndihmave për popuj te ndryshëm hyri ne zemrën e secilit. Kjo është një dhunti e Zotit qe pa sponsor, pa propagande televizive dhe mediatike apo lobim te kishës katolike, ajo arriti te ketë impakt pozitiv ne mbare globit. E them botërore sepse veprimtaria e Nene Terezës ishte e atille dhe gjithashtu po aq e gjere dhe e ndjeshme për shtresa te ndryshme sociale-ekonomike dhe kulturore, tek fëmijët, pleqtë, te sëmurë, te varfrit, neper popuj te dhunuar dhe te frustruar nga luftra te ndryshme, si dhe për përpjekjet e vazhdueshme qe te ngrejë raporte jo vetëm shpirtërore e religjione por edhe institucionale ne mbare boten” tha ndër të tjera studiuesi Dr. Marku. Gazetari Sinan Kamberaj në kumtesën e tij dha detaje nga takimi me Nënë Terezën dhe vizita e saj në New York. Ai kujtoi për të pranishmit: “Nënë Tereza falënderonte për fjalët e mira dhe uronte pa ndërprerë. Për një çast pata ndjesinë se fytyra e saj ishte një mishërim i të gjitha fytyrave të nënave shqiptare, një fytyrë tipike e atyre plakave fisnike, të cilave, sa më shumë që u rëndojnë vitet mbi supe, fytyrat u bëhen gjithnjë e më ëngjëllore, duke rrezatuar ngrohtësi qiellore. Në këtë çast ajo uroi në gjuhën shqipe: “Zoti e baftë mirë”!” citoi ndër të tjera gazetari Kamberaj. Ceremonia e nderimit për Nënë Terezën Shenjtoren e Kombit tonë në Vatër u përmbyll me një koktejl të organizuar posaçërisht nga patrioti Toni Musaj i cili mbështet Federatën Vatra e gazetën Dielli në çdo organizim. Federata Vatra dhe Gazeta Dielli i shprehin mirënjohje të veçantë z.Toni Musaj dhe z.Adem Belliu me televizionin “Kultura Shqiptare” të cilët ndjekin Vatrën dhe aktivitetet e saj në çdo organizim dhe veprimtari, me profesionalizëm dhe bujari.  

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Shën Pali në Durrës…

September 4, 2022 by s p

Nga Fotaq Andrea/

Libri i Prof. Thanas L. Gjikës « Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re »  – një kontribut me vlerë për historiografinë shqiptare. Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i Prof. Thanas L.Gjikës « Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re ». Është libri i tij i tretë me tematikë të mirëfilltë shkencore në fushën e shpirtërores ungjillike, bazuar drejtpërdrejt te Dhiata e Re, tek ka botuar tashmë me sukses “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” më 2007, dhe “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut” më 2014. Vepra këto që përbëjnë sot që të trija një korpus unik dhe një risi të veçantë për historiografinë shqiptare, të lidhura ngushtë siç janë me udhëtimet misionare të Shën Palit, sidomos në trevat iliro-shqiptare të Ilirikumit të lashtë dhe me fillimet e përhapjes mes tyre të krishtërimit, Frymës së Shenjtë.

Me bagazh të rëndë si studiues i mirëformuar para viteve të demokracisë, kur kish punuar tashmë për 26 vjet me radhë në Institutin e Gjuhë-Letërsisë, prof. Gjika vjen me këtë libër të ri, i një veçantie të dukshme, për të vërtetuar sërish se edhe në fushën e Shkrimeve të Shenjta, përtej dogmave dhe vendimeve historike të Koncilit, përtej paragjykimeve në rrafsh të brendshëm e të jashtëm, ka vend përherë për studime të thelluara shkencore, të cilat e vendosin sot prof. Gjikën në radhën e studiuesve dhe biografëve më të njohur sidomos të jetës apostolike të Shën Palit, madje, do thoshim pa ndrojë, në pararojë të tyre, me prurje përherë të reja, përmes vështrimesh dhe analizash shkencore nën filtrin e kritikës konstuktive.

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe përderisa këto vepra janë fryt i një pune këmbëngulëse 25 vjeçare filluar nga prof. Gjika që më 1997 në Amerikë, kur me përpjekje të vazhdueshme shkencore ai rrok fuqishëm e guximshëm një tematikë me përmasa botërore dhe me rëndësi madhore për vetë forcën e shpirtërores njerëzore. Kësisoj, tek bën objekt të punës së tij shkencore këtë fushë mjaft të vështirë e delikate, si ajo Frymës së Shenjtë përhapur nëpërmjet apostujve të saj, prof. Gjika ka meritën e padiskutueshme se ia del mbanë të flasë me sukses, në rrafsh ndërkombëtar, për kundërthëniet apo përplasjet nga një studim te tjetri të Dhiatës së Re, për kontradiktat dhe pasaktësitë që hasen në këto studime dhe në hartat historike shoqëruese të tyre, sidomos lidhur me jetën dhe veprën e apostujve të Jezusit. Duke respektuar traditën shekullore të Kishës së krishterë dhe doktrinën e saj të shenjtë, Prof. Gjika guxon dhe korrigjon me forcën e besimit shkencor tërë pasaktësitë që përmbajnë studimet historike lidhur me Shkrimet e Shenjta. Sepse ai e zotëron plotësisht lëndën biblike, di ta ndajë dhe ristrukturojë atë në mënyrë të saktë shkencore, për t’i trajtuar veçmas dhe hollësisht pikërisht katër Udhëtimit misionare të Shën Palit. Dhe e tërë kjo domosdo mbi bazën e hulumtimit këmbëngulës, tek ka vëzhguar, qëmtuar, krahasuar, arsyetuar me analiza të thella faktet dokumentare në shënimet dhe hartat e Dhiatës së Re, gjë që e lejon atë të sjellë saktësimet dhe korrigjimet e duhura, me probabilitet të pashmangshëm historiko-shkencor. 

Njohës i thellë, i përpiktë, i kujdesshëm, specialist i veçantë në fushën e shpirtërores sipërpore, Prof. Gjika nxjerr fuqishëm në pah krijimin e bashkësive të para të krishtera arbërore në Iliri, krahas bashkësive greke e maqedone, si dhe rolin e madh që luante Kisha e krishterë themeluar në Durrës nga Shën Pali. Ashtu si në librat e tij të këtij korpusi të veçantë, edhe në këtë vepër të re, prof. Gjika i përmbahet me besnikëri dhe frymë krijuese ndër të tjera dy burimeve kryesore bibliografike me tematikë shqiptare, konkretisht: veprës madhore të Barletit nga njëra anë, i cili jep të dhënën e rëndësishme se “në Shtëpinë princërore të Pal Dukagjinit, në TejDrinën e Sipërme, vërehen përmendore prej mermeri, ku shihen emra perandorësh romakë… dhe gjurmë se këtu apostulli Pal u ka predikuar njerëzve besimin e Krishterë” (f.79); dhe nga ana tjetër, të dhënën burimore të jezuitit dhe historianit Daniele Farlati në veprën e tij madhore “Illyricum Sacrum”, sipas së cilës Shën Pali themeloi në Durrës në v.56 bashkësinë e parë me të krishterë dhe Kishën e saj. Dhe, pikërisht aty, në Durrës –  ku ishte bërë në fushën e saj edhe përplasja historike Cezar-Pompe për fatet e botës pas kalimit të Rubicon-it dhe zbarkimit të Cezarit në gjirin e Palasës sonë –, po aty, në Dyrrahiumin historik, Shën Pali shkroi Letrën e famshme kanonike drejtuar romakëve. Nuk mungon me këtë rast, dhe me të drejtë, propozimi i prof. Th. Gjikës, me shumë largpamje dhe ndjenjë krenarie kombëtare që të ngrihet shi në Durrës përmendorja e Shën Palit duke shkruar këtë letër kanonike. E mbështesim fuqimisht këtë propozim të tij me besimin se së shpejti koha do ta bëjë realitet.

Udhëtimi i tretë misionar (UM3) dhe Udhëtimi i katërt misionar (UM4) i Shën Palit në trevat shqiptare përbëjnë kështu objekt studimi të hollësishëm për Prof. Gjikën, i cili, pasi parashtron tërë toponiminë me emrin e Shën Palit në trevat shqiptare, propozon edhe korrigjimet e tij të nevojshme të hartave zyrtare UM3 për lëvizjet e Shën Palit në këto treva shqiptare, si dhe kohëzgjatjen e këtyre udhëtimeve në vitet  52-57 (f. 92). Po ashtu, edhe për UM4, prof. Gjika nxjerr në pah sërish lëvizjet e Apostullit Pal në trevat iliro-shqiptare, gjithnjë duke pasur për bazë qytet-portin e Durrësit dhe rrugën Egnantia gjatë periudhës mars 62 – qershor 63. Dhe e jep me përpikmëri tërë këtë udhëtim: Romë – Puteoli – Brindisi – Durrës – Nikopol – Lasca – Cezara – Milet – Peloponez, etj dhe përsëri kthimin nga qyteti i Durrësit (f. 114-115).

Është e njohur se kryesisht gjatë shekullit XIX, studiues dhe dijetarë të huaj ishin të parët që trajtuan shkencërisht të dhënat historiko-gjuhësore për Shqipërinë dhe shqiptarët, sikurse ndodh edhe me këtë të dhënë të akademistit francez Jacques Bourcart (1891-1965) për udhëtimin e Shën Palit në Shqipëri tek nënvizon: “Shën Pali e predikoi atë (kristianizmin) mbi kodrën e Dyrrahut” (sipas librit F.Andrea, Pena të arta franceze për shqiptarët, f. 509-516). E megjithatë, baza e shkencave albanologjike do fillonte mrekullisht me kontributin e figurave të ndritura të Rilindjes shqiptare dhe do themelohej shkencërisht në mesin e shekullit XX, kur do të ishin tanimë dijetarët shqiptarë, historianë, arkeologë, gjuhëtarë, etj. që do të thoshin me vendosmëri e vërtetësi dokumentare fjalën e tyre shkencore që frymëzon sot dijetarët e huaj për thellime të mëtejshme në shkencat albanologjike. Dhe në këtë mes, prof. Thanas Gjika, me kompetencë studiuesi serioz flet bukurisht e ndërkombëtarisht, për të na e sjellë figurën e Shën Palit tepër njerëzor dhe tepër përkushtues për kauzën e tij të shenjtë apostolike. E paraqet këtë figurë me dashuri, vërtetësi, me tërë cilësitë e larta njerëzore e mbinjerëzore (misionare e hyjnore), duke parashtruar të dhëna të reja, saktësime e korrigjime, me frymë novatore, përtej çdo ndjenje inferioriteti, kur popuj të vegjël kanë nxjerrë dhe nxjerrin përherë figura të ndritura historike si Nënë Tereza, shenjëtorja shqiptare. 

Por, që të studiuesit shqiptarë të flasin sot ndërkombëtarisht dhe në mënyrë dinjitoze në tërë fushat e albanologjisë, e sidomos në këtë fushë të shpirtërores supreme, siç bën prof. Gjika me librat e tij, lypset para së gjithash e mbi të gjitha një strategji e tërë kombëtare për punë të mirëfilltë përkthimore të veprave madhore albanologjike. E më tej me revista shkencore dhe deri te dokumentarë shkencorë. Lypset popullarizimi i figurave dhe vendeve historike shqiptare me tabela e shënjues në gjuhë të huaja, me lapidare e përmendore, me tregues historikë e katalogë, si dhe me punë të vijueshme krijuese nga autorët dhe artistët shqiptarë, nga piktorët e skulptorët tanë të talentuar. 

Shqipëria po hapet përherë e më shumë për vizitorin dhe turisitin e huaj, Shqipëria ka se çfarë t’i tregojë denjësisht njerëzimit pasuritë e veta historiko-kulturore, traditat e saj të famshme në mikëpritje dhe dashuri të shenjtë njerëzore. Dhe këtë dashuri të shenjtë për figurën e Shën Palit dhe misionin e tij historik e shpreh fuqimisht libri më i ri i prof. Thanas L. Gjikës « Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re ». 

Duke përshëndetur daljen në dritë të kësaj vepre të re, po sjellim në vëmendje të lexuesit një hartë të vitit 1886 nga gjeografi dhe kartografi i njohur gjerman Richardf Andrée që shfaq bukurisht nisjen e udhëtimit të Shën Palit pikërisht nga Durrësi ynë historik, siç e vërteton po ashtu edhe një hartë tjetër e dytë që paraqet të plota katër udhëtimet e famshme misionare të Shën Palit për të realizuar shërbimin e tij të shenjtë të përhapjes së Krishtërimit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Fotaq Andrea, Thanas Gjika

Kampionati i Parë i Shahut…

September 4, 2022 by s p

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skendërbej” Inc/

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skendërbej” Inc., organizoi kampionatin e parë të shahut në 3 Shtator, 2022. Ai u zhvillua në parkun qëndror të qytetit të New Yorkut , në Manhattan, i njohur si Central Park. Ky vend mjaft i njohur, çlodhës dhe argëtues për njerëzit, është shumë i frekuentuar jo vetëm nga residentët e qytetit të New Yorkut por edhe të shtetëve të tjera të Amerikës dhe gjithë botës. Hapësira e këtij parku shtrihet midis rrugëve 59 dhe 110. Ajo ka një sipërfaqe prej 340 hektarësh. Central Park, u hap për herë të parë në dimrin e vitit 1859. Kënetat e dikurshme të saj, u zëvendësuan me liqene të bukura ku edhe sot, njerëzit ulen përpara tyre për të festuar ceremoni dhe festa të bukura familjare. Në vitin 2021, parku u vizitua nga 41 milion njerëz. Ai sot është një ndër parqet më të famshme te botes dhe numerohen rreth 240 filma artistik apo zhanreve te ndryshme, të xhiruar ne hapësirat e tij. Parku ofron gjithashtu skulptura, kënde lojërash, shtigje për ecje, rrugë për vrapime, koncerte, filma në natyrë, programe edukative dhe turne udhërrëfyese. Ai krijon mundësi rigjenerimi e çlodhje për të gjithë ata që e vizitojnë.

Kryesia e shoqatës vendosi ta zhvillojë këtë aktivitet në një nga hapësirat e shumta të parkut. Klubi i shahistëve të shoqatës është krijuar me inisiativën e z. Genti Veshi, njëkohësisht anëtar aktiv i shoqatës. Ai u mbështet fuqimisht nga kryesia për ta aktivizuar sa më shpejt këtë grup. Kur njerëzit mendojnë për konkurencë në sport zakonisht mendja të shkon tek aktiviteti fizik. Por në sportin e shahut ndodh tepër ndryshe, loja zhvillohet heshturazi dhe me aktivitet të lartë mendor. Shumë grupmosha iu afruan kësaj nismë. Në aktivitet morën pjesë kryetari i shoqatës z. Imer Laçaj, kryetari i nderit të shoqatës z. Bashkim Shehu, Ish kryetari i shoqatës z. Mark Qehaja, anëtarja e kryesise zonja Arta Xhaferri, veterani i komunitetit shqiptar dhe dashamirës i sportit të shahut zoti Baudin Sela, anëtare të shoqatës me familjet e tyre dhe te ftuar.

Drejtuesit e aktivitetit z. Genti Veshi dhe z. Elton Xhaferri, hodhën shortin e takimeve për ndarjen e lojtarëve në grupe. Grupmoshat e lojtarëve varionin nga 9 deri në 70 vjec. Distanca kohore e cdo lojë ishte 10 -20 minuta. Gjatë zhvillimit të ndeshjeve shumë kalimtarë ndalonin për të parë me nga afër lojën dhe tregonin interesim për aktivitetin. Në këtë kampionat,spikati talenti i 9 vjeçarit Enzo Rustani, i cili fitoi disa ndeshje por nuk arriti të kualifikohet në finale. I urojmë atij suksese të mëtejshme per pasion e zellshem, ne sportin e shahut. Ndeshjet e tjera ishin në përgjithesi shumë të qeta dhe lojtarët ishin tepër të koncentruar në lojën e tyre ne lëvizjet e gurëve të shahut, duke pretenduar per te fituar kampionatin e pare. Vlerësimi i lojës së tyre ishte në maksimum.

Në finale dolën, z. Elton Xhaferri dhe z. Klajdi Rrasa. Fitues i kampionatit u shpall z. Elton Xhaferri, që mori edhe shpërblimin prej 100 dollarësh i akorduar nga kryesia e shoqatës. Vendin e dytë e zuri z.Klajdi Rrasa të cilit iu dhurua një kuti shahu nga kryetari i shoqatës z. Imer Laçaj.

Krahas zhvillimit të kampionatit, në ambjentet e mjaftueshme të parkut u zhvilluan biseda shoqërore, lojëra volejbolli apo vallëzime me muzikë të bukur shqiptare.

Në fund të aktivitetit kryetari i shoqatës z. Imer Laçaj falenderoi pjesëmarrësit duke theksuar se aktivitete të tilla i shërbejnë jo vetëm shoqatës por gjithë komunitetit shqiptar në përgjithësi. Në vazhdim , pjesëmarrësit u mblodhën në një nga lokalet e Manhattanit, ku mori pjesë edhe poetja nga Shqipëria zonja Alma Jaku e shoqëruar nga n/kryetari i shoqates z. Lekë Preçi, qe iu bashkua shoqatës mbas një aktiviteti tjeter tek Federata Panshqipëtare Vatra.

Znj. Alma, shprehu admirimin e saj për keto aktivitete dëfryese, cilësore dhe sportive. Poetja, qe i përket brezit të ri të poezise shqiptare ka fituar disa çmime letrare. Ajo promovoi dy librat e saj poetik me titujt “Globi mbi gishtërinj” dhe “Rropamë Ndjenjash”. Një kopje të këtyre librave ia dhuroj edhe shoqatës. Kryetari i shoqates z. Imer Laçaj e falenderoi poeten për dhuratën dhe i uroi suksese te mëtejshme në rrugën e saj letrare.

Aktivitete të tjera do të vijojnë gjatë vitit në vazhdimesi. Suksese te metejshme!

3 Shtator 2022, New York

Filed Under: Komunitet

ITHKSH dërgoi në Selanik jehonën e hapave të Gonxhe Bojaxhiut nga Çarshia e Vjetër e Shkupit

September 4, 2022 by s p

Periudha e fëmijërisë së Gonxhes kaloi në një ambient ku u bashkëdyzuan kulturat dhe traditat dhe ajo duke shkelur kalldërmin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, barti me vete atmoferën e një kulture me diversitet fetar, etnik e gjuhësor, nënvizoi prof. dr. SkenderAsani, drejtor i ITSHKSH. Selanik, 04 shtator – Dita e gjashtë e Manifestimit tradicional kulturor-shkencor DRITA E GONXHËS dje u mbajt në Selanik në Kishën katolike të këtij qyteti. Komuniteti shqiptar i Selanikut me kryetarin Dr. Luan Zyka, si nikoqir të këtij aktiviteti kishin mbledhur një numër të madh emigrantësh, të cilët erdhën që të ndjekin prezantimin e veprimtarisë hulumtuese e botuese të Departamerntit përt trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze pranë ITSHKH-së. Ky takim me shqiptarët e Selanikut kaloi në një atmosferë impresionuese, si meritë e organizatorëve, por edhe mysafirëve nga Shkupi, ku u përçuan mesazhe dashurie, mirëkuptimi e shprese për të ardhmen.

Ishte figura e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze që bashkëdyzoi anën pëmbajtëore dhe solemne të kësaj ngjarje, ku shquhej përkushtimi i përbashkët për një koordinim institucional në mes të ITHSKH dhe Komunitetit shqiptar në elanik, me theks të posaçëm gjetja e pikëtakimeve në organizimin e jetës kulturore e atdhetare, si imperativ i integrimeve rajonale, ku edhe shqiptarët duhet të kenë pjesën e vet të përfitimeve, por edhe të përgjegjësive.

Duke e pa si të domosdoshme nevojën për një integrim të tillë, Dr. Luan Zyka, kryetar i Komunitetit Shqiptar në Selanik vlerësoi lartë punën e ITSHKSH në senzibilizimin e çështjeve me interes të përbashkët kulturor e patriotik të shqiptarëve, por edhe të tjerëve. Ai faleminderoi drejtorin e ITHKH, prof.dr. Skender Asanin, për gatishmërinë e treguar drejt një bashkëpunimi institucional, i cili tash më veç po fillon me ditët kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Tereze në kuadër të manifetimit DRITA E GONXHËS. Ai premtoi se Selaniku edhe në të ardhmen do të jetë mikëpritës i aktiviteteve të ngjashëm, kurse Komuniteti që drejton ai do të jetë epiqendra e zhvillimeve kulturore në këtë qytet helen.

ITSHKSH po e zgjeron fushëveprimine vet edhe duke u hapur ndaj publikut të gjerë, qoftë brenda, apo jashtë kufinjve shtetërorë. Me një synim të tillë u zhvillua edhe ky aktivitet në Selanik, tha drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, i cili faleminderoi drejtuesit e Kishës katolike të këtij qyteti si dhe nikoqirin dhe organizatorin Dr. Luan Zykën.

Duke qenë si shkas figura e Nënës Tereze që mblodhi dhjetra emigrant të Selanikut, Dr. Asani, shpalosi disa detaje interesante që ndërlidhen me këtë figurë, pasi që, sipas tij bota tash më ka njohuri të mjaftueshme mbi portretin moral, e njerëzor të nobeliste sonë, por fare pak dijhet për Gonxhen e Shkupit, që doli nga dera e Bojaxhinjve bujar, tha Asani. Periudha e fëmijërisë së Gonxhes kaloi në një ambient ku u bashkëdyzuan kulturat dhe traditat dhe ajo duke shkelur kalldërmin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, barti me vete atmoferën e një kulture me diversitet fetar, etnik e gjuhësor, nënvizoi Asani.

“Ne duhet shumë më shumë të bëjmë që Gonxhe Bojaxhiu të njihet edhe më tepër në botë, sepse ajo është e jona, kurse Nëna Tereze është e gjithë botës mbarë. Për këtë qëllim është themeluar edhe Departamenti që mban emrin e saj e që ka për synim ngritjen e në një nivel më dinjitoz gjithë vëmendjen shkencore e kulturore për Gonxhe Bojaxhiun- Nënën Tereze, figura e së cilës së shpejti do të shpallet aset shtetëror i mbrojtur me ligj, ide kjo e inicuar nga ITSHKSH dhe e elaboruar nhga njohëit më të mirë të jetë dhe veprë së Nënës Tereze”, u shpreh prof.dr. Skender Asani.

KJo mbrëmje që po na bashkon sonte, nuk do të mund të ishte madhëhtore pa kontributin e Komunutetit shqiptar në Selanik, në krye me Luan Zykën, një intelektual dhe veprimtar i devotshëm, të cilin po e pate mik, je me shumë fat, tha studiuei dhe bashkëpunëtori i Jashtëm i ITSHKSH, Mehmet Prishtina. Pasi foli për Selanikun si një qytet heterogjen me diversitet kulturashe traditash, Mehmet Prishtina, nënvizoi se ky qytet helen, siç po e shohim edhe tani, u bë një vendpritës i mijëra emigrantëve shqiptarë, të cilët aty gjetën perspektivë, si në aspektin e mbijetesës sociale, por edhe në aspketin e zhvillimi të karrierave profesionale. Dëshmi për këtë është edhe hapja e shkollës për mësimin e gjuhës shqipe, e cila për gjeneratat e reja po bëhet një fanar që ndriçon udhën e Dhaskal Thodrit në misionin e shenjtë të shkronjave shqipe.

Një mirënjohje e thellë për këtë organizim të sontëm shkon për Komnunitetin hqiptar në Selanik në krye me Luan Zykën, por edhe për krerët e Kishës Katolike, të cilët hapën dyert dhe zemrat për karvanin tonë nga Shkupi, i cili udhëtimin e vet po e vazhdon në kërkim të unitetit dhe mirëkuptimit ndërvëllazëror e ndërnjerëzor, vuri në dukej Mehmet Prishtina.

E veçanta e këtij eventi ishte pjesëmarrja e Bashkësisë së motrave të N. Tereze të Selanikut, posaçërisht e motrës Lysia, ish sekretare e Nenes Tereze e cila kishte ardhur enkas nga Kalkuta, për të sjellur copëza kujtimesh nga vitet e kaluara bashkë me Nenën Tereze, e cila ka jetuar me Nënën Tereze për vite të tëra. Ajo zgjoi emocione tek të pranishmit me rrëfimet e saj autentike, duke transmetuar fjalët e Nënë Tereze e cila vazhdimisht u ka thënë se “ e kam në zemër popullin tim shqiptar”.

Nga Bashkësia e motrave të Nënës Tereze të Selanikut foli edhe motra Maximiliana, e cila rrëfeu për përvojën e saj në rrugëtimin e që ajo dhe motrat tjera patën në disa vende të Ballkanit ku u nderua dhe vlerësua figura e Nënës Tereze.

Ky prezantim i ITSHKSH në Selanik pati edhe dimensionin solemn dhe artistik. Këtë pjesë e bëri më interesante paraqitja e disa arttisëve shqiptar me banim në Selanik, por befasia e mbrëmjes ishte performansa e artistes së muzikës klasike, Anila Tërshana, këngëtare e Operës së Selanikut, e cila enkas për këtë rast këndoi disa arie, përfshi edhe këngën “Lamtumirë”, me tekst të Nënës Tereze.

Komuniteti shqiptar i Selanikut në fund ndau mirënjohje për Prof.Dr. Skender Asanin dhe për Mehemt Prishtinën, duke e shpallur këtë të fundit anëtar nderi të Komunitetit Shqiptar të Selanikut.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2078
  • 2079
  • 2080
  • 2081
  • 2082
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT