• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AMERIKA PËR NËNË TEREZËN – RASTËSI APO DORA E ZOTIT NË VEPRIM “PREJ SOT JE BIJË E AMERIKËS”

September 4, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence
See the source image

“Me gjak, unë jam shqiptare…”

Javën që kaloi filloi periudha, gjatë së cilës, jo vetëm bota shqiptare, por e mbarë bota, kujton më intensivisht jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës.  Murgesha shqiptare me famë botërore, ka lindur më 26 gusht, 1910 dhe ka ndërruar jetë më 5 shtator, 1997. Këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ky vit ka shënuar një numër veprimtarishë kulturore dhe fetare kushtuar Shënjtëreshës shqiptare, Nënë Terezës, në 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim, (5 Shtator, 1997), që festohet edhe si Dita kushtuar Shën Nënë Terezës.  Deri më tani, komuniteti shqiptaro-amerikan ka organizuar një numër veprimtarishë në kujtim të Nënë Terezës.  Disa prej të cilave jam munduar, modestësisht, t’i pasqyroj për lexuesit gjatë muajve të kaluar, si për shembull, Nga Frank Shkreli/ Aktivitete kushtuar Shën Nënë Terezës,“dashuri më të madhe nuk ka” | Gazeta Telegraf Komuniteti shqiptaro-amerikan, pa dallim feje a krahine, sa ishte gjallë Shënjtëresha shqiptare, por edhe në tani, vazhdon ta kujtojë ndërsa ruan një respekt të veçant për Nënë Terezen. Gjatë dekadave të shekullit të kaluar, ajo vizitonte shpesh motrat e saja në Nju Jork, në Washington, por dhe bënte shpesh vizita edhe komunitetin tonë këtu. 

Por, jo vetëm komuniteti shqiptaro-amerikan kishte lidhje të ngushta, dashuri dhe respekt, pa kushte, për veprimtarinë në shërbim të varfërve në botë dhe për personin e Nenë Terezës gjatë afër 50-viteve të fundit të shekullit të kaluar.  Në të vërtetë – dukej sikur e mbarë Amerika – pa dallim feje dhe pa dallime politike — ishte në dashuri me këtë murgeshë shqiptare, me trup të vogël, por me shpirt dhe zemër të madhe – e cila i kishte caktuar vetes misionin e jetës së saj për t’u kujdesur për “më të varfërit e të varfërve në botë.”  Kjo dashuri e Amerikës me Nënë Terezën kishte filluar në vitin 1960 – që shënon vizitën e parë të saj në Shtetet e Bashkuara. Vizita e parë e Nenë Terëzës në Amerikë është e datës 7

Nëntor, 1960, kur Nënë Tereza kishte ardhur në Nju Jork të takohej me udhëheqësen e “Motrave të Misionit Mjekësor” (Medical Missions Sisters”, Anna Dengel. Këtë të dhenë e mësova nga një faturë e hotelit ku kishte qëndruar Nenë Tereza, në Nju Jork. 7 Nëntori 1960 ka qenë — rastësisht ose jo – edhe dita e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, kur votuesit amerikanë, për herë të parë në historinë e SHBA-ave, kanë zgjedhur presidentin e parë katolik, Xhon F. Kenedi.

Mother Teresa signature in Leo House Guestbook

Vizita e parë e Nenë Terezës në Amerikë – 7 Nëntor, 1960—Fatura e Hotelit

Për më tepër, mësova gjithashtu nga libri i shoqërueses së Nenë Terezës dhe autores së librit të saj kushtuar murgeshës shqiptare, “Such A Vision of the Street”, Zonjës Eileen Egan se vizita e Nenë Terezës në Amerikë, shënonte herën e parë që ajo po largohej nga India për një vizitë jasht vendit, që nga Janari i vitit 1929.   Nënë Tereza pra, kishte zgjedhur që vizitën e parë jashtë Indisë t’a bënte në Amerikë.  Sipas autores, Eileen Egan, Nënë Tereza e ka filluar vizitën e saj të parë në Shtetet e Bashkuara në qytetin Las vegas, në përgjigje të një ftese për të marrë pjesë në Kuvendin vjetor të Këshillit Kombëtar të Grave Katolike, në atë qytet.  Gjatë asaj vizite, Nënë Tereza vizitoi gjithashtu edhe qytetin Peoria të shtetit Illinois, Washingtonin dhe Nju Jork-un.  

NENË TEREZA SHKON NË WASHINGTON 

Kështu, pra filloi një marrëdhënie dashurie e Shteteve të Bashkuara me murgeshën shqiptare, Nenë Terezen – jo vetëm me popullin amerikan të të gjitha shtresave dhe etnive, por dhe me përfaqsuesit më të lartë të politikës amerikane, për më shumë se një gjysëm shekulli.

Shën Tereza e Kalkutës, e njohur në jetë si Nënë Tereza, ka vizituar Shtetet e Bashkuara disa herë, zakonisht për të hapur shtëpi të reja të rendit të saj, Misionaret e Bamirësisë. Por, ajo ka vizituar edhe për raste të tjera, kur ka folur për detyrën që kemi të gjithë ndaj të tjerëve — për të ndihmuar njëri – tjetrin.  Ajo ka vizituar herë të tjera e ftuar nga entet më të larta politike dhe fetare të këtij vendi për takime me të dhevendit për të marrë prej tyre çmime dhe dekorata për puën e saj dhe të urdhri të , në shërbim të varfërve anë e mbanë botës.  Ndikimi i veprës së Nenë Terezes njihej tanimë, jo vetëm në Kalkuta të Indisë, por edhe anë e mbanë botës, e sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, ndërsa mori hov gjatë dekadave pas vizitës së saj të parë në Amerikë, në nëntor të vitit 1960. 

Amerikanët e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë gjithnjë veprën dhe personin — Gonxhen e shqiptarëve dhe shën Nënë Terezën e Amerikës dhe të botës. Ajo ishte shpallur Qytetare Nderi e SHBA, një titull i dhënë Nenë Terezës shumë vite më parë nga Presidenti republikan Ronald Reagan. Presidenti Reagan e adhuronte shumë Nenë Terezën për punën e saj në shërbim të të varfërve amerikanë dhe botës.  Gjatë viteve, pas vizitës së parë në Amerikë në vitin 1960 — ajo ka vizituar shpesh Shtetet e bashkuara dhe është takuar më personalitetet më të larta të fushës politike, kishtare, dhe përfaqësues, pothuaj, të gjitha shtresave të shqoiërisë amerikane, pa dallim.  Përveç Presidentit Reagan, Nënë Tereza është takuar edhe me Presidentin Xhorxh H. Bush i vjetër dhe me Presidentin Bill Clinton, por edhe me udhëheqsit më të lartë të Kongresit amerikan të dy partive politike kryesore të Amerikës dhe me përfaqsues vendorë dhe shtetërorë, anë e mbanë Amerikës. 

Siç shihet edhe nga takimet e tyre, Nenë Tereza kishte një marrëdhënie të ngushtë me Presidentin republikan, Ronald Reagan, në krahasim me të tjerët. Me Presidentin Bush të vjetër kishte marrëdhënie korrekte, ashtu edhe me Presidentin Bill Clinton, megjithëse Nenë Tereza nuk ngurronte të kritikonte politikat pro-abortit të administratës së Z. Clinton.

Megjithë ndonjë kundërshtim ndaj qendrimit të Nenë Terezës kundër abortit, respekti dhe mirënjohja amerikane për këtë bijë të Kombit shqiptar ishte e gjithanëshme dhe e pa dyshimtë.  Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar Nenë Terezën me medaljet dhe titujt më të lartë që Amerika rezervon për personalitetet më të njohura dhe më të merituara, për kontributet e tyre ndaj këtij vendi dhe në botën mbarë:  

Më 1985 presidenti Ronald Reagan ka nderuar Nenë Terezën me Medaljen Presidenciale të Lirisë.  Nëna Tereza është ndër personalitetet e rralla – amerikane dhe botërore — të cilës në vitin 1996, presidenti Bill Clinton i dha titullin Qytetar Nderi i Amerikës.  Në vitin 1997, Kongresi Amerikan ka nderuar Nënë Terezën me Medaljen e Artë.   Pasi Kongesi amerikan nderoi atë me medaljen e Artë, Posta Amerikane më 2010 nxori pullë postale me portretin e Nënës Terezë, një tjetër nder prej shumë vlerësimeve që i janë berë asaj nga ente të ndryshsme amerikane qeveritare dhe private, anë e mbanë këtij shteti planet. Është e vështirë të thuhet se cila ishte përmbajtja e vërtetë e bisedimeve kokë-më kokë të Nenë Terezës me udhëheqsit më të lartë politikë amerikanë, përfshirë presidentët e këtij vendi dhe ata botërorë, por sipas Dr. Lush Gjergjit, i cili e ka shoqërurar shpesh Nenë Terezën në udhëtimet e saja anë e mbanë botës, ka shkruar se ajo e kujtonte gjithmonë popullin e vet.  Nëna Tereze na ka përcjellë vazhdimisht me uratën e saj – dhe ajo, duke filluar nga Papa, prej Sekretarit të Përgjithëshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kryetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo kudo në botë, porosia e saj drejtuar udhëheqsve më të lartë amerikanë dhe botërorë, ishte: “Ju duhet të bëni diçka për t’a shpëtuar popullin tem shqiptar, e në veçanti Kosovën”, ka shkruar Dom Lush Gjergji, biografi autor i 25 librave mbi jetën dhe veprimtarinë e Shën Nënë Terezës. 

See the source image

Presidenti Ronald Reagan në Shtëpinë e Bardhë – Qershor, 1985 duke i dorëzuar Nenë Terezës “Medaljen Presidenciale të Lirisë. Presidenti Reagan: “Nenë Tereza është një heroinë e kohëve tona. Kështuqë, përveç shumë nderimeve dhe dekoratave që i janë dhënë asaj, përfshir Çmimin Niobel për Paqë — me dashuri të madhe dhe me respekt të pafund, i dorëzojmë Nenë Terezës, Medaljen Presidenciale të Lirisë.”   

Nenë Tereza: “Unë nuk jam e denjë e kësaj dhurate fisnike nga Presidenti ynë, nga bashkshortja e tij dhe nga populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por unë e pranoj për glorifikimin më të madh të Zotit dhe në emër të miliona njerëzëve të varfër…”. 

Z. Reagan ka thënë me atë rast se ndonëse kjo medalje tradicionalisht u jepet shtetasve amerikanë, Z. Reagan shpjegoi se në shenjë nderimi dhe admirimi të thellë për punën e saj, kjo dekoratë po akordohet Nënë Terezës, pasi “Shpirtmirësia në zemrat e disa individëve, i kapërcen të gjithë kufijtë kombëtar dhe tejkalon të gjitha konsideratat e vogla nacionaliste”, u shpreh ish-presidenti amerikan Regan, duke iu drejtuar Nënë Terezës.

Janë absolutisht të pazakonta marrëdhëniet që Presidenti Regan dhe bashkëshortja e tij Nancy – që konsideroheshin si ndër çiftet më aristokratë në Amerikë dhe ndoshta në botë – kishin vendosur me Nënë Terezën, përfaqësuesen dhe mbrojtësen e më të varfërve në botë.  Anë e mbanë botës, Nënë Tereza kishte takuar shumë udhëheqës politikë e fetarë. Por dalloheshin marrëdhëniet e saja me Presidentin Ronald Regan dhe me Papa Gjon Palin e dytë, sidomos gjatë dekadës së Luftës së Ftoftë të 1980-ve. Ishin këta të dy, protagonistët kryesorë të luftës kundër komunizmit, Presidenti Regan dhe Papa Gjon Pali i dytë, me të cilët dukej sikur Nënë Tereza kishte lidhje të ngushta me ta. 

Për Papën Gjon Palin e dytë, ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachov është shprehur se shembja e komunizmit do të kishte qenë e pamundur pa kontributin e Papa Gjon Palit të dytë. Ndërsa për Presidentin Regan, Nënë Tereza ka thënë: “Kur presidenti amerikan ishte plagosur në një atentat kundër tij, ajo ishte e bindur se shpëtimi i jetës së Presidentit Regan nga plagët që kishte marrë nga atentati”, në të vërtetë ishte “Një akt hyjnor”. 

                   A person shaking hands with a person

Description automatically generated with low confidence Nëna Tereze pritet nga Presidenti Reagan në Shtëpinë e Bardhë me 16 Dhjetor, 1985. Nenë Tereza i kishte sjellur Presidentit Reagan një dhuratë me rastin e Festës së Krishtlindjes. 

Më 9 dhjetor 1991, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, Washington, DC, Presidenti amerikan George H.W. Bush u takua me murgeshën shqiptare Gonxhe Bojaxhiun, alias Nënën Terezë (Shën Tereza e Kalkutës)   

                A picture containing person, outdoor, standing, people

Description automatically generated Ishte 11 Gushti, i vitit 1971 Nenë Tereza është takuar me një tjetër figurë dominuese të politikës amerikane gjatë dekadave të shekullit të kaluar, Senatorin Edward Kennedy në Kalkuta të Indisë, për të biseduar mbi problemet e refugjatëve. Teresa addresses Congress

A person in a turban speaking into a microphone

Description automatically generated with low confidence

Admirimi dhe respekti për Nenë Terezen tejkalonte oborrin e Shëpisë së Bardhë dhe mjediset e presidentëve të dy partive politike. Ky admirim shtrihej edhe tek Kongresi amerikan dhe në mbarë shoqërinë amerikane.  Në foto, 5 Qershori, 1997, Nënë Tereza falënderon udhëheqsit e Kongresit për nderimin që i kishin bërë duke ia akorduar asaj Medaljen e Artë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara – medalja më e lartë që jep Kongresi. 

                              A picture containing text, person

Description automatically generated Ishte 16 Nentori, 1996 — Nënë Tereza me deklaratën në dorë të nenshtetsisë së saj amerikane, nënshkruar nga Presidenti Bill Clinton me 1 Tetor, 1996

Unë besoj se — ishin vlerat amerikane ato që admironte Nenë Tereza dhe vlerat e Nenë Terezës që admironin amerikanët — arsyeja e kësaj lidhjeje të ngusht të Nenë Terezës dhe Amerikës.  Ishte 16 Nentori, 1996 — Nënë Tereza me deklaratën në dorë të nenshtetsisë së saj amerikane, nënshkruar nga Presidenti Bill Clinton me 1 Tetor, 1996.  “Të jesh një shtetas amerikan, do të thotë se ndajmë disa vlera themelore: Se ne kemi për detyrë t’i ndihmojmë të tjerët të jetojnë në lartësinë e premtimit të dhënë nga Perëndia. Se ne kemi përgjegjësinë për të ndërtuar dhe përforcuar lidhjet në komunitetin ku jetojmë, Se ne kemi detyrim të ofrojmë ndihmën ndaj atyre që nuk mund të ndihmojnë gjithmonë vet-veten”, ka shkruar Presidenti Clinton në shpalljen e Nenë Terezes, shtetase amerikane e nderit.  Me këtë masë, Nënë Tereza tashmë është një qytetare amerikane. Dokumenti i nënshtetsisë i është dorëzuar Nënë Terezës nga Ambasadori i atëherëshëm amerikan në Indi, Z. Frank G. Wisner – edhe ky një mik i vjetër i shqiptarëve, ç’prej fillimit të viteve 1950-ata e deri më sot.  Dorëzimin e dokumentit të shtetësisë amerikane të nderit nga Ambasadori Wisner, Nenë Tereza e ka cilësuar si një, “Dhuratë nga Perëndia. Kam drojë se nuk e meritoj atë”, është shprehur ajo për mediat në atë kohë. Ndërsa Ambasadori amerikan, Wisner e ka siguruar Nenë Terezës duke i thenë se: “Ç’prej sot, ti je bijë e Amerikës”. 

See the source image

Nënë Tereza nuk ngurronte t’i kritikonte as personalitet e larta të politikës amerikane. Në tubimin vjetor “The National Prayer Breakfast” në Washington, 5 Shkurt, 1994, në mbrojtje të parimeve të saja, Nëna Terezë u ngrit në këmbë para Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton dhe Zevendës-Presidentit, Al Gore dhe bashkshorteve të tyre si dhe 4000 personaliteteve pjesëmarrës në atë tubim – nga e gjithë bota – duke deklaruar se, “aborti është vrasje”.          

Edward Kennedy

Image result for president reagan, mother teresa , pope john paul ii images
See the source image

                                Koincidencë apo vullneti i Zotit në veprim?

See the source image
Paul VI meeting with Mother Theresa

Po kush është kjo bijë e Kombit Shqiptar e cila admirohej nga Papët e Romës dhe Presidentët e fuqive më të mëdha të botës, përfshir presidentët e Amerikës, të cilët kërkonin jo vetëm të takoheshin me të por donin edhe këshillat e saja? Lind pyetja se çka dinte kjo bijë shqiptare për këta burra të mëdhenj të shekullit 20-të dhe çfarë frymëzimi prisnin këta prej kësaj murgeshe të thjesht me origjinë shqiptare – kujdestarja e më të varfërve në botë – gjatë një periudhe historike dhe aq vendimtare për fatin, e jo vetëm Europës, por të mbarë njerëzimit?  Çfarë roli mund të kenë luajtur Presidenti Reagan dhe Papa Gjon Pali i II për realizimin e vizitës së parë të Nënë Terezës në Rusi, në Gusht të vitit 1987? Dhe a ishte ajo vizitë 5-ditëshe e Nenë Terezës në Rusi në përputhje me përpjekjet e Presidentit Reagan dhe të Papa Gjon Palit II për t’a tundur njëherë e mirë nga rrënjët komunizmin ruso-sovjetik?  Po cili ishte roli i udhëheqsit sovjetik, Mikhail Gorbachev – një protagonist tjetër i Luftës së Ftohtë, i cili meriton gjithashtu kredi për kontributin e tij historik në shembjen e komunizmit sovjetik, për realizmin e asaj vizite? 

                               See the source imageSipas të dhënave në media të asaj kohe, Raisa Gorbachev, bashkshortja e ndjerë e Mikhail Gorbachev, i cili ndërroi jetë këtë javë, ka lujtur rol vendimtar në përgatitjet e vizitës së Nenë Terezës në Moskë, në vitin 1987? 

Unë nuk besoj se sot për sot i dijmë të gjitha dimensionet e jetës dhe të veprimtarisë së Nënë Terezës, por as influencën që ajo mund të ketë ushtruar në takimet e saja me më të fuqishmit e botës, sidomos gjatë 1980-ave. Uroj që një ditë – me deklasifikimin e dokumenteve të fshehta të asaj kohe — të mësojmë më shumë, sidomos për trekëndshin e lidhjeve dhe të bashkpunimit – në kulmin e Luftës së Ftohtë – midis Presidentit amerikan Ronald Reagan, Papa Gjon Palit të II dhe Nënë Terezës.  A ishte kjo lidhje e rastësishme, apo ishte dora e Zotit në veprim!? “Unë jam vetëm një laps i vogël në duart e Zotit…”

No photo description available.

Në këtë 25-vjetor të shkuarjes në amshim të Nenë Terezës me mall kujtoj dhe si privilegj të madh e bekim të jetës time e konsideroj takimin me Nenë Terezën – një takim që mund të ndodh — nëqoftse dikush është me fat — vetëm njëherë në jetën e një njeriu. Autori me kolegun dhe mikun e ngusht të familjes, Dr. Elez Biberaj me familjet tona në vizitë me Nenë Terezen – në kryeqendrën e Motrave të Dashurisë të Nenë Terezës, në Washington DC.

Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: frank shkrlei

Askush i përjetshëm mbi këtë tokë…

September 4, 2022 by s p

Angjelina Nika/

Çfare dreq fati pata qe jetova nē kete kohe të tmerrshme për qëniet njerëzore në botën anembanë. Një tmerr për familjet dhe shoqëritë në ditët e sotme, jeta në pikatore ku: vëllai vret vëllanë, Nënën, Babanë, Motrën. Ku fëmijës i ndërpritet buzëqeshja nga përdhunimi. Ku mjerimi ulet këmbëkryq në vatrat e varfëra, ku njerëzit ikin pa kthim. Ku krimineli nderohet si hero. Ku artistit i humbet vlera, ku fjalës dashuri dhe sinqeritet i ka humbur rruga e logjikës dhe arsyes…O njerez vetëm një gjë mendoni: askush nuk është i pavdekshëm dhe i përjetshëm në këtë tokë.. kohë e antivlerave ngado. Njerëz antihumanë në pistën e garave pa pengesa. Shoqëritë dhe kombet e kanë të nevojshme rikthimin në boshtin e tyre të mbështetjes mbi parime të shenjta, moral të pastër, respekt të ligjit e qenieve e krijesave njerëzore. Njerëzit e dëmshëm dhe që bëjnë veç hije janë një rrezik për shoqërinë, kombin, historinë. Sot më shumë kurrë duhet rikthim të besimit te familja, te Zoti, te morali, te e drejta, te ligji.

Filed Under: Komente Tagged With: Angjelina Nika

SELANIKU NA BËN BASHKË!

September 4, 2022 by s p

Nga Mehmet PRISHTINA/

Jemi të nderuar që sonte jemi bashkë këtu në Kishën Katolike në Selanik, si mysafir të Komunitetit shqiptar të këtij qyteti.

Sonte i është bashkuar kësaj atmofere impozante edhe një delegacioin nga vendlindja e Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereze, nga Shkupi ynë, në krye me drejtorin e ITSHKSH, prof. dr. Skender Asani. Ata në Selanik po sjellin jehonën e një pune kolosale që po bëjnë në kuadër të projekteve hulumtuese, sidomos ato që kanë të bëjnë me trashëgiminë tonë shpirtërore dhe kulturore, ku bën pjesë edhe trashëgimia e familjeve katolike shqiptare, në mesin e të cilëve edhe ajo e Bojaxhinjve, prej nga doli Gonxhja jonë dhe Nënë Tereza e gjithë botës, e cila njerëzimit i fali modelin më unikat të përkushtimit ndaj Zotit dhe njeriut.

ITSHKSH në Selanik po vjen me DRITËN E GONXHËS për të sjellë sa më shumë dritë në komunikimin tonë ndërshqiptar, por edhe me popujt tjerë fqinj, me të cilët na ndan jo vetëm gjeografia e përbashkët, por edhe e ardhmja, e cila duhet të jetë e liruar nga mjegullat e së kaluarës.

KJo mbrëmje që po na bashkon sonte, nuk do të mund të ishte madhëhtore pa kontributin e Komunutetit shqiptar në Selanik, në krye me Luan Zykën, një intelektual dhe veprimtar i devotshëm, të cilin po e pate mik, je me shumë fat.

Një fat i tillë më ka ndjekur edhe mua, sepe miqësitë nuk janë krejt të ratësishme. Miqësitë ngjizen si një fryt që shijen e formojnë në bazë të kujdesit dhe respektit që tregojmë ndaj njëri tjetrit. Kjo u dëshmua edhe historikisht, atëherë kur Selaniku ofronte mikëpritje e ngrohtësi edhe për shqiptarët.

Si një metropoli heterogjen i popujve ballkanikë të cilët jetonin së bashku prej shekujsh, në Selanik edhe shqiptarët në fillim të shek. XX kanë zhvilluar aktivitetete politike dhe kulturore

Në këtë qytetet kanë pasur shtëpi të tyre shumë tregtarë nga Korça si dhe ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Prishtina, i cili u vra në 1933, po në këtë qytet. Në rrugën Vasilis Ollgas, ku ndodhet ende shtëpia – pallat e Hasan Prishtinës, pak metra më tutje janë dy shtëpi-vila të tregtarëve shqiptarë Mehmet dhe Ahmet Kapandzit.

Në vilën e Mehmet Kapandzi nga Gushti i vitit 1916 e deri nga fundi i vitit 1917 qëndroj Esat Pash Toptani i cili komandonte disa forca ushtarake shqiptare të cilët shërbenin në mbështetje të ushtrisë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore.

Në Selanik disa vite ka jetuar Ismail Qemali i cili u martua me një greke me emrin Kleoniki. Gjatë kohës së Kryengritjes së Turqve të rinj (Xhonturqve) në korrik-gusht tëvitit 1908, në Selanik kanë qëndruar Çerçiz Topulli, Bajo Topulli dhe Mihal Grameno.

Për pak muaj qëndroi në këtë qytet edhe mbreti Ahmet Zogu bashkë me shoqëruesit e tij pas largimit nga Shqipëria në 1939.

Me Selanikun lidhet edhe një ngjarje shumë e rëndësishme për grekët dhe Greqinë. Më 26 Tetor 1912, komandanti i atëhershëm turk me kombësi shqiptare gjenerali Hasan Tahsin Pasha ia dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut.

Hasan Tahsin Pasha pas i dhuroi Selanikun u largua në fillim për në Francë dhe më pas në Zvicër ku vdiq në vitin 1918 në Lozanë të Zvicrës.

Selaniku, siç po e shohim edhe tani, u bë një vendpritës i mijëra emigrantëve shqiptarë, të cilët në këtë qytet gjetën perspektivë, si në aspektin e mbijetesës sociale, por edhe në aspketin e zhvillimi të karrierave profesionale. Dëshmi për këtë është edhe hapja e shkollës për mësimin e gjuhës shqipe, e cila për gjeneratat e reja po bëhet një fanar që ndriçon udhën e Dhaskal Thodrit në misionin e shenjtë të shkronjave shqipe.

Një mirënjohje e thellë për këtë organizim të sontëm shkon për Komnunitetin hqiptar në Selanik në krye me Luan Zykën, por edhe për krerët e Kishës Katolike, të cilët hapën dyert dhe zemrat për karvanin tonë nga Shkupi, i cili udhëtimin e vet po e vazhdon në kërkim të unitetit dhe mirëkuptimit ndërvëllazëror e ndërnjerëzor.

U pafshim në organizime të tjera, me aktivitete e punë përbashkuese!

Selanik, 3 shtator 2022

Filed Under: Rajon Tagged With: Mehmet Prishtina

Rrëfim letrar i Malësisë së përtejme…në romanin e Fran Camajt: ”Biseda me gjyshin imagjinar”

September 4, 2022 by s p

Frano Kulli/

“Mund të duket e çuditëshme, por për romanet e Fran Camajt nuk mund të shkruhet me mjetet e letërsisë, pasi që ai, realisht në to shkroi historinë e malësisë përmes letërsisë”. I pajtuar përpjesëshëm me këtë qëmtim me të cilin e përmbyll parathënien e romanit “Bisedë me gjyshin imagjinar”, dr. Haxhi Shabani, u grisha t’i filloj shënimet e mia modeste për këtë libër të fundit të autorit Camaj, pikërisht me të. E vërteta është se romani në fjalë, sikurse edhe të tjera vepra të mëparëshme të Fran Camajt janë rrëfim letrar ngjarjesh pikante të jetës në malësi; një gërshet i thurur me to e që në fund të thurjes del bukur i gjatë në kohë; një shekull e diç më shumë. Dy skajet e saj janë gripi spanjoll, i cili, siç njihet e dihet ka ngjarë në fillim shekullin e njëzetë, e konkretisht nis në vitin 1918 dhe për tri vite mori me vehte rreth 100 milion njerëz e mbyllet me covid 19, “murtajen” tjetër që ende e kemi nëpër këmbë. Si frymë edhe do vite ma heret, qysh me 1913-ën, atëherë kur fuqitë e mëdha e lanë një pjesë të malësisë nën Malin e Zi. Këtë segment kohor të historisë, në të cilin ngërthehen e shtjellohen ngjarjet e romanit e përcakton në njëfarë mënyre edhe zgjedhja strukturore mbi të cilën autori e ka ndërtuar ngrehinën e vet; një strukturë që mbështetet mbi dialogun imagjinar të rrëfimtarit të kresë së vendit, Palit, me gjyshin e tij ardhur si prej mitesh , tashma vetë në moshen e gjyshit, kohëjeta tokësore e të cilit përkon me këtë kalendar. Kjo shtjellje e lëndës historike të librit si ndërkallje fantazmagorike me gjyshin imagjinar, po kështu i vjen në ndihmë autorit për ta trajtuar lëndën jetësore, historike, si lëndë artistike, romanore. Këtu më duket se tejkalohet ai filli ndarës midis një libri historik me fiction-in, çka dallon një libër historie nga një vepër të letërsisë artistike. Në këtë rast romani dhe , më duket se autori ia ka dalë. Përvoja e gjatë prej disa dekadash si gazetar e publicist, bashkëbiseda, intervista pra, si njëra prej zhandrreve klasike të publicistikës me dhjetra e dhjetra njerëz të gjallë, të moshave e gjinive të ndryshme, ushtrues të zejeve e profesioneve të ndryshme me tema e orientime të ndryshme e ka joshur vetvetishëm autorin e romanit tek përzgjedhja e një strukture si kjo e librit të tij. Porse këtu, bashkëbiseda si në ajrí nis e vijon ndërmjet një të gjalli të kësaj bote dhe një tjetri të botës së përtejme; ajo ndërlidh gjithashtu dy skaje kohësh të ndryshme siç është koha që ndan, të themi tre breza, tri gjenerata, kohëjeta ndërmjet nipit dhe gjyshit. Ndërsa rrjedha kryesore orientohet tek ajo çka fillon e ndodh dikund rreth viteve ’60 – ’70 , atëherë kur për Malësinë fillon emigrimi masiv drejt perëndimit. Nëpërmjet pyetjeve jo të shkurta të gjyshit, vijnë masandej përgjigjet e gjata të Palit, e kështu ngërthehet shtjella e rrëfimit përmes të cilit marrin udhë linjat kryesore të romanit.

Edhe përzgjedhja e dy momenteve tragjike për njerëzimin krejt, po sigurisht edhe për malësorët siç janë dy pandemitë jetëmarrëse, që ndajnë ndërmjet një shekull shërben si shtrati ku pushojnë mirë ngjarjet e romanit, që anojnë më fort nga drama e tragjikja. Fran Camaj, ndryshe prej plot autorëve dhe librave të tjerë që janë shkruar për Malësinë e mënjanon patetikën e rrëfimit për të; ai ka preferuar që për lexuesin e tij të sjellë Malësinë reale me dhuntitë piktorike që i ka falë zoti e natyra, por edhe me rreziqet sistematike që e kanë kërcënuar pa dá atë. Qysh prej ndarjes e copëtimit të saj, ku vijon e s’ndalet drama e epërme e malësorëve. Camaj, me finesë e mjeshtrí i “shmanget” hymnizimit të qëndresës së malësorëve, nuk ndalet veç te ajo, çka ka qenë me plot arsye subjekti i shumë e shumë veprave pararendëse historike e letrare, të autorëve malësorë po edhe të tjerëve autorë shqiptarë. Në romanin e tij, Camaj ndal më tepër se te historia, te e përditëshmja, jetesa, jeta e gjallë e malësorëve, bashkëkohësia e tyre, me virtytet e veset e njeriut (homo sapiensit) malësor. Virtytet e trashëguara po edhe veset e përftuara prej ashpërsisë që i ka diktuar e sotmja e tyre, në konceptin historik të saj, dominojnë krejt lëndën historiko-artistike të romanit. Fokusi i tij rrokullon gjysmëshekullin e fundit atje në malësi, qyshsekur , për rrethanat e diktuara sa përdhunshëm aq edhe në mënyrë të stërholluar, nis e shfaqet plaga e rëndë e mërgimit.

E epërme për nga epiciteti është linja e dashurisë e lidhjes së pafat të ” njeriut me mjekërr të thinjur “, Ilirit me Ajkunën, kushërinen e vet. Gjithë ajo çfarë ndodh me këtë lidhje krejt të pamëkat e të pafajshme, qysh prej zanafillës së saj e që rrokulliset si një tragjedi njerëzore e rregjistrave të lartë ndjesor, përcillet tek receptorët e lexuesit me të njëjtin rregjistër që autori e ka parashkruar. Largimi i djemve e i familjeve prej dheut të tyre, e hallakatja nëpër botë e ka shprishë familjen malësore aq sa ka ndërhy fatalisht në antropologjinë e njeriut malësor. Duke i imponuar atij zakone e sjellja të reja të përshtatura me perëndimin e jetën e tij të vrullëshme, duke mënjanuar ndërkohë e lanë mbas dore kodet e bukura të jetesës së malësisë. Por edhe ndarë e individualizuar atë, duke e bërë njeriun malësor më “metalik”, më të ftohtë. Sindrom, që po shfaqet thuajse njëlloj edhe në Shqipërinë e dy-tri dekadave të fundit… Kështu Pali “vetmisë i frigohej më shumë se vdekjes”, thotë diku ai. Deri këtu ishte shprishë pra jeta e malësorit sa ai i druhej vetmisë, një dukuri e shfaqje e paprovuar më parë, kur malësorët ishin mjaft më të lidhur , në të mira e në derte, sido vështirësive që vetë jeta në male paraqet. Sikurse linjë paralele e kësaj drame për té (Palin) është fakti i dhimbshëm se “ai motrat as i kishte njohur…” dhe kjo ka qenë plagë e randë fort që u shkaktua qyshse malësia u nda dysh me vijë kufitare ndërmjet dy shteteve.

Camaj nuk e idilizon as e idealizon malësorin; tek malësori i tij nuk shquan vetëm mirësia e bukuria fizike e shtatit e bukuria e shpirtit, dlirësia e butësia e tij shembëlltyrë në botën shqiptare për femrën, por edhe qëndresa e fortë në mbrojtje të dheut të vet. “Mielli asht dhezë (ndezë)” , thuhej në malësi, atëherë kur mielli ka ndejë për një kohë të gjatë në thes, ose petullat që qiteshin për natën e ditët e T’lidhunave, sikurse edhe në festat fetare katolike që luteshin e luten në malësi edhe sot e kësaj dite, shën Gjoni i Hotit, Zoja e Grudës, Sh’na Ndou me 13 qershor, gjithashtu etj. Virtytet dhe gjithçka është krijuar e lëmuar përmes tyre, traditat, doket e zakonet e lavdërueshme janë aty vetvetishëm. Por asesi si një perde për të mos tejkqyrë tek e murrmja a e zeza e veseve, shumica të përftuara atje përtej oqeanit. Vrasjet e pa shkak, që vijnë si pasojë e jetës së çthurur të disa të rijve në mërgatë, mbledhur përreth tymnajës së një lokali ku përzihen konsumi pa masë e kriter i pijeve alkolike e i drogës, ka qenë për vite me radhë e ligë shoqnore që e ka gërrye Malësinë dhe pikëllimi i autorit shpërfaqet i drejtëpërdrejtë dhe i pakompromis me ndërgjegjen e vet krijuese. Ai nuk ia fsheh vetvehtes e as lexuesit të vet plagën e rëndë që ka mahis krejt malësinë. Sikurse nuk fsheh, gjithashtu ardhjen në ato fillime të djelmoshave me vetura të shtrenjta fort në Malësi nga Amerika e largët, shpesh herë të marruna “uha”, vetëm e vetëm për t’u dukë të pasun para malësorëve të këtushëm. Ani pse kjo do të thoshte vite pune të shpenzuara e jo vetëm kaq. Dami më i madh, që autori veçon e thekson asht përshtypja e rrejshme se emigrimi asht veç thasë me pare e bollek, që për të tjerë të rinj prej malësie ishte një joshje e njellje për atje. E kështu vargu për andej nuk ndalej e Malësia boshatisej. Ashtu siç e kishte dashtë dhe e donte, madje ishte investuar me të gjitha format e mjetet pushteti jugosllav atëhere. Ky është thelbi i krejt bisedës së Palit me gjyshin imagjinar, çka në të vërtetë është thelbi i mesazhit, që autori don t’ia kumtojë lexuesit të vet, kohës dhe njerëzve të vet.

– I shihja malsorët që punonin edhe punë që askurrë nuk do të pranonin t’i bënin në Malësi e mendoja: po të punonin këtu në vendlindje sikurse punojnë në Amerikë athua do të kishin pasë nevojë të shkonin varg atje?…më kujtohet nji gjamatar i njohur në malësi – kujton Pali, mbas vizitës së parë atje – që në vajin për të vdekurin e përcillte me fjalë si këto: ule kryqin(kurrizin) e puno, se Amerikë e ke kudo…

Në malësi ekzistonte besimi se është mëkat të trazohen dallëndyshet ose t’u prishen çerdhet. Ata besonin se kjo ka lidhje me zojen e bekuar. dhe ky kumt i tij, në mënyrë të tërthortë është një thirrje shpirti për bashkëvëllezërit malësorë, që në shumicë e prej shumë kohe janë nisë rrugëve të shtegtimit, të mos u fashitet prej shpirtit ndjesia e të rikthyerit në folenë e vet. ashtu siç është rituali instinktiv i dallëndysheve…

Për këto e të tjera arsye si këto romani “Bisedë me gjyshin imagjinar”, vjen si një libër i mirëpritur, kurse autori edhe kësaj here një misionar pasionant e i paepur i kauzës së jetshkrimit së malësisë, ashtu siç ajo pulson në çdo ind të qenies së tij. E kanë thënë heret latinët “scripta manent, verba volant – e shkruara mbetet, fjalët fluturojnë” dhe unë besoj se an Camaj këtë urtí e ka e do ta ketë motivin e përhershëm të krijimtarisë së vet letrare e publicistike, në plotpërputhje me frymën e vet krijuese.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Frano Kulli

E Shënjta Nënë Tereza, ndër personalitetet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare

September 4, 2022 by s p

PhD Elmi Berisha/

Sot në këtë ditë të shënuar kur kujtojmë me pietet personalitetin më të shquar të kombit tonë, nënën e madhe të humanizmit, dashurisë e bamirësisë, misionaren dhe nobelisten, bijën e trungut dhe të gjakut tonë Shënjtën Nënë Tereze, nuk mund të mos përçojmë mesazhet gjithandej globit dhe të flasim të madhe dhe me krenari se jemi komb i privilegjuar dhe me fat që i dhamë njerëzimit një shënjtore e cila është fenomen i shënjtërisë, fisnikërisë, humanizmit e dashurisë dhe lidhje shpirtërore e udhrrëfyes i besimit në zot.

Shënjëtorja e trungut tonë vazhdon të jetë frymëzim, motivim dhe engjëll mbrojtës i njerëzimit dhe pa dilema ne si komb dhe personalisht besoj se besimi i jonë në zot dhe lidhja shpirtërore me Hyun na lidhë edhe më fuqishëm përmes shënjëtores sonë.

E Shënjta Nënë Tereza, është simbol i dashurisë dhe i përkushtimit ndaj njerëzimit (sidomos ndaj atyre që kishin më së shumti nevojë), por edhe ndaj Zotit. Ajo e lidhi përkushtimin ndaj njeriut me përkushtimin ndaj Hyjit, duke krijuar simbiozën e dashurisë së përhershme, të cilën ia dhuroi njerëzimit.

Për ne, si bashkëkombës të saj, Nënë Tereza paraqet jo vetëm simbolin e dashurisë, të paqes e humanizmit, por edhe një fat të madh historik, ngase në kohën e izolimit të madh e të mosnjohjes së madhe të vlerave e të traditave shqiptare, për shkak të vetizolimit komunist në Shqipëri, ose represionit etnik në Kosovë, ajo u shndërrua në simbolin tonë përfaqësues.

Duke e theksuar përkatësinë e saj etnike, vlerat e familjes e traditën e popullit të saj, si dhe duke e nënvizuar atdheun e saj, sikur e quante ajo, “të vogël, të quajtur Shqipni”, ajo e ktheu vëmendjen e botës kah një popull i vogël, por zemërgjerë e paqedashës në Ballkanin e përgjakur që i kanosej rrezikut të shfarosjes.

E Shënjta Nënë Tereza paraqet njërin ndër personalitet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, të cilin populli ynë ia fali njerëzimit. Ajo i shpalosi vlerat më të mira të popullit të saj: dashurinë për njerëzit, përvujtëninë dhe përkushtimin ndaj vlerave njerëzore.

Ne, bashkëkombësit e saj, jemi krenarë që kjo bijë jona ia shpalosi botës vlerat e kombit tonë dhe i shndërroi ato në vlera të njerëzimit.

Prandaj, në ditët sikur kjo, por edhe në secilën ditë të jetës sonë, ne duhet të mos reshtim së theksuari emrin e saj, mësimet e saj, personalitetin e saj të jashtëzakonshëm.

Si bashkëkombas të Shënjtës Nënë Tereza, simbolit më frymëzues të humanizmit, solidaritetit dhe misionit të pareshtur të përkujdesjes ndaj kujtdo që ka nevojë, nderimi më i madh që mund t’i bëjmë është të ndjekim dhe të veprojmë çdo ditë sipas shembullit të veprës së saj si dhe të besojmë në shënjtërinë e saj.

Ashtu siç na porosit: “Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Dashuria duhet të vendoset në veprim dhe ky veprim është shërbimi”.

May be an image of 1 person and standing

1,408

People reached

182

Engagements

+1.9x higher

Distribution score

Boost post

3131

2 comments

5 shares

Like

Comment

Share

Filed Under: Opinion Tagged With: Elmi Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2079
  • 2080
  • 2081
  • 2082
  • 2083
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT