• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letërsia e vjetër shqipe në vështrim të një konteksti tipik kulturor e socioletrar

August 30, 2022 by s p

Nga Evalda Paci/

Në një sprovë për të trajtuar aspekte të një konteksti që ndikoi pa dyshim dhe në zhvillimet e kulturës librore në gjuhën tonë e në funksion të një tematike të paracaktuar e të orientuar ndaj një përdorimi specialistik, vetë të dhënat nga veprat e letërsisë së vjetër shqipe na rrëfejnë mbi parapërgatitjen e autorëve, përpiluesve dhe marrëdhëniet e tyre me një hierarki vlerash e institucionesh, ndër të cilat jo pa rëndësi paraqiten ato të finalizimit për shtyp të përpilimeve përkatëse.

Për të tilla hallka që dëshmojnë dhe impaktin e një klime zhvillimi të rëndësishme për receptimin libror në shekujt XVI-XVII, por dhe më tej në kohë, do të flitet gjerësisht dhe në manualet e studimet tematike mbi shtypshkrimin në Evropë e në vise qendrore të përurimit të tij. Vetë tranzicioni nga një kulturë e manuskriptit në atë të shumëfishimit dhe realizimit të ekzemplarëve me anë të teknikave tipografike shënoi për një sërë rrethesh kulturore përfshirjen në hapa të rinj në leximin dhe përdorimin e librit kishtar dhe atij kulturor e me përkatësi ndaj letërsisë humaniste dhe klasike.

Për secilën prej veprave të letërsisë së vjetër shqipe mund të gjurmohen tipare të një periudhe që u karakterizua nga lakore e ndryshime të diktuara nga orientime që jo përherë qenë dalluar për koherencë në ecuri dhe përmbajtje, fakt që ka gjetur dhe më tepër konfirmim vitet e fundit falë hulumtimit në një dokumentacion të pasur e të sistemuar në vazhdë dhe më tej mbas përmbylljes së punimeve të Koncilit të Trentit (1545-1563).

Në pikëpamje modeli a modelesh, vetë libri i Gjon Buzukut shfaqet natyrshëm si përmbledhës i disa përpilimeve tipike, që dhe në vetë ndërtimin a destinacionin përkatës kanë qenë objekt trajtesash e vëzhgimesh në të njëjtat ndarje kohore që marrim në shqyrtim dhe në këtë trajtesë tonën. Për vetë ndërthurjen në një libër të vetëm të disa modeleve, studiuesit e teksteve kishtare e të filologjisë tekstore u janë referuar kësombllave që rezultojnë në struktura të ngjashme, por në përgjithësi të shkruara në gjuhën latine, gjurmët e së cilës gjinden në një mënyrë ose tjetër dhe në veprat e letërsisë sonë të shekujve XVI-XVII. Impakti latin apo lidhjet e drejtpërdrejta me ritin latin gjejnë hapësirë për t’u ripohuar përmes vetë analizimit të brendisë së këtyre veprave, që kurorëzohen dhe në një periudhë kohore që ngërthen në vetvete momente tipike, por dhe ndryshime pasuese të shoqëruara me risi apo hapa të matur në pikëpamje të reformimit të librit të liturgjisë dhe atij të kulturës kishtare.

Reformimi i librave kishtarë sigurisht do të përfshinte mesharët e librat e orëve, breviarët e do të përballej dhe me domosdoshmërinë e disponimit të një modeli katekistik të arrirë e të mirëmenduar. Përpjekjet përkatëse qenë të shumta e të dallueshme në varësi të pontifikateve dhe impaktit të rolit të selisë papnore, këmbënguljes së enteve kishtare të mbikëqyrjes së botimeve, emërtuar shpesh dhe nën siglën e censurës kishtare, mjaft e diskutuar për format që merrte e nën të cilat shfaqej hera-herës. Njohja dhe hulumtimi përkatës në një dokumentacion mjaft të ngjeshur, që përbëhet dhe nga burime të kohës, si dhe nga një kritikë komplekse mbi këto të fundit, orienton ndaj një realiteti që përbën domosdoshmëri faktike dhe në rasën e analizimit të rrethanave të konkretizimit të veprave të letërsisë së vjetër shqipe.

Në studimet tona për një kontekst të tillë është folur mjaft, duke u lënë të kuptohet dhe që nevoja e konsultimit të arkivave, fondeve librare në dioqeza, biblioteka private dhe të enteve të edukimit kolegjial do të mbetej një domosdoshmëri në kushte të përpilimit të studimeve më të thelluara mbi një kuadër të tillë që pa dyshim do të ngërthejë analiza të faktorit historik dhe atij kulturor.

Në vetë elementet tekstore të veprave të letërsisë sonë kishtare, asaj të shekujve që përkojnë dhe me zhvillimet e sipërcituara, do të mund të ndiqet një vetëdije e qartë nga ana e autorëve për gjithë kontekstin për të cilin flitet gjatë dhe në trajtesat mbi historinë e shtypshkrimit dhe vatrat e lulëzimit të tij në viset evropiane, pa dyshim dhe në ato të arealit italik, i përfshirë gjerësisht në zhvillime mjaft specifike, veçanërisht nëse bëhet fjalë për vepra të një rëndësie të posaçme për studimet humanistike dhe për formimin individual, mjaft i synuar dhe në qendrat universitare të asaj kohe. Hulumtimi në detaje në lidhje me nëntekstin e shënimeve, të saktësimeve që lidhen me editorët, stampatorët, botuesit e kohës, por dhe me autorë që siglohen në përbërje botimesh të caktuara, orienton ndaj marrëdhënieve e dinamikave në hierarkitë përkatëse, të cilat përmendeshin dhe në tekstet përmbyllëse apo dedikimet hyrëse të këtyre të fundit. Në këtë vështrim, vlen përherë të nënvizohet fakti që këto elemente tekstore që u përmendën pak më sipër, përveç një funksioni të qartë në lidhje me brendinë dhe përmbajtjen e veprës a të doracakëve të caktuar, ishin të paracaktuara të kishin dhe një rol konkretizimi të përshtatshmërisë së përpilimeve me kërkesat e kohës, gjë që dëshmohet dhe me vetë ndërtimin tekstor përkatës. Të tilla elemente, aq më tepër me daljen në dritë të indeksve të librave të ndaluar, për t’u rishikuar apo ndrequr në faza të mëtejme, citohen pikërisht nën këtë perspektivë, duke u cilësuar dhe për detajet a hollësitë informative që duhej të përmbanin.

Figurat që për periudha të caktuara përfaqësonin një hierarki të përcaktuar për nga rëndësia dhe kompetenca e mbikëqyrjes së botimeve kishtare, librave e libërthave që lidheshin me liturgjinë e me praktikimin e saj përmenden si të tilla dhe në veprat e letërsisë sonë të vjetër shqipe, në veçanti në përpilimet e Gjashtëqindës, në të cilat dhe vetë prania e këtyre hallkave dëshmohet qartësisht në tekste introduktive, në komponime që nuk janë gjë tjetër veç një shfaqje e njohjes nga ana e autorëve e një sërë skemash e modelesh për t’u ndjekur në rasë të finalizimit për shtyp të tyre.

Jo pak fakte e procedura kanë ndryshuar që nga viti 1555, më saktë me sprovat më të para për të pasur një indeks librash që do të përmbante dhe një sërë rregullash për t’u pasur parasysh nga autorët, mbikëqyrësit e botimeve apo editorët.

Autoritetet që janë të përfshira në këto procese nuk janë përherë të njëjta dhe më tej, me përmbylljen e Koncilit të Trentit, vetë tekstet e cituara më sipër do të mund të lejohen në momente të caktuara dhe në gjuhët e quajtura “vernakolare”. Në vazhdën e këtij të fundit do të bëhet fjalë për tekste konkrete dhe për vëllimet në të cilat do të gjinden të përfshira, ndërkohë që më tej do të vihet re se një reformim i domosdoshëm, por më i ndryshëm nga ç’konceptohej në proceset e vijimësisë së Koncilit do të pasohej nga rimarrje të reja përpilimesh, më të thjeshta në pamje të parë, por më të afërta me objektivat që do të synoheshin në kuadër të ungjillëzimit që ishte objektiv për t’u mbërritur dhe në vende të tjera, në veçanti në Ballkan dhe në viset lindore.

Teksti kanonik dhe përdorimi i tij në praktikën liturgjike në gjuhën latine do të trajtohet përherë me të njëjtin vështrim zyrtar dhe në dekadat që pasojnë përmbylljen e Koncilit Tridentin, po në rastin e letërsisë së vjetër shqipe mbetet përherë për t’u konsideruar një kontekst kompleks që përfaqësohet dhe nga një traditë preekzistuese e njohjes së tekstit liturgjik e atij himnodik dhe në gjuhët popullore, fakt që është dëshmuar gjerësisht në dokumente, por dhe në trajtesa studimore mbi të njëjtin argument. Kontekst mjaft i afërt dhe më i pasur në të dhëna mbetet ai dalmat, për të cilin flitet gjerësisht në studime të posaçme kushtuar të njëjtës tematikë e që lidhet drejtpërdrejt me traditën e përdorimit të tekstit liturgjik në praktika të devocionit, ashtu dhe në sprovat për të rindërtuar një historik të përveçëm të institucioneve fetare në të cilat edukimit të prelatëve të ardhshëm që do të shërbenin në trevat e Ballkanit u është kushtuar një vëmendje e veçantë.

Jemi të mendimit që zhvillimet që pasuan vitin 1555 janë reflektuar në doracakë më modestë në pamje të parë, por dëshmues të një periudhe që me gjithë luhatjet në vendime, dekrete e botime tematike, do të paraqitej shënuese dhe në proceset postridentine, të pasqyruara dhe në vendet e Ballkanit. Vetë vitet 1558-1559 janë të lidhura me zhvillime të rëndësishme në botën e librit kishtar, zhvillime që do të bëjnë që dhe në drejtim të doracakëve të doktrinës e të librave të lutjeve të ndërmerren hapa sa konkretë, aq dhe shënues të ndryshimeve që do të diferencojnë ndjeshëm realizimet në dekadat e para të Gjashtëqindës nga përpilime të Pesëqindës.

Dallimet mes veprave të letërsisë së vjetër shqipe duhen gjurmuar pikërisht në referim ndaj këtyre zhvillimeve, që nuk linin jashtë vëmendjes librat themelorë përmes të cilëve synohej edukimi ndaj liturgjisë. Nëse për destinacionin apo paracaktimin e librit të Gjon Buzukut është shtruar e parashtruar jo rrallë, në veçanti kohët e fundit që duhet të ishte i orientuar të përdorej për bashkësi besimtarësh që jetonin jashtë viseve arbërore, për veprat e tjera që e pasojnë në pikëpamje kronologjike është e mundur dhe nga tekstet introduktive, dedikatore apo përmbyllëse të krijohet një ide më e qartë në lidhje me premisat e përdorimit dhe destinatarët përkatës.

Spektri informativ gjithashtu nuk paraqitet i ndriçuar në të njëjtën shkallë për veprat e kësaj letërsie, emërtimi i së cilës vijon të jetë i aplikuar i njëjtë prej vitesh në manualet e veprat studimore të karakterit institucional në traditën e studimeve tona.

Mbart një hije misteri gjithsesi çështja e një tipografie akoma të pasaktësuar dhe e sqarimit të disponimit të të ashtuquajturave “privilegje të shtypit”, që në kohën kur mendohet të ketë dalë nga shtypi ekzemplari i Gjon Buzukut përbënin një konditë të domosdoshme në pikëpamje të finalizimit të objektivave të porositësve e njëkohësisht dhe të botuesve që gëzonin njëfarë stime e vlerësimi në rrethet përkatëse kulturore, administrative të asaj kohe. Referimi i vazhdueshëm i studiuesve të vetë përmbajtjes së tij, por dhe i kontekstit kulturor që ka të bëjë me të dhe me klimën favorizuese të botimeve kishtare me destinacion përdorimin në një praktikë thellësisht të përcaktuar ndaj modelesh të ngjashme, por jo krejtësisht të njëjta risjell në vëmendje çështjen e veçanësisë në ndërtim, përbërje dhe elemente të përmbajtjes, pa lënë mënjanë tipare të një kulture gjuhësore e letrare të përpiluesit, që vihet në një pozitë të lartë autoriale nëse kemi parasysh faktin që solli në këtë libër një sërë tekstesh me gjasë të përdorura dhe më herët në kulturën e besimtarëve që flisnin a praktikonin gjuhën tonë. Në lidhje me këtë realitet që mund të gjejë reflektim dhe në studimet mbi tekste të përveçme në traditën himnodike të liturgjisë së krishterë në gjuhën tonë, mund të vijnë në ndihmë referenca konkrete nga sprova të thelluara që i referohen kontekstit ballkanik dhe minikonteksteve që falë burimeve autoriale vijnë më afër vështrimeve kritike, të domosdoshme në të tilla rasa.

Për vepra dhe autorë që paraqiten me të dhëna konkrete që në detaje përfaqësuese të përpilimeve të së njëjtës tematikë, edhe studimet e kryera arrijnë të thellohen në një shkallë që mundëson dhe një ecuri të mëtejme interpretimesh, të domosdoshme në rastin e kontekstualizimit në traditën e studimeve albanologjike, por dhe të përfshirjes në historinë e letërsisë së shkruar shqipe. Kjo e fundit do ta ketë në vijimësi (dhe pse në formate jo të njëjta të trajtimit) të pranishme periudhën në fjalë bashkë me autorët përfaqësues, dhe pse në kushtet e nënvizimit të mungesës së të dhënave themelore biografike për disa prej tyre.

Në pikëpamje metodologjike, ka pasur periudha në të cilat vëmendja e parashtruar është shoqëruar me trajtesa të arrira që përbëjnë dhe sot e kësaj dite vlera referenciale për studiues e lexues të specializuar. Qoftë dhe në pikëpamje metodologjike, parashtrimi i teksteve përfaqësuese të këtyre veprave ka nxitur vëmendje dhe interes në pikëpamje formimi dhe informimi, duke qenë letërsia e vjetër shqipe nji lamije studimore mjaft e përveçme dhe e thellë për nga argumentet studimore që kanë marrë shkas nga hulumtimi i elementeve të saj ndërtimore.

Vetë veprat që paraqiten më të plota për nga gjendja fizike dhe në pikëpamje të ruajtjes së elementeve dedikatore që për kohën kanë qenë dhe shprehje vlerësimi për to, janë pikërisht për një arsye të tillë dhe objekt vështrimesh që shërbejnë për të interpretuar dhe nga këndvështrime të lexuesit të kohës përpilimet e autorëve të kësaj letërsie. Konteksti i kohës, që presupozonte dhe përdorime të ngulitura incipitesh, apo dhe shprehje tipike në gjuhën latine reflektohet dhe në parashtresat që shoqërojnë veprat e shekullit XVII, ndër të cilat do të veçonim atë të Frang Bardhit dhe më tej, atë të Pjetër Bogdanit.

Duhet mbajtur parasysh fakti që të tilla dedikime që prezantonin veprën, përkatësinë e saj tematike, por dhe arealin në të cilin kjo e fundit do të gjente audiencën e vet përbënin një medium mes autorit dhe kontekstit kulturor e kishtar që do ta kishte në dorë, përveç destinatarëve të drejtpërdrejtë, të cilëve vepra në fjalë u kushtohej që në pikënisje.

Tekstet në gjuhën latine janë në të vërtetë një dëshmi e pritshmërisë së receptimit të veprës në rrethe lexuesish me një përgatitje të spikatur kulturore dhe ndër të tjera përmbajnë shprehje tipike të vetë kulturës klasike dhe humanistike të përpiluesve të tyre. Autorët e veprave të letërsisë së vjetër shqipe janë ndër të tjera dhe ndërmjetësues të një klime të mbarsur nga prirje për ndryshime apo drejt përcaktimesh që lidheshin drejtpërdrejt me librin kishtar dhe me dicionarët që duhet të përmbanin në masë të konsiderueshme elemente të një leksikoni që do t’u shërbente gjerësisht klerikëve dhe praktikuesve të liturgjisë së krishterë. Si referentë kryesorë ndaj të cilëve orientohemi dhe nëpërmjet teksteve autoriale të tyre, meritojnë një vëmendje të spikatur dhe në vështrime ndaj pjesëve me të cilat përfaqësojnë veprat dhe objektivat e tyre.

Dicionarët në veçanti lidhen me vetë kontekstin në viset e tjera, ndër të cilat dhe ato ballkanike e lindore, të cilat evokojnë areale ndaj të cilave nuk mungoi vëmendja as në dekadat në të cilat panë dritën e shtypit veprat e letërsisë së vjetër shqipe.[1] Gjurmimet në përbërje modelesh që mund të paraqiten të ngjashme dhe me vepra të të njëjtit destinacion në gjuhën shqipe, shpien në qasje dhe gjetje përkimesh në pjesë të caktuara, por mbi të gjitha dhe në lidhje me vetë inicimin e këtyre të fundit, si përpilime që kishin një funksion të caktuar formimi dhe edukimi.

Në një vështrim më përgjithësues, që në vetë kontekstin që u citua dhe më sipër si objekt trajtimi më të zgjeruar nga ana jonë, do të mund të gjejë një sërë të dhënash dhe indicesh orientuese, do të mund të rinënvizohet që pikërisht nga vetë elementet përfaqësuese të veprave të letërsisë së vjetër shqipe arrihet në komponente tipike të kësaj panorame, kulturore, por dhe historike e me prirje për ta parë librin si një objekt të një qëllimshmërie komplekse.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Evalda Paci

Floriani dhe modeli i suksesit

August 30, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Florian Markun e priti Edi Rama dhe kësisoj nuk ia vlen te adhurojmë më. Nga ana tjetër një trajneri kombëtar i ka mbetur qejfi, madje e quan boksier Instagrami, jo boksier kombëtar. Në Lushnje e shpalli Qytetar Nderi Taulanti, ndaj harram e pastë. Janë dsa nga vulgaritetet tona nga ku e kemi të pa mundur t’i shpëtojmë politizimit. Madje diku lexon se iks politikan po përfiton nga fama e Luiza Gegës apo Florian Markut. Eshtë fare e thjeshtë, e njëjta gjë do të ndodhte po të ishte kryeministër edhe dikush tjetër nga e djathta, apo nga tërësia pa identitet politik e karvanit të mini partive shqiptare. Mos e trasmetoni mërinë karshi Ramës, Berishës a Ilir Metës tek një sportistë a djalë emigrant, i cili ka arritur aty ku është përmes punës së tij. Sot shqiptarë të suksesshëm gjen në mbarë botën. Deri në rrangje të larta. Ju kujtohet kur një vajzë nga familje emigrantësh shqiptarë zgjidhej në majin e 2019, eurodeputete në Suedi. Emri i saj është Arba Kokalari, ne të gjithë u krenuam. Ashtu siç ka misionarë të tjerë që bëjnë kaq shumë për shiptarët emigrantë, komunitetin etj., madje edhe për vendin amë, si Marko Kepi në Amerikë që mblodhi fonde e ndërtoi shtëpi për të dëmtuarit e tërmetit 26 nëntorit 2019. Për të mos u futur më thellë edhe tek ata fëmijë emigrantësh që marrin medalje me flamuj të Greqisë, Italisë apo ndonjë shteti tjetër. Nuk kanë tradhtuar vendin, shtetin amë, përkundrazi e kanë nderuar atë. Se i kanë thënë botës që shqiptarët nuk janë shpellarë por mëtues të vlerave njerëzore. Çdo kryeministër shqiptar si majtas dhe djathtas do vepronte po njësoj siç veproi Rama. Merrni rastin e Florianit, një djalë familje emigrantësh nga Lushnja. Sot në Londër, aty ku kinematë a produksioni i kinematografisë kanë në qendër mafian shqiptare me shtëpitë e barit. Turpi jonë kombëtar. Bash aty ai shpallet kampion. Le t’i referohemi emrit të tij të ringut se sa shtëpive të barit. Eshtë në vazhdën e vlerave me të mira shqiptare, një përpjekje heronjsh që kanë lënë tokën e tyre dhe i janë adresuar botës së madhe. Kurse atij trajneri kombëtar që nuk e quan dot boksier a sportist kombëtar një të tillë që nuk kalon nga duart e tia, është mangësi formimi për ‘të, jo për sportistin. Në përgjithësi është në kulturën tonë show politik. Sigurisht Rama nul bën përjashtim. Por kjo nuk ka domethënien se Floriani është Rama a Erion Veliaj. Ftesës nga vendi amë nuk bën krim t’i përgjigjesh. Kjo jo për hatër të hirearkisë politike, por për ata qytetarë që të ndjekin fizikisht e shpirtërisht kudo. Ai është sportisti që ka ngritur një profil fituesi. Këtë shikoni. Bota njeh plot modele. Madje ka shtete të lodhura nga politika dhe lufta civile, nga ekonomia e dobët dhe ikja e përjetshme. Por ka mes tyre edhe simbole që kanë ofruar gjithçka sipërore nga vetvetja për të përmisuar emrin e qytetit dhe vendit të origjinës. Përshembull sot Filipinet i njohin më shumë nga titujt e Meni Pakajos se nga krimet e Ferdinand Markos. Meni Pakojo i kthente fitimet në shtëpi për të pastrehët. Ferdinand Marko internonte, burgoste, vriste. Ne na duhen modelet e mira pavarsisht se sa përfiton politika. 

Filed Under: Komente

LETRA TË PABOTUARA

August 30, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika

Pjesa e II

Letra është pak e gjatë, merr përsipër shkurtimisht pohimin e së vërtetës historike të mohuar, pothuajse gjithmonë, nga mediat e këtij Vendi, pa u kuptuar se me çfarë motivi, padije apo dashakeqësi ndaj shqiptarëve. Me të drejtë shumë bashkatdhetarë në Shqipëri, Kosovë e gjetkë mund të habiten se si ndër gati gjysëm milioni shqiptarë që jetojnë në Itali askush nuk ka kurajo të debatojë me “autoritetet” e shtypit italian. Jam më se i bindur se janë të shumtë ata që e kanë ndërmarrë këtë hap pa mundur t’i shohin në shtyp mendimet e tyre. Nuk dua të hyj në brëndësi të kësaj dukurie, mbasi përsiatjet mund të më çojnë në përfundime të hidhura e ndoshta të gabuara për Vendin dhe shoqërinë në të cilën jetojmë. Le të mjaftohemi të kërkojmë shkaqet tek një farë “grandeur” e autoriteteve të mediave të cilët, kur shohin firmat tona të panjohura, shtrembërojnë buzët e ndoshta as nuk i lexojnë ato që u shkruajmë, sepse nuk mund të “humbasin kohë”. Megjithë respektin që kam për organet e shtypit të lirë, në rastin konkret për të përditëshmen e Mielit, më e pakta që mund të them është se sjellja e tyre në lidhje me ne nuk është aspak korrekte. Bie në sy më shumë kjo e metë kur trajtohen tema e argumenta që na përkasin më nga afër. Nga arkivi im nxjerr letrën drejtuar z. Romano më 25 prill 2007. Ja teksti i saj:

“Caro Romano,

“Ho conosciuto l’Albania quando era vivo Enver Hoxha: potrei enumerare la serenità della vita ed altri vantaggi che rendono vivibile l’esistenza. Ora hanno distrutto tutto e la mafia domina…”

Riporto testualmente le parole del sig. Faravelli, tratte dalla sua lettera pubblicata sulla rubrica del Corriere. Senza entrare nel merito della sua risposta e del suo titolo, vorrei esprimere qualche riserva su queste considerazioni. Credo che il signore nostalgico di Stalin e di Enver Hoxha, suo figlioccio, sarà stato uno dei compagni di un certo Fosco Dinucci che, negli anni settanta, veniva spesso in Albania a rappresentare l’Italia come Capo del partito comunista marxista-leninista italiano. Lui assieme ad altri signori di altri paesi come il belga Jacque Grippà e il brasiliano Jorge Amazonas venivano a leccare i piedi al nostro dittatore e, come ricompensa prendevano la loro parte di soldi che erano il frutto del nostro lavoro e del nostro sangue.

Non so se il sig. Faravelli sa che dietro “ la serenità della vita” che lui trovava in Albania si nascondevano i campi di lavori forzati dove decine di migliaia di persone innocenti si  “rieducavano”, un Paese dove i sacerdoti si condannavano a morte perché battezzavano i bambini, dove i contadini lavoravano dodici ore al giorno per una pagnotta, dove ai cittadini per comprare un televisore in bianco e nero non gli bastava lo stipendio di un anno, dove soltanto per aver discusso con un amico di musica e letteratura straniera si andava in galera, dove si viveva con due chili di zucchero al mese per una famiglia, dove ognuno si sentiva insicuro per il giorno dopo, dove… potrei enumerare a lungo i disagi degli albanesi al tempo di Enver Hoxha, altrochè “vantaggi che rendono vivibile l’esistenza.”   

Per quanto riguarda la mafia di oggi il signore ha ragione ma deve sapere che i mafiosi sono i fedelissimi della famigerata Sigurimi del suo venerato Enver Hoxha. Se proprio ha nostalgia di quell’epoca, per fortuna tramontata in Europa, le suggerirei di recarsi a vivere per qualche mese nella Corea del Nord, dove certamente troverà simili esperienze.” 

“Kam njohur Shqipërinë kur ishte gjallë Enver Hoxha : mund të numuroja qetësinë e jetës dhe të tjera dobi që e bëjnë të jetueshme ekzistencën. Tashi kanë shkatërruar gjithshka dhe zotëron mafia…”

Po i sjell pikë për pikë fjalët e zotit Faraveli, të shkëputura nga letra e tij, botuar në rubrikën e Korrierit. Pa hyrë në diskutim për përgjigjen tuaj e titullin e saj, do të desha të shprehnja ndonjë rezervë mbi këto konsiderata. Besoj se zotëria, i përmalluar i Stalinit dhe Enver Hoxhës, famullit të tij, do të jetë një nga shokët e një farë Fosko Dinuçi që, në vitet 70, vinte shpesh në Shqipëri për të përfaqësuar Italinë si kryetar i partisë komuniste marksiste – leniniste italiane. Ai, së bashku me të tjerë zotërinj nga të tjera Vende, si belgu Zhak Gripa, apo braziliani Zhoa Amazonas, vinin t’i lëpinin këmbët diktatorit tonë e, si shpërblim, merrnin pjesën e tyre të parave që ishin fruti i punës e i gjakut tonë.

Nuk di nëse z. Faraveli e din se mbrapa “qetësisë të jetës”që ai gjente në Shqipëri, fshiheshin kampet e punës së detyruar ku dhjetra mijra qytetarë të pafajshëm “riedukoheshin”, një Vend ku famullitarët dënoheshin me vdekje sepse pagëzonin fëmijët, ku fshatarët punonin 12 orë në ditë për një bukë, ku qytetarëve, për të blerë një televizor bardh e zi, nuk i mjaftnte rroga e një viti, ku shkohej në burg edhe pse kishe  biseduar me një shok për muzikë e letërsi të huaj, ku jetohej me dy kg. sheqer në muaj për familje, ku secili ndihej i pasigurtë për të nesërmen, ku…. mund të numuroj gjatë vështirësitë e shqiptarëve në kohën e Enver Hoxhës, krejt e kundërta e “dobive të një ekzistence të jetueshme”.

Sa i takon mafies së sotme zotnia ka të drejtë, por duhet të dijë se mafjozët janë shumë të besuarit e famëkeqit Sigurim të të adhuruarit të tij Enver Hoxha. Nëse vërtetë ka mall për atë epokë, fatmirësisht e perënduar në Evropë, do t’i sugjeroja të shkonte për të jetuar disa muaj në Korenë e Veriut ku, sigurisht do të gjejë përvoja të tilla.”                                                                                      

Pa mëdyshje mund të them se, kur një gazetë e madhe si Corriere della Sera vendos të botojë letrën e një nostalgjiku të komunizmit që bën apologjinë e tij, e nuk pranon të botojë një replikë me të prej një personi që ka jetuar për gati një gjysmë shekulli në kampet e përqëndrimit të atij sistemi, argumenti i plotfuqishmërisë së drejtuesit të rubrikës për të zgjedhur materialet për botim nuk qëndron më në këmbë. Mungesa e botimit të kësaj letre cek imoralitetin, është një shpullë syve të gjithë atyre që në Shqipëri pësuan dhunën komuniste, por edhe një fyerje për shumicën dërmuese të shqiptarëve që e kanë hedhur në koshin e plehrave të historisë atë sistem.

Letra e fundit e këtij parashtrimi i përket një rasti të dhimshëm, tragjedisë së një vajze vlonjate 23-vjeçare, që ndrron jetë në një spital italian mbasi konsulli i këtij Vëndi në qytetin bregdetar nuk pranon t’i lëshojë një vizë hyrjeje në Itali nënës së saj për t’i dhuruar veshken. Ja teksti:

“Caro Romano,

Leggendo oggi sulla pagina 29 del Corriere l’articolo di Carlo Vulpio “Anelda uccisa da un visto negato” mi è venuto in mente l’ultimo discorso del Ministro degli esteri alla Camera sul caso Mastrogiacomo. L’onorevole  D’Alema  ha ribadito il principio che per salvare vite umane si può fare di tutto. Infatti in questi anni il nostro Paese  per salvare vite umane ha trattato con terroristi di ogni specie, di quelli che sgozzano le persone come il bestiame, ha pagato milioni di euro, ha fatto liberare delinquenti pericolosi, ha messo in discussione principi politici e alleanze.

Paradossalmente, come risulta dall’ articolo di Vulpio, non è stato capace di dare un visto ad una signora per donare un rene a sua figlia, per salvarle la vita. Non ho parole per qualificare  il comportamento del console Tomassoni e mi meraviglio che quella povera ragazza albanese ha perso la vita perché la burocrazia italiana non ha potuto sbloccare un caso cosi semplice, anche se di questo caso erano a conoscenza il Presidente della Camera ed il Ministero degli Esteri.

Le vite umane soni di serie A,B,C,D ecc.?”                           

“Duke lexuar sot në faqen 29 të Korrierit artikullin e Karlo Vulpios “Anelda e vrarë nga një vizë e mohuar”, m’erdhi ndër mënd fjala e fundit e ministrit të jashtëm në Dhomën e deputetëve për çështjen Mastroxhakomo. I nderuari D’Alema ka ritheksuar parimin se për të shpëtuar jetë njerëzore mund të bëhet çdo gjë. Në fakt, gjatë këtyre viteve Vendi ynë, për të shpëtuar jetë njerëzore, ka biseduar me terroristë të çdo lloji, të tillë që therin njerëzit si bagëtinë, ka paguar miliona euro, ka bërë të lirohen kriminelë të rrezikshëm, ka vënë në diskutim parime politike e aleancash.

Në mënyrë paradoksale, siç del nga artikulli i Vulpios, nuk ka qënë i aftë të japë një vizë një zonje, për t’i dhuruar veshkën së bijës, për t’i shpëtuar jetën. Nuk gjej fjalë për të përcaktuar sjelljen e konsullit Tomasoni dhe habitem se si ajo vajzë e shkretë Shqiptare ka humbur jetën sepse burokracia italiane nuk ka mundur të zgjidhë një rast kaq të thjeshtë, edhe se për të kishin dijeni Kryetari i parlamentit dhe Ministria e jashtëme.

Jetët njerëzore a janë të kategorive A, B, C, D, etj?”                                         

Vdekja e Aneldës bëri bujë në shtypin italian. Autori i artikullit në Corriere della Sera e quajti një krim shtetëror. Letra ime shprehte protestën qytetare ndaj hipokrizisë së politikës dhe shtronte një pyetje. Ajo pyetje mbeti pa përgjigje dhe letra nuk pa dritën e botimit.

Këto ishin vetëm katër letra të pabotuara mbi tema të ndryshme që nxora nga arkivi, por janë të mjaftueshme për të kuptuar se edhe në një demokraci të konsoliduar bota e mediave është një fortesë e blinduar, ku firmat e panjohura, sidomos të huaja e kanë shumë të vështirë të gjejnë shteg hyrjeje. Zëri i lirë, që mësyn fortesën, ndesh në muret e gomës së heshtjes, të indiferentizmit, të mospërfilljes, të paragjykimit, të njëanshmërisë që të çarmatosin, të dekurajojnë, të heqin mundësinë për të ndihmuar sado pak sendërtimin e idealeve që kemi bartur në vete gjithë jetën.

                                                                                                                        Dhjetor 2007  

Filed Under: Fejton

AKTIVITETE KUSHTUAR SHËN NENË TEREZES

August 30, 2022 by s p

“DASHURI MË TË MADHE NUK KA”  

 Nga Frank Shkreli

 Mother Teresa of Calcutta No Greater Love
A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Në Dardani, Kisha dioqezane e Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë ka njoftuar organizimin e aktiviteteve, “Ditёt e Shenjtës Nёnё Terezё”, nga data 26 gusht, (ditëlindja e Ganxhe Bojaxhiut) e deri mё 5 shtator — dita e festës sё saj liturgjike, qё përkon edhe me kalimin e saj nё amshim.  Por “Drita e Gonxhës” u ndez në sheshin e Shkupit aty ku është pllaka përkujtimore e vendlindjes së Nënës Terezë, ku edhe u hap manifestimi kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”, që sivjet fillon si edicion i veçantë i organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Sipas këtij Instituti, ceremonia, filloi me vendosjen e luleve nga delegacioni i Institutit, i përfaqësuar nga drejtori Dr. Skender Asani, nga delegacioni i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut – i përfaqësuar nga zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, Universiteti “Nëna Terezë”, i përfaqësuar nga rektori, Akad. Izet Zeqiri, ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Florian Qehaja, nga bashkësitë fetare – Kryetari i BFI-së, H. Shaqir ef. Fetahu, Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës dhe Z. Pepi Levi nga Bashkësia Hebraike e Maqedonisë së Veriut, si dhe drejtori i Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë, Z.Naser Curri. “Drita e Gonxhes” u ndez në Shkup – ITSH   

                             Pamje nga ceremonia në Shkup të Premten që kaloi

Nga Shkupi në Prishtinë — Të premten që kaloi, në Qendrën “BogdaniPolis”, u përkujtua ditëlindja e shenjtëreshës shqiptare, Shën Nënë Tereza, me një akademi solemne të organizuar nga Katedralja e Prishtinës, përkatësisht, Dioqeza Prizren-Prishtinë.  Ditëlindja e Shën Nënë Terezës u kremtua me një akademi solemne (drita.info)

Me moton “Unë kam në zemër popullin tem shqiptar”, thënie e vet Nënë Terezës dhe me himnin e saj, filloi atmosfera solemne, ku tё pranishmit i përshëndeti, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodё Gjergji: “Duam t’i përngjajmë asaj nё thjeshtësi, nё dashuri, nё sakrificë, në punë të vogla, bёrё me dashuri të madhe siç thoshte Nёnё Tereza”.  Me këto fjalë, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodё Gjergji, hapi akademinë solemne përkujtimore, organizuar nё Kurien dioqezane nё Prishtinё.  Akademia solemne, u mbajtë në qendrën ‘Bogdanipolis”, me pjesëmarrje tё gjërë tё qytetarëve, tё perfaqesuesve tё jetës politike, shoqërore, kulturore e fetare, nё mesin e të cilëve pati edhe përfaqësues tё Bashkësisë Islame tё Kosovës, sipas një njoftimi të Radio Vatikanit.

Pamje nga hapja e Akademisë Përkujtimore kushtuar Nenë Terezës në Prishtinë – Kryetari Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Imzot Dod Gjergji dhe Dom Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezës me mbi 25 vepra.

Programi i veprimtarive, kushtuar Nenë Terezës, që pritet të mbahen në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Strugë e Letnicë.  Edhe Federata Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork ka njoftuar një tubim përkujtimor kushtuar Nënë Terezës e që pritet të mbahet të shtunën që vjen me 3 shtator, 2022 në qendrën e Vatrës në Nju Jork. Autori i këtij shënimi pritet të mbajë një kumtesë me titull: Amerika për Nënë Terezen.

Jam i sigurt se edhe në pjesë tjera të botës do të përkujtohet ky përvjetor me aktivitete të ndryshme kushtuar kujtimit të Nenë Terezës.  Këtu në Shtetet e Bashskuara është njoftuar se me këtë rast do të shfaqet një film dokumentar me titullin: “Nenë Tereza: Nuk ka dashuri më të madhe”, (Mother Teresa: No greater love). Filmi — që është realizuar nga organizata amerikane më e madhe katolike në botë, “Kalorësit e Kolombos” (Knights of Colombos) — do të shfaqet, fillimisht, për herë të parë në Vatikan, të mërkurën me 31 gusht.

Burime të medias këtu në Amerikë njoftojnë se filmi pastaj do të shfaqet në fillim të Tetorit këtu në Shtetet e Bashkuara në më shumë se 960 teatro filmash anë e mbanë Amerikës. Filmi përshkruan jetën e shënjtëreshës së shekullit 20-të dhe ndikimin e veprimtarisë së saj dhe të urdhërit të Nenë Terezës, “Misionaret e Dashurisë”, një komunitet fetar katolik i dedikuar t’u shërbejë më të varfërve, anë e mbanë botës. Në ekranin filmik do të shohim rishtas Nënë Terezën – nenën e “të varfërve më të varfër” në botë, nënën dhe motrën e njerëzimit, gruan më të madhe të shekullit 20-të.   Filmi dokumentar është realizuar në 5 kontinente, duke ndjekur punën dhe veprimtarinë e Misionareve të Dashurisë në ditët e sotëme, sipas të dhënave në median amerikane. Filmi përfshin edhe komentet e personaliteteve fetare dhe civile mbi jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës.

Kanë kaluar 25-vjet nga dita që Nenë Tereza ka kaluar në përjetësi. Si rrjedhim, ky përvjetor duket se ka shkaktuar nxitjen e një interesimi të ri në botë për këtë personalitet botëror të shekullit të kaluar, për këtë bijë të Kombit shqiptar – njëherazi edhe një gjigande shpirtërore të njëzetit (20) shekull. Sipas promovimit të këtij dokumentari, filmi është realizuar, siç shënova më sipër, në 5 kontinente ku vepron urdhëri i Nenë Terezës, duke përdorur dokumentacion nga arkivat institucionale të Misionareve të Dashurisë dhe të tjera, por edhe në aktivitetin aktual të Misionareve të Nënë Terezës. Filmi, jo vetëm që dokumenton se kush ishte Nënë Tereza, por gjithashtu tregon edhe se si Misionaret e Dashurisë veprojnë edhe sot bazuar në vizionin e saj për tu shërbyer dhe për tu kujdesur, për më të vafërit e më të varfërve të botës.  Është pra, një dokumentar, por më shumë se, thjesht, një film. Është gjithashtu edhe një nderim, një homazh që sa vjen e shtohet ndaj një ikone shpirtërore – për një dëshmitare të fuqishme të dashurisë së vërtetë autentike të krishterë, si dhe një shembull për të gjithë ata që kërkojnë shpresën në këto kohë të turbullta, thuhet në promovimin e filmit.

Për aq sa është njoftuar deri më tani, programi i veprimtarive, kushtuar “Ditëve të Shën Nenë Terezës”, pritet të realizohet në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Strugë e Letnicë dhe nga Nju Jork nga Federata Pan-Shqiptare Vatra.   

               Imzot Dod Gjergji, Ipeshkvi i Kosovës, duke hapur manifestimin kushtuar Nënë Terezës (Fotot për këtë kronikë janë marrë nga Revista Fetaro-Kulturore, “Drita” e Kishës Katolike në Kosovë

A group of people sitting in chairs

Description automatically generated with medium confidence

Në akademinë solemne mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, shqiptaro-amerikani, Dr. Rifat Latifi

Imzot Dod Gjergji, Ipeshkvi i Kosovës, duke hapur manifestimin kushtuar Nënë Terezës

PHOTO-2022-08-23-10-27-47.jpg

      Dom Lush Gjergji duke folur në akademinë solemne kushtuar Nënë Terezës

A group of people sitting in a room

Description automatically generated with medium confidence

Pamje nga salla në qendrën ‘Bogdanipolis” të Katedralës Shën Nenë Tereza në Prishtinë ku morën pjesë qytetarë, perfaqesues tё jetës politike, shoqërore, kulturore e fetare, përfshir përfaqësues tё Bashkësisë Islame tё Kosovës. 

Ndërkaq, edhe një NJOFTIM në përputhje me këto aktivitetet kushtuar Nenë Terezës nga Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare — VATRA PËRKUJTON NËNË TEREZËN NË 25 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM –Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, ditën e Shtunë, më 3 Shtator 2022, ora 11 AM, në adresën e Vatrës: 2437 Southern Blvd,  Bronx, NY 10458, në një ceremoni solemne do përkujtojë 25 vjetorin e kalimit në amshim të Nënë Terezës, Shenjtores së kombit tonë. Ceremonia e përkujtimit dhe nderimit do të organizohet në Selinë Qëndrore të Vatrës me pjesëmarrjen ekskluzive të:

-PhD Ines Murzaku me temë: “Nënë Tereza dhe Revolucioni i Brishtësisë”.

-PhD Elmi Berisha me temë: “Energjia hyjnore e Shën Terezës dhe ndikimi i saj tek shqiptarët”.

-Z. Frank Shkreli me temë: “Amerika për Nënë Terezën”.

-Dr. Paulin Marku me temë: “”Nënë Tereza”, malli dhe dhimbja për atdheun”.

Moderon aktivitetin, Editori i Diellit.

Ftohet i gjithë komuniteti shqiptar të bëhet pjesë e kësaj ceremonie të veçantë.

May be an image of 1 person and text

Filed Under: Politike

VATRA PËRKUJTON NËNË TEREZËN NË 25 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

August 30, 2022 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, ditën e Shtunë, më 3 Shtator 2022, ora 11 AM, në adresën e Vatrës : 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458, në një ceremoni solemne do përkujtojë 25 vjetorin e kalimit në amshim të Nënë Terezës, Shenjtores së kombit tonë. Ceremonia e përkujtimit dhe nderimit do të organizohet në Selinë Qëndrore të Vatrës me pjesëmarrjen ekskluzive të:

-PhD Ines Murzaku me temë: “Nënë Tereza dhe Revolucioni i Brishtësisë”.

-PhD Elmi Berisha me temë: “Energjia hyjnore e Shën Terezës dhe ndikimi i saj tek shqiptarët”.

-Z.Frank Shkreli me temë: “Amerika për Nënë Terezën”.

-Dr. Paulin Marku me temë: “”Nënë Tereza”, malli dhe dhimbja për atdheun”.

Moderon aktivitetin Editori i Diellit.

Ftohet i gjithë komuniteti shqiptar të bëhet pjesë e kësaj ceremonie të veçantë.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2087
  • 2088
  • 2089
  • 2090
  • 2091
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT