• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Jemi shqiptarë! Nuk na ka hije të qëndrojmë duarkryq!

August 2, 2022 by s p

Nador Bakalli/

Lëvizja ka ndjekur me shqetësim të madh zhvillimet në veri të Kosovës pas vendimit të qeverisë Kurti për vendosjen e reciprocitetit në aspekte të caktuara të marrëdhënieve dy-palëshe me Serbinë.

Gjejmë rastin të shprehim haptazi përkrahjen tonë për nismën e qeverisë së Kosovës.

Është tashmë e qartë se interesat shqiptare në rajon bien ndesh me politikat serbe dhe se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mundet vetëm të ravijëzohen brenda kornizave të reciprocitetit midis dy shteteve të pavarura, siç janë Kosova dhe Serbia.

Për të disatën herë, i kërkojmë Qeverisë së Shqipërisë që të ndërpresë urgjentisht çdo diskutim me Serbinë në lidhje me nismën “Ballkani i Hapur” apo çdo nismë tjetër të cilën Kosova nuk e aprovon. Flirtimi me Serbinë dhe marrëveshjet me karakter të paqartë apo që shkaktojnë ndasi mbi faktorin shqiptar në rajon janë një njollë turpi e rëndë për të cilën do të mbahet mend Qeveria dhe Kryeministri Rama.

Nëse Qeveria nuk heq dorë nga paudhësia e Ballkanit të Hapur apo nga ulja në tryeza të dyshimta me Serbinë dhe palë të treta, pas krahëve të Kosovës, Lëvizja:

1. Do të ndërmarrë në vjeshtë një fushatë masive në Diasporë për denoncimin dhe demaskimin e veprimeve të Qeverisë si thellësisht anti-shqiptare dhe me nuanca tradhëtie në drejtim të Kosovës.

2. Në funksion të sa më sipër, do të shqyrtojë mundësinë e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me grupime politike apo të shoqërisë civile me karakter opozitar, në funksion të shpëtimit të Shqipërisë nga kthetrat e një qeverie de fakto anti-shqiptare, e cila e ka zhytur vendin përditë e më thellë në zonat e turpit të raporteve dhe indekseve më serioze kombëtare dhe ndërkombëtare.

3. Nëse lind nevoja, si shqiptarë, do t’i gjendemi pranë Kosovës me çdo mjet dhe formë, pa droje!

Kosova na jep nder!

Kryesia e Diaspora për Shqipërinë e Lirë! 

Filed Under: Komente Tagged With: nador bakalli

KOSOVA DHE AMERIKA NË MES TË NJË MIQËSIE TË VJETËR DHE NJË KAPITULLI TË RI

August 2, 2022 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA/

Valixhja diplomatike e krerëve shtetërorë Osmani e Kurti pas kthimit nga Washingtoni, kësaj radhe mund të peshojë pak më tepër , kurse efektet e saj mund të ndjehen në dy drejtime -njëri është fuqizimi i pavarësisë energjetike të Kosovës, do të thotë, më pak energji nga Serbia – dhe drejtimi tjetër, mbështetje politike për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosova në hartën e globit është një pike mikroskopike, por në fokusin e politikës së jashtme amerikane vendi ynë ndodhet në një dioptri të zmadhuar.
Për Kryeministrin Albin Kurti mund të jetë një kapitull i ri marrëdhënia e Kosovës me SHBA-të, siç e tha edhe ai vetë, sidomos pas takimit me Sekretarin shtetëror, Antony Blinken, por shqiptarët kanë një miqësi më të hershme. Kjo dëshmohet edhe në bazë të një ankete të realizuar së fundmi nga agjencia prestigjioze për hulumtimin e opinionit publik GALUP, sipas së cilës 82% e shqiptarëve janë dakord me lidershipin amerikan, dhe për rrjedhojë Shqipëria dhe shqiptarët janë populli më pro-amerikan mes shteteve anëtare të NATO-s.
Në emër të kësaj miqësie janë ndërtuar edhe raportet e ndërsjella dhe janë konfiguruar pozicionet në favor të zgjidhjeve që kanë rezultuar në pavarësimin e shtetit të Kosovës.
Por, referuar edhe burimeve diplomatike në të cilat thirren disa media në rajon, mund të thuhet se rezultatet e kësaj vizite të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mund të ndjehen në dy drejtime -njëri është fuqizimi i pavarësisë energjetike të Kosovës, do të thotë, më pak energji nga Serbia – dhe drejtimi tjetër, mbështetje politike për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Gjithsesi, valixhja diplomatike e krerëve shtetërorë Osmani e Kurti pas kthimit nga Washingtoni, kësaj radhe mund të peshojë pak më tepër, si në aspektin e porosive që ata morën nga Amerika, ashtu edhe në aspektin e përmbajtjes substanciale, që kësaj radhe kishte të bënte me nënshkrimin e Marrëveshjes me MCC-në.
Buzëqeshja e delegacionit kosovar atë ditë kur zbritën në aeroportin ndërkombëtar të Kosovës, kishte kuptim për disa arsye, por ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se pozicioni i Kosovës në politikat e jashtme amerikane mbetet prioritet i palëkundur dhe se udhëheqja e re kosovare, edhe përkundër dilemave në opinionin publik, megjithatë gëzon mbështetje të pakursyer nga ana e administratës së Joe Biden.

“Kosova është një partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se siç e dini të gjithë, ka një histori të gjatë dhe të fortë mes nesh, veçanërisht me Presidentin Biden, i cili ju dërgon përshëndetjet e tij të ngrohta për të dy”, tha sekretari Blinken në takim me Osmanin dhe Kurtin. Për ta përforcuar këtë qëndrim, Blinken pas takimit ka shkruar në Twiter: “Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për SHBA-në dhe shtetin tuaj”, duke shtuar se me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin, Albin Kurti, “kanë diskutuar edhe për çështjet kritike të sigurisë rajonale”, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Kosova në hartën e globit është një pike mikroskopike, por në fokusin e politikës së jashtme amerikane vendi ynë ndodhet në një dioptri të zmadhuar. Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, i cili tha se gjatë takimit, sekretari shtetëror i SHBA-së, Blinken, ka potencuar partneritetin e qendrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, me ç’rast ai ka falenderuar dy udhëheqësit kosovarë për mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe pritjen e afganëve që u larguan nga vendi i tyre pas ardhjes në pushtet të Talebanëve.
“Ata diskutuan për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, tha zëdhënësi Price.
Atmosfera që mbretëroi në zyrat e State Departamentit Amerikan, atë ditë kur po qëndronin udhëheqësit nga Kosova, ishte një konfirmim praktik për miqësinë tradicionale shqiptaro-amerikane. Ishte vetë Presidentja Vjosa Osmani ajo e cila nuk e fshehu entuziasmin nga takimi me shefin e diplomacisë amerikane, duke nënvizuar se takimi me Blinken “ishte i shkëlqyeshëm”, dhe , sipas saj, edhe një herë u konfirmua që “Kosova nuk ka mik më të madh e më të mirë se sa SHBA-në”.
Presidentja Osmani dha edhe hollësi të tjera nga takimi me Antony Blinken, që në të ardhmen mund të jenë edhe pikat orientuese të një udhërrëfimi për politikën e Kosovës.
“Biseduam për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, nevojën e Kosovës që të jetë anëtare e NATO-s, si dhe për rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë”, tha Osmani.
Sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani tha se në takim me Blinken, “kanë biseduar në detaje për disa nga marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, siç është ajo e energjisë”, dhe shtoi se “administrata e SHBA-së ka qenë e qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke, gjë që është konfirmuar edhe sot gjatë këtij takimi”. Por, duke qenë miqë dhe aleat besnik, Kosova dhe SHBA ndajnë edhe shqetësimet e përbashkëta sa i përket kërcënimeve destabilizuese në Ballkan dhe më gjerë. Një prej atyre shqetësimeve , sipas Presidentes Osmani, që është ngritur në takim me Antony Blinken, “ishte edhe roli që ka Rusia në destabilizimin Ballkanit Perëndimor”.
“Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t’i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, tha Osmani.
Për të kuptuar më mirë rolin që ka Amerika në shtrirjen e ndikimit të saj në rajon, shikuar nga prizmi i vizitës së fundit të krerëve shtetëror të Kosovës në Washington, mjafton të lexohen analizat që botohen në shtypin e Beogradit, e të cilat mbështeten edhe në burime të huaja diplomatike.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjodhën një moment të tillë për këtë vizitë duke e pasur në mend nevojën për të konfirmuar prezencën e tyre në rajon, tani që përflitet për rreziqe sigurie në rajon si pasojë e ndikimit rus në pjesë të Ballkanit Perëndimor – veçanërisht në Serbi, e cila dukshëm po vonohet ose s’është e gatshme të rreshtohet drejt politikave perëndimore në lidhje me konfliktin në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë; dhe kjo është më e rëndësishmja se pse ShBA-ja të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin me Kosovën”.
Kështu e kanë shpjeguar burimet diplomatike të gazetës serbe “Danas” takimin e krerëve shtetëror kosovarë në Departamentin amerikan të Shtetit, duke e quajtur atë “përtej nënshkrimit të marrëveshjes për energji”, por si “forcim të lidhjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën”.
Ekonomia e Kosovës po kalon nëpër sfida të shumta, sidomos pas krizës në Ukrainë, si pasojë e invazionit rus, ku pasojat e kësaj krize po reflektohen edhe jashtë zonës së konfliktit. Kjo ka qenë edhe arsyeja që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takimin me ministrin e Jashtëm Blinken e ka shfrytëzuar për të kërkuar më shumë investime amerikane në Kosovë dhe rritje të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve.
Zatën edhe qëllimi kryesor i vizitës së Presidentes Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrit Albin Kurti, në SHBA ishte që të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, një projekt ky që kap vlerën e 236.7 milionë dollarëve. Kjo ndihmë e SHBA-së ka për qëllim “forcimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe fuqizimin e përfshirjes së grave në këtë fushë”.
Në emër të Kosovës, firmën në marrëveshje e ka hedhur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ndërsa nga pala amerikane, nënshkruese ishte Alice Albright, udhëheqëse e MCC-së dhe vajza e ish-sekretares Medeline Albright.
Por, gjithsesi kjo vizitë e rëndësishme e krerëve shtetërorë të Kosovës në Washington shpërfaqi edhe njëherë intencën që politika jonë e jashtme ka nevojë për një koordinim më të ngeshur me Amerikën. Kjo edhe për faktin se, sado që Kryeministri Kurti ka një pikëpamje krejt tjetër, megjithatë procesi i shtetndërtimit të Kosovës ende po varet nga disa sfida të jashtme, sidomos nga mospërmbyllja e problemeve me Serbinë.
“Rreth 80% të vëllmit kohor të atij takimit ka pasur të bëjë me raportet bilaterale Kosovë – Amerikë dhe kontekstin ndërkombëtar. ShBA-ja e njeh Kosovën siç i ka shpallur kufijtë. Shtet i pavarur dhe sovran. Raportet tona me Serbinë nuk janë normale dhe duhet t’i normalizojmë. Si duket, për formulën e normalizimit të raporteve me Serbinë, pajtohemi me Amerikën. Është marrëveshje e obligueshme për normalizim të raporteve me njohje reciproke. Është përmendur Manastiri i Deçanit. Por 80% kemi folur për kontesktin ndërkombëtar të Kosovës”, tha Kurti.
A mundet Kosova të zhvillohet së brendshmi, duke mbajtur qafën varur nga gurët e rëndë të moszgjidhjes së problemeve me Serbinë?
Apo ndoshta lidershipi kosovar duhet të angazhohet në të dy “fronte” paralele, duke aktivizuar, në njërën anë, potencialin e brendshëm njerëzor e natyror në nxitjen e ritmeve zhvillimore të vendit dhe, në anën tjetër, duke imponuar një kreativitet më të madh politik e diplomatik, dhe në koordinim të plotë me Washingtonin e Brukselin, në përmbylljen pa hezitim të procesit negocues me Serbinë. 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Mehmet Prishtina

2 gusht 1943, Marrëveshja e Mukjes, shans i bashkimit, peng i tradhëtisë

August 2, 2022 by s p

Emin Azemi/

Ky është edhe titulli i një libri, por që në vetvete shpjegon shumëçka dhe nuk lë shumë hapësirë për interpretime të shumanshme.

Marrëveshja e Mukjes u nënshkrua më 2 gusht 1943 në fshatin shqiptar të Mukjes midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë për të bashkërenduar rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore.
Një mosmarrëveshje u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës.

Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptare e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Pjesëmarrësit:

Hasan Dosti, Mit’hat Frashëri, Thoma Orollogaj, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Isuf Luzaj, Kadri Cakrani, major Raif Fratari, Nexhat Peshkëpija, Halil Mëniku, Ismail Petrela, Vasil Andoni, N.Kolonel Jahja Çaçi, Myslim Peza, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani, Sulo Bogdo, Shefqet Beja, Medar Shtylla, Stefan, Haki Stërmilli, G. Nushi

Filed Under: ESSE Tagged With: Emin Azemi

KUJTOJMË AGRESIONIN, 2 GUSHT ‘49

August 2, 2022 by s p

Prof.As.Dr. Bernard Zotaj (Mjeshtër i Madh)/

Më 2 gusht 1949 në zonën kufitare në Juglindje të Shqipërisë me bazë në rajonet e Korçës, të Leskovikut dhe deri në Konispol të Sarandës e në Likojan, u kryen veprime ushtarake në shkallë të gjerë nga shteti i Greqisë. Këto veprime të armatosura ushtarake nuk ishin thjesht provokacion apo provokacion ushtarak (i armatosur) siç është cilësuar nga shteti shqiptar në vitin 1949, e që vazhdon të trajtohet nga historia zyrtare shqiptare, si dhe nga studiues civil dhe ushtarak, por agresion ushtarak.

Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe thuhet se provokacioni është goditje e ndeshje me armë, e organizuar qëllimisht nga një shtet… kundër një vendi të pavarur, për të krijuar shkak për ndërhyrje të armatosur e për të sjellë trazira. Shteti grek dhe Forcat e tij të Armatosura kishin vite që provokonin, kryesisht në të gjithë vijën kufitare, nga Prespa deri në kanalin e Korfuzit e që ndërmerrnin, akte të tilla, por në vitin 1949, duke filluar që nga janari ato do të përshkallëzoheshin pak nga pak, duke ardhur tek 2 gushti 1949 që në mënyrë masive nisi sulmi i armatosur kundër vendit tonë.

Po në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe theksohet se agresion i armatosur është “Sulm i armatosur i një shteti kundër një shteti tjetër për t’i pushtuar tokat e për ta nënshtruar, për të shtypur lëvizjet demokratike, revolucionare ose nacionalçlirimtare dhe për të vendosur regjime reaksionare; luftë e ashpër që bën një shtet për të depërtuar me mënyra të ndryshme në një shtet tjetër e për ta dëmtuar nga ana ekonomike, politike, ideologjike e kulturore”.

Në rezultat të ballafaqimeve të dy forcave ushtarake, por dhe të shpjegimit të fjalorit të gjuhës shqipe del se nuk ka qenë provokacion, por agresion ushtarak. Këtu kemi parasysh qëllimin, objektivat politikë, forcat pjesëmarrëse (ku pala greke i kishte të organizuara Forcat e Armatosura në të tre llojet e tyre), grupimi i forcave dhe mjeteve, pjesëmarrëse në agresion, kohështrirja, që është jo tipike për incidentet dhe provokacionet, por për një agresion, në rastin konkret me synime dhe objektiva të kufizuara (jo e përfshirë në të gjithë territorin e vendit), por të një pjese të tij dhe posaçërisht në atë që gjithmonë pala greke e quan “Epiri i Veriut”.

Agresioni ushtarak i ndërmarrë nga forcat monarko-fashiste (m-f) greke ishte një agresion ushtarak me objektiva të pjesshme dhe në përfundim edhe agresion ushtarak me objektiva vendimtar.

Analiza e veprimeve luftarake të FA greke të gushtit 1949, tregon qartë se nuk kemi të bëjnë me një incident, as provokacion, por me një luftë të armatosur me të gjitha format, metodat, qëllimet, karakteristikat dhe elementet e një agresioni ushtarak për pushtim, ku vihen përballë dy shtete dhe Forcat e tyre të Armatosura. Nuk ka rëndësi se u zhvillua në një pjesë të kufirit e territorit të vendit, por qëllimet ishin të plota, kapja dhe mbajtja e territorit të përcaktuar prej tyre. Veprimi ushtarak i armatosur grek i 2 gushtit 1949, ishte vazhdim i idesë së kahershme aneksioniste për pushtimin e të ashtuquajturit “Vorio-Epiri”. Greqia nuk kishte dhe madje nuk ka abroguar edhe sot e kësaj dite ligjin e luftës, nuk ka hequr dorë prej synimit të saj.

Forca m-f të Greqisë sulmuan Shqipërinë me mbi 70 mijë ushtarë, 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gryka zjarri, kryesisht topa. Ushtria Kombëtare Shqiptare mobilizoi dhe futi në luftimet aktive mbrojtëse rreth 10 mijë ushtarë, ndërkohë kryen rigrupim e përqëndrim pranë rajonit të veprimeve luftarake rreth 30 mijë trupa të tjerë, në gatishmëri për të vepruar në fushën e betejës.

Veprimet luftarake edhe pse të shkëputura e si provokacion kryheshin prej shumë kohësh më përpara vazhduan me intesitet më të lartë nga 2 gushti deri në 5 shtator 1949. Me ndërprerje ato u shtrinë në zonat e Bilishtit, Kapshticës, Leskovikut dhe Konispolit. Shqipëria pësoi dëme në njerëz, ushtarakë dhe civilë të vrarë, si dhe dëme materiale në fshatrat pranë kufirit. Forcat m-f greke, lanë mjaft ushtarë të vrarë në territorin shqiptar, si dhe rob lufte.

Studimi i provokacione apo agresionit ushtarak të gushtit të vitit 1949 përbën një pjesë të rëndësishme të historisë së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe të popullit shqiptar. Trajtimi i këtij provokacioni apo agresioni është një detyrë e rëndësishme e historiografisë shqiptare në përgjithësi dhe të asaj ushtarake në veçanti. Edhe pse provokacionet apo agresioni ushtarak i gushtit të vitit 1949 nuk ka mbetur jashtë vëmendjes të historiografisë shqiptare, studimet për të, sidomos të karakterit monografiko-ushtarake kanë qenë tepër të kufizuara.

Me këtë libër është bërë një përpjekje pozitive, një kontribut i shkëputur nga mozaiku i veprës heroike të Ushtrisë Shqiptare për mbrojtjen territoriale të Shqipërisë tonë të dashur. Kështu, besojmë se do të ndihmojmë për të edukuar brezat dhe njerëzit me kulturën e domosdoshme të përkujtimit dhe vlerësimit të luftës së tyre. Detyrë që dëshirojmë ta plotësojmë me monografinë “Agresioni ushtarak-Gusht ‘49”.

Në këtë agresion ranë 87 kufitarë dhe oficerë të cilët janë Dëshmorë të Atdheut, midis tyre dhe Heroi i Popullit Memo Nexhipi, u plagosën mbi 100 ushtarë, kuadro dhe civilë, u dekoruan me “Urdhërin e Trinërisë” mbi 180 ushtarë, oficerë dhe civilë dhe Postës Kufitare të Vidohovës ju dha titulli “Hero i Popullit”. 

Filed Under: Histori Tagged With: Bernard Zotaj

Mesazh atyre që duan kufirin në Mitrovicë

August 2, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 2 Gusht 2022/ Mesazhi për ata që duan kufirin në Mitrovicë, i Gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në botimin e 30 Dhjetorit të Vitit 2008 të Pavarësisë e ndjohjeve ndërkombëtare të Kosovës, është aktual edhe tani pas 14 viteve, kur në veri të Kosovës nga grupe të organizuara serbe  – strukturat ilegale të Serbisë që janë bërë banda kriminale e agresive vendosen e zhvendosen barrikada dhe shkruhen e dëgjohen parulla “Këtu është Serbi”…

Ky ishte shkrimi i atëherë kryeredaktorit të Gazetës Rilindja, tani korrespondent në Kosovë i Gazëtës Dielli – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra:

MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË

Behlul Jashari

Në përfundim të Vitit Historik 2008 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe njohjes nga 53 shtete, dhe më të fuqishmet në botë, po presim gëzuar Vitin e Ri 2009 të pritjesë së anëtarësimit të shtetit tonë të ri në OKB dhe  të jubileut të 10-vjetorit të paqes e lirisë në Kosovë – të hyrjes së NATO-s, forcës më të madhe planetare.
Në Ditën e Lirisë e të Paqes, më 12 qershor 1999, kur NATO-ja hyri e nisi marshin fitimtar e çlirimtar në tokën e Kosovës për t’iu dhënë fund krimeve të tmerrshme e gjenocidit, nga kolona e tankeve të para, ku isha me ushtrinë e Aleancës Veriatlantike e gazetarë nga gjithë bota, atë mëngjes të gëzimit të madh shqiptar kemi qeshur me një grafit çmendie të shkruar nga forcat që po dëboheshin pas humbjes së luftës kundër lirisë, në një shpatull mali në Grykën e Kaçanikut: “Serbija do Tokio”.
Shkarravina, që përkthyer shqip thoshte “Serbija deri në Tokio” më rikujtoi grafitet “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna” dhe britmat “ikni përtej…” të atyre që me dhunën më të egër dëbuan më se një milion shqiptarë nga Kosova.
Ata me operacionin “patkoi” kishin dashur ta zhbënin Kosovën, që duke vrarë e dëbuar shqiptarët, duke ua djegur e rrënuar shtëpitë, qytetet e fshatrat, të zhvendosnin kufirin shqiptaro-serb edhe përtej Bjeshkëve të Nemuna, siç e kishin zhvendosur para më shumë se një shekulli përgjakshëm nga Molla e Kuqe e kujtesës sonë historike.
Ata edhe më tej duan t’ua vënë flakën kufijve të Kosovës si në 19 shkurtin e 2008-tës në veri, duan të copëtojnë hartën e vendit që deshën ta zhbëjnë me gjenocid dhe tokëdjegie.

Ata edhe më tej shohin ëndrra të pamundshme, tash më 9 dhjetor 2008, kur në ditën e shtrirjes së EULEX-it në gjithë Kosovën, në veri të urës mbi limin Ibër në Mitrovicë pashë grafitin që përkthyer shqip thoshte “këtu është Serbi”.
Por, edhe ata të gjithë do ta kuptojnë, shumë prej tyre e kanë kuptuar, se ka ikur përgjithmonë koha e pretendimeve dhe e ëndrrave të këqija kundër Kosovës, se Kosova është shtet.
Le të jetë 2009-ta edhe viti i vetëdijësimit e besimit edhe të asaj pjese të vogël të shtetasve të Kosovës që janë kundër këtij shteti, se Kosova është edhe shtëpia e atdheu i tyre, i lirisë, paqes, mirëqenies, prosperitetit e garancive për të gjithë, i demokracisë, standardeve dhe ecjes drejt integrimeve euroatlantike.
Le të jetë 2009-ta viti i vetëdijësimit përfundimtar edhe të fqinjit tonë verior që ka mbetur i vetmi fqinj kundër shtetit të Kosovës, se kufijtë e Kosovës janë të vendosur e të garantuar edhe ndërkombëtarisht dhe se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik.
Shtet që rrezaton paqe, stabilitet  e demokraci dhe që i ofron fqinjësi të mirë e bashkëpunim edhe shtetit nga i cili pret edhe kërkimfaljen për krimet e gjenocidin.

Grafitet, pretendimet e ëndrrat e këqija “Serbia deri në Tokio”, “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna”, “Kufiri në mes të Mitrovicës” e të tjera si këto e të kohëve që shkaktuan edhe tragjedi njerëzore le të mbesin përmendore të marrëzisë e të shkuarës, apo më mirë sikur të ishte e mundur le t’i fshijë përgjithmonë e bardha dëborë e dimrit që do të shkrijë derisa shkojmë drejt Vitit të Ri 2009 e pranverës së re, drejt kohëve të mira që vijnë për të gjithë.

Gëzuar!

(RILINDJA, 30 Dhjetor 2008)

Filed Under: Fejton Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2139
  • 2140
  • 2141
  • 2142
  • 2143
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT