• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“AKTE SHQIPTARO VENEDIKASE – ACTA ALBANIAE VENETA” TË ÁT ZEF VALENTINI QË MENDOHESHIN TË HUMBURA

July 26, 2022 by s p

Pas kërkimeve disa-vjeçare gjenden 6 vëllime me 2031 dokumente të pabotuara të kolanës “Acta Albaniae Veneta- Akte Shqiptaro-Venedikase.” – Më shumë se 150 dokumente janë për Gjergj Kastriotin Skenderbeun. – Të gjitha dokumentet i takojnë periudhës së ashtuquajtur “epokë Skenderbegiane” dhe të gjitha janë nxjerrë nga Arkivi i Qytetit të Venedikut. –Pas përgatitjeve dhe ballafaqimit me origjinalet së shpejti pritet botimi i të 6-vëllimeve me dokumente të pabotuara si vazhdim i kollanës: Acta Albaniae Veneta- Akte Shqiptaro-Venedikase, seria IV-të.

Prof. dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Studimi i epokave të caktuara, e në kuadër të tyre edhe i personaliteteve që vepruan e krijuan, luftuan dhe sakrifikuan jo vetëm karrierën, por edhe jetën e tyre, përbën një moment tepër të veçantë në historinë e popullit shqiptar. Në të shumtën e rasteve, për këto personalitete, veçanërisht për ata që nuk ishin shqiptarë, të dhënat dhe informacionet për jetën dhe veprat e tyre janë të shpërndara në dorëshkrime, kronika dhe dokumente burimore që ruhen nëpër shumë arkiva e biblioteka të Evropës, e rrallë ose fare pak në ato shqiptare. Përkundër namit, respektit, nderit dhe veprës madhore që ata krijuan me mund dhe me shumë vështirësi, duket sikur ne i kemi harruar, pavarësisht se janë pjesa e ndritur e mendjes dhe e kulturës sonë kombëtare.

Në fushën e studimeve albanologjike dhe ballkanologjike, kontributi i át Zef Valentinit është i jashtëzakonshëm dhe ka një rëndësi të veçantë, sepse njihet si një prej “lavruesve të palodhun të albanologëve.” Ai ishte ndër studiuesit e rrallë që në mënyrë shkencore, të paanshme dhe pa paragjykime, duke u mbështetur në metoda shkencore, studioi mesjetën shqiptare, kulturën dhe traditën, duke nxjerrë në dritë dokumente, dorëshkrime dhe të dhëna të tjera burimore shumë të çmuara, pothuajse të pahulumtuara të historisë sonë kombëtare. Në këtë mënyrë ai tejkalon botimet e korpuseve të dokumenteve dhe studimet e vjetruara, të njëanshme dhe tendencioze të studiuesve italianë, austriakë, sllavë, grekë, bullgarë, etj. 

Pas studimeve dhe analizave të posaçme, të bëra pas hulumtimit dhe zbulimit të lëndës arkivore, át Valentini paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi në mesjetë, por edhe në shekujt në vijim duke mbrojtur teorinë se kjo kulturë, ishte më e afërt me Perëndimin, Bizantin dhe dalmatët, se sa me sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta. “Me dashuri të veçantë njerëzore dhe përkushtim pasional prej dijetari, u përpoq ta ekspoloronte dhe rindërtonte, duke qëmtuar me durim shembullor nëpër dokumente autentike, shumica të pluhurosur nëpër raftet e bibliotekave apo të ndonjë dosjeje të arkivave të huaja. Falë inteligjencës së veçantë, këmbënguljes dhe vullnetit të admirueshëm, i studioi me kujdes, përvetësoi thellë përmbajtjen e tyre dhe i analizoi me objektivitet e kthjelltësi, për të nxjerrë përfundime realiste dhe për t’i shndërruar në studime për Shqipërinë, historinë, kulturën, folklorin, organizmin administrativ dhe juridik etj.” Kontributi i tij në këtë drejtim është i argumentuar dhe ka themele të forta shkencore, përkundër disa pohimeve të ndonjërit prej autorëve shqiptarë se: “Për të krijuar bindje te lexuesi, Valentini luan me dokumente: çdo pohim i tij në tekst, shoqërohet me një lumë dokumentesh. Një mashtrim dhe asgjë më shumë…”, për të vazhduar më tutje me një paragjykim tjetër edhe më të rëndë: “Në historiografinë italiane të pasluftës njohësi më i mirë i periudhës së sundimit venedikas në qytetet e bregdetit mbeti për fat të keq Z. Valentini, një figurë që kishte provuar tashmë se dinte të intrigonte sheshit historinë e Shqipërisë”. Autori i këtyre pohimeve, nuk e ilustron këtë qëndrim të tij me të dhëna konkrete, burime, dorëshkrime, dokumente apo tituj veprash e studimesh të át Valentinit në të cilat vërehen dukuritë dhe të metat që pohohen në lart.

Kontributi i át Valentinit në trajtimin e çështjes së ngritjes së dinastëve shqiptarë në Shqipërinë e Veriut dhe problemin e gjenezës së tyre, e zbërthen në atë mënyrë, që duke gjetur lidhje të ndryshme farefisnore, të gjakut apo martesore me bujarët fqinj, malazezë, kroatë, grekë, maqedonas, bullgarë apo sllavë, vëren ndikim të caktuar në organizimin e strukturës shtetërore shqiptare dhe institucionet e tjera që kishin një traditë të gjatë në këto treva. Krahas kësaj ai trajton edhe problemin e institucionit të notariatit, por edhe strukturën dhe formën dhe përmbajtjen e statuteve mesjetare shqiptare, gjithnjë duke u mbështetur në burime arkivore, për t’i krahasuar ato me të drejtën zakonore, të cilën e njihte për mrekulli, duke studiuar jo vetëm Kanunin e Lekë Dukagjinit, por edhe kanune të tjera. Statutet dhe notariatin, ai i analizon që nga zanafilla e tyre nëpër qytetet bregdetare shqiptare, duke tërhequr një paralele në mes zhvillimit të këtyre institucioneve në Italinë veriore dhe Dalmaci në njërën anë dhe në Italinë jugore dhe në trojet shqiptare, në anën tjetër, studim, që deri tani është ndër më të kompletuarit, përkundër botimeve të M. Shuflajt, L. Nadin dhe ndonjë tjetri.

Duke analizuar njësitë politike dhe ato territoriale-gjeografike, sipas të dhënave burimore arkivore, át Zef Valentini e shqyrton problemin e gërshetimit të elementeve perëndimore dhe lindore në nomenklaturën topografike të Shqipërisë, duke tejkaluar kështu tezat e vjetruara dhe të njëanshme gjoja “shkencore,” mbi influencën ekskluzive të Perëndimit apo Lindjes në trevën e Ballkanit, duke arritur kështu në përfundim të ri shkencor, sipas të cilit në këtë hapësirë gjeografike kemi të bëjmë me influenca të gërshetuara pa ndonjë dallim të favorizuar në llogari të njërit apo tjetrit ndikim. 

Prejardhjen ilire të shqipes e të shqiptarëve, át Z. Valentini e dëshmon me argumente shkencore ndër të tjera edhe me praninë e emrave të vendeve, krahinave dhe vëllazërive të cilat i trajton për emra ilirë, e që mund të zbërthehen me brumin gjuhësor të shqipes. Në anën tjetër shpreh mendimin se shqipja është një idiomë e ilirishtes dhe fazë e re e një të folmeje të moçme ilire, ngase shqiptarët jetojnë aty, ku në kohë të lashta kanë jetuar ilirët dhe ishin në këto treva, pa asnjë dyshim, para dyndjes së sllavëve. 

Edhe në studimet e tjera të át Zef Valentinit bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktologjik, por kanë mbetur disi anash pa u analizuar dhe shqyrtuar sa duhet, faktorët ekonomikë dhe shoqërorë dhe ndikimi i tyre. Historia e shqiptarëve është për të kryesisht historia e një etniteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë, me një aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese e cila për át Valentinin paraqet thelbin autentik të historisë së Ballkanit në përgjithësi, e asaj shqiptare në veçanti.

Metoda e shqyrtimit shkencor, paanshmëria, korrektësia, pedantëria, analizat dhe studimet e nduarduarshme, qofshin ato paleografike, diplomatike, onomastike, toponomastike apo të tjera, edhe sot e kësaj dite janë të patejkaluara. Një gjë të tillë, ia mundësonte kultura e gjerë, njohja e gjuhëve të shumta, vullneti dhe këmbëngulja që e vërteta çdo herë të ngadhnjejë, edhe në ato raste kur dikujt nuk i pëlqente kjo gjë. Punimet dhe studimet e tij të shpërndara nëpër gazeta dhe revista të kohës, por edhe të botuara si libra të veçantë janë të njohura vetëm për një numër të vogël specialistësh dhe studiuesish, ndërsa masa e gjerë e lexuesve kanë pak ose aspak njohuri për ekzistencën e tyre.

Çfarë është kolana e njohur dhe e vlerësuar botërisht: “Acta Albaniae Veneta- Akte Shqiptaro-Venedikase

Në planin e tij botues, për botimin e njërës prej kolanave më të njohura dhe më të mëdha të botuara ndonjëherë me dokumente për shekujt XIV-XV për Shqipërinë dhe shqiptarët, albanologu dhe studiuesi i mirënjohur italian, që e quante veten shqiptar, át Zef Valentini, kishte vendosur që kolanën e tij, ta përfundonte me vëllimin e 30-të, përkatësisht me dokumentin numër 9.699, i cili mban datën 2 mars të vitit 1468.

Po çfarë është Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro-Venedikase? Çfarë përmban? Cila është vlera e saj dhe pse ka një rëndësi të dorës së parë për historinë e shqiptarëve?

Kolana “Acta Albaniae Veneta – Aktet Shqiptaro-Venedikase” përmban në vetvete dokumente burimore, origjinale, autentike të nxjerra nga Arkivi i Qytetit të Venedikut (Archivio di Stato di Venezia), për shekujt XIV dhe XV. Përkatësisht, vëllimi i parë i botuar në vitin 1967, fillon me dokumentin nr. 1 që mban datën 17 prill 1301 dhe vëllimi i 25-t përfundon me dokumentin nr. 7.665, që mban datën 31 dhjetor 1463 (në këtë vëllim janë edhe dy regesta, përkatësisht numrat e dok. 7.666 e 7.667, që nuk kanë datën e shënuar, por vetëm vitin!) Pra nga viti 1967 deri në vitin 1977, për trembëmbëdhjetë vite me radhë, janë botuar 25 vëllime me gjithsej 7.667 dokumente. Të tëra këto vëllime u botuan sa ishte gjallë át Zef Valentini.

  Pjesa dërrmuese e dokumenteve burimore origjinale janë të pabotuara ndonjëherë. Të tjerat edhe pse ishin botuar, u ballafaquan me origjinalin dhe u korrigjuan lëshimet e bëra nga editimet e ndryshme, p.sh. të shikohet botimi i V. Makuševit, J. Radonićit, S. Ljubićit…etj. 

Kolana e botuar në 25 vëllime me dokumente burimore origjinale ndahet në tri seri: 

  1. Seria e parë përfshin vëllimet 1-4; 
  2. seria e dytë përfshin vëllimet 5-17 dhe 
  3. seria e tretë vëllimet 18-25, por në fakt kjo është një seri e pandërprerë botimi dhe tani po sipas projektit të át Zef Valentinit, do të botohet  dhe ajo pason për vëllimet në vijim:
  4. seria e katërt që do përfshijë vëllimet 26-30 me 2031 dokumente, pjesërisht të përgaditura për botim siç e cekëm më lartë!

Menjëherë pas vdekjes së át Zef Valentinit, ndërpritet botimi i kolonës Acta Albaniae Veneta – Aktet Shqiptaro-Venedikase, për dy arsye kryesore: 

a) materialet dokumentare, përkatësisht dokumentet e përgatitura për botim, nuk kishte kush t’i editonte, t’i redaktonte dhe t’i kontrollonte para se ato të shtypeshin, punë kjo me mjaft përgjegjësi dhe tepër sfiduese dhe 

b) mungonin mjetet financiare, të cilat át Zef Valentini sa ishte gjallë i siguroi jo lehtë, por me një punë përkushtuese shumë të veçantë (për të parë se kush qëndronte pas botimit të shikohet një nga kopertinat e vëllimeve të botuara, që po botojmë si ilustrim.)

Në një letërkëmbim të Gjek Gjonlekaj me Át Daniel Gjeçajn /ose Gjin Dukën/ me datën 13 prill të vitit 1985, gjejmë një informacion mjaft interesant për vëllimet: 26-të e 27-të kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro Venedikase, ku ndër të tjera theksohet: “vëllimet e fundit (…) janë bllokue në shtypshkronjë sepse nuk del kush me pague shtypin.”

Vëllimet me 2031 dokumente të pabotuara dhe përmbajtja e tyre

  Është folur e shkruar disa herë se ruhen në dorëshkrim edhe disa vëllime të kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro-Venedikase të át Zef Valentinit, duke u theksuar gjithnjë se fati i tyre nuk dihet. Natyrisht, hamendësime të tilla kanë bërë të gjithë ata që nuk kanë pasur në dorë asnjë nga dorëshkrimet e këtyre vëllimeve, të cilat në të vërtetë ekzistojnë dhe janë përgatitur për botim. Këtu e shohim të udhës të bëjmë një saktësim: para disa vitesh medievisti shqiptar, prof. dr. Pëllumb Xhufi na vuri në dispozicion fotokopjen e një pjese të vëllimit 26, të kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro-Venedikase” të cilit i mungonin 107 dokumentet e para. Ky vëllim është i njëjtë me vëllimin që kemi ne. Te vëllimi 26 që disponon prof. dr. P. Xhufi, 4 faqet e para i ka përgatitur Antonius Guzzeta, dhe atë frontespicin e vëllimit 26, një hyrje prej një faqje në latinisht, burimet arkivore (fondet) dhe shkurtesat.

Në dorëshkrim, ruhen gjashtë vëllime, nga këto pesë vëllime me dokumente dhe një vëllim me indekse për vëllimet 25, 26 dhe 27. Nga vëllimet e gjetura, vëllimet 26-të e 27-të janë të përgatitur për botim dhe të dy vëllimet janë në gjendje boceti, pra i janë dhënë át Zef Valentinit që të bëjë rishikimet e fundit para se këto vëllime të shihnin dritën e botimit. Ndërkohë të katër vëllimet e tjera, janë vetëm të daktiloshkruara pra jo në gjendje boceti! Në katër vëllimet tjera ka shënime anësore dhe në fletë të veçanta se çfarë duhet kontrolluar e korrigjuar dhe si duhet vepruar me rastin e botimit të seicilit vëllim.

Vëllimi i 26-të dhe 27-të, sikurse edhe vëllimet e tjera është identik në çdo aspekt, si për nga forma, përmbajtja, trajtimi, përgatitja, kronologjia, indekset, burimet, shkurtesat, etj, me të njëzetë e pesë vëllimet e botuara. Si dëshmi për këtë po sjellim disa ilustrime nga këto vëllime.

Vëllimi i 26-të i kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro Venedikase fillon me dokumentin numër 7.668 që mban datën 3 janar 1464 dhe përfundon me dokumentin nr. 8101 që mban datën 26 dhjetor 1464. Pra në këtë vëllim janë përfshirë 433 dokumente, përkatësisht të përgatitura nga át Valentini 326 dokumente që fillojnë nga dokumenti me numër 7.775 dhe që mban datën 15 mars 1464. Pjesa tjetër prej 107 dokumentesh u përgatit nga ne, duke ndjekur me kujdesin më të madh metodën dhe praktikën e punës së át Valentinit si për vëllimet botuara ashtu edhe për ato në dorëshkrim.

Të 107 dokumentet që mungojnë në fillimin të vëllimit 26 ne i nxorëm sipas të dhënave që át Zef Valentinit pjesërisht i ka botuar dhe pjesërisht i ka lënë të pa botuara, në dorëshkrim, në Arkivin e Qytetit të Venedikut (Archivio di Stato di Venezia).

Vëllimi i 27-të i kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro Venedikase fillon me dokumentin numër 8.102 që mban datën 6 janar 1465 /ditë e premte/ dhe përfundon me dokumentin nr. 8.553 që mban datën 26 dhjetor 1465, /ditë e martë/. Pra në këtë vëllim janë përfshirë 451 dokumente. 

Të gjitha dokumentet e kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro-Venedikase janë nxjerrë nga një arkiv i vetëm, Arkivi i Qytetit të Venedikut

  Sikurse edhe për të gjitha vëllimet tjera edhe këto dokumente u nxorën nga Arkivi i Qytetit të Venedikut (Archivio di Stato di Venezia), nga fondet e njëjta që ka shfrytëzuar  át Valentini. Dokumentet fillimisht i skanuam dhe i riprodhuam në letër, pastaj bëmë transkriptimin e tyre dhe i përgatitëm për botim, sipas metodës dhe kritereve të punës së át Valentinit.

Me këtë rast dëshirojmë të theksojmë se një apo dy “albanologë” të huaj që kanë provuar të bëjnë studime dhe botime për Gjergj Kastriotin Skenderbeun, kanë shfrytëzuar disa nga dokumentet e pa botuara të át Zef Valentinit, duke mos cituar fare se i kanë shfrytëzuar ato, me shpresën se vëllimet e mbetura në dorëshkrim nuk do të shohin asnjëherë dritën e botimit.

Në anën tjetër jemi në dije të dy projekteve madhore, të dy botuesve shqiptar, njëri po përgatit ribotimin anastatik-fototipik të kolanës së botuar nga át Zef Valentini, të të 25 vëllimeve, ndërsa tjetri botues është duke bërë përgatitjet e duhura për përkthimin e tërë kolanës së botuar, pastaj edhe të 6 vëllimeve të pa botuara, të cilat shpresojmë se do të botohen në ndërkohë.

Pra, vëllimet e mbetura trajtojnë kronologjikisht epokën “Skenderbegiane”, përkatësisht, siç u cek më lartë ato përfundojmë me 2 mars të vitit 1468, përkatësisht janë nxjerrë për botim dokumente vetëm për rreth dy muaj pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skenderbeut, që do të thotë, se át Zef Valentini nuk kishte gjetur dokumente që trajtonin drejtëpërdrejtë dhe zyrtarisht të ashtuquajturën “epokë Skenderbegiane” në Arkivin e Qytetit të Venedikut për periudhën e më vonshme kohore!

Rëndësia dhe vlera kapitale e 25 vëllimeve të botuara të kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro-Venedikase

Të 7.668 dokumentet e botuara në 25 vëllime dhe 1.356 të tjerat të pa botuara në 6 vëllime, janë nxjerrë nga një arkiv i vetëm, pra nga Arkivi i Qytetit të Venedikut (Archivio di Stato di Venezia), në rreth 10 fonde të tij, pra gjithsej 9.024 dokumenta. Kjo është një dëshmi shumë e rëndësishme për faktin se sa shumë dokumente, dorëshkrime dhe burime të tjera ka për shqiptarët dhe Shqipërinë nëpër arkivat dhe bibliotekat e ndryshme të Evropës. Pjesa më e madhe e dokumenteve të botuara botoheshin për herë të parë, të plota dhe me metoda bashkëkohore për kohën, duke ju mundësuar studiuesve të specializuar për fusha të ndryshme që të studiojnë dhe njohin nga afër mesjetën shqiptare.

Është krejt e natyrshme që në vëllimet e botuara ndeshen pasaktësi dhe gabime të natyrave të ndryshme, të cilat kanë si burim qoftë vetë origjinalin apo edhe scribes-it të cilët punuan për át Zef Valentinin dhe ndonjëherë edhe vetë editorin e tyre, i cili e kishte të pamundur që çdo gjë ta ndiqte vetë.

Këto gabime e lëshime, në asnjë mënyrë nuk ulin vlerën dhe rëndësinë që kanë ato për njohjen e përgjithshme të jetës së mesjetës shqiptare në shekujt XIV dhe XV.

Át Zef Valentini në lëndën burimore të përgatitur për botim, ka nxjerrë të gjitha dokumentet e mundshme që kishin të bënin me shqiptarët dhe Shqipërinë, duke u përpjekur për të mos lënë anash asgjë. Ky, në fakt është rasti i parë që një studiues i huaj apo shqiptarë bën një botim të tillë me vlera kapitale dhe pothuajse të patejkaluara edhe sot.

Vëllimet e botuara në vija të trasha ndahen në epokën para skenderbegiane dhe atë skenderbegiane. Nëse lëmë anash të gjitha ato dokumente të botuara dhe shikojmë vetëm botimin e atyre për Gjergj Kastriotin Skenderbeun, emri dhe puna e át Zef Valentinit është e paçmueshme dhe e papërsëritshme.

Rëndësia dhe vlera e 6 vëllimeve të pabotuarave të kolanës Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro-Venedikase

  Duke shfletuar me kujdes të 1356 dokumentet e pa botuara të kësaj kolane, ndeshen të dhëna dhe informacione me shume interes nga fusha të ndryshme të jetës dhe përditshmërisë së arbërorëve mesjetarë.

Dokumentet që presin të botohen dhe që janë shënjuar e përshkruar nga át Zef Valentini (me editorë dhe botues të rinj me rastin e botimit të tyre tani) fitojnë vlerë të shumëfishtë, kur dihet se pjesa dërmuese e tyre janë të pabotuara, ndërsa një pjesë e tyre edhe pse e botuara, janë jo komplete, me shkurtime, lëshime dhe deformime të shumta ndërsa një pjesë tjetër e njohim vetëm si regest.

Duke mos dashur të ulim vlerën e asnjë dokumenti, ne dëshirojmë të theksojmë se dokumentet që kanë të bëjmë me epokën Skenderbegiane, janë të një rëndësie të veçantë.

Meqenëse e njohim me themel këtë periudhë, jo vetëm nga ky arkiv, por edhe nga arkiva dhe biblioteka tjera evropiane, ne pohojmë me siguri të plotë, se për herë parë, studiuesve dhe të interesuarve të tjerë, në 6 vëllimet e pabotuara e të përgatitura nga át Zef Valentini, ju ofrohen më shumë se 150 dokumente të pa botuara. Ky numër i dokumenteve për Gjergj Kastriotin Skenderbeun, do të ishte edhe më i madh sikur një studiues i huaj që ka botuar një “vepër” për Skenderbeun, të mos kishte botuar me dhjetëra dokumente të përgatitura nga át Zef Valentini, të cilin nuk merr mundin as ta citoj fare në “veprën” e tij, duke përvetësuar pa fije turpi punën e gatshme të tjetrit. Po ky autor i huaj, ka shfrytëzuar edhe regestin e pjesshëm të Acta Albaniae Veneta – Akte Shqiptaro Venedikas” të botuar në: Archivum Historiae Pontificae të cilën e citon në ndonjë rast të vetëm (!), ku át Zef Valentini kishte botuar regestin dhe vendodhjen (signaturën) e saktë të shumë dokumenteve për vitet: 1442-1468.

Kush është át Zef Valentini?

Át Zef Valentini lindi në Padovë më 1 korrik 1900. Më 4 nëntor të vitit 1910 fillon studimin si nxënës i jashtëm, ndërsa pas një viti, po me 4 nëntor 1911, studion si seminarist i rregullt në Padovë ku shquhet për rezultate të mira dhe prirje të jashtëzakonshme për shkencat shoqërore dhe ato filozofike. Pas përfundimit të maturës, në vitin 1918, shërbeu për gjashtë muaj në ushtrinë italiane në Pallatin Mbretëror të Casertës. Në periudhën kohore mars-korrik të vitit 1919, përfundoi studimet teologjike të cilat normalisht duhet të zgjatnin një vit, por falë gjenialitetit të tij, ai i përfundoi ato vetëm për pesë muaj. Më 4 nëntor 1919, fillon rishtarinë në Goricë, pranë Urdhërit të Jezuitëve. Pas dy vitesh rishtarie dhe një viti studimi pranë jezuitëve, kur ishte vetëm 22 vjeç, erdhi për herë të parë në Shqipëri, /Shkodër/, në shtator të vitit 1922, si misionar jezuit. Për një kohë të shkurtër mësoi gjuhën shqipe, në veçanti dialektin gegë, të cilën kishte fillue me e mësue në Gorizia të Italisë, me át Mark Harapin. Pas një qëndrimi dy vjeçar në Shkodër, kthehet në Chieri të Piemontes kur për dy vjet me radhë, 1924-1926 studion filozofi. Kthehet prapë në Shqipëri /Shkodër/, në vitin 1926 ku shërben edhe dy vite të tjera si mësues në Kolegjin e mirënjohur Saverian të Shkodrës, duke punuar si “mësues italishtje, latinishtje, greqishtje, historie natyrore, algjebre, besimi, mâ parë në gjymnaz, mandej në licé.” Pas kësaj përvoje ku shijoi mikpritjen e nxënësve shqiptarë, popullit shqiptar dhe të shkodranëve në veçanti, at Valentini kthehet përsëri në Chieri të Piemontes ku studion teologji dhe mbaron kurse të specializuara të cilat janë të njohura për sistemin e jashtëzakonshëm të organizimit jezuit, në vitet 1928-1932. Në vitin 1932 laureohet për teologji. Ndërsa kryente studimet për teologji, ai shugurohet prift më 4 korrik të vitit 1930, pranë Urdhërit të Jezuitëve, pas një prove jetësore të tijën personale prej 12 vjetësh, e cila ishte e domosdoshme dhe shumë e dobishme për të. Pas mbarimit të studimeve teologjike, në fillim të vitit 1932 kthehet përsëri në Shkodër. Në vitet 1932-1943 drejtoi revistat e jezuitëve “L.E.K.A” dhe “Lajmtari i Zemrës së Krishtit” (1933-1939). Gjatë kohës së studimeve dhe specializimeve të tij, át Zef Valentini bëri edhe kërkime shkencore nëpër arkiva dhe biblioteka të ndryshme për historinë e Shqipërisë. Mund të përmendim disa prej tyre si Archivio Civico të Padovës në vtin 1932; në Archivio di Stato di Roma dhe Archivio Segreto Vaticano në vitet 1935-1938, nga ku nxjerr seritë e mirënjohura të dokumenteve të cilat do t’i botojë për shumë vite me radhë në revistën “L.E.K.A” si dhe në periodikë të tjerë në gjuhën shqipe. Një arkiv tjetër që shfrytëzohet që nga viti 1935 e deri në fund të jetës së tij, të cilit edhe i kushtoi shumë kujdes, ishte Archivio di Stato di Venezia, në Venedik, nga ku nxori dhe botoi me mijëra dokumente dhe dorëshkrime, vlera e të cilave është e jashtëzakonshme. Në vitin 1941 iu besua detyra e këshilltarit dhe sekretarit të përgjithshëm të Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Duke treguar këmbëngulje, zell dhe njohuri prej eruditit, át Valentini në vitin 1942, emërohet inspektor në Archivio di Corfù. Në fund të vitit 1943 Át Zef Valentini u largua nga Shqipëria për në Itali. Meqë nuk mund të kthehej më në Shqipëri, ai vendoset në Romë, pranë Pontificio Istituto Orientale, ku më tërë forcat e tij i përkushtohet çështjes shqiptare. Për një gjë të tillë, át Valentini gjen mbështetjen e fuqishme të zëvendës-sekretarit të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, kardinalit, imzot Giovanni Battista Montini, i cili më vonë zgjidhet papë Pali VI. Ky papë, gjatë gjithë pontifikatit të tij e mbështeti fuqishëm át Valentinin në të gjitha projektet e tij, si dhe ishte mbrojtësi më i mirë i mundshëm i tij. Prandaj janë të kuptueshme fjalët që papa Pali VI pohon për át Zef Valentinin më 25 prill të vitit 1968, duke treguar miqësinë dhe mirënjohjen e tij për këtë studiues dhe albanolog të madh. Me dëshirën e papa Palit VI, át Valentini në mes të viteve ’60, të shekullit XX, fillon shërbimin e tij në ritin lindor, atë ortodoks. Një veprim i tillë, është vështirë të kuptohet, nëse nuk analizohet me kujdes veprimtaria e át Valentinit, miqësia e tij me papa Palin VI si dhe rrethanat politike të asaj kohe, jo vetëm në Itali, por edhe ato ndërkombëtare. Personaliteti i át Zef Valenitnit, ishte më i përshtatshmi për një ndikim dhe kontroll të drejtpërdrejtë te arbëreshëve të Italisë, por edhe të kishës Uniate në përgjithësi, gjë që Selia e Shenjtë e bënte me kujdes dhe vëmendje të veçantë. Duke vazhduar aktivitetin e tij, në fusha të ndryshme, át Z. Valentini, në fund të vitit 1945, ftohet në Milano (Itali), për të themeluar dhe drejtuar revistën “Letture” numri i parë i së cilës doli në janar 1946. Gjatë viteve në vijim, ushtron dhe detyrën e “Presidente dell’Associazione Internazionale delle Riviste Cattoliche di Critica Letteraria,” si dhe emërohet: “Presidente dell’Associazione Cattolica dei preti scrittori,” pastaj e gjejmë edhe në detyrën e “Assistente Generale dell’Unione Librai Cattolici Italiani.” etj. Duke qenë shumë i nderuar në rrethe shkencore dhe albanologjike në botë, por jo edhe në Shqipëri, Rosolin Petrotta dhe Ernest Koliqi, në vitin 1952, e lusin drejtuesin e Urdhërit Jezuit, át Janssen-in që të lejojë át Valentinin për të drejtuar Katedrën e Gjuhës Shqipe në Palermo. Një kërkesë e tillë miratohet nga ana e drejtuesit të Urdhrit át Janssen-it, pas konsultimit me papa Palin VI, dhe në vitin 1952 át Valentini zyrtarisht emërohet drejtues i “Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos,” ku themeloi dhe drejtoi “Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare”. Gjatë tërë kohës ai u mor me kërkime, hulumtime, studime dhe botime me vlera të rralla për albanologjinë dhe historinë. Vdiq në Palermo më 16 nëntor 1979.

Filed Under: Histori Tagged With: Musa Ahmeti

GUVERNATORJA E NJU JORKUT TAKOHET ME SHQIPTARO- AMERIKANËT NË RRUGËN GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBEU NË NJU JORK

July 26, 2022 by s p

 Nga Frank Shkreli/

Gjatë viteve, komuniteti shqiptaro-amerikan është takuar me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të niveleve të larta vendore,shtetërore dhe federale për të qarë hallet dhe për të kërkuar ndihmë për komunitetin e këtushëm por edhe për mbështetje më të mëdha dhe më të rëndësishme që kanë pasur të bëjnë me fatin e bashkatdhetarëve tanë anë e mbanë trojeve shqiptare – në përpjekjet dhe luftën për sigurimin e të drejtave të njeriut, lirisë, drejtësisë dhe demokracisë së vërtetë. Është kjo një e kaluar e shkëlqyer në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Por komuniteti shqiptaro-amerikan vazhdon të bëjë histori. Ishte një kohë që komuniteti ynë këtu në Nju Jork dhe në Amerikë, përgjithësisht, dikur kërkonte vëmendjen e udhëheqësve më të lartë të atdheut tonë të adaptuarShteteve të Bashkuara të Amerikës –për të na ndihmuar, në të kaluarën, sidomos, përball sfidave të diktaturave të shekullit të kaluar – shëmbjen e komunizmit në Shqipëri dhe çlirimin e pavarësinë e Kosovës nga zgjedha e regjimit terrorist serb të Millosheviçit, ndër të tjera.  Por, sot ka ardhë koha politikanët amerikanë janë ata që kërkojnë vëmendjen e komunitetit shqiptaro-amerikan, gjë që tregon – se megjithëse i vogël në numër, në krahasim me komunitetet e tjera etnike më të mëdha,  komuniteti ynë ka arritur të luaj një rol të rëndësishëm, jo vetëm në ekonominë vendore por edhe në qarqet politike amerikane. Një rast konkret.

Të shtunën mbrëma më telefonoi Z. Mark Gjonaj, bashkvendasi im nga rrethi i Ulqinit — aktivisti i palodhëshëm i komunitetit tonë këtu në Nju Jork dhe jo vetëm, ish-asambleisti dhe anëtar i Këshillit të Qytetit të Nju Jork, realizues i shumë projekteve shoqërore shumë përfituese për komunitetin shqiptaro-amerikan këto vitet e fundit –për të më njoftuar se posa kishte folur me Guvernatoren e 57-të e shtetit të Nju Jorkut, demokraten(e para femër guvernatore e këtij shtetit),ZonjënKathy Hochul, e cila i kishte shprehur dëshirën që të takohej me komunitetin shqiptaro-amerikan ditën e nesërme, të dielën. Marku, natyrisht, vihet në lëvizje të shpejt — ashtu siç e ka zakon për raste të tilla — për të organizuar brenda disa orësh takimin e Guvernatores Hochul,për ditën e nesërme, me komunitetin shqiptaro-amerikan. Megjithëse ishte një kërkesë e “minutit të fundit”, që takimi të bëhej ditën e dielë, Mark Gjonaj ia doli që vetëm, brenda disa orësh, të organizonte një pritje të mrekullueshme mysafirës së lartë e shtetit Nju Jork, e cila po takohej – me ftesën e ardhur prej saj – për herë të parë si guvernatore me komunitetin shqiptaro-amerikan.

Unë nuk jam në dijeni – megjithse mund të ketë ndodhur më parë – por nuk mbahet mend që një guvernator/re e shtetit të Nju Jork-ut të bëjë thirrje të takohet dhe të organizohet miting mekomunitetin shqiptaro-amerikan këtu në Nju Jork.  Zakonisht, ndodh e kundërta, komuniteti ynë fton politikanët për takime ose për pjesëmarrje në ndonjë ceremoni me rëndësi.

Por, ja Guvernatorja Hochul erdhi të dielën për takim me komunitetin shqiptaro-amerikan – në lagjën e banuar nga shumë shqiptarë në Bronx – po aty, ku disa javë më parë është zhvilluar ceremonia e emrimit të rrugës Gjergj Kastrioti- Skenderbeu – një realizim tjetër ky i aktivistit të njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan, Z. Mak Gjonaj.Mu aty në rrugën e Gjergj Kastriotit – Skenderbeu, në Bronks të Nju Jorkut, komuniteti shqiptaro-amerikan i udhëhequr nga Mark Gjonaji ofroi mirëseardhjen të parës së shtetit të Nju Jorkut, Guvernatores, Kathy Hochul, me mikpritjen tradicionale shqiptare.

Duke mirëseardhur Guvernatoren në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork në veçanti dhe në Amerikë, në përgjithësi, Mark Gjonaj tha se shqiptaro-amerikanët i gjenë kudo të punësuar, “Në radhët e para të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, në radhët e policisë e të arsimit; ata janë zjarrëfikës, mjekë e infirmjerë në spitalet tona, janë anëtar bordesh dhe japin mësim në shkolla dhe universitetet tona. Kur flasim për shqiptarët, kemi të bejmë me njujorkezë të vërtetë të cilët janë mirënjohës për të mirat dhe mundësitë që u janë dhenë dhe për privilegjet që gëzojnë në këtë vend.”

 Z. Mark Gjonaj vazhdoi duke thenë se qyshë në kohën që ai ishte anëtar i Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut kishte punuar me Guvenatoren Kathy Hochul – kur ajo ishte zevendës-guvernatore dhe se ajo i kishte premtuar që atëherë se ajo donte të njihej më mirë me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe se ajo “donte të dinte më shumë edhe për nevojat dhe shqetësimet tona”, në përgjithësi. Ajo e mbajti fjalën”, tha Z. Gjonaj. “Ajo me kontaktoi dhe më pyeti nëse mund të takoheshim me komunitetin shqiptaro-amerikan, me qëllim për tu përshendetur me njëri tjetrin, një takim ku ju të beni pyetjet tuaja dhe që guvernatorja tu përgjigjet pyetjeve dhe shqetësimeve tuaja”. Ja ky është objektivi i vizitës dhe i takimit me ju sot”, shtoi Z.Mark Gjonaj dhe ia dha fjalën Guvernatores Kochul.

Guvernatorja Hochul, nga ana e saj, përshëndeti përzemërsisht të pranishmit dhe me këtë rast shpalosi vizionin e saj për banorët e Nju Jorkut ndërsa ofroi edhe ndihmën e saj për komunitetin shqiptaro-amerikan.  Duke ku drejtuar Z. Mark Gjonaj, Guvernatorja Hochul e cilësoi Z. Gjonaj si një, “Zyrtar publik i shkëlqyeshëm me të cilin kam patur rastin të punoj në të kaluarën”, tha ajo. “Ky është një luftëtar, gjithmonë kishte në zemër dhe në mendje interesin e komunitetit shqiptaro-amerikandhe zonës së tij elektorale, duke i ndihmuar ata që përvojën amerikane t’a bëjnë pjesë të përvojës së tyre peronale. Ju falënderoj për rolin tuaj udhëheqës”, i tha ajo Z. Mark Gjonaj.  Ndërsa duke iu drejtuar përfaqsuesve të komunitetit në atë takim, “këtij komuniteti të madhërishëm këtu, mbi 100-mijë, përqëndruar këtu në këtë zonë që quhet “Shqipëria e vogël”, ku celebrohen disa prej traditave dhe zakoneve më të mira, ku nderohen dhe kujtohen njerëz të dalluar e kontribues, shumë prej të cilëve janë arratisur nga rrethanat të vështiranë atdheun e tyre të prejardhjes, por në kërkim të asaj “ëndrrës amerikane”, si shumë e shumë të tjerë, përfshir gjyshin e gjyshe time. Unë shpresoj që ju të kini gjetur këtu, jo vetëm “ëndrrën amerikane”, por edhe “endërren njujorkeze” në këto hapësira, në këtë komunitet, sepse ky komunitet është më i mirë dhe më i bukur dhe më interesant, pikërisht, për arsye të pranisë së juaj këtu.  Dhe vullneti juaj për të punuar duke hapur tregti të reja, për të na ndihmuar që të ndërtojmë një Nju Jork më të mirë, nepërmjet punës tuaj, siç përmendi edhe Marku, për të na ndihmuar të luftojmë krimin, ndër të tjera. Përparësia ime, numër një, si guvernatorja juaj, është që t’ju garantojmë shëndetin, sigurinë juve dhe familjeve tuaja…kjo është përgjegjësia ime numër një…”, ka thënë guvernatorja e Nju Jorkut në takimin me shqiptaro-amerikanët në rrugën Gjergj Kastrioti -Skenderbe, në lagjën  Bronks të Nju Jorkut, të dielën që kaloi.

Dua të përfitoj nga ky rast i vizitës së Guvernatores së shtetit të Nju Jorkut të djelën në komunitetin shqitaro-amerikan në Bronks, një vizitë kjo që tregon rolin e shtuar politik dhe ekonomik të shqiptarëve në këtë vend. Kam theksuar shpesh nevojën e angazhimit të brezit të ri të shqiptaro-amerikanëve në politikën vendore dhe të niveleve të tjera shtetërore dhe federale. Unë jam munduar që të pasqyroj në të kaluarën, sadopak lëvizjet pozitive në këtë drejtim – siç është angazhimi i Z. Mark Gjonaj në proceset politike të Nju Jorkut. Çdo fillim është i vështirë, sidomos angazhimi në arenën politike amerikane nuk është i lehtë.  Por mundësitë të janë të mëdha që të rinjtë dhe të rejat e këtij komuniteti të angazhohen më seriozisht për tu bërë pjesë e  procesit politik të këtij vendi.  Mark Gjonaj, ka luajtur një rol model për këtë brez të shqiptaro-amerikanëve, se çdo të thotë angazhimi i vetëm i një personi për komunitetin që bëhet pjesë e procesit politik, si përfaqsues politik i një komuniteti, siç është komuniteti shqiptaro-amerikan – në çfardo detyre qoftë. Nëqoftse dëshironi të kontriboni për komunitetin tuaj shqiptaro-amerikan ndiqni shembullin e Z. Mark Gjonaj, “shërbëtorit të shkëlqyer publik”, siç e cilësoiZ. Mark Gjonaj, Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, para një grupi shqiptaro-amerikanësh në rrugën Gjergj Kastrioti-Skenderbe në Bronks, të dielën që kaloi, në takimin e saj me ta.Duhet vetëm të shikoni përfitimet e shumta që i kanë ardhur komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë disa viteve të fundit — falë angazhimit serioz dhe punës së rëndë të Z. Mark Gjonaj — në procesin politik të këtij vendi të madh e demokratik për të parë nëse,vërtetë, ia vlen. Unë them se po!

Frank Shkreli

Më poshtë fotot nga aktiviteti i ditës së dielë:

Z. Mark Gjonaj duke bërë simbolin e shenjtë të shqiptarëve, shqiponjës dy-krenare me Guvernatoren e shtetit të Nju Jorku, Kathy Hochul

Këmisha me mbishkrimin nga Guvernatorja: “Më takoni tek Gjergj Kastrioti-Skenderbe në Bronx, Nju Jork”

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Nikollë Mernaçaj, e dënuan dy herë, jetoi vetëm 5 ditë pasi doli nga burgu

July 26, 2022 by s p

Kujto.al

Historia e Nikollës, që diktatura e dënoi dy herë. Herën e parë pak kohë pas martese, kur vajza e vogël ishte vetëm një vjeç dhe të dytën pasi kishte dalë në pension. Një jetë në burgje, internim dhe survejim, e mbyllur vetëm pesë ditë pas lirimit. I biri tregon historinë e përndjekjes së pandalur ndaj babait dhe familjes 

65-vjeçari, atë ditë janari, ishte duke marrë pensionin para postës së Lushnjës, në fshatrat e së cilës jetonte i internuar, kur e ndaluan me parrullën “në emër të popullit je i arrestuar”. E akuzuan për agjitacion dhe propagandë dhe e dënuan me 10 vjet burg. I kreu në Ballsh, në Zejmen dhe në Shën Vasil të Sarandës. Siç tregon i biri, Mark Mernacaj, në librin “Zërat e kujtesës Vëllimi VII”, botim i ISKK, gjatë kohës që i ati vuante dënimin u bënë tri amnisti nga të cilat, pavarësisht moshës, nuk përfitoi nga asnjë. Vetëm në amnistinë e katërt të vitit 1986, Nikollës iu fal 1/ 4 e dënimit të mbetur që do të thoshte 1 vit. U lirua pas 9 vitesh burg më 15 janar të vitit 1989. Jetoi vetëm pesë ditë dhe ndërroi jetë në spitalin e Tiranës. Kishte kryer, bashkë me dënimin e parë 17 vite burg dhe periudhën midis dy dënimeve e kishte kaluar i internuar në fshatrat e Lushnjës.

“Babai nuk ka qenë fashist. Ai ka qenë në ushtrinë e Gardës Mbretërore në Itali, Romë. Në atë kohë, ne ishim pushtuar nga Italia. Babai ishte ushtar në Elbasan dhe prej aty, një pjesë të ushtarëve i kanë dërguar në Itali për shërbimet mbretërore. Babai ka pasur disa revista nga ajo kohë dhe për këtë arsye e akuzuan si fashist dhe për “agjitacion e propagandë”, po ashtu dhe si spiun. Ai ka qenë në burg nga 1952 deri në janar 1960”, tregon Marku për “Zërat e kujtesës”. Nikollën e dënuan jo shumë kohë pas martesës, një vit pas lindjes së vajzës së parë, Diellës. Gruaja e tij, Drania, ishte një nga ish-fëmijët e kampit të Beratit dhe Tepelenës, internuar atje me gjithë pjesën e mbetur të familjes, pasi dy vëllezërit e saj, Toma dhe Frani ishin arratisur në vitin 1948.  Gjatë kohës që bashkëshorti i saj vuante dënimin në burg, prindërit dhe vëllezërit e tij u arratisën të gjithë fillimisht në Mal të Zi e më pas në SHBA. Kjo bëri që rreth një muaj pasi Nikolla doli nga burgu, ndërkohë që komunistët i kishin sekuestruar gjithë pasurinë pas largimit të prindërve, ta internonin bashkë me gruan dhe vajzën Diella, në Savër të Lushnjës. Atje lindën dy fëmijët e tjerë, Maria dhe Marku, që tregon këtë histori. “Në Savër kemi kaluar pjesën më të madhe të jetës, deri në vitin 1991”, tregon ai. Për një periudhë kohe i zhvendosën në fshat tjetër internimi, siç ishte Gradishti, kjo për arsyen se një nga mushkat e sekuestruara familjes, i kishte humbur të zotit të ri. Fajtorë u bënë menjëherë vëllezërit e Nikollës dhe meqë nuk kishin me kë të hakmerreshin tjetër, vendosën që Nikollën me gjithë familje ta zhvendosnin nga Savra për në Gradisht. Më pas, kur mushka u gjet në një humnerë, Nikollës i thanë se me anë të një kërkese mund të ktheheshin sërish në Savër, siç edhe bënë. Pas një aksidenti me makinë, ai u shtrua 6 muaj në spital, qëndroi dy vjet pa punë dhe iu rikthye sërish punës në bujqësi deri sa doli në pension, kur do të vinte dënimi i dytë.

“Arsyeja e dënimit të dytë ishte se, në vitin 1976, pasi gjyshi vdiq, gjyshja shkoi në Amerikë, sepse kishte djemtë.

Në atë kohë, ajo ishte 105 vjeç. Ikja e saj bëri bujë të madhe. Ajo, në fakt, shkoi për vizitë në Amerikë, jo për të qëndruar. Vetëm pas disa kohësh vendosi dhe vajti për të plotësuar letrat, siç ishin rregullat për emigracion. Kur po merrej me këto procedura, e merr vesh një kongresmen amerikan, që ishte në Bronx…se kishte një rast, një grua që kërkonte shtetësinë në moshën 105-vjeçare. Kjo ngjarje, shkoi deri te presidenti i asaj kohe, Gerald Ford, i cili bëri një dekret të posaçëm për t’i dhënë direkt nënshtetësinë nënës, pa qenë nevoja për rezidencë. Ky rast bëri një bujë të madhe. Shkruajtën shumë gazeta. Shkoi deri tek mediat australiane lajmi. Kjo ishte pra akuza e dytë për babain duke i thënë se nëna e tij, kishte shitur nënshtetësinë shqiptare dhe ka marrë atë amerikane”, tregon Marku.

Nikolla do ta kalonte në burg gjithë jetën e mbetur, pasi ndërroi jetë vetëm 5 ditë pasi u lirua. “Babai kishte shumë sëmundje në trup, po jo deri në atë gjendje, sa ta çonte drejt vdekjes. Sipas shokëve të burgut, është sëmurur 15 ditë para se të lirohej. Në librin e Patër Zef Pëllumbit (ai) tregon se ka qenë I shtruar në infermierinë e burgut. Aty tregon me detaje, ku bashkë me babën, ka qenë i shtruar edhe Dom Pjetër Gruda, i cili vdiq dy ditë përpara se të lirohej babai. Ndërsa im atë arriti të lirohej, të dilte gjallë. Patër Zef Pëllumbi dëshmon se të dy janë mbytur nga infermieri i burgut, Kosta, i cili ishte dhe vetë i burgosur…Patër Zef Pëllumbi tregon se ky, Kosta bënte çmos që të burgosurit mos të dilnin nga burgu. Më ka treguar dikush që kishin shkuar për inspektim nga Tirana. Babai në atë kohë kishte qenë i shtruar. Panë ambientet, panë edhe dy të sëmurët që ishin Dom Pjetër Gruda dhe babain. Ata pyesnin se pse ishin aty, pse nuk i kishin çuar në spital për mjekim më të specializuar? Për babain, ai u thotë se lirohet tani, kur për Dom Pjetrin përgjigjet se nuk ka gjë, është mirë, por në fakt, të dy vdiqën”, thotë Marku në intervistën për Luljeta Lleshanakun përfshirë në botimin “Zërat e kujtesës”, Vëllimi VII. Ai kujton se babanë ia prunë me barrel, kur shkoi ta nxirrte nga burgu, ditën që i mbaronte dënimi, madje sipas tij, e vonuan deri sa të shkonte ora 13.00, ora kur edhe e kishin arrestuar 9 vite më parë. “Nuk i falën as gjysmë ore”, komenton ai. I ati nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, kështu që Marku mori rekomandim në Savër dhe me makinë e çoi në spitalin e Tiranës, ku doktor Vangjel Todri i tregoi gjendjen e rëndë të atit. Pas pesë ditësh ai ndërroi jetë. Marku tregon se e sorrollatën gjatë për ta transportuar trupin e tij në Shkodër, ku familja kishte vendosur që të prehej Nikolla, pasi e prunë një herë në Savër. “Kur mbërritëm në Shkodër ishte ora 8 e ca e darkës. Gjithë njerëzit kishin ikur dhe, ne, e varrosëm babanë në errësirë vetëm me 6 persona, me të cilët erdhëm nga Lushnja”, tregon ai.

Vetë do të ktheheshin në Savër, aty ku jetuan deri në vitin 1991.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Mark mrnacaj

MIKU I MIRË NË DITË TË VËSHTIRA

July 26, 2022 by s p

Më 26 korrik të këtij viti bëhen 59 vjet nga tërmeti katastrofal që e goditi Shkupin, që la pas vetes më shumë se 1.000 viktima, diku 4.000 të tjerë të lënduar, ndërsa 200.000 njerëz i la pa kulm mbi kokë. Përnjëherë, nga një dridhje e tokës, që zgjati 20 sekonda, Shkupi u gdhi mbi rrënoja, dhimbje e vaj. Gati 80% e qytetit ishte rrënuar. Pamjet që janë ruajtur, disa nga të cilat do t’i shihni edhe në këtë ekspozitë, dëshmojnë për një hapësirë gërmadhë.

Por, në çastet e dhimbjes dhe rënies, gjithnjë qëllon edhe një dorë e solidaritetit, për të na dëshmuar se megjithatë ne nuk jemi të vetmuar dhe të braktisur. Kështu, kur Shkupi dhe shkupjanët po e vajtonin atë që e kishin humbur, u ngrit pjesa më e madhe e botës për ta dëshmuar solidaritetin dhe humanizmin në vepër. Deri atëherë shkupjanët kishin pasur përshtypjen se a thua e di bota se ata ekzistojnë, por vera e vitit 1963 dhe disa vite më vonë ishin dëshmi se bota kishte respekt të veçantë për këtë qytet dhe për banorët e tij. Madje, Shkupi u bë pikëtakimi i botës bipolare, duke i bërë të ndihmojnë pranë njërit-tjetrit edhe kundërshtarët e Luftës së Ftohtë. Siç duket, ngrohtësia shpirtërore që fle në këtë qytet i zbuti edhe ato dallime, sepse në Shkup të gjithë filluan të ndjehen si shkupjanë. Shkupi po ribëhej. Dhe, vërtet, përveç angazhimit të shtetit në të cilin atëherë bënim pjesë, e rëndësishme ishte edhe ndihma që rrodhi gjithandej në Shkup, qoftë ndihmë në ushqime, në veshmbathje ose në ndërtimtari, duke bërë që në Shkup plot kombe ta lënë gjurmën e tyre të bamirësisë.

Në këtë kontekst pa dyshim ndër ndihmat më të mëdha që Shkupi i pranoi atëbotë ishte ndihma amerikane, që erdhi pas letrës së Kabinetit të Presidentit Kennedy, ndërsa bëri që Shkupi ta ndjejë se edhe Amerika e largët, me të cilën ishim ndarë pas Luftës së Dytë Botërore, përsëri na kujtuaka. Shkupjanët për herë të parë panë qumësht në pluhur, që ata e quanin “qumësht Amerike”, por pranuan edhe ndihmë mjekësore, veshje e pajisje shtëpiake, ndërsa edhe disa lagje e ndërtesa, që sot i gëzon Qyteti, janë pikërisht në saje të kësaj ndihme amerikane.

Duke qenë në këtë përvjetor të tërmetit dhe të solidaritetit, por duke pasur edhe një arsye tjetër, atë të ftesës për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, që sigurisht erdhi pas ndihmës dhe mbështetjes amerikane, Shkupi ka të drejtë ta regjistrojë proverbin “Miku i mirë – në ditë të vështirë”. Atëherë kur rrezikohej mbijetesa fizike e Shkupit ishin amerikanët ata që erdhën përtej Atlantikut për të na ndihmuar dhe përsëri sot, kur Shkupi ishte në udhëkryqin e ri historik, u shfaq përsëri dora amerikane për të na dhënë mbështetje drejt perspektivës, stabilitetit dhe mirëqenies. Mund të jetë koincidencë, por gjërat e mira nuk janë vetëm koincidencë.

Të gjendur në këtë përvjetor, duke gjurmuar në Arkivin e Qytetit të Shkupit, kemi gjetur dokumente dhe fotografi të vlefshme që e dokumentojnë ndihmën amerikane para 59 vjetëve, ndërsa janë freski e kujtesës kolektive, se jorastësisht SHBA-të edhe sot janë në anën tonë. Nga ky material është krijuar edhe ekspozita e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me titull “55-vjetori i ndihmës amerikane për Shkupin”.

Le të jetë kjo ekspozitë falënderimi që po e bëjmë ne në emër të Shkupit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e para gjysmëshekullit, por edhe për atë që e bën sot ky vend mik për ne!

Dr. Skender Asani,

drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve

Shkup, 26 korrik 2022

Filed Under: Rajon

Rikthimi në Shtëpinë e përbashkët Evropiane ose shtegtimi i sprapsëm i idesë evropiane mes shqiptarëve

July 26, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Miti i Evropës i ngjizur këtu në Ballkan ku ajo e gënjyer nga Zeusi i shndërruar në një dem pranon ti hipi sipër për të rendur me të , duke mos marrë kështu vetëm një vendim personal por duke filluar dhe bazat e një ideje evropiane që do ngazëllonte dijetarë të shumtë që nga Herodoti e deri tek etërit e Evropës së bashkuar, përfshi dhe ata shqiptarë.

“Jakë o dritë e bekuar që lind andej ku perëndon” do të shkruante Naim Frashëri duke shprehur qartë jo vetëm adhurimin e tij për Perëndimin por dhe influencën e kulturës evropiane, që kish influencuar aq shumë në botëkuptimin e një plejade të tërër atdhetarësh shqiptarë.

Shqipëria tashmë nis udhëtimin drejt “tokës së premtuar” ashtu si Evropa në mitin e vjetër. Shqiptaret besojne ne idene evropiane, ne po i rikthehemi andej prej nga na kane shkeputur dhunshem…

Ilustrimi është hartë e vjetër e Europës e shekullit te XVI, vepër e humanistit Heinrich Bünting dhe është realizuar ne vitin 1582. Harta mban titullin Europa Regine (Europa Mbretëreshë)dhe simbas traditës klasike është e paraqitur si grua e kurorëzuar mbretereshë.

Harta e Buntingut, e cila mbështetet mbi një paraqitje më të hershme te saj nga hartografi Johannes Putsch e vitit 1537, paraqet mes atyre pak vendeve europiane, edhe Arbërinë (Albania) e cila gjatë asaj epoke kishte emër të madh në Europë, si rezultat i rezistencës antiosmane.

Kjo hartë ndodhet ne hollin e Parlamentit Europian dhe është shprehje simbolike e bashkimit të kontinentit tonë qysh me fillimin e epokës moderne (e cila fillon me Rilindjen Europiane). Arbëria në mesjetë nuk ishte e njohur vetëm nga rezistenca antiosmane, pasi harta me përfishirjen e saj, respekton një mit të vjetër të kontinentit tonë. Një nga vëllezërit e Europës ishte Kadmi, themeluesi i Tebës( Thiva e sotme në Greqi). Ai u vu në ndjekje të motrës së vet dhe pasi nuk e gjeti , u ndal duke themeluar qytetin e Thives. Ai konsiderohet si shpikësi i alfabetit grek dhe ndërtuesi i mureve të mëdhenj të qytetit.

Sipas Bibliotheca, libër që përmblidhte në tre vëllime gjithë mitet e antikitetit, botim shekullit të II pas Krishtit, në moshë të madhe ai u tërhoq nga pushteti si mbret i Thivës dhe sëbashku me Harmoninë, duke u shndrruar në gjarpërinj, u vendosën në brigjet e liqenit të Lyhnidës( liqeni i sotëm i Ohrit). Nga martesa e tyre lindi një djalë Illyrion që u bë paraardhësi i gjithë fiseve ilire.

Iliria dhe Arbëria ishin pjesë përbërëse e memories kulturore dhe historike e qytetërimit europian, ndaj Arbëria , imazhi i së cilës qe përforcuar dhe nga betejat e Gjergj Kastriot Skënderbeut zë një vend të rëndësishëm në hartë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dorian Koci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2148
  • 2149
  • 2150
  • 2151
  • 2152
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT