• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Heronjtë që na duhen, por që nuk i meritojmë

May 21, 2022 by s p

Nga Alban Jashari/

Përgjithësisht komunitetet i kërkojnë me ngulm heronjtë, shpeshherë duke shpikur të tillë në mungesë të tyre. Përpara këtij fakti është për të ardhur jashtëzakonisht keq mospërfillja e komunitetit shqiptar për një hero të vërtetë të ardhur nga rradhët tona: oficerin e policisë SEPTA Ervis Onuzi.28-vjeçari Onuzi u qëllua në detyrë në muajin prill teksa po përpiqej të ndihmonte një koleg të tij gjatë një shkëmbimi zjarri me një të dyshuar të armatosur në qytetin e Filadelfias. Profesionalizmi dhe guximi i oficerit Onuzi bënë bujë në mediat më të njohura amerikane dhe u vlerësuan me notat më të larta nga kolegët dhe eprorët e tij. Në fakt, policia e Filadelfias nxitoi në Spitalin Universitar Temple në shenjë mbështetjeje për Onuzin, duke shënuar dhe një çast prekës në momentin që Onuzi doli nga spitali pasi ndenji nëntë ditë i shtruar atje.Por ndryshe nga kolegët e tij të profesionit, veprimit proverbial të oficerit Onuzi nuk iu kushtua vëmendja e duhur nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Përjashtimi i vetëm ishte, si gjithmonë, Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Zbatuesve të Ligjit (Albanian American Law Enforcement Association – AALEA USA). Jo vetëm që përfaqësuesit e AALEA iu gjendën pranë oficerit Onuzi gjatë momenteve të vështira kur ishte i shtruar në spital, por edhe i akorduan atij Çmimin “Hero” për heroizmin, guximin dhe shërbimin e përkushtuar. Deri më sot, ky mbetet vlerësimi i vetëm i akorduar të riut Onuzi, pavarësisht dimensionit të jashtëzakonshëm të veprimit të tij në krye të detyrës.”Ai është padyshim një hero. Ai e vuri veten në rrezik për të shpëtuar një person tjetër dhe kjo është e jashtëzakonshme. Ky është gjesti më i madh që mund të bëjë çdo oficer policie,” tha Troy Parham, Zëvendës Presidenti i Unionit e Policisë SEPTA.Do bënin mirë që këto fjalë t’i merrnin parasysh drejtuesit e organizatave shqiptaro-amerikane dhe përfaqësuesit e komunitetit tonë në Amerikë, të cilët kanë mbetur mjerisht të heshtur përpara veprimit heroik të oficerit Onuzi.

Filed Under: Analiza Tagged With: alban jashari

Shqipëria po qanë…

May 21, 2022 by s p

Ndriçim Kulla (Nderi i Kombit) /

“Deti u bë mal me njerëz, dhe toka det me lot”, këndonte Ardit Gjebrea, në vitet ‘90, në atë këngë të tij të mrekullueshme në festival, që besoj ka arritur të përlotë shumë njerëz në Shqipërinë e asaj kohe, që po përjetonte migrimin më të madh të historisë së saj. Ishte vërtet diçka e dhimbshme, e tmerrshme në historitë njerëzore, por edhe një shfryrje e madhe e dufit dhe dëshirës për liri që aq shumë e dashuronin shqiptarët. E përsëri, me gjithë vuajtjet dhe kalvarin e “Shqipërisë që po ikte”, “Shqipëria që po mbetej” kishte shpresë, aq shumë shpresë dhe besim se shumëçka do të ndryshonte. Kanë kaluar tre dekada që atëherë, brezi i të rinjve të asaj kohe tash po rrit fëmijët apo po gëzon fëmijët e fëmijëve të vet, gjeneratat kanë ndryshuar, Shqipëria ka ndryshuar, e megjithatë, për çudinë e të gjithëve, zemra dhe shpirti i saj mbetet po ajo e “viteve ‘90”.

Kam një cinik këtu pranë që në çdo fjalë a mendim që unë hedh mundohet të më thumbojë e më thotë: “Çfarë, do të mohosh gjithçka është bërë, mos do të thuash se Shqipëria s’është vend më i mirë, më i pasur, e më i bukur për t’u jetuar se sa në vitet ‘90”. Jo, i them, Shqipëria është zhvilluar, por jo me shpejtësinë e njerëzve të vet, jo, as me pritshmëritë e tyre më pesimiste, se ndryshe nuk do të përjetonim sot po të njëjtën dhimbje e trishtim kur lexojmë e shohim me sytë tanë një Shqipëri që përsëri po ikën, ngadalë, shtruar, ashtu si pa u ndjerë, ashtu si pa u kuptuar, pa anije, britma, tragjizma nëpër media, por me një konstante e vazhdimësi shumë më të frikshme se ajo e viteve ‘90. Po përsëri ciniku brof përpjetë e thotë: “Varfëri e migrim ka kudo, në çdo vend, si mund të pretendojmë të mos ketë në Shqipëri?”. Jo, jo, ia kthej, edhe me më shumë vendosmëri, por me një zë që tani ka filluar të më dridhet nga mallëngjimi. Nuk janë njësoj këto migrime, pavarësisht se skenat i kanë aq të ndryshme, njëri zhurmëmadh, por plot shpresë, kurse ky i sotmi, i pazhurmshëm, por besimthyer. “Shqipëria po qan”, këndonte atëherë Gjebrea, “ajo e di si duron, po i shkundeshin filizat”. Po tani vallë ç’mund të themi, të ulërasim, të bërtasim nga trishtimi, kur shohim se Shqipërisë po i largohen më të mirët, më të shkolluarit, më punëtorët, shtylla e asaj administrate, e atij shteti që shtyn përpara çdo komb, më kreativët dhe më profesionistët, forca lëvizëse e biznesit dhe ekonomisë që klasa e mesme i siguron çdo vendi që synon të ketë të ardhme.

Mos vallë, pikërisht tani Shqipërisë nuk po i shkunden filizat, por po i shkulen rrënjët, po i priten krahët, po i shkulet shpirti? I kam shqyrtuar statistikat e atyre që po ikin, shumica kanë qenë gjithë kohën të punësuar, të zotë, të aftë, edhe pse të heshtur, të duruar, se aq mirë e njohin, por dhe aq shumë e dashurojnë Shqipërinë. Janë po ai brez ose pinjoll i atij brezi “Shqipërie që mbeti” në fillim të viteve ‘90, jo pse nuk mundej, por sepse dëshiroi dhe besoi se Shqipëria mund të bëhej. Është po ai brez që punoi aq fort, jo në një, por në disa punë njëherësh, se ata e dinin se e tillë është Shqipëria dhe ekonomia e saj, nuk të ofron më shumë; ai brez që deshi të ndërtonte diçka, një jetë me duart e tij, një biznes, një karrierë që mjaft herë ia mbërriti; ai brez që sot ka dhe një shtëpi të bukur për veten dhe familjen, ndoshta dhe një shtëpi në plazh (edhe pse me kredi), ai brez njerëzish që duruan përtej stërmundimit, që u përpoqën, luftuan ndershmërisht, përtej naivitetit dhe burrërisë shqiptare, që ky vend, kjo administratë, ky shtet t’i linte të paktën të shpreheshin, t’u thithte kapacitetet, e kësisoj t’u tregonte edhe respekt, edhe mirënjohje, tek e fundit edhe përkujdesje. Ata po ikin, por qenë dhe janë më të mirët e këtij vendi, të aftë, të ditur, të kultivuar, që e nxjerrin bukën dhe nga dheu, përderisa gjejnë punë të mirë-paguara kudo ku shkojnë. Mirëpo, njeriu që të zhvillohet për shtetin dhe vendin e vet, ka nevojë për barazi e meritokraci, këto janë flatrat e tij shpirtërore, që ky brez nuk i pati kurrë, kjo është më e pakta bukë që Shqipëria, edhe ashtu e varfër siç është, mund t’ua jepte e nuk ua dha.

Ndaj, është shumë më tragjik e vdekjeprurës për të ardhmen e saj, kjo ikje e heshtur, e përditshme, e njerëzve më profesionistë të këtij vendi, jo si emigrant të thjeshtë, por me avionë, me kontrata e viza pune. Ja, pse Shqipëria që mbeti dikur në vitet ‘90, tani po ikën, bashkë me pinjollët e vet, në atë ikje që mund të quhet mërgimi më i madh i trurit e mendjes që ky vend ka provuar ndonjëherë. I kam dëgjuar disa syresh prej tyre, që teksa ikin më thonë: “Kur isha ende i ri, në vitet ‘90, më patën mësuar se në qoftë se je i zoti dhe punon shumë, nuk mund të mos çash në jetë, qoftë edhe në Shqipëri, ndaj unë qëndrova. Nuk mund të them se nuk e provova,(madje kam provuar shumë), as se jam i mërzitur apo i dhembur me rrjedhën e jetës sime jo të lehtë, por një mësim të tillë nuk mund t’ia jap sot sime bije. Nuk mund t’i shpjegoj, pa e gënjyer, se me meritë e drejtësi mund të ndërtojë një jetë të mirë në këtë vend siç jam munduar të bëj edhe unë. Ndaj vetëm hesht, hesht e iki me mendje si ata që largohen”. Është pikërisht kjo heshtje, kjo heshtje gjëmim-madhe ajo që duhet të na shpjegojë politika e gjithë këtyre viteve e majtë dhe e djathtë, ajo prej së cilës ajo duhet të nxjerrë mësime e t’i bëhet busull për çdo program e lëvizje politike, të sotme e të ardhme. Është thelbi dhe arsyeja e kësaj ikje, ajo që duke e kuptuar sa më mirë e sa më thellë, mund ta ndriçojë që të mos përsërisë gabimet e së përditshmes në mos ngjalljen e shpresës dhe në krah-këputjen e besimit. E përsëri ciniku më ndërhyn duke më thënë: “Po ikin, po pse nuk patën guximin të qëndrojnë e të flasin, të shkruajnë, të luftojnë për ta ndryshuar ketë vend?”. Përkundrazi, i them, ata duruan kaq gjatë, pikërisht se e njihnin këtë vend. Ata folën e shpeshherë me vepra, por ministri dhe shefi i administratës ishte i korruptuar, e s’i dëgjoi njeri idetë e tyre. Ata shkruan, por drejtori i kërcënoi se ishte partiak, nuk u hapi rrugë se kishte dhënë lekë për vendin e punës. Ata qenë të urtë, të matur, dhe e deshën plot durim këtë vend; i mikluan për t’i futur në politikë e “për të bërë prokopi” siç flitet shpesh, por ata qenë të ndershëm, aspak naivë, por të ditur në pamundësinë e tyre të madhërishme, se vetëm kështu mund të bëhej Shqipëria. Ata bënë biznes, edhe të suksesshëm, por tatimori dhe doganieri u lypte ryshfet, pabarazia e taksave që paguanin të drejtit dhe të padrejtit i vrau, i lëndoi, në pafajësinë e tyre të mrekullishme shtetformuese, se vetëm pa korrupsion, pa klientelizëm mund të ecë përpara ekonomia e këtij vendi. Por ata folën, me besimin dhe shpresën e patundur në mrekullitë që mund të bëjë liria dhe demokracia, edhe politikisht, si ai brezi gri i saj, si ai zëri i pandikuar, i pablerë, i mazhorancës së heshtur, sa herë që Shqipëria gjendej në udhëkryq. Ishin ata që kur qeveria socialiste e asaj kohe ishte e zhytur në krim e korrupsion, besuan në kartën e moralit dhe i dhanë Berishës atë që edhe mund të mos imagjinohej disa vjet më parë, të drejtën për t’u rikthyer edhe njëherë në pushtet. Ishte po ky zë, që foli politikisht, duke i dhënë mandatin e bashkësisë së Tiranës për tre herë resht Edi Ramës, e pastaj kërkoi të provojë një figurë të re politike, asokohe shpresëngjallëse. E së fundi, foli në zërin e 1 milion votave që rrëzuan Berishën dhe i hapën rrugë një fryme të re asokohe, atë të Rilindjes. Po sot, çfarë ka mbetur nga gjithë ajo masakër e iluzioneve të tyre? Zhgënjim dhe ikje.

Ndoshta pikërisht, për këtë arsye ata po ikin, sepse kanë folur ashtu siç flitet, me votë, e Shqipëria dhe politika e saj ua ka marrë frymën, ua ka shuar zërin, ua ka nxirë jetën. I kam parë sytë e trishtë të një “mërgimtari” të sapolarguar teksa më thoshte: “Shqipëria, druaj se nuk ka më nevojë për ne, misioni ynë, misioni i brezit të viteve ‘90, kam frikë se ka përfunduar, ky vend nuk na ndihmoi e nuk na dha aq shumë sa ne i dhamë, nuk na deshi aq shumë sa ne e deshëm. Tani na duhet të mendojmë për shpirtin tonë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë”. E teksa ata shkojnë e përsëri do të shkojnë, gjithkujt duhet t’i buçasë në vesh trishtimi i tyre tek flasin, heshtja e tyre tek qajnë e mallëngjehen. E ardhmja e tyre, pa dyshim, që do të jetë më e mirë, ndoshta dhe e shkëlqyer, po për jetën e atyre që do të mbesin në këtë vend, po për fëmijët e të rinjtë e këtij vendi, ç’të ardhme vallë do të ketë? Por edhe duke ikur, ata po flasin, edhe duke ikur heshtja e tyre flet më shumë se sa të gjithë ne që kemi ngelur në këtë vend. Mbetet detyrë urgjente e politikës ta kuptojë e ta dëgjojë, por edhe e gjithë popullit. Perikliu, kryetari i madh i Athinës, teksa mblidhte një ditë popullin rreth atyre që kishin mbetur nga lufta e Peloponezit, me një zë të përmallshëm pat britur: “Ky vit e bjerri pranverën e vet…”. Duke e ndjerë thellë gjëmën e dhimbjes së tyre më jepet me ofshajtë edhe unë kështu: “Shqipëria po e bjerr pranverën e së ardhmes së saj”. Vetëm se duhet t’ia vërë mendjes mirë populli kësaj gjendje, se me bjerrë pranverën e fuqive të veta është shuplaka më e rëndë që ai mund t’i bëjë një shteti, një vendi, duke i sjellë ndërkaq më të rrezikshmin varfërim. Kurse, ndaj ju të gjithëve që keni për detyrë kujdesin dhe drejtimin e këtij kombi, do të doja t’iu ulërija: “Përmbusheni deri në fund detyrën tuaj, duke e ruajtur këtë popull prej trandjes së emigrimit”.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ndricim Kulla

Lamtumirë Dr. Gjon Buçaj

May 21, 2022 by s p


Shkruar nga Merlin Tushe/

20 Maj 2022New YorkPër nder të figurës e veprimtarisë patriotike të Dr. Gjon Buçaj, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, Famulltari i Kishës “Zoja e Shkodrës” në New York, Dom Pjetër Popaj, mbajti një Meshē për familjarët dhe komunitetin shqiptar në SHBA.Në fjalën e tij, ai vlerësoi rolin dhe përkushtimin e Dr. Buçaj, si një bashkëshort e prind i mirë dhe si një patriot e human i përkushtuar ndaj shqiptarizmit dhe çështjes kombëtare. “Dr. Buçaj – tha mes të tjerave Famulltari Popaj – ishte edhe një besimtar i devotshëm i Kishës tonë Katolike, ku çdo të dielë do të ishte i pranishëm me bashkëshorten Nikoletën e fëmijët e tyre.”Kurora e buqeta me lule të freskëta ishin vendosur përreth arkivolit me trupin e pajetë të Dr. Gjon Bucaj, ku mes tyre ishte edhe një kurorë me lule të bardha nga Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe”, organizatë që ka gjetur kurdoherë derën hapur në “Vatër” gjatë kohës kur Dr. Buçaj ka qenë Kryetar i saj. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit në Kishën “Zoja e Shkodrës”, morën fjalën edhe mbesa e nipi i tij – Besa edhe Leka, të cilët të përlotur e me zërin e mekur njëzëri thanë “Lum ne për Babagjyshin tonë”, aq shumë e donin dhe çmonin gjyshin e tyre, që ishte kujdesur për ta, për dashurinë prindërore, atdhetare, mësimin e gjuhës shqipe e fesë katolike, si besim i familjes.Profesor Mithat Gashi gjithashtu përshëndeti në këtë ceremoni duke treguar në detaje mbi njohjen e tyre ndër vite, familjes dhe veprimtarisë së palodhur të Dr. Gjon Buçaj, në dobi të komunitetit shqiptar e veçanërisht për çështjen kombëtare. Të pranishëm gjithashtu në këtë ceremoni ishin edhe shumë personalitete të diasporës shqiptare në SHBA dhe veprimtarë të “Vatrës”, ish i burgosuri dhe i internuari politik Z. Lek Mirakaj me nipin e tij Agustin Mirakaj, Drejtori i Divizionit për EuroAzinë Dr. Elez Biberaj, ish drejtori i TV Zëri Amerikës Z. Frank Shkreli, aktivistët e njohur Zj. Rita Saliu me bashkëshortin Z. Adem Saliu, të cilët si kurdoherë të palodhur udhëtojnë nga larg nga Rhode Island për çështjen kombëtare, përfaqësues të Partisë së Legalitetit në SHBA, ish i arratisuri politk dhe aktivisti Z. Simon Qafa, pinjolli i familjes Kirka, Z. Chris Kirka, veprimtari nga Washington, DC, Z. Ari Zoto, Kryetari i Ligës Qytetare Shqiptare-Amerikane Joe DioGuardi me bashkëshorten Shirley Cloyes DioGuardi, shkrimtarët Leta Mirakaj, Tom Mrijaj dhe Mëhill Velaj, përfaqësuese të Organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe” e të tjerë. Mesazh ngushëllimi familjes Buçaj për këtë rast i dërgoi edhe ish Zv. Ambasadori i Shqipërisë në SHBA dhe sot deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë Z. Kreshnik Çollaku. Pas Meshës dhe ceremonisë mortore për të nderuar bashkëshortin, babain e gjyshin e tyre të dashur e të paharruar, Zj. Nikoleta Buçaj me fëmijët shtruan një drekë lamtumire në Restorantin “Tre Angelina” në New York. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Merlin Tushe

LAMTUMIRË DR. GJON LEKË BUÇAJ

May 21, 2022 by s p

Ahmet Giaffo/

Më 14 Maj, 2022 në Leessburg, Virginia, ndërroi jetë, Gjiganti Vatrës e i kombit Shqiptar, ish kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Lekë Buçaj. Një hidhërim i pa pritur e nje humbje e madhe per komunitetin  shiptar ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes e per cdo atdhetar ne bote. Nje Vatran qe ka dedikuar me shume se pese dekada ne sherbim te vatranve e shqiptareve. Kjo humbje ka tronditur Vatranet, dashamiresit, qe kane patur nderin te njohin e bashkpunojne me te.

Dr. Bucaj ka drejtuar Vatren ne nje kohe te veshtire por me punen e tij te pa lodhshme e dedikimin per permiresimin e suksesin e kesaj Federate, ai triumfoi. Shtoi antaresimin e vatraneve, degeve, e ngriti nivelin e kesaj organizate patriotike. Krijoi nje Vater te bashkuar, vllazeruar, me dinjitet.

Zoti Buçaj ka kontribuar per te drejtat e shqiptareve kosovare e per pavaresine e Kosoves. Ka qene aktiv per ceshtjen Çame me bashkpunim me organizaten “Chameria per te Drejtat e Njeriut” . Une si krytar i organizates Çame ne Amerike, kam patur dyert e Vatres hapur kurdohere e ndihme per cdo aktivitet. Shqiptaret nga krahina e Çamerisë ne Amerike e ne Shqiperi jane mirenjohes per ndihmen e kontributin e tij. Nuk harrojme kurre viziten e z. Buçaj ne Shqiperi ne demonstraten vjetore te 27 Qershorit, diten e gjenocidit çam nga duart gjakatare te Grekeve. 

Ky atdhetar ka patur shqiptarizmën ne zemer e do te kujtohet si nje hero Shqiptar. Ka kushtuar ma shume se 50 vjet dedikim per permiresimin e kushteve shqiptare e te drejtave ku do qe jetonin shqiptaret.

Zoti te bekofte per sakrificat qe ke bere per permiresimin e atdhetareve. Jam i sigurt, qe Zoti do te çoje ne Parajse. Ne në Vater nuk do te harrojme e do vazhdojme rrugen, keshillat, amanetet tuaja. 

Pusho ne paqe mik i dashur. Ne do te vajtojme e kurre nuk do te harrojme.

Te premtoj se Vatra do te kete bashkim, dashuri, vllazeri, e harmoni.

Filed Under: ESSE Tagged With: ahmet giaffo

KANË FILLUAR PUNIMET PËR REHABILITIMIN E KISHËS SË KUVENDIT TË ARBËRIT AFËR LEZHËS 

May 21, 2022 by s p

APEL PËR NDIHMË!

Nga Frank Shkreli

 A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceBëhet fjalë për asgjë më pak se restaurimin e Kishës ku është mbajtur Kuvendi i Arbërit afër Lezhës — “Vendi ku u mblodhën burrat e motit” — në vitin 1703, sipas studiuesit, nismëtarit dhe protagonistit kryesor të këtij projekti të rëndësishëm për historinë mbarëkombëtare të shqiptarëve, Dr. Dom Nikë Ukgjinit. Për hollësi të mëtejshme për historinë e Kuvendit të Arbërit mund të lexoni linkun e bashkangjitur të një artikulli nga Dom Nikë Ukgjini — të fjalës që ai ka mbajtur vitin e kaluar në Konferencën Jubilare: “Papa Klementi XI dhe Shqipëria”, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Nunciatura Apostolike në Shqipëri. KISHA E KUVENDIT TË ARBRIT, NË TË KALUARËN DHE SOT – Dielli | The Sun (gazetadielli.com)

Është e rëndësishme të theksohet se sipas disa studiuesve dhe historianëve të asaj periudhe, Kuvendi i Arbërit — që është mbajtur në vitin 1703, nën drejtimin e Papa Klementit të XI, me origjinë shqiptare — është ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kombit shqiptar, pas Besëlidhjes së Lezhës. Frank Shkreli: Papa Klementi  i XI me origjinë shqiptare – mbrojtës i identitetit kombëtar të shqiptarëve | Gazeta Telegraf

Restaurimi i një monumenti të tillë kulture të Kombit shqiptar do duhej të tërhiqte një vëmendje më të madhe nga autoritetet e Qeverisë së Shqipërisë, më saktësisht, të Ministrisë së Kulturës të atij vendi.  Unë nuk e di se cili është misioni aktual i një ministrie, siç është Ministria e Kulturës e Shqipërisë, por performanca e saj — përsa i përket restaurimit, ruajtjes dhe respektimit të monumenteve të kulturës dhe të historisë kombëtare – nuk është diçka që kjo ministri mund të thotë se është krenare para shqiptarëve, për punën e saj në këtë fushë. Në të vërtetë, është një mision i dështuar dhe një shfaqje e shëmtuar e kësaj ministries a I përket mbrojtjes së identitetit kulturor e kombëtar të shqiptarëve gjatë shekujve, duke filluar nga momumenti i Gjergj Kastriotit në Lezhë Frank Shkreli: Monumenti i Heroit Kombëtar në Lezhë kthehet në nevojtore | Gazeta Telegraf, tek shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishta Frank Shkreli/ At Gjergj Fishta, si vlerë kombëtare | Gazeta Telegraf, e deri tek trashëgimia e Vëllëzërve Frasheri, Frank Shkreli: A është trashëgimia kulturore dhe historike shqiptare në zhdukje e sipër? | Gazeta Telegraf – e sa e sa të tjera monumente të kulturës dhe të identitetit kombëtar – nga veriu e deri në jug të vendit – të harruara dhe të lëna pas dore — nga autoritetet, detyra e të cilëve duhej të ishte pikërisht mbrojtja e tyre. Kjo gjëndje nevojitë një ndërhyrje urgjente. Një ndër aktet e para të Kuvendit të Shqipërisë duhet të jetë që t’i kërkojë llogari Ministrisë së Kulturës mbi punën e saj dhe pse nuk kujdeset për ruajtjen, restaurimin dhe mbrojtjen e monumenteve historike të shqiptarëve në territorin e Shqipërisë por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, sipas mundësive.

Por, fatbardhësisht, në mungesë të ndërhyrjes së autoriteteve shqiptare të kësaj fushe, ka individë dhe organizata që përpiqen të bëjnë atë që do duhej të bënin, në këtë fushë, Ministria e Kulturës dhe ente të tjera qeveritare, përgjegjëse për ruajtjen e monumenteve historike të vendit.  Një rast i ditëve të fundit, që pasqyron angazhimin e qytetarëve të thjeshtë, në mbrojtje të monumenteve historike, është ai i përpjekjeve të Dr. Dom Nikë Ukgjinit me bashkpuntorë – njeriut me pasion dhe vullnet të madh për restaurimin dhe mbrojtjen e monumenteve historike të kulturës shqiptare, por, fatkeqsisht, me mjete të paka – por me ndihmën e disa bashkpuntorëve të tij patriotë e të zellëshëm për të shpëtuar nga shkatërrimi Kishën e “Kuvendit të Arbërit”, afër Lezhës. Duhet theksuar se ky nuk është projekti i parë që Dom Nika ka marrë përsipër si individ me bashkpuntorët ë tij të ngushtë një ndërmarrje të tillë, privatisht.  Në të vërtetë janë disa!

Dr. Dom Nika nuk i trembet asnjë nisme. Por – në mungesë të ndihmës nga entet dhe autoritetet qeveritare të Shqipërisë, Dom Nikë Ukgjini me kolegët e tij, ka nevojë edhe kësaj radhe, për ndihmë për projektin e restaurimit të Kishës së “Kuvendit të Arbërit” afër Lezhës. Prandaj po shpërndahet ky APEL për ndihmë — ndërkohë që në bashkpunim me dioqezen e Lezhës, me rektorin Kishës së “Kuvendit të Arbërit”, dom Martin Jaku, famullitarin te zonës dhe me Atë Karlos Kalero — kanë filluar tanimë punimet për rehabilitimin e Kishës së “Kuvendit të Arbërit”.  Ndonëse, punimet per momentin janë duke u zhvilluar me ndihmën e sipërmarrësit, Gjergj Lejqeza, me mbështetjen e banorëve vendas dhe atyre jashtë vendit, sipas Dom Nikës, pritet edhe ndihma e Bashkisë se Lezhës si dhe disa mërgimtarëve shqiptarë që jetojnë në Evropë dhe Amerikë. Por kjo nun mjafton për restaurimin e plotë të Kishës së “Kuvendit të Arbërit” me rrethinë.  Prandaj, edhe për rëndësinë historike mbarëkombëtare që mbart ky projekt, ky APEL nga nismëtarët e tij, u drejtohet, sidomos biznismenëve shqiptarë të suksesëshëm – të shumtë këtu në Amerikë dhe në Evropë.  Ndihma e juaj është një ndihmë për të shpëtuar historinë dhe identitetin kombëtar të atyre trojeve, para se t’i shkatërrojë mos kujdesi i njeriut dhe aktet e papritura të natyrës.

Pason APELI i Rektorit të Kishës së Arbërit, Dom Martin Jaku drejtuar të gjithë besimtarëve dhe atdhetarëve të gjitha trevave dhe trojeve shqiptare dhe shqipfolëseve kudo që ndodhen, në këtë rruzull tokësor:

“Të dashur besimtarë, miq të nderuar të Kishës së Shën Gjonit, Mërqi. Në cilësinë e rektorit të kësaj kishe, pra, si kujdestar i saj, u drejtohem jo vetëm ju si banorë të fshatit Mërqi, por të gjithë besimtarëve dhe atdhetarëve të të gjitha trevave dhe trojeve shqiptare dhe shqipfolëseve kudo që ndodhen në këtë rruzull tokësor: paqë, hir, drejtësi, mbarësi e begati ju dhe familjeve tuaja kudo që ndodheni. Kisha e Shën Gjonit asht një vend me simbolikë, histori dhe vlerë të veçantë fetare dhe kombëtare. Në këtë kishë dhe në këtë vend u thirr dhe u mbajt ngjarja më madhore dhe vendimtare për fatet e kombit dhe të fesë, Kuvendi i Arbënit ose i Arbënisë! Ky kuvend i thirrur dhe i mbajtur me 14-16 janar 1703, në Mërqi, më së pari është vepër e Zotit, të cilit i kjoshim falë, dhe iniciativë e Papa Klementit të XI, Albani, pra shqiptar. Ai e shpalli dhe e organizoi duke ngarkuar me këtë detyrë të lartë dhe fisnike, arqipeshkvin e përndritur të Tivarit, Imzot Vinko Zmajeviq. Vendimet, masat dhe propozimet e këtij kuvendi sollën një rigjallërim dhe nji ripërtërirje të madhe për kishën dhe kombin shqiptar i cili lëngonte nën shtypjen e sundimit ottoman”, shprehet Rektori i Kishës së Arbërit, Dom Martin Jaku, ndërkohë që falënderon me mirënjohje të thellë për ndihmën bujare, bashkëpunimin dhe mbështetjen e veçantë të besimtarëve dhe banorëve të fshatit Mërqi, afër Lezhës.  Rektori Dom Martin Jaku falënderon edhe Bashkinë Lezhë megjithëse pret më shumë ndihmë prej saj për përfundimin e këtij projekti, si dhe shprehje mirënjohje për sipërmarrësin Gjergj Leqejza për kontributin e tij të veçantë që po jep për restaurimin e Kishës së “Kuvendit të Arbërit”.  Një falënderim të veçantë Rektori Jaku rezervon për Dom Nikë Ukgjinin, hulumtuesin, studiuesin dhe restauruesin e këtij projekti të rëndësishëm kulturor, kombëtar dhe fetar. 

Është një APEL ky që meriton t’i bashkohen të gjithë shqiptarët kudo që janë, në bashkpunim e solidarizim me njëri tjetrin dhe në mbrojtje të kulturës dhe historisë së shqiptarëve, duke dhënë kontributin, sipas mundësisë, për realizimin e këtij projekti madhor të historisë mbarëkombëtare.

Ju lutëm lexuesve t’a shpërndajnë këtë APEL ndihmese që na vjen nga Lezha legjendare, për restaurimin e Kishës së “Kuvendit të Arbërit” – një ngjarje me shumë rëndësi historike për fatet e kombit. Ndoshta e dyta pas Besëlidhjes së Lezhës e vitit 1444, që sipas disa historianëve — mbi parimet e të cilës — është mbledhur më vonë Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe shumë të tjera organizime kombëtare për të shpëtuar Kombin, gjatë historisë.

Frank Shkreli

A person in a red robe

Description automatically generated with low confidence
A person sitting at a desk

Description automatically generated with low confidence

            Papa Klementi XI Albani                     Dr. Dom Nikë Ukgjini

Ka filluar restaurimi — Fotot nga Kisha e Shën Gjonit ku është mbajtur “Kuvendi i Arbërit”, 14-15 Janar, 1703.

Filed Under: Fejton Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2253
  • 2254
  • 2255
  • 2256
  • 2257
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT