• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pak fjalë të lirë

May 3, 2022 by s p

Astrit Lulushi/

Liria e shtypit është e garantuar. Kjo nuk do të thotë se shtypi i lirë shprehë ndonjë të vërtetë apo gjë me vlerë. Liria është gjithashtu e garantuar vetëm për ata që i zotërojnë. Por a nuk kemi lirinë ta fitojmë atë me kundërshtime a protesta? Liria e tyre është gjithashtu e garantuar. Ka shumë rëndësi për të folur.
Mendimi vjen përpara se të flasim. Si do t’i quanim mendimet, krime mendimi? Ti u ngrite nga shtrati sot dhe thjesht mendove se do te beje nje krim te menduar? – kjo do të ishte akuza. Mendimi i lirë, lëvizja e lirë, shtypi i lirë, frymëmarrja e lirë, këto janë pikërisht ato që qeveria na i jep si “benefite”apo “dhurata”. Mendimi është fillimi i krijimit dhe përmbushja e mendimit është krijimi. “Liria e shtypit” nënkuptohet si mbrojtje e të gjitha formave të mediave joverbale nga ndërhyrja e qeverisë. Kjo nuk nënkupton garancinë e aksesit apo të pronësisë dhe nuk kufizohet vetëm tek ata që e konsiderojnë veten gazetarë.
Qeveria, pronarët dhe redaktorët do ta modifikojnë lajmin në mënyrë që ata të mund të nënkuptojnë vetëm atë që dëshirojnë. Asnjëherë nuk duhet t’i merrni si të qena të gjitha ato që thonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi

BOTËKUPTIMI PËRPARIMTAR I BUSHATLLIJVE, SHEMBULL PËR PASHALLARËT SHQIPTARË TË SHEKULLIT XXI

May 3, 2022 by s p

Filip Guraziu/

Studjuesi i mirënjohun i historisë së familjes së pashallarve Bushati të Shkodrës, historiani Stavri Naçi  na ka ballafaque me  material të bollshëm, mbi të cilin mundemi me nxjerrë konkluzione me vlerë, jo vetem për familjen e individët që e përfaqësuen atë familje, por edhe për zhvillimet që përjetoi qyteti i Shkodrës në atë periudhë.

Përpara se të shprehim konsideratat mbi vlerën ose ma mirë me thanë mbi rolin që luejti   familja e  pashallarve Bushati të Shkodrës për zhvillimin e Shkodrës  e të rrajonit si dhe për emancipimin e shoqnisë shkodrane  gjatë sundimit të pashallekut me të njajtin emen, duhet të kthehemi me kujtesë  në shekujt para ardhës të  shekullit  XVIII-të. 

Simbas historianëve, shekujt XVI e XVII-të  për Shkodrën dhe territorin rrethues, pasqyrojnë nji periudhë të “errët” në kuptimin e mungesës së zhvillimit  të shoqnuem prej nji anarkie totale; mungesës së rendit publik, të  stabilitetit ekonomik e të zhvillimit tregtar.  Konfliktet luftarake të vazhdueshme ndërmjet dyerve feudale që kërkojshin me çdo kusht sundimin mbi të tjerët damtonte fuqishëm ekonominë parësore të kohës, tregtinë. 

Kjo pra, ishte gjendja para ardhjes në fuqi si sundimtar i Shkodrës të Mehmet pashë Plakut në vjetin 1757. Dinastia e pashallarve Bushati përfundoi në vjetin 1831, kur Mustaf Reshit pashë Bushati me urdhën të Sulltanit  largohet përfundimisht prej Shkodrës. Gjatë 74 vjetëve sundim e qeverisje të pashallekut të Shkodrës, dinastia e Bushatllijve fuqizoi ekonominë dhe  ndikoi pozitivisht për liberalizimin dhe emancipimin e marëdhanieve shoqnore  në Shkodër e  rreth sajë. 

Në çdo rast që kujtojmë, pse jo edhe me nji dozë krenarie te ligjëshme, zhvillimin e qytetit të Shkodrës në historinë e vonë të sajë, gjatë periudhës së sundimit të Bushatllijve, pra gjatë fundit të shekullit XVIII-të dhe gjysës së parë të shekullit XIX-të. na vjen para syve fuqia e madhe  ekonomike si dhe emancipimi i shoqnisë si rezultat i  hapjes  drejt ideve progresiste europiane të kohës, Nji fakt tjeter domethanës, që indirekt përforcon meriten e rolin e Bushatllijve në drejtim të zhvillimit 360° të Shkodrës mundet me qenë edhe dukunia e ramjes graduale ekonomike e qytetit, fillimi i së cilës konstatohet pikërisht mbas vjetit 1831, kohë në të cilen Bushatllijtë ishin largue prej drejtimit të pashallekut të Shkodrës.

Nuk mundemi me e gjetë te ” rastësia” kët “hop” zhvillimor që dallohet qartë, në Shkodër e për rreth, e që ndodhi pikërisht gjatë periudhës së qeverisjes së dinastisë së familjes Bushati. Përgjigjen duhet ta kërkojmë te vizioni përparimtar ( natyrisht për kohën) që manifestuen përfaqëuesit e kësaj familje, të cilët ishin jo vetem të arsimuem, por edhe në kontakt, falë edhe pozicionit të veçantë gjeopolitik që gëzon Shkodra, me zhvillimet europiane të kohës. ( S’duhet harrue se  fuqizimi i pashallekut të Shkodrës, koinçidoi me periudhën e revolucionit borgjez në Francë, idetë e të cilit shkundën ” mykun”  shekullor të sistemit feudal në tanë botën). Kur jepen gjykime në histori për përsona të veçantë, për dinasti sundimtarësh etj., natyrisht tregohen edhe sjelljet personale të tyne që jo gjithmonë janë të pëlqyeshme ( e kuptueshme se edhe ato janë njerëz si tanë të tjerët), por në fund gjykimi përfundimtar  bazohet kryesisht te vlerësimi i ndikimit të tyne për zhvillimin e  ekonomisë, rritjen e mirëqenies dhe emancipimin me moral pozitiv të shoqnisë.

” E para asht fjala” na mëson Bibla, në kuptimin që ” ideja”, pra formimi  ideologjik që vjen prej  ndërthurjës së edukimit me eksperiencën e skalitun në DNA e individit, ishte e mbetet primare në analizen e sjelljeve dhe veprave të “sapiensit”.

Simbas këtij kandvështrimi, fakti që rrajët e familjes Bushati ishin thellë në tokën e shqipeve, ndërgjegjësoi ndjeshmëninë e identitetit të tyne arbnor e mbi kët bazë u konsolidue edhe formimi i tyne kulturor i plotësuem nëpërmjet edukimit arsimor  që morën. Kujtojmë së biblioteka e parë në Shkodër ishte vepër e tyne. 

Si të gjithë shqiptarët autokton që s’bashku me qumështin e nanës morën vetëdije edhe mbi luften heroike për pamvarësi  të Gjergj Kastriotit Skënderbeut edhe përfaqësuesit e familjes së Bushatllijve nuk bajnë përjashtim prej këtij konteksti.  Rrethet  shoqnore shkodrane të periudhës së Karamahmutit  dëshmojnë se ai kishte si ambicje me u  konsiderue si mbasardhësi i Skenderbeut, opinion që bahet i besueshëm  prej veprimtarisë së  Kara Mahmutit, i cili me shtysen e austriakëve  organizoi lidhjen anti turke të Podgoricës në vjetin 1786, por që nuk pati sukses. Ishte pra ky  formim kuturor që i mundësoi  me  konceptue e me vlerësue randësinë e bashkimit shpirtnor të arbnorëve; pamvarësisht prej bindjeve fetare jemi të tanë bijt e kësaj toke, jemi arbnor !  E filloi Mehmet pashë Plaku dhe e vazhdoi i biri, Karamahmuti; mos diskriminimin e shqiptarëve katolike. ” Bashkimi  shpirtnor sjell fuqi e mirëqenie”. Faktet që dëshmon historia gjatë qeverisjes së përfaqësuesve të familjes  Bushati janë rrjedhim i bindjeve të tyne përparimtare. 

 – Dy herë, në vjetin 1787 dhe 1793, kur Porta e naltë tentoi ta eleminonte me fuqinë e armëve  Karamahmut pashën, i erdhën në ndihmë malësorët katolikë rreth Shkodrës dhe Karamahmuti doli fitimtar! 

– Nuk duhet konsiderue rastësi që historia e mjeksisë shqiptare (Dr. Kerçiku) cilësoi italianin Dr. Emidio Tedeschinin si mjekun e parë me diplomë europiane  që ushtroi aktivitetin  e tij në Shkodër – Shqipni; Ishte vizionari Mehmet pashë Plaku që e kishte ftue si mjek i oborrit të tij në vjetët 50-të të shekullit XVIII-të. Në vjetët që pasuen familjarët e Dr.Emidio Tedeschini hapën për herë të parë edhe farmaci të stilit europian në Shkodër e Durrës) 

 – Nuk duhet me ia lanë rastësisë që në Shkodër gjatë asaj periudhe lulëzuen ekonomikisht familje tregtare katolike të fuqishme si Bjanku, Çoba, Suma, Muzhani etj.  anijet e të cilëve, pronë e tyne, nëpërmjet lumit Buna ndërlidhshin Shkodrën me qytetet e zhvillueme të Adriatikut e s’bashku me mallnat, sillshin edhe ide të reja të cilat emancipuen shoqninë shkodrane; ishin shejat e para të frymës së liberalizmit e të mosdiskriminimit  fetar, rrjedhim nji vizioni te ri përparimtar ( për kohën) i Bushatllijve që i mundësoi atyne ( tregtarëve) mbrojtje e kushte lehtësuese për zhvillimin e tregtisë. ( Kur nji tregtar katolik shkodran u përdhunue në Prizren, vetë Karamahmuti shkoi atje dhe dënoi  përdhunuesit !)

– Si mundemi me spjegue ndërhymjen e Ipeshkvit të Shkodrës te Papa në Romë në favor Karamahmut pashës ( i cili në atë kohë ishte i dënuem me vdekje prej Divanit)  për me i kërkue Sulltanit falje për Karamahmutin? Ka vetem nji spjegim; mirëkuptimi ndërfetar   që  falë Karamahmutit, në atë kohë, filloi  me marrë jetë në pashallekun e Shkodrës i dha mbështetje morale Ipeshkvit për ndërhymje te Papa…)

Kujtojmë se qendra e Pashallekut të Shkodrës, qyteti i Shkodës në kohën e pashallarve  Bushati numëronte mbi 40.000 banorë; zemra ekonomike e qytetit, pazari, kishte mbi 2500 dyqane e magazina; flota tregtare  shkodrane e ulqinake me rreth 100 anije ndërlidhte tregtarët  shkodranë me qytetet ma të zhvillueme të mesdheut; karvanet tregtare me kuaj të ngarkuem, përshkojshin të qetë e të sigurtë rrugen prej Shkodrës drejt qendrave të ballkanit, Prizren, Shkup e përtej në lindje; përfaqësuesit ( konsujt ) e shteteve ma të fuqishëm të europës kishin seli në Shkodër etj., etj. etj.

Pa diskutim, ajo periudhë mbetet periudha ekonomike ma e lulëzueme që njeh Shkodra, meritë e vizionit përparimtar të përfaqësuesve të familjes së pashallarve Bushati. Ato mbrritën me qenë të suksesëshëm e fitimtarë, sepse  ushqyen dhe vepruen ( mbrenda mundësive që lejonte koha ) për bashkimin shpirtnor të shqiptarëve, pa dallim feje e krahine.

 ” …Po sot Shqipni, më thuej si je ?, ashtu si lisi i rrëxuem përdhe…! ” 

Shqiptarët sot janë ma të përçamë se kurrë…! ( Përçamje gjuhësore, fetare ideologjike, partiake, gjeografike…, si rezultat i keqmenaxhimit diskriminues e jo demokratik ! )

” O pashallarë të shekulli XXI, merrni shëmbull prej Bushatllijve, vetem bashkimi shpirtnor i shqiptarëve sjell përparim në tokën e Shqipes.!”

Filed Under: Histori Tagged With: Filip Guraziu

IMZOT GJERGJ VOLAJ / Vritet Ipeshkvi ma i ri n’ botë

May 3, 2022 by s p

C:\Users\User\AppData\Local\Microsoft\Windows\INetCache\Content.Word\download.jpg

  IMZOT GJERGJ VOLAJ

  (1904 – 1948)

“Nanë! Mos kjaj per até që po shef tashti! 

Kjaj per até që vjen ma mbrapa!” 

Imz. Gjergj VOLAJ

Pergatiti Fritz RADOVANI:

Porsa kalon Uren e Bunës brij Kështjellës Rozafat dhe nisesh per në rrugen brijë  Liqenit të Shkodres, plot mbas 7 km, gjindesh në fshatin Shirokë. Asht nder fshatet ma t’ aferta të Shkodres, ku prifti i Shirokës Don Zef Ashta, në vitin 1874 ka hapë shkollen e parë shqipe. Ajo shkollë u hap pranë Kishës në

krahun e djathtë, në ndertesen e Tom Mark Radovanit, të Parvet të mij. Bana ket hymje mbasi Shiroka asht qendra ma e permendun pranë Shkodres, per njerzit e mëdhaj që i ka dhanë Shqipnisë tue fillue nga i njoftuni Kardinali i Parë Shqiptar Imzot Mikel Koliqi, doktor Federik Shiroka, At Anton Harapi e deri tek mësues e profesora të njohun në gjithë Shqipninë e ditve të shkueme e të sotme. 

Aty asht le edhe Imzot Gjergj Volaj me 21 Shtator 1904. Mbasi perfundoi shkollen fillore në vendlindje, vazhdoi seminarin Papnuer në Shkoder e, mbas tij vazhdoi n’ Itali në Padova, universitetin e filozofisë si dhe Seminarin Minor, ku ra në sy per një pergatitje të mrekullueshme dhe sjelljen e Tij shembullore. 

Pak vjet mbas Tij u pat le edhe djali i dytë Kola, që ma vonë edhe Ky ju kushtue me andje të madhe, Urdhnit Françeskan dhe mori emnin At Viktor Volaj O.F.M. 

Dy vllazen dijetar dhe klerikë shumë të nderuem të Klerit Katolik në Shqipni.

Me 28 Qershor 1930, Gjergj Volaj shugurohet Meshtar nga Argjipeshkvi i njohun Metropolitan i Shkodres, Imz. Lazer Mjedja. Emnohet famullitar i Malit Jushit. Në Shkrel ka sherbye deri në vitin 1936, që ishte zonë e thellë malore e njohun. Aty emnohet Ipeshkëv i Sapës, me qender në Nenshat, ku me 26 Qershor 1940, në moshen 36 vjeçare, tue kenë ipeshkëv i Sapës, gzon titujt ma të naltë fatarë e kjo ishte një knaqësi shumë e madhe per Katolikët e Shqipnisë së Veriut. Imz. Gjergj Volaj ishte shumë i rij kur Kardinali della Costa, Ipeshkëv i Padovës, e prezantoi me përgjegjësin, Delegatin Apostolik në Shqipni della Pietra, tue i paraqit studentin Gjergj Volaj, si ekzemplar të veçantë. Prej asaj kohë Imz. Volaj u dallue edhe si predikatar. 

Ishte ma i riu ipeshkëv, por me aftësi dhe me një kulturë të naltë. Krahas me kryeipeshkvin Imzot Gaspër Thaçi, Imzot Nikollë Deda, Dom Ndre Zadeja. Mbahet mend, në Shkodër më 26 maj 1946 kur ndrroi jetë Imzot Gaspër Thaçi. Procesioni i përmortshëm nëpër rrugët e qytetit, megjithëse ishin marrë masa tepër të rrepta nga shteti komunist që të pengonte në çdo mënyrë procesionin, ai u ba aq madhështor dhe me pjesmarrje të gjithë jo vetem të qytetarve të Shkodres por, edhe të studentave të Gjimnazit shtetit, saqë u vlerësue si manifestim i papërsëritshëm kundër komunizmit.

Në meshën e përshpirtshme ceremoniale, fjalën e rastit ia caktuene dhe e mbajti Imzot Gjergj Volaj. Një ligjeratë e mbetun në kujtesen tonë, si fjalim i paharrueshëm historik, madje edhe i guximshëm, nga podi predikatar në Katedrale ku populli e mbushi si asnjëherë, mbrenda e jashta me popull besimtar të Shkodrës mbarë. Paraqitja e Imzot Volaj si prijës me shkopin baritor në dorë, me gojtarinë e rrjellshme të predikatarit me forcë fjale, i prekun thellë nga dhimbja dhe trazimet e kohës, ka mbetë shprehja gojore e një fjalimi ma të fuqishëm i predikatarit, ku respektohej figura e njohun fetare e nderueme e Imz. Gasper Thaçit, ku Imz. Volaj thirri me za të naltë:
I paharrueshmi Kryeipeshkëv Imzot Thaçi! Ti përgjithmonë Shqiptar!
Ti përgjithmonë meshtar, katolik, apostolik romak!  Ishte ky fillimi i fjalës plot za e forcë që ushtoi edhe jashtë Katedrales dhe u përhap kudo, si një definicion paralajmërues i një vije të palëkundshme i të gjithë klerit katolik që do të vazhdonte rrugën e mundimeve në Kalvarin e madh e deri në martirizim. Nuk harrohet edhe jehona e fjalës në shpatin e kështjellës Rozafat në ditën e festës së Zojës së Këshillit të Mirë më 25 prill 1946. Shtegtim i vërtetë masiv i një populli besimtar në këtë Shejtore, të ardhun nga qyteti e të gjitha katundet rreth Shkodrës për festën e Zojës. 

Mesha e kremtue nga Imzot Gjergj Volaj. Predikatari i njohun Volaj, me aftësi foli për devocionin e Zojës, për besën e shpresën e qëndrueshme tek Mbrojtësja e Shkodrës dhe e Kishës Katolike në këto kohë aq të vështira. 

Ishte predikimi i fundit i Imz Volaj: Porosi dhe thirrje për Besim në Zotin.

Ky fjalim paralajmërues i fundit nuk ishte jo i papritun. Ata që e njohën dhe ia ndigjuen zanin, kanë shka të flasin për Imzot Gjergj Volaj, por edhe të lotojnë sepse, komunistët ia morën jetën krejt të pafajshëm. Ishte koha e luftës së Ever Hoxhës kundër Krishtit. Në rrethana poshtnimi u arrestue Imzot Gjergj Volaj. Për akuza të pavërteta u torturue mizorisht dhe kujtohet nder ma të masakruemit klerikë katolik nga Sigurimi i shtetit komunist. 

Mbas arrestimit u mbajt në hetuesinë ma të mnershme të Sigurimit shtetit në Shkoder, në hetuesinë e Kuvendit të Fretenve pranë Kishës së tyne, ku pak kohë perpara sigurimi komunist kishte futë edhe armët nën elterë. Aty Imz. Volaj provoi tmeret e panjoftuna ndonjëherë nga Atdhetarët dhe kleri katolik paperjashtim, po disa nga drejtuesit e Atij kleri janë masakrue aqsa nder shtetet e Europës Lindore komuniste as nuk njiheshin ato tortura. 

Vetë mbyllja e procesit Imz. Gjergj Volaj me firmen e Tij, verteton paasnjë kundershtim se Ai, jo vetem ishte i pafajshem po, edhe i pamujtun mos me i pranue akuzat që as nuk i shkonte mendja se do të firmonte në jeten e Tij. 

U dënue me vdekje. Për çudi Ju lejue një takim special me Nanën e tij njëditë para pushkatimit të Imz. Gjergjit. U duk ky takim si ndonjë nga ndalesat në rrugën e mundimshme të Kalvarit: Dukej si ndalesa e Katërt ku Jezu Krishti i dënuem me vdekje takon Nanën e vet. Jo pa qellim të keq: E takuene vetem me e demoralizue Djalin para Nanës së vet të shkretë!

Sa dhimbje të mëdha kanë provue këto dy zemra të pasterta e të dashtuna!

I dhimshëm po edhe i paimagjinueshem takimi me Nanën e vet Tone, i të dënuemit me vdekje Imzot Gjergj Volaj njëditë përpara pushkatimit. Ai e ngushëlloi Nanën e vet kur e pau aq të rrënueme. “Nanë, mos vajto atë që tashti sheh tek unë. Kjajë ditët ma të vështira që do të vijnë!” Ia shtrini dorën mbi kokë dhe i tha: “Kjofsh e Bekueme o Nanë!” Të theruna zemre, mjerim e lot, por bekim për amshim. “Kjofsh i bekuem o Biri i Nanës!” Iu përgjegj Nana. Vetem Ato Nana mund të flasin edhe sot nga gropat e Rrmajt mbasi asnjëherë, nuk harrohen krismat në orët e para të mëngjeseve të atyne kohëve të zeza, që vijshin gjithnjë nga Penda e Kirit mbas Rrëmajit.

Me 3 shkurt 1948 mbas vorreve, aty tek Zalli i Kirit, u pushkatuen disa vetë të hjedhun në një gropë. Por nuk u mbyll këtu dhimbja për Nanën e vujtun. Edhe djali tjeter At Viktor Volaj, atdhetar, gjuhëtar dhe studiues, etnograf, përkthyes e autor i sa e sa shkrimeve e studimeve, bashkëpunëtor i ngushtë i At Justin Rrotës e At Gjergj Fishtës, që ishte edhe komentator i të gjitha veprave të poetit të madh kombtar, nuk i shpëtoi dënimit për shumë vite në internime komuniste kur nana e vet krejtësisht e vetmueme, kalonte jetën  pranë një familjes bamirse. E pra kjo asht e verteta e Familjes Volaj, që u shfaros nga Sigurimi i shtetit komunist i diktatorit terrorist pa asnjë shkak vetem, pse dy djelmët ishin thirrë me i sherbye Kishës Katolike në Shqipni.

E sa familje si kjo ka sot Shqipnia e “rilindur socialiste”?! – As nuk bahet e dijtun kurr masakra e madhe e diktaturës barbare komuniste në Shqipni! 

Dihet vetem një fakt: Shqipnia jo vetem nuk i dënon krimet e komunizmit, po perditë mendon per kthimin mbrapa të shtetit, tue ringjallë diktaturen, fanatizmin anadollak dhe shthurjen e ligjve e të ecjes drejtë Europës.   

A ka sot Nanë Shqiptare që i këndon Djalit si Nana e Imzot Gjergj Volaj: 

“Flej qetësisht n’at djep moj njome,

  pusho n’paqë me ej’ e zana,

  si ma t’mirin nder gjithë kombe

  për Shqipni tash t’rritë ty Nana.” (Shkrue nga Don Ndre Zadeja).

Melbourne, 2 Maji 2022.                       

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani

Para 23 viteve në fshatin Studime në Kosovë forcat serbe vranë 116 shqiptarë

May 3, 2022 by s p

-Kryeministri Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimore për masakrën në Studime/


Studime, Vushtrri, 2 Maj 2022-Gazeta DIELLI/


Në fshatin Studime të Vushtrrisë me homazhe e akademi është përkujtuar sot masakra e 2 Majit 1999, një nga shumë masakrat e forcave kriminale serbe në Kosovë.Njëzet e tre vjet më parë, 116 civilë shqiptarë, përfshirë edhe fëmijë e gra, u vranë nga forcat serbe të sigurisë, në fshatin Studime të Vushtrrisë. Masakra ka ndodhur prej orës 20 deri në 21 të mbrëmjes së 2 Majit 1999.“Përafërsisht një orë e gjysmë tmerr që shkaktoi humbje të pakthyeshme, vuajtje të pashlyeshme dhe dëm të pariparueshëm jo vetëm te familjarët, por te i gjithë populli”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore të organizuar në 23-vjetorin e masakrës në Studime.
Njëri prej dëshmitarëve të masakrës ka treguar që ushtarakët serbë kanë tentuar të kthehen për t’i marrë kufomat, por falë UÇK-së nuk kanë mundur. Ai tregon sesi ai bashkë me fshatarët i kanë varrosur për tre ditë rresht.
Përtej tmerrit të vrasjeve, tentimi për largim të trupave dhe fshehjes së këtij krimi makabër – e bën këtë masakër edhe më të rëndë, tha kryeministri Kurti, teksa shtoi se, ajo që rëndon edhe më tepër, është që sot, 23 vite pas luftës, ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikënd për këtë masakër. “Asnjë hetim që ka prodhuar rezultat nga Prokuroria Speciale. Veç heshtje”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në anën tjetër, vazhdoi ai, luftëtarë të UÇK-së mbrojtëse, janë arrestuar, burgosur e dënuar dikur nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i e tash po mbahen në burg nga Gjykata Speciale.
Në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, prandaj këtu jam edhe unë, është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, janë edhe deputetët e asambleistët e të gjitha partive politike dhe së bashku duke përkujtuar martirët e dëshmorët, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi dhe angazhohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e vendit tonë, të fëmijëve tanë, të gjeneratave që do të vijnë, tha në përmbyllje të fjalës kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial ku janë të varrosur viktimat e masakrës në​ Studime.

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti

Trëndafila Maji për gratë, nënat dhe edukatoret nga Motrat Qiriazi, New York

May 3, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Organizata e mirënjohur “Motrat Qiriazi” organizoi mbrëmje gala në festën e nënës në Amerikë. Në sallën e vallëzimit “Ballroom” në Vista Penthouse dhe Sky Lounge me një pamje të magjishme nga dritaret e qelqta dukej Manhattani kryeqendra e botës, ndërsa brenda ndrinin vajzat, nënat, motrat dhe gratë me bashkëshortët e tyre të cilët kishin ardhur për të festuar së bashku këtë ditë speciale. Në hyrje të mirëprisnin me plot dashuri presidentja e Organizatës “Motrat Qiriazi” znj. Isidoros Tsamblakos dhe gjithë Bordi dhe anëtarë si Alda Mosko, Ariana Elezaj, Eva Burnazi, Zenie Sina, etj. Nën tingujt e Jazz performance të intepretuara mjeshtërisht nga Arenc Leka, violinë e Faton Macula Kitar, salla bëhej dhe më e bukur dhe natyrshëm sillte hare e gëzim në zemrat e të pranishmëve.

Aktivitetin e moderoi zonjusha simpatike Zhuljeta Buja.  

Presidentja e Organizatës “Motrat Qiriazi” znj. Isidoros Tsamblakos e hapi aktivitetin duke përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit dhe iu uroi atyre një mbrëmje të gëzueshme dhe të bukur në ditën e shenjtë të nënave.  

Zonja Tsamblakos bashkë me zonjën Alda Mosko dhe bordin ndau çmimet me një ceremoni të bukur dhe shumë festive. 

Me çmimin: Gruaja e vitit u vlerësua Kozeta Zylo, edukatore e vitit zonjusha Jonela Hasani dhe nëna e vitit znj.Pertefe Leka.  

Zonjat Leka dhe Hasani shprehën mirënjohjen e pakufishme për vlerësimin dhe natyrshëm çmimi bëhet frymëzim për dëgjuesit dhe brezat. E nderuar të ishja në krah të tyre.

Në shkollat tona shqipe “Alba Life” në të gjithë Nju Jorkun Motrat “Qiriazi” janë histori frymëzuese ndaj dhe ata e këndojnë me krenari Këngen e Alfabetit Shqip, të shkruar prej Sevasti Qiriazit si: Armiqëtë o shqipëtarë/ Po përpiqenë/ Shkronjat turçe dhe greqishte/ Të na apënë/ Le t’i mbajnë ata per vetëhe/ Kemi tonatë.

Kënga e nënës në shqip ishte tejet emocionuese, dikujt i rridhnin pikëza loti, interpretuar në violinë dhe shoqëruar nga Arenc Leka. Nëna është perëndeshë, nëna është hyjni ndaj dhe i këndohet:   Nënë, emër i dashur për mua/ Më je e shtrenjtë, të të dua/ Sa jetë e tërë për ty unë thurr melodi.

Një çmim special, proklamatë mirënjohjeje u dha për zonjat Kozeta Zylo, Pertefe Leka dhe Jonela Hasani nga Ligjvënësi i Westchester County z.David Tubiolo.  Më duhet të shtoj se z.Tubiolo është një mik i madh i shqiptarëve dhe merr pjesë aktivisht në evente më të rëndësishme të organizuara nga Diaspora.

Një buqetë me trëndafila Maji iu dhurua dhe Konsulles së Republikës së Shqipërisë në New York zonjës Najada Sojli si shenjë mirënjohjeje në përkushtim të punës dhe devotshmërisë së saj me profesionalizëm në sherbime konsullore për publikun.

Me shumë emocion u mirëprit vlerësimi dhe mirënjohja e dhënë nga zonja Alda Mosko në emër të Motrave “Qiriazi” e cila nuk i mbajti dot lotët kur foli për punën vullnetare të të ndjerit Ylli Luka si një bamirës në komunitet me zemrën e tij të madhe.  Djali i tij në emër të nënës së tij Agathia Luka e cila ka një kontribut të madh në organizatën “Motrat Qiriazi” e pranoi me përulje vlerësimin për të Atin e shtrenjtë  dhe ndihej krenar për pasurinë shpirtërore që la tek brezat.  Ky vlerësim u mirëprit me duartroikitje si dhe me dhimbje nga të gjithë ne që e kishim mik dhe e çmonim per ndihmën e tij te pakursyer në komunitet dhe kudo.  Natyrisht Ai na bekonte nga lart si një Yll i qiellit ku ka zënë vend.  

Një mirënjohje speciale iu dha mediave si TV “Alba Life”, TV “Kultura Shqiptare”, Arbërie Hetemi fotografe dhe Afërdita Palokaj editore e AAWO Newsletter.  

Pak biografi për gratë që u nderuan për vitin 2022

Kozeta Zylo gruaja e vitit 2022

Shquhet ndër veprimtaret më aktive në Komunitetin Shqiptaro-Amerikan.  Ajo është  shkrimtare e mirënjohur në Diasporë  e cila ka publikuar tetë libra dhe së fundi librin për fëmijë.  

Znj. Zylo është një gazetare e shquar e Diasporës, artikujt e saj janë të publikuara në gazetat “Illyria”,  “Dielli” , NY, “VOAL” Zvicër, Rumani, Shqipëri etj.  Libri “Diaspora si krah shqiponje” u pranua në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Washington DC.  Ajo ka realizuar qindra intervista që nga njerëzit më të famshëm e deri tek ai më i thjeshti.  Znj.Zylo është shpallur gruaja dhe mësuesja e vitit në Diasporë nga organizata të njohura.

Zonja Zylo është shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që operon në të gjitha lagjet e New York-ut dhe në Online.

Jonela Hasani edukatore e vitit

Jonela Hasani është edukatore dhe këshilltare në Departamentin e Arsimit të Nju Jorkut për 17 vitet e fundit.

Jonela Hasani punon si Këshilltare Shkollore dhe Sekretare Administrative Ekzekutive në Departamentin e Arsimit të Nju Jorkut.

Arsimi dhe pozicioni i saj në Departamentin e Arsimit të qytetit të Nju Jorkut ka lejuar që përvoja e saj të punojë ngushtë me popullsinë e shkollave të mesme dhe studentët në rrezik. 

Znj. Hasani posedon njohuri të shumta në lidhje me vlerën e kapacitetit të marrëdhënies, besimit dhe besueshmërisë. Znj. Hasani ka frymëzuar shumë studentë që të bëhen shumë të suksesshëm në jetën e tyre. Në shkollën e saj znj. Hasani ka krijuar një program “Girls Club and South Asian Girls Club” me mision dhe vizion për Vetë-Zbulimin dhe Fuqizimin e Gruas.

Pertefe Leka nëna e vitit, 2022

Pertefe Leka është mësuese, shkrimtare, studiuese, nënë dhe gjyshe e devotshme. 

Në moshën 80-vjeçare ajo vazhdon të shkruajë artikuj dhe libra bazuar në kërkime të thella mbi jetën dhe veprën e nxënësve të historisë dhe letërsisë shqiptare. 

Pertefe Leka ka lindur dhe është rritur në Shkodër. Ajo punoi si mësuese në Vrakë atje ku ka lënë gjurmët e mësuesisë shkrimtari i Kombit Migjeni.

Zonja Leka është një kontribuese e denjë në studimet, shkrimet letrare dhe historike në gazetën e mirënjohur “Illyria” dhe më gjerë nëmediet e tjera.

Ajo ka sjellë pranë lexuesve me fakte të pamohueshme figurat e ndritura të historisë, shumë prej tyre të lënë në harresënga komunizmi.

Në nderim të kontributit të saj, të punës si dhe të penes zonja Pertefe Leka është bërë frymëzim dhe ndaj u vlerësua me çmimin “Nëna e Vitit 2022” nga organizata shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”.

1 Maj, 2022

Queens, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: beti beno, Keze Kozeta Zylo, Motrat Qiriazi, Pertefe Leka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2279
  • 2280
  • 2281
  • 2282
  • 2283
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT