• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për çdo njeri është e rëndësishme festa “Dita e Nënës”

May 3, 2022 by s p

Ju falenderoj për organizimin e kësaj mbremje festive dhe për vlerësimin që më bënë drejtueset e kësaj organizate me emrin e nderuar të Motrave Qiriazi. Për çdo njeri është e rëndësishme festa “Dita e Nënes”. Pertej statusit “ Nënë” Si burim i jetës, emri i saj ka kuptim më të gjërë edhe në vështrimin filozofik, juridik, njerëzor, shpirtëror….Kështu figura e Nënës, eshtë një institucion me vete.Ne duke jetuar në ShBA jemi bërë pjesë e kësaj feste në sajë të Pres. Wilson, I cili e institucionalizoi,e shpalli “Mother Day”, festë e cila I kaloi kufijtë e Amerikës dhe po ndërkombëtarizohet vit pas viti. Është një privilegjë për ne, që e festojmë si amerikanët, dhe trajtohemi njësoj si Ata, gezojmë të gjitha liritë, mundësitë për t’u shprehur, për t’u organizuar për të protestuar. Nuk kemi asnjë pengesë për të folur në gjuhën tonë, dhe kemi lirinë që femijët tanë të mësojnë në shkollat shqipe …..krahasojeni me shqiptarët që jetojnë në tokat e tyre çfarë vështirësishë kanë në këte drejtim. Ata që kanë ardhë para nesh edhe ne që jetojmë këtu nuk jemi rrënjë dalë, nuk erdhen nga një vend i zbrazët, kemi ardhë me një histori të pasur dhe me krenari për parardhësit tanë e sidomos për Nënat Tona.Nuk besoj që të ketë në botë Obeliskë natyrorë që kanë të gdhendur në themele madheshtinë e Gruas si Nenë: Rozafa në kalanë e Shkodrës dhe Argjirò në Kalanë e Gjirokastrës që ia kalojnë edhe institucionit, janë bërë qendra peligrinazhi edhe për të huajt. A duhet që keta vlera të na i kujtojnë të huajt….Kur ne kemi jetuar atje …..por dimë shumë pak.Akademikja franceze Margaret Jursenar (1903-1987) autore e shumë veprave, analiste dhe psikoanaliste, ( qytetare amerikane që në vitin 1947 ) shkroi tregimin (qumështi i vdekjes ) “The Death of Milk “e inspiruar nga legjenda e kalasë së Shkodrës i dha jetë e vazhdimësi jetës nëpërmjet qumështit çudibërës që rridhte nga gjoksi i nënës së murosur, e bëri burim jete për djalin e për brezat. Ai qumësht çudibërës u bë shërues për shumë nëna të reja që donin fëmijë. Ata besonin. së qumështi i Rozafës vazhdon të rrjedhe, ndaj shkonin e gërryenin gurët gelqerorë në muret e kalasë me mendimin së aty buron jeta. E pra ky autosygjestion, i spjeguar shkencërisht nepërmjet Self Hypnosis, vazhdon ta ketë magjinë e vet.
Po kështu është edhe Historia e Argjiros, në se në këto i trajtojme si legjenda, aktin e Argjirosë e përsëriten duke bërë sakrificën sublime gratë Suliote të Çamërisë të cilat i ngriti ne pjedestal Bajroni në kryevepren e tij “Udhetimet e Çajd Harold-it “ dhe prej Bajronit i perjetësoi Ari Shefer në pikturën “Gratë e Sulit”, Kështu historine e tyre e njohi Bota mbarë.Për gratë shqiptare guximtare të cilat luftojnë si burrat, shkruante edhe “New York Times” ( 21 Maj 1911), ku përshkruan burrneshën, Tringë Smajlja duke e cilësuar —Zhan Darka e Shqipërisë — e cila shkelqeu për trimeri në betejen e Deçiqit dhe për urti në kuvendin e Greçës gjatë kryengritjes së Malësisë Madhe në prag të pavarësisë.Me Zhan Darken e Orleanit krenohet Franca ,…Shqipëria ka lindur shumë Zhan Darka e Amazona shkruante Kryeipeshkvi i Tivarit që drejtoi kuvendin e Arbërit 1703, me inisiativen e Papa Klementit XI, me origjinë shqiptare.E në vazhdimësi të historisë tonë po përmend – Gratë – Nëna – që iu drejtuan Pres.Wilson në Konf. e Parisit ….. Nuk mund te harrohet Letra e Zonjës nga Çamëria Lejla Dino e cila në emër të Komuniteti të gruas shqiptare që e krijoi në Bruksel i drejtohet Pres. Wilson “ hidherimet e tmerrshme dhe mizoria që Nënat shqiptare, Gratë dhe bijat duruan duke parë ….të dhemshurit e tyre të rrokullohen nen zgjedhen e shtypësve të huaj ….kanë për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe do t’na ndihmoni për të fituar lirine tonë të dashur.14 pikat e Wisonit ,siç i quajti Fishta Wilsoniane, zgjuan shumë levizje për liri e pavarësi.Heroinat e Epopesë së Lavdishme në Luftën e Vlorës Sade e Kadene, i ka perjetesuar edhe biri i Trieshit të Malësisë Nikollë Ivanaj në vargjet Sot po Vlon Vlona …..Po ashtu gratë shkodrane së bashku me Gratë – Nëna të Malësisë u dalluan në luften e Koplikut. Shaqe Marie Çoba, Universitare e shkencave politike ne Zagreb e cila krijoi komitetin “Gruaja Shqiptare” me kryetare Habibe Bekteshi … të cilat populli i ka perjetesuar në vargje ….Krisi pushka në përrua të thatë // Në Koplik kanë ardhë gratë // Në një kohë me to janë Motrat Qiriazi, të diplomuara në Kolegjin Amerikan “Robert Kolege“ me një kontribut të vyer në fushën diplomatike. Nuk harrohen peticionet e Sevastisë drejtuar Konf. Paqës dhe Pjesëmarrja efektive e Parashqevisë në atë konferencë….. Përballë Pres. Wilson. Letër kembimet e Parashqevisë me Edith Durham “ Mbretëresha e Malësisë “ në atë kohë lobonte për Shqipërinë në emër të shoqatës së krijuar “ Anglo – Shqiptare, janë dëshmi e qartë e rolit të patrioteve që e ndërkombëtarizuan çështjen shqiptare.Në qoftëse Nobelisti Wilson e shpalli një ditë të Majit “ Mather Day ”,Shqiptarët i dhanë Botës, Nobelisten, Shënjtoren “Mother Tereza “ e cila nuk lindi fëmijë por rriti dhe ngjalli fëmijë.E këto gra përmenden nga personalitete te huaja. Malësorja, nënë e ve me dy fëmijë, burrin ia kishin vrare serbet, u bë pikë referimi dhe frymezimi, për shkrimtaren Amerikane Rozë Wilder Lane, kur ajo erdhi në Shqipëri si misionare e Kryqit Kuq Amerikan për të ndihmuar shqiptarët për pasojat e Luftës Parë Botërore. Ajo asistoi në një gjyq familjar në Malësi ku mbeti pa fjalë nga guximi i nëne të re, e cila mbajti një qëndrim të palëkundër përpara Kuvendit të Fisit për kërkesat e saj, për të jetuar më vete me dy jetimet.Kjo ngjarje u bë pikënisje për kryevepren e saj. “The Discovery of Freedom “ ….Berit Beker një antropologe ndoqi po këte rrugë, kur ishte në Kosovë, u bë një zë i fuqishëm për të drejtat e popullit mikpritës të Kosovë që kërcënohej nga Gjenocidi Serb.Edith Galt direkt pasardhëse (great niece ) ster stermbesa e Pocahontas, trashigimtare e fiseve Virginia Colony, Zonja e parë, gjatë Presidencës Wilson, dhe Presidentja e parë grua në hije gjatë paralizës së Wilsonit u bë ndërlidhëse dhe tranzmetuese e Peticionit të Lejla Dinos në emër të “ Komunitetit të Grave Shqiptare”Edith Durham, Antropologe, publiciste, artiste ….. Mbretëresha e Maleve. Në 7 veprat e saj ngriti lart figurën e malësoreve ne vepren (High land Albania), Shqiperia e Eperme. A mund të lëmë pa përmendur bijën e Çamërisë, Princeshën Romune, dijetaren e famshme shqiptare, Elena Gjika u prit në mënyrë madhështore nga shkrimtari amerikan Henri Longfellow 1880, i cili kishte shkruar poemën Skenderbeu 1873 Ndër të tjera Ai shprehet ( We have a house full of people and today a Princess Dora D’ Istria is coming for dinner ) Plaku i urtë, pas shumë vlerësimesh, për Zonjën e mençur, për karakterin, për sjelljen dhe për gjithë formimin e saj mbivlerësoi thjeshtësinë (“ The suprime excellence is simplicity . To the women of America she must ever be a shining example, a brilliant star ). Vlerësimi i Elena Gjikës nga personalitete të larta deri të vleresimi që i bënë vajzat e thjeshta shkodrane, stigmatine,me Letrën e Penën që i dërguan asaj në shenj nderimi. Po kaq lart qëndrojnë shkodranet, Motrat Juka , Safete e Lume, studiusit e kanë quajtur dijetaren Safete një Dora D ‘ Istria e dytë.Këto shembuj plot virtyte na ngrejnë në këmbë Vajzat tona, Gratë tona këtu në këte vënd kanë të gjitha të drejtat dhe mundësitë të zëvendësojnë luftëtarën e paepur për të drejtat e njeriut për liri e pavarësi; Avokaten e zjarrtë të Kosovës Madalen Ollbrjat (Madeleine Albright ) që gëzon përjetësisht nderimin e gjithë shqiptarëve.Ollbrajt u largua nga gjenocidi nazist dhe me vonë nga ai komunist dhe erdhi në Amerikë si shumica e grave dhe vajzave shqiptare që u larguan nga gjenocidi Sllavo-komunist .Unë shpresoj se vajzat dhe gratë shqiptare, këtu në diasporë, do të ecin në shembullin më të mirë të bëhen avokate të mbrojtjes të drejtave njerezore sidomos për botën shqiptare dhe duhet ta dinë se nga 110000 km2 kemi mbetur me 28 mije km2, ku fqinjët veriore dhe jugorë shtyhen çdo ditë me të ashtuquajturin minoritet i cili kurrë nuk ka ekzistuar as nuk ekziston, por sajohet nga mendjet shoveniste helene e serbe. Nuk kam pikë dyshimi që do të kemi Zëra të fuqishëm nga Organizatat e grave që të mbrojnë me dinjitet të drejtat njerëzore dhe të Grave, pavarësisht nga prejardhja, deri në instancat më të larta këtu ne Amerikë.T’ i kemi vajzat tona në Kongresin Amerikan e pse jo edhe në Shtëpinë e Bardhë.Mirënjohje të thellë për këte vënd që na mban dhe na mbron dhe jemi shpresëplotë që një ditë, Shqipërinë e ndarë në pesë shtete, ShB.A – të do ta bashkojnë në një shtet të vetëm, siç janë të bashkuar edhe Ata vetë Po e mbyll me vargjet e Fishtes Edhe Hana do t’ a dijë // Edhe Dielli do T’ket pa // Se përqark kësaj rrokullije // Si Shqypnia, i vend nuk ka.Even The moon might know // Even the sun might have seen // There is no place, like Albania// Lika Albania on this Earth scene// Me një mirënjohje të thellë për Sh.B.A – të Të. këndojmë së bashku kengën që këndon Celine DionGod Bless Amerika Land that I love // Stand beside her // And guide her // Through the night // With the Light // From above //. From the Mountains // To the prairies // To the oceans// White with foam // God bless America // My home sweet home //
FaleminderitShkroi Pertefe Leka

Filed Under: Reportazh Tagged With: pertefe leka domnori

KOSOVA DUHET T’I DELEGOJË TE SHQIPËRIA DISA ASPEKTE TË PËRFAQËSIMIT NDËRKOMBËTAR

May 3, 2022 by s p

Nga Mehmet PRISHTINA/

Në pritje të përgjigjes , e cila edhe ashtu do të vonohet, për t’u anëtarësuar në NATO, institucionet e Kosovës duhet në periudhën e ardhshme të bashkëpunojnë ngusht me ato të Shqipërisë, në planin e përfaqësimit në organizmat ndërkombëtare, sidomos në sistemin kolektiv të mbrojtjes. Përfshirja e Kosovës në këto organizma, do ta shtonte jo vetëm aftësinë tonë mbrojtëse, por do të ndërgjegjësonte në një shkallë më të lartë bashkëpunimin institucional Tiranë-Prishtinë, i cili duhet të jetë shumë më dinjitoz se ç’është aktualisht 

Ka jo pak njerëz në Kosovë, në Shqipëri dhe në mbarë hapësirën etnike shqiptare që mendojnë gabimisht se mjafton ombrella e NATO-s si zëvendësim i fuqisë ushtarake vendore. Sipas këtij rezoni, Kosova dhe Shqipëria nuk paskan nevojë  fare të kenë aviacionin e tyre dhe sistemin e mbrojtjes raketore, për arsye se të gjitha këto i ka NATO, gjegjësisht KFOR-i. Me fjalë të tjera, ne nuk paskemi arsye të brengosemi nëse Serbia armatoset dhe i shton kapacitetet e saj ushatarake, pasi që ushtarët e NATO-s, gjegjësisht të KFOR-it, do të kujdesen për sigurinë tonë.

Provokimet që ndodhën ditëve të fundit në veri të vendit, që si cak patën patrullat policore të Kosovës, përbëjnë shqetësim për sigurinë e Kosovës, ndonëse u tha se bëhet fjalë për pista të dyshimta kontrabanduesish që përdorin kalime ilegale për mallrat e tyre të padeklaruara. Autoritet policore madje thonë se sulmet po ndodhin për “tensionim të qëllimshëm” të situatës së sigurisë në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe. 

Ekspertët e sigurisë kanë thënë se Kosova vazhdon të jetë cak i provokimeve serbe, andaj kërkohet që ndaj këtyre provokimeve të ndërtohet një strategji gjithëprfshirëse, me një bashkëpunim të ngushtë edhe me aleatët srategjikë të Kosovës. Kjo edhe për faktin se Serbia vazhdon të fuqizojë aftësinë e saj mbrojtëse. Këtë të shtune (30 prill), në aeroportin ushtarak të Batajnicës u organizua një ekspozitë  e ushtrisë serbe me emrin “Mburoja 2022”, ku vend qendror kishte sistemi kinez i raketave kundërajrore  me rreze të mesme veprimi “FK-3”. Aty u shfaqën edhe rreth 60 avionë, më shumë se 300 armë dhe pajisje ushtarake, si dhe trajnimi i njësive speciale të ushtrisë serbe. 

Armatosja e Serbisë po kalon pa ndonjë vërejtje serioze nga qendrat vendimarrëse perendimore, mu në kohën kur Beogradi ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë. Megjithatë jo pak vëzhgues dhe analistë në Perëndim shprehin frikën se armatosja e Serbisë nga Rusia dhe Kina mund të inkurajojë atë drejt një lufte tjetër, veçanërisht kundër  Kosovës apo Bosnjë e Hercegovinës.
Këto shqetësime marrin një dimension real nëse ndërlidhen ambicjet e vjetra hegjemoniste serbe dhe ndikimi rus në Ballkan, një kombinim ky që shkon në dobi të atyre që duan me çdo kusht ta destabilizojnë rajonin. Mjaftojnë disa provokime që mund të shërbejnë si xixa për një konflikt, i cili mund ta ketë komandën dirigjuese në Qendrën Humanitare Serbe-Ruse (SRHC), e vendosur në aeroportin e Nishit. Sikundër dihet, vendimi për krijimin e SHRC u mor gjatë vizitës së Presidentit Medvedev në Beograd në vitin 2009 dhe filloi zyrtarisht në tetor 2011. Për vite me radhë, Moska ka kërkuar që Beogradi t’i japë personelit të SRHC të njëjtin status që gëzojnë trupat e NATO-s nën Marrëveshjen e Statusit të Forcave (SOFA) nënshkruar në 2015,  duke theksuar përfshirjen e SHRC në trajtimin e zjarreve dhe përmbytjet si provë që gjoja ka një mision thjesht humanitar.

Invazioni rus në Ukrainë ka hapur Kutinë e Pandorës dhe janë aktive të gjitha opsionet destabilizuese, ku Serbia me të drejtë targetohet si një prej eksportuesve më të medhenjë të destabilizimit në rajon. Faktet janë të shumta dhe mjafton të ndiqet vetëm ambicja serbe për t’u armatosur, një pasion ky mesjetar që është në shërbim të ëndrrës hegjemonsite serbe për të pushtuar toka të huaja. Ky pasion ishte shprehur më mirë se kudo tjetër në Kosovë, ndërkohë që autoritet tona kanë shprehur haptazi shqetësimet e tyre ndaj këtij kursi militarist të Serbisë. Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Twitter tha se Serbia po furnizohet ushtarakisht me shpejtësi dhe po rrezikon paqen në rajonin tonë.“Serbia zbuloi publikisht sistemin e raketave kundërajrore me rreze të gjatë K-3 të marrë së fundmi nga Kina. Serbia është i vetmi vend evropian që pranon dhe operon një sistem të tillë armësh kineze. Serbia po furnizohet ushtarakisht me shpejtësi dhe po rrezikon paqen në rajonin tonë”, ka shkruar Vela.

Në anën tjetër, mundësitë e thellimit të aleancës ruso-serbe në kohën kur po vazhdon konflikti në Ukrainë, janë shikuar me skepticizëm nga diplomatët perendimorë. Ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë se nëse mendohet se Rusia do t’ia zgjidhë problemet e Serbisë në lidhje me Kosovën, atëherë është mendim i gabuar.

“Rusia nuk duhet të merret model tash. Nuk është një vend që do të dëshironit si mik apo aleat. Por, njerëzit në Serbi duhet të vendosin në çfarë drejtimi duan të shkojnë. Ideja se Rusia do t’i zgjidhë problemet serbe në Kosovë apo diku tjetër, vetëm shikoni situatën në Ukrainë dhe më thoni nëse është mirë që Serbia të mbështetet për çdo gjë në Rusinë”, tha Hill.

Pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, institucionet tona janë shprehur pro anëtarësimit të Kosovës në NATO duke kërkuar procedura të përshpejtuara, ndonëse   ekspertët thonë se një anëtarësim në këtë mënyrë duket i vështirë për tu arritur. Por ata sugjerojnë që Qeveria e Kosovës të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë si në planin rajonal edhe në atë të përfaqësimit në organizmat ndërkombëtare, duke aluduar edhe në sistemin kolektiv të mbrojtjes. Përfshirja e Kosovës në këto organizma, do ta shtonte jo vetëm aftësinë tonë mbrojtëse, por do të ndërgjegjësonte në një shkallë më të lartë bashkëpunimin institucional Tiranë-Prishtinë, i cili duhet të jetë shumë më dinjitoz dhe gjithpërfshirës seç është aktualisht .

Prishtinë, 2 maj 2022

Filed Under: Politike Tagged With: Mehmet Prishtina

Kur të thërret historia…

May 2, 2022 by s p

Visar Zhiti/


Mbrëmja e Shoqatës “Uskana” me kërçovarët e Çikagos, – një takim i ngrohtë, ku shpalosej vetëm mirësi…Sa shumë që ishin, nuk do ta besoja! Zonja dhe zotërinj, të moshuar dhe të rinj, fëmijë, familjarë, të gjithë me një qytetari sa amerikane po aq dhe me fisnikëri tradicionale shqiptare, të trevës nga vijnë…Të bukur të gjithë, jo vetëm në veshje. Na uroi mirseardhjen Kryetari i Shoqatës, Dr. Luan Elezi. Flamuj shqiptarë dhe amerikanë në sallën e madhe me shandanë dhe lule, u kënduan dy hymnet, recitime e këngë, me shqipen përmalluese e valle, vallet tona me kostumet folklorike, që janë histori jona. Miku im, Taip Beshiri, që më rrinte pranë, me njohu me shumë bashkëqytetas, mes tyre dhe Dr. Xhabir Alili, pasionant i poezisë, që para të gjithëve lexoi poezinë e tij për vendlindjen dhe vazhdoi me një poezi timen për lirinë. Na bëri bashkë. Po Ilir Zengu përkujtoi aty piktorin kërçovar me famë botërore, Omer Kaleshi, dhe më dhuroi një libër për të, shkruar nga Luan Rama… Vend i vogël, por sa ka dhënë, po bisedonim me njër tjetrin. Ja, nëna e Gjergj Kastrioti – Skenderbeut tonë, nga andej ishte, nga Gradeci, thashë, por dhe Shenjtja Nënë Terezë shkupiane është, po dhe nobelisti tjetër në shkencën e mjeksisë, Ferit Murati, nga Gostivari e kemi, po shkrimtari Luan Starova, i përkthyer në botë, i shkruante romanet e tij në maqedonisht dhe shqip, në Pogradec ka lindur… etj, etj.T’i përkujtojmë, “Uskana”- emri i hershem parasllav i Kërçovës, mund të bëjë shumë e më shumë këtu në bashkëpunim me shoqata të tjera dhe indtitucione. Shoh gjithë këta të rinj e të reja, njëra përballë në tryezën tonë, i shoqi në krah duket si aktor filmash, e ka emrin Abetare, mrekullohem, nuk e dija se kishte një emër të tillë kaq kuptimplotë, me dashuri për gjuhën amë…Do të mjaftonte ky kumt për mua që të besonim më shumë, për më shumë shpresë edhe në metropolet e mëdha si Çikago, mund të japim dhe ne, sado pak, nga kultura jonë në botën e madhe që na jep… Të shkëlqejë dhe guri ynë në mozaikun e pafund…

Filed Under: Komunitet Tagged With: Visar Zhiti

UNIONI I GAZETARËVE SHQIPTARË – QARKU SHKODËR NË EDICIONIN E PESTË TË ÇMIMIT TË NDERIT “HAMIT BORIÇI”

May 2, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Vlerësimi i punës së bukur, të vështirë, por edhe të respektuar të gazetarëve në gjithë hapësirën multimediale ka qenë prej vitesh një prioritet i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Qarkun e Shkodrës, jo vetëm për ata që prej shumë vitesh kanë krijuar biografinë dhe karrierën e tyre personale, por veçanërisht për ata që i kanë hyrë me pasion kësaj rruge dhe që rëndom quhen gazetarë të rinj. Pas dy vitesh shkëputjeje, për shkak të pandemisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptar në Qarkun e Shkodrës mblidhet sërish, tashmë në edicionin e pestë të tij, për ceremoninë e ndarjes së çmimit “Hamit Boriçi”, një aktivitet i përvitshëm, i cili, siç thamë më lart, ka si qëllim evidentimin dhe vlerësimin e punës së gazetarëve më të spikatur në fushën e medias së shkruar dhe audiovizive. Organizatorët nën drejtimin e z. Gasper Marku, kryetar i Unionit të kësaj dege, ishin kujdesur që takimi të zhvillohej në nivelin e duhur profesional, ashtu siç i ka hije një shoqate, jo vetëm gazetarësh, por edhe miqsh, pasi e veçanta e aktivitetit ishte se personaliteti, emri i të cilit titullonte çmimin ishte edhe vetë fizikisht në sallë. Këtë e bëri të ditur vetë z. Gaspër Marku, që pak çaste para fillimit deklamoi se këtë takim do ta nderonin me pjesmarrjen e tyre dy personalitete të gazetarisë shqiptare: Hamit Boriçi dhe Aleksandër Çipa me cilësinë e kryetarit të UGSH-së, të cilët të shoqëruar edhe nga pedagogia e Gazetarisë, anëtare e këshillit Drejtues të RTSH, zonja Ardita Reçi formuan kështu edhe panelin e nderit të aktivitetit. Po kaq i nderuar ishte edhe auditori i takimit ku merrnin pjesë gazetarë dhe drejtues të mediave lokale, por edhe më gjërë, intelektualë të njohur, qytetarë dashamirës si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Aktiviteti, i cili u zhvillua në Bibliotekën e Qendrës Rinore “Arka”, u hap nga gazetari i mirënjohur Gazpër Marku, i cili kërkoi nga të pranishmit një minutë heshtje, si homazh në nderim të kolegëve gazetarë që ndërruan jetë gjatë periudhës së pandemisë dhe si shkak i saj. Ata edhe në mungesë gjejnë vend në kujtimet e gjithsecilit të pranishëm dhe do mbeten gjatë në memorien e tyre dhe gjithë qytetit të Shkodrës. Më pas z. Marku ia dha fjalën kryetares së Këshillit Bashkiak Shkodër, zonjës Briselda Kadia e cila i dorëzoi Profesor Hamit Boriçit titullin “Mirënjohja e Qytetit” të akorduar nga Bashkia Shkodër që në vitin 2020, por të pamundur për t’ia dorëzuar në një ceremoni si kjo për arsye të pandemisë. Këtë vlerësim Profesor Hamit Boriçi e pranoi me shumë emocion dhe me një nderim të thellë ndaj Qytetit të Shkodrës, qytetarëve të këtij qyteti, institucionit të Bashkisë e në veçanti për gazetarët, të cilët i quajti kolegë të nderuar. Po me kaq emocione filloi edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve nga Kryetari i UGSH – Qarku Shkodër z. Gaspër Marku. Në këtë edicion u akorduan tetë çmime: Gazeta “Dukagjini” u vlerësua me motivacionin: “Që prej vitit 2003, kur u botua numri i parë dhe deri më sot kur është në proces numri i 222-të, Gazeta “Dukagjini”, është sistematikisht e pranishme për lexuesin shkodran, atë kombëtar dhe mbarëkombëtar, me botim në letër dhe online. 3077 artikuj cilësorë dhe professional të botuar në vite nga 575 autor, janë një kontribut me shumë vlerë, jo vetem për promovimin e vlerave të pasura historike dhe turistike të Dukagjinit dhe rajonit verior, por edhe të të gjithë vendit në përgjithësi”. Gazetarja Alma Mehmetaj me motivacionin: “Gazetare, drejtuese e emisioneve dhe prezantuese e edicionit të lajmeve me aftësi të spikatura profesionale, me një karrierë të gjatë mediatike në TV Rozafa dhe Radio Motiv. Por, në të njëjtën kohë, edhe drejtuese e këtij institucioni në kohë të ndryshme, duke dhënë kontributin e saj organizativ të këtij institucioni”. Gazetarja Sidola Osja me motivacionin: “Gazetare, drejtuese e emisioneve dhe prezantuese e spektakleve televizive me aftësi të spikatura profesionale, me një karrierë të gjatë mediatike në TV1 Channel”. Gazetari Luan Kadia-RTSH Shkodra, me motivacionin: “Gazetar, drejtues i emisioneve dhe prezantues i edicionit të lajmeve me aftësi të spikatura profesionale, prej shumë vitesh në Radio Shkodra dhe në vazhdim edhe në RTSH Shkodra. Në të njëjtën kohë me një kontribut të çmuar në kronikat e përgatitura për TVSH-në”. Gazetari Gjon Gjeka-TV A2 CNN me motivacionin: “Korrespondent prej disa vitesh i TV A2 CNN për Shkodrën dhe rajonin verior. I spikatur për lidhjet direkte për ngjarjet më të rëndësishme të kësaj zone. Më herët ka punuar me shumë cilësi edhe në televizionet lokale të Shkodrës në pozitën e operatorit”. Gazetari Dori Gjerga-TV Euronews me motivacionin: “Korrespondent prej disa vitesh i TV Euronews për Shkodrën dhe rajonin verior. I spikatur për lidhjet direkte për ngjarjet më të rëndësëishme të kësaj zone. Më herët ka punuar me shumë cilësi edhe në televizionet lokale të Shkodrës në pozitën e operatorit”. Faik Sadiku, një pasionant i kahershëm i fushës së sportit, por edhe i gazetarisë sportive, i cili edhe pse asnjëherë nuk punoi si profesionist në media, është një penë shumë e vlerësuar nga lexuesit, brenda dhe jashtë vendit. Ajo që e bën të veçantë Faik Sadikun, është edhe botimi i 5 librave për figura të spikatura të sportit shkodran dhe më gjërë, të cilët pritet të pasohen edhe me botime të tjera, që ai i ka në projekt. Tonin Frroku, gazetar dhe drejtues i emisioneve sportive dhe më gjërë, karriera e të cilit nisi rreth 40 vite më parë në qytetin e Shkodrës ku shërbeu për shumë vite me mjaft profesionalizëm. Më pas, edhe pse zhvendoset familjarisht në qytetin e Korçës, ku ka angazhime shumë të rëndësishme mediatike lokale dhe kombëtare, ai asnjëherë nuk e harroi vendlindjen duke vijuar të kontribuojë mediatikisht për Shkodrën dhe rajonin verior. Emocionet ishtn prezente si asnjëherë tjetër pasi prezenca e Profesor Hamitit në panel e bënte këtë ceremoni edhe më dinjitoze dhe motivuese, një frymëzim që nuk ngurruan ta shprehin as gazetarët e vlerësuar me këtë emër të madh në fushën e medias shqiptare, siç u shpreh edhe z. Gaspër Marku kur tha se: “Jemi me fat që e kemi akoma në mesin tonë këtë ikonë të gazetarisë shqiptare”. Përshëndetja dhe vlersimi i z. Aleksander Çipa ishte mjaft mbresëlënës dhe motivues njëkohsisht për gjeneratat e reja të gazetarisë dhe gjithë këtë komunitetin e medias. “Shkodra dhe komuniteti i gazetarëve të Shkodres janë një referencë e shkëlqyer për gjithë komunitetin e gazetarëve profesionistë shqiptarë ndaj dua t’ju falenderoj për punën dhe vullnetin tuaj dhe besoj se është fjala më e çmuar për gjithë këtë ditë po kaq të çmuar”, tha në fjalën e tij z. Çipa. Në këtë aktivitet u bë edhe promovimi i librit “Xhubleta – Pasaportë e Identitetit Kulturor Kombëtar” një përmbledhje me kumtesa e studime që doli në dritë nën kujdesin e studiueses Rita Shkurtaj, njëkohësisht edhe kryetare e shoqatës “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”. Ky aktivitet iu bashkangjit shumë natyrshëm gjithë takimit jo thjesht për të prezantuar punën e një grupi studiuesish, por për vlerat që mbart ai material shkencor dedikuar xhubletës, kësaj pasurie kombëtare, e cila ishte prezent edhe fizikisht edhe në sallë, pasi gjatë kësaj ceremonie performuan me veshjet e tyre dy djem e dy vajza nga Gjimnazi “Dodë Kaçaj” Bajzë, të veshur me çakçir e xhubleta, të shoqëruar nga mësuesja kujdestare Florina Laçaj. Xhubleta Shqiptare është një pasuri me vlera mbarëkombëtare e cila pritet që së shpejti të hyjë edhe në mbrojtje të UNESCO-os, si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore. “Kjo pasuri 4500 vjeçare është pasaporta e identitetit tone kombërar, prandaj meriton të promovohet sa më shumë, sidomos nga mediat, të cilat me forcën e zërit, fjalës dhe pasqyrimit të vlerave të saj zgjon interesin e turizmit kulturor, ndihmon në ruajtjen, kultivimin dhe trashëgimin ndër breza”, tha ndër të tjera znj. Rita Shkurtaj. Për të pranishmit u shfaq dokumentari me të njëjtin titull “Xhubleta – Pasaportë e Identitetit Kulturor Kombëtar”. I gjithë aktiviteti u mbyll me një koktei dhe shtërngim duarsh si një premtim për t’u takuar sërish në aktivitete të tjera po kaq të rëndësishme. Prill 2022

Filed Under: ESSE Tagged With: Ramazan Ceka

NUK MUND TA VJEDH GOVERNËN

May 2, 2022 by s p

Thanas L. Gjika/

Në qershor të vitit 1961, kur rra tërmeti në Korçë, tim eti iu shtuan shumë kërkesat për punë private në ditët e diela. Unë sapo mbarova klasën e dytë të gjimnazit. Gjatë korrikut e gushtit më merrte si ndihmës për të ndërruar tjegullat e çative të dëmtuara të qytetit.

Emocionet më të mëdha atë behar i përjetova kur po ndërronim çatinë e një godine të lartër te sheshi i Mitropolisë. Godina ishte katërkatshe e ndërtuar në vitet e Mbretërisë, kur katet ishin mbi 3 metra të lartë. Ajo godinë kishte dyqane në katin e parë me lartësi katër metra, shto dhe nja 10 metrat e tre kateve, si dhe një e dy metra pjesa mbi çati, bëhej një lartësi rreth 15 metra. Kisha punuar mbi çati dy e trekatshe me nga 6, ose 9 metra të larta, po në lartësi 15 metra nuk kisha punuar ndonjëherë. Njerëzit që ecnin në rrugë më dukeshin të vegjël.

Si gjithnjë babai po punonte në anët e poshtme të çatisë, unë më lart. Kishte frikë të më linte mua t’i afrohesha strehëve, buzëve të çatisë, se mos më merreshin mentë e bija. Por në një moment i ndodhur m’u në buzë e për të mos lëvizur më kërkoi t’i afroja disa tjegulla të mira që duhej t’i përdorte për ullukë në pjesët e poshtme të rreshtave. Ia shpura një tufë me tjegulla të tilla, që i kisha tingvllitur më parv për të provuar mos ishin të plasura, ia lëshova aty pranë dhe kur u ngrita në këmbë, pashë aty poshtë te kopshti i një komshiu. Ishin familja Skendi, ulur nëpër karrike rreth një tavoline, dy prindër e një vajzë me një djalë. Të katër po shikonin me kureshtje ustain pelivan që punonte buzë çatisë. Unë njoha shoqen time të klasës, Najdan. Ajo më njohu e para dhe ma bëri me dorë dhe thirri: “Kujdes Thanas, ulu e mos shiko poshtë!”

Unë i dhashë të njohur duke i tundur dorën dhe u ula. Pastaj kalova duke ecur me duar e këmbë më sipër, prej ku as i shihja e as më shihnin. Thashë me vete: “Ku e gjeti këtë punë im atë majë kokojkës. Lere frikën, po ajde të dëgjoj dhe komentet e shoqeve të klasës, kur të rifilloj shkollën në shtator”. Mirëpo shoqja ime ishte bijë e një familjeje të pasur e të edukuar, as ma përmendi ndonjëherë atë skenë dhe as u tha shoqeve të saj.

Prindërit e saj, kur mbaruam maturën, na bënë në shtëpinë e tyre mbrëmjen e maturës, ku hëngrëm e pimë gatimet e zonjës së shtëpisë e të Najdas. Babai i saj më buzëqeshi, si sikur deshi të thoshte: “Të mbaj mend, puna të ka bërë mirë”. Më ka mbetur në kujtesë ajo buzëqeshje dhe sot…

Në muajin dhjetor të vitit 1961, babait i komunikuan daljen në pension. Unë isha ende nxënës në klasën e tretë gjimnaz, motra e vogël ishte nxënëse në Teknikumi Mjekësor në Tiranë, vëllai i madh sapo ishte kthyer nga Moska dhe kishte filluar punë në Kinostudio, por flinte në hotel e hante në restorant. Motra e madhe ende e pamartuar punonte mësuese te shkolla “7 Nëntori”. Kurse nëna si gjithnjë shtëpiake, pa rrogë e pa pension.

Nëpunësi i Sigurimeve Shoqërore ishte bir i një ish-emigranti të Amerikës, mik i tim eti dhe pasi bëri llogaritjet e viteve të punës, tha:

“Xha Ligor, për kaq vite sa ke punuar në punë shteti, pensioni të bie 2.600 lekë. Me këtë pension nuk mund të ushqesh dot veten, gruan, dhe dy fëmijët e vegjël, prandaj unë do të të shtoj dhe disa vjet pune shtetërore gjatë viteve të Mbretërisë, që të të dalë pensioni të paktën 3.000 lekë, po të lutem mos i thuaj njeriu.”

“Zoti Manol, ia preu im atë, “Më cakto pensionin që më bie. Nuk mund ta vjedh Governën.”

Me fjalën Governë, im atë quante shtetin, si e kishte mësuar në Amerikë, në atë vend ku kishte kaluar rininë dhe kishte mësuar se shteti nuk duhej gënjyer dhe nuk duhej vjedhur…

Manoli mbushi dokumentat dhe i dha librezën e pesionit me 2.600 lekë. Babai erdhi në shtëpi gjithë qejf, kishte marrë pensionin, aq sa e kishte hallall…

Po mbusheshin 16 vjet nga dalja e tij në pension. Në janar të vitit 1987, kisha shkuar nga Tirana ta vizitoja se ishte i sëmurë. Ai hapi këtë bisedë, si për t’u rrëfyer:

“Po bëhem 84 vjet. Bëra mirë që i thashë zotit Manol se nuk doja ta vidhja governën”, më tha, si me mburrje, ndonëse nuk ma kishte përmendur kurrë bisedën e tij me nëpunësin e Sigurimeve Shoqërore dhe vijoi: “Ja po shkojnë aq vjet sa kisha punuar në shtet dhe e hëngra me shëndet pensionin. Po t’i kisha marrë ato 400 lekët më tepër çdo muaj, kushedi që kur do të kisha ikur nga kjo botë, se kur të vret ndërgjegja të shkurtohet jeta.”

Kish të drejtë, por mendoj se shpirti i tij u gëzua dhe më shumë mbas vdekjes, kur gruaja e tij, nëna ime, vijoi të merrte pension prej pensionit të tij 2.200 lekë, pa punuar fare për 14 vjet të tjerë deri në vitin 2001, kur u nda nga jeta në moshën 96 vjeçare…

Filed Under: Analiza Tagged With: Thanas Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2280
  • 2281
  • 2282
  • 2283
  • 2284
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT