• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË VËMENDJE, 20 VJETORI I MUZEUT ETNOGRAFIK I MALËSISË (2002-01 MAJ-2022)  

May 1, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ  

MUZEU ETNOGRAFIK I MALËSISË, OSE “MALËSIA” E DËSHMIVE 3000 VJEÇARE TË  RRËNJËVE ILIRO-SHQIPTARE.

HYRJE:

Me daten 01 maj 2002 në trojet etnike shqiptare të Malesisë së Madhe (Lekaj Tuz, Mali i Zi), fotografi profesionist Shtjefen Ivezaj me ndihmen e bashkeshortes së tij, Gjyste Ivezaj do t’a kthenin shtëpinë e tyre në muze, në atë kohë shumëkush shprehu habi për këtë saktrificë, shumkush i uroi dhe ndihmoi, por kishte edhe nga ata që këtë punë e sakrificë e quanin një ëndërr që do të shuhej shpejt e deri një ide të “çmendur” të ketij burri, atëherë rreth 65 vjeçar. Mirpo idetë e medha të shoqëruara me punë të mëdha atdhetarie duket se i ndihmon edhe vetë Zoti…

MUZEU ME RISI HISTRORIKE SIKUR TË ISHTE 3000 VJEÇ…

Muzeu Etnografik sot është pasurua mjatueshëm për të qënë një vepër monument autoktonie që pershkruan e mbartë jo vetem një rrugë historike, por me eksponatet arkeologjike dhe etnografike nderton një “autostradë” autentike; të drejtë, pa rrugica e pa kthesa, që të çon vetem në zemren e Europes antike e moderne. Mrekullia e ketij muzeu tashmë i ka kaluar kufijet lokal e ata kombëtare ai nuk është më vetem pronë e Malesisë së Madhe (të dy anëve të kufirit politik), dhe e patrioteve fisnik që e krijuan Shtjefen Ivezaj me bashkeshorten tij Gjyste Ivezaj, por është pronë e pa kontestueshme e historisë të autoktonisë rreth tremijë-vjeçare të ketyre trojeve Pellazgo-Iliro-Arbënore-Shqiptare…. At Shtjefen Gjeçovi rreth një shekull më parë do të shkruante : “…Visari i jonë, historia jonë gjinden të mbulueme nën DHE, se mbi ketë visar mbeshtetet jeta e kombit. Një komb që s’ka histori të veten konsiderohet i vdekur. Që ketej shtrohet detyra e zbulimit e të studimit të kesaj historie nga vetë shqiptaret… Sa rrënime faltoresh të vjetra janë dermuar prej të huejve, sa vorre, suka e qytete janë çilë e shkatërruar, që sot s’u duket ma fije, sa tumula 3000-4000 vjeçare janë rrafshue, sa rrasa, shtylla, kapitoj etjer, që kanë ndejë në gjum të ambel…e sot si gjenë ma aty…Të njitena kah Shkodra, kah Kopliku e Vuksanlekajt….e do të shohim prej gropash sa visare janë nxjerrë e bajtë prej të huejt..”.1. Studiues francez që ka qenë edhe konsull në Shkoder –(Hyacinthe Hecquard) në studimet e tij theksonte se : “…Kur turqit pushtuan Shqiperinë e Eperme në fushë gjendeshin Fshatra, Kisha, dhe Keshtjella …të cilave u ka mbetur vetem nami …”.2. Ndersa Shtjefen Ivezaj me eksponatet e muzeut i ka kthyer edhe nishanin historisë së autoktonisë të këtyre trojeve Iliro-Shqiptare.  Eksponatet e muzeut na zgjojnë kujtesen edhe per madhështinë e qytetrimeve që kanë “lulëzuar” në qytete , qyteza apo qytetet -kshtjella të Diokles, Medunit, Tivarit, Budves, Ulqinit, Vranines, Klementianes, Dinoshes, Qytezes Hotit, Marshenjit, Ballezes, Potgorës, Shkodres, Drishtit etjer.. Per keto qytetrime, ndertime e zhvillime të hershme e të mrekullueshme që kishte arritur të ndertoi iliro-shqiptari, por të rrënuara më vonë ndër shekuj , profesori dhe studiuesi Giuseppe Gelcich (Xhuzepe Xhelçik), në vitin 1898 do të shkruante : “ I zgjuar nga natyra dhe i paisur me një shije të jashtzakonshme, Shqiptari i kishte stolisur qytetet e veta me monumente artistike shumë të çmuara, të cilat u zevendësuan pa shenjë e pa dukë nga kulla ciklopike zetjane dhe nga ledhet mbrojtëse venedikase . Shto edhe goditjen e pa mëshirë që i shkaktuan shpatat dhe zjarret perpirëse, që i shpartalluan ato qytete fatëkeqija. Kështu heshtën përgjithmonë sa e sa punishte, që e kishin bërë zakon të dergonin në vendet e Ballkanit, në të dyja brigjet e Adriatikut e deri në Maqedoninë e largët punime fort të hijshme në argjend, në fildish, në koral, në sedef, si dhe lesh e armë të atilla që konkuronin edhe ato të Damaskut ; krahas ketyre prodhonin edhe orendi prej bakri shumë të sterholluara nga çdo anë . Qendismat me fije ari, me të cilat deri në atë kohë pelqenin të stoliseshin të mëdhenjët e vendit dhe gratë më të bukura të Ballkanit, e kishin prejardhjen kurdoherë nga Shqiperia.”.3. Nderkohë trojet tona kanë qenë të banuara mijera vite më perpara, që në kohrat primitive, ku me ketë rast po “dallojmë” trojet e Grudes, nga Dinosha në Selishtë, në Kelmend e më gjërë ku gjinden shpella që dëshmojnë se janë perdorur per banim qysh në parahistorinë e mugët.4.

EKSPONATET  E  MUZEUT…
Eksponatet arkeologjike, por edhe etnografike të ketij muzeu nuk janë të veçuara nga krahina e qytetrime të “tjera” Iliro-Shqiptare, ato kanë të njëjten kulturë e të njëjtin zhvillim . Këtë e tregojnë eksponatet e gjetura të kohëve  të hershem,  të mesem e  të vonë, figurat prej balte , enët një dhe dy vegjake (vorba apo qypa) prej balte dhe prej qeramike, pa pikturim dhe me pikturim të shek.VII-VIII mbas Krishtit, fibulat e bronzit, varset e bronzit , unazat, vathët, bylyzykët, terrakotat, sëpatat, figurat (prej balte) antropomorfe, shpatat, thikat e bronzit eksponate të ndryshme hekuri, bakri, bronzi e tjer..Të gjitha këto eksponate janë të njëjta me ato të gjetura në trojet e tjera etnike Iliro-Shqiptare, duke përfshirë edhe ato troje që sot janë jashtë kufijëve politik të Shqipërisë e Kosovës.

“INVENTARI” ARKEOLOGJIK E ETNOGRAFIK I MUZEUT

Ekspnatet arkeologjike të gjetura nëpër trojet e Malesisë e Shqipërisë (të ekspozuara në muze) tregojnë edhe “kulturë” të njëllojtë me ato të Europes si ; Sakica e hekurit, Fibula e bronzit, unazat, lloje vathësh etjerë, që janë të ekspozuara edhe në muzeun Britanik, në muzeun e Athines dhe në muzeun Gjerman etjerë, ku zbukurimet mbajnë skema peshkimi, gjahu, zogjesh, figura njerzish, luftëtarësh dhe vizatime gjeometrike..5.  Eksponatet arkeologjike dhe etnografike Iliro-Shqiptare kanë qënë të vlersuara prej kohësh edhe nderkombetarisht. Për këtë po “kthehemi” në vitin 1925, kur në ekspoziten misionare të Vatikanit në Romë, Shqiperia bënte një figurë të mirë, me praninë e veshjeve të saj karakteristike (kombetare të veriut N.B.), të armëve të lashta, dhe të objekteve të tjera të bukura të karakterit etnografik. Në vitrinë ishte ekspozuar e vlersuar edhe matriali arkeologjik. Delegati i Gjermanisë në ekspoziten e Romës duke parë ketë koleksion tha : “Me keto vjetersina Gjermania mund të paguaj një kest të madh të borxheve të luftës ( luftës parë botrore). Megjithatë Shtjefen Gjeçovi mbeti i varfer..6.  (Siç ka mbetur edhe Shtjefen Ivezaj i muzeut etnografik të Malesisë.). Vlenë të shenohet se më perpara, në vitin 1905 Shtjefen Gjeçovi i kishte treguar arkeologut gjerman dr. Paal Traeger disa objekte të gjetura në një varr në Kodër-Bogëz (Laç-Kurbin), në mes të cilave edhe një unazë të vjeter me mbishkrim, ku Gjeçovi i kerkoi ta ndihmoi per ta identifikuar, arkeologu gjerman nuk i tregoi gjë, por ja vlersoi 7 napolana flori, Gjeçovi me një perbuzje ju pergjigj: “ Me mi dhanë 400 napolona nuk e shes, por veç deshta me ditë kohen dhe çmimin e vjetrsisë..”.7. E cilesova ketë “episod” se dhe krijuesi e themeluesi i muzeut etnografik të Malesisë z.Shtjefen Ivezaj ka pasur oferta për ti shitur eksponatet e muzeut, por ai nuk ka pranuar kurr t’i shesë këto vlera kulturore-historike të Malësisë e Shqiptarisë.. Eksponatet e muzeut janë të vjetra sa historia e tyre, por ka edhe të “prodhuara” në periudha më të vonshme, por edhe keto eksponate ruajnë me besnikri trashigiminë historike dhe kulturore, që të parët tanë autokton i trashiguan këto vlera jetësore e zhvillimore nga njeri brez në tjetrin, duke ruajtur edhe emertimet gjuhësore Iliro-Shqiptare… Duke vrojtuar me kujdes shumë eksponate të ketij muzeu, të shkon mendja te fiset ilire, Labeatet e Diokleatet që popullonin trojet e Malesisë Madhe Etnike e më gjërë, të cilët kishin mësuar që nga fundi i mijëvjeçarit dytë para Krishtit, se si të nxirrnin hekurin nga minerali ..që deri në shekullin e IX (para Krishtit) ky metal i rrallë perdorej kryesisht per zbukurime.. Ndërsa pas këtij shekulli filloi të bëhëj metal i zakonshem për vegla pune, orendi shtëpiake dhe armë..8.
DISA NGA ALMISET APO ORENDITË SHTËPIAKE NË MUZE:

Në Muzeun Etnografik të Malësisë janë të sistemuara eksponate të ndryshme prej balte, druri, qeramike, hekuri, bakri apo remi siç i kanë thënë malësorët … Aty ka të ekspozuara edhe prerje te hershme monedhash, por edhe copa tjegullash apo tullash Ilirike e Italike… Muzeu është i pasuruar me enët dhe almiset shtepiake si ; sofren, sininë, tepsinë, magjen, qethin, lugët, lugjet, lugicën, fulteren, kusiat, soxhakun, kakinin, vargonjtë, mashën, sahanin , bulieren, tejen, duaqit , kotrovën, qypin, babunen, vegshin, vozgën, damixhanin, enët një e dyvegjake, kryporen, tpinin, sheken, mokren, xhezen, filxhanat, kupen, thiken, grihen, limen, gershanët, gjylpanën, postin, trupicën, stolin , shilten etjerë. Për bulierën me të cilën transportohej e ruhej uji, që malësorët e vlersonin si simbol të jetës duke thënë, “Uji është jeta, ku ka ujë ka jetë etjerë..”. Por me këtë enë uji shpesh kanë lidhje edhe pak “sherre”, e shumë dashuri në mes vajzave e djemve, pikrisht kësaj i “kendon” edhe i madhi i letrave shqipe Martin Camaj me vargjet :
“ Zade moj Zade, si nuk pëlcas,
sa uji bjen në bulier,
çoje ruben e nepëm ujë me tas,
Zade moj vashë
Buza mua shqim ma terë .”
Ndersa vlen të kujtohet se sofra është pararendësja e tavolines së sotme, që është perdorur nga të parët tanë si orendi shtëpiake shumë e rendësishme, rreth të ciles uleshin burrat , paria, gratë, femijet, por edhe miqtë e të ftuarit e tjerë . Sofrat kishin edhe misione e emertime të ndryshme si: “Sofra e bajrakut (flamurit), sofra e fejesës, sofra e dasmes, sofra e udhës së mbarë bijës, sofra e mirseardhjes nuses, sofra e drekëve, sofra e pajtimit, sofra e puntorisë, sofra per mikun, sofra e përgimit, sofra e ndrikullave, sofra per nunin, sofra e probatinisë, gostia e thiut.”. 9.  Burrat rreth sofres uleshin këmbëkryq, ndersa gartë rrinin ndër stola. Pranë sofres duhet ndejur brijaza, duke ndejë nga sofra vetëm njerin gju, per të mos marrë vend shumë. Per të treguar sa miq pat shtëpia, perdorej njesia e matjes – sofër, të cilës i qasen 11 vetë për të ngrënë në të…10.  Risia sinjifikative e kësaj orendia shtepiake Iliro-Shqiptare është se u ka qëndruar shekujve dhe është “simboli” i formës saj të rrumbullaket.. Edhe sot kur zhvillohen bisedime që kerkojnë “vlersim të barabart” partnerësh dhe homologësh perdoret ” e bija” e sofres, tavolina e rrumbullakët…
Në muze qendron hieshëm edhe djepi ku u perkunden me kenget e zemres së nënës për atdhedashuri, kreshniket e ketyre trojeve e maleve që nuk e lanë kurr Shqiperinë-nanë pa djal në votër.. Kengët e Djepit (ninullat) që kendonin nënat shqiptare janë të shumta, e me karakter, trimërie, fisnikërie , bukurie, dashnie, besnikërie e mbi të gjitha atdhetarie… Djepi me foshnjen në të është njohur edhe si “mjet” i vlefshëm , që “ndalonte” pushkën e pajtonte gjaqe në mes shtëpiave e familjeve. Per këtë fetari , atdhetari dhe filozofi i njohur at Anton Harapi do të shkruante: “ …Kur ishin punët e pezmatueme… e s’punonte hatri as fjala e kujtë  , na gjithmonë  kemi marrë nji foshnje në djep, kemi zgjidhë burrat ma  të mirët , kur kemi mujtë kemi marrë me veti edhe klerikë, edhe i kemi shkue  të zot  të shtepisë  n’derë të oborrit , per me na falë e dhanë besë  për hatër të Zotit e të asaj foshnje . Aty  në derë  pa hij mbrendë  kemi permbysë djepin me gjithë foshnje, e kemi pritë të dalë i zoti i shtëpisë me na  ndeshë e me na sjellë mbarë atë djep; pastaj na  ka shti mbrendë dhe na  ka dhanë besë si e lypte nevoja. Por kur i zoti i shtepisë nuk ka dalë me i ndeshë njerzit  që i kanë në derë , e as se ka prekë djepin , atëherë  asht marrë vesht  se nuk don me dhanë  besë , e na pa i hij  mbrendë aspak , jemi nisë e shkua ndër shtëpijat tona. Zotni me i çue kujë djepin  në derë asht ma e mbramja e ma e fuqishmja  mënyrë per me ndërmjetsue…”.11.  Në ketë muze të bien në sy edhe “almiset” me të cilat punonin gratë e shtëpisë së malësorit shqiptar si shtroje, mbloje e veshje prej leshi si vekët, gerhanët, furka me bosht e tjer. Shpesh herë kur lindëte vajzë thoshin ka “lindur” furkë, ndersa kur lindëte djal thuhej ka lindur “pushkë”… Për furken ka edhe një histori të “vogël” që mendova ta citoj: “ Nën emën furkë permblidhen, të thuash, të gjitha rangët e detyrat e grues në familje…. Furka asht almistra që e perdorin granija per me tjerrë me të…. Perdorimi i furkes kapet deri në ma të hershmet mote të historisë…”.12.  Në muze i është bërë vend edhe gurit gjakut e tjer (si mjekim popullor). Por në muze shihet edhe një derë e vjeter me moshë mbi 170 vjeçare, e cila i perket shtepisë të Smajl Martinit të Grudes dhe bijës tij Tringës e cila hapi edhe shkollë në Grudë duke sakrifikuar pasurin e saj..
EKSPONATET E MUZEUT TRASHIGOJNË EDHE GJUHËN ILIRO-SHQIPTARE

Eksponatet arkeologjike të muzeut  ruajnë një histori të “heshtur” të punës e jetës së këtyre trojeve,  kryesisht me karakter  bujqesor… Në muze kemi almise që përgatiste vetë bujku dhe ishin të  “konsumueshme” si parmenda, shtjeza , trina , grada , koshi , koshiqi , kosherja e bletve ,  krozha , rrota e qerres, kulari , zgjedha , qaforja , hosteni , kamxhiku etj. Por mbi të gjitha  në muze janë të ekspozuara almise apo vegla bujqësore të cilat trashigojnë edhe emra në gjuhen Iliro-shqiptare , disa nga të cilat perdoren edhe sot si : Kazma , Shati , Kmesa , Kiza , Kosa , Kosorja , Sëpata , Latusha , Lopata , Drapëri , Parmenda  e  Plori me paime të tjera për pënden e qeve e për kalin… Por keto vegla bujqesore  na kujtojnë edhe bimët  që kultivonin të parët tanë dhe ruajnë edhe sot  emra të trashiguar nga ilirishtja  si; Gruri, Elbi ,Thekra, Tershana , Meli ,Qiqra , Fasulja  , Batha , Lakra, Pjepni , Preshi etj. .Nga ilirishtja trashëgojmë edhe emrat e disa pemve frutore si Kumbull , Qershi , Pjeshkë , Fik, pjergull..etj. Gjithashtu  nga ilirishtja e kanë prejardhjen fjalët  kalli , kallëz, plis, bluaj , hedh ,mbjell , shijë , byk, kashtë etj. 13.  Duke parë ketë tashigimi të këtyre fjalëve dhe emrave iliro-shqiptare që kanë “rrugëtuar” prej qindra e mijera vitesh të pa trandura nga stuhitë e mungëtirat e shekujve na duket se tingëllojnë aktuale edhe fjalet : ” Shqiptar vëlla duaje gjuhën tande me një dashni të përflakëshme , jeto për të e vdis per të… e mos t’na dhimbset jeta per dashni të gjuhes…sa të kesh gjuhen ke me kenë edhe ti vetë..”14.  Me këto të dhëna arkeologjike perputhen edhe vargjet e Klaudianit, poetit që i perket fundit shekullit IV dhe fillimit te shek.V. kur ai shkruante :
“Ai (bujku ilir) i pertrinë me grihen e tij kosat e nxira nga ndryshku,
i bën te shkelqejne shetrit e demtuar nga mosperdorimi, …..
dhe e mrekullon parmenda, të cilen rishats në dorë e mori,

plisa dheu dhe aromë mbjellje nxjerr.
E ndersa pret pyje e shkurre, këtë tokë të re, e kthen në ara e vreshta…”.15.

Duke parë me imtesi edhe disa paisje e mjete që u kanë sherbyer para-ardhësve tanë si bujqë, nuk duhet të harrojmë se Iliret pershkruhen si mjeshtra të kultivimit të vreshtave dhe krijues të llojeve të zgjedhura. Iliret kanë punuar si mjeshtra deri në GALI (Franca e sotme)… Në shekullin e parë mbas Krishtit lavdrohej për prodhim vere një lloj rrushi ilir me emrin “BALISKU”. Madje Plini i vjetri i krahasonte cilesitë e rrushit “Balisku” me coccolobis-in në Spanjë. Në viset Ilire prodhohej me shumicë elbi, nga i cili nxirrej një pije me emrin SABAJEN, pije e cila ka qenë e perhapur dhe është perdorur deri në mesjetë.16.

ARMËT E MUZEUT 
Në muze shikon disa nga armët që mbajur malësori shqiptar ndër mote e shekuj, si taganin, kurtjelen, shpaten, harbinë, huten, peticen, mauzerren, livoren, gjerdanin e fishekeve, veglat e pastrimit e vojimit të armëve e tjer. Armët kanë qenë të shumëllojshme, ato kanë ardhur tuj u permirsue. Studiuesi dhe etnografi At Kolë Berishaj i ka rënditë këto armë edhe sipas një dëshmie të marrur nga një plak 115 vjeçar nga Arza e Traboinit (Ucë Tomë Gjelaj) . Ai armët e zjarrit i “rëndiste” : -Huta e zakonshme apo huta kacaturrë, – Kapsulaça, – Huta Martine , – Kapaklija, – Berdanka , -Ostrogusha , -Novica…… Pos këtyne ka pasë edhe armë të tjera që malësorët shqiptarë i “thirrnin” me emrat : -Xheverdare , – Karajfile , – Ltine, – Breshane , – Novicë, – Dodume… Armët shqiptari i ka mbajtë për mbrojtjen e vet, për mbrojtjen e vendit, si dhe për stoli e për plotësimin e trupit vet. Në mentalitetin e vet, burri shqiptar është kenë i hjeshëm me shkua me armë, sidomos kur janë mbledhë në log të kuvendit. Kudo e kurdo me pa shkue pa armë i asht dukt vetja si i çuditshem, si i ngathun e si me pasë diçka mangut. Shqiptari pra s’ka mujtë me ndejë pa armë. Armët të shumtën e herës i ka marrë në luftë, por kur s’ka mujtë ndryshej ka shitë kaun e kularit dhe e ka ble pushkën e pa të nuk ka ndejë. Pushkën e ka mbajtë “nuse”: të pastër, të dlirtë si pasqyrë.  Për armë edhe janë betue (kanë ba be). Kur burri shqiptar ka thënë : “Pasha armët”, shqiptari as të ka rrejtë as të ka hangër fjalët. Për armët edhe janë lavdue…17.  Ndërsa një studiues huej i fundit të shekullit XIX për “dashurinë” e shqiptarëve për armët do të shkruante : “Dorezat e revoleve që shqiptari mban në brez , janë të gjitha të gdhendura dhe të zbukuruara, por po i pelqeu më shumë pushka, ajo është e gjatë, e hollë dhe njësoj e gdhendur dhe e zbukuruar, shpesh me gurë të çmuar, me një gdhendje të artë për gjatë tytës.18. 
Siç tregon historia jonë, armët kanë qenë “shokët besnik” të pandarë të malësorve e shqiptarëve ndër mote e shekuj, shpesh edhe në kushte mbijetese. Duke parë se shqiptari dhe arma e tij kanë qenë gati “sinonim” i njeri tjetrit më shkon mendja te vargjet lapidare të homerit shqiptare (At Gjergj Fishtes):
“…Kemi këndue po armët besnike
Që flakërue kanë në dorë t’Shqiptarve
Kah kanë dekë për besë jetike
Kah kanë dekë kta, per DHE t’parëve..”19.

Mrekullisht e pershkruajnë jetën dhe perpjekjet e të pareve tanë vargjet “bashkohese” me trojen shqiptare të shekullit XIX, Vraninen… me titull :”Shqiptari” nga të cilat “zgjodha” tre vargje të citoj:
“…Çfarë ka ma të shtrenjtë e ban fli per çdo gur Shqipnie !
Asht permendore , madheshtor në vorfenin e vet,
po e preke ku i dhemb, në komb e në nder, të pret e të vret !.20.                           

VESHJET E GRAVE E BURRAVE NË MUZE 
Në ambientet e muzeut janë të ekspozuar veshjet kryesore të malësorve e malësorëve me në krye xhubleten… Ka mbetur unik krahasimi qe i bënë xhubletes studiuesi hungarez Daniel Kornidez në vitet 1753-1754 kur shkruante: “As palloi, e as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e grave kelmendase .”21.  Xhubleta…në muze…na kujton se  kjo ishte veshje unike , e bukur e fisnike e femrave iliro-shqiptare . Në xhubletë edhe sot  “bashkëjetojnë”: trashëgimia , historia, e pse jo edhe nostalgjia. Xhubleta në “luftë” me “harresen”, ndër shekuj gjeti “çerdhen” e mbijetesës mijëra-vjeçare, në veriun e Shqiperisë në pergjithsi dhe në Malësinë e Madhe në veçanti. Te malësorët u ruajt më gjatë e më mirë se në asnjë trevë tjetër iliro-shqiptare kjo veshje, dhe trashëgimia e saj të pakten  rreth katërmijë-vjeçare. U ruajt nga stergjyshet , gjyshet e nënat tona nga njeri brez në tjetrin. Xhubleta u ruajt jo vetëm si veshje me vlera të papërsëritshme të traditës popullore shumëshekullore  , por edhe si veshje në të cilën “shkruhej” histori jete , zhvillimi , civilizimi, bestytnish , besimesh etj. Nëse historia e popujve të tjerë  të lashtë u trashëgua duke u shkruar në “hiroglife” të  gdhëndura në gurë e mjete të tjera “rrethanore”, te   iliro-shqiptarët kjo histori u trashëgua edhe e “qendisur” në mesazhet . ngjyrat , simbolet e  figurat e xhubletës. Xhubleta ka qënë edhe objekt i shumë studiuesve dhe albanologeve, që nga Hoernes, Wide, Evans, Vasitis, Nopça etjerë, por ne po shkepusim pak rrjeshta nga ajo çfar shkruan ilirologu i njohur kroat Aleksender Stpçeviç.. : “Gratë Ilire visheshin me…xhubleten..që mbajnë hyjneshat lokale dhe gratë valltare … Hyjnesha Diana vishej me ketë veshje në formë kembane të qendisur mrekullisht prej qindra figurash e bojnash. E kjo veshje grashë (xhubleta) është ruajtur mrekullisht te shqiptaret e Shqiperisë së Veriut…”.22.  Perveç xhubletes në muze janë të ekspozuara edhe veshje të tjera si xhoka , postava , rubat (shamiat) e kokes të grave që janë trashigimi Ilire, madje edhe shamiat e bardha që shpesh lidheshin si kapica mbi kokë, janë trashigimi Ilire, që kishin per qellim të ruanin floket nga pluhrat, por edhe të mos fshihnin hiret e fëtyrës së grave Ilire…23.  Gjithashtu në muze gjinden edhe “paime nusesh” si duvaku, masha me vargjë , çorape, gubere, pshtjellakë , opakë me vaq , perqagëzat (nxirreshin prej lëkurës dhive e perdridhen sikur të ishin pej prej boshtit) , këputët , krozha e nuses, si dhe arka ku futeshin teshat e nuses . Arka me teshat e nuses sterpikeshin me ujë të bekuem. Kur arken e nuses e çonin në shtepinë e djalit (që martohej) e prisnin me këngë e gëzim, si :
“Po shëndritë rruga mbarë,
po na vjen arka me pajë,
eja nuse ardhsh e bardhë,
ardhsh me baft e me nafakë,
na e paç jetën e gjatë,
ty të gëzoftë djali n’konak !.”.24. 
Gjithashtu në muze janë të ekspozuara stoli si ; varse, vargj, vathë , unaza e ornamente të tjera zbukurimi per gratë.
Në muze një vend të rendesishem zënë vjeshjet e burrave që etnografi malësor At Kolë Berishaj i “shenon” me fjalët, petkat që ka bajtë burri, duke i renditur : -Gjurdi, – Gubere, – Xhabadan, – Mitan, – Jelek, -Kmishë , – Sahat e qastek, – Brez, – Xhakçir (tirqit), – Këputë, – Opakë ( me vaq, me saftjan, me krygjëza e gogisht), – Qeleshe (kapicë plisit), – Shalli (shtatë pash), – Padifoga me duhan, – Të dhezmet (gur, unur e kaf) , – Kamishi (çibuku , sipësinë)…”.25. 
Nga veshjet e burrave menduam të “veçojmë” disa nga keto si ; kmishën e burrave me origjinë ilire të qepur me dorë nga gratë, per të cilen një famulltar –etnograf e historian ,(Lovro Mihaçeviq), ka mbledhur një këngë vaji të gruas për burrin, që i kishte qepur e qendisur një kemishë, por që nuk kishte arritur ta gëzojë, ku në mes të tjerave i thoshte :
Njikët këmishë ti me m’ia çue
Edhe thuej ti Gjonit tem,
Ruaje mirë o more trim,
Me flokë t’kresë e kam qendisë,
Me lotë t’mi e kam ujtisë,
Me lotë t’syve e kam shpërla,
Në zjarm t’zemres e kam tha”.26.

Në shenimet e një udhëtari e studiuesi (të huej) në Ballkan e në Shqiperinë e fundit të shekullit XIX (nën pushtimin osman) do të gjejmë të shkruar: “Populli që të bie më shumë në sy janë Shqiptarët. Burrat janë shtatlartë dhe zeshkan, me tipare të pashme dhe të rregullta…Shqiptari më la pershtypjen e një sqimtari . Ai dëshiron që xhamadani i tij të jenë i qendisur me serm e flori..”.27.  Me vlera të rendësishme autoktonie është trashigimia dhe hershemria e kapicës apo qeleshes së bardhë të burrave, e cila sipas studiuesve e historianeve është trashigimi autentike e asaj që mbanin para-ardhesit tanë Ilirët.28. 
VEGLAT MUZIKORE..:
Një vend të rendesishem në Muze zënë veglat muzikore si lahuta, fyelli, zymarja,  çiftelia etjerë, me të cilat të parët tonë i kenduan bukurisë, trimerisë e trojeve shqiptare. Këto vegla muzikore popullore shoqëruan, “prodhuan”, zbukuruan, hijeshuan dhe i rriten vlerat folklorit autentik malësor e shqiptar, per të cilin at Gjergj Fishta do të thoshte : “Folklori asht pasqyra e kthejlltë e psihes së kombit, asht rrasa e mermerit me të cillen historija zgavron t’endunit e të shndritunit e popujve, asht cehja e pashterrshme e gjuhsisë e letersisë kombtare. Folklorin do ta shqyrtosh po deshe me shkrua historinë e kombit…29. 
Per veglat muzikore të të parëve tanë Ilir, shkruan edhe gjeografi e historian i njohur Straboni (i cila ka jetuar rreth vitit 63 para krishtit deri në vitin 20 mbas Krishtit). Nga i cili citojmë : “(Ilirët)- Dardanët ….muziken nuk e lënë menjëanë, po perkundrazi perdorin gjithmon fyej e vegla me kordha..”30.  Ndersa një studiues dhe etnograf shqiptar e përshkruan mrekullisht rendesinë e këtyre instrumenteve folklorike kur shkruan : “..Malësori kur merzitet kap Lahutën, fyellin, zymaren etjerë dhe i bie duke e percjell me kangë të permallshme. Këndon diten në maje të ndonjë krepi, ose në hije të ahit. I bahet se dielli ka ngel kah e ndie, se zogjët janë grumbullua rreth tij si të marrun mendësh, se krojet e gurrat kanë ndalue e nuk qesin ujë per mos me ba zhurmë… se shkembinjtë kanë ngreh kryet prej habijet, ndersa hëna dhe yjet e natës i duket se e degjojnë me kënaqesi..”.31.  Lahuta veçmas si vegël muzikore popullore e tradites , ka qenë “shoqëruese” e malësorve në raste gëzime edhe në raste luftrash .  Një gjë të tillë e cilëson edhe  Kral  Nikolla  (i Malit te Zi)   në poemen e tij “Kryengritja e  Malsorvet “ (Malisorski  Ustanak) të vitit 1911 , nga e cila citoj:

“…Kelmendasit …luftojnë rreptë … ,

Gjysa e këtij bajraku kanë  lahutat mbas shpine ,

Për me këndue gjatë luftimit ,

Lumnit e veta të fitimit …”. 32.

EKSPONATET , HISTORI AUTOKTONIE 
Eksponatet dhe inventari arkeologjik i muzeut janë nga më të thjeshtat e deri ato të zbukuruara me figura e skalitje të ndryshme dhe me simbolika vendase që nga ajo parakristiane e Diellit e deri ato Krisatine etjerë… Muzeu me gjithë këto eksponate arkeologjike dhe etnografike që mbanë brenda me një histori autoktonie Iliro-Shqiptare rreth tremijë-vjeçare…të cilat të duket se të thonë:
“…Fis ma t’vjeter kund nuk ka ,
se asht ky fis n’za i Shqiptarit,
në mes t’cilit punët e mëdha ,
për Europë xunë t’enden sparit …”33.

Inventari i shumtë i eksponateve arkeologjike dhe etnografike të muzeut që e shohim na shpalos jo vetem historinë iliro-shqiptare në pergjithsi, por mbi të gjitha, historinë e qytetrimit dhe zhvillimit të dy fiseve të njohura Ilire të ketyre trojeve ; Labeateve dhe Diokleateve (që “ndaheshin” dhe bashkoheshin “këtu”..), të dinastisë shqiptare të Balshajve etjerë deri në ditët e sotme.
Ndërsa ne banorët e këtyre trevave shqiptare, ( sot disa edhe “malazeze” ), me ndergjegje apo pa ndergjegje jemi trashigimtaret direkt të ketyre fiseve Iliro-shqiptare, gjë të cilën e tregojnë jo vetëm shumë zakone, doke e tradita jetësore të “perbashkëta”, por edhe eksponatet arkeologjike dhe etnografike të ketij muzeu.. Prej shekujsh në hisen e truallit tonë kanë mbirë edhe farëra të huaja që na kishin sjellë ndër shekuj erërat e lindjes.. Ku shpesh nga keto farëra të huaja mbinë dhe u rriten bimë të harlisura (edhe me “hormonet” stimuluese të Europes plakë), sa që kerkuan të na marrin edhe hisen e diellit, tokes dhe qiellit, që na kishte falur vetë krijuesi të parëve që me krijimin e jetës mbi këto troje… Muzeu me inventarin e tij arkeologjik dhe etnografik të mbledhur dhe sistemuar nga etnografi erudit Shtjefen Ivezaj është një dëshmi monumentale e vijushmerisë historike Iliro-shqiptare me kahje vetëm europiane-përendimore…

PAK FJALË NË VEND TË NJË EPILOGU

Muzeu  etnografik i Malësisë (edhe pse vetem në disa metra katrore, në katër dhoma e një koridor), me inventarin e tij arkeologjik dhe etnografik ruan në vetvehte rrënjë Iliro-Shqiptare të pa “thara” kurrë, edhe pse mbi trojet tona etnike vërshuan më shumë acare, rrëbeshe e stuhi se ditë të mira me diell… Ndaj themi se muzeu etnografik i Malësisë është Malësia e dëshmive 3000 vjeçare të rrënjëve Iliro-Shqiptare, si dhe krenaria jonë…, krenari e cila më ngjason me vargjet  brilante të gjermanit Dr. Gerhard Geseman me titull: “Krenari Shqiptaresh”, nga e cila zgjodha të citoj:

“… E ruajta, e mbrojta, u gjakosa për këtë tokë,
ndër motet ma të veshtira pushken pata shok.
Në lahuten time do ta gjesh historinë,
të lashtë sa rruzulli për mua, për Shqipërinë!
Më ka lindë shqiptarja e ashpër e fortë,
midis dhenëve dhe krismave, mbi shkambin e ftohtë,
Më ka mbeshtjellun me shallin e leshtë e të ngrohtë,
pshtjellakun ma të mirë, që s’asht pa në botë!
Lidhur më ka me sixhim, loze manaferre.
Nuk më ka perkedhelur, por ushqye me tamel dele !
Dhe për këtë jam betue :
Askujt udhen për vendin e të parëve nuk kam me ja lëshue !.34.  

Patrioti me trup të vogël por me zemër të madhe shqiptarie z.Shtjefen Ivezaj me ngritjen, pasurimin e mirmbajten e Muzeut Etnografik të Malësisë i ka ngritur një monument të pakontestueshëm historisë të autoktonisë e këtyre trojeve etnike shqiptare. Këtë muze unë pa frikë me rastin e 20 vjetorit të tij mendova ta quaj  Malësia e dëshmive 3000 vjeçare e rrënjëve Iliro-Shqiptare…

REFERENCAT:

1.At Shtjefen Gjeçovi, Një Argëtim Arkeologjik, botuar në vitin 1920, Ruzhdi Mata; Shtjefen Gjeçovi, Jeta dhe Vepra, fq.67, Tiranë 1982.

2.Hyacinthe Hecquard (Historia dhe pershkrimi i Shqiperisë së Eperme ose Gegërisë, fq.196, Plejad 2008.

3.Giuseppe Gelcich, Zeta dhe Dinastia e Balshajve, fq.366, sh.b.“55”, Tiranë 2009.

4.Franc Nopça, UDHETIME NËPËR BALLKAN, fq.16.sh.b. Plejad, Tiranë 2007.
5.Luiggi M.Ugolini, SHQIPERIA E LASHTE , gjurmime arkeologjike, fq.34, 86-87. Sh.b. “Migjeni”, Tiranë 2009.

6.Luiggi M.Ugolini, po aty, fq.70.

7.Ruzhdi Mata,po aty, Shtjefen Gjeçovi, Jeta dhe Veprat, fq.71, Tiranë 1982.

8.Skender Anamali., Arkeologjia dhe Bujqesia. fq.13-14, shtypshkronja “Mihal Duri”, Tiranë 1980.

9.At Kolë Berishaj, Përreth sofrave, vepra-I-, fq.18-45, Misioni Françeskan Tuz, Enti Botues “Gjergj Fishta”, 2013.

10.At Kolë P. Berishaj, Sofrat në Malësinë e Madhe, fq.7, Ferizaj 1990.
11.At Anton Harapi , Andrra e Pretashit  ,fq.154 , botime Franceskane , Shkoder 2008.

12.At Gjergj Fishta, Furka, rev. Grueja Shqyptare, nr.3, viti 1921.
13.Skender Anamali., Arkeologjia dhe Bujqesia..fq.105-110.

14.At  Shtjefën Gjeçovi Agimi i gjytetnisë, -1910, fq.114-115, botime  Françskane, Shkodër 2018.

15.Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, perg. Nga Selim Islami (red.pergjegjës), Frano Prendi, Hasan Ceka, Skender Anamali,  fq.360, botime Toena, Tiranë 2002.

16.Skender Anamali, po aty, fq.26-27.
17.At Kolë P. Berishaj, Etnografi -3-, fq.46-48, Enti botues poligrafik “At Gjergj Fishta”, Tiranë 2003.

18.John Foster Fraser, ”Shqiperia e Poshtme”, fq.11, botimi shqip : Zenit Editions 2009.

19.At Gjergj Fishta ; Vallja e Parrizit, Mrizi i Zanave,Anzat e Parnasit, fq.9, enti botues Lisitan, Lezhë 1994.
20. Sulejman Krasniqi, ”Oso Kuka”..,fq.247-248. sh.botuese “Naim Frashri”,Tiranë 1990.
21.Prof. dr. Andromaqi Gjergji ; Xhubleta një element i lashtë kulturor, Matriale të sesionit shkencor, Malesia e Madhe një visar shqiptarie , fq.116, Koplik, dt.23-24 shtator 1996, botim “Logoreci” Tiranë 1997.
22.Aleksander Stipçeviq, ILIRET, historia, jeta, kultura, simbolet e kombit fq.91, botime Toena, Tiranë 2002.

23.Aleksander Stipçeviq, po aty, fq.92.

24.Lovro Mihaçeviq, Nëpër Shqiperi 1883-1907, mbresa udhtime e etnografi, fq.119, Enti botues “Gjergj Fishta”, 2006.

25.At Kolë P. Berishaj, Etnografi -3-, fq.56-59, Enti botues poligrafik “At Gjergj Fishta”, Tiranë 2003.

26.Lovro Mihaçeviq, Nepr Shqiperi-1883-1907,fq.130.

27.John Foster Fraser, po aty, fq.8.
28.Aleksander Stipçeviq, po aty, fq.89.

29.At Gj.Fishta, Hyrja te “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhur nga Shtjefen Gjeçovi.

30.Iliret dhe Iliria te Autoret Antik, fq.155.

31.At Gjon Karma, Folklorë, Përmbledhje  vrojtimesh përmbi zakonet  edhe Giuhen popullore të botueme në rivisten “Leka”ndër 11 vjetët e para, Kerkime ndër malet e Veriut, fq.261, riprodhim i përpiktë i orgjinalit, shtypur në shtypshkronjën “Shkodra”, Shkodër 2002.

32.Botim special i rev. “Leka”me me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqiperisë , 1937 , fq.29(631).

33.At Gjergj Fishta, Lahuta e Malesisë, fq.105, Romë 1991.

34.Sulejman Krasniqi, Oso Kuka, fq.140, sh.botuese “Naim Frashri”,Tiranë 1990.  

VOO: Për muzeun Etnografik të Malësisë dhe risitë e tij të autoktonisë në vitin 2021 kam botuar monografinë me titull: Muzeu Etnografik i Malësisë, vepër monumentale autoktonie e Shtjefen Ivezaj-t. Sponsorizimin e botimit të kësaj  monografi e ka bërë Shoqata Atdhetare ”Malësia e Madhe”-Michigan, SHBA, të cilën gjëjë rastin ta falnderoj edhe njëherë publikisht.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ndue Bacaj

Të kujtojmë atdhetarin, mësuesin, gjuhëtarin, Ilia Dilo Sheperi

May 1, 2022 by s p

Botue me rastin e 175-vjetorit të vdekjes.

Nga Anton Çefa

Lindi në vitin 1872, në Sheper të Zagorisë, në atë trevë të begatshme atdhetarizmi, plot vlagë ideali, ndjenje dhe vullneti patriotik. Jetoi në periudhat më kyçe të historisë sonë, vlerësoi me zgjuarësi detyrat parësore të secilës prej tyre dhe i ndriçuar nga ato, përcaktoi rrugën e vet të jetës e të punës, duke u rreshtuar gjithnjë në krahun më përparimtar të shqiptarizmës dhe, me përkushtim fisnik, nuk kurseu asgjë në dobi të Shqipërisë.

Në periudhën e parë të jetës, duke ndjerë jehonën burrërore të Lidhjes së Prizrenit, u bë shërbestar i gjuhës. Tek dituria, që fillon me gjuhën e ëmbël të nënave, ai vendosi altarin tek i cili do të lutej dhe edhe do të flijohej, po qe nevoja, për lirinë dhe begatinë kombëtare. Vetëm kultura do të davariste mjegullat e iniorancës që kishte endur robërimi shekullor, do të dritësonte ndërgjegjet e tulatura dhe do të ndizte zjarrin e shenjtë të dashurisë për atdheun. Kështu, që në moshë të re, Ilia zuri vend në llogoret e arsimimit të popullit, edhe pse e dinte fort mirë se atje ai do të ndeshej, për jetë e për vdekje, me armiqtë e kombit: pushtuesit osmanë dhe Patrikanën e Stambollit.

Patrikana, armiku më i egër i gjuhës e i shkollës sonë- një nga armët më të rrezikshme në sendërtimin e qellimeve djallëzore të greqizimit të krahinave tona të Jugut- e ndoqi dhe e përndoqi me të gjitha mënyrat që dinte e që përdorte ajo dhe në të gjitha shtigjjet e liga dhe rrugët kriminale, që përshkonte ajo tinëzisht e haptas; por burri nuk jepej. Atëherë ajo vendosi ta zhdukte. A nuk kishte dënuar e ekzekutuar në mënyrat më barbare sa e sa kolegë të shkollës e të idealit të Ilias?

Nën padinë se “mësonte gjuhën shqipe dhe se shkollën greke të fshatit e kishte kthyer në shkollë shqipe, Patrikana e dënoi me vdekje. Padia qe më se e vërtetë: megjithse, shkolla shqipe në Sheper u hap në vitin 1917, Ilia e pati kthyer shtëpinë e vet në shkollë, ku mësohej gjuha shqipe, që në vitin 1907.

Dënimit kapital të Patrikanës, mësuesi i urtë iu përgjegj me stoicizmin e idealistit të vërtetë: “Edhe kur të më prisni kokën, në grykën time do të gjeni një “a”, një “b’ dhe një “c”. Nuk di ndonjë shkollë tjetër kombëtare që të jetë ndërtuar mbi themele të tilla të lavdishme vetëflijimi e heroizmi, por këtë dukuri kaq të thjeshtë e kaq të faktuar nuk e kanë pranuar dhe nuk duan ende ta pranojnë kojshitë tanë, të cilët edhe sot e kësaj dite, na e mohojnë gjuhën dhe shkollën amtare në Çamëri dhe gjithandej nëpër Greqi.

Mbas shpalljes së Pavarësisë, Ilia Dilo Sheperi e afirmoi veten si personalitet i fuqishëm në fushën e arsimit e të shkollës shqipe, duke bërë një punë të madhe për hartimin e teksteve dhe programeve mësimore të shkollave të shtetit të ri shqiptar, në përshtatje me kushtet e reja të krijuara në vendin tonë.

Idealin e përvojën e tij për ngritjen e shkollës kombëtare shqipe, ai e dëshmoi, gjithashtu, si pjesëmarrës aktiv i Kongresit Arsimor të Lushnjës (1920) dhe Kongresit Arsimor të Tiranës (1922). 

Gjatë këtyre viteve, ai punoi pa u lodhur, si mësues në shkollat e mesme dhe si inspektor arsimi në zonat e Gjirokastrës e të Vlorës, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë zgjërimit të rrjetit shkollor, pa lënë mbas dore përmirësimin cilësor të mësimit  e të edukimit.

Veprimtarinë e frytshme në fushën e shkollës dhe të arsimit, Ilia, gjithnjë e shoqëroi me një aktivitet të dendur, në fusha të tjera në shërbim të çështjes kombëtare. 

Në vitin 1919, më 23 nëntor, në prag të Kongresit të Lushnjës, ai qe në radhën e parë të atyre intelektualëve patriotë gjirokastritë, që themeluan shoqërinë “Vëllezëria”, në Gjirokastër, e cila zhvilloi një veprimtari të dendur “për mbrojtjen e kufijve të Atdheut, për njohjen e të drejtave tona kombëtare nga Fuqitë e huaja,… si edhe në drejtim të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare. Shoqëria shënoi, gjithashtu, disa arritje sidomos në fushën kulturore-artistike, sportive, etj.” (Shefik Osmani, “Fjalor i pedagogjisë”, Tiranë, 1983, f. 705).

Dashuria e flaktë për gjuhën shqipe, aftësitë e shquuara intelektuale dhe përvoja e tij e gjatë si mësues u jetësuan në një hulli të veçantë të veprimtarisë së Ilia Dilo Sheperit, në atë të shkencës gjuhësore. Në vitin 1927, ai botoi tekstin: “Gramatika dhe sindaksa e gjuhës shqipe”, i vlerësuar si një nga tekstet më të mira të gramatikës sonë për arsimin e mesëm. I ndërtuar mbi kritere të rrepta shkencore, ky tekst ndikoi mjaft për të konsoliduar shumë pikëpamje deri atëherë të pastabilizuara. Për vlerat shkencore të kësaj vepre, prof. Enver Hysa ka shkruar: “Gramatika e tij plotësonte një zbrazti, dhe vinte një gur themeli në gramatologjinë shqipe. Kjo gramatikë është një burim me rëndësi për historinë e zhvillimit të gjuhës letrare e të terminologjisë shkencore gjuhësore të përdorur në të, ajo shërben edhe sot në punën e gramatikanëve si një vepër me vlerë të madhe që nuk mund të mos merret parasysh për idetë dhe mendimet e reja, për zgjidhjet shkencore që ka dhënë për probleme të veçanta, sidomos të morfologjisë, të fjalëformimit e të gjuhës letrare në veçanti.” (“Zagoria”, gazetë e shoqatës atdhetare-kulturore “Çajupi”, nr. 2, prill 1997, f. 3).

Mbas daljes në pension, në vitin 1933, ai iu kushtua punës shkencore. Me politikën, Ilia merrej kur atdheu dhe politika kishin nevojë për personalitetin e tij. Pavarësia qe fituar, shteti shqiptar i 1913-ës i shpëtoi copëtimit të plotë, sado që një pjesë e mirë e trojeve mbetën nën robërinë e fqinjve. Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës i rivendosën themelet e Shqipërisë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai kishte dhënë ndihmesën e vet, ndihmesën e vyer të një patrioti të madh. Për Shqipërinë e robëruar i qante zemra dhe i dhimbte shpirti, por e mbante shpresa. Një ditë qe shprehur: “Shqipëri pa Kosovë nuk ka, ashtu siç nuk ka Kosovë pa Shqipëri”.

Pushtimin fashist e priti me fyerjen dhe urrejtjen e një atdhetari. Ftesën “e politikës” me shkue në Romë për t’i vënë Viktor Emanuelit kurorën e Skënderbeut, e priti me përbuzje dhe e hodhi poshtë në mënyrë të prerë. Jetoi, duke u gëzuar për luftën kundër pushtuesit dhe i kënaqur që djali i tij, Jani, pa u lajthitur si shumë të tjerë nga propaganda pansllaviste me lëvozhgë internacionalizmi e demokracie, qe rreshtuar në krahun e drejtë të atdhetarëve të vërtetë, në krah të Mithat Frashërit; por e pau, e ndjeu dhe e paralajmëroi rrezikun e madh komunist që po i kërcënohej Shqipërisë.

Në vitet e luftës përjetoi edhe një fatkeqësi: djegien e bibliotekës nga gjermanët, me hjekësinë tinzake të Dushan Mugoshës. Pau aty të digjet e të bëhet shkrumb puna shkencore e sa e sa viteve: botimi i dytë i përpunuar i Gramatikës, përfunduar që në vitin 1935, një tekst stilistike për shkollat e mesme, punën e nisur për një fjalor të gjuhës shqipe, shënime dialektologjike, materiale folklorike e etnografike të mbledhura me mund nëpër fshatrat e Zagorisë, një libër të përkthyer nga greqishtja dhe një tjetër të përkthyer nga anglishtja dhe, sidomos, dy vëllime me fjalimet e tij, letra dërguar Patrikanës, Papës së Romës, personaliteteve të ndryshme evropiane, albanologëve, etj., shumë dokumenta të historisë sonë – një pasuri e vërtetë kombëtare e pa zëvendësueshme.

Vdiq në vitin 1945 dhe u varros në fshatin e tij të dashur, në Sheperin e sofrës së madhe patriotike, i nderuem prej të gjithëve.

Fatkeqësitë do ta ndiqnin edhe pas vdekjes. Fanatizmi komunist, me veprime të huaja për natyrën dhe zakonet shqiptare, të huajtura nga sllavët, simbas mësimeve të Miladinit dhe Mugoshës, nuk mjaftoi që i varrosi gjithë vlerën e veprimtarisë patriotike të një jete të tërë, por i dhunoi edhe kufomën dhe varrin.

Në vitin 1979, me urdhër nga qarqet më të larta të diktaturës, i thyen varrin dhe mbasi i zvarritën kockat rrugëve të katundit, i hodhën në humnerë. Ky procesion i llahtarshëm u krye në sytë e banorëve të Sheperit, nën mbikqyrjen e forcave të sigurimit. (Sipas dëshmisë së Foni Dilos, nip i Ilias).

Demokracia bëri përpjekje për vlerësimin e figurës së tij dhe i dha titullin “Mësues i Popullit”. Me jetën dhe veprën e tij atdhetare e shkencore, ai qe dhe do të mbetet mësuesi i të gjitha breznive të ardhshme shqiptare. Lapidari i tij, i ngritur me afsh dashurie e dhimbjeje, në zemrën e popullit të thjeshtë, që di të vlerësojë më shumë se të gjitha organizmat shtetërore dhe akademitë, pret një të ardhme më të qetë të atdheut, për t’u ngritur i mermertë mbi truallin për të cilin shkriu jetën.

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Cefa

Komisioni i Organizimit të Festës së 110 vjetorit mblidhet në Vatër më 4 Maj

May 1, 2022 by s p

Komisioni i Organizimit të Festës(Darkës Solemne) të 110 vjetorit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA do të mblidhet në Selinë Qëndrore në Vatër më 4 Maj 2022 në orën 6.30 PM. Komisioni i Organizimit të Darkës Solemne për 110 vjetorin e Vatrës përbëhet nga Besim Malota- Kryetar, Nazo Veliu, Mondi Rakaj, Bashkim Musabelliu, Anton Raja, Agustin Mirakaj, Tasim Ruko – Anëtarë. Kryesia e Vatrës në mbledhjen e fundit të datës 26 Prill 2022 autorizoi z.Besim Malota që të shtojë anëtarë të rinj dhe ekip me të rinj e të reja për një organizim energjik e dinjitoz të festës Gala. Për anëtarët jashtë New Yorkut takimi mundësohet në zoom. Kërkohet pjesëmarrje dhe angazhim serioz për të përmbushur një angazhim patriotik e vatran për të dalë faqebardhë në festën e Vatrës së të gjithë shqiptarëve.

Filed Under: Analiza

Eduart Aranitasi solli në Vatër “amanetin” e Bedri Blloshmit

May 1, 2022 by s p

Sot në Bibliotekën Shkencore të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA mbërritën librat e Bedri Blloshmit mbi persekutimin komunist të familjes Blloshmi e Leka dhe një korrespondencë personale të shkrimtarit të pushkatuar prej komunistëve Vilson Blloshmi dhe Lumturi Blloshmit. Anëtari i Këshillit të Vatrës dhe Nënkryetari i Degës së Vatrës Manhattan Eduart Aranitasi dorëzoi në Bibliotekën e Vatrës këtë trashëgimi historike për persekutimin dhe qëndresën antikomuniste dhe krimet e terroristëve komunistë mbi popullsinë civile shqiptare të pafajshme. Këto libra autentikë janë një burim i shkëlqyer referimi për studiuesit e historisë e albanologjisë dhe studentët shqiptarë në Universitetet Amerikane. Ekspozimi i krimit dhe terrorit komunist mbi elitën shqiptare, familjet e mëdha dhe klerin fetar është një domosdoshmëri në çdo kohë e shoqërisë, institucioneve dhe mediave.

Filed Under: Vatra Tagged With: eduart aranitasi

Shën Tereza dhe Prof. Gëzim Alpion në Vatër

May 1, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në selinë e Federatës Pan Shqiptare Vatra u organizua një takim mbresëlënës midis komunitetit shqiptar dhe Prof.Gëzim Alpion. 

Prof.Gezim Alpion mbajti leksionin “Mother Teresa and the Illyrian Foundations of Western Civilization”.

Tubimin e hapi z.Elmi Berisha kryetar i Vatrës i cili i përshëndeti plot përzemërsi pjesëmarrësit dhe iu uroi mirëseardhjen Prof.Gëzim Alpion.  Editori i Diellit z.Sokol Paja moderoi këtë aktivitet të rëndësishëm.  

Prof. Alpion gjatë studimit të tij shpjegon me fakte historike se Iliria i hapi dhe ndriti rrugën qytetërimeve greke dhe romake, ashtu si vitet e formimit të Nënë Terezës qe janë jetike për të kuptuar figurën e jashtëzakonshme fetare.  

Në leksionin e tij ai pohoi se figura e madhe e planetit Shën Tereza kërkon midis studiuesve shqiptarë dhe te huaj një bashkëpunim për të arritur në përfundime të sakta shkencore.

Me një elekuencë në të folur dhe tejet bindëse ai foli për rrugëtimin dhe punën e tij studimore për 20 vjet rreth Nënë Terezës.  E dhimbshme ishte kur solli tragjedinë që kishte pësuar Nënë Tereza kur ishte fëmijë e cila ngeli që në moshën nëntë vjece pa baba.  Babai i saj Kolë Bojaxhiu ishte nje figurë e njohur dhe me emër në Shkup, ai e donte arsimimin shqip të fëmijëve, ishte një burrë i ditur, dhe pikërisht atdhetarizmi i tij ishte vënë në shënjestër të sllavëve ndaj dhe ata e helmuan derisa sa vdiq.  Aq shumë helm i kishin hedhur në trup saqë kur e varrosën, arkivolin ia ndërtuan me alumin me qëllim që të mos infektonte të tjerë përreth.  Duke e spjeguar në anën psikologjike, sociologjike ai tha se babai i saj pati një ndikim të fuqishëm ne jetën dhe në formimin e saj.  

Ai solli portretin shpirtëror të Nënë Terezës në Shkup ku jetoi fëmijërinë, plus vdekjes së babait ajo ndjeu dhimbjen nga afër të gjashtë personave të familjes.  Ai argumentoi se dhimbja që ndjeu bëri të dëgjojë thirrjen e Zotit si babai hyjnor i saj.  Me krenari tha se Shën Tereza ka frymëzuar njerëzimin se cfarë është mirësia, shpirtgjerësia, shërbimi dhe dashuria për njeri tjetrin.  

Prof.Albion ishte i ftuar nga Universiteti “Georgetown” dhe Universiteti i Harvardit universitete shumë të mirënjohura në botë.   

 Prof.Alpion është një nga autorët më autoritare në botë dhe të besueshëm të studimit rreth veprës së Nënë Terezës. Ai me fakte shkencore, historike, ka ditur ta sjellë shenjtoren shqiptare dhe të gjithë botës si një nga humanistet më të mëdha dhe më të përkushtuara në botë.

Profesor Gëzim Alpion punon në Universitetin “Birmingham” të Anglisë, si dhe që nga viti 2002 është anëtar i Departamentit të Sociologjisë.  

Nënë Tereza është perëndeshë e frymëzimit, bamiresise, ndihmës së tejskajshme të të braktisurve, të sëmurëve, është sinteza e një popullit të lashtë sa vetë njerëzimi.

E shtuna e fundit e prillit në New York u bë dhe më pranverore ngase midis nesh ishte Shën Tereza, prof. Alpion dhe Vatra e Nolit dhe e Konicës.

30 Prill, 2022

Bronx, New York

Filed Under: ESSE Tagged With: Kozeta Zylo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2282
  • 2283
  • 2284
  • 2285
  • 2286
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT