• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare”, një punë monumentale në shërbim të historisë së artit dramatik dhe letërsisë shqipe  

March 25, 2022 by s p

Ambasador Mal Berisha/

Pas një jave, vi pësëri në Selinë e Vatrës i mbushur plot me gëzim dhe frymëzim. Kjo për disa arësye: E para, ndjeva një kënaqësi shumë të madhe gjatë promovimit të librit tim të radhës AMBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË. 

Libër i cili iu nënshtrura një analize nga më seriozet dhe nga pena shkrimtarësh, gazetarësh, historianësh dhe veprimtarësh patriotë nga më të shquarit e kohës tonë, jo vetëm këtu në Bashkësinë Shqiptaro – Amerikane por edhe në të gjithë botën shqiptare. Nuk mund të mos përmend me mirënjojhe moderatoren që i jep ndër kësaj Selie, zonjën Marjana Bulku, historianët, gazetarët dhe studiuesit Idriz Lamaj, Dalip Greca, Frank Shkreli, Beqir Sina, Paulin Marku, Sokol Paja etj.

Natyrisht që të jesh PRESIDENT NDERI I VATRËS, për mua është më shumë se të jesh qoftë ministër qoftë deputet i parlamenteve tona në Ballkan. Janë me qindra e në mos më shumë emrat e deputetëve të cilët kanë kaluar nëpër karrige burokratësh pa lënë një gjurmë që të mbahet mend por ka vetëm disa emra që e kanë drejtuar VATRËN tonë por që nuk harrohen kurrë, dhe e dini përse e them këtë? Sepse këta njerëz vetëm i kanë dhënë atdheut, pa marrrë asgjë në këmbim. Më thoni çfarë i ka marrë Agim Karagjozi Vatrës?, për shembull? E meqë jemi këtu, dua të jap atribute, të tregoj një respekt të vecantë për Presidentin e Nderit z Agim Rexhaj. Por prania ime këtu është edhe më emocionale sonte edhe për disa arësye të tjera:  

* Më 17 dhjetor 2021, librin që e promovova këtu, e pata promovuar në Universitetin e Korçës. Sonte ajo ngjarje më vjen shumë më e kandshme për disa arësye:

1.- Universiteti i Korçës mban emrin e Fan Nolit, themeluesit të VATRËS

2.- Organizmi i atij promovimi u bë nën kujdesin e Dekanes së Universitetit Profesoreshe Jonila Spaho dhe ishte nga momentet më të bukura të jetës time si njeri që kam guxuar të marrë penen dhe të shkruaj.

3.- Atë ditë ndërkohë që unë i dërgova një numër librash Bibliotekës se Universitetit mora një dhuratë shumë të cmuar: 

Librin që Profesoresha kishte botuar dhe që e kemi sot në bibliotekën e Vatrës

4.- Ky libër të cilën i shfletova dhe u mrekullova bën një lidhje mëse shekullore midis subjektit të tij shkrimtarit, dramaturgut, komediografit, patriotit, intelektualit, politikanit Kristo Flloqi me këtë mbrëmje tonë këtu sonte  – me Vatrën.

Lidhja është e tillë: Një çupë Korcare, shkruan një libër për Flloqin po Korçar, e boton në Universitetin Fan Nolin të Korcë, në vendlindjen e tij dhe e sjell në VATER – ën e Heroit të saj të Librit.

 Unë e lexova librin dhe t’ju them të drejtën mësova shumë sepse dija shumë pak ose fare pak për Kristo Floqin.   

Unë  kam studjuar në bankat e shkollës më të mirë shqiptare të Artit dhe Kulturës, pra në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, HISTROINË E ARTIT TEATARAL TË SHQIPËRISË.

Atë histori e kam mësuar nga autorë disa prej të cilëve  cilët profesoresha jonë e nderuar Spaho i ka cituar por edhe të tjerë, që janë Kudret Velca, Josif Papagjoni, Adriatk Kallulli, Razi Brahimi madje edhe Kujtim Saphivogli, Kadri Roshi, etj Ata pedagogë të mrekullueshëm, edhe pse jam i sigurtë që kanë ditur shumë për Kristo Floqin, kurrë nuk e përmenden atë në shkollën tonë. Arsyeja është e thjeshtë: 

Censura komuniste në shkollë ishte intolerante deri në atë masë sa duhej injoruar figura të tilla.

Në shkollë mësuam shumë për Tetarin Partizan – disa llogje tallëse për kundërsharët e komunistëve, që bëheshin rreth zjarrit por që nuk kishin asgjë të bënin me teatrin e vërtetë dhe veprat dramatike që kishte shkruar Kristo Floqi.

Është për tu habitur që në anën tjetër të kufirit që ishte e okupuar nga falangat serbo sllave emrat e shkrimtarëve të ndaluar në Shqipëri lejoheshin në Kosovë. Me këtë rast dua të sjell një shëmbull shumë interesant për krahasim.

Kur po studioja Masakrën e Manastrit e ndodhur në vitin 1830 kur Sulltani turk i lëshoi në pritë mbi 600 veta të elitës shqiptare të kohës, hulumtova edhe tregimin e Ismail Kadarese, 

“Komisioni i Festës”. Ai libër ishte shkruar në periudhën kur diktatori shqiptar po  “ftonte në festë” tërë shokët e tij dhe i vriste njëri pas tjetrit. Kjo paralele historike midis sulltanit dhe diktatorit ishte shumë e vrazhde të për këtë të fundit dhe libri u censurua.

 Por jo edhe në Prishitnë: Shtëpia Botuese RILINDJA e botori atë me 20.000 kopje në atë kohë.

Por le të vimë tek Floqi. Jemi pra këtu sonte ne vatranët për një VATRAN TË HERSHËM.

Unë jam i sigurtë që folesit tjerë sonte do të flasin për subjektim e librit. Por unë dua të ndalem jo tek vepra Profesoresh Jonelës. 

Profesorshë, ju keni bërë një punë Monumentale.  

Keni sjellë në dritë një figurë të jashtëzakonshme i cili ka debutuar në një nga gjinitë e artit e cila jo vetëm në kohën e tij por edhe na kohën tonë, nuk është aq e zhvilluar dhe pikerisht atë të drarmës dhe komedisë.  

Ajo që vlen te vlerësohet është edhe fakti që ju nuk jeni mjaftuar as me katedrën e Uniseristetit të Tiranës, dhe as atë të Korcës, por sonte keni gjetur audiencën më të mirë në “botë” për të bërë të njohur veprën tuaj:

Këtu në Vatër.

Ajo që këni thënë në libër: 

Fisnik në pamje, erudit ne kulturën e tij, një personalitet poliedrik me botëkuptim të formuar  nën  ndikimin  e  disa  kulturave,  burrë  i  vëtetë  shteti,  orator  dhe  organizator  i pëkryer,  ai  i  bënte  vend  vetes  në  të  gjitha  ambientet,  shoqëritë  dhe  vendet  ku  ai  jetoi pjesën  më  dinamike  të  jetës  së  tij. 

Libri i Profesoreshës Spaho përveç se sjell pëprara lexuesit tonë një biografi shume të detajuar të një jete a-tipike, epike të një patrioti të madh me një fund të dhimbshëm – si i shume patriotëve të tjerë shqiptar, që e preken fundin gjatë kohës së  komunizmit – është një kontribut shumë i vyer në historinë e teatrit dhe fjalës artistike në kulturën tone shqiptare skenike.

Është ky një kontribut i cili vjen natyrshëm në libër përkrah pasqyrimit të jetës së Floqit, dramave, vështirësive, angazhimeve të tij gjatë tërë jetës dhe në pika të ndryshme aty ku çështja shqiptare ishte më e pranishme, më e nxehtë dhe më e nevojshme për neve. Aty gjëndej ai përherë dhe përherë i gatshëm për sfidat. Në libër ai vjen në referencat që sjell autorja nga gazeta  “Dielli” në Boston, Atdheu në Kostancë, Shtypi në Tiranë, Demokracia në Gjirokastër, Kalendari Kombëtar në Sofje, Posta e Shqypnisë në Shkodër, Populli në Vlorë, Besa Shqyptare në Shkodër, Gazeta e Korçës e sa e sa të tjera.

Do të ishte e lodhshme të citoj veprat dhe ngjarjet teatrale që janë të listuara me aq mediolozitet dhe me perkushtim.

Por ajo që dua të nënvizoj që me këtë libër Profesoresha Jonela i ka bërë një shërbim shumë të vyer historisë së artit dramatik të shkruar të letërsisë shqipe.  

Jane me dhjetëra dramat dhe komeditë e shkruara dhe shumë herë më shumë ato të vëna në skenë që nga skenat amatore fshatare të Korçës e deri në skenat kombëtare të kohës.

Ajo është ndalur tek : Ideomatika e dramave, Tipologjia e karaktereve dramatike, karakteret femërore në dramat e tij, veçori të strukturës kompozicionale të dramave, gjuha artistike e dramave dhe veçori te stilit etj. Në veçanti duhet parë me vemendje Tragjedia “Pirro Neoptolemi”. Autorja është ndalur më shumë kujdes edhe në veprën e tij lirike: Variacionet e persiatjeve ndjesore të heroit bukurisë…Aspekte të stilit në lirikat dashurore,  Vlerat artistike të poezisë për fëmijë e plot tema të tjera. Emri i Kristo Floqit tani radhitet përkrah dramaturgëve tanë më të mirë të letërsisë shqipe ndërsa emri Prof Jonela Spaho në radhën e historianëve por edhe të Estetëve tanë më të mire e një biografieje shumë të mirë por edhe e një estetje që i mungonte kritikës sonë të teatrit.

Filed Under: Komente

Mid’hat Abdyl Frashëri, 25 mars 1880 – 3 tetor 1949

March 25, 2022 by s p

Instituti i Studimeve Historike/

“Lumo Skendo”Lindi në Janinë më 25 mars 1880. I ati, Abdyli, ishte në Prizren, në krye të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur lindi Mid’hati. Abdyli, Naimi dhe Samiu u morën direkt me edukimin e tij. Në vitin 1897 themeloi biblotekën “Lumo Skëndo” dhe mori pjesë aktive në botimin e “Kalendarit Kombtar” bashkë me Kristo Luarasin. Shkrimet e para me temë rilindëse i botoi qysh në moshën 16 vjeç, madje puna e parë ishte për Skënderbeun.Pas studimeve, punoi në admistratëm osmane në Stamboll dhe mandej në Selanik, ku themeloi Klubin shqiptar dhe gazetën “Lirija” (1908). Mid’hati u zgjodh kryetar i Kongesit të Manastirit, (1908) që hartoi një program kombëtar prej 18 pikash dhe vendosi alfabetin krejtësisht latin të gjuhës shqipe. Ai qe nismëtar i thirrjes së Kongresit arsimor të Elbasanit( 1909) për çeljen dhe administrimin e shkollave shqipe dhe të Normales për mësues. Botues i revistës kulturore “Dituria”, një enciklopedi ejetës dhe monument i kulturës shqiptare(1897-1929). Veprimtar i shquar i Pavarësisë. Pjesëmarrës në tubimin e Shkupit( tetor 1912) ku u vendos te shpallej Pavarësia e Shqpërisë. Delegat i Pejës dhe Gjakovës, Plavës e Gucisë dhe mandej dhe i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës (1912). Firmëtar i Pavarësisë Kombëtare dhe anëtar i qeverisë së Ismail Qemalit, ministër i Punëve të Përgjithshme. Në vitin 1914 ministër në qeverinë e Princ Vidit. Largohet nga Shqipëria, kur nis rebelimi haxhiqamilist, që i dogji edhe shtëpinë me gjithe dokumentet në Elbasan. Emigrant në Zvicër, Sofje, Bukuresht. Në Sofje boton veptat e para: “Letra nga një udhëtim në Zvicër”, “Hidhe shpuzë”, “Popullsia e Epirit”, “Pritmi i Shqipërisë”, si edhe gazetën në gjuhën frengjisht “L’indipendance Albanaise” ku propagandonte dhe mbronte çështjen shqiptare. Gjatë Luftës së Parë Botërore u internua në Moldavi, në minierat e naftës dhe të vdekjes. Atje shkroi “Ditarin”, kujtimet nga Rumania. Ministër pa protofol ne qeverinë e Turhan Pashës (1918). Delegat i qeverisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919), njëherësh delegat i “Vatrës” SHBA në atë konferencë, i Komitetit “Mbrojtja e Kosovës” dhe i shqiptarëve te Turqisë. Në Lozanë dhe Gjenevë, qendra të propagandës dhe botimeve të kombeve, Mid’hati botoi në vitin 1919-një sërë veprash të rëndësishme historike në gjuhën frëngjisht si “Rilindja shqiptare”, “Shqiptarë e sllavë”, “Shqiptarët në vend të tyre dhe jashtë atdheut”, “Rivendikimet shqiptare”, “Çështja e Epirit”, si edhe qindra artikuj, promemorie, letra, ese, memorandume drejtuar Konferencës së Paqes, qeverive të Fuqive të Mëdha dhe personaloiteteve politike e kulturore të Europës si edhe shkrime botuar ne gazetat dhe revistat më prestigjioze të Europës. Gjithashtu, i dërgoi Presidentit Uilson të SHBA një mesazh për ta njohur me çështjen shqiptare dhe nje aneks-promemorie të shoqëruar me gjashtë harta etnografike, që ndikuan tek Presidenti Uilson për mbrojtjen e çështjes së rrezikuar shqiptare, në prag të coptimit. Kryetari delegacionit shqiptar në Konferemncën e Paqes në Paris (1920-1922) dhe në Lidhjen e kombeve, ku mbrojti si askush tjetër çështjen shqipare. Në vitin 1923 emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, ku u shqua për regullimin e marëdhenieve shtetërore me Greqinë, mbylljen e Sillogjeve antishqiptare dhe mbrojtjen e çëshjes çame, ndalimin e shkëmbimit të shqiptarëve si turq në Turqi(1923-1925) dhe kundërshtimin e kolonizomit të Çamërisë me kolonë grekë. Dha dorëheqjen si ambasador në vitin 1925, kur politika e shtetit shqiptar nuk përputhej më me parimet e tij, pikërisht kur Shën Naumi dhe Vermoshi iu dhanë Jugosllavisë nga Zogu, me protestën “Asgjë të japim nga trupi i mëmëdheut tonë”. Në vitet 1925-1939 u mor me punë kulturore dhe studimore, themeloi librarinë “Lumo Skendo në Tiranë” dhe botoi një sërë veprash të rëndësishme si “Plagët tona”, “Gruaja”, “Udhëtarët e huajnë Shqipëri”, “Liga e Prizrenit”, “Përshtypjet e udhëtimit””, “Bibliografitë” etj Më 8 prill 1939 hodhi themelet e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” si një alternativë antifashiste me program “Nacionalizma shqiptare, 1939. Në vitin 1942 publikoi progamin e Ballit Kombëtar “Dekalogu”, një program nacionalist për një Shqipëri etnike dhe demokratike dhe socialdemokrat nga pikpamja sociale. Gjatë Luftës së Parë Botërore udhëhoqi luften e nacionalisteve kunder pushtuesve nazifashistë dhe paqen ndermjet shqiptarëve. Ishte organizatori kryesor i Kuvendit të Mukjes (3-4 gusht 1943) dhe i Marrëveshjes së Mukjes per një luftë të përbashkët kundër okupatorëve, në krah të Aleatëve të mëdhej Antifashistë. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët dhe emisarët jugosllavë, ai u përpoq të ndalte Luften civile (1943-1945) dhe u përball me terrorizmin komunist. Emigroi nga Shqipëria pas pushtimit komunist te saj (nëntor 1944) për ta vazhduar luftën kundër regjimit komunist me mjete demoktatike me ndihmen e vendeve Perëndimore. Në emigracion organizoi qëndresën, por edhe edukimin e shkollimin emigrantëve politikë shqiptarë (në kampet Gramo, Santa Fara, Regio Emilia, etj) me konferencat, kurset, shkollën “Besnik Çano”, mësimin e gjuhëve të huaja dhe botimin e revistës”Flamuri”). Ne vitin 1949 Mid’hat Frashëri në bashkepunim me Aleatët aglo-amerikanë themeloi ne Francë më 26 gusht 1949 Komitetin “Shqipëria e Lirë”, qeveria shqiptare ne emigracion. Qëllimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” ishte lirimi i Shqipërisënga diktarura komuniste dhe vendosja atje e një sistemi demokratiksipas modeleve më të përparuara perëndimore. Mid’hat Frashëri u zgjodh kryetar i komitetit dhe nga BBC në Londër shpalli programin e Komitetit, 6.09.1949. Komiteti Shqipëria e Lire” u vendos me seli në Nju York, ku nisi veprimtarinë. Për fat të keq, vdiq paprirur më 3 tetor 1949. Vdekja e tij mbetet e dyshimtë, ndonëse u njoftua një atak kardiak. Mendohet se vdekja e M.Frasherit u shkaktua nga një ndërhyrje e Sigurimit Rus, nëpërmjet agjentit Kim Filbi, sipas vendit te qeverisë shqiptare për ta zhdukur Mid’hat Frashëtin (dok. arkivi i Ministrisë së Brendshme). Vdekja e Mid’hat Frasherit ishte një humbje e madhe per Shqipërinë dhe kombin shqiptar, por edhe më gjerë. Ai ishte figura më e madhe e Kombit tonë, njëherësh edhe nje nga personalitetet më të shquar të Europës në atë kohë.

Filed Under: Histori

Kristo Floqi kontribut të lartë në çështjen dhe kulturën kombëtare

March 24, 2022 by s p

Akri Çipa/


Fokusi studimor dhe përpjekja skrupuloze e Dr. Spahos për të hulumtuar mbi vecoritë stilistikore, larmishmërinë tematike, veçanësitë e trajtimit të subjekteve dhe identitetin e krijimtarisë së Floqit, është një përpjekje serioze për ta zhbërë dukurinë negative të harresës së figurave të rëndësishme në historiografinë shqiptare. Me rëndësi, kjo realizohet duke e pozicionuar kontributin e Kristo Floqit në tërësinë e rrafsheve publike në të cilat ai ka qënë i aktiv brenda harkut kohor të jetës së tij.
Figurat poliedrike, shpeshherë janë bërë viktima të vetë natyrës së aktiviteteve të tyre të gjera, ku zakonisht protagonizmi në një fushë ka lënë në hijë ose ka paragjykuar kontributet në arealet e tjera të jetës publike. Për fat të keq, në vend që të kishim tashmë studime të shumta dhe një tablo të qartë për një nga figurat me një veprimtari jashtëzakonisht të ngjeshur, ne kemi një vakuum.
Kjo është mjaft ironiike në vetvete. Në një hark kohor prej disa dekadash, emri dhe figura e Kristo Floqit do të ndërlidhet, në një mënyrë ose në tjetrën, me aktivitete të panumërta patriotike, shërbim publik në një sërë funksionesh nga më të rëndësishmet në shtetin rishtar shqiptar dhe me disa nga zhvillimet kryesore politike në vend.
Largimi i tij nga Greqia dhe vendosja në Vlorë ndodh pikërisht pak kohë përpara shpalljes së pavarësisë dhe në fillimin e zinxhirit të asaj historie në të cilin ai do të ishte i shpesh-pranishëm. Kjo zanafillon me pjesëmarrjen, koordinimin dhe organizimin e palodhur të tij në klubet patriotike dhe organet e shtypit të kohës – në Shqipëri, por edhe në SHBA.
Kristo Floqi ndërton një profil të lakmueshëm që do të përfshinte aktivitetin e tij privat e publik në fushën e jurisprudencës, për të kaluar, me qartësimin e fatit të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, në poste qeveritare dhe të përfaqësimit politik. Megjithë rikthimet ciklike në profesionin e tij si jurist, angazhimi i Floqit në politikë mbetet tashmë konstante e pandryshuar.
Shkëmbimet e tij me personalitetet më të rëndësishme të kohës e pozicionojnë edhe më shumë Kristo Floqin në qendër të proceseve politike të kohës. Herë nën petkun e përfaqësuesit të zgjedhur, herë me pozicione nga më të lartat në hierarkinë shtetërore, herë në rolin e ndërmjetësuesit politik ndërmjet palëve ballafaquese, herë në modelin e emisarit të deleguar, Floqi shndërrohet në një nga zërat dhe figurat tejet të spiktatura në Shqipërinë e viteve ‘20 e ‘30.
Përgjatë këtyre viteve, ai do të shërbejë si Ministër i Arsimit, në një moment kur arsimi shqiptar lëngonte një prapambetje dhe mungesë zhvillimi të jashtëzakonshëm. Do të jetë përfaqësues i zgjedhur në parlament i Dibrës dhe i Korçës. Do të emërohet anëtar i Këshillit të Shtetit e nënkryetar i tij. Përtej këtyre, si prokuror, gjyqtar dhe një nga mendjet më të artikuluara ligjore të atyre viteve, ai do të ketë një kontribut në sendërtimin e shtetit ligjor, duke nisur që nga qeveria e Ismail Qemalit dhe deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.
Në vrullin e këtyre viteve, përpara një periudhë brishtësie politike për vendin, si dhe boshllëku e prapambetjeje institucionale të shtetit, vendimmarrja në postet e rëndësishme, si dhe reformat ligjore dhe administrative të mbështetura prej Floqit duhen parë me një sy të vëmendshëm për impaktin e tyre në proceset themelore të shtetformimit dhe shtetforcimit.
Një shembull që vlen të përmendet brenda këtij konteksti është fakti se Floqi ishte një nga promovuesit dhe mbështetësit kryesorë të krijimit të një kodi civil në Shqipëri, në përputhje me legjislacionet moderne të kohës. Nuk mund të nënvlerësohet nevoja e atëhershme për një vepër të tillë në arritjen e një normaliteti funksional ligjor konform kërkesave të atëhershme të vendit.
Sikurse është e udhës në gjykimin e figurave historike, veprimtaria dhe angazhimi i tyre gëzon elementin e kompleksitetit, veçanërisht duke marrë parasysh konditat e kohës kur ata jetojnë dhe situatën e mjedisin në të cilin veprojnë. Në rastin e Floqit, mund të shikohet një qartësi dhe vijimësi parimore në mendimin politik të tij, shpeshherë në kundërshtim me ato që mund të ishin interesa pragmatike ose lëshime të karakterit politik.
Shembulli më domëthënës në këtë aspekt është qëndrimi konsekuent në kundërshtimin e vendimit për ndryshimin e formës së regjimit në Shqipëri. Kjo është tejet interesante, mbi të gjitha nëse merret parasysh marrëdhënia e tij në atë periudhë me Ahmet Zogun. Afërsia ndërmjet tyre, e provuar në shkëmbimet dhe bashkëpunimet e vazhdueshme, dëshmohet dhe nga autorësia e mëhershme e Floqit e himnit të Ahmet Zogut, një fakt për të cilin ai do të anatemohet padrejtësisht. Pavarësisht kësaj afërsie dhe vlerësimi reciprok, Floqi pati vendosmërinë morale, guximin e artikulimin politik për ta kundërshtuar publikisht dhe me kritika substanciale kalimin e vendit në monarki.
Për t’u kthyer aty ku e nisëm, në librin e saj, Dr. Spaho shpreh besimin se koha do të vërë në pah vlerat dhe meritat reale të Kristo Floqit dhe kontributin e tij ndaj çëshjes dhe kulturës kombëtare, duke theksuar se – dhe po citoj këtu – “studimet tona në këtë fushë sapo kanë filluar.”
Si veprimtar në një periudhë historike tejet kaotike për Shqipërinë dhe Ballkanin, Kristo Floqi lundroi, së bashku, me shumë patriotë dhe aktivistë të tjerë, në mes të sfidave të cilat ishin përcaktuese për zhvillimet e ditës, por të cilat marrin një konotacion shumë më domethënës për të gjithë ne që i shqyrtojmë ato nisur nga valenca historike. Vlerësimi real i tyre do kërkojë kohën, dëshirën dhe përkushtimin e duhur nga studiuesit.

Filed Under: Opinion

MADELEINE ALBRIGHT, 29 KORRIK 1999: KOSOVA, GJITHMONË SHTËPIA JUAJ

March 24, 2022 by s p

Pristina, SERBIA AND MONTENEGRO: Kosovo President, Ibrahim Rugova (R) presents former US secretary of state Madeleine Albright with a diploma, The Golden Medal of Freedom in Pristina, 05 July 2005. Albright urged Kosovo leaders and people to strengthen democracy in the province and respect minority rights. AFP PHOTO/NIKOLA BESEVIC (Photo credit should read NIKOLA BESEVIC/AFP/Getty Images)

 -Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, në vizitën e parë historike në Kosovë, vendin e lirë të sapoçliruar, në 29 Korrik 1999: Le të zotohemi se në Kosovë do të ketë një lindje të re të lirisë bazuar në tolerancën, ligjin dhe respektin për çdo jetë njerëzore/

-Së bashku me ish Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ish Sekretarja Amerikane e Shtetit Madeleine Albright në Qershor 2019 në Kosovë mori pjesë në festimet  e 20 vjetorit të lirisë e në përurimin e bustit të saj në sheshin me emrin e saj në Prishtinë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 23 Mars 2022/ Në 29 Korrik 1999 Sekretarja e Shtetit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, vizitoi për herë të parë Kosovën, vendin e lire të sapoçliruar, pas luftës së përfunduar me dëbimin e forcave serbe e hyrjes shpëtimtare të forcave të NATO-s duke nisur nga 12 Qershori historik 1999.

 Pas 20 vitesh, së bashku me ish Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ish Sekretarja Amerikane e Shtetit Madeleine Albright në Qershor 2019 në Kosovë mori pjesë në festimet  e 20 vjetorit të lirisë.

Në 12 Qershor 2019, në festimet  e 20 vjetorit të lirisë – hyrjes së forcave të NATO-s,  u bë përurimi i bustit të ish Sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Madeleine Albright, në praninë e saj, në sheshin me emrin e saj afër simbolit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës Newborn në Prishtinë, në 17 Shkurtin historik 2008.

 Në një pllakë-faqe historie të vendosur afër bustit është shkruar mesazhi nga fjala e Sekretares së Shtetit të SHBA të viteve 1997-2001, Madeleine Albright, në vizitën në Prishtinë-Kosovë në 29 Korrik 1999:

“Le të zotohemi se në Kosovë do të ketë një lindje të re të lirisë bazuar në tolerancën, ligjin dhe respektin për çdo jetë njerëzore”.

Për vizitën historike në Kosovë të Sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Madeleine Albright në 29 Korrik 1999 kam raportuar nga Prishtina në Tiranë për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmëve të Shqipërisë.

Nga raportimet që kam bërë në 29 Korrik 1999, që i gjejë sot:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-07-29.ata.html 

[11] Albright meets with Thaci and other Kosova Albanian politicians in Prishtine

PRISHTINE, July 29-ATA Correspondent Behlul Jashari reports: Tens of thousands of Albanians gathered in Prishtine today in front of the U.N. and KFORF headquarters to greet U.S. Secretary of State Madeleine Albright.

Albright met with the head of the Kosova interim government, Hashim Thaci, and his cabinet members, as well as with the LDK deputy chairmen.

Albright met earlier with academician Rexhep Qosja, head of the United Democratic Movement, and Hydajet Hyseni, one of the leaders of this party.

Albright arrived at Prishtine airport at 09:15 (local time) and at first met with the KFORF commander, British Lieutenant-General Mike Jackson, and the head of the United Nations administration running Kosova, Bernard Kouchner. /pas/lm/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

[20] We will build a free and democratic Kosova – Albright

PRISHTINE, July 29 (ata) – ATA correspondent in Kosova Behlul Jashari reports: “We will build a free and democratic Kosova,” with tolerance and cooperation among all factors in Kosova, the U.S. Secretary of State, Madeleine Albright, told thousands of citizens gathered in Prishtine from all Kosova.

“Kosova will always be your house and never again will people with guns come in the night. Never again will houses and villages be burned and never again will there be massacres and mass graces,” she said.

She added that Milosevic will respond for his crimes, and voiced the hope that “there will be a birth of freedom based on tolerance, law and respect for human rights.”

In the afternoon, Albright will visit the U.S. sector where she will meet with U.S. officers in Gjilan. The U.S. Secretary of State is also expected to meet with Serb representatives in Kosova. /p.ta/xh/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

ARKIV-5 KORRIK 2005: PRESIDENTI RUGOVA I DORËZOI ISH SEKRETARES AMERIKANE TË SHTETIT, MEDLIN OLLBRAJT, MEDALJEN E ARTË TË LIRISË

PRISHTINË, 5 Korrik 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në një solmnitet rasti, sot i dorëzoi ish sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt, Medaljen e Artë të Lirisë, me të cilën e ka dekoruar më 12 qershor 2004, në 5-vjetorin e Ditës së Lirisë të Kosovës.
 
Presidenti Rugova zhvilloi edhe një takim me zonjën Ollbrajt ku bisedoi për gjendjen aktuale në Kosovë.

Presidenti Rugova pasi shprehu kënaqësinë për takimin me zonjën Ollbrajt, e çmoi si mike të madhe të Kosovës dhe të popullit tonë. Duke e falenderuar që sot ndodhet në vendin tonë dhe që ka gjetur kohë të jetë këtu, Presidenti tha se ajo “gjithmonë është e dashur dhe e respektuar”.

Duke folur për takimin, Presidenti Rugova tha se me zonjën Ollbrajt ka biseduar për progresin e Kosovës dhe se e ka njohur me arritjet që janë bërë, për gjendjen e mirë të sigurisë, stabilitetin e përgjithshëm.

“Po punojmë në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme që të hapen bisedat për të ardhmen; punët që i kemi t’i kryejmë dhe natyrisht për të ardhmen, për pavarësinë”, u shpreh Presidenti Rugova, duke insistuar që të njihet sa më shpejt pavarësia nga SHBA-të BE-ja, po sidomos nga SHBA-të. Pavarësia, tha ai, do të hapte perspektiva të reja për të ardhmen e Kosovës, për popullatën e saj të re, duke u angazhuar për një mbrojtje dhe siguri të minoriteteve dhe të grupeve etnike.

“Kemi bërë një progres, por duhet të punojmë më shumë, po me pavarisinë do të bënim edhe më shumë. Unë punoj për këtë çështje, sikur edhe qeveria e grupet politike”.

Në fund duke i shprehur një falenderim të madh ish-sekretares së Shtetit për të gjitha ato që ka bërë për Kosovën, për lirinë e Kosovës, Presidenti tha se pret përkrahjen dhe ndihmën e mëtejshme të zonjës Ollbrajt në këtë fazë të rëndësishme për Kosovën: “Jeni një mike e madhe e Kosovës. Unë kam miqësi permanente me SHBA-të”, tha Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.

Zonja shprehu kënaqësinë e madhe që sot ndodhet në Kosovë.

“Kosovës i kam kushtuar shumë kohë duke menduar se si ta ndihmoja. Shumë shpesh jam ndjerë edhe e shqetësuar për të. Prandaj sot jam shumë e kënaqur që jam këtu, pikërisht këtë vit që është vendimtar për Kosovën”, u shpreh pas takimit zonja Medllin Ollbrajt.

Ish-sekretarja e Shtetit porositi që në Kosovë duhet të zhvillohet demokracia dhe kërkoi mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave.

“Unë e kam bërë të qartë në mesazhet e mia, ashtu edhe në bisedat me Presidentin se demokracia në Kosovës është shumë e rëndësishme. Unë tash jam shefe e Institutit Nacional Demokratik, i cili i është i përkushtuar në ndërtimin e demokracisë në Kosovë dhe në vende të tjera”, tha zonja Ollbrajt duke thënë se është e rëndësishme që Kosova të jetë një vend shumetnik, ngase, siç tha, kjo e bën atë më të fortë.

Zonja Ollbrajt vlerësoi se është bërë mjaft progres, por duhet të bëhet edhe më shumë, duke premtuar se si qytetare amerikane dhe mike e Kosovës do të bëjë çmos që është e mundur që ta ndihmojë Kosovën edhe në këtë fazë.

“Të gjithë duan t’ju ndihmojnë. Unë nuk i përfaqësoj SHBA të zyrtarisht, por po flas si një qytetare amerikane dhe, shpresoj, si një mike e këtij vendi, do të bëj çdo gjë që t’ju ndihmojmë dhe, sepse ky vit është vendimtar për Kosovën”, theksoi zonja Ollbrajt.

Filed Under: Emigracion

NË PËRKUJTIM TË MEDLIN OLBRAJT

March 24, 2022 by s p

Xhelal Zejneli/

Medlin, Ti e dije se shqiptarët nuk kërkonin kurrfarë drejtësi të posaçme, ngase ndaj tyre s’ishte bërë dot, kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike. Ti luftove, për liri dhe drejtësi njerëzore. Prehu në shkëlqimin e dritës së amshueshme, në parajsën qiellore, aty pranë Beatriçes. Për kombin shqiptar Medlin, Ti je e pavdekshme.*   *   *

Medlin Olbrajt (Madeleine Jana Korbel Albright, Pragë, 15 maj 1937 – 23 mars 2022) ishte politikane dhe diplomate amerikane. Lindi në një familje hebraike të Çekosllovakisë. E ëma Mandula (Anna Korbel, e lindur Spieglova, 1910-1989) dhe babai Jozef Korbel (Josef Korbel, 1909-1977), gazetar dhe nëpunës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekosllovakisë, ia dhënë emrin Madlenka Jana (Mari Jana Kerbelova). Për t’u shpëtuar përndjekjeve të nazistëve, familja e saj kaloi në katolicizëm. Madlenka u edukua si katolike. Në fillim të qershorit të vitit 1937 familja u vendos në Beograd, ku Jozef Korbel ishte caktuar zëdhënës në ambasadën e Çekosllovakisë. Në vitin 1937, Madlenka Jana Kerbelova, si foshnjë tremuajshe, bashkë me prindërit erdhi për pushime në Jelsi të ishullit Hvar në Kroaci. 

Familja qëndroi në Beograd vetëm një vit, deri atëherë kur trupat e Hitlerit (Adolf Hitler, 1889-1945) hynë në Çekosllovaki. Vermahti gjerman invadoi Pragën. Për këtë arsye  Jozef Korbeli u shpërngul në Londër ku mori strehim politik. Aty qëndruan gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore. Pas kapitullimit të nazizmit, familja u kthye në Pragë.

Ndërkohë, Jozef Korbeli caktohet ambasador i Çekosllovakisë në Beograd, ku vendoset e tërë familja. Në shkurt të viti 1948, me rënien e kryetarit të Çekosllovakisë Eduard Benesh (Edward Benesh, 1884-1948), karriera e Jozef Korbelit si ambasador – përfundon. Pas kësaj, si përfaqësues i Çekosllovakisë, ai dërgohet në misionin paqësor të OKB-së, në Indi. Pas konfliktit midis Josip Broz Titos (1892-1980) dhe Josip Stalinit (1879-1924), Mandula Korbel me të dyja vajzat – Madlenkën dhe Katarinën, prej Beogradi shkojnë në Nju-Delhi, te babai. Përvojat e veta si ambasador në Beograd, Jozef Korbeli i paraqet në libër. Në vitin 1951 libri botohet edhe në Beograd.

Kur pushtetin në Çekosllovaki e morën komunistët, familja e saj përsëri u largua nga vendi. Tani vajtën në ShBA dhe u vendosën në Denver të shtetit federal të Kolorados (Colorado). 

Në vitin 1955, Madlenka kryen në Denver shkollën e mesme. Në vitin 1959, diplomoi në Wellesley Collegeu. Studimet e doktoratës i kreu në vitin 1975 në Universitetin Columbia. Punoi si asistente e senatorit Edmund Buskie (1914-1996). Ndjek studimet ndërkombëtare në  Johns Hopkins University në Baltimor. Magjistron në Boston. Specializohet në temën e çështjeve politike të Evropës Lindore dhe bëhet profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare në shkollën diplomatike të Universitetit në Xhoxhtaun (Georgetown). Doktoron në lëmin e të drejtës shtetërore dhe të administratës në Universitetin Kolumbia (Columbia). 

 Në vitin 1959 Madlenka martohet me të dashurin e ditëve studentore Jozef Olbrajt (Joseph Medill Patterson Albright, 1937-). Tani e tutje ajo do të quhet Medlin Olbrajt (Madeline Albright). Burri i saj ishte një prej bashkëpronarëve të gazetës Washington Post. Nga kjo martesë lindën tri vajza: Alice Patterson Albright, Katherine Medill Albright dhe Anne Korbel Albright. Martesa e tyre zgjati 23 vjet. U ndanë në vitin 1982. Pas ndarjes nga Medlin Olbrajti, Jozef Olbrajti (Joseph Albright) u martua me autoren Marcia Kunstel (1947).

Karriera politike – Në vitet 1976-1981 Olbrajti bëhet këshilltare apo asistente e profesorit të vet të Universitetit Kolumbia, dijetarit politik dhe gjeostrategut polak-amerikan Zbignjev Bzhezhinski (Zbigniew Brzezinski, 1928-2017), i cili në atë kohë ushtronte detyrën e shefit të Këshillit për Siguri Kombëtare të ShBA-së. Bzhezhinski ishte strateg i gjeopolitikës. Në vitet 1977-1981 ishte këshilltar për Siguri kombëtare i ShBA-së, në administratën e presidentit Xhimi Karter (James Earl “Jimmi” Carter, 1924-). 

Pasi e la Këshillin e Sigurisë, Olbrajt u angazhua në Universitetin e Xhorxhtaunit (Georgetown), ku i këshillonte anëtarët e Partisë Demokratike për çështjet e punëve të jashtme.  

Në vitin 1980 presidenti Xhimi Karter (Jimmy Carter) i humbi zgjedhjet presidenciale nga Ronald Regani (Ronald Wilson Reagan, 1911-2004). Olbrajti mbeti pa punë. Pas dy vjetëve, më 1982, u nda nga burri. Duke qenë vetë në Uashington, i përkushtohet Partisë Demokratike. Në vitin 1992, gjatë presidencës së Xhorxh H. Bushit, plakut (George Herbert Walker Bush, 1924-2018), u mbajt mbrëmja vjetore guvernatore e demokratëve. Këtu Olbrajt takohet me guvernatorin Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1964 -), i cili po atë mbrëmje i ofron vend në shtabin zgjedhor të vet. 

Pas fitores së Klintonit në zgjedhjet presidenciale të vitit 1992, Olbrajt ndihmoi në formimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të tij. Në vitin 1993, Klintoni e emëroi ambasadore të ShBA-së në Kombet e Bashkuara. Në atë kohë, mbështeti ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së në Somali. 

Në vitet 1997-2001, pas fitores së dytë të Klintonit, emërohet sekretare e Departamentit të Shtetit (State Department). Në këtë detyrë e trashëgoi sekretarin e deriatëhershëm të Shtetit, Uorën Kristofer (Warren Christopher, 1925-2011). Ishte e para femër në ShBA në këtë detyrë. Me këtë rast, gazeta Time shkruan: “Emërimi i saj sekretare Shteti, rrënon bastionin mashkullor shekullor në State Department”.

Me t’u zgjedhur sekretare e Shtetit në vitin 1997, nga Çekosllovakia vërshuan komente  që u përhapën në publik. Vetëm tani Olbrajti mësoi se ka prejardhje hebraike. Një gjë të tillë prindërit nuk ia kishin bërë me dije. Historinë e familjes së vet Olbrajti e ka shkruar në librin “Dimri në Pragë”. 

*   *   *

Në politikën e jashtme iu përkushtua procesit të paqes në Lindje të Afërt, zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe me Kinën dhe me Rusinë. U angazhua për shtrirjen e NATO-s në lindje, për mospërhapjen e armëve bërthamore, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për zhvillimin e demokracisë në shkallë globale. 

Mori qëndrim të fortë ndaj Sadam Huseinit (Saddam Hussein, 1937-2006) në Irak dhe ndaj Sllobodan Millosheviqit (Slobodan Milošević, 1941-2006) në Serbi.

Gjatë luftës në Kroaci kundër pushtuesve serbë, Medlin Olbrajt mbrojti tërësinë e tokave apo integritetin territorial të saj. U angazhua për heqjen e embargos për importin e  armëve, por në vitin 1994, gjatë luftës midis kroatëve dhe boshnjakëve (myslimanëve) në Bosnjë dhe Hercegovinë, Olbrajti shkoi në Zagreb dhe kryetarit të Kroacisë, Franjo Tugjman (Franjo Tuđman, 1922-1999) iu kanos me sanksione. 

Në një takim me kryetarin e Rusisë, Vladimir Putin (1952-), midis tjerash Olbrajti kritikoi politikën ruse në Çeçeni. Më 7 tetor 1998, u takua me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu (Benjamin Netanyahu, 1949-) dhe me liderin apo kryetarin palestinez Jaser Arafat (1929-2004). 

Për ta parandaluar dhe për t’i dhënë fund masakrës dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve,   në vitin 1999 Medlin Olbrajt u angazhua për operacionin e NATO-s kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë dhe në Serbi. 

Në vitin 2001, ministri gjerman i Punëve të Jashtme Joshka Fisher (Joschka Fischer, 1948-), për Olbrajtin thotë: “Medlin Olbrajt është një personalitet politik fascinues (ngashënjyes)”  

Olbrajti kritikoi Luftën në Irak (2003-2011) duke e cilësuar si: “katastrofë më e madhe e politikës së jashtme të ShBA-së, më e madhe se ajo në Vietnam”. Torturat ndaj ushtarëve irakianë në burgun Abu Graib, thotë Olbarjti, e kanë rrënuar në mënyrë serioze reputacionin dhe demokracinë e ShBA-së.

Medlin Olbrajt ua çeli rrugën femrave në funksionet politike. Me një rast deklaroi: “Në ferr ka vend për ato femra të cilat nuk u ndihmojnë femrave të tjera”. Përkundër dallimeve politike, Medlin Olbrajt kishte raporte të mira me sekretaren e ardhshme të Shtetit Kondoliza Rajs (Condoleezza Rice, 1954). 

Në fushatën presidenciale të vitit 2006, Medlin Olbrajti mbështeti Hilari Klintonin (Hillary Diane Rodham Clinton, 1947-). Pas humbjes së zonjës Klinotn, Olbrajti nuk i kurseu kritikat ndaj presidentit Donald Tramp (Donald John Trupm, 1946-). Në prill të vitit 2020 ajo tha se Trampi është i paparashikueshëm. Fitoren e Xho Bajdenit (Joseph Robinette Biden, Jr., 1942-) e priti me kënaqësi.

Për amerikanët, Olbrajt krijoi termin “komb i pazëvendësueshëm”. 

Përpos anglishtes dhe çekishtes, Olbrajt fliste edhe frëngjisht, rusisht dhe polonisht. Manipulohet se paskësh ditur edhe serbisht. Si sekretare e Shtetit, udhëtoi në shumë shtete të botës. Emërimi i saj si sekretare Shteti, në Evropë u prit pozitivisht ngase ngjalli shpresa se do të tregojë një interesim të posaçëm për Evropën qendrore dhe Lindore si dhe për vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. 

Medlin Olbrajt u shpall Doctor honoris causa i Universitetit të Uashingtonit dhe i Universitetit Uinipeg (University of Winnipeg). 

 Pas pensionimit, e mbështeti presidentin amerikan Barak Obamën (Barack Obama, 1961-). Në ekipin e tij këshillimor për politikë të jashtme, themeloi firmën këshillimore globale “Albright Stonebridge Group” dhe ligjëroi në Universitetin e Xhorxhtaunit (Georgetown University). Më 29 maj 2012, Obama e dekoroi me “Medaljen e lirisë”. 

Vdiq nga kanceri, më 23 mars 2022, në moshën 84-vjeçare, e rrethuar prej familjarëve dhe miqve. Lajmin e bëri të ditur CNN-i.  

*   *   *

Shqiptarët dhe Olbrajti – Në cilësinë e sekretares së Shtetit, Olbrajt u zotua për ta parandaluar dhunën serbe në Kosovë. Me përpjekjet e saj të jashtëzakonshme u organizua  Konferenca e Rambujesë (Rambouillet) që u mbajt në afërsi të Parisit, më datë 6 deri 23 shkurt 1999. Më 14 shkurt 1999, zonja Olbrajt u takua me delegacionin shqiptar, të kryesuar nga Hashim Thaçi (1968-). 

Për ta parandaluar krizën humanitare të shqiptarëve, eksodin e përmasave biblike, vrasjet e fëmijëve, përdhunimet dhe gjenocidin serb mbi shqiptarët, Olbrajt u angazhua për operacionin e NATO-s kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë dhe në Serbi. Në saje të luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe falë angazhimit të saj, përkatësisht të Uashingtonit, më 12 qershor 1999, Kosova u çlirua nga kolonializmi serbomadh.

Në luftën e Kosovës, u dëbuan forcërisht prej shtëpive të veta 848.000 shqiptarë, u vranë 10.794 shqiptarë, prej tyre 1.133 fëmijë, prej rreth 5.000 shqiptarëve të zhdukur, 1.227 shqiptarë ende figurojnë si të pagjetur, 529 varreza masive, përfshi edhe varrezat masive në Serbi, rreth 20.000 femra të përdhunuara, përkatësisht viktima të dhunës seksuale, 1200 prej tyre figurojnë me emra e mbiemra. Për dëmet materiale të mos bëjmë fjalë. Kryerës të krimeve të sipërthëna janë: ushtria serbe, policia serbe dhe paramilitarët serbë, përfshi edhe mercenarët që luftuan në radhët e paramilitarëve serbë. 

*   *   *

Më 12 qershor 2004, në 5-vjetorin e Ditës së Lirisë, Kosova e nderoi  Olbrajtin me “Medaljen e Artë të Lirisë”. Dekoratën ia dorëzoi kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova (1944-2006). Shumë vajza në Kosovë dhe në mbarë botën shqiptare, për dashurinë ndaj saj, e mbajnë emrin e Medlin. Më 11 shtator 2018, një prej shesheve kryesore të Prishtinës u emërtua me emrin e saj. Më 12 qershor 2019, me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës u përurua në Prishtinë busti i Olbrajtit. Në disa nga këto manifestime ishte e pranishme edhe vetë Olbrajti bashkë me presidentin, përkatësisht ish-presidentin Bill Klinton.   

*   *   *

Medlin, Ti e dije se shqiptarët nuk kërkonin kurrfarë drejtësi të posaçme, ngase ndaj tyre s’ishte bërë dot, kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike. Ti luftove, për liri dhe drejtësi historike. Prehu në shkëlqimin e dritës së amshueshme, në parajsën qiellore, aty pranë Beatriçes. Për kombin shqiptar Medlin, Ti je e pavdekshme. 

Xhelal Zejneli          

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2341
  • 2342
  • 2343
  • 2344
  • 2345
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT