• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FILLIMI  I  LUFTËS  SË  DYTË  BOTËRORE

March 23, 2022 by s p

WINSTON  CHURCHILL  in  the  WHITE  HOUSE.

Nga  Qemal  Agaj. 

Çfarë  filloi në Shtator, 1939, si një konflikt lokal midis Gjermanisë Naziste dhe Polonisë, shpejt përfshiu gjithë botën.

Pak përpara se Lufta e Dytë Botërore të shpërthente, Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik, armiq midis tyre, befasuan opinionin botëror me të ashtuquajturin, ‘’Molotov – Ribentrop Pact’’

Sipas këtij pakti , i njohur zyrtarisht si, ‘’Traktati i Mos-Sulmimit,’’ firmosur  nga Ministrat e Jashtëm në 23 Gusht, 1939, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje, që për një periudhë prej dhjetë vjetësh, të mos ndërmerrnin sulm ushtarak ndaj njeri – tjetrit. 

Anglia dhe Franca, pas këtij pakti kuptuan se e vetmja forcë mbështetëëse për të përballuar agresionin Gjerman, Bashkimi Sovjetik, ishte tashmë asnjanjës. 

Si pjesë e protokollit sekret midis Gjermanëve dhe Sovjetikëve, ishte ndarja midis tyre e Polonisë, Rumanisë dhe Shteteve  Balltike. Por edhe kjo marrëveshje nuk zgjati shumë. Një javë më vonë Gjermania filloi pushtimin e Polonisë. Në 17 Shtator, Sovjetikët si kundërvenie marshuan ushtarakisht drejt Polonisë nga ana Lindore.

Pas pushtimeve pa rezistencë të Norvegjisë, dhe Danimarkës, në 9 Prill, 1940, një muaj më vonë, në 10 Maj, forcat Gjermane mashuan në territoret Belge dhe Hollandeze. Katër ditë më vonë, 14 Qershor, Parisi dhe veriu i Francës  lehtësisht ra ndën kontrollin e Gjermanisë.

Pas kësaj Hitleri e vëmendjen drejtë Britanisë, e cila kishte një avantazh mbrojtjeje, kanalin që ndante dy shtetet. Winston Churchill u zgjodh Kryeministër i Anglisë në 10 Maj, 1940. Për koincidencë, ofensiva Gjermane në Vendet e ulëta dhe drejtë Francës filloi po në këtë ditë.

Kryeministri i porsa zgjedhur foli përpara ‘’The House of Commons’’ për herë të parë tre ditë më vonë, në 13 Maj, për njoftimin e administratës së re, duke thënë midis të tjerash: 

‘’Unë po i them Parlamentit , ashtu siç u thashë atyre që u bashkuan në këtë Qeveri, unë nuk kam se çfarë t’ju ofroj veç, punë të rëndë, gjak, lot dhe mundime.Ne kemi përpara provën më të hidhur. Ne kemi përpara nesh shumë, shumë muaj të gjatë betejash dhe vuajtjesh. Ju do të pyesni, cila është vija jonë politike? Unë do të them:Është një luftë e gjerë, nga deti, toka dhe ajri. Ne do të luftojmë me të gjitha mundësitë dhe me fuqinë që Zoti na jep, kundër kësaj tiranie monstruoze. Ne kurrë nuk do të biem në errësirën vajtuese të krimeve njerëzore. Kjo është politika jonë. Ju do të pyesni, cili është qëllimi ynë? Unë mund të përgjigjem me një fjalë. Është fitore, fitore me çdo kusht, fitore pa marrë parasysh gjithë terrorin , fitore pavarësisht sa e gjatë dhe e vështirë kjo rrugë mund të jetë, nëqoftëse është nevoja prej vitesh,nëqoftëse është e nevojshme edhe vetëm.

Pas rënies së Francës ndën pushtimin Gjerman, bombardimeve të Londrës dhe qyteteve të tjera industriale të Britanisë nga aviacioni Gjerman, Çurçilli me dëshpërim e shihte angazhimin amerikan në luftë si të vetmin shpëtim. Ndërkohë Presidenti Amerikan Franklin D. Roosevelt me vëmendje dhe në qetësi ndiqte çdo lëvizje.

Çdo gjë ndryshoi në 7 Dhjetor, 1941. Në këtë ditë, Baza Ushtarake Amerikane në Pearl Harbor, Hawai u bë skena e një sulmi sa të papritur, aq dhe me pasoja shkatërruese. Ishte e Dielë, pak përpara orës tetë të mëngjesit. Brenda dy orësh, në dy sulme 45 minuta larg njeri – tjetrit nga aviacioni Japones, forcat ushtarake Amerikane pësuan humbjen më të madhe në historinë e tyre. Nga tetë anije lufte, vetëm dy mundën të riparoheshin. Dolën jashtë pune 188 aeroplanë, më shumë se 2300 amerikanë gjetën vdekjen dhe 1300 u plagosën.

Një ditë pas sulmit, Presidenti Rusvelt i kërkoi Kongresit të deklaroj luftë Japonisë duke thënë:                               ‘’Nuk ka rëndësi sa kohë do të duhet për të mposhtur këtë sulm të planifikuar. Populli amerikan në të drejtën e tij do të shkoj në fitore absolute. Unë besoj se shpreh vullnetin e Kongresit dhe të popullit kur deklaroj se jo vetëm ne do të mbrojmë vehten tonë deri në shkallën më të lartë, por do t’a bëjmë të qartë që kjo tradhëti kurrë nuk do të na rrezikoj.’’

Fjala e WINSTON CHURCHILL përpara  SENATIT  dhe KONGRESIT AMERIKAN,  26 Dhjetor, 1941.

Përpara se Amerika të hynte në luftë, të dy udhëheqësit kishin shkëmbyer letra dhe biseda telefonike. Atë ditë, 8 Dhjetor, 1941, Presidenti Rusvelt me një telegram njofton Çurçillin: Sot të gjithë ne jemi në të njejtën anije…është një anije që nuk mund të fundoset dhe nuk do të fundoset.’’

Gjashtë ditë më vonë, 13 Dhjetor me anijen luftarake, Duke of York merr udhëtimin 10 ditor përmes Atlantikut drejt brigjeve të Amerikës. Në 26 Djetor Çurçilli foli përpara Senatit dhe Kongresit Amerikan dhe në kuadrin e koalicionit të tre, Engllish Speaking Countries, që u quajt, ‘’Pakti i Atlantikut ‘’ në 30 Dhjetor, foli dhe në Parlamentin Kanades, në Otava.

__________’’Anëtarë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të SH.B.A.

Ndihem tepër i nderuar që ju më ftuat në sallën e Senatit dhe t’ju drejtohem të dy degëve të Kongresit.                                  Fakti që paraardhësit e mi kanë luajtur pjesën e tyre në jetën e SH.B. dhe ja ku jam, një Britanik i mirëpritur në mes jush,  e bën këtë eksperiencë një nga më emocionueset në jetën time, që tashmë është e gjatë dhe nuk ka qën plotësisht pa ngjarje eksituese. 

Mbi të gjitha SH.B. janë sulmuar nga tre fuqitë më të armatosura diktatoriale. Më të mëdhatë  në Europë – Gjermania me Italinë, më e madhja në Azi –Japonia, kanë deklaruar dhe po bëjnë luftë me ju dhe një grindje është hapur,  që vetëm  mund të përfundoj në rënien e tyre ose tuajës. Por këtu në Washington, në këtë ditë të shënuar unë kam gjetur një qëndresë Olimpike e cila, larg nga të qënët mbi vetëkënaqësi, është vetëm  maska e një qëllimi të palëkundur dhe prova e një konfidence të sigurtë bazuar në rezultatin final…

Ne në Britani patëm të njëjtat ndjenja në ditët tona  më të errëta. Ne gjithashtu  ishim të sigurtë që së fundi çdo gjë do të përfundonte mirë. Forcat e radhitura kundër nesh janë të shumta. Ata janë të hidhur, ata janë të pamëshirshëm. Udhëheqësit e tyre të pashpirt dhe fraksionet e tyre në këtë luftë dhe pushtime e dijnë që do të japin llogari në qoftëse nuk mundin me forcën e armëve popujt që ata kanë sulmuar. Ata kanë një akumulim të madh dhe të shumëllojtë armësh lufte. Ata kanë një ushtri të trainuar mirë dhe të disiplinuar, forca detare dhe ajrore. Ata kanë plane dhe synime që për një kohë të gjatë janë menduar dhe formuar…

Është mjaft e qartë që në anën tonë burimet në njerës dhe armatime janë më të mëdha se të tyret. Pa dyshim ne kemi një kohë  shqetësimi të turbullt para nesh. Në të njejtën kohë disa vende do i humbasim, që do të jetë e vështirë dhe e kostueshme t’i rimarrim. Shumë pakënaqësi dhe surpriza të pakëndëshme na presin. Shumë prej tyre do të na brengosin para se të arrihet fuqia e plotë kundër tyre…Disa ndofta po friksohen ose për momentin të dëshpëruar si Presidenti juaj, kur unë flas për një luftë të gjatë dhe të ashpër. Populli ynë është më mirë të dij të vërtetën , sado e hidhur të jetë dhe mbi të gjitha ne po bëjmë punën më të përkryer në botë,  jo vetëm duke mbrojtur atdheun  tonë dhe shtëpitë tona, por për kauzën e lirisë në çdo vend , çështja se çlirimi do të vij në 1942-43- 44, bie mbi vendin e duhur në porporcionet e mëdha të historisë njerëzore.

Sa kohë që kemi besim në kauzën  tonë dhe një dëshirë të pamposhtur, shpëtimi nuk do të na mohohet…

Jam shumë i kënaqur të përshfaq përpara jush anëtarë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve në këtë moment kur ju po hyni në luftë,  evidencën që me armët e duhura dhe organizimin e duhur ne do të jemi në gjendje të mundim këtë nazizëm  të egër….

Së fundi, nëqoftëse ju do më lejoni të them, për mua lajmi më i mirë nga të gjitha; SH.B. A., të bashkuara më shumë se kurrë më parë, ka hedhur tej këllëfin dhe ka nxjerr shpatën për liri.

Pa dyshim, do të kishte qënë shumë herë më mirë, unë e pohoj këtë, nëqoftëse do të kishim burime të mjaftueshme të të gjitha llojeve, të ishin në fuqi të plotë në të gjithë pikat e kërcënuara.

Marrë nga ‘’ International Conciliation’’ – W. Churçhill –‘’  Documents for the year, 1942.’’

Filed Under: Histori

Kryeministri Kurti zhvilloi takim virtual me kongresistët amerikanë

March 23, 2022 by s p

Prishtinë, 22 mars 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim virtual me kongresistët nga Grupi për Çështje shqiptare në Kongresin amerikan, Ritchie Torres, Darrell Issa dhe Robert Aderholt.

Kryeministri e falënderoi kongresistin Torres, njëherit bashkëkryesues i Grupit për Çështje shqiptare në Kongresin amerikan, dhe kongresitët për avokimin e tyre për Republikën e Kosovës, dhe vlerësoi deklaratat publike në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian.

Merita të mëdha për suksesin e Kosovës kanë mbështetësit e fortë në Kongresin Amerikan, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se Kosova ka fatin e mirë që tani ka edhe kongresistët nga Grupi i Çështjeve shqiptare si aleatë në Kongres.

Kryeministri Kurti theksoi se ka një sërë fushash në të cilat mund të thellohet e zgjerohet bashkëpunimi në interes të Kosovës, duke veçuar avokimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë.

Kongresistët amerikanë ritheksuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë aleat më të madh se Kosova në Evropë, dhe është koha që Republika e Kosovës të pranohet në NATO. Ata vlerësuan pozicionimin e Kosovës dhe angazhimin e përbashkët në avancimin e parimeve demokratike. Po ashtu, theksuan domosdoshmërinë e ripërtëritjes së angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’u siguruar që Kosova, shtet mik e aleat i ShBA-ve do të marrë trajtim të drejtë.

Filed Under: Politike

VATRA URON TË GJITHË BESIMTARËT SHQIPTARË BEKTASHI: GËZUAR FESTËN E  SULLTAN NEVRUZIT

March 22, 2022 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra uron të gjithë besimtarët shqiptarë bektashi: Gëzuar festën  e  Sulltan Nevruzit. Kjo festë e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe ardhtë e begatë dhe e bekuar për çdo familje shqiptare. Sot më shumë se kurrë lutemi për paqe dhe për shpresë. Le të triumfojë Dashuria mbi urrejtjen, zhvillimi e paqja mbi luftën, e mira mbi të keqen, progresi mbi regresin, gëzimi mbi trishtimin, vëllazëria mbi konfliktin. Në këtë ditë feste të bëkuar, lusim Zoti ti pastrojë mendjet dhe zemrat e mbushura me urrejtje, smirë, karrierizëm, egoizëm, xhelozi dhe të jetë një pranverë e jashtëzakonshme pastrimi, lulëzimi, zhvillimi e përparimi për çdo besimtar dhe për çdo shqiptar.

Gëzuar nga zemra

Kryetari i Vatrës

Elmi Berisha

Filed Under: Analiza

BABA REXHEPI, NJË JETË E JETUAR PËR FE DHE ATDHE

March 22, 2022 by s p

Shkruan: Eugen SHEHU

“KUR  TË  VDES, NUK  DUA  CEREMONI  MORTORE. AMANET, ATE  RASËN  E  GURIT QË  KAM  MARRË                       NGA GJIROKASTRA,TË  MA  VENDONSI TEK KOKA”

Lindi në gushtin e vitit 1901 në qytetin e gurtë të shtetit amë,Gjirokastrës.U rrethua që në vitet e para të jetës,me legjendën e famshme të kështjellës që mbante emrin e Argjiro dhe që u lëshua si erë nga bedenat e kalasë,vetëm e vetëm për mos ti ranë në duart e Osmanëve.U rrethua prej tregimeve mbi trimëritë e pashallarëve të Gjirokastrës,fama e të cilëve arrinte deri në Athinë.Por pati edhe një fat të madh që do t’i paraprinte rrugëve të së ardhmes së vet.Ishte nipi i parë,i të mrekullushmit Baba Selim,i teqesë së Zallit në Gjirokastër.Rexhepi i vogël,shkonte të mësonte në shkollën fillore të Gjirokastrës,në vitin 1907.Gjuha e përdorur aty ishte turqishtja por fati i madh e çonte vogëlushin çdo ditë në Teqenë e Zallit,tek daja i tij ( vëllai i nënës) i cili i mësonte në odën e madhe,gjuhën e bukur shqipe.Dhe tok me gjuhën e bukur tonën,Baba Selim ushqente në shpirtin e nipit të vet, dashurinë e madhe për Shqipërinë.Dihet tanimë se në vitet 1906-1909,Teqeja e Zallit në Gjirokastër ka qenë sh’ndërruar në çerdhe të madhe të shqiptarizmës.Shahin Kolonja e Sulejman Delvina ,Cerçiz e Bajo Topulli,Mihail Trameno dhe Qemal Panariti,shkonin shpesh në dhomën e kësaj teqeje dhe në biseda me Baba Selimin ideonin kryengritjen e përgjithshme shqiptare për pavarsi kombëtare.

 Pas mbarimit të shkollës fillore,djali  i thatë dhe imcak,Rexhepi,nisi studimet në shkollën e mesme “Ruzhdije”.Ngase mësonte shumë dhe retulltatet i kishte mjaft të mëdha,me porosi të Baba Selimit,Rexhepi regjistrohet njëherazi në Medresenë e qytetit ku nis të futet kështu në udhën e shenjtë të misticizmës islame.Në shtëpinë e vet në Gjirokastër,nxënësi i dalluar i shkollave “Ruzhdije” dhe “Medrese”,Rexhepi do të ulej me ore të tëra pranë librave duke harruar krejt lodrat e moshës.Për më tej,me këmbënguljen e tij,ai do të shkonte rregullisht në Teqenë e Zallit,duke marrë prej dajës së vet,mësime për gjuhën persishte dhe osmanisht.Bashkëjetesa dajë-nip,pat lënë mbresa të pashlyeshme tek Rexhepi i vogël,i cili më pas,për dajën e vet do të shkruante pos të tjerave ; “Me të qendruar në Post,Baba Selimi e përhapi shumë bektashizmën,i shtoi së tepërmi radhët e antarëve shpirtërorë,jo vetëm me shqiptarë por edhe me të huaj që ishin në Gjirokastër si nënpunës.Fama e tij u përhap aq tepër,sa një major turk,i cili komandonte një garnizon ushtarak në Maqedoni,kur dëgjoi meritat e Baba Selimit erdhi në Gjirokastër për të marrë dorë tek ai dhe u dorëzua myhib… Në kohën e okupacionit italian,kur nisi lufta për çlirimin e atdheut,Baba Selimi përkrahu nxehtësisht nacionalizmin shqiptar.Thirri gjithë fshatarët me radhë dhe i këshilloi të gjithë,të bënin luftën e çlirimit me ngjyrë shqiptare,duke u larguar nga ideologjitë e huaja”. (Baba Rexhepi “Misticizma Islame dhe Bektashizma” Botimi i Detroitit, Amerikë 1967, faqe 261 ).

Duke përfituar nga trazirat e brendshme të shtetit shqiptar,nën Princ Vidin,në qershorin e vitit 1914, grekët të përkrahur nga formacionet e tyre të andartëve ndërmuarën nismën për të krijuar aty qeverinë greke,kinse kishin të bënin me tokat e Vorio Epirit.E vërteta është se shteti shqiptar nën Princ Vidin ishte tejet i kufizuar nga ana gjeografike dhe ai e la jugun në dorë të një batalioni të armatosur keq të Ushtrisë sonë Kombëtare.Ky batalion asesi nuk mund të vepronte përgjatë vijës kufitare rreth 200 kilometra ndaj edhe grekët e zunë lehtësisht Gjirokastrën,me ç’rast donin të internonin Baba Selimin së toku me besnikët e tjerë të tij.Me ndërhyrjen e disa ortodoksëve të Gjirokastrës,kjo nuk ndodhi dhe Baba Selimi shkoi të banojë në Gjirokastër,në shtëpinë e motrës së vet,tek dervish Rexhepi.Anipse nuk ishin në teqe,dajë e nip e kthyen shtëpinë e gurtë,në fole të shqiptarizmës,çetat e trimave shqiptarë,merrnin porosi e letra prej Baba Selimit,nëpërmjet nipit të vet,dervish Rexhepit i cili nën uniformën bektashiane merrte e përcillte mesazhet e lirisë sidomos,bashkëpunim të ngushtë,dervish Rexhepi pat me Cerçiz Topullin të cilin e çmonte për besën e burrit dhe trimërinë e rrallë.Pas vitit 1919,kur teqeja u çel sërisht,dervish Rexhepi ishte i pari që ngarendi atje.Duart e tij të vogla e të buta bënin gjithfarlloj punësh,që nga ndërtimi i mureve të shkatëruarra e deri tek mbjellja e luleve apo pemëve të shumta frutore.Pas një shërbimi të gjatë në Teqenë e Zallit në Gjirokastër,dhe pas kalimit të shkallës së parë të karierës së bektashizmës,biri i urtë dhe i mençur i Gjirokastrës merr titullin dervish.Në ceremoninë e marrjes së titullit,në fillim të viteve 30-të,shkuan në Teqenë zallit në Gjirokastër dhjetra dervish e baballarë,nga Tepelena, Kolonja,Gjirokastra e Delvina.Krejt atyre u pat rënë në sy,jo vetëm mençuria e dervish Rexhepit por sidomos aftësitë e tij mistike për të komunikuar me njerëzit e thjeshtë përmes shikimeve të syve.Një rrezellëm të mbrendshëm,njerzorë dhe depërtues,ata sy e ruajtën deri në fund,deri atëherë kur u mbyllën për në paqën e amshuar.

  Pas pushtimit fashist të vendit në prillin e vitit 1939,Teqeja e Zallit në Gjirokastër,do të shndrohej në vatër të vërtetë atdhedashurie.Nacionalistët shqiptarë,të prirur pas bektashizmës,si një besim me kahje të përhershme nga dashuria e shenjtë për atdheun,do të kalonin ditë e netë të tëra në këto perehëtore të shpirtit duke nxitur organizimin e çetave të armatosura kundër pushtuesit.Emra të njohur të nacionalizmit shqiptar si Babameto,Omari,Këlcyra,Xhaferi etj,do të bashkëpunonin ngushtë me dervish Rexhepin fjala e të cilit ish pothuaj e shenjtë për krejt gjirokastritët.Jo pa qëllim,dervish Rexhepi,ftonte gjatë kësaj periudhe në Teqenë e Zallit,edhe personalitete të arësimit e atdhetarisë së Kosovës,siç ishte Rexhep Krasniqi i cili pat kumtuar pikërisht në ate faqe,mësimin e vyer së historisë se “Pa Shqipëri nuk ka Kosovë,por edhe pa Kosovë nuk mund të ketë  Shqipëri”. Në fillim të viteve 40,në mbarim të luftës italo-greke,atëherë kur qeveria dhe junta ushtarake greke,filloi genocidin e paparë ndaj Çamërisë,teqeja e Zallit dhe personalisht dervish Rexhepi,u bënë vatra e parë e këtyre shqiptarëve që linin me dhimbje viset e tyre dhe gjenin prehje në gjirin e shtetit amë.Në çdo rast,dervish Rexhepi,i interesohej për fjetje e ushqime të këtyre familjeve dhe më pas i dërgonte nëpër shtëpitë e mëdha të nacionalistëve të Gjirokastrës, Delvinës, Përmetit, Tepelenës e Vlorës.Shqipëria etnike,përpara se të vlente si aspiratë,ishte një veprimtari e gjërë dhe konkrete e udhërrëfenjësit dervish Rexhepi.

Në janar të vitit 1943,në Gjirokastër e rrethina,patën nisur të organizohen këshillat e nacionalçlirimtarëve,me ç’rast filluan të bëjnë edhe propagandë antinacionaliste.Kjo propagandë e kish fillin e saj,në mendjet e komunistëve jugosllavë,të cilët, janë parë nga komunistët e shtetit amë sikur të ishin idhuj.Për më tej,pas ngjarjes së dhimbshme të Mukjes,gjithshka nisi të flasë për vëllavrasje.E vërteta është se komunistët e Qarkut të Gjirokastrës,përmes Bedri Spahiut( i cili në atë kohë pat marrë teqenë e Zallit dhe ish emëruar myhib),i bënte thirrje dervish Rexhepit që të bashkëpunonte me ta por përgjigjja e udhërrëfenjësit ka qenë tepër lakonike ; “Unë bashkëpunoj vetëm me ata që e duan Shqipërinë.Unë nuk besoj se Dushanët e duan vendin tonë më shumë se Mit’hat Frashëri,Bahri Omari e Ismail Golemi”.Por do të vinte edhe një moment tjetër kur dervish Rexhepi do ta bashkonte fjalën e tij me veprën.Kjo ka qenë data e 30 gushtit 1943,atëhrë kur nacionalçlirimtarët e udhëhequr prej Sotir Meros dhe Shemsi Totozanit u derdhën mbi Libohovën martire,kinse aty e kishte çerdhen e vet Balli Kombëtar.”Të nisur me urët e zjarrit në dorë,urejtjen dhe pabesinë në shpirt,ata u sulën në lagjen Marine,drejt shtëpisë së Rustemajt,shtëpisë së shenjtë të shqiptarizmës dhe u lanë oborrin e shtëpisë me gjakun e Qazim Rustemit,nipit të Avniut… i cili duke patur mbështetjen e dervish Rexhepit dhe nacionalistëve të tjerë të Prefekturës së Gjirokastrës, organizoi formacionin e parë nacionalist antifashist dhe antikomunist në Libohovë”.(Gazeta “Balli i Kombit” 31 gusht 1995 ).

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje,duke njohur shpirtin e butë dhe atdhetar të Qazim Rustemit,dervish Rexhepi bëri një lutje dhe një betim.Lutja ishte për shpirtin e të ndjerit Qazim,ndërsa betimi se nën rrobën e shenjtë të dervishit do të mbante kurdoherë armën për të luftuar komunistët shqiptaro-sllav. Tashmë ai vihet në krye të një çete nacionalistësh prej 30-40 burrash duke kryer disa luftime të sukseshme si kundër okupatorit fashist,ashtu edhe kundër forcave komuniste që donin të gënjenin popullin shqiptar,me parrullat e sheqerosura të vëllezërimit me sllavët.Në shumë prej këtyre luftimeve,sido që nacionalistët nuk e linin dervish Rexhepin në radhët e para,ata i habiste gjithmonë guximi i tij.Mandej në një prej luftimeve në rrethinat e fshatit Lazarat,në Gjirokastër ka luftuar në këmbë,përmes breshërisë së plumbave.Tashmë që dervish Rexhepi,pat dalë kundër pushtuesve dhe komunistëve duke mbledhur rreth vehtes ajkën e djalërisë gjirokastrite,ai u vështrua si armik permanent i nacionalçlirimtarëve.Sidoqoftë këta nacionalçlirimtarë,duke dashur të mos të konfrontohen me popullin e Gjirokastrës,Libohovës e Tepelenës (treva në të cilat personaliteti i dervish Rexhepit ishte i padiskutueshëm) menduan të vënë në përdorim taktikat e tyre dhelprake.Kështu,në një urdhër të Komandës së Qarkut të Parë Operativ Vlorë-Gjirokastër,thuhet pos të tjerave : “Është e nevojshme me u pa mundësia të eleminohet fizikisht dervish Rexhepi i teqes së Zallit sepse po bënë për vete popullin  e Gjirokastrës.Por këshillohet që vrasja të jetë e fshehtë dhe askush të mos deklarohet se e ka vrarë”.(Arkivi Qendror i Ushtrisë-Tiranë.Fondi Qarku Operativ Vlorë-Gjirokastër,urdhër dt.3 mars 1944 ).

Pa dashur të cek tiparet e vyera që kërkon të ringjallë bektashizmi ndër besimtarët e vet,them se besnikëria ka qenë dhe mbetet nder tiparet esenciale të frymëzuara.Ka qenë në skuadrën e nacionalçlirimtarëve të Gjirokastrës,një myhib i cili me të marrë urdhërin për vrasjen  prapa shpine të dervish Rexhepit, e njofton ate në fshehtësi,dhe prej këtij momenti,jeta e udhërrëfenjësit të bektashizmës,kalon në ilegalitet të plotë,përmes trazirash të mëdha,por edhe betejash të mëdha. Miqtë e tij më të mëdhenj,ishin besimtarët e teqeve në Lazarat,Nepravisht dhe Melan.Ata e pritën dhe e përcollën këtë dervish të urtë,gati shenjtor,i cili ndonëse me trup të pakët,askurrë nuk e lëshoi pushkën nga dora.Për më tej,ai u lidh edhe me burra të tjerë të mëdhenj si Skender Muço,Mit’hat Frashëri,Ismail Golemi etj.Fjalëpak,i pjekur në arsyetime,ai do të ishte ndër të parët nacionalistë të Gjirokastrës i cili do të dënonte ballistin Nexho Bejleri i cili pat kryer disa krime në Libohovë.Në biseda me bashkëluftëtarët e vet dervish Rexhepi ka kumtuar kurdoherë se pushka e një nacionalisti shkrep larg,kur ajo i drejtohet armiqve të Shqipërisë dhe jo shqiptarëve të pafajshëm të gënjyer nga ideologjia komuniste.Plot 8 muaj,dervish Rexhepi u end me pushkë në krah,në viset jugore të Shqipërisë,në krye të çetës nacionaliste të tij.Plot 8 muaj,jeta e tij kaloi përmes rreziqesh e brengash të mëdha.Por bashkëluftëtarët e tij,kujtojnë se drita e thellë brenda syve të tij,ajo dritë gati enigmatike,nuk u shua askurrë.Udhërrëfenjësi i shqiptarizmës,përpara çdo luftimi,gati si përshpërim,këndonte këngët e trimërisë,duke bekuar me radhë djemtë e labërisë që i vinin pas.Një ngjizje e çuditshme e atdheut dhe fesë ish farkëtuar në shpirtin e madh të tij.

Në dhjetorin e vitit 1944,atëhrë kur në Gjirokastër,nacionalçlirimtarët nisën të hedhin vallen e zisë së komunizmit,për të parën herë sytë e dervish Rexhepit u përlotën.Duke kapërcyer kufijtë e shtetit amë ai u ish drejtuar bashkëluftëtarëve të vet,duke i thënë se do të largohemi përkohësisht,të organizohemi për të luftuar deri në çastin e fundit,komunizmin.Duke kaluar për në tokat çame,sigurisht ndjen dhimbjen kur sheh teqetë e djegura por ka,kurdoherë besim në frymën e shenjtë të lirisë që ka shpërndarë kudo në botë,Haxhi Bektashi,i pari udhërrëfenjës i bektashizmit. Ishte ende në kampet e refugjatëve në Greqi,kur i vjen lajmi se ishte shpallur në Tiranë si armik dhe qeveria komuniste e kërkonte tanimë si kriminel lufte.Ministri i Drejtësisë Manol Konomi,me cilësinë e tij si kryetar i komisionit Qendror për zbulimin e krimeve i dërgonte komisionit ndërkombëtar në Londër kërkesën për dorëzimin e dervish Rexhepit,me çrast mbi të “vendosnin” një mal me akuza.Ku pas të tjerave për këtë shenjtor thuhej ; “Dervish Rexhepi,organizator i parë i forcave të Ballit Kombëtar në Gjirokastër.Si fetar ky frymëzuar ndjenjat fetare të popullsisë së Gjirokastrës,sidomos në Libohovë,Rrezome,Kardhiq,Lazarat etj,për ti mobilizuar në radhët e Ballit Kombëtar e në bashkëpunim me italianët e gjermanë ka luftuar kundër ushtrisë nacionalçlirimtare”

( Gazeta “ Bashkimi “ më 6 mars 1945 ).Gjithashtu,në hetuesinë e tmershme që ishte bërë nacionalistit tjetër të madh Bahri Omarit,i është kërkuar llogari deri në një,mbi lidhjet e tij me dervish Rexhepin.Por ky burrë i Gjirokastrës,iu përgjegj hetuesve dhe gjykatësve komunist se dervish Rexhepi ish shenjtor dhe emri i tij nuk mund të ndyhej me akuza të tilla.Për më tej,në proces verbalin e gjyqit të Bahri Omarit,në kinema “Kosova” në Tiranë,në marsin e vitit 1945,lidhur me udhërrëfenjësin bektashi shkruhej tekstualisht ; “Qendra e Ballit Kombëtar ka qenë teqeja e Baba Selimit ku ishte shtabi i Bahri Omarit,ku ishte çerdhja e tradhëtisë.Atje dervish Rexhepi mblidhte popullin dhe Bahri Omari përhapte parrullat e tij”.(Gazeta”Bashkimi” 13 mars 1945”,seanca e dhjetë e gjyqit specila ndaj të pandehurit Bari Omari ).

  Në vitet 1945-1952,dervish Rexhepi pasi  le Greqinë dhe Italinë,shkon për disa kohë në Turqi,Siri e mandej në Egjypt.Tashmë ai do ti virej plotësisht studimeve fetare të misticizmës islame e pas gjuhëve të osmanishtes e persishtes të mësuar prej Baba Selimit,përvetsonte edhe ato italaine e arabe.I heshtur nga natyra,studioz ai do të përpiqej gjatë kësaj kohe të përvetsonte në thelb,filozofinë e bektashizmës duke studiuar sidomos rrugën fizike dhe shpirtërore të dishepujve të këtij besimi.Mbas disa kërkesave të herpashershme prej Egjyptit,emigron në Amerikë,toka e “shenjtë” për mijëra shqiptarë.Aty do të pritet me dashuri të madhe prej dhjetra familjeve shqiptare të cilat patën emigruar vite më parë,Xhevat Kallajxhiu e Hysen Butka,Syrja Frashëri dhe Daver Agaj,Qani Prespa dhe Hivzi Husi,Haki Omari dhe Agim Karajgjozi,do të sihin miqtë e parë që hapën dyert e zemrave dhe të shtëpive të tyre për shenjtorin e rrallë.Por dervish Rexhepi nuk donte të jetonte askurrë mes luksit.Duke parë se shqiptarët aty,ndodheshin të përçarë në parti e ide,i bindur në fuqinë e madhe të mistikës bekstashiane,në vitin 1953,ai ndërmerr nismën për të çelur në Detroit,shteti i Miçiganit,teqenë e parë shqiptare në krejt botën perëndimore.Vite më vonë,në kujtimet e veta për çeljen e teqesë do të shkruante pos të tjerave ; “ Kur erdha në Amerikë,unë dëshiroja të bisedoja me hirësinë e tij Fan Noli.I kërkova një audiencë.Në takimin që bëmë i thashë se dy miqtë tuaj,më këshillojnë që të hap një teqe këtu në Amerikë.Unë u thashë se nuk bëjë asnjë veprim pa pyetur hirësinë tuaj.Fan Noli ndenji-ndenji dhe më tha : Edhe unë,të isha si ju,ashtu do bëja… Në këtë moment,njëri nga ata,Jahçja,më thotë :”Baba, a behen bektashinj të krishterët”.Dëgjo këtu,i thashë zotit Jahçe,ne i duam që të gjithë,të krishterë dhe bektashinj,sepse në radhë të parë janë shqiptarë.Kur ka dashur interesi i kombit,të krishterët jo vetëm i kemi konsideruar vëllezër shqiptarë,por i kemi bërë edhe dervishë”.(Baba Rexhepi,”Atdhetar dhe Klerik i nderuar” gazeta “ Për mëmëdhenë” më 13 shtator 1995 ).

Kështu ka marrë udhë ndërtimi i teqesë në Detroit,të Miçiganit,me ndihmat bujare të mjaft shqiptarëve atje,është ble toka dhe filloi ndërtimi i teqesë.Baba Rexhepi ( tashmë këtë gradë e pat marrë në Egjypt) ngase kish njohuri të plota dhe kish vizituar qindra teqe,u rrinte mbi kokë ndërtuesve.Ajo çka të bind për aftësitë shpirtërore të tij,është fakti që për ndërtimin e teqesë në Detroit,kontribuan shqiptarë të gjdo feje e besimi.Madje vetë Fan Noli ka qenë ndër të parët.Me kohë kjo teqe u shëndrrua në një vatër kurdoherë të çelur të bektashizmës dhe shqiptarizmës,ndërsa Baba Rexhepi e vlersonte së tepërmi këtë bashkëjetesë të besimit shpirtërorë me dashurinë për atdheun.Madje jo vetëm shqiptarë por në këtë prehtore të shpirtit,gjenin ngushëllim me qindra amerikanë të cilët i tërhiqte personaliteti dhe njenjtëria e Baba Rexhepit.Një prej këtyre qytetarëve amerikanë,të mahnitur pas shpirtit të Baba Rexhepit,është sigurisht,studjuesja në Universitetin e Miçiganit,Francez Trix, e cila në librin e saj posaçërisht për historikun dhe zhvillimin e bektashizmës,shprehet ; “Baba Rexhepi, e them me plot gojën,është një shenjtor,përsa i përket anës shpirtërore,ndërsa përsa i përket erudicionit të tij,si edhe aftësive pedagogjike,është i niveleve maksimale të pedagogëve të Universiteeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.( Francez Trix, “Spiritual Discourse” faqe 18 ).

  Pikërisht në vitin 1967,atëherë kur në shtetin amë në Shqipëri,komunistët e Tiranës,urdhëruan prishjen e kishave,xhamive apo teqeve,Baba Rexhepi,ky shenjtor i madh,nxitoi të nxirrte në dritë veprën e tij voluminoze,të titulluar “Misticizma Islame dhe Bektashizma”.Ai nxitoi ta nxjerë në dritë këtë vepër,për tu kujtuar shqiptarëve se,së paku teqetë,patën qenë dhe mbeten çerdhe të shqiptarizmës dhe duke u rrafshuar ato,komunistët donin të shkatërronin me dhunë këtë ndjenjë kaq madhore,për ta zavendësuar ate me kancerin komunist.Vepra në fjalë,është fundi i një punë studimore në disa decenie.Baba Rexhepi,ngase zotëronte gjuhët orientale,se pati të vështirë të përkthente pos mesazheve mistike e historike,edhe mijëra vargje të shkruara prej baballarëve apo dervishlerëve,në formën e nefezeve.Përkthimet e tij janë mjaft të lemuar dhe duket se brenda tyre rreth zemra e vet Baba Rexhepit.Ai vizaton me një dashuri të pashembullt figurat e ndritura të bektashizmës,të cilat predikuan veç tolerancë midis besimeve të tjera,duke respektuar së pari,dahsurinë për vendin që të ka rritur.Jo pa qëllim në faqen e parë të këtij libri,Baba Rexhepi ka vendosur një dedikim personal.Ky dedikim është plotësisht kombëtar ngase vetëm një shpirt i madh si ai i Baba Rexhepit mund të kumtonte ; “Klerikëve të të gjitha feve në Shqipëri,që u bënë fli për lirinë dhe pavarsinë e saj,si edhe klerikëve që u torturuan dhe humbën jetën nën terrorin komunist,sepse nuk pranuan të mohojnë idealet e tyre fetare e kombëtare,autori ua kushton këtë vepër me nderm të thellë “.Veprimtaria studiuese dhe krijuese e Baba Rexhepit është tepër e gjërë.Ajo përmbledh mijëra faqe studime,përkthime,traktate të besimit fetar apo kujtime që ende sot nuk po ndriçohen sa duhet,çdo fjalë e përkthyer prej tij,gjen vendin e vet,nën koloritet e gjuhës së pasur shqipe.Në Teqe,mes bashkëkombasve të vet,ai donte të kuvendojë kurdoherë shqip dhe ligështohej kur ndonjë djalë apo vajzë e vogël mezi fliste gjuhën shqipe.Por edhe kur me sy të qortonte,ai dukej se të falte gjdo gabim.Mendoj se është me vend të mbyll këto shënime,me ate entuziazmëm të një natyre të dukshme,të Baba Rexhepit,kur shihte se si po rrëzohej diktatura komuniste në Shqipëri.Ai ndiqte me vëmendje çdo lajm nga Shqipëria dhe nuk nguronte,megjithë moshën e thyer,të thërriste në teqe miq të vetë amerikanë,t’u spjegonte mbi ngjarjet në Shqipëri e t’u kallzonte se bashkëkombasit e vet e kanë urryer për jetë komunizmin.Ai përshëndeti ndër të parët,krijimin e partisë “Balli Kombëtar” në Tiranë pas 55 vjetësh dhe i uroi me telegram ; “Lus zotin për ju dhe ju bekoj për rrugën ku jeni nisur.Ju do të dini të shkoni në gjurmët e shkëlqyera të nacionalistëve shqiptarë !”.

  Në korrikun e vitit 1995,Baba Rexhepi u sëmur rëndë.Shpirti i tij prej shenjtori e kuptoi se po ecte drejt pavdeksisë shpirtërore,ishte plot 94 vjeç.Ka telefonuar në kryegjyshatën bektashiane në Tiranë duke kërkuar nga kryegjyshi botërorë Haxhi Dede Reshat Bardhit që të dërgojë sa ma parë një dervish i cili mund ta zavendësonte,ndërsa miqëve të vet,që i shërbenin,një ditë gushti u ka thënë ; “Kur të vdes,nuk dua ceremoni mortore.Amanet,ate rasën e gurit që kam marrë nga Gjirokastra,të ma vendosni tek koka”.Bashkëkombasit e plotësuan amanetin e shenjtorit të madh.Ata vendosën rrasën e gurit të Gjirokastrës tek koka,por nuk mundin ta mbanin dot valët e lumit njerzor që shpërthyen në homazh të këtij apostulli të bektashizmës.Klerikë,besimtarë,ortodoks,muhamedanë, katolikë e bektashinj,pa pyetur për telegramet e protokolle,nga krejt viset e Amerikës dhe Kanadasë shkuan ti jepnin lamtumirën e fundit apostullit të tyre.Shkuan edhe nga Shqiperia por edhe nga Gjirokastra e tij e dashur.Një popull i tërë përulej më 14 gusht 1995,përpara birit të vet shenjtor.

Bern-Zvicër

Filed Under: Emigracion

AT JOSIF PAPAMIHALI

March 22, 2022 by s p

C:\Users\User\Desktop\PicMonkey-Collage1-620x397.jpg

AT  JOSIF  PAPAMIHALI

(1912 – 1948)

Pergatiti Fritz RADOVANI

“ISHTE  VETEM  36 VJEÇ, KUR  E  MBULUEN  ME  DHÉ  E  BALTË  PËRSËGJALLI !”

Shqipnia ka një sipërfaqe prej 28.000 km. katrorë; një shtet i vogel mu në qendër të Europës, ku mbas Luftës së Dytë Botnore, kur edhe gjyqi i njohun i Nurembergut pothuej i kishte mbyllë proceset kryesore, në Shqipninë e një miljon banorëve të varfën e të rraskapitun, kanë fillue me u krye krimet ma të shëmtueme ndaj Shqiptarëve nga vetë të vetquejtunit “Shqiptarë”. Pushtimi i Shqipnisë nga sllavo – komunistët në vitin 1944 solli në pushtet një grup anadollak fanatikësh, që kanë me kalue edhe sa kohë dhe vështirë se krimet e tyne antinjerzore kanë me mujtë me u harrue. 

Disa herë kam shkrue se mbas asaj kohë që këta terroristë, kanë krye ndaj Don Lazer Shantojës në hetuesi, tue i sharrue kambët e gangrenizueme me sharrë druevari, vjen mbytja barbare nga katilët e pangopun me gjak e Klerikut Elbasanas At Josif Papamihali, ose i njohun nga besimtarët e qyteteve ku ka sherbye me emnin Papa Sifi. 

Ka lé me 23 Shtator 1912, në vitin e Pavarsisë nga osmanët, nё Elbasan, një qytet i vjetër i përmendun për brezni të tana intelektualësh Atdhetarë. 

Tue u interesue per lidhjet e klerit kristjan atje, mujta me gjetë edhe disa të dhana për At Papamihalin, mbasi kishe ndeshë edhe ma perpara në emnin e Këtij Martiri të Madh të Popullit Shqiptar, atëherë kur pata fatin me njohë afer edhe jetën e Imz. Jul Bonattit, me të cilin, At Josifin e ka lidhë puna e madhe e Tyne, që mbetёt një “Kujtesë e përjetëshme për Klerin e ardhshëm Shqiptar: Unifikimi i Besimeve tona Katolike e Ortodokse me frymen e Ungjillit të Shejtë”. At Papamihali u shugurue meshtar me 1 dhjetor 1935, mbasi përfundoi studimet në Kolegjin Papnor Grek në Romë. Erdhi në Atdhé dhe filloi detyrën e vet në qytetin e Elbasanit, ku me një vullnet të veçantë të Klerikut Katolik të rritit bizantin, punon për afrimin e dashninë ndërmjet familjeve tradicionale Elbasanase, aqsa edhe sot, atje kujtohet me dhimbje të madhe Emni i Tij. Fillon me përkushtim restaurimin e Kishave monumentale Ortodokse në Shqipni, tue krye edhe detyrat e Klerikut të pervujtë, që kultura e Tij universale e ban edhe ma të dashtun dhe ma të afruem me popullin e vet. Ai ka shërbye edhe në Korçë dhe në Berat. Kudo ku ka vue kamben Populli i atyne krahinave e kujton me dashuni e respekt.

Një Figurë kaq e kompletueme me virtytet e një Shqiptari që kerkon “Dashninë e Atdhetarëve të Bashkuem nën hirin e Zotit”, nuk kishte si të shpëtonte nga thonjtë jo, vetem, të pergjakun të sigurimit komunist, por edhe fanatikë e anadollakë që e arrestojnë me 31 Tetor 1946, me akuza fallso dhe shpifje, që mbesin deri në fund të pa provueme nga qindresa heroike e Këtij vigani të brumoson me edukaten qytetare Elbasanase. 

Të gjitha perpjekjet e sigurimit bahen me mujtë me e lidhë veprimtarinë e Tij me klerikët Imzot Vinçenc Prennushi, Don Shtjefen Kurti, At Pjeter Meshkalla, Papa Isak, At Palë Dodaj e profesorët e njohun shkodranë Prekë Kaçinari dhe Nikollë Dakaj, me të cilët, pranon vetem “njohje” dhe asgja tjeter, që mund ti perfshinte të gjithë bashkë në nenet e kodit penal “antikatolik” të shtetit terrorist komunist shqiptar. Që “kodi penal” ishte i tillë, e verteton arrestimi i vllajt të vogel të At Papamihalit, me emnin Kostaq, i datlindjes 1919, i pushkatuem në vitin 1952, vetem se “ky është vëlla i armikut të popullit, klerikut të poshtër At Josif Papamihalit” Ndoshta per disa e pabesueshme.(Dosja 4802, Arkiv MPMbrendshme, Tiranё, 1998). 

At Josif Papamihali “per mungesë provash” u dënue nga Gjykata Ushtarake e Korçës, me 5 gusht 1947, “5 vjet heqje lirije dhe punë të “detyruar””.

Edhe pse torturat ishin ma të mnershmet, Ai mujti me i perballue tue mbetë një nga Martirët ma të paster e tё panjollosun në të gjitha shkresat  e dosjet e sigurimit barbar komunist. 

Urrejtja e atyne organeve terroriste nuk do të mbyllej vetem deri këtu, po do të vazhdonte ashtu si me shumë tjerë ma parë! 

Dërgohet në kampin e “punës së detyruar” të Maliqit të Korçës, ose siç, e kanë quejtë Ata, që mujtën me mbijetue në atё vend zhdukje, “kampi i shfarosjes komuniste” i tipit gulagëve të Stalinit, pa i lanё asgja mangut atyne as per nga mundimi e vuejtjet as, per nga mbyllja e mnershme e jetës. 

Atje kanë përballue tmerret e komunizmit gjakatarë vetem Ata, që mujtën mos me u ligshtue shpirtnisht e fizikisht, mbasi “dishprimi dhe vetvrasja” ishin të përditëshme dhe të pashmangëshme. 

Mundi, lodhja, urija, etja, pislleku i parazitëve dhe lidhja për shtyllë e rrahja ma barbare deri në vdekje të njeriut, nga kriminelat ishin të papërshkrueshme nga ata që nuk i kanë pa e provue. 

Njerëzit e pranguem liheshin me dit’ e net të çveshun në piken e acarit të dimnit jashtë në akull, borë e shi pa asnjë mbuloje, të lidhun per trup, kambë e dorë, tek shtyllat e torturave; ka pasë njerëz që nuk u dhanë as ujë me pi derisa kanë mbetë fare pa ndjenja, ndërsa për supen e qelbun me ujë kënete as nuk bahet fjalë, me ditë të tana e besa edhe muej. 

Të gjitha këto unë i di nga i mbijetuemi i atij kampi Paulin P. Prennushi, për të cilin, ma vonë ka shkrue At Zef Pllumbi, mbasi kur e kanë sjellë gati të vdekun në Shkoder dhe kanë shkue në burgun e madh me e takue dy motrat dhe e shoqja e Tij, ato kanë pritë tek hekurat disa minuta kur po e sjellin Paulinin në takim. Ai kishte humbë zanin dhe këto nuk ju pergjegjëshin thirrjeve të mekta të Tij, mbasi në ftyrë as nuk e njihnin edhe pse e kishin para syve të kapun per hekurat e vendit të takimit, në atë burg mizorë. Kështu i ngjau dhe At Josif Papamihalit, që, edhe Ai një ditë vjeshte, nga mundi e lodhja u rrëzue në balten e asaj kënetë të Maliqit, prej ku nuk mujt me u çue ma! Nuk u dënua me vdekje të menjëhershme siç asht pushkatimi, por me vdekje “të ngadaltë” që do të zgjaste jo pak minuta, por pesë vjet!

Ai u akuzue se: “Mbas Çlirimit të Shqipërisë ka vazhduar politikën reaksionare të Vatikanit. Ka bërë takime me elemente reaksionarë me të cilët ka biseduar çështje kundër Pushtetit Popullor si dhe ka bërë mbledhje me krerët katolikë me qëllim për të sabotuar zgjedhjet e dy dhjetorit dhe vendosjen e partisë Demokristiane në Shqipëri. Ka bërë propagandë kundra reformave. Ka punuar kundra interesave të popullit e të Atdheut, duke u subvencionuar me të holla prej agjentëve të UNRRA-s, që të formonte organizata klandestine, si organizata “Demokristiane”.”

Në të vërtetë ajo “zgjati” vetëm rreth një viti. Çdo ditë të vitit “vdiste” nga pak në luftë me ujin, llom e baltë, udhëtimin e mundimshëm, mungesën e ushqimit, të veshjes dhe të gjumit, në atë që u njoh me emrin “Këneta e Vdekjes” siç e emërtoi bashkëvuajtësi i tij në Kënetë, shkrimtari Elbasanas Makensen Bungo, që e ka edhe personazh real në librin e tij me titull “Këneta e Vdekjes”. Frymën e fundit nuk ia morën predhat e pushkëve vrastare, por “predhat vrastare” të duarve të kriminelëve që e mbytën të gjallë në baltën dhe llomin e Kënetës. Po komunizmi “nuk u ngop” me këtë “pushkatim të ngadaltë”. Ata e akuzonin edhe per propaganda në votime se:

Kur klerikët pyeten Imzot Vinçenc Prennushin, nëse ishte mirë të merrnin pjesë në zgjedhje apo jo. Ai u përgjegjë: “Kjo nuk asht aspak e mirë, sepse nuk pajtohet me parimin fetar, mbasi deputetët janë me parime afetare”

Me daten 26 Tetor 1948, në moshen 36 vjeçare, At Papamihali kishte ra perdhé. Policët urdhnuen me e mbulue me dhé e baltë ndërsa, At Josifi, kuptohet, ishte endè gjallë. Një vdekje vertetë e mnershme antinjerzore!

E ndoshta, ashtu i gjallë, i ramë permbys në atë baltë mizore vllavrasëse: 

Ishte Shpirti i Tij i martirizuem qё dëshmoi, se: “Ai mbet i Pavdekshem!”

At Josifi sot asht një Zamak i Perjetshem i Flamurit të Gjergj Kastriotit!

Melbourne, 22 Mars 2022.                      

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2344
  • 2345
  • 2346
  • 2347
  • 2348
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT