• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA-Escobar shprehu mirënjohjen e thellë për qëndrimin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës

March 10, 2022 by s p

PRISHTINË, 10 Mars 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës  dërgoi sot edhe këtë komunikatë nga vizita e ministrit Xhelal Sveçla në Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

Komunikatë për media

Nr. 07/2022

Prishtinë, 10 mars

Ministri Sveçla takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar

Në kuadër të vizitave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri z. Xhelal Sveçla u prit nga Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.

Gjatë këtij takimi ministri Sveçla e falënderoi z. Escobar për rolin e tij në procese të rëndësishme për vendin tonë dhe për ndihmën bujare që i ka dhënë shtetit të Kosovës ndër vite.

Ai gjithashtu theksoi nevojën për të forcuar më tej aleancën me SHBA-në në fushat me interes të përbashkët.

Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për arritjet konkrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme në fushën e luftimit të krimit, korrupsionit dhe terrorizmit dhe nevojën e bashkëpunimit të ngushtë për stabilitet afatgjatë në rajon dhe më gjerë.

Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua edhe për konfliktin ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë dhe qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj të drejtave të popullit ukrainas si dhe gatishmërinë e qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë një partner i besueshëm në sigurimin e paqes dhe stabilitetit.

Ndërsa në anën tjetër z. Escobar shprehu mirënjohjen e thellë për qëndrimin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe garantoi përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së SHBA-së për të mbështetur plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Ai po ashtu falënderoi Kosovën për mbështetjen e saj në strehimin e përkohshëm të qytetarëve afganë si dhe gatishmërinë e treguar nga Qeveria e Kosovës për pranimin e refugjatëve nga Ukraina.

Në fund të takimit të dy u dakorduan që të intensifikojmë edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve drejt sundimit të ligjit në Kosovë, stabilitetit në rajon dhe unitetit për një përfundim paqësor të konfliktit në Ukrainë.

Filed Under: Fejton

Kosovë-Presidentja Osmani takoi Ambasadorin Amerikan, Jeffrey Hovenier

March 10, 2022 by s p

PRISHTINË, 10 Mars 2021-Gazeta DIELLI/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pritur në takim të rregullt ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.

Në takim është diskutuar për zhvillimet në vend, rajon dhe më gjerë nga ndikimet në ekonomi dhe në fushën e sigurisë nga lufta në Ukrainë.

Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në adresimin e pasojave ekonomike nga ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në Kosovë.

Ajo gjithashtu potencoi se mbështetja e Shteteve të Bashkuara është qenësore për thellimin e raporteve dhe bashkëpunimit me NATO-n duke marrë parasysh synimin legjitim të Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e Aleancës veri-atlantike, programit të Partneriteti për Paqe dhe Kartës së Adriatikut.

Filed Under: Ekonomi

Djemtë e Lushnjes

March 10, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Nga gara e 6 marsit për Bashkinë e Lushnjes, vura re një gjë, që kandidatët e djathtë nuk sulmuan njëri-tjetrin. Të paktën me aq informacion sa munda të mbledh. Bën atë fushatën e tyre duke u kërkuar qytetarëve votën me bindjen se do ndryshonin fatin e qytetit. Dhe kishin arsye të mëdha, pasi nga gjoja reformat territoriale apo decentralizimin e pushtetit, Lushnja ka humbur shumë. Gjasat janë që shumë shpejtë të jetë një aneks rrëzë kodrave të Darsisë si për Fierin ashtu edhe për Divjakën. Në kohën e Turqisë ishte një aneks i Beratit. Në kohën e Ahmet Zogut, aneks i Fierit. Në kohën e Enverit, magazinë e të internuarve dhe hambar i drithërave për shtetin shqiptar. Në demokraci, u luhat me ngritje e zbritje, duke përfunduar sot në një aneks personal të sejmenëve të Edi Ramës, si Braçe, Fino (ndjesë pastë), Ruçi, Balla etj. Ka katër deputetë, 3 nga e majta dhe 1 nga e djathta. Ata nga e majta nuk i kemi parë ndonjëherë të bëzajnë në parlament. Janë shembulli i përkryer për të rrëzuar mendimin, atë ankimim kur themi, se si është e mundur që nuk kemi një vendali, një nga qyteti në parlamentin shqiptar. Po gjithmonë na përfaqësojnë njëshat apo dyshat e partive. Ja që Lushnja i ka tre, në qeveri për 9 vjet. Shfaqen vetëm në fushata derë më derë dhe aq. Me përjashtim të rastit kur do promovojmë Enverin etj. Apo të batutave për t’u mbajtur mend. Megjithatë qyteti tkurret madje ka humbur sharmin intelektual për shkak edhe të firove nga pandemia shqiptare e ikjeve masive. Nga ana tjetër, i vetmi investim i një rëndësie për t’u përshëndetur, është ringjallja e resortit të Divjakës apo ruajtjes së frymës bio së kënetës së Karavastasë. Investimet ka qënë vetëm fasada, aq sa sot sheshi tradicional është një mozaik i shëmtuar i angushtisë së hapësirave lushnjare. Korrupsioni e dëmtoi publikisht duke i arrestuar gjysmën e administratës, kryetar e nënkryetarë, të cilët në raport me kolegët e tyre në Durrës apo Elbasan, ja ca milingona fushe që i përkasin asaj kulture, zë një vend për të rrugulluar bythën tënde. Pra ishin kaq arsye madhore që rrotacioni të ndodhte, sa mund të motivonte edhe intelektin e majtë. Por kjo nuk ndodhi. Për rrjedhojë, në bazë të shifrave, i bie të mendojmë se dëmi nuk është rastësor, është pikërisht i qëllimtë. Zë fill nga reformat territoriale, nga marrëveshja Rama-Basha. Zona rurale dominojnë aktualisht mbi Bashkitë e vendit. Kthejeni si të doni, por është tipike strategjia e Erdoganit me reformat e tia, ku sot ai rri në pushtet pikërisht me votat rurale se sa ato të metropolove. Në bazë të shifrave gjithmonë, përçarja e së djathtës sot, rrezikon një dominim total të së majtës edhe për një të ardhme të largët. Madje, madje, siç po shihen bathët, ku Basha nguron si derri i haureve për t’u tërhequr, mund të lindi edhe një pol i tretë. Kësisoj pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme mund të rri akoma tek ai 30%-shi tashmë klasik, me një përjetësim tipik enverist, ku Rama mund ta shpalli veten edhe mbret. Nëse shumë të majtë e shohin si arritje, kjo është rënia më e madhe kombëtare. Megjithatë jemi tek dy djemtë e së djathtës, tek fushata e tyre për të mos bërë të mundur vdekjen e qytetit. Të dy djemtë i përkasin së djathtës. Për më tepër familjeve puro qytetare e tradicionale të qytetit tim. Këtij qyteti që shpesh i ka dhënë udhë deri fatit kombëtar, siç është edhe rasti i kongresit të janarit 1920. Nga ana tjetër dëshmon qartë se sa e distancuar është qëndra nga qytetet. Shumë e shohin të pamundur riunifikimin, por zgjidhja është ty, tek modeli i bazës. Një komunikim xhentëlmensh madje një rigrupim i bazave do e nxjerri jashtë loje qëndrën. Deri sa ata nuk dinë të rigrupohen, merrni në dorë fatet e bindjeve tuaja. Mblidhuni, diskutoni, por jo gjaknxehtë, jo kush ka të drejtë dhe kush jo. Nuk ka kapitull më dobiprurës se sa të mësosh prej humbjes. E djathta sot ka humbur pikërisht për shkak të mos pjesëmarrjes, indiferencës, mos t’ia prish këtij apo atij…, shumë nuk kanë dalë për të votuar. Por edhe janë stepur për shkak të sharmit fisnor, të votoj këtë, më zëmërohet ai, etj. Pra mblidhuni dhe i jepni udhë fatit të qytetit, por veç me votë ama. Jo me mendësinë, bëje për mua. 

Filed Under: Analiza

Kënga për Berdo Berdon në përvjetorin e lindjes

March 10, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Më 26.02.2022 i “arrestuar”  nga dy miq të mi, u ndodha  i paftuar në Dukat, në 54 vjetorin e  lindjes së kryetarit të grupit polifonik “Jehona Labe,” njeriut fisnik me emër e mbiemër të njëjtë: Berdo Berdo. Nga i paftuar u ktheva në kryemik sipas traditës. Jo vetëm se më ulën në krye të tavolinës, ku ishin rreth dyzetë burra por edhe sepse pas gotave të para, më vunë para një alamet bishti zbukuruar sipër me ca brinjë të thekura, që do të mjaftonin për një “ushtri” të tërë. Berdua për të nderuar kryemikun e paftuar u ul pranë meje. Tek e shikoja, nga afër, me një trup mesatar,të shëndetshëm, tepër të fuqishëm, energjik, me kraharorin zbuluar, dukej si një copë shkëmbi i shkëputur nga malet.  Më kujtoi  pasardhësit e denjë të asaj race të pastër shqiptare, që përshkruan Evliha Çelebiu , udhëtar e dijetar i shek. XVII, për krahinën dhe djemtë e Dukatit: “… Ndërmjet Perëndimit e Jugut ndodhet krahina shqiptare e Dukatit me 100 katunde të pashtruar e të pabindur. Banorët e kësaj treve janë kokëzinjë dhe mbajnë feste… Janë ndër burrat më trima të kombit shqiptar…. Trimat e rinjë janë fodullë, vishen me rroba të shkurtëra ( poture dhe tirqe. Shën,im) dhe të ngushta. Për hir të zotit duhet thënë se janë luftëtarë të rreptë.Shumica e tyre lidhin kokën me çallmë të bardhë dhe rrinë me kraharorin zbuluar, që u piqet e rregjet prej rrezeve të diellit… Kanë shëndet të plotë e u shkëlqen lëkura nga ngjyra e kuqe. Përkth.shqip. Faqe 77-78.”  Dikush po thoshte ca fjalë të thjeshta, për Berdon, dhe pas pak shpërtheu kënga labe. Kam qenë jo rrallë në ahengje e ziafete lebrish, po kurrë nuk e kam kuptuar sesi merren vesh kur fillon një këngë. Sapo marrësi ( këngëtari) kudo që të ndodhet fillon këngën, hedhësi dhe kthyesi të hazërtë, gjenden pranë tij. Zërat e grupit pushtuan gjithçka: dëgjohej vetëm kënga dhe isua e zgjatur me një harmoni  të përkryer. Në pushimet midis njërës strofë e tjetrës ka një heshtje të pazakontë dhe sytë e të gjithëve janë te marrësi. Kënga vinte e avashme, shtruar, gati e përvajshme dhe kjo më çuditi pak. “Moj Labëria me derte /Pse e mban kokën mënjanë?/Vetëm fillikate mbete/Mbetën bosh ato divanë.” Epo kjo punë kështu? Sikur kishim ardhur për të festuar?! Vargu “mbetën bosh ato divanë”, kishte një domethënie rrëqethëse. S’dëgjohet zëri i pleqe/Ata burra festebardhë/Mbetën të rralla oxheqe/Rritet bari nëpër shkallë. Barin që rritej nëpër shkallët e shtëpive të braktisura, oxhakët e rrënuar, shkretimin, që mbulon vendin nga mungesa e njeriut e kisha vërejtur këtë verë në disa fshatra. Kënga ecën ende më e përvajshme: Boshatisur ato djepe/ Duarlidhur seç të lanë/Rinia nëpër kurbete/Nga malli gurët u çanë. Gjatë këtyre fjalëve marrësi, kthyesi dhe hedhësi e shndërruan këngën, në një ulërimë dhimbjeje, dhe kujeje. Dola jashtë, kërkova diku një cigare dhe strofën e fundit nuk e dëgjova, veç isos që  ndihej deri jashtë. 

“Pse e hapët me këtë këngë o Berdo?” i thashë kur u ktheva.“Po na ikën djemuria, po mbetet shkretë Labëria. Nuk gjen dot dhëndër për vajzë, si i thonë fjalës. Andaj e morën të parën …”u përgjegj mendueshëm Berdua.  Ndërkaq një këngëtar tjetër me një zë tenori të shkëlqyer ia kishte marrë këngës himariote aq të famshme. “Vajz’ e bukuro’/Pa dil të të shoh/Moj Katina nina nina /vajz’ e dashuro’.” Atmosfera kishte ndryshuar plotësisht. Fytyrat e të pranishme, që disa çaste më parë ishin të ngrysura e të menduara, ndrinin nga kënaqësia dhe dëshira për të festuar. Tashmë isua ishte jo aq e zgjatur, sërish e shtruar por vinte ëmbël e ëmbël; ajo ajdee-deeeeeeeeeee e hedhësit të çonte në lëndinat plot gjelbërim të bregut, ku ka jetuar Katina e famshme dhe  zëri i kthyesit me pasthirrmat oho-oho-ohoho, ku “o”-ja  shpesh shndërrohej në një “ë” hundore, shprehte herë mall e  herë nostalgji. “Syri yt më vret/Zëri yt më tret/ Moj Katina nina-nina / Bukuria vet!” Kënga mbyllet. Të gjithë urojnë marrësin e këngës: Të lumtë goja! Këngë e paç gjithë jetën! Rrëkëllejnë gotat mbushur me atë lëngun e bekuar, duke ngritur shëndete e mirësira pa mbarim. Në anën tjetër një grua bionde, ia mori këngës me një zë të pastër tingëllues. “Njëzetepesë vite/ veç na ke dhuruar/Këngë burrërore/ nga shpirti i kulluar/…” Këtë herë isua e dalë nga dyzetë burra, me një gojë të vetme, buçiti sa dukej sikur do të binte suvaja e thyheshin xhamat e dritareve. Tani filloi koncerti i vërtetë, mendova. Kthej kokën anash dhe shikoj sesi Berdo Berdo, ky burrë i rëndë, kishte sytë gjithë lot dhe as që i fshihte. Po kjo hata? E preka lehtë në në sup. “ Është këngë për mua? E kupton…?” belbëzoi midis lotësh. Në refren përsëriteshin titujt e këngëve, figurat e të cilave ai u dha pavdekësinë me zërin e tij prej baritoni dhe interpretimin e papërsëritshëm: Hamit Guga një pëllëmbë; Çobanët mbi gjeneralë; Del pasha se jam për udhë; Moj Vlorë e bukur në gropë. Ashtu si Osman Taka, që nuk e krijoi vallen e famshme Çamiko, por e intepretoi në mënyrë të tillë sa ajo u quajt Vallja e Osman Takës, edhe këngët e mësipërme, që janë kënduar edhe më parë, quhen sot  “Këngët e Berdos.” Për këtë grupi polifonik “Jehona Labe” i ngriti këngë dhe e uroi: Me këngët e tua, i dhe historisë/Rrofsh sa të do zemra, bir i labërisë. “Ka lezet ta ngrenë këngën në gjallje,”  më tha një i dukatas, “se po vdiq njeriu, s’ka ç’të shohë e ç’të gëzojë!”

Filed Under: Kronike

KOMUNIZMI SI FASHIZMI – PUSHTIMI I UKRAINËS REZULTAT I MOSNDËSHKIMIT TË KRIMEVE TË KOMUNIZMIT

March 10, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

Në një deklaratë të entit të Bashkimit Evropian, “Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane”, (PKNE) me qendër në Pragë, dënohet ashpër agresioni barbar i Federatës Ruse kundër Ukrainës. Agresioni rus, “Është një krim kundër paqës”, thuhet në atë deklaratë. Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjës Europiane që merret me krimet e regjimeve totalitare, ka shprehur solidaritetin e saj me popullin ukrainas, në mbrojtje të vendit të tyre. “Ne dënojmë krimet dhe barbarizmat e luftës për të cilat përgjegjësia e vetme bie mbi Kremlinin dhe mbi Vladimir Putinin, personalisht. Ne besojmë dhe jemi të bindur se është i nevojshëm themelimi i një tribunali për t’u marrë me këto krime”, thuhet ndër të tjera, në deklaratën e entit të Bashkimit Evropian, “Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane”, e cila merret, ndër të tjera edhe me dokumentimin e krimeve të regjimeve totalitare, komunizmit e nazizmit. Sipas PKNE-së, agresionit rus kundër Ukrainës i parapriu një fushatë disa vjeçare disinformacioni ndaj historisë dhe kundër Ukrainës si dhe disa vendeve të tjera të Evropës Lindore dhe Qendrore, si Polonia, Çekia dhe shhtetet baltike, Lituania, Estonia dhe Letonia. “Na vjen shumë keq”, thuhet në deklaratën e “Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane”, se “shoqëritë demokratike nuk i përfillën me kohë këto shënja alarmuese paralajmëruese”, të Rusisë sës Putinit, të cilat i paraprinë agresionit barbar të Rusisë kundër Ukrainës, dy javë më parë. Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjës Evropiane thekson se, “Natyra kriminale e regjimit të Putinit nuk mund të kuptohet pa analizuar rrënjët e (karrierës së) tij sovjetike komuniste dhe të KGB-së”, policisë sekrete të regjimit komunist sovjetik, e cila nën regjimin e Putinit ka ndryshuar vetëm emrin por jo metodat barbare e kriminale të veprimit.Prandaj, jo vetëm Putini duhet të mbahet përgjegjës për pushtimin e Ukrainës dhe për krimet e Rusisë kundër njerëzimit që po bëhen në atë vend nga forcat ushtarake ruse, por edhe vet komunizmi, pjellë e të cilit është Putini, sipas entit evropian të Kujtesës. Ndërsa, Instituti i Kujtesës Kombëtare të Ukrainës, në një letër dërguar organizatave si motra, anë e mbanë Evropës, për t’i informuar ato, fillimisht, mbi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, thuhej: “Ne duam të theksojmë edhe njëherë se lufta e sotëme midis Federatës Ruse dhe Ukrainës është bërë e mundur, kryesisht, sepse krimet e regjimit totalitar komunist sovjetik nuk janë dënuar ashtu siç duhej nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo shihet qartë nga fjalët dhe veprat e presidentit të Federatës Ruse.” Ndërkaq, në retrospektivë, disa analistë evropianë dhe amerikanë po flasin dhe shkruajnë tani se mos ndëshkimi i krimeve të komunizmit në Evropë dhe në botë, pas shembjes së Murit të berlinit, ka bërë që të injoroheshin shënjat paralajamëruese të një tragjedie njerëzore që po zhvillohet aktualisht në Ukrainë, siç po shohim tani në ekranet televizive anë e mbanë botës. Tepër vonë, tani! Megjithë thirrjet e organizatave ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe personaliteteve të njohura botërore — mbrojtës të të drejtave dhe lirive bazë të njeriut, gjatë këtyre 30-viteve ç’rej shembjes së Murit të Berlinit — për një gjyq të llojit Nurenberg që gjykoi dhe dënoi krimet e nazizmit në Evropë pas Luftës së II Botërore – pothuaj asgjë nuk u bë në Evropën post-komuniste për të gjykuar dhe për të dënuar krimet e komunizmit barbar gjysëm shekullor, anë e mbanë Evropës dhe botës.Shumica e vendeve ish-komuniste evropiane, individualisht, kanë dënuar krimet e komunizmit dhe janë përballur deri diku me të kaluarën kriminale të regjimeve të tyre komuniste. Fatkeqësisht, Rusia dhe Shqipëria janë dy nga ish-vendet komuniste që edhe sot vazhdojnë të refuzojnë që të dënojnë zyrtarisht krimet e regjimit komunist dhe të përballen ligjërisht dhe në mënyrë transparente me të kaluarën e tyre komuniste. Një ballafaqim i tillë me të kaluarën e tmershme të komunizmit nevojit një bashkpunim serioz të elitave politike dhe shoqërisë në përgjithësi — me përgjegjësi morale, politike dhe shoqërore, por dhe kombëtare ndaj historisë dhe viktimave të komunizmit. Disa vite më parë, Këshilli për Zhvillimin e Shoqërisë civile dhe të Drejtave të Njeriut në Rusi (nuk jam i sigurt nëse ekziston ende duke marrë parasysh gjpndjen e krijuar në atë vend), në një dokument të përgatitur disa vite më parë në lidhje me të vërtetën e krimeve komuniste, shkruante: “Një udhëheqje me përgjegjësi për të mirën e vendit, nuk mund të rilind duke fshehur – jo vetëm nga bota e jashtme – por edhe nga vetvetja, të vërtetën mbi atë që kombi ynë i ka bërë vetes në shekullin 20. Të fshehurit e të vërtetës mbi të kaluarën komuniste na bën që të mos respektojmë kombin tonë. Pa këtë respekt për kombin tonë, ne nuk mundemi të krijojmë një patriotizëm të vërtetë, gjë që nga ana tjetër, do të thotë se zhvillimi i një demokracie të vërtetë mbetet një dëshirë e pa realizuar”, thuhej në deklaratën e Këshillit për Zhvillimin e Shoqërisë Civile dhe të Drejtave të Njeriut në Rusi.Ndërkaq, sa i përket mospërballimit të Shqipërisë (në një ligë me Rusinë sa i përketë mos-dënimit të krimeve të komunizmit) me krimet komuniste dhe me të kaluarën e saj të errët nën regjimin kriminal të Enver Hoxhës, shkrimtari Ismail Kadare, në një shkrim të ribotuar ditët e fundit në gazetën Telegraf të Tiranës, për aktualitetin që përmban me ditët e sotëme nepër të cilat po kalon bota dhe Shqipëria ka komentuar mbi mos ndëshkimin e krimeve të komunizmit — Ismail Kadare: Krimet e pandëshkuara të komunizmit | Gazeta Telegraf – shkruan: “Historia e emancipimit njerëzor është historia e hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës. Janë sheshet e qyteteve antike, hapësira ku së pari, bashkë me votën e lirë dhe me fjalën e lirë lindi demokracia, dhe jo qilaret e errëta, aq shumë të dashur për kundërshtarët e saj. Është hapja (transparenca) ajo që i vuri krismën në themele, asaj që dukej se nuk do të tundej kurrë, perandorisë komuniste. Me këtë gjendje të frikshme morale, Shqipëria nuk mund të quhet sot një vend i lirë dhe sovran. Në këto kushte, liria, demokracia dhe rendi republikan i saj nuk mund të jenë veçse virtuale. Brezit të ri të shqiptarëve që po hyn në jetë i bie barra historike e njëmendësimit të tyre. Me fjalë të tjera ta rifitojë Shqipërinë”.Kadare ka të drejtë! Shqipëria duhet të dënojë krimet e komunizmit dhe të përballet me të kaluarën komuniste. “Historia e emancipimit njerëzor është historia e hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës”, shkruan Kadare. Kjo thënje, aktualisht, i përshtatet Rusisë dhe Shqipërisë, të cilat ende nuk janë përballur seriozisht me krimet e komunizmit dhe me të kaluarën e regjimeve komuniste. Ndoshta një hapje e tillë, një transparencë në lidhje me të “vërtetën mbi atë që kombi ynë i ka bërë vetes në shekullin 20”, nën regjimin komunist, sipas Këshillit për Zhvillimin e Shoqërisë Civile dhe të Drejtave të Njeriut në Rusi — do të kishte mundësuar themelimin e një shoqërie bazuar vërtetë, në vlerat demokratike dhe mund të mënjanonte nji pushtim barbar të Ukrainës — siç po shohim sot — nga një diktator, ish-punonjës i policisë sekrete komuniste sovjetike. Ndërsa në rastin e Shqipërisë – ende e kategorizuar si “pjesërisht e lirë”, nga orgnaizatat ndërkombëatre të të drejtave të njeriut — ndoshta një shoqëri bazuar në vlerat, vertetë demokratike, do të kishte dënuar me kohë krimet e regjimit të Enver Hoxhës dhe të përballohej seriozisht me të kaluarën e saj komuniste, diçka që ende nuk e ka bërë. Dënimi i gënjeshtrave dhe i krimeve të diktaturës komuniste, si dhe përballimi serioz me të keqen që ishte e kaluara komuniste në Shqipëri, por edhe “promovimi i historisë së hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës”, siç është shprehur Kadare, do të bënte të mundur themelimin e një shteti ligjor, bazuar në të drejtën dhe në të vërtetën historike, që do të çonte, më në fund, edhe në “rifitimin e Shqipërisë”, sipas shkrimtarit të madh shqiptar.76-vjet më parë (4 mars, 1946) Winston Çurçilli ka dhënë alarmin ndaj kërcënimit që paraqiste komunizmi në atë kohë për Evropën dhe për botën: “Nga Stettin në Baltik e deri në Trieste pranë Adriatikut, një perde e hekurt ka zbritur mbi kontinentin (evropian). 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, kërcënimi për të cilin ka parlajmëruar Çurçilli mbetet real dhe aktual. Fotografia që po qarkullon në mediat sociale botërore e një tanku rus i dekoruar me flamurin komunist me drapër e çekan të ish- Bashkimit Sovjetik, që po shkonte drejt qytetit ukrainas Kherson për ta pushtuar, është bërë me të vërtetë një simbol i pashlyeshëm dhe i frikshëm për ata që e kanë parë – por në të njëjtën kohë edhe një simbol i pandëshkueshmërisë së vonuar të krimeve të komunizimit në Evropë, një pandëshkueshmëri që ka bërë të mundur ardhjen në pushtet të ish-oficerit të KGB-së, Vladimir Putin, këtij krimineli që pushtoi Ukrainën paqësore dhe po kërcënon fillim e një Lufte të III Botërore. Si rrjedhim i agresionit rus në Ukrainë, Presidenti i Institutit Kombëtar të Kujtesës i Polonisë, Karol Nawrocki u drejtoi këtë apel ish-vendeve komuniste në lidhje me simbolet komuniste në hapësirat e tyre publike: “Autoritetet ruse po përpiqen të justifikojnë agresionin e tyre në Ukrainë duke përdorur argumente pseudohistorike dhe propagandën e njohur ç’prej periudhës së komunizmit duke glorifikuar traditën imperialiste të Rusisë dhe duke anashkaluar krimet e komunizmit sovjetik. Si rrjedhim, u bëjë thirrje autoriteteve të gjitha vendeve, sidomos atyre vendeve të ish-bllokut komunist që të shlyejnë nga hapësirat publike të gjithë emërat dhe simbolet që u referohen individëve, organizatave, ngjarjeve ose datave të periudhës komuniste.”Sikur bota të dëgjojonte këto thirrje! Vendet ish-komuniste të Evropës, përfshir edhe Shqipërinë, por pa përjashtuar edhe botën perëndimore, po të kishin dënuar gjenocidin dhe krimet e komunizmit kundër njerëzimit me një Nurenberg II, ashtu siç janë dënuar krimet e nazizmit nga Nurenberg I, jam i sigurt se tjera fjalë do fliteshin sot dhe nuk besoj se bota do të gjëndej në prak të një Lufte të III Botërore sepse një ish-komunist dhe oficer i sigurimit famëkeq sovjetik, KGB-së dëshiron të realizojë aspiratat e tija agresive bolshevike kundër një shteti fqinj demokratik e të pavarur. Kështu e filloi edhe Hitleri me pushtimin e Polonisë me 1 Shtator, 1939! A po përsëritet historia!? “Ata që nuk duan të kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar që ta përsëritin”, ka thënë filozofi spanjoll, George Santaya. Frank Shkreli

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2364
  • 2365
  • 2366
  • 2367
  • 2368
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT