• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lufta dhe heroizmi i Adem Jasharit dhe familjes së tij solli fitoren e madhe, shtetin e Kosovës 

March 5, 2022 by s p

Nga Skënder Sadri KAPITI 

Me datë 5, 6 dhe7 Mars 1998 Komandanti legjendar Adem Jashari dhe e gjithë familja e tij luftuan dhe ranë heroikisht për lirinë e Kosovës. 

Kjo ngjarje shënon lavdinë dhe  kthesën e madhe në historinë kombëtare shqiptare, shënon mbështetjen gjithkombëtare dhe atë ndërkombëtare për  mposhtjen dhe kapitullimin e kolonizatorit serb, dëbimin përfundimtar të hordhive barbare serbe nga Kosova që u kurorëzua me Pavarësinë  e Kosovës.

Dhe sot  bota  dhe demokracia po kërcënohen nga barbaria dhe kërcënimi rus, pas shperthimit të Luftës në  Ukrainë. Unë Skënder KAPITI veteran i UÇK -së vendosa ta shkruaj këtë shkrim për të treguar faktin dhe për të sjellë në kujtesën kombetare madhështinë heroike e patriotike të pashëmbullt të popullit heroik të Kosovës i cili mposhti dhe sfidoi për mbi 100 vite barbarinë dhe genocidin sllavo-ruso-serb. 

Shqiptarët e Kosovës janë ata të cilët jo vetëm u braktisën nga Europa në shekullin e 19 dhe 20, por Kosova kishte në atë kohë kundër jo vetëm Serbinë por edhe Rusinë dhe fuqitë e Europës të cilat lejuan dhe miratuan  pushtimin dhe kolonializimin serb të  Kosovës. 

Dhe pavarësisht kësaj shqiptarët e Kosovës qëndruan , sakrifikuan e luftuan për mbijetesë dhe për liri e clirim kombëtar panderprere për 100 vite. Në luftën më të fundit, Kosovës i dolët për zot djemt dhe vajzat e saj në atë që tashmë njihet si Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës të cilën unë e kam quajtur si ngjarjen më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. 

UÇK, Lufta e drejtë e saj për çlirim kombëtar është vepra më heroike e popullit tonë, është UÇK-ja dhe lufta e saj ajo e cila e ndërkombëtarizoi si kurrë më parë Çështjen kombëtare shqiptare në arenën botërore.

UÇK është ajo e cila i detyroi Fuqitë më të Mëdha të Botës, edhe ato të cilat i kishin coptuar padrejtësisht trojet Shqiptare në Vitin 1913, që të mblidhen në një konferencë ndërkombëtare, në atë të Rambujesë, posaçërisht për Çështjen shqiptare; dhe ishte kryesisht Lufta e UÇK-së ajo që mundësoi që për herë të parë në një Konferencë të përmasave të tilla Ndërkombëtare që të jenë pjesmarrës përfaqësues të Kombit shqiptar, Konferencë që ndryshe nga ato të mëparshmet që bënë tragjedinë me shqiptarët dhe me trojet e tyre si ajo e Berlinit dhe e Londrës, kësaj radhe aty ishim të pranishëm edhe Ne shqiptarët, me delegacionin tonë, si dhe aleati ynë i Madh, Fuqia më e Madhe botërore, SHBA.

Ishin vullnetarët e UÇK-së nga të gjitha trojet shqiptare bashkë me ata të cilët vinin me uniforma dhe të organizuar nga Perëndimi dhe diaspora për lirinë e Kosovës, gjë e cila i dha kësaj ushtrie karakterin e një ushtrie gjithëkombëtare shqiptare dhe të një Lufte për çlirim dhe Bashkim kombëtar

UÇK ishte faktori i cili për herë të parë në Historinë tonë Kombëtare bëri të mundur një aleancë ushtarake shqiptaro-perendimore, UÇK-NATO, kundër barbarisë sllavo-serbe për Çlirimin e Kosovës; NATO ishte Aviacioni i UÇK-së, ndërsa UÇK ishte këmbësoria e NATO-s.

Pas faktorit NATO nën drejtimin e SHBA-s, faktori kryesor që mbrojti dhe që ka meritën kryesore për Lirinë, për Pavarësinë dhe për Shtetin e sotëm demokratik të Kosovës është Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këtë mision historik të kryer prej saj tashmë, që njihet edhe botërisht madje, e ka shënuar Historia jonë Kombëtare.
* * *
Sot kur populli ukrainas po lufton heroikisht kundër pushtruesit rus , na vjen në kujtesë vepra dhe qëndresa e jashtëzakonshmne mbinjerezore e popullit heroik të Kosovës, pasi kushtet në të cilat u ngrit në luftë për clirim kombëtar Kosova ishin shumë herë më të vështira se sa Ukraina, pasi Serbia ishte fuqia më e madhe ushtarake në Ballkan dhe një nga më të fortat në Europë, si dhe Serbia  ishte instaluar fuqishëm jo vetëm  ushtarakisht, por edhe  instituicionalisht dhe administrativisht në Kosovë prej 100 vitesh dhe kishte vendosur në Kosovë një regjim kriminal, genocidist e kolonial të pashëmbullt. 

Populli i Kosovës nuk kishte as armë dhe as municione dhe fatkeqësisht ka qenë i izoluar dhe nuk kishte komunikim as me perendimin.Shqiptarët e Kosovës dhe UCK-ja  luftonin me kallashnikove kundër  ushtrisë serbe e cila kishte raketa, tanke, topa  dhe avionë modernë.Populli heroik i Kosovës nuk u mposht por rezistoi dhe fitoi lirinë, pavarësinë dhe shtetin e vet. 

Filed Under: Ekonomi

ANEKSIMI ILEGAL I KRIMESË NGA RUSIA – VITI 2016

March 5, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli

Gadishulli i Krimesë, i cili me bukuritë historike dhe natyrore të veta konsiderohet parajsë turistike, sot është bërë bazë ushtarake ruse, ndërsa njerëzit e këtij rajoni, ekonomia e të cilit varet plotësisht nga Rusia, janë bërë të varfër.    

Kanë kaluar gjashtë vjet nga aneksimi ilegal i Republikës Autonome Ukrainase të Krimesë, të vendosur në bregun e epërm të Detit të Zi. 

Gjatë historisë, gadishulli i Krimesë ka qenë një prej qëllimeve strategjike të Rusisë, ndërsa tartarët e Krimesë që jetojnë në këtë rajon, gjatë historisë kanë qenë të ekspozuar trysnive ruse. 

Gjatë historisë, atdheun e tartarëve të Krimesë, rusët e kanë aneksuar dy herë. Në të dyja herët numri i popullsisë, përkatësisht i tartarëve në këtë rajon, është pakësuar.  

  Tartarët e Krimesë kanë qenë të ekspozuar egzileve dhe migrimeve të dhunshme për shkak të trysnive të kryera gjatë kohës së perandoreshës së Rusisë Katerinës II, pastaj të liderit të Bashkimit Sovjetik, diktatorit Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalin (1879-1953) dhe të kryetarit të përtashëm të Rusisë, tiranit Vlladimir Putin.

Aneksimi i parë në periudhën e Rusisë cariste – Gadishullin e Krimesë, Rusia e ka konsideruar si një copë toke të cilën duhej ta merrnin, për të marrë kontrollin mbi Detin e Zi dhe për të ndërtuar bazë ushtarake kundër shtetit osman të asaj kohe.   

  Për herë të parë rusët e aneksuan kanatin (rajonin) e Krimesë, në vitin 1783. Rusia shkaktoi jostabilitet duke u përzier nga jashtë në politikën e brendshme të Krimesë. Pasi e aneksoi gadishullin, Katerina II lëshoi një deklaratë. Në dokumentin e sipërthënë u theksuan “imperativët” e Rusisë, përkatësisht domosdoshmëria e Rusisë për aneksimin e Krimesë, me arsyetime irracionale siç janë “paaftësia e tartarëve të Krimesë për të jetuar të pavarur” dhe “lidhja me shtetin osman”.  Pas aneksimit, Perandoria Ruse menjëherë e asgjësoi kanatin e Krimesë. Rusët ndoqën politikën e dëbimit të turqve të Krimesë nga rajoni, përkatësisht politikën e rusifikimit të Krimesë.  

Shënim: Kanat – në gjuhën mongole: rajon ose shtet që e administron kani.

*   *   *

Më vonë, Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), me vendimin të nënshkruar më 19 shkurt 1954, Krimenë ia dorëzoi Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës.

Sipas disa historianëve, Krimeja i është dhënë Ukrainës për shkak të “afrisë ekonomike dhe rajonale të Krimesë dhe Ukrainës dhe lidhjeve jetësore dhe kulturore të ngjashme”.

  “Republika autonome” e dalë nga referendumi – Me referendumin të mbajtur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, gadishulli i Krimesë edhe më tutje mbeti si “republikë autonome” e Ukrainës.

ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Rusia, me Memorandumin e Budapestit, të nënshkruar në vitin 1994, e njohën tërësinë e tokave (integritetin territorial) të Ukrainës. 

    Por, në vitin 2014, historia përsëritet. Përkundër memorandumit të Budapestit të  nënshkruar nga Federata Ruse, ajo përsëri filloi të ndjekë politikën e aneksimit të Krimesë.  Populli i Ukrainës doli në rrugë dhe në sheshe për të treguar se dëshironte t’i afrohet Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe jo Rusisë. Kryetari i Ukrainës, me orientim prorus, Viktor Janukoviç, u largua nga vendi.

Rusia e shfrytëzoi situatën e krijuar në Ukrainë dhe i aktivizoi trupat paraushtarake proruse. Këto trupa, bashkë me ushtarët rusë në Sevastopol, i dërgoi në gadishullin e Krimesë, edhe pse kjo ishte një veprim ilegal. Ithtarët e Rusisë që u futën në Kuvendin e Krimesë, kërkuan vendim për referendum për shpalljen e pavarësisë së Krimesë. Atëherë, njësitë e armatosura të forcave speciale ruse të cilët nuk kishin në vete kurrfarë emblemash, të njohur si “njerëz të gjelbër”, morën kontrollin ndaj Kuvendit dhe institucioneve qeveritare të Krimesë. 

Kuvendi i Republikës Autonome të Krimesë, që u tubua më 6 mars 2014 nën hijen e “njerëzve të gjelbër” të armatosur, vendosi të mbajë referendum për ta lidhur Krimenë me Rusinë.

Referendumi i organizuar nën trysni dhe kanosje – Pyetja e referendumit ishte: “A duhet Krimeja të mbetet pjesë e Ukrainës apo të lidhet me Rusinë”. Ndaj vendimit të Kuvendit për mbajtjen e referendumit, reaguan organizatat ndërkombëtare dhe shumë shtete, me paralajmërimin se referendumi nuk do të jetë legjitim. 

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS i OKB-së), disa herë thirri mbledhje, por për shkak të së drejtë së vetos të Rusisë, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk u nxor kurrfarë vendimi.  

Në gadishullin, tanimë nën kontrollin e “njerëzve të gjelbër”, u shtua trysnia mbi ukrainasit dhe mbi tartarët e Krimesë. Popullsia lokale që nuk e donte pushtetin rus, u deportua apo u dëbua nga rajoni. Në të ashtuquajturin referendum të mbajtur më 16 mars 2014, të kundërshtuar nga ukrainasit dhe nga tartarët, u mor vendimi që Krimeja të lidhet me Rusinë.

Kryetari i Rusisë, diktatori Vlladimir Putin, në ceremoninë e mbajtur më 21 mars 2014 në pallatin Kreml, nënshkroi ligjin dhe e miratoi aneksimin ilegal të gadishullit. Sipas këtij farë ligji “Krimeja dhe Sevastopoli do të jenë të lidhura me Rusinë dhe me krijimin e rajoneve federative të reja”. 

Bota nuk e njohu aneksimin – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi projektligjin i cili aneksimin e Krimesë nga Rusia e konsideronte të paligjshëm. Kryetari i Turqisë Rexhep Taip Erdogan porositi në atë kohë se “Turqia nuk e njeh aneksimin e Krimesë”, duke e përsëritur këtë disa herë.  

Shënim: Që atëherë, me tiranin dhe diktatorin Vlladimir Putin, kryetari i Serbisë, krimineli Aleksandar Vuçiq, është takuar 19 (nëntëmbëdhjetë herë). Me Putinin janë takuar shpesh edhe shtetarë të Perëndimit, si ish-kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, e të tjerë. Me Putinin është takuar shumë herë, duke qenë i afërt me të, edhe kryetari i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.   

*   *   *

Në territorin e Krimesë sot, të kontrolluar ilegalisht nga Rusia, popullsia jeton me probleme të mëdha, si materiale ashtu edhe shpirtërore. Në një anë tartarët e Krimesë, myslimanë, në pikëpamje të fesë u janë nënshtruar trysnive të mëdha, njësoj si ujgurët në Kinë. Në anën tjetër, popullsia e Krimesë ballafaqohet me probleme serioze në lëmin e ekonomisë.  

Gadishulli i Krimesë që me bukuritë e veta historike dhe natyrore konsiderohet parajsë turistike, sot është shndërruar në bazë ushtarake të Rusisë. Njerëzit e këtij rajoni i cili kryekëput varet nga Rusia, janë varfëruar.

Në kuadër të politikës së rusifikimit të plotë të rajonit të Krimesë, pjesëtarët rusë të shërbimeve të sigurisë, kryejnë racione nëpër shtëpi, nëpër xhami dhe në shkollat e tartarëve të gadishullit të Krimesë.      

   Gjashtë vjet pas aneksimit ilegal të Krimesë, tartarët të cilët për arsye nga më të ndryshmet iu kundërvunë aneksimit dhe shtypjes nga Rusia, ose janë zhdukur pa gjurmë, ose janë burgosur.  

 Xhelal Zejneli

Filed Under: ESSE

ADEM JASHARI NË KOSOVËN E PASLUFTËS

March 5, 2022 by s p

Nga Jusuf BUXHOVI/

Opinioni kosovar prej kohësh është i mbërthyer brenda kllapave: presidenti historik dhe komandanti legjendar. Realiteti brenda të cilave sot jeton qytetari ynë në vazhdimësi bën trysni mbi ndërgjegjen e tij historike sa epitetet e tilla duken si eufemizma që mbulojnë një gjendje irracionale të jetës shoqërore të këtij aktualiteti tonë. Sa më shumë kohë që shkon dhe sa më shumë që konsolidohet një proces historik gjithnjë e më shumë vjen duke u kristalizuar ndërgjegjja historike, e cila shtron shumë imperativë jo vetëm nga individë dhe grupime shoqërore, por edhe nga qytetari i zakonshëm, të bëjë një ridimensionim të këtij procesi historik. Kush është në të vërtetë komandanti legjendar Adem Jashari në këtë kostelacion të ndryshueshëm mental, cila është përmasa e tij reale dhe vendi në këtë proces historik? Dy janë pozicionet reale: a)Madhështia e sakrificës, dhe b)Roli i tij në formacionet së pari politike e së fundi ushtarake. Adem Jashari, si prijatar i gjithë familjes Jashari, së bashku më të vëllain, Hamzën, për shkak të një sakrifice të jashtëzakonshme, që tejkalon modelin e Oso Kukës, ofron shembullin e sakrificës sublime për një ide, idenë e shtetit të Kosovës dhe lirisë së popullit të Kosovës. Në këtë sakrificë kaq të dhembshme sa është shndërruar në një metaforë që përfshin sakrificën kolektive pa çmim, për një ideal. Përmasa e kësaj sakrifice ka bërë që emri i Adem Jasharit, që nënkupton të gjithë familjen, të marrë një referencialitet jo vetëm politik, por edhe shpirtëror. Nuk është i rastit lindja edhe sloganit të njohur, me rastin e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur: “Bac, u krye!”, e cila më vonë pëson modifikime të ndryshme, por gjithnjë duke ruajtur në thelb atë mesazhin kryesor se sakrifica është me vend apo edhe se ajo po shpërdoret. Mirëpo, esenca e mesazhit mbetet e pandryshuar: ideali për të cilin u bë sakrifica duhet të jetë i përhershëm dhe se është figura e tij duke u mitizuar është ngritur në piedestalin e lirisë prej nga sheh gjithçka dhe që na qorton. Mirëpo, figura e Adem Jasharit, duke qenë se është reale, se ka një histori, e cila ka pësuar transformime të ndryshme, na detyron ta trajtojmë këtë histori të personalitetit brenda një kornize reale aq sa edhe historike. Adem Jashari, Hamzë Jashari dhe e gjithë familja Jashari që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta ka qenë e angazhuar në procesin politik të shtetndërtimit, të cilës i ka prirë LDK-ja. Madje në këtë angazhim shtetndërtues kjo familje është dalluar për seriozitetin e angazhimit, qoftë kur është fjala për organizimet e aktivitetit në nivel politik, por edhe në nivele të tjera, siç është kontributi i Rifat Jasharit rreth Fondit të Republikës së Kosovës, i cili më vonë në mënyrë pezhorative u quajt si “Fondi i Tre përqindëshit”, që realisht i mbante gjallë segmentet kryesore të jetës institucionale në Kosovën e atëhershme. Mirëpo, aktiviteti i tij nuk përmbyllet vetëm në aktivitetet rreth përditshmërisë politike në jetësimin e një projekti ideal, sepse përfundimi i këtij procesi kërkonte edhe angazhime të formave të tjera. U pa qartë se pa një veprim ushtarak nuk mund të jetësohet deri në fund projekti historik i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Me kohë, duke evoluar proceset, edhe lëvizja shqiptare në Kosovë për pavarësi ndryshoi modalitetet e veprimit, duke e hetuar qartazi se pavarësia nuk mund të realizohet vetëm me metoda paqësore. LDK-ja madje që vitet e hershme e kishte të ashtuquajturin planin “B”, domethënë organizimin ushtarak. Opinionit tonë nuk i është shumë e njohur një marrëveshje midis dy shteteve, atij shqiptar me atë kosovar për një bashkëpunim ushtarak, problematikë kjo që shtrohet te vepra “Kosova” në pesë vëllime si dhe në botimin anglisht. Prandaj Adem Jashari është ndër prijatarët e zbatimit të marrëveshjes mes dy presidentëve, Ramiz Alisë dhe dr. Ibrahim Rugovës, për përgatitjen e formacioneve ushtarake dhe shndërrimin e tyre në formacione operative që në rrethana të caktuara do të futen në territorin e Kosovës dhe do të merren me organizimin e luftës në të gjitha nivelet. Të gjithë e dimë përbërjen e formacionit të djemve të rinj që ushtruan në Surrel, midis të cilëve shquhen Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti dhe shume emra të tjerë që me të drejtë trajtohen si nismëtarë të organizmit ushtarak në territorin e Kosovës. Cili ka qenë roli i Adem Jasharit dhe i këtij formacioni ushtarak mbetet që më vonë të trajtohet nga historiografia ushtarake, e cila do të merret me shqyrtimin e strategjive dhe doktrinave ushtarake që do të zbatoheshin në rast të fillimit të luftës në Kosovë, gjë që e cila edhe ndodhi. Mirëpo, një gjë është e qartë: lufta në Kosovë momentin e vet të fillimit e ka në sulmin e policisë dhe ushtrisë serbe mbi familjen Jashari dhe me sakrificën e Jasharajve. Roli i Adem Jasharit në këtë luftë është trajtuar në mënyra të ndryshme. Rënia e tij jo në ditët kur ndodhi sakrifica e madhe, por pak kohë më vonë, filloi të mistifikohet dhe vetë personaliteti i tij të vishet me një vel mistik sa që për një kohë të shkurtër nga realiteti historik kalon në legjendë. E vërteta është se Adem Jashari e filloi luftën, por jo bashkë me formacionet ushtarake, si ato të Labinotit e as të tjera, që u formuan paralelisht, me synimin që ta zënë një hapësirë boshe e krijuar atëherë nga paqartësitë edhe te subjektet tona institucionale, por edhe nga vetë defensiva e faktorit ndërkombëtar në raport me zhvillimet e reja. Në këtë konstelacion figura e Adem Jasharit na del tejet komplekse. Në njërën anë, ai vishet me një vello legjende, duke ia mbyllur një histori të jetës dhe të veprës, dhe në anën tjetër, megjithatë, si personalitet i mistifikuar apo pa këto elemente, ai mbetet një nyje kyçe në zhvillimet ushtarake. Është e vërtetë se ai i ka takuar vetëm një formacioni ushtarak, grupacionit që në vijën institucionale është dërguar të ushtrojë në poligone të ndryshe ushtarake me qëllim që të krijohet një kuadër i përgatitur për ta organizuar dhe zhvilluar një luftë çlirimtare. Si i tillë ai ishte dhe duhej të mbetej një ndërlidhës, personalitet që si pak kush do të mundësonte të lidhej politika me luftën. Dihet mirëfilli për një dhjetëvjeçar është zhvilluar një politikë dhe një proces shtetndërtimi, ku në sipërfaqe ka qenë parimi i politikës pa luftë. Pas disa viteve në sipërfaqe del koncepti tjetër, prapë i çalë, i luftës pa politikë. Këto mangësi sot po i vuan shteti i ri sepse në momentet kyçe të historisë nuk arriti të bëjë një unifikim, një front të përbashkët lufte dhe një përfaqësim politik. Ky vakum, të cilin është përpjekur ta përmbush personaliteti i Adem Jasharit, por që mbeti i parealizuar për shkak të ngjarjeve në të cilat rolin kryesor e pati Adem Jashari dhe familja e tij. Po të përmbushej ky vakum institucional sot as do të kishte nevojë për gjykata speciale e as për status dualiteti të shtetit, sovraniteti i të cilit jo vetëm se është i brishtë, por cenohet në të gjitha mënyrat. Vetëm me Adem Jasharin, si personalitet pa aureolë mitike e legjendare, Kosova do të kishte atë homogjenitetin e domosdoshëm politiko-ushtarak, të cilin nuk e ka dhe për të cilin sot po paguan një tagër të rëndë. Vepra dhe jeta e Adem Jasharit nga pozicioni i sotëm shtron nevojën për një rishqyrtim të pozicionit që domethënë heqjen e aureolave të tymit mbi të dhe kthimin e meritave reale historike. Nëse vitet e nëntëdhjeta, deri në shpërthim të luftës, janë shquar më një homogjenizim nacional para rrezikut të mundshëm të një konflikti më të gjerë që do të pasonte pas dekompozimit të ish federatës jugosllave, me fillimin e luftës ky lloj homogjeniteti ra, u bë fragmentimi i forcave politike dhe i popullatës në përgjithësi, duke e kaluar popullatën nëpër Kalvarin e një përndjekje që e quajtën biblike, periudha e pasluftës kaloi në përpjekjen për monopolizim të institucioneve në fillim parashtetërore e pas shpalljes së pavarësisë edhe shtetërore. Prandaj ky despotizëm që po e karakterizon gjendjen e këtij shteti është pasojë edhe e mjegullimit të rolit të personaliteteve të caktuara që na i dha ajo periudhë e vrullshme. U harrua sakrifica e madhe e Jasharëve, Deliajve, Ahmetajve dhe e Reçakut, që ishte uvertura për një ndërhyrje ushtarake të Perëndimit në emër të shpëtimit të një populli nga gjenocidi. E vërteta është se Adem Jashari dhe familja e tij, bashke me shume familje të tjera të njohura të Kosovës, ranë në emër të shtetit, në emër të përfundimit të një procesi historik të filluar nga shumë breza para nesh për një shtet që dikur quhej Dardani dhe që ishte epiqendër e zhvillimeve botërore. Kështu, Adem Jashari mbetet shembull i sakrifikimit për shtetin. Edhe të gjithë luftëtarët e tjerë që dhanë këtë e vetë e dhanë pikërisht për këtë shtet, që duhet të jetë shenjtëri. Klasa e sotme politike e ka harruar mesazhin e përjetshëm të sakrificës së Jasharëve dhe të familjeve të tjera, duke e shndërruar këtë shtet në një monedhë për kusuritje për shkak të ambicieve vetjake, në një projekt që nuk po i dihet fundi. Me tradhtinë ndaj amanetit të Jasharëve nuk po tradhtohet vetëm mesazhi i një sakrifice, por edhe një investim ndërkombëtar. Miqtë tanë ndërkombëtarë, falë të cilëve na sot e kemi këtë shtet, janë shumë të dëshpëruar me ne, me mungesën e logjikës së shtetformimit, me personalizimin e pushtetit, me monopolizimin e institucioneve. Dhe që të gjitha këto janë larg praktikave demokratike të botës . Ky vend nuk ka nevojë për praktika revolucionare, nuk ka nevojë për ikonografi dhe stoli revolucionare, të cilat nxjerrin në pah një gjë: monopolin mbi të vërtetën e aq më tepër monopolin mbi pushtetin institucional të të gjitha niveleve. Sukseset në jetë nuk maten me disfata po me fitore. Është koha që kjo mendësi sllave të hiqet nga të menduarit tonë për historinë dhe filozofia jonë historike. Ridimensionimi i një procesi historik dhe i figurave përfaqësuese të saj shtron një nevojë të paevitueshme: kthimin e dëshmorëve dhe gjithë atyre që kanë luftuar për shtetin e Kosovës nga prona partiake në pronë të përgjithshme se ata janë personalitete që dolën prej popullit dhe duhet t’i kthehet popullit, të jenë pronë e të gjitha partive e jo instrumente për luftën për pushtet. Vetëm kështu mund të kemi histori reale dhe një të ardhme jokonfliktuale. Herëdokur do t’iu jepet llogari brezave që vijnë për veprimtarinë e sotme. Njeriu e jeton jetën që të dalë faqebardhë para brezave që vijnë.

Filed Under: Emigracion

NË KËTË JAVË TË LUFTËS TË SHKËMBESH LETRA ME NJË UKRAINAS… 

March 4, 2022 by s p

Nga Visar Zhiti

Dear Dmytro Chystiak,

We’ve talked about you, about Ukraine, about the children, about your poetry, we’re keeping you and your loved ones in our pryers…

Ka një javë që ka filluar lufta mes Rusisë dhe Ukrainës dhe unë kam  një javë që i shkruaj një profesori të ri ukrainas në Kiev, është poet, me të cilin jam njohur në Itali, i them që ne ashtu si e gjithë bota jemi të shqetësuar për ju, për Ukrainën, për fëmijët, lutemi që të pushojë lufta, etj, dhe ai më përgjet: 

Dear Visar, thank you so much for your kind words. We are in Kyiv under the air attacks but hoping to survive, pra më falenderon që i shkruaj, është në Kiev nën sulmet e avionëve dhe shpreson të mbijetojë, se e prêt jeta, e presin punët.

Tronditëse dhe e rëndë. Më kujtoi për një çast letrat që dërgonim nga burgu, por nuk kanë të krahasuar, ata janë në luftë, nën bombardime, lidhja me me botën, mund të ndërpritet, ndërkaq tani mund të thonë ç’të duan me guxim, dhe të komunikojnë virtualisht, kurse ne ishim të mbyllur, robër, pa liri dhe s’na lejohej të shkruanim si të donim, por si donte komanda e burgut. Edhe ne ishim të kërcënuar nga vdekjet në minierat e rënda, nga ushtarët me armë në kullat përreth televe me gjëmba, kur kurrsesi nuk ka të krahësuar me luftën. Por burgjet tona ishin sipas atij programi që vinte nga Moska, e cila tani ka nisur ushtrinë e saj të pushtojë Ukrainën. 

Dhe tani me një poet atje ne shkëmbejmë mesazhe, ai më çon pamje nga nata përreth e tij e përflakur nga bombardimet. Jemi njohur në Itali, na bashkoi poezia në qytetin e bukur të Veriut me liqenin parajsor me të njëjtin emër Como, që atij i duket sikur i përket një tjetër jete, kështu me shkruan. Isha me time shoqe, Edën, ishte dhe një tjetër shqiptar mes poetëve nga bota, poeti nga Kosova, Jeton Kelmendi, bisedonim me Dmytro Chystiak dhe me presidenten e festivalit, poeten Laura Garavaglia, bënim plane për shumë poezi mes nesh…

Dhe ka një javë që ka filluar lufta dhe duket sikur ka ndryshuar jo vetëm jetë njerëzish në Ukrainë dhe Rusi, por në të gjithë njerëzimin. Filozofi gjerman  Theodor Adorno tha se pas Aushvicit e si mud mund të shkruash më poezi… Po, për Aushvicin, për Spaçin, për luftën në Ukrainë tani.     

E gjithë bota është e shqetësuar se Ukraina, populli i saj, po luftohet nga shteti ngjitur, Rusia, me delirin stalinist të Bashkimit Sovjetik, të supershtetit  të dikurshëm perandorak komunist. Ukraina po qëndron duke u bombarduar e shkatërruar e djegur, por me dinjitetin njerëzor të atij që nuk do që të bjerë, ka të drejtën e jetës, të lirisë, që ta bëjë si e do populli isaj, pa dëmtuar popuj të tjerë, se shtetet janë si njerëzit, megjithëse Rusia nuk është e gjithë si car Vladimir Putini e përkrahësit e tij. Sa po i dalin kundër?     

Shpesh themi që bota është bërë më e vogël, për të kuptuar që janë shtuar njohjet mes vendeve dhe popujve dhe njerëzve, komunikimi në kohë reale, rrugët drejt njëri-tjetrit, takimet, shpejtësia e tyre marramendëse, të qenit pranë me ndihma, me shpirt, me lutje dhe poezi, pra s’ka si të mos besohet se njerëzorja ka një shtrirje planetare… 

Por bota është bërë e vogël dhe në kuptimin tjetër, ka mbetur e egër në absurdin e saj, e gatshme për mizorira të pabesueshme për shekullin XXI, e vogël në egoizmin e shteteve si të njerëzve të tyre, që edhe pse shtojnë diturinë, mbeten parakë deri dhe në mosmirënjohjen shkatërrimtare ndaj të përditshmes njerëzore, thënë shkurt, në fund të fundit ndaj tjetrit.

U bë java e luftës mes Rusisë euroaziatike dhe Ukrainës evropiane dhe televizionet kanë lajm të parë këtë, deri edhe bisedat e zakonshme në tryezat mes miqsh e ato familjare. Është shqetësimi për të ardhmen e përbashkët. Bota është bërë e vogël. Por Ukraina bombardohet, e sulmon ushtria, që të kujton kryqin e thyer, por të kuq dhe ikin njerëz, dhe nga vendi i sulmuar, për të mbrojtur jetën, por dhe nga vendi që sulmon, intelektualë e qytetarë që nuk e durojnë turpin e të qënit të një vendi vrasës. Shkencëtarë dhe artistë, priftërinj të shumtë të ortodoksisë ruse i shkruajnë letra Putinit, që të heqë dorë nga lufta, nga kjo çmenduri tragjike. Ndërsa në Ukrainë, që nga Presidenti i vendit, e deri te çdo burrë e grua janë mobilizuar të mbrojnë vendin, aty janë dhe artistët, shkrimtarët, balerinë të njohur e deri te vajzat, fituese si mis të bukurisë. Botë moj, mos e vrit bukurinë tënde!

Putin nuk e duron dot afrimin e Natos deri te dera e vendit të tij, kujton dhe një marrëveshje që Nato-ja nuk do të duhej të zgjerohej me vendet e Lindjes ish komuniste, ato të Traktatit të dikurshëm të Varshvës, tani të zhbërë, por më e rëndë është shkelja e sovranitetit të vendeve të tjera, të pavarura, të tradhtosh demokracitë e tyre, kur Nato-ja ka për qëllim dhe mbrojtjen e demokracisë, jo vetëm të anëtarëve të saj, por dhe të popujve që e thërrasin dhe e kërkojnë këtë ndihmë.

Kur Europa po harronte Luftën II Botërore, në Europë po vriten njerëz mes dy shteteve, njëri në rolin e pushtuesit e tjetri të atij që nuk do të pushtohet, që duket sikur duan të afrojnë një luftë të tretë, internacionale, përfundimtare, besohet.

Po vriten njerëz jo vetëm në frontet e luftës, por dhe në rrugë dhe në shtëpitë e tyre, që befas shndërrohen në gërmadha dhe pallatet ndahen përgjysmë e shëmben, ndërsa bodrumeve dhe në metrotë e stërmbushura me njerëz që duan mbrojtje, qan sfida, lindin fëmijë. 

Në shtëpinë e tij në Kiev është dhe Profesori i letërsisë, poeti Dmytro Chystiak, madje nuk lëviz nga tryeza e punës dhe lufta nuk duket se ka një javë që ka filluar, por vite. Edhe shekuj mbase. Brenda njeriut…

Librat i kë venë në dritare, që të mos duket bendësia e shtëpisë, thotë në një intervistë, dhënë një televizioni të Kosovës, linkun e së cilës ma nisi mua. Lufta jonë i ngjan asaj të Kosovës, vazhdon ai, ka po ata heroizma, të fitojmë dhe ne e të bëhemi pjesë e Bashkimin  Evropian. Edhe Kosova është pjese e kulturës evropiane, duhet ta njohë sa më parë shteti i Ukrainës. Ndërkaq shton se ka ndër duar një libër studimor për poezinë shqipe, me shpresë që ta mbarojë, po t’i shpëtojë luftës… Dhe më nis imazhe plot flakë… 

Është ndjellje për mirë, shpresë që në mesazhet që shkëmbejmë me Dmytro Chystiak, ne i kemi dërguar dhe libra njëri-tjetrit, flasim dhe për poezinë dhe unë i kam treguar dhe për meshat në kishën pranë shtëpisë në Chicago, ku vazhdimisht lutemi për Ukrainën, që lufta të ndërpritet sa më parë. Dhe ai beson më shumë në dashurinë njerëzore, kur i them që po përkthej poezi të tij, nga libri “Det në gur”, botuar vitin që shkoi në Itali, është pjesë e luftës për të qenë njerëz, për t’iu gjendur pranë atyre që janë të rrethuar nga lufta dhe shkatërrimi. Natyrisht poezia s’është as bukë e as ilaçe e as gjak e plumba, por poezia është njeriu.

CILI ËSHTË NJERIU DMYTRO CHYSTIAK?

Poet nga Ukraina, prozator i tregimeve të shkurtra, historian i artit dhe i religjionit, kritik letrar, frankofon dhe përkthyes, një fytyrë e pastër rinore, që di të qeshë përzemersiht. Ai është profesor në Universitetin Kombëtar të Kievit, “Taras Shevchenko” (poeti kombëtar i Ukrainës, i përkthyer herët në shqip, shkëlqyer nga Jorgo Blaci, që e çuan burgjeve, më pas diplomat në Rusi). 

Dmitry Chystiak është antar në Qendrën Evropiane të përkthimit letrar në Bruksel, përgjegjës në Shtëpitë botuese ukrainase “Summit-Knyga” dhe franceze “L’Harmattan”. Ka botuar 65 libra, gati dyfishin e moshës së tij, disa prej të cilëve të përkthyer që nga Azerbajxhani pranë, në Belgjikë, Bullgari, Francë, Hungari, Japoni, Maqedoni, Serbi, Moldavi, Rumani dhe Kosovë. Është fitues çmimesh ndërkombëtare. Është dhe Sekretar Ndërkombëtar për Letrat e Akademisë në Universitetin Europian të Shkencave, Arteve dhe Letrave të Parisit. Është emëruar si Kreu i Urdhrit të Arteve të Ukrainës dhe Kalorës i Urdhrit Francez të Palmës akademike.

Dua të them se ka gjithë këto punë. Ç’do lufta në shtëpinë e tij?

Poezia e tij është lirike, e paqtë, ruan dhe format klasike dhe rimën muzikore, ia pashë në origjinal dhe jam mundur të jenë dhe në shqip, ai është trashëgues i traditës së poezisë së vendit të tij, përdorues dhe i vargut të lirë, me imazhe dhe metafora si në poezinë moderne evropiane dhe amerikane. Është i hapur. 

Ja, disa. Nuk janë nga poezitë e kësaj jave lufte, as aq, por më shumë. A është aty parandjenja? Gjithçka ndodh më parë te poetët

DMYTRO CHYSTIAK

10 POEZI

*   *   *

Po të sjell jargavanët e mbrëmjes

Që të vdekurit kishin mbjellë:

Kur shiu i artë do të na bashkojë

Do t’më rrëmbesh me një ëndërr të përflakur

Që do të përziejë çastin dhe do ta ndryshojë

Dhe jargavanët e mi nuk do të kenë më lotë.

*   *   * 

Të ftohtë janë lumenjtë dhe hijet e pemëve Dhe alarmi i erës mbi flatra.

Ti tundesh në gjoks nga kambanat e hershme

Mes syve je tempull përjashta. 

Dhe duart dolën lart mbi ecjen

Dhe Rruga e Qumështit mbi ëndrrën.

Ra kaq shumë shi mbi jetën

Sa qielli dhe toka desh u çmendën.

Gjatë përmbytjes le të kthehen varkat,

Kopshtet rrëzohen në një pikë të ngrirë.

Gjithçka lundron në dashuri si tek fjala

Dhe uji i lartë do na përtërijë.

*   *   *

Kaq shumë duar na mbanin në pranverë,

Por të tuat janë hapur për Pashkë.

Kush e ktheu rrjedhën në humnerë

Dhe tingulli ndrit i dënuar në flakë.

Zëri yt i qetë e ftohu gjakun,

Oferta e rëndësishme e bëri të bukur.

Bisha mes yllësive e kërkon gjahun

Dhe trupi ynë – një rreze e këputur.

Bora bie dhe ç’shtiza vërviten

Dhe tokat shkrihen në ujrat anëve.

Fytyrat dridhen në fjalët që ikën

Dhe lutem në rrjetën e krahëve.

NATA NË VENECIA

Kjo kishë në gjumë mes nxitimeve

Nën erërat kërcënuese, oh!

Në këtë vjeshtë mes shkëlqimeve,

Më puth dhe më mashtro.

Në qiell selvitë fluturojnë

Nën mermer të bardhë gjithë qetësi.

Ëndërroj në qytetin me borë:

Më puth dhe më fshih.

S’je këngë, por jehonë pranvere,

Si vajzat ndrit yllësia e gjerë.

Kur agimi hap krahët prej mjellmë,

Më puth dhe më lerë.

*  *  *

Dritë e agimit do sjellë heshtje.

Ende fle me krahët e hapura,

Fryma gjithnjë e më etëshme

Mes blerimeve të lagura.

Stuhi purpuri janë përqafimet,

Prarime rrushi në dritare,

Fryma e detit në blu hidhet 

Në kufijtë e tu delikate.

Ç’shi do t’na e ndriçojë

Ditën e kuqërremtë erracake.

Përpara se drita të shuhet,

Zëri mbytet në përmbytje balte…

Por nëse dita nuk vjen më

Në kufijtë e tu delikate?

*  *  *

E di që do të mjaftonte gjesti i dorës,

që të zhduken zogjtë fërgëllues

Që pluhurosin me ar shkumën e këtyre ujërave.

Rrugës tënde s’i duhet më jehona,

por nuk di si të të le,

Dhe muri i muzgut lejon

Dritën tënde smerald,

Brigjet hapen në vështrimin tënd,

Pavarësisht psherëtimës së lamtumirës në fjalët e tua

Ndërsa ti i adhuron këta zogj valltarë

Ndjej ngrohtësinë tënde kundër viteve

Që papritmas bërtasin dhe qajnë në brigje,

Por drita jote smerald ende rrjedh

Deri sa ne të kthehemi

Në zogj hijesh dhe floriri mbi lumin ku lindëm.

*  *  *

Mami, ja ku je fundosur në vreshta,

një plagë digjet mbi një plagë tjetër.

Sa shumë pemishte në rrethina,

breshri bie, thyen pasqyrat e bardha,

gjaku blu nuk rrjedh më

nga burimi në kishë.

Fytyrat mavi në netët e vdekura

Dalin si sythat e akullit,

fëmijët shenjohen, flokët e pastër,

puna e rreme e prerjes së gurëve.

Në këtë hënë prej zambaku, ky lot

Duket si shiu, fëmija dhe vesa.

*   *   *

Pret perëndimin e diellit,

po këtu është dielli i korbave

dhe zëri i borës është këtu,

megjithatë kufijtë të lënë të qëndrosh,

kape tingëllimën e qiejve

dhe përndrite kalimin tënd të përulur,

para se të përndriten humnerat.

KAMBANAT E NJË VJESHTE QË ECËN

Për Michel Otten

Ti ecën mbi varre

Dhe zëri i artë i kopshtit

Kumbon për të vdekurit e gjallë:

Guri i varrit të pret me vitin e pagëzimit

dhe e gjithë jeta s’është veçse një rrugë 

drejt gjetheve të vdekura…

Kaloi varret:

shkretëtira të frikës dhe të lojërave

dhe ja, në sytë e tu sërish

është ajo freski e së shkuarës që vjen.

Fëmijë diellorë përshkojnë lumenjtë e fildishtë.

MBI BUZËT TONA BIEN YJE

Përtej fluturimeve, baticave

Kjo heshtje, kjo bardhësi vëllazërore,

Me premtimin e një lumi përjetësie,

Me tmerrin e egër të pamjeve tona:

Kryq na përqafon hardhia e vjetër,

Yjet bien mbi ne, zgjerohet e gjitha.

Nën det qiejsh nga ëndrra në ëndërr

Zërin e saj ka gjetur pemishtja.

Përktheu nga italishtja Visar Zhiti

Filed Under: Analiza

Poezi nga Ismail Gashi Sllovia

March 4, 2022 by s p

Ju mos flisni

Mos flisni për histori

Ju pret shpata e Skënderbeut

Mos flisni për traditën

Dankë i bëni Kanunit të Lekës

Shikoni trojet tona

Vlora e Prekazi ju mallkon

Dëgjoni trimëritë

Ju vret pushka e Azemit

Mos flisni për etninë

Shqetësoni identitetin

Skënderbeun e Adem Jasharin

Krekoseni për vendoshmërinë

Takoni Isa Buletinin

E Mic Sokolin

Kur flisni për dashurinë

Kujtojeni Tanushën

Kur flisni për urrejtjen

Fiket ylli i Idriz Seferit

Kur flisni për bashkim

Humb fama e Lidhjes së Prizrenit

Zbehet Kuvendi i Llezhës.

Gjeneratës sime

Kohës i dola përballë

U shikuam sy më sy

Deri sa gjetëm vetveten

Dhe krijuam jetën

Duke penguar krimin

 Tani formësuam

Tokën

Diellin

Në vetvete

Krijuam jetën

Bredhjet e mia

/ Po largohem nga Ju, të jem me Ju/

Kam bredh

Rrugëve te errëta

Larg diellit

Ku nuk shkel

 këmbë njeriu

Jam  futur si fantazmë

Pa thirr

E pa trokitur

Kam bërë konak

Në stinë

Kam bredh

Rrugëve të padukshme

Kam parë botën

Në njësim

Të ferrparajsës

Kam bredh

kam hyjë

Nëpër damarë të mufatur

Me rrjedhën e dhembjes

Së përgjumët

Në eshtrat e popullit tim

E kam zgjuar atë dhembje

Që më therri me thikë

Dhembja në trajta zgjohet

Pret dorën e krimit

Vritet në prapakthim

E nuk vdes

Dhembja

Ka formën e ashtit

Frymarrjen e shekujve

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2378
  • 2379
  • 2380
  • 2381
  • 2382
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT