
Dr. Mjaftime Dushallari/
Humori është një tipar special i disa njerëzve të vecantë, humoristë, përgjithësisht optimistë nga natyra, që synojnë të bëjnë dëgjuesit për të qeshur duke u përqëndruar në anën më pozitive të jetës apo të ngjarjes që tregojnë. E për këtë duhet sa kulturë, aq edhe inteligjencë. Kështu janë komedianë apo humoristë të mëdhenj botërorë, por edhe mjaft të njohur që na rrethojnë, të cilët kanë aftësinë që të qetësojnë dhe të kënaqin shpirtërisht dëgjuesit duke shkaktuar të qeshur. Për ata që e njohin, Petrit Xhaferi, njeri me natyre serioze, i qetë e fjalëpak, nuk duket se kur bisedon apo flet, i pëlqen dhe ka synim të bëjë dëgjuesit për të qeshur, por në rrëfimin e tij të shkruar, humori vjen shumë natyrshëm. Ai, nuk mendoj se shkruan për të bërë humor apo për të shkaktuar të qeshura. Në rrëfimet e tij të shkurtra si dhe në novelën e re “Medeti”, autori e përdor shumë lirshëm humorin si një mjet artistik shumë efikas, që i jep dorë për të bërë më të gjallë ngjarjen që tregon, për të thyer monotoninë e rrëfimit, për të nxitur kërshërinë e lexuesit si dhe për të krijuar një lidhje më të ngushtë të lexuesit me ngjarjet që rrëfen dhe me karakteret që krijon. Në procesin e krijimit letrar të kësaj novele, shkrimtari Petrit Xhaferi ndihet se ka grumbulluar material jetësor të njohur mirë. Aty duket se e ka ngjyer penën dhe me humorin real apo dhe e ka krijuar mbi atë bazë. Humori qëndron dhe ndihet në cdo element të kësaj novele. Disa herë të bën të qeshësh me dicka absurde, disa herë të bën të hapësh sytë me pikëpamjet e karakterit, disa herë të vësh buzën në gaz me fjalë a shprehje të përdorura, e disa herë, sidomos kur ironizohet, nuk dëshiron as të qeshësh, por të ndjesh dhe të bashkohesh me qëndrimin e autorit. Kur lexon novelën “Medeti”, lexuesi gjendet shumë herë në situata të tilla dhe këtu mendoj se qëndron dhe suksesi i autorit. Duhet theksuar gjithashtu se autori nuk e tepron me masën e humorit. Ai nuk bëhet qëllim më vete i krijimit. Ka faqe të tëra të librit, ku shtjellohen ngjarje të ndryshme të kohës pa humor dhe përsëri ato mbeten interesante. Novela titullohet “Medeti” dhe në qendër të saj është figura e major Medet Karajfilit, që medet halli e hajmedet regjimenti, ushtria dhe vendi për të!!! Ky mendoj se është dhe konceptimi i autorit dhe që këtu nisin notat e humorit që do të shoqërojnë gjithë krijimin deri në kompletimin e karakterit qëndror që është dhe synimi i këtij lloji të prozës së shkurtër. Kjo realizohet përmes një kompozicioni të vecantë të novelës, që edhe pse del pak nga modeli tradicional, e kryen më së miri misionin e vet. Struktura e novelës dhe përdorimi i humorit sidomos në situatë serioze, e bëjnë figurën e Medetit realiste dhe shumëdimensionale. Për të krijuar humor, në novelë krijohen situata humoristike apo komike, ku vendosen personazhet (sidomos Medeti) dhe zbulohen karakteret e tyre. Të tilla janë ato të pritjes së inspektimit, mobilizimi, pastrimet, gatimi… skenat me ushtaret e denuar nga tekat e komandantit, shetitjet ne Tirane, ne Rusi, tek Halimi etj etj. Novela tregon se Petrit Xhaferi ka qenë një vezhgues i vëmendshëm i ngjarjeve reale në sektorin e ushtrisë dhe ka ditur të mbajë qëndrim ndaj problemeve të kohës apo ndaj karakterit të Medetit dhe kategorisë që ai përfaqësonte. Përdorimi me vend i humorit në këto skena të tensionuara për pjesëmarrësit, ul sadopak tensionin e ngjarjeve dhe ndihmon lexuesin të mos rendohet emocionalisht. Ashtu si dhe në rrëfimet e shkurtra te autorit, humori krijohet shumë herë nga situata apo përfundime të papritura. Kur lexuesi ndjek seriozisht rrjedhën e ngjarjeve, autori bën një klik apo një ndërprerje të menjëhershme dhe përfundon në dicka fare të re që shkakton humor. Ndonjëherë e reja, e papritura mund të jetë dhe absurde, por që humori e bën të pranueshme për lexuesin. Kështu ndodh në fund të pjesës “Në gjurmët e një libri”. Ndërsa titulli metaforë të shtyn të mendosh ecjen në gjurmët e ndonjë njeriu të rrezikshem, fundi i kërkimit të përball me një bari me misërnike në dorë që dukej si lypës. Apo tek pjesa “Inspektimi”, ndërkohë që Medeti po djersitej nga ethet e inspektimit të stuhishëm, kolonel Shahini i thotë, “Medet s’ma priste fiqiri që të dilje kaq i miri”. Sensi i humorit në novelën “Medeti” ndihet kudo dhe ai vjen nga burime të ndryshme. Në shumë raste bën humor edhe narratori, që në këtë rast bashkohet me autorin, me fjalët me ngarkesë emocionale që përdor sidomos në përshkrime të ndryshme të karaktereve si atë të major Medetit, kolonel Shahinit apo dhe të ushtarëve të paaftë apo me difekte fizike. Humor dhe të qeshura shkakton dhe fjalori që përdor shpesh Medeti me ushtarët apo dhe vartësit, që herë i quan djem azganë e hazërxhevap e herë i ofendon me shprehjet e tij të preferuara banale. Nga ky qëndrim ai nuk kursen as “kumbullën e tij majhoshe” (të shoqen). Humori në novelën “Medeti” është i brendshëm. Atë e shkaktojnë më së pari të kundërtat që qëndrojnë në themel të këtij krijimi të këndshëm. Major Medeti, “burrë me zgjuarsi natyrale”, ishte i zoti në luftë, por i pazoti për të gjetur nuse. Ai ishte në krye të regjimentit dhe me marifetet e servilizmat e tij pretendonte për më lart, por kishte vetëm pesë klasë shkollë. Medeti ishte një injorant i pagdhëndur dhe thellësisht i indoktrinuar, të cilin autori e vë përballë njerëzve më të ditur, për të zbuluar thelbin e tij të zbrazët. Humori shumë herë lind dhe nga paaftësia e majorit apo dhe kolonelit për të kuptuar veprimet, pikëpamjet, fjalët e fjalimet e tij absurde përballë të vërtetave të jetës dhe evolucionit të saj. Lexuesi I vemendshem, por dhe i zgjuar, qe e njeh realitetin nenqesh me neveri me falsitetin e shprehjeve te ushtarakeve te larte. Opozicioni i dy shtresave, nga njëra anë njerëzit injorantë të përfaqësuar nga major Medeti dhe nga ana tjetër njerëz të shkolluar si Hodua apo Halimi, thellohet gjithnjë e më shumë në faqet e librit dhe arrin kulmin në fundin e pritur dhe të njohur. Medeti dekorohet ndërkohë që për Hodon realizohet arrestimi i planifikuar. Dekorimi i Medetit me medaljen e urdhërit të Skënderbeut është një gjetje shumë e bukur, një ironi e hapur për të krijuar humor tek lexuesi që është njohur më parë me mendimin e tij për këtë “feudal anadollak” (Skënderbeun) që përballej me Baba Stalinin. Ky moment e xhvlerëson plotësisht major Medetin në sytë e lexuesit. Rrëfimi i thjeshtë e i rrjedhshëm, gjuha e pastër e mjaft e saktë dhe dialogu i zhdervjellët i novelës “Medeti”, duke u gërshetuar me humorin pikant e të suksesshëm të autorit, i japin lexuesit një kënaqësi të vecantë dhe i krijojnë imazhe e kujtime që mbeten. Personalisht e lexova me kënaqësi këtë krijim letrar dhe mendoj pa rezerva se novela “Medeti” e shkrimtarit Petrit Xhaferi është një vepër me vlerë që i shtohet prozës shqipe dhe një pasuri në fushën e humorit.



