• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KËRCËNIMET E RUSISË E TË KINËS, LOJA E MADHE E FUQIVE

January 31, 2022 by s p

Nga DANILO TAINO

“Corriere della Sera”, 24 janar 2022    Përktheu: Eugjen Merlika/

Jehonat e luftës në dyert e Evropës nuk janë një zënkë. Kërcënimi që Vladimir Putin po i sjell Ukrainës është një nga çastet historikë që tregojnë se një fazë ka mbaruar e që gjithshka ka ndryshuar. Një kundër rënie e Murit të Berlinit. Ka mbaruar koha e artë e nisur me Vitet Nëntëdhjetë të shekullit të shkuar, në të cilën Kontinenti i Vjetër ka besuar se kundërshtitë nuk do të ishin më, se demokracia do të kishte triumfuar.

Ka besuar se kultura dhe ekonomia do të kishin zotëruar gjeopolitikën e do të kishin fshirë kufijtë. Rusia e sotme paturpësisht na thotë se ndërkaq jemi kthyer në erën e shemërisë ndërmjet fuqive. Është viktimë Evropa, krejtësisht e papregatitur. Nuk është vetëm Moska që na ve përballë realitetit të ri. Mënjanimi me të cilin Kina e Xi Jinpingut po trajton Lituaninë – fajtore se ka hapur në Vilnius një zyrë përfaqësie të Taivanit – është kanarina që paralajmëron rrezikun në një minierë qymyri: shpjegon se si trajton Pekini këdo që nuk është në të njëjtën vijë të synimeve të tij e sqaron se si do të ishte bota, Evropa në krye, nëse Kina do të merrte në dorë zotërimin e tërë Eurazisë. 

Të njëqindmijë ushtarakët e rrjeshtuar nga Moska në kufi me Ukrainën, tankset dhe kërcënimet e mësymjes “tekniko-ushtarake” të shprehura nga Kremlini nuk kanë arsye të qëndrojnë: askush nuk kërcënon Rusinë, askush në këtë çast mendon t’i hapë dyert e NATO-s Kievit, Vëndet e Bashkimit Evropian janë gjithshka tjetër përveç se luftarakë, Shtetet e Bashkuara të Biden-it nuk kanë as vullnetin më të vogël për të hapur një ballë lufte me Rusinë. Kërcënimi Ukrainës nuk është një lëvizje mbrojtëse: është çasti që Putini haptas mendon se ka ardhur koha për të ripohuar se Rusia është një fuqi, mbas tre dhjetëvjeçarësh poshtërimi në vazhdim të shëmbjes së Bashkimit Sovjetik.

Për këtë ka kërkuar të rikrijojë zonat e influencës ruse në kufijtë, në të cilët të mos ketë Vënde të Aleancës Atllantike e të mos jenë rrjeshtuar raketat e NATO-s: shpejt Ukraina dhe Gjeorgjia, të tjerë Vënde kufizues në pritjen nëse veprimi në zhvillim sot i shkon mirë. Është mohimi i shëmbëllesës politike që ka mbizotëruar Evropën në Vitet Nëntëdhjetë: që nuk ka zona të ndikimit e që çdo Vënd ka të drejtë të vendosë për fatin e tij e aleancat e tij. Putini thotë se ajo fazë ka mbaruar.

Kina është më larg, nuk ka çizmet në terrenin kufi me Evropën. Por ka të gjithë qëllimet të pohojë synimet e saj edhe ndërmjet Kombeve të BE. Për drejtuesit e saj është e papranueshme që një Vënd të hapë një zyrë përfaqësie të Taivanit, që Pekini e quan një krahinë të saj kryengritëse e cila duhet risjellë nën kontrollin e saj – e t’a emërtojë pikërisht “të Taivanit”, duke lënë të nënkuptohet se e konsideron ishullin një Komb edhe se nuk e njeh zyrtarisht. Pekini do të mund të protestonte, të vinte në lëvizje diplomacinë. Ndërsa, në rastin e Lituanisë, ka bllokuar eksportimet drejt Kinës; jo vetëm aq, ka kërcënuar të veprojë po ashtu edhe me të gjithë ata që eksportojnë prodhime me përbërës lituanë. Është modeli që Pekini zbaton rregullisht kur synon të “ndëshkojë” ndonjerin: nëse është një qeveri që takon Dalai Lamën, nëse i jepët një Çmim Nobël një kundërshtari kinez, nëse kritikohet shtypja e ujgurëve në Hsinkiang apo në Hongkong e kështu me rradhë. Edhe në këtë rast, jemi në pohimin e politikës së fuqisë.

Konkretisht, kjo do të thotë se me Rusinë e me Kinën nuk mund të shtjellohen çështjet vetëm në termat ekonomikë, kulturorë, shkencorë siç ishte parësore deri pak vite më parë. Moska dhe Pekini mëtojnë të diktojnë rregullat politike. Me Putinin, do të duhej të pranoheshin kërkesat tokësore e të ndikimit, duke filluar me njohjen e bashkëngjitjes së Krimesë më 2014. Me Xi-në duhej të ecej si mbi lëvozhgat e vezëve për të mos ndeshur interesat e vendosura nga Partia komuniste kineze.

Nuk kanë munguar kurrë fërkimet ndërmjet Perëndimit dhe këtyre dy Vëndeve të mëdha. Gjëndja e re qëndron në faktin se tani, Moska e Pekini kanë vendosur të luajnë me rregullat e tyre të fuqisë e duan që bota t’u përshtatet, duke filluar nga heqja dorë prej vetëvendosjes të secilit Vënd. Kanë vendosur të lëvizin në këtë fazë, sepse mendojnë se Perëndimi demokratik është në rënie të pakthyeshme e në pamundësi të kundërshtojë. Në të vërtetë Perëndimi duket i pështjelluar dhe i ndarë. Biden-i ka belbëzuar në mënyrë të pasigurtë në mbrojtje të Ukrainës ndërsa, mbas takimit të Gjenevës të së premtes së shkuar, sekretari i tij i Shtetit Antony Blinken vazhdon bisedimet me bashkëbiseduesin e tij rus, Sergej Lavrovin, për t’u rrekur të shmangë mësymjen e Ukrainës. Mbi çështjen BE luan anash, në fakt i paftuar dhe kryetari i rradhës Emmanuel Makron duket i pabindur për të treguar  një front të bashkuar me Washingtonin. Kundrejt Lituanisë, Vënd antar i Bashkimit Evropian, mbështetja e ortakëve ka qënë e vakët, madje jo zyrtarisht mjaft funksionarë të Brukselit dhe politikanë evropianë kritikojnë atë që ata e quajnë aventurizëm lituan kundrejt Kinës.

Të dyja çështjet së bashku do të shënojnë hapat e mëteishme të Moskës e të Pekinit: që mund të dalin të inkurajuar në politikat e tyre gjithënjë e më shumë pohuese apo të frenuara nga përgjigja perëndimore. Tani për tani, është e sigurtë që kemi hyrë në një stinë të re, në të cilën konfliktet do të jenë të shpeshta, të drejtuar me mjete të ndryshme, të përzierë, në disa raste mizorë. Evropa në këtë çast është pika e rënies e Lojës së Madhe të fuqive.

“Corriere della Sera”, 24 janar 2022    Përktheu: Eugjen Merlika      

Filed Under: Rajon

NJË VATËR E DASHUR DHE E ZJARRTË KOMBËTARE

January 31, 2022 by s p

(Roli i kishës shqiptare “Zoja e Shkodrës për çështjen kombëtare)


Prend Ndoja/


Disa nga ata që nuk u pajtuan me komunizmin në Shqipëri përjetuan vuajtjet më çnjerëzore nën kthetrat dhe egërsinë kriminale të atij regjimi, ose u ekzekutuan pa mëshirë. Ndërsa një pjesë tjetër mori arratinë. Të gjithë e dimë rrezikshmërinë e një akti të tillë. Por atyre u kishte shkuar thika në asht dhe, në momentin e ikjes, përveç vetes së rraskapitur, çdo gjë tjetër e lanë pas, familjen, të afërmit, atdheun. Me vete morën pasigurinë e së ardhmes, por edhe shpresën që lindte sapo kaloje kufirin, peshën e vuajtjeve dhe të mallit, kujtimet e një jete të vështirë, lotët e nënës e të familjarëve. E mbi faqe një pikë lot që nuk e thante lehtë as era e udhëtimit të gjatë.
Hija e zezë komuniste gllabëronte jetë njerëzish, kërkonte krerët e rezistencës, në veçanti i kërkonte krerët e panënshtruar ndonjëherë më parë në trevat e Mirditës. Në Malin e Shenjtë të Mirditës kishte hyrë shpata e djallit të kuq, tronditjet i ngjanin tërmetit të një shkalle të lartë që rrënonte male dhe çante gurët e bjeshkëve; rrëzonte lisa me rrënjë shekullore, që u kishin bërë ballë të gjitha stuhive dhe kohërave të mëparshme.
Ishte viti 1951, kur mbi 200 trupa të forcave komuniste e kishin rrethuar Mirditën. Urdhri ishte dhënë drejtpërdrejt nga kreu komunist, Enver Hoxha, për të likujduar priftin e fshatit, don Zef Oroshin. Për të zbatuar atë urdhër ishte ngarkuar njeriu famëkeq, i ashtuquajturi toger Baba me shokë.
Në atë ditë të rëndë, gjatë ceremonisë së meshës, don Zef Oroshi e kishte nuhatur që jashtë mureve të kishës po e priste vdekja. Për ta shmangur vdekjen, ai e shkurtoi predikimin dhe e mbaroi meshën para kohe. Ndërsa jashtë kriminelët e komunizmit prisnin që ta prangosin apo ta pushkatonin. Por prifti i zgjuar, i ndihmuar edhe nga bashkëfshatarët, doli nëpërmjet një dere sekrete, iku maleve dhe iu bashkëngjit forcave antikomuniste të Mirditës. Pastaj më vonë e kaloi kufirin për në Kosovë e në Itali, për t’u larguar pastaj përfundimisht drejt Amerikës.
Deri në vitin 1969, shqiptarët e besimit katolik në Nju Jork, i zhvillonin lutjet e ceremonitë fetare në kishat katolike amerikane, në lagje të ndryshme të qytetit me rrethinat e tij. Gjatë atij viti, me kujdesin e drejtpërdrejtë dhe me kryesimin e kryemeshtarit mirditas, don Zef Oroshi, themelohet kisha e parë katolike shqiptare në Amerikë, në këtë adresë: 4221 Park Avenue, Bronx, New York. Mesha e parë u celebrua natën e Krishtlindjes, në po të njëjtin vit.
Gjatë viteve `70, udhëtimet nga Shqipëria drejt Amerikës ishin të rralla. Në atë udhë të largët, më shumë kishte udhëtarë nga shqiptarët që jetonin në trevat e Malit të Zi.
Me ardhjen e don Zef Oroshit në Amerikë, lidhja me figura të larta të shtetit të Nju Jorkut filloi të zinte vendin e duhur, që pa dyshim ishte në të mirë të kombit dhe, në veçanti, të komunitetit tonë në qytetin e madh metropolitan amerikan. Prezantimi i popullit tonë në syrin dhe mendjet e vendësve filloi të marrë pamjen e merituar. Gjatë këtyre viteve, përreth kishës “Zoja e Këshillit të mirë”, ishte një komunitet i vogël, por unik, e, pothuajse të gjithë e njihnin njëri – tjetrin.
Themelimi i kishës së parë shqiptare në Amerikë u bë në baza të shëndosha fetare dhe kombëtare. Don Zef Oroshi kishte afërsi vëllazërore me të gjithë vëllezërit dhe motrat e tij të të njëjtit komb, pa marrë parasysh besimin apo rajonin nga vinin. Ngaqë shumë prej tyre e kishin luftuar komunizmin, ata vazhdonin të qëndronin të bashkuar edhe në mërgim. Don Zefi, pas vdekjes së Abaz Kupit, çdo javë, për dy vjet radhazi, lutej në meshën e shenjtë për shpirtin e Abaz Kupit. Gjithashtu lutej edhe për shpirtin e Mit’hat Frashërit. Të shpeshta ishin edhe vizitat që bënte te varri i tyre. Mbi rrasën e varrit të Abaz Kupit ishte gdhendur numri 444, që simbolizonte Kuvendin e Lezhës të vitit 1444.
Në mbledhjen e të hollave për blerjen dhe ndërtimin e kishës, kishin marrë pjesë edhe vëllezërit e besimit islam. Jehona e një vëllazërimi të tillë do të përcillej shumë vite më vonë në Shkodër, në prag të rënies së komunizmit, kur prifti i dalë nga burgu, Simon Jubani, tek kisha e vogël e Varreve të Rrmajit mbajti meshën e parë nën rrethimin e ish-sigurimit të shtetit. Por ai rrethim nuk i pengoi qindra e qindra besimtarë katolikë, myslimanë e ortodoksë të Shkodrës që të shkonin e ta ndiqnin atë meshë. E njëjta gjë ndodhi po në atë qytet pak ditë më vonë kur u bë ceremonia fetare tek xhamia e Plumbit dhe morën pjesë besimtarë të tri besimeve në Shkodër. Xhamia e Plumbit ndodhet pranë kalasë së Rozafatit në hyrje të Shkodrës. Po në faqen e kodrës, mbi të cilën ngrihet kjo kala, ndodhet edhe kisha “Zoja e Shkodrës”. Edhe kjo një dëshmi e vëllazërimit midis besimeve fetare midis shqiptarëve.
Në shumë aspekte, kisha “Zoja e Shkodrës” e Nju Jorkut jepte pamjen e një qendre shqiptare, ku mërgimtarët gjenin një pjesë të atdheut të tyre. Aty organizonin mbrëmje festive, pas diskutimeve që mbaheshin për hallet e tejskajshme të atdheut dhe familjarëve në vendet e tyre. Skenat mbusheshin me simbole kombëtare, muzikë dhe valle shqipe.
Kishën e vizitonin shumë personalitete të larta vendore, si dhe personalitete të kombit tonë, si Nënë Tereza, princ Leka me familjen e tij etj. Në fillim të viteve `60, në Amerikë don Zefi ishte njeriu i afërt i Fan S. Nolit. Shoqata panshqiptare “Vatra”, e themeluar nga Noli, ishte vërtet një vatër që i ngrohte të gjithë shqiptarët dhe i bënte bashkë nën një çati të përbashkët.Gjatë gjithë atyre viteve e deri më tani, ”Vatra” vijoi ta ruante lidhjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Kishën shqiptare.Te ”Vatra” dhe tek gazeta ”Dielli” mbahej gjallë realisht dhe me një vizion të palëkundshëm fryma kombëtare. Aty, kombi dhe bindjet fetare përqafoheshin si engjëj mes vetes. Andaj ”Vatra” dhe Kisha shfaqeshin të përbashkëta në shumë manifestime kombëtare.
Siç e kam theksuar edhe në librin tim “Udhës së mërgimtarit”, mërgimi i atyre viteve ishte i rëndë. Mërgimtarët e pafajshëm ishin të dënuar me peshën e rëndë të mërgimit të asaj kohe. Ata u farkëtuan përmes shkrepëtimave të kohërave të vështira. Në mendjet e tyre rëndonte pesha për vëllezërit dhe motrat e lënë nën kërcënimin e rrezikshëm dhe persekutimin e egër komunist. Shumë nga ata e kishin humbur shpresën se një ditë do të takoheshin me familjet e tyre dhe me atdheun. Në një gjendje të tillë, ata idealisht qëndronin të fortë, nuk u lëkundën nga vuajtja dhe malli. Punonin me ndershmëri për t’u integruar në jetën amerikane, shtrëngoheshin pranë njëri-tjetrit, ndihmonin njëri-tjetrin duke u gjendur pranë në ditë të mira e të vështira. U dhimbte shpirti kur dëgjonin për vuajtjet e vëllezërve dhe motrave të tyre në atdhe. E përqafonin atdheun prej së largu, e, më shumë e urrenin komunizmin si shkaktar vuajtjesh.
Aty nga fundi i viteve ’80, i ftuar nga L. Ndreca, në lokalin e R. Danit në ”Queens”, sëbashku me L.Nokaj, me origjinë nga Laçi, që ishte i ikur nga Shqipëria që në fillimet e para të komunizmit, ishim pjesë në një tubim, ku merrnin pjesë shumë nga luftëtarët dhe udhëheqësit që kishin luftuar kundër komunizmit në Shqipëri. Tek i shikoje, binte në sy guximi i tyre për ta luftuar komunizmin, si dhe respekti ndaj autoritetit të eprorëve të tyre të pranishëm.
Me kalimin e viteve tek njeriut dihet që zemra e humb ritmin e dikurshëm të rinisë, e ndien peshën e viteve të kaluara udhëve në kohë të rënda. Kështu edhe tek don Zef Oroshi, mirditori me zemrën gur, në vitet e pleqërisë ajo ishte bërë si një shpuzë e mbetur pas flakës së rinisë. Një ditë, në vitet e fundit të jetës së tij, ishte mërzitur shumë për dy vëllezërit, motrën dhe Shqipërinë. Ishte duke shëtitur brigjeve të Oqeanit përreth Nju Jorkut. Diku u ndal dhe duke e drejtuar dorën nga jugu, në hapësiren mbi valët e detit, e pyeti shokun që e shoqëronte:-Tomë, a i bie të jetë andej Shqipnia? Dhe një buzëqeshje ia shndriti fytyrën si një rreze dielli, pasi në një moment, iu duk se e afroi më afër vetes Shqipërinë. Por, Shqipëria ishte e paarritshme, ishte e humbur atje larg, përtej oqeanit dhe maleve, në rrethimin e hekurt të diktaturës komuniste. U ndal dhe pas një frymëmarrjeje të thellë, mallkoi armiqtë që ia shkaktuan ato plagë popullit dhe vendit të tij dhe shpërtheu në vaj me zë të madh, duke i përmendur anëtarët e familjes dhe atdheun e tij.
Dr. Monsinjor Zef Oroshi doli në pension në vitin 1985. Në vitin 1973 don Rrok Mirdita kishte ardhur nga Tivari në Amerikë. Nga pozita e ndihmësmeshtarit, që kishte ushtruar për disa vite më parë, kaloi si zëvendësues i plotë i punës së dr. Monsinjor Zef Oroshit. Pak vite pas pensionimit, me një mall sa një oqean për vendlindjen e familjen, don Zef Oroshi kaloi në amshim, më 15.03.1989. Dom Rroku vazhdoi si meshtar i mrekullueshëm, në një bazë të përgatitur mirë nga paraardhësi i tij, dr. Monsinjor Zef Oroshi.
Don Rroku ishte i përkushtuar, që përmes predikimit ta ruajë edhe traditën tonë të krishterë të besimit, që ishte luftuar me mbylljen e kishave nga pushteti komunist. Pra, ta sillte dhe ta kultivonte traditën tonë të vjetër të krishterë në një kontinent të ri. Mbante tubime dhe manifestime me karakter fetar dhe kombëtar. Më 26 shtator të vitit 1989 është blerë toka për ndërtimin e kishës së re “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, New York. Më vonë, kardinali O’Connor e shpalli famullinë e parë katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork. Në simpoziumin që u mbajt për nder të përvjetorit të Pjetër Bogdanit, mori pjesë edhe dr. Ibrahim Rogova, i cili që nga ai moment, ishte vizitor i pandashëm i Kishës katolike shqiptare në Nju Jork sa herë që vinte në SHBA.
Don Rrok Mirdita, më 25.12.1992, në moshën 53 vjeçare u emërua ipeshkëv i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës. Pas shërbimit të suksesshëm në atë detyre fisnike dhe të shenjtë, ai vdiq më 7 dhjetor 2015, në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Me largimin e don Rrok Mirditës nga Nju Jorku për në Shqipëri, vendin e tij e zuri dom Pjeter Popaj, që shumë kohë më parë ishte ndihmësmeshtar në Kishën ”Zoja e Shkodrës”. Don Pjetër Popaj, edhe pse vazhdonte një vizion të së kaluarës, solli me vete frymën e aktualitetit. Ai ishte bekuar nga Nënë Tereza dhe mendoj se është i vetmi shqiptar tek i cili Nënë Tereza kishte ndjerë hirin e Zotit. Ishte ulur në gjunjë, duke ia puthur duart e duke kërkuar bekimin e tij.
Në predikimet e don Pjetrit reflekton thjeshtësia; tonet e ulëta të zërit i fuqizon arsyeja dhe saktësia e fjalës. Horizonti i diturisë së tij ngjan me bibliotekat e mirëpajisura me shkrime e libra, që nga zanafilla e këndej.
Nga ai, shpesh i kam dëgjuar këto fjalë:
-Populli shqiptar ka dhënë mjaft dëshmi se e do Zotin.
-Ka dhënë mjaft dëshmi se e do atdheun.
-Nuk ka shqiptar/e në botë që nuk e do vendlindjen.
-Nuk ka vend në botë të cilit i kushtohen këngë dhe lutje më të mira se sa ato që shqiptarët i kushtojnë dhe i këndojnë vendit të tyre.
-Asnjë tokë në botë nuk mund t’i prodhojë frytet më të mira se sa toka jonë për ne.
-Ne nuk e kemi zgjedhur të jemi shqiptarë, është dhuratë nga Zoti. Të gjithë sëbashku duhet që ta kultivojmë këtë dhuratë.
-Çdo përpjekje për ndarje është kundër dhuratës që Zoti na e dhuroi.
-Asnjë sukses nuk mund të arrihet nëse jemi të ndarë.
-T’i lutemi Zotit, në shenjë falënderimi që e kemi njëri-tjetrin.
Në sallën e Kishës ”Zoja e Shkodrës” mbahen manifestime fetare dhe kombëtare, si dhe tubime për çështje të ndryshme mbarëkombëtare, apo të komunitetit tonë në Nju Jork. Kishën ”Zoja e Shkodrës” mund ta quajmë Kisha Shqiptare – derë e hapur e çdo njeriu që shpreh dëshirën t‘i afrohet kishës dhe kombit. Me organizimin e Kishës shqiptare të Nju Jorkut, janë të shpeshta rastet, kur aty celebrohet mesha e përbashkët nga predikuesit e fesë katolike, islame, ortodokse e bektashinj. Kam marrë pjesë shpesh në celebrimin e meshëve të tilla dhe mund të them se ishte një kënaqësi e madhe, por edhe krenari kombëtare, të shohësh raste të tilla, që prezantonin harmoninë fetare para të gjitha kombeve të tjera. Ky është vërtet një shembull me të cilin mund të krenohemi dhe që e theksoi edhe Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Kur nuk i kishim senatorët tanë dhe imazhit tonë kombëtar i kanosej ndonjë rrezik nga gabimçarët tanë, don Pjetri ishte përballë medieve me fakte bindëse, duke i treguar botës se ne nuk jemi terroristë, apo racistë, siç pretendohej ndonjëherë të paraqiteshin shqiptarët. Mediet kishin filluar me nxitim të jepnin një pamje shumë të dëmshme për imazhin e kombit tonë, por don Pjetri ishte aty me praninë e tij, duke i sqaruar vuajtjet që i kishte përjetuar populli ynë, i shtypur nën sunduesit okupatorë të pamëshirshëm. Ai thoshte: “Si popull, jemi gjithmonë pranë dhe krah i popujve që vijnë nga orgjina e vujtjes dhe e robërisë, sepse të tillë ishim edhe ne, të robëruar. E kështu vijon të jetë akoma një pjesë e kombit tonë. Pra, me një fjalë, nacionalizmi nuk është dukuri që ekziston në bashkësinë tonë kombëtare”.
Mbrojtja dhe krijimi i një atmosfere të tillë rreth Kishës ka ndikim të madh në unitetin e bashkatdhetarëve tanë në Nju Jork. Kisha Shqiptare ”Zoja e Shkodrës” në Nju Jork është një bërthamë e lidhur ngushtë me burimin e të mirave tona kombëtare, e njëkohësisht, përmban rreth vetes të gjallë atë që ne mërgimtarët e lamë pas kur mërguam. Aktivitetet në fushën e kulturës kombëtare janë të panumërta, duke filluar që nga kori i kishës, që ka filluar në gjuhën tonë amtare që në vitet`60 e gjer te ”Rozafati” i sotëm në qendrën ”Nënë Tereza”. Në këtë qendër, përveç përgatitjes së talenteve të reja për përdorimin e instrumenteve tona muzikore kombëtare, përgatiten edhe shfaqje teatrale dhe koncerte të shumta. Për vite me radhë janë mbajtur e vazhdojnë të mbahen festivale të ndryshme për komunitetin e Nju Jorkut, si dhe ato me përmbajtje mbarëkombëtare, ku marrin pjesë artistë nga të gjitha trevat shqiptare.
Në ditët festive, që nga Uashingtoni dhe qendrat më të mëdha, në veçanti Nju Jorku, mbulohen me flamuj shqiptarë. Është nder dhe krenari kur shikon se flamuri ynë kombëtar mbahet në zyrat e senarorëve e presidentëve dhe me dorën e tyre ngrihet lart për festat tona kombëtare. Ky është respekt për kombin tonë, por edhe për komunitetin shqiptar në Amerikë, që është bërë jo vetëm një faktor i rëndësishëm ekonomik, por edhe një faktor bashkimi, një faktor që ka ngritur imazhin e vendit tonë në kontinentin amerikan.
Sot, të thuash që je shqiptar në Nju Jork, pa dyshim që është krenari. Shumë nga kombet e tjera na shikojnë me lakmi për arritjet dhe imazhin e lartë që i kemi dhënë popullit dhe kombit tonë.
Shkollimi dhe emancipimi i hovshëm në të gjitha sferat i shqiptarëve në Amerikë është një arritje e shpejtë e të mirave që koha e sotme na i ofron, gjë që i sherbeu dhe po i shërben kombit tonë.
Nëse politika në trojet tona vazhdon të jetë pengesë e zhvillimit të një jete të begatshme me standarde të kohës, komuniteti shqiptar në Amerikë është derë e hapur për të evitur të keqen. Mendoj se në një të ardhme mund të mbështetemi tek modeli i funksionimit të shtetit të Izraelit, i cili udhëzohet nga kokat e atyre njerëzve të përgatitur dhe të mençur që i kanë në Amerikë.
Roli i Kishës shqiptare ”Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, me punën dhe kontributin e dhënë për bashkatdhetarët e saj, për kombin si dhe për vetë shtetin e Nju Jorkut është një shembull i mirë, është mirësi, është shpresë, është ushqim i pastër për qelizat dhe palcën e kombit tonë.
Prend Ndoja, Long Island Ny

Filed Under: Emigracion

NJË KUJTESË E VOGËL PËR 102 VJETORIN E KONGRESIT TË LUSHNJËS

January 31, 2022 by s p

NGA NDUE  BACAJ

Shtepia-Kongresi-i-Lushnjes

Në foto: shtëpia ku u zhvillua kongresi dhe pjesmarrësit në kongresin e Lushnjes   

102 Vite më parë, me 31 janar 1920 do të mbyllte me sukses punimet Kongresi i Lushnjës.  Ajo mbledhje historike që në e njohim me emrin Kongresi i Lushnjes, kishte filluar me datën 21 janar në  shtepinë e Kase  Fuges,  në qytetin e Lushnjes. Ky kongres do të bënte  të mundur që të rilindë shteti shqiptar. E themi rilindë pasi veçanarisht pas vitit 1914 deri në ketë ditë të vitit 1920 , shteti shqiptar  më shumë ishte një “ënderr” se realitet , dhe Shqiperia qeverisej ende sipas krahinave , klaneve dhe tarafeve… Ku mbi të gjitha spikaste e ashtuquajtura Qeveri e Durrësit nën kryesinë e Esat Pash Toptanit , që u mundua të pengojnë zhvillimin e kongresit të Lushnjes. Në fakt pergatitja e Kongresit të Lushnjes  kishte filluar që një vit më parë , kur ishte krijuar edhe një komision i cili me daten 31 dhjetor 1919 kishte formuluar thirrjen dhe programin që u dergua në të gjitha bashkitë e vendit , duke shpallur  si qellim kryesor  “Sigurimin e Bashkimit Kombëtar”. Në Lushnje vlen të kujtohet se  autoritetet bashkiake , të nënprefekturës dhe komandanti i xhandermarisë ishin në mbeshtetje të kongresit… Kongresi i Lushnjes sipas projektit filloi me daten 21 janar  me praninë e 51 delegatëve thuajse nga të gjitha krahinat e Shqiperisë, dhe perfundoi me 31 janar (1920).. Delegatët e kongresit sipas prefekturave ishin: 

Prefektura Shkodër: Ejup Sabri Bushati, Hoxha Kadri, Mati Logoreci, Ndoc Çoba, Rexhep Shala, Xhemal Naibi. 

Malësia e Gjakovës…: Hasan Batusha, Xhemal bej Bushati.   

Prefektura Dibër: Ahmet Zogu, Dine Dema, Dine Nasuh Maqellara, Ramiz Daçi.  

Prefektura Durrës: Abdi bej Toptani, Irfan Ohri, Mytesim Këlliçi, Rexhep Jella, Shezivar Alltuni, Xhaferr Ypi. 

Prefektura Elbasan: Aqif pashë Elbasani, Adem Gjinishi, Asllan Shahini, Filip Papajani, Kasem Sejdini, Qazim Dyrmishi, Sali Ceka.

Prefektura Korçë: Beqir Rusi, Eshref Frashëri, Ferid Frashëri, Gjokë Ndini Gusho, Idhomen Kosturi, Koço Kota, Sali Butka, Selaudin Blloshmi. 

Prefektura Berat: Bektash Cakrani, Hysen Nikolica, Iliaz Vrioni, Kamber Belishova, Llambi Goxhomani, Llazar Bozo, Spiro Popa, Sheh Ibrahim Karbunara.

Prefektura Vlorë: Dhimitër Qypi, Myqerem Hamzaraj, Qazim Kokoshi, Ymer Ali Radhima.

Prefektura Gjirokastër: Ali Këlcyra, Ali Kumbaro, Arshi Shehu, Dervish Seit Grosha, Kasem Radovicka, Kiço Koçi, Rasim Babameto, Shezai Çomo, Spiro Kosova, Veli Harshova.

Diaspora: Sotir Peçi. 

Është interesant se mbajtjen e kongresit  e perkrahu  Britania e Madhe, dhe e kundershtonte Italia.. Kongresi zgjodhi  kryesinë e vet ; një qeveri emergjence me kryetar Sulejman Delvinen  dhe këshillin e naltë me katër antarë i cili ishte edhe organi më i lartë i shtetit me perbërje : Aqif Pash Biçakçiu , Luigj  Bumçi , Mihal Turtulli  dhe Abdi Toptani. Hyrja e këtij Keshilli të Naltë në Tiranë  me 11 shkurt 1920,  bëri që Tirana (edhe pse “rastesisht”) të filloi jeten si Kryeqytet i Shqiperisë. Autoritetet shtetrore të dalura nga Kongresi i Lushnjes  kishin perpara një seri detyrash të rëndësishme , por mbi të gjitha spikaste ruajtja e tërsisë së trojeve shqiptare (të pakten të atyre të njohura në vitin 1913), që konsistonte në dy fronte : Në frontin diplomatik që kishte filluar me konferencen e paqës në Paris , dhe në frontin e luftës per çlirimin dhe mbrojtjen e disa krahinave të Shqiperisë (nga jugu  në veri ), nga  pushtuesit Italian (Lufta e Vlorës), shovenet  grek dhe serbo-malazezet fqinjë. Një nga organizimet ushtarake në mbrojtje të trojeve shqiptare , dhe të drejtuara nga kjo qeveri mbarë-kombëtare ka qënë edhe lufta  mbrojtese e Shkodrës, Malesisë e më gjërë nga shovenet Serbo-Malazez që në histori njihet si “LUFTA E KOPLIKUT”…në organizimin e të cilës kishin marrë pjesë edhe ministri i Brendeshem i qeverisë së dalur nga kongresi i Lushnjes Ahmet Zogu me patriotin Bajram Begu (Curri) etjerë… Si dhe luftën e Dibrës kundër ushtrive serbe. Kjo “inisiativë” e qeverisë të dalur nga Kongresi i Lushnjes vuri para faktit të kryer , konferencen e Parisit , e cila duke  parë vullnetin dhe organizimin ushtarak të Shqiptarëve me në krye malësorët e shkodranët e më gjërë (falë edhe presidentit të SHBA Uillson…) u detyrua të mos zbatojnë vendimet famëkqia të traktatit të fshehtë të Londrës  (prill 1915) , si dhe rekomandimet e mashtrimet  ogurzeza të fuqive europiane me “kokë  të perdredhur” nga Moska.. Pra me një “fjalë” Kongresi i Lushnjes çimentoj në perjetësi themelet e kollonave vertebrale të “ngrehines” që sot e quajmë Shqiperia “londineze”, ndersa nesër me të drejten e Zotit Shqiperia Etnike , ose per ata që ende “tremben” Shqiperia Natyrale… Këtë mendim ma forcon edhe vetë Europa e “re”, BE-ja , që ka në themel bashkimin e jo ndarjen…

Shqipëri, me 31 janar 2022

Filed Under: Kronike

Shqiptarët “pushtojnë” Spanjën

January 31, 2022 by s p

Vedat Muriqi of SS Lazioin action during the Serie A football match between SS Lazio and Cagliari Calcio at Olimpico stadium in Rome Italy, February 7th, 2021. Photo Andrea Staccioli / Insidefoto andreaxstaccioli

Përgatiti:Albano Kolonjari/


“Granada” 3.5 milion eurosh e Myrto Uzunit. Mallorca “teston” Vedat Muriqin.
Sulmuesi kuqezi Myrto Uzuni do të luajë në La Liga për skuadrën e Granada-s. Lajmin e bëjnë të ditur gazetat sportive spanjolle. Sipas tyre:” Granada ka firmosur me Uzunin. Rojiblancos do të paguajnë 3.5 milionë për këtë sulmues të dytë dhe ka nënshkruar për katër sezone. Si zakonisht, Granada di të godasë në ditën përfundimit të merkatos së dimrit. Këtë fundjavë ata sollën shqiptarin Myrto Uzuni në Granadanjë, një futbollist që luan në futbollin hungarez me Ferencvaros. 26 vjecari shqiptar luan edhe si anësor edhe si sulmues i dytë. Garanada do ta zyrtarizojë blerjen e saj këtë të hënë. Asgjë nuk ishte publikuar derisa një gazetar sportiv pa sulmuesin kuqezi pranë zyrave të klubit Granada”. Sipas gazetave spanjolle:”Në moshën 26-vjeçare, Uzuni është zgjedhje e parë në radhët e kombëtares kuqezi. Në këtë sezon ka shënuar 23 gola, 7 gola në kampionat, 8 në Kupë në 2 ndeshje, 4 në Ligën e Kampioneve dhe 2 në Ligën e Europës”. Transferimit e Uzunit ne La liga i kanë bërë jehonë dhe gazetat hungareze. “Nuk do të ishte befasi. Uzuni u paraqit mjaft mirë te jeshilët kur shënoi 36 gola në 67 ndeshje dhe patjeter që kjo do të binte në sy të skuadrave dhe ligave më të forta. ” Po sipas hungarezeve:”Lojtari i transferuar konsiderohej si një nga lojtarët më të mirë të ekipit të tij dhe sipas Transfermarkt, vlera e tij në treg ka arritur së fundmi tre milionë e gjysmë euro, por ka mundësi që ekipi i kampionatit hungarez të mund të fitonte shumë më tepër se kaq”. Në këtë transferim i fituar ka dalë klubi i Ferencvarosh, i cili bleu Uzunin në merkaton verore të vitit 2020 nga Likomotiva e Zagrebit për 1.8 milion euro dhe e shiti në janarin e 2021 për 3.5 milion euro.

LAZIO “gjen shtëpi” për Vedat Murriqin. Sulmuesi kosovar do të luajë për Mallorcan.
Sulmuesi i Lazios, Vedat Muriqi ka mbërritur në Spanjë për të përfunduar transferimin e tij te Real Mallorca, në formë huazimi me opsion blerjeje për një total prej 13 milionë euro. Ai pritet të luajë me huazim për gjashtë muaj me një kosto prej 1 milion €, dhe me një opsion për të blerë për 12 milion € të tjera në fund të periudhës së huazimit. Tek Real Mallorca, Muriqi do të marrë pagën e plotë për gjatë qëndrimit të tij në kete klub. Ai raportohet se tashmë është në Spanjë për testet mjekësore dhe për të nënshkruar kontratën përpara prezantimit zyrtar të nesërm në media. 27-vjeçari kosovar u transferua nga Fenerbahce në shtator të vitit 2020 për 20 milionë euro, por është e sigurt të thuhet se ai nuk pati shkëlqim në Stadio Olimpico. Muriqi shënoi vetëm dy gola në 49 paraqitje konkurruese me fanellën e Lazios dhe kuriozisht që të dy ishin kundër Atalantës gjatë sezonit 2020-21 në Serie A dhe çerekfinalen e Coppa Italia. “Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe se mezi pres të takojë shokët e rinj dhe trajnerin”, shkruan Muriqi në Twitter. Sulmuesi i Lazios, Vedat Muriqi, e ka refuzoi ofertat e ardhura nga klubi francez Saint-Etienne por edhe klubin CSKA e Moskës

Filed Under: Sport

SAKRIFICE QE SJELL BASHKIMIN, PER TE FITUAR AMERIKEN ME TE MIRAT E SAJ

January 31, 2022 by s p

Nga: Tajar DOMI/


U bashkuam dhe shijuam një darkë shumë të këndëshme para pak ditësh tek Restauranti “ Il Fiore“ në Nju Xhersi që është pronë e vëllezerve Jashar e Hekuran Daku, një ambjent dhe ushqim që pak ka të krahasueshem. Djali më Iivogël i shokut tonë Hysë Hasa , Sokoli , na ftoi të ishim së bashku këtë mbrëmje me zoterinjtë Bujar Gjoka, Eqerem Murataj dhe unë. Sigurisht, nuk kishte si të mungonte vetë z. Hysë. Në këtë periudhë të vështirë nga shumë anë, askush nuk të duket si më parë. Por pa e kuptuar që edhe vetë mund të dukesh apo të jesh disi i c’orientuar. E në këto rrethana të krijuara vecanërisht si efekt i pandemisë covid-19, ftesa të tilla janë të rralla por shumë të mirëpritura. Prandaj të gjithe ishim plot humor e dashamirësi në bisedat që shoqëruan orët e qëndrimit aty. Hysa, i cili në komunitet si dhe në vendlindje tashmë është i njohur si një intelektual që ka marrë përsiper të evidentojë sa më shumë vlera njerëzore, intelektuale, shkencore e histori kryesisht të Kukesit e kuksianeve, por edhe më gjerë, nepërmjet librave të tij me mbi 10 mijë faqe, nuk ka harruar të marrë me vete njerin prej këtyre librave për t’ja dhuruar nënës të Jasharit e Hekuranit, ku është shkruar edhe për djemtë e vëllezërit e saj. Vëllezërit Daku e pranuan me kënaqësi duke e falenderuar e uruar mikun tonë edhe në emer të nënës së tyre. Kështu, biseda jonë kishte filluar, menjëherë pasi Hysa e Sokoli na uruan mirëseardhjen. Unë, tha Sokoli, kam më shumë se 7 vite këtu në Amerike dhe prej asaj kohe kam punuar e jam shkolluar. Por punën në profesionin tim si inxhinier mekanik që nga Shqiperia, kam rreth një muaj që e kam filluar. U intervistova dhe u pranova në një kompani të madhe të prodhimeve farmaceutike, ku punon edhe kryetari ynë i nderuar z. Bujar në një pozicion të rëndesishëm menaxhues. Unë jam i sigurtë se emri i tij ka qenë mbeshtetës i fuqishëm për të fituar kêtë vend pune, prandaj edhe dua ta falenderoj e ti uroj sukses të mëtejshëm në punën e tij. Bashkë me babën Hysë, deshëm ta ndajmë këtë gëzim dhe hap timin në punësim, me ju si miq e shokë të afërt. Mund të ishim edhe më shumë të tjerë, por situata nuk na lejoi. Ndërsa Sokoli fliste, unë ktheja mendimet pas duke sjellë në kujtesë kohën kur ai erdhi nga Tirana në Filadelfia në vitin 2014, tek prindërit me një vizë turistike bashkë me të shoqen, ekonomisten Erina. Sokoli kishte mbaruar Universitetin Politeknik në Tirane për inxhinieri Mekanike në vitin 2010 dhe punoi në profesion për rreth 3 vite në Bazen e Transportit të Ushtrise në Tirane. U regjistrua këtu në Filadelfia në një kolegj , fillimisht në CCP kolegj ku mori klasat detyruese të gjuhës angleze e pas këtyre në vitet që pasonin studioi edhe në Temple University për Menaxhim- Bisnes. Pagoi për të gjitha vitet që ndoqi këto studime shuma të konsiderueshme , pasi të gjithë e dimë se cfarë kostoje kanë kolegjet në Amerike, vecanërisht për ata që nuk janë resident. Ndoshta, për arësye të kushteve ekonomike që kishte si familje, nuk do ta kishte bërë gjithë këtë sakrificë, por Amerika është e dashur për tu banuar e jetuar. Prandaj Sokoli gjatë gjithë këtyre viteve, ishte i detyruar të ndiqte këtë rrugë si mundësia më e shpejtë për tu bërë banor i ligjshëm në Amerike. E më në fund kjo ditë erdhi, dhe që nga muaji Shkurt 2020 Sokoli, Erina, vajza 8 vjecare Irisi dhe djali 4 vjecar Henri, janë të paisur me Green Card si resident të përhershëm në Amerike. Për të përballuar nevojat financiare, ai nuk ju nda punës duke punuar kryesisht në restaurante , ndertim etj. Shume shpejt, në gjurmet e babës tij, ai u angazhua në komunitet dhe kontriboi për katër vite si antar i kryesisë të shoqatës “Bijte e Shqipes”. Dhe ja erdhi rasti që shoqata nëpërmjet kryetarit të saj, të bëhet mbështetëse për një fillim pune. Urime ing. Sokoli! Duke vazhduar bisedën në tavolinë, e pyesim Bujarin në se janë shtuar shqiptarët në kompaninë tuaj International Vitamin Coorporation ( IVC ) këtu në Filadelfia . Ai fillon e tregon: Shqiptarët tashmë përfaqesojnë një pjesë të rëndësishme të të punësuarve në kompani. Sigurisht që pëlqimi dhe marrja në punë e të rinjve nga drejtuesit, përvec aftësive e shkollimit duhet të shoqërohet edhe me njohjen e mbështetjen e dikujt që të njeh, nga brenda ndermarrjes. Dhe për fat të mirë, të punësuarit shqiptar të mëhershëm këtu kanë qenë “dorë lëshuar” në mbështetjen e më të rinjve nga komuniteti. Eshtë një qendrim i duhur ky nga Arturo Mucaj, Maqo Poreci, Luan Hysenbelliu, Teuta Rrokaj, Gjoke Pellumbaj, Alket Dede, Leonidha Shella etj , të cilët nëpërmjet punës kanë afirmuar aftesitë profesionale, sjelljen e korektesën e tyre, duke u bërë një zë i mirë e referues për më te rinjtë e këtyre dy viteve si: Tauland Prifti, Romelda Cela , Elvira Roci, Telo Beluli , Fitim Hamza , Ylber Feruku, Elvira Hoxha, Sokol Hasa etj. Ky lloj informacioni që na dha Bujari, në fakt na mbushi me gëzim. Për hirë të së vërtetës, shqiptarët po e gjejnë veten në kompani të tjera të mëdha si Marshall, Cordone, Septa etj si punëtor e menaxhues, por edhe në bisneset e tyre të shumta, në spitalet e qendrat e shendetit, në shkollat publike e private, në aeroporte e në administraten qendrore të qytetit të Filadelfias. Shtimi i numrit të punësuarve për shqiptarët në të gjithë sektorët, ka ardhur përvec të tjerave edhe nga dëshira e mirë e njohja midis tyre duke i dhënë njeri tjetrit mbështetjen që kërkohet për të fuqizuar secilin person e familje, por edhe gjithë komunitetin njëkohësisht.Sigurisht, në këtë proces ku takimet, njohjet, këshillimet, kontributet, ndihmat etj ndjehen si nevojë e janë gjithnjë në rritje, unë vecoj edhe ekzistencën e punën e gjithanshme të shoqatës “Bijte e Shqipes” gjatë këtyre 20 viteve këtu në Filadelfia, si faktor të rendësishëm të realizimit të këtyre nevojave. Tashmë bashkatdhetaret tanë po e shohin dhe po e shfrytëzojnë hapësirën e informimit të kësaj Qendre për të reklamuar bisneset, për të njoftuar nevojat për pune ( të bisneseve por edhe të punë – kërkueseve) , nevojat për qiramarrje por edhe dhënie shtëpish , njoftime fatkeqësish etj. FB i saj ka 5 mijë anetar e shumë më tepër ndjekës, dhe administrohet mjaft mirë e në kohë reale. Kjo do të thotë se nevojat e mësipërme shumë shpejt shpërndahen thuajse në të gjitha familjet shqiptare. Në këtë mënyrë arrijmë një bashkëpunim të mirë e që është i domosdoshëm për ti bërë shqiptarët të ndjehen bashkë e ti gjenden pranë njeri – tjetrit . Në disa shkrime të mëparshme, unë jam munduar të kundërshtoj disa thënie jo të bazuara në lidhje me bashkesinë shqiptare në emigrim si: “Mos u merr me shqiptar”, “Më mire merr një të huaj (ose shko tek një i huaj) se një shqiptar”, “Shqiptarët nuk bëhen bashkë“etj . Dhe unë mendoj se kundershtimi i këtyre tezave e afrimi i shqiptarëve, duhet të jetë në mendjen e punën e cdo njërit prej nesh. Shpesh dëgjojmë të themi ndër biseda me shokë e miq të bisnesit se kisha kaq shqiptar në punë, por tani kanë mbetur vetëm gjysma e të tjerët ikën, kërkojnë rritje rroge pa filluar akoma e të tjera pretendime. Këto mund të jenë një realitet ndoshta. Por pse duhet ti përgjithësojmë gjithë shqiptarët për pak raste, pasi edhe pse jetojmë në Amerike ne nuk kemi ardhur të zgjedhur, të shkolluar, punëtor, pa vese e komshinj të mirë. Jo. Jemi të mbledhur nga të gjitha shtresat shoqërore e thuajse nga të gjitha zonat e Shqipërisë. Kështu që do të kemi brenda nesh edhe dëmbel, edhe frekuentues kafenesh e bixhozi, por jo tē gjithë amá. Eshtë e padrejtë që të vlerësojmë veten e komunitetin me ato cilësi që nuk i kemi. Shpesh për t’ju dhëne fuqi ideve tona për vështërsitë e punës me njerëzit tanë, ju referohemi komuniteteve të tjera si atyre cifute, greke, ruse etj, duke e ngritur në qiell të kundërtën e atyre që thamë për shqiptarët. Por edhe ata nuk janë plotësisht sic ne na cfaqen. Brenda tyre edhe ata kanë mjaft si pjesa jonë , por ama ata nuk i degjojmë të etiketojnë komunitetin e tyre në përgjithësi sic bëjmë ne. Ata i fryjnë bashkimit e jo refuzimit, jo ndarjes. Megjithatë, vemë re me kënaqësi se përdorimi i thënieve të mësipërme viti pas viti po ulet me shtimin numerik të bashkatdhetarëve tanë dhe me eksperiencën e punës qe fitojnë këtu. Prandaj, i dashur bashkatdhetar në emigrim, merru me shqiptarët se janë gjaku yt. Beso tek ata, ndihmoi ata kur ke mundësi se do të kthehet një ditë prej tyre. E në se nuk e ke mundësinë për ti ndihmuar apo për t’u ndihmuar, kurrë mos përdor fjalë apo “aksioma“ negative për shqiptarët në tërësi. Këtë duhet ta bejmë jo thjeshtë për tu dukur atdhetar, por se shprehje të tilla nuk jane një realitet. Realiteti është ndryshe: Shqiptarët janë të zgjuar, te ditur, miqësor e punëtor të mëdhenj, po shkollohen dhe po ecin vetem në ngjitje me angazhimet në bisnese, në shkence e kudo, në diasporën tonë në cdo vend të botës ku ata jetojnë. Duke lartësuar veten, bëhen mbështetës edhe për cdo shqiptar tjetër afër apo larg qofshin.
Filadelfia, më 1 shkurt 2022

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2431
  • 2432
  • 2433
  • 2434
  • 2435
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT