• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUSHTRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT

January 17, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

See the source image Me 15 Janar, 1975 ndërroi jetë në Romë,  shkrimtari, poeti, profesori dhe përkthyesi,  Ernest Koliqi. Ndërsa me 17 Janar, 1468 shkoi në amshim në moshën 62-vjeçare, Heroi historik kombëtar, i përgjithëmonshmi i Shqiptarëve, Zot i Arbërisë, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Njëri i shpatës e tjetri i penës.

Frank Shkreli: Me rastin e 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbe | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Amaneti i Koliqit për Shkollën Shqipe | Gazeta Telegraf

Në këtë ditë të 17 Janarit që shënon kalimin në amshim të Gjergj Kastriotit-Skënderbe, sjellim një vjershë – në përvjetorin e ndarjes prej nesh edhe të Poetit e shkrimtarit, Ernest Koliqit, (1903–15 Janar, 1975), që ai i ka kushtuar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, poemë e cila thuhet se ishte e para vepër letërare e Ernest Koliqit, botuar në vitin 1924.

ERNEST KOLIQI: Kushtrimi i Skanderbeut

Ç’asht moj Zanë kjo gjamë nga malet,
Ç’asht kjo ushtimë që kurr nuk ndalet,
L’shon kushtrimin Skanderbeu,
Dridhet toka, tundet dheu.

N’kambë shqiptarë ju me u çue,
Me ngjesh armët me luftue,
Ka ardhë dita e Lirisë,
Dërmen me ia dhanë Turkisë.

N’kala t’Krujës valon krenar,
Njaj flamuri fitimtar,
Njaj flamuri kuq e zi,
Që në shekujt veç ka pri.

N’Lezhë shpejt mblidhet nji kuvend:
Flasin princat rend me rend,
Skanderbeu nji fjalë ka thanë:
Të bashkuem t’jemi të tanë.

Lezhë qytet i Ilirisë,
Mblodhe burrat e Shqipnisë,
N’krye qëndron GJERGJ KASTRIOTI,
I Shqiptarve Princ Kryezoti.

Pa ndigjo Sulltan Murati,
Për njat kryq që mbaj në gji,
Me marrë Krujën je ba gati,
Gjithë ushtrinë kam me ta gri!

Fort tërbue asht Sulltani,
E ka dyndun gjithë ushtrinë,
Rrethim Krujës veç i bani,
Ban hesapet pa hanxhinë.

Se jo, Kruja nuk dorzohet,
Skanderbeu fort e mbron,
Njaj Murati krejt tërbohet,
Prej trishtimit ma nuk rrnon.

Gjith Evropa n’kamb asht çue,
Mbretën, Roma e Venediku,
Skanderbeu qoftë nderue,
Na ka mbrojt prej çdo rreziku.

Emni i tij me shkronja t’arta,
Rrin i shkruem në Histori,
Me levdatat ma të larta,
Përjetsisht i qoftë lavdi!

Çdo shqiptar për të krenohet,
Për kët Princ e luftëtar,
Brez pas brezi do të kujtohet,
Si Heroi ma i madh Kombëtar!

1924

A child standing next to a statue

Description automatically generated with medium confidence

            Fotoja e marrë nga facebook , “Gjergj Kastrioti -Skenderbeu”

Me rastin e “kremtimeve kastrotjane”, (1968 në Romë) në 500-vjetorin e kalimit në amshim të Kryeheroit të Shqiptarëve, poeti i shekullit të kaluar, Ernest Koliqi do shkruante, ndër të tjera se, “Skënderbeu derdhi mund e gjak. Me mijëra Shqiptarë u bënë flije në luftime të udhëhequra prej Tij. Megjithëkëtë Shqipëria ra në një robëri shekullore. (Por) Ai la të mbjellur në zemër të popullit, dëshirën e lirisë dhe në mendje vegimin e një Shqipërie të bashkuar…”.  Por, Koliqi shpreh shqetësim dhe paralajmëron se, “Ne nuk i njohim forcat e fshehta brenda gjakut arbënuer”, ndërsa shton se megjithëkëtë, “duhet të bindemi se kur ndiesitë vëllazërore çlirohen nga fundi i shpirtit tonë, ato davarisin tymnajën e ndeshtrashave të zeza, duke ndezur në natën e mjerimit, hyjtë xixëlluesa të shpresës”.   

Kam drojë se duke marrë parasysh se si trajtohet sot Gjergj Kastrioti -Skenderbeu nga vet shqiptarët, por dhe nga të ashtuquajturit “miqtë e tyre strategjikë”, (kujt i duhen armiqët, me miq të tillë strategjik!?) — Koliqi mund të ketë qenë tepër optimist në entuziazmin e tij, “për hyjtë xixëlluesa të shpresës”.  Uroj në këtë përvjetor të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit– Skenderbe se Perendia nuk e ka harruar Kombin shqiptar, se më në fund, me një “marrëveshje vëllazore”, do të mund të plotësohej porosia që ka lenë Skënderbeu.  Sot me 17 Janar, 2022, në këtë përvjetor të vdekjes së Kryetrimit, më ka mbuluar “duhma e qelbur e kënetës së dyshimeve”, se shqiptarët mbrenda dhe jashtë trojeve të veta do të ruajnë, besnikërisht, porositë e Gjergj Kastriotit – Skenderbe.  Atij Skenderbeu, i cili shqiptarëve u dha “Atdhe, Arbërin dhe shqiponjën, si simbol fluturimesh të lira dhe la nji trashëgiumi të çmueshme nderi e fisnikërie”.

Edhe në këtë përvjetor të 17 Janarit të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeu — normalisht, tragjeditë që ka pësuar Kombi shqiptar gjatë historisë, do duhej të ishin një shkak bashkimi dhe fuqizimi mbarëkombëtar — dhe jo shkak përçarjeje për shqiptarët në rrënjët e tyre të identitetit arbëror mija-vjeçar.  Në një përvjetor si ky, duhej të kishte dhe një mësim, që as sot të mos humbet as të mos harrohet drejtimi as rruga që njerzit e mëdhej të Kombit shqiptar – si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, i kanë përcaktuar Kombit. 

Sot, në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga kjo botë, shekuj më parë, Skënderbeu i Madh jep kushtrimin duke bërë thirrje për rrugën që duhet të ndjekin sot Shqiptarët, para se të jetë tepër vonë!

Frank Shkreli

See the source image

                                    Besëlidhja e Lezhës, Mars, 1444

A picture containing wall, indoor

Description automatically generated

                   Në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Filed Under: Politike

Figura e Skënderbeut në një baladë angleze të shekullit XVII

January 17, 2022 by s p

Ikonografi skënderbegiane – Pjesa IV

Me rastin e 554 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit

Nga Fotaq Andrea & Dritan Muka

1. Skenderbeu nga Bellini.jpgQë figura madhështore e Heroit Kombëtar Shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeut është trajtuar dhe glorifikuar historikisht nga emra të shquar të klasicizmit, humanizmit e iluminizmit europian e botëror, në mbushulli veprash historike, letrare e artistike – të cilat qëndrojnë në themel të shkencës skënderbegiane –, kjo përbën, me të drejtë, ajkën e krenarisë sonë kombëtare. Por që figura e tij të vihet edhe në qendër të baladës angleze të shekullit XVII Shën Gjergji dhe Dragoi, recituar e kënduar si litani në kishat anglikane, duke e bërë Skënderbeun tonë të barabartin e mbi 50 heronjve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, – ja një veçanti e madhërishme për ikonografinë skënderbegiane. Për më tepër që kjo baladë angleze përbën në vetvete një lloj himni për kombin e ndritur anglez që ka për shenjt mbrojtës pikërisht Shën Gjergjin.

Dita e Shën Gjergjit – përcaktuar dikur 23 prilli, ka qenë festa tradicionale angleze dhe vetë kryqi i kuq i Shën Gjergjit në sfond të bardhë është flamuri i Anglisë. Deviza anglo-normande që e shoqëron “Hony soit qui mal y pense”  – Mallkuar qoftë kush keq mendon, përbën emblemën e Urdhërit të Zharëtierës, urdhri më i lartë i kalorësisë britanike. Tepër i habitshëm është edhe fakti që Shekspiri (1564-1616), dramaturgu më i madh anglez e botëror, lindi dhe vdiq pikërisht më 23 prill, ditën e Shën Gjergjit.

Ballada angleze “Shën Gjergji dhe Dragoi” vë në dukje para së gjithash madhështinë e Shën Gjergjit, tek tingëllon si një rivendikim identiteti anglez. E shfaq Shenjtin Mbrojtës përmbi Heronjtë e mëdhenj të të gjitha kohërave duke shprehur në formë refreni ndjenjën e fuqishme të krishterë se vetëm kreshnikëria e Shën Gjergjit që u përball e mposhti Dragoin, simbolin e së keqes e të djallit është bëma më e lartë fisnike kalorësiake, e pakrahasueshme me kurrfarë tjetër dhe se të mohosh një gjë të tillë është e turpshme, mjaft që ta shkosh nëpër mend.

Balada apo romanca kalon kësisoj në “revistë” tërë heronjtë mitikë, antikë, klasikë e figura të ndritura të kombit anglez, francez dhe kombeve të tjera, gjithësecili me bëmën e vet karakteristike, me kreshnikërinë e vet të mahnitshme, por përsëri të pakrahasueshme me Bëmën e Lartë të  Shën Gjergjit. 

Pa u ndalur në karakteristikën fisnike të çdo Heroi a Princi, të çdo lloj kohe, që la gjurmë të pashlyeshme në Histori me Bëmën e vet, në emër të humanizmit e njerëzimit, ja ku na shfaqet në Baladë figura e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut për bëmën e tij madhështore, atë luftë çerekshekullore kundër ish superfuqisë së kohës Perandorisë osmane. Brenda një vargu, në formë sintetike e me kundërvënie të fuqishme shfaqet, thjesht e prerë vetë kreshnikëria kastriotine: “Skanderbegun e madh Pasha Muhameti frikë e kish”(!) 

Krejt qëndresa heroike shqiptare përfshihet këtu, brenda këtij vargu esencial: Një Pasha Mehmet II, në krye të hordhive të tij 130-150 mijë vetëshe, në luftë të pareshtur 25 vjeçare me Skënderbeun e Madh në krye të gardës së tij pretoriane me 5 mijë kalorës dhe me një ushtri që nuk i kalonte më shumë se 20 mijë këmbësorë. Shpërpjestime të tilla numerike të kujtojnë me të drejtë luftën e Davidit kundër Goliatit, kur cilësia, virtyti, ndjenja e mbrojtjes dhe vetëdija kombëtare marrin përparësi e ngadhënjejnë ndaj sasisë numerike, vesit dhe ndjenjës për pushtim, gllabërim, mposhtje e poshtërim. Është kjo, përballja historike në dualitetin “E mirë – E keqe” sintetizuar gjatë kristianizmit në luftën e Shën Gjergjit kundër Dragoit. 

Dy vargje të tjera që pasojnë vargun e mësipërm janë po aq kuptimplota: “Eshtrat e tij fitimtare, hajmali u bënë si u varros në kishë;/ Bejlerbegët e tij mbi krye mbanin brirët e dhisë, tek e quanin Gjergj Kastriot.” Nuk ka më bukur! Heroi shqiptar ngadhënjimtar Gjergj Kastrioti, shpallur nga papati “Atleti i Krishtit”, në paralelizëm të plotë me Heroin  e krishtërimit Shën Gjergjin! Këtë paralelizëm e kemi shtjelluar tashmë në studimin tonë “Figura e Skënderbeut që bashkoi Nolin me Konicën”, botuar në këtë forum të Zemrës Shqiptare/Zemra jonë: 

http://www.zemrashqiptare.net/news/40298/fotaq-andrea-skenderbeu-bashkoi-nolin-me-konicen.html 

Nga ana tjetër, kemi në këto vargje edhe dy elementë themelorë simbolizues që përjetësojnë lavdinë kastriotine: “eshtrat hajmali të Skënderbeut” dhe “brirët e dhisë në përkrenaren e tij”. Balada angleze duket sikur e thotë açik: “ushtarët turq mbanin në gjoks eshtra hajmali të lavdisë skënderbegiane”, eshtra këto që na shfaqen si “të shenjtëruara”, teksa “kreshnikët shqiptarë (bedjlerbegët) mbanin mbi krye brirët e dhisë”, ato brirë që të kujtojnë historikisht Pirron e Epirit, Aleksandrin e Madh, vetë “dhinë mitologjike Amaltea”. 

Është e njohur se arma simbol e Shën Gjergjit është ushta. Është po aq e njohur se edhe arma kryesore e stradiotit shqiptar  – në themel të Kalorësisë së Lehtë Europiane me Gjergj Bastën në krye, që bëri Histori në shekujt XIV-XVII – është gjithashtu ushta, nga ku madje edhe fjala e bukur shqipe “ushtar”, “njeriu i ushtës”, “njeriu i zanatit të luftës”, siç është cilësuar historikisht vetë shqiptari. Gjë që nënkupton se çdo “ushtar” shqiptar ka mishëruar në vetvete një “Gjergj Kastriot”, një “Shën Gjergj”, nga ku edhe guximi i tij i pamatë dhe shpërthimi i ndjenjës së tij të fuqishme të Mbijetesës së lavdishme historike shqiptare.    

Po japim më poshtë romancën lutësore angleze, pa hyrë në hollësitë domethënëse të bëmave të Heronjve të Mëdhenj apo të gjesteve të tyre mitike e simbolike, si guri i hobesë së Davidit të Vogël, apo nofulla e gomarit të Samsonit, e më tej preshi i simbol i Shën Davidit, shenjtit mbrojtës të Vendit të Galëve, etj. Janë simbole kuptimplota, po aq sa eshtrat-hajmali të Skënderbeut dhe brirët e dhisë që përmenden në baladë. Po e japim përkthimin e kësaj balade të plotë në nderim të popullit anglez dhe të kujtimit të Bajronit të Madh që i bëri të njohur shqiptarët në botë me vargjet e tij të pavdekshme, me kostumin shqiptar që mbajti të veshur aq hijshëm.

Më në fund, një recitim i shkëlqyer artistik i baladës në gjuhën origjinale angleze, me një zë melodioz sublim, që mbush kubetë dhe kupolat e kishave anglikane për të oshëtirë në pafundësi si lutje e mesazh hyjnor, që depërton për t’u mishëruar në çdo pore të besimtarit të krishterë dhe të vetë qenies njerëzore, mund të ndiqet me dëgjim në rrjetin: 

isize-reduced.php.jpg

Baladë angleze e shekullit XVII për Shën Gjergjin dhe Dragoin

kënduar si lutje në kishat anglikane

Përse u dashka mburrë Artur e kalorës të tij,

Kur ua njohim ato luftëra plot bëma e kreshnikëri ;

Përse u dashka folë për Sir Lansëlo të Liqerit,

A për Tristan të Leonisë, që për zonjëza u ndeshën ndezur nga dashuri; 

Lëçitini ato të lashta histori dhe do shihni për bukuri,

Se vetëm Shën Gjergji, Shën Gjergji dragoin e mposhti gjithë trimëri,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Palé për mbretër e monarkë sa gjatë do mund të flisni,

Apo për Romakët e lashtë që vetes i dhanë shkëlqim,

Me Hanibalë e Skipionë që luftuan plot guxim;

Palé të flisni për kalorësin kreshnik Rolandin Tërbimë;

Për Remin e Romulin që Romën ngritën në këmbë; 

Por vetëm Shën Gjergji, Shën Gjergji dragoin vu nën këmbë;

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Njerëzit në luftë se ç’i shpunë Jefte e Gideon,

E të gjithë muarrën arratinë, Gibonitë e Amonitë,

Bëmë e Herkulit ndodhi aty, në luginën Bass; 

Me nofull gomari njëmijë të vrarë Samsoni la pas; 

E kur u verbua, Tempullin rrafshoi nga dhéu,

Por Shën Gjergji, Shën Gjergj dragoit shpinën ia theu 

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Valentin e Orson gjak të Pepinit kishin në vena, bënin hata,

Alfred e Aldrikus kalorës kreshnikë qenë, plot bëma të mëdha;

Katër bijtë e Amonit me Karlin e Madh luftuan, 

Fisniku Hugh i Byrdosë dhe Godfrej i Bujonit,

Të tërë kalorës frëngj qenë, paganëve fenë ua ndryshuan;

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji zemrën ia shkuli dragoit,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Henri V, Francën nën këmbë e vuri, e pushtoi, 

E duke marshuar plot lavdi, krejt armët ia dërrmoi,

Shembi kala, shembi  e shkretoi mbarë qytete,

Kurorë të dyfishtë e trefishtë në krye vu mbi vete,

Frëngjit i theu e në dhé të vet u kthye krenar pa njohur tutë

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji, e bëri dragoin qingj të urtë

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Shën Davidi, siç e dini, djathë të shkrirë e preshin do, 

E Jasoni ish ai që bashkën e artë e solli, kërkuar ngado;

E Patriku –  mirë e dini -, Shën Gjergjit i shërbeu, 

E, para se t’ia vjedhë, plot shtatë mote kalin ia ruajti, ia ushqeu, 

Për këtë vepër aq të ndyrë, skllav mbet, e skllav të tillë askund nuk has;

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji Dragoin goditi, e vrau,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Tamberlani, perandori, brenda në kafaz kurorëzuar,

Flamuj të përgjakur shpaloste qytete më qytet të rrënuar;

Skanderbegun e madh, Pasha Muhameti frikë e kish,

Eshtrat e tij fitimtare, hajmali u bënë si u varros në kishë;

Bejlerbegët e tij mbi krye mbanin brirët e dhisë, tek e quanin Gjergj Kastriot;

Po Shën Gjergji, Shën Gjergji Dragoin coptoi atë mot,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Otamon Tartari nga racë e Persëve ish,

Mongoli i madh gjoksin gjithë hekur dhe gozhdë e kish;

I riu grek Bucefalin kalëronte gjithë krenari,

Por ata nëntë kreshnikët Shën Gjergji i shihte me qesëndi;

Gustav Adolfi, i Suedisë ishte mbret, luftëtar i rreptë, të tërë i theu,

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji, bishtin plot helm Dragoit ia preu,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Poldragon e Cadwallader, për gjakun anglez ishin krenarë,

Por edhe pse Xhon i Gandit armiqtë i tmerroi, veç Shën Gjergji  triumfoi;

Agamemnoni, Klemedoni e Maqedoni bënë tërë ato kreshnikëri,

Por përmbi ta, veç kampioni ynë shkëlqeu në trimëri;

Kalorësit guximtarë të Maltës, në luftë me turqit, shpatat i vringëllinë,

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji, me Dragoin u ndesh, aty në shesh;

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, përjetë mallkuar qoftë, siç e nisi.

Amazona Bidia, me bëmën e vet, Poetusin e mposhti, pa njohur tutë,

Me po aq egërsi sa një vandal, got, saraçin e çifut,

Të fuqishmit Holofernus, nderur në shtrat,

E urta Judit, kokën ia fluturoi me shpatë,

Trimi Qiklop me Jupterin u ndesh pa pyetur për rrufetë e tij,

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji e vrau Dragoin, a s’është kjo një mrekulli?

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Që Mark Antoni u ndesh me mbretëreshë të Egjiptit, s’ka dyshim,

Sir Eglamori, ky kalorës kreshnik, s’kish njohur dështim;

Fuqi e Gorgonës kish marrë dhenë, e plakun Bevis kush nuk e kish frikë,

Mirmidonët e Prester Xhonët, përse vallë s’u njohën kalorës fisnikë?

Trimi Spinola qytetin Breda shtiu në dorë, Nassau, krahët ia mbuloi,

Po Shën Gjergji, Shën Gjergji Dragoin e dërrmoi,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Filed Under: ESSE

Kryeministri Kurti përkujton Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, në 40 – vjetorin e vrasjes së tyre

January 17, 2022 by s p

Dubovik, Deçan, 17 janar 2022

Në 40 – vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vizitoi kullën e familjes Gërvalla në Dubovik.

Aty u pritën nga znj.Suzana Gërvalla, bashkëshortja e Jusuf Gërvallës dhe znj.Donika Gërvalla, e bija e tij, si dhe familjarë e miq të veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

Nga aty, Kryeministri Kurti, Presidentja Osmani dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, bën homazhe dhe vendosen kurorë me lule, te varrezat e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës.

“Ne erdhëm sot në Dubovik, në 40 vjetorin e vrasjes së trefishtë në Shtutgart, më 17 janar 1982, kur u vranë Kadri Zeka e Jusuf e Bardhosh Gërvalla, që të vizitojmë kullën e lindjes, jetës dhe rritjes së tyre, por edhe varrin ku prehen ata, për të treguar kujtimin e pashlyeshëm dhe nderimin e pafund që kemi për këta heronj, të cilët na e dëshmojnë një luftë edhe para luftës çlirimtare. Meqenëse në vitet e ‘80-ta shqiptarët jo vetëm që persekutoheshin e burgoseshin, por edhe vriteshin nga regjimi i atëhershëm okupator, për shkak se dëshironin liri, republikë, demokraci e përparim”, tha kryeministri.

Si institucione të Republikës, si Qeveri e Kosovës, ne do të bashkëpunojmë me shtetet e tjera, në veçanti me Republikën Federale të Gjermanisë, në mënyrë që të marrim vesh sa më shumë e që të zbardhet e vërteta edhe sa i përket edhe urdhërdhënësve edhe ekzekutorëve, bindjet dhe orientimi dhe qendra e të cilëve natyrisht se dihet, mirëpo emrat e përveçëm të atyre natyrisht se duhet të ndriçohen dhe asisoj të mundësohet drejtësia e ndëshkimi, tha ai.

Kryeministri Kurti theksoi se jemi të vetëdijshëm për kufizimet që kemi, që pas kaq shumë kohësh të arrijmë përnjëherë të zbardhim gjithë ato vrasje, meqenëse janë të shumta, ndërkohë që edhe regjimet, të cilët kanë marrë pjesë në ato vrasje, nuk është se kanë vdekur përfundimisht e në plotni. 

Në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, Kryeministri i Republikës së Kosovës, sot, në 40 – vjetorin e vrasjes së tyre, organizon Akademi Përkujtimore në Prishtinë.

Filed Under: Analiza

Erdogani inaguroi pushtimin ekonomik

January 17, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Në internet qarkullon një foto se si një makinë vinç, me dy ustallarë në kovë, mbulojnë faqen e shembur të një banese. Arsyeja, nga që do vi Erdogani. Apo aty diku kalon Erdogani dhe që mos të dukemi për ibret të Zotit, po e mbulojmë. Nga kjo kuptojmë se godina në fjalë ndodhet në Laç ku sot Erdogani dha çelsat e 522 shtëpive etj., për më tepër bash në ditën e pervjetorit të ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar. Unë nuk po merrem me këtë fakt se sot po çahet interneti me patriotizëm nga njëra anë dhe nga ana tjetër me heshtje varri nga përkrahësit e Ramës. Por një fjali shkurt duhet thënë, sa për Turqinë dhe Erdoganin që tashmë ka dy dekada në pushtet, të gjithë ishat janë çmendur nga dashuria për ‘të. Me Fatos Nanon, me Sali Berishën, pa diskutim dhe ky qillotaxhiu. Kjo rrjedh nga edukata tashmë gangrenë e jona, ndihmat. Tek ne ndihma nga jashtë është mendësi shekujsh. Mirë për çështje të mëdha a kur të duhet lëvizësh malet, por edhe për thërrimet, ne jemi gati të hapemi dyersh. Ndaj mos u habisni sot me faktin se përse Erdogan po vjen bash përvjetorin e ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar. Ju ka blerë, totalisht… aq të dëshpëruar jemi sa mbulojmë rrënojat me mushama të vizatuara, mushama murale. Kur e pyet dikë në lidhje me këtë fakt, të thotë nuk kemi. Megjithëse është një planifikim bajat se nuk besoj që një bashki, a një komunitet, a një biznes të mos ketë pesë muratorë e dy bojaxhinj për të ndrequr një fasadë. Mirëpo, të mbysin, të thonë nuk kemi. Dhe është e logjikshme sepse, aq shumë pagesa sa ishin bërë për qokë, nga fond i gjoja inceneratorëve, përqindje kjo e ajo, mediash e këshilltarësh. Me emra i publikoi ai zotria, por shqiptarët po merren me luftën Berisha-Basha, për më tepër u mjaftuan me arrestimin e Lefter Kokës dhe aq. Megjithëse faqe të tëra prokurash ishin aty me përqindje të dhëna në dorë, deri gjoja këshilltarë për Bashkitë më të humbura të vendit. Bordero paralele, një për vete një për shtetin, informalitet apo krimi ekonomik i mirëfilltë. Por prapë shtypi merret me Berishën, merret me Bashën. Lekun e tyre e kanë vjedhur ata që bëjnë të kulluarit nëpër studiot e telvizioneve, vet televizionet, gazetarët, shqiptarët i dëgjojnë me sytë zgurdulluar. Ore, ju kanë vjedhur, ata janë hajdutë, nuk e kanë për turp të dërgojnë fëmijët nëpër shkollat e botës me lekët tuaj, ju shqyheni sysh. Puthni ekranin kur shajnë Berishën. Nuk thonë një gjysmë fjalë se ju kanë rjepur, jo vjedhur, por rjepur. Evokojnë konfliktin, jo vjedhjen. Kurse qeveriu evokon ”miqësinë” tradicionale të vëllait, ndihmën këtë gangrenë të shqiptarëve, edhe pse janë po aq inteligjentë sa hollandezët apo hebrejtë. Nuk ka vendi ynë as tulla e as llaç. Nuk kemi as krahë punë…, pika neve. Dhe i gëzohemi Erdoganit si kalamajtë plakut të krishtilindjes a plakut të vitit të ri siç e quanin komunistët, përfshi bllokmenët shqiptarë. Vjedhin Shqipërinë për vete dhe e ndertojnë atë me ndihma sikur të jemi popull invalid. Ky është realiteti shqiptar, jo ai që thotë Edi Rama dhe kompania e tij. Erdogani ju ka ndërtuar xhamitë, shtëpitë, spitalet, ju bën të mbuloni fasadat e rrënuara me mushama, ju kërkon rishikimin e historisë etj. Ka të drejtë, sepse na kanë mbytur invalidët, jo shtetarët. Shkurt jemi kthyer në një vend invalid. Vend pordhaxhinjësh.

Filed Under: Komente

NË KUJTESË TË 554 VJETORIT TË VDEKJES SË “PAVDEKSHME” TË GJERGJ KASTRIOTIT -SKENDERBE.. (1468 -17 janar – 2022)

January 17, 2022 by s p

NGA NDUE BACAJ/

Me 17 janar 1468 në Lezhë pushoi së rrahuri zemra më e madhe e shqiptarit më të madh të të gjitha kohërave , rilindasit më të ndritur të Arberisë dhe Europës Gjergj Kastriotit –Skenderbe. Bashkë me këtë zemër të madhe u shua edhe mendja më e ndritur e një strategu ushtarak dhe burri shteti , u venit krahu mbrojtjes më i fuqishem i Arbërisë dhe u rrëzua për tokë me një tingellimë vaji shpata mbrojtëse më e fuqishme e besimit dhe qytetrimit kristian të Europes së shekullit XV… Kuja e vaji i kësaj vdekje mbuloi Arberinë , Europa u vesh në zi.. E vetmja që ju gëzua kesaj vdekje ishte perandoria Turke-Osmane dhe Sulltan Mehmeti i dytë i cili kur mori lajmin e vdekjes së Gjergj Kastriotit thirri : “Më së fundi më perkasin Europa e Azia! Mjerë krishterimi që ka humbë shpatën dhe mburojen e tij,.”. Po ky Sulltan duke ja ditur vlerat Skenderbeut do të shtonte : “Një luan i till nuk do të lind kurrë më mbi faqe të dheut. Mos të kishte lindur Skënderbeu unë do kisha martuar gjiun e Adriatikut me Republikën e Venedikut, i kisha vënë çallmën në krye Papës e hënën drapërore mbi kupolë të Shën Pjetrit.”.1.

NJË CURRICULUM I VOGËL PËR SKENDERBEUN E LAVDISHËM…

Sipas shumë historianëve e studiuesve Gjergji Kastrioti kishte lindur me 6 maj të vitit 1405 , në “derën” shquar të Kastriotëve , me prindër: babë princin e njohur arbënor Gjon Kastrioti , dhe me nënë Vojsaven (disa studiues i thonë edhe Vojza…), e bija e kryezotit të Pollogut të Tetovës. Kjo krahinë arbënore ishte pjesë e principatës të Balshajve (me origjinë nga Balleza e Rrjollit M.Madhe,N.B.) , dhe hynte nën influencen e Kastriotëve. Sipas deshmisë të Gjon Muzakës nëna e Vojsaves ishte nga dera e Muzakajve. Gjergj Kastrioti kishte edhe tre vëllezer të tjerë; Stanishin , Reposhin dhe Kostandinin, si dhe pesë motra ; Marijen , Vlajken , , Angjelinen ,Jellen (Lenen) dhe Mamicen…2. Ndër malet tona , per nji burrë kreshnik e div thonë se le drague. Një njeri kesi dore e falë Zoti ynë të mbeshtjellun me nji pelhurë të hollë , me fletë nën sjetulla e i jep nji fuqi të mbinatyrshme. Keshtu mbas gojdhanash lindi edhe Gjergj Kastrioti-Skenderbegu.3. Ndersa Marin Barleti shkruante se pak ditë para se Zoti t’i falte ketë krijesë nëna (e Gjergjit) –Vojza që ishte shtatëzanë kishte parë në ënderr se u rrezua një yll prej qiellet , e duke u ulur kadal u drejtua nga ajo e cila bani me u zmbrapë për me i lëshue vend , e ylli u shëndrrue në nji foshnje për bukuri. Asaj atëherë i ishte dhanë me u afrua me e marrë grykë e me e puthë , por i doli gjumi e u kujtua se kishte kenë anderr . Vertet nuk kaloi shumë kohë mbas asaj andrre e i fali Zoti ynë nji djal fort të hieshëm , veshë me një këmishë të hollë , e në krahë të djathtë kishte të shkrueme nji shpatë , ndersa në sjetulla dy lagje fletë e në ballë kunoren…4. Gjergj Kastrioti do të rritej nën kujdesin e nënës tij Vojzes (apo Vojsaves) dhe babait tij Gjonit , si dhe të vellezerve e motrave të tij më të mëdhenjë. Gjergji si djali më i vogel i kesaj familje mund të ishte edhe më i “perkdheluri e priviligjuari” , por ato kohë lufte e heroizmi kunder një pushtuesi mizor siç ishin turko-osmanët nuk ja lejonin ketë perkdhelje e privilegj as Gjergjit të vogël. Babai i Gjergjit , Gjon Kastrioti (si dhe princër të tjer arbënor) ishte në një luftë të pabarabartë kundër pushtuesve turq-osman. Duke qënë një luftë e pabarabartë pushtuesit arriten të mposhtnin edhe fisin famemadh të Kastrioteve me në krye Gjon Kastriotin. Turqit siç e kishin zakon kur e mundnin një kundershtar per ta bërë “zap”, perveç të zezave të tjera i merrnin peng edhe djemt… Kështu kishin bërë edhe me Gjon Kastriotin të cilit i kishin marrë peng katër djemtë e tij , i fundit kishte qënë Gjergji.. Shtetarët turq me politiken e tyre të shkollimit , edukimit luftarak dhe joshjes me hierarkinë ushtarake kishin menduar se Gjergj Gjon Kastriotin , këtë zog arbëri e kishin tranformuar në një zog turku të betuar.. Por kishin gabuar dhe ketë e vertetoj beteja “fatlume” e 3 nentorit të vitit 1443, betejë që u zhvillua në trojet abënore-shqiptare të Nishit të Kosoves, ku nisi udhën Gjergj Kastrioti (me 300 ushtarë shqiptarë) drejt Krujes së bekuar , dhe me 28 nentor 1443 do të valviste të lirë flamurin tonë kombetarë. Me këtë flamur Gjergj Kastrioti bashkoi fiset arbenore , me Beslidhjen e Lezhes (2 mars 1444),dhe kështu të bashkuar u treguan të pamposhtur perballë perandorisë turko-osmane , asaj perandorie para së ciles dridhej vetë Europa e kohës. Keto të dridhura ja kishte larguar vetem Shqiptari i lavdishem Gjergj Kastrioti –Skenderbe , i cili per rreth njëçerek shekulli në 22 beteja kishte qënë tmerri i pafund i ushtrisë osmane dhe vet sulltanve… Nga keto beteja menduam të “veçojmë” vetem atë kur vetë Sulltan Murati II erdhi në trojet arbënore në krye të 160 mijë ushtareve me 14 maj 1449 , me qellim qe të shkatërronte Arberinë me në krye kryeqendren e saj KRUJEN, dhe kryeheroin Gjergj Kastrioti-Skenderbe. Pas disa “sukseseve” te para (në Diber e tjerë) sulltani ju lëshua Krujes, ku Skenderbeu megjithse me më pak forca , por me guximin dhe taktiken e tij gjeniale e kishte detyruar Sulltan Muratin II, nipin e serbeve, (djali i vajzës të princit serb ) të shihte me sy të tij disfaten e turpshme dhe të pashmageshme , edhe para syve të Europes e cila shpesh ishte dridhur para fuqisë ushtarake të perandorisë turko-otomane. Kjo disfate ishte aq e paperballueshme per atë, sa e beri të vdesë duke plasë birin e shkines, Sulltan Muratin II…5. Vetëm nga shpata Skenderbeut gjatë mbi 22 beteja kishin gjetur vdekjen rreth 2000 ushtarë e komandant nga më të shquarit turq..6.“

VDEKJA E SKENDERBEUT…

”Gjergj Kastrioti –Skenderbe si çdo njeri i kesaj Bote, nuk mund t’i shmangej fundit të jetës tokësore , pavaresisht dhantive që tregonin edhe trajta hyjnore të tij. Mjerisht në trupin e kreshnikut Skenderbe, që nuk e kishte shpuar shpata e as trand frika e hordhive turko-osmane , pak pa mbushur 63 vite , kishin arritur t’a “shponin” viruset vdekjeprurse , që siç shkruhet i kishin sjellë “Ethet”, që i kishin shkaktuar të dridhura dhe temperatut të lartë , gjëra që çdo ditë do ta dobësonin fizikisht derisa do të binte në shtratin e vdekjes. (Në atë kohë mjeksia nuk dinte çfar janë viruset pasi aty do të zbuloheshin rreth 450 vite me vonë) . Edhe sot “qarkullon” gojdhëna që tregon se kur u nis Skenderbeu në luftën e mbrame , i zbehtë e i molisun prej ethesh ju bë se i doli mordja afër e i foli: “Kthe, dale breh Skanderbeg!”, “Po kush je ti, e kah na vjen?” iu pergjigj Skanderbegu. “Vetë jam mordja , e dije se jeta jote ka mbarue” “ He ti hije e zezë ka e dinë se unë do të vdes ?”, i a ktheu Skanderbegu. Dje u hap në qiell libri i të vdekunve “ , i tha mordja, e dikah zdrypi , si një bashk i zi mbi krye tand”. Me kaq u shpa andërra e jetës , e Skanderbegu vijoj gjithnjë rrugën , por kur u kthye prej lufte mblodhi parsinë e u diftoi ndër sy , se kishte të gjitha gjasat se ai vrik do të vdiste , e se turku do ta pushtonte Shqipninë…. Duke ndigjua fjalët e permallshme të Skanderbegut, mbarë çka ishin rreth tij i mori vaji… Pak orë para se me vdekë luti ata krenë që ndodheshin per-rreth tij me u mbledhë … e me zgjedhë kapidanin ma të zotin në vend të tij deri sa të rritet i biri (Gjoni). Mbas kësaj kërkoi me i pru një tube thupra , e u tha krenëve të provoshin me i thye, por nuk mujti asnjeni. Pra tha ai e dini vetë se me i zgjidhë nji nga nji i thyenë edhe një fëmi , prandaj u lutem të mbani besën , bashkimin , burrninë e bujarinë , e në kjoftë se pernjimend kini me i mbajtë këto porosi që po ju a lë në fill të mordes , Zoti ka me u ndihmua që turku nuk ka me mujtë me dhunua tokën që na lanë të parët. – Mori t’e mbramja të birin ngrykë , e mbasi e puthi dy-tri herë , dha shpirtë tuj shqiptue keto fjalë : “Kjoshi lirë e bekue”… Kaloi nji ditë mbulue me mjegull , sa me të vojtë mendja se edhe qiella diç po vajtonte , kur qe nigjohet nji brimë deshprimi. Ishte Lekë Dukagjini , i cili perpiqte me njëren dorë ballin e me tjetren ndukte flokët e kresë e tuj ba gjamën Skanderbegut, bërtiste sa ku mujte: “Trandu Shqipeni se jeta jote u errë për ne – sepse Skanderbegu nuk asht ma…”, e vijoj gjatë e gjatë me këto fjalë : “Ndien shpijat e tranden – ndien malet e u danë , e shkrepat mbi kroje ranë. -Kumbonët e kishës ranë vetvetiu . Nalt u hap qiella dhe në qiell të hapët hinte ndër re zemërmadhi , Skanderbegu i pa fati..”.7. . Skanderbeu u varros në kryekishen e Shenkollit Lezhë . Të gjithë kapedanët , oficerët dhe ushtarët me garden pretoriane e percuallen në banesen e fundit . Gjëmimi i topave dhe krismat e pushkëve lajmruan që kufoma e tij kishte zbritur në varr , dhe tok me atë , edhe Shqiperia e lirë për disa shekuj.8. Pas vdekjes së Skenderbeut perandorisë otomane ju deshen mbi 10 vite luftë e perpjekje per të mposhtur qëndresën heroike të shqiptareve që luftonin me emrin dhe frymzimin e veprave të prijesit tyre legjendar-Skenderbe.. Fryma heroike , që kishte perhapur Skenderbeu , si gjysëmperendi i vjetersisë , rronte e gjallë në zemrat e Shqiptarëve vite pasi fluturoi në qiell shpirti i nderitshëm i kryetrimit. Valle vajzash shqiptare , si vallkyrat e legjendave gjermanike, mblidheshin me rregull çdo tetë ditë mbi kështjellat ku kishte mbretërua Skenderbeu , dhe midis buçitjes dhe oshtimës të betejave këndonin himne lavdruese për kryetrimin e vdekur të kombit, dhe i luteshin si një shenjti që t’i shpetonte nga armiku i tërbuar dhe t’u falte fitoren flamurit dhe armëve kombëtare . Shqiptarët të ndezuar nga këto këngë trimërore, e shikonin me sy hijen e Skenderbeut kaluar në krye të tyre dhe luftonin si luanë me forcë të përsëritur…9. Qendresa dhe fama arbënore e Skenderbeut kishte qenë aq e madhe (shpesh edhe me trajta hyjnore) , sa ushtarët dhe oficerët turq kur pushtuan Lezhën (me 1478) hapen varrin e Skenderbeut dhe eshtrat e tij i merrnin si hajmali… Ndersa sipas në një gojdhënë që ka ardhur deri në ditet tona thuhet se kur e hapen varrin , turqit e kishin gjetur zemren e Skenderbeut duke rrahur dhe gufuar gjakë të nxehtë. Këtë zemer e kishin futur në nje kuti të praruar dhe ja kishin derguar Sulltanit i cili e ruante me roje në një nga sallonet më të bukura të pallatit tij. Sulltani në një të premte në krye të çdo viti hapte kutin dhe me një heshtë e therte zemren e Skenderbeut ,e cila gufonte gjithnjë gjak të nxehtë… Ketë sulltani e bënte se besonte se me ba me harrua pa ja ngul heshten atë ditë Skenderbeu ngjallej , e atëherë mjerë turqit…10.

“GRIMCA”, NGA VEPRA E LAVDIA E SKENDERBEUT, MEMORIZUAR NDËR SHEKUJ…

Vepra dhe lavdia e Skenderbeut është e memorzuar perjetsisht në trashigimin heroike e historike të Shqiptareve , por edhe në rreth 1000 vellime të botuara në 72 vende të botes dhe në mbi 22 gjuhë kryesore…11. Disa nga këto vepra (më të hershmet), të shkruara janë ato të Marin Barletit , Dhimiter Frangut , “anonimit” Tivarasi (që është në fakt imzot Pal Engjelli ,i cili ka qënë edhe kryediplomati i Skenderbeut) , Frang Bardhi , Rinaldit , Prifti Biemni, Zhak de Lavardin etjerë etjerë më të vonshëm deri në ditët tona. Për të vijuar me korespondencen e Skenderbeut me Papet Bashkohore: Eugjeni IV , Nikolla V , Kaliksti III, Piu II, Pali II, si dhe republikat apo mbretëritë e atyre kohëve si ato te Venedikut, Siçilisë, Napolit, Xhenoas, Firences ( ku nga frika e turqëve ndonjera ja kishte edhe me hile Skenderbeut..) etj.. Ndonjëra prej tyre Gjergj Kastriotin e quante jo vetem aleat potencial , por edhe “Babë”, pa llogaritur levdatat e dekoratat e Selisë së Shenjtë, ku në drejtimin e Papa Kaliksti III e shpallte Gjergj Kastriotin “Atlet të Krishtit”… Jehona e veprës së Gjergj Kastriotit vazhdoi jo vetem si një kujtim i lavdishem i një epoke të kaluar , por mbi të gjitha si një frymzim në mbrojtje të Europës e qytetrimit të saj, shekull pas shekulli… Me këtë rast mendova të cilësoj vetem një pjesë të vogël nga jehona e veprave të Skenderbesut ndër shekuj…: Në Librin e lutjeve të mbretërshes të Anglisë, Elizabet, të bërë publike me 17 janar 1559, (në një ditë të pervjetorit të vdekjes) shkruante : 17 janar, si sot vdiq princi i mirë Skenderbe , Mbreti i Epirit, shfarues i turqeve… Në vitin 1597 fisniku francez Zhak de Lavardin, shkroi një biografi brilante të Skenderbeut .(të bazuar në historinë e M. Barletit..). Në shekullin XVII anglezi ,William Temple , burr shteti e analist politik i kohës do të shkruente : Gjergj Kastrioti …si dhe Huniadi, nënmbret i Hungarise janë dy gjenerala ngadhnjimtarë dhe burra me karakter të lartë që luftuan sa qënë gjallë si kampion të Krishterimit… Ndërsa filozofi francez Volteri në vitin 1754 do të thoshte: Sikur perandorët e Bizantit të kishin qënë si Skenderbeu , Perandoria Romake e lindjes nuk do të ishte zhdukur kurr… Një gjeneral me fame botror i shekullit XVIII (kanadezi Wolf) në vitin 1756 shkruante se : Skenderbeu u a kalon të gjithë prijësve ushtarak të lashtë dhe modernë, si udheheqes i një armate të vogël difensive.. Albanologu dhe historiani u shquar, Milan Shuflaj, do të shkruante për Skenderbeun : “Qysh në gjallje, Gjergj Kastriotin, Europa Perendimore e stolisi me legjenda. Bestynia per fuqinë e tij demoniake, tek armiqtë turq sprapsi menjëherë besimin në kismet. Imagjinata e popujve ballkanikë të shtypur nga të pabesët filloi të krijonte nga ai heroin e këngëve të tyre dhe të tregimeve të ënderruara… Nën Skenderbeun bërthama të shumta shtetërore u shkrinë në një shtet të vertet. Pas renies së Konstandinopojës , Serbisë dhe Bosnjës, ky qe shteti i fundit më i madh i krishter i Ballkanit etjerë…12. Është me vlera të veçohen edhe tre historianet Osman ; Idriz Bitlisi , Kemal Pasha dhe Ibn Kemal e ndonjë tjetër të cilët me gjithë urrejtjen për Skenderbeun , se nuk vazhdoi ti sherbejnë Perandorisë osmane ata e pershkruajnë me nota realiste këtë gjeni të artit ushtarak të shekullit XV , që duhet ti falet në përjetësi edhe Europa Perendimore…

NË MBYLLJE: PËRSE VDEKJE E “PAVDEKSHME”, AJO E SKENDERBEUT EDHE SOT ?

Një vdekje sado e rëndë pasi kalojnë vite e jo më shekuj harrohet , pra “vdesë‘‘ si vdekje. Mirpo me vdekjen e Gjergj Kastriotit Skenderbe edhe pse kanë kaluar mbi pesë-shekuj e gjysëm , ajo vdekje nuk është harruar , apo siç e quajta unë në titullin e kesaj kujtese të vogël , ajo vdekje është e “pavdekshme“, veçanarisht për shqiptarët që kanë rrenjë e trung Iliro-Arbnore-Shqiptar… Vendosja e turqëve në Ballkan çeli një fazë të në historinë europiane . Kufijtë e Orientit u shtrinë përmes kontinentit në vend që të ndaleshin në grykat e Bosforit dhe Dardaneleve si në kohën e Romës e Bizantit. U krijua një kontrast i vajtueshëm në mes të Europës përendimore dhe Europës “otomane“. Ndërsa në botën kristiane filloi rilindja e arteve , letërsisë dhe shkencës , dhe u vunë themelet e qytetrimit të sotshëm, në Ballkanin e sunduem prej Osmanllive pllakosi dekadenca dhe u zhduken deri mbeturinat e qytetrimeve të mëparshme . Prandaj mund të themi me të drejtë se vendi i ynë u kthye perseri në errësirën e mesjetës..13. Këtë errësirë mjerisht ende nuk kemi mundur ta largojmë plotësisht as sot nga trojet tona, për t’a zevendesuar me dritën e vertet të qytetrimit Europerendimore të cilës i përkasim që në agimin e jetës. Dritë për të cilën luftoi sa qe gjallë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbe. Gjergj Kastrioti siç thotë një autor e veprimtar i shquar shqiptar; ishte i shenjtë si Shën Luizi , diplomat si Talleyrandi dhe trim si Aleksandri i Madh …14. Mjerisht edhe sot, jo rrallë, edhe shqiptar (sigurisht të till janë vetëm në emër…), e anatemojnë e mohojnë Gjergj Kastriotin Skenderbe dhe veprën e tij, duke besuar e glorifikuar Sulltanet pushtues turko-osman , e deri “sulltanët” e ri , që kerkojnë në mos të na kthejnë në kohrat otomane, të pakten të na ngadalsojnë rrugën tonë europiane, të cilën na e ka lënë amanet Gjergj Kastrioti –Skenderbe…

REFERENCAT:

1.Gennaro Francione. Skenderbeu një hero modern ,fq.194 , Tiranë 2006. 2.Fan Noli, Historia e Skenderbeut ,fq.19 ,Tiranë 2015.3.At Marin Sirdani , Skanderbegu mbas gojëdhanash , fq.21 ,botime franceskane , Shkodër 2008.4.At Marin Sirdani ,po aty , fq.21-22.5.Dhimiter Frangu ,Veprat e lavdishme të SKENDERBEUT, fq.99-105 ,Arberia 2005.6.Dhimiter Frangu , po aty , fq.247. 7.At Marin Sirdani , po aty , fq.79-86 .8.Fan Noli , po aty ,fq.112 .9.Fan Noli, po aty , fq.113.10.At Marin Sirdani ,po aty ,fq.97.. 11.Gennaro Francione ,po aty ,fq.194.12.Milan Suflaj ,Histori e shqiptarëve të Veriut… fq.36-37 ,Prishtinë 2009.13.Tajar Zavalani,Historia e Shqipnisë , fq.136 , Botues Phoenix , 1998.14.Fan Noli ,po aty ,f.122.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2459
  • 2460
  • 2461
  • 2462
  • 2463
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT