• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË DITËN KUR FILLOI PËRJETËSIA E POETIT AT’ GJERGJ FISHTA

December 30, 2021 by s p

– përsiatje dhe emocion –

Nga Visar Zhiti

C:\Users\User\Downloads\IMG_2613.jpg

“At’ Gjergj Fishta dhe gjeneratat” 

Kompozim nga Gjergj Kola

Sidomos tani, kur rri përpara kësaj pikture, e mrekullueshme për mua, që piktori i njohur në Itali, Gjergj Kola, ka kompozuar poetin At’ Gjergj Fishat me Lahutën e tij, të shpirtit të Kombit të tij dhe pranë një burrë i ri, është im atë, që vërtet e ka takuar Atë Gjergj Fishtën kur ishte student në “Normalen” e Elbasanit, ndërsa poshtë tyre është një lahutar, (piktori për model ka zgjedhur fytyrën time), më duket se aty zbuloj, përveç të tjerash, si në një ikonë, bashkime kromatike të kohëve dhe pakohësinë, përjetësinë patriarke të Poetit tonë Kombëtar, që filloi si sot, në 30 dhjetor 1940, si dhe adhurimin që kanë njerëzit për të, atë e bir, gjeneratat dhe ardhëria.

Dhe të mendosh që, kur unë jam dënuar me burg në diktaturë, në akuzë kisha si akt të dënueshëm dhe leximin fshehurazi të “Lahutës së Malcis”, që im atë na e recitonte, që kur isha fëmijë. Edhe atë e kishin dënuar para meje. 

 Dua të them se pasvdekja e poetit ishte e kërcënuar si përjetësi e shpirtit kombëtar, kur diktaturat komuniste donin të ndertonin një botë të re me njeriun e ri, antinjeriun dhe antibotën.

Kur themi At’ Gjergj Fishta, janë bashkë e të pandara emri i Poetit me fjalën e shenjtë, parake e të lashtë sa vetë shqipja, “Atë”/ baba, që tashmë kanë marrë kuptimin më madhor, jo vetëm religjioz, por dhe atë të Poetit Kombëtar, që bashkë me Naimin sikur krijojnë dy kokat e shqiponjës së Flamurit. 

Me veprën e tij, në lartësitë botërore të eposit, u bë sa ndërgjegje, po aq dhe kushtrim i shqiptarisë dhe në shekullin XX, aq i vështirë për ne, dramatic qysh në fillimet, kur po ribëhej shteti shqiptar, pas një pushtimi mbi 4 shekullor dhe copëtimeve të rënda të trojeve. 

At’ Gergj Fishta duhej të tejkalonte dhe tri vdekjet e veta, atë të pas kalimit në amëshim, vrasjen e Emrit dhe të Veprës dhe të Varrit. Edhe vdekjen donin t’ia vrisnin, por Ai mori pavdekësinë.

Mund të thosha që u ringjall, por Ai ishte gjallë gjithmonë. Djalli, armiqtë e Shqipërisë, kundërshtarët, që frynin si erërat e egra të stepave, s’e mposhtën dot. Mbetet triumfator. Me një lloj misteri përtej harrimeve të qëllimta dhe kritikës politike. At’ Gjergj Fishtës i ra barra të mbartte dhe ai së voni amanetet e fisit iliro-arbëror, kumtet e maleve tona si të mbetura në gojë shpellash, buzëve të plagëve të shekujve, duke u bërë dhe vetë zë i madh, me fuqitë hyjnore të Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili). Mbarti kryqin e Krishtit dhe priu me gjuhën e popullit të tij ndërgjegjen dhe qëndresën. U bë kujtesë e tokës së tij. 

Legjendë modern u bë që në gjallje, biblik, plot dije dhe urti, që shungëllonte shqip si orteqet e dimrave tanë, onomatopeik betejash e i lumenjve të gjakut. Akademik roman ndërkohë, që befas kthehej në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, Edhe dramaturg, prozator, mendimtar, kritik letrar, piktor, arkitekt, deputet, opozitar, diplomat, përfaqësues i Shqipërisë, etj, por gjithmonë prift, françeskan i bukur! Herë-herë me një si zëmërim perëndish, që nga dashuria kristiane, si poet që është, e kthen në satirë të hidhët, nd;erkaq ai ishte satiristi më i mirë në Ballkanin e kohës së tij, por që kumbon dhe sot aktual, se çelës është gjakimi i tij për përmirësim e races. Disa nga shpotitë e tij ngjajnë të porsa shkruara për ata që i kemi përreth dhe në krye.

Átë Gjergj Fishta është veprimtari i lartë Kombëtar, patrioti i flaktë, kushtrimtar. Dhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, siç e akuzuan komunistët, ai bëri politikanin e atdheut. Me kryqin dhe Fjalën. I dekoruar dhe nga armiqtë për paqen që sillte, edhe sulltani q;e shmangu një gjakderdhje në Malësi. Ka të dhëna se është propozuar për çmimin “Nobel” nga  amerikanët. 

At’ Gjergj Fishta është një fenomen, jo vetëm në kuptimin metaforik. I përndjekur dhe pas vdekjes si një kryqtar i Kombit. Kur Shqipëria ishte në perandorinë komuniste, me diktaturën më të keqe të saj, ndodhi e pandodhura, ia prishën varrin Poetit Kombëtar në Kishën e Françeskanëve, që edhe atë e prishën në Shkodër. Djalli i kuq ia mori eshtrat dhe me një thes të zi i flaku në lumin Drin. Po ai kështu u bë pjes:e e lumit të atdheut, në dallgët e përjetësisë së tij. Por Ai prapë gjallonte. Edhe kur Enciklopedia ruse, edhe sllavët e Jugut, e shikonin si rrezik dhe kundërshtar pasionant, por Ai ishte kundër shovinistëve sllave dhe kujdo, Europë qoftë, nëse ishin kundër atdheut të tij. Dhe At’ Gjergj Fishta shfaqej mistershëm, me fuqi biblike. Më shumë se nga nëntoka, vinte nga Qielli, i vetëtimtë, me dritë të beftë, i pazhdukshëm ashtu si besimi, si me porosi nga Zoti.

Siç thashë, do të sjell ca shembuj të thjeshtë, por me domethënie, sipas meje. Në festivalet folklorike, që bëheshin nën diktaturë, malësorët me lahutë këndonin me vargje të At’ Gjergj Fishtës, regjimi s’kuptonte gjë, se ato ishin bërë popullore, anonime. Poeti ia kishte kthyer borxhin popullit të vet duke arritur kështu atë që pak poetë e arrijnë në botë. Kur po binte diktatura dhe njerëzit guxonin të iknin, të takoheshin, të shihnin Shqipërinë Jugë e Veri, për t’ju bashkuar protestave për një Shqipëri të lirë e demokratike, euroatlantike, etj, kudo që ato bëheshin, në Shkodër, Tiranë, Kavajë, Elbasan, Lushnjë, Vlorë, Korçë, etj, albanalogu i shquar Robert Elsie, përkthyesi i “Lahutës…” në gjuhën angleze, d:eshmon se një herë në  njërin nga autobuzët, dikush kishte nisur të recitonte diçka nga Fishta, po, po nga “Lahuta e Malcis”, e ndaluar, befas ai ndal, ndoshta pa diçka nga dritarja apo po mendonte gjë tjetër, a s’po I dilte vargu më pas, por menjëherë të tjerët në autobus do ta vazhdonin recitimin, dukej sikur u krijua kori antik, njëri thoshte një varg, tjetri vargun tjetër… kështu kishte ndodhur gjithmonë me Atë Gjergj Fishtën nëpër popull, në teatër, në pllaja, në kuvende burrash, por dhe në burg.

Vepra e At Gjergj Fishtës është pjesë e Vargmaleve të Shqipërisë. 

* * *

…u bënë 81 vjet, që kur Atë Gjergj Fishta mbylli sytë përgjithmonë dhe mori udhën qiellore të amëshimit. Në tokë, me baltën që u hodh mbi të, u bënë statuja të tij. Më së fundi u ribë shtëpia e tij e lindjes në fshatin Fishtë, e rrënuar si vetë kujtesa dhe ndërgjegjia jonë, u kthye në muze, por duhet bërë dhe vend pelegrinazhi. Se nuk është thjeshtë vlerë muzeale, por frymë Kombëtare. Shtëpia e Atë Gjergj Fishtës është në shpirtin e çdo shqiptari. Besoj se Presidenca, Parlamenti, Kryeministria do kenë vendosur kurura në shtatoret e Poetit të Kombit, besoj se ka, jo vetëm ajo modernistja në Shkodër, kështu dëshiroj të jetë, dhe akademitë, bibliotekat, ajo e Françeskanëve së pari në Shkodër, botuesit, media, shoqatat, grupet, diaspora, etj, e kanë përkujtuar me botime e konferenca, manifestime e homazhe. Kritika letrare, studiuesit, shkrimtarët, poetët, sidomos të rinjtë, personalitetet e larta të venditi e kanë thënë fjalën e tyre siç dhe do të thonë. Kështu besoj… Ndërkaq, e di, më shumë është thënë dikur, nga më të shquarit e Kombit, nga personalitete të huaja, përkthyesit e tij në gjermanisht, italisht, anglisht, etj, etj. Gurra fishtiane nuk shterr, Unë dhashë emocionin tim sot, pa asnjë pretendim, thjeshtë fola. Më nxiti dhe dhurata, piktura  e Gjergjit tjetër, piktorit Gjergj Lola Ardhurimin ndaj Atë Gjergj Fishtës është i trashëgueshëm. Siç premtova, ja, po sjell një strofë nga poemat e tij botuar postume. Edhe piktori Guljelm Mosi, i frymëzuar, kishte kompozuar tablo, që ilustronin poemën dhe takimin e tim eti me Atë Gjergj Fishtën.  Edhe unë kam shkruar poezi për Fishtën dhe në burg, edhe më pas, edhe në gegnisht. Të rinj dhe studentë sot e studiojnë, mbrojnë diplomat me tema për të. Kështu besoj. Dhe desha të thosha, që megjithatë, edhe kur harrojmë, zemra e At’ Gjergj Fishtës rreh mistershëm si zemër e popullit.

POEZITË TONA PËR POETIN

HEKURAN ZHITI

(Është quajtur dhe “Gjergj Fishta i Toskërisë” për poemat e tij dhe satirën..

Një strofë nga libri “Kryengritje shqiptare në parajsë”, shkruar në vitet 1943-44, vënë në skenë në ato vite, së pari në Berat, ku jetonte autori…):

GJERGJ FISHTA

(del nga një altar mermeri)

“Edhe hana do ta dije, edhe dielli do t’ket pa, 

Se përqark kësaj rrokullie si Shqipnia’i vend nuk ka!

……….…………………………..

Atje lejnë, po, Toskë e Gegë, /si dy rreze n’flakë, t’një dielli:

Si dy rrufe që shkojnë tue djegë,/kur shkrep reja nalt prej qielli.” 

………………………………………….

Jehona e Fishtës

Zani m’dridhet nga dashnia, 

dridhen kryqat n’vorret tona.

Po s’u ba paradis Shqipnia, 

nga Qielli do zbresin me jehona…

VISAR ZHITI

(Nga libri me poezitë e burgut “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”)

DY VARRE PESËQIND VJET LARG NJËRI-TJETRIT

Përsëri erdhën nga larg, nga shkretëtirat. Kaluan 

malin e fundit. Panë detin e madh, të huaj.

Si llahtarí të kaltër, harbonjëse shtynte dallgët, 

si gjokset lakuriqe të grave të haremeve. Ja çadra 

e tyre si trëndafil mes mijëra çadrave ushtarake, mes                                                                          topave dhe kuajve nën rrapëllimën e daulleve dhe kazanëve, nën emblemat absurde. Pluhur i para 

pesëqind vjetëve. Atje poshtë ishte qyteti i vogël, i pushtuar. Kisha dhe varri i Gjergj Kastriotit, i xhindit, që xhindosi Sovranin e madh. Do të suleshin ata, gjithmonë ata, të njëjtët ata, do të shkulnin pllakën e rëndë të varrit, do të nxirrnin eshtrat e heroit si eshtrat e vetë kombit. Pastaj 

do t’i thyenin, copa-copa, eshtrat me baltë, të gjata 

sa shpatat. Do të thyenin kafkën si kubenë e qiellit.

Të çmendur dhe makabër. Nga një copë kockë si hajmali 

do të varnin në qafë ushtarët për të pasur fat 

nëpër betejat si armiku i tyre i madh. Pesëqind vjet më parë, kur dhe varret tani janë varrosur në harresë. Ra nata. Nata e kombit. Me heroizma si me gërmadha, pa skelete heronjsh.Nata me britma robërish që digjeshin si pishtarë. Pesëqind vjet natë ballkanike. Frutat e pemëve ashtu si buka s’kishin shije. Rrënjët thithnin gjak të turbullt, 

të përzier. Nëpër tokë kalbeshin trupa barbarësh dhe 

dezertorësh, bejtexhinjsh dhe devesh, spiunësh 

e kuzhinierësh të paqes më të kuqe se lufta. Njeriu 

binte e malet bëheshin më të lartë nga kufomat.

Malet u mbushën me partizanët e luftës më të fundit të

botës, plot si me pyje. Gërmadhë u bë mishi 

i historisë dhe ne kujtuam se erdhën ditë të reja.

Besuam tek urat. Besuam që deti u bë e dashura 

e të gjithëve si liria. Kështu thoshin këngët. Pastaj, ah,                                                              pastaj kur u hap tymi i betejave, nëpër pellgje pamë pasqyrimin e sundimtarëve të ikur, të sundimtarëve tanë 

që na udhëhoqën, u përzjehej pasqyrimi nëpër pellgje, 

binin si pluhuri i pushtuesve të para pesëqind viteve.

Na merreshin mendtë si këmbët. Dhe u sulëm ne, vetë ne, 

jo pushtuesit, te kishat tona. Thyem kryqin e 

megjithatë nuk shpëtuam dot nga udhëkryqi ynë. Në një                                                                               tjetër kishë gjetëm skeletin e Gjergjit… jo, jo të Kastriotit… 

të Gjergj Fishtës, më të madhit rapsod të shekullit njëzet, 

e fundmja lahutë e botës. Në zjarr i kishim hedhur librat 

e tij. O Zot! Jo, jo, nuk do t’ju them që pushtuesit anadollakë na vodhën skeletin e kryetrimit dhe ne, vetë ne, 

me duart tona, ditën me diell, humbëm skeletin e poetit,

(s’ua ndamë letrarëve të rinj si copa hajmalish 

kockat e tij), e hodhëm në lumë. Në lumin që vinte 

nga sllavët. Me brinjët e poetit mund të bëhen lira të bukura.

Spaç, 14 janar 1983

(Është botuar dhe në numrin e parë të revistës “Hylli i Dritës”, e themeluar nga At’ Gjergj Fishta, kur nisi të ridalë pas rënies së diltaturës… është përkthyer dhe italisht nga poetja arbëreshe Cate Zuccaro dhe është lexuar dhe në kishën San Atanasio në Romë, etj, )

SHKODËR, (RI)VARRIMI I GJERGJ FISHTËS

(Nga libri me poezi “Thesaret e frikës)

N’varrin e shembun dhe t’harruem u gjetën 

copra kocash, mbetun nga mëkati i pakalbun. 

Çka mund t’bahet me to, o At’, veçse skeleti i dorës,

që mbi dhė ka shkrue eposin e vdekun të t’gjallëve 

e nan dhė eposin e gjallë të t’vdekunve? Baj kryq 

dhe dora m’zhvishet, bien mishi, m’bahet skelet 

si dora jote e kombit. E mbushim me zanin tand si 

shpatën me millin. Se e gdhendëm drunin e fatit tonë. 

Ranë bujashka fjalësh n’varrin që s’do të vdesi ma.

Visar ZHITI

Filed Under: Politike

Salih Ramë Kelmendi, nacionalist dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare

December 30, 2021 by s p

Skënder MULLIQI/

Salih Ramë Kelmendi u lind më 1917 në Ruhot të Pejës në një familje me prejardhje nga Rugova,e njohur për tradita kombëtare. Që në moshë të re,në vitin 1944, Salihu ishte pjesëmarrës në luftë me komunistët malazias nën komanden e Petko Dapqeviçit,te livadhet e bukura, apo siç quhen ndryshe “rovat”, ku edhe do te plagoset në mbrojtje të Rugovës,e që në këtë përballje luftarake i vritet kushëriri i tij Isuf Halili. Salih Rama që në rininë e tij ishte i brumosur me nacionalizëm,por më vonë do të jetë një veprimtar i devotshëm i atdhetarizmës për çështjen kombëtare,duke bashkëpunuar kêshtu me shumë veprimtarë e atdhetarë të kohës, kryesisht të Rrafshit të Dukagjinit,sikundër ishin Sami Peja nga Peja, Sylë Mehmeti nga Rugova, Bekë Tafili nga Staradorani, Sylë Pajazit Shala nga Lybeniqi, Rashit Goran nga Peja, Ramë Haradinaj nga Lybenqi, Sylë R.Mulliqi nga Raushiqi, Selman Kadria nga Cerca e Istogut, Mustafë Qeta nga Trubuhovci, si endesheisti më i ri në moshë,e shumë veprimtarë të tjerë anekënd trojeve shqiptare. Veprintarinë atdhetare Salih Rama bashkë me shokët e atdhetarizmës e zhvillonin kryessht përnes Partisë Nacionale Demokratike Shqiptare,që ishte e shtrirë gjthandej në Kosovë.Motivi i veprimtarisë së tyre atdhetare ishte qëllimi dhe përpjekja për bashkimin kombëtar, pra bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë dhe trojeve etnike shqiptare. Në vitin 1950 Salih Rama arrestohet nga UDB-ja me shumë të tjerë bashkëveprimtarë të nacionalzmës shqiptare, dhe po këtë vit në Prishtinë gjykohen nga pushteti i atëhershëm serbosllav për verimtarinë atdhetare.Salih Rama dënohet me 6 vite burg të rëndë, kush tjetër 7 vjet,9 vjet,10 vjet e kështu me radhë.Të gjithë dërgohen në vuajtje të dënimit në burgun e Nishit,por Salih Rama do të qëndronte i paepur në kazamatet serbosllave edhe përkundër  torturave që ushtronte pushteti ndaj tij dhe të tjerëve gjatë viteve të burgut. Edhe pas vuajtjes së dënimit prej 6 vite në burgun e Nishit,menjëherë pas disa kohësh,UDB-ja do ta arrestonin sërish, duke e burgosur kështu në burgun famëkeq të Ozdrimit. Këtu, për disa muaj rresht,do të ushtronin mbi të torturat më çnjerëzore sikur dhe ndaj shumë shqiptarëve të tjerë në këtë burg. Në këtë burg e mbajnë për disa muaj, por si gjithmonë Salih Rama mbetet i pathyeshëm përballë të gjitha torturave të UDB-së. Në vitin 1961 ai do të vritet mizorisht në një pritë të organizuar.

Filed Under: Mergata

PËRMENDJET MË TË HERSHME TË SHQIPTARËVE DHE TË SHQIPES

December 30, 2021 by s p

????????????????????????????????????

Prof. Xhelal Zejneli

– Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë një ndër popujt më të lashtë të gadishullit;

– Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes dhe është një ndër gjuhët më të vjetra të Evropës;

– Shqipja i takon familjes së gjuhëve indoevropiane (indogjermane) dhe është gjuhë e veçantë, d.m.th. nuk ka motër. Të tilla janë edhe greqishtja dhe armenishtja;

– Shqiptarët janë popull autokton i gadishullit;

– Shqiptarët janë popull autokton në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit;

*   *   *

– Në analet e historisë së dokumentuar, shqiptarët kanë hyrë në gjysmën e dytë të shekullit XI. Në “Historinë” e tij të shkruar më 1079-1080, historiani bizantin Mihaelis Ataliates (Michaelis Attaleiates) qe i pari që përmendi se Albanoi kishin marrë pjesë në një kryengritje kundër Konstantinopojës, më 1043 dhe se Arbanitai ishin nënshtetas të dukës së Dyrrakiumit.

– Pi ashtu, historiani Gjon Skilices (Ioannis Scylitzes), rreth vitit 1081 përmend Arbanites si pjesë e trupave të mbledhur në Durrës nga Niqifor Basilaku (Nicephorus Basilacius).

– Për ekzistencën e gjuhës shqipe, për herë të parë bëhet fjalë aty nga fillimi i shekullit XIV. Në të vërtetë, midis viteve 1285 dhe 1332 kemi katër përmendje të qarta dhe të padyshimta. 

– E para nga këto përmendje në histori për ekzistencën e gjuhës shqipe është ajo e vitit 1285, në Ragusë (Dubrovnik), ku për njëfarë kohe ka pasur një bashkësi shqiptare të konsiderueshme. Në një proces hetuesie, midis tjerash figuron edhe fjalia: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca” (Dëgjova një zë që thërriste në male në gjuhën shqipe).         

– Njëzet vjet më vonë hasim një përshkrim të Shqipërisë në të ashtuquajturin Anonymi Descriptio Europae orientalis (Përshkrim anonim i Evropës Lindore). Është një tekst mesjetar i vitit 1308 i cili përmban një vështrim mbi tokat e Evropës Lindore, në veçanti mbi vendet e Ballkanit. Autori anonim i tij mendohet të ketë qenë një klerik frëng apo i shkolluar në Francë, me shumë gjasa i Urdhrit Dominikan, i dërguar në Serbi, ku edhe mblodhi pjesën më të madhe të të dhënave për Ballkanin. Përveç pjesëve që pasqyrojnë rajone të ndryshme të Greqisë Bizantine, Rashës, Bullgarisë, Ruthenisë, Hungarisë, Polonisë dhe Bohemisë, ai përmban edhe një pjesë për Shqipërinë, një nga përshkrimet e rralla për këtë vend në vitet e para të shekullit XIV (1308). Kjo pjesë mbyllet me këtë përmendje të gjuhës shqipe: “Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus (Shqiptarët e sipërpërmendur kanë një gjuhë që dallohet nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, kështu që kurrsesi nuk mund të merren vesh me popuj të tjerë). 

– Për herë të tretë, për ekzistencën e gjuhës shqipe bëhet fjalë në njoftimin e një pelegrini gjatë udhëtimit për në Tokën e Shenjtë më 1322. Dy pelegrinë anglo-irlandezë, Symon Semeonis dhe Hugo Illuminator, që në shqip mund t’u thuhet Simon Simoni i Zrdhrit Françeskan dhe Hugo Ndriçuesi, gjatë udhëtimit, më 1322 u ndalën në Shqipëri, me ç’rast i pari bëri një përshkrim të gjallë të asaj çka pa. Përshkrimi i tij jep një vështrim të gjallë të bregdetit shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XIV, d.m.th. në vitin 1322. Këta dy u nisën nga Klonmeli i Irlandës. Nga Uellsi verior kaluan në Londër, Kentërberi, Dover, Uisant, Amien, Paris, Bonë (Beaune), Lion, Avinjon, Nisë, Gjenovë, Bobio, Piaçencë, Parmë, Mantovë, Veronë dhe Viçencë, deri në Venedik. Vijuan rrugën me anije për të arritur në Pullë, Zarë, Dubrovnik, Ulqin, Durrës, Korfuz, Qefaloni dhe Kretë, para se të mbërrinin në Aleksandri. Përshkrimet e Simonit njihen si Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam (Udhëtimi i Simon Simonit nga Irlanda në Tokën e Shenjtë). Dorëshkrimi ruhet në bibliotekën Corpus Christi College në Kembrixh. Udhëpërshkrimi përmban të dhëna për kontrollin dhe procedurat e doganës, zakonet, monedhat, lëndët e para dhe prodhimet e vendeve të vizituara, për kishat etj. Midis tjerash, ai shkruan: ”Albanya est provincia inter Sclavoniam et Romanyam, per se linguam habens” (Shqipëria është një provincë midis Sllavëve dhe Romanisë (Bizantit), me një gjuhë të vetën). Ai shkruan edhe për Durrësin. 

– E fundit nga këto raste ku përmendet gjuha shqipe dhe ndoshta e para përmendje e vërtetë për ekzistencën e shkrimit në shqip ka qenë ajo e vitit 1332 nga murgu dominikan frëng Brokard ose Frère Brochard (lat. Brocardus monacus). Në një vepër latinisht me titull Directorium ad passagium faciendum, Brokardi shkruan: Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris” (Shqiptarët në të vërtetë kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, ndonëse përdorin shkronjat latine në të gjithë librat e tyre). Nuk dihet saktë nëse Brokardi ka pasur parasysh libra në gjuhën shqipe të shkruar me alfabet latin apo thjesht libra të shkruar në gjuhën latine.

Prof. Xhelal Zejneli                              

Filed Under: ESSE

A MUNDET ME PËRPARUE NJI POPULL NË KUSHTET E MUNGESËS SË NJI STRATEGJIE EDUKUESE?

December 30, 2021 by s p

Filip Guraziu

A egziston strategjia  e edukimit ‘ të brezit të ri në shqipni ?

‘Njeriu’ përban  elementin ma të randësishëm të platformës  së  zhvillimit të  nji shoqnie. Mundesh me investue shuma të mëdhaja për zhvillimin e nji vendi; me ndërtue rrugë, ura , tunele,  etj., por çdo gja mbrapa nuk ka me funksionue si duhet,  nëqoftëse  ‘njeriu’ që i shfrytëzon dhe i përdoron ato vepra nuk ka me qenë i edukuem e kjo, jo vetëm në aspektin  tekniko- profesional , por kryesisht  në aspektin  moral, human dhe  patriotik. Përvoja historike në kët drejtim na jep me kuptue se shoqnia shqiptare nuk mundet me qenë e shëndetëshme dhe e sigurtë në zhvillimin e  përparimin e sajë drejt mirëqenies, nëqoftëse ‘sektori i edukimit’ ku trajtohet brezi i ri nuk ka si udhërrëfyes nji strategji të mirëmendueme  e cila  mëshiron kërkesat e normave morale bashkëkohore që kushtëzon e ardhmja europiane.

Po a egziston kjo strategji në Shqipninë post komuniste? Ndoshta gabohem, por personalishi as nuk e shoh, as nuk e dalloj dhe as nuk e kuptoj egzistencen e kësaj strategjie ! Objektivi  i strategjisë edukuese të nji populli, na radhë të parë, duhet me qenë  “bashkimi shpirtnor kombëtar”, në lidhje me kët objektiv shqiptarët sot përjetojnë mometin ma të vështirë   në historinë e tyne. Ma poshtë shembuj, për aq sa lejon hapsina e nji shkrimi gazetaresk :

a. Dekomunistizimi i shoqnisë shqiptare asht realizue vetem teorikisht për demagogji, në raport me te tretët, me  ato që ” gjoja” na kërkojnë llogari, kurse në praktikë veprohet krejtësisht ndryshe… Interpretimi jo i drejtë dhe i qëllimshëm  i historisë vazhdon me përça shqiptarët dhe shorjenton edukimin patriotik të brezit të ri sidomos në fushën e edukimit shkollor. Kujtoj:  Glorifikimin publik të diktatorit kriminel Enver Hoxha, sot mbas 30 vjetëve të përmbysjes se diktaturës komuniste, që përban  njollë  turpi për demokracinë shqiptare. Kujtoj gjithashtu se ende sot mbas 30 vjetëve përmbysje të diktaturës, të gjithë ” Herojt ideologjikë të diktaturës komuniste” nderohen si ” Heroj të Kombit Shqiptar” ! Nuk dëshiroj të keqkuptohem: Duhen  respektue e nderue sakrificat e reparteve partizane dhe nacionaliste për luftën e tyne kundër okupatorëve ku dhanë jetën shumë e shumë të rij shqiptar idealista, por nuk munden me qenë ” Hero  të Kombit” ato që nuk dhanë jeten në luftë kundër okupatorëve, por vdiqën në luftën civile  vëllavrasëse ndërmjet shqiptarëve për mbrojtjen e idealeve komuniste ose për shkaqe natyrore gjatë jetës së tyne ( shembujt janë të shumtë).                                                                                                                                 .       Shqiptarët e përmbysën komunizmin tue hedhë në kazanin e plehnave propogandën  imorale të ‘luftës së klasave’ e cila ushqente urrejtjen klasore e përbuzjen për klerikët e intelektualët nacionalistë  që konsideroheshin “armiq të klasës”. Sot në demokraci, shqiptarët mburren për qendrimin moralo-patriotik të klerikve të cilët me besimin në Zot iu kundervuen haptas dhunës komuniste. Po kështu asht qendrimi edhe  per intelektualët nacionalistë me bindje liberale të cilët punuen me përkushtim për ngritjen kulturore të shqiptarëve. Këto konsiderata përbajnë  elemente të randësishëm për formimin moralo-patriotik të brezit të ri dhe pranohen nji zani prej forcave politike parlamentare pa përjashtim, por përsëri në praktiken e përditëshme ndodh e kundërta! Në shumë media televizive çfaqen  ditë  e natë filma të prodhuem prej Kinostudios ‘Shqiperia e re’ të përiudhës së diktaturës, ku të rijtë e lindun në demokraci, shohin e mësojnë, pra edukohen me “  imoralitetin e antishqiptarizmin e  klerikëve ”, tradhëtinë e intelektualëve nacionalistë, poshtërsitë e klasës borgjeze e urrejtjen klasore për këdo që mendonte ndryshe etj. (propagandë tipike e diktaturës komuniste)  A duhet lejue kjo? Po  pse kleriket shqipëtar nuk reagojnë ?   Personalisht vlerësoj punën  artistike ( dhe jo helmin ideologjik)  të Kinostudios ‘ Shqiperia e re’, por e çoj zanin qe institucionet përgjegjëse të edukimit e ato të kontrollit të mediave vizive në nivel shtetnor të reagojnë për me kontrollue situatën tue ba seleksionimin e 

filmave që transmetohen                             .                                                                                                                                                             Trajtimi jo i sinqertë i problemit të riabilitimit të shtresës së përsekutuemve politik prej diktaturës dhe zvarritja e qëllimëshme e proçesit të  këthimit të  pronës te ” pronari  legjitim ” së bashku me ligjërimin e përvetësimit me dhunë (fizike e zyrtare) të pronës private dhe asaj shtetnore ka nda shqiptarët në dy kampe kundërshtarësh.

b. Kongresi gjuhësor politik i 1972 me urdhën të diktatorit komunist përçau identitetin shqiptar, por e keqja ma e madhe asht se ende sot nuk dallohet asnji vullnet prej akademikëve dhe politikës shqiptare për rishikimin asaj vepre  antikombëtare tue ndëthurë shkencërisht edhe gegnishten në gjuhën zyrtare! Veprim që kishte me ndikue pozitivisht për unitetin e kombit

c. Korrupsioni masiv në fushën e edukimit shkollor ( disponojnë deri 3 diploma universitare ato që ndoshta nuk kanë marrë as diplomën e maturës), ka pasë dhe vazhdon me pasë për pasojë largimin e të aftëve prej dheut amë dhe vendosjen e të pa aftëve (meritopartia) në pozita drejtuese.

d. Njollosja me mbrapavijë antikombëtare e simboleve të shqiptarizmit; Gjergj Kastriotit dhe Nanë Terezes prej shqipfolësave “të shitun” ndikon negativisht drejt konsolidimit të identitetit shqiptar. Shoqnia shqiptare sot krenohet per disa simbole kombëtare me të cilët lidhet identiteti i Arbërit. Na ndihemi krenar qe jemi bashkëkombas të Gjergj Kastriotit Skenderbeut dhe të Nanë Terezes, çka nënkupton se puna edukuese me të rijtë, në mënyrë të natyrshme, duhet të  bahet e të jetë në kët linie. Fatkeqësisht, në kundërshtim me sa ma nalt, praktikat e kohëve të fundit  provojnë që çdokush, edhe personazhe rruge me identitet të dyshimtë dhe  mbrapavijë të qartë antishqiptare dhe antidemokratike – si rasti i glorifikimit të kriminelit Hoxha, lehtësisht bajnë propagandë krejt të kundërt tue gjetë hapsinë veprimi në media dhe sheshe publike, gja që shorjenton formimin e ndërgjegjës së brezit të ri tue damtue qelizën jetësore të identitetit të shqiptarëve!

Me keqardhje duhet  pranue se organizimi dhe drejtimi institucional-shtetnor shqiptar i ‘sektorit te edukimit’ ende paraqitet i mangët e pa strategji veprimi, për mos me thanë që asht inegzistent. Indiferenca politike për strategjinë e edukimit ‘të brezit të ri’ vështirëson deri në pengesë,  rrugën e shqiptarëve drejt Europës. Kumonat e alarmit po bijnë!  Antishqiptarët punojnë ditë e natë kunder relikeve ma të shtrejta e simboleve të shqiptarizmit, kujtoj: vendosjen e memorialit të nji “kumandari” me origjinë greke, në jug të Shqipnisë, për ” meritën”e tij të masakrimit të shqiptarëve në përiudhën e  pamvarësisë !; ndertimin e  vorrit në nderim dhe  përkujtim të nji ushtari serb, në rrethinat e Shkodrës për ” meritën” e tij që dha jetën në luftën sulmues serbo-malazeze për pushtimin e Shkodrës (1912-1913) !; transformimin e vorreve shqiptare në vorre të ushtarëve grekë, në rrethinat e Korçës e në përgjithësi në jug të Shqipnisë, për “meriten” e tyne se vdiqën  në përpjekje luftarake për aneksimin e tokave shqiptare ( në zonën e ashtuquejtun prej shovinizmit ekspansionist grek  ” vorio epir”) !; vendosjen e memorialit me emnat e 156 ushtarëve turq, në mes të Tiranës, për ” meritën” e tyne  se vdiqën në luftën civile politike në Turqi në mbrojtje të Erdoganit. !; qëndrimin ekuivok dhe servil të politkës shqiptare ndaj kërkesës së shtetit turk , për rishikimin e historisë së pushtimit 500 vjeçar turk.  .!; arrestimin, në kundërshtim flagrant me ligjet e konventave ndërkombëtare, në të cilat  shteti Shqiptar aderon,  e mësuesve turq në Shqipni për ” krimin ” e tyne se paskan pasë qenë  kundërshtarë të politkës së Erdoganit në Turqi !, etj…

Populli thotë “gjejnë shesh e bëjnë përshesh”, po si asht e mundun kjo situatë ?

Sepse  politika  shqiptare  nuk asht as e djathtë e as e majtë, “as mish e as peshk” por asht  “politikë interesi, politikë populiste që  shqetësohet e mendon vetem për interesa klanore dhe thithjen e votës elektorale”, të tjerat…, si edukimi i brezit të ri me moral europian dhe antidiktaturë, bashkimi shpirtnor i shqiptarëve, konsolidimi i identitetit shqiptar, etj., etj., kjo lloj politike  i konsideron  çeshtje të dorës së tretë e pa randësi…, që ndoshta, ndoshta…, ndonjiherë do të zgjidhen vetevetiu, por edhe mos u zgjidhshin…!

 Filip Guraziu

Filed Under: Analiza

MARKA PRENGA(ÇOKU)* PATRIOTI QË DHA SHTËPINË E TIJ PËR SHKOLLËN SHQIPE

December 30, 2021 by s p

*Në 100 vjetorin e lindjes

image1 (3).jpeg

image0 (4).jpeg

Mësimi shqip në zonën e Mirditës lidhet pa dyshim me një patriot të spikatur i cili ka hyrë në historinë e mësimit shqip në Mirditë me xhestin e tij të veçantë duke dhuruar shtëpinë  e tij në funksion të mësimit shqip dhe zhvillimit të gjuhës shqipe në zonën e Kaftallës së Mirditës. Ai dhe familja e tij u vu në shërbim të shkollës, mësuesve dhe nxënësve të shkollës me akomodim, ushqim, strehim dhe siguri fizike. 

Nikoll Prendi, sot 80 vjeçar si nxënës i parë i kësaj shkolle e kujton me detaje atë kohë. Në një rrëfim për Diellin e Vatrës në New York ai shprehet se : “ kontributi dhe ndihma që ka dhënë patrioti dhe burri i mençur Marka Prenga në  hapjen e shkollës së pare shqipe në fshatin Kaftallë, të Mirditës, pas çlirimit ishte diçka e jashtëzkaonshme. Të kontribuosh për arsimimin dhe diturinë, do të thotë se dashuria për atdheun dhe njerëzit është e madhe. Kjo  merr kuptim të plotë, sidomos kur ky kontribut bëhët në kohen kur njerëzit e duan dhe e kanë të domosdoshme si  dhe e shikojnë si ndriçim në errësiren e kohës. Vitet e para, pas çlirimit të Shqipërisë, e gjeten vendin dhe popullin shqiptar në një varfëri ekonomike, kulturore  dhe shoqërore të jashtëzakonshme. Për këto arsye, ishte e domosdoshme dhe emergjente ringritja shpirtërore, ekonomike, kulturore e kombit.  Por, edhe pse në kushte të tilla, përsëri nuk munguan patriotët dhe njerëzit e medhenj në shpirt dhe zemër. Një ndër ta, ishte edhe burri i urtë e i mençur dhe patrioti: Marka Prenga nga fshati: Kaftallë i Mirditës. Gjendja ekonomike  ishte tepër e varfër. Mungonte infrastruktura. Njerëzit nuk dinin të shkruanin dhe të lexonin në gjuhën shqipe.  Gjithashtu nuk kishte as objekt për të hapur shkollen e pare shqipe, në këtë fshat. Marka Prenga(Çoku)  sakrifikoi gjithçka, vetëm e vetëm që të hapej shkolla në Kaftallë. Shtëpinë e tij, ku ai dhe familja e tij banonin, u kthye në shkollen e parë. I nderuari Marka Prenga, nuk kërkoi  asnjë detyrim për shtëpinë e dhënë. Pra e dha falas shtëpinë, duke sakrifikuar tërë familjen e tij. Shkolla e parë në fashtin Kaftallë, u hap me daten 1 Mars 1946 në shtëpinë e Marka Prengës. Kjo shkollë u bë burimi edukimi dhe mësimi për të shkruar dhe lexuar gjuhen shqipe, për shumë breza”. Ajo shkollë, shërbeu edhe si gur themeli në të ardhmen. Ku në te ardhmen u hap edhe shkolla shtetrorë e Kaftallit. E përmendëm këtë rast, për te treguar se ishte Marka Prenga, burimi I frymëzimit për shumë persona të tjerë që  kontribuan me bazë materiale e punë vullnetare për ndërtimin e shkollës shtetrore në Kaftallë. Ku ma vonë, nxënësit e kësaj shkollë u bënë edhe mësues të kësaj shkollë:  Kjo shtëpi – shkollë, shërbeu për zhdukjen e analfabetizmit të brezave si edhe për edukimin e tyre. Një moment tjetër që vlen për t’u theksuar është edhe humanizmi i nënës së Marka Prenges, Mrica (lindur me 02  Shkurt 1885). Në shumë raste, nxënësit shkonin edhe pa ngrënë në shkollë. Dhe kjo grua, nënë e madhe, u jepte  me ngrënë. Gjatë festave fetare, përseri nëna me shpirt të madh, Mrica tregohej bujare dhe humane. Për festen e Pashkëve, mbushte shporten me vezë të ngjyrosuara dhe u dhuronte të gjithë fëmijëve të shkollës. Duhet theksuar, se Marka Prenga ka lënë pas edhe një familje model. Të cilët vazhdojnë t’i ruajnë e trashëgojnë vlerat më të larta njerëzore. Familja e tyre mbetët një vlerë për  shoqërinë dhe sidomos për ne, bashkfshatarët e tyre.  

Frrok Mark Frroku Një tjetër nxënës i shkollës së Kaftallës tregon se: Shtëpia e Marka Prengës u bë burim i dijes dhe i zhdukjes së analfabetizmit për fshatin Kaftallë. Kjo shkollë u hap për herë të parë në vitin 1946 nga e cila mësuam të gjithë nxënësit e moshave të ndryshme dhe u edukuan për zhdukjen e analfabetizmit. Unë, Frrok Mark Frroku, i moshës 79 vjeçare kam filluar klasën e parë në shkollën Kaftallë tek shtëpia e Mark Prengës në vitin 1947. Aty, në atë shtëpi të kthyer në shkollë, kam përfunduar të gjithë ciklin shkollor. 

Dede Bilani Drejtori i Shkollës shtetërore në Kaftallë e kujton atë kohë duke thënë se: Shkolla në shtëpinë e Marka Prengës  punoi me dy turne për shumë vite: Turni i parë-paradite bëhej mësim me fëmijë të moshës 7,8,9 vjeçare. Turni i dytë –pasdite vonë për rreth 3 orë bëhej kurs kundër analfabetizmit masiv me më të rriturit 13-30 e më shumë vjeç. Mësuesi i parë në këtë shkollë shtëpi ishte Gjokë Kaçorri. E gjithë familja e Mark P.Ndojt i shërbente në një formë ose tjetër shkollës si për rregull, pastërti, siguri fizike të nxënësve por dhe mësuesit, ujë të pishëm, dru zjarri, përcjelljen për në shtëpi të fëmijëve të vegjel në raste të motit te keq apo për arsye të tjera si vajza të rritura që kishin larg shtëpinë, ndonjë fëmijë të sëmurë apo arsye tjetër,pa asnjë pagesë, por vullnetarisht, për humanizëm. Pasi shteti ndërtoi shkolla u vendos në qendër të fshatit, Në një dhomë të shkollës u ngrit muzeu ku u pasqyrua deri në detaje me foto, dëshmi, kujtime të ish-nxënësve të shkollës së parë, foto të shtëpisë-shkollë, të Marka Prengës. 

(Dielli)

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2482
  • 2483
  • 2484
  • 2485
  • 2486
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT