• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJEKË GJONAJ – “E MERITOJNË NDERIMIN” (FIGURA SHQIPTARE TË SHEKULLIT XX)

December 29, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source image Muajt e fundit më kanë arritur në kutinë postale, por edhe me dërgesë elektronike, disa botime me rëndësi historike, kulturore dhe gjuhësore për fushën e studimeve shqiptare në përgjithësi. Një ndër këto libra është edhe një kopje elektronike e veprës së autorit nga Ulqini, me prejardhje nga Trieshi i Malësisë së Madhe, Zotit Gjekë Gjonaj. Përveç përmbajtjes, e përzgjodha këtë libër për t’ia paraqitur publikut, për dy arsye: e para se pse autorët nga trojet shqiptare në Mal të Zi, fatkeqësisht, nuk tërheqin vëmendjen që meritojnë nga Tirana dhe Prishtina dhe e dyta është solidarizimi im me autorin, për faktin se jemi bashkvendas dhe vijmë nga një krahinë krenare e quajtur Malësi e Madhe. 

Libri i autorit Gjonaj — me titullin “E Meritojnë Nderimin (Figura Shqiptare të Shekullit XX), një monografi dokumentuese, botuar nga Art Club në ULqin — është një kontribut tjetër i vyer i autorit të trojeve shqiptare në Mal të Zi, Z. Gjekë Gjonaj.  Është një libër i shënueshëm që i bashkohet 8 veprave të tjera të botuar më heret nga ky autor i palodhëshëm i trojeve shqiptare të Malësisë së Madhe,por që tani jeton e vepron në Ulqin.  Ashtu si edhe librat e mëparëshëm me përmbajtje historike, etno-linguistike dhe kulturore, edhe libri më i fundit i Gjekë Gjonajt, “E Meritojnë Nderimin” (Figura Shqiptare të Shekullit XX), është gjithashtu një vepër shtesë dhe një kontribut i shënuar i historisë kombëtare shqiptare, ku pasqyrohen kontributet nepërmjet profileve të 36 figurave shqiptare të shekullit XX të përzgjedhura nga vet autori për meritat e tyre, sipas vlerësimit të Z. Gjonaj. Ata janë përfaqësues të denjë, kryesisht, nga trevat e banuara me shqiptarë në Malin i Zi, por nuk mungojnë as personalitete të shquara nga Kosova, Shqipëria dhe nga diaspora — të njohura dhe jo aq të njohura për publikun e gjerë. 

Në vend të parathënjes, autori shprehet se “Trojeve tona kombëtare dhe etnike nuk i kanë munguar kurrë figurat historike, kulturore, arsimore, fetare dhe atdhetare që kanë dhënë kontribut të paçmuar në vendosjen e fateve historike të Atdheut. Figura të tilla nga trojet tona kombëtare duhet të shkëlqejnë duke zbuluar nga pluhuri i harresës, jetën dhe veprimtarinë e tyre në shërbim të Atdheut, Kombit dhe lirisë”, shkruan ai, duke arsyetuar pikërisht përzgjedhjen e 36 personaliteteve shqiptare, të cilët, sipas autorit Gjekë Gjonaj, “E Meritojnë Nderimin”, për punën e tyre në fushat e veprimtarisë së tyre përkatëse.  Në këtë vepër, që është një libër i karakterit publicistik, autori trajton personalitete dhe intelektualë (shumica post-mortem të shekullit të kaluar, por disa që ende jetojnë), të fushave të ndryshme të shkencës dhe të dijes: akademikë, gjuhëtarë, punonjës të arsimit, mjekë, gazetarë, autoritete fetare, rapsodë popullorë, biznesmenë dhe mërgimtarë shqiptarë, njerëz, që, sipas autorit Gjekë Gjonaj, me jetën dhe veprimtarinë e tyre kanë lenë gjurmë në historinë e trojeve shqiptare.  Personalitete historike që me potencialin dhe rrethanat e tyre ku kanl jetuar e punuar — në një mënyrë ose në një tjetër — kanë dhënë kontribut të paçmuar në vendosjen e fateve historike të Atdheut”, shprehet autori. 

Është e natyrshme se një përzgjedhje e këtyre 36 figurave të përfshira në këtë libër, që vet autori i ka zgjedhur si të “merituara” për tu përfshir në librin e tij, “E MERITOJNË NDERIMIN (FIGURA SHQIPTARE TË SHEKULLIT XX), mund edhe të ketë ndonjë vërejtës kritik që të thotë se figurat e radhitura në këtë libër përbëjnë një përzgjedhje subjektive se mund të ketë dhe natyrisht që edhe ka, ndoshta, figura edhe më të merituara, por që mund të jenë pasqyruar nga autorë të tjerë.  Por, as vet autori nuk pretendon se kjo listë është një listë gjithpërfëshirse dhe se nuk ka të tjerë të merituar nga kjo zonë.  Ndoshta ia vlen që Z. Gjekaj të marrë parsysh botimin e një villimi të dytë të kësa natyre ku të përfshihen, eventualisht, edhe figura të tjera aktuale dhe nga e kaluara e trojeve të rrethit të Ulqinit e më gjerë.  Por në lidhje me përzgjedhjen e këtyre personaliteteve të merituara, Z. Gjonaj shkruan se, “Me rikujtimin e këtyre personaliteteve të dalluara shqiptare, tentova që vepra dhe kontributi i tyre të mos harrohet kurrë”.  Janë pra këto figura shqiptare që autori ka vlerësuar se, “Meritojnë Nderimin”, për tu përfshir në këtë vëllim, pasi disa prej këtyre figurave të dalluara, mund të jenë hedhur në harresë — me dashje ose pa dashje — nga entet shkencore, kulturore, por edhe nga publicistika aktuale. Kjo është, pikërisht, sipas meje, arsyeja që autori Gjekë Gjonaj ka përzgjedhur për të pasqyruar jetën dhe veprimtarinë e këtyre 36 personaliteteve, përfshir, për shembull, Dr. Athanas Gegaj, intelektualin e përmasave kombëtare, por i pavlerësuar sa duhet, as nga Shqipëria dhe as nga Kosova.

Në shkrimet e mia modeste gjatë viteve, jam munduar që vazhdimisht të ve në dukje krimet e komunizmit anë e mbanë trojeve shqiptare.  Më pëlqen fakti që Z. Gjekë Gjonaj i kushton një vëmendje të veçantë martirëve të diktaturës komuniste në trojet tona, një fakt me të cilin, bota shqiptare ende refuzon të ballaqohet, qoftë me krimet komuniste të Enver Hoxhës në Shqipëri, qoftë me krimet e komunizmit jugosllav kundlr shqiptarëve në trojet e veta, përfshir masakrën e madhe të Tivarit, ku sipas historianëve, kishin gisht dy regjimet komuniste të kohës, ai jugosllav dhe ai shqiptar. Siç më duket shumë me vend edhe fakti se në librin e autorit Gjonaj, nuk mungojnë së përmenduri edhe kontributet e disa figurave të njohura të diasporës.    

Libri i Z. Gjonaj nuk është një libër ku lexuesi mund të mësoj të gjitha të dhënat për jetën dhe veprimtarinë e këtyre figurave të pasqyruara në këtë përmbledhje publicistike, por është një burim kontribues dhe shtesë — si ngacmues për lexuesine interesuar për të kërkuar informacione të mëtejshme për këta kontribues të shkencës, kulturës, arsimit, traditës, besës e burrërisë, e fushave të tjera, sidomos për brezin e ri të shqiptarëve në trojet shqiptare në Mal të Zi, që mund ose jo, të kenë dijeni për këto figura të  kulturës shqiptare dhe si rrjedhim të ndërmirren hulumtime të mëtejshme rreth tyre. 

Libri i publicistit Gjekë Gjonaj, “E Meritojnë Nderimin” (Figura Shqiptare të Shekullit të XX), në vet-vete është një kontribut i vyer ndaj kulturës shqiptare në përgjithësi, përtej trojeve shqiptare në Mal të Zi. Sepse, siç është shprehur, Ernest Koliqi, “Kultura ashtë shpirti i kombësisë. “Kush nuk njeh historinë e vendit të vet, nuk njeh vetveten. Kush nuk ka dijeni për fytyrat e jetës shqiptare që shfaqen në vjersha, në tregime, në përshkrime e përshtypje, në syzime e studime të shkrimtarëve shqiptarë, nuk din me u dhanë zhvillim shkaseve që ndien në gjak të vet. Kush nuk etshohet nga nevoja të dijë shka bluajnë mendjet ma të ndritura të bashkgjakasvet…atëherë ai veçse ka emnin shqiptar, por sa për tjera ai mund të ndjehet i huaj në rrrethin tonë”.  Shqiptarët e trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi janë pjesë e një Kombi të vetëm shqiptar, sit ë tillë duhet të trajtohen nga Tirana dhe Prishtina zyrtare — nuk guxojnë të lihen në dorë të fatit – “që të ndjehen si të huaj në rrethin tonë”.  

Kjo, ndër të tjera, është merita e këtij libri.  Se nepërmjet 36 profileve të këtyre kontribuesve të merituar — në fusha të ndryshme të aktivitetit të tyre, të përmbledhur dhe renditur mjeshtërisht nga Z. Gjonaj në shtatë kapituj — lexuesi ka mundësi të mësojë diçka më shumë se çka “bluajnë” disa prej mendjeve më të ndritura të bashkombasve të vet në rrethin e Ulqinit dhe të Malësisë së Madhe. Ashtuqë shqiptarët e atyre anëve të mos ndjehen të huaj në truallin e vet stërgjyshor, sidomos kur është fjala për zhvillimin e kulturës (“shpirtit të kombësisë”, E. Koliqi) dhe ruajtjen e trashëgimisë dhe kulturës shqiptare në trojet tona në Mal të Zi dhe më gjërë.

“Ky libër në vetvete përbën një enciklopedi të figurave shqiptare dhe si i tillë autori ia ka arritur t’i radhisë me një vijueshmëri të ngjarjeve, peshën që zë çdo figurë e shquar e trevave shqiptare në Mal të Zi, Kosovë e Shqipëri”, shprehet recensuesi i këtij libri, Dr. Nexhat Avdiu, intelektuali shqiptar nga Ulqini. Ndërsa, recensuesi tjetër, Msc. Mark LucGjonaj vlerëson librin me këto fjalë: “Autori, Gjekë Gjonaj, nuk do asgjë më shumë me këtë libër, thjeshtë t’i nderojë, t’i vlerësojë e t’i vendosë në “Log” para lexuesve e historianëve. Ai do që vepra e sakrifica e këtyre njerëzve mos të harrohet sepse është i vetëdijshëm se nëse nuk njohim të shkuarën, do të humbasim të ardhmen. Prandaj, autori e vlerëson shumë jetën, veprën e sakrificën e këtyre figurave të larmishme në veprimtari, dhe me gjithë forcën që ka pena e tij, Ju ka kushtuar këtë lapidar”, vlerëson intelektuali shqiptar nga Tuzi.

Libri i autorit Gjekë Gjonaj është një kontribut i rëndësishëm në këtë fushë. Z.  Gjonaj nga Trieshi i Malësisë së Madhe, me punën e tij të vazhdueshme, me vendosmëri dhe ndershmëri kombëtare, vazhdon pa u lodhur, të promovojë dhe të të përhapë përparim kulturor, historik dhe politik, në përpjekje për të ruajtur lavdinë e të parëve tanë në radhët e shqiptarëve në Mal të Zi dhe më gjërë.  

KUSH ËSHTË GJEKË GJONAJ: Jetëshkrim i Shkurtër i Autorit — Gjekë Gjonaj lindi më 20 mars 1958 në Triesh (Malësi), Komuna e Podgoricës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Tuz. Diplomoi për gjuhë dhe letërsi shqipe në Kosovë. Tetë vjet ka punuar si mësimdhënës në vendlindje.  Në vitin 1986 angazhohet si gazetar në Radion e Malit të Zi. Është njëri nga themeluesit e emisionit të parë në gjuhën shqipe në Televizionin e Malit të Zi “Kronika e Javës”. Aktualisht punon si gazetar profesionist – korrespondent i rregullt i Programit në gjuhën shqipe dhe i Programit informativ në gjuhën malazeze në Radion e Malit të Zi dhe ndihmës-kryeredaktor i revistës “Buzuku”. Është kryetar i Këshillit Programor të gazetës “Koha Javore”. Është anëtar i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ulqin. Ka qenë redaktor përgjegjës i shtojcës në gjuhën shqipe “Polis” në Podgoricë. Bashkëpunon rregullisht me gazetat “Koha Javore” Podgoricë “Koha jonë” Tiranë, “Bota sot” Prishtinë, “Illyria” Nju-Jork, me shumë portale në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë shtetit. Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit, “Ulqini”.  Deri më tani ka botuar 8 libra. Po ashtu ka përkthyer, redaktuar dhe korrektuar disa libra të autorëve shqiptarë. Jeton dhe vepron në Ulqin.

Frank Shkreli

Gjeka (2)

                             Botime të tjera nga autori Gjekë Gjonaj

See the source image

                                                     Gjekë Gjonaj

Filed Under: Komente

Donacioni më i madh në Vater nga bamirësi Jim Xhema

December 29, 2021 by s p

Një donacion prej 30,000 dollarësh i është dhënë Vatrës nga bamirësi dhe biznesmeni shqiptar Jim Xhema. Donacioni i kushtohet një prej projekteve më të mëdha të Vatrës lidhur me dokumentimin e historikut të Vatrës. 
”FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS VATRA NË DOKUMENTE HISTORIKE” përmbledh dokumentacion arkivor brenda dhe jashtë Shqipërisë, raporte origjinale dhe artikuj të qëmtuar nga grupi i punës nën drejtimin e akademikut Profesorit Beqir Meta.  Historia 110 vjeçare e kësaj organizate patriotike të emigracionit shqiptar në Amerikë e Kanada dëshmon kontributin e saj madhor duke filluar nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare, në periudhën e Pavarësisë, në mbështetjen efektive të shtetit shqiptar, veçanërisht në periudhën e Luftës së Parë Botërore kur shteti shqiptar praktikisht ishte i pajetë, dhe pastaj me ndihmesën per ngritjen e institucioneve të këtij shteti pas viteve 1920, me qëndrimin e saj antikomunist dhe sakrificat e persekutimi i shumë Vatranëve nga regjimi komunist i Tiranës. 
E konceptuar në pesë vellime, kjo vepër është panorama më e plotë e rolit të Vatrës në të gjitha sferat e jetës shqiptare, në politikë, në fushën e mbrojtjes, në arsim, letërsi, kulturë, etj. Mbi të gjitha Vatra është përpjekur të mbrojë dhe përfaqësojë interesat mbarëkombëtare të shqiptarëve duke qenë një model i angazhimit qytetar dhe civil në Amerikë. 
Ky projekt ka qenë ëndërr e dëshirë e disa brezave të Vatranëve, prandaj realizimi i tij i mundësuar nga donacioni i një miku të Vatrës si Jim Xhema  është veçanërisht i vlerësuar nga drejtuesit e organizates, nga komuniteti vatran e diaspora. 

Filed Under: Featured

“DIELLI” I VATRËS, DRITË DHE DIELL PËR VITIN E RI NË VATRAT SHQIPTARE

December 29, 2021 by s p

Nga Sokol Paja/

Gazeta “Dielli” si Organi Zyrtar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA uron të gjithë shqiptarët GËZUAR VITIN E RI 2022. Shëndet, sukses, dashuri, mirëkuptim, progres dhe mirësi në familjet e çdo shqiptari anembanë globit. Gazeta “Dielli” mori rrugën për në çdo cep e në çdo skaj të mërgatës shqiptare që jeton e vepron në Amerikë dhe Kanada. Përmbyllëm një vit të suksesshëm me shumë sfida. Vatra e Dielli me veprimtarinë e tyre aktive ishin pranë shqiptarëve kudo ku ata jetojnë e punojnë. Vatra dhe Dielli gjeneruan atdhetarizëm, patriotizëm, energji pozitive dhe investuan çdo burim për çështjen kombëtare, për gjuhën shqipe dhe identitetit tonë kombëtar. U shpreh vlerësim të posaçëm, falenderim të përzëmërt dhe mirënjohje të veçantë të gjithë bashkëpunëtorëve të këtij viti të begatë. Gazeta u rrit nga muaji në muaj e dita në ditë falë mbështetjes e vëmëndjes suaj. Jam i privilegjuar në përfundim të këtij viti kalendarik që bashkëpunuan me “Diellin” mendjet më të mprehta, penat më të shkëlqyera dhe më të arrira të botës shqiptare që nga “Zëri i Amerikës”, mediat potente në Tiranë e Prishtinë, Akademikë, kërkues shkencorë në Fakultete dhe Njësi Kërkimi, analistë e kritikë letrarë, përkthyes, poetë, historianë, diplomatë, personalitete absolute të shkencës, ekspertë të ekonomisë, turizmit, arkivistikës, dhe kibernetikës, veprimtarë, humanistë e patriotë që na mbushin zemrën me gëzim e shpirtin me hare prej sukseseve e veprave të mira. Sukseset dhe arritjet e bijëve e bijave tona në mergatë u pasqyruan imtësisht në këtë vit dhe do vazhdojmë sat ë kemi jetë. Shqiptarët në mergatën e Amerikës dhe Kanadasë e jo vetëm përbëjnë një krenari kombëtare. Gazeta “Dielli” kishte gjatë viti në fokus të saj komunitetin shqiptar në Amerikë, Kanada e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarë që me suksesin e tyre lartësojnë e krenojnë kombin tonë. Gazeta “Dielli” përgjatë këtij viti që po lëmë pas lëvroi historinë, kulturën, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, data, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar. Qëllimi i gazetës ishte në çdo moment informimi i saktë, promovimi i talenteve dhe personaliteteve të botës shqiptare në mërgatë, promovimi i suksesit dhe thithja e mendimit intelektual në gazetën Dielli, ruajtja e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës dhe Kanadasë, gjithashtu të jetë si një urë lidhëse mes shqiptarëve të mërguar dhe Atdheut mëmë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqipfolëse. Mirënjohje e posaçme shkon për z.Dalip Greca për punën e jashtëzakonshme si editor i Diellit në 12 vitet e fundit. Faleminderit dhe mirënjohje për të gjithë ju që mbështesni gazetën më të vjetër të botës shqiptare, gazetën “Dielli” që nga 15 Shkurti i vitit 1909. Faleminderit që na besoni. Faleminderit që na mbështesni. GËZUAR VITIN E RI 2022

Filed Under: Featured

Krishtlindjet ne kampin e internimit Saver

December 29, 2021 by s p

Simon Mirakaj/


Po afroheshin Krishtlindjet. Nuk kishin kaluar shume vite qe kishim ardhe nga kampi famkeq i Tepelenes. Gjendja jone kishte filluar te permiresohej, njerezit kishin filluar te punonin (sigurisht pune te rande si hapje kanalesh etj) e shperbleheshin sipas punes. Po afroheshin Krishtlindjet, ishin kurjoz te rriturit pyesnin njeri -tjetrin a do te cohet meshe valle? Ne mbremjen e atij Dhjetori bjen dera, hyn ne dhome pader Marjan Prela. Mbas atyre pytjeve te zakonshme pader Marjani i drejtohet nanes e i thote: “Kam marre leje ne degen e puneve te brendeshme me cue meshe te menca e puntorve”, nanes e motres i shkelqeu ftyra prej gezimit. Kam ardhe me ju kerku dy djemt Sokolin e Simonin me me ndihmue, une do vi cdo nate me i pregatit, pa tjeter i thote nana, une vuna buzen ne gaz prej gezimit. Pader Marjani ndejti pak e na tha naten e mire.

Do vij neser mrama qe te rrefeheni. Nana na u drejtua: Bini me fjet, bani kryq e thoni urate. Nana na kishte mesue nje urate per Krishtlindje: “Mrame ne mes nate na ka le nje femij i kuq e i bardhe per bukuri, nana vet e shkreta s’ka djep me e lidh po rrin gjithe naten tuj u dridhe, Amen ashtu kjofte. Duke thane uraten na zuni gjumi. Ne diten e Krishtlindjes nana na tha : “Shikoni poshte jastekut se Krishti ju ka prue nga nje dhurate si femij te mire. Ngritem jastekun e shohim se Krishti na kishte sjelle nga nje piper, nje hallve, nje sheqerke ne forme gjeli po keshtu edhe Sokolit. Mbasi falenderuam Krishtin per dhuratat morem nga nje te puthur prej nanes e motres pastaj u drejtuem per te menca ku do mbahej mesha. Deri kur u prishen kishat ne Saver kan cue meshe Pader Marjani, Dom.Nikoll Mazreku, Dom.Mikel Koliqi, Dom Lazer Hubani, Dom Noc Sahatcia. Savra ne nje kohe mbeti pa prift per me cue mesh si per Krishtlindje a per Pashk. Priftat vinin prej Gradishti a Plugu.

Menca ishte ba gadi. U krijua korri prej motrave Kristina e Celestina Markagjoni dhe hallat e tyne Marta e Bardhe Markagjoni Motrat Klore, Katrina, Lajde Mirakaj, Motrat Lul e Sose Sokoli. Motrat Gita e Albina Shllaku, Xhina Mirakaj, Elena Merlika, Flora Pali, Suzana Topalli, Pina Luka, Prenda Previzi, Zheta Destanishta Bardhe Melyshi, Karlet Luka, Rrok Simoni. Menca ishte mbushur plot. Pader Marjani filloi meshen i ndihmuar prej meje e Sokolit. Mbas Meshe duke uruar njeri -tjetrin per Krishtlindjen u nisem drejt shtepive per dreken e Krishtlindjeve. Sofra u shtrua me nje pjate gjelle me mish derri (mishi i derrit ishte ma i liri nje kg.80 lek) e nje embelsire (Tespixhe). Nga ora tre fillonin vizitat qe mbaronin naten vone. Njerezve u nxirrnim karamele e nje got liker.

Urimet ishin te zakonshme :”Mot ma mire”. E nen za thonim: ZOTI e kjo dit e shejt na shpetofte prej kesaj te keqe qe na ka zane. I fundit qe ka cue meshe ne Saver ka qene Dom.Lazer Jubani. Mbas meshe shkoi per dreke te Markagjont (i thirrun prej tyne). Tavolinen e kishte ba gadi nane Mrika nje zonje madheshtore e shume fisnike qe te impononte respekt, fillun me mbush pjatat me makarona. Dom Lazri ju drejtua: “Te lutem jo shume”. Pjata e dom Lazrit u mbush si per mikun e vecante.Dom Lazri ishte mbulue ne djerse duke hanger, nane Mrika i thote: “Dom Lazer leni mos i ha me zor”. Dom Lazri ju pergjigj: Une do ti ha se me i lane une nuk i han kush ma e ato shkojne dam”.P.S. I shkrujta keto pak rreshta me kujtu me respekt e mall ato qe nuk jetojne, me kujtu keta klerik qe vuajten neper burgje e u ekzekutuan, ne menyre te vecante me kujtu herojt e kishes katolike.

Filed Under: Politike

NGRITJA E PERANDORIVE TË REJA

December 29, 2021 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO – “Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2021 – Përktheu: Eugjen Merlika

Nëse ndërlikimet e asaj që mund të ndodhë të mos ishin shumë serioze, do të duhej të buzëqeshnim duke kujtuar një fjali të njohur: “po arrin revolucioni dhe nuk kam asgjë për të vënë”. Në janarin e vitit t’ardhshëm, ose mbas pak javësh, do të jemi mjaft këtu n’Evropë duke pritur pa frymë ngjarjet. Rusia, që ka grumbulluar një sasi të madhe trupash në kufi me Ukrainën mund të vendosë t’a mvatojë me qëllim të pushtojë Kievin. Biden-i, NATO-ja, madje edhe Bashkimi evropian po tregojnë fytyrën e tyre të ashpër e, edhe se përjashtojnë përdorimin e forcës, kërcënojnë Putinin me sanksione tejet të rënda. A do të mjaftojë? Ndërkaq presidenti rus nxjerr në fushë të gjitha mjetet që ka, armët por edhe kërcënimin energjitik kundrejt një Evrope që nuk ka menduar të pakësojë vartësinë e saj nga gazi rus në vite në të cilët kishte mundësi. Me që ra fjala, mund të vërehet se edhe nga kjo pikpamje, jo të gjithë n’Evropë jemi vlerësues entuziastë të Anxhela Merkelit e të trashëgimisë së saj politike. Ndoshta kriza ukrainase mund të kalohet (përkohësisht), duke gjëndur një marrëveshje mes Rusisë dhe perëndimorëve që të bëjë të mos humbin faqen asnjëri. Mbetet fakti që, n’atë krizë edhe ne evropianët e Bashkimit jemi të përzjerë. Pikërisht ne që deri pak kohë më parë, zbaviteshim me formula të tipit ”Evropa e qytetëruar”, duke përfytyruar se nuk do t’arrinim kurrë më të bënim llogaritë me rregullat e ashpra të politikës së forcës. 

Nga çështja ukrainase mund të nxirren që tani mësime të ndyshme. I pari është që bëhet fjalë për një pasojë të rënies (relative) të fuqisë amerikane, pa të cilën vështirësisht Putini do t’ishte zotuar në një të tillë belegu me perëndimorët. Edhe ai pothuajse dështim i “takimit të demokracive”, aq të dëshirur nga Biden-i, është një shenjë e humbjes së autoritetit, pra të fuqisë së Shteteve të Bashkuara. Një mësim i dytë ka të bëjë me ndërvartësinë e ngushtë, në një botë tashmë shumëkahëshe, ndërmjet zonave të ndryshme të krizave që pështjellojnë interesat jetike të fuqive të mëdha. Sigurisht kinezët nga kriza ukrainase mund të nxjerrin tregues për të kuptuar se çfarë do të bënin amerikanët nëse e kur Kina të vendoste të mësynte Taivanin. Një tjetër mësim ka të bëjë me qëndrimin e perandorive të rilindura (Kina) ose që synojnë të rimëkëmben (Rusia). Nga kjo pikpamje ka një ngjajshmëri të dukëshme ndërmjet dëshirës ruse për të rimarrë Ukrainën dhe asaj kineze për të pushtuar Taivanin. Njimendësia perandorake, përfytyresa që perandoria ka për vetëveten, është e dëmtuar nëse ajo nuk merr kontrollin e plotë të  territoreve të zotëruar prej saj në shekujt e shkuar (aq më shumë nëse, si në rastin e Kievit, kanë për perandorinë një vlerë të madhe simbolike), n’atë kohë t’artë në të cilën ajo gëzonte rëndësinë e shkëlqimin më të madh. Përballë kësaj kërkese asnjë argument që mund t’i kundërvihet e që ka për bazë parimet e pavarësisë e të sovranitetit kombëtar (të Ukrainës e të Taivanit) ose çështja e të drejtave njerëzore (të ukrainasve, të taivanasve apo të kujtdo) nuk ka asnjë vlerë. Siç është parë së fundi në Hong Kong. 

Ka së fundi dhe një mësim që lidhet me ne evropianët që pikërisht tani nuk kanë asgjë për të vënë. Mbas tërheqjes rrënuese amerikane nga Kabuli edhe më hutaqët kanë kuptuar se për Evropën mbaslufta e gjatë (mbaslufta e Dytë botërore) është me të vërtetë e mbaruar, që mbrojtja amerikane nuk është më një fakt i sigurtë, që ka një problem jetik të sigurisë evropiane. Por çfarë duhet të bëhet e si do të bëhet? Për shëmbull, jemi nën kërcënimin energjitik të Rusisë. Mbas jo shumë kohe, kur gazsjellësi North Stream 2 do të hyjë në veprim (ndalesa e tanishme vështirësisht do të bëhet e përherëshme) aftësia  e ndikimit rus mbi evropianët do të shtohet më shumë. Brukseli papritmas u zgjua dhe propozon masa për të pakësuar vartësinë energjitike nga Rusia brënda 2030. E ndërkaq? Cilido qoftë përfundimi i krizës ukrainase, është e sigurtë që trysnia e Rusisë mbi Evropën, përpjekja për të kushtëzuar vendimet, do të rritet në vitet e ardhëshme, në lidhje të drejtpërdrejtë me dobësimin e Shteteve të Bashkuara.  

Është e dukëshme papregatitja evropiane për të bërë llogaritë me revanshizmat e sotme perandorake (jo vetëm të fuqive të mëdha). Për të marrë një shëmbull nga shtëpia e jonë e që ka të bëjë me interesat tona jetike, i kemi lejuar otomanëve (Turqia) të rimerrnin Tripolitaninë një shekull më mbrapa mbasi pikërisht Italia u a kishte hequr nga duart e tyre (më 1912), pa patur Vëndi vetëdijen e plotë t’asaj që ka ndodhur. Shumë bujare nga ana e jonë. Mesdheu po bëhet një det i zotëruar nga rusët e turqit, por problemi nuk e shqetëson aspak opinionin tonë publik apo atë të Vëndeve të tjera evropiane. Thuhet: Evropa duhet të ketë sa më shpejt mbrojtjen e përbashkët. E përsosur. Por a jemi të sigurtë se Evropa e ka kuptuar me të vërtetë? Presidenti francez flet. Por në sfond është gjithmonë kujtimi i Madhështisë franceze. Me të vërtetë, n’emër të mbrojtjes së përbashkët, Franca do t’i lejonte kontrollin mbi armët bërthamore një organizmi të përbashkët evropian? Të kujtojmë se Makroni me gjasë do të matet në votimet e ardhëshme presidenciale, me një kandidate goliste. Përjashtohet që në kohë të shkurtëra të mund të kryejë veprime kaqë bujare. Për arsye të ndryshme, as evropianët e tjerë nuk duken të përgatitur psikologjikisht e moralisht, të ndryshojnë zakonet e vjetra (të formuara në një botë që nuk është më). Hamendësohen, edhe në temën e mbrojtjes, bashkëpunime të përforcuara, madje të drejtuara nga një pakt ndërmjet Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Por nuk është aspak e sigurtë që palloi, Franca me mbeturinat e saj të Madhështisë), lopa e butë dhe e shëndoshë (Gjermania)  dhe kameleoni (Italia) mund të jenë në gjëndje të zotohen me të vërtetë në një sipërmarrje të tillë.

Ndërkaq, kërcënojnë krizat e rrezikëshme, si ajo ukrainase, që do të mundnin nga një ditë në tjetrën të ndryshonin pritmëritë e Evropës. Kur nuk ka çadra mund vetëm të shpresohet të mos bjerë shi. Së paku jo së shpejti.

“Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2484
  • 2485
  • 2486
  • 2487
  • 2488
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT